Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/04/06

“I kam edhe dy fjalë”, antologji personale poetike e poetit Lulzim Tafa

Rrahman Paçarizi

Librin “I kam edhe dy fjalë” edhe pse me poezi të pabotuara deri më tash, e shoh si një antologji personale poetike të poetit Lulzim Tafa. Në këtë libër përmblidhen motivet, figurat dhe gjuha e akumuluar për pothuaj 20 vjet, që kur ai botoi librin e parë me poezi “Gjaku nuk bëhet ujë”.

Fryma rebele, ironia e hollë deri në sarkazëm, shpërthimet e natyrshme e jo të stisura, që i gjejmë të rralla në poezinë shqipe, janë tiparet që e përshkojnë poezinë e Lulzim Tafës, i cili arrin të venit kufijtë ndërmjet epikës dhe lirikës, që do të thotë se herë-herë shpërfaqë një epikë lirike dhe sidomos një lirikë epike, në atë që mund të quhet poezi dashurie.

Kështu, kthjelltësia e kapjes së motiveve dhe lidhja përmes simbolesh krejt unike, aftësia e vargënimit të tyre me një gjuhë të saktë, i bëjnë të veçanta poezitë e Lulzim Tafës. Ai arrin të kapë motive të ndryshme e krejt të veçanta. Motivet e mëdha epike i zbret për tokë dhe i ironizon aq hollë deri ën këputje: Nashtë/edhe n’e bëfshim shkrum e hi/gjatë njerëzit/do të bëjnë be/në ato tri ditë Shqipni.

Ose vjeshta për kryetrimin e dëshpëruar nga historia që s’do ta kapë lahuta as çiftelia, pastaj poezia Motivi që e zbret Azem Bejtën në nivelin njerëzor, madje frojdian. E kësaj shtrese intertekstuale është edhe poezia “Dëshpërim”, ndërkohë që poezia “Qeni i Ministrit” kalon kufijtë e ironisë dhe niset serbez ka sarkazmi.

Por, përveç se ironik, Lulzim Tafa, di të përcjellë dhimbjen e mllefin me Namën “Qenët e hangshin/këtë atdhe/që për se gjalli/na futi në dhe”.

Lulzim Tafa di të jetë edhe tepër i ndjeshëm në poezitë e tij, di të tregojë se sa i dhemb shpirti, di ta shfaqë dhembjen kolektive përmes dhembjes personale, duke marrë mbi vete krejt barrën e dhimbjes, duke sakrifikuar frymën e tij njerëzore në këmbim të shprehjes poetike.

Figurat e kundërshtisë, i ndërton kujdesshëm edhe pse në dukje të parë dalin të vrazhda si oksimoroni vetë, si në poezinë “Qyteti i lashtë”, kur thotë “Puhi e lehtë e akullt frynë”, apo të poezia “Natë e lehtë me shi”, kur thotë “natë e lehtë me shi mos i zhduk gjurmët e mia në qytetin me erë gjaku”. Kështu Lulzim Tafa arrin të ilustrojë me shembuj konkretë faktin që poezia është mimesis dhe këtë e bën duke e përshkruar një faktion, të tillë çfarë është, me një fiksion, çfarë poezia e kërkon.

Poeti Lulzim Tafa gjithashtu arrin të ruajë ritmin, si tipar të poezisë dhe shumë herë të rimojë natyrshëm, sa për të dëshmuar se bëhet fjalë për poezi e jo për fjalë të renditura, ai thjeshtë arrin të menaxhojë në harmoni edhe me motivet, edhe rimën edhe ritmin, madhe shpesh edhe asonancën e aliteracionit që e bëjnë poezinë të ritmojë.

Njqë kapitull nëse mund të themi kështu, i veçantë është ai me motive dashurie. I veçantë them, pasi dashuria aty është epike, kaçakçe, një dashuri që shfrynë në një amientë herë bukolik e herë urban, po që nuk ka frikë të shprehet pavarësisht se emrat e personazheve janë epikë dhe Ajkuna ka tipare konfuze që veç heroi di t’i dallojë, formësojë dhe adhurojë. Heronjtë dinë të jenë të ndjeshëm aq sa shpërthyes dhe të vuajnë si të poezia mosmirënjohje: Ani/Ajkunë/veç kishin me të pre/mos t’kish qenë komita”.

Mllefshëm, portretizohet Ajkuna groteske në poezinë “Përmbysja”, ku ajo reklamon kondomë e thyen pasworda.

Gjithsesi, dua të vë theksin të një raport tjetër që funksionin shkëlqyeshëm në këtë libër - Motivet janë të ndryshme dhe notojnë përgjatë njëzet vjetësh, por gjuha ruhet, ashtu si edhe stili.

Në këtë përmbledhje gjen poezi - fabula dhe motive epike, ndonjëherë lirizëm të hollë e ndonjëherë gati epik, e herë të tjera ironi aq të hollë sa që se holli këputët në kufij e sarkazmit. “I kam edhe dy fjalë” thotë gjithçka që ka mbetë pa thënë.

Sepse, gjithmonë mbetën edhe dy fjalë pa thënë, edhe dy fjalë me i thanë. Lulzim Tafa është kujdesur që këto dy fjalë t’i thotë, duke i përmbledhur në një qark kohor prej 20 vjetësh, pa e prishë gjuhën poetike. Së këndejmi, dua të them se Lulzim Tafa, i ka thënë dy fjalë që i ka pasur në mënyrën më të mirë të mundshme, duke i ruajtur krejt fjalët që i kanë mbetë pa thënë gjatë 20 vjetësh të krijimtarisë së tij artistike, duke e bërë kështu një antologji personale, duke e nxjerrë jashtë një pjesë të shpirtit rebel me epikë e lirikë të pazakontë dhe e gjthë kjo për të dëshmuar një kondicion të ruajtur shkëlqyeshëm që manifestohet përmes një koherence të poezive të këtij libri (por edhe të librave të tjerë) pavarësisht nga data se kur janë shkruar dhe pavarësisht nga rrethanat.

Ky kondicion dhe kjo koherencë e bëjnë, Lulzim Tafën, krejt të veçantë nga poetët tjerë të brezit të viteve të ’90, të cilët ose e kanë lënë fare poezinë, ose gazetaria e politika ua ka mbytë gjuhën poetike.

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...