Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/04/02

Pasko


nga Agim Shehu 
 
    
                                          
I dashur Naum,

Lexova me vëmëndje e me po aq kënaqësi shkrimet e tua në natyrën e kujtimeve për njerëz të shquar të letërsisë sonë. Janë letërsi e vërtetë e si të tilla, nga më të pëlqyeshmet në botë. Aq më tepër kur flitet për njerëz të cilët janë munduar rëndë në jetë e kur, siç thuhet me fjalë Bible, botës i kanë dhënë bukë e vetë janë qëlluar me gurë. Mirëpo ata «gurë» të cilët u kanë shkaktuar aq dhimbje, koha (prapë me fjalë Bible) i grumbullonte për t’ua bërë monument të nesërmen, edhe pse në jetën tërë përndjekje e varfëri, ata gurë lavdie për nesër i donin bukë shtëpie sa qenë gjallë ! Këto kujtime mund t’i ruante vetëm një shkrimtar fisnik me thesare në zemër për mësuesit e kolegët më të mirë. Ato i ke nxjerrë si nga persekutimi i tyre dhe nga heshtja për ta që u bëri aq pamëshirshëm shteti komunist me veglat e tyre në Lidhjen e Shkrimtarëve. Lexuesi të është mirënjohës pasi e ndjen që këto kujtime brilante duke i ruajtur në heshtje, ti ke qënë i bindur se dhe në fushën e arteve gjëmimet më të fuqishme janë ato që fshihen brënda heshtjes, sadoqë shpesh të duket se ajo s’dëgjon!  Asgjë në botë nuk e ka më të mprehtë veshin se heshtja. Koha ato i mbledh në ndërgjegjen e saj dhe në diktatura i strehon në tejndërgjegjen (subkoshiencën) e vet për t’ua dhënë brezave. Vjen një ditë dhe ato kthehen në letërsi të lirë e të mirëfilltë. Këtë akt fisnik ke bërë dhe ti, miku im i çmuar. Kam ndjerë sa kënaqësi dhe tronditje pasi këto gjëmime dhimbjeje të jetës së njerëzve të shquar ti i ke dhënë dhe me një butësi kadifeje të fjalës, nër natyrën tënde të të shkruarit e në frymën e krahinës sate të veçantë historike e lirike Kolonjë-Korçë ku barotin e armëve e ledhatonin tingujt e kitarës dhe era e luleblirit (siç u këndon aq bukur lirika e Vangjushit, Mondës, Bacellit etj).
Mbi të gjitha, ty, i dashur Naum edhe të shkojnë kujtime të tilla pasi në krijimtarinë tënde në tërësi fryn një erë butësie njerëzore ku dhe tregimet për luftën brënda kanë zërin e paqes ; ku dhe rrethimin e zi të diktaturës për armiqtë imagjinarë ti guxove e ktheve në dramë (me zë komedie brënda) – « Rrethimi i bardhë », nga i cili mbete dhe vetë i rrethuar me ditë të zeza…Sidoqoftë, dielli dritën më të bukur e ka në perëndim (m’u thaftë goja nëse unë, miku yt i herët të ndjell ‘perëdimin’ se do t’ia ndillja dhe vetes. Thinjat ne i kemi ngarkesa bore të dimrit nën të cilën ngrohen rrënjët e barit të pranverës tjetër, te brezi që vjen pas nesh). Pranojmë, të rinj nuk jemi dhe koha na është holluar drejt këputjes. Këtu tok me dritën në ikje të perëndimit merr vlerë dhe fjala afër fundit për gjëra të shtrënjta në jetë, për t’i shpëtuar nga harresa. Mendoj se pena jote, shëmbull për të tjerët, ka harmoni të natyrëshme me ato figura të çmuara artistike e njerëzore që përshkruan. Edhe në s’rrojnë, ata janë gati shenjtorë dhe fjalën e shkrimtarit të mirë e dëgjojnë aty ku janë.
Me këtë rast, e quaj me vlerë dhe plotësim portreti që kujtimit tënd të mrekullueshëm për Mitrush Kutelin t’i shtohet edhe një Letër e Tij dërguar me dhimbje burgjesh mikut të vet M. Greblleshi. Të dëgjojë lexuesi sadopak dhe zërin e tij prej artisti të madh prej martiri mbi vuajtjet që ka hequr e nga kush i ka hequr edhe drejtpërdrejt. Shkaku i persekutimit thënë edhe me zërin e vet autorit jep më saktë përmasat e të persekutuarit dhe motivon edhe nderimin në shkallën më të lartë për të. Kuteli dëshmon sado dhimbshëm, se si (së pari nga zilia letrare pastaj nga karakteri) u persekutua gjer në burgosje e vdekje nga ish kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve. Se ai zgjidhej kryetar jo thjeshtë se bënte mjeshtërisht letërsi, por dhe se bënte po aq mjeshtërisht ligësi. Për t’u ngjitur në karierë e privilegje, për shkallë përdorte trupat shtrirë të kolegëve.
Letra e Kutelit e jep autorin në përmasa të gjera letrare e njerëzore; vendos më saktë në vëndin e vet edhe ngjarje e figura të tjera rrotull tij të ngjashme me to. Botojmë sado pak nga ajo Letër me dritë - hijet magjike prej Rembrandi, dhe si poet, dhe si piktor, dhe si shenjtor: 
Pogradec, 28 gusht 1961
I dashur Mustafa dhe e dashura motra Merushe,
Kjo e uruara Letër u bë litar me krye po pa fund…Udhës takova shumë të njohur të mijtë dhe të Babajt. Ndënjëm u çlodhëm në varret e sheshuar duke pritur të dalë hëna, po kjo vonoi…Hëna doli kur rrinim buzë liqenit : e madhe, e kuqe. Pastaj u zbardh, mori vrull e lundroi nëpër hapsirë. Fëmijët më vunë një mijë e njëqind pyetje: «Si është hëna? Ç’ka prapa atij mali ? Po në Tiranë ka hënë tani ? »…Unë bluaja mendime të tjera : «Ç’është vallë kjo harmoni kaq e përsosur ? Që ku vijmë e ku shkojmë ? Sa rrëke njerëzish kanë shkelur në këto ranishte dhe ku janë tani»? Dhe mëndja më shkon me drithma tek ai që s’guxoj t’ia përmënd emrin sepse jam tepër i vogël - hij’ e një grimce të një stërgrimce - tek ‘ai’ që ka shumë emra por që është një i vetëm dhe mbi të gjitha dyshimet e mia birucore, dua megjithë shpirt…në vetmi. O Zot duhet të jesh, sepse pa Ty nuk prehem dot !..
Një ditë në Belgrad Shutja (Dh. Shuteriqi- sqarimi ynë) më pat pyetur: Mitrush, ç’do të bënje ti  po të kishe gjetur një vepër të pabotuar të një shkrimtari të vdekur ? - Ia ktheva: - Do t’i bënja një parathënie dhe do ta botonja. Ay: - Me emrin e kujt? - Të atij që e ka shkruar. Do të kënaqesha t’i jepnja lexonjësit një vepër që mund të zhdukej. - Jo, më tha, vepra e gjetur është imja se unë e gjeta. Pra unë, gjetësi jam ‘autori’ i saj. - Ti s’je autor se nuk e brumose në mëndje e shpirt, nuk vuajte ti në të lindurat, nuk…nuk…- Ay më shikoi tinzar dhe e ktheu fjalën: - Po kur boton një këngë popullore ? - Kur botonj një këngë popullore, them se ku e kam mbledhur, kush ma ka treguar. Roli im është ta mbledh, ta botoj, t’i tregoj burimin. -Ay përsëri: - Po ay që ta dha këtë këngë s’është autor i saj, pra…- Unë s’them se filani e ka qitur këtë këngë, them vetëm se ay ma ka treguar…- Shutja e ktheu prapë, të prerë: - Jo, s’jam dakord ! Vepra që kam gjetur është imja…- I thashë : - Kësaj i thonë vjedhje !..- Ay u ngrys…
Këtu u mbyll muhabeti ynë në rrugët e Belgradit në dhjetor 1945. Atëhere Shutja ishte mjaft modest, por brënda tij gurgullonte kazani i madh i shejtanit. Lëvdonte shkrimet e mia, ngrinte në       qiell Lame Kodrën. Pastaj nisi të ngrihet gjersa u bë burrë me llullë, me berè e me automobil; më shau e përshau, pështyu, lëpiu, hoqi «i» -në në fund të mbiemërit që të vërtetonte tezën e tij siç i tha Popoviçit vetë në tryezë: «Emri ynë vjen nga fjala serbe ‘Shute’ që do të thotë ‘shaka’. Rjedhim nga një familje e Stara Serbisë të Despotatit të Elbasanit. Pra, si të thuash, ‘unë’ jam ‘ti’. Ndihmomë të ngrihem lart ! Jepmë, të kam vëlla»!
Botoi Gjorg Golemin që që bje erë Lef Nosi. Me të vërtetë Shutja - shejtani, karasyfeti më karavidhe që ka nxjerrë qyteti -kërthizë, kameleoni më arrogant, më vjedhës, më vjedhacak, më vjedhacuk…(epitetet që burojnë nga realiteti nuk kanë të sosur), përlau dikur tërë dorëshkrimet e Lef Nosit, të Sotir Kolesë etj…
Më falni që u zgjata kaq shumë me këtë «Dhimitriadë Shuteriqore», po këto të gjitha m’i zgjoi karasyfeti i tij arogant që endej rrugëve të Pogradecit…Një grek i moçëm me emrin Phrantjes, historian, paska thënë: «Shqiptarët janë populli më i lig e më i kotë (‘le plus inutile’) në botë ». Përfundimi? Duhet të çduket…Kështu thotë bizantini Phrantes. Domosdo Phrantes është armik, është ujk dhe ka folur, shkruar e vepruar ndofta si ujk. Por ujku njihet dhe njeriu di se si të mbrohet kundër tij : me sëpatë, me kopaçe. Por si të mbrohet kundër ujkut të veshur me lëkurë dele!? Si të mbrohet kundër atij që i flet si ëngjëll e vepron si shejtan? Të gjitha këto i lexoj, i bluaj me mëndje natën, s’më zë gjumi dhe më vjen të çmëndem…Pashë gërmadhat e shtëpisë plot ferra e m’u drodh zëmra. Jo, Pogradeci s’është më për mua të gjallë, po për mua të vdekur. Ah, kush ndjen shumë vuan shumë! Shto pastaj brengat, fëmijët, varfërinë e sa të tjera. Do vij të «çlodhem» në Tiranë, t’i vihem normës se mos më presin bukën! Lamtumirë dhe përqafime vëllazërore!   Mitrushi».
Siç dihet, mjeshtërin magjik të fjalës shqipe e futën dhe në burg me shpifje. Rënduar nga vuajtje pa fund, ai shkroi aty vargjet tronditëse mes të tjerash drejtuar nënës: «Dërgomëni një litar, ta hedh lart në bririn e hënës, e të varem!..».
Në mbyllje: vuajtjet bashkë me magjinë e artit të Kutelit dolën lirshëm në dritë aq sa drejt tij zgjatën duart ta përvehtësonin dhe ata që e kishin luftuar. Në një grup shokësh në Tiranë na afrohet një intelektual e na thotë se dhe Naimi, dhe Kuteli qenë vllehë(!) (ky qe një nga stani i veçantë i ca intelektualëve vllehë reklamuar modernë me «të drejta njeriu» e «shoqëri të hapur». Janë mohues të kombit shqiptar që çdo vlerë Shqipërie po s’e përvehtësuan, e nxijnë nga kompleksi i inferioritetit pa rrënjë kombi të vetin: «mua s’më njihet kombi, por dhe ty do të ta nxij»! I përgjigjemi qetë vllahut: «Por Naimi e pohon vetë - ‘Ti Shqipëri më ep nder…’, nuk thotë ‘Ti, Vllahi më ep nder’…Kuteli nga ana e tij te poema e fuqishme për Kosovën pohon madhërisht: ‘Se jam Shqiptar e Kosovar’…Më tej në një Letër miku shkruan duke i qarë hallin me dhimbje Atdheut të vet: «Na pakësuan dhe na ngjeshën në një cep të Ballkanit ndonëse ne kemi qënë zotër të moçëm të një vëndi të madh…greku mbjell farën e grindjes në Epir, Austria, Italia në Veri, Mali i Zi i përkrahur nga Rusia gjithashtu. Në krahina të tjera serbët, bullgarët, bile dhe rumunët kanë dërguar njerëz për të çarë e përçarë…» Të vihet rè - përmënd dhe ‘rumunët’, thua paralajmëronte me intuitë atdhetari gjer ardhjen në Tiranë të  Presidentit të sotëm rumun, Popesku a si i thonë, që vllehëve t’u ngrerë veshin e paqënë (e kam fjalën për një grusht të veçuar sorroistë me zemër në Athinë; ata që dhe Nënë Terezën, dhe Gjergj Kastriotin…na e shpallin botërisht të huaj. Një stan që gjithënjë e më shumë po e zbulon fytyrën prej mafieje intelektuale antishqiptare, që s’ka asgjë të përbashkët me bashkësinë e çmuar e fisnike të arumunëve me të cilët historikisht shqiptarët kanë qënë e mbeten të afërt në shpirt e fat, gjer vëllezër).
Kuteli shejtanëzive të tilla qepur me pé të bardhë u rri në opozitë si shqiptar i madh dhe artist i madh. Më bukur, edhe si profeci për të ardhmen, e thotë në një shkrim të tij studimor: «Do ngrihet, ndofta, më vonë ndonjë kretin, që do përpiqet të demonstrojë se dhe A.Z. Çajupi ka qënë kuco-vlleh, ose armik i shqiptarëve (këtë thënie nga Kuteli i madh drejtori me kulturë i Bibliotekës Kombëtare, bie fjala, mund ta verë dukshëm diku në sallë, që t’u flasë ai më qartë njerëzve këto kohë kur kombin shqiptar e kanë vënë në treg).
Urime pa fund, i dashur Naum e falmë ku kam gabuar, pasi ka filluar dhe ca vapë, sado që Gjeneva e ka me butësi Kuteli!      

Agim Shehu, Gjenevë 

PORTRETI POETIK I VULLNET MATOS




Poeti Vullnet Mato, me vëllimin e tij përmbledhës “Poezi të zgjedhura” paraqitet para lexuesve dhe ekspertëve të kësaj fushe me një portret poetik të lakmuar. Ai bën pjesë në elitën artistike të vëndit që i gdhend vargjet në gurë, duke lënë pas sinjale e shenja të pashlyeshme.
Në këtë aspekt është simbolik dhe i veçantë veprimi i të rinjve lexues të vendorigjinës së poetit, Fterrës të cilët skalitën në faqen e malit e mrin e tij, duke u bërë kështu të vetmit në vend e ndoshta nga të rrallët në botë që në gur nuk gdhendin emra diktatorësh, por emra poetësh.
Me dhjetra e qindra janë vlerësimet pozitive të bëra në shtyp e internet nga lexues dhe krijues nga cepa të ndryshëm të botës për poezinë e poetit Vullnet Mato. Më kanë bërë përshtypje disa nga cilësimet më pikante të cilat i qëmtova dhe i rendita më poshtë:
“ Jam mrekulluar nga kjo poezi…një poezi e mrekullueshme… gjërat e trishta thuhen me një gaz të brendshëm që të bën të mendosh… ju rrëfeni me fjalën tuaj të artë… thesari yt poetik është i mbushur me diamante e xhevahire… urime për vargëzimin tuaj meditues e sugjerues… më emocionon poezia juaj… e tjera.
Ai që e lexon me kujdes dhe dashamirësi vëllimin “Poezi të zgjedhura” bindet se vlerësimet janë reale dhe të sinqerta, ndërsa shton me bindje se Vullnet Mato është poet me kuptimin e plotë të fjalës, sepse shfaqet si mjeshtër i saj në tematikë, në figuracion, në metrikë, e në
mesazhet që transmeton.
Poetin e shqetësojnë ato që ndodhin brenda vetes, rreth vetes e tej vetes, ato të shteteve e kontinenteve, ato të Tokës dhe të yjeve. Pra, gjerësia tematike e poezisë së tij është shumëformëshe, e pasur, e larmishme, vetiake dhe universale. Si në një kredo të vërtetë atdhetarie e krenarie ai i drejtohet popullit të tij: “Populli im është si malet që nuk sheshohen kurrë!” Mandej shton tiparet e bashkeatdhetarëve heroikë e autoktonë duke përdorur fjalë të mirëfillta kompozita: ” milionadallgësh – zakonebukur – shkëmbngulur.”
Poezia e Vullnet Matos flet për fëmijën e yjet, për lulen e plugun, për lumin e kirurgun, për Krishtin e Muhametin, për mollën e pulëbardhat, për pafundësinë dhe zhgënjimet e kështu me radhë deri në pafundësi detajesh.
Unë do të doja të theksoja se tek vellimi poetik: “Poezi të zgjedhura” spikat dukshëm simbolika e tri “F”- ve, të cilat me çiltërsi, por dhe me nëntekst, japin të gjallë e të plotë FËMIJËRINË, FEMRËN, FTERRËN.
Për fëmijërinë shprehet malli pakufi i poetit si i çdo qenie njerëzore, për atë stad të jetës si dhe dëshira utopike për rikthimin e ëndërruar të saj: “Atëherë dëshiroja të vetmen lumturi,/ të bëhesha i madh sa më shpejt./ Tani thërres me nostalgji:/ Eja dhe një herë o fëmijëri e shtrenjtë !” 
Kujtimet për shtëpinë e prindërve janë të gjalla e nostalgjike. Ato shprehen me detaje mbreslënëse tek vetëdija dhe nënvetëdija e poetit: shkallët e vjetra, fiku si gjysh, ulliri me rrudha të hirta, nëna e babai që s’janë më, vëllezërit me nuset e fëmijët si drita etj. E ndërtuar në formën e enumeracionit poetik, poezia të mbetet në kujtesë se të zakonshmen, njerëzoren, të malluarën, ai e shpreh me art të goditur, me figura të qëmtuara mirë. Atë e ka përherë me vete, se s’mund të rrijë dot pa ata elemente me të cilët është mësuar qysh në fëmijëri: “pa thithur aromën e cfakës së çelur… pa zërin e mëllenjës… pa fikdetin e pjekur…pa dafinën erëmirë… “
Femra është brinja e dytë e trekëndëshit të simbolikës së “F”-ve. Ajo jepet shumëformëshe, por në të gjitha pamjet që shfaqet pozitiviteti i saj: herë si mike e motër, herë si e dashur e grua, herë si motër e shoqe. Femra jepet si jë qenie sublime e adhuruar, e lakmuar, e respektuar: “Dhe të shtatë ditët e javës /më kujtojnë ty që të dua…/ Pa ty jeta më kalon në akullnajën e ftohtë…/thonë se dashuria e parë rizgjohet/ ndaj ika me kujdes si nga nje vend iI minuar”
Sipas poetit Vullnet Mato, femra të transformon, të zbut, e të lumturon: “Unë isha Saturni i nënzeros së ftohtë/ Ardhja jote ishte afrimi i diellit rrezeshkrirës…
Autori përsërit, por shpe dhe më tej konceptin gjithëkohor të bukurisë femërore si objekt frymëzimi për artistët e të gjitha arteve, për poezinë e pikturën, për muzikën e skulpturën:“Beatriçja, Dea, Kleopatra apo Helena/ vunë në punë penat e daltat skalitëse/ të bukurisë mahnitëse…
Trekëndëshi simbolik mbyllet me ‘F”-në e tretë, atë të vendorigjinës së fisit, Fterrës, së dëshiruar e të adhuruar si një nënëmadhe, kompozitë e cila zë fill që në titull të poemës për këtë fshat. Poeti e personifikon këtë vendbanim në trajtën e një gjallese të veçantë e të adhuruar, krijon raportin e njohur bir-nënë duke e njësuar në një qenie: “ I puth dorën e shkëmbtë,/duke mbështetur kokën te prehri i saj i ngrohtë…”
Biri i malluar kujton nënës së adhuruar malin, bregun, shkëmbin, lëndinën, zogjtë e gjithçka që e ka skalitur brenda vetedijes që nga koha e fëmijërisë. Janë vargje të rrallë që një bir i talentuar ia kushton nënë së malluar.
Në përfindim të këtij vëshjtrimi të shkurtër për portretin poetik të Vullnet Matos, me lejoni të them në emrin e të gjithë dashamirësve të vargjeve të tij: “Shendet të bardhë e penë të mbarë POET !” Vazhdo të gdhendësh vargje në gur shumë e më shumë ! Urime të sinqerta !”
 

TAKIM ME SHKRIMTARIN KRISTAQ TURTULLI, QË JETON MES SHQIPËRISË DHE KANADASË


nga Jorgjeta Gjançi
 
 



              Shkrimtari korçar Kristaq Turtulli është një shkrimtar i vlerësuar dhe romancier. Lindi  në Korçë, në një familje fisnike dhe patriote dhe me shumë peripeci, për shkak biografie,   mundi të vazhdojë  studimet e larta në degën gjuhë – letërsi. Kristaqi  ka publikuar një seri me tregime dhe novella dhe 6 romane. Jeta e emigrantit,  me gjithe veshtiresitë e shumta që ka,  jo vetëm që nuk ia ka ulur ritmin e krijimtarisë së tij, por  mund të shkruhet pa frikë se e ka ndihmuar  të ketë një bum jo të zakonshëm. Brenda dhjetëvjeçarit të fundit  ka shkruar gjashtë romane, të cilët i ka botuar në gjuhën shqipe e disa prej tyre edhe në gjuhën angleze. Kjo krijimtari e bollshme është  pritur shumë mirë jo vetëm nga lexuesit shqiptarë në Shqipëri dhe Kanada, por edhe nga lexues të huaj. Duke përfituar nga rasti që ai pas 5  vjetësh  kishte ardhur në Korçën e tij të dashur, i morën një intervistë,   të cilën po e publikojmë.

                       

 Si ndihet shkrimtari Kristaq Turtulli mes Shqipërisë dhe Kanadasë?

                        Është një pyetje e veshtirë. Gjithsesi njeriu e ka në natyrën e tij që përpiqet të përshtatet në mjedisin ku jeton. Unë atje në Kanada jam munduar të ingranohem  në jetën kanadeze, jam përpjekur të gjej veten. Gjithsesi kjo gjë është e vështirë. Në Perëndim nuk të hapen dyert kollaj, por duke kaluar vitet, duke mësuar gjuhën, duke iu përshtatur kushteve të jetesës kam mundur të ingranohem vetë e familisht dhe sot mund të themi se ndihemi si gjithë qytetarët e tjerë kanadezë.  Po unë, edhe pse vitet kalojnë, kam një mall të madh për vendin tim, për Korçën time. Pikërisht ky mall më solli këtu. Është malli për Korçën time, për të cilën  familja ime ka dhënë aq shumë, është malli për njerëzit e mi të afërt dhe shokët e miqtë, me të cilët  kam punuar e jetuar deri sa u bëra 40 vjet, është malli për krijuesit, me të cilët jam konsultuar kur hodha hapat e parë të krijimtarisë sime, malli për rrugët, për qytetin , per gjithshka që ka të bëjë me erën e Shqipërisë.

                        Ju i përkisni familjes së madhe korçare Turtulli, a ka ndonjë domethënie për ty, si pinjoll  i saj, ky fakt?
                        Padyshim që ka dhe në radhë të parë unë jam krenar për prejardhjen time. Kam respekt e mirenjohje për të parët e mi, që e bënë Korçën që në gjysmën e shekullit të kaluar me Spital,  Lice dhe Bibliotekë. Nuk janë fakte të thjeshta, përkundrazi janë shumë domethënëse. Dëshira ime ishte ta ndërtoja jetën time e të familjes këtu, po ndodhi që u largova. Atje ku juam  malli për vendin tim më mban gjallë.  Korçën nuk e harroj kurrë.

                        Gjatë viteve që kini qëndruar në Kanada krijimtaria juaj letrare ka pasur një bum të madh. Diçka më hollësisht rreth kësaj krijimtarie.

                        Kam ikur nga vendi ynë në janar 2000 dhe ingranimi jonë aty nuk ka qënë i lehtë. Siç e thashë emigrantit nuk ia hap njeri derën kollaj. Them se aleat në krijimtarinë time ka qënë malli për çka unë lashë pas, dëshira për të thënë të pathënat. Vazhdova të shkruaja edhe kur lodhja e mërzitja ishte shumë e madhe. Në radhë të parë përpiqesha të mësoja gjuhën, sepse ajo ishte çelësi i jetës së re që kisha filluar. Këtu në Shqipëri nuk ishte kollaj të mësoje gjuhën angleze, ndaj unë atje fillova çdo gjë nga e a-ja. Fillova të mësoja si të flisnja, si të artikuloja fjalët, si të shprehja një mendim, si të përpiloja një dokument, një rezume që të kërkoja punë në radhë të parë…Nuk ishte e lehtë. E ndjeja që malli më mundonte dhe më dukej sikur e largoja paksa këtë mall duke shkruar. E për të shkruar e gjeja kohën edhe kur kisha pak pushim gjatë kohës së punës, edhe kur isha në autobus, ku të gjeja kohë. Dhe gjatë këtyre viteve unë kam shkruar 6 – 7 vepra. 

            Dëshirojmë t’i njohim lexuesit me disa piketa të krijimtarisë suaj.

            E fillova me shkrimin dhe botimin e romanit “Ç’është jeta e njeriut” që tregon histori jetësore  të realitetit shqiptar në 1997. Personazhet e këtij romani janë njerës pa emra, sepse pas secilit prej tyre çdo shqiptar mund të gjejë veten e vet. Ata jepen të mbërthyer nga situata e pakuptimtë dhe e çmendur e asaj kohe. Ky roman më prezantoi mirë në rrethet letrare ne Kanada, këtu në Shqipëri, në Kosovë e gjetkë. U quajt një roman eksperimental ku autori përdor metaforën dhe figura të tjera artistike dhe përshkruan një situatë të tmerrshme  të ngritur në art. Romani i dytë është “Vetmia e zërave”. Ai   është roman voluminoz, rreth 400 faqe dhe pasqyron jetën shqiptare në 200 vite. Kryesisht ngjarjet vendosen në Korçë dhe përmes tij jepet jeta e rreth 200 personazheve, që ju përkasin shtresave dhe botkuptimeve të ndryshme. Ky roman ka edhe pjesën e dytë, të cilën e kam akoma në tavolinën e punës.
              Libri i tretë që botova  është ribotimi i romanit që kam botuar dikur këtu në Korçë me titull “Hani me dy porta” Mu desh që për ta sjellë në kohë e për ta bërë sa më depërtues tek lexuesi amerikan ta ripërpunoja e mandej me ndihmën e djalit tim, Virgjilit, edhe ta përktheja në anglisht. Në variantin e parë fundi ishte tragjik. Një fund shumë i dhimshëm, një fakt ky që lexuesin e sotëm, që është shumë i prekshëm, e streson dhe do  ta demoralizonte. Atëhere unë për ta shmangur këtë gjë i dhashë romanit në fund   më shumë hapësirë, i dhashë një shpresë dhe kjo shpresë e rriti cilësisht veprën. Autori gjithmonë duhet ta kontrollojë veprën. Ai u prit shumë mirë. Më përshëndetën shumë lexues dhe  krijues dhe ma vlerësuan specialistë të krijimtarisë letrare.
            Romani tjetër është sërisht në anglisht. Titullohet “Frensis” apo “Miqtë” në shqip. Ai është një botim modest. Dëshiroja tua jepnja fëmijëve të shqiptarëve atje në Kanada, të cilët të lexonin një libër me temë shqiptare. Romani tjetër është “Dëgjo floriri im”, i cili është mirëpritur shumë nga lexuesit atje në Kanada, por edhe në Shqipëri dhe Kosovë. Libri i fundit që dolli nga botimi para dhjetë ditësh titullohet “Në trenin e linjës 16” për këtë roman  pres të mësoj mendimin e lexuesve.
            Në krijimtarinë tuaj zë vend të rëndësishëm tema e madhe, konfliktet e ashpra që kanë brejtur realitetin shqiptar përgjatë historisë. A ka qënë e vështirë kjo gjë ?

            Sigurisht që ka qënë e vështirë, sepse të marrësh përsipër pasqyrimin e jetës shqiptare në kompleksitetin e saj është përgjegjësi morale dhe shpirtërore. Nuk është e lehtë t’i japësh lexuesit të vërtetën e këtij realiteti të mbushur me kontradiksjone të forta. Shkrimtari duhet të jetë i ndërgjegjshëm për misionin që ka dhe duhet të pasqyrojë realitetin ashtu siç është, pa lule, pa lajka, pa hipokrizi, duke iu shmangur përfytyrimeve që e shtrembërojnë këtë realitet. Tani më është bërë praktikë që kur ulem dhe shkruaj përpiqem të sjell materiale jetësore nga jeta, ngjarje të jetuara, njerës tipikë, të cilët i kam njohur gjatë jetës dhe më kanë krijuar mbresa. Për të krijuar karaktere tipike ju jam referuar personave jetësorë vitalë që kam njohur  dhe që nuk janë të pakët sepse edhe përvoja ime jetësore është e madhe.

            Pra burimi kryesor i frymëzimit të krijimtarisë suaj është realiteti shqiptar apo edhe ai që keni gjetur e njohur atje në Kanada?

            Unë kam jetuar gjysmën e jetës në Shqipëri, ika prej këtu në moshën 40 vjeçare. Pas mora shumë kujtime, shumë mbresa, shumë nostalgji dhe këto padyshim që dashur pa dashur do të reflekrtphen në krijimtarinë time. Por mbi të gjitha është misioni që merr përsipër shkrimtari. Unë jam përpjeklur të alternoj dy realitetet që njoh më mirë. Por shkrimtari i mirë duhet të shkruajë më shumë për vendlindjen e tij, sepse atë realitet e njeh më mirë e më thellë. Është si puna e asaj pemës, që edhe pse e shkulin për ta mbjellë diku gjetkë. Le pas thërmija jete që ripërtërihen e rikrijojnë pemën e parë,  kështu që edhe unë në krijimtari do të vazhdoj t’i referohem këtij realiteti.

            Ndërthurja  e dy realiteteve është një sforco apo një rrjedhje e natyrshme në krijimtari ?

            Ndërlidhja e dy realiteteve është e natyrshme. Njerëzit në Kanada janë njerës të zakonshëm si ne,  kanë botkuptime të përafërta me ne, edhe atje ka vuajtje, strese, shqetësime njëlloj si tonat.  Po sjell një rast konkret. Takova një rus dhe po i flisnja për një nga romanet e mia, i tregova edhe subjektin e tij në vija të trasha. U interesua e lexoi disa nga franmentet e romanit “Hani me dy porta”, që i kisha botuar ne një revistë kanadeze. Kur më takoi sërisht më tha: “Kristaq unë të premtoj që nëse e përkthen  në gjuhën time, ky libër  do të pritet mirë në vendin tim, se është një roman shumë i mirë dhe mund të behet edhe një skenar filmi shumë i mirë.”  Padyshim që i vlerësova fjalët e tij,  sepse të gjithë njerëzit në botë e njohin dashurinë, e dinë forcën që ajo ka, fillimi i jetës është lindja e dashurisë midis vajzës dhe djalit. Po kështu luftën e mbijetesës, luftën për liri, luftën për të drejta e barazi i njeh çdo komb e çdo njeri dhe të pasqyruara ato në letërsi tingëllojnë njësoj kudo. Temat e mia janë tema të prekshme,  sepse  janë tema të ndjenjave njerëzore, tema të mbijetesës.

Në krijimtarinë tuaj janë  shumë tërheqëse  karakteret e femrave, të cilat shpesh marrin përmasat e një idhulli.  Është me interes të dinim cili  është roli i femrës  në shoqëri sipas Kristaq Turtullit.

            Pyetja qëllon në shenjë. Për mua femra është sinboli i bukurisë, i rezistencës i krenarisë, i besnikësrisë, i dashurisë, sinboli i jetës. Pra femra është motori i jetës njerëzore. Është femra që krijon njeriun, është femra që nxjerr prej qënies së saj  krijesën e saj dhe është po ajo që sakrifikon deri edhe veten për të. E si mundet të mos e vlerësosh e shkruash për femrën me një adhinami të ndjerë nga thellësia e shpirtit? Në veprat e mia femra është figura kryesore. Në romanin e fundit “Treni i linjës 16” ka në qendër të vëmendjes Zamirën, e cila lufton dhe bën sakrifica të mëdha për të mbijetuar. Ajo është në qendër të vorbullës së jetës dhe ndeshet me furtunat që i përplasen ngado. Ajo ka forcë t’i përballojë me dinjitet. Unë e respektoj dhe e adhuroj veçanërisht femrën e shoqërisë shqiptare, që është shumë më e pasur në karakterin e saj se në shoqëritë e tjera që kam pasur mundësi të njoh. Ata krijues që e shohin atë si shtojcë të personazheve të tyre burra nuk janë realistë, ata për mua ngjajnë si një degë e thatë që mendojnë se e vlerësojnë apo e respektojnë femrën.
              Në veprat e mia janë tipizuar karaktere të shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Në to gjen njerëzit e persekutuar,  njerëzit e thjeshtë, ministrat, tregtarët, punëtorët, shtëpiaket, që  kanë jetuar në vite e shekuj. Përmes tyre kam pasur qëllim që të paraqes jetën e Shqipërisë në kushte të caktuara kohore e politike. Kështu mund të sjell një rast konkret tek “Vetmija e zërave” unë jam përpjekur të tregoj shoqërinë shqiptare në dy shekuj. Pse veprova kështu? Sepse  çdo gjë që ndodh sot nuk e ka bazën në këtë moment, por është rrjedhojë e mendësive shqiptare pozitive dhe negative,  që janë trashëguar e vijnë nga brezi në brez dhe shfaqen në një moment të caktuar. Gjithkush duhet të bëjë një analizë të jetës së shoqërisë shqiptare dhe unë përpiqem ta realizoj këtë gjë përmes karaktereve që krijoj në romanet e mia.

            Në Kanada je në kontakt me situatën politike dhe krijimtarinë letrare të vendit tonë?

            Përpiqem të azhornohem së pari përmes shtypit të përditshëm,  që lexoj përmes internetit. Ndjek situatën dhe më dhemb thellë në shpirt kur shoh që jo gjithmonë punët ecin mirë. Dëshiroj që të bëhet më mirë, po kjo gjë kërkon një përgjegjësi më të plotë të politikës shqiptare. Ajo duhet të zhvishet nga mendësitë e vjetra, nga konfliktualiteti, nga pasionet shkatërruese.  Shoh që është ecur  përpara, po ritmet duhen të jenë më të shpejta.

Çfarë vendi zë politika në jetën e Kristaq Turtullit?  

             Unë nuk merrem me politikën shqiptare, por e ndjek atë. Mua më intereson jeta e shqiptarëve, jeta e korçarëve sepse I dua Shqipërinë dhe Korçën dhe dëshitroj që ato të ecin përpara. Kur shoh që vendet e tjera ish socialiste,   që kanë qënë më të prapambetura se ne dhe sot kanë ecur shumë  më përpara, ndihem keq. Pse të ndodhë që këtu të merret politika me konflikte të kota? Unë mendoj që politikanët e majtë dhe të djathtë të gjejnë gjuhën e përbashkët ose atë që stimulon përparimi e vendit. Ata nuk bëjnë politikë, por shprehin pasione për të argumentuar secili mendimin e vet. Politika në perëndimin e zhvilluar është politikë për progres. Nëse ti je politikan i zoti, unë të suportoj, pavarësisht se jam në  opozitë me ty, të mbështes kur shoh se po ndërton vendin, po  suporton krizën. Në Kanada për shembull dy partitë rivale kur filloi kriza filluan luftën politike për të kapur partinë në pushtet në faj. Po kur panë se kjo e fundit ndërmorri reforma  mbrojtëse për ekonominë vendase, nuk u morrën më me cikërima të kota. Në se ti bën punën unë të heq kapelën, pavarësisht se jam në opozitë. Do të luftoj si opozitar jo të të shkatërroj,  opozitë do të thotë që unë të të luftoj në gabimet që ke por jo me tendencë por me mendimin që të sjellim progres për vendin.   Jam kundër politikës pasionante që për mua është politikë regressive. Iku koha e politikës pasionante të të gjithë njerësve. Aktualisht nuk mund të merren të gjithë me politikë, secili të shohë punën e vet. Nëse unë për shembull nuk të dua ty si politikan kam momentin deçiziv të votimit, por jo të merrem për çdo çast me luftën ndaj teje.



SHTATSTOLISURA SARANDA IME


nga Vulllnet Mato
 






Shtatstolisura Saranda ime, nusja bukuroshe e Jonit të kaltër ka veshur purpurimet më të ndritura të ditëve verore, për të pritur miqtë e shumtë nga e gjithë gjeografia hapsinore e kontinentit. Ka kohë që nuse Saranda bashkë me dhëndrin e vet Jonin, kanë bërë gati odat dhe plazhet, ku do të rehatohen shqiptarët nga Vermoshi deri në Konispol, nga Kosova e Maqedonia, nga Greqia e Italia dhe nga të gjitha skajet e globit ku banojnë bijtë e saj emigrantë. Nuse Saranda ka shtruar vilat allafrënga dhe ka gatitur lokalet moderne me pajisjet dhe gatimet më të shijshme të kuzhinave evropiane. Dhëndër Joni ka ngrohur ujërat, ka shtruar rërën, ka bërë gati peshqit e egër dhe oktapodët për tryezat madhështore të kësaj vere të nxehtë, e cila sapo përcolli nëpër botë jehonën e kampionatit botëror, ku një oktapod sumbullandritur i kaltërsive detare parashikoi edhe fatin e disa fitoreve të mëdha. 
Jam ndodhur në mes të këtij purpurimi gati dasmor, i ftuar nga Bashkia e Sarandës, për promovimin e librin tim të ri prej 400 faqesh me poezi të zgjedhura të sapodalë nga shtypi i shtëpisë botuese “ADA”. Gëzimi im, i nxitur nga kjo atmosferë festive verore dhe nderimi që po më bëhet nga autoritetet e vendit, si bir i Sarandës i larguar qysh në vegjëli, ka arritur lartësitë e majëmaleve. Këtu po shoh se emri im i gdhendur nga bashkëfshatarë t e origjinës në shkëmbin e malit të Fterrës, është gdhendur jo vetëm edhe në ftesat e bukura për këtë takim shkrimtarësh e lexuesish, por edhe në zemrat e shumë miqve dhe shokëve që më presin krahëhapur e buzagaz. 
Dhurata më e pastër e më e pakorruptuar e librit me autograf, i gëzon së tepërmi të gjithë ata që më duan, duke filluar që nga kryetari i baskisë, Edmond Gjoka, dy nënkryetarët Robert Maçi e Fatos Mullaj, deri te kryetari i këshillit bashkiak Arjan Demiri dhe krijuesit e lexuesit e shumtë. Doktorit të nderuar Agim Nelaj, për të cilin qesh buza e çdo qytetari sapo përmendet emri i tij, tani i qesh buza për mua dhe më bën të gjitha lehtësitë shoqërore për të takuar gojartët e Sarandës, si poetin dhe shkrimtarin Pajtim Çaushi, poetin Zaho Vasili, aktorin e shquar Anastas Nika, që fillon menjëherë të deklamojë vargjet për Sarandën në krye të librit, rektorin e degës së universitetit të Gjirokastrës Eduart Mehmeti e shumë të tjerë. Vëllai im, Agimi, poet dhe mjeshtër elektronik, bën pllakatin e madh të librit tim për sallën e kinoteatrit dhe gatit kamerat e televizionit “Riviera” bashkë me “TV Sarandën” të filmojnë këtë festë të re shkrimtarësh në brigjet e detit Jugor. 
Më gufon zemra bashkë me cërritjet e celularit, kur poetë dhe shkrimtarë të largësive kontinentale që kanë marrë vesh në internet për këtë aktivitet, si Arqile Gjata, nga Greqia, Agim Gashi e Mentor Thaçi nga Gjermania, Sinan Vaka e Lumo Kolleshi nga Përmeti, miq të tjerë nga “Bota e Re” në Amerikë dhe nga “Albemigranti” në Kanada më urojnë promovimin në çastet para fillimit të veprimtarisë. Gazmohem aq, sa më duket sikur edhe ishulli i Korfuzit po afrohet nëpër ujëra të dallgëzuara të më përshëndesë: “Mirë se erdhe, o thinjosh i ikur qysh fëmijë, që ke kohë pa i lëshuar sytë nga brigjet e mia gjelbëroshe!” 
Njeriu jeton botën e tij me mendimet dhe bëmat e përditshme, duke menduar rëndom se e kanë harruar ekzistencën e tij në këtë botë, aq me tepër unë, i larguari nga vendlindja para gjysmë shekulli. Por e kisha gabim. Ata më kishin ndjekur si birin e tyre në çdo hap, të hedhur me gjurmë fletësh nëpër libra. Dhe këtë ma kujtuan jo vetëm shokët e vegjëlisë që takova, por edhe miqtë e ardhur nga Fterra që folën tejet entuziast në këtë takim, si Profit Zani me të birin Besmirin, apo plaka fterriote që më kujtoi atë moshë, kur kisha shkuar në shtëpinë e saj në Fterrë dhe kisha hipur mbi çati për të afruar plloçat e gurta që të mos rigonin pikëzat e shirave. 
Një befasi e këndshme më ndodhi kur hodha vështrimin nga salla e mbushur dhe pikasa aty ish drejtorin e përgjithshëm të radiotelevizionit publik, Agron Çobanin, që ndodhej ato ditë për pushime në Sarandë dhe kishte lenë argëtimet e tij për të ndjekur nga afër këtë veprimtari libri. Bashkë me djelmoshat e vegjëlisë, me të cilët luaja cinglat e nxirrja nga deti koshat e peshqve, tashmë të plakur nëpër biznese e probleme juridike, si Kostaq Lapa, Petrit Aliaj, Gjykim Dauti e shumë të tjerë. 
Dhe pas gjithë atij gazi që më shoqëroi nga dita e parë deri te e fundit, më riguan fytyrën lotët e nxehtë, kur aktori i talentuar Anastasi, recitoi poezinë për nënën time hallemadhe. Dhe bashkë me mua lotuan në sallë edhe disa gra të nderuara me zemër të ndjeshme si imja. Pas kësaj desha të flisja gjatë për miqtë e mbledhur aty për të më nderuar. Mirëpo jo vetëm nuk munda nga emocionet që m’u krijuan, por edhe mendova sa kanë folur më mirë për ata njerëz të dashur 17 librat e mi, sesa goja ime. Thashë vetëm ”Kam gjashtëdhjetë vjet që e pres këtë ditë !” Mandej, boshllëkun tim e kishin plotësuar përpara më së miri gojartët e Sarandës, të cilët ligjëruan njëri pas tjetrit që nga profesori Pajtimi që më quajti gdhendës i vargjeve në gur, deri te kryetari i bashkisë, që me përshëndetjen e tij si sirena entuziaste e një vapori të ankoruar në gjiun e Sarandës, ledhatoi shpirtin tim të larguar nga vendlindja për shkak të luftës klasore dhe i ftoi miqtë në koktejin e shtruar nga bashkia. Gjithsesi, ato fjalë që nuk i thashë dot aty, por që u nënkuptuan, mendoj se i rendita këtu, te ky shkrim, në këto pak fraza të shkruara me gjak zemre.

Jorgjeta Gjançi

Ja kështu




                                      

       Istref  Haxhillari
                                                                          Tregim

-Erdhe ë? - tundi kokën buzëgaz profesor Klementi. - Do të vije, qeraxhiu me hanxhiun takohen një ditë, ja kështu.
I hapej goja. Ekskursioni në Sarandë me nxënësit e vitit të tretë e lodhi. Fjeti keq i pakënaqur nga një allishverish i vockël me çmimin e biletave të autobuzit. Shoferi nuk e mbajti fjalën. Kjo e dëshpëroi pakëz, po ja doli përpara biznesmeni. U  kujtua tani në fund të vitit shkollor. Rrudhat në fytyrën e murrme shkëlqyen nga gëzimi që këndelli i sapoardhuri. Në vështrimin e përqëndruar lexohej hareja e gjahut, sikur thoshte me vete; më dole në pritë që thua ti. Dita filloi mbarë.
Fajtori, Agron Sançolli, burrë i shkurtër, i pakët, qëndronte tërë merak, i përdëllyer. E takoi njëherë në fillim të vitit, më tej s’mundi. Mbahej me të keq në qytetin ku pati ardhur para dy vitesh. Shiste dru me kamjonçinën e vjetër. Buka e përditshme për tetë shpirt, vajza në universitet, qeraja e shtëpisë, s’i thoshin shaka. Jeta në qytet vështirësohej shumë. Pamja e mësuesit e qetësoi disi, çështja nuk qënkej aq ligësht sa i patën thënë.
-Punët o profesor, punët nuk na lënë, hë sot, hë nesër gjersa u ngeha. Si duket djali? Jo mirë ë, - tundi kokën i sëndisur.
-S’është fjala për “jo mirë”, me aq bënim si bënim, - u nxeh pak Klementi.
Nxorri ngadalë tufën e testeve  mbuluar me parakrah, kërkoi një copë herë, i vuri në duar fletën e Denis Sançollit. Aty, përveç emrit, zhgarravitur me shkrim mjeran, gati të palexueshëm vinte një faqe fletoreje nxirë nga dy anët. Burri shtatvogël lexoi me zor: “Vargu malor Trebeshinë Dhëmbel Nëmërçkë ndodhet në masivin jugor të Shqipërisë me shtrirje verilindje jugperëndim…”. Ngriti kokën, diç deshi të thoshte, tjetri nuk e la.
-Ja kështu që thua ti, Denisi jo vetëm nuk mëson, po bën gabimin tjetër, kopjon.
Pastaj fësht nga tufa e letrave nën sqetull i ndehu perpara faqen e zhubrosur të librit. Djali e pati bërë sa një top të vogël, po syrit të profesorit nuk i shpëtonte asgjë. I bindur se çdo nxënës kopjon, kontrollonte në vende të fshehta, ku të tjerëve nuk u shkonte mendja. Ja kështu thoshte, kjo qënka kopja tënde dhe fap ia merrte fletën e testit, e vendoste nën sqetull, sikur këpuste trëndafila.
-Nuk ka ngatërruar as pikë as presje, ja kështu, - e ledhatoi me shikim të butë Klementi dhe mori testet i palosi nën sqetull. - Që thua ti, s’kam ç’bëj, e sheh vetë, - u largua ngadalë me fytyrë të qeshur dhe dukjen e fëmijës tejet të pafajshme.
Agron Sançolli e pa veten me shpatulla pas murit, nuk dinte ç’të thoshte. Asnjë shenjë keqardhjeje në qenien kaba të profesorit. I qeshur po i rreptë, nuk fal, të bind me argument të forta, të pakundërshtueshme.
Argumentat e forta  janë testet. Askush nuk ka mundur ta shikojë pa fletët nën sqetull. Del nga shtëpia, pi kafe, shëtit nëpër oborrin e shkollës gjithnjë krahun e majtë mbledhur. Qëllon të mos ketë teste, po dorën e mban njëlloj mbështetur pas trupit. Gabimet i gjuan  qetësisht me buzë në gaz. Prej njëzet vjetësh i pranishëm sa shumë syresh nuk e mendojnë shkollën pa të. Drejtorët ikin e vinë, mësuesit gjithashtu, profesor Klementi jo. Shkolla do të humbte diçka thelbësore, po të largohej ai. Të rinjve u ngjan me vjetërsirat, sikur i përket një bote  të huaj, mbuluar nga myku. Pamja plot ëmbëlsi e përkushtim kishte diçka të pështirë që i bënte mësuesit e tjerë të kthenin kokën mënjanë.
Kur hyri në sallë nuk pa asnjeri. Mbi dërrasën e zezë qe shkruar me shkumës një lajmërim. Në pushimin e madh organizohej takimi për mbylljen e vitit shkollor. Me kujdes e shënoi në bllokun e mbledheve. Sallën e mësuesve e ka mbushur me harta gjithëfarëlloj fizike, politike, të shteteve, kontinenteve. Kolegët vështrojnë të detyruar hartat si në një kabinet të përhershëm gjeografie.
Atë mëngjes shëtiti para hartave, hoqi njërën e vendosi në anën tjetër. Nxorri skicën e madhe të fiseve ilire, zuri dy rradhë në faqen e murit. Me kujdes zhvendosi tabelën e Mendelejevit në cepin e futur të sallës, ku s’binte fort në sy. Skica e trojeve ilire u shpalos krenarisht e patrazuar në tërë pjesën ballore. Profesori shkëlqeu në krah të hartës. Kolegët mezi e duronin këtë rit foshnjor të përditshëm.
-Goxha i madh paska qenë fisi i enkelejve, - i tha pak i habitur e  i menduar Beni, mësuesi i anglishtes.
Beni argëtohet, e ngacmon shpesh larg e larg, pa e bërë veten, hedh gurin, fsheh dorën, po Klementi nuk mërzitet as ofendohet, bën të tijën në çdo rrethanë.
-Enkelejtë mor djalë u shtuan, u bënë fis i madh. Që thua ti ky vend është zanafilla e Ilirisë. Kadmi dhe Harmonia djalin e vetëm, që e shtriu sundimin në tërë viset tona, e quajtën Ilir. Kadmi pati edhe një motër, Europën që i dha emrin kontinentit plak. Ja kështu, - qeshi i kënaqur plot dritë diturie profesori i gjeografisë.
Beni hokatar vazhdoi të tijën.
-Pa shiko, këto nuk i kam dëgjuar asnjëherë, ja pse ka nevojë shkolla për mësuesë të aftë, të përkushtuar.
Zilja elektrike e shkollës lajmëroi fillimin e mësimit. Klementi mori globin në dorën e djathtë, të majtën fletët e testit dhe ngadalë në mënyrë ceremoniale hyri në klasë. Aty një pjesë të mësimit e harxhoi për hokat e zakonshme plot kripë.
-Moj çupë, paske ndryshuar modelin e flokëve, kështu ë, - qeshi me të madhe babaxhani i pafajshëm.
Vajza hyri me kënaqësi në lojën e profesorit. Nxënësit e kanë për zemër këtë pjesë argëtuese të  mësimit.
-Pashë në televizor modelin, më pëlqeu, thashë t’i bëj edhe unë. Ato çfarë kanë më shumë se ne profesor?
Klasa qeshi, Klementi ca më shumë. Njëri nga djemtë tha se edhe Teuta sikur i ka ndryshuar, po Klementi vuri re se nuk qe e vërtetë.
-Pusho more mistrec, - kërcënoi buzëqeshur, pa hijen më të vogël të pezmit në fytyrën bukuroshe të parruar. Pastaj u bë përnjëherë serioz, vërejti vetullat kaleshe, uli sytë e hirtë mbi regjistër.
Kjo pamje nuk i shkonte hiç.
-Tani që thoni ju fillojmë të pyesim se avullon ora dhe s’kemi kohë të shpjegojmë, ja kështu.
Si mbaroi pushimi i vogël dhe ra zilja e orës tjetër, doli madhështor, dërdëng. Tufa e përhershme e testeve së bashku me regjistrin nën sqetull, ndërsa harta stërgjatë në dorën e djathtë zuri gjysmën e korridorit, pengonte lëvizjen. Dukej si ndonjë maune mallrash mes mësuesve dhe nxënësve që nxitonin sa andej-këtej. Ai vetëm qeshi hijshëm.
Në pushimin e madh u vërtit nëpër sallë, i afërt me të gjithë, i dashur. Krahun e majtë ngritur si paralitik nuk e ulte. Dikush tha se edhe në gjumë mbledhur duhet ta mbante dorën Klementi.
Në takimin për mbylljen e vitit shkollor shkëlqeu. Të gjithë nga një fletë dosido përpara, ai nxorri bllokun e madh të mbledhjeve, stilolapsin, në gatishmëri të mbante shënim me seriozitet solemn. Drejtori ndau formularët e përvitshëm. Sapo filloi të sqaronte përmbajten, Klementi e ndërpreu.
-Zoti drejtor, pasqyra 3/a ka një gabim, në vend të vitit shkollor 2009-2010 shkruhet 2008-2009, e keni vënë re? - ngriti kokën triumfator.
Dikush sugjeroi me djallëzi.
-Që të jesh brenda vere 2007-2008.
Qeshën të gjithë, Klementi jo. Me kompetencë sqaroi se gabime të tilla, vërtet të rastit mund të sjellin pështjellim nëpër zyrat arsimore, ngatërrojnë vitet shkollorë me njëri-tjetrin. Statistikat hidhen në kompjuter. A mund të ndajë kompjuteri vitet e shkruar njëlloj? Në sytë e mëdhenj prej foshnjeje shprehej habi. Si nuk e kuptonin të tjerët rëndësinë e këtij gabimi delikat?
Doemos kishte të drejtë.
Sapo mbaroi mbledhja, iu afrua Maries. Ajo seç bënte me regjistrin.
Maria, mesuesja më e bukur e shkollës, me fytyrë të ftohtë, indiferente shikonte punën e saj. Kullohet mbi regjistër, përpiqet sa mundet po nuk ia del. Në çdo mbledhje kritikohet për korrigjime notash, mungesat, gjeneralitetet. Për shkak të gabimeve  zëvendësoi një faqe regjistri me faqe të pastër nga një tjetër regjistër, po sërish bëri korigjime! Nuk u shpëton dot gabimeve. Klementi e ngacmoi plot dashamirësi.
-Mbete me regjistër në dorë moj e uruar, çfarë i bën, ta marrim vesh edhe ne, - buçiti më gurgullimat e zërit të qashtër.
Maria u përgjigj ashpër pa ngritur kokën nga regjistri.
-Ia ke ngenë ti, - dhe vazhdoi punën.
Klementi u përkul të shikonte hollësisht, po ajo mbylli regjistrin. Nuk e duronte erën e tij prej urithi sapodalë nga nëntoka. Lahet ndonjëherë ky njeri thoshte shpesh. Maria u largua nga salla, ndoshta në banjë, duke lënë pas aromën e këndshme femërore. Fustani i modës së fundit, ngjitur pas trupit nxirrte në pah gjoksin e ndërkryer dhe rrumbullakësinë e kofshëve të ngjeshura. Burrat e ndoqën me sy. Shoqet e ngushta thonë se ka qeskën e urinës të vogël. Sigurisht kanë zili freskinë e saj.
Kureshtar prej natyre, Klementi ngatërrohej nëpër këmbë si punë bullari, nuk shqitej lehtë. S’mund të duronte vetminë midis njerëzve. Si shkoi huq Maria, u krodh plot kërshëri në hullinë e ëndshme të futbollit me mësuesit e fizkulturës. Ata rrinë gjithnjë nga fundi i sallës me topa nëpër këmbë.
-Po mirë o si na e bëri Interi dje ë? Gjermani shmangu katër lojtarë, bëri gol, ja kështu që thua ti Namik. E ndoqe apo jo?
Namiku nuk pati thënë ndonjë gjë deri atëhere. Shikoi i bezdisur Klementin.
-Sulmuesi qe në pozicion jashtë loje, një pëllëmbë përpara topit, arbitri nuk e pa. Më beso mua ndeshje e trukuar, - foli me përgjegjësi.
-E ke gabim që thua ti, - ia priti Klementi, - interist je, e dimë, ama gjer këtu jo. Ja kështu, nuk hahet Interi me Bajernin.
Pastaj shtjelloi gjërë e gjatë lojën me hollësi dhe argumenta të bollshme. Interi nuk bënte përpara nga shkaku i klaneve kundërshtare që nuk e linin trajnerin të përzgjidhte ekipin. Italanët s’qenë në ditët më të mira. Se nga i dinte hollësirat vështirë ta merrje vesh. Namiku u tërhoq, i bëri qefin. Kishte edhe një porosi për Klementin.
-Më duket ke të drejtë, - i tha, - nuk e kam vënë re aq mirë, m’u duk pozicion jashtë loje dhjetshi i Bajernit.
Klementi, përkëdhelur në sedër me pamje ëngjëlli dhe shikoi përreth. Shumica nuk e patën mendjen.
Ra zilja, mësuesit hynë nëpër klasa. Klementi s’dinte ç’të bënte, atë orë s’kishte mësim. Pushimin nuk e duron, e ha përbrenda.
-Kur do të pimë një kafe bashkë, - i tha Namiku.
-Kur të duash ti shpirt, tani po deshe, - ia ktheu Klementi, shend e verë.
Dolën duke biseduar me zë të lartë. Nga larg dallohej figura e mbushur plot gaz e profesorit të gjeografisë.
Dielli ngrohte oborrin e lulëzuar, zogjtë fluturonin nga njëra pemë te tjetra, gjithësia qeshte. Natyra e rilindur nga shirat e verës, cicërimat e shpendëve, gjelbërimi i harlisur e lumturuan Klementin, i sollën kënaqësi të thellë. U gjallërua, zuri të flasë papushim. Në klubin pranë shkollës piu një gotë raki, ndezi cigaren e hollë slims, erdhi e u bë më i gëzuar, rrezatonte hare me të gjitha qelizat e trupit.
-Nuk të kam thënë më parë, tani e mora vesh, - hyri në thelbin e çështjes Namiku. - Si do të bësh me Denis Sançollin, e kam radhë miku.
-Për këtë më thirre? - reagoi plot kënaqësi Klementi dhe fësht nxorri nga nënsqetulla testin. - Shikoje të kam rixha, ja kështu.
Pasi tha këto fjalë, qeshi me të madhe.
Namiku u përpoq të lexonte, po nuk deshifronte shkrimin.
-Të bardhë nuk e ka dorëzuar de! Veri një pesë, mbylle këtë muhabet.
-Ashtu thua ti? Vështro këtu, ballafaqoji, - i zgjati fletën e grisur të librit.
-Ka ndonjë zgjidhje? - dorëzoi armët Namiku.
Klementi e vështroi butësisht i mallëngjyer.
-Ka, si s’ka. Agroni biznesmen, vjen vërdallë ditë për ditë me dru, furrnizon tërë qytetin, ja kështu që thua ti, - dhe nënqeshi plot ëmbëlsi.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...