Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/07/25

CILI ISHTE KRIM I LUFTËS?



 Nga Berat Buzhala

Fjalimi i sotshëm në Kuvendin e Kosovës

Të nderuar kolegë deputetë, qytetarë të Republikës së Kosovës, jeta para se gjithash është një proces i komplikuar. E tillë është edhe jeta politike. Kurse fundamentalistët janë ata që e shohin atë si një proces të thjeshtë dhe përpiqen ta interpretojnë në mënyrë të ngushtë dhe rigjide. Ose bardh ose zi. Ose ditë ose natë. Ose mirë ose keq. Ose për ose kundër. Ose me ne ose kundër nesh. Ose mik ose armik.

Jam i bindur se ne debatin e sotshëm do të na bjerë të dëgjojmë tirada të pafundme dhe monotone të natyrës së "a ju kemi thënë ne në krye të herës". "Kur ne ishim kundër Eulex'it ju e kërkonit Eulex'in". "Tash jeni ngritur kundër Eulex'it sepse po ju dhemb ju".

Siç do të mund të na bjerë të dëgjojmë edhe të tilla, se ne edhe më tutje kemi nevojë për Eulex'in. Se po nxitohemi paksa.

Për disa po vonohemi, e për disa të tjerë po nxitohemi. Disa mendojnë se Eulex'in as që është dashur fare ta pranojmë, e disa të tjerë mendojnë se jo vetëm që është dashur ta pranojmë, por ne duhet që edhe t'ia vazhdojmë mandatin edhe më tepër, e madje te kemi edhe kujdes për gjuhen që e përdorim ndaj këtij misioni.

Të nderuar kolegë deputetë, kam qenë njëri prej deputetëve që para disa javësh pata kërkuar që të organizoheshim për të mbajtur një seancë, një debat, a quajeni ju si të doni, ku do të diskutonim për trendin në rritje të arrestimeve për krime të luftës. Personalisht nuk jam aspak i kënaqur me tekstin aktual. Do te doja të ishim shumë më eksplicit në kërkesën tonë.

Dhe kjo nuk është aspak sekret: Unë personalisht e konsideroj qesharake, nënçmuese, përbuzëse, joserioze, turpëruese, provokative dhe të pandershme fushatën e misionit te Eulex'it për t'i zbardhur gjoja krimet e luftës, 15 vjet pas luftës. E konsideroj si futje e gishtit në syrin tonë tendencën e Eulex'it për t'i arrestuar krerët e UÇK'së bazuar mbi disa deklarata të dëshmitarëve recidivistë.

Unë, të nderuar kolegë deputetë, sa herë ndërrojnë faktet i ndërroj mendimet. Kurse fundamentalistët provojnë t'i ndërrojnë faktet, në vend se t’i ndërrojnë mendimet.

Dhe faktet kanë ndryshuar në rrafshin e hetimit të krimeve të luftës. Misioni i Eulex'it po kujdeset të më bindë për çdo ditë në këtë drejtim. Nuk dëshiroj të keqkuptohem - madje as prej këtij misioni - sepse unë besoj fuqishëm në vlerat europiane.

Siç besoj edhe në luftimin e krimeve të luftës. Siç besoj dhe siç e respektoj edhe të drejtën e secilit individ dëshmitar, a gazetar, për të shprehur dyshime. Për të menduar ndryshe, qoftë edhe duke ngritur pikëpyetje të mëdha për ndershmërinë a korrektësinë e secilit prej pjesëtarëve të luftës.

Mirëpo, jo Mauricio Salustro, jo Fatos Lubonja e Arben Idrizi, por edhe po të ngrihet prej varrit vetë Giovanni Falcone nuk do të mund të më bindë se ngatërresat ndërshqiptare të bazuara kryekëput në Kanunin prapanik të Lekë Dukagjinit, mund të kategorizohen si krime të luftës.

Këto ngatërresa mund të janë krime që janë kryer gjatë kohës së luftës, por assesi nuk janë krime të luftës.

Pa dashur që në asnjë formë t'i rras duart e mia të ngathëta në punët e holla të drejtësisë, mirëpo megjithatë dëshiroj te them se jo çdo krim i kryer gjatë luftës është krim lufte. Kurse në anën tjetër të gjitha krimet e luftës janë të tilla vetëm nëse janë të kryera gjatë luftës.

Të nderuar deputetë, dëshiroj t'i ndaj me ju, e edhe me Eulex'in, dy krime që kanë ndodhur gjatë luftës dhe ju më tregoni mua se cili prej tyre është krim i luftës: në prill të vitit 1998 persona të maskuar, që flisnin shqip, që e kishin edhe emblemën e UÇK-së mbi supe, e ndoshta edhe të komanduar prej ndonjë figure eminente, i kanë rrahur pa mëshirë - e sidomos pa asnjë motiv lufte - nja 30 a 40 burra të fshatit Çabiq, të cilët edhe ashtu po e jepnin kontributin e tyre në çlirimin e vendit tonë. Më ndiqni me vëmendje ju lutem: Saktësisht një vit më vonë, në prill të vitit 1999, po në fshatin Çabiq - forcat serbe i vranë pa mëshirë, por me motive të forta lufte rreth 20 persona – në mesin e tyre edhe gjyshin e gjyshen time. Dua të nënvizoj se në mesin e të vrarëve prej forcave serbe kishte edhe prej atyre që një vit me herët ishin rrahur pa mëshirë prej personave të uniformuar me emblemën e UÇK'së.

Nëse me keni përcjellë me vëmendje atëherë dua te them se mungesa e mëshirës në kryerjen e krimit i përbashkon të dy krimet.

Mirëpo, këto dy krime dallohen sikur dita me natën te motivi i kryerjes. Në rastin e rrahjes motivi ka qenë hakmarrja primitive farefisnore. Thënë ndryshe, fqinji po e rrihte fqinjin, daja po e rrihte nipin, ose nipi po e rrihte dajën, por jo për shkak të ndonjë qëllimi ose motivi të lidhur me luftën, ose për të arritur qëllime në luftë. Pra, ky krim ka qenë, por jo i luftës.

Kurse në rastin e dytë, atë të vrasjes, vrasësit krimin po e kryenin me një gjakftohtësi tipike. Motivi kryerjes së këtij krimi ishte i qartë: frikësimi i popullatës dhe dëbimi i tyre prej shtëpive. Pra, ekzistonte komploti dhe konspiracioni. Po i vrisnin pleqtë e plakat në shtëpi, sikur vranë Gegë dhe Mane Buzhalën, 84 vjeç, jo pse ndaj tyre kishin urrejtje personale, por sepse duke i vrarë ata synonin t'i frikësonin të gjithë të tjerët që qëndronin në shtëpitë e tyre.

Kurse për fshatin Çabiq prioritet ka qenë, është dhe do të jetë zbardhja e vrasjes së më të dashurve të tyre, si dhe arrestimi i atyre që e nxitën, e orkestruan dhe e kryen këtë krim të luftës. Mirëpo, nuk jam i sigurt se çka konsideron prioritet Prokuroria e Eulex'it.

Javën e kaluar në hollin e Kuvendit e pata një debat tepër të veçantë me njërin prej kolegëve të një partie rivale, për të cilin kam respekt. Flisnim hapur nëse duhet të kemi një Tribunal vendor për krime të luftës, ose jo. Nëse ishim ne të zotët që të përballeshim me një detyrë kaq të rëndë dhe kaq me përgjegjësi ose jo. Kolegu im ishte skepktik në këtë drejtim. I kishte rezervat e tija, të drejta.

Pa dashur që të jam aspak sarkastik, mirëpo kohëve të fundit, unë u kam thënë të gjithë miqve, e sidomos atyre ndërkombëtar, se nëse qëllimi i Tribunalit të Krimeve të luftës është luftimi i këtyre krimeve sipas standardeve të shteteve të rajonit, ne do ta bëjmë një gjë të tillë me sukses të shkëlqyeshëm. Pra, dëshiroj që edhe prej kësaj foltore ta bindë kolegun tim skeptik se ne me një tribunal tonin të krimeve të luftës do të bëheshim shembull për rajonin, gjithmonë sipas standardeve aktuale.

Ndonëse - kjo është jashtëzakonisht me rëndësi të thuhet - ne kemi qenë viktima të luftës së fundit. Se ne jemi deportuar 1 milion veta me trena e traktorë duke e lemerisur gjithë civilizimin perëndimor, dhe jo vetëm. Se ne jemi vrarë si kafshët, bashkë me kafshët, në luftën e fundit. Dhe e fundit, por më e rëndësishmja, se luftën e fundit e ka filluar Sllobodon Milloshevici, e jo Sami Lushtaku. Se Samia e Syla nuk po luftonin në Nish, por në Drenicë.

Mirëpo, përkundër krejt këtyre rrethanave, unë edhe më tutje besoj se është në të mirën tonë si shoqëri që as në të kaluarën e as në të tashmen, e sigurisht as në të ardhmen, Serbinë të mos e shohim si njësi krahasuese. Serbia as nuk ka qenë, as nuk është, e me gjasë as nuk do të jetë, epiqendra e civilizimit që ne të themi se do të "bëjmë çfarëdo që të bëjë Serbia". Është e kundërta, ne nuk duhet të bëjmë çfarë ka bërë Serbia, e as çfarë bën Serbia. Por, nëse na thuhet prej Brukselit se krimet e luftës duhet të hetohen dhe dënohen sipas standardeve të Tribunalit të Serbisë për Krime të Luftës, atëherë ne duhet të jemi të gatshëm që kësaj sfide t'i përgjigjemi pozitivisht, qofte edhe nëse duhet që dënimet t'i bëjmë kokë për kokë. Tingëllon pak bizare, por të jeni të bindur se fitues do të dalim ne. Cili Tribunal për Krime të Luftës në rajon është duke arrestuar masovikisht, 15 vjet pas luftës, udhëheqësit kryesor të luftës?

Të nderuar kolegë deputetë, krejt në fund dëshiroj të them se duke përdorur mjete të gabuara nuk mund të arrihen qëllime të mira. Çka dua të them është se persekutimi që po i bëhet luftës së fundit, posaçërisht udhëheqësve të saj - analizojeni rastin e Fatmir L, siç do të mund ta quante Kafka - nuk është se po vendos drejtësi në vend. Këta njerëz po hetohen për tjetër gjë prej Eulex'it, kurse po gjykohen për tjetër gjë prej tribunalit të padukshëm, të njohur ndryshe si "tribunali i opinionin publik". Pra, Syla, Samiu, Fatmiri etj., etj., po hetohen prej Eulex'it për krime të luftës, kurse po gjykohen prej gjyqtarëve të pavarur, të pashpirtë dhe të padukshëm të "opinionit publik" për krimet eventuale që këta dhe të tjerat kanë mundur potencialisht t'i kryejnë pas luftës. Mirëpo, kështu as nuk vendoset e as nuk kënaqet drejtësia. Kështu vetëm relativizohet, devalvohet dhe degradohet krimi.

Të nderuar kolegë deputetë, Kosova dhe qytetarët e saj edhe me tutje janë duke kërkuar drejtësi. Ajo nuk është vendosur pas luftës prej nesh, e as prej UNMIK'ut. Ajo nuk është vendosur pas shpalljes së pavarësisë prej Eulex'it e as prej nesh. Të jeni të bindur se kështu do të jetë edhe tash e tutje. Jo pse Eulex'i nuk dëshiron të vendosë drejtësi, por sepse një mision i huaj e ka të pamundur të bëjë një gjë të tillë. Një gjë të tillë mund ta bëjmë vetëm ne, dhe jo vetëm për krimet e luftës. Kot ne do të provojmë të fshihemi pas njëri-tjetrit, e të gjithë bashkë pas një misioni të huaj, që ndoshta ata do të na i zgjidhin problemet tona. Kjo është vetëm një ëndërr e bukur, me falni që po ju zgjoj, që nuk do të bëhet realitet. Drejtësinë në mes nesh dhe drejtësinë me të tjerët do të mund ta vendosim vetëm ne. Por për këtë kërkohet profesionalizëm, objektivizim dhe posaçërisht guxim. Dhe arritja e këtyre standardeve varet prej nesh, saktësisht prej ne që jemi këtu, apo prej atyre që do të vijnë pas nesh.

Ka ardhur koha, të nderuar kolegë deputetë, që misionin e Eulex'it ta mbyllim në formën kështu siç është sot. Jo për arsye të një lloji pavarësimi absolut. Por për hir të drejtësisë...

2013/07/24

Folklori muzikor përbën një ndër pasuritë më të çmuara të vendit


Folklori muzikor përbën një ndër pasuritë më të çmuara të vendit. Në përshkrimet e studjusve të huaj të ardhur në Shqipëri gjatë shekujve XVIII-XIX është arritur përafërsisht në konkluzionin se pasuria kryesore e Shqipërisë është folklori muzikor, por ka edhe krom edhe naftë.
Folklori muzikor bën një jetë aktive edhe sot, ndërkohë që gjurmët e lashtësisë së tij janë provuar që prej shekujve XIV-XIII p.e.s. Në objekte të ndryshme arkeologjike – skulptura, basoreliefe, terrakota, etj. – janë përfiguruar qartë vegla popullore, që përdoren deri në ditët tona, valltarë, këngëtarë, kostume karakteristike, etj.



Folklori muzikor shqiptar është jashtëzakonisht i pasur , çka dhe shprehet në ekzistencën e muzikës vokale që nga forma njëzërëshe e deri tek shumëzërëshi; në muzikën me vegla popullore; muzikën me zë e vegla; muzikën për shoqërimin e valleve popullore, etj. Këtyre u shtohet dhe një fond i madh veglash popullore të klasifikuara në katër grupet tashmë të njohura si ideofone, membranofone, kordofone, areofone.
Folklori muzikor shqiptar e bën jetën e vet në një ndarje specifike, që lidhet me format e të shprehurit muzikor dhe me tipet kryesore të instrumenteve të përdorur.



 Lumi i Shkumbinit, që përshkon mes për mes Shqipërinë, përvecse ndan dy dialektet kryesore të vendit në Gegë në Veri të Shkumbinit dhe në Toskë në Jug të Shkumbinit, shërben edhe si kufi natyror për klasifikimin e tipologjisë së folklorit muzikor. Në veri të lumit Shkumbin lokalizohet zona monodike e të shprehurit muzikor, e shoqëruar kjo me shkallët modale (diatonike apo kromatike) sëbashku me vegla muzikore specifike për këtë zonë, si lahuta dhe çiftelia. Ndërkohë, për trevat që shtrihen në jug të lumit Shkumbin është karakteristik fenomeni i të shprehurit muzikor në iso-polifoni (ang. Poliphonie with burdon) me përdorimin e shkallëve pentatonike si dhe të instrumenteve specifik si gajde dhe bicula (fyell i dyfishtë).


Krahas muzikës fshatare pa shoqërim me vegla (a capella), duke nisur nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, lindi dhe u kristalizua muzika popullore qytetare, që në Jug të Shqipërisë takohet kyesisht në qytetet Korçe, Vlorë, Sarandë, Delvinë, Përmet, Leskovik, Pogradec, me formacionin polifonik të Sazeve (të përbërë nga instrumente të importuar si klarineta,violina dhe fizarmonika, si dhe nga vegla popullore karakteristike si lahuta, dajre, fyell), ndërsa në Veri në qytetet Shkodër, Durrës, Elbasan, Kavajë, etj., shoqëruar nga ansamble popullore monodike ose monodi me shoqërim (të përbërë nga vegla të importuara si klarineta, fizarmonika dhe violina, por edhe nga vegla të traditës popullore, si kemanxhia, fyelli, etj).
Nisur nga roli i dorës së parë që ka në traditën shqiptare, folklori muzikor studjohet si lëndë e veçantë në shkollat e mesme të përgjithëshme, në ato artistike, si edhe në Akademinë e Arteve të Tiranës, ku formohen edhe etnomuzikologët e ardhëshëm.

Regjistrimet e folklorit muzikor shqiptar nisin që prej viteve 1900 e këtej. Përpara viteve 1940 ato janë realizuar pranë shoqërive Odeon, Columbia, Pathé, His master’s voice. Regjistrime më të vona takohen edhe në formën e CD-ve, si CD me muzikë të “Familjes Lela”, prodhuar në Francë më 1992 nga Judigo; dy CD me muzikë toske të “Laver Bariut”, prodhuar përkatësisht në Greqi dhe Angli, etj.

Aktivitetet kryesore folklorike shqiptare janë Festivali Folklorik Kombëtar, mbajtur çdo pesë vjet, i cili ka filluar në vitin 1952 në qytetet Lezhë dhe Tiranë, për të vijuar më pas në dy qytetet muze me arkitekturë mesjetare, Gjirokastër dhe Berat; Festivali Kombëtar i Këngës Popullore Qytetare në Elbasan; Takimi i Rapsodëve Lahutarë në Lezhë; Takimi i Sazeve në Korcë; Takimi i Grupeve Polifonike në Vlorë dhe Gjirokastër; Takimi i Grupeve dhe Shoqërive Folklorike (NGO) në Sarandë.


Organizatat folklorike kryesore që veprojnë në Shqipëri, të krijuara kryesisht pas viteve 1990 me qëllim mbështetjen e folklorit dhe të traditave popullore në përgjithësi, janë: Elena Gjika – Përmet, Demir Zyko – Skrapar, Shoqëria Folklorike – Gramsh; Grupi Bilbili – Vlorë, Gjirokastër; Shoqata Tirana – Tiranë, Kastrioti – Krujë, etj.

Institucioni i vetëm shkencor që merret me studimin e folklorit është Instituti i Kulturës Popullore në Tiranë, i përbërë nga departamenti i etnomuzikologjisë dhe etnokoreologjisë dhe nga departamenti i etnografisë. IKP boton revistën periodike Kultura popullore. Pranë tij gjendet një arkiv shumë i pasur me mbi 60000 ekzemplatë të mbledhur në tërë Shqipërinë.


Disa nga librat më të rëndësishme mbi Folklorin Muzikor Shqiptar janë: Gjurmime Folklorike i Ramadan Sokolit (Tiranë, 1981); Polifonia labe i Spiro Shitunit (Tiranë, 1989); Polifonia dyzërëshe e Shqipërisë së Jugut i Beniamin Krutës (Tiranë, 1989); Folklori muzikor shqiptar i Sokol Shupos (Tiranë, 1997); Muzika me saze + CD i Vasil. S. Toles (Tiranë, 1997).

Muzikë për krahët e vdekjes

Elsa Demo

Megjithëse një dramë historike me kohë dhe vend të përcaktuar, “Henri VI” i Uilliam Shekspirit mbahet nga gjendja e pasigurisë dhe frikës. Sado që me temën e oborrit mbretëror të Anglisë, realizimi shqiptar që sheh sonte premierën absolute, ora 20.00 në Teatrin Kombëtar në Tiranë, mbahet në muzikën me motive gege e toske.

Armand Broshka, mësues i violinës në Liceun “Onufri” të Elbasanit, ka shkruar partiturën origjinale të këtij projekti me të cilin Shqipëria përfaqësohet në Festivalin e Shekspirit në Londër.

Muzika e Broshkës, siç shpjegon ai, motivon gjendjet njerëzore të frikës e pasigurisë dhe përligj intrigat për pushtet me pasojë vdekje të njëpasnjëshme. Jo më kot shprehje më përfaqësuese e pjesës së dytë të “Henrit VI”, citohet “Gjëja e parë që duhet të bëjmë, të vrasim avokatët”, me të cilën një rebel i drejtohet Xhek Keidit, një kryerebeli i thirrur për veprim kundër oborrit. Nëse thirrja për kaos karakterizohet nga ritmet e lodrës dhe jehonat e kornos, monologun reflektues të Keidit, e nënvizojnë një temë toske me violonçel.



Sa pjesë të dramës mbulon muzika?

Muzika ndoshta mbulon 1 orë, domethënë ka shumë muzikë. Në bashkëpunim me regjisorin Adonis Filipi kemi menduar që disa pjesë të jenë rituale, duke marrë parasysh edhe koreografinë. Puna me regjisorin ishte jashtëzakonisht voluminoze, e bukur, zbavitëse. Ai është shumë kërkues, i informuar me të rejat e kohës nga bota e teatrit. Ai ishte i interesuar për një muzikë të thellë, komunikuese, për ritmet shqiptare, për anën karakteriale të të gjithë veprës.



Në ç’motive bazohen ritualet?

Meqë “Henri VI” flet shqip në Londër, menduam që muzika të kishte materiale shqiptare. Dy nga temat titullohen “Rituali I” dhe “Rituali II” dhe ato përsëriten në disa skena të mëtejshme. Janë përdorur instrumente karakteristike shqiptare si lahuta, në shumë raste edhe lodra. Jam realizuar dy tema të personazhit Xhek Keidi, rebelit, njëra epike, e rëndë që karakterizohet nga daullja, nga motivet veriore. Përfytyroni një ushtri me fshatarë, të armatosur keq që janë verbëruar pas fjalëve rebelit dhe më shumë krijojnë rrëmujë sesa janë të organizuar. Prandaj shoqërohet nga disa pickata të violinave që tregojnë pak gjendje qesharake: ku shkon kjo ushtri?



Si e ndjek muzika zhvillimin e karaktereve?

Në këtë drejtim, të gjitha skenat e “Henrit VI” janë frymëzuese. Duket se Shqipëria është larg mjedisit dhe atmosferës së dramës historike të Shekspirit, po për mua këto ishin tema të prekura më parë, sesi fillojnë e si përfundojnë mbretëritë, intrigat, luftërat e familjeve fisnike. Kur sheh në një skenar atë mbi të cilën duhet të bazohesh, të krijohet një ide për muzikën. Konkretisht, tema e Xhek Keidit erdhi pasi pashë veprimet skenike të rebelit. Ai thërret, ai ka një ushtri që i vjen mbrapa. Thirrjet karakterizohen nga jehona. Mendova që i rrinte mirë jehona e daulleve dhe tingulli i kornove, – kornot janë instrumente që kanë jehonë epike qoftë të brendshme, qoftë të jashtme. Pra daullja shqiptare dhe korno franceze (corno en F), i jep skenës një karakteristikë shumë të bukur. Kështu ndihet epizmi në thirrjet e rebelit, ndihen daullet që jehojnë, por tema e kornove është tipike veriore.



Dhe si e përshkruan “rënien”?

Duke e ilustruar sërish me temën e dytë të Xhek Keidit, vjen momenti kur atij nuk i përgjigjet më askush. Ai bën një monolog të thellë, një analizë të situatës. Unë këtu kam bërë të kundërtën e temës së parë, që do të thotë muzika është karakteristike jugore. Zbresim kështu në një gjuhë më të qetë dhe është përdorur motivi i “25 gërshetave”. Këtë temë nuk mund ta përshkruante më bukur se sa tingujt e violonçelit, një instrument i thellë, i ndjeshëm, i ëmbël, i ngrohtë. Duke pasur parasysh që aktori (Bujar Asqeriu në rolin e rebelit) ishte i vetëm dhe mbante një monolog me fjalë të forta, mjaft goditëse, duhej pak dozë dramaciteti me temën e “25 gërshetave”. Mendoni një violonçel solo i shoqëruar me katër violonçelë të tjerë. Këtë e bëra duke marrë spunton nga tradhtitë që bëhen në vepër që janë pothuajse dyshe: dy lordë kundër mbretit, dy dukë kundër dy lordëve…



… dy dhe magjistricat. Si krijohet atmosfera e mistikës mesjetare?

Pikërisht për këtë përdoren zilet e dajreve shqiptare për të treguar suspansë ndoshta dhe një gjendje të lehtë, ritmi dhe elementi modern elektroakustik. Këtu ndërthuret kori gregorian, që do të thotë kori i mesjetës, kori që këndonte a capella i meshkujve. Ky është momenti i magjistricave, një moment shumë domethënës që shkakton frikë. Është kërkuar dhe nga regjisori që të mbahet në këtë dimension. E gjitha është gjendje, nuk ka shpërthime.

Në një moment tjetër është përdorur lahuta shqiptare ndërthurur me një instrument perëndimor, si kontrabasi që shkakton tensionin që rri pezull.



Karakteri i Mbretit Henri VI provokon gjithë dramën: një mbret i ri shkakton pasiguri dhe ankth dhe u jep dorë kundërshtarëve për prapaskena, shtrigani. Çfarë ke menduar për të?

Jo më kot thashë që në momente të caktuara muzika është më shumë gjendje sesa muzikë shpërthyese. Kjo e fundit është vetëm tek rebelimi kundër mbretit. Ndërsa temat kur mbreti është në skenë, tregojnë më shumë pasigurinë e mbretit, intrigën që bëhet rreth tij. Ai ka vështirësi të marrë vendime. Edhe muzika e tillë është.



Në çfarë përfundime të ka çuar puna me aktorin?

Muzika është një ndër elementet kryesore të teatrit apo filmit. Edhe vetë aktori nuk e ka parasysh dramacitetin e veprës deri në momentin kur i vjen një muzikë nga pas, tepër dramatike nga e cila ndoshta frymëzohet dhe e ndihmon aktorin. Dhe kompozitori duhet të kapë këtë element që t’i tregojë aktorit në ç’gjendje është.

Muzika e “Henrit VI” është shkruar duke ndjekur ndërtimin e veprës në skenë. Duke ndjekur recitimin e aktorëve tanë të njohur, më duhej që monologun e tyre të përbashkët ta intonoja në një kor me muzikën e lahutës që ishte në sfond. Ishte befasuese për mua kur aktorët e kuptuan menjëherë atë çka unë u kërkova dhe e kapën aty për aty linjën e lahutës. Befasimi më i madh ishte që ata arritën të ndaheshin në tri zëra dhe kjo m’u duk sikur të ishte më shumë një kor në Teatrin e Operës, sesa një kor në Teatër Kombëtar aktorësh.



Në sa kohë është bërë kompozimi?

Në kohë jashtëzakonisht rekord. Projektin e kam marrë 2 ditë para ditëlindjes, më 13 prill. Nga momenti që fola me regjisorin dhe deri në momentin që u mbyll gjithçka, kaluan vetëm dy javë. Ishte hera e para që merrja përsipër një punë të tillë gjigante dhe nuk dija akoma se si do komunikonte muzika ime me skenën, me aktorin. Duke parë skenën shkruaja dhe rishkruaja muzikën, përpiqesha të kapja lëvizjet e aktorit. Muzika është parë duke u vënë vepra në skenë, e duke ndjekur veprimin skenik. I dhashë gjithë forcat e mia kësaj pune.

Muzika është regjistruar në studio. Dua të falënderoj violonçelistin Estref Doko, ai ka luajtur solo me violonçel temën kryesore, temën e “25 gërshetave”.



Përveçse ka qenë një marrëdhënie intensive me artin e Shekspirit, çfarë e ndikon procesin e shkrimit tënd të muzikës?

Në këto raste zakonisht thuhet: familja, talenti, frymëzimi që mund të vijë nga një bukuri e natyrës, nga një marrëdhënie njerëzore. Unë e quaj një gjë të brendshme që e ndjen që nuk jeton dot pa të. Ndoshta dhe familja, qetësia e tyre. Ndoshta dëshira ime për të eksploruar. Jam diplomuar për violinë por dëshira për të eksploruar qoftë kompozicionin dhe për të prekur edhe këto gjini të tjera, nuk më ka munguar.



Bio

Armand Broshka (1986, Elbasan), mori mësimet e para të violinës në moshën 6-vjeçare, në Liceun Artistik të Elbasanit “Onufri” ku studioi deri në vitin 2005. Në Akademinë e Arteve diplomohet nën udhëheqjen e profesor Ramazan Pekut. Luan në orkestra dhe jep koncerte si solist, ndërkohë merr një përvojë nga leksionet e dirigjentit të BBC Scottish Symphony Orchestra, Robin O’Neill. Kompozon muzikën e dy filmave të shkurtër, punë studentësh. Kompozimi i Armandit “Albanian Music” pjesë për klarinetë dhe orkestër harqesh, u interpretua premierë vitin e kaluar nga orkestra e qytetit bosnjak të Mostarit, duke përfaqësuar motivet e flokut shqiptar midis melodive nga disa vende, motive të cilat Armandi i përpunon dhe i përdor dhe në pjesë të tjera. Kjo e karakterizon si autor.

Jeton në Elbasan. Jep mësim violinë dhe muzikë dhome në shkollën e muzikës, aty ku ka mësuar vetë për 12 vjet. Së shpejti, më 15 maj me Orkestrën e Universitetit të Arteve, luan një nga stinët e vitit, “Verën” e Vivaldit si solist.



Specialistët: Lahuta në rrezik zhdukjeje



Një nga lahutat e ekspozuara në Muzeun Historik Kombëtar
Dikur, shtëpia pa lahutë quhej “shtëpia e lanun”. Ishte marre për malësorin të mos e kish një pushkë e një lahutë. Me telin e saj rapsodët i kanë kënduar Mujit e Halilit, kreshnikëve me mustaqe të gjata që shtrinin 7 pashë nën dhé bajlozët e zinj me topuzë të rëndë… Koha ka lënë gjurmë mbi to, ashtu si dhe historitë e këngëve dhe trimave që u kanë kënduar. Në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë, Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore dhe Instituti Shqiptar i Shkencave hapën në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar ekspozitën “Lahuta e Eposit Shqiptar”. Sipas specialistëve, ajo përfaqëson arketipin më të lashtë të veglave kordofone me hark të kontinentit europian, shpesh e mbiquajtur instrument etnik i shqiptarëve. Në ekspozitën e hapur në MHK, janë paraqitur 30 lahuta unike në llojin e vet. Ato i përkasin kryesisht shek. XIX-XX dhe i përkasin fondit të Muzeut Historik Kombëtar, por edhe koleksioneve private, ai i piktorit të njohur Nikolet Vasia, muzikologut Vaso Tole etj. Çdonjëra prej tyre ka nga një histori. Shumë janë të gdhendura bukur. Në kokat e tyre sheh të gdhendura simbole të njohura që hasen në mitologjinë gojore shqiptare e sidomos në Eposin e Kreshnikëve, të tilla janë Orët e malit, Zanat, gjarpri shërues, kreshniku, dielli, hëna me yjet, por edhe koka e dhisë, e cila ndeshet rëndom te ky instrument. Në një kënd të sallës qëndronte i ulur një rapsod, jo i moshuar, por që ka trashëguar artin e interpretimit me lahutë. Dhe vizitorin që sheh me kureshtje instrumentet, por edhe disa tablo, ku paraqiten elemente të këtij instrumenti, shoqërohen nga tingulli i thatë dhe i veçantë i lahutës. Eposi i Kreshnikëve dhe mjeshtëria e punimit të veglave muzikore tradicionale janë shpallur “Kryevepra të Trashëgimisë Shpirtërore Kombëtare” dhe, sipas specialistëve, tashmë është afati i fundit për ta mbajtur gjallë këtë trashëgimi.Rreziku 
Simbolet e gdhendura në kokat e lahutave.
E ndërsa vizitorët shijojnë me ëndje këtë instrument, të trashëguar brez pas brezi, specialistët ngrenë problemin e zhdukjes së këtij instrumenti, i cili sa vjen dhe ndeshet gjithnjë e më rrallë. Sipas specialistit Jaho Brahaj, krahas rëndësisë së veçantë që ka ky instrument, thekson se dy janë faktorët që po çojnë në zhdukjen e këtij instrumenti. “Janë dy faktorë që po e zhdukin nga Shqipëria. Së pari, po tregohet pak vlerësim nga ata që e kanë trashëguar këtë instrument dhe së dyti, blerësit e huaj po tregohen të uritur për ta pasur, për ta blerë këtë instrument muzikor, i cili është unik dhe më i vjetri në llojin e vet në Europë”, thotë Brahaj. Lahuta është një instrument, i cili lidhet ngushtësisht me Eposin Shqiptar dhe, bashkë me mospërdorimin e Eposit, po zhduket edhe vegla muzikore. Kjo është edhe arsyeja pse organizatorët realizuan këtë ekspozitë, për të tërhequr vëmendjen ndaj një dukurie që po shmang vazhdimësinë e traditës. Specialistët shprehen të shqetësuar se në rastet e riprodhimit të këtij instrumenti vihen re elemente të reja, jo sipas traditës sonë kombëtare, por të kopjuara nga kultura e huaj. “Synimi i ekspozitës është të tërheqim vëmendjen për njohjen e këtij instrumenti muzikor, më i lashti në Europë, që të përfshihet në koleksionet tona muzeore dhe të institucioneve shtetërore të specializuara për studimin dhe promovimin e saj. Tashmë është faza kohore e fundit që mundet të kryhet kjo nismë. Të nxisim koleksionistët shqiptarë që të koleksionojnë këtë instrument para se të jetë vonë dhe kështu t’i presim rrugën ikjes së kësaj vlere drejt koleksioneve të huaja muzeore dhe private. Të popullarizojmë këtë vlerë trashëgimie kulturore tek opinioni publik dhe në mënyrë të veçantë te rinia dhe nxënësit”, thotë specialisti Brahaj. 

Lahuta e Malcisë testohet në versionin beta

lahuta_e_malcise
Fituesit e edicionit të parë të garës mbarëkombëtare AppCamp Kosova si dhe fituesit e edicionit të tretë të Startup Weekend Prishtina – XIIIK, pas një kohe të gjatë pa bërë zhurmë duket se nuk e kanë lënë atë që kanë ditur të bëjnë më së miri por kanë punuar heshturazi here më shumë e here më pak, për të ardhë në skenë sot me një beta version të lojës “Lahuta e Malcisë” që është prezantuar sot në një takim të mbyllur në ambientet e Innovation Centre Kosovo.
Pas një kohë të gjatë të qëndruarit nën hije qysh prej se ishte themeluar prototipi në nëntor të vitit të kaluar, themeluesit e kompanisë Bardh Lohaj dhe Leart Zogjani, bashkë me Petrit Hoxhën, sollën në skenë beta versionion e parë të lojës “Lahuta e Malicsë” që bazohet në librin e autorit Gjergj Fishta, duke ndërlidhur një punë të jashtëzakonshme kreative në karaktere, ambiente e tregime të bazuar në këtë libër dhe në libra tjerë që ndërlidhen me mitologjinë shqiptare.
Në këtë faze loja sjell një shije të mirë të asaj se çka e pret gejmerin duke shpalosur një hyrje me një zë dhe një melodi të punuar me kujdes që rrëfen për Ali Pashën e Gucisë dhe aventurat e tij, e në të cilat futeni edhe ju duke kontrolluar karakterin e veshur në veshje kombëtare, dhe të pajisur me shpatë e armë të punuara në detaje nga ekipi. Në një ambient ende në faze të hershme ju takoheni me karaktere tjera si Rriqna, Diesi, Creeps, etj e për të cilat mund të lexoni më shumë edhe në pjesën e dedikuar të lojës për karaktere.
Loja pritet që të përpunohet edhe më shumë derisa të vij në fazën përfundimtare për publikim në iTunes Store, megjithatë në këtë faze zhvilluesit janë duke tentuar që të shfyrtëzojnë testuesit për të marr komente në lidhje me atë se ku duhet të investojnë kohë për përmirësuar lojnë dhe për të shtuar gjëra të reja.

Tingujt e lahutës shkrihen në vepra bashkëkohore

Instrumenti burimor i shqiptarëve, lahuta, është kombinuar me piano, violinë e perkusione. Ato janë përthekuar në veprën “Epos” të kompozitorit të ri kosovar, Rifat Zymberi. E pikërisht kjo vepër i ka vënë kapak “Podiumit të hapur” që është mbajtur mbrëmjen e së martës në sallën e një hoteli në Prishtinë. Tradicionalisht festivali ndërkombëtar i muzikës së re “ReMusica” një koncert të tillë ua dedikon kompozitorëve dhe interpretuesve të rinj të Kosovës. Bazuar në muzikën popullore shqiptare, ky festival tash katër vjet radhazi stimulon kompozitorët që të shkruajnë muzikë për instrumente të ndryshme. Në kandër të festivalit, “Podiumi i hapur” nuk ka qenë i vetmi aktivitet. “Koncerti pedagogjik” është mbajtur pasditen e së martës në ambientet e Filarmonisë së Kosovës.

Kompozitori i ri, Drinor Zymberi, është shprehur i kënaqur që vepra e tij “Epos” është dhënë premierë në “Podiumi...” të “ReMusicas”. Ai thotë se ka qenë ide e kamotshme e tij që të inkorporojë muzikën folklorike në muzikën e re, e kjo po ashtu ka qenë një porosi nga profesori Rafet Rudi, njëherësh drejtor i festivalit.

“E kam zgjedhur lahutën sepse është instrument i preferuar imi. Po duket se ka dalë mjaft mirë. U krijua një dialog i dy botëve të ndryshme”, ka thënë ai.

Në lahutë ka luajtur i ati i tij, Rifat Zymberi ndërsa është përcjellë Gëzim Latifi në violinë, Neritan Hysa në piano e Patris Berisha në perkusione.

“Epos” nuk ka qenë vepra e vetme e një kompozitori të ri kosovar që është interpretuar në “Podium...”. Koncerti ka nisur me “Gardh përmbi gardh” të Muhamed Bislimit, për t’i lënë vend veprës “Dream” dhe “Fantazia” të Hajrullah Sylës. Nga ky kompozitor “Ansambli Atacca” ka interpretuar edhe veprën “Clapping Music”. Një vepër për kuartet harkor e Ardian Halimit, një tjetër për trio frymore e Kushtrim Gashit janë interpretuar po ashtu në koncertin që ka zgjatur më shumë se një orë. Është interpretuar edhe vepra “Dialog” e kompozitores Dafina Zeqiri e “Ophelia” e kompozitores Lyra Kastrati, ndërsa vend kanë zënë edhe veprat e kompozitorëve botërorë me nam si “Syrinx” e Claude Debussy e “Super Flumina Babylonis” e Giovanni Pierluigi Palestrina. Visar Kuçi, Besa Llugiqi, Misbah Kaçamaku e Marigona Qerkezi kanë qenë vetëm disa nga emrat e interpretuesve të rinj që kanë defiluar në këtë podium.

Drejtori i festivalit Rafet Rudi, ka treguar se tradicionalisht “Podiumi ...” mbahet në ditët e fundit të festivalit, kur realizohen veprat e reja të kompozitorëve të rinj.

“Ata mjerisht e kanë vetëm ‘Remusican’ shans për t’u prezantuar. S’kanë kurrfarë shansesh tjera që mendoj se është e metë e të gjithëve”, ka thënë ai.

E për koncertin pedagogjik, Rudi ka thënë se ka ardhur pasi është vërejtur se literatura muzikore shqiptare në shkollat tona mungon. Vitin e parë është krijuar literatura muzikore për klarinetë, vitin e dytë dhe të tretë për piano, e sivjet është kombinuar për violinë e piano.

“Deri tash kemi në listë deri në 100 copëza që i kanë munguar literaturës sonë, e që janë të gatshme për botim dhe të shpërndahen në shkollat e Kosovës”, ka thënë Rudi.

Kanë qenë nxënësit nga shkollat e muzikës në Pejë, Gjakovë, e Mitrovicë, ata që kanë interpretuar veprat e kompozitorëve Mendi Mengjiqit, Zeqirja Ballata, Valton Beqiri, Rafet Rudi, Hajrullah Syla, e të tjerë.

Për Rreze Gjukën (14) nga Peja, e cila nuk e ka pasur për herë të parë interpretimin e këngëve “Ç’u mbush mali” e “Ç’u ballë kuqe”, ka pasur jo pak emocione në Prishtinë.

“Pata shumë emocione derisa interpretova”, ka thënë Gjuka. Koncerti është hapur me “Hapi sytë e zezë” të interpretuar nga Melisa Imeri në piano e Edmond Latifi në violinë. Këto dy koncerte janë mbajtur në ditën e parafundit të festivalit. “Remusica” mbyllet më 3 qershor me koncertin e flautistes Lydia Oshavkova nga Bullgaria dhe pianistit grek Angelos Tsanakas.

Dragonjtë, nga Lahuta e Malcis te Këngët e Kreshnikëve

Dr. prof.Tonin Çobani, kritik letrar





“Pa mitin, çdo kulturë e humbet karakterin e saj të gjallë krijues, humbet forcën e vet të natyrshme”


Friedrich Nietzsche

1.


Në Lahutën e Malcis, ku këndohet epopeja më e re e një populli të lashtë evropian, si janë shqiptarët, Gjergj Fishta ripohon artistikisht një origjinë mitologjike të botës arbërore prej Dragonjve[1], ashtu si është e njohur prejardhja parahistorike dragonjane e botës anglosaksone dhe vazhdon të konsiderohet krenari për gjermanët heroi i tyre mesjetar, Zigfridi, që u bë i gjithëfuqishëm me gjak dragoi.


Përgjithësisht dragoi është përfytyrua me trup gjarpri dhe krahë të fuqishëm për fluturim: diçka që lidhet me kultin e gjarprit[2] dhe simbolin e shqiponjës.[3] Në mitologjinë popullore shqiptare dragoi është një bir nane që lind me shenjë për të mos e prerë shpata (ose plumbi). Ai ka fuqi të jashtëzakonshme. Muji, pasi ka pirë "tamel gjini nga zanat” është bërë dragua.


Figura e dragoi te shqiptarët nuk gjen paralele me mitologjinë greko-romake e biblike, ku dragoi përfaqëson forcat e kaosit, dhe me këtë simbolikë u përhap në një pjesë të Evropës pas periudhës klasike. Në kulturën paragreko-romake ose paraindoevropiane gjejmë mesazhet e një dragoi, ashtu si e përfytyronin, ndoshta, anglezët e hershëm dhe vazhdojnë ta përfytyrojnë shqiptarët deri në ditët e sotme: dragoi si një forcë e mbinatyrshme që simbolizon energjitë e brendshme të qenieve njerëzore kundër forcave shkatërruese të natyrës, qofshin këto forca edhe brenda ose përtej botës humane.


Së paku, te shqiptarët figura e dragoit është përvijim i heronjve të Dodonës, që zënë fill me Herkulin, Akilin[4] dhe vazhdojnë me Aleksandrin e Madh, Pirron e Skënderbeun. Te shqiptarët dragonjtë, si Gjergj Kastrioti e Lekë Dukagjini, vazhdojnë të lindin përsëri, deri në ditët e sotme (gjysma e dytë e shekullit të 20-të). Pikërisht, Dragonjtë e kohës së vet Fishta këndon si heronj në Lahutë të Malcis, duke u ndeshur me Kuçedrën (Kënga XVI) apo me trupat pushtuese të knjaz Nikollës (kënga XVII).

2.


Përfytyrimi i dragonjve në popuj të ndryshëm është i ndryshëm: nga Azia në Evropë, nga Wellsi ndër shqiptarë. Le të sjellim nëpër mend dragoin e kuq të Wellsit, që qëndron edhe sot e kësaj ditë si emblemë e flamurit të tyre kombëtar: është një figurë zvarraniku e stërmadhe me krahë. Më afër nesh, dikur troje ilire, i ngjashëm me të është modeluar dragoi slloven. Por ky përfytyrim nuk përputhet me atë që shqiptarët konsiderojnë dragua.


Ndoshta, ajo që na ofron Zigfridi i sagave gjermane na ndihmon të kuptojmë dragonjtë shqiptarë: ata janë njerëz të zakonshëm (si princi Zigfrid) me aftësi të jashtëzakonshme (si Zigfridi pasi ka pirë gjakun e dragoit dhe ka ngrënë zemrën e tij). Sot ky dragua shqiptar nuk është lehtësisht i shpjegueshëm: nëse nga përbindëshi me krahë (dragoi i kuq i Wellsit) u përfytyrua njeriu dragua (Zigfridi, Muji) apo nga heroi i fuqishëm (Muji, Skënderbeu) u përfytyrua një përbindësh me krahë, jo i ngjashëm me të, por i abstraguar si fuqi e jashtëzakonshme, shumë herë mbinjerëzore.


Gjithsesi, te dragonjtë shqiptarë, përveç fuqive të mbinatyrshme dhe pavdekësisë, janë evidente në çdo rast edhe krahët: si rudiment fizik dhe si funksion. Shtjefen Gjeçovi, sivëlla françeskan dhe mik i afërt i Fishtës, është ndër ata studiues, që rrënjët e popullit shqiptar i kërkuan në lashtësinë parakristiane e paraklasike. Ai shpjegon se një “njeri qi len (lind) me këmishë (ose “me flatra t’arta nën sqetull”) bahet drangue”[5] Dhe ky Dragua shqiptar është krejt ndryshe jo vetëm nga dragoi që u mund prej Shën Gjergjit (mitologjia biblike), por edhe nga ata dragonj që, sipas mitologjisë greko-romake, përfaqësonin forcat e kaosit dhe qenë mundur prej Zeusit, Apollonit, Kadmit etj.[6]


3.


Me një lexim të parë të Lahutës së Malcis, lufta kundër Kuçedrës vjen si një konflikt paralel me konfliktin e shqiptarëve kundër trupave pushtuese të knjaz Nikollës së Malit të Zi (Krajli i eposit të kreshnikëve). Por, në thelb, lufta e Dragonjve me Kuçedrën është një konflikt universal midis të mirës dhe të keqes, që, në tërësinë e Lahutës, na kumton se heronj të tillë, si: Marash Uci, Oso Kuka, Ali pashë Gucia, Çun Mula e plot të tjerë përfaqësojnë të mirën, prandaj edhe fitojnë, pavarësisht, nga rrethanat historike, që, përgjithësisht, i kanë jo të favorshme. Pak a shumë kështu vijnë edhe heronjtë e Këngëve të Kreshnikëve: Gjergj Elez Alia, Muji, Halili, etj.


Kuçedra, e cila duhet mundur prej Dragonjve, është një mostër i stërmadh “me shtatë krena e gjashtë palë kthetr”’. Ajo shfaqet në Bigë të Shalës (Dukagjin) dhe shtrihet me bisht deri në breg të lumit Drin (“N’Bigë t’Shalës ka dalë Kuçedra... Bishtin gjatë me i mbërrijtë në zall”). Kuçedra është zemëruar dhe “zjarr e squfur tue flakërue, krepa e gur tue rrokullue, Dukagjinin don me shue”.


Edhe Bajlozi (“Kishte dalë një Harapi zi prej detit”) Gjergj Elez Alinë “e ka shinue” në topuz:


“përmbi kryet topuzi i ka fjurue,
dymbëdhjet' pash m'lendin' u ngul topuzi,
dymbëdhjet' pash përpjet' si re, u çue pjuhni.”


4.


Në Lahutë të Malcis është edhe një Dragua fëmijë, Vocërr Bala, i cili na kujton Omerin e gjithëfuqishëm qysh në moshën 7-vjeçare. Madje për shkak të Vocërr Balës nis konflikti i Dragonjve me Kuçedrën në këngën e 16-të, sepse Kuçedra “Dukagjinin don me e shue për një dhunë që i ka ba Shala kur dragoi Vocërr Bala fëmijë tue qenë n’një shpatull të Malit n’gjumë e ndeshka e një sy prej ballit nxjerr ia paska me një hu, kah ia ngulka der në tru”. Ndërsa dragoi protagonist kryesor është Llesh i Zi, i cili u prin dragonjve kundër Kuçedrës dhe vetë i jep asaj goditjen kryesore:


Në këngën e 17-të të Lahutës së Malcis dragonjtë rugovas Xhem Sadria e Rrustem Uka bëhen përsëri të pavdekshëm kur bien në pritën e 300 malaziasve të knjaz Nikollës, duke u shndërruar, kështu, në Dragonj (“Pse Dragonj t’dy tue qëllue, Me Kulçedrën i’n mësue me u gjue”).


Dragonjtë kanë armët e tyre, që mund të jenë gurë të stërmbëdhenj (“Po i shtrëngohet Let Patani edhe dyndë një bet currani, njizet vetë, po, mos m’e lujtë”), vegla të përdorimit të përditshëm (“E me fuzhnja e dana t’gjata, me veriga e rrfanë çeliku, hekra barkash të Venedikut”) apo armë tradicionale, si: shpata (“Rrustem Uka, trimi i trimit ... e rrokë shpatën me dy duer”), topuzë (“Tom Galia... trandë topuzin, njëqind okë”), heshta (“Gjeto Gega shpejt ka rrahë heshtën trashë sa një mashkull (bosht) qerri”) e deri te armët e zjarrit, pasi epiteti i Mehmet Shpendit është “pushkatar” (“N’atë Mar Lulën, trim bujar, n’Gjelosh Kolën, kuvendtar, n’Mehmet Shpendin, pushkatar”).


Ky arsenal armësh në përdorim të dragonjve, që Fishta jo rastësisht ka përshkruar, merr vlerat e shtresëzimeve “arkeologjike” prej nga vijnë figurat mitologjike të dragonjve, me të cilët identifikohen luftëtarët malësorë në Lahutë të Malcis dhe, përmes tyre, mbarë bota shqiptare, përfshirë edhe trimat e Jutbinës. Kuçedra, nga ana e saj, ka si armë kryesore kundër dragonjve përveç gurëve (“Hidhen krepat porsi ranë(rërë) flakërojnë currat...”) edhe zjarrin e jargët (pështymën) e qelbura (“Lëshoju flakë e zjarr prej goje, hidhju jargun hoje-hoje, një ditë udhë me ikë prej soje, prej qelbësirës që i del goje”).

Mund të hiqet një paralele me Gjergj Elez Alinë. Ai pasi “likpërmjet' balozit te i ka ra” në topuz dhe me shpatë “kryet me neje trupit ia ka damun”:


zhag për kambet trupin e ka ngrehun,
me gjith' at m'nji bunar e ka mbytun,
të tan' lumën gjaku e ka tërzue,
për tri vjet krejt vendin e ka qelbun.


5.


Gjatë kohës kur shkruhej Lahuta e Malcis, qeniet mitologjike të dragonjve nuk ishin sistemuar ende ndër tekste universitare e enciklopedi të kulturës popullore shqiptare. Për dragonjtë bisedohej sa herë vetëtinte e bubullonte, dimrit apo verës. Flitej për luftën e tyre me një Kuçedër diku më afër apo më larg vendbanimeve të atyre që tregonin, në vartësi me horizontin e gjëmimeve të motit. Dhe ashtu në përshkëndritjen e dritës së vetëtimave dragonjtë përfytyroheshin në qiell, si heronj të dritës; ndërsa gjëmimet e bubullimave shkaktoheshin prej goditjeve mbi Kuçedrën antagoniste, që vinte nga nëntoka, nga bota e errësirës dhe shkaktonte thatësirën, dëmtimet e gjësë së gjallë dhe fatkeqësitë e njerëzve.


6.

Studimet e derisotme mitologjike për dragonjtë shqiptarë kanë qenë përgjithësisht përshkruese dhe me ndonjë tendencë krahasuese të paargumentuar deri në fund me figura të përngjashme të mitologjisë ballkanike.[7] Për pasojë, konflikti në mes të asaj që shënjon fjala “dragua” në mitologjinë shqiptare (dhe në Lahutë të Malcis e në Këngët e Kreshnikëve) dhe të asaj që po kjo fjalë shënjon në mitologjinë greko-romake (dhe në mitologjinë biblike) ka mbetur ende i pazgjidhur. Këtë gjë e vërejmë edhe në etimologjinë jo fort të qartë të fjalës dragua (drague) apo drangue (drangua), që merret, sipas Çabejt, si “huazim prej latinishtes, e cila, nga ana e saj, e ka prej greqishtes së vjetër”[8] Por Çabej lë edhe një shteg të hapur për këtë huazim gjuhësor, sepse, vëren ai, “figurat vetë të Dragonjve mund të jenë të një burimi vendas paralatin e të jenë përzier pastaj me përfytyrimet romake”.[9] Dhe me të vërtetë ai burim vendas, i cili është jo vetëm paralatin, por edhe parahelen, shpjegon faktin përse dragonjtë te shqiptarët kanë mbetur në një “rol heroik... bash të përkundër me atë tjetrin të një përbindëshi”[10] si Kuçedra. Ky shteg i çelur prej Çabejt ka shpjegimin e vet ndër studiues të thelluar të mitologjisë universale, të cilët kanë arritur në përfundimin se kulti i Dragoit ka pësuar ndryshime në kuptimësinë e vet simbolike.[11] Kështu, më parë se në mitologjinë greko-romake (dhe më pas në mitologjinë biblike) dragoi të përfaqësonte simbolin e së keqes, ai (dragoi) është njohur si “beneficent”, simbol i së mirës, si “qenie symprehtë e sydepërtues në thellësi të tokës”[12] për të parandaluar të keqën që mund t’u vinte njerëzve prej andej. Ne na vjen për mbarë të themi se dragonjtë, simbol të së mirës u konsideruan si të tillë prej pellazgo-ilirëve dhe ashtu kanë mbetur në vazhdim deri te shqiptarët e ditëve të sotme. Ka edhe studiues të tjerë të mitologjisë që mbështesin tezën e ndryshimit të kultit të dragonjve, pasi i përcaktojnë ata edhe si simbol i së mirës, “i draghi buoni”[13]. Madje te kulti i Dragonjve shohin edhe energjitë e frikshme instiktive të brendësive të qenieve njerëzore, pak a shumë, ashtu si në këngën e 16-të të Lahutës së Malcis i paraqet edhe Fishta dragonjtë në luftë me Kuçedrën.


7.


Është e kuptueshme se Fishta nuk u nis nga arsyetime të gjata shkencore për të krijuar figurat e dragonjve të Lahutës së Malcis. Ai u mbështet në letërsinë gojore të popullit (përfshirë edhe Këngët e Kreshnikëve), epopenë e të cilit po këndonte (këngën e Gjergj Elez Alisë ai e rikrijoi thuajse ad literat qysh në blenin e dytë, botuar më 1907). Ai bëri objekt të krijimtarisë së vet ngjarjet më të rëndësishme historike të periudhës së Rilindjes Kombëtare, heronjtë me të shquar ndër shekuj të shqiptarëve dhe u ndal në përshkrimin e episodeve ku heroizmi masiv shpalosej si një ndërgjegje kolektive. Pikërisht, në kërkim të rrënjëve të kësaj ndërgjegjeje kolektive kombëtare, atij iu desh të lyente pendën në mitologjinë popullore, që vinte deri në kohërat moderne si një realitet kulturor gjithëpërfshirës i komunitetit shqiptare: i krahinës pellazgo-ilire, i fisit iliro-arbëror apo i individit shqipfolës. Shi në këtë fazë të kërkimit të rrënjëve etno-kulturore të popullit të vet iu shfaq figura e shqiptarit-dragua në luftë me të keqën, figura e dragonjve të tregimeve popullore në luftë me kuçedrën. E keqja, kuçedra, tanimë ishte edhe lakmia e knjaz Nikollës për tokat shqiptare të Plavës dhe Gucisë, ashtu siç ishte, si shkretimi i Kuçedrës, çdo agresion ushtarak ndaj trojeve shqiptare.


Ka pasur studiues, që, të orientuar nga një interpretim i Jungut për demonologjinë, kanë arritur ta argumentojnë antagonizmin e dragonjve me kuçedrën, si një “dyskajshmëri psikologjike”[14] Edhe me një këndvështrim të tillë mund të komentohet kënga e 16-të e Lahutës së Malcis, nëse marrim parasysh groteskun e Fishtës në realizimin e artistik të kuçedrës (“një ditë udhë me ikë prej soje, prej qelbësirës që i del goje”), përkundrejt epiteteve për dragonjtë (“trim si Zana, trim bujar, trimi i trimit, pika e djalit, harushë mali, kuvendtar, burrat e dheut, që u pëlqen kanga” por edhe “trima t’qartun, katallanj, si reja me shtrëngatë, si i terbue”) apo në kontrast me lirizmin idilik që derdhet në pasqyrimin e Orëve të Maleve. Dhe kur vjen puna të analizohen këto epitete që Fishta u ka dhënë dragonjve, ngjashmëria e tyre me Kreshnikët është më e shpjegueshme. Mbi të gjitha te kënga “Fuqia e Mujit”:


E ka marrë Muji gji me pi,
O, se ç’po i jep edhe Zoti fuqi:
Kenka ba si me kanë drangue
Ka marre gurin me e peshue,
N’cep të krahit Muji e ka vdue:
Njimijë okësh gurit i ka qindrue.


Rrënjët mitologjike të iliro-shqiptarëve, edhe nëse ne nuk i kërkojmë te figura mitike e dragoit, si këndon Fishta në Lahutë të Malcis (ku duhet parë integruar edhe kulti i gjarprit dhe simboli i shqiponjës), ato rrënjë aty janë. Kur rapsodi shqiptar këndon për Mujin “Kenka ba si me kanë drangue” ai e beson atë që këndon për të shkuarën dhe të ardhmen e vet.





[1] Tonin Çobani, Figurat mitologjike në Lahutë të Malcis, TOENA, Tiranë, 2008.

[2] Sipas Aleksandër Stipçeviq-it “asnjë kafshë në simbolikën religjioze të ilirëve nuk ka luajtur rol të rëndësishëm sa gjarpri”, sado që këtë simbolikë e kanë pothuaj “të gjithë popujt që shtrihen në viset ku jetojnë gjarpërinj”. Gjarpri është kafshë ktonike “simbol i mençurisë, i së keqës, shëndetit, plleshmërisë”(Aleksandër Stipçeviq, “Ilirët, historia, jeta, kultura, simbolet e kultet”, Toena, Tiranë, 2002, f.309). Kujtojmë gjarpërinjtë që u japin forcë kreshnikëve ose u shërojnë plagët..

[3] Dhimitri Pilika, Pellazgët, origjina jonë e mohuar, Botimet Enciklopedike, Tiranë 2005. Dhimitri Pilika ka argumentuar se Shqiponja e Zeusit të Dodonës, parahelene, është përcjellë ndër iliro-epiroto-shqiptarët, si simbol i potencës së sundimit dhe ndëshkimit. Ajo vjen nga qielli dhe kur është me krahë të hapur simbolizon diellin dhe rrezet e tij. Shqiponja u kundërvihet kafshëve htonike, edhe gjarprit. Nga shtatë mëkatet më të rënda, simbolizon krenarinë, ndër katër virtytet bazë, drejtësinë (Dizionario dei simboli, Edizione Piemme, Monferrato, 2004, f.96). Te Cikli i Kreshnikëve janë zogjtë që u shërbejnë heronjve shqiptarë për të mos ia lënduar kush krenarinë dhe për të dëshmuar drejtësinë e bëmave që kryejnë.

[4] “Akili ishte pellazg e jo helen, stërgjysh i Pirro Millosit, këtij stërgjyshi autentik të Skënderbeut dhe të mbarë shqiptarëve” (Dhimitri Pilika, vepër e cituar, f.319).

[5] Shtjefen Gjeçovi, Trashëgimia trako-ilire, Ora, Tiranë ,2003, f.74.

[6] Angela Cerinotti, Atlante dei Miti dell’antica Grecia e di Roma antica, Casa editrice Demetra, Colognola di Colli, 1998, f.85. Dizionario dei simboli, f.96.

[7] “Dragoi: Figurë gjysmë-njeri e mitologjisë së Shqipërisë veriore (!?)... dhe i ngjet zmaj-it serb e bullgar” (Robert Elsie, Leksiku i kulturës popullore shqiptare, Skanderbeg-books, Tiranë, 2005, f.49).

[8] Eqerem Çabej, Studime etimologjike në fushë të shqipes III, Tiranë, 1987, f.302.

[9] Po aty, f.301.

[10] Po aty, f.301.

[11] Jonathan Zittell Smith, Animals and plants in myth and legend, në The new Encyclopaedia Britannica in 30 volumes, Macropaedia I, Çikago, 1984, f.915.

[12] The new Encyclopaedia Britannica, Mikropaedia III, vepër e cituar, f.652.

[13] Angela Cerinotti, vepër e cituar, f.92.

[14] Ruzhdi Ushaku, Hulumtime etnolinguistike, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, 2000, f.18.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...