Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/12/07

Murat Gecaj -BISEDË PËR DY LIBRA TË VEÇANTË, ME MËSUESEN E PASIONUAR LUMTURI VLADI…

( Ose: “Zjushë Lumja”, përherë e rrethuar nga nxënësit e saj, me ngrohtësi dhe dashuri )


image


Lumja, ndërmjet nxënësve të dashur…


Kësaj radhe, dëshiroj t’i njoh lexuesit me një mësuese emërmirë, si për nxënësit dhe prindërit e tyre, nga kryeqyteti ynë Tiranë. Jemi takuar bashkë jo vetëm sivjet, në Panairin e 16-të të Librit, “Tirana-2013”, por edhe më parë, në Panairet e 14-të e 15-të të Librit, në shoqërinë e mjaft shkrimtarëve dhe poetëve të afirmuar. Ndër ta, ka qenë kolegu e miku ynë i përbashkët, Sadull Zendeli-Daja, nga Gostivari dhe që jeton tash afër 50 vjet në Suedi. Ky vetë ka botuar disa libra, me poezi e fjalorë etj.Por dhe për atë janë shkruar libra.…Atëherë, po përurohej libri “Dashuri engjëjsh”, të cilin e kishte përgatitur shkrimtari Skënder Hasko. Për të, aty foli edhe shkrimtari i njohur Bardhyl Xhama. Ndërsa, më pas edhe unë pata kënaqësinë ta përmendja në shtyp, këtë libër të një lloji tepër të veçantë. Prandaj, tani po zhvillojmë një bisedë të thjeshtë, si për kata dy libra, planet e Lumes për botime të tjera dhe, shkurt, për shumë vite të saj, në punën për edukimin dhe mësimin e brezit të ri.



1.Siç të janë drejtuar, me shumë nderim e respekt, breza të tërë nxënësish, po tëë them edhe unë kështu…Pra, “zjushë Lume”, a mund të na tregosh dicka më tepër rreth librit të parë, “Dashuri engjëjsh”, si lindi mendimi për ta hartuar atë, si u realizua botimi i tij dhe çfarë përmban?


-Ju falënderoj shumë për këtë bisedë, prof. Murati! Konkretisht, po u përgjigjem: Botimet e librave të mi kanë nisur fare thjeshtë. Kisha vite, që mblidhja shkrime nga nxenesit e mi. Ishte 7-8 Marsi i vitit 2007, kur po hyja në shtepi. Vjen një taksist dhe pyet të njohurën time për shtëpinë, se ku banoja. Me dashamirësi, ajo ia tregoi. Ai mbante dy buqeta me lule të freskëta në duar dhe, pasi m’u afrua buzagas, më përshëndeti. Sigurisht, e falëndërova dhe e përqafova me ngrohtësi. Ndërsa po hyja në shtëpi, drejtoresha e Shtëpisë Botuese “Toena”, Irena Toçi më pyeti se nga kush i kisha ato buqeta me lule, duke i cilësuar shumë të bukura.
Ndërkaq, padashur, më ranë përtokë disa kushtime. Ajo u përkul dhe i mori në duar. Nga kureshtja, i lexoi shpejt e shpejt. Në vijim, më pyeti nëse kisha të tjera krijime të tilla, nga nxënësit e mi. Ashtu siç qe fakti, iu përgjigja se numri i tyre ishte i shumtë. Me kaq, e përfunduam atë bisedë.

Dr. Myzafere Mustafa -Poetika dhe elemente mitike të përrallës arbëreshe

Dihet se përralla[1] është njëra ndër format më të rëndësishme dhe më komplekse të prozës gojore, këtë e kushtëzon universi i saj, pasuria tematike dhe motivore, struktura e konsoliduar kompozicionale, figurat e botës reale dhe mitike, aksionet e shumta dhe të papritura të heroit, gjuha simbolike, motivet e sublimuara etj. Të gjithë këta përbërës realizohen në një botën të pasur që është unike për përrallën e cila ka një kronotopi specifike, nëpërmjet të së cilës rënohen kufijtë hapësinorë dhe kohorë.

Duke qenë fryt i imagjinatës, përralla e zhvendos veprimin nga bota tokësore në botën qiellore dhe në atë nëntokësore. Në universin e saj mrekullitë janë të natyrshme, ndërsa magjitë janë rregull. Elementi mbinatyror si përbërës qenësor përfaqëson substancën, ligjshmëritë dhe frymën e saj. E mrekullishmja është element i veprimit dhe pranohet si e vetëkuptueshme dhe është shprehje e stilit abstrakt[2], e ideve të përrallës dhe modeleve përkatëse të universit të saj. Në përrallë veprojnë një sërë personazhesh, qeniesh mitike dhe mjetesh mitike të cilat atë e pasurojnë në planin sintagmatik dhe paradigmatik. Personazhe të përrallës janë njerëzit e rëndomtë apo edhe njerëzit me veti të trashëguara mitike, por edhe kafshët dhe qeniet e ndryshme mitike.

Heroi i përrallës vepron dhe është në marrëdhënie me antagonistët. Marrëdhëniet në përrallë ndërtohen sipas sistemit të opozitave (i mirë - keq, i veti - huaji, kjo botë- ajo botë ) , i cili sistem përbën botën e saj. Përveç heroit, në përrallë aktivizohen dhe veprojnë edhe qeniet apo figurat mitike, e që në përrallën arbëreshe kryesisht i takojnë arealit mitik kombëtar.

Ndër figurat mitike më të njohura të përrallës arbëreshe janë: fatazit, orku, brigandtë, e Bukura e jets, dragoi, burri i egër etj.

E Bukura e jets, është sinonim i të Bukurës së Dheut të përrallës shqiptare dhe të përrallës arbëreshe, pra nënkupton të njëjtën figurë. Ajo është simbol i të bukurës dhe i të përkryerës. Synimi i heroit për arritjen e saj shënjon realizimin e dëshirave dhe të idealit jetësor të tij, ndërsa kërkimi i saj shënjon hyrjen në peripeci, vështirësi, vetëmohim, formim të identitetit etj. Arritja te e Bukura e jets, përvetësimi i saj dhe martesa me të është simbolikë e integrimit të personalitetit të heroit dhe e ndërrimit të statusit të tij familjar dhe shoqëror.

Fatëzat janë figura mitike që në planin sintagmatik janë në funksion të ndihmësve, apo këshilldhënësve apo thënë me terminologji të Klod Bremonit, në funksion të aleatit.

Brigandtë, orku, dragoi janë në funksion të figurave antagoniste me të cilat ballafaqohet heroi. Në sistemin e opozitave i veti – i huaji; i mirë – i keq ; kjo botë - ajo botë, këto figura i takojnë pjesës së dytë. Këto qenie mitike jetojnë në botën tjetër, zakonisht në pyll, në botën nëntokësore por edhe në botën qiellore.

Bota tjetër ka konotim negativ meqë konsiderohet se në të jetojnë fuqitë e panjohura dhe forcat e papastra. Vetëm shtëpia për heroin e përrallës konsiderohet vend që konoton sigurinë, hapësirën e mbrojtur, ku nuk mund të depërtojnë forcat e panjohura.

Shtëpia është arketip universal i sigurisë së njeriut, pra edhe i heroit të përrallës. Takimi i heroit me qeniet mitike provokon dhe nxit ambiciet e tij për ta njohur botën e panjohur dhe për t’u ballafaquar me qeniet mitike, në mënyrë që ta zotërojë atë botë por edhe të ballafaqohet me problemet botës së vet të brendshme, në mënyrë që pas tejkalimit të peripecive të dalë i ndryshuar dhe i transformuar si në aspektin psikologjik ashtu edhe në aspektin e statusit social.

Në një sërë përrallash arbëreshe personazhe janë Vajza e Hënës apo e Diellit, Djali gjarpër apo Vajza gjarpër, apo Vajza me diellin apo hënëzën në ballë. Të gjitha këto figura kanë veti mitike. Mirëpo, figura të shpeshta të përrallës arbëreshe janë edhe Shën Pjetri, Shën Mëria, Shën Mikel Arkangjulli. Këto figura arketipe biblike në planin sintagmatik janë në funksion të aleatit, që ndihmon kryerjen e detyrave dhe të veprimeve të heroit të përrallës, ndërsa në planin paradigmatik dhe semantik janë pjesë e universit botëkuptimor të njeriut.

Tematika dhe syzheu i përrallës arbëreshe është pjesë e fondit të lashtë indoeuropian, prandaj edhe pjesa më e madhe e këtyre përrallave gjejnë vendin në indeksin e tipeve të syzheve të Aarne-Thompsonit. Por një gjë është me rëndësi të theksohet, se përkundër faktit se syzhetë e tyre i takojnë fondit ndërkombëtar të përrallës, ato në strukturën tekstore dhe kuptimore përmbajnë specifika të botës dhe të mendësisë të etnisë arbëreshe, të filozofisë, të etikës dhe urtisë popullore. Përkundër faktit se përralla nuk e preferon përcaktimin e vendeve dhe të personazheve, në përrallën arbëreshe hasen shpesh mbiemrat përcaktorë dhe pronorë, vashëz arbëreshe, katundth arbëresh, Kuvendi Frasnits, Sheshi Pulinit. Heroi emërtohet Kostandin, ndërsa heroina Rina etj., që në përrallë marrin kuptim përgjithësues, por të arbëreshët këta emra kanë edhe kuptim identifikues.

Rrëfimtari arbëresh i përrallës bën përpjekje që gjatë rrëfimit të brumosë edhe ndonjë detal që është specifik për arbëreshët, apo që shpreh veçori te jetesës apo të etikës arbëreshe dhe të botëkuptimeve dhe të filozofisë popullore. Kështu bie fjala në përrallën “Vajza e bukur e i biri i regjit “, pas takimit të vajzës (heroinës së përrallës) me të birin e regjit(mbretit MM) rrëfimtari bën këtë koment:

“ Nderi i nji vajzeje isht si nji pasqyre; edhe ahti e vren” Këtu rrëfimtari jo vetëm që është bartës i një tradite letrare gojore shumë të rëndësishme, por edhe komenton normat morale popullore.

Në përrallën “ Binoshet “ rrëfimtari e thotë këtë mendim nëpërmjet të heroit të përrallës kur ai rrezikon jetën e vet :

” - Ka rreziqe më te keqe se vdekja ! Ndo herë, njeriu fiton jetë të pasosme tue vdekur ; si te luftat për të mirë të vëndit, a për të mpruar të drejten, grat të grymosurit…Po këtu, bashk me jetën, humbet edhe nderi” .

Edhe pse përralla nuk i preferon komentet, këtu jo vetëm që nuk bie intensiteti i rrëfimit, por përkundrazi përralla fiton peshë si në rrafshin artistik ashtu edhe në planin etik dhe edukativ. Përralla këtu përçon mesazh të hapur se për arbëreshin mbrojtja e atdheut dhe vdekja për atdhe është barabartë me jetën e pasosme, përjetësinë .

Rrëfimtari i përrallës arbëreshe gjithnjë bën përpjekje të vërë në pah atë që është specifikë e identitetit kombëtar, meqë e ndien se po i rrezikohet ai identitet.

Edhe pse përralla si zhanër nuk i preferon përshkrimet detale, qoftë të gjendjes shpirtërore të heroit, qoftë të ambientit që e rrethon atë, megjithatë herë pas herë hasen edhe përshkrime shumë të qëlluara të bukurisë së personazheve, të gjendjes së tyre shpirtërore dhe të ambientit që i rrethon personazhet. Përshkrimet e tilla jo vetëm që nuk e lëndojnë strukturën e kodifikuar të përrallës, por e ngritin në nivelin e veprave me vlerë artistike. Epitetet dhe krahasimet e qëlluara ia rrisin bukurinë e përrallës arbëreshe. Kështu bie fjala përralla “ Vajza e bukurë e i biri i regjit “ ka këtë situatë hyrëse :

“ Një herë e një herë ish një bujar, që i kish tri bija . E madhja ish e zezë si nata, e dyta ish e zeshkë si mbrëma, e vogla e bukurë si mënata.

Si kishën faqën ashtu kishen edhe zembren. E para ish e ligë si murtaja ; e mesmëja ish e keqe si uria ; e treta ish e mire e e butë si një qëngjeze.

Në këtë situatë iniciale të përrallës rrëfimtari arrin disa qëllime, së pari me epitete të zgjedhura bën tipizimin e personazheve pjesëmarrëse në veprim, pamja e tyre e jashtme determinon jo vetëm karakterin e tyre njerëzor por edhe veprimet e mëtutjeshme.

Nga kjo situatë iniciale supozohet se motra më e vogël “ e mirë e e butë si një qëngjëze”, që në fillim do të jetë viktimë e dy motrave më të mëdha, e për pasojë do të jetë bartëse e veprimit, pra heroinë e përrallës. Dy motrat e mëdha do t’i shkaktojnë dëme motrës së vogël. Evitimi i dëmit do të bëhet shkas për hyrjen e heroinës në peripeci të shumta, të cilat do të ndikojnë në zhvillimin dinamik të veprimit të mëtutjeshëm.

Vlen të theksohet edhe një gjë që ka rëndësi për krijimtarinë letrare gojore e sidomos për përrallën, është kjo lashtësia e saj, meqë dihet letërsia gojore ndër të gjithë popujt e botës i ka paraprirë letërsisë së shkruar. Shumë nga popujt me kulturë dhe ekonomi të zhvilluar kanë arritur që krijimet letrare gojore t’i shënojnë apo edhe t’i botojnë shumë herët. Te ne shqiptarët fatkeqësisht krijimtaria letrare gojore është shënuar, dhe botuar vonë.

Një faktor që dëshmon lashtësinë e një krijimi letrar gojor shqiptar apo të një motivi të njohur ndërkombëtar është edhe elementi arbëresh i cili me vete mori edhe kulturën shpirtërore materiale që nga shekulli i XV, të cilën e ruajti me xhelozi deri në ditët e sotme. Kështu bie fjala shumë nga këngët për Skënderbeun dhe për bashkëluftëtarët e tij janë ruajtur më të plota te arbëreshët sesa ndër shqiptarët e viseve etnike, kështu ndodh edhe me disa përralla të cilat kanë motive të njohura ndërkombëtare. Ndodh bie fjala që disa përralla në viset etnike shqiptare të rrëfehen pak ose aspak e për pasojë të harrohen, ndërsa te arbëreshet vazhdojnë të ruhen dhe të barten brez pas brezi. Në këtë kontekst mund të flasim për përrallën me motivin e bukuroshes së fjetur e cila njihet ndër shumë popuj të botës. Kjo përrallë nuk haset të jetë shënuar në vëllimet e prozës popullore shqiptare të Tiranës as në përrallat e mbledhura dhe të botuara nga prof. Anton Çetta, mirëpo e hasim te Zef Skiroi me titull “Boshti “ subjekti i së cilës është rënia e bukuroshes në gjumë të thellë. Fatin e saj, pra rënien në gjumë të thellë në një periudhë njëqindvjeçare, e kishin përcaktuar Fatëzat me rastin e pagëzimit. Gjumi i rëndë do të pasojë, në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, (pra në moshën e pas pubertetit) pas therjes së saj në boshtin e tjerrjes së leshit.

Rënia në gjumë të thellë simbolizon fazën e kontemplacionit pas pubertetit e cila fazë shpie kah vënia e ekuilibrit shpirtëror, pas të cilit do të pasojë formimi i personalitetit të pjekur fizikisht dhe psiqikisht në nivelin më të lartë. Vajza bie në një gjumë të thellë dhe gjatë asaj kohe rreth pallatit të saj rriten gjemba të shumta që e bëjnë të pamundshme hyrjen në pallat. Gjatë tërë kohës shumë trima provojnë të arrijnë deri te e Bukura e fjetur, por nuk ia dalin dot. Pas kalimit të kohës të paracaktuar nga fatëzat vjen princi afër pallatit, gjembat hiqen vetvetiu dhe ai shkon te e Bukura e fjetur, arrin ta puthë atë dhe pason zgjimi dhe martesa e lumtur. Me atë rast zgjohen edhe të gjithë anëtarët e familjes dhe pjesëtarët e pallatit mbretëror.

Është kjo një përrallë me një simbolikë të pasur lidhur me formimin e personalitetit të fëmijës dhe kalimin nga faza e fëmijërisë në fazën e pjekurisë. Falë mbledhësit Zef Skiroi dhe mbledhësit dhe studiuesit Luca Perone kjo përrallë ruhet e shënuar dhe i bashkohet fondit të përbashkët ndërkombëtar të përrallave me këtë syzhe.

Përrallat arbëreshe kanë një strukturë të konsoliduar kompozicionale e cila kryesisht përkon me strukturën e përrallës shqipe por edhe të asaj evropiane. Struktura e saj e kanonizuar shihet nëpërmjet të veprimeve të personazheve por edhe nëpërmjet të sistemit modelativ të konsoliduar. Përmbajtja e pasur, tematika e larmishme, personazhet, figurat mitologjike dhe ato të religjionit përfaqësojnë një thesar të kulturës së traditës sonë letrare gojore përkatësisht arbëreshe. Gjuha specifike arkaike shqipe edhe pse e përzier me barbarizma është po ashtu një dimension me vlerë i krijimtarisë së letërsisë folklorike të arbëreshëve.




[1] Për këtë punim kam përdorur veprat: Giusepe Schiro, Canti Tradicionali Ed Altri Saggi Delle Colonie Albanesi Di Sicilia,Napoli, Stab. Tip. Luigi Pierro & Figlio, MCMXXIII dhe Novellistica Italo – Albanese, Testi orali raccolti dal Prof. Luca Perrone, Firenze Leo S. Olschki Editore, MCMLXVII.

[2]Stilin abstrakt të përrallës, e trajton studiuesi i njohur zviceran Max Luthi në veprën e tij Përralla evropiane

Xheladin MJEKU-KUR DHIMBJA DHE DASHURIA FRYMOJNË ME VARGUN SHPIRTËROR

Gjatë leximit të këtyre poezive, që vijnë me frymën e një shpirti të ndieshëm dhe me shqetësimin e ngjarjeve dhe situatave, mund të vlerësoj se Sadije Abazi - Vallqi ka bërë një rrugëtim të gjatë dhe me plot shqetësime për gjithçka e rrethon dhe e preokupon në jetë. Falë këtij angazhimi të vazhdueshëm në vite, ajo sjell tek lexuesi përmbledhjen e poezive me titullin simbolik “Në pentagramin e zemrës”, të ndërtuar në katër cikle, që secili në vete ngërthen një botë të veçantë krijimesh, gjithmonë duke prekur situatat e jetuara e të përjetuara me shqetësime, emocione dhe shpresa për një ndryshim në të mirë të jetës dhe ardhmërisë.



image

Meditimi si frymëzim i vargut rebelues



Ndjenja krijuese dhe preokupimi plot shqetësime tek poezia e Sadije Abazi - Vallqit vjen me frymën e shqetësimeve, të dashurisë, gëzimeve dhe shpresave që e provokojnë unin e saj krijues, me frymë rebeluese në momente të caktuara, e herë me ndjesi sensitive për tema të natyrës shoqërore, sociale e politike, në raste të caktuara.

Librit i paraprinë poezia programatike, që i është vënë edhe si titull kësaj përmbledhje poezish, që kushtimisht edhe si varg, edhe si simbolikë përmbledh gjithë opinionet letrare dhe krijuese të autores, për të vazhduar pastaj me ciklet “Ecim nëpër shekuj”, “Shtigjeve të jetës”, “Porta e zemrës” dhe “Lind dhe vdes me fjalën time”. Fryma krijuese e Sadije Abazit-Vallqit, prek ngjarjet nga një kohë në tjetrën, duke cytur unin e saj krijues në ndërlidhjen tematike për rrjeshtimin e saj krah jetës së re dhe ndryshimeve që po vijnë.

Derisa në ciklin “Ecim nëpër shekuj” takojmë një epokë të rëndësishme të historisë sonë, me të gjitha ngjarjet, mundimet, heroizmat dhe fitoret e përjetuara, që nga lashtësia e Arbërisë e deri në përvjetorin e njëqind të Pavarësisë së Shqipërisë, në ciklin tjetër “Shtigjeve të jetës” autorja shtjellon tema nga përditshmëria, nga ngjarje e situata të ndryshme dhe ndonjë përkushtim për vendlindjen, familjen, të afërmit dhe miqësinë që e preokupojnë në vazhdimësi.

Ta hapësh “Portën e zemrës” në kohën kur gjithçka është e pasigurtë për autoren, e cila shtron tema shumë të ndieshme e plot ndruajtje për të ardhmen e saj e të shoqërisë që e rrethon, ka një rëndësi të veçantë. Ky cikël i këndon dashurisë, të bukurës dhe jetës së lumtur dhe vjen si “mëlmesë” që ia shton shijen lexuesit:



“Koha zbuloi vetminë time të strukur

Duke fshirë kujtimet në qetsinë e natës.

Me shpejtësi seç më ndave nga ëndrra

Derisa të bëja portretin mes pikave të lotit

Dhe bashkuam tingujt e këngës

Për një dashuri të humbur,

Lëkundëm mendimet e së djeshmes

Nga syri i përgjumur.“



(“Tinguj dashurie”)



Poezitë, si: “Në natën e ëndrrave”, “Bulëzon dashuria”, “Edhe heshtja flet”, “Porta e zemrës”, “Do të vij” dhe ndonjë tjetër, paraqesin rrugëtimin e gjatë e plot krajata të autores në moshën e re dhe fillimisht ruan mallin për jetën dhe fatin e ndrydhur që synon ta zbukurojë me vargjet e saj emocionuese dhe plot mesazh.





Provokimi i muzës nëpër kohë



Nuk ka dyshim se e gjithë poezia e kësaj përmbledhje shpalos shpirtin e trazuar me shqetësimet, dhimbjen dhe dëshirat e pafund në realizimin e një ëndrre të madhe të autores. Për ta vulosur këtë bindje edhe tek lexuesi i saj, poetja ka përzgjedhur edhe disa poezi që kryekëput shpalosin gatishmërinë e autores të hedh në letër gjithçka e preokupon në jetë. Kjo veprimtari e Sadije Abazi-Vallqit paraqitet me përkushtim në ciklin poetik “Lind dhe vdes me fjalën time”, ku spikat pasqyrimi mjeshtëror i vargut në rrugëtimin kohor të saj, duke u ballafaquar me situata e personalitete që ia imponojnë tematikat e shtjelluara.

Tematikat e nduarndurshme që trajtohen këtu, si: atdhedashuria, historia, lufta, jeta sociale e shumë motive tjera, të kujtojnë një kompleksitet temash e ngjarjesh që, siç do të thoshte në poezinë e tij të njohur emblematike “Tri gota” poeti i respektuar Latif Berisha: ‘‘I zbraza të dyja në të tretën gotë,/ U bë idhtë e ëmbël, si është vet kjo botë”.

Këtë provokim të muzës krijuese autorja e përshkruan me kujdes në këtë cikël poetik dhe sikur bën një përmbyllje për gjithçka e prek me penën e saj krijuese, duke ia atribuar unit të saj krijues.

Poezia që shfletuam këtu ka për bazament frymën e kohës dhe të ngjarjeve dhe për këtë fakt ajo do të rrugëtojë guximshëm me përballjen e situatave, derisa të frymojë edhe vargu poetk i autores.

Kjo përmbledhje poezish vjen si dhuratë e një përkushtimi të gjatë kohor me të gjitha prekjet sensitive të jetës së autores, e cila ka vullnetin të jetë gjithmonë në valët e përballjes me fatin e saj dhe të atdheut.

Rexhep Shahu - UDHËTARI I IZET DURAKUT NËPËR MBRETËRINË E VESIT

Mbresa nga romani “Libri i Udhëtarit” të Izet Durakut, botuar nga “Naimi”, Tiranë, 2013

Unë ndjehem në pozitë të vështirë : Izet Duraku është mesuesi im i përhershëm i poezisë dhe gazetarisë, është shkolla ime. Por mbi të gjitha është miku im me të cilin kemi shumë vite që luftojmë urrejtjen dhe shembim e ndërtojmë botën siç e duam ne.
image
Libri i Udhëtarit, i pesti libër i Izetit (Drini i Bradhë, poezi, Pragu, publicistikë, Vezullim heshtash, poezi, Agim Spahiu, monografi), është një libër i pazakontë, i rrallë, ku detyrohesh të veshësh pa kuptuar lëkurën e secilit personazh, si në një udhëtim, që nuk dihet kur nisi e kur do të mbarojë, në të gjitha kohërat e vendet njëherësh. Aty nuk ka konture e përmasa kohe apo kufinj hapsire. Aty nuk ka vende, aty s’ka realitet e ndërkohë je mu në midis të realitetit, në të gjitha vendet që janë e s’janë, brenda dhe jashtë planetit të pafundëm Njeri, një udhëtim shumë i mundimshëm në kërkim të njeriut dhe të virtytit. Aty sheh skllavërinë e vartësinë ndaj vesit, aty sheh si vesi vret virtytin, aty sheh zgafellat e galeritë e tmerrshme të burgut, aty sheh kaushin e burgut, aty sheh vrasjen, liratin e varjes, aty sheh se koka e prerë e njeriut ruhet si një kokërr lakër lope, aty sheh se si vritet shpirti, si del shpirti, aty sheh vrasjet në kufi, tërheqjet zvarrë të armiqve, sheh telat me gjemba të klonit që kampet e përqendrimit të Hitlerit do t’i kishin zili, aty sheh vesin si institucion dhe individin që përkulet me nderim para vesit, aty sheh revoltën e tmerrshme të turmës si bollë pa krye, aty sheh si si grabitet, si vidhet e përvetësohet revolta e turmës nga tiranët e sigurimit të shtetit, si manipulohet e keqpërdoret turma, si shëndrrohet turma njerzore në kope lopësh herë të çmendura e herë të cofta, aty sheh mbretërinë e joshjes, të shtirjes, mashtrimit, aty sheh se si tradhëtohet e shitet njeriu, si shitet e tradhëtohet atdheu, aty sheh se ideali vlen pesë pare spec. Lexon këtë roman dhe sikur lutesh që të thehet pasqyra mos me e pa veten se të villet vetja. Ky roman pohon atë që thotë Izeti se realiteti është ku e ku më i tmerrshëm e fantastik se fantazia më e çmendur. Ky është një libër jo popullor e për lexues masiv, por kërkon lexues të ditur si gjithë librat e paktë që shkruhen shumë rrallë. Sapo joshesh se po lexon vetën, kohën dhe ditën tënde, historinë dhe përditshmërinë tonë, me arrogancë e përdhunë autori të flak në shkrepa honesh e pafundësi kohësh, në vorbull absurdi dhe të bën të humbasësh çdo shenjë. Libër aq sa i një bote apo planeti tjetër, i do njerzve të tjerë që lutemi të jenë të pangjashëm me ne, aq edhe libër i përditshmërisë tonë. Gjeje vetën në mundsh, gjejë udhën në mundsh. Gjeje nga lind apo nga perendon, gjeje a je në varr apo po fluturon si zog. Gjeje a shkon ti tek plumbi apo vjen plumbi tek ti. A je në ëndërr apo në zhgjëndërr.

Na duket se e shohim, e njohim, e prekim, na duket se është i ngjashmi ynë, na duket se është sejcili prej nesh udhëtari i këtij romani, por në të njëjtën kohë nuk i dallojmë asnjë kontur, asnjë shenjë, asnjë ngjyrë dhe na tretet para sysh ky udhëtar i çuditshëm që “ecën përpara po kryet e mban mbrapa, ku ikin të gjallët dhe vijnë të vdekurit…”, tretet dhe hyn në thellësitë tona të ndërgjegjës duke na kujtue përditë se “…kur ua numërojmë të këqiat të huajve, s’bëjmë gjë tjetër, veçse ripërsërisim veset tona, që s’do të donim t’i kishim por ja që i kemi me tepricë”.

Është pak të them se është arrogant dhe i pamëshirshëm në skanimin e veseve që udhëheqin dhe sundojnë jetën në planetin e njerzve të marrë ku udhëtari i Izet Durakut rend në udhën e tij pa ditë se për ku, pa ditë se kur dhe pse rend, pa ditë a shkon apo vjen, pa ditë a lind apo vdes, pa ditë a është hero apo tiran, xhelat apo viktimë. Na duket se ecën mbrapsht. Ka prekë fundin e fundit të së ligës njerzore ky udhëtar dhe na tund para syve tufën e luleve të bukura e joshëse të së ligës.

Askush nuk e di ferrin edhe pse e flasim dhe përflasim. Lexoni Librin e Udhëtarit që ta shihni ferrin mbi tokë, ferrin që e projektojnë dhe ndërtojnë përditë njerzit. Vallëzojnë veset e ligësitë si në një festival orgjish ku “lajthitja këtu është bërë traditë të durohet, falë zemërgjërësisë së sovranes së hirshme. Gjithkush është i lirë me rrjedhë, me një fjalë me u çmendë”, thotë autori.

Çmitizon, rrënon, shkatërron pa mëshirë mitet e rreme, hipokrizinë, mosmirënjohjen dhe e çon në theqafje të pakthim ligësinë me gjithë kalorësit e saj. Tallet me ironi të pashoqe me moralin e rremë, me heronjtë e rremë, që injoranca, e liga dhe interesi i ka ngritë mbi piedestale mashtrimi, që janë ku e ku më të lartë, më të fortë, të mëdhenj, gjigandë e vështirë të shembshëm, se sa piedestalet e betonta e statujat e bronxta.

Izet Duraku hiqet sikur i ka dalë shpesh prej dore udhëtari i tij dhe duket sikur vetë rri në breg të detit të marrëzisë e çmendurisë kolektive si statujë trishtimi. Aq të mëdha, të potershme e të pamëshirshme janë dallgët e detit të marrëzisë kolektive që godasin dhunshëm mbi arsyen, sa nuk ka zë njeriu që të mund të dëgjohet, sado i lartë, i fortë dhe arsyeshëm të jetë ai zë.

“Kini mendjen, bëni sytë katër, se mund t’ua marrë mendjen morri pa ngjyrë”, thotë autori. “Ardhjen e kësaj qenie të tillë e kanë paralajmëruar me kohë orakujt dhe zotat tonë me shumë gunga”, vijon ai. E kështu shohim se të vdekurit vijnë tek të gjallët, të gjallët shkojnë tek të vdekurit. E kështu pambarimisht. Të vdekurit vijnë të shtrojnë e të bëjnë zap të gjallët, të gjallët shkojnë dhe hyjnë nën thundrën e të vdekurve që u ulërasin të gjallëve “Shtroje qafën qafir!” Që do të thotë dorëzohu pa luftuar, vdis, mos bëj zë, nxirri vetë me dorën tënde sytë e tu dhe këndo këngë gëzimi, vallëzo i lumtur dhe ec pa sy nëpër tokë apo qiell, ku ”Për të kaluar këndej, zogjtë e qiellit na marrin leje, na luten të fluturojnë në qiellin tonë…” .

Kush t’i paska nxjerrë sytë që po t’i shoh zgavrat bosh? Vëllai mi nxori sytë. E shoh se t’i paska krue dhe gërrye mirë zgavrat e syve… Ja, kjo është vetëm një piskamë që thirret nga udhëtari Izet Duraku.

Por autori edhe pse nuk është zoti, ai si zoti e udhëheq udhëtarin e tij në udhët e paudha edhe të qoftëlargut, zotëron gjithçka, sheh gjithçka në dritë e terr, hyn kudo edhe ku nuk lejohet sepse shemb kufinj, hyn ku hyn drita pa droje, hyn edhe ku nuk guxon drita të hyjë, në skutat më të terrta të vesit, ligësisë, babëzisë, poshtërsisë, pandershmërisë, besëprerjes, shtirjes, hyn në skutat më të fshehta të ferrit të njeriut ku nusëron shëmtia dhe ku shpesh pa kuptuar i lëpihet njerzia, lëpihet fatziu njeri, vetëm ka qejf të mos e shohë kush kur lëpihet “ku lart verbohesh nga drita e bukuria, por poshtë shurdhohesh pa derman, siç thotë profecia…”.

Më ndodh të shoh dhe takoj ndonjë përsonazh të Izet Durakut. Shollë këpuce e kanë lëkurën e fytyrës. Nuk dinë të skuqen, nuk dinë të turpërohen, nuk dinë të ndalen, nuk dinë të ngihen me ligësi e urrejtje. Unë kam në dorë vetëm të trembem, të frikësohem prej tyre sepse janë të zotët me të vra, me ta pshurrë xhenazen, me ta djegë me benzinë, e në fund me ta hedhë në erë varrin se u shemb bota e tyre, “bota e begatisë dhe lumturisë ku jetohej e punohej si në rrethim”.

“Ti fatzi, gjendesh në fund të ferrit…, në shpëtofsh këtu poshtë prej llucës e krimbave që do t’i kesh ngjitur për së gjalli e për së vdekuri, do të ruhesh më kot prej toksave, kur të ngjitesh në botën e sipërme. O do t’i helmosh ata, o do të helmohesh prej tyre…”, kumton autori i romanit Libri I Udhëtarit.

Sa më të largët e të thellë në kohë të përpiqet të na e bëjë historinë tonë të palavdishme, sado të hijshëm, të besueshëm e të përrallshëm ta qëndisë kostumin e përrallës, siç e quan autori romanin e tij, sado të ngjeshur, të hirtë, apo të zezë ta derdhë mjegullën përmbi kokat tona e deri te qiejt e zotave, që të mos shohim qartë, aq më aktual dhe elegant del ky rrëfim i pakompromis, ky udhëtar e këta udhëtarë në këtë “udhëtim që ngjan si një fluturim i ankthshëm me zorrët te goja”, “drejt brigjeve (a do të dalim ndonjëherë)” (te brigjet) që herë të afrohen e herë të largohen, e ku “pa dalë në breg, udhëtarët i plasin si dengje në det”.

Duhet pak vemendje, pak kthjelltësi e qartësi për ta parë vetën tonë, fytyrën tonë, kohën dhe jetën tonë në këtë film si ëndërr të udhëtimit tonë nëpër absurd, nëpër shkrepat, honet dhe udhët pa emër të vetes tonë, ku “marrëveshja dhe mosmarrëveshja gjithnjë qëndrojnë në fije të perit… e ku lypset së pari me shpëtue nga kurthet e fshehta të vetvetes, në vahun për në Shehrin e Verës së Pasosur…, ku disa shqyejnë, të tjerët shqyhen”.

Sokol DEMAKU -MITI I MALIT I ROVENA VATËS NË LETËRSINË SHQIPE


Shumë akademik, historian, gjuhëtar të huaj me kohë e vite kanë rrugëtuar në vendin tonë, dhe nga ato rrugëtime ata kanë lënë dorëshkrime, të cilat përshkruajnë dhe paraqesin në mënyrë të denjë ndjenjat e tyre për vendin dhe popullin tonë.
image
Akademiku anglez Henri Hollant i cili kaloi në vendin tonë i mahnitur nga natyra dhe bukuritë shënon tiparet dhe karakteristikat e banorëve te vendit tonë.
Liri gjatë udhëtimit të tij thotë: male me pamje të mrekullueshme, ngushtica dhe kalime të përkryera të një bote të mahnitshme, e peisazhe që asnjë shpirt artisti apo piktori nuk do mund ti paraqes apo krijoj. Këto mrekulli shtrihen njëra pas tjetrës, shfaqën mbas pyjeve larg e larg deri në pafundësinë e asaj që të kap syri. Pllaja dhe krahina të ndara nga përdredhja e lumenjëve, fushtat shtrihën nën një ngjyrë blu të ngrohtë e të qetë. Tomorri qëndron mes tyre si një ishull blu i errët. Ai ndjek sytë e mendjes time duke më përzier të tashmen më të kaluarën.....
Malet e Shqipërisë janë të mahnitshme e përrallore.

Camille Paganel thekson: Egërsisë së këtij vendi i imponohen shqiptarët që në pjesën dërrmuese të tyre i takojnë një brumi të ashpër e të çeliktë, me një fytyrë të rreshkur, me një vështrim tejshpues, luftëtar trima e me instikte të tmerrshme. Bukuria maleve shqiptare trondit burrat, ndërsa eleganca shtang femrat.

E reja Rovena VATA në studimin e saj monografik “Miti i malit në letërsinë shqipe” element dominant ka përfaqësimin e çdo cepi të Shqipërisë në aspektin gjeografiko- letrar që nga Veriu e gjerë në Jug me malet tona legjendare të cilat janë edhe themeli apo baza e këtij studimi e që edhe në të kaluarën këto male kanë qenë objekt studimi si u përmend më lartë nga shënimet e autorëve të huaj vite me parë.

Puna e kësaj studiueses të re të studimeve letrare dhe antropologjike në këtë fushë duhet përgëzuar dhe mendoj se kjo është një nismë e mirë e institucioneve tona që të përkrahen talentet e rinjë të cilët kanë mundësi ti japin shkencës sonë atë çka e meriton dhe ka nevojë për të.

Deri më sot nga shumë punime të autorëve të huaj që janë bërë në këtë drejtim, unë do ndalem dhe përmend në këtë aspekt dijetarin tonë të shquar profesor Eqrem Çabej (1908-1980), i cili që në vitin 1939 do na jap një pasqyrë të shkurtër, por duhet të them shumë të qartë, të mitologjisë sonë popullore shumë të pasur. E tani këtë me punën e saj madhore ka vazhduar e reja Rovena VATA, me punimin e saj shkencor “Miti i malit në letërsinë shqipe”.

Doket, adet dhe zakonet e caktuara, këto veprime magjike lidhen në shumicën e rasteve më jetën e malësorit tonë më stinët e motit, më festat e ndryshme, më ditë të shënuara, më kohën apo pjesën e ditës, por çka është më e rëndësishme ato lidhe më objekte dhe vende të caktuara. Është e njohur se disa adete apo rite bëhen në pranverë e të tjerat në vjeshtë, disa bëhen të martave e të tjerat të premteve, disa para dreke e ca pas dreke, është interesant se disa zakone apo rite lidhen me një vendbanim, të tjerat me një kodër, me një mal, apo lis, me varre apo vende të shenjëta ose te respektuara e kjo është ajo magjikja e tyre.

At Gjergj Fishta

Randsija e Folklores komtare.
Kushdo nieri i leters e i kalemit, e qi të jetë i zoti me perftue në mende të vet idén «Atdhé», kupton mirfillit randsín e madhe qi per kóm ká në vedvedi të mbledhunt e «folklorës» së tij komtare.
«Folklora» âsht pasqyra e kthjelltë e psihes së komit; âsht rrasa mermerit, më të cillen historija zgavrron t’endunt e të shendunt e popujvet; asht cehja e pashterrshme e gjuhsís e e letersís komtare.

«Folkloren», po, do të skjyrtojsh, po deshte me shkrue historín e komit, e cilla me hamende nuk shkruhet, por qi edhè pa tê komi jetë nuk ká; «folklores» do t’i siellesh, po deshte me shtue pasunín e gjûhës me fjalë të permvehtsueme, me frazeologí shprehsore, me shembulltyra të gjalla, dramatike; në «folklorë» prap ké me ndeshë më type mâ të nalta, më karaktere mâ të forta, e më motive mâ t’ardhuna e të perkueshme per zhvillimin e leteratyrës komtare.

Kjo vepër mongrafike është e ndarë në tetë kapituj, të cilët pothuajse autorja rrugëton në kohë dhe vite me temën të cilën ajo ka zgjedhur ta trajtoj në monografinë e saj. Do marrë pikënisjen në kohën e Lekë Dukagjinit me mitin e malit në Kanunin e Lekës duke vazhduar me traditën e malit në letërsinë e vjetër në kohën e Buzukut, Budit e Bogdanit, e do e trajtoj këtë mit si ai është realizuar në kohën e letërsisë romantike tek ne shqiptarët, pa i mbetur borxh romantizmit të shek. 20 me malin, malësorin dhe mitet e Fishtës, për të bërë një retrospektivë mjaft të thuktë me Kodin, Malin dhe Kanunin e Ernest Koliqit, por duke vazhduar me kohën migjeniane dhe ikjen e mitit të malit dhe fundin e romantizmit, për të kaluar te “Mali pa kod” i Martin Camajt me “Mali si dhimbje” dhe “Mali si fatalitet” dhe duke përfunduar me rikthimin e mitit të malit në letërsi në kohën e realizmit socialist tek ne. Por është me vlerë edhe literatura e shfrytëzuar nga autorja në punimin e kësaj monografie sa voluminoze po aq edhe me vlera. Figurat mitologjike, të cilat në trojet tona dhe në popullin tonë janë aq të shumta janë shfrytëzuar me mjaft mjeshtri nga pena e saj, duke u nisur nga gjithë krahinat tona gjeografike në kohë të ndryshme, të cilat secila në regjionin e tyre ka specifikat e veta, por duhet parë këtë edhe në aspektin se edhe individi si qenie ka veçoritë e tij në botën e tij vetjake në sferën e mitologjisë.Kur lexuesi i hynë leximit të kësaj monografie ai do mishërohet me të dhe se nuk ka mundësi që për asnjë moment të ndahet nga leximi, sepse tematika e shtjelluar është ajo që atë e magjepsë dhe nuk e lejon të ndahet nga leximi dhe studimi i brendisë dhe përmbajtjes së monografisë. E këtu ai do bindet në atë se mitologjia është një minierë e pafund, në të cilën nuk ka të sosur xehja e cila hulumtohet, nxirret dhe përpunohet. Pra Rovena i ka hyrë një punë serioze për të dhënë një pasqyrë sa më të plotë të mitlogjisë sonë, por realiteti është se duhet kohë dhe punë voluminoze sistematike hulumtuese si kjo e saj në terren, sikur veproi e reja Rovena VATA me gjithëpërfshirjen e trevave tona në njërën anë dhe në anën tjetër duke u mbështetur edhe në literaturën ekzistuese nga lashtësia gjerë në ditët e sotme. Ky është ndoshta një inspirim që në të ardhmen të bëhet edhe me në këtë drejtim e ndoshta duhet një punë konkrete për mbledhjen dhe përpunimin e botimin e botës sonë mitologjike e cila në bazë të të dhënave është mjaft e pasur dhe po të hulumtohet si duhet do shihet se në popull është e ruajtur me fanatizëm deri më sot. Por, pra po shihet se brezat e rinjë kanë forcë dhe guxim që ti hyjnë një pune të tillë me vlera kombëtare si Rovena VATA me materialet e punuara dhe të hulumtuara fragmentare, të cilat i ka sistemuar dhe botuar në monografinë e saj studimore “Miti i malit në letërsinë shqipe”, pra duhet të themi se edhe ne kemi njerëz të aftë në mbledhjen, hulumtimin, përpunimin, interpretimin dhe studimin e folklorit tonë dhe lëndës folklorike dhe aq më tepër të saj letrare në trojet tona.


Mendja e një kombi është arsimi, zemra e tij — morali i përgjithshëm.

Fjalë e urtë filozofike shqipe


BURHANEDIN XHEMAILI -Me rastin e 40 vjetorit të krijimtarisë poetike të poetit, prozatorit dhe studiuesit Nehas Sopaj

Vështrim




Poezitë e poetit të mirënjohur Nehas Sopaj shenojnë dyzet vjetorin e krijimitarisë letrare dhe paraqesin botën e pasur poetike të autorit. Këtë vlerë estetike e vërejmë te të gjitha vëllimet e botuara brenda kësaj kohe, e në veçanti te përzgjedhja e parë “Alga e dalë nga deti” dhe te përzgjedhja e dytë “Larg” që shquhen për shkak të funksionit estetik dhe unitetit të brendshëm si tërësi poetike... Autori me tërë këtë opus letrar dhe me këto përzgjedhje shenon kulmin e arritjes estetike në vlerat e poezisë shqipe në përgjithësi, dhe në krijimin e individualitetit të tij letrar në veçanti, si botë poetike më vete që dallon prej krijuesve të tjerë të afirmuar. Dallimi esencial është në mbarështrimin e temave, në mënyrën e ligjërimit poetik, në strukturimin e poezisë, dhe në formacionin stilistik... Me rëndësi të veçantë është se autori përveç poezisë që është vokacion i tij letrar, me sukses të theksuar ka krijuar tregimin, romanin, dhe me seriozitetin më të lartë profesional është marrë edhe me studimin e letërsisë.
image
Të gjitha poezitë brenda librit ”Alga e dalë nga deti” paraqesin botën poetike të autorit si pasuri emocionale dhe letrare që nxjerrin në sipërfaqe të gjitha shqetësimet nga koha reale dhe vizioni i tij poetik, për një botë më të pasur dhe pa fotografi të errëta... Fjalët poetike brenda poezive na japin fotografi të shumta që shihen dhe perceptohen gjatë leximit; këtë fenomen letrar e ndjejmë që nga poezia e parë ”Baladë e blertë” që ia kushton me ndjenja të veçanta Karadakut, vendlindjes së tij për begatitë natyrore, duke i zgjuar ndjenjat e brendshme si thirrje shpirtërore. Autori poezinë e koncepton duke e hapur me vargjet “Thirrje/ dhe shpirt i bardhë” dhe e përmbyllë me vargjet “Thirrje/ dhe zemër e madhe.”

Thirrjet e poetit vijnë në formë kushtrimi për ekzistencën dhe qëndresën kolektive, për yjet në kokën dhe në zjarrin e tij. Poezia në shikim të parë është përshkrim i natyrës, por në brendi të saj shprehet elementi refleksiv që jep mesazhe të qarta dhe domethënëse... Shqetësimet e poetit shprehen në të gjitha poezitë brenda librit si tërësi, por më provokuese dhe më mbresëlënese janë ato që shprehin ngjyrime të larmishme emocionale. Te poezia “Fije bari dhe këngë” era e ngrohtë e ditës së bardhë ka sjellë ditët e vërteta: ”këngët e gjakut dhe diellit. Këngët e ecjeve.” Do të thotë kemi dy figura paralele te këngët: gjaku dhe dielli që i ka sjellë era e ditës fatlume dhe që janë shtytje për këngën e ecjeve, për lëvizjet e mbara në drejtim të duhur... Nga kjo fotografi e fjalëve poetike me nota optimiste, pason shpalimi për të kaluarën, përmes rrëfimit lirik: “Te ne gjithmonë ka qenë errësirë./ Ka qenë vuajtje.Djallëzi./ Ka qenë vdekje dhe mallkim. Ndërsa në vargjet e fundit të kësaj poezie shprehet optimizmi dhe vizioni poetik me një tjetër fotografi: ”Në këtë tokë të jeshiltë/ po ngris shpatën e gjelbër,/ shpatën e nxehur me gjakun e luleve,/ shpatën e pranverës së madhe,/ shpatën e lulëzuar...

Po thuaj në të gjitha poezitë e librit shprehen ngjyrimet e larmishme emocionale, ndërsa te poezitë më të ngjeshura dhe më të thella teksti poetik na i çelë dyert e nëntekstit poetik për ta receptuar më mirë lëndën poetike, por poezia e tillë kërkon përqëndrim maksimal dhe lexim të sërishëm për ta arritur përshtatshmërinë dhe nivelin e duhur të komunikimit letrar. Gjuha dhe stili në poezinë e Nehas Sopaj e kanë rëndësinë e veçantë, do të thotë gjuha poetike dhe stili poetik dallon nga poetët e tjerë, prandaj ky dallim e shpalos dhe vulos individualitetin e tij letrar, dhe vetëdijen e tij poetike...

Në poezitë me shprehje më të ngjeshura simbolike dhe metaforike, apo më të vështira për lexim dhe interpretim, ngjyrimet emocionale të poetit për shqetësimet dhe revoltën e tij kundër të keqes dhe të padobishmes shprehen qartazi, dhe japin mesazhe të duhura. Ky formësim gjuhësor shprehet që nga cikli “Algjet” ku e shpalos ecjen e tij nga poezia në poezi në kërkim të bukurës, asaj që i mungon, asaj për të cilën i flet zemra dhe shpirti, por që nuk mund t’i vejë pikë shqetësimit individual. Këto poezi shquhen për cilësitë ritmike dhe melodike, tipare këto që i japin karakter më emocional poezisë, dhe e kërkojnë lexuesin për rilexim të sërishëm... Në vazhdim do të shohim se këtë lloj qëndrimi emocional e shpreh përmes vargjeve pyetëse:”Pse fshihesh vashë pas atij luledielli të tharë ?/ A mos kështu, më së shumti,/ të pëlqen të jetosh në heshtjen/ që ka gjelbëruar mes meje e teje? Luledielli i tharë për poetin është njeri i padobishëm, njeri inekzistent, njeri i papranueshëm, ndërsa fjalia tjetër poetike në formë të pyetjes zbulon heshtjen që ka gjelbëruar mes tyre... Të kësaj natyre janë edhe vargjet e këngës tjetër që shprehin ndjenjën e vuajtjes dhe përmallimit për të bukurën: ”Te ti nuk do të arrij kurrë/ ta laj këmishën e kujtimeve, nuk do t’arrij”.

Vlen të theksohet se poezitë nga libri në fjalë autori i ka rikënduar në një formë tjetër, si variant të fundit, dhe janë dyzet këngë të botuara në Revistën Doruntina në numrin 46 të vitit 2012. Ky variant është më i përshtatshëm për lexuesin, sepse pjesërisht e shkarkon nga figurat letrare që kërkojnë përqëndrim maksimal dhe aftësi të theksuara shkollore për t’i deshifruar ato figura, dhe gjithashtu vargjet brenda poezisë janë të strukturuara me rimë, ritëm dhe intonacion... Për ta shijuar këtë formë poetike po citojmë vargjet: “Pse po fshihesh vashë pas lulediellit,/ a mos kështu, mu në fund të qiellit,/ heshtur e në vetmi, do të shëlbosh,/ këtu nën këtë diell të gjelbërosh?

Te cikli “Himeret e harbuara” shqetësimi emocional i poetit merr përmasa më të serta, revolta dhe protesta poetike është më e ndjeshme, vargjet shpërthejnë me ironi dhe sarkazëm. Këto elemente e shtojnë vlerën estetike në poezitë e realizuara, dhe e shprehin guximin intelektual të poetit që nuk qëndron indiferent në kohën e territ, në kohën e heshtjes dhe frikësimit... Protesta poetike më e theksuar shprehet te poezia: EKLIPS, me vargjet: “qielli livadh me kërpudha/ fëmijë/ shuaje cigaren. Pastaj te vargjet: ”superegot alteregot dhe të gjithë ata/ që ego nuk patën kurrë/ po i bien tangos së fundit në paris. Te poezia GURI ЁSHTЁ I FTOHTЁ, vargjet:” guri është i ftohtë/ muri shumë i lartë/ dritaren që ta shoh/ me thikë nëpër mjegull po prek/ nënë” etj.

Te cikli i fundit “Shi mbi Shqipëri” po i veçojmë poezitë e ndërtuara me vargje dykolonëshe, vargje këto mjaft impresionuese dhe me porosi të qarta që krijojnë shqetësim emocional tek lexuesi që është më aktiv në përjetimin estetik. Sidomos vargjet e fundit të poezisë ”Muza” që e përmbyllin shqetësimin tërësor që rezulton me ndarje dhe pikëllimë:” U lëpe akulli. U kall zjarri në shpirt/ unë rashë në gjunj dhe qava për ty”. Po ashtu edhe poezia tjetër “Bletëz” na paraqet emocionet e veçanta të autorit që nga vargjet e para ku shprehet pendimi për ëndrrat që i mbledhin peshkatarët e huaj në rrugët tona, dhe deri te ato të fundit që shprehin nota impresionuese dhe marrin trajtën e porosisë: ”mos ma kujto të shkuarën, e dashur! Dëgjo hyjin/ ç’po të thotë:harroji të gjitha, shiko të ardhmen!”

Në fund, lirisht mund të themi se poezitë e krijuesit letrar Nehas Sopaj e kanë arritur funksionin letrar në raport me lexuesin dhe anasjelltas...

Halil Haxhosaj -HISTORIA E FAMILJES NË FORMË MONOGRAFIE

Monografia “Dritat e gjerdanit të lirisë kombëtare “ e autorit Arif Jahë Haxhija vjen para lexuesve me disa qasje interesante, jo vetëm për këtë familje dhe historinë e saj, por edhe për historiografinë e lokalitetit të fshatit Botushë të Rekës së Keqe të Gjakovës. Qasja e autorit për të shpaluar anët e historisë së kësaj familjeje, fillojnë që në shekullin e XIX më saktësisht dhe kurorëzohen në dekadën e fundit të këtij shekulli, pra të shekullit XXI. Duke u skalitur nëpër të gjitha këto nuanca dhe hallka të historisë së familjes Hoxha, Arif Haxhija shfrytëzon material të bollshëm, interesant, por edhe të rëndësishëm, sepse shtrihet në gjenezën e kësaj familje interesimi dhe qasja e penës së këtij autori. Duke bërë këtë shtirje të interesimit, mbase rrjedha artistike, por edhe ajo historike e kronologjisë shpaloset me radhë dhe në mënyrë serioze e graduale si në kohë edhe në hapësirë. Gërshetimi i kohës dhe hapësirës, veprës i dhurojnë edhe vlerën letrare të shkrimit siç është forma e monografisë.

Edhe kjo monografi e këtij autori hyn me sukses në mesin të tjerave që janë shkruar në të kaluarën, por sidomos pas luftës së fundit për luftëtarë, trima, hero e dëshmorë të UÇK-së si dhe për figura të tjera të ndritura të kombit tonë, për të cilat ishte e ndaluar të shkruhej në të kaluarën, pra në kohën e sistemit socialist vetëqeverisë. Edhe për disa personalitete të kësaj familje të njohur dhe të dëgjuar në trevën e Rekës së Keqe, por edhe më gjerë në Dukagjin, Malësi të Gjakovës e Drenicë e Anadrini, ishte e ndaluar, jo vetëm të shkruhej, por madje edhe të rrëfehej apo të mësohej për ta.

Autori Arif Haxhija ndriçon aspekte, që janë interesant, jo vetëm për familjen Hoxha, por edhe për Botushën si vendbanim në përgjithësi. Ai shkruan për këtë lokalitet jo vetëm historikisht, por paraqet edhe pozitën gjeografike, zhvillimin ekonomik, pozitën strategjike të Botushës dhe rëndësinë e saj si lokalitet arkeologjik, duke përmendur disa toponime si Jerinën, Varret e Mëdha e të tjera. Edhe toponomastika e Botushës është paraqitur mirë dhe janë shpalosur anët e duhura. Të gjitha këto elemente dhe të tjera kurorëzohen me shpalosjen e vendosjes së shtëpive, ndarjes së Botushës në formë të lagjeve dhe vendosja e familjeve në to.

Autori Arif Haxhija në monografi paraqet historiografinë e familjes Hoxhaj, që nga i pari i saj Avdyl Hoxha e deri në ditët e sotme, duke e shpërfaqur këtë histori në formë monografike me ndriçimin e figurave më të njohura dhe më të dalluara që kanë lënë emër jo vetëm në historinë e familjes Hoxhaj, por edhe në historinë kombëtare shqiptare që nga Lidhja e Prizrenit e deri në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK-së. Kjo shpërfaqje nuk është e ngurtësuar, madje as e shabllonizuar, por ajo gërshetohet më të gjitha ngjarjet e mëdha të Botushës, Kosovës dhe të Shqipërisë, sepse e tillë ishte edhe veprimtaria e djemve të kësaj familje. Kështu, rrjedha e ngjarjeve paraqet anët që janë gërshetim i tillë dhe janë bashkëdyzim i vendosjes së hallkës së historisë kombëtare, duke shpalosur hallkat e zhvillimit të saj nëpër kohë që nga e kaluara e deri në ditët e sotme. Gërshetimet e këtilla, nuk kanë qëllime të ngritjes artificiale, madje as romantike e të pa dokumentuar të fakteve, por të gjitha këto frymojnë realisht e historikisht në formë të shkallëzimit kohor të gjeneratave. Dhe secila gjeneratë e kohë e kësaj historie të monografisë familjare ka individët e vet të dalluar, të cilët janë krenaria jo vetëm e familjes Hoxha, por edhe kombëtare, në tërësi. Andaj këta pjesëtarë të familjes Hoxha janë “Dritat e gjerdanit të lirisë kombëtare”, sepse me gjakun e tyre ndriçuan çdo hallkë të zhvillimit historik e kombëtar shqiptar. Kështu, kjo sintagmë tashmë suksesshëm shndërrohet edhe në titull të monografisë, sepse koordinohet mirë.

Autori Arif Haxhija në veprën e vet “Dritat në gjerdanin e lirisë kombëtare” ka qëllim të shtruarjes së historisë së familjes Hoxha, pjesëtar i së cilës është vet ai me vëllezërit e kushërirët e vet. Kjo paraqitje bëhet paralelisht me të gjitha format e gjeneratave që kanë përfaqësuesit e vet dhe veprat e tyre që përkojnë me historinë kombëtare shqiptare. Kështu personazhet e kësaj familje janë pjesëmarrës në luftërat e kohës së Lidhjes së Prizrenit, gjegjësisht të Gjakovës, kundër Mehmet Ali Pashë Maxharit në Gjakovë siç ishin Bajram Rrustemi dhe Islam Aga, të cilët në realitet kanë qenë vëllezër, por luftëtar në dy taborë. Figurat e njohura të kësaj familje janë edhe të tjerë në kohën e Lidhjes së Pejës, Mbledhjes te Verrat e Llukës, pavarësisë së Shqipërisë, kohës së sundimit të Ahmet Zogut, luftërave të Bajram Currit, Muharrem Bajraktarit, Demë Ali Pozharit, Elez Myrtës e deri tek trimat dhe luftëtarët e UÇK-së në radhët e komandantëve Ramush Haradinaj, Sali Çeku e Agim Ramadani, e të tjerë. Figurat më të njohura të brezave janë: Islam Aga e Bajram Rrustemi, Mon Galuc Hoxha, Idriz Hoxha, Mulla Sahiti, Dinë Hoxha, Mustafë e Hasan Hoxha, Isa Hoxha, Osman Salihi, Mahmut Zajmi Mulla Ilmija, Ali Zajmi Dervish Rasimi, Zenun Alija, Shaban Hoxha, Jahë Arifi, Hamit Haxhija, Jashar Salihu, Hajdar Salihu, e të tjerë. Të gjithë këta, por edhe disa të tjerë janë figura që kanë bërë emër, sepse gjaku i tyre dhe veprimtaria prej patriotëve e luftëtarëve vërtet janë drita që shkëlqejnë në gjerdanin e lirisë kombëtare. Në këtë mes hyjnë edhe luftëtarët e UÇK-së të kësaj familje që ishin pjesëmarrës dhe luftëtarë trima në disa beteja jo vetëm të kësaj treve, por pothuaj se në tërë Kosovën e më gjerë.

Pjesë e veçantë dhe interesant e kësaj vepre të këtij autori është paraqitje e gjenezës së familjes Hoxha që nga origjina e saj e deri në ditët e sotme. Kjo është hallka më domethënëse, sepse shpaloset edhe qëllimi i autorit Arif Haxhija i cili në “Parathënie”, në mes të tjerash shkruan:

“Andaj, i hyra kësaj pune, duke e njohur parimin se historinë duhet shkruar vet, e jo ta shkruajnë të tjetër. Po ashtu ky libër e ka vlerën dhe rëndësinë për këtë familje dhe brezave të saj sepse, siç shihet dhe dihet, disa familjarë të degëve të saj kanë tashmë disa mbiemra, si: Haxhija, Zajmi, Salihi, Alija, Isufi, Avdyli, e madje janë të shpërngulur nga trojet e tyre tradicionale të Botushës dhe jetojnë në anë të ndryshme të Kosovës, madje edhe në diasporë si mërgimtarë. Ky libër do t’iu ndihmojë brezave të kësaj familje që ta njohin vetveten, brezat dhe trungun familjar dhe do t’u ndihmojë që të mos ndodhin martesa nga trungu i familjes së madhe Hoxhaj. Dhe besoj se kësaj ia kam arritur”.

Pra, ky është synimi dhe qëllimi i këtij autori, i cili e sendërtoi me sukses dhe në mënyrë efikase, pa zmadhime, teprime apo qasje të tjera. Dhe ky synim tashmë gërshetohet mirë dhe suksesshëm me të gjitha anët dhe aspiratat e tjera të kësaj vepre monografike familjare.

Kjo vepër është një bazë reale, madje edhe dokumentare e historike që shërben për të shkruar edhe monografi të tjera e sidomos individuale për figurat e ndritura të familjes Hoxha. Këtu do t’i gjejnë elementet e para, pse jo edhe inspirimet që janë kushte parësore për të shkruar vepra të tilla. Monografia është e pasuruar edhe me dokumente, fotografi, akuza, vendime gjyqësore, por edhe këngë popullore e poezi përkushtuese për burrat trima të familjes Hoxha.

Monografia e autorit Arif Haxhija me titull “Dritat e gjerdanit të lirisë kombëtare” ka edhe elemente dhe vlera të tjera, të cilat do të hetohen, pse jo e do të shijohen në të ardhmen, sepse është një pasuri dhe vlerë për të gjitha gjeneratat, madje anëtarët e sotëm të kësaj familje kudo që ata janë dhe kudo që punojnë e jetojnë. Njëherit është pasuri edhe për bibliotekat e anëtarëve të kësaj familje në njërën anë, por edhe të bibliotekave në përgjithësi.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...