2013-04-02

Ambasada amerikane ishte e shqetësuar rreth procesit të IPKO-së

Shoqëria civile dhe lëvizja Vetëvendosje kërkojnë të nisin hetimet për të zbardhur keqpërdorimet e bëra në përzgjedhjen e telekomit slloven dhe IPKO -s për operator të dytë të telefonisë mobile. Akuzat vijnë pak ditë pas nisjes së hetimeve në Slloveni ndaj ish-drejtuesve të Telekomit Slloven. Prokuroria e Shtetit ka heshtur të martën, kurse ish-drejtori i ART-së, Anton Berisha, ka thënë se i gjithë procesi për përzgjedhjen e operatorit të dytë të telefonisë mobile kishte shkuar mirë, transmeton KTV.Pas shumë vjetësh rikthehen dyshimet për mënyrën e hyrjes së Telekomit Slloven në tregun e telefonisë mobile në Kosovë.

Tenderi, ndaj të cilit u ankuan një numër kompanish me renome ndërkombëtare, tashmë ka kaluar në duart e hetuesisë sllovene, por jo edhe të asaj kosovare.

Zyra Kombëtare e Hetimeve e Sllovenisë, para pak ditësh ka marrë një varg dokumentesh nga Telekomi Slloven për t’i kryer hetimet rreth dyshimeve për mënyrën e futjes së kësaj kompanie në Kosovë, duke e marrë licencën e telefonisë së dytë mobile dhe blerjen e aksioneve të IPKO-s.

Pjesë e hetimeve janë edhe ish-drejtori i bordit të Telekomit Slloven, Bojan Dremelj dhe persona të tjerë, përfshirë edhe disa ish-drejtues të bankës sllovene, Factor Bank, pas të cilës mediet në këtë vend thonë se fshihet biznesmeni kosovar, Ekrem Lluka.

Këtyre të lartpërmendurve u janë kontrolluar edhe shtëpitë.

Hetuesit dyshojnë në tri transaksione të kryera nga ish-drejtuesit e këtij telekomi: shitjes së disa aksioneve të IPKO-s, blerja e motorit të kërkimit “najdi” si dhe blerjen e shpërndarësit të internetit On Net në Maqedoni, kurse vlera e dëmeve që dyshohet t’i jetë shkaktuar Telekomit Slloven llogaritet rreth 25 milionë euro.

Dyshimet për këto transaksione i kishte paralajmëruar Deloitte vitin e kaluar.

Derisa hetimet po vazhdojnë në Slloveni, në Kosovë duket se asgjë nuk ka lëvizur.



Kohavisioni ka kërkuar përgjigje nga Prokuroria e Shtetit rreth nisjes së hetimeve të mundshme, por nuk ka marrë asnjë përgjigje, as në formë elektronike e as nëpërmes telefonit.

E, nga ana tjetër, Avni Zogiani nga Organizata Çohu, thotë se në tenderin e telefonisë së dytë mobile dyshon të jetë përfshirë tërë spektri politik i asaj kohe dhe pa dyshim edhe Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit.

Akuza për mënyrën e ecjes së këtij tenderi ka dhënë edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Zyrtarë të IPKO-s kanë thënë se i gjithë procesi që po zhvillohet në Slloveni ka të bëjë me disa paqartësi ligjore, por se janë të hapur për bashkëpunim me hetuesit nëse një gjë e tillë kërkohet.

Ish-drejtori i ART-së, Anton Berisha, ka mohuar se janë duke u kryer hetimet për tenderin e dytë të telefonisë mobile.

Ai ka dhënë një përgjigje të shkurtër dhe konfuze nëpërmjet telefonit, duke thënë se po zhvillohen hetime për mënyrën e blerjes së IPKO-s, por tenderi ishte në rregull.

Procesi i tenderit të telefonisë së dytë mobile që nga fillimi ishte përcjellë me një varg problemesh.

Fillimisht ai ishte anuluar nga UNMIK-u, për t’u hapur sërish, e që u pasua me shuam ankesa.

Shumë kompani me renome ndërkombëtare që kishin shprehur gatishmërinë për të hyrë në garë ishin larguar të pakënaqura me procesin, në mesin e tyre edhe kompania Vodafone.

Në tenderin e dytë fillimisht ishte zgjedhur konsorciumi “Kosmocell”, përbërë nga kompani amerikane, italiane dhe ato nga Kosova, Kujtesa dhe Dukagjini, të cilët është dashur të paguajnë 81 milionë euro.

Mirëpo drejtuesit e kosorciumit “Kosmocell” fajin për moskryerje të pagesës e kishin hedhur te dy kompanitë partnere, Eutelia dhe Capital Management, Computer Science Corporate për vonesa në procedurat bankare.

Kjo i kishte hapur rrugën kompanisë së dytë në renditje, Ipko dhe Telekomi Slloven, të cilët paguan 75 milionë euro për marrje të licencës për operatorin e dytë të telefonisë mobile në vend.





Artikujt tjerëShoqëria civile dhe VV kërkojnë të zbardhet tenderi rreth IPKO-së Ambasada amerikane ishte e shqetësuar rreth procesit të IPKO-sëNga dialogu, përfitime në procesin e integrimeve evropianeHoxhaj dhe Ahmeti sfidojnë Mustafën për PrishtinënIvanoviq: Më sulmuan ata që s’e duan politikën timeKosova shënon ditën e autizmit Kërkohet ratifikimi i marrëveshjes eventuale me SerbinëMinistri Rexhepi të premten në interpelancëJacobson optimiste lidhur me dialogunKreu i KFOR-it vizitoi Obiliqin Publikuar: 02.04.2013 - 20:19
Prishtinë, 2 prill - Procesi i shpalljes së fituesit të tenderit për operatorin e dytë të telefonisë mobile në Kosovë ishte shqetësim i vazhdueshëm edhe për Ambasadën amerikane. Shefja e Zyrës, e më pas ambasadorja e parë e SHBA-së në Kosovë, Tina Kaidanow, i raportonte gjerësisht Departamentit amerikan të Shtetit për parregullsitë që besohej se kanë përfshirë këtë proces të rëndësishëm. Aty raportohet edhe ankesa e një kompanie amerikane te kryeministri Çeku, pasi nuk e fitoi dot tenderin, transmeton KTV. Zyra Amerikane në Prishtinë, që më vonë u shndërrua në ambasadë, kishte raportuar vazhdimisht në Washington për procesin e rëndësishëm të shpalljes së fituesit të dytë të tenderit për telefoninë mobile në Kosovë.

Në të parin kabllo-gram që trajton këtë temë, dërguar nga Tina Kaidanow më 28 nëntor 2006, shprehej shqetësimi për dekurajimin e kompanive amerikane që të garojnë për këtë tender për shkak të pranisë së operatorëve ilegalë serbë në Kosovë.

Aty thuhet se kjo është një çështje e ndjeshme politike, por Zyra Amerikane ka inkurajuar kompanitë amerikane që të konkurrojnë.

Dhe, kështu kishin bërë disa prej tyre në partneritet me të tjera kompani.

Në kabllogramin e 12 shkurtit 2007 Kaidanow raportonte se Konzorciumi Kosmocell e kishte fituar tenderin e telefonisë mobile. Kosmocell përbehet nga Dukagjini Group, që udhëhiqet nga biznesmeni Ekrem Lluka si dhe nga kompania e internetit, Kujtesa, pastaj nga jashtë nga operatori mobil italian, Eutelia dhe kompanive amerikane Computer Science Corporation dhe Omni Group.

Aty kujtohet se ART-ja tha se Kosmocell fitoi sepse ofroi 81 milionë euro për licencë, nga 20 milionë sa kërkoheshin.



Kaidanow thoshte se Kosmocell mundi tri kompani të tjerë, ku në secilën prapë kishte edhe aksionarë amerikanë, e që ishin Albright Group tek IPKO/Telekom Slovenija, pastaj Columbia Ventures Corporation bashkë me Mobilkom Austria/ dhe Team Kosova, bashkëpunim ndërmjet SHBA-së dhe Greqisë.

“Ia vlen të përmendet se Telekom Slovenija ka shumicën e aksioneve në Ipko (70 %), si dhe 51 % në Kosmocellin e Llukës, pozicion që sipas Zyrës Ligjore të UNMIK-ut, nuk i thyente rregullat e tenderit. Slovenia Telecom dhe Lluka (konzorciumi Mobitel/Mobikos ) e kishin fituar tenderin e parë për operatorin e dytë të telefonisë mobile në vitin 2004 para se tenderi të anulohej nga Shefi i UNMIK-ut, për shkak të parregullsive”, shkruante Kaidanow.

UNMIK-u kishte vlerësuar në atë kohë se gjithçka ishte në rregull me procesin, dhe se kishte ftuar edhe përfaqësues të zyrave të huaja në Kosovë, për të marrë pjesë ne disa prej takimeve të vlerësimit të ofertave.

Kaidanow tregonte se kompanitë e tjera u ankuan për disa prej kritereve të tenderit, që vlerësonin se ishin diskriminuese, duke paralajmëruar ankesa për procesin.

Vetëm një muaj më vonë, më 16 mars 2007, Kaidanow do t’i raportonte Washingtonit zhvillime të reja dhe anulimin e fituesit të parë për t’ia dhënë tenderin të dytit.

Fitues tash ishte shpallur konzorciumi Telecom Slovenia/Ipko/Albright Group, pasi që Lluka nuk ishte në gjendje të paguante 81 milionë eurot për licencë.

Kaidanow raportonte se posaçërisht të pakënaqur kishin mbetur konzorciumi Austrian Mobilkom me amerikanët e Columbia Ventures Corporation (CVC). Madje, kjo e fundit i kishte dërguar një letër të posaçme kryeministrit të atëhershëm, Agim Çeku, në të cilën i kërkonte një vlerësim të pavarur të gjithë procesit nga një kompani ndërkombëtare e pavarur e auditimit. Austrian Mobilkom ishte ankuar edhe për mungesë transparence, sepse ofertat nuk u hapën në publik.

Zyra amerikane citon vazhdimisht Ernst Tschoepke, shef i Zyrës Ligjore të UNMIK-ut, të ketë thënë se procesi ka qenë i rregullt e transparent, dhe se ofertat nuk ishin hapur në publik, në mënyrë që të ruhej konfidencialiteti i atyre që kishin konkurruar.

Amerikanët citojnë mediat lokale të kenë raportuar dyshimet se Lluka u tërhoq pasi u pagua nga Telekom Slovenija, në mënyrë që ata të fitonin tenderin.

“Përfaqësues të Kujtesës, pjesë e konzorciumit Kosmocell që ishte fituesi origjinal, i kishin thënë Zyrës Amerikane se konzorciumi i kishte 81 milionë euro dhe se ishte në gjendje ta paguante licencën, por Lluka e kishte informuar shefin e ART-së, Anton Berisha, se grupi i tij nuk ishte në gjendje ta kryente pagesën. Përfaqësuesit e Kujtesës thanë se kompania e tyre dhe partneri italian Eutelia nuk e kishin idenë pse Lluka e kishte ndërmarrë një hap të tillë. Shtypi nuk ka mënyrë që të vërtetojë këto spekulime, dhe nuk ka asnjë provë se Kosmocell i kishte në fakt paratë në dorë”, shkruante Kaidanow.

Madje, sipas saj, disa biznesmenë mendonin se Lluka i kishte mashtruar disa kompani që kishin marrëveshje me të, duke mos i informuar se konzorciumi i tij nuk i kishte paratë për ta blerë licencën.

Kaidanow premtonte raportim të vazhdueshëm për shkak të interesimit të madh që kjo çështje po zgjonte në Kosovë.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...