Kosova dhe Serbia nuk merren vesh, siç pritej. Pas më shumë se 12 orësh takime të kohëpaskohshme e me tensione, lajmi nga Brukseli ka dalë se palët nuk janë pajtuar. Konfirmimin e shkurtër e ka bërë edhe vetë shefja për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, e cila ka thënë se ky është takimi i fundit formal ndërmjet palëve. Tash ato do të kthehen në kryeqytete përkatëse për konsultat e fundit. “Sot e kishim takimin e fundit me dy kryeministrat. Të dy kryeministrat të cilët sërish i përgëzoj për përkushtimin shoqëroheshin nga zëvendëskryeministrat e tyre. Takimi ka zgjatur 12 orë. Kjo është hera e fundit që takohemi formalisht . Disa propozime janë vënë në tavolinë. Dallimi ndërmjet tyre është shumë i ngushtë por i thellë. Ata të dy tash do të kthehen në kryeqytetet e tyre përkatëse dhe do të diskutojnë me kolegët e tyre. Dhe pastaj në ditët në vazhdim do të m’i komunikojnë mua vendimet e tyre. Ju dëshirojë udhëtim të mbarë në shtëpi dhe sukses në arritjen e konkluzioneve.”, ka thënë Ashton , raporton KTV.
Kryeministri Thaçi e ka fajësuar Serbinë për mosarritjen e marrëveshjes, duke thënë se ajo është treguar joparimore.Megjithatë, Thaçi mbetet me shpresën se marrëveshje do të ketë, pas reflektimit të Serbisë.
Thaçi ka insistuar se të gjitha zgjidhjet, do të jenë në respektim të Kushtetutës së Kosovës, ligjeve dhe Pakos së Ahtisaarit. Ai ka ripërsëritur se Asociacioni i Komunave nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. E pikërisht, këto kompetenca janë ajo cka insiston Serbia.
Kryeministri serb Ivica Daciq ka thënë pas takimit se dallimet e mëdha mbesin në këtë çështje.Ai ka pohuar se prandaj nuk ka pasur marrëveshje, dhe se palëve u është dhënë një kohë që të arrijnë konkluzionet përkatëse.Lajm është bërë posaçërisht zv/kryeministri serb Aleksandër Vuciq që ka marrë pjesë për herë të parë në takim.Thaçi ka rrëfyer se Vuciq ishte emocional dhe i papërgatitur dhe se kishte retorikë të Sheshelit, nga e cila duhet hequr dorë.Daciq ndërkohë ka konfirmuar se në një moment gjatë takimit, Vuciq i kishte ofruar atij dorëheqjen, por që ky nuk e pranoi. Ende nuk është e qartë se sa kohë do t’i duhet Prishtinës dhe Beogradit për të arritur tek qëndrimet përfundimtare.
Baronesha Catherin Ashton tha se ky është takimi i fundit formal. Ajo tha se ka pasur shumë përafrime, shumë ide në diskutime, dhe se dallimet janë të pakta, por janë të thella. Ajo tha se i uron sukses në kthimin e tyre. Baronesha Ashton e paraqitur para pak çastesh, në një incizim prej vetëm 20 sekondash, duket e lodhur dhe e dëshpëruar, dhe e gatshme ti shpall në fakt të përfunduara ato, nëse jo të dështuara.
Bashkimi Evropian ka njoftuar se nuk kanë mundur të arrijnë një marrëveshje, as pas negociatave që kanë zgjatur më shumë se 12 orë. Baronesha Catherine Ashton, ka lëshuar një komunikatë për media, pak pas mesnatës ku ka njoftuar se ky është takimi i fundit formal. Ajo ka thënë se palët kanë mospajtime të thella.
“Është kjo hera e fundit që po mbajmë një takim formal” është shprehur shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, pas përfundimit të pasuksesshëm të takimit të Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi me homologun e tij nga Serbia Ivica Daçiq të mbajtur sot në Bruksel.
“Një numër propozimesh janë ofruar në tryezën e bisedimeve, hendeku mes palëve është i vogël, por i thellë. Të dyja palët do të shkojnë dhe do të konsultohen me kolegët e tyre. Presim që brenda disa ditësh të na e komunikojnë vendimin”, ka thënë Ashton, në prononcimin e saj për media.
Kryeministri Hashim Thaçi tha se kërkon reflektimin e Serbisë në ditët e ardhshme, ndërsa Serbia nuk duhet ta mbajë më tej të tensionuar veriun. Thaçi tha se nuk dihet kur do të vazhdojnë bisedimet, por kjo do të ndodhë kur Serbia të jetë e gatshme për marrëveshje.
Thaçi në takimin me gazetarë, pas atij që e mbajti kryeministri i Serbisë, e falënderoi baroneshën Eshton për udhëheqjen brilante të këtij procesi negociator. Ai tha se pala e Kosovës i ka dhënë idetë e Kosovës, që janë integruese, afruese dhe në interes të të gjithë qytetarëve. Ai tha se don të mbetet me shpresë që qasja e Beogradit të mos mbetet e ngurtë, dhe se do të ndryshojnë qëndrimet e saja.
Thaçi tha se nuk ishte takim i lehtë.
Kryeministri Thaçi ka ritheksuar se nuk do të bëjë asnjë lëshim tjetër duke respektuar Kushtetutën e vendit dhe kartën evropiane për pakicat dhe se nuk e ka ndërmend që tu jepen kompetenca ekzekutive asociacionit të komunave serbe.
Thaçi: Marrëveshjen e refuzoi Beogradi
Thaçi më pas në një intervistë telefonike për RTK-në tha se kishin shkuar në Bruksel me qëllimet më të mira. Ai tha se Serbia po synon të përfitojë në kohë, dhe ka një qëndrim hezitues dhe madje refuzues.
Por, ai sërish u kërcënua se në të kundërtën, nëse nuk ka marrëveshje, Kosova do të vazhdojë me agjendën e përbashkët evropiane dhe amerikane për ta normalizuar vetë gjendjen në veri.
Ai tha se Serbia për një kohë të gjatë i ka gënjyer qytetarët serbë atje, duke u thënë se mund të ndodhë ndarja e asaj pjese, republika për ta apo autonomia. Ai tha se nuk mund të pranohet që Asociacioni i Komunave Serbe të ketë kompetenca ekzekutive.
Thaçi tha se nuk mund të ketë bosnizim të Kosovës, institucionet do ta shtrijnë autoritetin në veri, dhe njëkohësisht do të punohet për krijimin e asociacionit të komunave serbe, dhe se mbetet qëllimi që të normalizohen marrëdhëniet me Serbinë.
Thaçi tha se ka qenë edhe në bisedime të tjera, por tha veç ndryshimit të personazheve, mendësia serbe nuk ka ndryshuar, por shpreson se mund të ketë një reflektim të thellë në ditët në vijim.
Ai tha se ai mentalitet i vjetër ka refuzuar marrëveshjen në Rambuje, në Vjenë dhe nuk është befasi refuzimi i sërishëm i një marrëveshje, por do të ishte konfirmim i logjikës së konfrontimit dhe konflikteve.
Ndërsa, kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq, ka thënë se nevojitet edhe një javë kohë për të biseduar palët në vendet e tyre për konsultime të mëtejshme.
Bisedimet kishin filluar në orën 10 e 30, në fakt ato kanë nisur me takimin e ndërmjetëses baroneshës Catherin Ashton me palën serbe, dhe ato kanë vazhduar pastaj me takimin tjetër dy palësh, BE-Kosovës, përkatësisht Ashton – Thaçi. Pastaj takimi ka vazhduar me takimin trepalësh, dhe për tu rikthyes sërish tek takimet dypalëshe, ndërkohë që në takimin trepalësh kishte pasur përplasje të madhe retorike dhe tensionim. Dhe në takimi i tretë trepalësh ka filluar rreth orës 22.30 për të përfunduar pas mesnatës.
Gazeta Express ka mësuar më shumë rreth përplasjes që ka pasur pala kosovare dhe ajo serbe gjatë ditës, në raundin e tetë të bisedimeve.
Mësohet se fjalosja ka ndodhur ndërmjet Kryeministri Thaçi dhe Zëvendëskryeministrit të parë serb Aleksandar Vucic.
Një burim i gazetës kështu e ka përshkruar situatën.
“Takimi është ndërprerë kur ka filluar përplasja e Kryeministrit Thaçi me radikalin Vucic. Vucic ka thënë Thaçi se Serbia ka Kushtetutën e saj dhe Kosova është në Kushtetutën e saj.
Kryeministri Thaçi ka reaguar duke thënë se “mua nuk më intereson se çka shkruan në Kushtetutën tuaj . Ne e kemi Kushtetutën tonë dhe shtetin tonë. Nëse ju rrihet në takim mund të rrini, nëse je mund të dilni” ka transmetuar një burim i gazetës fjalët e Kryeministrit.
Sipas burimeve pas kësaj, Ashton ka realizuar takime të ndara me ekipet negociatore, të cilat ende janë duke vazhduar.