Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/04/06

Pse s`po arrestohet krimineli Adnan Jashari?








Policia e Kosovës është duke i hetuar të gjitha pistat e mundshme që çojnë deri te gjetja e vendndodhjes së Adnan Jasharit, personit që vrau ish-bashkëshorten e tij, Diana Kastratin. . Adnani  nënën e ka serbe dhe se dyshohet se fshihet në Republikën e Serbisë.

Kanë kaluar gati dy vite që kur Diana Kastrati u vra në rrugë nga ish-burri i saj Adnan Jashari. Qysh atëherë ai ndodhet në listën e personave në kërkim nga Policia e Kosovës. Është zhdukur pa gjurmë.

Përderisa të dhënat e tij gjenden edhe në Interpol. Dyshohet se ai është larguar për në Serbi, pasi edhe është i pajisur me dokumentet e këtij shteti.

Megjithëse zyrtarisht Policia e Kosovës nuk di asgjë për vendndodhjen e tij. Por kjo gjendje nuk do të zgjasë edhe shumë kohë. Së fundmi, Policia e Kosovës ka nisur intensivisht hetimet për kapjen e personit që para dy vitesh vrau ish-gruan e tij në pikë të ditës, derisa ajo ishte nisur për në fakultet.

Kështu të paktën thotë policia pavarësisht se janë shumë të rezervuar në dhënien e informatave.

“Policia e Kosovës është duke hetuar të gjitha pistat e mundshme që çojnë deri te gjetja e vendndodhjes së personit të kërkuar”, ka thënë një zyrtar policor për Gazetën Express në kushte anonimiteti.

Kërkimet, sipas tyre, nuk po bëhen vetëm në Kosovë dhe nga policia e Kosovës, por edhe jashtë saj.

“Hetimet po bëhen duke përfshirë edhe bashkëpunimin ndërkombëtar policor”.

Diana Kastratin dyshohet se e vrau ish-burri i saj Adnan Jashari në maj të vitit 2011. Ata të dy kishin 10 vite që ishte martuar por jeta e tyre bashkëshortore jo gjithmonë shkonte mirë. Për shkak të presonit dhe kërcënimeve Diana ishte detyruar që pas 10 vjet martese, të marrë vajzën dhe të kthehet në familjen e saj.

Deri në ditën kritike, kur Adnani i doli përpara në rrugë dhe e la atë të vdekur në vend pak metra larg shtëpisë së prindërve të saj. Vrasja e Dianës ndodhi në momentin kur ajo po shkonte në fakultet. Pas vetes la një vajzë, Anaidën e cila kohën kur mbeti pa nënë ishte vetëm 8 vjeçe.

Prej se ka ndodhur vrasja, prindërit e Dianës kërkuan drejtësi kudo. Duke pretenduar se Gjykata Komunale në Prishtinë nuk kishte vepruar sipas Ligjit për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe si pasojë e këtij mosveprimi kishte ndodhur edhe vrasja e vajzës së tyre, Diana Kastrati, nga ish-bashkëshorti i saj Adnan Jashari, para pak ditësh Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur të pranueshme kërkesën e Gëzim dhe Makfire Kastratit.

Prindërit e Dianës kishin kërkuar nga Kushtetuesja që të interpretohej shkelja e të drejtave individuale të Diana Kastratit, për shkak të mosveprimit të Gjykatës Komunale në Prishtinë në lidhje me mos-lëshimin e urdhrit për mbrojtje, të cilin e kishte kërkuar Diana sa ishte gjallë.

Këtë kërkesë ata e kishin parashtruar edhe kundër Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Ish-ministri i Jashtëm serb, njëherësh lider i SPO-së, Vuk Draskovic: Kosova e humbur, nënshkruajeni marrëveshjen!

Ish-ministri i Jashtëm serb, njëherësh lider i SPO-së, Vuk Draskovic, ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjes me Kosovën nuk do të jetë fatkeqësi për Serbinë, pasi Kosova tashmë prej kohësh është e humbur për Serbinë.

Draskovic në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë”, seksionin në gjuhën serbe, ka thënë se nëse vendoset të mos nënshkruhet marrëveshja, atëherë Serbisë do t’i mbyllen dyert, e kjo do të jetë një fatkeqësi e madhe për vendin, transmeton “Epoka e re”.

Ai ka thënë se askush nga lidershipi aktual nuk është fajtor për këtë, pasi Kosova është e pavarur dhe e njohur nga rreth gjysma e shteteve anëtare të OKB-së.

Çfarë bisedimesh me Serbinë i duhen Kosovës

Milazim Krasniqi

Reagimet dhe polemikat ndërmjet zyrtarëve të partive politike të shqiptarëve të Kosovës se a duhet të zhvillohen bisedime me Serbinë, përditë e më shumë e zbulojnë papjekutinë e këtyre partive si përfaqësuese të interesave të qytetarëve të këtij vendi. Së pari, niveli emocional i reagimeve ka të bëjë me mungesë përvojash, me papjekuri për t’u ballafaquar me tema e përmbajtje serioze, që në fakt janë testi kryesor me të cilën mund të matet përgjegjshmëria e tyre. Së dyti, niveli i ulët i njohurive lidhur me nevojën e bisedimeve ndërmjet shteteve që kanë konteste të hapura, ose që janë në gjendje konflikti të ngrirë, sikundër është në të vërtetë gjendja ndërmjet Kosovës e Serbisë, e bënë edhe më të qartë krizën e përfaqësimit të qytetarëve të Kosovës, jo vetëm në bisedimet eventuale po edhe në institucionet ekzistuese.

Dy qasje të ndryshme - por që bëjnë dëm njësoj

Sa i përket nivelit emocional të reagimeve, ai tashmë e ka deformuar komunikimin e qytetarëve me partitë politike dhe zyrtarët politikë, aq sa ata mund të shkulin flokët (nëse i kanë), të çjerrin fytyrën, por tek qytetarët nuk arrijnë të krijojnë as emocion e as opinion. Duke gulçuar për gjëra të vogla, duke u bërë histerikë për gjithçka, shumica tashmë janë bërë të pabesueshëm për çfarëdo që të thonë, gjë që është keq për cilësinë e komunikimit politik dhe për kohezionin në shoqërinë tonë. Pak a shumë janë bërë si ai bariu gënjeshtarë, të cilit nuk i besoi askush, kur ujku vërtet i ra në kope, sepse më herët kishte ulëritur “ ujku, ujku”, duke gënjyer. Ndërsa, sa i përket nivelit të ulët të njohurive politike, kjo tashmë është aq e qartë sa që opinioni më i përhapur është se shumica e politikanëve janë njerëz të padijshëm, që kanë hyrë në politikë si zhvatës, e jo si njerëz të vendosur e të dijshëm, që angazhohen me dijen dhe me autoritetin e tyre, që t’i mbrojnë interesat e shtetit dhe të popullit që e përfaqësojnë.

Edhe ky perceptim e ka tagrin e vet, sepse pengon identifikimin e qytetarëve me instituiconet dhe me shtetin e tyre.
Nga ana tjetër, edhe ata që flasin me lehtësi të padurueshme për dialogun e bisedimet, si diçka që qysh në start e ka të garantuar triumfin e Kosovës, shkatojnë të njëjtin dëm e të njëjtat pasoja, si për cilësinë e komunikimit me qytetarët ashtu edhe për dobësimin e kohezionit shoqëror. Nga negociatat e Vjenës e deri te dialogu teknik, është bërë shumë e qartë se dialogu e bisedimet me Serbinë janë të vështira, me shumë rreziqe dhe nuk e kanë të garantuar zbatimin, as kur arrihen marrëveshjet nominalisht. Prandaj, nuk mund të flitet me lehtësi për bisedimet që do të pasojnë, edhe për faktin se tash Serbia e ka pozitën negociatore më të fortë se kurrë më përpara. Përderi sa qeveria e Boris Tadiqit ka pasur përballë vetes një opozitë të fuqishme nacionaliste, qeveria e tashme e Nikoliqit/ Daqiqit, ka përballë një opozitë të dobët e në krizë të thellë. Qeveria e tashme e ka edhe një favor tjetër: moszbatimi i marrëveshjeve është një gjë e trashëguar nga qeveria e mëhershme, prandaj edhe nëse nuk do të zbatohen marrëveshjet e reja, qeveria e tashme serbe nuk do të mund të penalizohet nga Bashkimi Europian si nismëtare e bllokimit të tyre, sespe këtë praktikë e pati instaluar qeveria “properëndimore” e Tadiqit. Poashtu, qeveria e Tadiqit, e udhëhequr nga një teknokrat, Mirko Cvetkoviqi, ka qenë shumë më pak e motivuar që të nxjerrë favore nga dialogu, ndërsa qeveria e Nikoliqit dhe e Daqiqit, ka motiv jetësor që të revansohet ndaj Kosovës, meqë partitë e tyre kanë qenë në pushtet kur NATO-ja pati detyruar për kapitulim qeverinë serbe.

Analiza e mirëfilltë e këtij konteksti të ri në të cilin gjendet qeveria serbe dhe shteti serb, është e domosdoshme, sepse bisedimet e ardhshme nuk janë rutinore, nuk janë teknike, po janë përpjekje për të nxjerrë Serbia sa më shumë koncesione nga Kosova. E vetmja digë kufizuese e kësaj ambicie të shfrenuar të qeverisë së tashme serbe, është kushtëzimi i integrimit europian të Serbisë me kooperativitetin në bisedime dhe moderacionin që të arrihen marrëveshje dhe që të zbatohen. Po të mos ishte kjo digë kufizuese, bisedimet më parë do të të mund të prodhonin pretekst të ri konflikti, se sa marrëveshje të reja. Megjithatë, as kjo digë nuk është e mjaftueshme për ta ndalë turrin e ambicieve revanshiste të qeverisë së re të Serbisë, prandaj edhe në këtë aspekt insitucionet e Kosovës duhet të jenë të vëmendshme e të caktojnë vijat e kuqe edhe në raport me kërkesat e Bashkimit Europian.

Kjo edhe për arsye se Bashkimi Europian në përpjekjet e veta që ta largojë sa më shumë Serbinë nga përqafimi i “ariut rus”, është në gjendje të bëjë edhe koncesione të reja ndaj ambicieve e pretendimeve serbe.

Kosova ka nevojë për marrëveshje që i jep fund konfliktit të ngrirë

Por, përtej këtyre dy qasjeve të skajshme dhe jorealiste të politikanëve të vendit tonë, është e qartë se Kosova ka shumë nevojë për dialog e bisedime me Serbinë, në mënyrë që çështjet e hapura, që janë si gur në qafë për shtetin tonë, të zgjidhen me marrëveshje. Parimi themelor në kontestet e mbetura ndërmjet shteteve që kanë qenë në luftë, është që shteti fitimtar, të ofrojë nisma për zgjidhjen e kontesteve të mbetura dhe arritjen e
marrëveshjes paqësore. Nëse Kosova ka fituar nga lufta me Serbinë, ( nga një krahinë autonome është bërë shtet), atëherë Kosova ka nevojë më shumë se sa Serbia që të mbyll kontestet dhe që të çlirohet nga barra e gjendjes së luftës, të cilën e ka me Serbinë aktualisht. Fatkeqësisht, gjendja e luftës ndërmjet Kosovës e Serbisë është vetëm e ngrirë, por jo e hequr. (Pra, konflikti i ngrirë është ndërmjet Kosovës e Serbisë e jo ndërmjet Kosovës dhe serbëve në veriun e saj.) Marrëveshja e Kumanovës e obligon Serbinë në raport me NATO-n, por jo në raport me institucionet e Kosovës. Kosova nuk e ka zgjidhur konfliktin me Serbinë në vitin 1999, sikundër pohojnë disa politikanë ndër ne, siç nuk e ka të zgjidhur atë konflikt as në vitin 2012. Kosova që nga viti 1999 është nën mbrojtjen e NATO_s, por kjo formalisht është e përkohshme. Prandaj Kosova ka nevojë për një marrëveshje të veten me Serbinë, e cila do t’i jepte fund kontestit territorial dhe konfliktit potencial.

Më së miri do të kishte qenë po qe se dialogu do të zhvillohej në kuadër të diplomacisë së fshehtë, (pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.) Por, kjo nuk ka qenë e mundur që të imponohet nga një shtet i brishtë si Kosova, i cili efektivisht është nën mbikëqyrje civile dhe ushtarake. Prandaj as Serbia nuk ka pasur ndonjë interes të zhvillojë negociata të fshehta me një shtet që nuk është plotësisht sovran dhe nuk është i aftë të zbatojë marrëveshjet eventuale, si produkt i diplomacisë së fshehtë. Fatkeqësisht, kjo gjendje e Kosovës është edhe sot e do të jetë edhe pas 10 shtatorit, që do të thotë se motivimi për negociata të qeta, larg presionit të opinionit, nuk i konvenon Serbisë. Përkundrazi, Serbisë i konvenon që të bëhet sa më shumë hallakamë politike, sa më shumë zhurme mediale, sa më shumë ç’orientim i opinionit publik në Kosovë, sepse të gjitha këto së bashku e dobësojnë kohezionin politik e shoqëror dhe e dëmtojnë imazhin e shtetit të Kosovës. Meqë për bisedimet e ardhshme me Serbinë ka muaj që është duke u zhvilluar hallakamë politike, zhurmë mediale dhe ç’orientim i opinionit, është e qartë se e gjitha i konvenon pozicionit negociator të Serbisë. Në Serbi tema e bisedimeve të ardhshme është margjinale, brenda një jave a përmendet një herë a nuk përmendet fare nga partitë e nga mediet. Sigurisht që institucionet e Serbisë (Kuvendi, qeveria e presidenti) e bëjnë punën e vet përgatitore, duke e përgatitur platformën koncensuale, por ata nuk janë në presionin e opozitës e as të medieve.

Rrjedhimisht, edhe qytetarët e Serbisë janë më të qetë e më kontribues për pozicionimin sa më të fortë të qeverisë së tyre në bisedimet e ardhshme me qeverinë e Prishtinës. Kjo në dukje të parë është paradoksale: qeveria e shtetit humbës është më komode, ndërsa fitimtari është në siklet, në depresion pothuajse kolektiv. Kjo gjendje kushtëzohet nga papjekuria që e karakterizon politikën në Kosovë, ku dominimi i reagimit emocional, zbulimi i paditurisë dhe optimizmi pa mbulesë, i jep shpresë humbësit se mund të rikuperojë humbjen e para trembëdhjetë viteve. Pra, Serbia e dëshiron dialogun, me shpresë se do t’i shfrytëzojë dobësitë e shoqërisë dhe të qeverisë sonë, e jo pse ka adute të forta në duar. Të gjithë në Serbi e dinë se Kosova është bërë shtet i pavarur me intervenimin e NATO-s e nën sponsorizimin e SHBA-ve dhe se kjo pavarësi nuk mund të zhbëhet përderi sa është e njohur nga shtete si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca e Gjermania. Është e qartë se gjeopolitika e Perëndimit ndaj Ballkanit e ka sjellë intervenimin e NATO-s dhe se mbetja e Kosovës nën ombrellën e saj mbrojtëse (bashkë me Shqipërinë që tashme është anëtare e NATO-s, po edhe me Maqedoninë, Malin e Zi e me Kroacinë) është e pakthyeshme. Megjithatë, Serbia luan lojën e vet, gjasme nuk i ka të mirënjohura këto fakte dhe shpreson se në të ardhmen mund të ketë ndryshime të raportit të forcave ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë. Projektet serioze të shtet ndërtimit (edhe me pretendimet e veta imperiale a koloniale) nuk janë sezonale, po të qëndrueshme dhe presin kohë të përshtatshme për finalizim ose për revansh. Edhe nga ky aspekt, pra i favoreve të tashme gjeopolitike, Kosova më shumë ka arsye të ngutet që të arrrijë marrëveshje të negociuara e të qëndrueshme me Serbinë, se sa Serbia. Por, edhe në planin praktik, Kosova ka arsye më të mëdha që të kërkojë dialogun dhe arritjen e marrëveshjeve me Serbinë, ngase është nën presionin ngulfatës të Serbisë, e cila ka kontroll mbi një pjesë të territorit të Kosovës, me të cilin sa herë dëshiron e lëkundë stabilitetin e shtetit tonë. Kosova nuk ka kapacitetet e nevojshme për ta ndryshuar vetë këtë gjendje, (raporti i forcave është në favor të Serbisë), po as mandatin e mirëfilltë shtetëror nuk e ka, meqë KFOR-i është autoriteti kryesor për sigurinë në kufijtë e Kosovës (intereveninmi do të shkaktonte konflikt ndëretnik dhe involvim të Serbisë në konfliktin brenda Kosovës.) Prandaj, Kosovës i duhet dialogu, i duhen bisedimet e ndërmjetësuara, në mënyrë që disi ta lehtësojë edhe presionin e orkestruar nga serbët lokalë të veriut dhe nga shteti serb.

Çfarë kornize duhet të kenë bisedimet e ardhshme?

Por, Kosovës nuk i duhen çfarëdo bisedimesh. Korniza tematike e bisedimeve duhet të fiksohet qartë dhe të miratohet nga Kuvendi i Kosovës, si organi më i lartë i pushtetit të popullit në vendin tonë. Formati mund të jetë bisedime politike për çështjet e hapura ndërmjet Kosovës e Serbisë, por që si kufi nistor e kanë vendimin e Gjykatës së Hagës për pavarësinë e Kosovës dhe rezolutën e Asamblesë së Përgjitshshme të OKB-së që e pasoi atë vendim. Vendimi i Gjykatës vetetiu përfshinë brenda vetes edhe rezolutën 1244, meqë ka konstatuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë në kundërshtim me atë rezolutë. Nëse temat shkojnë përtej vendimit të Gjykatës , kurrë nuk mund të krijohet një kornizë e pranueshme e tyre. Ndërsa, brenda kësaj kornize (pra vendimit të Gjykatës sipas të cilit pavarësia e Kosovës nuk është në kundërshtim me rezolutën 1244 dhe të drejtën ndërkombëtare), mund të bisedohet edhe për serbët e veriut edhe për çfarëdo teme tjetër. Kur kufijtë janë të garantuar, duke respektuar kornizën e krijuar nga vendimi i Gjykatës së Hagës, kjo nënkupton se involvimi i Serbisë nuk mund të jetë në çështje që janë të brendshme. Rrjedhimisht, problemet e serbëve të veriut do të adresoheshin ne një dialog të veçantë të tyre me qeverinë e Kosovës, me çka edhe qeveria e Serbisë do të mund t’i lante duart e të mos dukej e turpëruar në sytë e qytetarëve të vet.

Si ta ngrisim cilësinë në sportin tonë?

Prof.dr.Hazir Salihu

Profesionistët jashtë “loje”

Sporti kosovar, me keqardhje po udhëhiqet nga jo profesionistët. Si në aspektin profesional dhe ai menaxherial (teknik) nuk udhëhiqet nga profesionistët, mirëpo në rend të parë është aprofesionalizmi, e pastaj pjesa tjetër e atyre, që nuk kanë qenë asnjëherë pjesëmarrës në aktivitetet sportive.

Edhe pse ne themi se superliga apo liga elitare, ose kategoria superiore, mirëpo me keqardhje akoma vazhdon të jetë amatore, si në aspektin profesional të menaxhimit, dukurive negative, rezultateve të dobëta, mos pjesëmarrjen e profesionistëve, si dhe fenomeneve të tjera të cilat e parandalojnë që sporti kosovar të thirret si sporti profesionist dhe superior.

Këshilli profesional i klubeve menaxhohet nga jo profesionistët, ata duhet të kenë të mbaruar studimet për pedagog të Kulturës Fizike dhe Sportit. Gjithësesi në këtë sport profesionistët janë të anashkaluar edhe nga shtëpia e sportit, siç është rasti në shoqatën e trajnerëve, në atë të arbitrave (gjyqtarëve), si dhe në të gjitha komisionet udhëheqëse të federatave sportive. Mirëpo, është rasti edhe inkuadrimit të njerëzve degradues në këto institucione sportive, ndërsa janë anashkaluar profesionistët e që kanë bagazh e përvojë në aktivitetet sportive në tërësi. Për ta nxjerrë sportin nga kjo situatë në të cilën gjendet, duhet që urgjentisht organet kompetente të kërkojnë për angazhimin e profesionistëve, e ku është e lidhur ngushtë në ngritjen e cilësisë dhe punës profesionale të sportit në tërësi.

Ngecjet në sportin tonë

Ambientet e aktiviteteve sportive janë shumë më problematike se sa mund të paramendohet. Sepse ka ngecje të shumta si në klubet sportive, gjithashtu në shkollat e ndryshme si p.sh. futbollit, basketbollit, volejbollit e sfera të tjera. Problemi vjen për arsye se mungojnë profesionistët nëpër instancat më të larta të sportit. E që ndikojnë edhe në ngecjen, neglizhencën, anashkalimin e këtyre sporteve edhe nga ana e institucioneve të tjera.

Ngecjet e sporteve në fjalë vijnë si pasojë e degradimit të profesionistëve e që lidhet direkt me problemet e sporteve që përmendëm më lart. Mirëpo gjithësesi ngecja është si pasojë e mos sistemimit (rekrutimit) në federata sportive, në shoqata sportive, organizatat sportive, në klubet sportive, e seksionet sportive, si dhe në ekipet kombëtare të pedagogëve sportivë. Ngecja është edhe si rezultat i zhvillimit të politikave të sportit si tërësi, e të cilat janë mjaft të domosdoshme për çdo sport. Mos funksionimi i një ekipi kordinues për shkollat e ndryshme sportive, si dhe mos funksionimi i këshillit profesional për kategori të reja e shumë ngecje të tjera të cilat e preokupojnë sportin sepse ndërlidhen direkt me anashkalimin e punës profesionale të cilën mund ta bëjnë vetëm pedadogët e Edukimit Fizik dhe Sportit. Me një fjalë, ngecja e sportit ka ardhur për arsye mos afrimit të profesionistëve në federata, shoqata, ekipe, në vendet kryesore për avansimin e sportit, me të cilin do të krenohen i gjithë populli shqiptar në veçanti ai i Republikës së Kosovës.

Mosprania e profesionistëve

Mosprania e profesionistëve nëpër ekipe kombëtare është një nga problematikat kyçe. Mosprania nuk varet nga profesionistët, mirëpo ana e udhëheqësve të federatave sportive, të cilët nuk kanë hapësirë nga ana e federatave sportive. Profesionistët tash për tash janë në “aut”, ku mosprania e tyre ndikon në shumë aspekte, si në zhvillimin, masovizimin, ngritjet, stabilizimin, si dhe zbulimin e talentëve të rinjë. Profesionistët pasi që në shumë ekipe sportive mungojnë kjo ndikon edhe në shumë procese të tjera, siç janë në senzibilizimin e sportit, popullarizimin e mirëfillt, marrjen me aktivitete sportive të të rinjëve, në edukimin e të rinjëve në frymën sportive, në edukimin dhe riedukimin e spektatorëve për ballafaqimet sportive, në ngritjen e cilësisë së sportit në tërësi. Profesionistët janë jashtë “loje” për arsyje se në të shumtën e ekipeve, shkollave sportive, dominojnë metoda të vjetra si gjatë seancave stërvitore gjithashtu edhe gjatë ballafaqimeve në ndeshje (takime-gara). Profesionistëve nuk ju “jepet” hapësirë të tregojnë cilësitë e tyre si profesionale ashtu edhe shkencore, në veçanti kur kihet parasysh në përparimin e ekipeve të mësimit të elementeve (bazë) teknike si dhe pjesën taktike për të arritur në ngritjen e cilësisë të sportit tonë.

Rezultatet nën nivel (të dobëta)

Të gjitha ekipet që kanë pretendime që të jenë pjesë e garave të një lige, duhet të kenë rezultate të mira në fitimin e titullit si më të mirët, e në fitimin e kupës kombëtare (nacionale) dhe të asaj mbarëkombëtare. Mirëpo rezultatet në vendin tonë janë të dobëta në të dy konkurrencat, si te meshkujt po ashtu edhe te femrat, ku disa ekipe si gjatë këtij edicioni gjithashtu dhe gjatë edicioneve të tjera kanë shënuar humbje të “thella”.

Me këtë vlen të kuptohet se puna profesionale nëpër klube dhe shkolla të ndryshme sportive mungon në të gjitha (aspektet) nivelet. Këto raste që cekëm më lart, janë të shprehura në ligat superiore të sportit tonë e që janë si pasojë e mungesës nga ana e profesionistëve, sepse duhet të punohet me një punë më profesionale, e me qasje të reja dhe metoda të reja shkencore, sidomos gjatë seancave stërvitore, mirëpo ky problem në sportin tonë është evident edhe i paraqitur si fenomen shumë i rëndësishëm në ngritjen e kualitetit për përmirësimin e sportit në tërësi. Rezultati i dobët vjen si pasojë edhe në organzimin e dobët të ekipeve gjatë fazës së para-garave, gjatë garave e që vazhdon edhe në të gjitha fazat e tjera të organizimit të një edicioni garues.

Menaxhimi aprofesional

Menaxhimi i ndeshjeve apo edhe i klubeve nga ana e joprofesionistëve, sportin e ka sjellë në këtë gjendje në të cilën është për momentin. Menaxhimi i dobët është një ndër arsyet e shkaqet, pasojat, peripetit, në të cilat është duke kaluar sporti kosovar. Organogrami i organizimit të klubeve është shumë i dobët, si në aspektin profesional po ashtu edhe në atë të menaxhimit nga ana e klubeve sportive, në të cilat ndërlidhet edhe me sigurimin e mjeteve buxhetore (financiare) të klubeve. Menaxhimi i dobët vjen si pasojë e mos koordinimit të punëve teknike nga ana e organeve udhëheqëse të klubeve sportive dhe që ndikon drejtëpërdrejt edhe në ngritjen e kualitetit në klube sportive. Menaxhimi i dobët taktik vjen si pasojë e mos përvojës së “trajnerit” për të përballuar situata të ndryshme që paraqiten në sport, si dhe në mos seriozitetin e tij gjatë krizave në klub. Mund të themi se në sportin tonë kemi shumë probleme, siç është rasti i përzierjes së kryesisë së klubit në punën e “trajnerit” si para ndeshjeve, gjatë tyre edhe pas saj, e nuk i lejohet trajnerit të kryejë punën e tij.

Duhet të eliminohet ky problem për arsye se trajneri duhet të vendosë në mënyrë të pavarur, dhe në aspektin që ai e sheh, e jo të ketë ndikime nga jashtë në vendimet e tij gjatë ndeshjes. Gjithësesi menaxhimi jo i mirë vije në shprehje atëherë kur profesionistët janë jashtë klubeve e shkollave sportive e ku menaxherët e klubeve më lehtë “manipulojnë” nëpër klube. Me një fjalë, nëpër klube sportive duhet të emërohet trajner ai i cili ka të mbaruara studimet e Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit, pra, së pari duhet të jetë me titull Pedagog e pastaj mund të emërohet si trajner i ndonjë klubi sportiv, kuptohet aty ku ka prirje më shumë.

Parandalimi i dukurive negative

Dukuritë negative në sportin kosovar janë evidente. Parandalimi i tyre duhet të bëhet në mënyrë permanente. Një ndër problemet më të mëdha në sportin kosovar, është puna me grup-mosha të reja. Siç dihet në të gjitha qytetet e Republikës së Kosovës, funksionojnë disa shkolla-klube sportive. Mirëpo në ato shkolla punohet “shkel e shko” e që duhet të mendohet e të punohet në mënyrë më profesionale dhe pedagogjike për të arritur që t’i nxjerrim të paktën disa sportistë të nivelit ballkanik. Ta rikthejmë tifozërinë në fushat e sportit,e t’i edukojmë tifozët për anim korrekt dhe të drejtë që të paraqitemi në mënyrë edukative gjatë ndeshjeve, apo takimeve e garave të ndryshme sportive. Kurdisja e ndeshjeve është një problem tjetër (i veçantë) që e preokupon sportin tonë. Gjithashtu, dukuritë negative në sportin tonë janë evidente edhe me “falsifikim” të dokumentacionit te sportistët e rinjë, të cilët i detyrojnë vite me radhë të paraqiten si Juniorë/e apo edhe në grupmosha të tjera për të cilët mendohet se i bëjmë mirë, por në të kundërtën i dëmtojmë duke ia humbur (në zhargonin popullor) rrugën në “derë të oborrit”.

Në vend të përfundimit

Të gjitha problemet, shkaqet, pasojat, ngecjet, dukuritë negative, rezultatet e dobëta, menaxhimi jo i mirë si dhe mosprania e profesionistëve-ekspertëve në sportin kosovar, janë potencuar e janë elaboruar në këtë temë. Mirëpo, kjo përmbledhje në pika të shkurtëra nuk mjafton, por vetëm janë disa arsye si dhe mundësi që të metat t’i eliminojmë dhe së bashku mund të arrijmë që të ecim përpara me të gjitha sportet. Mendojmë se kemi numër të konsiderueshëm të profesionistëve të cilët qëndrojnë jashtë “loje”, e të cilët në të vërtet meritojnë të gjenden në kreun e çdo shkolle, klubi, apo skuadre sportive, për ta ngritur dhe avansuar sportin tonë në nivele më të larta.

Media e ‘kapur’ apo media e lirë?

Hasan Saliu

Sot në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, gazetarët po protestojnë në Kosovë. Kundërshtojnë dy nenet diskutueshme. Nuk pajtohen që të detyrohen ta zbulojnë burimin e informacionit, nuk pajtohen që shpifja të konsiderohet vepër penale.

Heqja e kategorisë së shpifjes dhe fyerjes nga Kodi Penal (të cilat mund ta çojnë gazetarin në burg deri në tre muaj), është kërkuar vazhdimisht nga Komisioni Evropian dhe kjo është thënë në Raportin e Progresit të vitit 2009, 10 dhe 2011. “Sipas standardeve evropiane, shpifja nuk është një vepër penale”, është thënë në të tre Raportet e fundit të Progresit. Është një kërkesë ndërkombëtare, është një kërkesë nga një organizëm ku Kosova kërkon të inkuadrohet. Dhe, deri më tani është dëshmuar se Kosova i merr mjaft seriozisht kërkesat ndërkombëtare, shpesh pa llogari të qarta pragmatiste.

Megjithatë, jo të gjitha problemet e sferës së sotme publike në Kosovë lidhen me kategorinë që po diskutohet. Pakënaqësitë e sotme të gazetarëve më shumë dalin si një përplasje ndërmjet aktorëve mediatikë dhe qeverisë, megjithëse edhe kjo përplasje ndërmjet të ashtuquajturës sferë publike dhe sferë private meriton diskutimin tonë.

Si pjesë e publikut apo si konsumator mediatik, më shumë do ta shtroja problemin e produktit mediatik. Pyetja që mund të shtrohet këtu është se a dëmtohet produkti mediatik vetëm nga prania apo mosprania e shpifjes në Kodin penal (e cila praktikisht zgjeron dhe mbron hapësirën private të individit), apo media ka një varg tjetër mekanizmash dhe faktorësh të cilët ndikojnë që mediat më shumë se transparencë dhe kritikë të realitetit, të prodhojë fshehjen dhe ruajtjen e status-quosë?;

- A kemi sot në televizionet tona kryesisht debate apo pseudodebate dhe ndoshta qëllimisht është ngushtuar hapësira për mendim të mirëfilltë, apo kemi debatet me opinionistë të quajtur analistë që katapultohen në politikë?;

- A kemi debatues që bëjnë kompromise dhe komprometime për të siguruar një ftesë në televizion, e në anën tjetër edhe gazetari realizon agjendën e mendimeve paraprakisht të gatuara;

- A pranojnë gazetat tona opinione vetëm nga një rreth i ngushtë që bashkëndajnë mendimet, apo gazetat janë të hapura për debat?;

- A kemi një numër gazetarësh të cilët sot fishkëllejnë, ndërsa një ditë më parë lansonin në facebook foto me njerëzit që sot u fishkëllejnë?;

- Sa kanë ndikuar menaxhuesit mediatikë në këtë konformizëm dhe komprometim për shkak të pasigurisë së krijuar te gazetarët duke pasur parasysh se në Kosovën e pazhvilluar ekonomikisht dhe me media jo fort të fuqishme, punëdhënësi - shtet vazhdon të mbetet punëdhënësi më i madh dhe i sigurt, ndërsa shumë gazetarë nëpër media ose s’kanë kontrata, ose rrogat i marrin me vonesa të mëdha?;

- A kemi këtu autocensurë të gazetarëve apo censura më e fuqishme vjen nga struktura e pronësisë e brendësuar në redaksi nga gazetarët?

Nga një hulumtim personal të kryer kohë më parë, vetëm dy gazeta kishin më pak reklamë publike- qeveritare sesa reklamë nga subjektet private. Te të gjitha të tjerat dominonte dukshëm reklama nga fondet publike.

Sot televizionet, duke mbetur gjeneraliste dhe mjaft të kufizuara në numër në Kosovë, bëjnë kompromise të tjera në dëm të cilësisë se produktit televiziv dhe në dobi të rritjes se shikueshmërisë. Drejtuesit e sotëm të televizionit nuk janë gjë tjetër përveçse peng të audimatit, ndërsa audimati nuk është tregues i cilësisë. E, televizionet fshehin duke treguar. Ato tregojnë diçka të parëndësishme me qëllim që të fshehin diçka të rëndësishme.

Një pyetje tjetër që shtrohet vetvetiu është se a vazhdon shumica e mediave në Kosovë të luajë rolin e pushtetit të katërt duke kontrolluar përditshëm demokracinë dhe mbrojë interesin publik, apo shumica e gazetave tona janë bërë buletine të pushtetit?

Këto shqetësime që paraqesin raportin ndërmjet medias dhe publikut si dhe shqetësimet e sotme të gazetarëve që kanë të bëjnë me marrëdhënien media-qeveri, vazhdojnë të prodhojnë një hapësirë mediatike tejet problematike, pasiguri për gazetarët dhe dozë të madhe te produktit uniform për publikun.

“I kam edhe dy fjalë”, antologji personale poetike e poetit Lulzim Tafa

Rrahman Paçarizi

Librin “I kam edhe dy fjalë” edhe pse me poezi të pabotuara deri më tash, e shoh si një antologji personale poetike të poetit Lulzim Tafa. Në këtë libër përmblidhen motivet, figurat dhe gjuha e akumuluar për pothuaj 20 vjet, që kur ai botoi librin e parë me poezi “Gjaku nuk bëhet ujë”.

Fryma rebele, ironia e hollë deri në sarkazëm, shpërthimet e natyrshme e jo të stisura, që i gjejmë të rralla në poezinë shqipe, janë tiparet që e përshkojnë poezinë e Lulzim Tafës, i cili arrin të venit kufijtë ndërmjet epikës dhe lirikës, që do të thotë se herë-herë shpërfaqë një epikë lirike dhe sidomos një lirikë epike, në atë që mund të quhet poezi dashurie.

Kështu, kthjelltësia e kapjes së motiveve dhe lidhja përmes simbolesh krejt unike, aftësia e vargënimit të tyre me një gjuhë të saktë, i bëjnë të veçanta poezitë e Lulzim Tafës. Ai arrin të kapë motive të ndryshme e krejt të veçanta. Motivet e mëdha epike i zbret për tokë dhe i ironizon aq hollë deri ën këputje: Nashtë/edhe n’e bëfshim shkrum e hi/gjatë njerëzit/do të bëjnë be/në ato tri ditë Shqipni.

Ose vjeshta për kryetrimin e dëshpëruar nga historia që s’do ta kapë lahuta as çiftelia, pastaj poezia Motivi që e zbret Azem Bejtën në nivelin njerëzor, madje frojdian. E kësaj shtrese intertekstuale është edhe poezia “Dëshpërim”, ndërkohë që poezia “Qeni i Ministrit” kalon kufijtë e ironisë dhe niset serbez ka sarkazmi.

Por, përveç se ironik, Lulzim Tafa, di të përcjellë dhimbjen e mllefin me Namën “Qenët e hangshin/këtë atdhe/që për se gjalli/na futi në dhe”.

Lulzim Tafa di të jetë edhe tepër i ndjeshëm në poezitë e tij, di të tregojë se sa i dhemb shpirti, di ta shfaqë dhembjen kolektive përmes dhembjes personale, duke marrë mbi vete krejt barrën e dhimbjes, duke sakrifikuar frymën e tij njerëzore në këmbim të shprehjes poetike.

Figurat e kundërshtisë, i ndërton kujdesshëm edhe pse në dukje të parë dalin të vrazhda si oksimoroni vetë, si në poezinë “Qyteti i lashtë”, kur thotë “Puhi e lehtë e akullt frynë”, apo të poezia “Natë e lehtë me shi”, kur thotë “natë e lehtë me shi mos i zhduk gjurmët e mia në qytetin me erë gjaku”. Kështu Lulzim Tafa arrin të ilustrojë me shembuj konkretë faktin që poezia është mimesis dhe këtë e bën duke e përshkruar një faktion, të tillë çfarë është, me një fiksion, çfarë poezia e kërkon.

Poeti Lulzim Tafa gjithashtu arrin të ruajë ritmin, si tipar të poezisë dhe shumë herë të rimojë natyrshëm, sa për të dëshmuar se bëhet fjalë për poezi e jo për fjalë të renditura, ai thjeshtë arrin të menaxhojë në harmoni edhe me motivet, edhe rimën edhe ritmin, madhe shpesh edhe asonancën e aliteracionit që e bëjnë poezinë të ritmojë.

Njqë kapitull nëse mund të themi kështu, i veçantë është ai me motive dashurie. I veçantë them, pasi dashuria aty është epike, kaçakçe, një dashuri që shfrynë në një amientë herë bukolik e herë urban, po që nuk ka frikë të shprehet pavarësisht se emrat e personazheve janë epikë dhe Ajkuna ka tipare konfuze që veç heroi di t’i dallojë, formësojë dhe adhurojë. Heronjtë dinë të jenë të ndjeshëm aq sa shpërthyes dhe të vuajnë si të poezia mosmirënjohje: Ani/Ajkunë/veç kishin me të pre/mos t’kish qenë komita”.

Mllefshëm, portretizohet Ajkuna groteske në poezinë “Përmbysja”, ku ajo reklamon kondomë e thyen pasworda.

Gjithsesi, dua të vë theksin të një raport tjetër që funksionin shkëlqyeshëm në këtë libër - Motivet janë të ndryshme dhe notojnë përgjatë njëzet vjetësh, por gjuha ruhet, ashtu si edhe stili.

Në këtë përmbledhje gjen poezi - fabula dhe motive epike, ndonjëherë lirizëm të hollë e ndonjëherë gati epik, e herë të tjera ironi aq të hollë sa që se holli këputët në kufij e sarkazmit. “I kam edhe dy fjalë” thotë gjithçka që ka mbetë pa thënë.

Sepse, gjithmonë mbetën edhe dy fjalë pa thënë, edhe dy fjalë me i thanë. Lulzim Tafa është kujdesur që këto dy fjalë t’i thotë, duke i përmbledhur në një qark kohor prej 20 vjetësh, pa e prishë gjuhën poetike. Së këndejmi, dua të them se Lulzim Tafa, i ka thënë dy fjalë që i ka pasur në mënyrën më të mirë të mundshme, duke i ruajtur krejt fjalët që i kanë mbetë pa thënë gjatë 20 vjetësh të krijimtarisë së tij artistike, duke e bërë kështu një antologji personale, duke e nxjerrë jashtë një pjesë të shpirtit rebel me epikë e lirikë të pazakontë dhe e gjthë kjo për të dëshmuar një kondicion të ruajtur shkëlqyeshëm që manifestohet përmes një koherence të poezive të këtij libri (por edhe të librave të tjerë) pavarësisht nga data se kur janë shkruar dhe pavarësisht nga rrethanat.

Ky kondicion dhe kjo koherencë e bëjnë, Lulzim Tafën, krejt të veçantë nga poetët tjerë të brezit të viteve të ’90, të cilët ose e kanë lënë fare poezinë, ose gazetaria e politika ua ka mbytë gjuhën poetike.

Romët

Lulëzim Tafa

Thuhet se me prejardhje janë nga India, nga i cili vend kishin nisur të lëvizin apo të dynden diku rreth shekullit të X-të, ndërsa këto lëvizje ishin shtuar më shumë në Evropë dhe në Ballkan rreth shekujve XIII-XIV-të. Duket se qysh atëherë nuk u priten mirë nga vendësit. Paragjykimet ndaj tyre , për fat të keq, ku më shumë e ku më pak janë të pranishme ende...

Sot jetojnë të shkapërderdhur, kryesisht në Evropë, ndoshta, thënë figurativisht, edhe sa për të ngelur njollë në ndërgjegjejen e evropianëve të bardhë.

Jetojnë si munden, apo thënë ndryshe, në të shumtën e rasteve e bëjnë jetën sot për nesër. Me gjasë kjo është edhe motoja e tyre e jetesës, apo motoja që u kanë veshur të tjerët. Krijohet përshtypja se kudo jetojnë njësoj. Kualiteti i jetës së tyre fare pak ndryshon prej një vendi në vendin tjetër, kudo në Evropë, në rajonin tonë, por edhe në Kosovë.

Janë alarmante statistikat e publikuara kohët e fundit në Kosovë, mbi shkallën e papunësisë të Komunitetit RAE, ku këtu bëjnë pjesë romët, që mbi 90% të komunitetit janë të papunë e deri te tendencat gati raciste të pishinave, që gjatë verës t’i dëbojnë pjesëtarët e këtyre komuniteteve nga pishinat, apo të mos u lejojnë fare hyrjen e tyre në pishinat publike, pa ia vënë mendjen askush barazisë që parasheh Kushtetuta jonë dhe ndëshkueshmërinë që ka Kodi Penal për diskriminim. Është tmerr kur dëgjojmë se madje ka edhe raste kur edhe besimtarëve në Xhamitë tona u pengon prezenca e besimtarëve RAE. Pashmangshëm lind pyetja, çfarë besimtari është ai të cilit i pengon prezenca e një bashkëbesimtari tjetër në një faltore. Por, hiç më e mirë nuk është gjendja as me vendet e rajonit e fatkeqësisht as e Evropës.

Këto ditë doli një raport skandaloz ndërkombëtar për pozitën e romëve në Serbinë fqinje, ku thuhet se jetojnë rreth gjysmë milioni romë Fundja, Serbisë edhe i “shkon” një abuzim i tillë, sepse si popull “qiellor” që janë, edhe u takon të mos kenë respekt për popullin që jeton në tokë, sepse ata kurrë nuk patën respekt as për të tjerët, duke pasur parasysh sjelljet dhe masakrat e tyre në Bosnjë, Kosovë e Kroaci.

Një gjë e tillë nuk bën të na ndodhë neve si Kosovë dhe si popullatë shumicë, meqë për shekuj kemi jetuar me abuzimin dhe me përbuzjen e pushtuesve ndaj nesh, dhe e dimë më së miri ç’do të thotë të jesh qytetar i rendit të dytë në shoqëri. Kjo është e trishtueshme, këtë nuk duhet ta lejojmë ne, nuk duhet ta lejojnë institucionet tona.

Unë kurrë nuk mund ta kuptoj dikë, që merr për krahu një fëmijë të komunitetit RAE dhe e dëbon nga pishina. Cila është arsyeja? Se është RAE?!

Kjo është pashpirtësi, është e vrazhdë, është mëkat, por fundi i fundit është edhe e paligjshme, dhe e padrejtë edhe ndaj Zotit.

Ma merr mendja se ne si vend dhe si popull, që me dekada jemi trajtuar si pakicë në vendin tonë, duke qenë të abuzuar dhe të privuar madje edhe nga të drejtat elementare, deri edhe me tendencën e shfarosjes kolektive nga regjimet që na sunduan ne dhe vendin tonë, do të të duhej që të jemi më së shumti të vëmendshme në respektimin e këtij komuniteti që jeton në vendin tonë, duke e ofruar kështu shembullin e mirë se si një popull i shtypur e i diskriminuar dikur, tani ndërton modelin e respektimit të të drejtave të pakicave, e në këtë rast të romëve.

Kush më mirë sesa ne shqiptarët e Kosovës e di domethënien e shkeljes së të drejtave dhe lirive, abuzimin dhe diskriminimin?! Andaj, ne jo vetëm që nuk duhet të imitojmë apo kopjojmë agresorët tanë, por duhet që minoritarëve tanë dhe botës t’i përçojmë mesazhe se ne nuk jemi si ata që na shtypën e diskriminuan, dhe se ata nuk janë modeli ynë.

Po i kujt është faji? Nuk përjashtohet asnjëherë mundësia që fajtor të jenë edhe përfaqësuesit e këtyre minoriteteve, sidomos të deputetëve të tyre, të cilët pothuajse asnjëherë nuk i kanë ngritur në Kuvendin e Kosovës çështje të cilat kanë të bëjnë me cilësinë e jetës së qytetarëve që ata i përfaqësojnë. Pra, ata duhet të preokupohen më shumë për komunitetet e tyre, kurse kolegët e tyre të shumicës duhet t’u ndihmojnë dhe t’i përkrahin në adresimet e problemeve që kanë ata, dhe jo vetëm t’i përdorin deputetët e pakicave si numra për kusuritje. Është për keqardhje deklarata e njërit prej liderëve të një partie të komuniteteve RAE në një intervistë, se në zgjedhje nuk kishte votuar për partinë e vet dhe për vete, por për një parti tjetër të komunitetit shumicë. Pa marrë parasysh është apo nuk është e vërtetë deklarata e tij, ajo është skandaloze.

Të themi se romët janë njerëz të mirë, kjo është e pakontestueshme dhe do të mund të tingëllojë paksa patetike, sepse ata janë të mirë siç janë të mirë edhe krejt popujt e botës, por, si studiues i së drejtës penale që shpeshherë gjatë hulumtimeve të mia më ka rënë të ekzaminoj shumë lëndë në çështjet penale nga regjistrat e gjykatave në Kosovë, kam vënë re se romët, me gjithë shkallën e lartë të papunësisë së tyre, me gjithë shkallën e ulët të arsimimit, me gjithë shkallën e lartë të varfërisë (tregues këta që janë faktorët kryesorë kriminogjen) ata, pra romët, nuk paraqiten si kryerës të shumtë të veprave penale, madje përqindja e pjesëmarrjes së tyre në numrin e tërësishëm të veprave penale është edhe më e ulët sesa përqindja e strukturës së popullsisë në vendin tonë.

Pra, ata janë qytetarët që më së shumti i binden ligjit. Nuk ka asnjë të dhënë të vërtetuar, që e dëshmon të kundërtën. Mund të merrni me mend se si do të ishte gjendja me kriminalitetin sikur popuj të tjerë të kishin këtë gjendje sociale. Çfarë do të ndodhte?! Pra, këta janë njerëz që duhet ta kenë përkrahjen tonë, të shumicës, që të kujdesemi për pozitën e tyre, për arsimimin e tyre, thjesht për respektimin e tyre, ashtu siç thotë Zoti e ligji, sepse janë njerëz që jetojnë mes njerëzish, asgjë, as më shumë e as më pak.

Madje, janë shumë sentimentalë dhe gazmorë, janë të admiruar si i bëjnë dasmat dhe ahengjet, si vallëzojnë e këndojnë, madje prej tyre edhe mund të mësohet se si njeriu duhet të gjejë kurajën për jetë, si dinë t’i injorojnë gjërat e këqija në jetë dhe t’i marrin asaj vetëm gjërat e bukura.

Fundja, Romët janë një yrnek i mirë i kapërcimit të dhembjes me Gjymysh.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...