2013-04-03

PËR NDERIN TIM DHE PËR LAVDINË E DAJËS GEZDAR


RIZA LAHI NGA “DINOSAURET E FUNDIT” VLL2

PËR NDERIN TIM DHE PËR LAVDINË E DAJËS GEZDAR

Në të gjitha mediat e vëndit flitej se atë ditë do të fillonte të ndërtohej vazhdimësia kosovare e rrugës më moderne të Shqipërisë, asaj Tiranë – Morinë.
Kryeministri shqiptar Sali Berisha kishte në axhendën e tij pjesëmarrjen në përurimin e kësaj vepre që do të niste në territorin kosovar , natyrisht, me menaxhimin atje të qeverisë së burrit të ri të dalë nga lufta, kryeministrit Ashim Thaçit.
Berisha, megjithëse tanimë qënga Tirana nuk duheshin më shumë se dy orë që vetura e tij qeveritare të shkonte në Morinë, kish vendosur të shkonte me një helikopter.
Kësaj radhe – me një prodhim gjerman dy motorrësh, BO -105; me një helikopter të ushtrisë.
Si u përshëndet me përzemërsi me të dy pilotët – Berisha gjithmonë i ka respektuar, përgëzuar dhe është krenuar me pilotët e vëndit të tij, sa herë që i ka takuar apo fluturuar me ata - zuri vënd në sediljen e kabinës së vogël, si një kokërr arrë e madhe, dhe të rehatëshme. Pranë sediljes së tij – vetëm njëri nga shoqëruesit.
BO -105 gjerman, me të dy motorrët, mori fuqinë e ngritjes për në Morinë me shpejtësinë 220 – 250 km orë. Ekipazhi I përbërë nga eprori i lartë i Bazës së Farkës Sokol Çunaj dhe piloti shoqërues Ilir Stafa, vazhduan mënyrën e tyre të preferuar të udhëtimeve ajrore – jo duke fluturuar majëmaleve por luginave. Lartësia e fluturimit nuk i kaloi të 1500 metrot derisa u ulën.
Berisha nuk harroi t’u buzëqeshte me tër fizioniminë e fytyrës së tij të madhe të dy burrave të ajrit, ndërsa hyri në veturën që e priste për të bërë edhe tre km të tjera rrugë deri ku priste kryeministri luftëtar Thaçi.
Ishte ora 14.45.Në orën 16.30 Berisha tok me shoqëruesin e tij shtatlartë zuri vënd sërish te BO gjermane dhe Sokol Çunaj bëri me kujdes veprimet e lëshimit të motorrëve.
“ Nuk kisha asnjë emocion frenues.Unë kam transportuar me helikopter disa herë VIPë. Gjithmonë e mbledh mëndjen mirë dhe shikoj të kryej punën time…le të jetë kushdo” – thotë 52 vjeçari Çunaj me sytë dashamirës dhe që me zi presin që të gëzohen kur i bën mirë dikujt.
Helikopteri kishte marrë lartësinë e duhur dhe, nuk kishin kaluar as 7 – 8 km nga Kukësi, sa duke iu afruar “Qafës së Malit”, mu mbi Lajthizë, një llampë treguese e punës së motorrit të majtë, dha shënja të kuqe alarmi. Këta shënja u trensmetuan me tinguj ngjethës në kabinën ku po rrinte I menduar kryeminsitri duke parë nga dritarja. Alarm…
“ Me instruksionin teknik të këtij helikopteri, ndezja e llampës, don të thotë interferimine grimcash të rrezikëshme metalike në motorr. Veprimet? Duhet fikur menjëherë motorri në fjalë dhe, po ashtu, saktëson instruksioni, duhet ulur sa më parë. Mirëpo ulja nuk bëhet më në formën e varjes përmbi tokë, siç bëjnë rëndom ngado helikopterët, por me të rrëshqitur me kënd, sikurse ulen aeroplanët. Pra, don një lëndinë, kurse, poshtë dhe anash makinës fluturuese, kishte vetëm kurora kodrash dhe krepa malesh. Fushë, kurrkund. Fushëulja më e afërt, ishte aerodromi Gjadrit, 12 – 13 minuta larg nga çasti urgjent i ndaljes së motorrit.”
Komandanti i ekipazhit, duke u përpjekur të ruante qetësinë, u ngrit nga vëndi në këmbë dhe i tregoi njeriut të fuqishëm të vëndit të tij se e vetmja rrugë pas atyre sinjaleve, ishte fikja e motorrit…
“Ti, Sokol, ishe i trëmbur? “
“Është një ushtrim stërvitjeje i fluturimit me një motor, kur tjetri del jashtë funksionit. Unë e kisha praktikuar atë disa herë këtë ngjarje. Në një rast edhe me Gjeneralin e Forcave Ajrore, Dhori Spirollarin”
“ E kapi paniku Berishën? U trëmb ai? Si e priti këtë të papritur nëpër majat përposhtë helikopterit në avari ? Kur i the se do të fikje motorrin? Se e vetmja mundësi uljeje avari ishte rreth 15 minuta larg, në Gjadër?”
“ Nuk e dha veten. Krejt i qetë. “
“ Po shoqëruesi i Berishës, u trëmb?”
“Atë nuk e vura re. U hodha menjëherë i përqëndruar krejt në vazhdimin e pilotimit të helikopterit.”
Pesë minuta pas uljes në aerodromin e boshatisur të Gjadrit, duke rrëshqitur 50 – 6o metro sikur ulet aeroplani, erdhën makinat e shpurës kryeministrore.
“Si u nda Berisha me ju?”
“ Duke na shtërnguar duart fort me fjalët “Ju falemnderit! Ju lumshin duart!Bravo ju qoftë!”

Ja, kjo ngjarje e rrallë e fikjes së motorrit në ajër të makinës ajrore kryeministrit të vëndit, ka ndodhur në ekipazhin e drejtuar nga i ftuar në librin tonë.

MES DY PILOTËVE, NJË GRUA …VËLLAI DHE I BIRI

…Në vitin 2011 personazhet e një libri tim, organizuan promovimin e tij në një lokal buzë liqenit të Shkodrës. Ishte si një dasëm, që nga hareja e deri te shpenzimet. Kur më thanë të flisja, iu drejtova kështu rreth 100 të pranishëmve: “Secili nga ju, është dhjetë herë më i mirë nga unë, por unë dua të përshëndes me emër, vetëm njërin prej jush.”
Lavdia e sporteve shkodrane shihte nga njëritjetri. Të tjetrërt vshtronin, kush nga Zhega, nga Xan Rragami, Faruk Kalleshi, Sait Fishta, Iliaz Guri, Mirash Vuksani…
Që të gjithë – me sytë te buzët e mia. Heshtje e plotë. Unë vazhdova:
“ Dua të përshëndes nga ju të gjithë këtë emër - nënën time. Ja ku e kemi. Është 85 vjeçe; del dhe blenë vetë gazetën kur shkruaj unë; e lexon atë pa gjyslykë”.
Pas duartrokitjeve, një gazetar iu afrua dhe unë munda të dëgjoj pyetjen e tij dhe përgjigjen e nënës.
“…A ke patur ndonjë ditë më të gëzuar në jetën tënde se sa kjo ditë sot, me tër këta ndere që po t’i bëhen djalit?”
“ Po , ka qënë një ditë tjetër.”
Unë shqeva sytë por e përmbajta veten të mos më pikasnin ata të dy.
Ngado zhurmë dhe gjurulldi.
“Cila ditë?”
“Ajo ditë, kur Rizi ( kështu më thërresin në Shkodër), më tha në telefon se i kishte lënë fluturimet. Se nuk do të fluturonte më”.
Të këtilla strese kanë patur shumë nëna, gra dhe motra pilotësh.
Por nëna e Sokol Çunajt i ka patur dy fish. Ajo kishte të vëllain pilot por, paçka nga kundërshtimi i saj me shpirt, ja, qe bërë edhe i biri si ai.
…” Marova gjimnazin e Gjirkastrës “ Asim Zeneli” me nota shumë të mira, por, pikën e dëshirës nuk e kisha që të bëhesha oficer. A, pilot si daja, ku e merr? Kur vinte daja Gezdar në shtëpi, mua më dukej sikur vinte qënga qielli vetë perëndia në shtëpinë tonë. Ai më merrte hopa dhe më hidhte përpjetë deri te llmpa e më priste prap. Ëndërr e kisha të bëhesha sa një gisht i dajës sim; ah, të fluturoja një herë si ai…I thashë dajës se doja të bëhesha pilot, siç ishte ai. Mirëpo shokëve të mi u kishte dalë universiteti, kurse unë do të vazhdoja testet shëndetësore. Nëse ato nuk delnin mirë, më priste vetëm shkolla e oficerëve. Ani, thoja me vete. Do të rrezikoj gjithëçka. Daja më mori për dore dhe me takoi me Komandantin e Aviacionit në atë kohë, Bardhyl Taçin. Deri sa të vdes nuk e harroj bisedën e shkrutër që bëmë me të.
Ai: “Hë, mor ti, nipi i Gezdarit, a ke byth të bëhesh pilot?”
Unë: “ Po , kam!”
“Nisu që nesër!”, tha, dhe, që të dy, me dajën, më vunë duart në qafë…”
Nëna e Skokolit dhe motra e heroit Gezdar tani del dhe gëzohet shumë duke parë nga dritarja apo përpara shtëpisë, kur një helikopter kalon ultë. Ajo e di se është njeriu më i dashur për të në botë,.
Nënë Dijenia tani është e thyer ca në moshë. Ajo ka kohë që nuk ka dëgjuar për aksidente ajrore të dhimbëshme pafund. Vite më parë…oh, një jetë të tërë…kur jepte radioja apo televizioni lajmin ogurzi, ajo … “nënat mos qofshin!”, thotë ime më…e mjera rrinte me zemër të ngrirë për të dëgjuar emrin e pilotit që kishte rënë. Nëna ime!…Mos…mos shpirti i motrës?...Mos Gezdari?... Nëna ime!!! ..Sikur të kish qënë fetare, ajo do të bënte kryq papushim apo, papushim, do t’i ishte lutur Allahut…Më së fundi nga buzët e folësit dilte një emër. Apo dy emra. Ajo psherëtinte veç paksa dhe niste e qante sërish. Kushedi se sa janë duke qarë motrat e tyre tani! Po daja i fëmijëve të saj, çfar ishte duke bërë sot, që iu vra shoku? Që iu vranë shokët?
Mirëpo…Ja, tani, Sokoli i saj kishte marrë qiejt si Gezdari i motrës…
“Kur fluturoja me reaktiv përmbi Gjirokastër, babai, të gjithë njerzit e shtëpisë, dilnin përjashta dhe kenaqeshin. Vetëm nëna ime e mbyllte dritaren dhe, asnjëherë nuk më ka thënë se çfar mendonte atyre çasteve”.
Kjo nënë dhe motër, kur biri i saj kalonte me reaktiv përmbi të, u ngjante njerëzve që u mbyllin sytë me shami para togës së pushkatimit…
Në qiell ka yje pafund. Por ata nuk i dallon askush sapo del ylli Dell. Kur ky yll nuk duket më, nis të dallohet shkëlqimi i yllnajës tjetër.
Vallë, si ka ndikuar shkëlqimi i një ylli të aviacionit shqiptar, siç ka qënë Gezdar Veipi, te nipi i tij që vazhdon të fluturojë? Ja se ç’thotë ai:
” Lavdia e dajës sim ka ndikuar tek unë që të mos zvarritem, të ngulmoja vetëm për rezultate të shkëlqyera. Kisha dy detyrime përthithse: Nderin tm dhe emrin e dajës tim të mbular me lavdi”

208 SMS DHE 604 MISS CALLS

Pas një SOS të frikshëm nga Italia se, një helikopter i huaj kishte rënë e bërë copë në Alpet Shqiptare, ishte radha e të zotëve të shtëpisë të reagonin. Qe dimër i vitit 2009.
Shqipëria duhej të ngrinte një helikopter për të gjetur ç’të gjente nga pasojat e katastrofës dhe ajo ngriti dy për atë detyrë. Italianët nuk kishin dyshim se makinën ajrore me pasagjerë e kishin ngrënë alpet shqiptare.
Katër burra - Sokol Çunaj me Robert Abazin dhe Agim Nerguti me Ilir Stafa, në orën tre pasdreke morën kursnin drejt Alpeve me borë dhe me erëra të pakontrolluara; si dhe drejt muzgut që po afronte. Edhe me një barrë humanitare dhe shtetërore të veçantë.Po shkonin atje, ku kushtet natyrore kishin përmbytur disa kolegë të tyre me pasagjerë.
Burrat vazhduan përpara me guxim. Helikopteri gjerman BO 105, fluturonte me 240 km në orë.
Me sytë katër tanimë po fluturonin sa më ulët përqark shpateve të Jezercës. Asnjë shënjë. Dale të shikojmë edhe një herë. Urdhëri ishte dhënë i prerë. Viktimat ndodheshin atje. Ata assesi nuk duhej t’i mbulonte dëbora; nuk do të kishte turp më të madh për katër burrat. Silleshin papushim, me sytë katër, ngado, me tërësirën që kreh flokët një krëhër, kur…Papritur …nuk ktheheshin dot. Mjergull… mjergullnajë… Ajo kishte arritur tinëzisht dhe masive si një falangë lufte.
Nata ishte duke u shtruar pajdash.
Vendosën të uleshin në Theth. Në një lëndinë atje.
Sapo u ulën, kur, sikur ta kishte lindur bora, si një dhuratë e saj apo e natës mbi male, ndjenë prezencën e një malësor.
“ A jeni, si jeni, burra!!!”
Ai burrë malesh shqiptare, pjesë e atij anonimiteti që quhet popull, me tër mirësinë e shpirtit, i ftoi të nderonin konakun e tij, sëpaku me një kafe.
Agim Nerguti tentoi të lidhej me celular. Asnjë përgjigje. Provuan edhe tre të tjerët. E njëjta gjë. Ishte një zonë që nuk kapnin valët e celularit.
Burri i malësisë po qëndronte në këmbë. Dhe u priu përpara.
Aviatorët “farkanë”, megjithëse kish nisur t’i grinte uria nga lodhja e sidomos nga emocionet, refuzuan prerë të hanin një çapë bukë. Refuzoi i pari Sokoli; të tjerët pas tij. Sigurisht nga një kafe, oh, po. Jojo, as raki. Pilotët nuk pijnë raki, bacë. Sidomos kur ka fluturim.
Kaloi pak kohë dhe nata sundonte ngado.
Pa dale…daleee…..shikoshiko,qënka ca hapur ëpër luginë… popo …. Bacë…t’u rrittë nderja!…Po ikim…jojo…nuk mund të flemë….Do të vijmë të të shikojmë në verë…ahahahaha…popo, do të të marrim në helikopter…për fjalë të nderit…jojo, falemnderit, bacë…nuk mund ta marrim, ne nuk e pijme rakinë, as në Tiranë….O burra!
Që të katërt i bënë me dorë si me komands bacës që i kishte përcjellë me fjalët “rrugë mbarë, o shqypet e maleve” dhe, brënda disa minutash, helikopterët morën kursin e jugut, nëpër shtegun që ua kishte hapur bujaria e natës vermoshiane…
“ Ishte ora 17 kur u ngritëm dhe u ulëm në Farkë në orën 18…”
Atje ishte hapur lajmi se ishin vrarë edhe edhe ata. Kjo sepse qenë vonuar shumë dhe se nuk përgjigjeshim asnjëri në celular.. Ç’kishte Frederik Beltoja zakonisht flegmatik dhe i përmbajtur, që po i përqafonte ashtu?”
Komandanti i Farkës Beltoja kishte qarë papushim dhe me të madhe për shokët që i dinin se kishin pësuar fatin e viktimës që kishte dhënë SOS te italianët.
“Unë kisha në celular 208 sms dhe 604 “miss call”…Kushedi se sa kishin shokët e mi” .

NGA MIG 19 DREJT MI 4

Çunaj ka përfunduar shkollën e aviaciont, Vlorë, në kohën e kufizimeve të orëve të fluturimit, deri sa më pas, kjo gjë do të shkonte drejt kufijve dramatikë; ka shërbyer në Kuçovë dhe Rinas qënga viti 1984 der më 2001, kur ka kaluar në Farkë.
Ai e ka përjetuar shumë dashurinë e tij të parë, aeroplanin reaktiv. Pjesë e kujtimeve të asaj kohe janë, jo vetëm detyrat luftarake, përgatitjet e forta për të përballuar orët e kufizuara të fluturimeve dhe përgëzmet e bukura të njëritjerit kur ktheheshin me autobus, por ai ka patur rast të mbante në shpinë arkivolin e pilotit Haki Skuqi nga Kavaja, ka përjetuar humbjen e Fluturim Mollës dhe ka ndjekur me sy rënien në det të mikut të tij shkodran Idriz Hoxha.
Farka që dikur gëlonte nga djalëria, në vitin 2001 ishte katandisur në dhjetë a njëmbëdhjetë burra, që shtërngonin në shpirt nderin e përjetshëm “Pilot i Frocave Ajrore Shqiptare”
Në vitin 1997 qenë larguar drejt Italisë me mjetet shtetërore të fluturimit disa oficerë. Ikja e tyre ishte pjesë e dalldisë kombëtare që pësuan shqiptarët në marsin e ’97 ës. Largimi i tyre ishte fillpas një tjetër veprimi që kishte të bënte me nderin e oficerit dhe që ishte ikja e një gjuajtësi dyvendësh nga Rinasi, po ashtu, drejt Italisë.
Të dy pilotët, heroi ynë i ka patur shokë të gjeneratës së tij dhe këmbëngul se ata që të dy, A.Elezi dhe A.Dajçi nuk e kishin planizuar që në tokë arratisjen spektakolare dhe, gjithsesi, shumë tronditëse për nderin dhe dinjitetin e një oficeri. Njëri nga ata, jam i bindur që nuk ka dashur dhe kjo e ka zgjatur aq atë fluturim që na ngjethi mishtë të gjithëve ”.
Në kohën e kësaj dalldie kombëtare të dhimbëshme deri nëpër thellësirat e shpirtit, është futur në lojë edhe aviacioni luftarak shqiptar. Se si kanë reaguar pilotët, këta pre dhe viktima të shtresës së politiks shqiptare, ne i kemi paraqitur në këtë libër.
Çunaj ka qënë njëri prej pilotëve që kanë kundërshtuar në mënyrë kategorike për të mos u ngritur fare në ajër.
Në Farkë i ka ndodhur të pilotonte i fundit, tok me Hamit Hoxhën dhe teknikun dhe aktivistin shoqëror të kudondodhur Zalo Hysi. “Ariun” e mplakur me lavdi, MI 4, që pas asaj dite, nuk u pa më askund.
Më pas – ka vazhduar e helikopterëve të ardhur nga aleatët tanë.
Ata janë që të gjithë më të rinj nga MI 4, shumë më të manovrueshëm dhe bënë që Farka, të mbante lart nderine traditës së këtij regjimenti, por jo vetëm aq. edhe të gjithë burrave të aviacinit të shpërndarë dikur nëpër Shqipërinë e 205 mejeteve ajrore…
Farka, përmes këtyre helikopterëve të rinj, fluturon vazhdimisht dhe ne këtë gjë e kemi përshkruar paksa, gjithessi, në reportazhin e përfshirë në këtë vëllim – “ Në perandorinë e dikurëshme të ariut MI4”
Ndërkohë…ja të përmendim diçka nga episodet e panumrta që kanë të bëjnë me kryerjen e “detyrave speciale”, që në gjuhën e popullit përkthehet, ndërhyrjen e fundit – nga ajri - në situate të rënda ….

GËRDECI I VOGËL I DHEMBLANIT – TEPELENË

Ka ndodhur rreth një vit më parë se shpërthimi thujase atomik i Gërdecit. Mbase është dashur të vlersohej më shumë ky skandal që u shfaq në formën e shpërthimit të një depoje të madhe, ku u plagosën 4 njerëz. Helikopteri i Farkës , AB 205, ka ardhur me të shpejtë, ka marrë të plagosurit dhe i ka dorëzuar në spitalin e vëndlindjes së komandantit të ekipazhit. Mirëpo, Çunaj ka marrë urdhërin tjetër pas pak. Duhej që njëri nga të plagosurit rëndë, të merrej edhe një herë dhe për në Tiranë. Mjekt e Tiranës, si bënë të pamundurën me mundësitë e tyre, vendosën që nënoficeri në gradën e fundit, të dërgohej në Itali. Edhe mjekët italianë nuk patën çfar t’i bënin. Çunaj ka transportuar që nga Tirana deputetin e zonës së Tepelenës, Gramoz Rucin dhe ka marrë pjesë në ceremoninë mortore…

KLITHMA DHE NJË E QARË E BUKUR NË HELIKOPTER

Ka qënë dimër në vitin 2008. Një grua nga fshati Nivicë – Tepelenë, po luftonte me vdekjen me shpirt ndër dhëmbë derisa mbërriti helikopteri me Sokolin zemërdhëmbsur, ku atë e hipën me barrelë, shoqëruar me ekipin mjekësor.
O burra, me të shpejtë.
Zhurma e ëmbël e helikopterit dhe ajri I qetë ishin nanuritëse, sigurisht, por mbase jo edhe aq për gruan fshatare që as e kishte endërruar ndonjëherë se do të hipte në helikopter.
Klithma…mjekët lëvizin . Ekipazhi tronditet. Klithmat e gruas mbytin tanimë zhurmn e bukur të dy motorrëve. Djerës të ftohta. Burrat ruajnë qetësinë dhe vazhdojnë kursin drejt Tiranës. Klithmat e nënës së re të këputin shpirtin. Kujdes parametrat e fluturimit. Sa më ëmbël dhe sa më butë. Pilotët nuk e kthejnë më kokën por… Befas….hare…”Lindiiiiiiiiii”.
Pilotët nuk duhet të shikojnë skenat e sikleëshme, tmerrëisht të sikletëshme për burrat e çfardo rrace.
Në kabinën e pasagjerëve ka lëvizje …Ja ku duket si një oaz i madh dhe mrekullisht i bukur Tirana.
Hera e parë në jetën e tij për Sokol Çunajn që Tirana t’i jetë dukur kaq e ...Ja…ja ku ishte stadiumi “Dinamo”
Me kujdes …kujdeeeeeesssss…ëmbël dhe butë rrotat e helikopterit prekën lndinën e stadiumit pa asnjë spektator. Mbas shumë vjetësh, mbase ky labush bebe që me zi u qetësua, do të zërë vënd në tribunën e “Dinamos” për të parë një ndeshje ndërkombëtare. E ëma, sigurisht që ka për t’i treguar se në atë stadium…në një ditë dimri…
“ Pa ndonjë muaji e gjysëm, erdhën të më takonin njerëzit e gruas nga nga Nivica. Ajo ishte gjallë, po ashtu edhe biri i saj” .

“QYTETAR NDERI “ NË RUBIK

Duhej të merrej një piramidë që peshonte 1200 kg dhe të vendosej në majën e Malit të Velës.
Piramida e shtrenjtë duhej të ngjitej atje vetëm në një mënyrë – me helikoper; na atë majë, aq metro mbi nivelin e detit, sa peshonte ajo piramidë që pilotit tonë edhe sot, i sjell në mënd përfytyrimin për stërmundimet dhe streset e ngritjes së piramidave të antikitetit egjiptian.
Piramida do të rrinte pingul mbi terren; në formën e germës “T” a të një çekani. Ky bisht i hekurt mund të lëkundej dhe të prishte ekuilibrin e helikopterit dhe ta dërgonte atë në katastrofë. Jo krejt në katastrofë, nëse pilotët do të vepronin me të shpejtë. Ata kishin një ganxhë që e komandonin vetë dhe , sapo të ndjenin llahtarëne lëkundjeve vdekjeprurëse, do ta lëshonin në tokë. Turp më të madh nuk do të kishte për të dy djemtë sedërlinj, Sokol Çunajn dhe Frederik Beltojën. Do të rrënohehin tër ato përgatitje, do të shkonte dëm tër ajo vlerë e harxhuar, dhe, e tëra kjo në sytë e popullit që se ku , ishin mbledhur , në formën e një turme të paparë as në Kryeqytet. Për më tepër, një television Italian , ja, po filmonte. U ngritën….
Bukuuuuur….ja, po merrnin lartësi duke iu afruar majës së Velës. Papritur…një vorbull ajrore. Pilotët shtërnguan fort timonët. Sa pa u qetësuar ajo, edhe një vorbull tjetër…Mos kishin bërë gabim që qenë ngritur? Tanimë nuk shbëhej më asgjë. Rubikoni qe kaluar. Nuk kishte më kthim pas, veçse drejt Romës. Vorbulla…vorbulla papushim. Piramida lëkundet..edhe helikopteri…ai me zor që mbahej nga të dy burrat trima…
Më së fundi …Mbi majë…Bishti i “T” qëndron pingul mbi të. Djemtë ulin edhe paksa helikoperin derisa njerëzit poshtë mund ta mbërthejnë këtë piramidë .
“Edhe një qind jetë po të kem, kurr më nuk do ta kisha përsëritr këtë aventurë. Vorbullat ishin të tmerrëshme “, thotë i ftuari i ynë që, pikërisht, falë kësaj aventure të përfunduar me “happy end”, është shpallur “Qytetar nderi “ në Rubik.

Këto ishin diçka nga jeta ajrore e kolonelit që drejton sot Bazën Ajrore të Farkës, që ka fluturuar në 6 tipa aeroplanësh, 5 tipa helikopterësh ; që ka sot mbi 2500 orë fluturimi, nga të cilat, në reaktiv 450, dhe që mban në kurriz edhe dinjitetin , nderin, krenarinë dhe lavdinë e vazhdimësisë së pilotëve tanë trima, Sokol Çunaj.

Ps
31 dhjetori i vitit 2012, është mbyllur në efektivin e Farkës me një ndeshje futbolli, mes pilotëve të vjetër dhe të rinj. Komandanti , që e shtyjnë se edhe vetë shtyn me sa mundet kur sulet për gol, ishte në anën e pilotëve veteranë, të cilët e mbyllën vitin me fitore…

Tiranë, 26 janar – 1 shkurt 2013

RIZA LAHI

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...