2013-04-02

Kujtimet në një kuti

Stefanor Romano sjell për herë të parë në Tiranë një mikrogaleri. Artisti italian, Giancarlo Norese, prezanton punët e tij

Stefano Romano ka zgjedhur Tiranën si vendin për të krijuar identitetin e tij artistik, që pas përfundimit të Akademisë së Arteve në Bergamo. Artistit që vjen nga vendi fqinj, Italia, iu duk interesante të jetonte e krijonte në një territor të ri për artin bashkëkohor siç ishte Shqipëria e viteve kur ai e shkeli për herë të parë. Gati dhjetë vjet më pas ai e sheh artin pamor në vend ende në një rrugëtim. “Arti pamor sot në Shqipëri është ende në kërkim të vetvetes. Nga njëra anë duke ndjekur tendencat ndërkombëtare dhe nga ana tjetër duke dashur të përballohet me sistemin e artit lokal. Është e vështirë të thuash se cilat janë tendencat e artit sot, sepse duhet të bëhet një refleksion më i thelluar i 50 viteve të fundit të artit bashkëkohor, i cili ktheu kufijtë me atë që përkufizohej si art gjatë modernizmit”, thotë ai. Gjuha e artit është forma më e lartë e reflektimit të asaj çfarë ndodh me shoqërinë apo individin në kohë të caktuara, duke qenë se ajo lind nga brenda artistit, për t’u shfaqur më pas në një vepër. “Gjuha e artit për mua është ajo bashkëkohorja, nuk ka një argument në mënyrë të veçantë që duhet të prekë, apo tema të veçanta që duhet të shqyrtojë, përveç reflektimit të karakteristikave të veçanta të kohës dhe vendit ku realizohet, por duke mbajtur gjithmonë një lidhje të vazhdueshme më çka ndodh në botë”, thotë Romano. Vetëm pak ditë më parë, Stefano që i pëlqen të jetë gjithnjë i dyzuar mes artistit dhe kuratorit, prezantoi projektin e tij më të ri, një mikrogaleri, një tendencë kjo e panjohur në fushën ku operon sot arti pamor. Një hapësirë e ndërtuar në formën e një kubi të bardhë (50x50x50cm), e quajtur “Industri” ku do të ftohen artistë të ndryshëm të paraqesin idetë e tyre artistike. Një formë e vogël nuk mund të kushtëzojë idetë e mëdha. Ka raste në artin bashkëkohor ku ka mjaftuar një hapësirë e tillë, për të shprehur ide që dikush mund t’i shprehte në një holl të madh të një galerie. “Microgallery është një galeri në miniaturë, portabël, që nuk ka pretendime të mëdha, por që pretendon ide të mëdha. Microgallery është një kub, një vitrinë, një hapësirë mendimi që u ofrohet artistëve, duke u dhënë atyre mundësinë të krijojnë për një hapësirë të cilën nuk e kanë hasur më parë. Sfida është ajo e realizimit të një vepre arti, që është plotësisht pjesë e udhëtimit artistik të artistit të ftuar, por që në të njëjtën kohë duhet të magjepsë edhe vetë autorin”, thotë Romano. Por a është ky një ndryshim i konceptit për hapësirat, ku arti mund të flasë dhe përmes hapësirave të vogla…? ”Koncepti i hapësirës në miniaturë dhe mbi të gjitha në lëvizje, nuk është një risi në botën e artit, por është diçka që artistët kanë filluar ta zbatojnë duke nisur qe nga Marcel Duchamp me muzeun e tij në valixhe, dhe që në fund të fundit mund të konsiderohet si marrja e një qëndrimi të artistëve ndaj hapësirave zyrtare të ekspozimit, një vizion në lëvizje”. Për Romanon, dimensioni “micro” përfaqëson lidhjen më intime me dimensionin e kundërt, pra “macro”, nuk ka macro pa micro, dhe anasjelltas, por në një botë ku dukja është gjithçka dhe kjo dukje ka një dimension macro, micro përfaqëson mundësinë për të bërë të mundur të shohësh pjesën më esenciale të macro-s.
Kujtimet në një kuti
Më 15 mars, artisti italian, Giancarlo Norese, solli një ide të tijën në këtë mikrogaleri. Ideja e tij ka të bëjë me një territor global duke nisur të ndërtojë marrëdhënie me hapësira të tjera në botë, dimensioni i të cilave të ishte “micro”. Artisti ka identifikuar kështu një karakteristikë, atë të hapësirës minimale duke e ngritur në rolin e protagonistit të Grand Show-t të tij. “…Të ndërtosh historinë e një rrjeti bashkëpunimesh dhe përballjesh me realitete të ngjashme, shpesh të zhvilluara jo në dijeninë e njëri–tjetrit, dhe pasqyrim i një qëndrimi bashkëkohor që duhet të përballet me një botë gjithnjë e më të “konsumuar” që na shtyn të gjejmë forcën të rimendojmë modelin tonë të zhvillimit. Atëherë, le të vendosim botën në kuti për të ndërtuar të ardhmen tonë. Dhe a nuk është e vërtetë që të gjitha kujtimet tona më të rëndësishme janë nëpër kuti? Atëherë le të shohim nëse shumë kuti të lidhura njëra me tjetrën mund të ndërtojnë një koleksion të ri objektesh dhe emocionesh në gjendje t’i tregojë botën botës, nga një tjetër pikë vështrimi, ajo e nisjes”, thotë ai. Giancarlo Norese jeton në Milano. I diplomuar në Akademinë e Arteve të Brera-s, është një nga nismëtarët e projektit “Oreste” (Bienalja e 48-të e Venecias) si dhe editor i publikimeve të tij. Që nga mesi i viteve ’80 ka qenë bashkëpunëtor në shumë projekte me pjesëmarrje, shumë prej të cilave kanë të bëjnë me pasigurinë, metaforat e hapësirës publike, gabimet e peizazhit, estetikën e disfatës, bukurinë e vetëgjeneruar nga rasti. Që prej 2004-s është lektor i Komunikacionit Vizual pranë Akademisë Carrara të Bergamo-s.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...