Agjencioni floripress.blogspot.com

2022/01/31

Dialogu i pabotuar me Ismail Kadarenë, shkrimtari zbulon gjithçka mendon mbi dashurinë, seksin, frikën dhe vdekjen: Nuk kam pengje! Më merr malli shpesh, por…

 

Në 86 vjetorin e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, është publikuar një pjesë e pabotuar nga libri “Kohë për rrëfim”.

Ky është një dialog i shkrimtarit të madh Kadare me Alda Bardhylin, mbi dashurinë, seksin, jetën, frikën dhe vdekjen apo librat e palexuara.

Shkrimtari i jep përgjigje pyetjeve mjaft, përshembull si e ka lënë në mes leximin e Xhojsit dhe ka treguar edhe mbi pengjet e jetës së tij…


Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?

“DIMRI I VETMISË SË MADHE” DHE “KONCERT NË FUND TË STINËS”, PASI JAPIN NJË TABLO TË PLOTË TË SOCIALIZMIT NË SHQIPËRI. SA MË SHUMË TË KALOJË KOHA, AQ MË SHUMË DO TË DUKET E PABESUESHME SE SI ËSHTË SHKRUAR KY DIPTIK NË KOHËN E SOCIALIZMIT.

Cilat janë për ju tregimet e parapëlqyera të të gjitha kohërave?

NOVELAT E MIGJENIT. STUDENTI NË SHTËPI, P.SH., KU PËRSHKRUHET SHPIRTI I TRAZUAR I NJË STUDENTI SHQIPTAR, I CILI KTHEHET PREJ STUDIMEVE NGA NJË VEND PËRPARIMTAR, NË SHQIPËRINË E PRAPAMBETUR. ISHTE KOHA E ZOGUT DHE AI DUHET TË JETONTE KËTU. KY PERSONAZH MË NGJANTE ME MIJËRA STUDENTË TË KTHYER NGA JASHTË, ME TRAUMËN E KTHIMIT QË GJENIN NË SHQIPËRI, NJË VEND I MËRZITSHËM KOMUNIST, NGA I CILI ATA NDIHESHIN TË HUAJ.

Çfarë gjinie ju pëlqen të lexoni e çfarë nuk lexoni?

LEXOJ RRALLË POEZI E MË SHPESH PROZË.

Çfarë librash mund të na befasojnë në raftet tuaja?

ËSHTË PYETJE E VËSHTIRË. UNË KAM SHUMË LIBRA NË BIBLIOTEKËN TIME PREJ 40 VJETËSH, ËSHTË E VËSHTIRË T’I PËRGJIGJESH KËSAJ PYETJEJE.

Një personazh libri më i parapëlqyer juaji?

HAMLETI ËSHTË NJË PERSONAZH QË TË GJITHË ADOLESHENTËT KRIJOJNË NJË LIDHJE ME TË. SOT, KUR KTHEHEM PAS NË KOHË, TEK AI GJEJ NJË BRENGË TË RINISË, NJË PAKËNAQËSI, NJË SY KRITIK NDAJ BOTËS, NJË FAT QË NUK ECËN, NJË PENGESË QË ËSHTË E KEQE SI ÇDO PENGESË, POR EDHE E BUKUR NË THELBIN E SAJ. HAMLETI ISHTE NJË PERSONAZH QË NUK NGJANTE FARE ME “BIRBOT” POZITIVË TË VENDEVE SOCIALISTE. ISHTE E KUNDËRTA E HEROIT POZITIV.

Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?

LEXOJA VETËM LIBRAT DRAMATIKË, ATA HIJERËNDË, ATA QË KISHIN PESHË, PRANDAJ KJO MË KA SHPËTUAR NGA FRYMA PSEUDOPOZITIVE E SOCIALIZMIT, GJËJA MË E RREZIKSHME PËR SHKRIMTARËT. ATA QË BININ PRE E SAJ ISHIN PA DINJITET.

A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?

SIGURISHT QË JAM FUTUR. BIBLIOTEKAT MEZI T’I JEPNIN LIBRAT, SEPSE I KISHIN NË KOPJE TË PAKTA. POR LIBRAT MË TË NEVERITSHËM ISHIN ATA ME HERONJ POZITIVË.

Keni pasur një kontradiktë me heroin pozitiv?

PO, NJË MOSPËLQIM. FËMIJA ME INTUITË E NDIEN SE NË JETË KA GJËRA QË NUK SHKOJNË MIRË. KA GJËRA TË TRISHTUESHME, TË MALLËNGJYESHME ETJ.

Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë ky që jeni sot, cili do të ishte ai?

MAKBETHI. NDËRSA LIBRI QË MË NERVOZONTE SHUMË ISHTE NËNA E MAKSIM GORKIT; GJITHË AJO FLAMË, AI HIDHËRIM PËR NËNAT, PËR BABALLARËT, TEK TËRË SHKRIMTARËT E VEGJËL.

Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?

MUZGU I PERËNDIVE TË STEPËS.

Pse?

NUK E DI PSE!

Nëse do t’i kërkonit presidentit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?

S’E DI. KAM FRIKË NËSE DO TA KUPTONTE APO JO, OSE DO TA KUPTONTE SË PRAPTHI.

Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?

MË DUKET E PAMUNDUR NJË ZGJEDHJE E TILLË, DO TË KISHTE SHUMË. DO TA QUAJA FATIN MË TË MADH TË JETËS SIME.

Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë? A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?

JO, NUK MË KUJTOHET. KUR ISHA I RI, NISA TË LEXOJA ME QEJF GARDËN E RE. NGAQË KARVANI I PERSONAZHEVE TË BUKURA E POZITIVE KISHTE ENDE FORCË TË TËRHIQTE SI HISTORI, POR MË PAS E KUPTOVA KURTHIN QË KRIJONTE PËR LETËRSINË. LIBRI SHPARTALLIMI M’U DUK I MREKULLUESHËM, PASI ISHTE E KUNDËRTA E KËSAJ.

Cili do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?

NJË GRUMBULL GRASH NDOSHTA.

Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?

S’PARA KTHEHEM TE NDONJË LIBËR SËRISH, MEGJITHËSE NË MENDJE MË KALOJNË SHPESH MENDIME.

Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?

PËR ASNJË.

Çfarë keni ndër mend të lexoni tjetër?

ULIKSIN E XHOJSIT, PASI E KAM LEXUAR PJESË-PJESË.

Eqrem Çabej?

E KAM NJOHUR. KEMI BISEDUAR, POR RRALLË. KISHA PËRSHTYPJEN SE ISHTE TIP I MBYLLUR DHE NUK KAM DËGJUAR TË KETË PASUR MIK ZEMRE. DO TË KISHA DASHUR TË BËJA ME TË BISEDA PËR ENIGMËN E GJUHËS, POR MË DUKEJ DISI E PAMUNDUR.

Pse?

MËNYRA E TË MENDUARIT TONË ISHTE E NDRYSHME.

Jusuf Vrioni?

VRIONI KISHTE NJË KUPTIM TË LETËRSISË QË NDRYSHONTE SHUMË NGA IMI DHE TË LINTE PËRSHTYPJEN SE ISHTE NJERI I MBYLLUR PËR ÇËSHTJE TË THELLA LETRARE. ISHTE DHE SHUMË I TRAUMATIZUAR NGA TRYSNIA E SHTETIT SHQIPTAR. POTHUAJSE GJITHMONË U SHMANGEJ TEMAVE DELIKATE, GJË QË E DËMTONTE CILËSINË E AFRIMIT.

Po ju bëj të njëjtën pyetje që Mario Vargas Llosa ia drejtoi Gabriel Garsia Markezit: “Shpesh njerëzit pyesin veten: Për çfarë duhen shkrimtarët? Të gjithë e dinë për çfarë duhet arkitekti, për çfarë duhet inxhinieri, për çfarë duhet mjeku, por, kur bie fjala për shkrimtarin, lindin dyshime. Për çfarë duhesh ti si shkrimtar?”

KJO HYN NË PYETJET QË NUK DO TA KENË KURRË NJË PËRGJIGJE TË SAKTË. DISI NGJAN ME PYETJET SE PËRSE DUHET DASHURIA? OSE TË NGJASHME SI KJO PYETJE.

Vetmia është cilësuar gjithnjë si një “temë e rrezikshme” ndër shkrimtarët. Markezi shprehet: “Nëse do të mund të shpjegoj pikërisht vetminë, atëherë ajo do të bëhet tejet racionale, tejet e vetëdijshme dhe do të pushojë së më interesuari…” Cili është përkufizimi juaj për vetminë?

VETMIA ËSHTË E NDRYSHME, NË KOHË TË NDRYSHME E VENDE TË NDRYSHME TE NJERËZ TË NDRYSHËM. PRANDAJ ËSHTË DHE E RREZIKSHME, POR DO TË SHTOJA SE SA E RREZIKSHME AQ EDHE E DOMOSDOSHME ËSHTË NDONJËHERË PËR SHKRIMTARIN. LETËRSIA KRIJOHET NË VETMI DHE NE S’MUND TA RINOVOJMË KËTË GJË DHE S’DUHET TA RINOVOJMË KURRË.

Kur thoni e rrezikshme, çfarë nënkuptoni me rrezik?

NËNKUPTOJ PAK A SHUMË ATË QË NDODH ME NDJENJËN E DASHURISË, QË E PËRMENDA MË LART.

A duhet që shkrimtari ta bëjë të ditur përkatësinë përmes temave që prek? A duhet domosdoshmërisht që temat e letërsisë suaj të jenë vetëm shqiptare?

NUK ËSHTË E DOMOSDOSHME. NË LETËRSI QËLLON QË AJO ÇFARË ËSHTË MUNGESË TE NJËRI MUND TË JETË MERITË TE SHKRIMTARI TJETËR.

Sot duket sikur bisedat mbi realizmin në letërsi kanë mbaruar. Në fakt, unë do të doja të diskutonim pak se ç’do të thotë realizëm, cilët janë kufijtë e tij? Ju e konsideroni veten si një shkrimtar realist?

REALIZMI ËSHTË NJË TERM, PARA SË GJITHASH I DËSHPËRUESHËM, I PAFAT, I KEQPËRDORUR. PJESËMARRËS, HERË PAS HERE, NË TERRORIN KUNDËR LETËRSISË. ASKUSH NUK MUND TA GJEJË SE ÇFARË E BËN NJË VEPËR LETRARE TË PAARRITSHME PËR NGA NIVELI: REALIZMI APO E KUNDËRTA E TIJ.

Çfarë mendoni për poezinë në kohën e sotme?

NË KOHËN E REALIZMIT SOCIALIST KALOI NË SHUMË VENDE SI NJË SËMUNDJE, SI NJË FURTUNË. NËSE NJË FURTUNË MUND TË QUHET TË JETË E MËRZITSHME, E RREME ETJ., EDHE “TRAZIMI POETIK”, ME TË CILIN SPEKULOHET KAQ SHUMË, KA LUAJTUR NJË ROL TEPËR NEGATIV, SI ÇDO GJË E RREME QË FRYHET NË BOTË. NGAZËLLIMI I NJOHUR I POETËVE SKEMATIKË KA QENË DIÇKA QË I NGJANTE NJË SËMUNDJEJE NGJITËSE, QË PËRPIQEJ TË DUBLONTE NGAZËLLIMIN E ARTIT. MË DUKET SE U NGATËRROVA NË KËTË GJË…

E keni quajtur veten poet?

JO. NËSE NDIEJA HERË PAS HERE NJË NDJENJË “TURPI” NGA LETËRSIA, KJO VETVETIU LIDHEJ ME ATË QË QUHEJ ANA POETIKE E SAJ. AQ MË TEPËR, ISHTE E BEZDISSHME AJO PRIRJE UNIVERSALE, KU ÇDO NDJESI DELIKATE NJERËZORE TA QUANIN POEZI. KJO E KEQE LIDHEJ ME TË KEQEN E TMERRSHME, SKEMATIZMIN POLITIK. A PO SHKËPUTET BOTA PREJ SAJ? VËSHTIRË TA THUASH. NGANJËHERË TAKOJMË VARGJE POETIKE QË NGJAJNË SIKUR JANË NGJIZUR NGA VETË GJUHA. P.SH., SHPREHJET E NGJASHME ME VARGËZIME POPULLORE, SI: “HANKO MOS SHKO NËPËR VARRE SE TË VDEKURIT I NGJALLE”, OSE “NGA MURI DO NGJITEM TA DI QË DO TË VRITEM”.

Po citoni poetët anonimë? Mos është kjo një sfidë ndaj atyre që njihen si poetë?

BISEDAT PËR SFIDA MË DUKEN ZAKONISHT TË PAKRYESHME, TË PAMUNDURA.

A kemi ne një histori në poezinë shqipe?

NATYRISHT QË KEMI. MENDOJ SE ËSHTË E PAMUNGUESHME KJO LLOJ HISTORIE NË TË GJITHA LETËRSITË.

Kur ka qenë poezia e fundit që keni shkruar?

NUK E MBAJ MEND.

Si i zgjidhni titujt tuaj të librave?

NUK KAM PASUR NDONJË VUAJTJE PËR TITUJT ASNJËHERË, AS NDONJË NGULMIM, QË ATA TË JENË TË BUJSHËM.

Hemingueji e shkroi 47 herë fundin e romanit Lamtumirë armë, për të mbërritur te fjalia: “Pas pak, e braktisa spitalin dhe nën shi u ktheva në hotel.” Për shumë autorë, fundi i një libri është mundim. Si ka qenë ky proces në krijimtarinë tuaj?

FUNDI I NJË LIBRI NUK MË LODH, MË JEP GJITHNJË NJË KËNAQËSI. FUNDET JANË DIÇKA E AFËRT ME MUA, NDIHEM I AFËRT ME TO DHE PËRKUNDRAZI, KAM NJË LEHTËSIM. I VETMI MUNDIM, NËSE MUND TË QUHET I TILLË, ËSHTË NJË ZGJEDHJE, QË PËR MUA ËSHTË E KËNDSHME GJITHMONË. ZAKONISHT I PËLQEJ FUNDET, ËSHTË NJË ELEMENT QË, SIÇ DUKET, TE SHKRIMTARI E SHKAKTON LËVRIMI I POEZISË. NJË SHKRIMTAR I LIDHUR ME POEZINË I KA MË TË LEHTA FUNDET. MË ËSHTË KRIJUAR KJO NGULITJE NË KOKËN TIME.

Në vitet ’20 dhe ’30 të shekullit të kaluar, filozofë si Uolter Benjamin folën për vdekjen e romanit. Vetë postmodernizmi do të ndikonte në një ikje prej realizmit. Si e shihni ju romanin sot?

ROMANI NË LETËRSI ËSHTË NJË GJINI E RËNDËSISHME. MENDOJ SE TË GJITHË SHKRIMTARËT KANË NJË TËRHEQJE GATI MAGJIKE NGA KJO FJALË, KY KONCEPT, KY PËRFYTYRIM. FJALA ROMAN KA DALË NGA LETËRSIA PËR T’U PËRDORUR NË PJESËT MË DELIKATE TË JETËS NJERËZORE. KJO TREGON ATË HIJEN E TIJ, QË UNË E QUAJTA TË MBARË NË JETËN NJERËZORE. PËR MUA FJALA E NJOHUR NË TË GJITHA GJUHËT, ROMAN, ËSHTË NJË NDER QË LETËRSIA I KA BËRË VETES, DUKE ARRITUR QË T’I JAPË TINGËLLIM KËSAJ FJALE. NUK MENDOJ SE DO TË KETË NDONJËHERË VDEKJE TË ROMANIT.

Cesare Pavese ka thënë se ajo që kujtojmë nuk janë ditët, por çastet. Cila është vlera e çasteve në histori?

NË HISTORI, NË JETË, NË KALENDARIN E JETËS NJERËZORE, ÇASTET SHFAQEN NË MËNYRË SHUMË KAPRIÇIOZE. ATO JANË SHPESH MË TË THELLA SESA DUKEN, OSE E THELLË ËSHTË VONESA E TYRE, SIÇ MUND TË JETË VËRTETUESE PËR DIÇKA, OSE E RREME. DO TË DOJA QË TË MOS FLISJA PËR KËTË GJË TË PASHTERSHME.

Çfarë vlere kanë pasur çastet në jetën tuaj?

SIGURISHT QË KANË PASUR VLERË. NDONJËHERË E KAM KUPTUAR KËTË VLERË DHE NDONJËHERË JO.

A keni ju një kufi midis trillimit dhe realitetit gjatë procesit të shkrimit?

UNË PËRPIQEM TA MENDOJ KËTË GJË PA KUFI, TË PAKUFIZUAR.

Përse shkrimtarët e kanë të vështirë të shkruajnë për seksin?

ËSHTË NJË PYETJE, NË PAMJE TË PARË, E THJESHTË, POR QË NË NJË BISEDË ME NJË SHKRIMTAR KA BRENDA SAJ PAMUNDËSINË PËR T’U PËRGJIGJUR. VETË ETJA PËR TË LEXUAR PËR SEKSIN KA NË VETVETE DIÇKA ANORMALE. RRJEDHIMISHT, EDHE DIALOGËT PËR TË BËHEN TË TILLË.

Sa i rëndësishëm ka qenë seksi në veprat tuaja?

NUK KAM ASNJË IDE NË KA QENË APO JO I RËNDËSISHËM.

Çfarë ju tremb tani?

ASGJË! MË TREMB VETË ECJA E JETËS, ASHTU SIÇ MË GËZON E HIDHËRON.

Për çfarë ju merr malli?

MË MERR MALLI SHPESH, POR E KAM TË VËSHTIRË TA GJEJ. NJË HERË MË MERR PËR DIÇKA, E HERË PËR NJË GJË TJETËR, NGJARJET NDËRROJNË ROLET.

E prisni këtë vit çmimin “Nobel”?

S’E DI! ZAKONISHT, KA NJË GRUP SHKRIMTARËSH QË PËRMENDEN KUR AFROHET KOHA E KËTIJ ÇMIMI.

Kemi folur jo shumë për dashurinë…

GJITHÇKA MUND TË NDODHË NË DASHURI. PËRDERISA KJO ËSHTË NJË SFERË E PANJOHUR DHE DO TË MBETET E TILLË DERI SA TË SHUHET NJERËZIMI, NE S’MUND TI DIMË MISTERET E SAJ.

Çfarë duhet të bëjë njeriu për dashurinë?

GJITHÇKA DHE ASGJË.

Kur thua asgjë, çfarë mendon. Mendon se duhet ta lëmë të iki nëse nuk na përgjigjet, apo duhet të luftojmë për të?

SIGURISHT QË DUHET TË LUFTOSH PËR TË. POR DUHET TA BËSH KËTË LUFTË DUKE MOS HARRUAR KURRË DIMENSIONET E PANJOHURA TË SAJ.

Pas botimit të librit Kur sunduesit grinden, ju u shprehët se nuk do të shkruanit më. Sigurisht që një deklaratë e tillë i trishtoi lexuesit tuaj.

ËSHTË DIÇKA QË NATYRSHËM U VJEN HERË PAS HERE SHKRIMTARËVE. NUK DUHET SHQETËSUAR PËR DEKLARATA TË TILLA. NUK JANË TË HARESHME, POR NUK JANË AS TË PIKËLLUESHME, SA MUND TË DUKEN.

Kjo do të thotë se mund të kemi një libër të ri nga ju?

KJO S’PËRJASHTOHET TË THOTË EDHE KËTË.

A keni pengje?

JO, UNË NUK KAM PENGJE, POR NË REGJIMET E VËSHTIRA DUKET E NATYRSHME QË SHKRIMTARËT TË KENË PENGJE SE PSE NUK SHKRUAN KËTË APO ATË VEPËR. NUK KAM NDONJË PENG TË KËSAJ NATYRE. DUKET SIKUR ATO QË KAM DASHUR MË TEPËR TË SHKRUAJ, I KAM SHKRUAR DHE KY ËSHTË ÇLIRIMI I NDËRGJEGJES. PO NUK E KE KËTË PENG, SHKRIMTARI ËSHTË I ÇLIRUAR NGA SHUMË PENGJE, PASI NUK NJEH PENG TJETËR NË BOTË.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së/ Kritika të ashpra ndaj Speciales: Seanca të redaktuara, nuk merret vesh për çfarë flitet

 

Monitoruesit e punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës kanë vlerësuar se ky institucion është duke trajtuar me profesionalizëm të drejtat e të akuzuarve dhe palëve të tjera në procedurë.


Megjithatë, Amer Alija, koordinator në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, ka thënë se Dhomat e Specializuara në seancat gjyqësore që janë zhvilluar deri më tani, në veçanti në rastin kundër ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, kanë qenë aq të redaktuara, saqë ka qenë e vështirë të kuptohet nga monitoruesit se për çfarë në të vërtetë flitej në seancë.

Këto komente Alija i bëri në një debat publik të organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare, të hënën më 31 janar.

“Seancat në rastin e Salih Mustafës kanë qenë tejet të redaktuara. E dimë që këto redaktime bëhen për shkak të sigurisë së dëshmitarëve, por nga 12 dëshmitarë, dhjetë prej tyre kanë qenë të redaktuara apo të mbyllura, ku mbi 70 për qind të seancave kanë qenë shumë të redaktuara dhe një monitorues laik do ta ketë të vështirë për të kuptuar se çfarë është duke ndodhur brenda seancave”, tha Alija.

Ai ishte kritik edhe sa i takon fazave përgatitore për procese gjyqësore, që sipas tij, Dhomave të Specializuara po u merr kohë të gjatë.

Udhëheqësja e Njësisë së Informimit dhe Komunikimit Publik në kuadër të Dhomave të Specializuara të Kosovës, Angela Griep, tha se redaktimet e shumta si dhe kalimi në seanca private, bëhet më qëllim të mbrojtjes së dëshmitarëve.

“Ekzistojnë shpesh arsye shumë të forta pse gjyqtarët vendosin që të kalojnë në seanca të mbyllura dhe pse gjyqtarët vendosin që dokumentet duhet të redaktohen dhe kjo arsye, në të shumtën e rasteve, ndodh për të mbrojtur dëshmitarët apo njerëz të tjerë të cilët janë në një formë apo tjetër pjesë e procedurës”, tha Angela Griep.

Duke folur për punën e Dhomave të Specializuara në këtë debat, avokati Artan Qerkini tha se çështja e mbylljes së seancave ka ndikuar që opinioni të mos mund të përcjellë rrjedhën e gjykimeve.

“Unë e kuptoj se edhe mbrojtja e dëshmitarëve është një çështje për të cilën duhet të kihet kujdes gjykata, mirëpo në anën tjetër parimi i publicitetit është pjesë e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm dhe nëse i kemi redaktimet, plus mungesën e publicitetit, atëherë thjesht opinioni po mbetet i mangët në lidhje me përcjelljen e rrjedhës së procedurës”, tha Qerkini.

Një kritikë tjetër për Dhomat e Specializuara ishte edhe mungesa e përkthimeve të disa materialeve gjyqësore në gjuhën shqipe dhe atë serbe.

“Si vërejtje do ta veçoja mungesën e publikimit të këtyre shkresave në tri gjuhë. Pra, kryesisht shkresat që lëshohen nga Dhomat e Specializuara publikohen vetëm në një gjuhë, por nuk publikohen edhe në gjuhën shqipe dhe në gjuhën serbe”, theksoi Alija.

Si pozitive nga monitoruesit e punës së këtij institucioni u vlerësua fakti se proceset gjyqësore ose shqyrtimet kryesore mbahen me një intensitet të lartë dhe me një profesionalizëm të dukshëm, ku të drejtat e palëve në procedurë, sipas tyre janë duke u respektuar në mënyrë maksimale.

Aktualisht në Dhomat e Specializuara të Kosovës janë duke u zhvilluar dy procese gjyqësore, njëri ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa si dhe tjetri ndaj udhëheqësve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Procesi gjyqësor ende nuk ka filluar ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi si dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar me vendim të Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit 2015 dhe mision kanë hetimin e krimeve të pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Pretendimet për këto krime të supozuara janë përmendur për herë të parë në një raport të Këshillit të Evropës, në vitin 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Kontribut në tre veprat kryesore në qendër të Tiranës, Presidenti Meta vlerëson me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” inxhinierin e shquar

 


Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi pas vdekjes me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” inxhinierin e shquar Ferit Stërmasi. Kreu i Shtetit thotë se Stërmasi ka qenë një nga inxhinierët, veprat e të cilit janë të njëohura nga të gjithë.


Presidenti kujton ato më të rëndësishme, ku Stërmasi ka dhënë kontribut të vyer, sic është Pallati i Kulturës, Muzeu Historik Kombëtar dhe Hotel ‘Tirana’.

“Sot kisha privilegjin e veçantë të vlerësoja me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” një nga inxhinierët dhe konstruktorët më të shquar të vendit tonë, të paharruarin Ferit Stërmasi, veprat e rëndësishme industriale, shoqërore dhe kulturore të të cilit janë të njohura nga të gjithë.

Do të mjaftonin vetëm pak minuta në qendër të Sheshit ‘Skënderbej’ në Tiranë, për të parë tre nga veprat ku inxhinier Stërmasi ka dhënë kontributin e vyer: Pallati i Kulturës, Muzeu Historik Kombëtar dhe Hotel ‘Tirana’. Për të vijuar me Muzeun ‘Gjergj Kastrioti’ në Krujë, Uzinën e Superfostatit në Laç, Aeroportin e Rinasit, Hotel ‘Skampa’ Elbasan dhe shumë e shumë vepra të tjera, me të cilat krenohemi të gjithë.

Përherë mirënjohës për kontributin e madh të inxhinier Stërmasit, të dhënë në futjen e të rejave të shkencës në fushën e ndërtimit, si dhe për vlerat e larta qytetare e intelektuale të vëna në shërbim të Tiranës dhe të gjithë vendit tonë.

Falenderoj në veçanti Shoqatën “Tirana” për bashkëpunimin e veçantë në vlerësimin e shumë personaliteteve të ndritura të Kryeqytetit tonë”, shkruan në Facebook Presidenti Meta.

“E tmerrshme! E gjora unë…!”- Zbardhet ditari ish-prokurorit të Përgjithshëm: Zbulohet biseda në zyrë me motrën e Enver Hoxhës për ekzekutimin e bashkëshortit! Ç’më tha Bahri Omari para pushkatimit!

 

 Ishte qershori i vitit 57 kur ish-Prokurori i Përgjithshëm përfundoi në burgun e Kaninës. 


Polici i shërbimit e shtyu te qelia dhe pasi i kujtoi rregullat e sjelljes, iu kthye me cinizëm: Tani e tutje kjo do të jetë shtëpia jote! Bedri Spahiu ndali një çast dhe pastaj u ul në krevatin aty pranë.

Sakaq në qelitë e tjera u hap lajmi si rrufeja, se i porsaardhuri ishte vet prokurori i Përgjithshëm. Çfarë kishte ndodhur? Ç’kishte bërë? Kush kishte firmosur për fatin e tij? I burgosuri i ri nuk ishte njeri i zakonshëm. I njohur si një nga miqtë e afërt të Enverit, Bedri Spahiu ishte dashuruar me komunizmin qysh ditët e para, ishte përkushtuar pas tij shpirtërisht, kishte qenë në ballë të lëvizjes antifashiste si rrallë të tjerë, kishte kryer detyra nga më të rëndësishmet pas luftës dhe më në fund kishte përfunduar në Kaninë me pranga në duar.

Në pranga se kishte guxuar, sipas akuzës, të përmbyste pushtetin popullor, të eliminonte Enver Hoxhën. Plot shtatë muaj do të jepte llogari në qelitë e Kaninës se kishte dalë kundër komunizmit dhe Enverit. Që këtej, do të vazhdonte me të njëjtin ritual në burgun e Tiranës për të përfunduar në atë të Burrelit, ku qëndroi 17 vite me radhë. Banorë i një qelie të errët, i privuar nga gjithçka, Bedri Spahiu u lehtësua disi kur i lejuan pirjen e duhanit. Mjaft nga orët e ditës i kalonte duke pleksur cigare dhe në mbrëmje i rregullonte në kutinë e dhuruar nga miku i tij, Tuk Jakova. E dërrmon vetmia e qelisë, e vret, i rëndon në shpirt, por edhe e ndihmon të rrëmojë në të kaluarën, t’i rikthehet historisë që ka mbetur pas. Çfarë bëmë mirë? Çfarë mund të bënim ndryshe? Ku gabuam? Enigmat janë të shumta, por dhe koha për t’u marrë me to është pa limit. Përreth ka ish-kundërshtarë, madje edhe nga ata që ka dënuar vetë, ka miq, ish-bashkëluftëtarë, ish-zyrtarë të regjimit. Të gjithë bashkëvuajtës. Ai, protagonisti i zhvillimeve politike të luftës dhe viteve të para të pasçlirmit, është njëri ndër ta. Për fatin e tij kanë vendosur në fillim shokët e udhëheqjes në Tiranë. Gjithsesi, Bedri Spahiu nuk pranoi ta ndante me kërrkënd dilemën e vet. Vendos të mbyllet në vetvete dhe ndërpret çdo lloj komunikimi.

Mundohet të vetpërmbahet, të jetë i kthjellët. Mbylli gojën, për të ruajtur arsyen, për t’u ngritur mbi vetminë e frikshme të qelisë. Pastaj fillon rebelimin, protestën, duke drejtuar gishtin nga burimi i së keqes. Sfida ishte e shumëfishtë, e rrezikshme. Një letër në fillim, Kryemi nistrit të vendit “Unë e di që je kriminel nga natyra, por të paktën je me taban, ndërsa ai (Enveri) është pa parime dhe unë tregoj mospërfilljen time duke mos ia zënë emrin në gojë”. Në vazhdim me dhjetëra replika me krerët e regjimit dhe ata të sigurimit të shtetit. Ishte njohur gjatë luftës si një nga gojëtarët më të zjarrtë. Ishte ndeshur me kundërshtarët në polemika të fuqishme dhe kishte fituar. Kishte bërë emër si triumfator dhe kishte shkëlqyer në ballin e çlirimtarëve.

Paslufta kishte zgjuar të tjera shpresa, por në rrugë e sipër ishte zhgënjyer. Kishin marrë fund të gjitha. Tanimë, ai emri i madh i politikës shqiptare, do të mbetej brenda katër mureve të qelisë. Aty ku krimi dhe tortura psikike sundon çdo çast. Bedri Spahiu nuk mund të pajtohej me këtë gjendje dhe rebelon. Rebelon duke denoncuar fort me mënyrën e tij. Merr laps e letër dhe shkruan e shkruan ato që shef me sy. Se “një ditë e vërteta do t’i çajë muret e Burrelit”. Po gardianët “syçelët” nuk kanë arsye ta lënë në këtë aventurë të tmerrshme. Sa e gjejnë me to në duar ia grisin pa mëshirë. Fillon t’i rishkruajë nga e para. Kështu deri në ditën e lirimit. Iku nga ferri i zi, po i mbeti aty arkivi dorëshkrimeve.

Pas viteve 90 u rikthye në Tiranë për t’ju bashkuar familjes. Prapa kishte mbetur drama e tmerrshme me kalvarin e vuajtjeve pa fund: Bedriu 17 vjet në burg politik, Spartaku, djali i madh, 12 vjet në Spaç e Burrel, Petriti, djali i vogël, katër vjet, e shoqja dhe vajza 20 vite sa nga një kamp internimi në një tjetër. Që ditët e para u interesua për fatin e dorëshkrimeve të burgut. Trokiti e trokiti pa rreshtur deri sa ra në gjurmë të tyre. Mijëra faqe të lidhura me brumë. Plot 12 vëllime të shkruara me dorë. U gëzua pa masë. Ishte historia e jetës së tij. Madje më tepër se ajo. Bedri Spahiu kishte jetuar ashtu siç kishte dashur të jetonte, pavarësisht pabesive të të tjerëve. Kishte prekur fundin dhe thelbin e jetës. Tashmë nuk kishte më peng…

DITARI 1 qershor 1957.
Sot më arrestuan. Në drejtorinë e Punëve të Brendshme të Elbasanit më komunikuan vendimin e Komisionit të Internimeve: Transferim, internim në kalanë e Kaninës, Vlorë. Në burg, i izoluar komplet nga bota e jashtme.

10 qershor 1957
Në qelinë e burgut të Kaninës erdhi Ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu dhe kryehetuesi Nevzat Hazdenari, dhe zhvilluan një hetuesi verbale me mua. U thashë se disa herë në jetën time kam qenë në burgje dhe kam pritur ekzekutimin, vdekjen. Kështu në 50 vitet e jetës time, gati gjysmën e tyre i kam kaluar me kokë në trastë. Për këto nuk jam pishman. Përkundrazi është e bukur të punosh e të rrezikosh për popullin. Të luftosh e të vdesësh për të vërtetën është e moralshme.
Çdo gjë në këtë botë është relative. Relativiteti ekziston dhe në fushën e ideve. Nuk ka ide të vërteta në mënyrë absolute. Ka ide relative si të vërteta për shoqëri të caktuara ose për klasa të caktuara. Këto klasa, me të ardhur në fuqi, idealet e tyre i shpallin si të vërteta të pakundërshtuara. Por historia tregon se e vërteta relative e një klase të caktuar mund të jetë karrieriste e idealeve të klasës. Këto momente karrieriste bëhen fatkeqësi nacionale, bëhen pengesë për zhvillimin e qytetërimit. Individi karrierist është figurë interesante.

Pa arritur pozitën, ai është i urtë, lajkatar, buzëgaz, i përulur e hipokrit. Sa arrin pozitën tjetërsohet, bëhet gënjeshtar, dinak, dallkauk, megaloman. Të bëhesh mik i tij duhet të bësh një sërë ndryshimesh që të çojnë tek ai. Pra duhet të jesh një kufomë e gjallë që qelbet!… Koha është një armik i madh për karrieristin, ajo i zbulon të palarat, të vjetra e të reja qofshin dhe atëherë ai fillon të përgënjeshtrojë, të lëpijë ç’ka pështyrë dhe të pështyjë ç’ka lëpirë… Karrieristi nuk ka nga luan më dhe vazhdon të ketë armike kohën, historinë, këta armiq të pamëshirshëm. Nëqoftëse forcat demokratike e përmbysin, ai bën një vërejtje të përshtatshme si burracak.

5 korrik 1957
Sot bëhen 35 ditë në kalanë e Kaninës. Tre shokët e dhomës janë arrestuar tre ditë para meje. Është ora dy e natës. Dy nga shokët lexojnë, i treti fle. Sa të hapë sytë do fillojë të këndojë dhe ne me zërat e çjerrë nga mungesa e stërvitjes do ta shoqërojmë. Jetojmë katër veta në një dhomëz tre me katër metra dhe me një penxhere, gjysma e së cilës rri hapur ditë natë. Kemi një llambë me vajgur që na tymos gjithë natën. Kalaja e Kaninës nuk e fillon historinë me burgimin tonë. Ajo ka një të kaluar të lavdishme. Ka qenë vendmbrojtje nga armiqtë. Në kalanë e Kaninës era nuk është e freskët dhe ledhatuese si në kalatë e tjera në këto ditë vere. Këtu era është e rrëmbyeshme, oshëtin e fëshkëllen si e xhindosur…

Burgut, jo çdo njeri mund t’i rezistojë pa një vetpërgatitje shpirtërore. Pa këtë burgu do të ishte i tmerrshëm. Ai që nuk ka rënë kurrë në burg, ka sigurisht një frikë të madhe prej tij. Natyrisht që është i tmerrshëm burgu. I burgosuri fillon e adaptohet me jetën në të dhe me kalimin e kohës fillon dhe përballon mërzinë më me lehtësi. Gjendja këtu është e jashtëzakonshme. Unë vazhdoj të trajtohem e mbahem në kundërshtim të hapët me rregulloren e Ministrisë së Brendshme, që parashikon trajtimin e të dënuarve me internim të izoluar. Ende vazhdojnë të më ndalojnë komunikimin me familjen dhe takimin me familjarët.
25 shtator 1957
Sot i bëra letër Presidentit të Republikës, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Ministrit të Brendshëm. Ja çfarë u shkruaja atyre lidhur me shkeljen e rregullores për rastin e “internim-izolimit” tim: Jam arrestuar më 1 qershor 1957 dhe gjendem i burgosur në burgun e Kaninës. Nga mënyra si mbahem dhe si trajtohem, m’u mbush mendja se nuk është fjala për internim e izolim, siç m’u komunikua ditën e arrestimit, por për privim të lirisë në kuptim të Kodit Penal, prandaj më 31 gusht, pasi mbusha tre muaj paraburgim, kërkova nga organet e brendshme që në bazë të ligjit ta kalojnë çështjen time në Prokurori ose të më lirojnë dhe njëherazi t’u japin fund masave për ndalimin e shtypit, të komunikimit me familjarët dhe takimin me ta. U kërkova atyre që të ndërhyjnë për të vendosur drejtësinë…

5 tetor 1957

Më kthyen kërkesën që i kisha drejtuar Presidentit dhe Prokurorit të Përgjithshëm me pretekstin se ajo duhej të ishte shkruar në tre kopje dhe me bojë shkrimi. Natyrisht unë nuk e shkrova ndonjëherë me bojë shkrimi dhe në tre kopje…

6 tetor 1957

Në praktikë ndodh që edhe rojen mund ta zërë gjumi. Një ditë rojen që është te dera ime e zuri gjumi. I fola për ta zgjuar, por nuk m’u përgjigj. I fringëllova çakmakun mbi pushkë që e kishte lëshuar në pëqi dhe nuk u zgjua. Ju afrova dhe i ngita me dorë mjekrën, por ishte e pamundur që të përmendej.. Së fundi i kapa kokën me dy duart dhe e shkunda fort. Përsëri nuk reagoi. Aty për aty bëri të hapte sytë, por akoma nuk ishte përmendur. Mund t’i merrje pushkën dhe revolen e ta lije në gjumë sa të kaloje lumin e Vlorës. Natyrisht unë nuk mund ta bëja një gjë të tillë. Një mënyrë e tillë mund të më jepte lirinë dhe jetën, por më privonte nga e drejta e mbrojtjes, që ishte vetëm gëzimi im në këto rrethana.

4 nëntor 1957
Më 6 gusht tërhoqën Ilo Maliqin. Më 7 shtator Vangjel Petin. Më 9 tetor Hysen Haxhinë. Dëgjohet zhurma e një makine të vogël. Dalim për të parë se kush po vjen. Kë sjell dhe kë do marrë. Por, harruam se sot është e shtunë dhe vijnë për të marrë qenin e gjahut. Nesër është e diel dhe ata të degës do dalin për gjah. Je i internuar, besoje që je i internuar. Është tjetër hesap pse rri në kala të Kaninës, një repart me 16 ushtarë për dy të internuar! Kështu është urdhri. Gjithë personeli i rojes nuk është më me alarmin dhe nervozizmin që ka qenë në kohët e para ndaj nesh. Ata e kanë kuptuar se nuk jemi të rrezikshëm dhe nuk kemi ndërmend të arratisemi. Edhe rojet që shërbejnë e ndjejnë kotësinë e shërbimit dhe rinë sa për formalitet në një qoshe të shkujdesur si çobanët që kanë lëshuar dhëntë në një zonë të pa zarar. Sikur të ndjenim veten fajtor mund të arratiseshim kur të donim.

Bile mund të çarmatosnim edhe rojet. Punë boshe, as dreqi nuk e merr vesh këtë punë, thonë rojet dhe me gjithë këtë shërbimi i rojes vazhdon pandërprerje. Kështu është urdhri. Tani ju kujtoj: Ty Nedo (e shoqja), Spartak (djali i madh), Petrit (djali i vogël) Mira (vajza) dhe ty Ane (nëna) e dashur! E di që jeni plot me vuajtje, me bukë thatë dhe pa rroba. Përballë këtyre më duhet të nxjerr një forcë të pamposhtur qëndrese. Le t’ju jap forcë dhe qëndresë vdekja ime dhe jo ligështia!…

7 nëntor 1957

Ai që do të shkruajë për çështje politike, duhet të mendohet shumë mbi çdo fjali, për çdo fjalë. Në do të kuptosh se ç’ka dashur të thotë dikush, ti duhet të mendosh shumë mënyrën si e ka shkruar ai. Në do të parashikosh si do veprojë kundërshtari, duhet të mendosh pozitën e tij. Në burgun e Kaninës na lënë të rruhemi vetëm dy herë në javë. Mjetet e rrojes i mban ekonomati. Nuk e kanë vënë në zbatim në këtë burg lidhjen e duarve prapa gjatë të rruarit. Pra ruhemi vetë në mbikëqyrjen e një kapteri. Tani kemi një javë pa u rruar se mungon kapteri. Sot tek po rruhesha, roja thirri përgjegjësinë e rojeve, por ky nuk largohej dot prej meje. Alarm i madh! Të dukej sikur dikush po sulmonte kalanë. Dhe vërtetë dikush po sulmonte. Ishin turistë të huaj që po vinin të vizitonin kalanë. I zmbrapsën duke i kërcënuar nga larg. Kemi kaluar në “rrezik të madh”. Ata mund të shikonin atë që fshihej në kala: pra dy të burgosur politik!

19 nëntor 1957

Po bëhen pesë muaj e nëntëmbëdhjetë ditë që gjendem i burgosur në kalanë e Kaninës. Kur njeriu gjendet në një izolim të plotë, siç jam unë, librat do dukeshin më të këndshëm se ç’janë, por këtu libra nuk ka. Bën shumë ftohtë dhe duart më dridhen duke shkruar, por duhen hedhur shënimet në bllok. Ja, nisa të kujtoj Gjirokastrën. Një dëshirë e zjarrtë më pushton të jem atje. Kam mall e dashuri për të. Aty kam kaluar jetën e hidhur të fëmijërisë, luftën kundër mjerimit dhe okupatorit. Kam lëvizur në shumë vende gjatë jetës. Gjithnjë më ka pushtuar dashuria për vendlindjen. Kush nuk është ndarë ndonjë herë me vendlindjen, nuk mund të ketë provuar ndjenja të tilla. Në burg dashuria për lirinë, për ajrin e pastër, për diellin e ngrohtë, për vendin e të parëve është më e madhe se kudo. Sidomos kur dashuria shfaqet për një kauzë të madhe, kauzë që çmohet se është e drejtë… 22 nëntor 1957 Sot më erdhi Nedua (gruaja- shënim e red.) bashkë me Mirën (vajzën). Nedua nuk më tregoi për vështirësitë e jetës, por ia nxori në shesh Mira.

“Me se e ha bukën në mëngjes?” e pyeta unë. “Me sheqer. Nganjëherë më bën trahana Aneja”, u përgjigj Mira. Pastaj shtoi se kishte raste që Aneja nuk i jepte bukë në mëngjes dhe nga një herë ia jepte thatë. “Po pse, mos nuk ke uri”, ja ktheva unë. “Jo uri kam po…” këtu Mira një çast ngeci. “Po si duron deri në drekë?, e pyeta rishtas. “Ja ashtu…” bëri ajo me gjysmë zëri. “Mos nuk ka gjë në pazar?”, shtova unë. “Pazari është plot me bukë, me sheqer, me gjalp, po si të të them”, shpjegoi si e zënë në faj Mira me kokën përdhe. Nuk dija çfarë t’i thosha. Më qante shpirti. Gjithsesi më duhej të mbaja veten

 Tradhtarët vriten pas shpine. Ne nuk jemi tradhtarë. Historia do të jetë gjyqtari i paanshëm”. Reagimi i Bahri Omarit para skuadrës së pushkatimit, kishte tronditur rëndë Bedri Spahiun. Vegimi trishtues do t’i qepej në sy për ta lënduar heraherës si një plagë e hapur.


Do t’i kthehej e rikthehej atij momenti prokurori i kunatit të Enverit disa herë, sidomos gjatë viteve të burgut. “More, ç’bëmë? Pse i vramë?”, do pyeste veten netëve të gjata të qelisë. Mesazhi i fundit i Bahri Omarit, shokut të fëmijërisë, kishte qenë i fortë, si vetë karakteri i tij. I fortë dhe domethënës.

Kur bënte prokurorin, kishte pasur disa raste të tilla, por këtë herë, marrëdhënia e veçantë me viktimën, e bënte enigmën më komplekse. Gjithsesi, detyra e donte ta çonte deri në fund ballafaqimin me njeriun e afërt të Enverit që ishte shpallur rishtas armik i popullit. Bedri Spahiu që e njihte fort mirë logjikën e kohës, nuk mund të bënte ndryshe. Në ditarin e plotësuar gjatë viteve të burgut, ka me dhjetëra faqe me kujtime nga ditë-netët e përballjes me Bahri Omarin.

Dialogu mes tyre kishte nisur që në vitet e luftës, kur ndanin mendime të ndryshme për mënyrën e reagimit ndaj okupatorit dhe rasti e solli të mbyllej te vendi i ekzekutimit. Në shënimet e Bedri Spahiut, bie në sy dyzimi i tejskajshëm për të shkuar te vendimi fatal. “Një natë para ekzekutimit, shkruan ai, më erdhi në zyrë gruaja e Bahriut. Dukej e lodhur dhe e tronditur. “Kam marrë vesh se nesër do t’i pushkatoni” – tha ajo. Po, ju përgjigja, duke i kujtuar vendimin e marrë. “Edhe tim shoq?” -shtoi me lot në sy. Të gjithë, pa përjashtim, i thashë. “Mos! E tmerrshme! E gjora unë…” u shpreh ajo me ngashërimë. Nuk mund të bëhet ndryshe, e sqarova duke i vënë përpara dokumentin me firmën e Enverit që mbaja në sirtar. Aty për aty i lashë të kuptonte se vetëm firma e tij mund të bënte mrekullinë. Nuk dija ç’ti thosha tjetër dhe e përcolla. Të nesërmen ndodhi ajo që ndodhi…”

DITAR (BURREL-BËNÇË)
26 qershor 1968
Më erdhi në takim Preng Shoreti (nga Laçi). Është rast i jashtëzakonshëm të vijë në takim një i huaj, bile i tillë është edhe për njerëzit më të afërt. Prengën e kam pasur ushtar në batalionin Kosova në vitin 1934 në kazermat e Ali Rizait. Kam shkuar mirë me të, bile përtej marrëdhënieve të thjeshta epror-vartës. Në korrik gusht 44 e takova në Bari të Italisë. Në nëntor 44 u kthye në Shqipëri dhe erdhi e më takoi në Berat ku kishim bërë qendrën në pritje të çlirimit të Tiranës. Në vitin 1947 më erdhi në Prokurori dhe më kërkoi t’i jepnim leje për përdorimin e një pushke. Mbaj mënd që ja dhamë… 23 qershor 1968 Spartaku (djali i madhshënimi red.) ka ardhur ushtar në Burrel në repart pune. Jemi pra në një qytet, por shumë larg njeri tjetrit. Sot më erdhi në takim.

3 shtator 1968
Erdhi përsëri Prenga, megjithëse unë i kisha thënë të mos vinte. Tha se do të vinte përsëri, por më nuk u duk. Si e ka hallin?!

25 nëntor 1969
Dje nuk na nxorën për ajrosje. Edhe sot gjithashtu. Ndodhemi para festave të nëntorit. Sivjet festohet 25 vjetori i Çlirimit. Ajrosja në raste festash ndalohet. Këtë radhë kjo masë filloi më herët. Pas një të keqeje, prit edhe një të mirë. 24 nëntori na mbylli brenda, por 24 nëntori na solli duhan që kishim dy muaj pa të. Sot na erdhi dhe porosia tjetër: Erdhi vaji po nuk erdhi sheqeri e shkrepëset. Sot dëgjova emrat e Koço Tashkos dhe Spiro Lepurit…

8 dhjetor 1969

Është e hënë. Është dita më e mërzitshme e javës. Ditët e tjera vjen gazeta dhe thyhet monotonia e ditës. Pjesa e oborrit ku shëtis unë ka diell. Pjesa ku shëtitin pesë të dënuar të tjerë nuk ka diell, por ka vend për tu strehuar kur bie shi. Dielli dhe strehimi janë ndarë ndërmjet meje dhe atyre. Të mirat ndahen, ky është fakt, por na ruaj Zot sikur njeriu ta përgjithësojë.Jonuz Pirizua është i vetmi njeri që kam në birucë. Si njerëz nuk ja duam të keqen njëri-tjetrit. Si ish luftëtar të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare (qoftë edhe pse unë nuk e kam pas njohur) kemi një konsideratë të posaçme për njëri-tjetrin e megjithatë ne jetojmë duke i shkurtuar ditët (jetën) njëri-tjetrit se të dy jetojmë në një birucë të përbashkët. Është një shkurtim jete e ngadalshme, e qetë, uniforme. Në një anë vrasim njëri-tjetrin me gazin karbonik që lëshojmë dhe në anën tjetër përvetësojmë oksigjenin e kurbaturës së birucës. Është natë, sapo kaloi oficeri i rojës për apelin e mbrëmjes.

9 dhjetor 1969
Dëgjohen çelësat në dyer e gjitonëve. Është zgjimi. Dera e parë që hapet është e Niko Shollës. Është dënuar për vjedhje me 25 vjet. E kam njohur në kampin e Fushë Krujës. Në fillim dilnim për ajrosje në të njëjtën orë, pastaj Nikua nuk doli më në shenjë proteste pse nuk e çonin në kamp pune. “Jam, ordiner, thoshte, prandaj nuk mund të rri me armiqtë në një dhomë”. Ngrë batanijet. Një erë e qelbur shpërndahet nga trupi im i palarë që në verë. Ngre dyshekun dhe shikoj çimenton të lagur. Më kujtohet Vasil Partali në kaushin numër 5 të Tiranës. Kur pamë vendin e lagur një mëngjes kujtuam se mos kishte pshurrur natën pa e ndjerë.

I ramë në qafë të shkretit plak. Për një çast mbeti në pozitë të keqe se nuk kishte si e justifikonte atë lagështirë poshtë dyshekut të tij dhe ne nuk kishte si ta shpjegonim ndryshe. Tani unë e shpjegoj. Avulli i nxehtë i trupit kalonte nga dysheku në çimento, këtu ftohej dhe kondensohej në ujë. Në qoftë se për disa ditë rresht nuk i ngre teshat, dysheku kalbet. Nuk ka filluar akoma i ftohti i madh. Këtu në dimër temperatura arrin minus 15 gradë celsius. Kështu fillon zgjimi në birucë. Po çfarë është zgjimi? Nuk e kam fjalën për zgjimin e një populli a të një klase, por për të përmendurit e njeriut nga gjumi. Gjithkush mund t’i përgjigjet në mënyra të ndryshme. Fëmija kur përmendet sheh se është në prehrin e nënës.

I dënuari kujtohet se është dita e ekzekutimit. Dashnori kujtohet se është dita e martesës. Jonuzi me 80 vitet e jetës së tij kujtohet se qenka akoma gjallë dhe unë kujtohem se duhet zbrazur qypi i nevojës.. Dëgjoj llogaritarin Pandeli Zerecin që i kërkon leje rojës për të më futur brenda gazetën. Pas pak dëgjoj të hapet sporteli dhe të mbyllet përnjëherë. Brenda sportelit ka mbetur gazeta Zëri i Popullit, e datës 9 dhjetor 1969. E hap dhe lexoj në të për diktaturës e Frankos; “Madrid/ Gjashtë baskë që ndodhen në burgun e Burgasit shpallin grevë urie në shenjë proteste kundër keqtrajtimit të tyre dhe kundër urdhrit që i ndalon ata për të folur gjuhën baske gjatë takimeve me të afërmit e tyre.

25 dhjetor 1969

Erdhi Titi(djali i vogël) dhe më takoi në Burrel. Më lanë më në fund që ta puth nëpërmjet sportelit. Ishte i dobët sikur të ishte ngritur nga varri. Nuk kishte pallto të madhe dhe dridhej nga të ftohtit. Më tha se Nadua vazhdon të jetë sëmurë. Po të mendojë njeriu sa kanë vuajtur fëmijët e mi, po të mendojë privacionet e ushqimit, të veshjes në kushtet e dimrit, mungesat e tjera të strehimit, ilaçeve etj, duhet të çmendet në qoftë se nuk i pushon zemra nga dëshpërimi. Unë rezistoj dhe duhet të rezistoj. Si sot, në vitin 1964 më provokoi Skënder Shahollari (e kishin vënë sigurimsat) në burgun e Tiranës. Pikërisht për këtë i bëra letër njoftimi (promemorie) drejtorisë së burgut dhe Prokurorisë së Tiranës. Në këtë vit fillova të shkruaj testamentin që e përfundova dhe e nisa më 25 janar 1965. Si sot isha i izoluar në burgun e kalasë së Kaninës. Bënte tmerrësisht ftohtë. Isha vetëm. Hysen Backën me Nesim Starovën e kishin larguar në tetor. Tahir Demirin e kishin larguar para disa ditëve për në “spital”…

28 dhjetor 1969
Një çast po kujtoj vrasjen e Bahri Omarit. Ai para pushkatimit u thirri shokëve; “Ktheni ballin nga pushkët! Tradhtarët vriten pas shpine. Ne nuk jemi tradhtarë. Historia do të jetë gjyqtari i paanshëm”. Historia do të jetë përfundimisht gjyqtarja e epokës tonë, e asaj që bëmë mirë dhe e asaj që bëmë keq. Po historinë nuk mund ta shkruajmë tani për tani, kur jemi në peshën e efekteve emocionale. Madje për të as që do bëhet fjalë sa të jemi gjallë ne ish protagonistët e saj.

Historia e vërtetë do fillojë të shkruhet pas vitit 2044. Pra një shekull më vonë nga periudha e triumfit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ajo do të jetë historia që do të mbetet. E ka thënë mirë Bahri Omari. Unë si ish kundërshtar i tij, i shtrohem gjyqit të historisë, gjyqit të brezave që do të kenë lindur pasi të kenë kaluar 100 vjet. Unë për vete i shtrohem në mënyrë të pakondicionuar gjykimit të brezave të shekullit pasardhës dhe shpërfill çdo gjykim të njëanshëm dhe tendencioz të gjeneratës tonë…

Prof. Mevlan Kabo, 70 vjet kontribut në shkencën gjeografike shqiptare

 PROF. DR. PERIKLI QIRIAZI/ PROF. DR. SKËNDER SALA

Prof. Mevlan Kabo është një ndër përfaqësuesit e denjë të plejadës së gjeografëve,që hodhën bazat e arsimit dhe të shkencës gjeografike, për të cilat ne ish-studentët dhe kolegët e tij, por edhe breza të tërë mësuesish dhe gjeografësh anembanë vendit i janë mirënjohës. Kontributi i tij i madh u shtri në shumë fusha: pedagogjike, shkencore, drejtuese dhe publicistike: si punonjës në Ministrinë e Arsimit; si drejtues i suksesshëm sektori në Institutin e Studimeve dhe Botimeve Shkollore dhe i redaksisë enciklopedike në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori”; si drejtues i institucioneve universitare (përgjegjës i Katedrës së Gjeografisë, zv.dekan i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë në UT dhe pedagog i Gjeografisë); drejtues i institucioneve shkencore (përgjegjës i sektorit të gjeografisë në Institutin e Hidrometeorologjisë dhe drejtor i Qendrës së Studimeve Gjeografike të ASHSH dhe punonjës shkencor në këtë qendër; kryeredaktor i revistës “Studime Gjeografike”, anëtar i Redaksisë së veprës FESH dhe në ribotimin e rishikuar të tij, redaktor shkencor i gjeografisë). Kontributi pedagogjik dhe shkencor i prof. Kabos u shtri edhe në Kosovë, ku vendosi themelet e bashkëpunimit shkencor me Universitetin e Prishtinës.

Kudo ku ka punuar prof. Kabo, gjithmonë u dallua për korrektesë, drejtësi, aftësi drejtuese dhe mendim novator, kulturë të gjerë shkencore gjeografike dhe jo vetëm; për dimensione të shprehura humane, jo vetëm në marrëdhëniet miqësore me studentë e kolegë, por edhe në postet drejtuese, ku u veçua për mirësinë e tij, mirëkuptimi dhe bashkëpunimin e shkëlqyer. Edhe pasi doli në pension, profesorin gojëmbël dhe përherë me humor të këndshëm e kemi gjithmonë midis nesh me shembullin e tij brilant të kurajës, vullnetit për punë e studime, përherë kërkues për të vërtetën shkencore; me kulturën e formimin gjeografik; me mendimet e argumentuara, me kontributet e veçanta në zhvillimin e studimeve gjeografike etj. Veprimtaria shkencore dhe botuese e tij, si autor dhe bashkautor, u shtri në vepra kombëtare, monografi, studime, artikuj studimorë, referime në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, harta, broshura, botime divulgative etj. Brenda kuadrit të një artikulli, do të mundohemi të flasim vetëm për disa aspekte të veprës shkencore të tij.

Kjo për dy arsye: e para se ajo është mjaft e gjerë dhe e dyta, do të duhet kohë që të vlerësohet kontributi i tij shkencor, shinat e shtruara prej tij në problematikën tepër komplekse të gjeografisë së Shqipërisë, të cilat do t’u shërbejnë brezave të gjeografëve të rinj për ta çuar më tej këtë shkencë me vlera sa teorike, aq edhe praktike, por edhe kombëtare. Karriera e suksesshme pedagogjike dhe shkencore e prof.. Kabos filloi në vitin e largët 1965, kur mori udhë puna e tij e vështirë të pedagogut dhe studiuesit në katedrën e Gjeografisë të Universitetit të Tiranës. Me vrullin e guximin e studiuesit të ri, me vullnet dhe dëshirë për punë të palodhur dhe sistematike në kabinet, bibliotekë dhe në terren, ai u formua si intelektual dhe gjeograf me kulturë të gjerë, jo vetëm gjeografike, por edhe në disa fusha të afërta.

Ky formim solid shkencor dhe kulturor, por edhe aftësitë e rralla të tij profesionale, mundësuan që leksionet dhe seminaret e zhvilluara nga prof. Kabo të dallohet për nivel të lartë shkencor dhe metodik. Më kujtohet leksioni i parë në lëndën Gjeografia Fizike Krahinore, kur profesori tërhoqi vëmendjen tonë me zërin e qetë, të shtruar dhe me parashtrimin e qartë të fakteve, të shoqëruar me figura të bukura e domethënëse dhe argumente shkencore të dukurive gjeografike të rajoneve fizikogjeografike të botës. Auditori i leksioneve të profesorit të ri ishte përherë plot me studentë. Ligjëratat e tij janë model për informacionin e pasur, argumentet bindëse shkencore, elokuencën e veçantë. Në gjithë vendin, ish-studentët e prof. Kabos flasin me admirim të veçantë për leksionet dhe seminaret e drejtuara prej tij, për mjeshtërinë e tij të rrallë për t’i bërë ato tërheqëse, për provimet, që profesori i kthente në bashkëbisedime tërheqëse, ku studentët lirshëm shprehnin mendimet e tyre.

Veprimtaria e tij kërkimore–shkencore shtrihet kryesisht në fushën e gjeografisë fizike. Me aftësitë e rralla profesionale dhe organizuese, prof. Kabo drejtoi grupin e studiuesve, që përgatitën veprën kombëtare “Gjeografia fizike e Shqipërisë”. Njëherazi, ai është bashkautor dhe kryeredaktor i kësaj vepre madhore, që u botua në dy vëllime në vitin 1990 dhe 1991. Vepra në fjalë ishte kurorëzimi i punës studimore disa vjeçare të shumë studiuesve gjeografë dhe të fushave të afërta. Ajo hapi një rrugë të re në studimet e gjeografisë fizike shqiptare, duke shënuar kalimin nga forma përshkrimore në analiza të thella shkak-pasojë të dukurive gjeografike të natyrës sonë; nga trajtime të veçanta të komponentëve të peizazhit gjeografik në trajtimin kompleks të këtyre komponentëve në kuadrin e rajoneve fiziko- gjeografike të vendit tonë.

Tashmë, për çdo njësi fiziko-gjeografike të vendit ka informacion të pasur dhe tepër të vlefshëm për shumë fusha. Ndaj, ajo tërhoqi vëmendjen e mendimit shkencor të kohës, por edhe të publikut. Shumë shpejt vepra u bë një libër tavoline për shumë studiues të natyrës sonë (gjeologë, klimatologë, hidrologë, pedologë, biologë etj.); për vlerësuesit dhe menaxhuesit e pasurive natyrore; për institucionet e punonjësit e mbrojtjes së mjedisit, të turizmit, shkollës dhe arsimit gjeografik shqiptar, të medias etj. Me këto arritje, si dhe veprat “Historia e shqiptarëve”, “Histori e gjuhës e letërsisë shqiptare” etj., u radhit në veprat monumentale kombëtare; në studimet e natyrës sonë zuri vendin e merituar dhe të pazëvendësueshëm edhe mendimi e këndvështrimi gjeografik, deri në këtë kohë i mënjanuar dhe i neglizhuar. U formua kështu bindja se studimi i problemeve të natyrës sonë do të ishte i mangët nëse do t’i mungonte analiza gjeografike. Edhe në studimet social-ekonomike u ndie nevoja e analizës shkencore të rolit të faktorëve fizikogjeografikë në shumë tipare të popullsisë (shpërndarja gjeografike dhe dendësia e popullsisë, struktura e saj etj.).

Shtojmë se roli i faktorëve natyrorë në tiparet sociale ishte krejtësisht i paprekur në studimet e kryera nga studiuesit e tjerë, jo gjeografë. Këto rezultate dhe shumë të tjera përbëjnë risi jo të vogla, që hapën mundësi të reja për shkencën e gjeografisë sociale. Nuk është e rastit, që fill mbas këtij punimi serioz, gjeografët u bënë bashkautorë në studimet kapitale të natyrës, të popullsisë dhe të ekonomisë sonë. Kjo konfirmoi më tej bindjen se këndvështrimi dhe analiza gjeografike janë të domosdoshme në realizimin e studimeve serioze natyrore dhe social-ekonomike. Këto flasin për rëndësinë e madhe të kësaj vepre të përgatitur nën drejtimin shkencor të prof. Kabos. Por tani, pas tridhjetë vjetëve, ka ardhur koha që kjo vepër të rishikohet dhe të ripunohet për të pasqyruar interpretimet e studimeve të reja fiziko-gjeografike mbi bazën e koncepteve të të fundit të shkencës së gjeografisë. Për këtë ripunim të domosdoshëm janë të gjitha mundësitë.

Aftësitë e mëdha organizuese dhe profesionale u shfaqën edhe në studime të tjera të përbashkëta, ndër të cilat veçojmë: “Studimi mbi zonat e formimit të ortekëve dhe masat mbrojtëse” (1985), i cili përcaktoi dhe hartografoi korridoret e mundshme të formimit të ortekëve, rreziqet, shkaqet dhe kushtet, mundësitë e masat mbrojtëse etj.; studimi “Veçoritë klimatike dhe hidrologjike në Ultësirën Perëndimore” (1985); Kosova (1999), vepër tjetër me vlera, në të cilën prof. Kabo si bashkautor, dha ndihmesë të veçantë në trajtimin me argumente bindëse tiparet gjeografike të Kosovës; “Fjalor shpjegues i termave të gjeografisë” (2000). Kontribut të veçantë dha prof. Kabo, si bashkautor dhe redaktor shkencor në përgatitjen e veprave të tjera të mëdha kombëtare: Fjalori Enciklopedik Shqiptar, botimi i vitit 1985, dhe ribotimin e tij i ripunuar në vitin 2008. Në këta fjalorë, prof. Kabo, si redaktor dhe autor i shumë zërave, mbajti peshën kryesore në përgatitjen dhe diskutimin e zërave të gjeografisë. Zërat e shumtë të përgatitura prej tij dallohen për saktësinë dhe gjerësinë e informacionit.

I madh ishte kontributi i tij në përgatitjen me bashkautorësi të zërave të mëdhenj: Shqipëria, Kosova etj. Ishte këmbëngulja dhe vizioni prej studiuesi të afirmuar e prof. Kabos që ideoi dhe përgatiti e zhvilloi me sukses të “Simpoziumit të parë kombëtar të studimeve gjeografike” (1985). Në këtë kuvend, gjeografët shqiptarë të kohës hodhën bazat shkencore të studimeve gjeografike. Interes të veçantë kanë artikujt e tij të shumtë shkencorë mbi gjeografinë historike të Shqipërisë, për gjeomorfologjinë e brezit tonë bregdetar, për gjeografinë e turizmit të Shqipërisë; disa artikuj metodiko-shkencorë për mësimdhënien e historisë dhe gjeografisë etj. Formimi solid gjeografik dhe informacioni i gjerë e shumë i pasura gjeografik, i mbledhur me kujdes në vite, e kthyen atë në një enciklopedi për gjeografinë e Shqipërisë.

Ai ishte i gatshëm të jepte përgjigje të sakta për çdo problem gjeografik shqiptar. Monografitë, artikujt, referatet dhe punimet e tij të shumta shkencorë mbi problemet gjeografike të Shqipërisë dallohen për mendime origjinale, për mënyrën e shtrimit dhe të trajtimit të koncepteve dhe të ideve të reja gjeografike, për rrugët e propozuara prej tij për zgjidhjen e shqetësimeve të ndryshme mjedisore etj. Veprat e prof. Kabos, me risitë, me idetë e përfundimet shkencore, janë përherë pika referimi e modele për studimet e ardhshme gjeografike. Njohuritë e thella në fushën e gjeografisë dhe jo vetëm, mundësuan që prof. Kabo të dallohej edhe në drejtimin e Qendrës së Studimeve Gjeografike, të cilën e orientoi në studime bazike gjeografike me rëndësi sa teorike, aq dhe praktike. Gjatë kësaj kohe, kjo qendër ndërmori studime të suksesshme për problemet shqetësuese mjedisore të vendit, për tiparet gjeomorfologjike dhe paraqitjen e tyre hartografike; për njohjen, vlerësimin dhe menaxhimin e potencialeve turistike; për veçoritë e bregdetit jonian e vlerësimin e tyre turistik etj.

Kontribut të veçantë dha prof. Kabo për përgatitjen e gjeografëve të rinj, për të cilët ai nuk ka qenë vetëm një drejtues i talentuar shkencor, por edhe një koleg i afërt, që i drejtoi ata në rrugën e vështirë të shkencës të gjeografisë, duke u dhënë atyre gjithçka nga shpirti i tij i gjerë, nga vullneti dhe dashamirësia e tij. Ai është modeli i njeriut të mirë, të ndershëm, dashamirës, punëtor, kurajoz dhe përherë kërkues për të vërtetën shkencore. Prof. Kabo dha kontribut të vyer në përgatitjen e teksteve për arsimin gjeografik parauniversitar dhe universitar. Midis tyre dallohen tekstet për studentët e gjeografisë të UT, që dallohen për informacionin gjeografik të pasur, për thellësinë e argumentimit shkencor, për analizën e detajuar dhe bindëse të koncepteve gjeografike, për nivelin e mirë metodik. Këto tekste përbëjnë një bazë, jo vetëm për arsimin gjeografik, por edhe për shkencën e gjeografisë. Ne, gjithë gjeografët, bashkëpunëtorët e miqtë e tij të shumtë, ish-studentët anembanë vendit i urojnë prof. Kabos jetë të gjatë e të lumtur, qoftë përherë pranë nesh me këshillat e tij të vyera për zhvillimin e shkencës së gjeografisë, që e dashuron aq shumë!

Kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau ka rezultuar pozitiv për COVID-19 dhe siç thotë ai deri tani ndihet mirë.

 


Trudeau ka qenë i izoluar pasi një nga fëmijët e tij gjithashtu u testua pozitiv për virusin në fund të javës së kaluar.

Në një postim në mediat sociale, Trudeau tha se do të qëndronte në karantinë dhe do të punonte në distancë derisa të shërohej.

Trudeau mori dy vaksinat e tij të para COVID-19 vitin e kaluar dhe mori një dozë përforcuese në një farmaci në Otavë në fillim të këtij muaji.

Pas shpalljes së rezultatit të testit të tij, Trudeau u kërkoi të gjithëve që të vaksinohen dhe me dozën e tretë në një kohë kur rastet e variantit Omicron janë shumë të larta në shumë pjesë të vendit.

Vladimir Putin të tërhiqet nga ajo që po planifikon”- SHBA dhe BE paralajmërojnë oligarkët rusë për Ukrainën

 

Britania i bëri thirrje sot Presidentit rus Vladimir Putin “të tërhiqet nga ajo që po planifikon” për Ukrainën, duke paralajmëruar se çdo sulm i mundshëm, do të shoqërohej me pasoja ndaj kompanive dhe individëve rusë të lidhur me Kremlinin.


Shtetet e Bashkuara dhe Britania po përpiqen t’i tregojnë zotit Putin se individët më të pasur të Rusisë, që i kanë pasuritë jashtë, do të përballen me sanksione, nëse trupat ruse futen në Ukrainë. Moska ka mohuar se synon të sulmojë Ukrainën, dikur ish republikë sovjetike.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë përgatitur një listë të oligarkëve ruse në rrethin e ngushtë të Presidentit Putin, për t’i goditur me sanksione ekonomike, sipas një zyrtari të lartë të administratës amerikane.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha se kërcënimi me masa të tilla do të ishte i ngjashëm me një sulm ndaj biznesit rus dhe të sillte pasoja të padëshiruara pasi do të dëmtonte kompanitë britanike dhe aksionerët perëndimorë.

Që nga shpërbërja e ish Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, Londra është bërë një nga qendrat kryesore ku dërgohen paratë nga ish republikat sovjetike.

Kundërshtarët e Presidentit Putin vazhdimisht i kanë bërë thirrje Perëndimit të marrë masa ndaj oligarkëve rusë. Megjithatë listat e sanskioneve tregojnë, se fuqitë kryesore ushtarake të Evropës, Britania dhe Franca, vazhdojnë të mbajnë qëndrime më të buta ndaj bizneseve ruse se sa Shtetet e Bashkuara. Në vitin 2014, për shembull, kur Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë, Shtetet e Bashkuara vunë sanksione ndaj Igor Sechin-it, drejtorit ekzekutiv të firmës më të madhe ruse të prodhimit të naftës “Rosneft”. Bashkimi Evropjan dhe Britania nuk kanë vënë saknsione ndaj tij, që është një prej njerëzve më të fuqishëm në Rusi.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...