Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/11/12

Historiani falsifikator Arben Puto

 

PROF.DR.NEXHMEDIN SPAHIU

Se shoqëria shqiptare dhe ajo kosovare nuk janë shkundur nga komunizmi i Enver Hoxhës dhe se historianët falsifikatorë nuk po heqin dorë nga falsifikimi, e dëshmon edhe shkrimi i fundit i akademikut dhe historianit Arben Puto, “Ministri terrorist Xhafer Deva, ja masakra e 1944”, që është reagim ndaj shkrimit tim, “Rexhep Mitrovica e Xhafer Deva”.
Ja falsifikimi i Arben Putos: E zezë në të bardhë
Arben Puto, duke u përpjekur të më paraqesë kontradiktor dhe së këndejmi jo të besueshëm, shkruan: “Autori i shkrimit shton se disa vjet më parë ka qenë në Tiranë dhe ka parë një libër në të cilin Xh. Deva quhej ‘armik, tradhtar e kriminel’. Është çuditur dhe ka pyetur se kush e ka shkruar. Qenka përgjigjur Liri Belishova, e cila paska thënë se ‘sigurisht e ka shkruar dikush nga shokët tanë që ka vuajtur tmerret e E. Hoxhës’. Ky është me siguri mashtrim. Liri Belishova nuk mund të ketë thënë asgjë për t’i dalë në mbrojtje vrasësit të 4 shkurtit, me gjithë vuajtjet që i janë shkaktuar në mënyrë absurde, amorale, nga një shoqëri për të cilën ajo ka dalë maleve vajzë fare e re”.
Lexuesi mund ta vërejë lehtë falsifikimin duke e krahasuar me tekstin tim, të cilit i referohet Arben Puto dhe që i qëndron në shumë ueb-sajtit (http://www.zeri.info/artikulli/3/21/21020/rexhep-mitrovica-dhe-xhafer-deva/rss.php?category=3&subcategory=21):
“Gjatë kohës sa jetoja në Tiranë, 15 vite më parë, bisedoja shpesh me ish-të burgosur politikë. Në fakt, gjithë Shqipëria e asaj kohe ishte përplot ish-të burgosur politikë. Të gjithë ata flisnin zi e më zi për Enver Hoxhën, por për ata ish-të burgosur, që dikur kishin qenë partizanë, e keqja e Enver Hoxhës fillonte më 1945. Para këtij viti për ta ishte shoku Enver që luftoi armiqtë e popullit. Kur përmendej emri i Xhafer Devës ata tërboheshin fare, duke thënë se ka qenë armik, tradhtar e kriminel.
Një ditë mora një libër dhe u lexova një faqe prej tij. I pyeta: a e dini kush e ka shkruar këtë? Zonja Liri Belishova, dikur anëtare e Byrosë Politike, e më vonë e burgosur dhe e internuar, u përgjigj: Këtë, sigurisht, e ka shkruar dikush nga shokët tanë që ka vuajtur tmerret e Enver Hoxhës. Atëherë tregova se pjesa që u lexova ishte pjesë nga artikulli i Xhafer Devës, i shkruar më 1942. Aq mirë e kishte përshkruar Xhafer Deva situatën në të cilën do të ndodhej Shqipëria në rast se do të vinin në pushtet komunistët, saqë asgjë nuk dallonte nga ajo që vërtetë ndodhi më pas”.
Shqipëria e Kosova duhet të lirohen nga enverizmi, si gjermanët nga nazizmi. Meqë, lexues të nderuar, e patë vetë shtrembërimin që Arben Puto i bën artikullit tim ditën për diell, mund ta kuptoni se çfarë masakre i ka bërë historiografisë sonë ky historian, shërbëtor i Enver Hoxhës. Dhe ky akademik është idhull i akademikut Rexhep Qosja dhe i shumicës së historianëve të Prishtinës. Dhe kur këtë falsifikim ma bën mua në kohën e internetit, imagjinoni se çfarë kasaphane ka bërë me figurat madhore të historisë sonë në kohën kur qasja në arkivat dhe dokumentet ka qenë tejet e kufizuar. Ja, këta janë falsifikatorët që na kanë shkruar historinë. Këta njerëz akoma nuk e kanë kuptuar se të falsifikosh historinë është krim ndaj kombit e ndaj njerëzimit.
Por shyqyr Zotit, tani është koha e internetit dhe www.google.com nuk të le të futesh shumë në mëkate.
Jo “Lufta e lavdishme Nacional Çlirimtare”, po Lufta Civile në Shqipëri
Ideja e shkrimit tim ishte pikërisht ajo se komunistët shqiptarë, përkundër vuajtjeve në burgjet e Enverit, nuk kanë përjetuar katarsisin e pritur. Ata akoma mendojnë se para vitit 1945 Enver Hoxha ishte figurë pozitive dhe nuk kuptojnë se rrënjët e tmerrit komunist janë pikërisht te ”Lufta e lavdishme Nacional Çlirimtare”, e cila, në fakt, nuk ishte aspak e lavdishme, por thjesht një luftë civile ku për shkak të rrethanave historike fituan komunistët.
Ata, si injorantë që ishin, nuk mund ta kuptonin Xhafer Devën, i cili i dinte pasojat e ideve komuniste. Madje as përvoja e hidhur nëpër burgjet e Enver Hoxhës nuk i bindi tërësisht. Por kjo nuk do të thotë se brezat e rinj të mos kuptojnë se kush ishte Xhafer Deva dhe kush ishin komunistët. Ta quash Xhafer Devën kriminel duke u thirrur në vrasjet e 4 shkurtit 1944 (Arben Puto thotë 86, por kjo nuk dokumentohet as për 40 veta, sepse një listë prej 86 emrash nuk është publikuar kurrë), përballë afro 10 000 të vrarëve nga regjimi i Enver Hoxhës (plus katastrofave të tjera kombëtare: burgime, internime, censurime etj., etj.) është sikur ta quash NATO-n kriminele për shkak se vrau dhjetëra civilë të pafajshëm serbë gjatë bombardimeve ndërsa po shpëtonte Kosovën nga gjenocidi. Për më tepër që komunistët e vrarë më 4 shkurt 1944 nuk ishin edhe aq të pafajshëm.
Komunistët shqiptarë ishin terroristë
Komunistet shqiptarë ishin terroristë. Nuk mund të jenë terroristët të pafajshëm. A nuk ishte terrorist Vasil Shanto që vrau major Adem Boletinin (djalin e Isa Boletinit) vetëm pse Ademi ishte komandant xhandarmerie në Shkodër? A nuk ishin terroristë ata që në janar 1944 vranë nipin e Xhafer Devës, për të vetmen arsye se ishte nip i Xhafer Devës, edhe pse ai (nipi i Xhafer Devës) nuk merrej fare me politikë?

Kritika e cunguar e ambasadorit Dell

 

NGA ARMAND SHKULLAKU

Deklarat e disa ditëve më parë e ambasadorit amerikan Christopher Dell për papërgjegjshmërinë e klasës politike kosovare, provokoi komente nga më të ndryshmet dhe u vu në krye të lajmeve të ditës. Jo se ishte një lajm i ri apo ndonjë zbulim i papritur; të gjithë këtu e dinë dhe e kanë provuar diçka të tillë. Deklarata e ambasadorit u bë lajm për faktin se u tha pikërisht prej tij dhe u tha në një mënyrë konfuze, pa nxjerrë në dritë thelbin e problemit. Dell tha se politikanët lokalë janë të papërgjegjshëm, por edhe nuk janë, sepse të tillë ata i ka bërë roli i tepruar ekzekutiv i bashkësisë ndërkombëtare. Duke qenë se të huajt kanë qenë aktivë në vendimmarrje, kjo ka bërë që qeveritarët të mos ndiejnë përgjegjësi për veprimet e tyre. Duket sikur Dell e nis kritikën për politikanët e Kosovës, e papritur e tret atë në vitet e qeverisjes së UNMIK-ut. A ka dashur ai vërtet t’i dërgojë ndonjë mesazh të fortë qeverisë për mënyrën se si po drejton vendin? Vështirë të thuhet, pasi edhe vetë Kryeministri Thaçi tha publikisht se nuk ishte ai adresa e kritikave të ambasadorit, duke provuar kështu se edhe nëse ka pasur ndonjë mesazh ai i ka mbetur i pakuptuar. Ndërsa në kritikën ndaj bashkësisë ndërkombëtare, të cilën në disa raste e ka krahasuar edhe me epokën e Millosheviçit, duke iu referuar dështimeve të UNMIK-ut, Dell ka qenë i qartë sa u takon politikanëve lokalë, përveç etiketimit si të papërgjegjshëm, gjithçka tjetër mjegullohet në gjetjen e shkaqeve tek të huajt që kanë administruar Kosovën.
Sigurisht që bashkësia ndërkombëtare ka prodhuar një shkallë të lartë të papërgjegjshmërisë. Modeli i qeverisjes që ofroi UNMIK-u dhe Bashkimi Europian në kuadër të shtyllës së katërt ishte një model i dështuar. Qeverisja e vendit nga autoritete që nuk buronin direkt nga vota e qytetarëve, çoi drejt abuzimit, arrogancës dhe konceptimit të pasurive kombëtare si një mall pa zot. Një shembull dhe praktikë e tillë nuk ha diskutim që, ashtu siç thotë dhe Dell, ka zhvilluar papërgjegjësinë te klasa politike kosovare. E, nëse për këtë të gjithë bien dakord, problemi real nuk qëndron tek origjina e papërgjegjshmërisë që thekson ambasadori, por tek ata që e mbartin sot këtë papërgjegjshmëri në qeverisje dhe tek mënyra se si duhet çrrënjosur ky fenomen. Të flasësh për origjinën do të thotë që në një farë mase të amnistosh mënyrën e papërgjegjshme me të cilën veprohet sot në shumë raste. Kritika e cunguar e ambasadorit Dell e legjitimon modelin qeverisës të klasës politike kosovare. Kjo klasë, relativisht e re, nuk është se nuk ka dashur apo nuk do që të jetë e përgjegjshme përballë interesave të qytetarëve, po qenka bashkësia ndërkombëtare ajo që ia imponon këtë. Me këtë logjikë, qeveria e sotme mund të justifikojë çdo veprim të sajin, madje duke pasur si mbështetje arsyetimin e kryediplomatit amerikan.
Është e vërtetë se në shumë drejtime bashkësia ndërkombëtare ka marrë rol dirigjues duke e shkarkuar nga përgjegjësia qeverinë e Kosovës, por kjo nuk ka të bëjë me papërgjegjshmërinë si kulturë politike që ndeshet në mentalitetin e politikanëve kosovarë. Kjo kulturë politike ndoshta do të ishte adresa më e saktë ku duhet t’i dërgonte kritikat e tij ambasadori Dell. Qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë, ose të paktën nuk u sjell asnjë dobi, të dëgjojnë se kush dhe si i paska bërë të papërgjegjshëm politikanët e zgjedhur prej tyre. Për ta do të kish qenë më e rëndësishme që një autoritet si ambasadori i SHBA, të reagojë sa herë që politikanët e manifestojnë papërgjegjshmërinë ndaj interesave të tyre. Dhe rastet nuk mungojnë. Që nga premtimet elektorale e deri tek devijimi i vullnetit të zgjedhësve, të gjitha janë përgjegjësi të plota të klasës politike kosovare. Duke dashur të shpjegojë arsyet e papërgjegjshmërisë, ambasadori Dell nuk ka bërë gjë tjetër veçse u ka dhënë një arsye më shumë politikanëve këtu për të qenë të tillë.
Në anën tjetër, edhe sikur kjo kritikë të ishte adresuar tamam, ajo vështirë se do të bënte efekt. E thënë nga Christopher Dell se “autoritetet kosovare nuk mund të vendosin nëse dikush nuk i shtyn ta bëjnë këtë”, tingëllon disi me humor. A do të vendosnin ato për të votuar Pacollin nëse në sallë nuk do të ishte vetë ambasadori Dell? Po zonja Jahjaga a do të ishte bërë presidente sikur Thaçi e Mustafa të mos ishin mbyllur për mbi tri orë në Dragodan? Për të mos shtuar këtu qëndrimin e rreptë ndaj kryetarit të Kuvendit që guxoi të refuzojë një kërkesë të EULEX-it apo deklarimet e forta për forca të caktuara politike. Pa dyshim që në të gjitha këto veprime ka qenë interesi i ambasadorit amerikan për të ruajtur stabilitetin dhe ekuilibrat e një shteti që është edhe investim i shtetit të tij, e këtu ai ka vepruar si një diplomat i përgjegjshëm. Por marrja e të tilla përgjegjësive mbi vete, duke mos pasur besim te përfaqësuesit politikë kosovarë, është shfrytëzuar nga këta të fundit për të shkarkuar edhe dhjetëra përgjegjësi të tjera. Nëse ambasadori do ta cekte këtë problem, atëherë do të duhej që fjalimin ta kishte në vetën e parë dhe jo në vetën e tretë. E formuluar ashtu siç e tha ambasadori Dell, kritika se politikanët kosovarë janë të papërgjegjshëm më mirë të mos ishte bërë fare. Ai u dha atyre një mundësi më shumë për të mbuluar paaftësinë e tyre.

Prokurori amerikan Williamson:Akuzat e Dick Martit, shumë serioze.




Prokurori amerikan Williamson përfundoi sot një vizitë tre ditore në Tiranë ku ai u takua me autoritetet e vendit, kryeministrin Sali Berisha, ministrin e Drejtësisë Eduard Halimi, kryeprokuroren Ina Rama dhe drejtorin e policisë Hysni Burgaj.
Ҫështja e trafikut të mundshëm të organeve, mbi të cilën ka patur edhe më parë një hetim nga prokurorja e GJykates se Hagës Carla del Ponte, u rikthye pas debatit që provokoi një raport i anëtarit të Amblesë së Këshillit të Europës Dick Marty, raport i cili u miratua në fillim të këtij viti. “Prokurori Williams vlerëson se ai raport përmban akuza serioze për të cilat nevojitet një hetim i gjerë”, thuhet në një njoftim të zyrës së delegacionit të Bashkimit europian në Tiranë. “Në këtë kontekst, zoti Williamson nënvizoi se ai do të ndjekë provat kudo që të çojnë”, ndërsa “mirëpriti angazhimin e kryeministrit dhe autoriteteve shqiptare për bashkëpunim të plotë në këtë çështje.
Ndonëse akuzat e zotit Marty i kanë vlerësuar si të pathemelta dhe pretendime me synim për të dëmtuar imazhin e shqiptarëve,  autoritetet e Tiranës kanë mbështetur zhvillimin e një hetimi ndërkombëtar që do të mbyllte përfundimisht, sipas tyre, këtë kapitull shpifjesh me sfond politik.(VOA)

“Rasti Kleçka”, të gjithë deklarohen të pafajshëm


Fatmir Limaj duke hyrë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvend, Fatmir Limaj, si dhe nëntë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë përballur të premten me aktakuzën e ngritur nga EULEX-i për krime lufte kundër popullatës civile dhe robërve të luftës, në fshatin Kleçkë.
Fillimisht, në seancë gjykatësi ka lexuar aktakuzat për secilin të akuzuar, përderisa të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Nga dhjetë të akuzuarit, Arben Krasniqit i është hequr nga padia pika 2 e aktakuzës për të. Pala mbrojtëse e Fatmir Limajt, që u përfaqësua nga një avokat ndërkombëtar, ka kërkuar që seanca kryesore për të akuzuarit të shtyhet për në muajin shkurt, pasi sipas tij, dokumentet që përmbajnë akuzën, pala mbrojtëse i ka marrë me vonesë dhe nuk kanë pasur kohë për t’i analizuar.
Avokati Karim Kan ka thënë se kërkesa drejtuar gjykatës në emër të Fatmir Limajt, ka qenë vetëshpjeguese dhe e thjeshtë.
“Dëshmitari kyç në këtë rast ka vdekur. Ne nuk kemi mundësi që ta marrim në pyetje dhe është esenciale që të kërkohen provat bazë. Ky është një individ që ka thënë dhe e ka pranuar vetë se ka qenë në një spital psikiatrik me qëllim që të ketë mbrojtje, pasi që ta ketë vrarë Fatmir Limajn”.
“Ne duam ta shohim evidencën mjekësore, raportin e autopsisë, duam ta shohim se si është kapur, në çfarë kushte duam t’i shohim letrat që ia ka shkruar gruas së tij dhe, po ashtu, edhe ditarin. Ditari është publikuar në Kosovë, në ‘Kohën ditore’, por nuk mjafton për mbrojtjen që të lexojë evidencat nga ajo që raporton një gazetë”, ka thënë Kan, duke shtuar se mbrojtja i kërkon provat në gjykatë.
“Ne duam t’i shohim provat të shkruara nga dëshmitari, i cili nuk është në gjykatë. Dhe, ajo që i kemi thënë gjykatës është se kemi të drejtë nën Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nën nenin 12 të Kodit Penal të Kosovës që të ketë kohë adekuate dhe lehtësira, se nuk ka arsye për t’u ngutur drejt gjykimit, meqë rreziku është shumë i lartë po qe se nuk bëhen hetimet e duhura”, ka theksuar Kan.
Ndryshe, avokati tjetër i Limajt, Tahir Rrecaj, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se sa i takon vdekjes së dëshmitarit kyç në këtë proces, Agim Zogaj, ende nuk kanë ndonjë dokument zyrtar.
“Mbrojtja ende nuk ka marr raportin e autopsisë lidhur me rrethanat dhe arsyet e vdekjes. Nuk kemi ndonjë raport se si ka ndodhur rasti që një dëshmitar i mbrojtur, një top-dëshmitar, të lëvizë lirshëm”, ka thënë Rrecaj, duke ngritur edhe çështjen e mungesës së “shumë provave të tjera” dhe, sipas tij, është e arsyeshme që procesi të shtyhet deri kah fundi i janarit ose në shkurt të vitit të ardhshëm.
Për vendimin e shtyrjes ose jo të gjykimit, trupi gjykues ka thënë se në javën e ardhshme, përkatësisht të hënën, më 14 nëntor, do të bëhet e ditur. Dëshmitari kryesor, Agim Zogaj, i cili deri në vdekjen e tij është njohur si dëshmitari X, është gjetur i vdekur në Gjermani, më 28 shtator të këtij viti.
Ndryshe, zoti Limaj nuk e gëzon më imunitetin e deputetit, pas një interpretimi të Kushtetutës që Gjykata Kushtetuese i bëri më 20 shtator të këtij viti, nëpërmjet të të cilit të gjithë ligjvënësit u zhveshën nga imuniteti që gëzonin deri atëherë.
Fatmir Limaj i cili gjendet në arrest shtëpiak është sjell në gjykatë nga policia.  Krime e luftës kundër popullatës civile dhe robërve të luftës, supozohet të jenë kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit 1999 kundër civilëve serbë dhe shqiptarë, si dhe kundër pjesëtarëve të burgosurve të ushtrisë serbe dhe policëve serbë të mbajtur në një qendër të improvizuar paraburgimi nga UÇK-ja, e cila ndodhej në fshatin Kleçkë.

Blushi sjell Shqipërinë e Lek Dukagjinit, Enverit dhe Mehmetit




Vetëm në Shqipëri një njeri mund të mendonte se mund të zëvendësonte Zotin, se mund të bëhej krijues, të rrafshonte të gjitha dallimet, t’i bënte të gjithë të barabartë “kokëqethur”, ku gratë të mos dalloheshin nga burrat. Vetëm në Shqipëri mund të krijohej “njeriu i ri”. Vetëm në Shqipëri… Po pse vetëm në Shqipëri?! Ndoshta kjo ishte pyetja që e shtyu Ben Blushin të shihte brenda vetes dhe tej përtej bashkëkombësve të vet, për të zbuluar misterin dhe… të shkruante një tjetër roman të titulluar thjesht “Shqipëria”. Dje, në ambientet e “Sheraton”, në praninë e një numri të madh të ftuarish, shkrimtari dhe politikani Ben Blushi promovoi librin e tij më të ri, nën logon e botimeve “Mapo”. Dukej sikur e gjithë selia rozë kishte zbarkuar në “Sheraton” me në krye kryetarin e saj, Edi Rama. Shumë pak të djathtë, ndërsa nuk mbeti pa rënë në sy edhe prania e kryetarit të LSI-së, Ilir Meta. Sigurisht nuk mund të mungonin në këtë ngjarje analistë e gazetarë, por edhe shumë të njohur të Blushit. Pas një mirëseardhjeje të botuesit Henri Çili, i cili do të vlerësonte penën e Blushit, vlerësimeve të shkrimtares Diana Çuli, vetë Blushi ndau me të pranishmit ndjesinë e çlirimit pas daljes së librit në qarkullim. Por, në një farë mënyre ishte edhe një lloj parathënieje e munguar e librit, ku ai shpjegon se përse i lindi nevoja për ta shkruar këtë roman, i cili ende pa u lexuar po bën që njerëzit të flasin për të. “Ky
Blushi e Meta dje gjatë promovimit
libër nuk i jep askujt asnjë këshillë. Ai është një lexim për të tjerët dhe një kalim për mua. “Shqipëria” është një përpjekje për të njohur veten dhe të ngjashmit e mi, me të cilët ndaj të njëjtin vend, që quhet Shqipëri”, tha Blushi, i cili gjithashtu nxiton të sqarojë se nuk bëhet fjalë për një libër historik. Më tej, një gotë dhe shumë autografe, të cilat Blushi nuk preferoi t’i jepte siç ndodh rëndom, ulur në tavolinë e me radha të gjata, por bashkë me një shtrëngim duarsh me miqtë, të hidhte dhe një firmë në romanin e tij të tretë. Pas “Të jetosh në ishull” dhe “Otello, arapi i Vlorës”, të kthyera në fenomene letrare, por dhe shitjesh, “Shqipëria” vjen në të njëjtën hulli metaforike e simbolike, por ndoshta edhe më fuqishëm se më parë. Nëse në librat e parë luajti me emra si Komnenët apo Ali Pashën, apo me heronjtë tragjikë shekspirianë, Otello e Desdemona, në këtë roman ai luan jo vetëm me emrin e hartuesit të Kanunit, Lek Dukagjinit, por edhe me emra personazhesh, si Enveri, Mehmeti, tek të cilët ndonëse të zhvendosur në një kontekst tërësisht fiksional, lexuesi mund të lexojë e shquajë tipare të njohura. Në atë ishull-shtet, të krijuar nga Lek Dukagjini “që nuk kishte prona, nuk kishte para, nuk kishte familje, nuk kishte dashuri, prandaj nuk kishte vrasje, vjedhje, varfëri, tradhti dhe mërzi”, lexuesi shquan Shqipërinë totalitare, ëndrrën komuniste të barazisë dhe të “lugës së florinjtë”, të rrafshimit të vlerave, të transformimit të njerëzve robotë e të bindur, të burrërimit të grave, të servilizmit… Por jo vetëm të
Edi Rama dje gjatë promovimit të librit
socializmit, por edhe litarin që “i varuri” la pas në sistemin e ngritur, me shpresën që të ishte i ri, por në xhaketa të vjetra. Jo më kot libri i Blushit, që në daljen e tij është quajtur një “befasi letrare”. Por, më së shumti karakteristikë e librave të Blushit është provokimi. Një libër i tij nuk mund të shijohet thjesht dhe vetëm estetikisht. Ai të trondit me guximin për të thyer të gjitha limitet kohore e historike. Ai i merr mesjetarët e i vendos në ca ishuj imagjinarë të pakohë, ngre diktatorë nga varret dhe i kthen fëmijë, të tjerë i bën kuzhinierë dhe përmes fijesh artistike shpalos tema tronditëse, të cilat lënë shenja të pashlyeshme, që ndryshojnë histori, siç mund të jetë asimilimi, ndryshimi i feve, konformizmi, racizmi apo diktatura. Tema, të cilat gjithnjë kanë hapur debat të gjerë. Dhe as këtë herë, me shumë gjasë debati nuk do të mungojë.
Henri Çili: Blushi na ktheu shijen e të lexuarit
“Ben Blushi është një shkrimtar shumë i mirë, është një shkrimtar mjaft i preferuar dhe mjaft i suksesshëm në treg dhe, përveç kësaj, është një mik i mirë prej kohëve të vjetra”, u shpreh në ceremoninë e prezantimit të librit “Shqipëria”, botuesi Henri Çili. Pas dy botimeve të para me shtëpinë botuese “Toena”, tashmë “Mapo” do të jetë shtëpia botuese e këtij shkrimtari. “Ben Blushi ka krijuar një risi, një surprizë në dekadën e re në botën kulturore dhe letrare në Shqipëri, sepse ka rikthyer një lloj shijeje të të lexuarit të letërsisë, e cila dukej fort e tronditur në këta 20 vjet për shumë arsye. Për arsye të çstrukturimit të shoqërisë shqiptare, për arsye të ndërrimit të kodeve kulturore, për arsye të shumëfishimit të mjeteve të komunikimit dhe për arsyen e madhe, për të cilën gjithë botën e zhvilluar, letërsia është në një lloj lufte me lexuesin, sepse njerëzit kanë sot më shumë mënyra për t’u argëtuar. Në një prani rekord në të gjitha libraritë, të gjitha mediat, në një debat të shumëfishtë, në një diskutueshmëri, e cila fillon që nga simbolika e tij letrare, simbolika shoqërore e sociale apo politike e veprës së tij, Ben Blushi ia ka arritur të kthehet në shkrimtarin korrent më të shitur të letërsisë shqiptare. Ambiciet tona janë për më shumë”, tha Çili.
Diana Çuli: “Shqipëria”, një befasi letrare
Një “befasi letrare” e ka quajtur Diana Çuli librin e ri të Ben Blushit. “Kur ta lexoni, do të shikoni se metafora është krijimi i një Shqipërie utopike ishullore, ku njerëzit, personazhet të kujtojnë emra realë, por gjithmonë mbeten personazhe letrare. Është befasi letrare, sepse në të ndërthuret në mënyrë krijuese dhe të papërsëritshme koncepti i shoqërisë utopike me atë të domosdoshmërisë së ekzistencës së Zotit dhe debatit rreth tij. Rreth përpjekjes së pandërprerë të njeriut për t’i ngjarë kësaj shëmbëlltyre dhe për ta zëvendësuar atë. Deri këtu jemi ende në përmasat universale që letërsia i përdor shpesh dhe që Ben Blushi i ndërton me mjeshtëri mjaft të rrallë. Më pas, universaliteti zbret në gjëra lokale, ku lexuesi dashur pa dashur kërkon veten e tij”, tha Çuli. “Kjo befasi letrare është një pikëpyetje e madhe jona për rrënjët, për origjinën, për kombin, për pse-të, për të shkuarën për të ardhmen, por nuk është histori, nuk ka kurrfarë lidhjeje me historinë për këdo që do ta debatonte në argumente të kësaj natyre. Ka lidhje me krijimin e pastër letrar që trajton tema ekzistenciale, si: dashuria, jeta, vdekja, familja, hapi personal dhe varësia e tyre ndaj sistemeve të ndryshme politike nga individët dhe nga fati i përbashkët”.
“Shqipëria”, për të njohur veten dhe të tjerët
Shumë njerëz më pyesin pse ky libër quhet “Shqipëria”. Unë mund të them atë që di. Ky është një libër për shqiptarët dhe duke qenë një prej tyre, unë dua t’i shpjegoj dhe t’i kuptoj. Të kuptosh shqiptarët, të shpjegosh mënyrën se si janë sjellë përgjatë kohës me veten, me njëri-tjetrin, me të tjerët, me tokën dhe me Zotin, besoj se është një argëtim, në kuptimin artistik të fjalës, është një detyrim, në kuptimin historik dhe është një torturë, në kuptimin politik. Për ata që merren me letërsi, shqiptaret janë një gur për të ndërtuar, për ata që merren me histori, janë një urë për të kuptuar, për ata që merren me politikë, shqiptarët janë një mur për t’u kaluar. Por libri “Shqipëria” nuk është historik, prandaj nuk është detyrë, nuk është politik, prandaj nuk është torturë, ai është letërsi, prandaj është argëtim. Të paktën për mua. Ky libër quhet “Shqipëria”, sepse përpiqet të shpjegojë atë që shqiptarët i kanë bërë vetës. Dhe kudo ku kanë jetuar shqiptarët nuk e kanë trajtuar njëri-tjetrin më keq se në Shqipëri. Dhe kudo ku kanë shkuar nuk e kanë trajtuar një vend tjetër më keq se vendin e tyre, Shqipërinë. Ky libër përshkruan një eksperiment njerëzor. Ai tregon se si shqiptarët i lejuan njërit prej tyre të bëhej Zoti i tyre, duke i ndarë nga Zoti, nga bota, nga prona dhe nga familja. A ka ndodhur kjo në historinë tonë. Kam arsye të them se po, ka ndodhur, megjithëse romani nuk merret as me fakte, as me ngjarje, as me emra, por vetëm me gjurmët e ngjarjeve mbi tokën dhe refleksin e fakteve mbi qiellin tonë. Kjo është Shqipëria që kemi pasur përpara 20 vitesh. E megjithatë, libri “Shqipëria” nuk mbaron para 20 vitesh. Shpresoj që ata që do ta lexojnë do kuptojnë se problemet që ne kemi me veten nuk janë zhdukur dhe se Shqipëria vuan ende nga shqiptarët.
Një gjë tjetër që dua të them shkurt është se Shqipëria nuk përshkruan vetëm fatin e shqiptarëve, prandaj do të thosha se ky është një libër me dy kate. Njerëzit jetojnë në katin e parë, Zoti në të dytin, ndërsa shqiptarët lëvizin nga kati në kat. Ky libër përpiqet të tregojë historinë e një njeriu, i cili një ditë vendosi të zëvendësonte Zotin. Ky njeri ishte shqiptar dhe ndoshta shqiptarët e kanë këtë dëlir, sepse raporti i tyre me Zotin ka qenë shpesh kaotik, disa herë teknik dhe asnjëherë praktik. Ata e kanë pranuar, e kanë mohuar, e kanë vrarë dhe kanë lejuar që Zoti të zëvendësohet nga qenie të tjera. Marrëdhënia e shqiptarëve me Zotin shpjegon disa nga problemet tona. Dhe dua të jem i qartë: Kur flas për Zotin nuk e kam fjalën për një qenie të epërme në kuptimin hyjnor, por për një numër normash dhe rregullash si liria, dashuria, paqja, puna dhe besimi. Ky është Zoti dhe kjo është arsyeja pse është shpikur nga njerëzit, kur ata nuk kishin ligje apo nuk kishin aftësi për të bërë ligje. Duke ia mohuar lirinë, paqen dhe lumturinë njëri-tjetrit në shekuj, shqiptarët kanë mohuar Zotin dhe lirinë që ai lejon. Sepse Zoti, në fund të fundit, është një kod të drejtash dhe detyrash pa të cilat njerëzimi do kishte vuajtur më shumë nga çka vuajtur. Libri “Shqipëria” këtë do të thotë: Zoti mund të zëvendësohet, por jo nga një njeri. Në të kundërt, Zoti mund të zëvendësohet nga çdo njeri, që është Zoti i vetes dhe i askujt tjetër. Por ky libër nuk i jep askujt asnjë këshillë. Ai është një lexim për të tjerët dhe një kalim për mua. “Shqipëria” është një përpjekje për të njohur veten dhe të ngjashmit e mi, me të cilët ndaj të njëjtin vend, që quhet Shqipëri.
ALMA MILE

Blushi: Zoti i krijoi prindërit e tij e pastaj i vrau

 

“Një e vërtetë të hidhur për vetë prindërit, që ju qëllon të lindin një Zot, që më pas t’i ndëshkojë”.
“Zoti në fund të fundit është një kod të drejtash dhe detyrash, pa të cilat njerëzimi do të kishte vuajtur më shumë nga çka vuajtur”. Kështu do të shprehej shkrimtari Ben Blushi gjatë promovimit të romanit të tij të ri, “Shqipëria”. Kur flet për Zotin në librin e tij, ai nuk ka parasysh Atë hyjnorin, por pavarësisht metaforës, të cilën në fakt e përdor më së shumti për të zbërthyer natyrën e shqiptarëve, “loja” me emrin e Zotit nuk ka për të kaluar aq thjesht. Ngjarjet e romanit ndërpriten herë pas here nga disa ndërkallje, të cilat duken si të shkëputura, por gjithsesi në funksion të së tërës. Aty ai hedh ca reflektime mbi Zotin, mbi natyrën e tij dhe mes lexuesve do të ketë nga ata që do të thartojnë fytyrën për guximin e autorit. Zoti i Ben Blushit është i hidhur, u ngjan më shumë perëndive greke, hakmarrëse, me huqe… Nëse një fëmijë do të pyeste si është krijuar Zoti, nga “Shqipëria” ai do të merrte përgjigjen që Zoti i ka krijuar vetë prindërit e tij, ia ka mësuar se si ta ngjizin e ta lindin e më pas i ka zhdukur ata… Në të vërtetë, kështu ndodh me rregullat, me ligjet, që shumë herë u hanë kokat shkruesve të tyre…                                                al.mi
Zoti dhe prindërit e tij
Nëse ka shumë pikëpyetje për Zotin, më e madhja e të gjithave është se si lindi dhe cilët ishin prindërit e tij. Që Zoti ka lindur nga asgjëja, ose më mirë ai ka lindur nga vetë Zoti, kjo është një përgjigje që i jepet çdo fëmije, i cili ka të drejtë të pyesë: Si lindi Zoti? Zoti nuk ka prindër ose të paktën kështu është thënë në të gjitha kohërat. Edhe nëse dikush e ka ditur se cilët janë prindërit e tij, Zoti ka mundur ta zhdukë atë njeri në mënyrë që e vërteta të mos kapërcejë shekujt dhe të mbetet në një varr bashkë me atë që e dinte. Po nga ana tjetër dihet që Zoti është krijuesi i gjithçkaje, që do të thotë se ai është edhe krijuesi i arsyeve se pse lindi dhe prandaj edhe krijues i prindërve të tij. Nëse një fëmijë do të kishte durim dhe do t’i ndiqte këto pyetje njërën pas tjetrës duke pranuar se Zoti ka krijuar prindërit e vet, atëherë kjo do të ishte një ngasje e madhe për të ndier keqardhje për veten dhe për të zilepsur fatin që kanë disa njerëz të tjerë, të cilët i zgjedhin vetë prindërit e tyre. Jo çdo njeri e ka këtë fat, por nëse fëmijëve do t’u njihej e drejta të vendosnin, me siguri që askush nuk do kundërshtonte t’i zgjidhte vetë prindërit. Sepse shumë pak janë ata fëmijë që kanë arsye të jenë të kënaqur me prindërit që u kanë rënë. Natyrisht të gjithë fëmijët do donin t’i kishin prindërit të pasur. Në përcaktimin e kësaj cilësie ata do ishin të gjithë të një mendjeje, për t’u ndarë më pas në cilësitë e tjera që lidhen me trupin, me ngjyrat e flokëve, të syve, me gjatësinë, profesionin dhe moshën. Fëmijët do të donin t’i kishin prindërit e bukur, por ndoshta dikush do zgjidhte që babai të ishte i gjatë dhe me shpatulla të gjera, dikush do donte që mamaja t’i kishte sytë jeshil dhe gjoksin pak të ngritur, dikush do kërkonte që faqet e nënës të ishin të kuqe dhe buzët të mbushura me lëng, dikush do preferonte që babait të ishte i moshuar dhe nëna shumë e re, në mënyrë që ai t’i trashëgonte shumë më shpejt pasuritë e babait, dikush tjetër do donte që babai i tij të ishte mbret, magjistar ose profet apo nëna poete, shenjtore, ose kuzhiniere, dikush tjetër do donte që babai i tij të mos kishte lindur për shembull, në Shqipëri, por në një vend tjetër, ku ka më shumë paqe, më shumë diell, më shumë plazhe dhe hije për t’u çlodhur. Por nga të gjithë fëmijët deri tabu vetëm Zoti e ka pasur këtë fat. E megjithatë, pyetjes se si i ka zgjedhur ai prindërit, askush nuk i është afruar sa duhet. E vetmja përgjigje që të bind, është ajo sipas së cilës Zoti i ka zgjedhur prindërit duke u mësuar më parë se si duhet të bashkohen, çfarë duhet të bëjnë që ai të lindë në qiell dhe jo në tokë, nëse duhet të jetë e diel në mëngjes apo e martë në mbrëmje kur ai të lindë, sa afër duhet të jetë dielli që nga ngrohtësia e tij lëngjet e nënës të thahen më shpejt, çfarë saktësie duhet të kenë lëvizjet e babait ndërsa ai e ndihmon nënën të lindë, në mënyrë që koka e Zotit të mos përplaset pas ndonjë mali, sa herë duhet të ndërrohen stinët para se ai të lindë dhe detaje të tjera të shumta, të cilat i shkojnë për shtat natyrës maniake të Zotit dhe nevojës që lindja e tij të jetë një proces pa gabime. Dhe me siguri kështu duhet të ketë ndodhur, sepse ndryshe, nëse do të tolerohej ndonjë gabim gjatë gjithë asaj ngjizjeje, shtatzënie dhe lindjeje, atëherë Zoti mund të mos ishte ai që njohim, por një qenie me të meta, me cene, me një këmbë më të gjatë se tjetrën, me një stomak të mbushur me vrima ulcere, me një zemër të dobët që rreh pa pushim dhe tronditet edhe kur ngordh një laraskë, me faqe të zverdhura dhe gishta të shtrembër, apo me sy të zgurdulluar dhe miopë, të cilët duhet t’i veshësh me gjyzlykë për të dalluar një luan nga një mace. Këto cene që shoqërojnë lindjen e çdo fëmije, Zoti duhet t’i ketë shmangur gjatë lindjes së vet. Deri këtu gjërat mund të merren me mend. Po më pas? Çfarë ka bërë ai me prindërit? Ku i ka fshehur? Çfarë u ka thënë nëse, të joshur nga bukuria që mund t’u ketë dhënë seksi, ata kanë kërkuar të bëjnë dhe një fëmijë tjetër, një motër apo një vëlla, për të mos e lënë Zotin vetëm në pafundësinë e kohërave. Ndoshta këto kanë ndodhur dhe Zoti ka lejuar që prindërit të bashkohen sërish nën mbikëqyrjen e tij të rreptë dhe mundësisht çdo natë, siç bëjnë zakonisht prindërit e çdo fëmije kur ata i zë gjumi dhe për pasojë, prindërit e tij kanë sjellë në jetë edhe fëmijë të tjerë, me të cilët Zoti ka populluar ato pjesë të botës që nuk i janë dukur të denja për epërsinë e tij. Po më pas? Pra, ku janë prindërit, cilët ishin ata dhe cilët janë vëllezërit dhe motrat e Zotit dhe ku janë ata tani? Përgjigjja që do të vijë është ngushëlluese për çdo fëmijë dhe mund ta qetësojë atë përkohësisht duke e vënë në gjumë, por vetë Zotin ajo do ta linte përjetësisht pa gjumë, nëse ai fle. E po të kërkonim një përgjigje për prindërit e Zotit, ajo mund të ishte e parashikueshme sepse, nëse nuk do ishte e parashikueshme, atëherë do të vinte në dyshim vetë profilin e Zotit si një qenie që pretendon se ka vetëm një qëllim: të ndihmojë njerëzit të përsosen, duke njohur dhe ndryshuar sjelljet e tyre. Pra, mund të thuhet se prindërit e Zotit ishin njerëz të panjohur dhe të krijuar nga vetë Zoti, për t’i dhënë atij mundësi të kuptojë se si veprojnë dy njerëz kur duan të lindin një fëmijë, sepse edhe Zoti ka nevojë të vëzhgojë nga afër se çfarë bëjnë njerëzit, në mënyrë që të njohë më mirë karakterin dhe natyrën e tyre, veset, kufizimet dhe dëshirat, të cilat ai duhet t’i korrigjojë dhe t’i përmirësojë duke i ndëshkuar. Pasi ka këqyrur me hollësi se si bëjnë seks prindërit e tij, me siguri që Zoti është nxirë në fytyrë, sepse kjo gjë i është dukur shumë e ngatërruar, shumë e lodhshme, shumë e shkurtër, shumë e lëngshme, shumë e fëlliqur, shumë e shpeshtë dhe ngjitëse, shumë e paplotë dhe shumë e papërsosur, duke përbërë kështu të vetmin proces njerëzor të cilin mund ta kryesh pa ndihmën e vetë Zotit. Sepse Zoti nuk duhet të ndier mirë kur ka parë që prindërit e tij nuk e kishin fare mendjen tek ai kur flinin me njëri-tjetrin, gjë që nuk ndodhte kur ata hanin bukë, kur dilnin në pazar, kur kishin nevojë për pak diell apo kur shëtisnin nëpër lulishtet e mbushura me gjelbërim. Dhe, për ta shmangur përsëritjen e panevojshme të këtij ushtrimi, ai ndëshkoi si fillim prindërit e tij dhe pastaj gjithë njerëzit. Nëse dikush ka një përgjigje tjetër për fatin e prindërve të Zotit, duhet t’i japë përgjigje pyetjes se përse Zoti, përmes gjithë profetëve të tij, përfshi Muhamedin dhe Krishtin e kufizuan aq shumë seksin e lirë të njerëzve, duke u njohur atyre të drejtën ta bëjnë këtë gjë vetëm për të lindur fëmijë, siç edhe ndodhi me prindërit e tij. Më pas, për të frikësuar gjithë njerëzit, të cilët deri në atë kohë e konsideronin seksin si një gjë të lejuar nga Zoti, ai i ndëshkoi prindërit duke i zhdukur dhe kjo, pavarësisht se tingëllon e pazakonshme dhe mizore, duhet të pranohet si një gjë e zakonshme dhe e logjikshme në rastin e një qenieje, që më pas vrau edhe birin e tij, Jezu Krishtin. Sepse ai që vret fëmijën e vet, nuk ka pse të mos jetë sjellë në të njëjtën mënyrë edhe me prindërit. Kështu pra, duke i shkuar deri në fund logjikës se Zoti ka pasur prindër, mund të thuhet pa ngurrim se ata janë zhdukur dhe kushdo që e di këtë fakt, është zhdukur bashkë me ta, për t’i mësuar botës se fëmijët kanë të drejtë të bëjnë çdo pyetje, por nuk kanë të drejtë të marrin çdo përgjigje, për sa kohë që janë fëmijë. Ata mund të flenë të qetë me bindjen se Zoti ka pasur prindër dhe vetëm kaq. Pjesa që vjen pas, përbën një të vërtetë të hidhur edhe për vetë prindërit e tyre, të cilët do të zhgënjehen nëse u qëllon të lindin një Zot, që më pas t’i ndëshkojë.
BEN BLUSHI

Refleksione mbi librat e politikanëve


 

MENTOR NAZARKO

Ndërsa media të ndryshme botojnë imazhe të radhëve të lexuesve në pritje për të marrë autografet e autorëve politikanë, ka vend për një shikim ndryshe të gazmendit që i karakterizon këto imazhe. Është një shikim jashtëshqiptar, apo një përpjekje për ta parë këtë dukuri të lidhur me politikën e përbotshme. A janë këta libra formë e duhur e komunikimit me publikun, a janë këta libra dëshmi e një vizioni politik të autorëve, dhe sa peshon prirja letrare e dikurshme e autorëve në ligjërimin politik  të tyre apo në cilësinë e të bërit politike prej tyre?  Më në fund, a ka diçka globale në këtë prirje për të shkruar libra, pra diçka që e respektojnë dhe politikanë të tjerë anembanë botës së qytetëruar?
Duhet thënë që në krye të herës se libri i Ramës, “Kurban”, del në një moment kur kreu i opozitës ka ndryshuar mënyrën e komunikimit me publikun. Vendin e konferencave të shtypit e kanë zënë editorialet; vendin e intervistave e kanë zënë cicërimat në Twitter, diçka që ka entuziazmuar disa ekspertë të komunikimit, jo për kryetitujt që prodhon, por për kahjen modernizuese të komunikimit politik që bartin. Ndërkohë, libri në fjalë justifikon gjithashtu një periudhë tërheqjeje relative të Ramës nga jeta publike, që përkoi qoftë me mbylljen e mandateve në Bashki, qoftë dhe me pushimet verore. Sot libri është në treg, njëkohësisht me librin e një tjetër politikani të PS-së, Ben Blushi. Këto dy botime tregojnë kështu njëlloj supremacie të lidershipit të së majtës në shkrimin e librave, përballë lidershipit të së djathtës. Nevojën e këtij konfrontimi në botim librash, në fakt, ma imponoi një shkëmbim i lehtë, por domethënës pikëpamjesh të Blushit autor me Bashën blerës librash, gjatë panairit që po mbahet në Tiranë.
Pra, shumë pikëpyetje apo shumë refleksione mund të ngrihen nëpërmjet këtij shkrimi rreth kësaj dukurie letrare, ekstra politike, apo politike të letrarizuar. Janë pikëpyetje që s’mund të shterohen këtu dhe që mund të shërbejnë si bazë për diskutime të mëtejshme në forume publike.
Libri është një instrument komunikimi të qëndrueshëm me publikun që mbetet gjatë në rafte, diçka që kontraston me nevojën e politikanëve, veçanërisht atyre shqiptarë, për të rimohuar vazhdimisht pozicionet e tyre. Në këtë këndvështrim, Rama ndoshta s’ka pse të ketë frikë të tepruar. Ai ngjan me një politikan që përgjithësisht nuk ka ndryshuar shumë pozicione në raport me Berishën, që ka përzënë, pranuar, ripërzënë dhe ripranuar shumë politikanë, aleatë dhe, për pasojë, ka ndryshuar vazhdimisht pozicionet e veta. Mjafton të shikosh Fiks-in e Top Channel për të konstatuar transformimin e këtij politikani. Në këtë kuptim, pa vënë në diskutim aftësinë apo kulturën e Berishës për të shkruar libra, soliditeti dhe koherenca e tyre do të kontestoheshin rëndë nëse dhe ai do të hynte në garën e shkrimtarëve politikanë.
Reflektimi i dytë në lidhje me librat e fundit të politikanëve të majtë është se ata pasqyrojnë prirjet e tyre të mëhershme apo të konsoliduara letrare. Por a është kjo prani letrarësh diçka me tepri në politikën shqiptare? Këtu nuk i referohem vetëm së majtës, sepse dhe Berisha, megjithëse nuk shkruan libra, është gjithashtu një letrar i munguar. Më ka mbetur në mendje një reportazh i Roland Gjozës për endjet e shpeshta të Sali Berishës, mjek i ri, në oborrin e Lidhjes së Shkrimtarëve, për të përshëndetur të mëdhenjtë e letërsisë. Gjithë ligjërimi i tij politik në mbi 20 vjet, me gjithë inkoherencën në qëndrime, ka, megjithatë, koherencë në metafora dhe krahasime, siç është rasti i përdorimit pa hesap të sipërores absolute, i qëmtimit shumëfishues të epiteteve vulgare për kundërshtarët etj., etj. Kjo këmbëngulje për të mbetur në detin e letrave, diçka e përbashkët e politikanëve dhe më shumë prej gazetarëve kryesorë të vendit, megjithatë kontraston me karrierën politike të udhëheqësve të vendeve fqinje. Shikoni ç’po ndodh në Greqi, i cili, megjithatë, është një vend mesdhetar, dhe punët nuk është se i kanë shkuar mirë. Në krye të vendit, për ta futur atë në hullitë e zgjidhjes së krizës, vjen një fizikan që ka magjistruar për inxhinieri dhe ka doktoruar për ekonomi. Papandreu, Simitis, paraardhësit e tij kishin gjithashtu një përmasë të fortë studimesh ekonomike. Nëse doni të shikoni Italinë, Mario Monti gjithashtu vjen prej ekonomisë dhe president i universitetit “Bocconi”.
Së treti, politikanët që kanë prirje letrare të hershme dhe që nuk i braktisin, kanë përgjithësisht dhe një përmasë të fortë karizmatike. Kjo përmasë themelohet pikërisht edhe përreth metaforave që ata shpikin me lehtësi, pa skrupullin e saktësisë që vjen nga shkencat ekzakte dhe ekonomia, por dhe që i kumtojnë bukur, plot ngjyresa, me shkrim dhe me gojë. Janë metaforat, apo gjuha e figurshme në përgjithësi që qëndrojnë në themel të miteve që ata krijojnë dhe me të cilat topitin, manipulojnë apo orientojnë masat për t’i ndjekur nga pas.
Së katërti, të kesh begraund letrari apo artisti, nuk domethënë se për pasojë nuk di nga arti i qeverisjes, megjithëse përgjithësisht qeveritarët e mirë ndihmohen shumë në zejen e politikës nga kultura që kanë marrë në formimin universitar dhe më pas. Shikoni Havelin; ai ishte dramaturg në karrierë, por ishte një president i ndritshëm i vendit të vet, duke e udhëhequr atë në procese reformash të jashtëzakonshme. Edhe Rama, si artist rebel dhe anarkist vetë është njëlloj përjashtimi. Rama arriti të krijonte në Shqipëri një model qeverisjeje lokale që jehoi dhe jashtë vendit, Bashkia që ai themeloi në Tiranë ishte institucioni i vetëm që funksiononte sipas standardeve normale të një vendi perëndimor. Megjithatë, Rama nuk është provuar në qeverisjen qendrore dhe mënyra autoritare si drejton partinë nuk është shembullore.
Por, me gjithë këto reflektime kundërthënëse, pasojë e botimeve të fundit të politikanëve socialistë, nuk mund të mos shtojmë dhe një reflektim tjetër. Ok, politikanët tanë ish-letrarë, apo letrarë në potencë, apo letrarë të munga, dhe paralelisht letrarë, le të ndjekin prirjet e tyre të mëhershme ekstrapolitike, apo le ta letrarizojnë politikën, qoftë dhe kur shkruajnë një libër politik si “Kurbani”. Por, ama, duhet të flasin përditë për ekonominë, për taksat, për politikën e jashtme, për programet, për krizën. Të gjithë e mbajmë mend sa interesant ngjau Blushi me kostumin e politikanit dhe jo të shkrimtarit ditëve të fundit ndërsa propozoi vendosjen në Kushtetutë të tavanit të borxhit publik. U morën me idenë e tij gazetat, kolegët e tij, të majtë dhe të djathtë. Imagjinoni sa interesant do të dukej sikur të fliste më shumë dhe më shpesh për ekonominë dhe për të tjera instrumente të politikës apo rezultate të saj.
Më në fund, për të ndërruar kahje në objektin e analizës, le t’i referohemi së djathtës. “Unë, i tha Basha Blushit, librat i shkruaj me fushatat zgjedhore dhe populli i vlerëson ato nëpërmjet votës”. Edhe kjo s’ngjan një zgjidhje e drejtë, megjithëse mund ta ketë çuar Bashën në fitore, pa hyrë në detajet prozaike të kolegjeve zgjedhore. “Ne fushatojmë në poetikë, tha ish guvernatori amerikan Mario Kuomo, por duhet të qeverisim në prozë”. Në këtë kuptim, edhe librat e autorëve socialistë ngjajnë si prozë poetike fushateske. Ajo që ne duam, megjithatë, prej autorëve politikano-letrarë, apo e anasjellta, me çdo kusht, është që të qeverisin në prozë dhe në prozë serioze. I njëjti autor, Mario Kuomo, jep një këshillë tjetër në fund të një artikulli të vet: “Nëse kandidatët tanë fushatojnë në poetikë në vend të trajtimeve të detajuara dhe korrekte të politikës dhe më në fund fitojnë, atëherë ata do ta zhysin qeverisjen në kotësi”.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...