Agjencioni floripress.blogspot.com

2022/02/13

MBI DISA VEÇANTI TË VEPRËS LETRARE PËR FËMIJË TË RIFAT KUKAJT – A. N. BERISHA

 


MBI DISA VEÇANTI TË VEPRËS LETRARE PËR FËMIJË TË RIFAT KUKAJT – A. N. BERISHA
ANTON N. BERISHA

MBI DISA VEÇANTI TË VEPRËS LETRARE PËR FËMIJË TË RIFAT KUKAJT

Me rastin e botimit të librit “VEÇANTI TË VEPRËS LETRARE PËR FËMIJË TË RIFAT KUKAJT” nga Argeta LMG, Tiranë 2020

Letërsia për fëmijë mund të mos përfillet me kusht që të mos përfillet as bota, në të cilën një shpirt nacional formohet dhe ruhet[1].

PAUL HAZARD
1. Krijimtari e pasur dhe e bërë me përkushtim

Për ta krijuar veprën e vet letrare, Rifat Kukajt iu deshën, të thuash, mbi 50 vjet pune krijuese, që e dëshmojnë rreth njëqind vepra të botuara llojesh të ndryshme, të dala nga mendja dhe nga dora e tij, të cilat e pasuruan traditën tonë letrare në fushën e letërsisë për fëmijë, po edhe krijuan një traditë. Pak shkrimtarë shqiptarë deri më sot nxorën në dritë një numër kaq të madh veprash letrare (për fëmijë e për të rritur), duke ruajtur një rrafsh të lartë të shprehësisë poetike e kuptimore.

Pra, të merresh mirëfilli me këtë vepër dhe ta interpretosh atë në mënyrë meritore, nëse nuk lypset aq kohë sa iu desh autorit të saj ta përftojë atë, atëherë disa vjet janë të domosdoshëm. Për këtë arsye, këtu po kufizohem t’i përmend vetëm disa vlera e veçanti, të cilat i kam vërejtur gjatë leximit të një numri të mirë të veprave të tij. Për disa prej tyre, edhe sa qe gjallë autori, kam shkruar e për disa të tjera kam qenë recensent ose m’i ka dhënë t’i lexoj në dorëshkrim dhe t’ia them mendimin tim.

2. Rifati jetoi me letërsinë dhe jetoi për letërsinë

Vepra letrare për fëmijë e Rifat Kukajt është e rëndësishme dhe me vlera të mëdha e të pamohueshme (me këtë nuk dua ta zvogëloj ndihmesën që dha ai edhe në letërsinë për të rritur). Me romane, me përmbledhje tregimesh, me përmbledhje me poezi dhe me pjesë teatrale, që i krijoi, ai e pasuroi dhe e ngriti letërsinë tonë për fëmijë në rrafshin më të lartë, që ajo e mbërriti deri më sot.

Së këndejmi, vetë cilësia e veprave poetike të tij e radhiti atë për së gjalli në rrethin më të ngushtë të shkrimtarëve tanë më të mirë për fëmijë të të gjitha kohëve. Është tjetër gjë që kritika jonë letrare, përkatësisht studiuesit tanë të letërsisë, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, nuk e theksuan këtë në mënyrë të qartë e meritore.

Ky veprim, natyrisht, nuk është mungesë, as e Rifatit si krijues, as e veprave të tij. Është mungesë e jona dhe e atyre që janë marrë e merren me letërsinë tonë dhe me studimin e veprave të shkrimtarëve tanë për fëmijë që nuk i kushtuan vëmendje të mirëfilltë veprimtarisë së tij letrare për fëmijë dhe nuk i ndriçuan vlerat e njëmendta dhe qenësore të saj. Ç’është e vërteta, në disa punime janë theksuar vlerat e veprës së Rifatit, por në krahasim me veprat e shkrimtarëve të tjerë, që janë më pak të rëndësishëm, është bërë njëmend pak për ndriçimin e mirëfilltë të cilësive dhe të vlerave të vërteta të veprës së tij.

Nuk i them këto fjalë dhe nuk e bëj këtë cilësim duke u nisur nga rrethana konkrete, kur vdekja e poetit, përkatësisht dhembja dhe pikëllimi më tundin dhe më rëndojnë ashpër në shpirt. Rëndësinë dhe vlerën e veprës së Rifatit i kam theksuar shumë vjet më parë.

Për ta dëshmuar këtë po sjell vetëm dy mendime.

Duke interpretuar romanin e tij “Dita e xhufkave” (1972), pata shkruar: “Me cilësitë që i zumë në gojë më sipër […] romani ‘Dita e xhufkave’, që në mënyrë të denjë dëshmon për rritjen dhe cilësinë e prozës romaneske për fëmijë në gjuhën shqipe, është një vepër artistike, të cilën do ta dëshironin edhe letërsitë për fëmijë të traditave edhe më të mëdha shkrimi e kulture sesa kjo jona[2]”.

Për përmbledhjen me tregime “Ujku me kamerë” (1988) të Rifatit, theksoja: “Niveli i lartë i arritur pikërisht në mënyrën e perceptimit dhe të transponimit të çështjeve e të dukurive të ndryshme nga jeta e fëmijës dhe e njeriut në përgjithësi si dhe e shtjellimit të tekstit letrar si strukturë gjuhësore, si mesazh poetik, e bëjnë këtë vepër për shumëçka të vlefshme, përkatësisht na bën të nxjerrim përfundimin se kjo është ndër përmbledhjet më të rëndësishme të prozës tregimtare shqipe për fëmijë[3]”.

MBI DISA VEÇANTI TË VEPRËS LETRARE PËR FËMIJË TË RIFAT KUKAJT

Vlera e veprës letrare të Kukajt lidhet me dukurinë e qenësishme: një gjysmë qindvjetshi jete ky autor ia kushtoi letërsisë. Pra, ai hyn në rrethin e ngushtë të shkrimtarëve tanë që jetoi me letërsinë dhe jetoi për letërsinë. Thënë ndryshe: ai e lexoi letërsinë dhe e krijoi letërsinë. Leximi ia përsosi dhe ia pasuroi prirjet dhe aftësitë natyrore; i ndihmoi në përcaktimin e qasjes së dukurive, mënyrën e trajtimit dhe sidomos krijimin e sistemit të të shprehurit poetik.

Dinte pse shkruante, si dhe çka shkruante, që në një mënyrë ose tjetër del dhe nga kjo pjesë e poezisë “Duartrokitje” dhe nga poezia “Mes vargjeve”:

Perëndi!
Ti që talentin m’dhurove,
frymëzimet më të thella,
më të reja, më të ndritura
m’i hedh këndej…
Këta engjëj ëndërrimtarë
Kurrë të mos i zhgënjej![4]

(Duartrokitje)

2

Mes vargjeve të mia
Mund t’u futen në gji
Ndonjë kokërr e qershisë
Pak gugatje të kumrisë,
Dhe cicërimat
E mijëra zogjve të tjerë,
Mund të ndehen shumë ylberë:
Britha kërmijsh,
Buzëqeshje fëmijësh,
Gjëegjëza, shpresa, ëndërralla
Legjenda edhe përralla…
Lule si nëpër fushë e pyje,
Rreze dielli dhe yje…
Po sot e mot e kanë kot
Vargjet e mia s’pranojnë dot
ASNJË
L
O
T [5].

(Mes vargjeve)

Këtë dukuri e përligj edhe ajo që thuhet në romanin “Zogu i bardhë”:

Për poezinë, Zonjë e Rëndë, nuk keni ç’mendoni. Ajo lind vetë dhe shijohet vetë. Po s’patët dridhje në shpirt, thellë në vete, ajo nuk mund të ekzistojë askund. Ja, e shihni dritën e qiriut? Sapo ndizet qiriu, terri ia nis e këlthet me zërin e mnershëm për t’u mbrojtur, kurse drita, duke shtrirë pushtetin e vet, qeshet. Këtu zhvillohet një betejë e hatash­me mu në zemër të heshtjes. Këtë luftë, nëse nuk e ndien njeriu, vetëm shtiret se e ndien poezinë. Edhe kjo poezi, po nuk u shtri si një brez drite agi­mi në natyrë edhe në pikturë, atëherë as kemi pik­turë, as poezi[6].

Sa herë që e kam takuar më fliste për dy gjëra: për atë që lexonte dhe për atë që shkruante – dy veprime pa të cilat asnjë shkrimtar nuk bëhet i madh. Këtë fakt të rëndësishëm: leximin e veprave letrare dhe hartimin e tyre më së miri e përligjin veprat që i botoi dhe vlerat që i cilësojnë ato.

Rifati krijoi në vetmi dhe në mënyrë të mëvetësishme; i njohu grupet e ndryshme të krijuesve dhe interesat e tyre, por nuk i takoi asnjërit nga ata. Njihte vetëm një grup: atë të njerëzve që i përkushtohen punës dhe krijimit. As nuk i pëlqente fjalët e mëdha, as nuk ua thoshte të tjerëve. “Le të flasë puna vetë”, thoshte dhe kësaj i përmbahej me këmbëngulësi.

Krijimi i veprës letrare për të kishte më shumë se një kuptim, kishte më shumë se një vlerë. Ajo që në punën e tij krijuese ngrihet mbi të gjitha është nevoja e shqiptimit poetik të dukurive të botës e të jetës së fëmijëve dhe të njeriut, përkatësisht e komunikimit me to.

Krijimi dhe nevoja e komunikimit artistik për të ishin përherë të përshkuara dhe të shoqëruara nga kënaqësia; kënaqësia që e ndiente gjatë hartimit të veprës letrare dhe kënaqësia që me atë vepër mund t’i shkaktonte tjetrit, njeriut të vet. Si e këtillë kjo kënaqësi shndërrohej në prehje shpirtërore dhe në argëtim – për vete e për marrësin (receptorin) e saj. Të dyja shndërroheshin në lojë, ashtu siç është lojë jeta vetë: aq sa njeriu është i vetvetes dhe ka nevojë të jetë i vetvetes, aq është i lidhur me tjetrin, me mesin ku jeton dhe me kulturën që i përket.

Rifat Kukaj

Me vetëdije, nëpërmjet tekstit poetik, qoftë si njohje, qoftë si pasurim shpirtëror, Rifati ia përcolli kënaqësinë e vet tjetrit. Mirëpo, letërsia për Rifatin, siç ndodh dhe me të gjithë shkrimtarët e mëdhenj, ishte edhe vuajtje, ishte edhe pësim. Kjo gjë dëshmohet nga fakti se shkrimtari nuk mund të krijojë diçka të madhe, të vlefshme, pa mund, pa vuajtje dhe pa flijim. E kur mundi dhe flijim i tillë shndërrohet në vlerë, bëhet e mirë edhe e të tjerëve, merr kuptim tjetër, shndërrohen në ngushëllim të madh shpirtëror.

Këto veçori e cilësuan Rifatin shkrimtar dhe punën e tij krijuese, që njohësi i artit letrar nuk e ka vështirë t’i vërejë në veprat e ndryshme që i shkroi ai.

3. Romansier i rrafshit të lartë

Në fushën e zhvillimit dhe të pasurit të romanit tonë për fëmijë, edhe si cilësi, edhe si sasi, Rifati dha një ndihmesë madhore dhe me vlerat që përftoi zë kryet e vendit.

Romanet e tij nuk i nënshtrohen një modeli (siç ndodh edhe me llojet e tjera letrare që i përftoi); ai, sa i ndërtoi, i pasuroi modelet, konvencionet, po aq edhe i rrënoi.

Duke i pasur parasysh disa tipare kryesore, romanet e tij mund të grupohen në tri rrafshe. Në të parin hyn lloji i romanit “Kokërrmeli e pilivesa”, në të dytin “Dita e xhufkave” dhe në të tretin “Zogu i bardhë” (dy të fundit janë romanet më artistike që dolën nga pena e tij).

Në rrafshin e parë përfshihen romanet që ndërtohen mbi botën e përrallës e të sistemit të saj shtjellues e shprehës; në të dytin romanet e aksionit që trajtojnë dukuritë e jetës së përditshme, po përherë të gërshetuara nga imagjinata e autorit. Rrafshin e tretë e bëjnë romanet që trajtojnë një spektër dukurish, ku, të them me shprehjen poetike, “ujëvara” e ideve shndërrohet në një tërësi, që heqin peshë për jetën, për fatin e njeriut e për veprimin e tij jetësor, që dëshmohet me romanin “Zogu i bardhë”. Edhe romanet e dy grupeve të fundit i cilëson arketipi i i rrëfimit letrar gojor, si ripërtëritje dhe si pasurim.

Në shumicën e romaneve të Rifatit dëshmohet uniteti kuptimor, formësor dhe poetik, që jo vetëm e përcaktojnë vlerën e tyre, por e kushtëzojnë edhe ndikimin estetik në marrësin. Në to autori nuk e kopjoi jetën, por e krijoi atë nëpërmjet strukturës gjuhësore shprehëse. Pra, në romanet e tij jeta ndërtohet dhe projektohet. Nuk shqiptohet e vërteta e jetës dhe e dukurive të saj si fakt, por gjakohet zbulimi, shpalimi dhe njohja e saj, krijimi i saj.

Aksionet dhe veprimet gërshetohen me episode, që zgjojnë kureshtjen e fëmijëve, duke krijuar dramatiken e rrëfimit. Shqiptimi bëhet në mënyrë të natyrshme; dukuritë ndërlidhen dhe shqiptohen në forma të ndryshme dhe të veçanta. Nuk këmbëngul dhe nuk i sforcon dukuritë dhe idetë që i merr në vështrim, por qenësia e tyre del nga mënyrat e natyrshme e rrëfimit.

Rrëfimi i Rifatit është i menduar dhe i përftuar me mjeshtëri dhe kujdesin kryesor autori ia kushton të shprehurit. Ai i kërkon fjalët dhe shprehjet dhe me to i krijon tablotë poetikisht sa më të plota. Kjo vërehet në përshkrimin e cilësive të botës së personazheve, në përshkrimet e natyrës, të veprimeve e të ngjarjeve që ndodhin në të.

Dialogu gjallërik, plot dinamizëm dhe dramatik, është një përbërës i qenësishëm i romaneve të tij, siç janë shumë funksionalë tipizimi i personazheve dhe përshkrimet, qofshin ato që kanë të bëjnë me botën e brendshme të personazheve, qofshin ato me fatet e me veprimet e tyre. Fjalia e tij ka natyrshmëri dhe drejtpeshim.

Për të përligjur atë që thashë më lart, po përmend, fjala vjen, romanin “Zogu i bardhë”, ku autori i gërsheton dhe i shkrin botën reale dhe botën fiktive dhe përfton një botë të veçantë e të pasur, botën e romanit, që ekziston si e tillë vetëm brenda strukturës gjuhësore shprehëse të veprës. Jo rastësisht, edhe në këtë roman, autori niset nga përralla, gjë që i mundëson t’i qaset e ta vështrojë në mënyrë të gjerë e të thellë jetën në oborrin mbretëror, por edhe të theksojë çështje të tjera, siç janë vetmia ose tëhuajësimi i njeriut të sotëm, flijimi dhe qëndresa para vështirësive.

Kukaj niset nga bota e përrallës, për ta shqiptuar më plotnisht realitetin; niset nga e pabesueshmja për ta bërë atë të devotshme e të besueshme, që del si rrjedhojë e rrëfimit dhe e strukturës së tekstit artistik;

niset nga jeta e mbyllur e pallatit mbretëror dhe sjell shembuj për përparësitë dhe madhështinë e jetës së lirë, të veprimit dhe të menduarit të lirë;

niset nga forca egoiste e njeriut, për t’i dhënë krah zemërgjerësisë, mirësjelljes, dinjitetit, që dëshmohen me veprim;

niset mbi bazën e kolektivitetit për të treguar madhështinë e jetës së qetë individuale larg rrëmujës së jetës në pallate mbretërore e në qytete;

kritikon pa ngurrim veset e njerëzve brenda e jashtë Mbretërisë Larg, që ishin kredhur në jetën luksoze dhe si sundimtarë ishin liruar nga cilësitë njerëzore.

Çështjet që shqiptohen e ndërthuren në forma të ndryshme në vepër qesin në shesh botën dhe natyrën e ndërliqshme të njeriut; me një anë gjithë madhështinë për ideal të denjë jetësor e njerëzor, ndërsa në anën tjetër, gjithë vogëlsinë dhe ultësinë e tij. Princi dëshiron të bëjë rrugën e jetës së tij të lirë e të natyrshme, krejt tjetër në krahasim me prindërit sundimtarë të mbretërisë Larg; ai nuk dëshiron ta vrasë jetën e vet në oborrin mbretëror, të bëjë një jetë larg kënaqësive të jetës së lirë e të natyrshme.

Ju kështu m’i shuani të gjitha gëzimet e mia.

Hareja në zemrën time nuk hyn kur dëshironi ju. Zogu i ëndrrës nuk m’u shfaq sipas dëshirës suaj, por kur desh ëndrra ime! Gjokun atje te shtegu ma tregoi Zogu im i bardhë…

Jeta në këtë pallat nuk mund të shndrisë edhe pse ka shumë flori, sepse ka ikur gazi prej këtu siç ikën rrezja nga dritarja ime me të perënduar dielli tej malit.

4. Mjeshtër i tregimit të shkurtër

Rëndësia dhe vlera e madhe e veprës letrare të Rifatit dëshmohet edhe në fushën e tregimit të shkurtër për fëmijë. S’do mend se edhe këtë lloj poetik në letërsinë tonë ai e ngriti në majat e tij. Pa dashur të sjell këtu tituj përmbledhjesh me tregime dhe tituj tregimesh, po përmend, si dëshmi përmbledhjen “Ujku me kamerë”, ku nga 119 tregimet 100 janë të shkurta. Mjafton vetëm kjo përmbledhje për t’i dhënë autorit të saj, siç thuhet me gjuhën poetike, kurorën e dafinës.

Tregimi i tij veçohet me ngjeshësinë (sintetizimin) dhe njësimin e rrëfimit, të shtjellimit dhe të sistemit shprehës, ku përkushtimi krijues dëshmohet në rrafshe të ndryshme. Temat nga realiteti i përditshëm ose të krijuara nga shkrimtari, dalin në një funksion të ri, vihen në një kontekst kompleks dhe marrin kuptimësi të ndryshme dhe në këtë mënyrë për lexuesin bëhen pjesë e realitetit dhe e botës. Pra, ato bëhen një realitet më i pasur së ai i jetës.

Të shprehurit e Rifatit në këto tregime është i ngjeshur, konciz. Çdo objekt i trajtuar del barabar i rëndësishëm dhe e ka vlerën e vet të pamohueshme. Pra, në to rrënohet përparësia e çdo veprimi dhe e gjallimit të fëmijës në krahasim me të tjerët.

Brenda një modeli të përgjithshëm të tekstit të tregimit të shkurtër, Rifati krijoi një botë të nduarnduarshme (variante) formash e realizimesh të ndryshme. Në to veçantia e arketipit të rrëfimit letrar gojor është shpirtëzuar me mjeshtëri. Çdo tregim është pjellë e pasurisë shpirtërore dhe e aftësisë mendore të shkrimtarit. Qenësia e objektit të trajtuar preket me fjalinë e parë, pa hyrje e pa zgjatje. Ky parim zbatohet edhe në shtjellimin e tekstit. Për këtë arsye mund të thuhet se tekstet e këtilla mundësojnë përsiatje më të pasura dhe natyrisht mundësi më të mëdha komunikimi dhe ndikimi estetik.

Për t’i parë disa nga këto veçori po sjell tregimin “Ç’bisedojnë ninëzat[7]”, si krijesë e papërsëritshme të mjeshtrit të madh.

Çdo gjë po lëviz para shtëpisë sonë.

Puhiza po ledhaton petalet e trëndafilave. Një flutur e verdhë po qëndis diçka rreth tyre. Poshtë, në barin e butë – kadife, po lëviz koka e macjes së përhitur. Herë në të djathtë, herë në të majtë!

Ti vogëlushe po hapëron. Ke dëshirë ta zësh Macjen, ajo ka dëshirë ka kapë fluturën. Flutura ka dëshirë ta zërë Petalen e lules. Petalja ka dëshirë ta zërë Puhizën.

Puhiza nuk po shihet.

Ti vrapove drejt macjes, macja drejt lules, lulja drejt puhizës. U ndale. Edhe macja u ndal. Ti e macja ende nuk po e dini ç’është flutura? Po ju shëmbëllen në petale, si një bijë lazdrake që ka ikur pa leje nga kurora. Pse po mbani vesh? Mos po e thërret kurora të kthehet?

Flutura vallëzon ajrit. Edhe kokat tuaja vallëzojnë. Gishtat e paparë të puhizës po shpleksin me dashuri flokët tuaja, po ledhatojnë edhe qimet e përhitura të macjes.

Bishti i saj po vizaton një rreth në ajër. Mbase po mendon se nëpër të do të kalojë flutura – ajo petale e padëgjueshme.

Ti e macja po shikoheni sy me sy! Kushedi çka po bisedojnë ninëzat tuaja?
Para shtëpisë çdo gjë po lëviz.

Flutura iku drejt resë së bardhë.

Edhe ajo po lëviz.

5. Poezia si art, si argëtim e si lojë

Edhe në fushën e poezisë për fëmijë Rifati e pasuroi traditën edhe e krijoi traditën; i vazhdoi shtigjet e nisura nga paraardhësit, por edhe hapi shtigje të reja. Edhe në këtë lloj letrar ai i rrënoi modelet. Pra, në poezinë e tij ai e krijoi modelin poetik, por edhe e rrënoi atë. Ky rrënim nënkupton përpjekjen, hulumtimin për krijimin e diçkaje të re, të veçantë, të pasur. Me një fjalë, pasurim nëpërmjet shqiptimit dhe shtjellimit të formave të ndryshme.

Kush i ka lexuar me vëmendje, fjala vjen, përmbledhjet me poezi “Kështjella e dritës” (1967), “Princi i Krujës” (1969), dhe “Pëshurrani i gjyshit” (1989)[8] nuk e ka vështirë të vërejë se sa forma të ndryshme poetike janë përftuar nga autori; çfarë shumësie trajtimi e shqiptimi poetik zbatohet në to. Vargje llojesh të ndryshme, edhe brenda një përmbledhje, edhe brenda një vjershe. Në to përdoret një ritëm sa i natyrshëm, aq edhe i ndryshëm, i shumënduarshëm; herë – herë të pushton me ngadalësimin e tij, herë me atë të shpejtë e herë shumë më të shpejtë, si vetë rrjedha e jetës së fëmijës, e mendimit dhe e veprimit të tij.

Tekstet e poezive të tij nuk janë asgjë tjetër pos një lojë e vijueshme vargjesh të ndryshme, që shprehin mendimet për dukuri e veprime, që e cilësojnë përditshmërinë e njeriut; variante sa argëtuese, aq edhe nxitëse, motivuese, jo vetëm për lexuesit e moshës që i kushtohen. Poezia e tij e përligj në mënyrë të mirëfilltë “lojën” e artit dhe si e tillë, si “lojë” edhe vetë bëhet art. Art, që i qëndron kohës dhe e përligj vlerën e një letërsie të tërë, edhe pse në qenësi i kushtohet një shtrese të caktuar të lexuesve.

Vlerat letrare të mirëfillta nuk dinë për shtresa e shtresime lexuesish, për kultura të vogla e të mëdha. Ato janë vlera arti dhe i mjaftojnë vetvetes dhe atij që i bën pjesë të veprimit dhe të mendimit jetësor. Është gjë tjetër që ato kushtëzohen, për të mos thënë imponohen, nga format dhe mundësitë e ndryshme të përhapjen, të komunikimit. Po këto nuk hyjnë në vlera, edhe pse gjerësia e komunikimit shpesh merret si vlerë!

6. Humor i natyrshëm ose qesh e ngjesh

Përbërës të rëndësishëm të veprave për fëmijë të Rifatit janë humori dhe thumbimi, që shpesh autori i lë në rrafshin thellësor, po herë –herë marrin përmasë më të dukshme e janë më të pandërmjemë. Këta përdorën në forma e në raste të ndryshme: i ndeshim në veprat e tij në poezi, në romane, në tregime dhe në pjesë teatrale. Në ndonjërën prej veprave bëjnë boshtin e objektit të trajtuar artistik, ndërsa në ndonjë tjetër përbërës mjaft të rëndësishëm të mënyrës së shqiptimit e të komunikimit artistik me lexuesin.

Humori i Rifatit është i natyrshëm, ashtu çfarë ai e përdorte edhe në komunikimin e përditshëm me shokë ose me bashkëbisedues të rastit. Humorin e kishte, si thuhet, të lindur. I mjaftonte edhe rasti më i zakonshëm për ta dëshmuar e përdorur. Për këtë gjë pati ndikuar, pa pikën e dyshimit, anekdota gojore, të cilën e dinte mirëfilli, por edhe dinte ta tregonte në çastin e duhur.

Ndonjëherë humori i tij merr një përmasë më të ndjeshme dhe mbërrin në rrafshin: qesh e ngjesh.

Pa dashur të zgjatem rreth kësaj dukurie, po kujtoj këtu vetëm humorin e qëlluar, që e përshkon, në raste të ndryshme, romanin “Zogu i bardhë”, sidomos kur bëhet fjalë për veprimet e Palaços ose të Mbretit. Mirëpo, për këtë gjë bindemi edhe nga titujt e disa veprave të tij: “Çka fshin dhelpra me bisht”, Dy zagarë – kumbarë”, “Deti u baft kos”, “Një xanxare, lozonjare”, “Pëshurrani i gjyshit”, “Një gaforre defatore”, “Lepuri me pesë këmbë” etj.

Me një fjalë: një vepër me vlerë të madhe poetike, gjë që dëshmohet nga shumësia e qasjeve dhe e shqiptimit të objekteve poetike të trajtuara, nga mënyra e të shprehurit artistik, që nuk u nënshtrohet modeleve si dhe të natyrshmërisë së komunikimit që ajo vë me lexuesin.

Vepra letrare e Rifat Kukajt tashmë është bërë pjesë e artit tonë të fjalës, e pasurisë sonë shpirtërore, sidomos e asaj për fëmijë dhe me kohë do të bëhet edhe më shumë. Një gjë të këtillë e përcaktojnë dhe e përligjin vlerat e mëdha që i cilësojnë veprat e tij.

R E F E R E N C Ë:

[1] Pual Hazard, Uomini, ragazzi e libri. Letteratura infantile. Seconda edizione. Armando Editore, Roma 1969, f. 95.

[2] Shih librin tim Teksti poetik, Rilindja, Prishtinë 1985, f. 127.

[3] Shih librin tim Shumësia kuptimore, Rilindja, Prishtinë 1990, f. 142.

[4] Rifat Kukaj, Ma jep gishtin e vogël. Poezi. Botues OJQ Pranë fëmijëve. Prishtinë 2005, f. 24.

[5] Rifat Kukaj, Ma jep gishtin e vogël, vep. e përm. f. 30.

[6] Rifat Kukaj, Zogu i bardhë. Roman për fëmijë. Botimi i tretë. Parathënien Anton Nikë Berisha, Shtëpia botuese Faik Konica, Prishtinë 2019, f. 290.

[7] Rifat Kukaj, Gjiri i delfinit. Tregime për fëmijë. Libri shkollor, Prishtinë, 2002, f. 16 – 17.

[8] Shih dhe përmbledhjen e tij “Vjersha të zgjedhura për fëmijë”, Prishtinë 1976.

Letërsia për fëmijë, ngërçi nga botimet e dobëta te familja

 

Dikur kishte më pak tituj, më pak kopje që qarkullonin dorë më dorë, derisa kopertinat e forta zbuteshin e humbnin ngjyrën fillestare. Por ishin plot jetë.


Ata të autorëve shqiptarë, të thjeshtë e me një humor fin, ata të huajt të përkthyer mirë e të zbulonin një botë magjike, të panjohur për një fëmijë shqiptar që jetonte nën diktaturë. Po sot, çfarë ndodh me letërsinë për fëmijë. Sa lexohet dhe nëse pak, cilat janë arsyet. Me mbështetjen e Bashkimit Europian, Tradukit dhe Institutit Italian të Kulturës, shtëpia botuese “Dituria” po zhvillon përgjatë dy ditësh Seminarin Ndërkombëtar “Letërsia për fëmijë dhe lexuesit e saj. Strategji të reja për nxitjen dhe promovimin e leximit”. Marrin pjesë në këtë seminar përfaqësues të institucioneve politikëbërëse, të Fakultetit të Histori-Filologjisë, të shtëpive botuese të ndryshme, jo vetëm shqiptare, por edhe europiane, shkrimtarë të letërsisë për fëmijë, të cilët po shkëmbejnë përvojat e tyre në këtë lëmë. Gjatë diskutimeve të të pranishmëve dolën edhe problematikat që shoqërojnë letërsinë për fëmijë.

PROBLEMET

Organizatori i këtij aktiviteti, botuesi Petrit Ymeri, njëkohësisht kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, pasi bëri një paraqitje të projektit “Lexuesi i së ardhmes”, i cili përfshinte realizimin e një anketimi mbi leximin në 1150 nxënës shkollash në të gjithë vendin dhe organizimin e një konkursi letrar e vizatimor, numëroi disa nga problematikat që hasen në letërsinë e të vegjëlve.


“Familja punon shumë më pak se më parë, për shkak të kohës më të paktë të prindërve, traumave që ka pësuar shoqëria shqiptare. Shkolla është shumë pak e orientuar drejt letërsisë së re. Shkolla ka nevojë për libra letrarë, letërsi të mirë, përralla të ilustruara bukur, tregime, romane, poezi. Shkolla ka bërë disa ndryshime në kurrikula, por këto kanë çorientuar mësuesit e letërsisë dhe akoma nuk kanë gjetur veten në raportin mes kurrikulës, presionit të madh të botimeve të reja. Si punojnë institucionet, Ministria e Arsimit dhe Sporteve, Ministria e Kulturës, bashkitë e qyteteve? Mjaft të them që bibliotekat janë të varfra. Më parë ka pasur biblioteka dhe librari dhe në qoshet më të humbura të Shqipërisë, që nga Maliqi në Roskovec. Ka pasur biblioteka e shtëpi kulture, tani qytete të mëdha kanë nga një kioskë të vogël, si Fieri e Berati. Bibliotekat nuk furnizohen me libra. Atëherë, si mund të flasim për punë institucionale me librin?

Çfarë bëhet me shkrimtarët për fëmijë? Përmenda shumë emra shkrimtarësh të shquar e të nderuar. A punohet për evidentimin mbështetjen dhe kualifikimin e tyre? Jo! Çfarë bëhet me piktorët ilustrues të librave? Në shumicën e rasteve skanohen librat e huaj, vidhen ilustrimet, miratohen dhe vihen qoftë në libra të përkthyer, qoftë në libra origjinalë, në një kohë që kemi mjaft piktorë që duhen aktivizuar, orientuar dhe kualifikuar. A e bën këtë Akademia e Arteve? Mundësi ka shumë, por duhet bërë një punë institucionale, që t’i ndihmojmë shkrimtarët shqiptarë”, tha Ymeri ndër të tjera, duke kërkuar një bashkëpunim më të fortë mes botuesve dhe institucioneve.

I pranishëm në seminar edhe këshilltari pranë Ministrisë së Arsimit, Agim Leka, u ndal te të shkruarit dhe të lexuarit, të njohurit e gjuhës standarde dhe dialekteve të shqipes, përdorimi i tyre, duke shtuar se në këtë lëmë ka jo pak probleme.

Sipas tij, edhe përkthimet paraqesin gabime dhe dëmtojnë kulturën në shkolla. Sipas tij, kjo është konstatuar nga libra të përkthyer nga gjuhë të huaja, por edhe në tekste të historisë, kulturës dhe artit, të hartuara nga autorë shqiptarë, prezent në sistemet shkollore. Drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës, Adriana Frissena, u shpreh se “të gjithë kemi një synim të përbashkët, që lexuesit e rinj të jenë lexuesit e së ardhmes. Në Itali kemi një krizë të kulturës, prej vitesh dhe i vetmi treg që vazhdon të ketë ende energji dhe gjallëri është ai i dedikuar fëmijëve”, duke shtuar se duhet zgjidhur ai ngërç që po i largon lexuesit nga libri.

Përfaqësuesi i dekanatit të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Andi Pinari, kërkoi një bashkëpunim më të ngushtë mes institucionit që përfaqëson dhe botuesve. “Kemi specialistët më të mirë, njohësit më të mirë të letërsisë dhe gjuhës dhe u bëj thirrje shtëpive botuese të bashkëpunojnë më tepër me ta, kështu cilësia do të jetë edhe më e lartë. Sa i përket cilë- sisë së teksteve për fëmijë, ekzistojnë probleme, që nga përzgjedhja e materialeve, te përkthimet herë pas here të dobëta, deri tek ilustrimet që ose mungojnë, ose janë të dobëta, duke bërë që të mos e fitojë atë betejë të madhe që ka me teknologjinë, me pjesën e kotësisë së saj, jo të dobishme”, tha ai.

I pranishëm në aktivitet edhe fituesi i Çmimit Europian të Letërsisë, Rudi Erebara, i cili ndau një eksperiencë personale: Mospërputhje e shijeve mes brezave.

“Unë me vajzën time diskutojmë gjithmonë për letërsinë. Ajo tashmë është në një pjekuri që mund të lexojë libra jo vetëm me figura dhe deri vjet, unë mbroja Zhyl Vernin, kurse ajo botimin e shkëlqyer të ‘Diturisë’ për Harri Poterin. Është një konflikt moshash dhe brezash që këto ditë e kam përsiatur me veten se si ta shpjegoj. Ne jemi rritur me mungesa. Kemi pasur shumë pak libra. Pas diktaturës, libri për fëmijë pësoi një rënie, dhe fatkeqësisht shoh që këto mungesa të viteve ’90 dhe traumat e tjera politike kanë sjellë që prindërit të mos e edukojnë dot fëmijën me librin”.

Ai propozoi një lloj “aleance” për t’u ofruar fëmijëve edhe klasikët e fëmijërisë së baballarëve të tyre, për shkak të vlerave, por edhe një mbushje të vakumit mes brezave. Drejtoresha e një prej shtëpive më të njohura botuese në Itali, “Salani”, Mariagrazia Mazzitelli, u shpreh se kur një grup njerëzish punojnë me pasion për librin, krijojnë vepra me cilësi të lartë artistike e editoriale, atëherë çmimi është suksesi.

Sabahajdin Cena: Çelësi i interpretimit të veprave letrare për fëmijë

 Anton Nikë Berisha, Poetika e letërsisë për fëmijë.

Botoi Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”, Gjakovë 2020, f. 204

Tashmë nuk është kontestuese se veprat e studiuesve të mëdhenj të letërsisë në përgjithësi e të letërsisë për fëmijë në veçanti, u bënë gurë për ngritjen e kësaj godine që jo vetëm e mban të zgjuar dhe e kënaq kureshtjen e lexuesve të vegjël e të rritur, të mësimdhënësve të letërsisë, të arsimtarëve dhe të mësuesve, por edhe të studiuesve të letërsisë për fëmijë. Një hap të këtillë e bëri dhe Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” që mundësoi botimin dhe e vuri në dritë veprën e Prof. Dr. Anton Nikë Berishës me titull “Poetika e letërsisë për fëmijë” me çështjet: Letërsia për fëmijë si art i fjalës, Vëzhgime teorike, Krahasime me letërsinë për të rritur, Interpretime veprash e në fund Portrete shkrimtarësh.

Kjo përmbledhje e hulumtimeve dhe e shkrimeve të Anton Nikë Berishës, studiuesve u erdhi pas veprave: Mundësi interpretimi, Ese dhe vështrime (Prishtinë 1979), Teksti poetik. Vështrime e kritika (Prishtinë 1985), Veçanti ligjërimesh poetike (Tiranë 1996), Gjymtime dhe shëmtime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë (Prishtinë 2001), Çështje teorike të letërsisë (Prishtinë 2005), Njëmendësia e fjalëve. Mundësi interpretimesh letrare (Prishtinë 2006), Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë (Cosenza 2008), Këngë që përligjin pasurinë shpirtërore të shqiptarit e të botës së tij. Mbi këngët kreshnike shqiptare (Prishtinë 2008),Vëzhgime teorike dhe estetike të De Radës dhe të Fishtës (Tiranë 2011), Larmi vëzhgimesh letrare (Prishtinë 2012), Ligjërime rreth tekstit letrar poetik (së bashku me Labinot Berishën, Prishtinë 2017), Hyrje në historinë gojore shqipe (Prishtinë 2017), Estetika dhe estetika e letërsisë (së bashku me Labinot Berishën) e shumë vepra të tjera.

Pjesa e fundit e veprës “Poetika e letërsisë për fëmijë” vështron letërsinë për fëmijë si art të fjalës, qoftë në rrafshin teorik, qoftë të krahasimeve me letërsinë për të rritur, pastaj interpretime të veprave e të portreteve të shkrimtarëve. Si moto të librit autori ka vënë mendimin e doajenit të letërsisë për fëmijë Mark Krasniqit, autorit të përmbledhjeve tejet të rëndësishme për fëmijë, ndërsa hapet me një parathënie, ku në mënyrë tejet të matur, autori konstaton se studimi i veçantive teorike të letërsisë për fëmijë, veçanërisht i poetikës së saj, krahasimit me letërsinë për të rritur dhe interpretimit të disa veprave të veçanta, ishte një sprovë dhe ballafaqim i mirëfilltë duke sfiduar vetveten dhe përvojën e tij si studiues, jo vetëm i letërsisë kombëtare por edhe botërore për fëmijë, gjë që shihet më gjerësisht edhe në veprat e tjera të autorit.

Në pjesën e parë – Çështjet teorike të letërsisë për fëmijë, autori trajton veçanti të artit të fjalës së shkruar, përkatësisht të letërsisë dhe të aktit të krijimit: “[…] shkrimtari ndien nevojë shpirtërore t’i shprehë gjërat që ‘vlojnë’ brenda tij, për t’ia thënë vetes, për të menduar vetë rreth tyre ose për t’ia thënë tjetrit; të ballafaqohet me mendimet e ndryshme që i lindin kur është në vetmi, ose që ia nxisin dukuritë e jetës së përditshme, leximi i veprave të paraardhësve” (f. 27) duke u ndalur te qenësia e tekstit si strukturë gjuhësore poetike, me theks të veçantë tek rëndësia dhe karakteri njohës i letërsisë për fëmijë. Në këtë kuadër Berisha synon ta përkufizojë letërsinë si art të fjalës dhe ndikimin estetik që teksti ushtron në lexuesin. Pra, theksohet rëndësia e letërsisë për fëmijë dhe ndikimi i saj estetik, krahas rëndësisë njohëse të saj. Po kështu autori thekson rëndësinë e të bukurës si kategori estetike në pasurimin e shpirtit të fëmijëve si dhe të mrekullueshmen.

Si çështje me vete autori e ngrit ndikimin dhe rëndësinë e përrallës si lloj i mëvetësishëm i letërsisë për fëmijë për të hyrë në problemet që ka kjo letërsi përballë letërsisë për të rritur. Duke i trajtuar këto çështje autori ndalet në shtresat dhe llojet e ndryshme të letërsisë me vështrime mbi artin letrar gojor dhe artin letrar të shkruar, pra raportin ndërmjet letërsisë gojore dhe asaj të shkruar, fusha këto të cilat autori i pati rrahur edhe më herët në punimet e shumta duke e krahasuar letërsinë për të rritur me letërsinë për fëmijë me theks të veçantë mbi tiparet integrale dhe dezintegrale që ndikojnë në forma të ndryshme mbi njërën apo mbi tjetrën. Me të drejtë theksohet: “Gjuha që përdor shkrimtari në veprën letrare për fëmijë është një nga përbërësit e rëndësishëm që e veçon atë nga gjuha e veprës për të rritur. Ajo duhet t’i përshtatet natyrshëm mënyrës së të menduarit të fëmijëve, të jetë një qenësi e kuptueshme prandaj dhe lehtazi e receptueshme. Pikërisht brenda këtyre përbërësve fshihet dhe qëndron fuqia dhe veçantia e gjuhës që përdor shkrimtari në një vepër për fëmijë” (f. 76). Pra, autori ndriçon dhe begatimin shpirtëror, estetik që vepra për fëmijë mund të bëjë përmes artit të saj në marrësin.

Berisha thekson se letërsia shqipe për fëmijë ka vlera të mëdha dhe se përkimet me letërsinë gojore shqipe janë të dukshme, si fjala vjen, këngët e riteve e këngët e motmotit, këngët e riteve familjare, lojanakët (lojënumraket), përrallat, por edhe letërsinë e traditës duke i ilustruar mendimet me shembuj të bukur që gjallojnë ende në letërsinë gojore.

Në pjesën e dytë autori përqendrohet në interpretimet e disa veprave të letërsisë sonë për fëmijë dhe nis me interpretimin e “Postës së porositur” të Mark Krasniqit, njërës prej veprave më interesante, më të këndshme e më të rëndësishme, madje edhe më të lexuara të letërsisë sonë për fëmijë. Galeria e personazheve: njerëz, kafshë shtëpiake e kafshë të egra, shpezë e insekte, paraqet botën e mbushur me anatagonizma të shumtë sepse “I ligu prej të fortit, gjithmonë është në rrezik”, prandaj edhe “Delja kurrë nuk mundi, ujkun ta zërë mik”. Së këndejmi, ujku, ariu e dhelpra rrezikojnë përherë delen me qengja, bletën me mjaltë dhe pulën me zogjtë. Mirëpo, mbi të gjithë qëndron njeriu që, sipas studiuesit, del më i fortë se guri e mesazhe të qëndresës mishërohen nëpërmjet gjahtarëve: axhës Sat (që ka një pushkë të gjatë) Kapllan Barutit (që mallkon që kafshës t’i qorrohen sytë e t’i dalin sa huti”) e axhës Behram (me kërcënime për derrin e egër i cili e përshëndeti me një telegram), prandaj edhe optimizmi shprehet vetvetiu pa trumbetime e deklarata e moralizime. Në këtë mënyrë ndriçohen vlerat edukative, njohëse dhe estetike të veprës për fëmijë, Mark Krasniqit, të cilin studiuesi Berisha e njeh çdo skutë të veprimtarisë letrare, duke filluar nga vepra “Prrallat e gjyshit” e “Dritës së parë”.

Në këtë pjesë të librit trajtohet dhe krijimtaria letrare e Rifat Kukajt, veçanërisht përmbledhja e vjershave me titull “Pëshurrani i gjyshit” të cilën studiuesi Berisha e vështron dhe e shpall “xhevahir” të krijimtarisë letrare për fëmijë edhe kur e krahason me veprat e autorëve të tjerë në rrafshin intraletrar, me veprat e mëparshme të Rifat Kujkajt dhe me krijuesit e letërsisë sonë në përgjithësi.

Një qasje e këtillë multidisiplinare mund të shërbejë edhe si model e çelës për depërtim në shtresat më të thella të veprave për fëmijë e për të rritur e në saje të qasjeve të këtilla shumë mënyreshe dhe shumështresore. Berisha heton se Rifat Kukaj arrin një rrafsh të lartë shprehës poetik dhe komunikues; përfton me mjeshtëri disa nga pamjet e rralla të poezisë sonë për fëmijë, ku e rëndomta ose e zakonshmja ngjizet me të pazakonshmen, përditshmëria me përfytyrimin dhe aty gërshetohet gëzimi e hareja me rastin e lindjes, gjatë rritjes dhe gjatë pjekurisë, duke theksuar zhbërjen e kufirit midis poezisë për fëmijë dhe poezisë për të rritur, ku vjersha shpreh e paraqet një tekst të mbrujtur mirë me mendime të qenësishme.

Gjatë hapërimit nëpër veprat e autorëve – krijuesve studiuesi Berisha ndalet edhe në interpretimin e poezisë së Agim Devës, ku gjen një botë të mendimit dhe të veprimit të lirë që nga përmbledhja e parë e Devës e deri në fazën kur krijuesi ngrihet, pasurohet e thellohet në përmbledhjet e mëvonshme dhe lexuesi, në saje të vjershave të Devës, por edhe interpretimit të Berishës bindet se me të vërtetë Deva e njeh artin e fjalës së shkruar në përgjithësi e të letërsisë për fëmijë në veçanti; nga teksti i poezisë së tij del se çdo njeri është farkues i fatit të vet dhe se “do të korr atë qe e mbjell”, prandaj vetëdija asnjëherë nuk duhet të jetë e fjetur dhe lexuesit të çdo niveli e grupmoshe i bëhet se gjatë shtegtimit jetësor has lypsarë apo karrocierë të shtypur nga guri i skamjes dhe i varfërisë. Sipas Berishës “Rrëfimi poetik i Agim Devës, është sa i pandërmjemë dhe i qartë, aq dhe simbolik dhe poetik. Poezia e tij tematikisht është aktuale dhe kuptimisht shumësore. Edhe pse autori nuk e kultivon fantastikën, të mrekullueshmen, krijimet e ngritura e të shtjelluara nga gjuha poetike, nxisin një nëntekst dhe një konotim të pasur” (f. 126).

Në këtë libër Berisha interpreton dhe vepra të letërsive të huaja, siç vepron me veprën në prozë të Antoan Dë Sent Egzyperi “Princi i Vogël” të prirë nga motoja se “Libri është zgjatim i kujtesës dhe i imagjinatës”, maksimë kjo e Jorge Luis Borgesit; pra krijuesi duhet të frymojë përmes shkrimit që e harton, duhet të qajë kur shkruan ose të këndojë gjatë shkrimit, në të kundërtën, sipas Anais Ninit, është më mirë të mos shkruajë, për arsye se kulturës nuk i shërben. Këtu studiuesi hap horizontin kah bota në sytë e fëmijës dhe kah bota në sytë e të rriturit.

Në vazhdim Berisha e interpreton romanin “Zogun e bardhë” të Rifat Kukajt, duke e plotësuar portretin e këtij krijuesi. Me të drejtë konstaton se “Vlerat e mirëfillta poetike duhet t’i përkasin gjithë njerëzimit: ato i tejkalojnë kufijtë krahinorë, kombëtarë, racorë e fetarë. Këtë gjë e kushtëzon para se gjithash arti i tyre, komunikimi dhe ndikimi estetik që bëjnë tek marrësi” (f. 147); arti ekziston për njeriun e jo për vetë artin. Në rrafshin poetik ky roman i Kukajt ndjek poetikën, strukturën dhe kompozicionin e përrallës gojore, pra roman i tipit përrallë.

Çështjet e interpretimit të veprës letrare, në formë modeli-çelës Berisha i përfundon me romanin “Shpella e piratëve” të Petro Markos. Duke e interpretuar këtë vepër të Markos, studiuesi i ballafaqon botën reale me botën e gojëdhënave për një shpellë që ngjan të jetë e piratëve, ku lidhen dy kohë: e tashmja me të kaluarën e sërish haset modeli romanit të tipit përrallë, sipas parimit aditiv, kur njëri episod “thërret” episodin tjetër sipas modelit “Çka pastaj?”, por që te Petro Marko, studiuesi gjen një botë të mëvetësishme artistike e cila në një mënyrë apo në një tjetër bëhet pjesë edhe e atij që e lexon.

Pjesa e tretë e librit përmbushet me dy portrete të shkrimtarëve: Rifat Kukaj e Vehbi Kikaj, autorëve të veprave të rëndësishme poetike për fëmijë, shprehur më gjuhën figurative, të dy bardhësive; “Zogut të bardhë” e të “Sarajeve të bardha”.

Krijimtaria e Rifat Kukajt vështrohet nga aspekte të ndryshme; dëshmohet e pasur dhe e përftuar me përkushtim të madh nga se autori jetoi me letërsinë dhe për letërsinë. Romanet e Rifatit studiuesi Berisha i grupon në tri rrafshe. Në rrafshin e parë ky studiues ia gjen vendin “Kokërrmelit dhe pilivesës”, në të dytin, “Ditës së xhufkave” dhe në rrafshin e tretë “Zogun e bardhë”.

Sipas interpretimit të Berishës, Rifat Kukaj dëshmohet edhe mjeshtër i tregimit të shkurtër. Këto krijime janë përftuar mbi bazën e argëtimit dhe të lojës, shpesh të gërshetuar me një humor të lehtë, mbështetur në krijimtarinë gojore.

Nga veprimtaria letrare të Vehbi Kikajt studiuesi ndriçon një varg vlerat e veçantish artistike, qoftë në rrafshin e poezisë, qoftë të prozës.

 Në saje të vështrimeve të gjithanshme, të qasjeve multidisiplinare, Anton Nikë Berisha procedon sipas një koncepti të ri e të përfillshëm shkencor, prandaj edhe ka arritur që t’i shtrojë çështjet rreth poetikës së letërsisë për fëmijë, po dhe marrëdhëniet me letërsinë për të rritur, pastaj me letërsinë gojore, ndikimet dhe përkimet në disa rrafshe. Punën serioze të autorit e dëshmojnë burimet e shumta, fusnotat dhe referencat që flasin për gjerësinë dhe thellësinë e të shtruarit të problemit të poetikës së letërsisë në përgjithësi dhe të letërsisë për fëmijë në veçanti, të interpretimit të disa veprave të rëndësishme për fëmijë dhe të ravijëzimit të portreteve të shkrimtarëve.

Me këtë vepër Berisha ndriçoi një varg dukurish të letërsisë; i shprehu mendimet dhe vlerësimet me një drejtpeshim dhe solli argumente dhe fakte të rëndësishme. Pra, edhe arriti t’u japë një përmasë më të gjerë shqyrtimit të problemeve të kësaj letërsie që u kushtohet një pjese të madhe të lexuesve.

Në veprën “Poetika e letërsisë për fëmijë” Anton Nikë Berisha përdor një sistem të tërë të nocioneve, qofshin të traditës sonë, qoftë nga tradita e tjera, me ç’rast pasurohet terminologjia e studimit të letërsisë. Këtë pasuri autori e voli nëpër veprat e ndryshme që i studioi si dhe nëpër qendrat universitare ku qëndroi, veproi dhe i bëri hulumtimet.

Mënyra e të shkruarit të Anton Nikë Berishës është e qartë dhe bindëse, prandaj me mendimet dhe vlerësimet e shprehura në këtë libër mund të komunikojë edhe krijuesi i thjeshtë, por edhe studiuesi specialist i fushës së letërsisë në përgjithësi e i letërsisë, sidomos i për fëmijë.

“Poetika e letërsisë për fëmijë” e Anton Nikë Berishës tejkalon premtimin që i jepet lexuesit përmes titullit për arsye se ai vëzhgon edhe çështje të diskutueshme të letërsisë për fëmijë.

Pandeli Koçi: Letërsia për fëmijë “vidhet” nga të huajt, probleme me përkthimin dhe përshtatjen

 


Pandeli Koçi: Letërsia për fëmijë

Letërsia për fëmijë edhe pse nuk mungojnë botimet me vlera të autorëve shqiptarë, ka jo pak probleme. Këtë e pohon dhe shkrimtari i njohur Pandeli Koçi, i cili prej vitesh drejton dhe Shoqatën e Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj. Për shkrimtarin përballë këtyre probleme që has sot kjo letërsi, janë dhe institucionet shtetërore që duket se  kanë braktisur atë. Dje ishte dhe Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë, por ndryshe nga vende të tjera të botës në vendin tonë  kjo ditë kaloi në heshtje. Shkrimtari Pandeli Koçi i njohur me emrin letrar Sazan Goliku, tregon se dy ministritë, ajo e Kulturës dhe Arsimit janë indiferente ndaj letërsisë për fëmijë, që sipas tij është shumë e rëndësishme. Ai tregon se janë dorëzuar disa herë projekte pranë këtyre dy dikastereve për ndihmë në konkurse letrare, botime, etj, por asnjëherë nuk kanë marrë miratim. Për kryetarin e Shoqatës së Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj detyrën që duhet ta bënte MASH në lidhje me letërsinë për fëmijë po e bën kjo shoqatë, e cila mes shumë vështirësive dhe pa përkrahje nga institucionet mundohet të mbajë gjallë këtë lloj letërsie. Në intervistën dhënë për gazetën, shkrimtari Pandeli Koçi thekson mes të tjerave se edhe botuesit shqiptarë pak ofrohen për të tilla botime, pasi sipas tij duke pasur në qendër fitimin financiar ata e kanë më të lehtë të botojnë vepra të huaja. Por edhe pse libraritë janë të mbushura me botime të autorëve të huaj, për shkrimtarin e njohur përkthimet në jo pak raste janë skandaloze. Kryesisht tek librat që janë me figura, ilustrime, ka probleme në drejtshkrim, dhe sipas tij janë përkthime të njerëzve që nuk dinë ti sjellin të përshtatur në gjuhën shqipe, por ndihet shumë dhe mungesa e redaktorëve të duhur në këtë fushë. Për shkrimtarin Pandeli Koçi, letërsia për fëmijë duhet të ketë muzikalitetin e duhur, qoftë në varg apo prozë.
 
 -Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë, si vjen në Shqipëri, atmosfera që kalon ajo?

Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë është një festë që pritet me gëzim në gjithë botën e qytetëruar. Festohet në mënyra të ndryshme, por tek ne kjo nuk ndodh. Do dëshironim që dhe tek ne të ndodhte një gjë e tillë, por fatkeqësisht në vendin tonë nuk kujtohen për këtë. Kjo duhet të ishte një festë gazmore ku duhet të gumëzhinin shkollat, institucionet që edukojnë fëmijët.
 
-Çfarë duhet të ishte bërë që kjo të ndodhte?
 

Ministritë përkatëse të Arsimit dhe Kulturës, drejtoritë arsimore, drejtoritë e shkollave mund të organizoheshin për këtë veprimtari. Kjo nuk bëhet, sepse është një neglizhim, një indiferentizëm ndaj librit për fëmijë. Për këtë ditë mund të organizoheshin konkurse, mësuesit e letërsisë mund të bënin një konkurs për librin për fëmijë. Kjo mund të ishte një ditë që në shkolla të ishte dhe një si minipanair ku të tregoheshin librat e kësaj letërsie. Këtu mund të flitej, recitohej, të diskutohej mbi librat që iu kanë pëlqyer fëmijëve. Por kjo nuk mund të bëhet nga shkrimtarët, të cilët duhet të thirren në këtë veprimtari që të flasin për librin. Mjetet organizative janë çështje që kanë të bëjnë me institucionet shtetërore. Një gjë e tillë mund të bëhej dhe nga botuesit, të cilët siç ju thashë do të ishin të pranishëm me këto minipanaire pranë shkollave. Duke qenë dita e librit, fëmijët do ta gëzonin më shumë me librin. Unë gjithmonë kam ngulur këmbë përballë një qëndrimi nihilist ndaj letërsisë për fëmijë, siç ndodhi dhe në panairin e librit që u zhvillua një vit më parë ku nuk u dha asnjë çmim për librin për fëmijë, kur kishte mjaft libra dinjitozë. Problem është dhe mungesa e konkurseve letrare. Me gjithë kërkesën tonë nuk u bë as me rastin e 100-vjetorit, por këto konkurse duhet të jenë dhe për autorë të rinj të kësaj letërsie.
 
-Po këtë vit, a keni çuar projekte si shoqatë në ministritë përkatëse?
 
Shoqata jonë kërkoi që parvjet ndihmë për një projekt në letërsinë për fëmijë, por as vjet nuk na u miratua ndihmë financiare dhe këtë vit ende asgjë, pasi ne projektin aty e kemi. Nuk na kanë dhënë përgjigje për këtë projekt në MTKRS, as po as jo. Indiferentizmi ndaj kësaj letërsie shikohet dhe këtu, ku ne bëjmë projektin dhe nuk na thonë as po as jo. Ne na duhet një përgjigje, se pse është ky qëndrim deri tani ndaj projekteve tona. Tani ne hezitojmë, sepse të bësh disa projekte për këtë letërsi dhe të mos realizohen, është shumë e rëndë. Këto që ne duam si shoqatë me të tilla projekte për letërsinë për fëmijë, këto janë detyra të vetë ministrisë. Një nga detyrat e MTKRS dhe MASH është që të bashkëpunojë dhe me ne. MASH ka një bord që miraton veprat për lexime jashtëshkollore, por ama kur ne bëmë një projekt dhe ia paraqitëm për të bërë një konkurs të autorëve të rinj që shkruanin letërsinë për fëmijë na kthyen një përgjigje burokratike, që këtë gjë nuk mund ta bënin.
 
-Duke qenë se jeni shkrimtar dhe Kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve për Fëmijë dhe të Rinj çfarë mund të na thoni rreth interesit që kanë botuesit ndaj kësaj letërsie?
 
Gjithmonë nga letërsia e huaj përkthen gjërat më të mira, të cilat veç vlerave letrare artistike kanë dhe paraqitjen grafike, me të cilët merren ilustratorët më të mirë të botës dhe pëlqehen. Problemi qëndron se sa letërsia jonë artistike ngrihet në nivelin e letërsisë botërore. Ne kemi vepra që i përballojnë ato, dhe kanë traditën tonë, pra qëndrojnë përballë letërsisë evropiane. Por vizatimet, skicat, etj, nuk janë të një niveli si tek botimet e huaja që kanë ilustratorë shumë të mirë. Botuesit edhe kur botojnë nga letërsia shqipe, druhen dhe nuk paguajnë sa duhet që ai piktori të rrijë gjatë mbi veprën, por gjendet një që paguhet me pak lekë ashtu si dhe vetë shkrimtari. Botuesi e ka dhe më të lehtë me autorë të huaj, sepse tek ne nuk paguhet e drejta e autorit. Pra librat e autorëve të huaj janë dhe më shumë fitim se sa letërsia e autorëve shqiptarë. Por Konica ka thënë që ne duhet të botojmë 50 për qind me 50 për qind letërsi të huaj dhe shqipe, dhe kjo nuk ndodh sepse nuk ka rregull nga botuesit. Duke u nisur vetëm nga fitimi ata nuk e ruajnë këtë rregull.

-Është pohuar se veprat e huaja të letërsisë për të rritur kanë një nivel përkthimi që në shumë raste lë për të dëshiruar. Po tek letërsia për fëmijë, si shikohet kjo?
 
Ne kemi përkthime të mira, por ka dhe probleme. Janë skandalozë kryesisht librat që janë me figura, ilustrime, ka probleme në drejtshkrim. Janë përkthime të njerëzve që nuk janë specialistë, nuk kanë redaktorët e duhur në këtë fushë. Letërsia për fëmijë duhet të ketë muzikalitetin e duhur, qoftë në varg apo prozë.
 
-Ju folët disa probleme që janë sot në letërsinë për fëmijë. Por sot, diskutohet dhe niveli i saj?

Pas përmbysjes së diktaturës letërsia për fëmijë ka pasur një hov të madh. Sot nuk kemi vepra si dikur ku në letërsinë për fëmijë ishte i dukshëm dhe ideologjizimi, krahas veprave të mira që ne nuk i mohojmë që i shpëtuan virusit politiko-ideologjik. Në kohën e sotme si në çdo vend të botës edhe tek ne ka krijime me vlera artistike, por ka dhe vepra të dobëta, mediokre, që botohen. Në letërsinë për fëmijë sot kemi dhe vargje skematikë, të përgjithshëm, që janë një bejte. Vetëm se vë një rimë në fund të vargut e quan poezi. Kemi prozën, ku edhe këtu ka tregime ose përralla që janë kopje të përrallës së dikurshme popullore apo krijimit të një autori të njohur të botës. Kemi tregime që nuk japin me vërtetësi, pra psikologjinë e fëmijës, por janë thjesht rrëfime të një ngjarje të rëndomtë që nuk thotë asgjë. Sëmundja që ka mbizotëruar dhe është dhe sot, moralizimi i hapur në letërsinë për fëmijë. Letërsia për fëmijë mbi të gjitha duhet të jetë fantazi. Këtë e kanë sot veprat e mira shqiptare, por ka vepra që janë të thata, që nuk e joshin fëmijën. Mos harrojmë që letërsia për fëmijë ka brenda dhe lojën. Këtë ne në pak vepra e gjejmë, dhe përballë këtyre duke mos pasur një kritikë letrare që të përcaktojë vlerat e librit spekulohet me librat. Intervistoi: Julia Vrapi

LETËRSIA PËR FËMIJË KËRKON NJË TRAJTIM TË VEÇANTË

 

Xhemë Karadaku u lind në fshatin Ranatoc të Karadakut të Preshevës. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmen në Preshevë, ndërsa fakultetin në Prishtinë. Bashkëpunon me revista e portale të shumta në gjuhën shqipe, ku ka publikuar një numër të madh të poezive, tregimeve, humoreskave dhe enigmave të rimuara. Ishte anëtar redaksie i Revistës "Jehona" në Preshevë, ishte redaktor i revistës për fëmijë "Ylberi" në Gjilan dhe një periudhë ishte anëtar i Redaksisë në revistën për Enigmatikë

“Horizonti” në Gjilan. Është autor i njëzet veprave letrare dhe publicistike. Është autor i qindra enigmave

HEJZA: Shumë krijues letrarë e pak nga ata krijojnë për fëmijë! Krijuesit për fëmijë janë ata që e rrisin dashurinë tek fëmijët për librin, që e ngacmojnë tek fëmijët fantazinë për t’u bërë shkrimtar, i hapin dyert e botës fëmijërore ku mbruhet motivi për të shkruar, për të krijuar, për ta dashur gjuhën… Cili është ai çelës që u mundëson shkrimtarëve për të depërtuar në botën fëmijërore për të ndihmuar në këtë mbrujtje?

KARADAKU: Shkrimtarët për fëmijë aq sa kanë përgjegjësi për krijimet e tyre, kanë edhe një privilegj:sikur e jetojnë fëmijërinë tërë jetën. Ata, kur shkruajnë për fëmijë, duhet të kenë parasysh botën e tyre,t’i bëjnë shkrimet të pranueshme për këtë moshë dhe natyrisht të japin mesazhin e duhur. Me një fjalë,duhet t’i japin hov imagjinatës për të zhvilluar imagjinatën e fëmijëve por edhe të lexuesve të tjerë të rritur. Ndonjëherë, një dozë humori në shkrimet e tyre, besoj i bën më tërheqëse punimet e tyre për këtë moshë të re, e cila është në formim e sipër.

HEJZA: Gjyshet tona na kanë rrëfyer përralla të cilat nuk i kemi hasur askund në letërsinë për fëmijë, as në letërsinë shqiptare, por as në letërsinë botërore! Na kanë rrëfyer gjyshet tona se i kanë të dëgjuara
nga gjyshet e tyre, të cilat, nuk kanë ditur as shkrim dhe as lexim! Janë autore të rrëfimeve origjinale vetë gjyshet dhe stërgjyshet tona, apo ka ekzistuar dikur shkrimtari për fëmijë, i cili ka shkruar për
vëllain e vogël të mençur, për kuçedrën, dragoin, bajlozin, puset e thella, degëzimet nëntokësore të puseve, për zogun e madh që ka bartur mbi flatra një popull të mirë, për vetëtimën që ka çarë kodra, për murmurimën që ka gurëzuar luftëtarë etj.

KARADAKU: Letërsia gojore është trashëguar brez pas brezi dhe na bën me dije se shpirti krijues ka ekzistuar dhe do të ekzistojë përherë te një popull. Kjo letërsi (gojore) nuk kanë qenë përherë origjinale,ka pasur edhe motërzime të kësaj letërsie e cila është ndryshuar dhe i është përshtatur rrethanave dhe kohës. Megjithatë, shpirti krijues është përcjellë gjeneratë pas gjenerate përmes rrëfimeve, përrallave,
këngëve, anekdotave etj. dhe ka edukuar breza të tërë, ka dhënë mesazhe për kohën. Me zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë, ka ndryshuar edhe forma e transmetimit të letërsisë, në këtë rast edhe
forma e letërsisë gojore, sepse krijuesit tashmë idetë e veta, shkrimet e veta lexuesit ia përcjellin në formë librash, apo tash edhe në formë elektronike. Duke pasur parasysh thënien “fjalët fluturojnë, ajo
që shkruhet mbetet”, sigurisht forma e shkruar e letërsisë i ka përparësitë e veta.

HEJZA: Në ç’nivel dhe në ç’pozita e kemi sot letërsinë për fëmijë? Cili është raporti i shoqërisë sonë me krijuesit letrarë për fëmijë?

KARADAKU: Letërsia për fëmijë është në po atë nivel siç është edhe letërsia jonë në përgjithësi. Ka vepra të arrira për fëmijë në gjuhë shqipe, të cilat janë të një cilësie të barabartë me letërsinë për fëmijë edhe nivel regjioni e më gjerë. Krijuesit letrarë për fëmijë, te ne, ndoshta ndonjëherë nga shoqëria konsiderohen si krijues të rendit të dytë, që është një gabim shumë i madh. Letërsia për fëmijë, do të
duhej trajtuar shumë më seriozisht nga institucionet, do duhej të kishte përkrahje më të madhe nga shkollat, bibliotekat dhe nga shoqëria në përgjithësi, sepse ndikimi i saj është tejet i madh. Ndoshta është njëri ndër faktorët kryesorë për të rritur gjenerata të reja me një vizion të qartë dhe me një imagjinatë të zhvilluar. Por edhe krijuesit e letërsisë për fëmijë duhet të jenë të vetëdijshëm se jo
gjithçka që ofrojnë “gëlltitet” nga lexuesit. Pra, raporti shkrimtar-lexues (shoqëri në përgjithësi) do të jetë korrekt, atëherë kur të dy palët japin dhe marrin vlera, të cilat do t’i qëndrojnë kohës.

HEJZA: Sa janë të vetëdijshëm shkrimtarët për fëmijë për rolin dhe peshën e tyre në shoqërinë tonë shqiptare! Këta shkrimtarë bëjnë shumë për ata që janë ardhmëria e shoqërisë sonë, por, sa këta bëjnë
për vetveten! Apo, zëri i tyre është fare i papërfillshëm sepse janë shumë pak! Si pak që janë, a e gëzojnë respektin e “shumicës”!

KARADAKU: Unë shpresoj se shkrimtarë për fëmijë, përkatësisht letërsi për fëmijë, do të ketë në çdo fazë të zhvillimit të shoqërisë. Ndoshta paraqitja mund të jetë hove-hove, por një vijimësi e kësaj letërsie do të jetë pa dyshim. Shkrimtarët për fëmijë, e thashë në fillim kanë përgjegjësi dhe privilegj, por duhet jenë të vetëdijshëm se në këtë botë të zhvillimit të hovshëm të teknologjisë dhe të qasjes së letërsisë në internet, lexuesi ka mundësi të shumta zgjedhjeje të cilat kalojnë kufijtë e një vendi. Shkrimtari për fëmijë, vetë ia bën vendin vetes në shoqëri me veprat në nivel ideoartistik dhe me temat që trajton.
Sigurisht, përkrahja e krijuesve të mirëfilltë për fëmijë është e domosdoshme, sepse mospërkrahja dhe pengesat në këtë sferë, një ditë do të na kthehen bumerang të gjithëve pa dallim.

HEJZA: Në ç’nivele e kemi kritikën letrare për letërsinë për fëmijë? Kush e vlerëson këtë letërsi? Në ç’mendime kritike objektive, apo, në ç’fakte mbështetemi kur konstatojmë se kemi (apo nuk kemi)
letërsi për fëmijë!

KARADAKU: Ka shkrime të herëpashershme për veprat e botuara për fëmijë, të cilat në të shumtën e rasteve janë përshtypje leximi, apo recensione përuruese. Vlerësimi i kësaj letërsie bëhet në forma të
ndryshme: herë ka perceptime, herë ka vlerësime paushall, herë ka vlerësime miqësore, herë ka vlerësime ‘armiqësore’. Mbi bazën e këtyre vlerësimeve vështirë është të krijohet një konstatim i saktë
se cili është niveli i letërsisë për fëmijë në gjuhë shqipe. Nganjëherë vlerat e vërteta në mungesë të një ‘marketingu’ mbeten nën hije, ndërsa disa ‘kryevepra’ bëjnë bum të rrejshëm. Kritikë të rregullt e cila e përcjell letërsinë për fëmijë hap pas hapi nuk ka. Ndoshta kritiku më real, është lexuesi – për fat të keq i paktë.

HEJZA: Kontakti i parë i fëmijëve të diasporës sonë me gjuhën letrare janë pikërisht librat apo edhe rrëfimet elektronike të shkrimtarëve tanë për fëmijë! Cila është njohja e drejtpërdrejt të këtyre fëmijëve me krijuesit shqiptarë të letërsisë për fëmijë dhe anasjelltas!

KARADAKU: Aq sa kam të informacione, ka përpjekje që librat për fëmijë në gjuhë shqipe të jenë në duar të lexuesve në diasporë. Por këto janë më shumë përpjekje individuale, ose të shoqatave të ndryshme dhe më pak të organizuara nga institucionet. Ndoshta e vetmja mënyrë për t’u pajisur me këto botime, është kur ata vijnë me prindërit e tyre për pushime në atdhe dhe blejnë ndonjë prej tyre. Personalisht kam pasur disa herë kërkesa të tilla për botimet e mia dhe të Shtëpisë Botuese “URA”, të cilën e udhëheq. Por kjo formë është e pamjaftueshme.

HEJZA: Sa ka evoluar krijimtaria për fëmijë në kohën kur fëmijët po sfidohen me një “modernitet” i cili jo se po kuptohet aq shumë nga të rriturit?

KARADAKU: Zhvillimi i letërsisë për fëmijë te ne nuk mund të bëhet i ndarë nga zhvillimet tjera në përgjithësi si shoqëri. Por kjo nuk nënkupton vetëm rritjen në sasi, sepse sasia nuk garanton cilësi. Por te letërsia për fëmijë, sidomos në Kosovë, ka mungesë edhe të sasisë. Gjeneratat e reja sikur më rrallë i përkushtohen letërsisë për fëmijë, apo edhe kur ia nisin bëjnë disa hapa, pastaj ndalen. Është një
fenomen i cili kërkon një analizë më të përgjithshme, kërkon një studim më të gjithanshëm. Por një gjë mund të thuhet se përderisa shkrimtarët e dikurshëm për fëmijë (gjeneratat e kaluara) ishin më
idealistë, shkrimtarët për fëmijë të gjeneratave të reja janë më tepër pragmatistë. Këtë mund ta ilustroj me një shembull konkret. Një krijues i ri i cili kishte botuar katër-pesë libra shumë interesante për
fëmijë, njëherë më bëri një pyetje: A mund të jetohet në Kosovë duke shkruar libra për fëmijë? Çfarë t’i thosha. Ta gënjeja? Jo. U zura ngushtë, vetëm rrudha supet dhe ai përgjigjen e mori vesh. Dallimet në gjenerata kanë ekzistuar dhe ekzistojnë edhe tash. Bota e internetit ka rritur edhe më shumë këto dallime. Megjithatë duhet të ketë një mirëkuptim nga të rriturit për këtë sfidë, por me kusht që ajo të 
përdoret për të mirë, e jo për të keq. Një kontroll i duhur sidomos për moshat e reja, duhet të jetë patjetër.

HEJZA: A e shihni si problem faktin që, fëmijët tanë sot, më shumë i njohin shkrimtarët e huaj se sa shkrimtarët shqiptarë për fëmijë! Pse po ndodhë kjo? Si të arrihet e kundërta?

KARADAKU: Fëmijët dhe të rinjtë duke njohur gjuhët e huaja, sidomos gjuhën angleze, i krijojnë vetes ‘luksin’ që të lexojnë letërsi në gjuhë të huaja, pra në origjinal. Natyrisht, interneti mundëson këtë
konkurrencë dhe ata e shfrytëzojnë. Nuk e shoh problem, pse ata lexojnë më shumë letërsi të huaj, e shoh si problem pse letërsia për fëmijë dhe të rinj në gjuhë shqipe, nuk arrin të jetë tërheqëse për ta. A refuzohet ajo sepse është në pyetje (mos)vlera apo është thjesht trend, si për çdo gjë tjetër te ne.(Revista Hejza)

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...