2013-04-03

POEZI NGA VULLNET MATO



Vullnet Mato

TI HYRE BRENDA MEJE

Ti ishe një trëndafil, 
që sapo të mora erë, 
hyre brenda gjoksit tim
bashkë me oksigjenin.
Lëshove rrënjë e degë 
nëpër inde deri thellë,
dhe filluan në brendësi
boçe trëndafili të çelin...

Aroma më shpërtheu 
nga të gjitha poret,
dhe u mbush shtëpia 
me të trëndafilit erëmim. 
Më thanë të afërmit, 
Ç’ke që parfumohesh,
sikur je femër që shkon 
për çdo ditë në takim?...

Më pas nëpër rrugët 
dhe oborret e lagjes,
aroma e trëndafilit
shkoi derë më derë.
Më shihnin përqark
me habitje ziliqare,
sidomos lulet e saksive 
që nuk kishin erë. 

Provova rrënjët e tua
të shkul nga vetja ime,  
të drejtoj vështrimet  
që më shihnin vëngër.
Por ndjeva dhimbje 
të forta me sëmbime,
gjembat më shpuan
nga koka te këmbët... 

S’mund të të shkulja, 
kurrsesi nga trupi im,
se ti e gjitha përbrenda 
më kishe mbirë!... 
Atëherë shikimet i lashë
të pëlcisnin me gjëmim,
përderisa me aromën tënde 
ndjehesha fare mirë!...

NË PRILL E NË MAJ

Të dua pranë 
gjithë muajt e vitit,
moj e mira ime, 
që të kam, laj e thaj, 
të lutem, me gjithë
zjarrin e shpirtit,
veç në prill e në maj 
prej meje mos u ndaj!

Mund të shkosh 
kudo të shëtisësh, 
nga Japonia deri 
në ishujt Havaj,
po leri vizitat e tua
tek njerëzit e fisit,
veç në prill e në maj, 
prej meje mos u ndaj!

S’të pengoj lirinë 
as në behar e dimër,
madje flatrat e mia 
të jap për berihaj,  
të fluturosh ku të do 
e bardha zemër,
veç në prill e në maj
prej meje mos u ndaj!

Nuk dua të bëj, 
marrëzira intime,
moj e mira ime, 
që të kam, laj e thaj,
të fal gjithë muajt 
e tjerë të stinëve, 
veç në prill e në maj, 
prej meje mos u ndaj!... 

SUPA E NGROHTË
 
Poçja e lashtësisë, 
zjeu ndanë zjarrit supën, 
për bujkun e djersitur 
dhe muratorin e lodhur.
Pa supën ku do e njomte 
pleqëria bukën,
në vitet kur në gojë 
pa dhëmbë është ndodhur?...  
 
Supa ka qenë gjella 
për pasanikë e varfanjakë, 
se as mbretërit në sofra 
nuk hanin vetëm mish.
Me ecejaket e lugës 
nga goja në tasin rrumbullak,
çorba u ka shuar njerëzve 
urinë ditore plotësisht.  
 
Lypsarët që na luten 
rrugëve, të rreckosur,
nuk do të kishin 
dridhmën e urisë vitale, 
te dora e zgjatur 
nga njeriu i ngopur,  
po të merrnin të paktën
pjatën e supës sociale.
  
Sikur dy shpirtgjerë biznesi, 
me pak shpenzim,
të mbyllnin në çdo qytet, 
dy nga shumë klube,
do të meritonin 
titullin e nderit “Humanist”
po t’i kthenin ato falas 
në dy mensa supe!...
 
Por ndoshta pritet 
bujaria kuzhinierit diell,
në kazanët e dy deteve 
me ujë e peshq plot,
të ziej për mjeranët, 
pasi të shkojnë në qiell,
pjatën me një garuzhde 
supë të ngrohtë... 

LUANI MBRET

Luani ka në pamjen
e vet madhështore,
në krifën hijerëndë
të bishës me autoritet,
në fuqinë e frikshme
të egërsisë kafshërore,
të gjithë madhështinë
për t’u quajtur mbret.

Veçse mbret i tmerrit
për kafshët përreth,  
që frymojnë së bashku
nëpër savana dhe pyje, 
ku ai me egërsinë 
e çatajve të mprehtë,
mbretëron duke shqyer 
prej tyre mish butësie.

Karakterin grabitqar
të autoritetit luanor,
kanë shfaqur në poste 
dhe shumë kryetarë, 
komandantë, presidentë,
deri te perandorë,
përfunduar si luanë
të ngordhur a të vrarë...

Përuljet e verbra
para kolltukut të tij,
bëjnë të zgjedhurin
me urtësi shembullore,
nga mendjemadhësia
të nxitet për harbutëri,
duke imituar luanin
me instinkte shtazore.

Ndryshe nga kaprolli,
drejtues tufe i shtruar,
vështirë të mbrohet
njeriu nga vetja e vet.
Kur nuk ka premisa
për të ndryshuar,
shmanget vetëm sapo 
shndërrohet luan mbret...

LËSHOJE ZOGUN FLUTURIM

Ndonëse me gojë 
gjithçka ke mbuluar,
dhe s’do ta zbulojë
sekretin asnjeri,
një zog i fshehur 
të cicëron papushuar,
në kafazin e gjoksit,
ku askush nuk e di.

Po mua vështrimi yt 
më tregon tinëzisht, 
me pulitjen e syve,   
si luhatja e valëve,
se zogun e pafajshëm
dënon rreptësisht,
vetëm për t’a ruajtur 
nga thëllimi i fjalëve.

Syri im të vrojton 
mbi vetull si qukapik,
kur shkërmoq për të,
thërrime mendimi. 
Figura ime çdo çast 
të endet nën qerpik, 
kur buza të rrudhet 
nga drithërimi.  

Ndrojtja të shtyn 
ta mbash të vluar,  
por sado mundohesh 
ta fshehësh me gjeste,
kafazi i gjoksit 
nuk mbetet i maskuar, 
kur ti padashur 
tradhton vetveten!

Eh, sa zogj ndjenjash 
në kafaze janë shuar,
pa shtrirë krahët  
në hapësirën e kaltër!...
Lëshoje zogun e gjorë 
në qiellin e penguar, 
të nxjerrë mallin  
e fluturimit krahëhapur! 

Të dëgjojmë sërish 
këngën e tij të nostalgjisë, 
të na ndjejë shpirti prapë 
kënaqësi e ngazëllim.
Lëshoje pa merak 
se zbulohet zogu i rinisë,
tani s’jam më skifter, 
të kap zogj në fluturim!...

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...