Kryeministri serb, Ivica Dacic gjatë bisedimeve (të mëhershme) për Kosovën në Bruksel shumë shpesh është larguar nga takimi që të shkëmbente SMS me Aleksandar Vucicin, zv/kryeministrin e parë të Serbisë. Sipas burimeve mirë të informuara, Vucic i thoshte Dacicit përmes SMS-ve që pas përmbylljes së marrëveshjes ka për qëllim ta rrëzojë Qeverinë, që do të thoshte se edhe do t’ia tregonte vendin”, shkruan analisti britanik, Tim Judah për britaniken “The Economist”.
Tim Judah shkruan se kjo ka qenë arsye për shkak të cilës zyrtarët e BE-së kanë insistuar që Vucic të jetë i pranishëm në bisedimet e djeshme (e martë).
“Nëse ideja e tyre ka qenë që edhe ai të merr një pjesë të përgjegjësisë që pala serbe të pranojë marrëveshjen, ky plan është treguar kontraproduktiv”, konstaton Judah.
Tim Judah shkruan se Hashim Thaçi në raundin e djeshëm të dialogut, ka treguar se “emocionalisht është i papërgatitur” që të ballafaqohet me dy negociatorë nga Serbia, kështu që, sipas burimeve, në bisedime e ka ngritur tonin dhe i ka rënë me grusht tavolinës.
Gjatë ditëve të ardhshme, diplomacia e jashtëzakonshme do të tentojë që ta shpejtojë procesin negociator, ku një pjesë të prestigjit të saj do ta ‘hipotekonte’ para së gjithash baronesha Catherine Ashton, kurse në rast të arritjes së marrëveshjes, Ivica Dacici dhe Hashim Thaçi mund të jenë kandidatë potencialë për Çmimin Nobel për Paqe, thekson analisti britanik, Tim Judah.