Ali Podrimja u lind më 28 Gusht, 1942 në Gjakovë, Kosovë, ku pati një fëmijëri të vështirë. Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë ndërkombëtare.
Botën e vet poetike poeti e artikulon përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (veçanërisht me simbolin dhe metaforën) dhe me një shkallë mjaft të lartë ndjeshmërie. Poezia e tij është epitomë e hermetizmit ku metaforat përbëhen nga disa nivele dhe nën-nivele kuptimore. Manifestimi i kësaj forme poetike u bë i domosdoshëm për poetin, sepse i shërbeu si mburojë kundër sulmeve ndaj ish-pushtetit Serb në Kosovë. Pas pavarësisë së Kosovës, poezia e tij rifitojë lirizmin dhe ndenjën poetike, por pa mundur të dalin krejtësisht nga stili i ngjeshur tradicional.
Studjoi gjuhë dhe letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës, ku dhe jetoi tërë jetën. Periudha vendimtare për formimin shpírtëror dhe intelektual të poetit janë vitet pesëdhjetë. Më 1957 botoi poezinë e parë në revistën "Jeta e Re".
Ishin vitet kur shqiptarët në Kosovë përjetonin njërin nga terroret me të egra të pushtuesit serb, kohën e aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve dhe të shpërnguljeve më drámatike të përmasave tragjike për Kosovën dhe shqiptarët (rreth treqindmijë të shpërngulur dhunshëm në Turqi). Poeti rritej dhe piqej në këto kushte, në këtë atmosfere agonie, që e kishte mbërthyer Kosovën. Qyteti i Gjakovës, ku kishte lindur dhe shkollohej, qytet me traditë të pasur patriotike, ishte më i godituri nga kjo vërshimë policore e UDB-së serbe. Poeti i përfshirë në këtë përditshmëri ndjeu nevojë të rezistojë, të kundërvihet dhe ta stigmatizojë tërthorazi synimin e pushtuesit:
Vargjet janë shkëputur nga poemthi lirik ,Hija e tokës", të cilin Ali Podrimja e shkruajti në vitin 1960, kur ishte gjimnazist. Një vit më pas, më 1961, Ali Podrimja botoi përmbledhjen e parë me vargje elegjiake Thirrje. Më pas vijnë përmbledhjet Shamijat e përshëndetjeve (1963), Dhimbë e bukur (1967), Sampo (1969), Torzo (1971) etj., deri në veprën e tij mjeshtërore Lum, lumi, (1982), që shënoi një kthesë në poezinë bashkëkohore kosovare.
Në vitet '80 e '90 ai do të vazhdojë të botojë libra poetikë si Zari, Buzëqeshje në kafaz etj., deri te dy librat në prozë: Burgu i hapur (1998) dhe Harakiri (1999).
Kur për një poet themi se nuk është konvencional, pra është modern, këtë duhet ta kuptojmë kështu: Ali Podrimja e çliron poezinë shqipe nga disa rregulla metrike, siç është: vargu i thurur, apo nga përmbajtjet si fryma apologjike, brohoritëse e poezisë së pasluftës etj. Por, ai vendos parime të tjera krijuese, siç është vargu i lirë, shqiptimi metaforik, gjuha e ironisë, efikase për të shprehur zona më të errëta apo më të fshehta të natyrës së njeriut.
Synimi i poetit për t'u fshehur përmes reflekseve ezopike dhe për t'i përcjellë ato, duke shmangur ndalesat e jashtme, e nxjerrin në plan të parë mesazhin dhe në plan të dytë atë pjesë të vlerës artistike që arrihet përmes ritmit dhe euforisë. Me rëndësi është të kuptohet, nëse këto parime poetike të Ali Podrimjes, janë parime të një brezi dhe të një kohe dhe duhet të njihen si përvojë.
Pa to nuk mund të kuptohet dhe të zbulohet arti poetik nëpër kohë, sidomos për krijuesit e rinj, poetët e mëdhenj janë shkollë, nga e cila mund të mësojnë; janë përvojat, nga të cilat do të nisin ata të krijojnë parimet e tyre poetike. Poezia e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes koloritit të veçantë, përmes botës shpirtërore me individualitetin e vet të formuar, të ndryshëm nga të tjerët.
Publikimin e parë e bëri në vitin 1957 në revistën letrare Jeta e Re kur ishte në gjimnaz.
Rrethanat e vështira politike gjatë viteve ´60 dhe ato familjare më pas, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në poezitë e tij. Vdekja e të birit, Lumit, rezultoi me veprën më të bukur të tij gjer më sot, Lum Lumi.
Poezija e tij ka bërë që poezia shqiptare në tërësi të respektohet në të gjithë trojet shqiptare, si dhe të përkthehet në shumë gjuhë të huaja. Vargu i Podrimjës karakterizohet nga thjeshtësia, rima e padukshme, dhe simbolet e papritura.
Ali Podrimja
Poezia dhe vasha
Ajo shkruante poezi erotike
U ngjante vitrazheve, frymës
Kish shpirtin dhe bukurinë engjëllore
Para se të bënte dush
Plaçkat i hidhte nëpër sallon
Dhe shikonte trupin në pasqyrë
Mos ka mbetur edhe diç
Mund të ndërpritet komunikimi
Mes saj dhe atij tej xhamit
Që shikonte me sy të mjegulluar
Ne bisedonim për të bukurën
Dhe sensibilitetin njerëzor
Për kohën që na mungonte
Atë që prekte shkaktonte vërshime, tërmete
Dhe atë zërin e brendshëm
Që duhet mbrojtur
Një nga një ia ktheja plaçkat
Para sa kohësh të shpërndara
Në hapësirën blu
Dëshironte të ndjejë zgjimin e trupit
Të shëndetshëm, të pastër
Ç’të heqë më dorë e Krijuesit
(2010)
HARTA E GRISUR
Kujdes se minjtë grimcojnë hartën
e të qenit tonë
Breznitë ku mësonin si të ecet lashtësisë
Deri ku shtrihet atdheu e sa dete e lagin
Në fund të horizontit ngrin fryma
Në një cung ulur vërej para Kullës
Ku bie guri e ku fluturon zogu im
Shalues të ri një kalë kërkon
Gryka e vdekjes nuk kapërcehet
Nën krahë engjëlli udhëtim ëndërrues
Dherave lë nga një gur varri
Në shkreptina humb
Buzë Ujit të Madh shfaqet vdekja
Në rroba të zeza
Arbëria m’i ngjante një deleje të zgjebosur
Gardhiqeve lëkurë linte e ndrite pikagjaku
Ulërinte kopeja e ujqve të tërbuar
Vetëtimë shpatash këtejeandej Murit
Binin Majët e Sulit e lotonin selvitë
Me kokën e Ali Pashës në shuplakë
Hapet harta e grisur e atDheut
(Pragë, 1986)
Fusha e Zezë
Ku të lëshoj rrënjë
E të bëj pakëz hije
Se varre e varre e varre
Mbi to zgjohemi e dashur
Shkundim dritën e verbër
Të lexojmë fundin e ëndrrës
Nën një qiparis
(2005)
Maratoni nga Iliria
Është një engjëll që na mbron
Se kujt Maratoni nga Iliria
Do ia kumtojë lajmin
Se në Ulpianë
U gjet tërfili me katër fletë
(1999)
Tek ia kaloja Akilit
Këmbëzbathur zbres Malit të Vetëtimave
Qetësinë përrallore të Villa Walbertës
Ta hap në Gadishullin Ilirik
Çast të lumtur të kujtoj nga Golgota
Në shpinë Breshke Arbërie
Akilit tek ia kaloja
(Feldafing, 23.7.1992)
Gjarpri, bukuria
Mbyta gjarprin të hy në kohën time
Ç’po më dendëson zbrazëtia nëpër
huqet e mia
Diku në botë
Po qe se nuk të shkruaj
miku im i dashur dhe
Po qe se nuk ma dëgjon zërin
Merr një karafil
e ma kërko varrin
diku në botë
se vajta pas Lumit
(Ulpianë, 1982)
Një lozë seç loton
Tatëpjetë Golgotës zbret
hija e Njeriut
Është Çami, këngëtari i verbër i Sulit
Me një vravashke ndritë
rrugën e errët
Kërkon shtëpinë në lagjen Plaka
dhe varret e të parëve
Buzuku do të men
për komandant Arvanit
Nën çati seç loton lozë e tharë.
(Athinë, 1986)
G u a s k a
Dikur ishte shfaqur Shkretëtira
Dhe kisha dëgjuar vajin e Burrit të Dheut
Kisha përvjelë pantallonat
Pas zërit të fyellit isha nisur
Nga fundi i mistershëm tej horizontit
I' guaskë seç e kishte nxjerrë Uji i Madh
Kisha filluar ta hapë dhe Guaskë pas Guaske
Zbuloja fatkeqësitë e dherave të Arbërisë.
(Vlorë, 1992)
Litari i ankthit
E lirë Kosova dhe e pavarur
Me një litar rreth qafe
Kërkon degën më të lartë
Si dele nuk i dilet në pazar
Nëpër fjalë seç dridhet
Midis dy qytetërimeve e zënë
Nuk e mban litari as e lëshon
Në konferenca ndërkombëtare
Kallëzohet si përrallë
E s’e lëshon as e mban një litar
(Ulpianë, 9.10.2000)
Lufta Ime
Ra nata, tej vringëllin
Kur te duan me ndëshkojnë
Ligji nuk ekziston për mua
Timin prandaj e shkruaj
Thyej xhamin e errët
Mes meje e forcës së verbër
(Këln, 1 nëntor 1998)
Vaji për Kosovën
Na pate apo te kishim
Ne toke as ne qiell
mori e uruar
Hap shuplaken dhe peshoj
Piken e gjakut tënd
(Munih, 1998)
Dridhme
Ne Kosove
Vetëm vdekja
nuk vonon
(Munih, 1999)
Mjerimi njerëzor
Edhe Qeni
nuk kafshon
nganjëherë
e nuk është Njeri
Po Njeriu
nuk le gjë
pa gëlltitur
e nuk është Qen.
(Prishtinë, 1980)
KOMETA E HARRUAR
Gjithnjë e më pak i ngjaj vetes
Dje e varrosëm poetin Jamarbër Marko
Tirana e zbrazur dhe më bëhej se
një peshkaqen kërkonte gjahun e vet
Jam i huaj gjithnjë e më shumë
Me kockë e mish më kapërdinë zbrazësia
E kërkoj gurin tim dhe ik
nga Uji i Madh që rrah brigjet e mia
Nuk besoja se kaq shumë vetmi
Tjerret metropoleve shqiptare
Ku ndonjë mbret i minjve
Hedh dhe duqin e fundit të cigares
Duhet ikur duhet ikur miku im
Para se t’më zërë nata e thikave
Në Lesbos tek kërkoj Safon
Kokën e poetit të panjohur nga Australia
E pashë si fluturonte në qiellin grek
Komet e harruar nga koha e Homerit.
(Lesbos, 8/09/2010)
HARTA E GRISUR
Kujdes se minjtë grimcojnë hartën
e të qenit tonë
Breznitë ku mësonin si të ecet lashtësisë
Deri ku shtrihet atDheu e sa dete e lagin
Në fund të horizontit ngrin fryma
Në një cung ulur vërej para Kullës
Ku bie guri e ku fluturon zogu im
Shalues të ri një kalë kërkon
Nuk kapërcehet gryka e vdekjes
Nën krahë engjëlli udhëtim ëndërrues
Dherave lë nga një gur varr
Në shkreptina humb
Buzë Ujit të Madh shfaqet vdekja
në rroba të zeza
Arbëria m’i ngjante një deleje të zgjebosur
Gardhiqeve linte lëkurë e ndrite pikagjakut
Kopeja e ujqve të tërbuar ulërinte
Vetëtimë shpatash këtejeandej Murit
Binin Majët e Sulit e lotonin selvitë
Me kokën e Ali Pashës në shuplakë
Hapet harta e grisur e atDheut
(Pargë, 1986)
FLUTURIMI I FUNDIT
Paqen e përjetshme ma fale imZot
Kërkoj një vend të vë kokën
Mbi bos dheu ku shirat
nuk pushojnë
Në kujtesë të mbyll fluturimin e
fundit të fluturës
Para fjalës e shpirtit
tek digjen në flakën e qiriut
Faleminderës imZot që nuk më turpërove
mua rebelin e mbretërisë së përhirtë
qe ik tek fishkëllon andej fryma
(Ulpianë, 1998)
DËGJOHET `I KAMBANË
Jeta nuk është
Është vdekja
Që fshihet pas
Therres së vet
Pret të troket
Diku dëgjohet
`i kambanë
(Berlin, 1989)
UNË BIRI YT
Unë biri yt, Kosovë, t'i njoh dëshirat e heshtura,
t'i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t'i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,
t'i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve të pagjumta,
e të shpërthejë do si vullkan,
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë,
Unë, biri yt.
EPIKA
Me shekuj kam shitur gjakun
e rritur jam me gjakun e shitur
Me shekuj kam hëngër me veten
e ditur s'kam të qesh me veten e tepruar...
Miq,
Kosova është gjaku im që nuk falet!
ANKTHI
Toka ime digjet, toka ime e dashur,
balli im i ngrysur,
pishë...
Caqet e tua herët t'i kam përbirë me hijet e mia,
Kosovë, përrallë e lashtë!
Herët m'i ke lidhur këmbë e duart me skamje,
vuajtje e vdekje...
Medet, kë më parë të shpëtoj: veten apo zogjtë
e ngrirë n'ajër?
Nipave ç'tu them për këngën time të vdekjes?
- Heu, edhe kryet po të ma hiqni, tjetra do t'më
kish mbirë!
Toka ime digjet
në çdo pëllëmbë të trupit tim - toka e mallkuar..
ME JETUE
Tim bir, Lumit
Erdhe në jetë
Nuk ka më nevojë për kuje, lutje
Kryesorja të jetosh
Këtë gur ta hedhësh më larg se Unë
Prandaj:
Bukën ta pjekësh dy herë nën saç
Ujin ta ziesh deri në shkallën 99
Derisa të mbetesh ti i vetmi kërthi në ajër
në kohë kozmos.
Metafora e Jetës Sime
nëse s'flas
jeta ime s'ka qetësi
fjala ime bëhu Unë
heshtja të të mos shtypë
në gurë
rnulliri
nëse s'flas
jeta ime s'ka qetësi
fjala ime bëhu Unë
plaga ime
le të marrë
frymë thellë
ME QENË
Të jesh shqiptar
e vdekja të mos të gjejë
edhe në skaj të botës
e pamundur është
Të jesh shqiptar
e ndonjë qen të mos të ndjek
deri në varr
e pamundur është
Shqiptar të jesh
botën varr të mos e kesh
e pamundur është
e pamundur
Në trupin tim
plaga më e thellë
sa më afër
Bregut
lum lumi nuk është në linjë
TI DHE UJI
Diellin ta shikosh nga hija e plepit
Dhe ta matësh
Kur hijen tënde s'mund ta kapërcesh më
Qenit ruaju se të kafshon ajo kafshë shtëpiake
Besnik i madh i Njeriut
Nga kafshimi i gjarprit mund të shpëtosh
Macen nxirre nga fjalori yt gjithsesi
Ajo s'është simbol i kohës sate as i artit tënd
(Unë gjithmonë ia kam frikën edhe Lules edhe
Femrës)
Kur të flasësh fol të dëgjohesh në bjeshkë
të dëgjohesh në shkretëtirë
Për të dytën herë mbetesh pa kokë ose kush
nuk të beson:
Sa më pak shikoje veten në pasqyrë
Dhe kurrë mos mendo: I pari
Ai që ka ekzistuar para teje jam UNË
Ai që do të kujdeset për ditët e mia të mbrama
Për ëndrrat e mia e qetësinë je Ti
Me pleh kurrë mos u pajto: Nxirre në gjysmë
të natës
në pikë të vapës
Asgjë mos rrit asgjë mos krijo me dhunë
Rast i humbur nuk je edhe pse pylli
dendësohet
Mund ta kalosh natën në Kullën time të vetmuar
në botë
Dhe si të duash Ti Lumi
Kryesorja: jetën ta jetosh pa e vrarë
Dhe pa të mbetur në këmbë ndonjë therrë
e saj e zezë
Bashkudhëtari im
Ta provojmë vetveten derisa kemi frymë.
NJË NATË NGA NETET PA GJUMË
Zgjohu Kosovë!Zgjohu nëna ime e dashur,
balli dhe emri im i shkelur,
zgjohu,oj!A po e ndien vajin tim?
A po sheh si ti kam ngulur sytë
mu në zemër,mu në shpirt,
si t`i kam hedhur duart rreth belit
për të përqafuar unë, ashti yt?
Zgjohu,Kosovë!
Nga degët e mia të thyera kush po dahet,
këtë cater kush po e le?
Ç`janë këto gjurmë gjaku që po shtohen
nëpër fytyrën tende,
këto varre e murana qe po sillen vërdallë
rreth shtëpisë sime?...
Zgjohu, Kosovë!Zgjohu, nëna ime e dashur,
balli dhe emri im i shkelur,
Zgjohu, Kosovë!...
Sonte vetëm mbeta e
në derë të oborrit askush s`po me troket,
askush më, thua vdekur jam e harruar
Në këto troje e suka gjaku.
Thua më është shkrimbur hisja
e mbyllur dera e konakut.....
Zgjohu, Kosovë, flakë e hershme e ashtit tim
t`pelcitur.
Bota në ty le të kallet!
PARISI, VENDLINDJA
Do të hyjmë në Paris
gurin tonë aty do ta ngulim,
nuk do të na presë Teuta, Genti,
nuk do të na presë hordhi e egër romake,
nuk do të na presë njeri i gjallë.
Në Paris do të hyjmë;
ëndërrat do t'i varim në krahë të lejlekëve
te një krua do t'i lajmë sytë, duart lythore,
do t'i lëmë netët ballkanike pas shpine
vallet, këngët, baladat, përrallat,
vetëm fyellin do ta marrim
t'i biem kur të na rrokë malli,
kur humbim në grumbullin e klosharëve,
të hijeve,
të minjve,
deri vonë rrugëve të Parisit në metro marramenthi:
do t'i marrim erë ftoit të vendlindjes
për kohët pis do të flasim me gishta,
nuk do të shkelim asnjë mizë,
nuk do të trembim asnjë zog,
nuk do të derdhim zjarr, vrer,
mbi kokë të njeriut,
Evropës së përgjumur s'do t'i përulemi
as perëndive të krisura.
Ma jep besën, Lum Lumi,
se nuk do të harrojmë vendlindjen.
RËNKIMI
Qaj, rrafshi im i dashur, qaj!
Diellin tënd verbuar e kanë tytat,
E vatrat shkimbur deri në një.
Zogun në qiell, zogun ta kanë vrarë
Me duar të mia të çara
Me rrashtat tona të shpuara mbuluar të kanë;
Pragje thyer e konaqe mbyllur...
Për gjithkë e për askë vrarë jemi...
Qaj, rrafshi im i dashur, qaj.
Plepi im qiellin do ta shpojë,
Plepi im i kallur
Qiellin e humbur majë një shpate.
-----------------------------------------------------------------------