Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/01/17

Nga Visar ZHITI :RIKTHIMET E NËNË TEREZËS, QORTIM QIELLOR DHE FRYMËZIME TOKSORE



 Visar Zhiti 

.........

.....Nënë Tereza mbylli sytë përgjithmonë në Indinë e largët, ndërkohë qenia e saj e shenjtë sikur nuk pranonte të shplodhej, se edhe pas vdekjes ajo ndjehet dhe vepron si e gjallë duke i dhënë porosira botës, të vlefshme, nga ato që i duhen çdo ditë dhe përjetësisë së njerëzimit. Ajo vazhdimint rilind si frymë dashurie dhe duke qenë gruaja më e njohur e planetit, përsëri fama e saj rritet. Nuk është thjesht famë, por shenjtëri. Këto ditë në një anketë botërore, një revistë e madhe prestigjioze në SHBA jepte lajmin se Ajo futej në 100 njerëzit më të shquar të botës në të gjitha kohërat, e katërta pas Krishtit. Ajo ka aftësinë rilindjes kështu.


Dhe vërtet 10 ditë më parë ishte ditëlindja e saj reale dhe ndër shqiptarë sikur plotësohej dëshpërueshëm një nga kredot e saj, kur porosiste që të mos merreshin me të duke e lavdëruar, por të donin njëri-tjetrin siç dinte të donte dhe ajo pa dallim, të krishterë, myslimanë, induiste, etj. Dhe nuk u përkujtua nga ne si duhej, as nga institucionet dhe as nga media, 26 gushti shkoi si ditët e tjera të zakonshme. Por në Maqedoninë ngjitur, ku ata që nuk janë shqiptarë ngjanë si antishqiptarë ndonjëherë, e kujtuan Nënë Terezen, datëlindjen e 102-të të shkupianes së famshme, po kështu dhe India induiste, ku ajo punoi dhe shkriu jetën si një qiri, por dha dritë dhëmbshurie kundër gjithë errësirërave, sa do të largëta, natyrisht dhe të asaj që po davaritej mbi dheun amë. Por përse na ndodh të harrojmë çka nuk duhet harruar? Dihet dhe nuk dyshohet më kurrkund që Nënë Tereza është shqiptare, e ka thënë dhe ajo vetë me plot gojën, madje sa më shumë i rritej fama, aq më shumë e përsëriste, vëren shtypi i huaj, por më rëndësi ka se sa janë shqiptarët të Nënë Terezës, – shtoj unë, – të asaj dashurie qiellore, që kërkon të regullojë punët mbi tokë?
Nuk ka dyshim se Nënë Tereza u duhet shqiptarëve dhe e duan, por ne duhet të mësojmë të duam më mirë, veten dhe të tjerët, dashuri aktive dhe dinjitoze. Institucioni i kujtesës tonë kolektive nuk duhet ta lërë kalemdarin e vet që ta mbulojë pluhuri. Ne jemi ajo që kujtojmë, thotë një poet i madh europian. Por ne jemi dhe ajo që harrojmë, shtoj unë me dëshpërim. Të dijmë ta mbajmë Nënë Terezën. Asaj i mjafton bota, ku natyrisht i dhimbej dhe e donte veçmas dheun e saj. Atyre që u duket ndryshe le të kujtohen se ishte atdheu i saj që nuk ia hapi portat e bunkerta për një gjysmë shekulli, por ne duhet ta kuptojmë se nuk jemi aq të mjaftë pa Nënë Terezën, madje, duke e patur dhe duke e harruar, i krijojmë vetes një bosh të ndjeshëm ndërsa në imazh krijojmë një zbehje të panevojshme para botës. Nënë Tereza jep edhe duke mos qenë, por duhet të dish të marrësh prej saj dhe ne, bashkatdhetarëve të saj, na takon më shumë, me të drejtë.

SHENJTORJA MODERNE

Siç dukej Zoti ndjeu nevojën e përsëdytjes së Krishtit mbi tokë, na pëlqen të mendojmë dhe zgjodhi një grua për barazi. Caktoi një shqiptare, s’dihet për ç’shpërblim ndaj kombit tonë të martirizuar dhe solli kështu në jetë Gonxhen e vogël më 26 Gusht 1910, ndoshta sërisht në kohë apokaliptike, pas të cilave Shqipëria do të ribëhej.
Familja e saj, Bojaxhinjtë, me tradita patriotike, kishin ikur nga Prizreni në Shkup. Thuhet se të parët e saj, më herët, kishin ardhur nga viset e Shkodrës. Mbase është dëshira që Nënë Tereza të jetë nga kudo, nga çdo copë e truallit shqiptar, nga çdo pjesë zemre.
Duke qenë e një atdheu të pushtuar, i parandolli vetes një mision kryqi. Duke parë mjerime, ideoi brenda vetes që jo vetëm t’i dojë të nëpërkëmburit nga fati mbrapshtë, por dhe t’u përkushtohet atyre me përdëllimin më të qashtër kudo në botë.
Në rrugën e shenjtë që do të merrte, nuk e çoi ndonjë kompleks apo mangësi, përkundrazi. Gonxhja ishte e bukur si emri i saj, si fëminia, gjithmonë me libra në dorë apo me mandolinën, merrte pjesë në kor, në grupin e poezisë, të teatrit.
I ati, Kolë Bojaxhiu, ishte themeltar i teatrit të qytetit, të cilin do ta helmonin si veprimtar të çështjes kombëtare. Të mbetur jetimë, fëmijët do t’i rriste dhe edukonte nëna Drande. Ajo, vërtet ajo, ishte e shenjtë, do të thoshte Nënë Tereza, që e frymëzoi në ardhmërinë e saj.
Studioi në Irlandë për t’u bërë misionare, murgeshë. 18 vjeçare vete në Indi, ku dhe diplomohet në Universitetin e Kalkutës dhe do të punojë si mësuese dhe më pas si drejtoreshë e Shkollës Superiore e Bijave të Santa Anës. Zgjedh emrin Tereza në nderim të Terezës së vogël franceze dhe e shkruan emrin si të shenjtores së lavdishme të shekullit XVI, spanjolles Shën Tereza e Aviles dhe mbase vetëndjehej si rimishërim i tyre, sepse ngjante, me njërën nga shtati dhe me tjetrën nga dashuria e pafundme ndaj Krijuesit, në vetëflijimin absolut. Ndoshta në thellësi të qenies kishte dhe Rozafën, motrën e saj mitike të murosur në përjetësi. Plagët do të bëheshin atdheu i saj, nga që plagët që nuk kanë atdhe.

NATA E SHPIRTIT

Ndërkaq Ajo guxoi të futet thellë në atë që quhet “nata e shpirtit” dhe guxoi të tregojë për dyshimin e saj, sepse nuk e deshi dhuratë besimin te Zoti si pjesa më e madhe e njerëzimit që beson, por kërkoi ta zbulojë vetë dhe arriti përndritjen, duke mos u trembur, atje ku të tjerët druhen aq shumë. Nëse do të jem e shenjtë ndonjëherë, do të jem Shenjtore e errësirrës, thoshte Nënë Tereza. Pikërisht meditimi i thellë, stepjet dhe hovi, e bëjnë edhe më të çmuar personalitetin e saj, po aq sa siguria shenjtërore. Dhe kështu gruaja e brishtë, shqiptarja nga Shkupi, i përkushtohet vuajtjes, po ngrinte shtëpi të misionit të saj bamirës, në ndihmë të jetës, kudo nëpër botë, me qindra, si me magji. Do të kishte dashur të ngrinte shtëpi të së mirës edhe atje, në vendet e mbyllura, ende me diktaturë. Po dyert s’hapeshin ashtu si dikur në vendin e saj. Trokiste Ajo nëpër ambasadat e Shqipërisë komuniste, trokiste e trokiste, ashtu si zemra, por nuk i thanë: mirsevjen. Mbështeste mbi kangjella kokën e dëshpëruar. A do ta shihte dot nënën? Motrën? Ishin atje, në Tiranë. Në atdheun e saj, i vetmi në botë zyrtarisht ateist, kishin dënuar dhe Zotin.
Kur perandoria komuniste po binte, e lejuan të vijë. Vuri lule mbi varrin e nënës në Tiranë dhe të motrës Age aty pranë. Ajme, dhe mbi varrin e diktatorit lule! Që i bënin shumë më të pakuptimta ligësitë dhe mizorinë e tij. Ka që besojnë se ajo u thirr për ekzorcizëm, varri i Enverit dridhej dhe duhej larguar qoftëlargu nga ky vend. Dhe ajo erdhi.
Paqe tani dhe mëshirë, amen!
Ajo do t’i gëzohej atdheut që po hapej, që e thirri prapë Zotin, që po ribënte ëndrrën, po kërkonte liri dhe po bëhej pjesë e Europës, po rimëkëmbte mirëqenien. Së pari atë shpirtërore.

* * *

Ka të tjerë që mendojnë se Nënë Tereza është përtej dhe jashtë kulturës shqiptare, pa një traditë paraprirëse. Madje e gjejnë si të pavemëndëshme ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Po ajo, duke qenë shpirt dhe mendje universale, është e pamundur që të mos ketë dhe vendin e saj në atë univers si pjesë të tij. Bota është atdheu i gjithë dhe atdheu është bota e përmbledhur, që janë dhe duhet të jenë në harmoni dhe dashuria e vërtetë nuk është alternativë e njërës apo tjetrës. Vendin tënd mund ta gjesh dhe në vendet e tjera dhe njerëzit e tu i sheh dhe në të tjerë.
Marrëdhëniet e Nënë Terezës me Shqipërinë nuk ka nevojë të trillohen, ato janë një realitet dhëmbshurie. Dhe është kënaqësi të dëshmohen dhe këtu.
Vërtet ka kultura që nxjerrin personalitete të pritshëm, por ka dhe personalitete që prijnë kultura dhe krijojnë traditë, atje ku dukej se nuk ishte. Këta janë gjenitë. E tillë është dhe Nënë Tereza.

Nënë Tereza e fliste shqipen, do të merrte dhe pasaportë shqiptare
Nënë Tereza shqipen e kishte gjuhë familjare dhe e fliste normalisht atë. Mësimin fillor e mori në gjuhën amtare. Këndonte këngë shqip, p.sh., ato të kompozitorit tonë Lorenc Antoni, “Mbi kodrat mbi liqen”, por dhe lexonte poezi të Ndre Mjedës, që do të bëhej poeti i rinisë së saj të parë. Ia jepte vëllai i poetit, Lazër Mjeda, e kishte mësues dhe mik të familjes. I dëshmon biografi i saj më i mirë, don Lush Gjergji nga Kosova.
Pastaj Nënë Tereza do ta vijonte shkollimin në serbo-kroatisht dhe anglishtja do të bëhej gjuha e saj e përditëshme. Por një mbesë e Nënë Terezës në Siçili tregon, se kur vinte halla, pra, Nënë Tereza, apo “kur shkonim ta takonim, ajo me babin flisnin shqip pa ndërprerje”.
- Shumë po vepron Qoftëlargu si në Kosovë si në Shqipëri, – do t’i thoshte fjalë për fjalë Nënë Tereza priftit të arkidioqezës së Shkup-Prizrenit.
Ndërkohë shqiptarët e Amerikës kujtojnë mesha shqip me Nënë Terezën. Lutjet në vetminë e thellë i vinin gjithnjë në gjuhën amtare siç ia kishte mësuar e ëma në fëmijëri. Edhe rrëfimin ritual ashtu e bënte, në shqip përherë. Shtypi i huaj këto ditë po e pohën këtë fakt.
Kurse në ditën kur mori çmimin Nobël, shkroi një lutje shqip për shqiptarët, faksimilja e së cilës është riprodhur shpesh nëpër botime. Edhe në Indi i kërkonte fjalorë të shqipes don Lush Gjergjit, se donte ta fliste mirë e më mirë.
Edhe kur erdhi përsëri në Tiranë, ndërkaq ajo kishte pasaportë shqiptare, diplomatike, në një takim të hapur në Pallatin e Kongreseve, lutjen hyrëse e bëri në shqip bashkë me Presidentin e vendit, zotin Sali Berisha.
Iu afrova dhe unë më pas. Kam përkthyer nga lutjet e Tua, i thashë.
- Mir’ ke ba! – m’u bë se m’u përgjigj. Kaq.
Ndërkaq Nënë Tereza besonte se ëngjëlli i saj udhërrëfyes ishte shqiptar dhe ia kishte dërguar Zoja e Këshillit të Mirë nga Shkodra, kështu dëshmohet.

…një mozaik ndodhish të mrekullueshme me Nënë Terezën:
1. Mbretërve, presidentëve po se po, sundimtarëve, kujdo Nënë Tereza guxon, duke mos e ndjerë si guxim, t’u drejtohej secilit me “ti”. Ajo beson te natyrshmëria, te barazia, vetvetja është e mjaftë. Madje edhe vetë Jezu Krishtit dhe të mrekullon vizioni i saj për të, edhe toksor e i prekshëm, i kudogjendshëm, i zbritshëm nga qiejt në baltë si hero, si burrë, si bashkëshort.
Ja, ç’do t’i thoshte ajo Mbretit të Norvegjisë, Ollavi V, një ditë përpara ceremonisë, kur do t’i jepej çmimi “Nobel” për Paqe më 1979.
- … po sikur të mos vij nesër? – i kishte ai.
- E pse? – ia ktheu Nënë Tereza shkujdesshëm.
- Që të mos jem unë në qendër të vëmendjes, – kishte buzëqeshur Mbreti.
- E ke gabim, në qendër s’jemi as ti, as unë, – e ndërpreu, – por Zoti…
Ndërkaq pas xhamave përflakeshin pishtarë me mijëra, i mbanin ndër duar banorët e Oslos, që dyndeshin drejt hotelit, ku kishte bujtur ajo, Nënë Tereza. Donin ta shihnin.

2. Papa polak Vojtila, ai që do të jepte ndihmesën e madhe në shëmbjen e Murit të Berlinit dhe të perandorisë komuniste, erdhi të vizitojë Shqipërisë e pas diktaturës. Sa zbriti nga avioni, Shenjtëria e Tij ra më gjunjë dhe puthi tokën tonë. Ishte e fundmja. Bashkë me personalitetet me të larta e priste dhe Nënë Tereza. E thamë, kishte dalë si çupa e shtëpisë, e ndjente për detyrë të priste Atin. Dhe pikërisht ky aeroport, që kishte nisur të ndërtohej nga të burgosurit politikë, kundërshtarë të diktaturës, do të merrte emrin “Nënë Tereza”. Duket sikur Ajo vetë do t’u dilte përpara të gjithëve që do të vinin nga bota në vendin tonë e do t’u thosh: urdhëroni! Dhe ëndrra e të burgosurve do të shtrohej si qilimi i mikpritjes. Aty do të vendosej dhe shtatorja e saj e bronztë, e ngjashme me një kryq të gjallë, që bashkon qiellin me tokën…

3. Autori i asaj vepre, skulptori nga Prishtina Luan Mulliqi, tregon se kur do t’ia dhuronin Presidentit të SHBA, Bill Klintonit, statuetën e Nënë Terezës si shenjë mirënjohje për atë akt të madh që ndaluan masakrën në Kosovë e u arrit pavarsia, ai do të thoshte: …ia kisha dhënë fjalën Nënë Terezës, se më kishte thënë “ndihmoje popullin tim.” Dhe ashtu bëmë. Firmosa ndërhyrjen ushtarake të NATO-s… Dhe e vdekur Nënë Terza kishte patur fuqi ta lëviste botën.

4. KANUNI, SHENJTORJA, REGJISORI JAPONEZ, ETJ.

Duket sikur nuk i bashkon asgjë Kanunin e Lekë Dukagjinit, Nënë Terezën dhe regjisorin japonez Shigeki Çiba. Kohë të ndryshme e të largëta, vende të ndryshëm e të largét, misione të ndryshme e të largët. Por të vazhdojmë. “Duke jetuar me Nënë Terezën” titullohet filmi i regjisorit japonez Shigeki Çiba. E xhiroi me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Shenjtores tonë dhe e projektoi si premierë në Shkup më 26 gusht. Qysh në titull kuptohet se humanistja e madhe, Nënë Tereza jonë, është kuptuar më së miri dhe aq larg, në Japoni. Kujtoj se japonezët edhe Kanunin tonë e kanë përkthyer dhe e kanë vlerësuar atë si homerik. Profesor Kazuhiko Yamamoto përveç kësaj ka gjetur ngjashmërira dhe me anitkitetin japonez, kur ne (kupto trashëgimitë akademike nga diktatura) pothuaj kemi bërë të kundërtën me Kanunin tonë, e kemi keqkuptuar, denigruar dhe flakur.

Dua të dal se ka një fill lidhëz e përvijues mes Kanunit monumental të shqiptarëve dhe Nënë Terezës tonë, Zoti, shtëpitë e tij, që i përkushtohen dhe tjetrit, mikut, të duash e të nderosh këdo dhe pastaj veten. Nënë Tereza shtëpitë e Zotit, tempujt e fesë, nuk i donte për t’u mbyllur në to, por të dilte e të vepronte gjithandej, se shtëpi e Zotit ishte kudo. Kështu ajo bëri profesion dashurinë, duhet të jetojmë me këtë profesion, me këtë art, siç thotë Erik Fromi. Dhe regjisori japonez Shigeki Çiba sot, më 5 shtator, do të shfaqë filmin e dytë të tij “Nënë Tereza dhe bota e saj”. E qartë porosia: bota duhet të jetë me Nënë Terezë patjetër, është rregull, Kanun. Lidhjet e pa këputura të Nënë Terezës me botën dhe njerëzimin janë të shumta dhe magjepsëse dhe ka shembuj të tjerë plot. Kur u botua Nënë Tereza në Itali, RAI, para edicionit të lajmeve, lexonte një nga lutjet e saj, deri sa e mbaroi librin, best-seller në shumë vende të botës. Dita e lumturimit të Nënë Terezës është festë zyrtare dhe në Indi. Dashuria e Nënë Terezës është aktive deri në agresivitet të dobishëm. Studiuesi në mërgim, Mërgim Korça, ka gjetur se Padre Pio, Nënë Tereza dhe Baba Rexhepi në Teqenë e Detroit, luteshin për të dashur armikun e tyre. Kjo dashuri ka arritur të bëjë mrekullira, të ndalë dhe luftra siç ka bërë Nënë Terza kur ka ikur në Irak…

5. Mbetet magjia e buzëqeshjes:

Dhe kur shekulli i Nënë Terezës bënte statistikat e prodhimeve, të ushqimeve, makinave, etj., por dhe të armëve dhe krimeve, ajo llogariste buzëqeshjet, luftonte që të shtoheshin. Ky ishte shqetësimi i shtëpive të saj të bamirësisë. Si një sfidante e madhe, ajo u quajt nëpër metropole si “investitore e dashurisë”. Publicitetin e bënte bota, ajo risillte shenjtërinë. Për vite me radhë, teologë, shkencëtarë, sociologë, mjekë, dëshmitarë të ndryshëm nga bota mbushën dosjet me prova të mrekullive të Nënë Terezës, se si ajo u kthente buzëqeshjen dhe atyre që nuk kishin buzëqeshur kurrë, se si i ringjallte kufomat e rrugëve, se si u bë “industrialistja më e madhe e mëshirës”. ndjemë për shenjtore qysh në gjallje, pa pritur të shpallet. Se ajo sikur rivuri në provë gjithçka e cilindo: sa dashuri jep. “Ungjilli i gjallë” e kanë cilësuar, “pena e Zotit”, “specialistja e plagëve të botës”, kurse nderimet për të janë të gjithanshme, nga gjithkund. Tani vendi i saj, Shqipëria, jep çmime dhe dekoron me emrin “Nënë Tereza”. Të tillë e bëri dashuria e tepërt, megjithëse dashuria nuk është e tepërt kurrë. Modeste skajshmërisht, e varfër po aq skajshmërisht, por dinjitoze gjithmonë, Nënë Tereza, Shenjtorja moderne, pa asnjë lloj biznesi, pa shpikur asgjë, pa udhëhequr asnjë vend e, (nëse ka personalitete që futen në histori me dhunë, duke bërë plojë të madhe e dalin prej andej duke i zvarritur statuja), pra, pa zbuluar ligje të fizikës, megjithese rizbulon zjarrin e shpirtit me shkencën e mrekullisë, pa shkruar epopera, veç lutej me mërmërima, duke investuar dhëmbje, Ajo u bë e përbotëshme, u bë vetë botë.

Epilog, qilimi shqiptar i Nënë Terezës:

A e dini që në Katedralen e Shën Palit në Tiranë është qilimi i Nënë Terezës? I vogël, me motive popullore. Po, po, ia dhuruan në një nga vizitat gra bashkatdhetare. E mori me vete në Indi. Dhe lutjet po i bënte mbi të qilim. Donte të prekte Shqipëri, që diç do t’i përcillte patjetër te gjunjët e dobët e do t’i kalonte në gjak, te kockat, në shpirt. Por ajo e kishte Shqipërinë gjithmonë brenda vetes. Motrat e Nënë Terezës e kthyen këtë qilim në atdhe, ia dhuruan arkipeshkvit tonë, imzot Rok Mirditës. Ashtu si në sindonen e famshme, në çarçafin që mbështolli Krishtin, që e vizitojnë me miliona veta dhe shkencëtarët kërkojnë përhitjen e kurorës së përgjakur gjithë gjemba mbi ballin e martirit, plagët, ndryshkun e gozhdëve, në qilimin e Nënë Terezës ne gjejmë vegimin e saj, këmbët e zbathura, ikjen larg për të qenë sa më afër. Fërgëllimi dhe ngrohtësia, të mbetura përgjithmonë aty, mërmërimat e shenjta, i kalojnë dyshemesë së Katedrales, themeleve pastaj, që e shpërndajnë nëpër tokë. Dhe nga të çarat e tokës, mes gurëve apo mes pllakave në bulevard, ashtu siç dalin fijet e barit, do të rindjehen mërmërimat e saj: Ti, kushdo qofsh, duaj më shumë. …prandaj do të doja që nëpër rrugët mbi trotuaret tona të vihen patjetër pllaka: këtu ka ecur Nënë Tereza.

NGA LUTJET E NËNË TEREZËS PËR SHQIPËRINË DHE SHQIPTARËT


NË SHQIPËRI PËR HERË TË PARË

Shqipëria
nuk është ëndërr.
Njerëzit e mi kanë vdekur atje.
Po unë kam marrë Krishtin prej dore
t’ia çoj fisit tim,
të ringremë tempujt e fesë
me misionarët që ishin burgjeve.

Dua të shkoj te nëna ime,
të takoj dhe motrën,
bashkë flenë pranë e pranë
në dy varre
në rrethinë të Tiranës.
Lule të verdha të hedh,
përzier me gjethe dafine,
me gjethe kujtimesh e dhembjeje.
Të përkëdhel gurët
dhe të lutem,
të lutem shqip.

Dua të hap një shtëpi timen,
do vë kryqin
mbi gjakun tim prej shqiptareje…
Më gëzon shtëpia ime,
po të varfërit janë kudo,
në Tiranë, Nju-Jork, Romë,
India nuk është vetëm në Indi.

Gjithkushi është krijuar
për t’u bërë i shenjtë,
që të duam dhe të na duan.
Dashuria e vërtetë
duhet të shkaktojë dhembje.

Me shenjtorë të gjallë
është mbushur bota.

1989 – 1991

E SHKRUAR SHQIP NË DITËN E MARRJES SË ÇMIMIT “NOBEL”

Gjithmonë kam në zemër
popullin tim shqiptar.
Zotin lut shumë,
që Paqja e Tij
të vijë në familjet tona,
në zemra dhe botë.

Lutuni
për fukarenjtë e mi,
për motrat e mia
dhe për mua.
Për ju lutem unë…
Oslo, 10.12.1979

PO ATË DITË, GAZETARËVE:

Me gjak dhe prejardhje jam shqiptare.
Kam dhe nënshtetësinë indiane.
Jam një murgeshë katolike.
Vokacioni im: t’i përkas botës mbarë.
Në zemër: jam tërësisht
Zemër e Krishtit.

NË SHKUP, DIKUR

Befas e lashë qytetin tonë,
befas, por jo verbërisht.
E shenjtë ishte nëna ime,
por nuk donte të më humbte,
u mbyll në dhomë gjithë ditën
dhe në mbrëmjen tjetër më tha:
“Po ta jap lejen, shko.
Vëre dorën mbi dorën e Jezusit
dhe vështro përpara.
Kurrë mos shih pas.

Përpara vetëm!”
Dhe ashtu bëra.
Mirënjohje vështirësive.
Unë nuk të harroj…
Të kam gdhendur
në pëllëmbën e dorës sime.
Të kam thirrur me emër.
Mua më përket.
Më e çmuara e syve të mi.
Të dua.
E bindur jam,
që sa herë themi
Zotynë,
Duart e veta këqyr Zoti.
Të kam gdhendur në pëllëmbën
e duarve të mia
dhe na gjen atje.

PËR SHQIPËRINË TIME

E tronditur jam,
se u trondit gjithë vendi im
i mrekullueshëm.
Më dhemb zemra
për jetët e humbura.
Plagë më hapin
plagët e njerëzve.

I kuptoj andrrallat
kur humbin paratë,
por unë ju përgjërohem:
mos i sillni vuajtje edhe më
njëri-tjetrit!
E di pse s’kemi paqe tani?
Kemi harruar të shohim
tek tjetri vetveten.

Që armët dhe bombat
të jenë të panevojshme,
te fqinji ynë të zbulojmë
Zotin.
Mars, 1997

DUA TË KTHEHEM NË SHQIPËRI

Si shumë po vepron Qoftëlargu në anët tona!
12 shatorre me figura shenjtësh
do të doja të kisha në Shqipëri,
patjetër dhe në Kosovë 12 të tjera,
të luteshin murgeshat e mia
për të larguar të keqen
nga atdheu im.

Dua të kthehem në Shqipëri,
t’u shërbej
më të varfërve të të varfërve
të gjakut tim.

Dhe në nderim
të kujtimit të prindërve dua të kthehem,
pranë tyre të mbyll sytë.

Ta dimë,
secili nga ne është krijuar
për të bërë vepra të mëdha.

27 gusht 1997,pak ditë para vdekjes.



Visar Zhiti, lindur më 2 dhjetor 1952 në Durrës është shkrimtar shqiptar.

isar Zhiti ishte bir i aktorit dhe poetit Hekuran Zhiti (1911-1989). Visar Zhiti u rrit në Lushnjë, ku ai përfundoi shkollën e mesme në vitin 1970. Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër (sot Universiteti Luigj Gurakuqi), ai filloi karrierën e tij të mësimdhënies në qytetin malor verior të Kukësit, duke demonstruar një interes në fillim në vjersha, disa nga të cilat u botuan në revistat letrare.

Në 1973, ai përgatiti për botim një përmbledhje, "Rapsodia e jetës së trëdafilave". Ishte koha e Plenumit të 4-t të KQ të Partisë së Punës (Partia Komuniste)në të cilin diktatori komunist Enver Hoxha filloi një fushatë të egër kundër të rinjve që pëlqenin kulturën perëndimore. Babai i Zhitit kishte patur më parë një konflikt me autoritetet, dhe poeti i ri papritmas u bë një nga viktimat politike të diktaturës për të frikësur intelektualët shqiptarë. Dorëshkrimi i përmbledhjes së tij të përmendur më sipër, që kishte qenë dorëzuar për botim në shtëpinë botuese Naim Frashëri, u konsiderua si një krijim me gabime të rënda ideologjike dhe që nxinte realitetin socialist. Ai u arrestua më datë 8 nëntor, 1979 në Kukës. Mbasi u dënua në një gjyq qesharak në prill të vitit 1980 me trembëdhjetë vjet burg, ai u dërgua në burgun e Tiranës dhe më vonë transferohet në burgun famëkeq të Spaçit. Shumë nga të burgosurit që ishin me të në burg vdiqën nga keqtrajtimet, torturat dhe kequshqyerja ose pësuan çrregullime mendore.

Ai u lirua nga burgu në fillim të vitit 1987 dhe u "lejua" nga pushteti komunist për të punuar në një fabrikë të prodhimit të tullave në Lushnjë. Mbas rënies së diktaturës komuniste në vitin 1991, ai arriti të shkojë në Itali ku punuoi në Milano deri në 1992. Përmes një burse studimi nga Fondacioni Heinrich Boll, Zhiti shkoi në Gjermani në vitin 1993 dhe vitin e ardhshëm shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas kthimit të tij në Shqipëri, ai punoi si gazetar dhe u emërua kreu i ndërmarrjes botuese e cila kishte planifikuar të botonte librin e tij të parë. Ai ka qenë i punësuar më vonë nga shërbimet administrative të parlamentit të ri shqiptar dhe në 1996 u zgjodh vetë në parlament. Mbas Realiteteve të zymta të politikës shqiptare, ai u tërhoq nga politika. Në vitin 1997 ai u emërua atashe kulturor në ambasadën shqiptare në Romë, ku ai qëndroi deri në vitin 1999.

Veprimtaria Krijuese

Libri i tij i parë me poezi, "Kujtesa e ajrit" u botua në Tiranë në vitin 1993, i cili përfshnte disa poezi nga burgu. "Hedh njė kafkë te këmbët tuaja" u botua vitin e ardhshëm. Ky vëllim përmbante të gjitha 100 poezitë të krijuara në burg në mes 1979 dhe 1987, të cilat kishin mbijetuar vetëm në kujtesën e tij. Vëllime të shumta pasuan, dhe ai është i njohur tani si një prej poetëve të mëdhenj shqiptare të shekullit të 20-të. Ai ka shkruar edhe shumë tregime të shkurtëra, të mbledhura në dy vëllime, dhe ka përkthyer në gjuhën shqipe vepra nga Garcia Lorka dhe poeti italian Mario Luzi. Kujtimet e tij nga burgu, "Rrugët e ferrit: burgologji" u botuan në Tiranë në vitin 2001. Në vitin 1991 atij iu dha çmimi italian për poezi "Leopardi d'oro" (Leopardi i artë), dhe në 1997 ai mori çmimin prestigjioz "Ada Negri".


Libra me poezi:

Kujtesa e ajrit (Tiranë: Lidhja e shkrimtarëve, 1993)
Koha e krisur (1993)
Hedh njė kafkë te këmbët tuaja (Tiranë: Shtëpia Botuese Naim Frashëri, 1994)
Mbjellja e vetëtimave (Shkup: Flaka e vëllazërimit, 1994)
Koha e krisur (1993)
Dyert e gjalla (Tiranë: Eurorilindja, 1995)
Kohë e vrarë në sy (Prishtinë: Rilindja, 1997)
Si shkohet në Kosovë (Tiranë: Toena, 2000)
Rruget e ferrit: burgologji(2001)
Ka shkruajtur edhe Pazari I Kepucarit. Përkthyer në Gjuhën Agleze:
Condemned Apple (Molla e dënuar): Poezi të zgjedhura, përkthyer nga Robert Elsie (Los Angeles: Green Integer, 2005).

Etj.

Flori Bruqi


LAJME NGA LUFTA E KOSHARES





Nga Mujë Buçpapaj



ANALOGJI PA SKAJ


Me
Trokëllimë bari të egër

Zgjonin dritaret e katundit
Në mëngjes

Kuajt e mbetur jashtë
Çative


Të liruar nga nata

Plakat e dheut, mbushnin

Shtëpitë me zjarr dhe fjolla

Tymi

Ngrohnin rrobat e vjetra

Sipër frymës së gjallë

Deri në oborrr


Ku kishin ardhur nuse

Hipur mbi kuaj

Të endur nga era

Prej shumë vjetësh

Mbetur në katund



Me hingëllima qiejsh

Prej fushës së ngrënë

Vinin kuajt

Me të zotërit e vdekur përsipër

Për të pajtuar ëndrrën.



Fundi i Tplanit

Ish

Fusha me patkonj

Metali, kopshteve të egra

Të fund Tplanit

Kërcente darja ritmin e

Vajzave të paduruara nga

Thirrja



E drurëve që çonin nën valë

Mallin e shiut në kohë

Të thatë të verës

Rrugës së mbeshtjellë nga deshirat



Shkonte era e fatit

Sipër Gushtit

Për të përcjellë nuset e ndritshme

Rrugës së fushës së vetmuar

Pa vajzat ngelte fusha, e

Krejt Bota



Binte mbi katund nata e

Ëndrrave të shuara

Kuajt e bardhë

Si për zi, në degë të shelgut

Të ngulur

Mbi varre të gjysherve

hingëllinin



Deri pamjes së mbrëmbjes

Ku fshihej

Tufa e fundit e barit

Pa zerin e saj



Ajrit të dendur të fletëve

Humbisnin kopshtet.




LAJME NGA LUFTA E KOSHARES


Vinin në Tropojë

Ushtarët e vrarë në Koshare

Tokës së paqës

Për flokësh ndezur

Shkretëtira e rrafshtë e

Syve të pashuar



Me veshtrim nga atdheu

Rilindnin

Ushtarët e vrarë në frontin e Jugut

Pamjes së Atdheut

Në Koshare të Kosovës



Ushtarët e UÇK

Të gjithë të rënë sipas radhës

Transhesë së dheut të zbuluar

Për rreth qytetit të Gjakovës

Deri

Kodrave të varreve të ngritura

Nën henë plagësh të shuara.



Dikush do të vinte të ngrinte flamurin

Për fat të shaur të njeriut

Deri në mbrëmbje

Kur radha përseritej.


NËN ZINË E KATUNDIT


Nën zinë e katundit
Vit pas viti pret verën mbi fushë
Si lëndë dhimbjesh të plasura
Nëna ime

Sipër kësaj bote, në cep të fshatit

Të lagur nga kënetat


Nën zinë e katundit

Ndez zjarr përjetë

Dhe lëshon mbi fushë bagëtinë

E zotit

Nëna ime

Si muzg i kuqërremtë bote

Fushës së egër të barit.


SHKUPI


Im gjysh me 1910

Solli eren e Alpeve mbi një flamur ere

Me shqiponjë

Të ushtrisë së Bajram Currit

Dhe një hartë të malit përtej

Ballkanit të hirtë.

Në Shkup



Me 1910 gjurmët e sistemit të

Ndarjes ishin me të renda se

Lufta e ardhshme

Kundër Perendorisë Osmane.



Im gjysh me 1910

Rindertoi imagjinatën mbi Shkup

Me një pushkë lënde të thatë

Deri në Artë

Përgjatë Camërisë



Nguli në ajr një britmë kryengritje

Të Atdheut të përcarë

Për njëqind vjetë

Forcë dashurie për rreth së panjohurës

Në robëri



Në Shkup u rindertua imazhi

I ëndërrës.



FEMIJËT E BATHORËS


Prej mengjesit, dalin qytetit

Si pendë zogjsh



Të ardhur nga mali

Me veshtrim të shiut dhe borës

Mbi fushë të thatë të pluhurit të

Periferisë së endur, në diell kodrash

Të fshehta

Të Bathores



Shtepive të duarve prej ëndërre

U vijnë pas pragjet e femijëve të pjekur

Në udhë të kontinentit

Të dyerve të hapura të erës

I japin shpresë kryeqytetit të ajrit

Levizjen e fshehtë të ëndërrës së vështrimit,


Pa muzikë shiu, pa ritëm

Shurdhit të rëndë të shtetit

Femijët e Bathores nisin cigaret për qielli

Shijen e braktisur të kujdesit.



Femijët e Bathores

Në kor drite të northit

U japin rrugëve pamjen e tymit

Dhe të zjarrit të turmës


Dy nga dy

Si pendë zogjsh mësyjnë kryeqytetin

Panairin e erës së thirrjeve



Rikthejnë

Në rrugë shpresën

Femjët e varfërisë tonë.


Pranvera e Alpeve



Pa pamjen e malit

Të celur

Del gjethja

Sa një pëllëmbë

Dushku të egër, skaj fushës



Ikin kuajt me këmbë

Bari të mbirë në pranverë të Alpeve

Pas afshit të mbrembjes deri në valë

Midis fshatit të botës së cative


Në katund të erës sipër

Kopshteve të mbjella me ëndërra

Dhe mollë duarsh

Të nënës time të lutjeve


Mbi botë


Iknin lopët e kuqe

Për dielli të mbirë

Gjethet dhe pylli i barit të hollë të

Lëndëve të jetës së pjerrët



Vajzat e dasmave prisnin vjeshtën

Me lekurë daullesh në dritare

Të diellit të stinës

Së ëndërrës.


SHESHI DEMOKRACIA

Këtu pushon ëndrra jonë e grisur

Prej lirisë së zhveshur të gjërave

Të pasluftës

Nga qyteti civil i kryengritjes

Së vuajtjes

Ai tym pemësh të ngritura për qielli

Dritaresh të ndezura të erës

Këtu prehet ëndrra jonë e përmbysur

Prej lirisë së ndaluar

Për të hyrë

Në botë

Ato duar vajzash të ngritura

Në ajër torturues

Nga perëndimi i gjërave

Të fyera



Do të shkojmë në rrënojë, të ringremë

LIRINË

E letrave të shkruara

Nga fundi i baltës



Kur mundëm gjigandin.


ISH E VOGËL BOTA

Iknin të gjithë prej këtij rruzulli

Të imët

Nën fletë të detit

Të parë.


Ish e vogël bota

Me dy këmbë të blerta të

Dritares së

Ujit

Dhe drurit të lagësht të planetit.



Iknin të gjithë prej arkivolit

Të zi

Të rruzullit.

Prej hartës së

Murit të ngushtë të

Zotit


Që s’kishte mbajtur asnjë premtim



Zotëri,

Ish e vogël bota

Si një kodër fshati

Që mund ta kapërcesh për një natë.

Pa emra dhe varre...




Nga ELIDA BUÇPAPAJ


Na i hëngrën vitet
si konsumojnë
me babëzi
nëpër ahengje perverse
kohën si çamçakiz

Na i hëngrën vitet
lubitë dhe kanibalët
e tranzicionit
ballkanas

Na i hëngrën sekonadat,
minutat,
orët,
ditët
javët,
muajt,
vitet

Na i bënë mish dhe pré
për ujqit,
çakejtë,
kojotat

Na e pinë gjakun
ditë për ditë,
pak e nga pak
me gota vere
me gota shampanje
nëpër orgji
lumpenësh
për të fshehur
shëmtimin e
tejskajshëm
nga përçudnimi i tyre
që nuk e fsheh dot
as errësira
e varreve

Na e harxhuan durimin,
na e bënë leckë,
na e përqeshën, tallën
blasfemuan
si viktimat
që diktatura
pasi i vrau
i groposi nëpër gropa
pa emra dhe varre
duke i lenë edhe sot e kësaj dite
të afërmit
të mbeten në kërkim
të trumbave të eshtrave
të të dashurve të tyre

Na dëbuan nga Atdheu
si Milosheviçi shqiptarët e Kosovës
por dëbimin e pranuam si sfidë
sikur Odiseu i kaloi të gjitha provat
veç që të kthehej në Itakë

Dëbimin e pranuam si luftë e shpallur
si luftëtarë
ndryshe do të ishim viktimat
e rradhës të tranzicionit
makabër
midis mijëra
shqiptarëve të tjerë

Na dëbuan nga Atdheu
sepse ishim luftëtarë të së keqes
së tyre
sepse ne e njihnim
identitetin e tyre
të njollosur
që as deti Adriatik dhe Jon
nuk e lan dot
njollosjen e tyre



ata të armatosur
deri në dhëmbë
me të gjitha mjetet shfarosëse
nga më të sofistikuarat që ka pjellë
fundshekulli XX
dhe fillim shekulli XXI
ne përballë tyre
vetëm me
të vërtetën…

Ata duke e kamufluar
njollosjen e tyre
me pancirë pushteti
e duke i sofistikuar edhe më
skalionët
e mjeteve të
urrejtjes përpirëse
ata
si atavizmat më monstruoze
të tranzicionit dhe
post diktaturës
ne duke u trupëzuar me të vërtetën
duke u bërë shpirt e mish
me të
duke u kapur pas saj
si tek një komardare
shpëtimi
duke ia ngulur thonjtë
për t’i shpëtuar
dallgëve
deri sa të arrijmë tek bregu!

Zvicër, janar 2012

nga Flamur Bucpapaj :Gjakmarrja në vitet 2000 më “mizore” se në Kanune



 Flamur Bucpapaj

Vitet e fundit, sidomos tre muajt e fundit fenomeni i gjakmarrjes eshte bere shume agresiv, sepse pas heqjes sw denimit me vdekje ketij fenomeni iu rrit forca goditese dhe tani eshte bere uragan, si nje tradite e trasheguar nga kanuni i Leke Dukagjinit qe gjaku lahet m e gjak. Ky fenomen dy dekadat e fundit eshte bere nje gje e zakonshme , por tani me i eger dhe me primitive , tani vrasin dhe grate dhe femijet, te cilet dikur nuk i ngacmonin tani i presin pas deres dhe i qellojne.

Ky fenomen ka disa aresye qe riaktivizohet vrullshem pas renjes se komunizmit. Une mendoj se se keto veprime u ndermoren dhe per shkak t e korupsionit ne gjykata, te cilat japin denime te ulta per vrasjet e ndodhura nga persona te rrezikshem dhe jashte cdo normalitei njerzore. Kjo gje ben qe pjestaret e familjes se viktimes se radhes te bierw nw vetegjyqesi.

Shkak i dyte eshte dhe puna e dobet e policise dhe organeve qeveresise te komunes apo te bashkise perkatese te rretheve te caktuara.

Shkaku i tretw i ketij fenomeni eshte dhe shoqeria patriarkale shqiptare qe ikurajon personin e vecante qe te marrw hakun per te afermin e vrare, por nuk duhet te harrojmw se ne qofte se qeveria e rikthen denimin me vdekje ose denim tjeter te perafert.

Ky fenomen zvogelohet ose minimizohet, sepse nese personi qe ka kryer krim ndeshkohet aty merr fund dhe hakmarrja , gjithashtu puna e dobet e mediave shqiptare qe duhet ta godasin kete fenomen qe nw rrenjw nepwrmjet reportazheve dhe emisioneve te shpeshta publicitare ku te shpjegohwet e keqija qe sjell ky fenomen, ku te denohen dhe ate njerwz qe per para nxisin fenomenin e gjakmarrjes.



Gjakmarrja permes shifrave


Gjakmarrja në vitet 2000 më “mizore” se në Kanune.





Në emër të drejtësisë kanunore në njëzet vite janë kryer krime të cilësuara për gjakmarrje por të pabazuara në zgjidhjen e të drejtës kanunore (Kanuni i Lekë Dukagjinit; Kanuni i Skënderbeut; Kanuni i Labërisë). Kështu vrasja e një gruaje për shpagimin e krimit të kryer nga i biri, marrja e gjakut tek fëmijë të parritur, ekzekutimi i një kleriku apo vendimi për gjakmarrje pa pleqësi janë forma që përkojnë me thyerje të rënda edhe të së drejtës sonë të pashkruar që përkon me rregullime të shekujve të mëparshëm. Për shkak të lëvizjeve qytetare, ndërgjegjësimit social, forcimit të rendit dhe sigurisë në vend në vitet 2004 – 2007 ky lloj krimi pati një rënie sipas statistikave zyrtare. Një analizë e Open Data Albania konfirmon se në 2009 numri i krimeve dhe çështjeve penale të gjykuara për gjakmarrje ka pësuar rritje ndërsa ngjarje të 2010-ës dhe fillimit të 2011 shënojnë ashpërsim të formës së ekzekutimit për gjakmarrje.

Ligji Penal në RSh. Kodi Penal në RSh ka 3 nene që parashikojnë krime/vepra penale që lidhen me fenomenin e Gjakmarrjes. Përkatësisht janë Neni 78/2 Vrasje me paramendim për gjakmarrje; Neni 83/a Kanosje serioze për hakmarrje ose për gjakmarrje; Neni 83/b Nxitje për gjakmarrje.

Numri i vrasjeve për gjakmarrje po rritet.



Në total në harkun kohorë 2004 – 2009 janë dhënë nga Gjykatat 117 vendime të formës së prerë për çështje që lidhen me gjakmarrjen dhe janë dënuar 94 autorë.Në gjashte vite çështje gjyqësore për vrasje për gjakmarrje janë 106, ndërsa të dënuar për vrasje për gjakmarrje janë 83 autorë. Viti me më shumë vendime penale për gjakmarrje është viti 2004 me 28 çështje. Viti me më shumë autorë të dënuar për gjakmarrje është vitit 2006 me 22 autorë. Çështjet gjyqësore për gjakmarrje kanë shënuar rënie në harkun kohorë 2004-2008 dhe më pas rritje në vitin 2009-2012.

Vrasje për Gjakmarrje. Sipas Open Data Albania, çështje të proceduara dhe të përfunduara me vendim forme të prerë nga gjykatat për veprën penale vrasje për gjakmarrje neni 78/2 janë si më poshtë:

2004 27 çështje 6 autorë
2005 21 çështje 17 autorë
2006 18 çështje 19 autorë
2007 13 çështje 14 autorë
2008 12 çështje 15 autorë
2009 15 çështje 12 autorë
Totali 106 çështje 83 persona
Në total janë njëqind e gjashtë çështje dhe të dënuar si vrasës për gjakmarrje janë tetëdhjete e tre persona. Viti 2009 ka numër më të lartë çështjesh se dy vitet pararendës 2008 me 13 çështje dhe 2007 me 12 çështje.

Kërcënimi për Gjakmarrje, imponimi për tu ngujuar.



Sipas rregullimeve në Kodin Penal shqiptar, domethënie ka marrë edhe procedimi i personave që kërcënojnë për gjakmarrje, persona përgjegjës për ngujimin e familjeve shqiptare. Numri i çështjeve të proceduara dhe përfunduara sipas nenit 83/a “Kanosje serioze për hakmarrje ose gjakmarrje” në gjashtë vite është dhjetë çështje:

2004 1 çështje 0 autorë
2005 4 çështje 4 autorë
2006 2 çështje 3 autorë
2007 1 çështje 1 autorë
2008 0 çështje 0 autorë
2009 2 çështje 2 autorë
Totali 10 çështje 10 persona
Nxitës për gjakmarrje. Një tjetër vepër panele e konsideruar e lidhur me gjakmarrjen është edhe veprimi kriminal që parashikohet në nenin 83/b të Kodit tone Penal “Nxitje për gjakmarrje”. Pothuaj çdo vrasje apo kërcënim i bërë për gjakmarrje në kontekstin social ka nxitës dhe bashkëpunëtorë që stimulojnë shpagimin e një krimi nëpërmjet ekzekutimit të autorit apo të afërmve të tij. Ky fakt i dukshëm në kontekstin shoqëror dhe i shfaqur në pasqyrimin mediatik nuk gjen mishërim në qëndrimin e organit procedues gjatë hetimit të vrasjeve për gjakmarrje. Në harkun kohorë të viteve të fundit ky nen është aplikuar vetëm në një rast. Ndërsa rrethi i personave që nxisin për shpagim të një krimi nëpërmjet vrasjes është tejet i madh.

Raste të rënda 2010 dhe 2011.Tetor 2010, Vrasja e Klerikut

E drejta e pashkruar kanunore konsideron krim të rëndë dhe dhunim të gjithë komunitetit vrasjen e një kleriku (person i dedikuar fese). Në datën tetë shtator 2010 në Shkodër një njëzet e një vjeçar Mark Njemza vrau me armë zjarri pistoletë njëzetenëntë vjecarin Dritan Prroni i njohur nga mbarë komuniteti shkodran si Pastor pranë kishës “Fjala e Krishtit”. Njemza autor i krimit deklaron se kishte vrarë për gjakmarrje pasi në 2005 xhaxhai i viktimës i kishte vrarë të vëllanë. Krimi i rëndë u konsiderua i papërshtatshëm edhe nga komuniteti konservator që njeh dhe pranon mentalitetin e shpagimit nëpërmjet gjakmarrjes për dy arsye: së pari viktima ishte një klerik (pastor) kategori që sipas të drejtës zakonore nuk “bie në gjak”, dhe së dyti lidhja e viktimës me krimin e shpaguar ishte e largët, gjakmarrje për një veprim të kryer nga xhaxhai.

Janar 2011. Vrasja nga një i mitur, prokuroria “neglizhon” nxitësit e krimit.

Ndërrimi i viteve në qytetin verior të Shkodrës pati shënuar një vrasje tronditëse për gjakmarrje. Ekzekutori i krimit është një pesëmbëdhjetëvjeçarë me inicialet I. Sh i cili vetëm dy orë përpara mbërritjes së 2011 ka qëlluar me armë automatik një tridhjetëvjeçarë me emrin Albert Dhampiraj. Pesëmbëdhjetëvjeçari ka kryer krimin për të “marre gjakun” e babait të tij të vrarë vite më parë nga viktima. Per rehabilitimin e tij, si nje i mitur i gjendur perprara nje presioni te rende emocional e social per humjen e te atit nuk eshte programuar ndonje mase gjyqsore nga drejtësia ne rrethin verior. Prokuroria e rrethit Shkoder ka formuluar akuzën e pranuar nga i mituri pa zgjeruar rrethin e hetimit tek persona nxitës të mundshëm, apo bashkëpunëtore në kryerjen e krimit apo në sigurimin e armës nga i mituri. Në bazë të nenit 83/a përgjegjësi penale në raste të tilla kanë edhe familjarët apo rrethi shoqërorë që ka nxitur autorin, për më shumë në moshë të mitur të vrasë për gjakmarrje.

Kisha Katolike shkishëron ata që vrasin për gjakmarrje





Arqipeshkvia Metropolitane e Shkodrës shpalli me 18 shtator 2012 dekretin që shkishëron të gjithë katolikët shqiptarë, të cilët kryejnë vrasje për gjakmarrje.

Ky reagim ekstrem i Kishës Katolike është ndërmarrë për të frenuar këtë fenomen të shoqërisë shqiptare që ndodh kryesisht në zonën veriore të vendit.Arqipeshkvi Metropolitan, Shkodër-Pult, Imzot Angelo Massafra, tha se ky akti i Kishës Katolike vjen pas vrasjeve të shumta që vazhdojnë të ndodhin në territorin tonë, ku shumë prej të cilave janë për gjakmarrje.

“Disa vrasin nganjëherë pa asnjë ngurrim ose hakmerren në mënyrë të përgjakshme e barbare. Ata shpesh arsyetojnë veprimet e tyre, duke u mbështetur në një traditë shekullore, duke thënë se zbatojnë Kanunin. Ata i japin më shumë rëndësi traditës së njerëzve se sa ligjit të Hyjit. Të gjithë ata që vrasin, me sjelljen e tyre, janë duke i vënë shqelmin Ungjillit të Jetës dhe Kryqit të Zotit tonë Jezu Krishtit. Sjellja e tyre pra është një fyerje ndaj Krishtit”, ka thënë Angelo Massafra.

Ai shpalli dekretin, sipas së cilit kushdo që bën një vrasje ose bashkëpunon me vrasësin, në bazë të nenit 1331 të Kodit të së Drejtës Kanonike do ndëshkohet me shkishërim.

Sipas arqipeshkvit të Shkodrës kjo nismë ekstreme e Kishës Katolike u mor me qëllim që të arrihet pendimi i vrasësve dhe zbutja e zemrave të të gjithë njerëzve në mënyrë që ngjarje të tilla të mos ndodhin më.

Ipeshkvi i Sapës, Luçian Agostini ka shpjeguar arsyet që i kanë çuar drejtuesit e tre dioqezave në marrjn e një vendimi të tillë.

GJAKMARRJA KRIMI QË SHËNON RRITJE NË NUMËR



Gjakmarrja në vitet 2012 po bëhet më “mizore” se në Kanune. Në emër të drejtësisë kanunore në njëzet vite janë kryer krime të cilësuara për gjakmarrje por të pabazuara në zgjidhjen e të drejtës kanunore (Kanuni i Lekë Dukagjinit; Kanuni i Skënderbeut; Kanuni i Labërisë). Kështu vrasja e një gruaje për shpagimin e krimit të kryer nga i biri, marrja e gjakut tek fëmijë të parritur, ekzekutimi i një kleriku apo vendimi për gjakmarrje pa pleqësi janë forma që përkojnë me thyerje të rënda edhe të së drejtës sonë të pashkruar që përkon me rregullime të shekujve të mëparshëm.

Kodi Penal në RSh ka 3 nene që parashikojnë krime/vepra penale që lidhen me fenomenin e Gjakmarrjes. Përkatësisht janë Neni 78/2 Vrasje me paramendim për gjakmarrje; Neni 83/a Kanosje serioze për hakmarrje ose për gjakmarrje; Neni 83/b Nxitje për gjakmarrje.Pavarësisht se Kodi Penal në RSh parshikon denime të renda për gjakmarrjet, fenomeni nuk po ndalet, për shkak se drejtësia shpesh herë jep denime të buta, të cilat nuk i përgjigjen krimit të kryer.

Për shëmbull më 12 shtator 2012 në fshatin Vuksanaj të Dukagjinit ndodhi vrasja e shtetasit Marash Tonaj.Burime të policisë bënë me dije se vrasja e Marash Tonaj ishte kryer për motive gjakmarrje nga një femër. Sipas policisë autorja e krimit është identifikuar të jetë 33-vjeçarja, Lena Guri (Pjollaj), banuese në fshatin Vuksanaj të komunës Shalë. Nga hetimet e kryera mësohet që vrasja të ketë ndodhur për motive gjakmarrje, pasi në vitin 2003 vëllai i viktimës Nik Tonaj, kishte vrarë me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasit Nik dhe Lule Pjollaj, prindërit e autores së dyshuar të vrasjes së Marash Tonaj. Ndërsa policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe armën e krimit.

Ky fenomen eshte bere nje kancer i pasherueshem , nje nder rastet eshte edhe familja e Eduart Qeleposhit nga qyteti Bajram Curri, te cilit me daten 10.09.2012 po udhetonte drejt familjes i zihet prit ne fshatin Babin dhe qellohet me bresheri kallashnikovi ne drejtim te automjetit qe udhetonte, dhe mrekullisht shpeton nga nje manovrim i shpejte vetem me disa plage te lehta. Nga burime konfidenciale nga vendi i ngjarjes dyshohet nje nder pistat me te mundshme eshte ajo e gjakmarrjes, duke u bazuar ne nje konflikt te hershem te Fisit Qeleposhi me nje Fis tjeter po nga rrethi i Tropojes. Sic duket perhapja i ketij kanceri qe po merr permasa te tmerrshme duke mos kursyer as gra e femije ,do vazhdoje gjate nese drejtesia shqipetare vazhdon te qendroje e fjetur dhe ku mungesa e drejtesis , denimi shume i vogel per vrajset qe behen ne emer te gjakmarrjes , dosjet qe flene ne sirtar te mbuluara me pluhur qe presin doren e policis te shtetit i cili duket thuajse inekzistenc perballe ktij fenomeni.Duke qene qe njerezit kane humbur besimin qe do gjejne drejtesi dhe mbrotje nga shteti , i jane kthyer Kanunit te Lek Dukagjinit duke bere vetgjygjesi.Ky kancer duket qe do vazhdoje te marre jete te pafajshme nese shteti shqipetar nuk reagon me dore te hekurt ndaj cdokujt qe vret ne emer te Kanunit.



Po kështu sherri për një vije uji për vaditje në Malesinë e Dukagjinit i ka kushtuar jeten tre personave, mes të cilëve edhe një vajze vetëm 17 vjeç.Me 15 qershor 2012, Marie Qukaj mbeti e vrare ne vend me arme zjarri, ndersa ishte duke vaditur parcelat me miser prane baneses se saj, se bashku me gjyshin 70 vjeç. Kole Qukaj, humbi jeten me pas ne spital. Policia shpalli ne kerkim tre autore te dyshuar te kesaj ngjarje.Viktima e radhes e fenomenit te gjakmarrjes ka qene shtetasi, Gjin Guri 20 vjeç nga fshati Bardhaj, Shkodër i riu është qëlluar me armë zjarri për vdekje ndërsa policia beri te ditur se krimi kishte patur motiv gjakmarrjen si dhe vuri ne pranga nje person te dyshuar si autor te krimit.
Një tjetër ngjarja e rëndë u regjistrua kohët efundit, kur dy vëllezërit, Gjin dhe Xhevahir Guri u qëlluan në oborrin e shtëpisë nga komshiu i tyre. Gjakmarrja nuk po njef gjini.Me perpara ishin femrat ato qe leviznin e benin edhe punet e burrave edhe burrat rrinin ngujuar brenda por sot kjo nuk gje nuk ndodhe pasi hasmi i pret pas deres edhe godet pa meshire qofte femije i moshear apo edhe grate dhe vajzat. Rasti më tragjik ishte ai i Maries nga Shkodra.



Ti je më i bukur se mëngjesi...




Nga Aida Bode




Mutacion



Kam vdekur.
S’i sheh gjithë ato
qeliza të ngordhura
lëkura ka lëshuar
në duart e tua?

Gjithë ç’ke nga unë
është aty – vdekje,
asgjë më shumë.





Zonja e Artë

Në Korçë vjeshta hyn që nga Parku Rinia
në qafë ka parfum pishash,
përkunded me hiret e Moravës
puthet me bliret që vdesin
dhe këndon me zërin e guguçeve
që përcjellin lejlekët në mërgim,

prish takat mbi kalldrëme,
dëgjon plakat që bisedojnë në oborr
dhe bën gjoja sikur fshin
ndërsa përgjon dyert që hapen e mbyllen.

Në Korçë vjeshta vishet me gjethe
serenatash që bien nga dritare të mbyllura,
struket qosheve të errëta të rrugicave
dhe pret të fshehë dashnorët
tek vijnë të ngrohen me frymët e njëri-tjetrit







I panjohuri

Ai kujton të dashurat e vjetra
dhe përpiqet t’i formojë të plota,
në imazhe të rastësishme.

Krahët i kujtojnë një balerinë,
gjoksi një komshie që
iu dha fshehtasi në errësirë,
shalët një vizitore në shtëpinë e gjyshes
e vithet një shoqe harruar në adoleshencë

vetëm qafa, buzët, sytë dhe flokët
s’i kujtonin askënd,
kështu ai jetonte gjithë të kaluarën
me fytyrën e së tashmes



Dymbëdhjetë frymë

U zbeh hëna, u bë Janar

Hyjnitë kishin ftohtë dhe

u mbështollën me Shkurt…



Zgjata dorën të kapja erën,

ajo më dha Marsin



Filloi të bjerë Prill, i ujshëm, i rrëmbyeshëm,

i papërmbajtshëm për gjelbërim.



Maji mbante vesh që prapa hënës,

aty ruante errësirën me sekretet e heshtjeve.



Afërdita ishte me barrë, nuk rënkoi,

por buzëqeshi dhe lindi Qershorin.



Korriku u deh në Egje,

ndërsa unë pashë Apokalipsin…



Gushti fle me mua

dhe yjet nuk i lë të bien



Patat morën Shtatorin

dhe u nisën drejt jugut



Tetori mbajti frymën

dhe ajri u bë i purpurt…



Eja Dionis, eja më sill

Nëntorin të zgjoj të dashurin



Ç’i duhet urtësia Athinasë,

kur ajo stoliset me Dhjetor?





Ying dhe Yang

në qoshe të derës
një enë me ujë të shenjtë,

bekova pasigurinë
ndërsa monedhen e mëkatit
ia dhashe Çezarit

që priste si lypsar
në shkallët e kishës.

Udhëtime

Nuk ka rrugë të drejta,
dhe dritës i duhet të përthyhet,

nuk ka as rreth të përsosur,
hëna lodhet pas një nate plotësie
E vërteta nuk bën udhëtime të gjata,
ajo fillon dhe mbaron me çdo
rrahje zemre.




Përsosmëri



Ti je më i bukur se mëngjesi
i së shtunës, më i dashur
se kafeja e mbasdites dhe
më i ëmbël se vallëzimi i Hirushes
me princin para se ora të binte 12.





Një natë në Itakë



shiu varet nga retë
si fill i shprishur
nga një cohë e vjeter,



unë mendoj Penelopën
dhe kuptoj që shiu
s’është gjë tjetër veçse
një shpërbërje penjsh
thurrur për të shtyrë kohën…








Aida Bode është shkrimtare, poete dhe përkthyese me banim në SHBA. Ajo ka lindur në Korçë dhe ka botuar krijimet e saj të hershme në gazetën lokale të qytetit. Më vonë shkrimet e saj janë botuar në gazetat e diasporës dhe në ato kombëtaret, si Iliria, Shekulli, Gazeta Shqip, etj.
Libri i saj i parë, botuar në shqip dhe anglisht, Davidi dhe Bathsheba, është mirëpritur dhe vlerësuar nga kritikë dhe lexues shqiptarë dhe të huaj.
Aida Bode është diplomuar në Berkeley College, New York në degen e Biznes Administrimit dhe së shpejti do të sjelle tek lexuesit ribotim të romanit si dhe një vëllim të ri poetik të titulluar Porti i Perëndimit.


QENIE TË HIRIT.

Aida Bode, e ka lënë Korçën, vendlindjen e saj dhe ka vite që është vendosur në SHBA. Duke jetuar në dy botë të ndryshme, shpirti i saj krijues, mbushet vazhdimisht me motive dhe ndjenja, të cilat ajo nuk humb rastin për t’i kthyer ne poezi, duke krijuar kështu një urë të bukur komunikimi ne lexuesit. Cikli i shkëputur nga krijimtaria e saj, është përzgjedhur nga libri, të cilin po e përgatit për botim dhe që vjen pas botimit të romanit të saj të parë “Davidi dhe Bathsheba.” Duke lexuar poezinë e Aida Bodes, natyrshëm mund të vijnë përsiatje mbi botën dhe njeriun… Krijimtaria e Aidës vjen si një palimpsest i dyfishtë. Duke u njohur me të, ti përjeton kohën biblike të universit që shpenzohet për dashurinë, pritjen, vetminë, trishtimin, pezmin, zhgënjimin, lumturinë, fatalitetin,… Duke lexuar poezinë e saj, ti udhëton pa pasur nevojë për Boing-ët, kroçerat ose trenat gati fluturues mbi jastëkë ajri, ndalesh në porte e limane malli, ulesh në aeroporte miqësie, pasi je ngjitur e ke përshkuar qiej fantazie.




KOKË A PIL

Dielli është një monedhë,
e hedh në qiell
dhe pres me vështrimin mbi bar

“Kokë a pil?”


***

Do të ble 10 orë ditë…
Më duhet vetëm
një monedhë dielli
dhe disa kusur rrezesh
për agun dhe muzgun

***

“Fute monedhën këtu!”
“Shtyp këtu për këngën që pëlqen”

… Zgjedh këngën dhe fut diellin
në hapësirën e monedhës.

Tashmë Perëndimi zhurmon.


MËKIM

Mëkova mallin
me lotët e gjirit
përkundur si kujtim
në djepin e trazuar të largesës,

Ia ledhatova fytyrën

tek më drithëronte
me kujtime nga e kaluara,

e shtrëngova në gji

dhe e ushqeva me qeshje.

Mallin,

për rrugicat

e Parisit të vogël,
erën e Moravës
lulet e blirit
Korçën time.

E mëkova mallin
me lotët e gjirit
tek më shihte

me sytë që bekonin,
përkëdhelte

me dorën që

kërkonte zemrën

qeshte, qeshte

dhe me zë engjëlli

më quante:
“Bijë!”

E mëkova mallin
me lotët e gjirit
tek flinte në shtratin

e ninullës sime.

ninullës

për Kishën e Shën Ilisë,
ujin e freskët të Çardhakut,
rrugët e bardha të Drenovës,
vjeshtën e ylbertë të Dardhës.

Flinte dhe merrte

frymë nga ajri im,
ëndërronte përgjërimin tim.

Flinte për të zgjuar

mëngjeset e mërgimit,
për t’u harruar në mbrëmjet e
Nju Jorkut

Malli, Korça, Atdheu…



QENIE TË HIRIT

Askush s’përpiqet më
të shtegtojë…
madje as zogjtë.

Ajri ka zhgënjyer vetveten
dhe natyra, Krijuesin.

E ardhmja i përket pasigurisë,
dashuria romancës…

Ç’ka mbetur për jetë
janë kujtimet.

E megjithatë,
le të shtegtojnë kujtimet
në këtë jetën time.

Ikanak trishtimi
të më falë siguri
dhe i madhi Perëndi
të më sjellë tek ti!



UNË, TI…



Kur malet u martuan me pyjet
e retë me shiun
ylberet u bënë kurorë
lumenjtë, dashuri
unë dhe ti
zogj në të tyret mbretëri,

kur toka fjeti me detin
bregu u bë djep
dhe qielli butësi
aty lindëm unë dhe ti…

në dasmën e dashurisë me përjetësinë
nata e parë, u bëmë unë dhe ti!



HERËT

Sot gjumi u arratis
si një burrë që ikën
nga një grua,
pasi bëri seks me të,
frikësuar nga ëndrrat
e errësirës së saj.

Një merimangë
thuri rrjetën në qoshe të natës
dhe aty kapi prehjen e saj
si mizë të ngordhur

të papushimit.


ËNDËRRITJE

Flenë varkat e lëkunden
si zambakë mbi liqen
kokën në valë mbështetur
polen mbi gjethe prehur

si fëmijët përrallave përhumbin
si re në qiell rrinë shtrirë.

flenë varkat e lëkunden
si copëza kujtimesh
kumbime të ujëta ninullash dëgjojnë
e yjet nga lart, ëndrrat ua përgjojnë.



NË PRITJE TË LINDJES

Frymëmarrja jote
i dashur,
është mitra
ku ngjizet përjetësia.



50 QINDARKA

Më duhen edhe 50 qindarka
të plotësoj shumën
për të taksën e urës

Dhe 50 qindarka

Dhe do jem e pasur
për të të takuar ty, i dashur.



KURORA E PARË

Dua të martohem! – tha Errësira
rrënjë u bë në fund të dheut,
u ngrit ngadalë përmes pluhurit,
kërcell dashurie u bë dhe puthi Dritën.

Unazat shkëmbyen në gji të pemës
dhe kështu filluan përrallën e jetës.



PANDORA



Pandorë ormisur me nuret e Afërditës,
zbukuruar hijshëm me gurë të çmuar
mundohesh të fshehësh vërshimin mërmëritës
të një kurioziteti që nuk ka të shuar.

Ecën me hap të lehtë, me falsitet veten ndjell;
verbuar janë njerëzit nga perënditë tinëzare
tek të shohin sa ëmbël shkatërrimin sjell
si shtiresh mosmirënjohëse, lozonjare.

E hape kutinë e mallkimeve hyjnore
me gëzim, një nga një i çlirove ligësitë,
dorën e njomë me lodra vajzërore
ia dhurove pabesisë, u bëre një me prapësitë

Zotat në fund kishin vendosur shpresën
atë që njerëzit do i bënte të të falnin
por frika të kish errur sytë, kishe humbur besën,
kutisë i vure kapakun, mirësisë ia shuajte zjarrin.



PLOTËSIA E BOSHIT

Yjet e presin natën në thelpinj;
Afërdita zgjat dorën
dhe rrëmben agun.
ngrihem, e ndjek nga pas.

Memorja ime mbetet
shkumë në bregun e shtratit tënd
gjysmë-bosh.
Zgjat dorën drejt
alarmit të celularit
dhe ngrihesh.

Çarçafët mbajnë
aromën e natës
dhe boshi plotësohet
me një ditë të re.


Fragment nga romani "Davidi dhe Bathsheba"

"Kureshtja ia ktheu vështrimin në një dritare pakëz të hapur, prej ku dallohej në gjysmerrësirë shtati i derdhur i një gruaje të hijshme, fytyra e së cilës rrëzëllente ëmbëlsi në atë përqafim të natës me shkëlqimin gëlues të hënës. Iu duk sikur qerpikët e syve të tij po preknin çdo bulëzë uji që kishte njomur trupin e saj, kurse lëmimi dhe butësia e lëkurës qumështore i mbushnin gjithë trupin me një forcë të rrjedhshme gjaku. Flokët e saj të artë, sytë që ëmbëlsonin natën, buzët si verë e ëmbël, faqet si fruta të freskëta , qafa e hollë si e një mjelme, shpatullat e drejta, gjoksi i ngrehur, barku si një lëndinë bari të vesuar, beli si ujë i rrjedhshëm, kurse dy këmbët si dy shtylla mermeri të lëmuara me mjeshtëri, e bënë të kuptonte se asnjëra nga gratë që kishte, s’ishte e përsosur si ajo, s’ishte e dëshiruar si ajo. Ai ishte i shtangur dhe i përhumbur përpara gjithë ç’shikonte dhe e ndiente veten të bënte një luftë në të cilën humbte me dëshirë.
Një rrymë flladi të freskët të mbrëmjes e bëri të mblidhte veten, megjithëse brendia e tij ishte e trazuar. Lëvizi këmbët, që mezi iu bindën dhe me mendjen të pushtuar nga kjo grua, u shty për në dhomën e tij. Çuditej me veten, kurrë s’kishte dëshiruar kështu një grua dhe aq, më tepër s’e kishte menduar ndonjëherë kaq thellë bukurinë e saj. Përpiqej t’i mbushte mendjen vetes se gratë e tij ishin aq të bukura sa ajo, por imazhi i saj i qëndronte i vetëm si një dritëhije e butë në shpirt. A ishte e martuar? E kujt të ishte, vallë? Këto dy pyetje e bënë të ndihej i sfilitur se ndoshta me të vërtetë ishte gruaja e dikujt. Ndiente turp për dëshirimin që i ishte krijuar për të dhe trishtohej kur mendonte se ndoshta s’do të mund ta kishte dot të tijën. Hodhi sytë përreth dhe pa se pa kuptuar ishte shtrirë në shtrat. Asnjëherë nuk i ishte dukur krevati aq i madh dhe aq bosh, ndërkohë që ëndrrat dhe mendimet mbushnin hapësirën e dhomës."


Edhe heronjtë kanë ftohtë

Tregim nga Aida Bode


Nëna filloi të gërrhiste pak. Unë mbylla librin dhe u ngrita të mbyllja dritën. Kur ula çelësin dëgjova rrotullimin e saj në krevat dhe dhoma u bë përsëri e qetë. U shtriva në divani që ndodhej në anën tjetër të kuzhinës dhe u mbulova. Zjarri po jepte frymë. Dëgjoja si kërciste djegien e thëngjijve të fundit dhe habitesha me harmoninë që vdekja e tyre shkaktonte. Nata kishte zhurmat e saj, dritëhijet përplaseshin që nga jashtë në muret e zbehta të dhomës dhe aty dukej sikur vallëzonin në rritmin e ngrohtësisë që shuhej. Mbylla sytë dhe dëgjova një trokitje të lehtë. U ngrita dhe qëndrova gjysmë e ulur në krevat. Prisja gjyshen të zgjohej dhe u kujtova që ajo s’dëgjonte nga njëri vesh. Dera trokiti përsëri. U ngrita dhe hapa dritën. Nëna hapi sytë menjëherë dhe brofi duke më thënë:
-Rri këtu. E hap unë.
U ktheva dhe u ula në divan me veshët ngritur për të dëgjuar kush ishte në atë orë. Ishte 10:45PM.
-Erdhe bir. Si është Milka?
-Mirë është mama. E shtruan në spital dhe do ta mbajnë aty disa ditë. Do kthehem në Tiranë pasnesër. Fëmijët si janë? – ktheu përgjigje im atë ndërsa hiqte këpucët dhe pallton.
-Mirë janë. Ardi donte të flinte nga të tutë sot. Genti po fle në dhomë, ndërsa çupa është me mua në kuzhinë. – u përgjigj gjyshja me zërin e dridhur dhe nuk e kuptova i dridhej nga meraku apo nga i ftohti që kish filluar të pushtonte shtëpinë. Ata hynë në kuzhinë dhe nëna e pyeti nëse babi donte të hante.
-Jo mama, nuk dua të ha. Do marr çupën dhe do shkoj në shtëpi sot.
-Është vonë bir. Çupa nesër ka shkollë, ku do ta marrësh tani.
-Hajde shpirt i babit, – m’u drejtua mua thua se s’i dëgjoi arsyetimet e gjyshes.
Bëra gati çantën dhe shkova në dhomën e miqve të ndërrohesha. Dëgjoja zërat e babit dhe nënës që flisnin. Fjalët ishin të padallueshme, sikur u hiqnin rëndësinë vetes së tyre tek notonin nëpër ajrin e ftohtë që nata më në fund kishte pllakosur në gjithë shtëpinë. Çuditërisht për herë të parë në jetë s’po ndjeja frikë nga im atë. Fytyra e tij kishte tjetër çehre sot. Vështrimi i ashpër që zakonisht mbante në sy kishte humbur, mbase diku në rrugën e kthimit nga Tirana dhe zëri i ishte bërë më i butë. Por gjithë kjo me trembi në një tjetër mënyrë, më të thellë dhe krejtësisht të panjohur. Kisha hequr bizhamatë dhe mishi më ishte bërë morrnica. Fillova të vishja shpejt puloverin rozë që mamit ia kish dërguar një kushërirë e saj nga Australia. Ishte deve, i butë dhe i ngrohtë; pikërisht ç’më duhej të largonte fërgëllimin që po më pushtonte dhe po më bënte dhe dhëmbët të më kërcisnin. Vesha xhinset, vura çizmet dhe rrëmbeva pallton nga varësja në korridor dhe pasi mora dhe çantën në dorë i thashë tim eti
-Babi, ikim? Jam gati.
-Ikëm Marë, – i tha ai gjyshes duke e puthur në ballë.
-Ike shpirt i nënës, – m’u drejtua mua me sytë gati të përlotur. Më puthi në të dy faqet dhe mbylli derën pas nesh. Dëgjova zhurmën e llozit dhe ndjeva siguri që ishte mirë.
Hapat e babit nuk bënin zhurmë dhe m’u duk sikur ai kishte bërë një pakt me jetën e tij. Dolëm nga pallati dhe ndjeva ajrin të më përcëllonte fytyrën. Shtrëngova krahun e tim eti dhe ecnim me të shpejtë. Dhëmbët filluan po më dridheshin përsëri dhe për një moment m’u duk sikur zbulova një sekret të kohërave. Rritmi i ftohtësisë gjendet në dhëmbë! Qesha nën vete dhe ngrita sytë drejt qiellit. E kisha zakon të shihja lart sa herë ecja natën me mamin, por këtë herë s’isha me të. Ajo ishte në Tiranë pasi doktorët i gjetën një gjendër të habitshme nën sqetull dhe duhej ta mbanin aty për analiza të hollësishme të gjenin diagnozën. Hapat e gjatë të babit më tërhiqnin dhe mua më dukej sikur rrëshqisja. Dëgjova lehjet e qenërve të rrugës. Shtrëngova më fort krahun e babit dhe nxitova rrëshqitjen mbi asfaltin, që vënde vënde ishte me gropa që më pengonin të ndiqja rritmin e të ftohtit.
Mbajta kokën lart. Yjet ndriçonin ndryshe në Korçë. Dukej sikur nuk dilnin nga qielli, por sikur Morava i mbante në gji gjatë ditës dhe ia jepte hua natës derisa në mëngjes, përsëri nga gjoksi, nxirrte diellin. Sa e doja atë natyrë aq të përkëdhelur nga Zoti! Dhe tek mendoja romancën time me qytetin ndjeva që babi po dridhej. Për momentin mendova se kishte ftohtë, por ai nuk kishte kurrë ftohtë. Drejtova sytë drejt fytyrës së tij dhe në gjysmë errësirë dallova lot që i rrëshqisnin mbi faqe, buzët dhe mjekra i dridheshin ndërsa në grykë mbante me forcë zërin të mos i dilte. Ia shtrëngova krahun dhe ndjeva qiellin të më zhytej lehtë bashkë me natën dhe të ftohtin thellë në bark, derisa dhe gjunjët m’u prenë.
-Babi, si është mami? – e pyeta më në fund.
-Mami po na lë, po na lë, po na lë…-zëri i tij thyhej në cifla tek gjente hapësirën e buzëve që dridheshin.
Nuk ktheva përgjigje por u përpoqa të shtrëngoja krahun e tij akoma dhe më fort. Ishte hera e parë në 17 vjet të jetës sime që shihja babain tim kaq të dobët, kaq njeri, kaq të pafuqishëm. Isha krejtësisht e shtangur. Gjyshi sapo kishte vdekur dhe tani babi po më thoshte që po humbisnim dhe mamin. M’u kujtua fytyra e gjyshes para se të dilja nga dera dhe vura dorën në faqe për të prekur puthjen e saj.
-Babi, po nënës ç’i the?
-Asgjë. – tha ai ndërsa mblodhi veten dhe vazhdoi të fliste – biopsia doli pozitive për kancer, por nuk gjendet ku është origjina. Gjëndra që i hoqën është një metastazë.
Babi përfundoi diagnozën mjekësore dhe filloi përsëri të dridhej. Ula kokën dhe shihja gurët mbi kalldrëm. Tashmë qielli vërtet kishte zbritur dhe yjet ishin shuar poshtë këmbëve tona. Nuk kisha më ftohtë. M’u duk sikur gjithë ajo e ftohtë dilte prej nesh atë natë dhe tek ecnim mendoja pamposhtësinë e tim eti. Ku ishte forca e tij e pakundërshtueshme? Njeriu nga i cili kisha frikë të merrja frymë dridhej përpara meje krejtësisht i mposhtur nga pasigura e jetës, pasiguri të cilën dhe vetë po e shihja të plotë për herë të parë. Asnjëherë s’kisha menduar humbjen e prindërve dhe aq më tepër humbjen e mamasë. Për mua ajo ishte e përjetshme. Kuptova që këtë bindje e kisha fituar pikërisht nga babi. Mendoja mamin vetë në spital, shihja babin të vetmuar dhe ndjeja boshësinë e një qielli të tradhëtuar nga gjithçka që kisha njohur deri atë çast.
Ishim vetëm disa rrugica larg shtëpisë. Ora kishte shkuar 11:12PM.
-Babi, po ne kemi Zotin, – doli një zë nga goja ime. As e kuptova si i kisha shqiptuar ato fjalë, thua se s’dolën nga goja ime, por nga dikush tjetër.
Babai më mbështolli në përqafim dhe filloi të qante me ngashërim. Nuk ishte nevoja të më thoshte që s’besonte tek asgjë. Qëndrova e ngrirë aty dhe ndjeva lotët e tij të nxehtë mbi faqet e mia. Qëndruam pak dhe filluam përsëri ecjen. M’u duk sikur gjithë errësira ishte mbledhur nga çdo qoshe e gjithësisë për të qëndruar aty, në qoshe të shtëpisë time. Horizonti nuk kish më as jug, as veri, as lindje e as perëndim, por një pamundësi që kish lindur nga dorëzimi i supernjeriut që ish babai im. Hymë në pallat dhe ngjitëm ngadalë shkallët. Ndonëse nuk shihja asgjë ndjeja formën e gërryer të shkallëve poshtë këpucëve dhe dëgjoja pluhurin e lehtë të betonit që skërmitej pas çdo hapi. Isha përpara tim eti dhe nxora çelësin nga xhepi i ftohtë i palltos. Nuk dridhesha më. Hapa derën dhe aroma e shtëpisë më pushtoi të gjithën. Ajo s’ndryshonte asnjëherë, madje në të ftohtë bëhej më e dallueshme, më e mprehtë. Hyra brenda dhe hapa dritën e korridorit. Babi hyri pas meje dhe filloi të hiqte këpucët. Fytyrën e kish të zbehtë dhe faqet akoma të lagura. Ula kokën dhe bëra sikur s’e pashë. Atë moment ndjeva që doja të kisha frikë prej tij, doja të ishte i pamposhtur, i paperkulur, doja të ishte fitimtari i çdo beteje dhe lufte. Lashë çantën në korridor dhe hyra brenda pasi u zhvesha.
-Do të të bëj një çaj? – theva më në fund heshtjen.
-Mirë, – tha ai me zë të mekur.
Dola në ballkon të merrja vajgurin. Më ishte bërë zakon sa herë dilja jashtë të shihja Moravën, por errësira nuk më la ta shihja. Mora vajgurin dhe hyra me të shpejtë brenda. Poshtë stofës kishin mbetur disa shkarpa të thata. I mora dhe bëra gati të ndizja zjarrin. Përzieva hirin e thatë me vajgur dhe ndeza shkrepsen. Flaka bëri zhurmë por ishte e ftohtë. Qëndrova derisa ndjeva afshin e nxehtë të me skuqte faqet. Tek shihja si skuqeshin drurët dhe dëgjoja përcëllitjen e lëvozhgave të tyre ndjeva mpirje në gjunjë. U ngrita me ngadalë dhe kuptova që kisha ndenjur gjatë duke pritur zjarrin. Babi ndërkohë kishte hapur televizorin dhe dëgjoja që kërkonte të gjente ndonjë program. Kuptova që po kalonte kanalet për të disatën herë. Pesë kanale që ishin, të gjitha kishin ose lajme ose ndonje dokumentar – asgjë për të çlodhur mendjen apo për të nxitur harresën.
Mora çajnikun dhe bëra gati çajin. Qëndrova më këmbë pranë stofës dhe vura duart përsipër të më ngroheshin. Babai vazhdonte të ndërronte kanalet ndërsa unë shihja duart e mia dhe prisja që zjarri t’u jepte ngjyrë. Tek qëndroja mbështetur pas murit shihja si hija kish skalitur profilin tim mbi dritë. Më pëlqente të shihja veten ashtu. Hijen shumë herë e mendoja si një pasqyrë të dritës ku çdo harkim kishte vëndin e vet të pamohueshëm dhe vërtet, dhe në një farë mënyre imagjinata justifikohej nga fakti që ashtu si pasqyra i jep imazhet përsëprapsi, kështu dhe hija me dritën janë pasqyra të njëra-tjetrës. Tek mendoja, zhurmës të ndërrimit të kanaleve iu shtua dhe fërshëllima e çajnikut. Duart më ishin ngrohur dhe fytyra më ishte bërë e kuqe nga nxehtësia e stofës. U largova me çajnikun në dorë dhe shkova në kuzhinë të merrja një filxhan. Tek përgatitja çajin ndjeva avullin e nxehtë dhe aromatik të më shponte flegrat e hundës. Mamit i pëlqente aroma e çajit dhe sa herë përgatiste merrte frymë thellë dhe dukej sikur rinohej vetëm nga ai veprim. Mbusha filxhanin, i hodha dy lugë sheqer dhe ia dhashë babit. Ai ishte ende i bardhë. Për një moment bota m’u duk si një arenë gjigande pasqyrash ku çdo gjë jetonte nëpërmjet të kundërtës së vet. Ngorhtësia që unë kisha gjetur në stofa tek prisja çajin të bëhej kishte pasqyrën e vet në fytyrën e akullt të tim eti. Ia dhashë dhe shkova të bëja gati krevatin të flija. U shtriva dhe pasi u mbulova zgjata dorën që poshtë shtresave dhe mbylla dritën. Tani e vetmja pasqyrë e errësirës ishin imazhet e skalitura në mendjen time, të dhomës, shtëpisë dhe gjithë botës. Aty qëndronte dhe porterti i tim eti i paprekur nga realiteti, i paprekur nga lotët e tij, nga pasiguria e tij. Aty ai qëndronte i ashpër, i paafrueshëm dhe i patrembur. Frika që kisha nga ai më jepte siguri dhe ndjeva keqardhje për njeriun më të fortë që kisha njohur. Mbylla sytë dhe pëshpërita nën frymë “Zot, të lutem mos ma merr mamin dhe ktheja krenarinë tim eti!” E dija që ishte e vërteta me e madhe që kisha njohur deri atëherë dhe u përpoqa të gjeja paqe duke menduar se ai ishte heroi im, një hero që do fitonte dhe sikur të humbte.

Në sytë e shkruar u rrezon rrezja e dielli...




1. MEDITIM

Bora shkrinte orteqet,
e marsi linte lamtumirën;
ndërsa rudinës, buzë përroit,
kishin çelur lulebore.

Me sy zgjodha njërën prej tyre,
Për ta këputur me gishtat e erës…
Përkundruell gruri jeshilonte,
Unë ecja drejt parcelës me lulen në dorë…
Era e mendimeve lulen e mori,
E uli ndanë parcelës me grurë.

Vërtet të bukurën e krijon dashuria e sinqertë,
Leitmotiv i hershëm,
E gishtat i shkova mbi ballin e sertë…

2. PEIZAZH DIMËROR

Fluturzat e borës qëndisin tokën,
bujarisht me të bardhat kristale;
Një gushëkuq hapërdahet në përroin e mullirit,
E zogu i borës cicërin majë një dardhe…
Bora bie,
qilimi i bardhë shtrihet,
për ta mbrojtur nga të ftohtit grurin,
në netët e gjata të dimrit.



Bora bie…

3. VAJZAT E FSHATIT TIM

Në sytë e shkruar u rrezon rrezja e dielli,
Ne flokët e lëshuar tufalakët e ahave në Kaki.
Kur qeshin,
qukat në faqe kuqëlojnë si petalet e shebojës;
Buzët e tyre kokrra bojliash në majë të qershive.

Shpesh djemtë hutohen dhe nuk i hanë bojliat,
Ndonëse gjithë ditën mrizojnë bjeshkëve të vendlindjes.

4.
Unë, Robinson i vetmuar mbeta,
Në jetën e pasosur të këtij fillimshekulli;
Ndonëse në metastazat kanceroze të njerëzimit,
Kam klithur me gjithë forcën shpirtërore prej njeriu,
Nëpër katakombet e çjerra dhe marramendëse të mjerimit…

Kur linda, isha i varë dhe zemrën e kisha të copëtuar,
( ndonëse e dhimbshme, sapo kish filluar të rrahin),
Doçkat e vogla ngrita përpjetë drejt qiellit, drejt Zotit,
Për të qenë i përjetshëm në këtë shekull të vetmuar.

E përpara se të mësoj për të folur,
Recitova pjesët e Ungjillit dhe kujtova Krishtin e kryqëzuar,
“ Në këtë shekull plot me lot”,
Vajtova në thellësitë e shpirtit,
Po zemra, e mjera zemër,
rrihte papushuar në gjoksin e njomë vazhdimisht kot…

Që kur linda, pra i vrarë në zemër isha,
por i vdekur nuk isha kurrsesi;
se doja të jetoja,
e në brendësinë e shpirti fëminor
të jetoja me shpresë, me fjalët përpëlitëse,
posi, posi…

5. TE GURRA E KROIT
(motiv popullor )

Në burimin e akullt bora e janarit,
Lëshonte flokëzat mbi gërshetin e zi.
Delet çobanit të bardha si bora,
I shkonin prapa ujë për të pi.

Çika bucelën mbushte nën gurrë,
Delet pinin në lugjet ujëborë;
Çobanit në fytyrë iu zbardhte një nur,
Kur shihte te burimi një lulemollë.

Dhe lëng i shkonte çobanit nga goja,
Natyra i bëhej gusht a shtator;
Kish droje të kafshonte dy kokrra molla,
Ose të paktën t’i prekte me dorë.

6. NIKAJ MËRTURI

Në lartësitë e bjeshkëve të tua,
kam mat dashurinë për ty…
Tek unë nuk ke fund, as skaj,
zemra ime këngë,
shpirti im mall.

7.QERPIK I PËRLOTUR

( në kujtim të prindërve të mi )
Dielli lëshoi rrezet
mbi kullën time
Në Mserr.

Visari akoma flinte…

Syri i diellit rrezatonte
mes përmes një reje.

Unë sapo isha zgjuar,
e në vegimet e fëmijërisë,
prindërit e mi kërkoja
rreth e rrotull.

Qerpiku im,
i njomë, i përlotur…

8.ZHGËNJIM

Edhe pse lindëm (siç mendon njerëzia),
për të qenë të përjetshëm,
vdekja na sillet si fantazmë çdo ditë
pranë vetes.

Kjo poezi (pa poezi !) për mua
e të gjithë,
Qoftë gënjeshtër !…

9.S’JE MË…

Puthje e ëmbël që vjen natës gënjeshtare,
Puthje e ëmbël prej ëndrrës e gatuar,
Puthje që të shijoj deri në mëngjes,
Pastaj më tretesh e më len të vetmuar.

10.KAM LEJE…

Kam leje për të shkruar poezi,
Kam leje për t’u mahit me djalin tim,
Kam leje për të dashuruar.

Jeta është për t’u jetuar.

11. ÇBURRËRIM I VONË

Termopile në jetën me standarde absurde,
Miklojmë vitet e sotme moderne;
Ne, bijtë e Jezusit të murosur në kryq
Tash dymijë vjet.

Edhe sa mijëvjeçarë
Na duhen për t’u çburrëruar.



Gjon Neçaj u lind me 17 qershor 1951 ne fshatin Peraj te krahinës se Nikaj-Merturit, Tropoje. Ka mbaruar studimet për finance ne Tirane. Me krijimtari letrare është marre qe herët, duke botuar ne shtypin letrar te kohës poezi, proze e publicistike. Ka fituar disa çmime letrare. Bashkëpunon me disa te përditshme ne Tirane, duke botuar here pas here shkrime kulturore. Bashkëpunon edhe me shtypin kosovar. Është përkthyer ne disa gjuhe te huaja dhe krijimtaria e tij poetike është e përfshirë ne disa antologji. Gjithashtu është fitues i shume çmimeve letrare brenda dhe jashtë vendit,si dhe redaktor dhe recensues i shume veprave ne poezi,proze e publicistike.

Opusi letrar i poetit Gjon Neçaj:
1. Në hijen e mrizave – poezi, Tiranë, 1994
2. Në folezë të këngës – poezi për fëmijë,Tiranë, 2003
3. Hijet e shpirtit – novelë, Tiranë, 2005
4. Ju që më shihni çdo ditë – poezi, Tiranë, 2006
5. Pezull-haiku, shqip-anglisht, Elbasan, 2007
6. Tropoja – vendlindja ime – tekst mësimor, Tirane, 2008
7. Hëna pikon mbi Alpet e mia – poezi,Tiranë, 2008
8. Haiku i bjeshkëve,shqip-anglisht,Elbasan,2009
9. Sinus,poezi,shqip, anglisht, italisht,greqisht,Tiranë,2011.

Etj.

Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artistëve, dega Tropojë dhe i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve, anëtar i Haik-Klubit Shqiptar, anëtar dhe sekretar për degën në Tropojë te “Pegasit” si dhe anëtar i Lidhjes së Poetëve Bashkëkohore të Globit (W.P.S.).
Poeti, shkrimtari dhe publicisti Gjon Neçaj, jeton dhe punon ne Bajram Curri, Tropoje.

Dashnia i din tana pse-të


ELONA ÇULIQ ka lindur në Shkodër(18.10.1986) ku dhe banon. Ajo ka studiuar fillimisht
për piano në shkollën artistike “Prenk Jakova” e më pas për gjuhë frënge në shkollën e gjuhëve të
huaja “Shejnaze Juka”. Studimet e larta në nivelin master i ka kryer për psikologji pranë UT.
Poezia është pjesë e pandashme e saj.


Vedit



Fol sonte, n’kyt natë me bark

t’mbushun me lot,

e me shpirt t’gatum n’nji telajo t’ftohtë dimni.





Fol, ngrohe largsinë me frymen tande,

zhdavarite asgjanë para se diçka me ardh e me t’harru ndër kujtime.



Ah, ti s’e din;

ose ndoshta e din

sa e vështirë asht me u gjetë ndër kujtime,

edhe at’herë kur n’përmbajtje je vetëm ti.

Rrëfenjat e tyne nuk fillojnë e nuk mbarojnë kurrë n’nji kohë,

kujtimet s’kanë pentagram.



Asigja s’më ka randu ma shumë,

as koha nuk m’ka – ma fort,

as dhimbja s’më ka kafshue ma padhimbshëm,

se sa ngerçi jot, lot i kapërdim me zor.





Asht



Buzve t’kohës e vërteta asht psherëtimë,

kurse na, fjalë e thanun me ngut.

Shkapërdahena n’hava si re t’zhubrosuna t’nji qielli që lind

veç kur shpina jonë asht përgjigja e hapave t’ngutshme

t’ndjenjës që don ma shumë se T’due!



Kam ndi që e thonë, jo pak herë e kam mendue

edhe un’ ç’ashtu se dashnia s’ka si, pse, me ke dhe kur!

Po, s’ka mendojshe, por e vërteta asht se ka,

ka si, pse, me ke dhe kur (n’pakohësi).



Nuk mundena me e ndie n’Dashni nji qenie tjetër

vetëm prej fjalës, dashnisë apo t’ndjenjave t’lamshueme

n’zemër që na i drejton hapat përballë nji pranie

që e dimë se e dona, por s’dina pse.



Dashnia i din tana pse-të, por i lyen buzve si psherëtimë.

Kjo asht Dashnia! Me mësue me puth e përpie n’zgavren

e shpirtit tonë psherëtimat e buzve t’saj.

Me ditë që syve t’përlotun flejnë e rrjedhin frikrat, jo dobësitë.



Nji që don, që zhytet n’honet e shpirtit t’nji tjetri,

që i mëson gjuhët e syve dhe shijet e buzve,

nuk ka si me kenë i dobët’. Dashnia s’asht as e dobët’,

as e fortë, as e guximshme, ajo thjesht Asht!



Dhe Na thjesht jena gjuetarë t’saj!

Gjuetarë me gjurmë toksorësh e sy hyjnish





Rrugica



Duert e diellit gatuejnë
kyt mesditë t’dalun binarsh.
N’ajrin e zhurmave t’kalimtarëve
malli fsheh sytë e thyem.

Mirë kanë ba njerzia,
i kanë sheshue tana trazimet e ditës
mbas kanateve t’mbylluna,
e t’mbulueme me perde trasha,
në t’cilat dielli vetëm përrshqet, s’depërton.

Pyes vedin a ka jetë aty brenda?
zagushia e parakohshme
freskohet n’hijen teme t’shkujdesun,
e dielli i njomë buzët e rreshkuna
me puthje t’mjegullta gërmueme
mes kujtimesh t’velun nga lodhja.

Hapat e njipasnjishëm
kafshojnë kohën,
rr’mojnë përgjigjet poshtë shollës
së këpucës,
që ka nji numër,
për t’panumërta hapa që
bajmë çdo ditë drejtë grackës.

Ndali hapin, mbaj frymën e mendoj:

- A thue ka nji numër t’fundit edhe fryma?
Du…,por s’mundem me u zhyt n’kyt çast fryme,
realiteti n’fund t’kësaj rrugice shumullohet,
jetët lindin me kambë n’diell,
e pëshpërisin shpresën e së nesërmes

Buzëve t’hanës.
I tham vedit: – Ç’rrëfim ka

me iu puthë atyne buzëve sonte?

Rrugicës po i vjen fundi,
e tash dielli po gatuhet n’flokët e mi,
avujt e dëshirave t’mesditës
dalin si tymnaja përmbi kryet tem.



Mbaj hapin, kthej kryet e përlaj tanë rrugicen me sy,
po ai zheg i heshtun,
me t’njëjtat ngjyra perdesh që mbyllin sytë e realiteteve,
me t’njëjtin diell që me nge vazhdon me gatue frymën e mesditës.
Pyetja që rri e ajërt përmbi mue: – Po unë ç’gatueva n’kyt rrugicë?

Dje deri sot.





S’ka titull për Dritën



I thatë më duket ky çast,

sikur nji diell që i kanë ra rrezet,

i janë përtha hiret,

e syve t’botës i trembet

me lakuriqsinë e vet të shëmtueme.



Më duket sikur ia ndigjoj t’rrahunat

që buçasin venave t’thame për nji fije zhurmë,

ia ndi e ia numëroj hapat

që shoqnojnë kastanjedat e sekondave,

minutave ngatërruem

kambëve, njitun duerve t’ftohta,

tretun kohësh,

si nji prag deret i harruem nga stinët.



Ia kam mbërthye frymen

n’grackën e syve,

e n’mendjen teme ia shtrydhi

deri n’marri pusin e heshtjes,

ia pi me nji frymë fjalët buzëve,

ia ngujoj t’folunen, e Heshti!



Ashtu e du, t’heshtun,

derisa t’msojnë Dritën,

derikur t’ia pushojnë rrezet bulave t’gishtave,

t’lyhet e njyhet me te,

derikur t’mi njohin sytë me erë.



Vetëm at’herë kam me e çmendë

thatinën e këtij çasti,

e kam me e lejue me hedh shishen e shpirtit tij

n’ujnat e syve t’mi.





Gota e buzëve që s’dinë me puthë

Unë jam gota jote,
herë më mbush me lumtuni,
herë më len me u mbytë
n’ujtë e idhnimit tand.

Jam gota e zemrimit,
kristal i formtë,
i ftohtë dhe i heshtun
që s’din me iu ankue a shmangë
shtërngimeve t’pamendta,
t’forta e t’dhimbta
t’humbjeve tueja.

gota jote, që netëve

t’pagzuem me mall,
vjen e shprazë n’te zbrazëtinë

tande, len sytë peng heshtjes,
e n’memecërinë e kristalit,
kërkon gjurmë buzësh,
me shpresën nji fjalë n’to me e gjetë.

gotë jam, e Zot kam vetëm
duert tueja, buzët e kohës, e duhmat e harrimit
përziem me tym cingaresh t’dredhuna.
Nuk t’i njoh sytë,
edhe pse shpesh jam mbush me dallgët
e frymës tyne,
të njoh vetëm buzët,
e megjithatë asnji puthje nuk t’a njoh,
ty, njëri me duer t’brengta,
që din vetëm me mbush e shprazë zbrazëti,
por që s’din me puthë.

Unë jam gota jote,
ruej shenjat e mëkateve tueja,
mureve t’mi t’heshtuna;
kumbojnë rrëfimet e malleve tueja
e unë t’ndi e njitun mbas duerve tueja rri,
unë, gota e buzëve që s’dinë me puthë.











Përgjithmonë



Arrna kohe jena

herë i veshena, herë na veshet

e randë,

si nji pikë vesë, prolog i dritës,

nji çarçaf mjegull që e mbeshtjellim syve

si ujtë e ftohtë t’nades

për me la andrrat

që na flenë përmbi qepalla.



Jena nji përgjithmonë që asht sot,

moment që therrmohet akrepave

e mbush honet e qiellit,

gjymton krahnorin e Hyjnores me kafshata

lutjesh, njerzish, fjala e t’cilëve fiket

heshtjes së syve.



Atje në maje, në naltësitë e akullta

të mosprekjes, por vetëm t’imagjinatës,

atje në picërrimin e syve,

horizontet kapërthehen, o i heshtun!

E ngërci i tyne na lan si pendimi

me zbrazëti që ngjitet hapave t’kalimtarëve

për me trembë frikën e vetmisë së fjalëve.



Ky çast i fundëm i “përgjithmonë”,

Diç’ rrëfen me gishtat e frymtë që m’endin lëkurës

bulëza djerse, sytha andrrash që kanë etje.

E unë ngrihem,

n’majë gishtave të flutrimit tem,

e përqafoj me gjithësinë e krahëve t’mi qiellin,

atë përjetësi që e ka jeten sa nji hap, sa nji fjalë,

sa nji shikim e nji premtim që s’flet me fjalë,

por vetëm me rrahje zemre.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...