Agjencioni floripress.blogspot.com

2023/01/14

EPOPEJA E JASHARËVE,QË NDËRROI RRJEDHAT E HISTORISË

Drenica. Një emër që nuk peshohet dot. Zemra e Kosovës më, pa të historia jonë do të ngelte e varfër fare dhe e pakuptimtë. Dymijë vjet beteja e luftëra çlirimtare. Dymijë vjet mbijetesë e gjakime për liri. Drenica e Millesh Kopiliqit, e Ahmet Delisë, e Shaqir Smakës, e Shotës dhe Azem Galicës, e Hasan Prishtinës, e Shaban Palluzhës, e Mehmet Gradicës, e Tahir Mehës...Tokë e saj e ashpër, shkëmbinj të thepisur, mbushur me lulëkuqe erë gjaku. Aromë e saj dehëse mbajti gjallë ndër breza atdhetarizmin. Drenica djep i trimërisë e varr i barbarisë... Dhe, më në fund, edhe mbi tokën e saj agoi ditë e bardhë. Adem Jashari dhe Jasharët e tjerë lëkunden globin nga vendi. Me ta nisi epoka e re, epoka e madhe e lirisë. Secili që shkeli në truallin e shqipeve u mahnit nga madhështia heroike e atyre që u shkrinë deri në një dhe i dhanë jetë lirisë. Bernar Kushner erdhi aty dhe pasi u ul këmbëkryq në odën e burrave me plot gojën tha: “Sikur të kishte çmim Nobel për Liri, ai me siguri do t’i takonte familjes Jashari”. Ndërkaq shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, në librin e përshtypjeve shkroi: “Këtu nisi një flakë e madhërishme, flaka e lirisë që ndriçoi Prekazin, Drenicën e mbarë Kosovën. Ajo shkreptimë e zgjoi nga gjumi Evropën e botën. Shekujt kalojnë, drita e lirisë, drita e atyre që ranë për të nuk zbehet kurrë...” Sa herë që të vemi në Tempullin e Trimërisë, në Prekaz, do të na fanitën ditët e lavdisë, ditët kur me gjak u skalit Epopeja që ndërroi rrjedhat e historisë... Në gjakun e tyre bulbëroi liria E enjte, 5 mars 1998. Ora 5 e 30 minuta. Toka u trand në themel. U zgjuam frikshëm. Shkreptinte moti a dridhej toka?! Jo, as njëra, as tjetra. Prekazi i Poshtëm, veçan Jasharët, po bombardoheshin nga qielli e nga toka. Në cak familja e madhe atdhetare e Shaban Murat Jasharit. Qielli lotonte në heshtje. Zogjtë ndërprenë këngën e lumthi ngadalësoi rrjedhën. Tymi e flaka mbuluan diellin... Qyqavica legjendare ngeli e nemitur. Ende nuk iu kishin tharë lotët nga masakra e Qirezit dhe e Likoshanit. Drenica martire sërish në grykën e vullkanit përvëlues. Soldateska e shfrenuar serbe, kishte mbledhur gjithë fuqinë dhe tinëzisht ishte vërsulur drejt Kullës – Kala, ku dy herë më parë kishte lënë brirët. Kësaj radhe puna qëndronte më ndryshe. Adem Jashari ishte bërë tmerr për Beogradin. Kryesatanai po e shihte edhe në ëndërr. Dhe, plani ishte stërholluar mirë e mirë. Ishin dërguar forcat e njësive më speciale, komandosë e xhelatë profesionalë, me arsenalin më modern të armatimit, dhe përnjëherësh ishte bllokuar e paralizuar mbarë Drenica. Rrathët e hekurt ia mbërthenin shtatin pamëshirshëm. Jeta e vdekja sy më sy. Nga kodrat përreth topat e minahedhësit e mëdhenj villnin zjarr pa pushuar. Kudo tmerr e lemeri ngjethëse. Në kullën e qëndresës, që pa gdhirë, ishte dhënë kushtrimi. Trimat u zgjuan rrufeshëm. Plaku Shaban hapi frëngjinë dhe shkrehu pushkën e parë lajmëtare, si dikur Muji i Jutbinës, kur lajmëronte kreshnikët për ndonjë të ligë që u kanosej. Edhe nipat, që flinin me të, Besimi e Fitimi, i zunë dy frëngjitë e tjera. Hamza, në kullën tjetër, andej lart, nga ana e Fabrikës së Municionit, i bëri fora të paudhët, që përpiqeshin të zvarriteshin e të afroheshin tinëzisht. Po komandant Adem Jashari?! Ah, trimi i trimave, nuk po ngutej fare. Ai, si përherë, i qetë e fare gjakftohtë. Pasi u përgatit mirë e mirë, drodhi mustakun deri pas veshit dhe u sul furishëm drejt dyerve të oborrit. Tanku ngjyrë blu shtangu në vend. Djajtë ranë si bari në arë përgjatë murit rrethues. Nga zëri i tij lemeritës u tmerruan edhe komandantët gjakpirës që me dylbi të stërgjatura përcillnin aksionin nga pirgu famëkeq. Ushtarëve të rinj u ranë armët nga dora. Lufta mori hov të paparë. Granatat e kalibrave të ndryshëm bënin kërdi. Dita u bë natë nga tymi, e nata u bë ditë nga flaka. Dielli i zymtuar, tri herë lindi e tri herë perëndoi. Beteja e përgjakshme s’kishte të sosur. Kënga e trimave sfidonte krismat e topave. Në gjoksin e Hamzës u shkri granata, por u fik tanku. Plaku, mbetur pa fishekë, rroku flamurin kombëtar, atë me të cilin dikur e kishte mbështjell Ademin, dhe u doli përballë, duke brohoritur me sa zë që kishte : Rroftë Kosova! Rroftë Shqipëria! ... Edhe të tjerët, i madh e i vogël, qëndronin heroikisht. Askush nuk i druhej vdekjes, as gratë, as fëmijët. Heroizmi i pashoq. Altruizëm e sakrificë mbinjerëzore, mahnitëse. Zëri kushtrimtar i komandantit kishte tundur edhe dheun. Pas tij shkonin edhe malet, edhe fushat, edhe lumenjtë. Gjurmëve të tij ecnin edhe më të moshuarit. Dajë Osman Geci i Llaushës e nip Aliu nga Luboveci, edhe pse kishin rrafshuar të gjashtëdhjetat, kurrë nuk iu ndanë trimit. - I duhet Adem Drenicës, i duhet Ademi Kosovës, - thoshte daja Osë, i cili shkrihej për niposhin sypatrembur. Atë natë s’patën kohë t’i rroknin çiftelitë e t’ia thoshin këngës së Zhujë Selmanit, sepse erdhën vonë nga Rezalla, ishin për t’i vizituar të plagosurit e Betejës së Likoshanit, dhe u zgjuan herët nga gjylet e topave... Flaka e luftës, sakaq, u ndez ashpër në gjithë lagjen Jasharaj. Në hyrje, si male më dëborë, qëndronin nënë Sala me të shoqin Hamitin. Tringa e Prekazit, me nëntëshen në dorë i qëndiste në lule të ballit ata që guxonin të kapërcenin pragun e pashkelur. -O Shën Savë, ky është i vrari ynë i tetëdhjetë e tetë,- thanë më vonë cerberët, duke bërë kryq, kur nën rrënojat e murit të shtëpisë së saj gjeten skërmat e një polici kokëprerë... ...Tutje Sadiku me djalë Ramizin e veçan Qerimi me djemtë sokola: Shahinin e Ukshinin ia thoshin këngës së dyfekut për mrekulli. Në anën tjetër të rrugës, mbanë varrezave, pandërprerë gogësinte gacatorja italiane. Luftonte Smajl Jashari pa e honepsur dot vdekjen. - Po Faiku, Kajtazi, Aliu, Isaku ç’bënin vallë?! Ata, si me flatra dragoi ngarendnin drejt kraterit përvëlues. Atje, si në ishullin e sirenave, i ftonte pavdekësia. Edhe në shtëpinë e rapsodëve kishte heshtur melodia e çiftelisë. Vendin e saj kishin zënë grykëhollat, që këndonin bukur në duart e Halitit e të Hajzerit. Atyre iu bashkëngjiteshin edhe ato të Halitit, Beqirit, Sherifit, Nazmiut... Edhe gurët e kullave sfidonin mordjen dhe i thurnin himne lavdisë. Mbijetesa, kënga dhe pavdekësia Muzgu krahzi sikur nxitonte të vinte pushtet dhe t’ua errësonte edhe më verbërinë gjakatarëve karpatianë. Hëna, si vashë e ndrojtur, skuqej para barbarisë dhe fshihej pas resh. Në pusin e kroit të Jasharëve, nën ca shelgjishte të rralla, pehateshin ca si hije të përhitura. Vallë, cilët ishin ata, që shikoheshin sy më sy me vdekjen?! Ishte Bashkim Jashari me kushërinjtë: Bilallin, Ragipin, Halilin, Qemalin dhe me Shekipin nga Klina e Poshtme. -Bashkim çajeni rrethimin!- e kishte dëgjuar si për mjegull zërin e balit Hamzë dhe, me shpirt ndër dhëmbë, pas tetë orë kacafyetjeje me bishat e shfrenuara, ia kishin dalë mbanë dhe kishin arritur deri aty. Por, rrathët e ferrit ende s’kishin mbaruar...Tanku, me sy çiklopi, u qëndronte fare pranë... -U vra Zenë Jashari!... U zhduk Zenë Jashari! Jo, ai ishte gjallë, por fati e kishte goditur rëndë. Gruan, Bahtijen me djemtë: Avdullahun, Bujarin dhe Blerimin ia vranë katilët. Valdetin ku e kam?- pyeste ai duke e kërkuar kodër më kodër. Nëpër flakë pushkësh e kishte parë që bashkë me Shahinin e Qerimit kapërcenin lumthin. Edhe shumë plumba kishte parë të suleshin drejt tyre... Djaloshi sërish kishte kthyer prapa. Hamitin e kishte qëlluar granata në kokë dhe trupi po i digjej flakë. U përpoq ta ndihmonte e ta fikte, por kot. Mezi u ngjit në tavan dhe prej andej shihte skena tmerruese. Krisma... britma...sharje...tym... flakë... Kur kriste mitralozi i bacë Ademit, mbanin frymë edhe lisat e malit. Ai dallohej nga të tjerët, jehonte më shumë se edhe topat e hasmit. Autoambulancat s’pushonin kurrë. Dikur flaka zu t’ia lëpinte edhe këmbët e tij të zbathura. Terri ia mundësoi Valdetit ikjen nga ferri... Po errej edhe dita e tretë e betejës. Një shqipe sogjetonte kujdesshëm nga lartësitë qiellore. Zymtësi mbytëse pllakoste mbi çdo gjë. Krismat kishin pushuar. Kishte pushuar edhe kënga e trimave. Veç tymi ende fjollonte qetë-qetë nga hambarët më grurë, që digjeshin në vete. Nëpër qiellin e përflakur retë e trazuara bartnin acar, shqotë e fërfëllizë. Në kullat gërmadha mbante erë e rëndë shkrumbi e baroti. Gjë e gjallë s’pipëtinte. Një si hije e përhitur kapërcente mbi kufomat e panumërta, në oborr, në lëmë e në rrugë. - O Zot, ishte zanë mali a fantazmë? Ah, jo, ishte Besarta e padjallëzuar, që kishte sfiduar vdekjen. Si e nemitur, mezi kalonte midis tyre. Ç’pamje llahtarie, që të shokonte në vend. Lloj- lloj uniformash e lloj – lloj suratësh të ngjyrosura e çoroditëse. Midis tyre gjeti edhe gjyshin e gjyshen, Shabanin e Zahiden. I gjeti edhe prindërit e dashur, Hamzën e Feridën. Babanë Hamzë me gjoksin e groposur, si të Mic Sokolit. Çudi, në ato çaste loti i kishte ngrirë në qepallë. Pak më tej i gjeti edhe tjerët: Zarifen, Hidajeten, Igballen, Igballin, Selveten, Afeten, Besimin, Lirinë, Blerimin, Fatimen, Blerinën, Adilën, Fitimin dhe Kushtrimin... - Po baca Adem ku ishte vallë, që nuk po e gjente dot?! Deri vonë ia kishte dëgjuar krismat dhe këngën. Pse nuk po qëllonte më?! Po këngën pse e kishte ndalur?! Sërish zuri ta kërkonte... Por, kot, atë nuk mund ta gjente andejpari. Jo, jo. Ai po shëtiste në ballë të protestuesve nëpër rrugët e Prishtinës, të Tetovës, të Tiranës, të Bonit, të Nju-Jorkut...Ishte bërë shpirti i luftës sonë çlirimtare... Sakaq sikur iu vegua një zë. E ndali frymën dhe mbajti vesh. Puhiza krahëlehtë depërtonte zhurmshëm mureve të zhbiruara dhe arrinte deri tek magjja, nën të cilën kjo kishte mbijetuar vdekjen vellozezë, duke sjell jehonën: Ku m’je nis oj lulja me erë? Në Drenicë te baca Adem... Aman, o madhëri, sa shpejt e paska marrë kënga me vete, për ta mbajtur të gjallë përherë! Ashtu e ka ajo, vetëm të pavdekshmit i pranon në gjirin e vet. Shpirti i tij luftarak shëtiste si me krah dragoi nëpër istikame, duke u dhënë zemër luftëtarëve të lirisë, në Drenicë, në Dukagjin, në Llapushë, në Llap, në Pashtrik, në Shalë... Emri i tij kishte zënë vend nderi në zemrën e madhe të popullit dhe ishte bërë legjendë e legjendave. Një zog këngëtar, nga maja e oxhakut, që kishte përballuar rrebeshet rrënuese dhe krenarisht mbante kokën lart, ia thoshte këngës ëmbëlsisht: Amanet ore djali – djalit, M’i këndue Adem Jasharit, Që i tregoi mirë barbarisë, Si qëndrojnë shqipet e lirisë... Dhe, sërish vjen marsi! Marsi i trimërisë, siç thoshte Lasgushi ynë mendjendritur. Dhe, sërish, kujtesa jonë shënon, nderon, përkujton... Mbase edhe nuk bënë ndryshe. Kush e harron historinë është i detyruar ta përsërisë!- këshillojnë të mençuritë. Dhe, kësaj here do të veprojmë ndryshe. Do të bëhemi tok, si një grusht i vetëm dhe, amanetin e brezave, do ta mbajmë vath në vesh deri në realizimin e synimit tonë jetësor: BASHKIMIT KOMËTAR! Kështu na obligon edhe gjaku i dëshmorëve. Kështu na obligojnë edhe mbi dhjetëmijë të vrarë. Kështu na obligojnë edhe mbi tremijë të zhdukur. Kështu na obligojnë familjet e dëshmorëve dhe jetimët. Kështu na obligojnë invalidët e luftës sonë çlirimtare. Mbase, mbase, më mirë së të gjithë, edhe vetë arrestimet dhe burgosjet e çlirimtarëve!!! No comment!!! Galice-Drenice, 25 shkurt 2007

“Ai që bëhet i butë si dele e hanë ujqit!”

SHUMICA E MACEVE TË BOTËS QË NA ERDHËN NË SHTËPI, VETËM NA I PËRMBYSËN TENXHERET! Popullore Shkruan:Sejdi Veseli, Përkundër valës së arrestimeve arbitrare të organizatorëve dhe pjesëmarrësve të protestës paqësore, gjithëpopullore dhe të drejtë, të 10 shkurtit 2007, në bazë të akuzave politike të sajuara sipas mendësisë së atyre që akuzonin rinin studentore pas ngjarjeve të Pranverës ’81, një shtresë e popullit kishte dëshirë të besonte, se mos epilogu tragjik i kësaj proteste do të kishte ndikuar sado pak në zgjimin e ndërgjegjes për të reflektuar pozitivisht, si tek sundimtarët aktual të Kosovës-unmikistanezët (me siguri të përkohshëm) dhe tek servilët e tyre, kinse pushtetëmbajtësit vendor, mjerisht të mandatuar në bazë të verdiktit të votës së lirë të popullit. Paralajmërimi i Protestës tjetër gjithëpopullore nga Lëvizja Vetëvendosje, për datën 03 mars 2007, si vazhdimësi e asaj të cilën e mbyten në gjak pa fajin e demonstruesve, veprimet “demokratike” të forcave të rendit, atyre unmikistaneze dhe krijesës së tyre servile vendore, e ashtuquajtura SHPK, i “hoqi petën lakrorit”. Doli sheshazi, se nuk mund të ketë zgjim të ndërgjegjes tek ata që udhëhiqen nga instinktet! Menjëherë nga ata që thirren në votën e popullit, rifilloj fushata e kërcënimeve të pamatura ndaj atyre që guxojnë të prishin rendin, se do të ballafaqohen me pasoja të rënda. Kuptohet, këto kërcënime kanë të bëjnë vetëm me protestat paqësore të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje, sepse për “pashallarët” tanë, vetëm protestat e shqiptarëve konsiderohen prishje e rendit. Ndërsa, kur protestojnë minoritarët serb, çdo gjë është në rregull. Ata, mund të shërbehen me ikonografi nga koha e “jogurt revolucionit”, ata mund të ofendojnë me klithma nacional-shoviniste dhe serbomëdha, ata mund të kërcënojnë shqiptarët me shfarosje, ata mund të bllokojnë rrugët magjistrale dhe të rrahin udhëtarë shqiptarë sa herë t’u teket, ata mund të shtinë edhe në forcat e KFOR-it... dhe të gjitha këto veprime të tyre, nga ndërkombëtarët dhe as nga servilet e tyre shqipfolës nuk u quajtën asnjëherë prishje e rendit. Çka është për keqardhje, kësaj vale të kërcënimeve ju bashkëngjit edhe Admirali Henry Ulrich, Komandant i Forcave të Përbashkëta të NATO-s për Evropë. Sipas mjeteve të komunikimit masiv, gjatë vizitës në Kosovë, ky ushtarak i njohur amerikan, paska thënë, se NATO qenka shumë e shqetësuar për dhunën e fundit nga protesta e “Vetëvendosjes”. “...se KFOR-i do t’i mbështesë Shërbimin Policor të Kosovës dhe policinë e UNMIK-ut, dhe do të reagojë me shpejtësi kundër atyre që nxisin dhunën...” (Epoka e Re, dt.26 shkurt 2007, faqe.8 “NATO zotohet se do të reagojë me shpejtësi kundër nxitësve të dhunës”). Komenti më i përshtatshëm ndaj kërcënimit të këtij admirali (dua të besoj, të dezinformuar nga mikpritësit e tij), ma thotë mendja është kjo thënie të njërit nga ushtarakët më të suksesshëm të popullit amerikan, Kolin Pauel: “Vullneti për të ndërtuar një vend, buron nga vetë populli i tij dhe jo nga jashtë!” Populli shqiptar duhet të brengoset, jo nga akuzat dhe kërcënimet që po u bëhen nga të huajt djemve dhe vashave besnike të tij, por nga ato që po u bëhen nga shumica e atyre të cilët i ka në ballë të institucioneve të zgjedhura me votën e tij të lirë. Edhe kësaj radhe të zgjedhurit me votën e tij, po ridëshmohen se nuk janë të gatshëm për t’i rrezikuar aspiratat e tyre të sëmura karrieriste, se për t’i ruajtur pozicionet aktuale dhe për t’u avancuar në pozitat e “pushtetit”, nuk zgjedhin mjete. Kryesorja për këto prostituta të mjera politike qenka: të mos u rrezikohen interesat e tyre personale, sa për ato të popullit as që mërziten fare. Populli shqiptar duhet të brengoset, jo nga akuzat dhe kërcënimet që po u bëhen djemve dhe vashave të tij besnike, por nga indiferenca e disa intelektualëve nga radhët e tij, të cilët i shkolloi me djersen dhe gjakun e vet, me shpresë se këto “mendje” të shkolluara do t’ia kthjellonin rrugën drejt një ardhmërie të sigurt. Por çfarë të bëhet, kur në vend të misionit të shenjtë në shërbim të popullit, kanë zgjedhur misionin e sahanlëpirësit nën tryezat e dreqit dhe të birit. Çfarë duhet të bëjmë për të dalë nga kjo situatë me plotë rreziqe për të sotmen dhe të ardhmen e tonëj, në të cilën na futën paudhësitë e shumicës prej atyre që me verdiktin e votës sonë të lirë i autorizuam për të na pri drejt një ardhmërie të sigurt? Duke iu përgjigjur me pjesëmarrjen tonë aktive thirrjes së Lëvizjes Vetëvendosje, për të protestuar paqësisht, me 03 mars 2007, kundër pazarllëqeve me interesat tona të ligjshme njerëzore dhe kombëtare, është përgjigja e vetme! Vetëm të përbashkuar dhe duke realizuar plotësisht dhe me përkushtim qëllimet programore të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të subjekteve tjera me orientime të drejta gjithëkombëtare, do të jemi në nivel të detyrës karshi Vatanit! Prishtinë, 28 shkurt 2007

Flori Bruqi:Mbrojtja e Plavës dhe e Gucisë(tetor 1879-janar 1880)

Me revoltën e armatosur të Gjakovës dhe me aksionin diplomatik të pranverës së vitit 1879, Lidhja Shqiptare ia hoqi Portës së Lartë de facto të drejtën që të fliste në emër të Shqipërisë. Veç kësaj, me qëndresën e saj energjike, ajo bëri që të zvarriteshin e të mos zbatoheshin menjëherë dy vendimet e rëndësishme të Kongresit të Berlinit, që cenonin interesat kombëtarë të Shqipërisë, njëri në favor të Malit të Zi (neni 28 i Traktatit) dhe tjetri në dobi të Greqisë (Protokolli nr. 13 i Kongresit). Megjithatë Lidhja e Prizrenit nuk e kishte plotësuar ende përfundimisht programin e saj. As gjashtë Fuqitë e Mëdha nuk ishin të prirura t’i anulonin vendimet që kishin marrë në Kongresin e Berlinit, as dy shtetet fqinje ballkanike nuk kishin ndërmend të hiqnin dorë nga viset që u kishin premtuar Fuqitë e Mëdha. Si rrjedhim, lufta për mbrojtjen e trojeve shqiptare ende nuk kishte marrë fund, përkundrazi, parashikohej që ajo të merrte trajta të përgjakshme. Pas vrasjes në Gjakovë të mareshal Mehmet Ali pashës, Porta e Lartë u dha të kuptojnë Fuqive të Mëdha se e kishte tepër të vështirë të përmbushte kundrejt Malit të Zi detyrimet territoriale që rridhnin nga Traktati i Berlinit. Por knjaz Nikolla nuk donte të dinte për asnjë justifikim. Nga frika se me kalimin e kohës mund të ndryshonin rrethanat ndërkombëtare në dëm të saj, Cetina kërkonte vazhdimisht ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha për ta detyruar Perandorinë Osmane të dorëzonte sa më parë krahinat e Podgoricës, të Shpuzës, të Zhabjakut, të Plavës, të Gucisë e të Rugovës, të cilat Kongresi i Berlinit ia kishte dhënë Malit të Zi. Veç kësaj, si kundërpeshë ajo po e vononte dorëzimin e Ulqinit, të Dinoshit dhe të Bregut të Bunës, të cilat i mbante të pushtuara qysh nga koha e luftës, por që sipas Traktatit të Berlinit duhej t’i ktheheshin Perandorisë Osmane. Presionin më të fortë ndaj Perandorisë Osmane e ushtroi Rusia cariste, e cila vijoi ta kushtëzonte tërheqjen e ushtrive të saj pushtuese nga Traka me dorëzimin e krahinave që i qenë premtuar Malit të Zi. Fuqitë e tjera të Mëdha u bashkuan me presionin carist, pasi e shikonin me shqetësim qëndrimin e mëtejshëm të ushtrive ruse në afërsi të Stambollit. Kështu, në fund të vitit 1878, Porta e Lartë vendosi t’i zbatonte detyrimet territoriale kundrejt Malit të Zi. Vendimi i Stambollit ngriti përsëri në këmbë shqiptarët. Për të shqyrtuar gjendjen e re u mblodh menjëherë, në fillim të janarit 1879, Komiteti Kombëtar i Lidhjes, i cili ripohoi qëndrimin e vet të caktuar më parë. Sipas kësaj vije, Lidhja e Prizrenit nuk do ta pengonte dorëzimin e Podgoricës, të Shpuzës e të Zhabjakut, pasi ato banoheshin nga popullsi të përziera sllavo-shqiptare, por do ta kundërshtonte me armë lëshimin e Plavës dhe të Gucisë, popullsia e të cilave ishte në masën dërrmuese shqiptare. Vendimin e Komitetit Kombëtar e miratuan të dy komitetet ndërkrahinore të vilajeteve të Shkodrës dhe të Kosovës, të cilat po në janar 1879 mblodhën kuvendet e tyre të jashtëzakonshme, pothuajse në atë kohë që zhvilloi punimet e veta edhe Kuvendi Ndërkrahinor i Prevezës. Meqenëse Plava e Gucia bënin pjesë në vilajetin e Kosovës, barrën e drejtimit dhe të organizimit të luftës për mbrojtjen e tyre e mori përsipër Komiteti Ndërkrahinor i Prizrenit, i cili nga ana e vet formoi një shtab ushtarak të posaçëm, me Ali pashë Gucinë në krye. Ndërkaq u mblodh në fshatin Virpazar, në afërsi të liqenit të Shkodrës, komisioni turko-malazez, i cili më 2 shkurt 1879 nënshkroi marrëveshjen dypalëshe për formalitetet e dorëzimit brenda një jave të krahinave të vilajetit të Shkodrës, që i takonin njëra-tjetrës sipas Traktatit të Berlinit. Nga frika e kryengritjes së shqiptarëve, Porta e Lartë nuk pranoi ta përfshinte në marrëveshje dorëzimin e Plavës e të Gucisë, duke e lënë çështjen e tyre për t’u zgjidhur më vonë. Sipas marrëveshjes, dorëzimi i Podgoricës, i Shpuzës dhe i Zhabjakut nga ana e autoriteteve turke u krye pa vështirësi. Po ashtu u bë edhe dorëzimi i Ulqinit, i Dinoshit dhe i Bregut të Bunës nga ana e autoriteteve malazeze. Por Mali i Zi nuk deshi ta linte punën të zgjatej më tej. Knjaz Nikolla iu drejtua menjëherë Fuqive të Mëdha, duke kërkuar prej tyre që ta detyronin Perandorinë Osmane t’ia dorëzonte dy krahinat shqiptare (Plavën dhe Gucinë) Malit të Zi. Nga ana e vet Porta e Lartë u kërkoi Fuqive të Mëdha të dërgonin në Plavë e në Guci një Komision Ndërkombëtar për t’u bindur për vështirësitë që gjente te shqiptarët e egërsuar nga padrejtësitë e Kongresit të Berlinit. Në vend të tij ato dërguan Komisionin Ndërkombëtar për caktimin e vijës së kufirit, të përbërë nga përfaqësues të gjashtë Fuqive të Mëdha dhe të dy shteteve të interesuara. Komisioni filloi nga puna në maj 1879 dhe për disa muaj me radhë u mor me caktimin e pikave të kufirit turko-malazez në vilajetin e Shkodrës. Por gjatë verës, kur Komisioni Ndërkombëtar donte të shkonte në Plavë e në Guci, përfaqësuesit e Komitetit Ndërkrahinor të Prizrenit u paraqitën Fuqive të Mëdha, më 22 gusht 1879, një notë me shkrim, me të cilën deklaronin se nuk do të njihnin asnjë ndryshim të kufirit me Malin e Zi pa pjesëmarrjen në Komisionin Ndërkombëtar të krerëve të Lidhjes Shqiptare dhe pa u miratuar vendimet e tij nga e “gjithë” Shqipëria. Pas kësaj note të rreptë, Komisioni Ndërkombëtar e ndërpreu punën e vet, pezulloi udhëtimin e tij për në Plavë e në Guci. Me këtë rast filluan përsëri protestat e Malit të Zi dhe ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha për ta detyruar Perandorinë Osmane që ta zgjidhte sa më parë çështjen e Plavës e të Gucisë. Porta e Lartë provoi t’i bindte banorët e dy krahinave kufitare që të hiqnin dorë nga qëndresa e mëtejshme, duke u premtuar familjeve, që nuk dëshironin të jetonin nën sundimin malazez, se do t’u jepte tokë në vendbanime të reja dhe se do t’i çlironte nga taksat për dhjetë vjet. Por shqiptarët nuk u lëkundën nga vendimi i tyre. Atëherë knjaz Nikolla filloi të kërcënonte se do ta zgjidhte këtë çështje me anën e luftës së armatosur dhe se në një rast të tillë nuk do të aneksonte vetëm Plavën e Gucinë, por edhe vise të tjera shqiptare. Në këto rrethana, marrëdhëniet shqiptaro-malazeze erdhën duke u keqësuar vazhdimisht. Gjatë muajit tetor 1879 Mali i Zi filloi përqendrimin e ushtrive në kufi, duke e çuar numrin e tyre në 5 600 veta. Këtyre masave Lidhja e Prizrenit iu përgjigj duke vënë në gatishmëri luftarake forcat e saj të armatosura. Sipas vendimit që Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes kishte marrë më 3 tetor 1879, Komisioni Ushtarak a Shtabi Ushtarak, nën kryesinë e Ali pashë Gucisë, i krijuar nga Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes Shqiptare për Kosovën, shpalli për zonën e Plavës e të Gucisë gjendjen e luftës. Të gjithë burrat plavianë e gucianë të aftë për armë u shpallën luftëtarë që do të qëndronin në gatishmëri në shtëpitë e tyre. Po në tetor 2 mijë gjakovarë të armatosur u nisën për në Guci. Në fund të tetorit mbërritën këtu edhe vullnetarë nga Shkodra e Malësia. Porta e Lartë, për të mënjanuar konfliktin e armatosur, i propozoi Cetinës që në vend të krahinave shqiptare të Plavës e të Gucisë t’i jepte disa vise sllave të Hercegovinës. Por propozimin e Stambollit, të cilin e kundërshtoi Austro-Hungaria, nuk e pranoi as Mali i Zi. Pas disa ndeshjeve sporadike kufitare, që ndodhën gjatë tetorit, knjaz Nikolla vendosi më në fund të kalonte në sulme të hapura. Më 31 tetor dhe 1 nëntor 1879 forcat malazeze, duke dashur të tërheqin vëmendjen e Fuqive të Mëdha dhe, njëherazi, të matnin pulsin e shqiptarëve, kryen dy inkursione kundër vijës mbrojtëse të forcave të Lidhjes, të parin në fshatin Pepaj dhe të dytin në fshatin Arzhanicë. Në këtë të fundit vranë në befasi 30 fshatarë dhe dogjën mjaft shtëpi, por pas disa orë luftimesh u dëbuan nga forcat e Lidhjes. Në të vërtetë këto qenë sulme demonstrative, të cilat shqiptarët i përballuan pa ndonjë vështirësi. Edhe pse dështoi, sulmi malazez nxiti një valë të madhe mobilizimi në të katër anët e Shqipërisë. Me mijëra vullnetarë të tjerë vrapuan në krahinat e Gjakovës, të Pejës, të Dibrës e të Shkodrës. Gatishmëria e shqiptarëve qe aq masive, sa Shtabi Ushtarak i Lidhjes së Prizrenit, i vendosur në Guci, u detyrua të pengonte nisjen e tyre drejt frontit, pasi nuk ua ndiente nevojën dhe nuk kishte mundësi për t’i sistemuar. Në fillim të muajit dhjetor forcat kryesore malazeze qenë rreshtuar gjatë vijës kufitare, në fshatrat Murinë, Pepaj, Arzhanicë e Velikë, kurse forcat shqiptare përballë tyre në fshatrat Guci, Kolenivicë, Martinaj, Plavë e Nokshiq. Midis forcave malazeze dhe shqiptare në sektorin verilindor kalonte lumi Lim vetëm me një urë prej druri. Zona malazeze ishte kryesisht malore, ndërsa në atë shqiptare dominonte pllaja e Plavës. Më 4 dhjetor 1879, pjesa më e mirë e ushtrisë malazeze prej 4 mijë ushtarësh, nën komandën e Mark Milanit, ndërmori një sulm të furishëm në sektorin e Nokshiqit, në drejtim të Plavës e të Gucisë. Shtabi ushtarak i Lidhjes, i përbërë nga Ali pashë Gucia (kryetar), Jakup Ferri, Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka, Filip Çeka, Jusuf Sokoli e të tjerë, midis të cilëve kishte edhe disa oficerë të karrierës, u përgjigj duke hedhur në sulm rreth 2 mijë luftëtarë. Luftimet më të ashpra u bënë në luginën e Nokshiqit, ku u angazhuan forca të shumta malazeze. Luftëtarët u përleshën aq ashpër me njëri-tjetrin, sa që të dy palët lanë mënjanë hutat dhe nxorën jataganët, duke u përleshur trup me trup. Përleshja vazhdoi disa orë me radhë. Forcat vullnetare të Lidhjes ndalën sulmin e ushtrisë malazeze dhe i shkaktuan asaj disfatë në Nokshiq, duke e detyruar të tërhiqej brenda kufijve të Malit të Zi. Edhe pse të dhënat për humbjet e të dy palëve janë kontradiktore, mund të nxirret si përfundim se nga malazezët pati 300 të vrarë e të mbytur në lumë gjatë tërheqjes, ndërsa nga shqiptarët 300-400 veta. Në këto luftime u vra edhe një nga komandantët e shquar të ushtrisë së Lidhjes, Jakup Ferri. Vendosmëria e shqiptarëve për të qëndruar deri në fund dhe këmbëngulja e Cetinës për të vazhduar më tej luftën alarmuan si Fuqitë e Mëdha, ashtu edhe Perandorinë Osmane. Nga frika e ndërlikimeve të reja, Porta e Lartë vendosi ta zgjidhte me çdo kusht dorëzimin e dy krahinave kufitare. Për këtë qëllim ajo nisi menjëherë për në Kosovë mareshal Ahmet Muhtar pashën, i cili atë kohë ishte komandanti i Armatës osmane të Rumelisë me qendër në Manastir. Mareshali, i shoqëruar nga 11 batalione (rreth 6 000 ushtarë), sapo arriti në Prizren thirri në takim anëtarët e Komitetit Kombëtar të Lidhjes për t’i bindur që t’i nënshtroheshin vendimit të sulltanit. Por ata nuk pranuan. Më 14 dhjetor 1879 lëshoi një shpallje, me të cilën u kërkonte shqiptarëve që të merrnin në konsideratë gjendjen kritike të Portës së Lartë dhe të mos pengonin dorëzimin e dy krahinave kufitare, pasi me qëndresën e tyre po shkaktonin shkatërrimin e Perandorisë Osmane, por as lutjet, as kërcënimet nuk dhanë rezultat. Më 15 dhjetor 1879 u mblodh në Guci Kuvendi i përfaqësuesve të Komitetit Ndërkrahinor të Kosovës, i cili vendosi që ta kundërshtonte me armë deri në fund dorëzimin e kalasë së Gucisë. “Ne, banorët e Plavës e të Gucisë, - thuhej në memorandumin e miratuar nga Kuvendi, - nuk i njohim traktatet e shteteve evropiane që u japin malazezëve tokat e trashëguara nga prindërit tanë. Ne do ta kundërshtojmë me armë dorëzimin e tokave tona”. Sipas porosisë që kishte dhënë Porta e Lartë, Ahmet Muhtar pasha mori masa ushtarake për të penguar vajtjen e vullnetarëve shqiptarë në Plavë e në Guci. Për këtë qëllim ai solli nga Mitrovica edhe 7 batalione të tjera, të cilat i vendosi nëpër shtigjet e rrugëve. Pas kësaj u nis për në Gjakovë, ku gjeti një gjendje më të acaruar se në Prizren. Gjakovarët e paralajmëruan se, po ta vazhdonte më tej rrugën drejt kufirit, do të pësonte fatin e Mehmet Ali pashë Maxharit. Kur pa se edhe Peja e kishte bllokuar rrugën për në Plavë e në Guci, mareshali osman e ndërpreu misionin e vet, hoqi dorë nga vajtja në Guci dhe u kthye në Prizren. Dështimi i misionit të Ahmet Muhtar pashës e bindi përfundimisht knjaz Nikollën të mos shpresonte më as te ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha. Si rrjedhim, ai vendosi të ndërmerrte kundër forcave të Lidhjes Shqiptare një mësymje të përgjithshme, e cila u zhvillua javën e parë të muajit janar 1880. Në këtë mësymje u hodh pothuajse e gjithë ushtria malazeze, 25 batalione me rreth 9 mijë veta, që u rreshtuan përballë Plavës e Gucisë. Sapo u njoftua për përgatitjet ushtarake të Cetinës, Shtabi Ushtarak Shqiptar i përforcoi masat mbrojtëse. Me thirrjen e Lidhjes Shqiptare u mobilizuan mijëra vullnetarë nga e gjitha Shqipëria, nga Plava, Gucia, Peja, Prizreni, Gjakova, Shkodra, Dibra dhe nga krahinat më të largëta të Shqipërisë së Jugut. Por shtabi ushtarak i kryesuar nga Ali pashë Gucia, që mori vetë në dorë drejtimin e operacioneve luftarake, përqendroi në zonën kufitare me Plavën e Gucinë 4 mijë luftëtarë vendas dhe 3 mijë vullnetarë të tjerë, gjithsej 7 mijë veta. Komanda malazeze kishte rreshtuar në vijën e parë të frontit forcat vullnetare të komanduara nga Mark Milani, të cilët do të fillonin sulmin sipas taktikës së tyre tradicionale që kishte pasur kurdoherë sukses përballë ushtrive osmane. Forcat malazeze ishin përqendruar në një sektor të ngushtë (Velikë-Pepaj), me qëllim që t’i shpartallonin shqiptarët që me sulmin e parë, në drejtim të Plavës. Por Shtabi Ushtarak Shqiptar ua mori malazezëve në mënyrë të papritur iniciativën. Më 6 dhe 7 janar 1880 njësi të vogla shqiptarësh, me qëllim që të tërhiqnin vëmendjen e komandës ushtarake malazeze, ndërmorën dy sulme në verilindje të Malit të Zi, nga ana e sanxhakut të Novi Pazarit. Komanda ushtarake malazeze, duke kujtuar se shqiptarët do të vazhdonin të sulmonin nga verilindja, për t’u dalë forcave të tyre prapa shpine e tërhoqi ushtrinë nga zona jugore dhe e nisi drejt veriut. Duke përfituar nga kjo rrethanë, forcat shqiptare, të rreshtuara në sektorin e Plavës, shpërthyen më 8 janar një sulm të furishëm kundër pozitave të armikut që ndodhej në Velikë, në Pepaj e në Arzhanicë. Sulmin e nisën luftëtarët e Nokshiqit të komanduara nga Kurt Asllani dhe Nure Kurti. Mësymja ishte e furishme dhe pas luftimesh të ashpra e trup më trup forcat malazeze, të përbëra nga 4 mijë luftëtarë, u detyruan të tërhiqeshin. Ushtritë e Lidhjes, pasi thyen edhe njësitë malazeze të komanduara nga Mark Milani, hynë në tokën malazeze, shtinë në dorë Arzhanicën, Velikën e Pepajn dhe u drejtuan për në Murinë. Luftimet më të përgjakshme u bënë në Velikë e në Pepaj, prandaj përpjekja e 8 janarit mori emrin e tyre. Ushtria malazeze u tërhoq në Sutjeskë. Por Shtabi Shqiptar nuk kishte ndërmend të vazhdonte përparimin në thellësi të tokës së Malit të Zi. Më 9 janar ai urdhëroi forcat shqiptare, që nuk hasën ndonjë kundërshtim nga ushtritë malazeze, të tërhiqeshin në kufirin e vjetër. Gjatë betejës së Pepajt e të Velikës, të dyja palët patën dëme në njerëz, por, sipas të dhënave të ndryshme, ato të Malit të Zi qenë më të shumta. Shqiptarët lanë në këto luftime edhe dy kapedanët trima, Kurt Asllanin e Nure Kurtin. Vrulli patriotik që përshkoi luftën në Velikë e në Pepaj dhe fitorja që shqiptarët korrën kundër ushtrive malazeze më 8 janar 1880, la përshtypje të thellë në opinionin ndërkombëtar. Disa ditë më vonë, kryekonsulli austro-hungarez në Shkodër, Shmuker, i cili e ndoqi së afërmi zhvillimin e betejës, i raportonte qeverisë së vet: “Vetë malazezët pohojnë se në luftën e Velikës e të Pepajt shqiptarët luftuan burrërisht dhe fituan mbi ta. Dhe me të vërtetë, fuqia e Lidhjes (së Prizrenit - shën. i aut.) e theu atë ushtri malazeze që ka qenë kurdoherë e zonja t’u bëjë ballë forcave turke. Shqiptarët luftuan të shtyrë nga ideja kombëtare”. Pas kësaj, opinioni publik evropian filloi të interesohej për historinë e popullit shqiptar dhe për të drejtat e tij kombëtare. Veç kësaj, disa publicistë kritikuan Kongresin e Berlinit që nuk i kishte përfillur të drejtat e një kombi aq trim dhe aq liridashës, siç ishte populli shqiptar. Me fitoren që korrën në Nokshiq, në Pepaj e në Velikë shqiptarët i dhanë të kuptonte diplomacisë evropiane se Perandoria Osmane, sado që po e mbante Shqipërinë prej pesë shekujsh nën zgjedhë, nuk ishte zonjë e trojeve të saj dhe se zotër të këtyre trojeve ishin banorët shqiptarë. Disfata që pësoi në front e bindi qeverinë malazeze se ajo vetë nuk ishte në gjendje ta thyente qëndresën e Lidhjes Shqiptare me anën e luftës së armatosur. Për këtë arsye knjaz Nikolla shpalli menjëherë se i kishte pezulluar veprimet luftarake në kufi dhe se zbatimin e Traktatit të Berlinit në këtë pikë po ua linte përsëri në dorë Fuqive të Mëdha. Madje ai kërkoi nga konsulli britanik në Shkodër që të ndërhynte pranë autoriteteve qeveritare të vilajetit, me qëllim që edhe shqiptarët t’i pezullonin veprimet e mëtejshme luftarake!

Flori Bruqi:Qëndresa te Ismail Kadare

500-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe me të fitoi çmimin e parë të konkursit. Por ngasja për kështjellën, në një kuptim më të gierë, në veprën e tij duket më herët dhe nuk mbaron me këtë libër. Figurativisht simboli i kështjellës është qysh tek "Poemë e blinduar". Njëfarë kështjelle ishte padyshim edhe kali i drunjtë i Gent Ruvinës dhe i miqve të tij të ngujuar të novelës "Përbindëshi". Një kështjellë gjigante është piramida në novelën "Ndërtimi i piramidës së Keopsit". Kulla e ngujimit e Gjorg Brezftoftit në "Prillin e thyer", bashkë me shumë kulla të tjera me një frëngji të vockël të vetë-mbrojtjes prej hakmarrjes, janë kështjella të vogla që sundonin malësitë shqiptare. Pallati i Ëndrrave, me seksionet e tij, është ndërtuar në formën e një kompleksi kullash të hekurta. Vetë laboratori krijues i shkrimtarit, i përshkruar me hollësi në librin "Ftesë në studio", ka pjesët e rezervuara të saj, që mbrohen prej daljes në dritë si në një burg të heshtur. Hauret dhe steretë e shtëpive gjirokastrite në "Kronikë në gur", shtëpia etnografike e princit të Mirditës (Gjomark) tek "Prilli i thyer", vila e frikshme dhe e harruar e ish-ministrit në prag të gjyqit tek "Koncert në fund të dimrit", kampi i rreptë i të internuarve tek "Përçmimi", baza ushtarake e Vlorës (Pasha-Liman) tek "Dimri i madh", shtëpia me portë (detyrimisht) të hapur e dijetarit Martin Shkreli në Prishtinë tek "Krushqit janë të ngrirë", janë vetëm disa nga variantet e shumtë të simbolit të kështjellës në veprën e Kadaresë. Prej botimit të parë (1968), deri tek botimi i fundit (1995); prej "Kështjellës" deri tek "Daullet e shiut", për të cilën shkrimtari është shprehur se nuk ka për të vënë dorë më, ekziston një ndryshim i dukshëm jo vetëm artistik (si është shkruar), por edhe në përmbajtje (çfarë është shkruar). Nëse në botimin e parë romani është quajtur si një vepër e qëndresës historike shqiptare, si një përmendore e heroizmit kombëtar, me një aludim të qartë që mund ta quanim "anti-bllokadë", theksi i së cilës drejtohej kundër pushtuesve të huaj, që nuk lanë kërkim pa bërë për t'u ndërprerë zotërve të kështjellës "Al-Hisar" edhe ujësjellësin; në botimin e dytë, ndonëse nuk ndryshon asgjë në evokimin e trimërisë së arbërve të shekullit të 15-të, ndryshon pothuajse rrënjësisht ai që mund ta quanim "mbitekst" apo "lexim i super-pozuar": "Daullet e shiut" nuk është romani i anti-bllokadës së imponuar, por denoncim i vetëveçimit (izolimit) të zgjedhur vullnetarisht. Sido që të jetë vetë simboli i kështjellës, në traditën letrare shqiptare, i ka bartur historikisht të dyja mbishtresat kuptimore: ajo është figurë qëndrese, rrethimi ose ngujimi (izolimi, në kuptimin modern).

Flori Bruqi:Dilema Ndërmjet Urës dhe Kështjellës së Ismail Kadaresë

Bashkë me një varg veprash të tjera, "Ura me tri harqe" bën pjesë në një cikël romanesh e novelash, që Kadare i ka shkruar me një qëllim të qartë për të krijuar imazhin e një "Shqipërie tjetër", e cila ndryshon shumë nga ajo që shihet me sy, një Shqipëri me princa, kontë, dukë, ipeshkvinj, udhëtarë të ditur, prelatë të shkolluar, që gati ishin të përjashtuar nga letërsia si figura me misione pozitive. Autori, në pamundësi për të shprehur hapur mendimin e tij mbi zhvillimin e avancuar të qytetërimit perëndimor, përpiqet t'ua tregojë këtë lexuesve duke gjetur në traditën e "Shqipërisë tjetër" atë fazë të historisë kur vendi, edhe sipas dijetarëve, ecte në një hap me fqinjët e tij përtej Adriatikut. Shkrimtarin nuk mund të mos e shqetësojë fakti i njohur se balada shqiptare është e vetmja në Ballkan që bën fjalë për një murim kryesisht në kështjellë. Ai është i vetëdijshëm se kjo është kushtëzuar nga rrethanat kritike historike që kanë shoqëruar fatin e popullit të tij. Eshtë e vështirë që një popull vazhdimisht në rrudhje të vendosë pëlqimin e urës para kështjellës. Kjo, ndoshta, është një nga dilemat më tronditëse që kanë përjetuar shqiptarët. Ura është për ta edhe e dëshiruar, por njëkohësisht edhe e frikshme, sepse "në urë kalon i miri dhe i keqi, miku dhe anmiku". Rreziku i ekspansionit, që mund ta kthejë urën e Ujanës së Keqe në një kuçedër, ndihet në gjithë romanin, si një kontekst historik i domosdoshëm për të treguar se edhe në "Shqipërinë tjetër" marrja e vendimit ka qenë e vështirë. Sikurse në rrjedhat e historisë, edhe në këngë, populli i ka ngritur urat, duke u kushtuar edhe flijimin njerëzor, sa herë që kanë fryrë erëra paqeje dhe miqësie. Por shumë shpesh është mbyllur në kështjella, madje me tri-katër rrethime, pikërisht për shkak të erërave të frikshme që i kanë zënë vendin paqes. Këto ndërrime lidhen jo me gjurmë vitesh, por me prurje kohërash historike. "Shtatqin vjet do t'i djeg kullat", i kërcënohet një prej heronjve kreshnikë të eposit shqiptar kundërshtarit të vet. Në veprën e Kadaresë dilema midis urës dhe kështjellës është po aq tronditëse sa në vetë historinë e popullit. Në formën më të pjekur artistike kjo dilemë shprehet në romanet "Kështjella" dhe "Ura me tri harqe". Në një farë mënyre ato janë vazhdim i njëri--tjetrit. Ai që krijoi kështjellën e qendresës në kushtet e darës së armiqësisë nuk mund t'i lejonte vetes të mbetej pa urë i ndarë dhe i vetmuar nga bota. Këtë ide Kadare e arriti duke krijuar "Urën me tri harqe", vështruar në shumicën e rasteve si një çmitizim i legjendës.

Flori Bruqi:Ringjallja dhe Kulti i Besës sipas Ismail Kadaresë

Romani i Kadaresë "Kush e solli Doruntinën" ka në qendër një personazh që ringjallet. Ndoshta nuk është aq e rëndësishme se ç'mundim a mision e kthen atë në këtë botë. Më e rëndësishme është se si u ringjall ai, me ç'fuqi shpirtërore erdhi prej andej nga nuk ka kthim, duke u barazuar me një Krisht? Ringjallja e Kostandinit është kyçi i librit "Kush e solli Doruntinën". Ai dëshmon se fuqia e njeriut mund të jetë e barabartë me të hyjve. Pikërisht shpresa e një rilindjeje, besimi i një ringjalljeje të njeriut, të energjisë dhe shpirtit të tij, në një kohë kur rreziku i shuarjes së individit në bashkësi ishte evident, duket se ka qenë joshja e autorit. Kalimi prej ringjalljes biblike tek ringjallja laike ishte një hap epokal, ndoshta po aq sa rrëmbimi i zjarrit perëndive në hershmëri apo dalja e njeriut jashtë sistemit yjor sot. Ky akt, i cili në shumicën e rasteve ishte lënë në një sfond mistik, u trajtua në mënyrë mjeshtërore në veprën e Kadaresë. Doruntinën e solli fjala e dhënë, thotë kapiteni Stres që kryeson hetimet. Doruntinën e solli besa shqiptare, nxitojnë moralistët. Doruntinën e solli pengu i inçestit të pakryer, thonë psiko-kritikët. Doruntinën e solli një aventurier dashurie, një "dikush" i rastit, pohon njëri prej priftërinjve. Nëse në të gjitha këto pohime ka diçka prej së vërtetës, mbetet pa u thënë thelbi: Doruntinën e solli Rilindja, era e furishme e ndryshimeve të saj, tronditja e moralit të Mesjetës dhe kërkimi i një dhjate të re humaniste, rebelimi i mendjeve të fuqishme të kësaj epoke për t'i dhënë njeriut kuptim sublim; përpjekja e tyre për t'u bërë zotër të vetes, për të mbërritur tek shën Njeriu. Atributi i ringjalljes, kësaj radhe nuk ndodh në versionin biblik, Por sipas nje balade laike të vendit. Kostandini është, në mënyrën e vet, një Mesi për bashkatdhetarët. Ai mbërriti të parealizueshmen dhe u afroi njerëzve madhështinë: kthimin nga vdekja, mundjen e saj, qoftë edhe në formë të reduktuar. Fryma e rilindjes dhe shpresa e përtëritjes kanë krijuar historikisht energji shpirtërore të mëdha. Kadareja ekspozoi një nënshtrat krejt të rnospërfillur të kulturës kombëtare. Legjenda e Doruntinës nuk ishte "punë legjendash", por konkluzion i një epoke historike. Ajo shpallte lidhjet e lashta të kulturës së popullit tonë me ato të vendeve të qytetëruara të kontinentit. Në më pak se 50 vargje të parët e shqiptarëve jepnin e merrnin me një botë të tërë, bënin krushqi gjer në Bohemi, lidhnin aleanca me baronë e fisnikë të afërt e të largët, lëviznin të sigurt në gjithë hapësirën kontinentale. Ata ishin pjesë integrale e kësaj bote. Miqësitë e tyre gjendeshin "nëntë male kaptuarë". Të shkoje në viset gjermane apo dhe më tej për ta ishte njësoj si të thoshje: "po shkoj në krushqi". Në Shqipërinë e mbyllur, pa një mik, pa një aleancë, pa një portë të hapur, të fundit të viteve '70, kjo ekspoze mund të ngjallte zemërime e pakënaqësi, mund të shkaktonte inate e mëri. Novela predikonte hapjen, kur politikanët kërkonin mbylljen. Autori u paraqiste si shembull humanizmi bashkatdhetarëve të vet lashtësinë e tyre, kur në vend zotëronte një pikëpamje çuditërisht e ngulitur, sipas së cilës vlerat e vërteta ishin krijuar në gjysmëshekullin e fundit. Mesazhi i Kostandinit është thirrja për një rilindje morale.

Flori Bruqi:Dimrat në Romanet e Ismail Kadaresë

Në qoftëse "Dimri i madh " (në botimin e parë titullohej Dimri i vetmisë së madhe, 1973), i cilësuar nga kritika (pas përfundimit të fushatës sa cinike, aq dhe mediokre, të ndërmarrë kundër tij) si një roman-epope, kishte qenë dëshmi artistike e një tronditjeje dhe qëndrese heroike, "Koncert në fund të dimrit" (1988) do të jepte kryesisht dimensionin humoristik të një ngjarjeje krejt të ngjashme me të parën, veçse tashmë e njohur dhe e provuar nga protagonistët e saj, të mësuar në rrjedhat e historisë së tyre të lashtë, që rebelohen pa mundim ndaj supershteteve. Në këtë roman serioziteti është po aq i pranishëm sa dhe e qeshura; drama dhe parodia, epopeja dhe farsa, tragjizmi dhe komizmi, aty shkrihen dhe aty alternohen, gjendjet emozionale janë nga më të befasishmet. Me të drejtë vetë autori, në një interviste dhënë gazetës franceze "Le Monde", e ka karakterizuar atë si një "roman me shumë registra, si një "vepër polifonike", si një libër artistik sa dhe shkencor, politik sa dhe filozofik, histori e luftërave ideologjike në shkallë të brendshme e globale, kronikë e një bote të trazuar në këtë fund shekulli novator. Kjo shkrirje e shumë planeve, emocioneve dhe ideve, flet për një vepër që gjykon kohën dhe botën, njeriun dhe shoqërinë, të sotmen, të shkuarën dhe të ardhmen. Ky roman është ndoshta vepra më e kompletuar e Kadaresë nga pikëpamja e mendimit. Spektri ideologjik i saj i përmban të gjitha ngjyrat, bashkë me nuancat e tyre. Polifonia që përmend autori nuk është gjë tjetër veçse një eufemizëm për shumësinë e ideve ose pluralizmin, siç e themi sot me vend e pa vend. I prerë në dy boshte, diakronikisht dhe sinkronikisht, romani ka shtrirjen dhe thellësinë e një vepre të fuqishme, ku hyjnë e dalin shqiptarë e të huaj, nëpunës të thjeshtë e zyrtarë të lartë, ministra të rrëzuar nga pushteti dhe autoritete të reja në ngjitje, djem e vajza shkollarë dhe plaka të sklerotizuara, gjithë bota jonë e vëzhguar nga brenda e nga jashtë, me një përfaqësim enciklopedik; gjithë koha që jetojmë, me një pasqyrim kaleidoskopik. Ai është një libër i menduar me tërë fuqinë intelektuale të shkrimtarit të madh dhe i shkruar fund e krye me gjithë spontaneitetin e poetit shpërthyes. Një libër që lind libra të rinj.

Akademik Prof.dr.PhD. Rexhep Qosja mbi çthurjet ideologjike në shoqërinë shqiptare dhe eksperimentin proserb të ashtuquajtur “kombi kosovar”.

AKADEMIK REXHEP QOSJA Ideologjia e shpërbërjes – trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Argumente të shpikura për “k...