2013-04-05

Nga Flori Bruqi:Serbia duhet të pranojë se Kosovën e ka humbur Sllobodan Millosheviqi ,para 14 vjeteve...


Situata e sigurisë në veri të Mitrovicës e qetë, por jo e qëndrueshme
Situata e sigurisë në veri të Mitrovicës është e qetë, por jo e qëndrueshme, kanë vlerësuan zyrtarët komunalë dhe përfaqësuesit e strukturave të sigurisë, të cilët morën pjesën në takimin e Komitetit të Sigurisë që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës.
“Incidentet e shpeshta në veri dhe provokimet e strukturave ilegale serbe, janë duke e mbajtur situatën të tensionuar”, ka deklaruar drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim i Komunës së Mitrovicës, Behxhet Bala, njofon zyra për media e Komunës e Mitrovicës.





Shqiptarët për herë të parë në histori janë krenarë se me një superfuqi kanë vetëm aleancë dhe asnjë raport tjetër vasaliteti apo çfarëdo tjetër interesash të kryqëzuara që do të mund ta ndjenin të shtypur nga aleati i tyre. Derisa nga historianët është hapur debati i ridiskutimit të marrëdhënieve të shqiptare me perandorinë osmane, nëse ata ishin një popull i shtypur apo i privilegjuar, dhe dallimet që ngrehin këto dy koncepte, me amerikanët, raporti është i qartë si kristali.
Qeveria e Serbisë dhe institucionet e saj, përfshirë mediat vazhdojnë ta fajësojnë SHBA-në për mos nënshkrimin e marrëveshjes të martën në Bruksel, pasi sipas tyre ishte i gatshëm Kryeministri i Kosovës këtë ta bënte, por ishte ndërhyrja e zëvendësndihmësit amerikan të shtetit Filip Riker, që e kishte shtyrë të refuzonte marrëveshjen, përkatësisht kompetencat që do të mund të çonin në një autonomi apo pushtet të tretë në Kosovë, që do të nënkuptonte status special, dhe që andej do të mund të ishte përgatitje e shkëputjes së veriut të Kosovës në të ardhmen nga Serbia.



Ambasadori amerikan në Beograd, Michael Kirby, tha sot se beson se Serbia duhet të kapë mundësinë për të luftuar për një datë për fillimin e negociatat me Bashkimin Evropian.
Ai ka theksuar se dështimi për të arritur marrëveshje në mes të Prishtinës dhe Beogradit nuk do të thotë se deri te kompromisi i të dy palëve është e pamundur për të arritur.

"Sa për i përket rajonit të Serbisë jugore, mos zhvillimi ekonomik i kësaj pjese të vendit është dilemë e madhe dhe e vështirë”, ka thënë Kirby në forumin “Dialogu kundër stereotipit - të gjithë jemi një”.

Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, ka thënë se arritja e marrëveshjes në dialogun Prishtinë-Beograd do të ishte në dobi të qytetarëve të Kosovës dhe të Serbisë.

“Lëvizja e lirë e njerëzve dhe kapitalit është në interesin e dyanshëm”, ka thënë ai.


Kosova do të marrë vendime të vështira në ditët në vazhdim në bisedimet me Serbinë, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi të enjten në një takim me gazetarë. Duket se me këtë qëndrimi i Kryeministrit të Kosovës ka ndryshuar, nuk është ai, që u deklarua në fund të takimit parmbrëmë në Bruksel. Ai ishte i prerë dhe i qartë se nuk mund të ketë asnjë lëshim nga Kosova, nuk mund të ketë përgjegjësi ekzekutive për Asociacionin e komunave serbe të Kosovës.
Ky ndryshim i qëndrimeve të Kryeministrit të Kosovës nuk është ogur i mirë, përkundrazi mund të ketë prezantimin e një skenari negativ dhe të rrezikshëm për Kosovën.




Koordinatori i përhershëm i Kombeve të Bashkuara në Serbi, William Infante, ka deklaruar se, sipas statistikave, jugu i Serbisë i ka 60 për qind të të ardhurave kombëtare mesatare në Serbi, që do të thotë se rrogat e qytetarëve në këtë rajon janë për 50 për qind më të vogla në krahasim me ato që i kanë pasur në vitin 1989.

“Pyetem se si njerëzit këtu në përgjithësi mund të mbijetojnë. Kur flasim për stereotipe, i pari është se në jugun e Serbisë janë më tepër se 50 për qind të banorëve të papunë, ndërsa në disa komuna, kjo shifër është edhe 80 për qind. Stereotipi i dytë është se ky rajon nuk ka infrastrukturë”, tha sot Infante.

Ai ka theksuar se “vetëm 3 për qind të mjeteve të tërësishme, që i ka marrë Serbia nga viti 2001 e deri në vitin 2012, janë shpenzuar në jug të Serbisë, dhe se perspektiva e vetme e këtij rajoni është hapja e vendeve të reja të punës”.

Kryeministri Hashim Thaçi, njoftoi sot kabinetin qeveritar për takimin e fundit me kryeministrin serb në Bruksel. Procesin e dialogut kryeministri edhe njëherë e konsideroj të vështirë, por duke shpresuar se në fund do të arrihet marrëveshje.

Në rast të dështimit, siç tha ai, të gjithë do të humbin dhe procesi gjashtë mujor i përpjekjeve për të arrit marrëveshje rezulton pa fitues.

Në vazhdim po e prezantojmë të plotë fjalimin e Kryeministrit Thaçi:

Më lejoni që të falënderoj baroneshën Ashton për udhëheqjen e saj të shkëlqyeshme të këtij procesi, për udhëheqjen brilante.

Falënderoj të gjitha shtetet e BE-së për qëndrimin e tyre unik në këtë përkushtim të Kosovës dhe të participimit edhe të Serbisë, për arritjen e një marrëveshjeje për fqinjësi të mirë, si para kushte për lëvizje përpara.

Falënderoj edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për garancinë që kanë dhënë në këtë proces, që ka qenë një siguri për Kosovën, popullin e saj, për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Falënderoj edhe spektrin politik kosovar mbështetës të këtyre angazhimeve, që i ka pasur Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ne, drejtpërdrejt në takimin e Brukselit.
Kosova ka shkuar në të gjitha takimet shumë mirë e përgatitur, duke prezantuar argumentet e qëndrueshme.
Prandaj, sot pozicioni i Kosovës është një pozicion plotësisht në pajtueshmëri me qëndrimet dhe parimet e prezantuara edhe nga BE-ja, me mbështetje të plotë edhe të SHBA-ve.
Ne kemi prezantuar idetë tona kreative, që do të dërgonin drejt arritjes së një marrëveshjeje të normalizimit të marrëdhënieve.
Delegacioni i Kosovës ka qenë i gatshëm dhe ka punuar për arritjen e marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, ka qenë i përgatitur, sepse ka pasur Kushtetutën dhe ligjet, ka respektuar Kartën evropiane dhe standardet evropiane.
Këtë proces e kemi marrë dhe kemi punuar seriozisht në mënyrë të ndërgjegjshme. Edhe takimi i fundit ka qenë një takim maratonik, jo i lehtë, që është përcjellë me prezantimin e argumenteve dhe kundërargumenteve nga të dy palët.
Natyrisht se janë këto ditë shtesë për konsulta të nevojshme deri në arritjen e marrëveshjes.
Kosova është e përkushtuar për arritjen e marrëveshjes, që do të ishte në të mirën e Kosovës, në funksion të fqinjësisë së mirë dhe evropianizimit të rajonit. Pra, një marrëveshje që nuk do të ishte vetëm në të mirë të Kosovës, por edhe të fqinjësisë së mirë, që do të ishte në interesin e lëvizjes përpara, drejt perspektivës edhe të Kosovës edhe të Serbisë, por që do të dërgonte mesazhin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.


Prandaj, pavarësisht nga vështirësitë, që janë duke e përcjellë këtë proces, që kanë qenë edhe të pritshme dhe që janë krejt normale, ne shpresojmë në arritjen e marrëveshjes dhe dialogu mbetet alternativa e vetme për ndërtimin e fqinjësisë së mirë mes Kosovës dhe Serbisë.



Unë shpresoj në arsyen e të gjithëve, që të dominojë përgjegjshmëria, arsyeja politike dhe vendimmarrja për të ardhmen, mbi emocionet e së kaluarës.


Jam shumë i vetëdijshëm se këto vendime që do të merren në ditët e ardhshme, nuk do të jenë të lehta për asnjë lider dhe institucione. Por, dua të shpresoj se do të lëvizim drejt një vendimmarrje që u hapë perspektivë qytetarëve tanë, pa dallim etnik, një vendimi që do të ndryshojë jetën e njerëzve për të mirë, jetën e qytetarëve tanë, që të realizojmë ëndrrën e tyre për një jetë më të mirë, për standarde euroatlantike dhe një bashkëpunim ndërfqinjësor të nevojshëm, domosdoshëm.
Ajo që është vonuar tash e 15 vite, vlerësojmë që duhet të arrihet tani dhe të mos humbasim kohë. Thjeshtë, duam që kjo mundësi të mos humbet, por të arrihet tek një vendim i pranueshëm dhe pastaj edhe i implementueshëm.
Siç edhe e dini, një nga çështjet më të rëndësishme që është diskutuar, ka qenë edhe mundësia e formimit të një asociacioni të komunave me shumicë serbe, i cili duhet të jetë sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, nuk do të ketë kompetenca legjislative, ekzekutive apo të pushtetit të tretë; sistemi i drejtësisë do të jetë unik, sipas ligjeve kosovare në gjithë territorin e Kosovës;

Kosova do ta ketë një sistem policor, një zinxhir komandues, policia do të funksionojë sipas ligjeve kosovare dhe një hierarkie nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, do të ndodhë shpërbërja e plotë e strukturave ilegale të sigurisë, ndërsa do të krijohen rrethana dhe kushte për lëvizje të lirë të njerëzve dhe të mallrave edhe në veri dhe, gradualisht do të shkohet drejt organizimit të zgjedhjeve të lira edhe në veri.
Institucionet e Republikës së Kosovës do të ftojnë OSBE-në për të krijuar rrethana lehtësuese, menaxhuese, pro edhe organizim të këtyre zgjedhjeve dhe pastaj ky rezultat zgjedhor të certifikohet nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Republikës së Kosovës dhe nga këta kryetarë të komunave që do të dalin nga zgjedhjet komunale, të formohet ai asociacion, i cili do të luajë rolin e një mekanizmi plotësisht në përputhshmëri me angazhimet tona kushtetuese dhe ligjore.


Shpresoj se do të kemi një angazhim shtesë edhe në këto ditë që kanë mbetur nga të gjithë faktorët relevantë, në mënyrë që të shkohet drejt arritjes së asaj për çka kemi punuar në këta gjashtë muaj.
Është jashtëzakonisht me rëndësi që Bashkimi Evropian, 22 vende që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe pesë të tjera që janë në proces të njohjes, kanë qenë unik dhe qëndrimit të tyre dhe mbështetje të plotë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi; kanë qenë unik në mbështetje të baroneshës Ashton.
Dëshiroj të potencoj se arritja e marrëveshjes hapë një perspektivë të gjithanshme, një perspektivë që nuk do të mund të ndalet, që nuk do të mund të krijojë situata të tjera të ngrirjes së gjërave, por të lëvizjes progresive, lëvizjes përpara.


Në rast të mosarritjes së marrëveshjes, nuk do të ketë fitues, të gjithë do të jemi të dëmtuar.
Kështu që, edhe ne kemi qenë kreativ aq sa na ka lejuar Kushtetuta dhe ligjet tona, por në të njëjtën kohë është me rëndësi që interesi qytetar i të gjithëve pa dallim etnik, interesi për të ardhmen evropiane të vendeve tona, interesi për ngadhënjimin e vlerave euroatlantike, të dominojë si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd, në mënyrë që të mos mbesim peng në vendimmarrje të politikave ditore, të politikave elektorale, por, vendimmarrja të jetë në interesin e vendeve dhe gjeneratave të ardhshme dhe në asnjë rrethanë të mos mbesim viktimë e së kaluarës.


Në këtë drejtim, shpresoj se në ditët e ardhshme do të kemi edhe lëvizje pozitive, që do të përafrojnë qëndrimet dhe arritjen e marrëveshjes.
Nuk ka qenë e lehtë për ne në Prishtinë, nuk ka qenë i lehtë ai dialog, ato debate, por besojmë në një vizion të së ardhmes, që do të çojë drejt konsolidimit të Kosovës, funksionalizimit të tërë sistemit shtetëror në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës dhe përshpejtimit të integrimeve evropiane për Kosovën.
Ne do të jemi në kontakt të vazhdueshëm me gjithë spektrin politik, për çka do të shihemi edhe për shkak të reformës elektorale. Me disa prej liderëve veç kam diskutuar dhe janë mbështetës.
Do ta kemi edhe një prezantim dhe informim për ambasadorët e BE-së sot, ndërsa, do të bëjmë kërkesën për një informatë apo raport në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në mënyrë që i gjithë procesi të jetë transparent, siç ka qenë deri më tani.



Dje kam informuar presidenten e Republikës së Kosovës, zonjën Jahjaga; edhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile kemi diskutuar dje dhe do të diskutojmë me të gjithë njerëzit që duan dhe janë të interesuar të diskutojnë.
Falënderoj të gjithë për mbështetjen e tyre, falënderoj edhe për debatin që kemi zhvilluar, për sugjerimet.

I kuptoj edhe shqetësimet dhe i marrë shuam seriozisht, por i siguroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se vendimi që do të merret do të jetë vendim për të mirën e vendit, për të mirën e qytetarëve të Kosovës, mbi interesat partiake, mbi interesat e politikës ditore.

Dhe, ky vendim që do të merret, do të jetë plotësisht në përputhshmëri edhe me angazhimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe Kosova do ta ruajë atë partneritet si sot, nesër, siç e ka pasur dje, si dhe në të ardhmen, sepse është rruga e vetme, pra, stabilizimi i Kosovës, zhvillimi i Kosovës, rendi dhe ligji, ngritja e mirëqenies sociale të qytetarëve, lëvizja drejt integrimeve. Kjo mund të arrihet vetëm duke krijuar stabilitetin në Kosovë, një rrethanë çfarë ne do të dëshirojmë që Kosovën ta kemi atdhe të të gjithë qytetarëve të saj.



Ultimatumet për çështjen e Kosovës janë të papranueshme, është shprehur sot ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.

“Ne e mbështesim politikën, që udhëheqësia e Serbisë e zhvillon për Kosovën”, u tha gazetarëve Sergei Lavrov, dhe shtoi se pozicioni i Serbisë “korrespondon me parimet kryesore të Aktit Final të Helsinkit, që nënkupton se zgjidhja e të gjitha problemeve duhet të arrihet me marrëveshje reciproke”.

Zoti Lavrov, siç raporton mëtutje agjencia Itar-Tass, ka përkujtuar se kur Bashkimi Evropian fillimisht i ndërmjetësoi takimet Beograd - Prishtinë, me qëllim të arritjes së çfarëdo vendimi të pranueshëm reciprocikisht, Rusia e ka përshëndetur pozicionin e saj.

“Ne e kemi mbështetur rezolutën përkaktëse të Asamblesë së Përgjithshme, që i miratoi përpjekjet për ndërmjetësim”, tha Lavrov.

Ai konsideron se “as rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme, që i përcakton parametrat e bisedimeve, e asnjë dokument tjetër, nuk paraqesin ndonjë provë se ultimatumet janë të pranueshme”.



E martja e ardhshme pritet të jetë vendimtare për arritjen e apo jo të marrëveshjes midis Prishtinës dhe Beogradit në kuadër të procesit të dialogut që po udhëhiqet nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur i gatshëm të rikthehet në tavolinën e bisedimeve për të finalizuar procesin me marrëveshje.

Përderisa pala serbe thotë se marrëveshja kornizë e ofruar nga shefja e diplomacisë evropiane është e një anshme dhe nuk i merr parasysh kërkesat e Beogradit.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se dialogu ka qenë i vështirë, por ka shprehur shpresën e tij se në fund do të arrihet marrëveshja. Në të kundërtën, ai tha se të gjithë do të dëmtohen.

“Dëshiroj të potencoj se arritja e marrëveshjes hapë një perspektivë të gjithanshme, një perspektivë që nuk do të mund të ndalet, që nuk do të mund të krijojë situata të tjera të ngrirjes së gjërave, por të lëvizjes progresive, lëvizjes përpara. Në rast të mosarritjes së marrëveshjes, nuk do të ketë fitues, të gjithë do të jemi të dëmtuar”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri Hashim Thaçi edhe një herë përsëriti se pozicioni i Kosovës është në pajtueshmëri me parimet dhe qëndrimet e prezantuara edhe nga BE-ja.

Ai tha po ashtu se takimi i fundit i datës 2 prill, ishte maratonik dhe jo i lehtë. Përderisa në ditët e ardhshme, vijoi ai, procesi do të duhej të të rezultonte me marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

“Vendimet që do të merren ditëve të ardhshme nuk do të jenë të lehta për asnjë lider dhe institucione. Por, dua të shpresoj se do të lëvizim drejtë një vendimmarrje që i hap perspektivë qytetarëve tanë pa dallim etnik, një vendimi që do të ndryshojë jetën e njerëzve për të mirë”, ka thënë kryeministri.

Në anënn tjetër, Marko Gjuriq, këshilltar politik i presidentit të Serbisë, gjatë një vizite që po i bën pjesës veriore të Mitrovicës ka deklaruar për mediat serbe se dialogu po zhvillohet njëanshëm dhe se sipas tij, nuk po merren për bazë edhe kërkesat e palës serbe.
“Të marten paradite është afati të cilin përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian e ka caktuar dhe kur ajo pret nga ana e jonë që të dëgjoj deklarimin në lidhje me ofertën që na e ka bërë e cila nuk ndryshon me asgjë me ato tetë pikat që tashmë i kemi parë”, ka thënë Gjuriq.

Sipas tij, Catherine Ashton sërish nuk ka ofruar kompetenca për serbët në fushën e gjyqësisë, policisë, nuk e ka paraparë mos pranininë e forcave të FSK-së në veri si dhe kërkesa të ngjashme që kanë të bëjnë me asociacionin e komunave serbe përmes së cilave Beogradi synon të krijoj edhe një pushtet autonom për serbët në veri.

Mirëpo, në lidhje me këto kërkesa të palës serbe, kryeministri i Kosovës edhe të premten ka përsëritur se asociacioni i komunave serbe do të jetë në përputhshmëri me kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.

Kurse sistemi i drejtësisë dhe ai i policisë, sipas tij do të jenë unik me një zinxhirë komandues. Kurse ka kërkuar që me marrëveshjen eventuale të definohet qartë shpërbërja e të gjitha strukturave ilegale të Serbisë në veri.

Dialogu Prishtinë - Beograd po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe si synim ka normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Pas takimit të 2 prillit, ku palët nuk arritën marrëveshje, ndërmjetësuesi u ka lënë palëve të vendosin nëse mund të kthehen në fillim të javës tjetër në Bruksel për të arritur marrëveshjen apo jo.

Dallimet mes palëve janë të mëdha në lidhje me pozitën e komunitetit serb që jeton në Kosovë, sidomos atij në veri për të cilin Beogradi kërkon edhe një lloj autonomie, çka për Prishtinën mbetet kërkesë e papranueshme.


Duke u përgjigjur në pyetjen nëse Serbia do të jetë në gjendje që shumë shpejt të përmbushë “Shtatë kushtet gjermane” për të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, funksionari i lartë gjerman nga liberalët në pushtet (PDP), Rainer Stinner tha se “Bundestagu shumë qartë ka deklaruar se negociatat e pranimit janë të pamundura pa një përmirësim të dukshëm të raporteve të Serbisë ndaj Kosovës”.

“Meqë kjo nuk është bërë, nuk shoh asnjë mënyrë që Serbia mund të marrë datën. Ne i përmbahemi asaj për të cilën jemi zotuar më 2003, por nuk jemi të gatshëm për të bërë ndonjë lëshim kur është fjala te kushtet”, ka thënë Stinner në një intervistë për median serbe.

Sipas tij, problemi më i madh është që Serbia duhet ta pranojë se Kosovën e ka humbur Milosheviqi (Sllobodan).

“Për sa kohë që Serbia përpiqet të ruajë strukturat në veri të Kosovës, të cilat direkt i kontrollon Beogradi, nuk do të ketë zgjidhje”.

Ai tha se gjatë vizitës së tij në Prishtinë ua ka bërë me dije politikanëve kosovarë se është i papranueshëm intervenimi i armatosur për të zgjidhur problemet në veri, sidomos në Mitrovicë, dhe se Prishtina duhet ta ketë një ofertë politike për njerëzit që jetojnë në këtë rajon. Stinner tha se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit ka qenë i pasuksesshëm, por që shpreson se do të vazhdojnë negociatat për të arritur tek një zgjidhje.


“Është mirë për të dy palët që të krijojnë përparime në rrugën e tyre drejtë BE-së”.

No comments:

Post a Comment

Enver Hoxha nga vrasjet e kryeministrave te arrestimi i 1400 studenteve ne 1 vit

Në listën e 33 drejtuesve të qeverive shqiptare, prej vitit 1912 deri më sot, Enver Hoxha ishte kryeministri i 22­të. Ai e mbajti këtë dety...