Shtetet e Bashkuara e njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe integritetin e saj, tha zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Victoria Nuland, në një konferencë për gazetarë mbrëmë në Uashington.
“Siç e dini, ne e njohim Kosovën si shtet të pavaur. Ne e njohim integritetin e Kosovës, përfshirë veriun”, tha Victoria Nuland, dhe shtoi se “është e qartë se i takon Kosovës se si të krijoj lloje të autonomisë, që disa serbë etnikë po e kërkojnë në veri”.
Por, sipas saj, “të gjitha këto janë çështje për të cilat zonja Ashton po punon, përfshirë edhe çështjen e strukturave paralele serbe”.
Mëtutje, zëdhënësja Victoria Nuland ka theksuar se “ne dëshirojmë të shohim zgjidhje paqësore të këtyre çështjeve, që u mundësojnë si Kosovës ashtu edhe Serbisë, që të lëvizin përpara përgjatë trajektorisë evropiane”.
E pyetur se a sheh rol për Serbinë në zgjidhjen e çështjes së serbëve etnikë në pjesën veriore të Kosovës, Victoria Nuland theksoi se Uashingtoni e sheh qartas “një rol për Serbinë në bërjen të qartë për shtetasit serbë, serbët etnikë, se është koha të zgjidhen këto çështje”.
Ajo ka përkujtuar se Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, është e angazhuar në diplomaci, së bashku me liderët kosovarë e serbë, “për të provuar për të punuar lidhur me çështjet e njohjes, të normalizimit të marrëdhënieve”.