Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/01/03

MEDITIM: PARA SHTATORES SË KRYETRIMIT ADEM JASHARI…

image

Nga: MURAT GECAJ

Këto ditë janë festë, në Tiranë dhe në qytete tjerë të Shqipërisë, por edhe më gjerë, në Kosovë e trojet tjera shqiptare dhe në disaporë. Vërej se udhët gumëzhijnë e janë të mbushura plot. Njerëzit lëvizin të qetë, dikush më këmbë dhe të tjerë me makina. Bashkëkombësit tanë, kudo që jetojnë e punojnë, i shprehin ndjenjat dhe mendimet e tyre edhe përmes urimeve. Në ditët e festave, tashmë, ato praktikohen në rrugë e me mjete të ndryshme. Ka nga ata, që e parapëlqejnë të shkojnë fizikisht dhe të takohen me familjarë, kolegë, miq e dashamirë. Disa të tjerë përdorin telefonin e shtëpisë ose celularin,i cili edhe ka oferta të përshtatshme, për ta realizuar një gjë të tillë. Është kjo një praktikë e mirë, që i lidhë, o afron dhe i miqëson njerëzit tanë.
Kaloj nëpër kryeqytetin Tiranë dhe ndalem para shtatores së Hasan Prishtinës, në afërsi të Muzeut Historik Kombëtar. Nuk ka shumë ditë, që u përurua dhe ende ka këtu kurora e buqeta me lule. Njerëz të ndryshëm ndalen e fiksojnë fotografi, që t’i kenë kujtim. Sjell ndërmend, se pikërisht në ditët e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, aty isha bashkë me një grup kolegësh e miqësh, të cilët kishin udhatuar me autobus që nga Suedia, në Kosovë, Vlorë e kthim. Aty bëmë së bashku disa fotografi…





Më tej, udhëtoj nëpër “Rrugën e Durrësit”. Pa shkuar ende te Sheshi “Rilindja” (njihej më parë, “Zogu i Zi”), ndalem  para një shtatoreje të bukur, e cila të fton ta nderosh dhe ta respektosh. Ndoshta, nuk duhet ta shkruaj këtë gjë, por unë nuk e di emrin e autorit të saj. Prandaj i kërkoj atij falje dhe e përgëzoj për punimin e bukur, që ka bërë. Pra, ndiej kënaqësi, kur e shikoj, me atë shprehjen e saj krenare, burrërore e trimërore. Eshtë shtatorja e kryetrimit Adem  Jashari, komandantit legjendar të UÇK-së, para kujtimit dhe veprës të të cilit përulemi të gjithë.


Tiranë: Shtatorja e Adem Jasharit (Foto: M.Gecaj)
 Armët i ka ngjeshur dhe vështrimin e mban larg, drejt Kosovës martire…Ndërkaq, nxjerr aparatin fofografik dhe e shkrepi për disa poza.
Ndërkaq, në kujtesë sjell vizitën, që kam bërë në Kullën e Jasharjve, në Prekaz të Drenicës, në fundvitin 2000. Kam dëgjuar asaj here për sakrificat mbinjerëzore të kësaj familjeje heroike, nga e cila u flijuan mbi 20 veta, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Në shenjë respekti të veçantë për atë trung të rrallë familjar, aty bëra një fofografi me bacën Rifat, vëllain e Adem Jasharit dhe me djalin e tij, Lulëzimin. Unë e di, se ata kanë sa e sa fofografi të tilla, me vizitorë të shumtë. Ndërsa për mua ajo ka mbetur gjithnjë e paharruar dhe e kam fiksuar në disa botime të mijat.
 Por, kur qendroj në heshtje para shtatores së Adem Jasharit, sjell në kujtesë edhe vizitën time disaditore në Kosovë, në korrikun e atij viti. Me bashkëshorten time dhe i shoqëruar nga miku nga Deçani, Qerim Pepshi, bëmë vizita në disa qytete e fshatra.Ishim edhe në Gjakovë e Pejë, Prizren e Prishtinë, në Gllogjan e Novoselë etj. Kudo gjetëm gjurmët e heroizmit masiv të popullit kosovar, në përleshje me pushtuesit gjakatarë serbë. Bëmë një vizitë edhe në shtëpinë e komandantit të UÇK-së, Ramush Haradinaj, ku u takuam me babanë e tij. Por ishim edhe në zonën e Junikut, ku kishte bërë vizitë diplomati i shquar amerikan, Riçard Hollbruk. Kudo na ranë në sy varre, mbuluar me kurora dhe lule të freskëta. Ishin në nderim të atyre, që e dhanë jetën e tyre të re, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Të gjitha ato mbresa unë i përmblodha në librin, “Si e pashë unë Kosovën” (Tiranë, 2000).







Nga e majta: Rifat Jashari, M.Gecaj e Lulëzim Adem Jashari (Prekaz, 12 nëntor 2000)

Ndërsa meditoj për ato, që shkrova më sipër, kujtesa më shkon te gjithë të rënët, në luftërat shumëvjeçare për mbrojtjen e vatanit, të tokës së shenjtë të të parëve tanë. Se vërtet është e natyrshme të festojmë së bashku, por dhe të mos harrojmë sakrificat mbinjerëzore, që na është dashur të bëjmë gjatë historisë, për liri e pavarësi. Se është fakt i njohur, që populli ynë gjithnjë ka qenë paqësor dhe jo sulmues e agresiv ndaj të tjerëve, pra as ndaj fqinjëve tanë. Ndërsa të huajtë na kanë rënë në qafë me pa të drejtë. Me forcë e diplomacy të padrejtë, ata na i kanë copëtuar e marrë nga trungu amtar, disa pjesë të tokave tona dhe, gjoja, me to kanë krijuar “minishtete”. Ndërsa tani atyre u duket e habitshme, kur ne kërkojmë bashkimin e Kombit Shqiptar, ashtu si të gjithë kombet e tjerë, në Ballkan e më gjerë. Sepse ky ishte një ideal i kahershëm i rilindësve tanë dhe platformë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Por edhe e Qeverisë së parë shqiptare, të kryesuar nga Ismail Qemali, me vendimin e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, më 28 Nëntor 1912. Me këtë mendim, në shpirt e në zemër, ranë kryetrimi Adem Jashari dhe pjesëtarët e familjes së nderuar të tij; u flijuan edhe trimat e tjerë të Kosovës, që ajo të ishte e lirë dhe e pavarur.
Historinë tonë të lavdishme, ne e kemi dhe duhet ta kemi kurdoherë në mendje e në zemër. Për atë është shkruar në sa e sa libra, ruhet në muze dhe përjetësohet në lapidarë e shtatore të atdhetarëve e të luftëtarëve tanë, të mendjes e të pushkës. Prandaj, lipset të jemi krenarë dhe t’ua transmetojmë brezave pasardhës, si gjënë më të shenjtë, duke ua treguar luftën, përpjekjet dhe gjakun e derdhur për mbijetesë. Me këto ideale të larta, ne duhet të ecim të bashkuar përpara, duke ruajtur lirinë e pavarësinë, duke e begatuar e përparuar çdo pëllëmbë të tokës amtare shqiptare. Kështu do të hyjmë me ballin lart në Bashkësinë Europiane, të nderuar dhe të respektuar nga shtete aleate e mike, me ShBA në krye.

Ti Kosova ime dielli që më ngroh...



Haxhi Muhaxheri lindi më 04 qershor 1967 në fshatin Kosuriq të Pejës, Republika e Kosovës .
Shkollën fillore e ka kryer në Gllogjan të Pejës, të mesmen në Klinë, ndërsa studimet (letersi dhe gjuhe) i ka vijuar në Univesitetin e Prishtinës.

 Haxhi Muhaxheri ka qenë kryetar i Shoqatës së Letrarëve të Rinj të Kosovës, editor i Shtëpsë Botuese "Pena", kryeredaktorë i të parës revistë erotike "Amori" dhe botues i revistës "Alberos"(erotike). Mepastaj, ka botuar edhe tri revista tjera, si: "Pena"(letrare), "Dëshira"(për familje) dhe "Fanari"(për të rinj) Për mungesë fondi,botimi i këtyre tri revistave është ndërprerë pas daljës së numrit të parë.

Haxhiu ka marrë çmimet e para për poezi në Takimet e Gjeçovit në Zym dhe në Sofra poetike në Drenas. Tash jeton ,vepron dhe krijon në Austri.



UJK MË ËSHTË BËRË VETJA

Përditë zgjohem me mendjen në ty
Shtegun mbuluar e ka bloza e dëshirës
Më përvlon malli
E veten ngushlloj me letra dashurie
Më kot mundohem të mësoj
Kobi je ti që më sillësh vërdallë
A fati im i çalë
Që më shpie drejt çmendisë
Lule ferri je a lule parajse
Bukuri vërbuese
A kumt orësh të liga
Lojtare netesh të humbura
A sëmundje që nuk shërohesh
Pjellë mortore a gjemb durimi
Çelës enigmash a neperkë syri
Si ta kuptoj moj
Më thuaj
Më shanë
Pse me emrin tënd
Pagëzoja yjtë lumenjtë përrallëzat
Pse…
Më qeshen
Për lutjet e mesnatës
E psherëtimat krismë qielli
Për ëndrrat e harlisura
E lotin e buzëqeshur
Për ditet që më iknin
Sy njerëzve të hekurt
Dhëmbet u ranë së qeshuri
E Peruni i Madh
Hiqte valle mbi kockat tona
Ti nuk erdhe e dashur
E në shpirt
Termete shkaktuar më ke
Ti duhej të vije
Bashkë me pranverën
Dhe këngët e të lashtave
Portë e hapur të pret
Dhe karafil i vyshkur
Ne dorën time
Eja e dashur
Eja
Ujk më është bërë vetja

(Prishtine, 1995)

LIRIKË ME PËRDHUNË

Të kujtohet ndajnata
kur në kryqëzim sysh
lexoja biografinë tënde
dhe fjalë e ndryrë në gojë
qëkurthi e ruajtur vetë për ty
që edhe sot mendoj
se kurrë nuk ta thashë vetë
po zëri i brëndisë
ai zë që dëgjohet
vetëm në ligjerim zemrash
Të kujtohen fjalët tua të brishta
dhe bisedat e amullta
kur me plot mund
pushtoja foltoren e bindjes
dhe fillonte kënga e psherëtimave
kënga që aq shumë ia pate frikën
po edhe dashur e ke aq sa unë
dhe pas të gjithave më pate thënë
se tash ke gjetur
princin mbi kalë të bardhë
yllin e dashurisë
E unë tretësha në mendime
sa herë dëgjoja radion
të fliste për atdheun
për dhunën
që u bëhej vëllezërve të mi
dhe i mllefosur të pata pyetur
si të mendoja për yllkën e dashurisë
kur populli vuan për dritën e lirisë
të drejtën e harmonisë kozmike

(Mars, 1991)


GJURMË

Me kohën në hapërim
për të lënë gjurme
në pemën e jetës
Grurisht
duhet kenduar diellit
e legjendave
Me fjalë ndërtoni
ura mbi brigje
ura dashurie
Rrefehuni
në gjuhen
e yjve të baladave
Për të dëshmuar
me emrin
ne gurin e varrit

(RILINDJA, 10.11.1988)

UNË DHE KËNGA*
Do të varrosemi
Kur të na lindin
Të vdekurit
Për të lindur
Kur të vdekurit
Të na varrosin
*Kjo poezi mori çmimin e tretë në manifestimin "Sofra poetike e Drenicës" ne vitin 1995

KUR MË RRËMBEN FJALA

Kur më rëmben fjala
Më vërshojnë gëzimet
Sikur të gjitha të dashurat
Ti kisha pranë
Kur fjala më çalon
Dehem e bëhëm tapë
Si të kisha pirë
Helmin e kësaj bote
Kur më buzëqesh fjala
Diellëzohem lartësohem
Si ti kisha përmbysur
Të gjitha perandoritë.


URATË*

Zotynë
Pranoje Lutjen time
Diell të ketë
Në Mendjen e Durimit
Orëbardhat ta shpejtojnë
Ditën e gëzimit
Lulet e kësaj toke
Ilirisht
Urate le ti këndojnë bashkimit

Nuse e Ujrave
Të na i gëzoj shtëpitë
Circe Jona
Të na i mbëltoj dashuritë
Ëndrrmirat
Të na i zgjedhin Fatitë
Këngët tona
Ti pushtojne lartësitë
Amen

*Kjo poezi mori Çmimin e parë në „Takimet e Gjeçovit“ në Zym, në vitin 1994

POETI
Fle me të gjitha të dashurat
dhe zgjohet bashkë me dritën
Për ta zë frymëzimin e parë
Merr Udhën e Qumshtit
gjuhën e yjve mëson
Ujtë e detit e kalon per vrimë të gjilpërës
për te gjetur
një të vetmen fjalë të pa thënë
për këngën që do lindë
PSE VDIQ POETI
Çdo fjale
vargu a poezie
shpirt i dha nga vetja
Mos pysni
pse vdiq poeti

KUR MË THOSHE…

(Babait)

Më kujtohet kur me thoshe:
-Po s’e zure hapin me kohen,
i rënd do të shkoj moti!
-Më e mirë është një ditë sokol,
se një jetë gogol!
-Dielli huaj verbon,
e shpesh urrehemi nga dashuria!
Më kujtohet kur më thoshe:
-Po u mbështete në diell
s’kan ç’të bëjnë epidemitë!
Plaku im i urtë,
Ç’peshë të kisshte fjala…

LALËS
Rudha e ballit
vrragë kohësh
Fjala
motiv motesh
Hapi i tij
shteg i ri
Unë
bimë e farës së tij

“Rilindja”, 26.04 1987

GURRË E ZJARR

Dashur e kam qëkurthi
kengen e diellit
Gjithmonë ëndërroja
dhe diçka dashuroja
Gurrë që buron jetën gëzimin
zjarr që vret macen e zezë mallkimin
Dashuria ime
gurrë e zjarr

“Rilindja”, 1991

SHENJTOR I LETRAVE TONA

(At Gjeçovit)

Grurisht
Uratë u këndoje fateve të bardha
Përballë stuhish
Polemit i thurje legjendë
Gjeçov
O Ati ynë
Shenjtor i letrave tona
Venecia ende frymon

“Shkendija”, Nr 44, fq.12, 1991

KOSOVËS

Emrin lakuar ta kan ndër shekuj
E keqas pritë të zinin djalli e i biri
Po ti stuhive u bëje ball
Me lutjen për të madhin për bimën dardane
Këngën e mortit shëndrroje në këngë lavdie
Ti Kosova ime dielli që më ngroh

TË PËRBEJ
Të përbej
Në peshë të fjalës
Mos e humb buzëqeshjën
Edhe para dallgëve
Mos i mallko yjet
Për brengat që ke
Mos e lerë të dashurin
Të çmendet në pritje
Mos e thurr këngën
Po nuk pati zë
Mes gurit e tokës
Në peshë të fjalës
Të përbej
Kurorëzoje buzëqeshjen
Për shkatërrim nyjësh
Lidhje fatesh
dhe bulëzim dashurishë
Thëllënze moj
E bukura e dheut

“Flaka e vellazërimit”,E premte,15.11.1991 fq.11

PEMA E MIQËSISË

Frutat i ka te embëla
rritet në të gjitha stinët
nuk ka sëmundje që e zën
farë e saj mbinë çdo ditë
Planetin pushtuar e ka dashuria
Në jetë do vij Njeriu i Ri

LIRIKË ME PËRDHUNË

Të kujtohet ndajnata
kur në kryqëzim sysh
lexoja biografinë tënde
dhe fjalë e ndryrë në gojë
qëkurthi e ruajtur vetë për ty
që edhe sot mendoj
se kurrë nuk ta thashë vetë
po zëri i brëndisë
ai zë që dëgjohet
vetëm në ligjerim zemrash

Të kujtohen fjalët tua të brishta
dhe bisedat e amullta
kur me plot mund
pushtoja foltoren e bindjes
dhe fillonte kënga e psherëtimave
kënga që aq shumë ia pate frikën
po edhe dashur e ke aq sa unë
dhe pas të gjithave më pate thënë
se tash ke gjetur
princin mbi kalë të bardhë
yllin e dashurisë

E unë tretësha në mendime
sa herë dëgjoja radion
të fliste për atdheun
për dhunën
që u bëhej vëllezërve të mi
dhe i mllefosur të pata pyetur
si të mendoja për yllkën e dashurisë
kur populli vuan për dritën e lirisë
të drejtën e harmonisë kozmike

Mars, 1991


LETËRKËMBIM

Mora letrën tënde shkruar me fjalë malli
fjalë zemre për mua yllin e dashurisë sate
dhe si i krisur zura të bisedoja
me fotografinë tënde vendosur mbi tavolinë
dhe mallkoja ditët që pa ty më gdhijnë
Mike
Të ne punët prapë nuk venë mirë
dorë e hekurt
pareshtur mbi kokat tona rëndon lëndon
ushtaret kthehen në arkivole përsëri
e ne presim Çmimin Nobel
për mendjen e durimit

Me vite prita të mësoja
e ende nuk e di
durimi është pjellë e vdekjës
a vdekja pjellë e tij

E di moj
do të thuash durimi ka kufij
po polemi di më mirë se ne të dy
a duhet flijuar a pritur për lirinë

Do më pyesje për ditën e gëzimit
e vështirë është pritja për ty
të bëj benë
nuk do të vonoj shumë
vadja e dasmës së madhe

Gusht, 1991


ATLANDIDA E RE

Urime Veneci shekullin e dhjetë
mbi ujë
kujdes njëzetenjëshin
nuk u besohet më
pellumbave të bardhë
banorëve të parë
në sheshin Santa Maria Sallita
uji po han tokën tuaj
e një ditë do ta përpijë
se bashku me 46 ishujt
dhe Urën e Psherëtimave
qe të krijohet Atlantidë e re
Veneci

1995

Rreth librit “Këpucët e mjegullës” të FATIME KULLIT


NJË PLANET I BANUAR NË ORBITËN SHPIRTËRORE POETIKE

Picture

Pilo Zyba






Ka rrjedha dhe përrenj që mbushin lumënjtë dhe humbasin në detin e thellë të kulturës, por ka dhe burime këngësh që krijojnë një lumë krijimtarie që i mbetet kohës. Ai vadit arat e ndjenjave e të mendimit, të dashurisë e të urrejtjes, të asaj pjese të jetës që nuk duket por shprehet, të asaj që nuk preket por që lexohet.Një lumë të tillë, shikon, ndjen, kur lexon krijimtarinë e shkrimtares, poetes dhe publicistes, Fatime Kulli.
Na është bërë zakon, që kur marrim në duart tona libra që shprehin botën intime në faqet e tij, tërhiqemi diku mënjanë , në intimitet, çkopsisim këmishën e bukur të mendimeve dhe shijojmë bukuritë e shprehjes, figurën apo fantazinë.Kështu ndodh edhe me poeten F.Kulli.Ajo me gurët e shkronjave bloqet e vargjeve
dhe godinat e poezive po ngren një arkitekturë të re, moderne dhe me themele të forta.Një arkitekturë me dritare të mëdha për të parë dritën, për të kapur trillet e ngjyrave dhe aromat e luleve që lulëzojnë shpirtin njerëzor.


Libri më i ri i saj “Këpucët e mjegullës” hapet me ciklin “rrënjët e mia”. Ajo i këndon me pathos prejardhjes, dashurisë saj, gjakut dhe gjenezës.Në të vargu është thirrës, kërkues, ose një tingull oshëtimëthellë, një Kambanë për ta dëgjuar shekujt e shurdhuar që ikën, ata që jetojmë dhe ata që vijnë.Ky cikël është pasaporta e identitetit të saj, me të cilën, ajo mburret me të drejtë në aradhën e madhe të letërsisë.Rrënjët e saj janë çelsi i hapjes së 20 dyerv të shtëpive të saj poetike që quhen, libra. Ata hapin derën e madhe të kozmosit të saj poetik.Këtu bie në sy herë një poezi thirrje dhe herë melankolike, e cila kurbohet, ulet apo ngjitet sipas peshës emocionale dhe ndjenjës së hollë që përshkon autoren në çastin e lindjes së fëmijëve, poezi.Po të lexosh poezitë “Gur i konakut” “Pije kulloshtrën e gjinjve të mi” “ Thinjat e tua” etj, kjo kuptohet krejt lehtë. Ja si shprehet ajo:


Eja, o djalë malësie
Pije kulloshtrën e gjinjve të mi!
Janë gjinj dhimbje,
Gjinj të ushqyer me dashurinë e Artës.

“Pije kulloshtrën e gjinjve të mi”


Është gjiri i Rozafës mbetur jashtë murimit, për të pirë fëmija i porsa lindur, të pijë historinë, jetën, për të ecur në rrugën e moshumbjes si komb, si histori, si njeri.Legjenda e “Urës së Artës” është vazhdimësia e legjendës historike të saj, e Rozafës.E legjendës që bën lidhjen e gjakut dhe të identitetit kombëtar.
Më pas , në librin në fjalë, hapet një derë tjetër e cila ka të varur në shpatullat e saj emërtimin e thjeshtë:
“ Beteja mes meje dhe realitetit”. Derë kjo që të con në një botë të ndryshme nga e para, por prap të vështirë në lëvrim dhe pak të pa njohur në thellësinë e lojës dhe larushisë me fjalën dhe përmbajtjen e saj.
Të gjithë ata që hyjnë në shtëpinë mikpritëse të poezisë Kullit shprehen: “Poezia e saj është e brishtë e liriko-erotike deri në palcë, intime deri në qelizat më të thella të ndjeshmërisë njerëzore”. Unë shtroj pyetjen, ku është çudia, ku është e pa qarta, ku është e pabesushmja? Në këtë kohë të vështirë nuk ka më vlerë asgjë më shumë se ndjenja.Fatimja ka zbuluar suksesin e vetëm. Ndërtimet rrëzohen e ndërtohen të reja, sistemet zëvëndësohen, Kozmonoautët vajtën në Mars, në Hënë,çfar prunë? Asgjë!
U zbuluan kontinente, u emëruan kometat, u zbulua Amerika, po kontinenti i madh i botës njerëzore u zbulua? At’herë Fatimja u bë kozmonaute e botës së madhe të shpirit, të qënies njerëzore, të asaj qënie që nuk vdes kurrë.Këtë bën Fatime Kulli.Poetja!Po-etja, etja e saj për të gjetur dhe burimin më të fundit në plantin e pyllnajën më të thellë të ndjenjës, dhe për ta bërë atë publik.
Po cilat janë veçoritë e këtij lumi poetik, sasia e prurjes, kristalizimi, mënyra, forma, ngjyrat, rrjedhshmëria, mesazhi, shtrirja apo këndvështrimi? Të gjitha këto që përmënda janë burime që mbushin shtratin e lumit të saj. Atë lumë që të bën ta duash kur lundron në brëndësi te tij, ta urresh kur të përplas fuqishëm nëpër shpellat e mendimit e të duket se të lodh. Të shlodh e të bën të shijosh shushurimën e rrjedhave, të metaforave peshq që lundrojnë në lumin e krijimit, që godasin me bisht puthjet e hënës mbi sipërfaqen e virgjër të ujit, që fotografojnë gjelbërimin e pemëve dhe brigjeve.Tashmë çdo tingull, një zog që pi ujë në lumin e saj, qoftë edhe një gur i hedhur mbi sipërfaqen e tij që krijon rrathët e mendimit dhe drithërimën e ndjenjës, kthehet në varg , në mbresë, në mendim.



Fatime Kulli është dhe poete dhe fotografe, dhe piktore dhe psikologe, dhe këngëtare e ndjenjës qoftë kjo e vrazhdë apo e brishtë. E di, mengadalë, do shprehet dikush, ulu pak më poshtë!Unë ulem por nuk më lë arti i saj. Ai ka një ndjenjë fluturimi, vegime mëngjesore, zjarre që digjen për të shuar etjen dashurore të ndjenjës së dashurisë. Unë, po, do ulem në tryezën e rrumbullakët të diskutimit për tu bindur për ato që thashë e për të tjera që do të them.Jo se dua të flas, se në kohën tonë flitet shumë por mbeten pak, por t’u bind se në tryezën tonë poetike, poezia nuk është buke e mish për të mbushur stomakun, as gurë për të ndërtuar vila lavdie apo për ti bojatisua ato.Këto nuk kërkon të bëjë poetja në fjalë, dhe ky është suksesi kryesor i penës dhe mendimit të saj.
Në kapakun e librit të saj të fundit “ Këpucët e mjegullës” autorja ka varur një palë këpucë. Qesharake në pamje. Por në të vërtetë, pa mendoni! Të gjithë e njohim Fatimen! Me të drejtë asaj nuk i duhen këpucët.Në livadhet e artit të saj, mes luleve,ajo ecën zbathur për të mos shkelur lulet e ndjenjave, Ajo hapëzon lehtë, të mos dëmtojë ngjyrat e prishi aromat. Më pas poezia e saj zhvishet ashtu si është në të vërtetë, e bukur, e brishtë, spërkatur nga larushia e ngjyrave të diellit të dashurisë dhe fytyra e argjëntë e ndjesisë së hënës, femër.Për të qënë sa më afër ndjenjës, dashurisë, shpirtit, asaj nuk i duhen këpucët por krahët ëngjëllorë, dhe ajo i vesh ato. Që nga ai çast që kthehet në ëngjëll, Ajo nuk jeton me realitetin
por me ndjenjën, përshtypjet, prekjet.Fluturimet duken pak të përmasave egzagjeruese, por duhet të kuptojmë momentin që autorja flet, kur jeton në vullkanin shpirtëror të krijimit, ajo nuk mund të shtiret,
të ndalojë e të zgjedhë fjalë e figura, engjëjt janë vetë ndjenja dhe pafajsia.Ata nuk mendojnë për përshtypjet, dhe as për kornizat që njerzit i kanë krijuar ndjenjave të tyre.
Në një çast tjetër, Fatimja me aparatin e saj poetik fotografik bën me dhjeta shkrepje.Ajo i bën ashtu si i shikon aparati i saj, syri, dhe si i lexon kamera e saj shpirtërore prej poete. Të mbledhura së bashku këto blice, këto flashe poetike, përbëjnë një ekspozitë ku njeriu i futur në ekspozitën e ndjenjës
të krijuar nga Fatimja gjen vetveten të shprehur në mozaik, në moral. Këtu mund të përmënd, “Si qiriri”
“ Adoleshente” “ Testamenti i pritjes” “ Nën gjuhë të pasionit” “ Me qumështin e syrit” etj.Mendoj se kjo ekspozitë poetike mund të ishte një libër më vete, i veçantë nga mënyra, forma dhe mendimi.Në këtë cikël
bie në sy një veçori. Ajo duket se nuk e zgjedh as vargun dhe as temën. Poezinë e nxjerr nga një shkrepje
që del nga qielli i botës së saj, na e bie si moment të ndjesisë të nxjerrë nga bota e frymëzimit.Ajo është e qartë si drita, nuk hallakatet as në hamëndje, as në vargëzim, dhe as bie në moral. Ja një rast :

Derën e shpirtit tim, e di
Për ty asnjëherë s’është mbyllur
Pakëz, vetem, pakëz shtyje
Do prehesh në një mal me mall...

Poezia “ Shtyje pakëz”

Kjo poezi i thotë të gjitha.Është ajo një poezi erotike? Mund të them edhe jo. Ja pse them jo! Kjo poezi më duket se u kushtohet prindërve të mi, fëmijëve të mi, që prisnin deri në të zbardhur të mëngjsit kur kthehesha nga mërgimi. Dera e shpirtit të tyre nuk ishte për ta porta e një malli?Pra shumë prej tyre duken si poezi erotike por shtrirja, qëllimi dhe morali janë të fshehura diku thellë, duhen kërkuar për tu kuptuar e shijuar.
Ndërtimi i konstruktit të poezisë Kullit varet nga pesha, forca e mbresave.E përpirë nga frymëzimi ajo zgjedh formën e shtrirjes së saj, figuracionin, mendon ta bëjë atë vizuale apo temë thelbësore.Këto ndodhin natyrshëm por ne na krijohet përshtypja se autorja lufton e përpiqet në krijimin e saj deri sa të lind;, dhe për tu mbarsur përsëri me një motiv të ri.


Në poezitë klasike të gjata e pa rimë, mendimi rrjedh i lirë e shushuritës i gërshetuar me figuracionin e dëndur, me një mbyllje si titull që të mbetet në kujtesë edhe pasi të kesh mbyllur librin. Për ata që njohin paksa dhe mizikën dhe kohët e saj, vargu krijon një ritmikë të thyer, jo monotone dhe një harmoni shkallzuese e cila ndonse të zbret në shkallinën e fundit nuk ke kuptuar që poezia ka mbaruar. Në përhumbje e sipër kupton veten, ngjarjen, dhe përjetësimin e saj mbi tingullin e ndjenjave, e cila të shton dëshirën përjetimit artistik. Kjo duket te poezitë: “Kam një zemër”, “ Duart e tua” “ Orgazëm Diellore” “ Në kështjellë të trazuar” etj.


Po të vëmë re me kujdes, fjala ëndërr përsëritet në 60% të poezive të saj.Të vjen të mendosh se, në fjalësinë dhe arkitekturën e këngës së saj ka mungesë të leksikologjisë (Fjalëshprehjes, fjalës së shkruar) por më pas kupton që kjo fjalë e futur gjithnjë në të njëjtin tonalitet, është një refren i gjate që të jep të kuptosh veçorinë dhe identitetin e tingullit, zërit dhe këngës së saj.
Një veçori e penës së Kullit është dhe proza poetike, si jemi mësuar ta quajmë. Formë dhe mënyrë kjo që e kam ndeshur shumë edhe te poeti grek Janis Ricos gjatë përkthimit të veprës së tij
shumëdimesionale. Këtu të bën përshtypje një tjetër stil, i lirë me muzikalitet, vështrim i thellë dhe i kujdesshëm i peizazheve, lëvizjeve e mbresave.Talenti i poetit ato që mërr nga ekrani i syrit na i bie në letër të ngritura në art.Të duket se ke hipur mbi një pjano të madhe e në ecje e sipër luan një sinfoni që të zgjon dëshirën me tinguj e harmonishëm. Kjo lloj poezie shikoj të zërë vënd edhe te poetë të tjerë, por që nuk është vëndi për të përmëndur emra, por mendoj, se Kulli e ka më të arrirë në ngjyrë, në formë e më kryesorja në peshën e mendimit që mbart e përcjell te lexuesi.
Me pak fjalë, mendoj se poezia e Kullit, ka ngritur një kullë të veçantë në qytetit e madh poetik.Bota e madhe e ndjenjës së njeriut parë nga këndvështrimi dhe eksplorimi i syrit dhe talentit të saj vlen për tu respektuar.


Librit i bashkangjitet edhe një cikël i përkthyer në anglisht. Dhe kjo një veçori dhe domosdoshmëri për kohën ku jetojmë. Gjuhët e huaja janë bërë pjesë e jetës sonë, dritare për të parë e shijuar më tej.Edhe këtë Fatimja e ka shfrytëzuar në interes të artit të saj.
Kullin nuk e njoh personalisht, por njoh artin e saj. Ai më flet, më shlodh e më frymëzon, pse ta fsheh. Kjo më bën të shikoj anët e vaçanta, ta analizoj e ta bie përpara jush, që ta shijojmë së bashku. Poezia e Kullit është e ndritshme, një planet i vogël, i veçantë në gjithësinë artistike. Mendoj se duhet folur për dritën e tij përpara se të tjerët të qeshin me heshtjen dhe naivitetin tonë.

RRETH VËLLIMIT POETIK TE FATIME KULLIT “KËPUCËT E MJEGULLËS”



ROBERT MARTIKO




Nëse për rrezen e burgosur të dritës në shkëmb është thënë se në krye të mijëvjeçarëve është në gjëndje të transformohet e shndërrohet në diamant, përafërsisht e njëjta gjë mund të thuhet edhe për mendimin poetik i cili shfaqet e paraqitet në jetën e poetit, si një proçes delikat mendimi, shqetësimi e pse jo torture shpirtërore, duke u shndërruar në vargje marramendëse, të bukura, të brishta e delikate. Jo më kot Viktor Hygoi të cilin marr guximin të citoj anonimisht në hyrje të këtij shkrimi, në kulmin e preokupimit shoqëror, poetik e intelektual shpërthente ndaj vetvehtes: “Oh, pour mois!” (“Oh, për mua!”)

image

Do të dëshiroja të shprehja e njëkohësisht nënvizoja admirimin tim të thellë rreth vëllimit poetik “Këpucët e Mjegullës” të poeteshës së talentuar Fatime Kulli me një shprehje të shkrimtarit italian Antonio Tabuki, i cili thotë se nëse filozofia të jep idenë se preokupohet për të gjetur të vërtetën e përfundon në fantazi, arti i gërmave të jep përshtypjen sikur merret me përfytyrimin duke gjetur mënyrën për të shprehur të vërtetën.


Për fat të keq, kjo e vërtetë paraqitet mjaft e hidhur dhe emocionante në vargjet e Fatimesë. Personalisht dalloj të më rrëmbejë e bëjë për vehte qysh në vjershat e para të vëllimit poetik “Këpucët e Mjergullës”. E kam fjalën për ato vargje ku në përngjashmëri me një filmi negativ bardhë e zi shfaqet gradualisht në laboratorin e mendimit bota e torturuar, latente e heroinës së saj, që ka të bëjë me keqtrajtimin shpirtëror të gruas nga ana e personit që ajo dashuron me gjithë forcën e qënies së saj. Bëhet fjalë në këtë rast për një lloj fryme viskoze të kondensuar ose ndonjë lloj bryme helmi me origjinë insektesh hijesh, brumbujsh e gjithfarë instinktesh të gjysëm errësirës të depozituar në trajtë vemjesh të sëmura mbi petale të kuqe e të brishta trëndafili apo krahë të bardhe fluture... Pikërisht në këtë mënyrë i konceptova vjershat e Fatimesë duke ndier të më rrëmbenin e bënin një përshtypje të thellë.


Në lojën e saj poetike dallon pothuajse trajtat e një obsesioni marramendës... dhimbjen e thellë, sedrën e plagosur, krenarinë e vajzës së dashuruar, urrejtjen e brishtë pas lakuriqësisë, të shoqëruara në çdo hap nga përpëlitjet e zemrës së dashuruar drejt monopatit torturues të dilemës: të thyerjes ose mbajtjes të lidhjeve dashurore me individin e tejadhuruar, mizorisht të pakuptueshëm e në një farë mënyre brutal. Gjen për fat të keq në vargjet e vëllimit poetik “Këpucët e Mjergullës” fatin e gruas së veçantë, heroinën tradicionale, romantike... Ose ndryshe fatin erotik të një lloj qënie njerëzore e cila, paralelisht me përparimin e kohërave moderne, shkon dita ditës duke u zhdukur. Mbasi është fakt i pakundërshtueshëm që ky lloj individi i rrallë femëror mbetet mjaft i çuditëshëm e i pakuptuar, madje edhe për të ashtuquajturën botë të civilizuar e moderne, e cila tregon të tërhiqet në ditët e sotëshme më shumë drejt pornografisë e marëdhënieve të një nate: në qark të shkurtër, se sa të vlerësojë ndjenjën e dashurisë së pastër e të sinqertë.


Trajtimi i kësaj teme interesante, rreth zbulimit e daljes në dritë të universit të fshehtë të botës shpirtërore të gruas, mendoj se përbën një model të mirëfilltë e prototip në historinë e poezisë shqiptare. Heroina e veçantë ose gruaja me nerva të holluara e shpirtëririsht e kultivuar e bën tepër tërheqëse poezinë e Fatimesë. Në vëllimin e saj poetik ajo zbulon padashur gjurmë të jetës së mbyllur e deri diku të izoluar si ato që u konstatuan në jetën private të poeteshës amerikane Emily Dikinson, në përpjekje të gjetjes së një ishulli të qetë brenda muzës magjepsëse të poezisë. Te “Këpucët e Mjegullës” jo pak herë shijon të shprehur në vargje përsëritjen e fjalëve të caktuara që godasin parreshtur si gishtrinj të stërvitur në një shtrat tastierash të pafund notash muzikore... të thjeshta, fare të thjeshta në pamje të parë, por mjaft shpërthyese në ironi, sarkazmë e eksklamacion poetik. Nëpërmjet trajtave të zgjedhura poetiko-linguistike shpaloset dëshpërimi, vetmia, sensibiliteti i autores i përjetuar intensivisht me pastërti shpirtërore në një labirint të rafinuar feminiliteti e erotizmi. Gjejmë aty elementet të një ditari prej dhjetra episodesh e këndvështrimesh, mjaft homogjene në vevehte, të kondensuara e kompakte, me gjithë atë pasion dridhërues të denja për artin e magjishëm poetik. Bëhet fjalë në të vërtetë për një psdikodramë marramendëse të larë me lotë të nxehtë e të pastër dashurie.


Padashur lexuesit i lind përshtypja se ka pasur çaste që ditari “Këpucët e Mjegullës” duhet të jetë zhubrosur keq prej duarve të vetë heroinës. Nuk mungon të përfytyrojë se duhet të jetë vërvitur disa herë në ndonjë cep të dhomës së vetmuar për hir të dëshpërimit të një dashurie pa ngushëllim e shpresë. E përsëri, për hir të rezinjacionit shpirtmadh e njëkohësisht gjetjes së një ishulli magjepsës poetik është marrë sërishmi në dorë për tu lexuar. Nuk ka dyshim që bëhet fjalë për zbulimin e universit femëror, madje jo vetëm në lidhje me seksin tjetër por edhe me vetvehten...


Mëndja duhet të na shkojë se ne si lexues nuk kemi zbuluar vetëm botën e brishtë të gruas poete ose shkrimtare, në të cilën dallohet që në pamje të pare, që gjëndet e burgosur brenda natyrës së saj të brishtë, të vetmuar, të huaj, të fyer, të ngrehosur, pasionante e delikate. Mendja nuk duhet të na shkojë as për kushtet sociologjike inferiore të gruas në përgjithësi ndaj seksit të forte. Kryesisht vëllimi poetik duhet të na ndihmojë që nëpërmjet përngjajshmërive sugjestionale të tipareve mashkullore të gjejmë fajtorin… Bëhet fjalë në këtë rast për ndërtimin e një identikiti të pamëshirshëm ku sigurisht pjesa më e madhe e burrave në botë do tu jepej mundësia, të njihnin vetvehten si një qënie e paformuar, sa e pabesë e po aq fëminore… gjithmonë e paaftë për të prodhuar delikatesë... Në një fare mënyre të rishpikë e rikrijojë vetvehten... Si për të gjitha gjërat e bukura, madheshtore e të ndershme të kësaj bote të vendosë dy sy të rinj në shpirt. Në rastin e mësipërm për të njohur veçantitë e partneres apo heroinës së dashuruar në mënyrë romantike e të pazgjidhëshme.


Nuk më mbetet veç të uroj poeteshën Fatime Kulli, suksese të mëtejshme në rrugën e bukur të artit, duke e siguruar nga ana ime se gjendet denjësisht e futur në botën e magjishme të Malit Parnaso, Apollonit e nëndë muzave, ku përherë rrezatuese spikat Eratoja me kurorë prej myrtoje e trëndafilash... si edhe me lirën dhe penën në dorë, si muzë e përherëshme e dashurisë, erotikës, odeve dionisiane e anakreontike...


-----------------------------





Eqrem Basha:“Lakorja e iks-it” si mbyllje e rrethit të iluzioneve

image


                  Faruk Myrtaj





Kur përfundon së lexuari prozat e Eqrem Bashës shijon ndjesinë e të qenit lexues i kënaqur. Madje shtyhesh ca më tej: lexuesi shqiptar nuk se është aq i pa fat, edhe pse mosmarrëveshjet e shkrimtarëve të tij me veten dhe me kolegët, ndonjëherë, i adresohen atij lexuesi, si entitet kombëtar!


Sidosi, s’janë aq të shumtë emrat që ia rrëmbejnë mirënjohjen këtij lexuesi...


Pas romanit “Alpinisti” dhe prozave të përfshira në “Shtëpia e Mallit”, Eqrem Basha si autor elitar vjen sërishmi me romanin “Lakorja e ik’sit”.


Mbase ia vlen të qartësohem fillimisht në raportet, lidhjet, harmoninë, mes autorit elitar dhe lexuesit të tij: a kërkohet elitar edhe lexuesi? A duhet konsideruar apriori elitar, edhe lexuesi i autorit që “s’gatuan për të gjithë”?


Të lexuarit, leximi si akt, është përftesë vetiake e lexuesit: siç lexon dikush, nuk lexon tjetri. Nënteksti, që tashmë jo rrallë tentohet të përfitohet si vlerë disidenteske, do duhej të shpjegohej edhe në këtë mënyrë: një shkrimtar të marrë-ngoje si i afërt me Bllokun, bje fjala, do ta lexoje si të privilegjuar edhe nëse ai i gjori rrekej të aludonte sadopak e sidosi të kundërtën. Por edhe ti, si autor i botuar dhe i promovuar në kohën pa liri fjale (të folur e të shkruar) s’ke si pretendon se mund të kishe edhe nderimin e të burgusurve politikë të po asaj kohe politike. Qoftë edhe thjesht se (ashtu si stili i autorit) lexuesi është jeta e tij, kushtet e formimit të tij, fati dhe rrethanat e jetës. Do ishte jo aq e këndshme që ti të përfitoje edhe prej leximit të tij. Aq më shumë kur lexuesi shqiptar është qytetar i botës.


Vijimshmëria e qëndrimeve, arti i fjalës si kumt lirie pa periodizime politike, maturia në mesazhin e ofruar për lexuesin, duke qenë pohim i integriteti të krijuesit, është njëherësh edhe konsiderim i lexuesit...


Më ndodhi ta lexoj “Lakoren e ik-sit” si prozë të të ikurit ik-s, pse jo, të një emigranti. Heroi s’është vecse një ikës, një emigrant, edhe pse në vend të ikë prej një kordinate gjeografike, sociale apo politike, pra në vend të zhvendoset fizikisht, ikën prej andej në mënyrë tjetër: pushon së komunikuari me këtë botë.


“Ditën që hyra në heshtje...”, këtu duket se nisë subjekti, ngjarja e romanit të mbramë të Eqrem Bashës. Por mos prisni të ketë një të tillë, subject, ngjarje në kuptimin klasik, tradicional. Është fjala për një shkrimtar që përgjigjet për fjalën e shkruar, ndaj mungesa e linjës së veprimit, të ndodhisë romaneske, nuk vjen për shkak mode, as si ikje prej formave. Jo.


Them se është sërish poeti ai që përcakton kushtet për prozatorin.


Rëndomtësia e jetës atje ku bëhet sikur jetohet, prozaizmi i ditëve pa ideale atje ku jetët sakrifikohet në emër të ca idealeve që vetëm jetët njerëzore nuk marrin parasysh, arësyeja për të shkelur në këtë udhë, pikërisht në këtë mënyrë, është krejt “e vjetër”: heroi/rrëfyesi hynë në heshtje ditën e përurimit të një lapidari me rastin e një përvjetori të rëndësishëm!


Protokolli i përurimit/festës, ashtu si i jetës që bëhet endè nga njerëzit, është natyrisht tradicional. Në të vërtetë, pas një varg paralajmërimesh, pas shkurtimesh të frazave, pastaj të fjalëve, më në fund të gojëmbylljes, mbase përgjithnjë, vazhdojnë edhe ca gjeste të tjera të pashmangshme të protagonistit. Ai vetë e vuan këtë inerci...


Të tjerët vazhdojnë të flasin e të bërtasin e të ngjiren, si më parë, madje flasin edhe në emrin tënd, edhe në emër të lirisë tënde për të heshtur...


Ndërkohë lexuesi njihet me mënyrën e hyrjes në heshtje; por sigurisht nuk jepen e shkoqiten shkaqe a sebepe për këtë heshtje. Me mbylljen e gojës, u mbetet të tjerëve të bëjnë analizat. Lexuesi bën ndërhyrjet dhe plotësimet e veta (dhe pikërisht këtu bëhet diferencimi i lexuesit, jo vetëm për librat e Bashës, por të çdokujt tjetër). A ia vlen të flitet? Shumë kush e ka pësuar pikërisht prej së folurës, prej llapjes me të tepër, por edhe prej heshtjes e kanë pësuar, ta marrë dreqi këtë punë! E si bëhet sot, sot kur ta kërkojnë të folurën, “fol/fol.../vetëm fol...”, nuk se bëhet më pak e rrezikshme. Shefat, të çfarëdollojshëm, kërkojnë të dëgjojnë mendimin e atyre poshtë, që ta përcjellin më sipër, dhe ata sipër aty mbahen tek fjalët që brohoriten prej poshtë...jo prej heshtjes...


Nëse kërkon të harrohesh, janë gati të ta plotësojnë dëshirën: madje ta vendosin edhe rrasën tek kryet, dhe po ta pëlqesh, edhe fjalët e lamtumirës t’i ofrojnë, falas...dhe ca gozhdë shërbejnë për mbylljen e përgjithnjëshme...


E megjithatë, të Heshtësh dhe të Jesh, është disi ndryshe.


S’është aq e kollajshme: të heshtesh (prej të tjerëve) është me lehtë se të heshtësh veten...


Duket se Heroi, si krijesë jetëgjatë e Eqrem Bashës, pasi ka provuar “Alpinistin”, ëndërrimtarin e bukurive të rrëpirave dhe majave të acarta, pasi është rropatur si fëmijë, si i ri e si burrë, më në fund, thinjur e pa kuptuar, arrinë tek...vetmija, tek heshtja, tek gojëmbyllja...Fjalët as që ia vlejnë (me përjashtim të fjalëve të shkruara!).


Kalimi, “ura”, prej “Alpinistit” tek “Lakorja e ik-sit” është përvijuar tek prozat nën titullin "Shtëpia e Mallit". Teksa lexoje përfshirjet në këtë botim të “Ide-Artit”, ndjeje duke ndodhur një "metamorfozë totale". Jo si e Kafkes, e njeriut te izoluar, por e atij që tjetërbëhet në lëvizje, në terratisje, në mërgim bje fjala, në tërësi: metamorfoza e pashmangshme e ekstarkomunitarit që i ka ikur vetes së djeshme, dhe nuk di se ç'po ndodh me trupin e botën e tij.


Autori e ka lindur e madhuar, ia ka qëndisur edhe ëndrrën, e pastaj...pastaj krijesa i është tjetërsuar. Heroi ka shkuar drejt dorëzimit në heshtje...


Ajo fraza e gruas, pas një nate humbjeje fizike të heroit, “kujtova se më ike...”, është një ndjesë paralajmëruese trishtake, që në të vërtetë as atëherë nuk ia vë veshin kush. Ashtu si përpjekja dhimbshmërisht naive e ndokujt prej miqve të tij, na thuaj pse, na thuaj çfarë ndodh me heshtjen tënde, që të mblidhemi e të heshtim të gjithë bashkë, nëse duhet...


“Të është bërë pengesë çdo gjë...të është bërë mendja lëmsh...ke vendosur t’i shpjesh të gjitha në dreq të mallkuar dhe të heshtësh...Por nuk është kjo veti e të fortit, e të qëndrueshmit dhe e njeriut me moral. Ti je frikacak, ke drojën në bark...”


Ngaqë ka vendosur të mos flasë, nuk ua refuzon as “trimërinë” as “moralin” e tyre...se nuk ia vlenë...


“Por fol o burrë i dheut se ka kush të dëgjon...”, shpërthen miku i Heshtakut. Por ai mund ta merrte gjegjen edhe prej vetes: pse vallë s’e kam dëgjuar teksa ky shkoi drejt heshtjes?!


“Çdo gjë është e ndalur, nuk ka puls, nuk qarkullon as gjak as limfë. Asgjë nuk matet, nuk lehtësohet, nuk rëndohet...”


As maskat nuk shpëtojnë dot. Por, të lutem, mos pyet cilat janë maskat...

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...