Agjencioni floripress.blogspot.com

2022/01/31

Vjen reagimi i Ukrainës zyrtare, pasi SHBA urdhëroi familjet e stafit të ambasadës të largohen nga ky vend

 

Shtetet e Bashkuara urdhëruan anëtarët e familjeve të punonjësve të qeverisë në ambasadën e vendit në Kiev të largoheshin dhe Mbretëria e Bashkuar tërhoqi një pjesë të stafit të ambasadës mes frikës së shtuar se Rusia mund të pushtonte Ukrainën.

Siç edhe është bërë e ditur, Departamenti i Shtetit autorizoi gjithashtu largimin e disa punonjësve të ambasadës që dëshirojnë të largohen nga Ukraina.

“Ne po vazhdojmë të ndjekim rrugën e diplomacisë, por nëse Rusia zgjedh përshkallëzimin e mëtejshëm, atëherë kushtet e sigurisë, veçanërisht përgjatë kufijve të Ukrainës në Krimenë e pushtuar nga Rusia, në Ukrainën lindore të kontrolluar nga Rusia… mund të përkeqësohen me pak njoftim”, një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit u tha gazetarëve, sipas një transkripti të telefonatës.

“Unë thjesht dua të jem i qartë se këto janë masa paraprake të kujdesshme që në asnjë mënyrë nuk minojnë mbështetjen ose angazhimin tonë për Ukrainën”, shtoi zyrtari më vonë.

Ndërkohë Zyra e jashtme e Mbretërisë së Bashkuar tha se disa punonjës të ambasadës dhe familjet e tyre do të “tërhiqen nga Kievi në përgjigje të kërcënimit në rritje nga Rusia”.

“Ambasada britanike mbetet e hapur dhe do të vazhdojë të kryejë punë thelbësore”, tha një zëdhënës i zyrës së jashtme.

Por Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës e quajti vendimin e SHBA “të parakohshëm dhe një manifestim të kujdesit të tepruar”

“Vlladimir Putini nuk do të ndalet”: Paneli i Senatit amerikan është afër miratimit të ‘nënës së të gjitha sanksioneve’ kundër Rusisë

 


Udhëheqësit e Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit thanë të dielën se ishin në prag të miratimit të “nënës së të gjitha sanksioneve” kundër Vladimir Putinit, duke paralajmëruar se nuk do të kishte qetësi pasi presidenti rus mendon për një pushtim të Ukrainës.

“Ne nuk mund të kemi një moment si në Mynih përsëri”, ka thënë kryetari demokrat i panelit, Bob Menendez nga Nju Xhersi, për CNN, duke iu referuar marrëveshjes së vitit 1938 me të cilën aleatët i dhanë Hitlerit pjesë të Çekosllovakisë, duke besuar se kjo do të shmangte luftën.

“Putini nuk do të ndalet nëse beson se perëndimi nuk do të përgjigjet”, citohet të ketë thënë Menendez, përcjell Telegrafi. “Ne pamë atë që ai bëri në vitin 2008 në Gjeorgji, pamë se çfarë bëri në vitin 2014 në ndjekje të Krimesë. Ai nuk do të ndalet”.

Menendez tha se ai besonte se negociatat dypartiake për sanksione të rënda ishin “në një linjë”, pavarësisht mosmarrëveshjeve me republikanët nëse masat duhet të vendosen para ose pas çdo pushtimi të mundshëm rus.

Ndryshe, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar premtoi të rrisë sanksionet kundër Putinit dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Duke kërkuar të tregojë vendosmërinë dypartiake, Menendez i dha CNN një intervistë të përbashkët me republikanin e ranguar të komitetit të tij, James Risch nga Wisconsin.

Menendez tha: “Ka një vendosmëri të jashtëzakonshme dypartiake për mbështetjen e Ukrainës dhe një vendosmëri tepër të fortë dypartiake për të pasur pasoja të rënda për Rusinë nëse pushton, dhe në disa raste për atë që ka bërë tashmë”.

Menendez ka shtuar më tej se ai besonte se aleatët perëndimorë nuk duhej të prisnin për të filluar penalizimin e Putinit.


Vladimir Putin sikurse Millosheviqi në fazën para Tribunalit për Krime Lufte

 


Janë bërë gati tetë vjet prejse Rusia ka ndërhyrë në Ukrainë dhe ka aneksuar gadishullin e Krimesë, gjë që ka nxitur një sërë sanksionesh ndërkombëtare kundër saj.

Sot, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë e gjejnë sërish veten duke u përpjekur të kuptojnë se si ta pengojnë presidentin rus Vladimir Putin nga pushtimi eventual i Ukrainës.

“Sigurisht se duhet shqetësuar nëse pushton një fuqi bërthamore. Nëse Putin pushton, kjo do të ishte hera e parë nga Lufta e Dytë Botërore”, ka thënë presidenti amerikan Joe Biden.

Rusia, tash e sa javë, ka vendosur pranë kufijve me Ukrainën mbi 100 mijë trupa ushtarake, bashkë me armatim të rëndë. Trupat ndodhen në distancë sulmi.

Kjo e fundit i mohon planet për pushtim dhe thotë se NATO-ja është ajo që paraqet kërcënim për sigurinë e saj. Rusia kërkon garanci nga NATO-ja se do të ndalojë zgjerimin drejt lindjes dhe se nuk do të pranojë në radhët e saj vendet ish-sovjetike, përfshirë Ukrainën.

Shtetet e Bashkuara – fuqia më e madhe në NATO – kanë refuzuar në një letër me shkrim kërkesat ruse për zgjerimin e aleancës, por kanë ofruar rrugë diplomatike për zgjidhjen e krizës.

“Ne jemi të hapur për dialog, ne preferojmë diplomacinë dhe jemi të përgatitur të ecim përpara aty ku ka mundësi komunikimi dhe bashkëpunimi, nëse Rusia ndal agresionin ndaj Ukrainës, nëse ndal retorikën nxitëse dhe diskuton për të ardhmen e sigurisë në Evropë në frymën e reciprocitetit”, ka thënë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka thënë se SHBA-ja nuk i ka marrë parasysh shqetësimet e Rusisë për sigurinë, por ka theksuar se ka hapësirë për të vazhduar dialogun me SHBA-në për këtë çështje.

Në një deklaratë më herët, Lavrov ka thënë se nëse Perëndimi nuk u përgjigjet kërkesave ruse, Kremlini do t’i marrë masat e duhura, por nuk ka specifikuar se cilat mund të jenë ato.

Po, përse Rusia është kaq shumë e fokusuar te Ukraina? Kur në vitin 1991 është shpërbërë Bashkimi Sovjetik, Rusia ka humbur kontrollin e 14 republikave që i ka dominuar më parë. Humbja e Ukrainës, megjithatë, ka qenë më e dhimbshme për të, marrë parasysh lidhjet e gjata midis dy vendeve.

Ukraina, me shekuj, ka qenë pjesë e perandorisë ruse, përpara se të bëhej republikë sovjetike. Vendi tani është duke lëvizur gjithnjë e më shumë kah Perëndimi.

Disa vende perëndimore, përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Kanadanë, janë duke furnizuar Ukrainën me armë mbrojtëse. Presidenti Biden ka thënë se nuk e ka ndërmend të dërgojë trupa në Ukrainë, por ka paralajmëruar se Rusia do të goditet me “sanksione të papara” nëse e sulmon Ukrainën. Ngjashëm kanë paralajmëruar edhe disa aleatë evropianë të SHBA-së.

Dikush mund të vërë në dyshim efektivitetin e sanksioneve, marrë parasysh se Rusia është përballur me masa të tilla edhe pas aneksimit të Krimesë edhe pas nxitjes së konfliktit separatist në lindje të Ukrainës dhe këto sanksione nuk e kanë penguar të shkaktojë krizën e tanishme. Megjithatë, kanë pasur ndikim në ekonominë ruse.

Sipas një analize të Këshillit Atlantik, ekonomia ruse nga viti 2014 është rritur mesatarisht për 0.3 për qind në vit, ndërsa mesatarja globale ka qenë 2.3 për qind në vit.

Ekspertët thonë se duhet të ketë unitet dhe koordinim më të madh, nëse paraqitet nevoja për sanksione të reja. Sipas tyre, Rusia vërtet mund të goditet rëndë.

“Flasim për sanksione që vërtet do t’i shkaktonin dëme të jashtëzakonshme ekonomisë ruse, sidomos popullit rus. Do të ishte një goditje e madhe nëse i ndalohet qasja në dollarin amerikan. Ju e dini se shumë rusë i mbajnë paratë e tyre në dollarë, shumë firma ruse operojnë me dollarë”, ka thënë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë Olga Oliker, drejtore e programit për Evropën dhe Azinë Qendrore pranë Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

Sipas Saarah Pagung nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë duhet goditur aty ku dhemb. Si cak të sanksioneve ajo përmend: transaksionet financiare, bankat, eksportet dhe teknologjinë e mbrojtjes.

“Kemi parë në vitet 2013 dhe 2014, se shumë evropianë dhe amerikanë e kanë mbivlerësuar logjikën ekonomike mbi atë politike, duke menduar se Rusia nuk do të ndërhyjë ushtarakisht në Ukrainë, sepse kostoja do të jetë shumë e lartë. Ka rrezik që ky skenar në Rusi të përsëritet, andaj nuk jam 100 për qind e sigurt se sanksionet vërtet do ta pengojnë Rusinë. Por, nëse dizajnohen me kujdes, ato mund të kenë ndikim ekstrem në ekonominë ruse, sidomos në sistemin financiar rus”, ka thënë Pagung.

Por, nëse vendosen sanksione të tilla, a do të ketë kundërpasoja për Perëndimin? Për Exposenë është përgjigjur Constanze Stelzenmuller, eksperte e politikave të sigurisë në Institutin Brookings në Uashington:

“Po, rusët mund të na lënë të mërdhijmë në dimër, nëse i mbyllin rubinetet e gazit. Ky do të ishte problem. Do të ishte një gjë shumë e komplikuar dhe e shtrenjtë për t’u zëvendësuar. Do ta rriste po ashtu inflacionin. Por, është e paimagjinueshme të mos i përgjigjemi agresionit ushtarak kundër Ukrainës me sanksione jashtëzakonisht të ashpra”, tha Stelzenmuller.

Sipas Stelzenmuller, rreziku i luftës është shumë i lartë, e rrjedhimisht edhe i pasojave shkatërruese ku Putin mund ta ketë humbur lidhjen me realitetin.

“Unë dyshoj se ai është në një situatë të ngjashme siç ka qenë Millosheviq në Serbi. I fiksuar pas armiqësive historike, i fiksuar pas inateve dhe nevojës për hakmarrje. Ai nuk është në gjendje për t’i lexuar homologët e tij perëndimorë dhe nuk është i rrethuar më nga njerëz që e kanë guximin t’i japin këshilla, të cilat nuk i pëlqejnë t’i dëgjojë. Dhe kjo është ajo që në fund e ka sjellë Millosheviqin para Tribunalit për Krime Lufte. Për fat të keq, lufta civile në Jugosllavi ka zgjatur gati një dekadë dhe ka marrë jetën e qindra mijëra njerëzve. Andaj, shpresoj që udhëheqësit perëndimorë ia kanë bërë të qartë Putinit se cili do të jetë çmimi për Kremlinin dhe për të personalisht”, shton ajo.

Presidenti Biden ka shprehur shqetësimin se pushtimi eventual i Ukrainës edhe mund të dalë jashtë kontrollit dhe të shtrihet në vendet e NATO-s, që janë në kufi.

NATO-ja ka rreth 4 mijë trupa në batalione shumëkombëshe në Estoni, Lituani, Letoni dhe Poloni.

“Jam shumë i shqetësuar. Shikoni, e vetmja luftë që është më e keqe se lufta e qëllimshme, është ajo që bëhet pa qëllim. Jam i shqetësuar se kjo mund të dalë jashtë kontrollit shumë lehtë”, ka thënë Biden.

Do të ishte joracionale prej Rusisë nëse do të lejonte që pushtimi eventual i Ukrainës të rrëshqiste edhe në vende të tjera të Evropës.

“Mendoj se rusët do të jenë krejtësisht të pamend nëse e zhvendosin agresionin ushtarak kundër një vendi anëtar të NATO-s. Ky do të ishte një rast për Nenin 5 të Traktatit të NATO-s dhe ne do të ndërhynim të gjithë kundër tyre. Atëherë, rusët do të jenë në shumë telashe”, ka thënë Stelzenmuller nga Instituti Brookings.

Neni i 5-të i Traktatit të NATO-s thotë se sulmi kundër një vendi anëtar, nënkupton sulm kundër gjithë aleancës.

NATO-ja u është përgjigjur gjithashtu me shkrim kërkesave të Rusisë. Sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg nuk ka dhënë shumë detaje, por ka thënë se beson në zgjidhje politike të krizës. Megjithatë, ka theksuar se aleatët mbeten të përgatitur për më të keqën.

“NATO beson fuqishëm se tensionet dhe mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen me dialog dhe diplomaci, jo me forcë ose kërcënim të forcës”, ka thënë Stoltenberg.

Në gjithë këtë vorbull ngjarjesh, deklaratash e paralajmërimesh, nga vetë Kievi – që është cak i dikujt, e shqetësim i të tjerëve – janë bërë thirrje kundër panikut.

“Mbrojeni trupin tuaj nga viruset, trurin nga gënjeshtrat dhe zemrën nga paniku”, ka thënë presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy në një mesazh drejtuar popullit më 25 janar 2022 

Këshilltari i Presidentes: Escobari ka qëndrime pothuajse 100% të njëjta me ne për dialogun, Lajçaku kërkon disa marrëveshje në fusha specifike


Këshilltari i presidentes së Kosovës, Blerim Vela thotë se në masë të madhe institucionet e Kosovës kanë qëndrime të njëjta me Përfaqësuesin e SHBA-së për dialogun derisa sipas tij e njëjta gjë nuk është edhe me përfaqësuesin e BE-së.

“Qëndrimet e Escobarit në masë të madhe për të mos thënë 100% janë të njëjta me ato të institucioneve të Kosovës. Përfaqësuesi i BE-së e ka situatën pak më specifike dhe i gjithë investimi i tij është që Kosova dhe Serbia të arrijnë disa marrëveshje në fusha specifike dhe kjo synohet të arrihet në muajt apo javët në vijim”, ka deklaruar Vela në RTV Dukagjini.

Duke folur për Asociacionin, Vela thotë se SHBA nuk kërkon Asociacion të komunave serbe me kompetenca ekzekutive, përcjell Telegrafi.

Vela thotë se në takimet e sotme nuk ka pasur diskutime për ndonjë model të ngjashëm si Tiroli Jugor apo diçka të ngjashme.

Sot gjatë ditës, Escobar dhe Lajçak u takuan me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe me kryeministrin Albin Kurti.

Vizita e diplomatëve vjen pasi Kosova dhe Serbia, qysh në korrik të vitit 2021, nuk kanë zhvilluar asnjë rund bisedimesh në nivel të lartë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian

Vetura luksoze të sekuestruara kalben në mungesë të lejes për shitje


Vetura luksoze që vlejnë qindra mijëra euro e që ishin konfiskuar nga qytetarë që i kanë përfituar në mënyrë të jashtëligjshme po ju humbet vlera derisa po “kalben” në disa magazina të shtetit.

Kjo ndodh pasi që në fazën e sekuestrimit nga institucionet shtetërore këto vetura nuk kanë të drejtë të shiten.

Zëvendësdrejtori në Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Konfiskuara dhe Sekuestruara, Fadil Bunjaku thotë për RTV Dukagjinin se nuk po ja dalin të ruajnë asetet e konfiskuara.

“Shkalla e amortizimit vjetor është rreth 13%, apo 1,08% në baza mujore. Kodi i procedurës penale parasheh mundësinë e shitjes në fazën e sekuestrimit. Ligji për Administrimin e Pasurive të Konfiskuara dhe Sekuestruara poashtu parasheh mundësinë e shitjes së këtyre aseteve. Lidhur me këtë çështje tashmë janë nënshkruar disa memorandume mes institucioneve shtetërore”, deklaroi Fadil Bunjaku, përcjell Telegrafi.

Sipas koordinatorit për Luftimin e Krimeve Ekonomike, Shqipdon Fazliut, faji për humbjen e këtyre aseteve është te prokuroria dhe të gjykatat.

“Përgjegjësi është e ndarë. Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesa vetëm në 15 % të rasteve për sekuestrim të pasurive. Por fajet në disa raste janë edhe të gjykatave pasi në disa raste kanë refuzuar kërkesat për shitje pasi kanë dhënë arsyetime të paqëndrueshme kinse në këtë fazë të procedurës nuk lejohet shitja”.

Vetëm gjatë vitit të kaluar rreth 75 vetura janë sekuestruar nga institucionet shtetërore.

Vlera e të gjitha veturave që kanë qenë në menaxhim të Agjencisë është rreth 4.5 milionë euro.

Zbulohet shpellë me eshtra në Shqipëri – i përkasin njerëzve që kanë jetuar 1700 vjet më parë

 


Në ciklin e dokumentarëve ‘Gjurmë Shqiptare’, është bërë një zbulim të rrallë dhe shumë të rëndësishëm, i cili tashmë është konfirmuar edhe nga ekspertët ndërkombëtarë.

Në maj të vitit 2021, “Gjurmë Shqiptare” solli pamjet e një shpelle të mbushur me eshtra njerëzore e cila ndodhej rreth 15 kilometra nga qyteti i Peshkopisë në Dibër.

Historia u prit jo vetëm me zhurmë, por edhe me kuriozitetin e asaj që fshihej pas këtyre eshtrave.

Disa muaj pas zbulimit të tyre në “Gjurmë Shqiptare”, Universiteti i Vjenës si rrjedhojë e një marrëveshje me institucionet përkatëse dërgoi në Shqipëri një antropologe franceze. Misioni i saj ishte të merrte kampionë nga këto eshtra të cilat u dërguan nga Universiteti i Vjenës për analiza më të specializuara në një laborator pranë Universitetit të Oxford-it në Britaninë e Madhe.

Rezultatet ishin mbreslënëse.

Analizat kanë treguar se këto eshtra i përkasin njerëzve që kanë jetuar nga 1600 deri 1700 vjet më parë, pra mes shekujve të IV dhe të V.

Zbulimi i tyre në një shpellë në formë kaq masive dhe kushte të tilla fare enigmatike është i rrallë, madje shkon edhe përtej kësaj.

Sipas arkeologut Rudenc Ruka, pjesë e Institutit të Arkeologjisë deri më sot në Shqipëri, nuk ka asnjë rast tjetër të njohur të një shpelle me një numër kaq të madh eshtrat që i përkasin kësaj periudhe.

Vetë gazetari Marin Mema ka theksuar se pavarësisht mosbesimit fillestar të disa prej profesorëve të fushës, rezultatet treguan se shkenca duhet bërë me fakte dhe jo me fjalë.

Ai kërkoi që institucionet përkatëse të vijojnë më tej kërkimet në këtë shpellë duke kryer edhe analizat e ADN-së, por edhe gërmime arkeologjike në të gjithë zonën.

Askush nuk e di se çfarë fshihet ende në këtë vend të panjohur më parë nga arkeologët, por është fakt se “Gjurmë Shqiptare” e gazetarit Marin Mema ka sjellë një zbulim të jashtëzakonshëm.

Krimineli i Presidentit serb Aleksander Vuçiqit i përgjigjet Escobarit: Serbia nuk pranon Asociacion pa kompetenca ekzekutive

 


Kryetari i Komisionit për Kosovën në Parlamentin e Serbisë,krimineli ushtarak  i MIllosheviqit dhe i Vucicit ,serbi  Milovam Drecun, ka thënë se për Serbinë është i papranueshëm çdo model i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe pa kompetenca ekzekutive.

Reagimi i Drecunit, që është deputet në Parlamentin e Serbisë nga partia e Aleksandar Vuçiqit, vjen si përgjigje një deklarate të dërguarit të Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se Kosovës do t’i ofrohen disa modele të formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pa kompetenca ekzekutive.

Drecun, siç raportojnë mediat serbe, tha se sipas Marrëveshjes së Brukselit është definuar që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive duke thënë se ky organ nuk formon asnjë nivel tjetër të qeverisjes dhe se ky nuk ka qenë qëllimi i Beogradit dhe as i popullit serb, transmeton Telegrafi.

“Escobar ka folur për atë se ndoshta duhet të mendohet që Asociacioni të jetë pa kompetenca ekzekutive, dhe se nuk duhet të ketë një nivel tjetër qeverisjeje dhe se mund të ketë një marrëdhënie tjetër bashkëpunimi mes pushteteve lokale. Ky ndoshta është një vizion i tij kornizë se si ndoshta problemi mund të zgjidhet, respektivisht që Prishtina nuk dëshiron të formojë Asociacionin”, tha Drecun.

Ai thekson se kjo është e papranueshme për Serbinë dhe rithekson se Asociacionin është i definuar me kompetenca ekzekutive që nuk nënkuptojnë asnjë nivel tjetër të qeverisjes.

Çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të jetë një nga temat, të cilat priten të diskutohen gjatë vizitës së të dërguarit të Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe nga përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, javën e ardhshme gjatw vizitws nw Kosovw dhe Serbi.

Para vizitws nw Kosovw Escobar ka deklaruar se ShBA nxisin qeverinë e Kosovës të shqyrtojë modelet e shumta për Asociacionin.

“Ka shumë modele që funksionojnë, duke përfshirë modele të shumta që do të lejonin bashkërenditje më të mirë lokale pa një nivel tjetër të qeverisë ose pushtetit ekzekutiv. E nxisim qeverinë e Kosovës që t’i shqyrtojë me kujdes këto modele”, deklaroi Escobar.


Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...