Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/04/06

Media e ‘kapur’ apo media e lirë?

Hasan Saliu

Sot në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, gazetarët po protestojnë në Kosovë. Kundërshtojnë dy nenet diskutueshme. Nuk pajtohen që të detyrohen ta zbulojnë burimin e informacionit, nuk pajtohen që shpifja të konsiderohet vepër penale.

Heqja e kategorisë së shpifjes dhe fyerjes nga Kodi Penal (të cilat mund ta çojnë gazetarin në burg deri në tre muaj), është kërkuar vazhdimisht nga Komisioni Evropian dhe kjo është thënë në Raportin e Progresit të vitit 2009, 10 dhe 2011. “Sipas standardeve evropiane, shpifja nuk është një vepër penale”, është thënë në të tre Raportet e fundit të Progresit. Është një kërkesë ndërkombëtare, është një kërkesë nga një organizëm ku Kosova kërkon të inkuadrohet. Dhe, deri më tani është dëshmuar se Kosova i merr mjaft seriozisht kërkesat ndërkombëtare, shpesh pa llogari të qarta pragmatiste.

Megjithatë, jo të gjitha problemet e sferës së sotme publike në Kosovë lidhen me kategorinë që po diskutohet. Pakënaqësitë e sotme të gazetarëve më shumë dalin si një përplasje ndërmjet aktorëve mediatikë dhe qeverisë, megjithëse edhe kjo përplasje ndërmjet të ashtuquajturës sferë publike dhe sferë private meriton diskutimin tonë.

Si pjesë e publikut apo si konsumator mediatik, më shumë do ta shtroja problemin e produktit mediatik. Pyetja që mund të shtrohet këtu është se a dëmtohet produkti mediatik vetëm nga prania apo mosprania e shpifjes në Kodin penal (e cila praktikisht zgjeron dhe mbron hapësirën private të individit), apo media ka një varg tjetër mekanizmash dhe faktorësh të cilët ndikojnë që mediat më shumë se transparencë dhe kritikë të realitetit, të prodhojë fshehjen dhe ruajtjen e status-quosë?;

- A kemi sot në televizionet tona kryesisht debate apo pseudodebate dhe ndoshta qëllimisht është ngushtuar hapësira për mendim të mirëfilltë, apo kemi debatet me opinionistë të quajtur analistë që katapultohen në politikë?;

- A kemi debatues që bëjnë kompromise dhe komprometime për të siguruar një ftesë në televizion, e në anën tjetër edhe gazetari realizon agjendën e mendimeve paraprakisht të gatuara;

- A pranojnë gazetat tona opinione vetëm nga një rreth i ngushtë që bashkëndajnë mendimet, apo gazetat janë të hapura për debat?;

- A kemi një numër gazetarësh të cilët sot fishkëllejnë, ndërsa një ditë më parë lansonin në facebook foto me njerëzit që sot u fishkëllejnë?;

- Sa kanë ndikuar menaxhuesit mediatikë në këtë konformizëm dhe komprometim për shkak të pasigurisë së krijuar te gazetarët duke pasur parasysh se në Kosovën e pazhvilluar ekonomikisht dhe me media jo fort të fuqishme, punëdhënësi - shtet vazhdon të mbetet punëdhënësi më i madh dhe i sigurt, ndërsa shumë gazetarë nëpër media ose s’kanë kontrata, ose rrogat i marrin me vonesa të mëdha?;

- A kemi këtu autocensurë të gazetarëve apo censura më e fuqishme vjen nga struktura e pronësisë e brendësuar në redaksi nga gazetarët?

Nga një hulumtim personal të kryer kohë më parë, vetëm dy gazeta kishin më pak reklamë publike- qeveritare sesa reklamë nga subjektet private. Te të gjitha të tjerat dominonte dukshëm reklama nga fondet publike.

Sot televizionet, duke mbetur gjeneraliste dhe mjaft të kufizuara në numër në Kosovë, bëjnë kompromise të tjera në dëm të cilësisë se produktit televiziv dhe në dobi të rritjes se shikueshmërisë. Drejtuesit e sotëm të televizionit nuk janë gjë tjetër përveçse peng të audimatit, ndërsa audimati nuk është tregues i cilësisë. E, televizionet fshehin duke treguar. Ato tregojnë diçka të parëndësishme me qëllim që të fshehin diçka të rëndësishme.

Një pyetje tjetër që shtrohet vetvetiu është se a vazhdon shumica e mediave në Kosovë të luajë rolin e pushtetit të katërt duke kontrolluar përditshëm demokracinë dhe mbrojë interesin publik, apo shumica e gazetave tona janë bërë buletine të pushtetit?

Këto shqetësime që paraqesin raportin ndërmjet medias dhe publikut si dhe shqetësimet e sotme të gazetarëve që kanë të bëjnë me marrëdhënien media-qeveri, vazhdojnë të prodhojnë një hapësirë mediatike tejet problematike, pasiguri për gazetarët dhe dozë të madhe te produktit uniform për publikun.

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...