Agron Shele
Agron Shele, ka lindur më 7 Tetor, 1972 në fshatin Leskaj, krahina e Malëshovës të rrethit të Përmëtit.
Pas mbarimit të shkollës së mesme, vazhdoi studimet e larta dhe u diplomua në Tiranë. Më pas ka kryer studimet pasuniversitare për gjuhën angleze, informatikë, mbrojtje mjedisi dhe strategji të përgjithshme.
Iu dedikua poezisë që në moshë të hershme. Është autor i romaneve “Hapat e Klarës”, “Përtej perdes gri” dhe “Imazhi i rremë”, botime të shtëpisë botuese “Marin Barleti” Tiranë.
Është nën-Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve “Pegasi” Albania, me qëndër në Gjirokastër dhe Kryetar i Degës së kësaj Lidhjeje në Përmet. Po kështu Kryetar i Shoqatës: “Rinia dhe fëmijët” dhe i shoqatës “Mjedisi në komunitet”. Agroni është Anëtar i Lidhjes së Poetëve Bashkohorë (W.P.S), pjesëmarrës i nderuar në Kongresin Ndërkombëtar të zhvilluar Athinë në vitin 2007, ku përfaqësoi Lidhjen e Krijuesve “Pegasi” Albania. Veprimtaria e tij krijuese është prezantuar në të gjithë simotrat e "Lidhjes Pegasi".
Ai gjithashtu është bashkëautor në Antologjinë poetike “Korsi e hapur” me autorë të Lidhjes së Krijuesve “Pegasi” dhe të tjerë, botuar në Mars të vitit 2008, ku janë përfshirë rreth 270 autorë shqiptarë dhe nga Bota.
Agron Shele vazhdon të japë një kontribut të madh në fushën e letërsisë, jo vetëm në Përmet, ku është aktualisht edhe Drejtor i Qendrës Kulturore.
Poezitë në vazhdim janë marrë nga vëllimi poetik 'Pasazh i pafaj':
Muza Ime
Muza ime!
Ç´bukuri fsheh brenda muzgjeve?
Ç´ëndrra rilinde përtej lirishtave?
Ç´këngë këndon honeve të gremisura?
Ç´rreze kërkon mbrëmjeve të ngrysura?
Ç?...(A mund të mbarojnë pyetjet retorike?)
Muza ime!
Qëndroj majë shkrepit të heshtur,
heshtjen godas mes të përjetshmes tretur.
Ngado shoh perëndim të plakur,
më shfaqet kudo agimi i ringjallur.
Muza ime!
Vitet dhe thinjat si vetë kreshtat,
zbardhin nën mjegullat e fshehta.
Shpirti i gdhendur nga pena thatime,
dridhet, griset, tutje humbëtirave.
Muza ime!
Mos erdhe si mallkim ndër deje
a si lojë luajtëse marramendshe?
Kundroj sy vashe fshehur brenda teje
dhe lotkthyerin në smerald.
Muza ime!
Si frymë e shenjtë shtyn në harrim,
pse poetë u gdhimë në ag.
Vegimeve të paqta jeta në vlim
Dita shpejton me harrakatin çap…
Dritëhije
Perëndimi tretet tutje në pafundësi
Dal nga dalë dhe nata zbret pa kufi,
po dhe vashat, në të linjta shtratin zënë,
kush në ëndërr, kush e epur, kush dhe qan.
Qetësia përçuditëse mbisundon,
nën çapin harrakat ditë e vonë ,
mbi lumenj fërgëlluar dot s´gëzon
dhimbje lotësh mbart lugina poshtë.
Kush një thikë zemrës i shtrëngon…
Ç´duhej më për të dhe kjo jetë e zezë
Ajo iku. Po tani i shkreti!
Si ”Romeo” përgjëron gjunjëzuar.
Më fatkeqi, s´guxon ende të ngrihet,
I mbetur në gjumë, nxirrosur si më s´ka
Natë e errët, humbëtirë e pamatë
të bardhin shpirt, e çon shumë larg.
Prit të finishohet ky mallkim ndër deje:
Heshtje varri, nënqeshje mizore.
Nata arratiset, në pritsh ditën e re
çohu i lumtur, zhytu në hare.
Vajzat
Kapërcim diellor,rrëzëllim drite.
Vështrim i vjedhur ngutshëm,
robërim shpirti.
Botë e tërë ndjenjash ,
çast lumturi.
Brengë e përhershme,jetë marrëzi.
Botën rrotullojnë,si të ishte lodër.
Ulen e përulen,
boshllëkut të kotë.
Nimfa që tronditin zotat edhe qiellin,
Çojnë në altar,
Ditët e pendimit.
Të bukura ,të brishta
dhe ëndërrimtare.
Krijesa mrekulli,fluturim pulëbardhash.
Fllad pranveror,petal trëndafili
Shenjë çiltërsie
Kurorë dashurie.
Manastiri
Kambanat ranë sërishmi…
“Prapë ka vdekur tjetër njeri?!”
Fjalët e fundit, të vetmet…
I “fshehu” të gjitha manastiri,
u kthye, në çast, në memec.
Oshëtimë e largët nga gjumi na zgjon
Vendlindjes time, Malëshovës
Fshehur mes malesh, ku mjegulla zë fill,
tutje horizontesh mendja fluturon,
malli i nxituar përherë në kërkim
për lisat, zallishtet dhe ujërat e ftohtë…
Si zogjtë shtegëtarë humbëm, s´di ku,
të lamë të vetme, ikëm të gjithë,
Rrënimi si korbat, turret egërsisht
të kthejë ç`të mundë, në pluhur dhe hi.
Fjala më e parë të mat me “dikur“,
ç`vlen, kur të heshtur shikojmë sot,
Askush s´mbart mallin tënd të gjerë,
t´i flasim, ta prekim, të shkrihemi në lot.
Madhështia jote shkrepëtin rrufe,
oshëtimë e largët nga gjumi na zgjon,
Malli i mbledhur na fton të gjithë
Të të ngremë nga heshtja, nëna jonë, Malëshovë!
Ëndrrat e mia mbetën aty
Copëza fjalësh drithërojnë shpirtin...
Ëndrrat e mia mbetën aty,
si mijëra ajzbergë në oqeanin e pafund.
Mendja depërton tutje fluturimth,
në të tjera qiej, rrugëtimesh “plot mund“.
Ëndrrat e mia mbetën aty,
netëve pranverore, yjeshumë.
Copëza ndjenje drithmojnë shpirtin
dhe endën magjinë pëlhurë.
Ëndrrat e mia mbetën aty,
si zbardhja e dritës, në agim.
Me mallin e vjeshtës në gji
dhe ... e pikat e shiut -trishtim.
Ëndrrat e mia mbetën aty
mbi harqe ylberësh, koloritë kuptimësie;
Të bardhën ditë, shpresë dhe ngazëllim,
përthyen shtigje “rrebelim“ poezie.
Ëndrrat e mia mbetën aty
Të formatuara ndjenjësisht...
Një shikim i hedhur qiellit të tymtë
Konturim frymor –figurë statujisht...
Me shpirtin, përherë në fluturim
Mikut tim, Frederik Reshpes
Ti ike ashtu, krejt papritur
me mallin vjeshtëror në gji.
Me zemrën mbetur peng atje
tek i shenjti,
liqen turfullim.
Ti ike, pa thënë asnjë fjalë,
i lodhur,
i mundur nga dhimbja.
Me brengën e nënës së thinjur
nga vitet e vuajtjes së poetit.
Ti humbe rrugëtimës pa kthim,
me të vetmin ëndërrim në shpirt,
me të vetmen pasuri që kishe.