Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/02/15

Rrugëtimi diplomatik i shtetit të Kosovës


Harta e Kosovës
Harta e Kosovës
Republika e Kosovës po kalon me sukses sfidat e veta pas shpalljes së pavarësisë. Pesë vitet e para të Republikës së Kosovës paraqesin sfidën e vazhdueshme të sigurimit të sa më shumë njohjeve. Që nga 17 Shkurti 2008 janë bërë përpjekje për mbrojtjen e interesave shtetërore në arenën ndërkombëtare.
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës e ka barrën kryesore për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtarë të vendit, por ajo përballet ende me shumë probleme. Kosova ka arritur të anëtarësohet në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, por ende jo në organizatën kryesore, atë të Kombeve të Bashkuara. Ajo është njohur nga afërsisht 100 shtete, por ende jo nga pesë vende të Bashkimit Evropian, gjë e cila ndikon negativisht edhe procesin e integrimit evropian.
“Pavarësia e Kosovës është një fakt i pamohueshëm dhe se sipas saj integriteti dhe subjektiviteti i Kosovës është i garantuar”. Ky është slogani më i shpeshtë që përdoret nga përfaqësues të Republikës së Kosovës. Por, çfarë në fakt konsiderohet e arritur në diplomacinë kosovare pesë vjet pas shpalljes së Pavarësisë. Të arriturat në politikën e jashtme të Kosovës, padyshim se vlerësohen nga autoritetet në vend. Zyrtarë të qeverisë theksojnë se objektiv kryesor i tyre mbetet fuqizimi i Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ministri i punëve të jashtme të Kosovës Enver Hoxhaj, thotë se në vitin e kaluar janë shënuar suksese të mëdha në politikën e jashtme.
“Kemi bërë përpjekje që ta kemi një politike të jashtme dinamike, aktive, të jemi prezent në çdo pjesë të botës dhe ta shtyjmë agjendën e promovimit, përfaqësimit shtetëror të Kosovës në çdo pjesë të mundshme të botës. procesi i njohjeve ka qenë një proces i pandalshëm. Po ashtu, gjeografia e njohjeve është një gjeografi globale”, thotë Enver Hoxhaj Por, ndryshe mendon ish homologu i tij nga LDK-ja, Skënder Hyseni. Ai thotë se në krye të 5 viteve të shtetësisë së Kosovës, populli i Kosovës nuk ka arsye të mos jetë i kënaqur, por nëse shikohet kjo në vija të holla, shumë çka le për të dëshiruar. Hyseni numëron ngecjet e Kosovës në rrafshin diplomatik.
“Nuk është arritur sidomos në rrafshin e njohjeve ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, ne kemi pas prit me të drejtë që për një periudhe jo shumë të gjatë kohore, Kosova do të mund të behej anëtare e OKB –së, kjo nuk ka ndodh, pastaj në rrafshin e anëtarësimit të Kosovës në organizmat ndërkombëtarë po ashtu ka ngecje dhe kjo vjen po ashtu si rezultat I mos arritjes së anëtarësimit në OKB, shumica e organizatave multilaterale ndërkombëtare e kanë parakusht anëtarësimin, të qenit anëtarë të OKB-së,për tu bërë anëtar edhe i organizatave tjera multilaterale”, ka shtuar ministri Hoxhaj.
Ndërsa, profesori i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, thotë se pozicioni i Kosovës në arenën ndërkombëtare nuk ka ndryshuar shumë. “Mendoj se Kosova ka të njëjtin pozicion, apo ballafaqohet me të njëjtat probleme që është ballafaquar para shpalljes dhe pas shpalljes së Pavarësisë, duke reflektuar në botë një vend të ri që synon të jetë krejtësisht demokratik, por që edhe sot e kësaj dite përballet me kontestim juridik dhe politik ndërkombëtar”, thotë Afrim Hoti.
Shpend Kursani nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave – KIPRED, thotë se Kosova nuk ka në një fare forme politikë të pavarur të jashtme, pasi në një masë udhëhiqet edhe nga shtetet e tjera të cilat duan t’i ndihmojnë Kosovës. Ai shton se politika e brendshme e Kosovës reflekton edhe politikën e jashtme. “Kosova në arenën ndërkombëtare me diplomacinë e saj, është komplet një reflektim edhe i politikës edhe funksionimit të brendshëm i Kosovës, do të thotë një mos koordinim i brendshëm i Kosovës natyrisht ka rezultuar në një shpërqendrim po ashtu në arenën ndërkombëtare”, thotë Kursani.
Sipas tij, Ministria e Punëve të Jashtme duhet të ketë kuadër më profesional. “Për shkak të një stafi jo shumë të mirë të përgatitur në MPJ, një pjesë dërmuese e stafit nuk kanë njohuri as në gjuhën angleze janë të përfshirë në diplomacinë kosovare, kjo nuk ka ndodhur në ndonjë vend, sepse gjuha angleze dhe franceze është gjuhë e diplomacisë në arenën ndërkombëtare. Po ashtu komunikimi me ambasadat e Kosovës është jo mirë i koordinuar, ende nuk e kemi një sistem i cili në mënyrë automatike, bartë mesazhet edhe pozicionet e shtetit karshi shteteve tjera”, shton më tej Shpend Kusrani.
Pengesë tjetër në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës konsiderohet edhe mbetja aktive e rezolutës 12 44. Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti, potencon se juridikisht kjo rezolutë i bën dëm Kosovës, ani pse politikisht pesha e kësaj rezolute ka rënë pas vendimit të GJND-së. Juridikisht Rezoluta 12 44 është pengesë serioze për Kosovën në krijimin e këtij subjektiviteti, në radhë të parë në raportet që Kosova dëshiron t’i ndërtojë me OKB-në, raporte nga të cilat varen edhe raportet e Kosovës me shumë mekanizma të tjerë, sepse anëtarësimi në OKB duhet ti paraprijë anëtarësimi në një varg organizatash dhe iniciativash të tjera. Prandaj mbi këtë bazë në kuptimin juridik normalisht që vazhdon që kjo rezolutë mbetet pengese serioze drejt krijimit të një subjektiviteti ndërkombëtar. Në kuptimin politik, ndonëse rëndësi dhe pesha e kësaj rezolute ka rënë dhe kjo kryesisht në të shumtën bazuar në mendimin e GJND, në opinionin juridik që dha gjykata ndërkombëtare e drejtësisë, duke konfirmuar se rezoluta 12 44 nuk mohon apo nuk ndalon popullit të Kosovës që të bëj shpalljen e pavarësisë prandaj politikisht vende të ndryshme mund të bazohen në mendimi ne kësaj gjykate për të marr vendimin për njohje sepse vendimi i popullit të Kosovës ka qenë krejtësisht I drejtë dhe legjitim”, thotë Afrim Hoti.
Edhe Kursani vlerëson se Rezoluta 12 44 paraqet pengese sepse përmes saj Serbia dhe Rusia e ndalojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në organizatat tjera ndërkombëtare dhe ngritjen e legjitimitetit ndërkombëtare të Kosovës.
“Mirëpo, pa marrë parasysh këtë, Kosova duke u forcuar përbrenda edhe më ketë numër të njohjeve që e ka mund të funksionojë shumë mirë në arenën ndërkombëtare. Nëse merret shembull Bosnja, është një shtet i pranuar ndërkombëtarisht është i pranuar në OKB, njihet edhe nga Serbia edhe nga Rusia mirëpo është një shtet edhe më i dobët dhe më i defunskionalizuar se Kosova kështu që jo domosdoshmërish rritja e njohjeve në mënyrë të pamenduar apo duke bërë kompromise të brendshme do të thotë se është mire për subjektivitetin ndërkombëtarë të Kosovës. pra numri i njohjeve jo domosdoshmërish do të thotë se shteti mund të jetë i fortë edhe në arenën ndërkombëtare, pro duhet të forcohet së pari përbrenda”, shton Kursani.
Megjithëkëtë, Ministri Hoxhaj numëron të arriturat. Vetëm gjatë këtij vitit të kaluar Republika e Kosovës ka lidhur rreth 30 marrëveshje bilaterale me shtetet e ndryshme duke avancuar bashkëpunimin me shtetet partnere, është anëtarësuar në 11 organizata ndërkombëtare rajonale. Në këtë kontekst, ai ka veçuar anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
“Përveç kësaj, një ngjarje e rëndësishme është anëtarësimi i Kosovës në Bankën Evropiane për Zhvillim. E rëndësishmja është që Kosova është anëtarësuar në këtë institucion financiar si Republikë e Kosovës, si një vend sovran dhe i pavarur pa u përdorur fare fusnota. Po ashtu, në agjendën evropiane kemi pasur zhvillime”, thotë Hoxhaj. Lajmi i anëtarësimit u mirëprit nga i gjithë spektri politik. Kryeministri, Hashim Thaçi, e vlerësoi lartë anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për disa arsye.
“Pra, anëtarësia e Kosovës është një fitore e madhe e identitetit shtetëror të Kosovës dhe çimentimit të Kosovës si pjesë e pashmangshme e relacioneve dhe organizatave ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi. Mirëpo, anëtarësimi i Kosovës në OKB mbetet ende prioriteti kryesor i politikës së jashtme. Kryediplomati kosovar, Enver Hoxhaj nuk flet për kohën se kur Kosova duhet të aplikojë për tu bërë pjesë e OKB-së, por thekson se do të jetë ndër vendimet më strategjike të vendit.
“Pa dyshim se, ne si Kosovë, synojmë anëtarësimin në OKB-së dhe synojmë një anëtarësim të plotë, dhe ideja e rritjes së numrit të njohjeve është, mbi të gjitha, fuqizim i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Unë jam krenar që viti 2012 ka qenë një viti suksesi, që procesi i njohjeve ka qenë i pandalshëm dhe që çdo kush në botë është bindur se askush nuk mund ta ndalë rrjedhën e historisë. Koha se kur Kosova do të aplikojë për anëtarësim në OKB – tash nuk mund ta them, sepse është një prej vendimeve më strategjike dhe për vendime të tilla neve na duhet një analizë e mirëfilltë e plotë, se kur duhet të ndodhë kjo, si duhet të ndodhë dhe cilat janë synimet tona, qëllimet tona. Ne nuk do të bëjmë asnjë hap pa një koordinim të ngushtë me SHBA-në dhe partnerët tanë evropianë”, shton ministri Enver Hoxhaj.
Por, cilat janë procedurat që Kosova duhet të ndjek për t’u anëtarësuar në organizatën e Kombeve të Bashkuara. Profesor Hoti thotë se, procesi varet nga vullneti i shteteve themeluese në kuadër të KS të OKB-së, i përbërë nga pesëshja e njohur që kanë të drejtën e vetos, ose që OKB-së I qëndrojnë si kujdestare në marrjen e çfarëdo vendimi që arsyetohet me ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të botë.
“Sido që të jetë, procesi administrativ, apo rruga e aplikimit, bëhet në formën e parashtrimit të një kërkesë që Kosova eventualisht duhej ta depononte në sekretari te Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kjo kërkesë më pas do të duhej të përcillej në KS të OKB-së prej nga do të duhet ti merrte dy të tretat e votave, duke përfshirë këto pesë shtetet që kanë të drejte të vetos dhe nëse ky vendim do të ishte pozitiv, apo kërkesa e Kosovës do të kalonte Këshilli i Sigurimit , pastaj kjo do të vihej në agjendë në Asamblenë e Përgjithshme vetëm sa për t’u konfirmuar dhe në Asamblenë e Përgjithshme do të duhej të merren dy të tretat e votave të anëtarëve prezentë. Kjo në pamje të parë duket një procedurë e komplikuar por nuk është gjithaq e komplikuar, sa është i komplikuar vullneti i shteteve në radhë të parë atë atyre vendeve që kanë të drejtë të vetos që janë anëtarë të përsheshëm të Këshillit të Sigurimit”, thotë Afrim Hoti.
Ndërsa, komentet që lidhin anëtarësimin e Kosovës me numrin e njohjeve 100, 120 apo 150, nuk qëndrojnë, sipas profesor Hotit. Ai thotë se këto janë vetëm shifra numerike dhe anëtarësimi në OKB nuk varet nga numri i njohjeve.
Mbase Republika e Kosovës do të kërkojë që të arrijë anëtarësimin e plotë në OKB nëpërmjet procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, që do të nënkuptonte heqjen e pengesave për tu bërë anëtare e OKB-së. Shpend Kursani mendon se edhe në rast të pranimit të Kosovës nga ana e Serbisë, Rusia nuk do ta njoh Kosovën.
“Nëse Serbia do të lëshonte pe në mënyrë hipotetike, dhe do ta njihte Kosovën, mendohet se edhe Rusia automatikisht do ta njeh? Unë nuk besoj që Rusia do ta njeh menjëherë Kosovën nëse e njeh Serbia, arsyeja kryesore është se Rusia ka interesa tjera gjeopolitike në Ballkan, por edhe borxhe të ndryshme të cilat i kërkon nga partnerët më të mëdhenj të Kosovës, siç është Gjermania, SHBA dhe Anglia. Pra, nëse Serbia e njeh Kosovën – unë mendoj se Rusia do ta kushtëzonte partnerët e Kosovës me gjërat tjera që ata i kanë ndërmjet veti në mënyrë që Rusia ta njeh Kosovën, kështu që nuk besoj se njohja e Serbisë automatikisht do të thotë edhe njohje e Rusisë sepse interesat e të dy shteteve janë të ndryshme”, thotë Shpend Kursani.
Kur flasim për anëtarësimin e Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë, vendi ynë tashme është anëtare e dy organizatave ndërkombëtare më të rëndësishme financiare: Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e Bankës Botërore. Anëtarësimi dhe përfaqësimi në organizatat tjera të rëndësishme ndërkombëtare, sikurse që janë NATO-ja, BE-ja, OKB-ja, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Këshilli i Evropës – të rëndësishme për fuqizimin e legjitimitetit ndërkombëtar të Kosovës – mbetet ende pa u arritur.
Një zotim për rritjen e numrit të njohjeve e ka dhënë edhe ministri Hoxhaj. Sipas tij, në vitin 2013 do të punohet në arritjen e numrit simbolik të 100 njohjeve, në mënyrë që Kosova ta ketë më të lehtë anëtarësimin nëpër institucionet ndërkombëtare. “Në muajt e parë të vitit 2013, ne do të bëjmë përpjekje që ta arrijmë numrin simbolik të 100 njohjeve, por prioritet është anëtarësimi i Kosovës në organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, dhe politika e jashtme në vitin 2013 do të jetë një politikë e jashtme multilateral”, thotë Hoxhaj.
E, në kuadër të rritjes së numrit të njohjeve, sfida kryesore mbetet njohja nga pesë vendet e mbetura të BE-së. Qëndrimet e tyre duket se nuk do të ndryshojnë shpejtë. Ndërkohë, brenda vendit vazhdojnë kritikat ndaj ministrisë së jashtme. Ish-ministri Hyseni nuk e vlerëson aspak angazhimin e qeverisë aktuale në lëmin e politikës së jashtme.
“Unë e them me keqardhje po qeveria e parë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka bërë shumë në politikën ndërkombëtare në ndërtimin e strukturës edhe fizike infrastrukturore të shërbimit të jashtëm të Kosovës, shërbimit diplomatik, ndërsa po them me keqardhje gjatë këtyre dy viteve të qeverisjes së kësaj përbërje, është bërë shumë pak në politikën e jashtme”, thotë Skënder Hyseni.
Kritikat e tij, Hyseni i argumenton duke krahasuar periudhat qeverisëse. “Defektet janë të gjithanshme, jo vetëm ne një vështrim shumë të thjesht mund të hetoni ngecje. Për dy vjet kjo qeveri nuk ka arritur të themelojë madje as një Konsullatë të vetme mezi në Strasburg, ndërkohë që në legjislacionin, e kaluar në përbërjen, e kaluar MPJ vetëm brenda gjashtë muajsh ka themeluar 20 ambasada dhe 13 i ka funksionalizuar plotësisht ,20 ambasada dhe 13 konsullata . Ky është tregues i mjaftueshëm për dështimet gjatë këtyre dy viteve”, ka shtuar Hyseni.
Për ngecjet në njohje flet edhe Shpend Kursani. Ai përmend moskoordinimin e faktorit të brendshëm politik dhe diplomacinë serbe e cila shantazhon në vazhdimësi Kosovën. “Kemi një Zëvendëskryeministër i cili ka marrë primatin që të merret me ngritjen e numrit të njohjeve, kemi ministrin e punëve të jashtme dhe po ashtu presidenten e cila përfaqëson politikën e jashtme të Kosovës. Kështu që kemi një politikë të decentralizuar sa i përket ngritjes së njohjeve jashtë vendit. dua të them se edhe kjo është e lidhur me politikën e brendshme të Kosovës, duke pasur Kosova një imazhin të keq sa i përket krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo e afekton negativisht edhe ngritjen e numrit të njohjeve. Por kjo nuk është vetëm problemi i Kosovës, problemi qëndron edhe te diplomacia e fortë e Serbisë e cila është në mënyrë të vazhdueshme e angazhuar për ta shantazhuar Kosovën”, thotë Kursani nga KIPRED. Ai konsideron se Kosovës i duhet që ta centralizojë më shumë strategjinë për shtimin e numrit të njohjeve. Megjithëkëtë sipas tij ka hapësirë dhe vende ku diplomacia kosovare mund të lavdërohet.
“Nuk mund të themi se asgjë nuk është bërë por me siguri ka pasur hapësirë që të bëhet më shumë sidomos tek koordinimi më i mirë i mekanizmave të diplomacisë të departamenteve të ndryshme në MPJ dhe te ngritja e nivelit të stafit brenda në MPJ i cili nuk është shumë mirë i përgatitur për ti përballuar sfidat e Kosovës që i ka jashtë”, shton ai. Njohjet zakonisht varen nga shumë faktorë. Ndryshimi i rrethanave të brendshme politike në shumë vende po ashtu mund të sjell njohje të reja për Kosovën dhe të tilla janë ato që paralajmërohen nga disa vende të rëndësishme të përfshira nga “Pranvera Arabe”.
Rezultat pozitiv në diplomacinë dhe politikën e Kosovës, konsiderohet edhe përmbyllja e mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës. Ky proces ka efekt pozitiv, sidomos për ato vende që kanë pasur dilema për Pavarësinë e Kosovës. Heqja e mbikëqyrjes së Pavarësisë vetëm se konfirmon që Kosova funksionon me Kushtetutën e vet, operon me ligjet e veta dhe është në gjendje që të jetë pjesë e marrëveshjeve juridike ndërkombëtare. Gjithsesi, më e rëndësishmja nga të gjitha, është konsolidimi i shtetit të Kosovës për të dëshmuar se Republika më e re në Evropë është partner i barabartë në skenën ndërkombëtare.

Kardoikirurgjia, (s’)funksionalizohet më 17 shkurt




Ariana Kasapolli - Selani



Kardiologjia
Kardiokirurgjia në Qendrën Klinike Universitare ende nuk është hapur. Edhe pse zyrtarë të lartë qeveritarë kanë deklaruar se operacionet e zemrësqysh vitin e kaluar  do të kryheshin në këtë klinikë, kjo nuk ka ndodhur.
Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, kishte deklaruar se qëllimi i institucionit që ai udhëheq, ka qenë funksionalizimi i kësaj klinike më 28 nëntor të vitit të kaluar. Por, ky repart nuk është funksionalizuar me këtë datë.
Ndërkohë, vetë Ministri është prononcuar se më 17 shkurt të këtij viti, përkatësisht  në 5-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, do të funksionalizohet ky repart dhe pacientët kosovarë, do t’i kryejnë shërbimet aty.
“Jemi duke punuar maksimalisht në atë drejtim. Problemet teknike janë duke vazhduar si zakonisht, me prokurimet, me procedurat që janë plotësisht joadekuate me nevojat e sektorit të shëndetësisë, pra nuk i marrin parasysh specifikat e sektorit të shëndetësisë. Por, megjithatë, jemi duke punuar intensivisht dhe unë kam shumë shpresë që për nder të 5-vjetorit të pavarësisë së shtetit, do të fillojmë me shërbimet kardiokirurgjike”, deklaron Agani.
Ndërkaq, kardiokirurgët në vend thonë se numri i pacientëve që kanë nevojë për këtë lloj trajtimi, është shumë i madh. Kurse, sa i përket hapjes së Kardiokirurgjisë brenda Qendrës Klinike Universitare, Bekim Dula,kardiokirurg, thotë se atë e sheh si të domosdoshme.
“Kërkesat për kardiokirurgji janë të mëdha. Ka me qindra pacientë që presin, disa shkojnë jashtë, disa në ordinanca private, por me funksionalizimin e Kardiokirurgjisë, pacientët do të mund t’i kryejnë shërbimet pa pagesë brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës”, shprehet Dula.
Por, sipas Dulës, me gjithë përpjekjet që janë duke i bërë, punët nuk duket të jenë kryer aq sa duhet.
Është puna e procedurave të tenderimit dhe Ligji i prokurimit publik ka shumë procedura. Në momentin kur kryhen këto, ne jemi gati të fillojmë.
“Është puna e procedurave të tenderimit dhe Ligji i prokurimit publik ka shumë procedura. Në momentin kur kryhen këto, ne jemi gati të fillojmë. Ne po bëjmë çmos që ta angazhojmë stafin. Aktualisht është duke u përzgjedhur stafi i mesëm, edhe aty ka procedura. Ne do të mundohemi që ta hapim më 17 shkurt, por edhe nëse nuk hapet me këtë datë, nuk është me rëndësi, sepse në javët në vijim qytetarët do ta kenë kardiokirurgjinë”, thekson Dula.
Sa i përket stafit për kardiokirurgji , kardiokirurgu Bekim Dula thotë se Kosova ka një ekip për këtë lëmi, që do të mund të punonte që me hapjen e Kardiokirurgjisë, derisa stafi shtesë tashmë është duke u përzgjedhur në bazë të konkursit./Ariana Kasapolli – Selani/REL

Intervistë me këngëtarin Gjon Karrica: E dua pafund muzikën dhe artin

Bisedoi Ermira Babamusta, New York
Gjon Karrica
Gjon Karrica
Artisti Gjon Karrica është një këngëtar nga Gjakova. Në 1998 largohet nga vendlindja për në Zvicër ku jeton dhe sot. Pasionin e tij, muzikën e bëri karrierë në vitin 2008 dhe e mori seriozisht hobin e tij. Në 2010 Gjoni përfundoi shkollën private të muzikës dhe këndimit. Gjatë karrierës së tij të sukseshme ka bashkëpunuar me artistë shqiptarë dhe të huaj. Krijimet e tij të para janë “Qësht Dashuria” dhe “Një Kosovare virgjëreshë”, me producentin Anton Nuo.
Në performancat e tij i talentuari Gjon Karrica di si të emocionojë publikën me entuziasmin dhe interpretimin e bukur të muzikës shqiptare, si në këngët tradicionale dhe në zhanra të tjera.
Dua të falenderoj miqtë dhe fansat e mi për përkrahjen. Kam kënaqësinë që t’ju them se ju jeni adrenalina e karrierës sime. Kam akoma shumë punë për të bërë. E dua pa fund muzikën dhe çdo gjë të bukur që quhet ART. Ndoshta dashuria shumë e madhe për këngën ka bërë që të këndoja gjithë kohën duke kënaqur veten. Nga dita në ditë pres të sjell krijime të reja, gjithmonë për t’ju argëtuar juve që më dëgjoni dhe duke u mbështetur te ju miqtë e mi,” tha artisti Gjon Karrica.
Gjon Karrica
Gjon Karrica
Intervista me Artistin Gjon Karrica
Bisedoi Ermira Babamusta, New York
Gjon, keni kohë që merreni me muzikë. Cili zhanër përshkruan më mirë stilin e muzikës tuaj nëpër vite?                                                                                                                        
Gjon Karrica: Asht një Mix, Pop, House, R`n`B.
Cila është kënga e parë që keni kënduar?                                                                        
Gjon Karrica: Kënga e parë që kam kënduar është “Unë do t’jam i joti”. Këtë kang e këndoj për një person shumë të veqantë.
Videoklip juaj “Qësht Dashuria” është mirëpritur dhe pëlqyer shumë nga fansat tuaj. Na trego më tepër për krijimin e videoklipit.
Gjon Karrica: Videoklipi është filmua në Winterthur të Zvicrës, në nëntor 2009. Mbaj mend që ka qenë një ditë shumë e ftohtë edhe ishte shumë vështirë që të realizohet. Madje, ka në shumë vene që vërehet që kam nirth shumë. Regjizori turk Uğur Gültekin ka kryer projektin. Jam shumë i kënaqur me realizimin e kësaj video. Video është lançuar në shumë televisione të Kosovës dhe Maqedonisë.
Cila ka qenë performanca live më e preferuar për ju?
Gjon Karrica: Performanca më e pëlqyra ka qenë në finalen e programit famoz pasioni im, Finalen e Zürich.
Ku dëshironi të performoni në të ardhme?                                                                          
Gjon Karrica: Ku do që ka Shqiptar.
Cilat janë synimet dhe ëndrra juaj në jetë?                                                                      
Gjon Karrica: Ëndrra ime ma e madhe kishte me qenë nje këngë në gjuhën shqipe ta bënim të njohur në shkallë ndërkombëtare.
Me çfarë projekti po merreni tani?                                                                                                                                                                                                                                     
Gjon Karrica: Tani po merrem me një projekt të ri i cili quhet, Shqiptar, a jeni gati se po vjen Lugati.  Tekstin e kam shkruar unë dhe Anton Nue. Muzika nga  Anton Nue. Është një kang shumë e mirë edhe mendoj që ka një stil të veqant, është party song. Kurse kangët e tjera që janë në realizim kanë të bëjnë me mua, sepse nëpërmjet muzikës time mund t’i shprehi të gjitha idetë dhe talentin tim. 

Inteligjenca Shqiptare në Francë: Biesedë me politologun Dr. Mirsad Voca

Inteligjenca Shqiptare në Francë: Biesedë me politologun Dr. Mirsad Voca

Nga : Ermira Babamusta, Ph.D., New York, Prishtinë

Z. Mirsad, na tregoni për origjinën tuaj?

Dr. Mirsad Voca: Jam me origjinë nga qyteti i Mitrovicës ku kam lindur dhe jam rritur. Njihet po ashtu si qyteti i minatorëve duke e pasur parasysh minierën e Trepçës aty ku babai im punoi përgjatë 40 viteve.

Shkollën fillore dhe të mesme e kam mbaruar në Mitrovicë, e para shkolla fillore “Migjeni” ndërsa e dyta gjimnazi “Frang Bardhi”. Vitin e fundit të gjimnazit gjenerata ime nuk ka mundur ta ndjek për shkak të luftës në Kosovë përgjatë viteve 1998-1999, mirëpo pas çlirimit nga okupimi serb u ktheva në Mitrovicë menjëherë dhe përgjatë vitit 1999 u validua edhe viti i katërt i shkollës së mesme.

Cilat janë kujtimet e rinisë tuaj në Kosovë?

Dr. Mirsad Voca: Rinia ime në Kosovë nuk ka qenë edhe aq e lehtë sikur për shumë të tjerë duke e pasur parasysh situatën e veshtirë përgjate viteve tê 1990 në Kosovë. Vi nga një lagje që në ate kohë quhej “Tavnik” sot “Ilirida”, e cila konsiderohej paksa më e egër nga pjesët e tjera të qytetit. Aty edhe policia serbe shpesh nuk guxonte të depertonte pa mjete të blinduara.

Që në moshën 9 vjeçare (isha vetëm në klasën e tretë) kam marre pjesë në protesta kundër regjimit serb. Në fakt unë po shpërndaja qepë protestuesëve kundër gazit lotsjellës (ndoshta duket e çuditshme por qepa ndihmonte kundër gazit lotësjellës).

Mësimin në shkollën fillore dhe atë të mesme e bënim disi fshehurazi nga policia meqë ishte i ndaluar nga regjimi serb mësimi në shqip. Një orë mësimi zgjaste 30 minuta, nganjeherë edhe me shkurt sepse ndërtesa ishte e ngarkuar me të gjitha drejtimet dhe të gjitha gjeneratat. Kam qenë edhe dëshmitar direkt kur arsimtarët arrestoheshin dhe rraheshin në prezencën e nxënësve dhe burgoseshin për një periudhë të caktuar pastaj liroheshin. Megjithatë shkollimi shqip prapë vazhdonte në kushte jo normale dhe shumë të vështira.

Meqë kushtet financiare në familjen time ishin të vështira që nga viti 1990 deri më 1995 kam ndihmuar babain për të shitur ato perime e frute që ai i kultivonte në kopshtin e shtëpisë. Pastaj kam shitur edhe duhan në qytetin e Mitrovicës përgjatë verës së vitit 1995. Shuma që fitoja investoja pastaj në materiale mësimore.

Në vitin 1997 filloi të acarohej gjendja e sigurisë dhe ndjehej fillimi i një lufte të armatosur. Ndërsa vitet 1998-1999 kam përjetuar luftën deri në ekzodin e pranverës së vitit 1999 kur u detyruam të braktisim shtëpinë për të ecur mbi 150 km deri në kufi me Shqipërinë në Morinë. Përgjatë këtij marshi refugjatësh pati momente shumë prekse të cilët janë po aq të freskët në kujtesën time edhe në këtë moment kur po i shkruaj këto fjalë. Pastaj qëndruam në Shqipëri si refugjatë në një kamp amerikan në qytetin e Fier-it në Shqipëri.

Kur u larguat nga vendlindja dhe ku emigruat?

Dr. Mirsad Voca: Pas kthimit nga Shqipëria, u regjistrova në Universitetin e Prishtinës në vitin 1999 ku edhe mbarova në vitin 2003 studimet katër vjeçare në degën Gjuhë dhe letërsi frenge. Pasi që në vitin 2001 pata rastin të punësohem si përkthyes për KFOR-in francez përgjatë dy viteve, dhe meqë kisha grumbulluar pak të holla vendosa që menjëherë pas sudimeve në Kosovë të vendosem në France për të vazhduar studimet tjera superiore.

U vendosa në Paris në nëntor të vitit 2003. Ishte për mua një thyerje e madhe si gjeografike po aq arsimore dhe edukative. E dija që duhej punë e madhe për tu bërë në mënyrë që të arrihet një nivel i krahasueshëm me atë të kolegëve të mi francez dhe të huaj. Mirëpo nuk frikohesha duke u nisur nga fakti se kam një karakter konsistent dhe e dija shumë saktësisht se për çka kisha shkuar në Paris dhe çka dëshiroja.

Përshtypjet e para në Paris dhe jetën franceze.

Dr. Mirsad Voca: Kur u vendosa në fillim në Paris të gjitha rrugët më dukeshin njësoj për shkak të arkitekturës së qytetit me bulevardet dhe avenyt e tij të famshëm që ngjajnë shumë sidomos për një të huaj kur i sheh ato fillimisht. Sigurisht se kisha përshtypje shumë pozitive dhe isha plotë emocione dhe entuziazëm për këtë qytet.

Aktualisht vazhdoj të qëndroj në Paris. Jeta në këtë qytet është e shumëngjyrshme. Ka shumë mundësi sidomos për studime sepse është një shtet në të cilin studimet janë pothuaj falas krahasuar me shtetet tjera. Shkollimi është kualitativ me kuadro të njohur edhe ndërkombtarisht por edhe me shkolla të njohura dhe kompetente.

Jeta në Paris është e shtrenjtë, nganjëherë e vështirë por edhe këndshme sepse mendoj se është një qytet po aq i rëndë me turmat, zhurmat e njerëzve dhe shtrenjtësinë e tij sa edhe i këndshëm për jetën në shumë aspekte. Kur je student në këtë qytet ke shumë përparësi të cilat i ofron shteti për të lehtësuar jetën e studentit dhe kjo e bën më të lehtë jetën prej studenti.
Është një qytet kozmopolitan. Kam njohur francez por edhe shumë të huaj. Njerzitë në përgjithësi janë të sjellshëm mirëpo sigurisht që ka ndonjherë ndonj përjashtim. Ka një klishe për francezët apo thënë më saktësisht francezët parizian, thuhet se janë pretencioz gjë që e kam ndjerë edhe unë ndoshta ndonjëherë mirëpo kjo mund të mbetet sharmante nëse nuk teprohet.

Cilat janë arritjet dhe sukseset tuaja gjatë karrierës deri tani?

Dr. Mirsad Voca: Shkollimi im në Paris duket paska i ngjeshur përgjatë nëntë viteve dhe vetëm tash po marr frymë më lirshëm dhe po e jetoj Paris-in më ndryshe, më i liruar nga studimet.

Arritja ime e parë ishte kur në shtator të vitit 2005 mbraova studimet e master-it në drejtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare - studime evropiane.

Më pas fitova bursën pranë qeverisë franceze për studime doktorale në po të njëjtin drejtim i varur nga laboratori i Shkollës doktorale të shkencave sociale pranë institutit të gjeopolitikës dhe atij të studimeve evropiane.

Në vitin 2006 fillova hulumtimin doktoral mirëpo pas një viti apo në 2007 u koncentrova në një shkollë tjetër franceze. Është fjala për ENA (Ecole Nationale d’Administration – Shkolla kombëtare për administrim). Arrita ta kaloj konkursin për këtë Shkollë pas një përgaditjeje gjashtë mujore përgjatë vitit 2007 dhe një pjesë të madhe të vitit 2008 kalova në Strasbourg aty ku zhvillohet shkollimi në ENA. U diplomova edhe në ENA në administrim publik – drejtimi marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci.

Kam bërë disa publikime ( përgjatë studimeve në ENA dhe atyre doktorale kam botuar artikuj hulumtues në Bulletinin filozofik pranë Universitetit të Prishtinës, në Fondacionin për hulumtim strategjik në Paris si dhe në disa të përditshme kosovare) si në Francë po ashtu në Kosovë mirëpo mendoj se janë simbolike.

Cilat janë pasionet tuaja në lidhje me degën?

Dr. Mirsad Voca: Meqë rinia ime është ndërlidhur shumë me konfliktet në ish-Jugosllavi e veçmas me atë të Kosovës, kam zgjedhur t’ua kushtoj studimet e mija universitare dhe hulumtuese doktorale në Francë.

Kam shumë pasione, si dinamik që jam. Sportist e dua muzikën, luaj pak me kitarë dhe përpiqem të këndoj. Kitara është diçka e re për mua të cilën e kam mësuar në Paris. Duhet të përmendi se që në moshën 10 vjeçare pata filluar të mësoj të luaj qiftelin si instrument kombëtar që e kemi ne Shqiptarët.

Cilën temë trajtuat në disertacionin e doktoraturës?

Dr. Mirsad Voca: Në temën time që e kam trajtuar bëhet fjalë për Kosovën midis shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe rikompozimit evropian. Brenda kësaj suaze hulumtoj çështjen e paqartësive të së drejtës për vetëvendosje të Kosovës dhe emergjencën e shtetit të Kosovës. Qasja është gjeopolitike dhe politiko-sociale por edhe historike. Teza ime vendoset në përballjen e aspiratave kombëtare të akterëve shqiptarë të Kosovës me tërësinë e zhvillimit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe atyre regjionale ku ato aspirata gërshetohen. Përqendrohet në çështjen e statusit të Kosovës nga këndvështrimi i të drejtave dhe identiteveve që (nuk) u janë njohur shqiptarëve të Kosovës.

Çfarë ju bën krenarë për prejardhjen tuaj ?

Dr. Mirsad Voca: Që jam Shqiptar (me të gjitha të mirat e të këqijat). Që vi nga një familje e shëndosh kombtarisht, moralisht dhe historikisht. Nëse nuk e duam vetën dmth të qenurit shqiptar, mos te presim që këtë ta duaj i huaji para se ne ta duam veten. Por si ta duam ? Mendoj se duhet të jetë në mënyrë vetmohuese, gjë që shpie kah një konstruktivitet. Duhet me të vertetë së pari të njohim sa më shumë kush jemi, si jemi, prej nga jemi, për se jemi. Të provojmë tu përgjigjemi këtyre pyetjeve sa më thellë dhe arsyeshmërisht duke mos e mohuar kurrë dashurinë për prejardhjen tënde, në këtë rast e të qenurit shqiptar.

Cilat vlerat shqiptare do ti mësonit Francës dhe botës ?

Dr. Mirsad Voca: Ka aq shumë për t’iu interpretuar të huajëve. Me atë që ballafaqohesh më së shumti është injoranca dhe pasqyrimi më shumë negativ për Kosovën dhe për shqiptarët. Gjithmonë përpiqem me ato argumente që posedoj t’iu interpretoj një imazh të shqiptarëve si një popull i lashtë, me traditë të vjetër, me një shpirt të pathyeshëm gjë që ka bërë që ne të ekzistojmë si popull, me një bujari, me mikpritje e solidaritet, i kthyeshëm, jo agresiv ndaj popujve tjerë. E gjithë kjo nuk e di sa arrin ta zbus sado pak atë propagandën shumëvjeçare që është zhvilluar ndaj shqiptarëve në pothuaj çdo shtet të botës.

Cili është rekomandimi juaj për Kosovën ? Çfarë na nevojitet më tepër në vend ?

Dr. Mirsad Voca: Mendoj shumë sinçerisht dhe thjeshtë se duhet bërë shumë më shumë në arsimim dhe atë pa ndalur për shumë vite intensivisht dersia t’ia arrijmë ta kemi një nivel më të lartë. Kjo vlen për të gjithë Shqiptarët kudo që janë. Pastaj, na nevojitet një punë më kolektive si shoqëri. Duhet të kupojmë se një shoqëri ec drejt dhe shëndosh me një punë kolektive dhe jo me individualizëm. Pasi që të kuptojmë njëherë e mirë, pastaj duhet të veprohet në atë drejtim. Pra, duhet pak të ndryshohet edhe karakteri individual prej shqiptari sepse kjo do të na pengoj për një të ardhme më të ndritshme.

Këshilla juaj për studentët shqiptarë në diasporë?

Dr. Mirsad Voca: Do të dëshiroja që ata që bëjnë studime jashtë vendit dhe sidomos ata që doktorrojnë të kenë edhe mundësinë (nuk mjafton vetëm dëshira) të kontribuojnë në vendlindjen e tyre sesa të qëndrojnë jashtë vendit dhe të kalojnë jetën duke punur diku në ndonjë kompani apo universitet të huajë ndërsa vendlindja vuan nga një deficit i hatashëm kuadrosh në pothuaj të gjitha fushat.

Cilat janë ambiciet dhe synimet tuaja për të ardhmen?

Dr. Mirsad Voca: Kam shumë synime mirëpo aktualisht pas mbrojtjes së doktoratës jam duke jetuar pak më lirshëm duke pritur lëshimin formal diplomës. Pres që në një të ardhme të afërme të shoh perspektivën time në Kosovë në sferën universitare, por nuk e përjashtoj edhe dëshirën për të kontribuar në diplomaci. Mendoj në atë të Kosovës e cila mendoj se ka nevojë të reformohet e të ngritet më lartë. Në fakt në Kosovë ka nevojë për gjithçka meqë është ende fillimi i një shtetndërtimi. Mendoj se mungojnë kuadro në çdo fushë e sidomos në sferën universitare ku mendoj se do të jepja me dëshirë kontributin tim.

NJOFTIM PUBLIK


Te nderuar,

Kete muaj kam filluar iniciativen per te nxjerre ne pah inteligjencen shiqptare ne diaspore, studente qe jane duke vazhduar doktoraturen ose sapo kane perfunduar 1-2 vitet e fundit. Kjo jep perkrahjen tone per karrieren e te rinjve dhe intelekualeve shqiptare ne bote dhe vend. Por me e rendesishmja, tregon dhe vlerat , ambiciet dhe synimet te inteligjences shqiptare neper bote.

Nese njihni persona qe jane duke kryer ose kane kryer doktoraturen ju lutem jepni kontaktin tim ermirab@yahoo.com te me dergojne kerkese nepermjet emailit per interviste/shkrim biografit te tyre.

Ne kete interviste keni bieseden me te nderuarin z. Mirsad Voca. Faleminderit per publikimin. Ermira Babamusta.


Ermira Babamusta, Ph.D.
Political Scientist, Foreign Affairs Expert & Author

www.facebook.com/ErmiraBabamustaFans

This email (including any attachments) is for its intended-recipient's use only. This email may contain information that is confidential or privileged. If you received this email in error, please immediately advise the sender by replying to this email and then delete this message from your system.

“I kam borxh vitit ’13 që s’ia mbylla plagët”.

529600_10150951283206099_1761116442_n

Agim Vinca


“I kam borxh vitit ’13 që s’ia mbylla plagët”.


Xhevahir  Spahiu, Borxhet e mia


Derisa viti që lamë pas, 2012-a, për shqiptarët ishte, me të drejtë, vit feste, viti në të cilin kemi hyrë, 2013-a, do të duhej të ishte: vit kujtese.
Në ç’kuptim?
Shqipëria, pas një robërie të gjatë gati pesëshekullore, u shpall, më 28 nëntor 1912, “e lirë dhe e mosvarme”, por shqiptarët dhe trojet e tyre, me vendimin e padrejtë të Fuqive të Mëdha, u ndanë në mënyrën më të vrazhdë të mundshme, duke mbetur, më tepër se gjysma e tyre, nën sundimin e shteteve fqinje: Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi.
Kjo padrejtësi e madhe historike: ndarja e një kombi në dysh, që ndodhi njëqind vjet më parë, u shoqërua me krime e masakra të tmerrshme, që ushtruan trupat serbo-malazeze dhe bullgare mbi popullsinë e pafajshme shqiptare.
Është detyrë e shkencës sonë, e historisë dhe e historianëve në radhë të parë, që t’i kujtojnë këto ngjarje, jo për të ngjallur urrejtje mes popujve, por për të njohur të kaluarën dhe për të mos lejuar që ajo të përsëritet, ashtu siç u përsërit në Kosovë në fund të shekullit që lamë pas.
Kur i lexojmë dhe rilexojmë sot dëshmitë e para njëqind vjetëve, shohim se ngjarjet e përgjakshme të fundshekullit XX, ishin, në masë të madhe, reprizë e atyre të fillimit të shekullit dhe se, si të parat, ashtu edhe të dytat, kishin frymëzim e synime politike: pushtimin e territorit nëpërmjet spastrimeve etnike.
Janë të shumta dëshmitë e udhëtarëve, gazetarëve, publicistëve dhe diplomatëve të huaj për krimet që bënë trupat serbe, malazeze dhe bullgare gjatë Luftërave Ballkanike në viset shqiptare të Kosovës dhe të Maqedonisë së sotme, por për ta kursyer hapësirën e, besa, edhe ndjenjat e lexuesve, po ndalemi vetëm te disa sosh.
Mikja e shqiptarëve, shtegtarja angleze Miss Edith Durham (1863-1944), e cila ka lënë disa libra me shkrime për Ballkanin, tregon se gjatë tetorit të vitit 1912, kur ndodhej në Mal të Zi dhe kur lufta në Kosovë kishte përfunduar, kërkoi që të vizitonte Prizrenin, por pushteti serb ia ndaloi udhëtimin. “I pyeta malazeztë se përse nuk më lejohej të shkoja atje - dëshmon zonja Durham dhe vazhdon - ndërsa ata qeshnin dhe më thanë: Nuk kemi lënë atje asnjë shqiptar me hundë të paprerë!”.
Dhe, vërtet, zonja Durham, gjatë udhëtimit të saj në viset veriore të Shqipërisë, pati rastin të shihte njerëz “me hundë dhe buzë të prera”, vepër e pushtuesve që mëtonin paturpësisht se po sillnin “civilizimin” në ato vise.
Historiani anglez Noel Malcolm, në librin e tij “Kosova, një histori e shkurtër”, sjell dëshmi të shumta për vrasjet masive të shqiptarëve në vitet 1912-1913, për djegien e fshatrave të tyre dhe krimet e tjera të bëra mbi ta. Edhe pse “shumicës së gazetarëve të huaj iu ndalua hyrja në Kosovë”, thekson Malcolm-i, megjithatë, e vërteta për një pjesë të mizorive të kryera në Kosovë arriti të depërtonte në botë. Një gazetar danez raportonte nga Shkupi se në Prishtinë ishin vrarë 5.000 shqiptarë pas pushtimit të qytetit, për të shtuar se “fushata serbe kishte marrë karakterin e një masakre të tmerrshme mbi popullatën shqiptare”. Disa të dhëna depërtuan në Evropë nëpërmjet Kishës Katolike. Kështu, një prift vendës katolik, sipas gazetës “Daily Telegraph”, informonte për një masakër në Ferizaj, ku komandanti serb u kishte bërë thirrje shqiptarëve që të ktheheshin pa frikë në shtëpitë e tyre dhe kur ata e kishin bërë këtë ishin pushkatuar që të gjithë (rreth 300-400 veta), aq sa në këtë qytet kishin mbetur gjallë vetëm tre shqiptarë myslimanë të moshës 15-vjeçare. Arqipeshkvi katolik i Shkupit, Lazër Mjeda (i vëllai i poetit Ndre Mjeda), në një raport të datës 24 janar 1913 dërguar Vatikanit, shkruante se popullata shqiptare e Gjilanit ishte masakruar, “edhe pse qyteti ishte dorëzuar pa rezistencë”, kurse Gjakova ishte shkretuar krejtësisht. Akoma më keq kishte kaluar qyteti i Prizrenit, që, sipas raportit, ishte shndërruar në një “mbretëri të vdekjes”. Ushtarët serbë trokasin në dyert e shqiptarëve, i marrin burrat dhe i pushkatojnë në vend (numri i të vrarëve arrin në 400), kurse e tërë kjo plojë shoqërohej me grabitje, plaçkitje e dhunime, sepse urdhri i ditë ishte: kundër shqiptarëve lejohet çdo gjë, madje jo vetëm lejohet, por edhe kërkohet dhe urdhërohet. Dhe kulmi i të gjithave: komandanti ushtarak serb, Bozho Jankoviq, urdhëron parinë e qytetit me revole në dorë që t’i dërgonte letër falënderimi kral Petrit për “lirinë” që ua kishte sjellë! (Cituar sipas: Noel Malcolm, Kosova, një histori e shkurtër, “Koha”, Prishtinë 1998, f. 264-265).
Revolucionari i njohur rus, Lav Davidoviç Bronshtajn, i mbiquajtur Trocki (1879-1940), i cili gjatë Luftërave Ballkanike ishte korrespondent i gazetës “Kijevskaja Misl”, ka lënë dëshmi tronditëse për krimet e ushtrisë dhe të paramilitarëve serbë në viset shqiptare në Kosovë dhe në Maqedoni. Në raportin e datës 23 dhjetor 1912, nën titullin “Krimet e shovinizmit dhe të demokracisë”, Trocki shkruan: “Tmerret filluan të duken posa kaluam kufirin. Në orën pesë pas dite, kur iu afruam Kumanovës, dielli kishte filluar të perëndonte dhe të binte terri. Sa më shumë që ngrysej qielli, aq më shumë shndrisnin flakët e zjarrit, që ngjiteshin lart në qiell. Gjithçka rreth nesh digjej. Të gjitha fshatrat shqiptare ishin në flakë…”. Më tutje autori tregon se pamjet e këtilla e kanë ndjekur gjatë gjithë udhëtimit të tij nga Kumanova në Shkup. Në stacionin e trenit në Shkupin e shkretuar, një ushtar i dehur serb, çetnik, me shishen e rakisë në njërën dorë dhe me kamën në tjetrën, luan me shqiptarët e zënë robër si macja me miun, duke u bërtitur: “Ngrihuni!”, “Uluni!” dhe duke i detyruar të pinë raki. Ndërsa një ushtar tjetër, esull, i thotë udhëtarit për njerëzit me të cilët tallej shoku i tij: “Këta janë arnautë. Tash do t’i therin e do t’i bëjnë copa-copa”.
Në pamundësi që t’i shpëtojë ata, por edhe duke mos dashur të shohë me sytë e tij skena të tilla, Trocki vazhdon rrugën, por kur arrin te Ura e Gurit, në qendër të qytetit, i del para “një grumbull kufomash me koka të prera”. Që të gjithë shqiptarë, të vrarë dhe të masakruar nga çetnikët.
Trocki jep detaje tronditëse për krimet serbe mbi shqiptarët, duke raportuar direkt nga vendi i ngjarjes.
”Tre ushtarë kaluan pranë meje. Dëgjova bisedën e tyre. ‘As vetë s’e di sa shqiptarë kam vrarë’, tha njëri nga ata. Por te asnjëri nuk gjeta asgjë të vlefshme. Vetëm kur e thera një bullë (kështu quhen te myslimanët gratë që zbukurojnë nuset), gjeta tek ajo dhjetë lira ari”.
“Një natë në kafene takova një toger, njësia e të cilit ishte stacionuar në Ferizaj. ‘E çka bëni atje, në mes të shqiptarëve?’ - e pyeta. ‘Pjekim zogj dhe vrasim arnautë” - m’u përgjigj. ‘Por jemi lodhur edhe nga kjo’, shtoi duke hapur gojën nga mërzia“.
“Po si mund të silleni kaq brutalisht?” - e pyeta i shokuar nga fjalët e tij. “Nuk e di as vetë. Mësohesh. Në luftë, siç e dini, komanda jep urdhra dhe ju duhet t’i zbatoni”. Kur i thashë se po silleshin si banditë, duke vrarë e plaçkitur njerëz të pafajshëm, togeri u nxeh pak dhe filloi të arsyetohej. “Jo, nuk është ashtu. Ne, ushtria e rregullt, u përmbahemi rregullave… nuk vrasim njerëz nën 12 vjeç! Për paramilitarët nuk mund të garantoj asgjë; ata nuk njohin kufij. Të rekrutuar nga djerraditës, të papunë, keqbërës dhe fundërrina të shoqërisë - ata vrasjet, plaçkitjet dhe dhunën i kanë shndërruar në argëtim”.
Këto pasazhe të llahtarshme për krimet e para njëqind vjetëve, ngjajnë si veja me venë me krimet e viteve 1998-1999 në Kosovë, veçanërisht ato të periudhës së bombardimeve: mars-qershor ‘99. Nuk ka pothuajse kurrfarë dallimi mes tyre. Vetëm koha ndryshon: falë mundësive pakrahasueshëm më të mëdha të komunikimit bota merr vesh për atë që ndodh në Kosovë, kurse Aleanca Veriatlantike, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk e sodit me indiferencë tragjedinë e një populli të tërë, por ndërmerr diçka për ta mbrojtur atë, qoftë edhe nga ajri, ndryshe nga ç’ndodhte në kohën e Trockit.
“Nuk isha në gjendje ta duroja këtë atmosferë; nuk e kam lukthin aq të fortë. Interesi politik, entuziazmi dhe kërshëria morale - të gjitha u zhdukën. Sërish u gjenda në tren, në vagonin e bagëtisë… Të iki nga ky vend, të largohem sa më parë dhe sa më larg!” - shkruan Trocki në “Kijevskaja Misl”, në artikullin e datës 23 dhjetor 1912, i cili, tok me shkrimet e tjera të tij nga gadishulli i quajtur ndryshe “fuçi baruti”, janë përfshirë në vëllimin e gjashtë të veprave të tij të zgjedhura.
Afërsisht në të njëjtën kohë, një diplomat i huaj, ambasador i një shteti perëndimor, harton një raport të hollësishëm për mizoritë e ushtrisë serbe në krahinën e Dibrës, gjatë operacionit për shtypjen e kryengritjes antiserbe të vitit 1913, kur kryengritësit shqiptarë të Dibrës, Strugës, Ohrit arritën t’i dëbonin trupat serbe deri në malet e Manastirit. Ky raport, i botuar në gazetën italiane “Corriere delle Puglie” të datës 21 dhjetor 1913 dhe në gazetën “Përlindja shqiptare” të Qeverisë së Vlorës në janar 1914, është një dokument i një rëndësie të veçantë.
Rrallë ndonjëherë mund të gjendet një material me të dhëna aq të sakta e të hollësishme jo vetëm për vrasjet dhe masakrimin e njerëzve, por edhe për grabitjen e pronës dhe të pasurisë.
Në raportin në fjalë flitet me emra e shifra jo vetëm për qytetin e Dibrës dhe të Peshkopisë, por edhe për secilin fshat veç e veç (rreth 80 vendbanime gjithsej), aq sa mund të thuhet lirisht se ai do të mund të shërbente si model për raportet e ngjashme të shoqatave që merren me të drejtat e njeriut përkitazi me krimet e bëra në luftërat e fundit në ish-Jugosllavi, përfshirë edhe Kosovën.
“Në Klos - Bandat serbe duke u futur bajonetën masakruan: Ahmet Aliun me të vëllanë e tij, Nezir Sulejmanin dhe Mehmet Salihun. Fshati u dogj krejtësisht.
Në qytetin e Dibrës - prefekti dhe komandanti i garnizonit arrestuan 18 vetë nga paria (para shpërthimit të kryengritjes), nga të cilët u pushkatuan pa gjyq: Ramiz Karamfili, Sheh Hyseini, Numan Hasani dhe Safit Beu. Kur u kthyen serbët e plaçkitën tërë qytetin dhe morën me vete një plaçkë, e cila kapërcente vlerën prej një milion lirash turke. Veç kësaj ata dogjën mjaft shtëpi dhe sidomos atë të Ali Beut, Rakip Atibit dhe Kurtish Agait, duke masakruar gjithashtu me një egërsi të padëgjuar shumë njerëz që kishin qëndruar në shtëpitë e tyre dhe nuk kishin marrë pjesë në kryengritje. Midis të masakruarve duhen shënuar: Kurtish Aga, Behxhet Efendiu, Haxhi Syrja Efendiu, Reshit Efendi Kusari dhe Sadullah Strazimiri. Tani qyteti i Dibrës është pothuajse i shkretë, banorët janë tërhequr në male, kurse brenda në qytet nuk kanë mbetur më shumë se 200 a 300 veta meshkuj dhe femra.
Në Homesh - Nga 150 shtëpi të fshatit kanë mbetur vetëm tri. Të gjitha të tjerat u dogjën pasi më parë u plaçkitën. Pas shtypjes serbët masakruan: Musa Ismailin, Shemshedin Bajramin dhe Halil Sulejmanin, të cilët ishin kthyer në fshat pas amnistisë. Nga gjëja e gjallë e fshatit morën me vete 1000 dele, 150 qe dhe 50 kuaj, kurse radhën e dytë 50 dele, 9 qe dhe 9 kuaj.
Në Zogaj - Fshati qe plaçkitur krejtësisht, orenditë, zahiretë dhe të gjithë gjënë e gjallë e morën me vete, 124 shtëpi u dogjën. Ndërsa flakët po përhapeshin në mënyrë të frikshme u hodhën në flakë, madje të gjallë: një grua me emrin Rihane, dy fëmijë Fazilea dhe Myslimea, si dhe një fëmijë 7 vjeç i quajtur Bajram. Trupat e tyre u kthyen në hi. Pastaj u masakruan: Haxhi Myslimi, Neziz Hazizi, Halil Numani dhe Zenel Hasani. Kur u kthyen herën e dytë serbët masakruan: Mustafa Myslimin, Haziz Jusufin, Adem Shabanin dhe Edin Nurkën. Rrëmbyen 7 lopë dhe 6 dele.
Në Bllatë - Fshati u plaçkit dhe më pas u dogj krejtësisht. Banorët u masakruan të gjithë pa dallim moshe dhe seksi. Qe një masakër e vërtetë që na pengoi të bënim një listë të plotë të viktimave. Veç kësaj serbët kapën dhe rrëmbyen 250 dhen, 37 lopë dhe 28 kuaj”.
(Cituar sipas librit “Historia e Dibrës” të historianit Kristo Frashëri, botim i vitit 2012, vepër në të cilën është botuar i plotë raporti i diplomatit të huaj, i cili i ka mbledhur personalisht të gjitha të dhënat, duke vizituar një për një vendet e masakrave në terren).
Njësoj vepron autori i raportit në fjalë edhe me shtatëdhjetë e sa vendbanime të tjera dibrane, duke regjistruar me emër e mbiemër të vrarët dhe të masakruarit, burra, gra e fëmijë; duke dhënë numrin e saktë të shtëpive të djegura dhe të bagëtive të grabitura: kuaj, qe, lopë, dhen, sepse atëbotë nuk kishte vetura, kamionë, traktorë, televizorë, frigoriferë dhe mjete të tjera teknike si ato që u grabitën nga policët dhe paramilitarët serbë në ’99-n, pa harruar as paratë e gatshme, kryesisht marka gjermane, shuma e të cilave, po qe se do të bëhej një llogari qoftë edhe e përafërt, do të arrinte shifra marramendëse.
Është për të ardhur keq, por ne nuk kemi as sot, tre-katërmbëdhjetë vjet pas mbarimit të luftës, një evidencë kaq të saktë, me shifra e fakte konkrete, për vrasjet dhe plaçkitjet që u bënë në Kosovë, në secilin cep të saj, në vitet 1998-1999 dhe veçanërisht gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s (24 mars-12 qershor 1999) nga policia, ushtria dhe formacionet paraushtarake serbe.
Me të drejtë flasim për gjenocid a tentim gjenocidi, por pa e kompletuar dosjen e krimit, kryesisht për shkak të ngathtësisë dhe indolencës sonë të njohur. Madje edhe kur ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave (Serbe), i dënuar nga Gjykata e Hagës, pranon fajësinë për krimet e bëra në Kosovë: vrasjet masive, deportimin e popullatës, djegien e pronës, zyrtarët tanë heshtin; thua se ngurrojnë ta shfrytëzojnë këtë argument kaq të rëndësishëm në bisedimet me palën serbe, ta nxjerrin troç në tavolinë, duke kërkuar nga kreu shtetëror serb, presidenti dhe kryeministri aktual, që të ndjekin rrugën e gjeneralit Ojdaniq, i cili, sikurse edhe ata vetë (Nikoliqi e Daçiqi), ishte në shërbim të regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit.
Dëshmitë e Trockit, të zonjës Durham dhe të diplomatit italian (?) të cituara më lart, të cilat nuk mund të lexohen me gjakftohtësi, paraqesin vetëm majën e aisbergut të mizorive serbe mbi popullatën shqiptare në vitet 1912-1913, dëbimi dhe shfarosja e së cilës ishte program dhe strategji e të gjitha regjimeve të shtetit serb - nga Karagjorgjeviqët e Pashiqi e gjer tek Rankoviqi e Millosheviqi.
Në Konferencën e Londrës (1912/13), ku u caktuan kufijtë e shtetit shqiptar, qyteti i Dibrës dhe Gjakovës ishin koncesionet e fundit që iu bënë monarkive të shteteve fqinje, që kishin pushtuar me forcën e armëve viset shqiptare gjatë Luftërave Ballkanike.
Ja ç’thotë lidhur me këtë çështje - për marrjen e Dibrës dhe shuarjen me gjak të kryengritjes së ’13-s, socialdemokrati serb Dimitrije Tucoviq: “Kryengritja e shqiptarëve në muajin shtator, për shkak të së cilës Serbia u detyrua të mobilizonte afër tri divizione, është një shembull klasik që tregon se si mund të shkaktohen luftërat koloniale. Nga lindja, okupimi i ushtrisë serbe shtrihej deri në grykat e maleve… Ajo e ndau bujkun prej arës, bagëtinë prej kullotës, blerësin dhe shitësin nga tregu, rrethin prej qytetit dhe tërë viset malore prej qendrës së tyre ekonomike dhe hambarët e ushqimit”. (Cituar sipas Xhafer Martinit, Optika e Schmitt-it për Skënderbeun, Tiranë 2009, f. 23).
Ndarja e kombit shqiptar dhe e trojeve të tij njëqind vjet më parë u la në gjak. Ky është një fakt, që s’mund e s’bën të heshtet, e aq më pak të mohohet. Historia është mësuese e jetës. Kur i shërben të vërtetës e jo koniunkturës!
Ja përse viti 2013 duhet të jetë vit i ndriçimit të së vërtetës historike të para një shekulli, por edhe më parë e më pas, në funksion të lirisë dhe paqes e jo të urrejtjes dhe hakmarrjes. Le të na lejohet, pra, të propozojmë që ky vit të shpallet - në nivel kombëtar (dhe jo vetëm) - Vit i Kujtesës.
Dhe jo për të nxitur ndjenjën e revanshit ndaj fqinjëve tanë, tek të cilët, fatkeqësisht, siç tregojnë edhe ngjarjet e kohëve të fundit (heqja e lapidarit në Preshevë; intervista luftënxitëse e kreut të partisë naziste greke “Agimi i Artë”, deputet në parlamentin grek; sulmet e paradokohshme ndaj të rinjve shqiptarë në Shkup etj.), nuk është fashitur ende urrejtja dhe mosdurimi ndaj shqiptarëve si komb, por për të nxjerrë mësim nga e kaluara.
Sepse, siç thoshte filozofi amerikan me origjinë spanjolle, Santayana (George Santayana, 1863-1952): “Kush e harron të kaluarën është i dënuar ta përsërisë atë”.

http://agim-vinca.blogspot.com/

Vrasja e Avni Rustemit cilët ishin autorët e vërtetë


"Marrëdhëniet e Esat Pashë Toptanit me qeverinë serbe"

NGA: FATMIRA NIKOLLA


TIRANE-Kush ishte Esat Pashë Toptani dhe cilat ishin marrëdhëniet e vërteta mes tij dhe qeverisë serbe?! Kush ishte njeriu që pretendoi të bëhej mbret i shqiptarëve, por përfundoi i varrosur mes ushtarëve serbë, në varrezat serbe të Parisit? Përgjigja na vjen nga këshilltari i ish-presidentit serb Tadiç. Botimet "IDK" kanë sjell]ë në shqip librin me titull "Qeveria serbe dhe Esat Pashë Toptani". Studimi i historianit serb Dusan T. Batakoviç është bazuar në dokumentet e Beogradit dhe dritë pikërisht mbi një sërë anësh të panjohura të marrëdhënieve mes Esat Pashë Toptanit dhe shtetit sllav, duke plotësuar kësisoj përfytyrimin tonë për pashain që për pothuaj një shekull është etiketuar si njollë e zezë në histori. Duke qenë një nga figurat qendrore të jetës e politikës shqiptare në vitet e trazuara kur u ngjiz shteti i pavarur shqiptar, i kudondodhuri Esat Pashë Toptani, ka mbetur në kujtesën kolektive të shqiptarëve si sinonim i tradhtarit. Së fundmi, me nismë të Kryeministrit Berisha, janë bërë përpjekje për ta rehabilituar figurën e pashait? Po a është kjo e mundur? Deri më sot, ai vijon të kujtohet si njeriu që për hir të interesave të veta për pushtet, qe gati të shiste interesat e popullit e vendit të vet. Botuesi i librit, Z. Pirro Misha, tha dje për "Gazeta Shqiptare" se libri i sipërpërmendur hedh dritë mbi marrëveshjet e fshehta që Esat Pasha ka bërë me qeverinë serbe, dhe janë disa e jo një e tillë. Sipas tij, autori është bazuar mbi arkivat e Beogradit. Sa iu përket atyre duhet shtuar se janë ende të padepërtueshme për shqiptarët.
Libri
Pirro Misha i "Botimeve IDK" sqaron përse e boton në shqip këtë portretizim serb të Esat Pashës. "E pamë të udhës e me interes ta sjellim në shqip këtë punim të historianit serb Dusan T. Batakoviç, me mendimin se botimi i saj në shqip do përbëjë një kontribut të padyshimtë për të plotësuar përfytyrimin tonë për një periudhë aq të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, siç është ajo mes luftërave ballkanike dhe Konferencës së Parisit, me të cilën përmbyllet Lufta e Parë Botërore", thotë ai. Misha vëren se punimi i D.T.Batakoviçit paraqet pikëpamjen e mënyrën se si Serbia i shihte (dhe i sheh) zhvillimet që sollën lindjen e një shteti shqiptar në atë periudhë sa të turbullt aq dhe me rëndësi për historinë tonë, por pikërisht kjo, sipas tij, e bën këtë libër interesant. Por, arsyeja kryesore ka të bëjë në fakt me vetë titullin e studimit. Libri ka informacion të pasur për një prej figurave, padyshim qendrore të historisë së asaj periudhe, por njëkohësisht dhe ndër më famëkeqet e historisë së re të Shqipërisë. "Esat Pashë Toptanin, që siç dihet historia në përgjithësi e ka damkosur si tradhtar, kohët e fundit ka pasur një sërë përpjekjesh që drejtpërsëdrejti apo indirekt, janë përpjekur ta rehabilitojnë", -kujton Misha. Në fund, dhe së fundi, s'ka dyshim se nëpërmjet referencave të shumta që sjell, punimi Dusan T. Batakoviçit përbën një kontribut për të gjithë ata studiues që një ditë do vendosin të thellohen në njohjen e asaj që gjendet në arkivat e bibliotekat e Serbisë për sa i takon historisë së Shqipërisë dhe marrëdhënieve serbo-shqiptare.
Autori
Dusan T. Batakoviç, lindur në vitin 1957, është një diplomat dhe historian serb, i specializuar në historinë bashkëkohore të Serbisë dhe atë të Ballkanit. Aktualisht Batakoviç mban postin e As.Prof. në Universitetin e Beogradit, si dhe atë të zv.drejtorit në Institutin e Studimeve Ballkanike, në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë. Për disa vjet Dusan T. Batakoviç shërbeu si këshilltar i Presidentit Tadiç. Një pjesë e mirë e veprës së tij u kushtohet pikërisht marrëdhënieve shqiptaro-serbe.
Studimi i marrëdhënieve serbo-shqiptare gjatë dekadave të para të shekullit të njëzetë s'është veçse thjesht një ndër kapitujt e një historie të gjatë të shënjuar nga konfliktet, të cilat, shpesh në pikat e tyre kulmore, kanë marrë tiparet e një konfrontimi politik afatgjatë dhe të një intolerance fetare, që me kalimin e shekujve kanë ardhur duke u thelluar. Këndej rrjedh detyrimi përse proceset që po studiohen duhet të shihen e përkufizohen në një perspektive historike. Figura e Esat Pashë Toptanit, të cilin e tërë historiografia shqiptare e ka dënuar si tradhtarin më të madh të popullit të vet (për shkak të bashkëpunimit me Serbinë), na shfaqet në një dritë tjetër, ideologjikisht të paanshme. Epoka që shkon nga fillimi i Luftërave Ballkanike deri në fundin e Konferencës së Paqes së Parisit, u shënjua nga një shpërthim i ri i konflikteve të vjetra mes serbëve dhe shqiptarëve. Portës iu parashtrua kërkesa për krijimin e një Shqipërie autonome, të përbërë nga vilajetet e Kosovës, Shkodrës, Manastirit (Bitolje) dhe Janinës - të gjitha këto zona etnikisht të përziera, ndaj të cilave kishin pretendime (për arsye të qenësishme) të gjitha shtetet fqinje ballkanike. Duke refuzuar bashkëpunimin që iu ofrua nga aleatët ballkanikë, kryesisht Serbia dhe Mali i Zi, udhëheqja e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare vendosi që, duke mbrojtur Turqinë, t'i qëndronte idesë të një Shqipërie të madhe etnike.



Atentati i Avni Rustemit ndaj Esat pashë Toptanit në Paris ...
Vrasja e Esat pashës para hotelit “Continental”.


Prolog

Paris, 13 qershor i vitit 1920 …

Para hotelit “Kontinental” në rrugën “Kastilone”, një djalosh nxjerr revolverin që mbante nën xhaketë dhe me dy të shtëna rrëzon përtokë atë që ndodhej përballë tij. Orvatet të qëllojë përsëri, por revolveri nuk i shkrep. Atëherë e flak atë mbi viktimën e qëndron pa lëvizur pranë tij. Kalimtarët mbeten të llahtarisur, duke u përpjekur t’ia mbathin a të fshihen pas kolonave të hyrjes së hotelit. Por disa syresh, kur shohin djaloshin të vetëçarmatosur, i sulen dhe e qëllojnë si të munden duke britur: ”Kriminel, vrasës!...”. ”Nuk jam kriminel, - shpjegon djaloshi.- Jam student shqiptar. E vrava atë sepse lexova në ballin e tij mizoritë që ai ka kryer në Shqipëri”. Vrasësi ishte Avni Rustemi, kurse i vrari Esat pashë Toptani.


Esat Pasha
Esat pasha ndodhej prej dy vjetësh në Paris, vërtet i mbrojtur nga qeveria franceze, por, në dukje, pa rrezikshmëri ndaj vendit tonë që tashmë kishte një qeveri të veten, të dalë nga Kongresi i Lushnjës. Por ende ndihej rreziku i ricopëtimit të Shqipërisë. Dhe ky rrezik vinte jo vetëm nga Konferenca e Paqes që po mbahej prej dy vjetësh në Versajë, por për fat të keq, edhe nga “delegacione” të tilla si delegacioni i qeverisë se Durrësit, madje edhe i princit të Mirditës që pretendonin se përfaqësonin Shqipërinë. Atyre u shtohej edhe delegacioni që kryesohej nga Esat pashë Toptani, i përbërë vetëm nga një ministër, ai i Punëve të Jashtme. Që në muajt e parë të vitit 1920 ky delegacion nisi t’i kundërvihej delegacionit të kryesuar nga Mehmet Konica, i cili përfaqësonte qeverinë e ligjshme të Tiranës, me kryeministër Sulejman Delvinën.
Pas Esat pashës qëndronte Franca, e cila e çmonte atë për ndihmesën që ai kishte dhënë me 600 ushtarë që ishin bashkërenditur në Frontin e Lindjes me qendër në Selanik, ku ushtria franceze, aleate e Antantës, së bashku me Anglinë dhe Italinë luftonte kundër forcave austro-hungareze dhe aleatëve të saj që përbënin Bllokun Qendror. Dhe në fakt, që nga fillimi i punimeve të Konferencës së Versajës e deri në mars të vitit 1920, atje u hartuan disa projekte për Shqipërinë. ”Në to u parashikua copëtimi i shtetit shqiptar dhe zhdukja e tij nga harta politike e Evropës si shtet i pavarur dhe sovran”, (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, faqe 505). Esat pashë Toptani nuk ishte kundër pretendimeve që po të realizoheshin, do të shënonin gjymtimin e mëtejshëm të trojeve shqiptare. Për të, së fundi, ishte e mjaftueshme edhe sikur të kishte nën sundimin e tij vetëm Shqipërinë e Mesme. Ky konsiderohet si kulmi i tradhtisë së pashait që e kishte nisur këtë rrugë menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë. Në janar të vitit 1913 ai kishte vrarë Hasan Riza pashën, komandantin turk të garnizonit të Shkodrës që të bëhej kështu vetë komandant, por jo për të mbrojtur këtë qytet, por për për t’ia dorëzuar kral Nikollës. Më pas, në marrëveshje antikombëtare me shtetet fqinje ngriti në Shqipërinë e Mesme “Pleqësinë”, pushtet që bëri ç’ishte e mundur që të pengonte veprimtarinë e qeverisë kombëtare të Ismail Qemalit në Vlorë. Më 1914, si ministër i Luftës dhe i Punëve të Brendshme të qeverisë së Princ Vidit, pengoi me të gjitha mënyrat qendresën e popullore për çlirimin e Shqipërisë së Jugut nga sulmet greke. Një vit më pas, më 1915 nënshkroi një marrëveshje me qeverinë serbe që dëmtonte pavarësinë politike dhe tokësore shqiptare. Dhe ja tani, duke pretenduar se ishte kryeministër i shtetit shqiptar, ndodhej në Paris për të vazhduar rrugën e një tradhtari.
Madje paraqiste edhe një memorandum ku shpjegonte arsyet se përse e meritonte këtë ofiq të lartë. Kam pasur rast ta lexoj këtë memorandum, një kopje e të cilit ndodhet në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, shkruar më frëngjisht, gjuhë të cilën ai e flistë çalë-çalë e natyrisht që nuk dinte kurrsesi ta shkruante. Sipas tij, me të filluar Lufta e Madhe, (kështu quhej atëherë Lufta e Parë Botërore), duke qenë aleat i Serbisë, ai u bashkua me Antantën kundër Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë. Kur Turqia u fut në luftë për krah Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë, u dënua prej saj me vdekje në mungesë. Më tutje, gjatë Luftës së Madhe u shtrëngua të largohej nga Shqipëria së bashku me qeverinë dhe u vendos së pari, në Korfuz e pastaj në Selanik, i shoqëruar nga 600 ushtarë besnikë që u reshtuan me urdhër të ministrit të Luftës të Francës krahas forcave franceze në Frontin e Lindjes. Atje, për merita të veçanta, kryekomandanti i forcave franceze, gjenerali Sarraj e dekoroi me yllin e Legjonit të Nderit. Lufta tani ka mbaruar. Forcat e Antantës janë fituese ndaj forcave të Bllokut Qendror. Shqipëria radhitet me shtetet fituese e si pasojë, edhe ai, si aleat e Antantës, ka të drejtë të jetë kryetar i qeverisë shqiptare...


Vendimi për vrasjen e Esat pashës, ende enigmë.
Po kush e mori vendimin për të vrarë Esat pashën e kush e caktoi Avniun për të kryer këtë akt të lartë mëmëdhetar? Kanë kaluar 85 vjet nga dita e atentatit dhe ende nuk është zbuluar ndonjë dokument që të hedhë dritë mbi këtë vendim. Vite më parë qarkullonte fjala se Avniut iu caktua kjo detyrë pas një shorti… Po kush ishin kandidatët e tjerë të mundshëm për të kryer këtë atentat? Ku u mblodhën ata? Kush i mblodhi? Dhe në qoftë se është zhvilluar një mbledhje e tillë, a ka pasur dijeni për të qeveria e Tiranës, me fjalë të tjera, kryeministri Sulejman Delvina, ministri i Jashtëm, Mehmet Konica, që aso kohe kryesonte delegacionin tonë në Konferencën e Paqes në Versajë? Të gjitha këto hamendësime janë të mundshme. Qeveria e Tiranës, edhe sikur të mos kishte propozuar që të kryhej ky atentat, duhej ta kishte miratuar në heshtje që ai të bëhëj, kur rrezikohej fati i Shqipërisë. Por rëndësi ka vetëm fakti se me miratimin ose jo të qeverisë së Tiranës, atdhetarët shqiptarë kishin vendosur që Esat pasha të vritej me çdo kusht. Dhe për këtë qëllim caktohej ose vetëcaktohej Avni Rustemi.

Prita e Avni Rustemit ndaj Esat pashës në Paris.


Avni Rustemi, duke pasur me vete një shumë prej rreth 10 mijë frangash, u përgatit të nisej për në Paris. Natyrisht, askush, duke përfshirë këtu edhe shokët më të ngushtë, nuk dinin gjë për këtë udhëtim. Hollësitë e tij i mësojmë nga deponimet që Avni Rustemi jep gjëtë procesit hetimor në burgun “Sante” në Paris pas atentatit. Sipas këtyre dëshmive, ai më 5 maj të vitit 1920 lë Vlorën dhe shkon në Durrës, ku zgjat vizën e pasaportës edhe për një vit. Që nga kjo datë e deri më 21 maj, siç pranon ai, ndodhet në Tiranë për çështje të tij vetjake, ku me siguri ose ka marrë pjesë në një mbledhje për çështjen e atentatit, ose ka biseduar me pjesëtarët e kësaj mbledhjeje për hollësi të mëtejshme të tij (Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi Avni Rustemi, Dosja 2, faqe 85).
Nga Tirana Avniu niset për në Romë. Atje prefektura e policisë i jep vizën për të shkuar në Francë nga qyteti i Modanës. Pasi kalon nga pika kufitare e këtij qyteti, më 30 maj, siç tregon viza, më 31 maj Avniu arrin në Paris. “Nga studimi i materialeve hetimore e gjyqësore që kemi pasur mundësi të konsultojmë,- shkruan juristi dhe historiani i njohur Jusuf Alibali në studimin e tij, ”Avni Rustemi para organeve hetimore” (faqe 211, buletini i shkencave historike nr. 2, 1964),- del një sinkronizim i përpiktë dhe, sipas mendimit tonë, aspak i rastit, midis veprimeve të Avniut nga 31 maji deri tek atantati i tij i bujshëm më 13 qershor”.


Duke ndjekur Esat pashën.
Le të përpiqemi të ndërtojmë sipas dëshmive të tij në hetuesinë franceze si mundi ai gjatë dy javëve t’ia arrijë këtij qëllimi me një saktësi të mahnitshme. Me të arritur në Paris, ai shkon në hotelin madhështor “Princ Albert” në rrugën “Sen Jasen”, ku nuk e pranojnë, me sa duket duke u nisur nga veshja e tij tepër e varfër, siç dëshmon në hetuesi edhe pronari i këtij hoteli. Kësisoj, detyrohet të shkojë në një hotel tjetër, po në atë rrugë, me emrin “De Tuilëri”. Në këtë hotel qëndron për disa ditë, duke paguar 35 franga në ditë me gjithë ushqimin. “Dë Tuilëri” nuk ndodhet veçse disa minuta larg hotelit “Kontinental”, ku është vendosur prej kohësh Esat pasha. Tani e ka më të lehtë që ta ndjekë atë hap pas hapi. Natyrisht tani i duhet një veshje e pëlqyeshme. Kësisoj, me ndihmën e Aibarit, portierit të hotelit, porosit një kostum në një rrobaqepësi, për të cilin paguan 375 franga. “Gjatë qëndrimit të tij në hotel “Dë Tuilëri”, sipas raportit të policisë të datës 28 qershor 1920, (AQSH, dosja Avni Rustemi), Rustemi nuk ka pasur asnjë vizitë dhe asnjë korrespondencë. Ai hante vëtëm në një tryezë të veçuar në restorantin e hotelit, nuk ka zhvilluar bisedime me asnjë nga udhëtarët e tjerë që hanin në të njëjtën sallë. Rustemi dilte për ditë vetëm dhe dy ose tri herë i shoqëruar nga zoti Aibar, me taksi, për të vizituar Parisin. Aibari ka deponuar në polici se Avniu, ndërkohë e kishte pyetur për adresën e ndonjë shkolle ku të stërvitej në qitjen me armë”. (Po aty).
Avniu qëndron në hotelin “Dë Tuilëri” vetëm disa ditë për t’u vendosur në një hotel tjetër, “Foburg Monmatrë” 32, ku merr me qira një dhomë, duke parapaguar njëherësh 210 franga për muajin e parë. Jo pa qëllim, ai kërkon të japë përshtypjen se i duhet një dhomë e lirë për xhepin e tij prej studenti, kurse parapagimi do t’i shërbëjë si mjet i fortë për të mohuar akuzën e krimit të kryer me paramendim. Dhe është mjet i logjikshëm, sepse çdo lloj hetuesi do të mund të kuptonte se një njeri që kishte ardhur për të ikur sa më shpejt që të ishte e mundur, nuk kishte pse të parapaguante për një muaj, kur mund ta bënte këtë çdo ditë.

Nxiton për të zbatuar planin.
Më 2 qershor, sipas dëshmive të Avniut, (AQSH, fondi A. Rustemi, dosje nr. 2, faqe 46), ai merr takim me delegacionin e qeverisë shqiptare që kishte zënë vend në hotelin “Kempbell’ në rrugën “Frindland”.
”U paraqita për të njoftuar ardhjen time në Paris, - thotë Avniu, - por pa kërkuar gjë të veçantë”. Në hotel dëgjon se të nesërmen do të hapej një ekspozitë shqiptare. Atëherë gjykon se atje mund të takojë edhe njerëz që mund të dinë më shumë për Esat pashën. Nuk gabon. Por nuk është e lehtë të ndodhesh pranë Esatit. Deri tani Avniu di vetëm që Esati vazhdon të jetojë në hotelin “Kontinental” dhe se më pas do të vendoset në vilën “Said” që sapo e ka blerë dhe që po pajiset më së miri. Si për një pasha!...
Avniu e kupton se gjithçka duhet të kryhet para se Esati të lërë “Kontinentalin” për në këtë vilë. Dhe ja, në ekspozitën shqiptare Avniu arrin të takohet me Gjergj Gogën, që kryen funksionet e sekretarit të pashait. Njohja me të bëhet gjoja rastësisht. Dhe po kështu… rastësisht, pas disa ditësh Avniu e takon në rrugë, ku i kërkon ta ndihmojë të gjejë adresën e ndonjë shkolle në të cilën ai të kishte mundësi “të familjarizohet me praktikën e gjuhës frënge”. Por Gjergji, meqë nuk është në gjendje ta ndihmojë, i rekomandon të shkojë të takojë Zef Ashikun nga Shkodra.
Gjatë procesit hetimor, Gjegj Goga, i thirrur për të deponuar për Avniun, thotë se ai “më është dukur një njeri i sjellshëm dhe qëndrimi i tij ishte tepër korrekt”. Avni Rustemi e kuptonte se nuk kishte çfarë të priste më gjatë. Në gati dy javë nga dita kur kishte arritur në Paris, kishte mësuar shumë të reja. Njihte sekretarin e Esatit, kishte njohur lëvizjet e tij, kohën kur hante, kur dilte, i kishte kërkuar një takim tjetër Gjergj Gogës, gjithnjë me dëshirën që ai ta ndihmonte që të gjente një shkollë ku të mësonte me mirë frëngjishten dhe të merrte leksione pedagogjie. Pra, mund ta takonte edhe një herë kur ai të ishte duke dalë nga hoteli pranë Esat pashës. Dhe kështu do të gjente rastin më të mirë që ta qëllonte.



ATENTATI.


E diel, 13 qershor 1920 …

Zakonisht Avni Rustemi shkonte për të ngrënë drekë në restorantin e hotelit “Dë Tuileri”, rreth orës 1300. Por jo sot. Ai shkon më herët se zakonisht në restorant dhe kërkon që drekën t’ia shërbejnë sa më parë. I shpjegon kamerierit, me të cilin besohet të jetë miqësuar gjatë atyre ditëve, se ka një takim të ngutshëm, ndaj nuk duhet të vonohet. (Të gjitha këto ngjarje e të tjera, ai i shpjegon pastaj në procesin hetimor). Nga restoranti largohet në orën 1230. Që të arrijë në hotelin “Kontinental” ku banon Esat pasha, nuk duhen veçse disa minuta. Në hetuesi shpjegon se vajti te “Kontinetali” që të takonte Gjergj Gogën, i cili në atë orë zakonisht dilte që të bënte shëtitje përgjate rrugës “Kastilione”. Ja si shprehet vetë Avniu në hetuesi: ”Kalova nja dy herë para portës së hotelit në rrugën “Kastilione”, kur pashë se po dilte Esat pasha… Esat pasha po ecte ngadalë dhe tërë krenari. Me ta parë atë, e tërë historia e Shqipërisë m’u ngjall në shpirtin tim. Një turbullirë e madhe më pushtoi. Atëherë rrëmbeva nga xhepi i djathtë revolen me gjashtë fishekë që mbaja me vete dhe qëllova shumë, pa ditur sa herë, mbi Esat pashën që ishte dy metra larg meje. Esat pasha ra menjëherë dhe unë hodha armën time në tokë. Unë pohoj se veprimi im ka qenë krejt spontan dhe nuk e kam paramenduar”. (AQSH, Dosja Avni Rustemi, faqe 73).
Që nga ky çast Avniu nuk lëviz nga vendi i kësaj ngjarjeje tronditëse. Qytetarët që kalojnë aty pari mbeten për disa çaste të tmerruar. Por kur shohin Avniun, tashmë pa armë, marrin zemër e disa prej tyre nisin dhe e godasin si të mundin, duke bërtitur: ”Kriminel, vrasës!”. Vetëm ndërhyrja e një polici arrin ta shpëtojë nga plagë të tjera të rënda, sidomos në fytyrë, siç dëshmojnë edhe fotot. ”Nuk jam vrasës, jam student shqiptar dhe vrava një tradhtar të atdheut tim, - arrin të shqiptojë Avniu, kur policë të tjerë e kapin dhe e nisin drejt e në burgun “Sante”, nga më të tmerrshmit e Parisit…


Në të gjitha gazetat ndërkombëtare.
Ngjarja bën bujë të jashtëzakonshme, jo vetëm në Francë, por në të gjithë botën. Të nesërmen për të shkruajnë të tërë gazetat franceze, midis të cilave “Figaro”, ”Le petit parisien”, ”Ekselsior”, Të Tan”, ”Paris Midi” etj. Madje edhe shtypi botëror nuk mbetet pas, duke filluar nga gazetat angleze, italiane, gjermane, madje edhe ato amerikane, braziliane e argjentinase. Lajmi ishte: Është vrarë kryeministri i shtetit shqiptar, sipas versionit të qarqeve zyrtare franceze. Ja pse gazeta “Ekselsior” e datës 14 qershor, një ditë pas atentatit të Avniut, që në titullin e faqes së parë, siç shihet në foto, shkruan: ”Esat pasha, kryetari i shtetit të Shqipërisë, u vra dje, këtu në Paris”, duke botuar në të majtë një foto të fundit të Esat pashës, me dekoratën e kalorësit të Legjionit të Nderit, një nga dekoratat më të larta të Francës, foton e makinës që e priste Esat pashën pranë hotelit, mbi të të skicuar siluetën e Avniut dhe të Esatit, të hamendësuar në çastin e atentatit dhe foton e Avniut marrë nga pasaporta e tij dhe një foto tjetër me fytyrë të gjymtuar nga goditjet e kalimtarëve pas atentatit.
E vërteta është se Parisi dhë Franca zyrtare u trondit nga ky atentat. Një student shqiptar, mu në zemër të kryeqytetit të vendit më demokratik të Evropës së deriatëhershme, me gjakftohtësi qëllon për vdekje me dy të shtëna një figurë të madhe politike shqiptare, një gjeneral legjendar që ka luftuar gjatë Luftës së Madhe përkrah forcave franceze, një mik të vyer të Francës që pretendonte në Konferencën e Paqes në Versajë të kthehej sa më parë kryeministër në atdheun e vet.


Duke kërkuar arsyen ...
Pas atentatit, kryeministri i Jugosllavisë, Pashiç, që ishte në të njëjtën kohë edhe kryetari i delegacionit të vendit të tij në Konferencën e Paqes në Versajë, shprehu keqardhjen e tij të thellë për vrasjen e Esat pashës me këto fjalë: ”Kjo zhdukje është për të ardhur keq. Së pari, sepse ishte mik i Serbisë dhe gjithshtu mik i francezëve.” (“Lë Tan’”, 16 qeshor 1920). I pyetur nga gazetari që e intervistonte se cilat mund të ishin shkaqet që e shtynë studentin shqiptar, Rustemi, të vriste Esat pashën, Pashiçi vazhdon: ”Ai është një shqiptar fanatik nga krahinat jugore të Shqipërisë. Një proverb shqiptar thotë se hakmarrja është e shenjtë. “Shqiptarët e këtyre krahinave të Jugut që janë të armatosur, e konsiderojnë si detyrë vrasjen e Esatit. Krahina të tjera nuk i ishin nënshtruar autoritetit të tij. Ato nxirrnin si shkaqe dallimet fetare, megjithë përpjekjet e tij për të sheshuar këto dallime. Vrasësi, nga sa dëgjova, është me origjinë nga Libohova dhe, ndonëse nuk di gjë të saktë, kam bindjen se është katolik, si shumica e banorëve të asaj krahine”.
Është e tepërt të komentohet injoranca e kryeministrit jugollav kur thotë se banorët e Libohovës qenkeshin katolikë dhe se Avniu e paska vrarë mikun e serbëve dhe francezëve për motive fetare. ”Kjo vrasje, - vazhdon më tej Pashiçi, - do të sjellë si përfundim që në Shqipëri të ketë mjaft turbullira, gjë që nuk do t’u pëlqejë fqinjëve të tjerë të Ballkanit e si rrjedhim, edhe neve” (Po aty).
Por faktet dëshmuan se pas vrasjes së Esat pashës, jo vetëm nuk pati turbullira, por shteti shqiptar nisi të konsolidohej, duke përjashtuar Lëvizjen e Qershorit të viti 1924 pas vrasjes së Avni Rustemit.
Po të rikthehemi te jehona e atentatit në qarqet diplomatike franceze dhe në shtyp. Shefi i kabinetit të Këshillit Ministror të Francës, Vinjon, në emër të kryeministrit Mileran, shprehu keqardhejn e tij të madhe për këtë akt të shëmtuar. Kështu u shpreh edhe personaliteti i shquar i Ministrisë së Jashtme të Francës, Graje, edhe në emër të ministrit të Jashtëm. Kryeministri grek, Venizellos, që ishte nisur ato ditë nga Athina për në Londër, duke u ndalur në Paris, bëri një vizitë në vilën “Said”, ku priteshin vizitat e rastit, së bashku me ambasadorin e Greqisë në Francë, Romanos, dhe shprehu edhe ai keqardhjen për këtë vrasje kriminale.


Hetimet e para të shtypit për ngjarjen.
Duke mos njohur realitetin shqiptar të asaj kohe, në përgjithësi shumë gazeta, jo vetëm franceze, të vendeve të tjera të Evropës, por edhe gazeta amerikane, madje edhe “Nju Jork Tajmsi”, e konsideronin Esat pashën kryetar të shtetit shqiptar dhe Anvi Rustemin vrasës kriminel. Por pati edhe gazetarë që zbuluan menjëherë të dhëna për Esat pashën. I tillë qe gazetari i “Lë pëti Parizienit”, Gaston Rishar, i cili një ditë pas atentatit shkruante në këtë gazetë: ”Esat pasha ishte një kalorës mesjetar, një personazh i një epoke pë po zhduket. Në një vilë të Selanikut, në rrugën mbretëresha “Olga”, ku jetonte gjatë luftës, ruhej nga roje të shumta e qen të mëdhenj dhe ëndërronte që të bëhej, falë Francës dhe Serbisë, mbret i Shqipërisë. I rrethuar nga tri femra që ishin gëzimi dhe drita e haremit të tij… Ishte një njeri që nga qytetërimi njihte karabinën automatike, rumin dhe kumarin, lojë me të cilën u zhvaste shuma tepër të mëdha ushtarakëve francezë, aq sa gjenerali Sarraj nisi t’i ndalonte ata të vizitonin kumarhanen e pashait shqiptar”.
Në një gazetë tjetër franceze, “Lë Cri dë Pari”, vihej në dukje se Esat pasha vërtet i kishte sjellë shumë shërbime Francës dhe aleates së saj, Serbisë, sidomos gjatë tërheqjes së dhimbshme të trupave serbe nëpërmjet tokave shqiptare deri në Korfuz, të cilat pa këtë ndihmë do të kishin pësuar katastrofë të plotë, por kjo ndihmë ishte kthyer në tregti të ndyrë. Dhe kjo, sepse pas luftës, Esati kishte kërkuar që kreditë e dhëna me këtë rast të pagueshin me kursin e ri të dinarit, që ishte ngritur shumë, një allishverish për të cilin serbët kishin mbyllur një sy, për ta pasur atë veglën e tyre të bindur.
Duke përmendur ushtarët e Esatit, gazeta të tjera franceze theksonin se ata ishin kusarë që u shkaktonin shumë telashe komandantëve francezë, sepse kudo që shkelnin, bënin kusarira. Në fillim, duke e ditur se cili ishte Esat pasha, gjenerali Sarraj, që ishte kryekomandanti i forcave franceze në Frontin e Lindjes me qendër në Selanik, kur Esati erdhi me 600 mercenarët e tij, mendoi ta kapte për zverku e ta dëbonte se nuk kishte nevojë për të, por u detyrua ta priste me nderimet e një gjenerali armate, kur u urdhërua nga Ministria e Luftës në Paris.
Nuk mungonin dhe gazeta te tjera evropiane nga të cilat po citojmë gazetën italiane “Mesaxhero”, që pas atentatit të 13 qershorit shprehej kështu për Esat pashën dhe aleatët e tij serbë: ”Atdhetarët e vërtetë shqiptarë, ata që nuk kanë harruar të kaluarën plot dhembje, për shkak të serbëve, pjesa më e shëndoshë e shqiptarëve, ka kërkuar të luftojë intrigat e Esat pashës, të këtij njeriu të dhunshëm, ambicioz dhe të shtirur. Prova më e qartë është atentati i djeshëm. Esat pasha ra viktimë e padrejtësive të rënda që i kishte shkaktuar Shqipërisë”.
Ndaj këtij akti nuk mund të qëndronte kurrsesi indiferente dhe qeveria e Tiranës, që nëpërmjet delegacionit të saj në Konferencën e Paqes në Paris dha për shtyp këtë deklaratë: ”Zyra e shtypit shqiptar është e autorizuar të deklarojë se Esat pasha nuk kishte asnjë funksion zyrtar, për më tepër kurrë nuk ka qenë kryetar i shtetit shqiptar ose kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes, siç e kanë quajtur shumë gazeta franceze. Të drejtat e popullit shqiptar i mbron delegacioni i qeverisë së ligjshme, i zgjedhur nga Kongresi i Lushnjës, që ndodhet prej kohësh në Paris” (“Humanite”, 20 qershor 1920).

Në gjyq, dëshmitarët e Esat Pashës.


Deri tani, të gjithë dinamikën e veprimeve të matura të Avni Rustemit për të gjetur çastin e duhur e pastaj për të vrarë Esat pashën e kemi njohur nga dëshmitë e atij vetë në procesin hetimor. Por tani le t’i njohim edhe nga këndvështrimi i njerëzve që e rrethonin Esat Pashën deri në çastin e atentatit të 13 qeshorit të vitit 1920.

Për hetuesit, e rëndësishme ishte të dihej se ç’bënte Esat pasha ato ditë e për më tepër ato çaste para atentatit. Të parët që u morën për këtë qëllim në pyetje ishin Xhemil bej Vlora, nipi i Esat pashës, që kishte ardhur në Paris disa ditë më parë nga Bordigera e Italisë ku jetonte, për të takuar dajën e tij, dhe Elizë Dyfuri, e mbiquajtur përkëdhelisht Lizetë, një vajzë 22-vjeçare që ishte e dashura e Esatit, i cili priste ato ditë t’i vinte nga Zvicra e shoqja, Azize Hanëmi që ndodhej atje për një operacion në sy. Esat pashën, siç pohon Lizeta në hetuesi, e kishte njohur në Danvil gjatë një balloje ku Esati i kishte propozuar të bëhej dashnorja e tij kundrejt një page mujore prej 100 mijë frangash, shumë që duhet thënë se ishte përrallore për atë kohë.

Nga dëshmitë e tyre del se Esat pasha gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij në Paris, ruhej nga armiqtë e shumtë që mund t’i kërcënonin jetën. Këtë ia kishte thënë vetë Esatit edhe Gani Toptani, një kushëri i tij që kishte takuar më parë në Paris. Teksa ora po shkonte 1300, Esat pasha kishte ftuar Xhemil bej Vlorën dhe Lizetën të drekonin në restorantitn e njohur “Kërmilli i artë”. Dhe ashtu bënë. Por në çastin kur ata po dilnin nga hotel “Kontinental”, siç deponon Xhemil bej Vlora në hetuesi, Esati u kujtua për një porosi që do t’u jepte rojeve të tij, të cilët nuk i ndaheshin asnjë çast, ndërsa ai dhe Lizeta u futën në makinë në pritje të Esatit.
“Pasi dëgjuam dy të shtëna, - thotë Lizeta në hetuesi, - ne shikuam nga xhami i pasmë i dritares së makinës dhe pamë një njeri që hidhte përtokë një revolver, njeri të cilin unë nuk e njoh. (AQSH, fondi A. Rustemi, dosje 2, faqe 29). Edhe Xhemil Vlora i përmbahet këtyre deponimeve dhe shton se në ato çaste i tha Lizetës të dilnin menjëherë nga makina, sepse mund të rrezikoheshin. (Po aty). Në fakt ashtu bënë. Me të lënë makinën, u futën nga një derë në oborrin e pasmë të hotelit. Pas pak morën vesh se Esat pasha ishte vrarë nga një student shqiptar.
Gjatë procesit hetimor u mor në pyetje edhe Aibari, roja i hotelit “Monmartrë”, që e kishte shoqëruar Avniun gjatë ditëve të para të qëndrimit të tij në Paris. Aibari pohon se e ka përcjellë Avniun në magazinat e armëve në Grand Bulvar, në vitrinat e të cilave Avniu ka parë lloje të ndryshme armësh, por pa blerë gjë. (AQSH, fondi A. Rustemi, dosje. nr. 2, faqe 15). Kjo e vë në dyshim hetuesin Dei, i cili, më pas, i kërkon shpjegime Avniut lidhur me këtë problem. Dhe Avniu i përgjigjet qetësisht se ai kishte ndërmend të blinte një revolver më të vogël, pasi i veti ishte tepër i madh dhe se do të shkonte në Bois de Boulogne, një ndër parqet më të bukura të Parisit, për t’u stërvitur për qitje (Po aty).
Por të kthehemi të dëshmitarët e tjerë. Janë të gjithë ata që Avniu ka takuar në Paris. Pas Aibarit, Mithat Frashëri, anëtari i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes, me të cilin Avniu ka pasur takim në hotelin “Kempbell”, thjesht për të njoftuar se ka ardhur të ndjekë kurse speciale për gjuhën frënge dhe për padagogji. Gjergj Goga, siç e kemi parë, sekretari personal i Esat pashës, të cilit gjithashtu Avniu i ka kërkuar ndihmë për këtë qëllim. Dhe ata pohojnë të njëjtën gjë.

Avniu kërkon të bindë hetuesin Dei se ai nuk kishte ardhur për të vrarë Esat pashën, i cili rastësisht i doli përpara para hotelit “Kontinental”, kur priste të takonte Gjergj Gogën. Është e qartë se Dei nuk bindet kaq shpejt, por argumentet deri tani janë në favor të Avniut, i cili, pas një plani, sigurisht të përgatitur me imtësi që në Shqipëri, do t’i përmbahet deri në fund të procesit hetimor, sipas të cilit, vrasja e Esat pashës është krejt e rastit, e shkatuar nga tronditja shpirtërore që solli ballafaqimi me këtë tradhtar të kombit shqiptar.
Gjatë procesit hetimor Avniu i tregon hetuesit për jetën e tij. Ka lindur në Libohovë, ka studiuar në gjimnazin e Janinës, pastaj ka shkuar në Kostandinopojë, ka studiuar në një kolegj turk. Më pas ka studiuar në një kolegj pedagogjik në Gjenevë. Në fillim të vitit 1914 është kthyer në vendlindje, ku është bashkuar me forcat vullnetare shqiptare që luftonin kundër trupave pushtuese greke. Në kohën e shpërthimit të Luftës së Madhe Botërore kthehet ne Libohovë, i sëmurë e një vit më pas shkon sërishmi në Janinë, përsëri për studime. Pastaj Avniu shpjegon se, pasi merr në Vlorë një diplomë italiane si mësues, jep mësime në Tepelenë e pastaj në Vlorë, por detyrohet të largohet se italianët nuk dëshirojnë që ai të japë mësim ashtu siç do ai. Më pas shkon me studime në Shën Mitër Koronë, një fshat italo-arbëresh, ku ndodhet një gjimnaz me tradita, e pastaj ndjek në Universitetin e Romës Fakultetin e Pedagogjisë. Por meqë dëgjon se arsimi francez është shumë më i përparuar, vendos të shkojë në Paris. (AQSH, fondi Avni Rustemi, dosja 2).

Është e kuptueshme, siç vëren edhe studiuesi Jusuf Alibali në artikullin e tij studimor, “Avni Rustemi para organeve hetimore franceze,, (“Studime historike”, nr. 1964), se kjo nuk është e tërë jeta e Avniut. Ai, me qëllim shmang tërë veprimtarinë e tij politike e atdhetare, për të treguar se është thjesht një i ri të cilit i pëlqen të studiojë për t’u bërë mësues. Dhe këtë bën për t’iu shmangur akuzës që i rëndonte si shpata e Damokleut mbi kokë, sipas së cilës, ai kërcënohej për vrasje me paramendim, dhe të përforcojë pozitat e tezës së mbrojtjes, e cila e ka mbështetur tërë dispozitivin e saj të luftës gjyqësore në figurën e krimit të kryer në kushtet e tronditjes së thellë shirtërore”. (Po aty).
Më pas Avniu i tregon gjyqtarit hetues Dei se në Romë ai ishte anëtar i një shoqate që “merrej vetëm me letërsi”, dhe që “vetëm një herë u mor me politikë”, dhe pikërisht kur protestoi “kundër ambicjeve greke, italiane e serbe në Shqipëri. ”Ka qëlluar, - shton ai, - që në bisedat tona private të flasim për Esat pashën. Të gjithë ne pa përjashtim, e konsideronim si një armik të vendit tonë, por kurrë nuk ishte bërë fjalë për ta vrarë. As unë dhe asnjë nga shokët e mi nuk kishim parashikuar ndonjë mundësi të tillë. Ne të gjithë e dinim se Esat pasha jetonte në Paris, por emri i tij as që është përmendur gjatë bisedave para nisjes sime”. (AQSH, fondi A. Rustemi, dosja nr. 2).

Pra, arsyeja kryesore e ardhjes së Avniut në Paris, sipas dëshmive të tij, është vazhdimi i studimeve pedagogjike dhe përkryerja e frëngjishtes. Hetuesi Dei pandeh se tashmë e ka zënë ngushtë, kur i kujton se ai ka ardhur në Paris kur shkollat tashmë përfundojnë dhe nuk fillojnë në qershor. Dhe ngul këmbë që ai të rrëfejë arsyet e vërteta që natyrish ai i lidh me vrasjen e Esat pashës. ”A nuk është edhe ky një fakt, - vazhdon hetuesi Dei, - se studimet janë vetëm një preteks për udhëtimin tuaj në Paris?”.

Por Avniu përsëri tregohet shumë i matur: ”Kur erdha, nuk u regjistrova në asnjë fakultet, sepse dëshiroja të shihja Parisin e të shëtis për disa ditë. Nga ana tjetër kisha ndërmend të ndjek disa kurse publike, ku nuk është nevoja për regjistrim paraparak. Në Paris njeriu ka mundësi të përfitojë për kohën që kalon në çfarëdo stinë e vitit që të jetë”.

Para këtyre arsyetimeve gjyqtari hetues Dei, nuk di ç’të thotë. Sidoqoftë, ai është shumë këmbëngulës, ndaj vazhdon sulmin me argumente të tjera për ta mposhtur Avniun. Ka në dorë një fakt kompromentues. Shumën e të hollave që iu gjet Avniut pas arrestimit. Nuk janë pak, duke marrë parasysh se edhe ka shpenzuar gjatë dy javëve të qëndrimit para atentatit, edhe pse ka blerë një kostum. Ka shpenzuar për të ngrënë në hotel e për shëtitjet nëpër Paris, por prapëseprapë atij i kanë tepruar goxha para. Ndaj hetuesi përpiqet që shumën e parave ta përdorë si element fajësie.

Por edhe kësaj Avniu i del përpara me zgjuarsi. Ai para se të niset për në Paris, ka kërkuar nga qeveria e Tiranës që, duke u nisur nga vështirësitë e transportit dhe vonesat e postës, bursa t’i jepej për gjashtë muaj njëherësh dhe, kur sërishmi hetuesi Dei nuk bindet, Avniu shton një fakt që ishte shumë vështirë për t’u verifikuar: se një pjesë tjetër të të hollave ia kishte dhënë Fejzoja, i vëllai, i cili qe kthyer nga Amerika në mars të vitit 1920. Avniu ka vajtur në Napoli dhe atje ka takuar të vëllanë, i ka kërkuar ta ndihmojë dhe është e kuptueshme që i vëllai ia ka dhënë atë shumë.

Surpriza e drejtësisë franceze. Avni Rustemi i pafajshëm.


Më 9 shtator të vitit 1920, pas tre muaj hetimesh, prokurori i përgjithshëm i Republikës, Beguin, pasi shqyrtoi dosjen e Avni Rustemit, të përgatitur nga gjyqtari hetues Dei, hartoi aktakuzën. Në këtë aktakuzë, midis të tjerash, theksohej se: “Me të ardhur në Paris, i pandehuri Rustemi studion me imtësi hyrje-daljet e Esat pashë Toptanit dhe më 13 qershor të vitit 1920, në mesditë, ai ndodhet pranë hotelit “Kontinental” në rrugën “Kastilione”. Ai thotë se priste zotin Gjergj Goga, i cili do ta ndihmonte të gjente ndonjë shkollë private… Por në fakt, ai kërkonte gjeneralin, sepse po të ishte se ai do të donte të takohej me zotin Gjergj Goga, nuk kishte kuptim që të ishte i armatosur me një revolver”.(AQSH, fondi A. Rustemi, dosja 2).

Pra, edhe në aktakuzë shtjellohet versioni i vrasjes me paramendim. Ky version, siç e shpjegon edhe juristi Jusuf Alibali në studimin e tij “Avni Rustemi para organeve hetimore franceze”, (Studime historike, nr. 2, 1964) mbështetet në rrethana të tilla të çështjes që, sipas akuzës, janë elemente fajësie të rënda, megjithëse të tërthorta: kthimi nga Roma në Shqipëri në fillim të majit dhe largimi nga Shqipëria më 21 maj për në Itali (dhjetë ditë më vonë u gjend në Paris), shuma e madhe e të hollave që iu gjet në momentin e kryerjes së krimit, kujdesi për të gjetur një banesë në Paris në afërsi të hotelit “Kontinental”, ku qëndron Esat pasha, qëllimi i studimeve që nuk justifikon zgjedhjen e kohës (viti akademik është në mbarim), prandaj studimet mund të jenë vetëm një preteks), arma dhe interesimi i tij për një magazinë armësh e një fushë për qitje”.

Aktakuza mbyllet me këto fjalë: ”Nga ky grumbullim rrethanash rezulton qartë prova se Rustemi e ka paramenduar krimin e tij për të kryer këtë akt. I pandehuri është shtyrë nga një parti politike në Shqipëri që është kundër qeverisë së Esat pashës apo nga një urrejtje e thellë personale? Të dhënat dhe faktet nuk na lejojnë t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje. Prandaj i lartpërmenduri akuzohet për vrasje me dashje të Esat pashës në Paris më 13 qershor 1920, vrasje kjo e bërë me paramendim. Krimi parashikohet prej neneve 295, 296 e 302 të Kodit Penal. Sanksioni i parashikuar nga neni 302 i Kodit Penal francez është dënimi me vdekje për krimin e vrasjes me dashje”.

Është e qartë që Avniu e parashikonte që sado që do të argumentonte gjatë procesit gjyqësor se nuk kishte ardhur në Paris të vriste me qëllim Esat pashën, tezë së cilës iu përmbajt deri në fund të procesit hetimor e gjyqësor, prapë se prapë ekspertët e drejtësisë franceze, duke e shqyrtuar këtë proces deri në detajet më të imëta, do të përfundonin se ai kishte kryer një vrasje me paramendim. Avniu, i këshilluar doemos edhe nga shokët që morën këtë vendim, kishte hartuar planin që, pasi ta vriste Esat pashën, të mos bënte as përpjekjen më të vogël për të ikur, që do të shkaktonte dyshime për vrasje me paramendim, por të qëndronte, të merrte parasysh se do të rrihej, madje edhe barbarisht, siç u rrah, të deklaronte se e vrau këtë tradhtar, kur e pa befas përballë e kur lexoi në ballin e tij mizoritë që i kishte sjellë për vite atdheut e kështu shtiu mbi të.
Kështu pra, prokurori i përgjithshëm, Begin, në aktakuzën e tij kërkonte dënimin me vdekje të Avni Rustemit. Dhe Avniu në një qeli të burgut “Sante”, priste ditën e gjykimit që mund të sillte edhe vdekjen e tij.


Në Shqipëri, me reputacionin e heroit.
Deri tani jemi marrë me rrethanat që sollën atentatin dhe personat që e përjetuan atë, që ishin dëshmitarë gjatë atyre dy javëve të qëndrimit të Avniut në Paris deri në çastin e atentatit. Por ç’ndodhte në Shqipëri gjatë kësaj përiudhe? Lajmi i vrasjes së Esat pashës në Paris u përhap me shpejtësi rrufeje jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të tërë vendet ku kishte mërgimtarë shqiptarë. Në gazetën “Mbrojtja Kombëtare”, që botohej në Vlorë, akti i Avniut krahasohej me aktin e Vilhelm Telit. Populli i thuri vargje të tilla si: ”O Avni Rustem Marina, /Shkove burra, shkove trima /Në Paris ia bëre prima /Qëllove si vetëtima /Si vetëtima qëllove /Esat pashën ç’e rrëzove /Shqipqrinë ç’e shpëtove!”.
Për të mbrojtur Avni Rustemin, mërgimtarët shqiptarë në Amerikë mblodhën 5 000 dollarë që të përballonin shpenzimet gjyqësore. Mbrojtjen e Avniut gjatë procesit gjyqësor e mori përsipër avokati i njohur Dë Monzi, i cili në takimet me të gjatë qëndrimit në burgun “Sante“, njohu nga afër se cili ishte Avniu dhe ç’e kishte shtyrë që më dy të shtëna revolveri t’i jepte fund jetës së Esat pashë Toptanit.
Nga ana tjetër, lajmi se Avniu, pas procesit hetimor do të paraqitej në Gjykatoren e Senës me aktakuzën që e kërcënonte më vdekje, ngjalli një indinjatë të thellë në trojet shqiptare, por edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, sidomos në Kosovë, të drejtat e popullsisë së të cilës Avniu i kishte mbrojtur me ngulm në debatet e Parlamentit shqiptar. Ja përse në këtë periudhë drejt Parisit vërshuan me qindra telegrame proteste, në të cilat kërkohej që Avni Rustemi të lihej i lirë pas aktit të tij që konsiderohej akt atdhetar.
“Djali ynë në Paris u ndodh para një shushunje të madhe që s’është ngopur kurrë me gjakun e popullit, - shkruanin prindërit e Avniut në telegramin e tyre drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme të Francës. - Ja përse e goditi për vdekje Esat pashën. Këtë ju duhet ta kuptoni fare qartë, ndaj ne si prindër e mbajmë kokën lart. Ai nuk ka kryer asnjë krim, përkundrazi, ka kryer një vepër atdhetare. Ne presim krahëhapur djalin tonë, ndërsa Shqipëria pret patriotin e guximshëm”. (“Dokumente e materiale historike”, Tiranë 1959).
Kurse në telegramin e ardhur nga populli i Vlorës, ku Avniu kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij, thuhej: ”Populli i Vlorës në një miting madhështor të mbajtur sot, vendosi t’i bëjë thirrje ndërgjegjes së lartë të Gjykatës së Parisit. Ai pret që të merret parasysh dëshira e flaktë e popullit shqiptar që të lërë të lirë studentin tonë, Avni Rustemi, i cili bëri një vepër patriotike, duke qëlluar Esat Toptanin e duke çliruar atdheun tonë nga një e keqe shkatërrimtare”. (Po aty). Në mbrojtje të Avni Rustemit u ngritën edhe personalitete të mëdha franceze të kohës, si Rene Pino, Zhysten Godar, aktori i madh shqiptar, Aleksandër Moisiu e të tjerë. Pas tërë atyre telegrameve, letrave që vërshuan nga Shqipëria dhe diaspora shqiptare sidomos në Amerikë, në mbrojtje të Avni Rustemit, është e kuptueshme se procesi gjyqësor që nisi më 30 nëntor të vitit 1920 nuk do të zhvillohej pa tension dramatik. Do të ndalemi në momentet kulmore të këtij procesi.


Momentet kulmore të procesit gjyqësor.

“Ju ndërkaq viheni në lidhje me sekretarin e Esat pashës, zotin Gjergj Goga dhe akuza pretendon se prania juaj në Paris nuk ka pasur qëllim tjetër veçse të gjejë një çast të favorshëm për të vrarë atë që ju e konsideroni si autorin e të këqijave të atdheut tuaj”, - thotë kryetari i trupit gjykues, Drio.
“Në asnjë mënyrë, - përgjigjet Avniu. Ishte që unë të kërkoja një njeri që të më përkrahte. Përveç kasaj, unë e kam takuar zotin Goga krejt rastësisht”.
”Vërtet rastësisht, - pyet jo pa dyshim kryetari.
Dhe Avniu ia kthen jo pa ironi: ”Sigurisht që po. Rasti është mbreti i botës”.
”Pra, padyshim rasti ishte ai që ju shpuri gjithashtu te një armëtar për të blerë një revolver me të cilin të godisnit viktimën?”
Avniu përsëri gjakftohtë përgjigjet: ”Kisha nevojë për një armë që të mbrohem”.
“Por ajo ishte kaq e madhe. Nuk u bezdiste?”
“Në Paris ka nga ata që e mbajnë më të madhe , - përgjigjet sërish Avniu dhe vazhdon: Unë kam ardhur në Paris që të kryej studimet, të perfeksionoj frëngjishten dhe të vizitoj Parisin”.
”Muaji i majit nuk është larg kohës së pushimeve. Kjo nuk është kohë e zgjedhur mirë për të filluar studimet. Përveç kësaj, ju e flisni mirë frëngjishten”.
”Oh, kam pasur kohë ta mësoj në burgun ‘Sante’, - përgjigjet Avniu (marrë nga “Gazet dë Tribuno”, 12 dhjetor 1920, Paris).

“Unë nuk kam kërkuar të takohem me Esatin, - vazhdon ai. - I ndodh njeriut të dojë të sodisë një lule pranvere, por i ndodh edhe të ikë tutje nga një send i neveritshëm. Vetëm rasti deshi që sapo të ndodhesha ballë për ballë me Esatin, atë tradhtar, zemra ime prej patrioti të çohej peshë. Unë shtjeva mbi të. Ky ishte një gjest instiktiv, duhen kuptuar ndjenjat e një zemre shqiptari… Unë deklaroj se krahu im është ngritur nga një ndjenjë e lartë”. (po aty).

Po dhe mbrojtja e avokatit Dë Monzi ishte e shkëlqyer. Kur kryetari i trupit gjykues, Drio, dhe prokurori Blosh Larok vazhdojnë të ngulin këmbë në tezën e vrasjes me paramendim, si një veprim plot mllef e pasion të Avni Rustemit, avokati Dë Monzi ngrihet e thotë:
- Krim pasional? Sigurisht. Se nuk ka pasion më të madh se dashuria ndaj atdheut!

Për fat të keq, veç disa kronikave të botuara në shtypin e atyre ditëve të procesit gjyqësor që zgjati tri ditë, mungojnë hollësi të tjera më të plota të këtij procesi që pati bërë bujë në Paris. Veç të tjerash, në Arkivin Qendror Shtetëror edhe sot e kësaj dite mungon dosja e plotë e këtij procesi. Sipas ligjeve franceze, kjo dosje do të tërhiqet vetëm pas 100 vjetësh.


Vendimi i befasishëm për pafajësi.

Gjenerali Sarraj, duke mbrojtur personalitetin e Esatit, ka deklaruar në gjyq: “Duhet të lesh mënjanë legjendën, sepse Esati ka pasur një legjendë. Unë nuk mundem veçse ta lëvdoj si njërin nga bashkëpunëtorët e mi. Unë i dhashë atij vetëm një gjë që ishte nën pushtetin tim “Kryqin e Legjionit të Nderit”.
Gjenerali Guro nuk u paraqit si dëshmitar, por i dërgoi trupit gjykues një letër, ku edhe ai ngrinte lart Esat pashën, si aleat i denjë i ushtrisë franceze.
Pati dhe ushtarakë që dëshmuan në këtë proces gjyqësor kundër Esat pashës si Anselmi Lamoku. ”Kam dëgjuar, - tha ky i fundit në sallën e gjyqit, - se Esati nuk gëzonte popullaritet në vendin e tij, mbase i kishte dhënë shumë toka Jugosllavisë”.

Juria, pasi dëgjoi dëshmitarët e të dyja palëve, u tërhoq dhe pas jo më shumë se gjysmë ore dha vendimin e pafajësisë për Avni Rustemin. Ishte një vendim shumë i drejtë, i frymëzuar jo vetëm nga ndjenja e lartë e drejtësisë, por edhe kryesisht nga fakorë të konjukturës politike të kohës, - shpjegoi juristi Jusuf Alibali, (“Avni Rustemi para... Studime historike nr. 2, 1964).


Ende nuk është hapur dosja e procesit gjyqësor.

Të gjitha ato që kanë mbetur pa u zbuluar rreth atentatit të Avni Rustemit.
Kur po kthehej nga Parisi për në Shqipëri, Avni Rustemi u ndal në Romë dhe është e natyrshme që u takua me bashkëstudentë shqiptarë të universitetit të atjeshëm ku vazhdonte studimet. Por me asnjërin syresh nuk mësohet të ketë folur rreth atentatit. Në fakt, ne as edhe sot nuk dimë hollësi të tjera të domosdoshme që i dinte vetëm Avniu. Hollësi për gjashtë muajt e qëndrimit në burgun “Sante”, gjatë periudhës së hetuesisë, si u kurua nga plagët e rënda që mori nga goditjet e furishme të qytetarëve që e rrahën menjëherë pas atentatit, duke e pandehur kriminel; ç’qëndrim mbanin policët që e mbikëqyrnin gjatë burgimit; të dhëna për bisedat që bënte me avokatin e tij mbrojtës, Dë Monzi; a kishte shqiptarë që e vizituan në qeli dhe që qenë të pranishëm në procesin gjyqësor; u kthye vetëm për në Shqipëri apo me shokë shqiptarë… Nuk dimë të paktën emrin e njërit nga anëtarët e jurisë që brenda gjysmë ore, të ndikuar nga fjala e Avni Rustemit dhe e avokatit mbrojtës, Dë Monzi, kuptuan se Avniu kishte vrarë një tradhtar të çështjes kombëtare shqiptare dhe i dhanë pafajësinë. Nuk dimë nëse vendimi i jurisë ishte i njëzëshëm, apo kishte nga ata që mbështetën aktakuzën për dënimin e tij me vdekje. Nuk dimë se ç’mund të kenë thënë më pas gjyqtarët francezë që përgatitën dënimin e Avniut me vdekje, nuk dimë si reaguan në këto rrethana disa nga njerëzit e rrethit të Esatit. Nuk kemi, së fundi, siç e kemi theksuar, as dosjen e procesit gjyqësor që do të qartësontë shumë nga këto enigma.

Vrasës i pabesë, që kapardisej në Tiranë si shpëtimtari i atdheut.

Eqrem bej Vlora, në kujtimet e tij shkruan se Avni Rustemi ishte një student i pasuksesshëm që kërkonte të bënte emër me vrasjen e Esat pashës dhe se ishte vetëm një vegël në duart e kundërshtarëve të Esat pashës.


”Që Esat pasha në çdo vend të qytetëruar do ta kishte hak trekëmbëshin, kjo nuk diskutohet. Por që ai u eliminua në këtë mënyrë të padenjë, kjo nuk i nderon aspak anëtarët e asaj qeverie” (faqe 166).

Deri tani nga të vetmit studiues që hedh poshtë atentatin e Avni Rustemit, madje e ul figurën e vetë Avniut, duke e quajtur “karagjoz politik”, është personaliteti i njohur politik shqiptar, Eqrem bej Vlora.

Në vëllimin e dytë të librit të tij ”Kujtime” (1912-1925), ai jep në këtë mënyrë një pasqyrë realiste të gjendjes në Shqipëri gjatë periudhës së parë të vitit 1920:
“Menjëherë pas formimit të qeverisë së re të Tiranës, të gjitha krahinat e njohën autoritetin e saj (20 shkurt 1920). Sidoqoftë, zona të gjera të vendit mbeteshin ende nën pushtimin e huaj: Shkodra, Korça, Pogradeci nën francezët, viset në veri të Drinit nën sundimin serb, Vlora dhe disa pikëmbështetje të tjera nën varësinë italiane”. (faqe 163).

Më poshtë vazhdon: ”Ndërkaq, Esat pasha me banim në Paris, u dha urdhër njerëzve të tij në Shqipërinë e Mesme që të mblidheshin dhe, kur të vinte rasti, të rrëzonin qeverinë. Përballë këtij rreziku, qeveria u përpoq t’i bindte me të mirë esatistët se përmbysja me dhunë e qeverisë do t’i rizgjonte dëshirat dhe nepset e fqinjëve për të rrëmbyer troje shqiptare dhe kjo mund të ishte rrezik i madh për ekzistencën e Shqipërisë së lirë. Pas kësaj paraqitjeje mjaft objektive të gjendjes së Shqiqërisë në atë periudhë, Eqerem bej Vlora fajëson drejtpërdrejt qeverinë e Tiranës, si nismëtare të atentatit: ”Që Esat pasha në çdo vend të qytetëruar do ta kishte hak trekëmbëshin, kjo nuk diskutohet. Por që ai u eliminua në këtë mënyrë të padenjë, kjo nuk i nderon aspak anëtarët e asaj qeverie”. (faqe 166).

Pastaj Eqerem Vlora vazhdon: ”Esatistët filluan befas të ndërmarrin veprime të dhunshme. Ata prenë linja telegrafike dhe telefonike, vendosën njerëz të armatosur në ura dhe qafa dhe, kur qeveria nisi të marrë masa të rrepta, ata nën komandën e Osman Balit, rrethuan madje Tiranën... Edhe një herë qeveria u përpoq të mirrej vesh me rebelet… Ndërkohë problemi u zgjidh vetiu me vrasjen e Esat pashës…”.

Ndërsa për Avni Rustemin shkruan: ”Një djalosh i quajtur Avni Rustemi, një nga studentët më të pasuksesshëm, që me këtë vrasje donte të bënte emër, nuk ishte veçse një vegël në duart e kundërshtarëve të Esat pashës. Ata i dhanë mjetet e nevojshme për këtë vrasje dhe morën njëherësh përsipër mbrojtjen e tij para gjykatës franceze. Se kush ishin, këtë sot vështirë ta thuash...

Eqrem bej Vlora shpreh habinë e tij të madhe se si: ”Drejtësisa franceze, me një manipulim të habitshëm të ligjit, e nxori të pafajshëm Avni Rustemin dhe që qeveria shqiptare e shpalli hero dhe e bëri deputet, kur ky vrasës i pabesë, pra, kapardisej nëpër Tiranë si ndonjë shpëtimtar i atdheut”. (po aty)


Atentatet më të famshme në historinë botërore.

Më 14 prill 1865 vritet në teatrin “Ford” të Uashingtonit presidenti amerikan, Abraham Linkoln. Vrasësi, aktori Xhon Buth, pasi arrin të depërtojë pa u diktuar deri në lozhën presidentore, e qëllon Linkolnin me revolver dhe nga prapaskena arrin t’i hipë një kali që e priste jashtë teatrit. Arratia e tij zgjat deri më 26 prill, kur pikaset nga forcat e ushtrisë dhe zbulimit në një fermë në Virxhinia. Pas një luftimi gjendet i vdekur.

Më 28 qershor 1914 studenti boshnjak, Gavrillo Princip, anëtar i organizatës terroriste “Dora e zezë;” vret për motive nacionaliste në Sarajevë, Franc Ferdinandin, princin trashëgimtar të Austro-Hungarisë. Përpiqet të ikë, por kapet. Dënohet dhe vdes katër vjet më pas nga tuberkolozi. Ky atentat, siç dihet, shërbeu si shkas për fillimin e Luftës së Parë Botërore.

Më 30 gusht 1918, Fania Kapllan me origjinë çifute, anëtare e së ashtuquajturës Parti Social Revolucionare qëllon me revolver Leninin gjatë një mitingu në Petrograd, sepse ai nuk kishte urdhëruar t’i bëhej atentat Carit, kur ndodhej në Kiev më 1911. Kërkon të fshihet, por kapet dhe pushkatohet më 3 shtator të atij viti.

Më 22 nëntor të vitit 1963, gjatë vizitës së tij në Dallas (Teksas), ndërsa udhëtonte me një makinë të hapur, vritet presidenti amerikan Xhon Kenedi. Pavarësisht se atentatori, Li Osvold, që humbi gjurmët, u kap pas disa ditësh, ende kanë mbetur mister shkaqet e vrasjes së Kenedit, sepse Osvoldi u vra teksa dilte nga zyra hetimore nga Xhak Rabini, me preteksin, siç u shpreh më pas ai, se nuk mund t’ia falte atij që “vrau presidentin tim”.

Më 1981, vetëm disa muaj pasi ishte vendosur në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan, Ronald Regan, qëllohet me revolver nga Xhon Hinkli, një shkrimtar që merrej me skenare filmash. Më 1982 ekspertiza e nxori atentatorin me të meta mendore. Ai edhe sot vuan dënimin në një spital psikiatrik.

Në tetor 1986 vritet krejt papritur kryeministri suedez, Olaf Palme. Ende edhe sot nuk dihet se cili është atentatori dhe cilat ishin shkaqet që e shtynë të bënte këtë vepër.

Në vitin 1981, ndërsa merrte pjesë në një paradë ushtarake në Kairo me rastin e përvjetorit të rimarrjes së Kanalit të Suezit, ekzekutohet në tribunë presidenti egjiptian, Anvar Sadat. Atentatorët janë ushtarakë që zbresin nga një makinë, e cila merrte pjesë në këtë paradë. Shkaqet e vrasjes lidheshin me kundërshtimin e politikës së Sadatit për afrimin me Izraelin. Më pas del se disa nga autorët e atentatit ishin bashkëpunëtorë të Bin Ladenit, ndër të cilët dhe i famshmi Al Zavari.

Në 1984 vritet kryeministrja e Indisë, Indira Gandi. Autorët e atentatit janë dy roje të gardës së saj personale nga fisi Sik që e vranë në shenjë hakmarrjeje ndaj Gandit, e cila kishte urdhëruar që trupat e ushtrisë indiane të futeshin në “Tempullin e Artë” të fisit Sik, i cili dyshohej se ishte kthyer në strehë terroristësh. Atentatorët që u orvatën të arratiseshin, kapen dhe dënohen me pushkatim.

Në pranverë të vitit 1995, pas përfundimit të një mitingu, qëllohet për vdekje kryeministri izraelit, Itzhak Rabin. Atentatori është Zhigal Amir, student ortodoks izraelit, i lidhur me grupe ekstremiste. Bën përpjekje të ikë, por kapet dhe pohon se qëlloi mbi Rabinin se ishte kundër marrëveshjes së tij me presidentin palestinez Arafat. Dënohet më burgim të përjetshëm.

Në mars 2003 vritet me atentat të kryer me pushkë me dylbi, kryeministri serb, Xhinxhiç. Autori Zvezdan Jovanovic kapet pas disa ditësh.

Në shtator të vitit 2003 qëllohet me thikë dhe vdes ministrja e Jashtme e Suedisë, Ane Lind. Atentatori është serbi Mihajllo Mihajlloviç, që arrestohet pas disa javësh. Pohon se e kishte vrarë Lindin si shenjë proteste kundër përkrahjes që ajo u kishte dhënë trupave të NATOS-s për bombardimin e Serbisë. Dënohet me burgim të përjetshëm.


Atentate nga historia e Shqipërisë.

Mars i vitit 1906. Çerçiz Topulli me shokë të çetës së tij vrasin komandantin turk të Gjirokastrës dhe humbin gjurmët. Po të kapeshin, do të dënoheshin me vdekje.

Mars i vitit 1913. Osman Bali, dora e dhjathtë e Esat pashës, vret natën Hasan Riza pashën, komandantin turk të garnizonit të Shkodrës, që Esati t’ia lërë të lirë këtë qytet malazezve. Osman Bali fshihet dhe humb gjurmët.

Në shkurt të vitit 1923, Beqir Valteri i bën atentat Ahmet Zogut në sallën e Parlamentit në Tiranë, por vetëm e plagos lehtë dhe vetë fshihet në nevojtore.

Në prill të vitit 1924, Zogu paguan një farë Isuf Reçi, i cili vret Avni Rustemin, kundërshtarin e tij me të rrezikshëm politik, prapa shpine. Vritet më 1944 nga forcat partizane, si bashkëpunëtor i pushtuesve gjermanë.

Në mars të vitit 1925, sipas historisë së shkruar para regjimit, Zogu vë gjithashtu një agjent të tijin që parpara hotelit “Kavur” në Bari, t’i bëjë atentat Luigj Gurakuqit, i cili vdes pastaj në spital nga plagët. Vrasësi i mbrojtur edhe nga policia bareze, arrin të humbasë gjurmët.

Në verë të vitit 1926, Myslim Peza, pas një atentati në Tiranë, qëron hesapet me kryebanditin Osman Bali dhe arrin t’u shpëtojë ndjekjeve.

Më 1931, Aziz Cami me shokë i bëjnë atentat Zogut, kur po dilte nga Teatri i Operës së Vienës. Por vritet vetëm adjutani tij, Llesh Topallaj. Atentatorët përpiqen të shpëtojnë, por kapen dhe dënohen.

Më 14 gusht të vitit 1933, njerëz të Zogut, sipas variantit të historisë së shkruar gjatë regjimit, i bëjnë atentat Hasan Prishtinës në Selanik dhe, pasi e vrasin, humbin gjurmët.

Gjatë Luftës Nacional Çlirimtare, guerrilasi Myslim Keta kryen disa atentate kundër agjentëve të rëndësishëm fashistë dhe në të gjitha rastet shpëton.

Shtator 1998. Azem Hajdari, një ndër themeluesit e Partisë Demokratike, vritet pas një atentati në Tiranë.


Vrasja e Avni Rustemit cilët ishin autorët e vërtetë


Pas panikut që pasoi vrasjen e dy turistëve amerikanë, kur akuzat për autorësinë e Zogut arritën në kreshendo, pikërisht Ai ishte më i interesuari për të mos i faturuar ndonjë vrasje tjetër të bujshme, çka do t’ia rrëzonte përtokë reputacionin dhe do t’ia rrënonte me siguri karrierën.
Megjithëse e dinte se Avni Rustemi ishte kryeideatori i atentatit, pasi u informua me siguri se esadistët donin të hakmerreshin ndaj Avniut duke shfrytëzuar anarkinë dhe kaosin, Zogu e njoftoi Avniun për vrasjen e planifikuar dhe i kërkoi të largohej me shpejtësi nga vendi. Avniu e kuptoi rrezikun dhe menjëherë depozitoi kërkesën për vizë në Ambasadën e SHBA-ve, por nuk arriti ta marrë atë.

Avniu, i cili sikundër shkruan Eqerem bej Vlora, gjithë kohës fliste për eleminime fizike dhe i planifikonte ato, bëri gabim të rëndë që i nënvleftësoi njerëzit e Esatit, teksa vazhdonte sfidën e kalimit çdo ditë nën dritaret e sarajeve të tyre që ndodheshin bash në vendin ku u bë atentati. Vërtet Esat Pasha kish lënë vetëm dy vajza, por byrazeri dhe miku i tij Osman Bali, ishte betuar për t’ia marrë hakun dhe kërkonte vetëm rastin. Dhe për këtë vrasje pagoi Isuf Reçin, të cilit i premtoi edhe pronësinë e mullirit të famshëm të Toptanajve, në të cilin Reçi punonte si mullixhi.

Mustafa Kruja ka shkruar në kujtimet e tij se Isuf Reçi, një vit para vrasjes së Avni Rustemit, kishte dashur të vriste Ahmet Zogun.
Pas atentatit ndaj Avni Rustemit, policia mori deponimet e 28 dëshmitarëve okularë, nga të cilët vetëm 4 pohuan identitetin e atentatorit. Të tjerët, të trembur, bënë të paditurin, ndërsa të gjithë e morën vesh se kjo vrasje ishte një gjakmarrje e pastër sipas zakoneve shqiptare, madje mendjet e kthjellëta kurrë nuk dyshuan për Zogun, megjithëse edhe kësaj here Ai u kryqëzua nga akuzat për vrasjen e Avniut, dhe kjo nuk ishte tjetër veçse punë e kundërshtarëve të Tij, të cilëve preteksti për të bërë katrahurën, tashmë u ra nga qielli.


Vdekja e Avni Rustemit më 22 prill 1924, në spitalin e Tiranës, ishte Bingoja që i ra opozitës për të marrë pushtetin, ndërkohë që vendi dhe rendin publik morën tatëpjetën dhe anarkia filloi të bëjë ligjin.
Opozita politike u dha kushtrimin shqiptarëve për vrasjen e Avni Rustemit dhe me këtë rast nxiti kundërshtarët e qeverisë për ta shfrytëzuar këtë vrasje si trampolinë drejt pushtetit. Pasi gjeti “vrasësin”, që të nesërmen, akoma pa u varrosur i ndjeri, opozita organizoi një demostratë kundër qeverisë së Shefqet Bej Vërlacit dhe më pas demonstruesit e ndërkryer protestuan edhe para shtëpisë së Zogut duke e akuzuar se kish gisht në vrasje.
Pa humbur kohë, opozita filloi organizimin e një lëvizjeje të armatosur kundër qeverisë për marrjen me çdo kusht të pushtetit.
Në Vlorë filluan të mblidhen të gjithë kundërshtarët e qeverisë, që nxitën hapur marrjen e pushtetit me dhunë.
“Opozita e shfrytëzoi deri në fund gjakun e Avniut. Të gjithë tok, opozitarët u nisën për në Vlonë, tue shpallë se në Tiranë s’kishte ma as siguri jete. Por shkaku e qëllimi i vërtetë ishin me përgatitun nji kryengritje kundra Zogut. Qeveria qe paralizue kryekëput. S’ishte ma e zonja me marrë asnji masë kundra tundulluesve”.
(Mustafa Kruja “Anthologji historike”, faqe 306).

Zogu i lidhi pension babait të Avni Rustemit

Më 1 korrik 1930, prefekti i Gjirokastrës Kolë Rodhe, njofton Zyrën Sekrete:
“Bashkëngjitun, kemi nderin t’ju paraqisim dëftesën mbi marrjen në dorëzim të 400 fr. ari, nga ati i të ndjerit Avni Rustemit, përcjellë prej kësaj prefekture me shkresën nr. 62. res., datë 23 qershor 1930 të N/prefekturës Libohovës”.
(AQSH, F 152/13, V1930, D 252, fleta 2).

Ministri i Financave Kolë Thaçi, më 11 korrik 1930, i dërgon këtë shkresë kryeministrisë:
“Mbi shkresën nr. 1752, datë 2 korrik 1930, t’asaj P.T. Kryeministrie, kemi nderin t’ju njoftojmë se Naim Rustemi (babai i Avniut – shën. i A.K.)..., në themel të vendimit nr. 476 datë 10 nëntor 1927 të Këshillit Ministruer, të përmendunit iu lidh nji pagesë e përmujshme prej fr. ari 100, për t’u pague nga fondi i mësheftë i Ministrisë së Punëve të Mbrendshme.
Lutemi prandej asaj P.T. Kryeministrisë, që për pagesën e rrogës së z.Naim Rustemit, t’intervenoni pranë Ministrisë së Punëve të Mbrendshme.
(AQSH, F 152/13, V1930, D 252, fleta 3).

Më 16 korrik 1930, kryeministri Pandeli Evangjeli i dërgon këtë shkresë Ministrisë së Punëve të Brendshme:
“Këtu ngjit ju dërgohet kopja e shkresës nr. 93/82, datë 11 korrik 1930, e Ministrisë së Financavet, me lutje telegrafike të z.Neim Rustemit, me lutjen tonë që të paguhet shpërblimi i tij simbas vendimit nr. 476, datë 10 qershor 1927 të Kshillit Ministruer. Përfundimi të na njoftohet.
Më 14 gusht 1930, Zyra Sekrete i dërgon këtë shkresë Prefekturës Gjirokastër:
“Ngjitur ju dërgohen fr. ari 400, të cilat duhet t’ia paguani z.Naim Rustemit si kompetenca të tij për prill – maj – qershuer e korrik të këtij viti, dhe t’i dërgoni dëftesën e tij për rregullim.
Më 23 gusht 1930, prefekti i Gjirokastrës njofton Zyrën Sekrete:
“Për kompetencë, kemi nderin këtu ngjitur, t’ju paraqesim dëftesën e marrjes në dorëzim të shumës fr. ari 400 prej t’interesuemit, dhe e vërtetueme rregullisht”.

Armand ZISO

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...