2013-04-02

“Ëndrra e një nate vere” e Shekspirit u ngjit në fundjavë në Teatrin “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit, nën regjinë e Driada Dervishit



“Jam e lodhur nga vrapi i dashurisë”. E veshur me fustan të kaltër, Elena e nxjerr nga trupi këtë shprehje teksa i lutet Demetrit ta besojë se ai është burri i vetëm në jetën e saj. Ajo e ka dashuruar gjithnjë dhe do të bëjë gjithçka që ai një ditë t’ia kthejë dashurinë. Por Demetri nuk mund ta shohë pasionin në sytë e Elenës… deri sa magjia do ta bëjë ta shohë atë. Fjalë të bukura dashurie dalin edhe nga goja e Hermias për Lizandrin… Teksa e ndjek në pyllin e dritave, ajo nuk do asgjë veç të rrijë pranë tij. Ajo nuk e braktis as atëherë kur sytë e tij errësohen nga magjia, dhe dashuria për të, i shndërrohet në dashuri për Elenën. Një komedi, me fjalë të bukura dashnorësh, “Ëndrra e një nate vere” një nga veprat më të ndiera të Shekspirit është ngjitur këtë fundjavë në skenën e Teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, nën regjinë e Driada Dervishit. Për rreth dy orë, salla e mbushur plot me spektatorë ka ndjekur ëndrrën e bukur shekspiriane, e cila depërton me të njëjtën forcë te ne, si shekuj më parë kur ai e shkroi. Personazhet e Shekspirit enden në kërkim të dashurisë, dhe bëjnë gjithçka për ta gjetur atë, duke duruar dhe forcën e magjisë… Ata duan të luajnë teatër dhe sjellin një teatër brenda teatrit… Një përrallë, ashtu si dhe vetë Shekspiri e ka quajtur këtë pjesë, për t’u endur në ëndrra dhe për të parë se ku mund të na çojë dashuria. Në pyllin plot drita të krijuar nga Dervishi, spektatori u njoh me Tezeun, mbretëreshën Titania, të cilët ngjasonin sikur prej mijëra vitesh ishin aty, duke luajtur të njëjtën pjesë. Në role interpretonin: Besmir Bitraku, Eralda Çaushi, Ervin Doko, Adelina Muça, Hysen Bashhysa, Andia Xhunga, Roland Koca, Mimoza Marjanaku, Xhejni Fama, Gjergj Doci, Marsel Rupi, Muharrem Asllani.
Ëndrra e bukur e Shekspirit
Në këtë komedi, Dervishi riktheu në skenë dy aktorët e njohur durrsakë, Aishe Stari dhe Lutfi Hoxha. Në rolin e Tezeut, Lutfi Hoxha (81 vjeç) tregoi se teatri nuk mund të ikë asnjëherë prej tij. Vitet nuk kishin ndryshuar as për Aishe Starin (70 vjeçe), e cila u shfaq plot sharm në rolin e saj (gruaja e Tezeut), duke emocionuar publikun. Regjisorja Dervishi kishte futur dhe elemente bashkëkohore, por që nuk e cenonin atë që në të vërtetë ka një vepër e Shekspirit. Skenografia dhe kostumet të fusnin në një ëndërr të vërtetë, ku mund të jetoje për dy orë magjinë e personazheve.

Regjisorja Dervishi zgjodhi “Ëndrrën e një nate vere” për 60-vjetorin e krijimit të Teatrit “Aleksandër Moisiu” (11 janar 1953). “‘Ëndrrën e një nate vere’ e quaj si një tribut për teatrin, tribut për teatrin e mirë, tribut për teatrin e qytetit tim, ku unë punoj prej 10 vitesh. Në këtë 60-vjetor të teatrit tonë i mungonte në repertorin e tij një Shekspir, e unë le të themi e quaj një dhuratë”, thotë Dervishi. Gjuha tepër poetike, ajo çfarë e bën të dallueshme një vepër të Shekspirit, ishte ruajtur me kujdes nga regjisorja dhe pse dukej se ishin bërë përshtatje e shkurtime, por pa humbur aromën e tij.

Dhe pse e shkruar gati 400 vjet më parë dhe e rivënë në skenë mijëra herë në vende të ndryshme të botës, veprat e tij duken gjithnjë ndryshe… dhe sikur e gjejnë si me magji rrugën për në zemrat e çdo spektatori. Ndoshta se te fjalët e tij nuk mund të dyshosh, pasi teksa i dëgjon, janë ato që i themi shpesh me mendje. Tezeu ka të drejtë kur thotë se “të dashuruarit, poetët e lunatikët… vegimeve u japin disa forma që kurrë nuk mund t’i rrokë arsyeja e ftohtë”. Imagjinata është ajo që i çmend njerëzit, por, nga ana tjetër, është imagjinata ajo që i frymëzon ata. Ndaj “Ëndrra e një nate vere” të bën ta duash në çdo skenë ku mund të ngjitet, për imagjinatën që mbart. Ajo është vepra që Shekspiri e shkroi për të treguar forcën e ëndrrës, si tepër të rëndësishme për ekzistencën njerëzore. Për të treguar se të gjithë jemi të mbartur prej ëndrrash dhe se vetë jeta zgjat sa një ëndërr…



Disa mendime mbi ekspozitën e artistit të ri Eros Dibra

Eros Dibra qëndron në një propozim disi të panatyrshëm të tij për të afruar në vëmendjen e publikut një medium që tashmë në njëfarë mënyre është gati në periferi të lëndës dhe tendencës që ne afrojmë si përmbajtje kryesore të atelierit. Por duke e konsideruar që jetojmë në një terren të brishtë dhe shumë delikat dhe në një terren ku me kohëzgjatje presim vijimin dhe rritjen e këtyre luhatjeve që në art janë më se të pranueshme, vendosa t’i them “Po” asocimit tim përkrah këtij subjekti, duke ruajtur një hapësirë të domosdoshme mes vetes dhe tij, me qëllimin për ta parë të shprehur atë në këtë ekspoze pikture. Metoda për të vëzhguar me kujdes rritjen e një artisti, ka të bëjë me një histori tashmë në mes tij dhe formave të shfaqjes në mjediset ku ai studion dhe pse jo dhe dalëngadalë me një marrëdhënie miqësore mes meje dhe artistit. Duke minimizuar kufijtë ndarës të moshës dhe herazi dhe të koncepteve, marrëdhënia jonë me ngadalë u kthye në një mori shenjash e përkrahjesh të diskutimeve tona për modele arti dhe aq më shumë duke e zgjeruar gamën e mediumeve dhe diskutimeve për fenomenet me artin sot, me karakteret në art, për humusin e shtresave e korrenteve në koloritin jetësor, me rolin e letërsisë, muzikës, filmit dhe më tej në perceptimet e drejtpërdrejta njerëzore. Në njëfarë mënyre, përpara meje tashmë qëndronte një subjekt i interesuar disi në mënyrë jo të zakonshme për shumë gjëra. Saqë nganjëherë më dukej se mes nesh koha apo distancat e saj kishin humbur dimensionin dhe luhej në një terren të padallueshëm, si mes njerëzve të interesuar për artin në kuptimin më gjithëpërfshirëse të kësaj marrëveshjeje…

Në rrjetet e komunikimit në box-in tim të mbrëmjes do të gjendej e postuar nga Erosi në një gjuhë të thjeshtë e të ndjeshme të gjitha preferencat e shqetësimet e veta. Herë një kolonë zanore, herë një video, herë një këngë të vjetër, herë një poezi dhe herë sentenca filozofësh që flisnin për përkufizime territoresh kulturore në emër të eksperiencave njerëzore. Duke mos harruar shpesh një komunikim në gegnisht të sfogove për “Zanat e malit, “dashnitë” eposin dhe ngjarje të largëta, që historia tashmë i ka të ruajtura në “baulet” e arta të fjalës dhe magjisë së saj. Ky komunikim erdhi dhe u bë më i frytshëm nga sprova të shpeshta të mëparshme në reagimet dhe rritjen e tij në provokimet tona në atelie. Një vëzhgues i imët dhe mjaft fin në të gjitha gjetjet e tij dhe reagimeve në raport me lëndën. Përveç kësaj, në tipologjinë e tij ishte ajo lidhje organike mes artit dhe formës së jetuar me artin. Një natyrë e heshtur dhe me një bagazh punësh e reagimesh që nuk kishin të bënin me atë që është detyrim standard, por me pjekuri dhe këmbëngulje në portofolin e tij të krijimtarisë kish punë, punë dhe punë. Në një rritje krejt organike të një të riu me shqetësime për atë çfarë bënte. Në këtë rrjedhë të logjikës do të desha ta komentoj prurjen e tij të re që e quajti “Ndjesi të djegura”. Me sa duket, në ndërgjegjen e tij ende mbisundon një element mjaft shtytës, siç dhe është të “dyshuarit” ende për atë se çfarë do t’i rrinte më mirë si veshje apo medium, si të doni e quajmë, në raport me përputhjen e identitetit të tij si gjuhë në komunikim dhe në mesazhet që transmeton. Ky dyshim i tij, që herë pas here e kthen te një dashuri e vjetër siç është piktura, e bën udhëtimin e tij dhe më të çuditshëm dhe na vë përpara një pikëpyetjeje. Pse një ekspozitë pikture? Është sheshpushim? Nuk ka kryer ciklin apo eksperiencën e plotë në raport me këtë medium? Apo ngre përpara vizitorit një formë proteste i frustuar nga një revansh i mjeteve të reja që i favorizon koha. Le ta shohim. Në subkoshiencën e tij duket qartë një takim qetësie, ku mënyra e të pikturuarit u ngjan formave delikate e të qeta, që më shumë se një formë ndikuese te publiku mban mbi vete një formë vegimi të purpurt dhe të përjashtuar krejtësisht nga ky qëllim. Më shumë rreket drejt alkimisë dhe vrojtimit të brishtë për të shpërndarë forma të vagullta e simbolike në mes imazhit dhe shpërbërjes së tij. Vërejmë që ka një ndjeshmëri të butë e të shkrifët me mjetin të cilin përdor dhe nuk se shqetësohet gjatë për një ndërhyrje të shquar në dukje. Format e një ndjeshmërie disi të mbyllur atij i mjafton të jetë si një fëmijë naiv e i ngazëllyer në lojën e kalimeve të imta e të rrjedhshme të tij. Gjithsesi piktura e tij ka kodet e fshehta të saj dhe bashkë me këtë infiltrim dhe mesazhet e risjelljes në vëmendje të ndjeshmërive të buta e të rafinuara, por dhe një mënyrë disi të padukshme drejt periferive që kërkojnë qendrën në art edhe duke e risjellë në një term disi periferik e të harruar në dritaren e problematikës së veprës së artit. Çfarë është një vepër arti?! Më duket se do të na duhet ta rikërkojmë ende. Mendoj se në qendrën e dyshimit të tij ky student lëkundet të risjellë në dukje këtë dilemë të hershme, duke e lënë pezull dhe evazive përgjigjen e saj. Të shumtë e përcaktuan si kategori e së bukurës. Të tjerë e përkufizuan si përsëritje të imazhit dhe vetëpasqyrim. Të tjerë si prishje e realitetit apo realitet i ndërgjegjes. Disa e quajtën art të figurës. Dhe disa të tjerë si proces vetidentifikimi. Të tjerë paralele të realizmit poetik. Të tjerë përsëritje analitike të realitetit si hiperreale. Dhe të tjerë prekje primare me një zë fëmije. Dhe të tjerë formë konceptuale pa domosdoshmërinë e figurës e më tej pushtimit total në hapësirën e bashkëjetuar, ku fshin kufirin mes veprës dhe konsumatorit. Gjithnjë në një raport shkak-pasojë e ndërvarur nga ndryshimet objektive të peizazhit fizik dhe material të materies dhe shpirtit. Atëherë ku do ta gjejmë përzgjidhen se çfarë është arti? Më duket se do të duhet të udhëtojmë ende për ta gjetur!

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...