Agjencioni floripress.blogspot.com

2014/01/11

Cikël poetik nga Alfons Zeneli



BLASFEMI

Kjo forme e çuditshme e JETËS
mbi qiellin tim te vogël sa një qiell
është re mijëra-ngjyrëshe pikëllimi
dhe Krishtlindja qe era me sjell.

Kjo peme e çuditshme harrimesh
qe ecën dhe bart lutje porsi murg
është hija e një brenge dhe botes
tek përvidhet thelle meje, këtë muzg.


Kjo feste e praruar dritëplote
si një lodër te çuditshme me gjen.
Ne oborr te gëzimit te k`tij dimri
e vetme Krishtlindja po me vjen.



UDHËTIM PAFUND


Hapat thërrmohen nën dhimbjen e tyre

nga makthi i kohës që ti do harrosh.

Vetmia si pemë që mbillet buzë rrugës

bën hije mbi mua dhe qytetin bosh.


Hapat thërrmohen nën trishtimin tim

poshtë hapave dhimbshëm çel një lulelot.

Er` e dashurisë fryn visesh të tjera

tulipan` i fatit prap gjethon mëkot.


Ditës kur agon, natës që mblon terri

në verën e nxehtë e dimrit thëllim

viseve të tua, shtigjeve të tua

dhimbjen pelerinë mban kalorësi im.


V A K T I V A K Ë T


Po zbret mesdita

si një shpend i shpupluar

e i paemer

mbi mua.

Të tejdukshem

ulur mbi veten më gjen

me sy harkuar

tek vizatoj imazhin tënd të verdhë.



Dënes ende

atë refren që përmendësh e mësova

duke pritur ardhjen,

duke harruar

emrat kyç të sendeve që qeshin

por asnjëherë, askush s`e dëgjoi

atë himn që zjarre ngjall

midis pyllit të dimërt të moskuptimit.


Se tash

nuk ka më vlerë ëndrra, dallga,

e përditshmja, syri tingulli,

heshtja dhe klithmat.

Asgjë s`pipëtin

në kupë të qiellit

përpos mosvlerës së tyre

dhe një qengji të vogël të zi

që luan harrimthi

atje tej kodrave të perëndimit.



Kështu unëtohet

mesdita

dhe zbret si një shpend i shpupluar erërave

e i paemërt

të ulet mbi mua,

të ushqehet me mua.



Mesdita po ngopet

me sy dhe trishtim.


V J E S H TA


Lavduar qoftë Perëndia që bëri edhe Vjeshtë

në qiell, pyll dhe në shpirt, në fjalën që po hesht.

Se frut i zemrës kuq e trisht do varej nëpër rreshta

dhe do pëlciste i papjekur po të mos ishte Vjeshta.



HESHTIN YJESITE


Rrugëve të athta të qytetit tonë
pulsojnë neone e drita me mijëra.
Pafund zgjatohen qiej, horizonte-
pafund e çuditshëm mungon hapësira.
…Mungon hapësira dhe drita në sy,
heshtin yjesite që i lindi kënga.
Shuhet atje tej ankth e ulërima
Diell` i verbuar fjalëve që tha Hëna…



FARI I MBRAMË


Po iki në breg.

Me një gur ta gjuaj qelqin e lëngshëm të detit.

E po s`u thye..prapë do ta gjuaj

me një gur tjetër.

Prapë edhe një

edhe një

edhe një.

E në mos u theftë

gjithë bregun do ta bart

e do ta hedh mbi të.

Njërin gur,

atë të fundmin

do ta ruaj…

veten të gjuaj.

Mbi ballë të mbjell

farën e tij të ashpër e të bukur.

Në honin midis tij e meje

shkëmbinj të kaltër kërcënojnë harrimin.

Jam unë far.

Far që ndrin terrin e tij.


Simfoni e trembur

Pikon tinguj, rrjedh rrëke kënge
afshi i verdhë i një Hëne këtu
tek përvidhem brenda natës time
…dhe strukem kujtimeve të tua.

Pikon kaq turbullt tingull pendesë
kjo Hënë me fat, trishtim dhe faj
duke stonuar ndër dhëmbët e një frike
simfoninë e paqtë e të verdhë të saj.


DRAMË ME NJË AKT



Shikim të këndshëm-me tha

dhe pas perdes

një rrymë e ftohtë ajri

ngriu qelq syrin tim.

Pas perdes,

atje tej

u humb ate ditë e sot

trupi i saj.

Aty ku veç unë

këndoj verbërisht

dhe s`shoh asnjë fjalë,

asnjë flutur të paemër

prej mëngjeseve tanë.

Këtu e atje tej

turma sheh e brohoret

të vetmin akt.

Duartrokitjet skuqin,

thyhen shuplakat.

Turma ndërkryhet

para siparit

që fsheh bukuritë e dashurisë.

Një këngëtar i verbër

del prej trupit tim,

si re nderet plumb

mbi kuptimin e hirtë

të dramës që s`u pa.

Ajo rrynë e lagësht zinetësh-

shikim të këndshëm-më tha


ATE MOT E SOT



Katër kuaj shëtisin në bjeshkë
të lumtur si unë dikur.
Atë mot e sot nuk të pashë
as ti nuk më pe mua kurrë.
…Atë mot e sot përtyp mallkim,
ulërimën dhe fjalën që s`hesht.
E tash kujtime gjallojnë në mua
si kuaj të egër në bjeshkë.



I BLERUAR VDES



Nga dhimbja e thellë kam mbirë i bleruar,
i bleruar vdes nga dhimbja kur s`të gjej.
Enigmë e çuditshme, trazim kapërthyes
ti shpirti që fshihesh mjegullës përtej.


…Apo pa kuptuar, ashtu vetvetiu
ti shpirt arratisur mjegullës së bardhë
ike prej harrimit qullur flokë e trup
dhe u bëre pishë në blerimin-mall.



SERISH NE MJEGULL



U deshëm nëpër ëndërr si unë ashtu dhe ti:
të fshehtë dhe të heshtur se s`kishte tjetër fat.
Ndër gjelbërime vrarë të shfaqem si mirazh
ngurosur prej mallkimit aq bukur atje lart.

…Ne duhemi ende, paçka se nëpër ëndërr,
në jonet e një nate të nxirë dhe të mekur
der’ çastin që mendimet e ditës gjakatare
aq dhimbshëm, tragjikisht të kthejnë sërish në mjegull.


TINGULL A POEZI



Nuk dija nëpër net
kur hir` i Hënës zbriste
a unë isha tingull
a poezi ti ishe.
…Në isha copëz kënge
a fjalë e kaltër ti
kur Hëna fshehur ndrinte
si sy në fshehtësi.


BOTE E VOGEL



Fati, mugujt, njerëzit
sa shumë magji lidhin
në k`të botë të vogël
që s`ma nxë dot shpirtin.



SY HENE



E plotë…ai sy Hënë pulitet.
Mbi xhamin e natës rreshket si lot,
lot i murrmë i ulërimes ujkore
që mbars dhimbjen e vet të plotë.



S’DO DESHA



Ai qan mbi det, nën qiell qan
pa ag, pa muzg dhe pa shami.
Për një dhimbje aq të kripur dhe të kaltër
jo, s`do desha që të qaj në fashehtësi.



DASHURIA



Mirazhe të lagështa muzgu
kullojnë lot blu perëndish
në enigmën e nderë të jetës:
vetmuar a jo shpirti ish.

…Sado e vetmuar të duket
kjo botë e tendosur si tel,
ia gris dashuria vetmisë
mantelin e thurur në terr.



UDHEVE KOZMIKE



Planetët, satelitët, gjithë trupat qiellorë
si zogj të përflakur ikën, fluturuan.
Ndoshta ashtu thjesht udhëve kozmike
në rregull të thellë rrugën e ngatrruan.

…Veshtroj një fëmijë lotngrirë atje tej
aspak të çuditur që terri mbulon.
Hedh zemrën e vet në qiellin e vet
në vend të një Hëne që sonte mungon.



TE VESHUR NE ZI



Të veshur në zi a basma shumngjyrëshe
çapiteni vënë në rresht.
Vdekja i këndon një himn jetës tuaj
kur jeta pagojse veç hesht.



DHE VDESIM PAKUPTUAR



Më fund i pimë që të gjitha
ajër, ujë, alkool e jetë
dhe ja tek vdesim pakuptuar
se kush u deh në të vërtetë.


KJO DHIMBJA IME



Në dhomën tënde atje larg
ku drita terri s`kanë kufi.
E di që brengat kthen me eks
dhe prap nuk dehesh. Kaq e di.

…Në dhomën tënde ti s`e di
si zgjatet dhimbja prap e prapë,
kjo dhimbja ime sa një gotë
por që më deh e më bën tapë.



UDHËTIM PA FUND



Hapat thërrmohen nën dhimbjen e tyre

nga makthi i kohës që ti do harrosh.

Vetmia si pemë që mbillet buzë rrugës

bën hije mbi mua dhe qytetin bosh.



Hapat thërrmohen nën trishtimin tim

poshtë hapave dhimbshëm çel një lulelot.

Er` e dashurisë fryn visesh të tjera

tulipan` i fatit prap gjethon më kot.


Ditës kur agon, natës që mblon terri

në verën e nxehtë e dimrit thëllim

viseve të tua, shtigjeve të tua

dhimbjen pelerinë mban kalorësi im


SONTE KUR TI FLET


E kam një ëndërr nëse e kam,
me fill të kaltër ma arnon ditën.
Ësht` po kjo ëndërr, ësht’ po ky fill
…që ditën, natën, fatin ma grisën.
Mëngjesesh zgjohem prej saj zbuluar
tek trup kërkon e trup nuk gjen.
Këtu vë kuje refreni i vjetër:
“Do kem një ëndërr, nëse do kem”.



NESER DITA



Nesër dita nuk vjen e re
Edhe pse dielli do ndrijë sërish.
Vjeshta vyshket brenda meje,
I vetëm mpakem detyrimisht.



… Zemra skuq e djeg njëlloj
Orë e ngrirë jetës që nxin
Tek lulon kujtime- plagë
I përsosur..si trishtim.



NE TË DY


Dy sy dhe dy vijëza drite,
një dyzim por ndoshta dy fate
udhëtojnë dhe shpërfillin peisazhin
…në k`të tren të vetmuar mesnate.
Të heshtur shikohen të vetmit udhëtarë
në ëndrra stacionesh që koha lëkund.
Zgjaten para nesh fatet nëpër terr
si dy vijëza drite, dy shina pafund.



COUNT DOWN

Nje, dy, tre....
Gota e dhimbjes mbushet tani
dhe duart me dridhen
nga etja tek e pi.
Tre, dy, nje
count down.
Gota zbrazet
por dhimbja mbetet faqeve te saj,
buzeve te mia.
Ah, hi i paftohur
i endrrave te mia.

Kater, pese, gjashte...
pluskon gezimi,
brof
gezimi naiv i duarve te mia.
Dridhen perseri
me goten permbi,
me zemren permbi
dhe ajrin shenjojne
me trishte te reja.
Gjashte, pese, kater
count down.
Gota zbrazet perseri
nga i idhti gezimi im.
Brenda saj cakrrohen
sy e buze,
deshira te mekura fathijesh.
Ah, feste e pakositur
qe jeten ma vdiqe jete
e vdekjen ma ngjalle te bukur.

Count down
Shtate, tete, nente.
Nente, tete, shtate.
Zbrazet e mbushet jeta ime
zemer, sy edhe mekat.

ANTILUTJA E FUNDIT

Ky Shen Valentin po vjen i dyzuar
ne festen e verdhe qe kurre nuk u sos.
Prej vitesh kalon, hidhur fishkellen
si nje tren i zymte, ne nje stacion bosh.

Capitet mendushem rrugeve te njeriut
rrugicash te ndyra, percartjesh idhnake.
Nga viti ne vit, nder lecka zhgenjimesh
vrapon te mallkoje gezimin e ksaj nate.

Oh, Shen Valentin i gjalle mes skeletesh
flamur i nje lufte per shpirt dhe kuptim.
Te lutem mos hajde dhe kurre mos ndalo
anes se vetmuar te stacionit tim.

Brenda jam vec une sytretur, harruar
Shen Brenga e kalter ne shtigje e mote.
Era kuis kenge dhe lutje percart:
"Kurre mos u befte shenjteria jote"

UDHETIM PAFUND

Hapat therrmohen nen dhimbjen e tyre
nga makthi i kohes qe ti do harrosh.
Vetmia si peme qe mbillet buze rruges
ben hije mbi mua dhe qytetin bosh.

Hapat therrmohen nen trishtimin tim
poshte hapave dhimbshem cel nje lulelot.
Er` e dashurise fryn visesh te tjera
tulipan` i fatit prap gjethon mekot.

Dites kur agon, nates qe mblon terri
ne veren e nxehte e dimrit thellim
viseve te tua, shtigjeve te tua
dhimbjen pelerine mban kaloresi im.

TI SY

Te shoh dhe endem
ne rruge rrezesh drite besimi,
ne syrin tim te shoh
dhe s`te prek dot.
Befas ndjej te ftohte.

Perplas kupen dhe buzen
neper qelqe imazhesh, fotografish
pastaj pi vetmine time.
Befas ndjej dhimbje.

Ti me mungon syamla
dhe as zjarr, as diell, as magji
ajrin ngjyre gri te dimrit
nuk e ndryshojne dot.
Ti me mungon
dhe une mundohem mekot.

Prap te shoh
e prap s`te prek.
Nje zot e di ku dergjet drita
dhe endrra lotesh e shkendijime.
Ne vend te Henes permbi k`te nate
qartas kuqon kjo zemra ime.


PERSHPIRTEM TANI

Kendoni per eren e muzgut
qe verbtas e cmendur po qan
dhe celeni fjalen e fundit
kur pengjet e shpirtit ju mban.

Ta qani te blunjten e erret
qe shpirtin trazon si fallxhor
dhe celeni lotin e fundit
mbi ditet kur ikin me zor.

Vajtoni mbi shtreter te mekur
vegimet dhe tingujt qe treten.
Mbeshtjelle me mantel te k`tij muzgu
te heshtur mbajm` zi per vetveten.

BUMERANG
(ty)

Vetem ti e di
gjithe c`ka kam thene,
gjithe c`ka kam pare
te sendertuar ne ty.
Vetem ti e di
se ku pikon
ankth, hije dhe trishtim
qershia ime.
Ti e di se ku perhumbem une
diteve te erreta
kur ti je larg
dhe fsheh fjale e shikime
si nje femije lodren e rralle.

Luajme kukafshehtas.

Pas vetes time fshihem une
e ti pas fjalesh te pathena,
pas mendimesh
qe bredhin si hajdute brenda teje
e zemren embel ta vjedhin pak nga pak.

Ku jam?
Ku je?

Vetem une e di
gjithe c`ka ndryn thelle ne sy,
gjithe c`ka nuk e thua kur buzen pergjak.
Vetem une e di
qe fshihesh pas vetes,
qe dritat fik
e trembesh se te gjej.

Luajme kukafshehtas.

Ku jam?
Ku je?

Pergjojme pas pemesh
dhe gjaku na ngrin.
Ti cuditshem trembesh
nga gjithe ky blerim.


PSALLM

NE EMER TE ATIT

mbjell brenda vetes

nje fjale dashurie.

Fjalen e bej varg,

vargun kenge

dhe kendoj vajtueshem

ate qe me harroi.

Mbi ate, tash

embel lodron

gezimi vogelush qe ciku lehtas

beben e liqenit tim.


NE EMER TE ATIT

E TE BIRIT

kepus nje lulefjale

nga kopeshti brenda meje

dhe ia vendos mbi floke.

E bej te bukur.

Zane qe pulson syve te mi

me nje harpe vegimesh

verbimtare.

Une qaj.

Nga sfera e lotit

pertej boteve shoh.



NE EMER TE ATIT

E TE BIRIT

E TE SHPIRTIT TE SHENJTE

gjembat theres te moskuptimit

mbaj kurore rreth kokes time.

Para meje, poshte kryqit tim

lekundet e mjegullt

ajo qe me harroi me nje harpe ne dore

dhe me lulen mbi floke.

Une qaj dhe hedh mbi te

nje feshferime,

nje fjalez,

nje kallez te embel dashurie.


I hedh si bekim

mbi castin e saj.


L U L E T

Lulet e mia
jane shume te kuqe
sepse rriten
prane zemres time.
Lulet feshferijne
fjale petalesh
nga zemra drejt teje.
Mos m`i shkel lulet,
mos hesht
kur petalet te mbulojne
me mesazhe hapesire.

Lulet e mia
jane shume te kaltra
sepse rriten
prane shpirtit tim.
Lulet dritherojne
tinguj fatale
nga shpirti drejt teje.
Mos i keput
lulet e mia,
mos i krasit.
Le te lulojne mbi trupin tim
dhe te lepijne
plaget e reja,
te qeshin per ty.

Lulet e mia jane shume te bardha
sepse rriten
ne syrin tim
dhe gjethojne
shikime te liqenta lutjesh.
Mos i mbyll me dore
petalet e tyre vajtimtare.
Ato jane pika te kripura
dhimbjesh per ty.

Jane shume te kuqe,
shume te kaltra,
shume te bardha
lulet e mia.


NJE LULE E VOGEL MBI MUA

Qofsh prane meje

kur jeta ime te zbehet

dhe une te numuroj

germen e fundit te emrit tim,

kur korniza ime te tretet

mbi portretin e endrrave,

kur te shperbehet

ne eremire dashurie

si lulet e tua.

Qofsh prane meje

kur jeta ime te psheretije brengen e fundit

dhe qeshja te kete ngrire si fosil i purpurt

mbi buzet e thena te dashurise per ty,

kur malli te jete shuar pas meje

ne jetet qe do te vijne.

Qofsh prane meje

kur te shtrij drejt teje

margariten e fundit te syrit qe kam ne sy

per te prekur perkedheljen e DRITES

dhe tingullin verbues te shikimit tend.

Qofsh prane meje

kur nata ime

te thote lotin e nje shtegu pakthim

dhe gjemen qe dogji dimensionet tane.



Prane meje qofsh

kur jeta ime e zbehte

te fiket


atje tej.


S O N A T E

Pa trajta,
pa tesha,
pa duar,
pa fruta.
Vetem sy.
Vetem sy qe bie si gur
thellesive te veta.

Je thjesht shpirt.
Shpirt qe mbeshtjell
aedhjen time te befte.

Pa fjale,
pa floke,
pa prolog,
pa laps.
Vetem sy.
Sy qe verbohet
ne skajin e shikimit te vet.

Je thjesht shpirt.
Shpirt qe lulon ngjyrave
te trazimit tone.

Pa dyzime,
pa veshe,
pa lavjerres,
pa partitura.
Vetem sy.
Sy qe zgjohet
ne fill te dritares time.

Je thjesht shpirt.
Shpirt qe klith
si tingull i athet
mbi violinen e kohes time.

NJE TJETER VIT

Une jam
ne eren e marre te dimrit-
dhimbjen e tij bart i bardhe
e ulerij.
Jam ujku i nemur
i syrit ngrire drejt teje.
Jam plaga qe kam
e qe vetmas lepij.

Une jam
ne penden e zeze te dallendyshes-
vrushkulli i ajrit nen krahet e saj.
Jam kenga e mallit
qe ia heq dhimbjen bimes,
qe iu kthen fjalen drureve...
Jam kenga qe qaj.

Une jam
plazhi i djegur nga harrimi yt.
Horizontin e tij mbi nje varke
valevit era.
Jam delfini qe lodroi valezave te tua,
qe s`vdiq as kesaj stine
e as ne mijera te tjera.

Une jam
hieroglifi i gjethes me te cilin vjeshta shkruan
apologjine e verdhe te saj.
Jam druri me te cilin behen kitara.
Dhe perseri....
Jam kenga qe qaj.




Poeti shqiptar Alfon Zeneli ,nga pikëpamja e ritmeve dhe e metrit, ka lidhshmëri me poezinë e traditës, me varg të lidhur, me rimë ose me asonancë....e cila mund ta ketë lidhjen më shumë se sa me traditën poetike shqiptare, me të përjetuarit e vargut poetik si një të shprehur të zbukuruar, muzikal, e kjo të jetë e lidhur me të përejtuarit e saj si një anije me vela, si një ëndërr. Sintagma ‘lumturisht dhimbshëm’, që është në fakt një oksimoron, mund të jetë shenjuese e kësaj prirjeje... poezitë e tij t janë të çliruara prej jetës reale. që janë të vendosura në ambient shqiptar,...në natyrën e identitetit shqiptar të njeriut të mbyllur, të izoluar, dhe fatit të tij që përballet me realitetin, duke fshehur traumën sociale e personale të provojë ta ringjallë të kaluarën. Poezia e tij është si një litar dhe një dashuri e jashtëzakonshme e cila duhet të mbetet e paprekur. Ai është poet humanist , njeri eksplorues që gjithmonë shkon pas së mirës, pas njerëzores, dhe në këtë mënyrë shfaq kulturën shqiptarëve....me imagjinatën e tij herë akustike që nxitet nga uji dhe derivatet e tijë e herën tjetër është një dukuri që shtrihet si lajtmotiv, imagjinatë poetike që nxitësin, agjendin kryesor e ka në substancë.

(Autori i vargjeve  është drejtor i Radio Tiranës)

Floripress

CIKËL POETIK NGA VASIL TABAKU

Vasil Tabaku




KJO ISO LABËRISHTE…

Kjo këngë…
Dhe një tufë laureshash
Mbi kreshtat e larta
Një ujvrë zërash
Murmurima të arta

Dhe shpirti im që merr flakë
Iso labërishte
Ku jeta
Ecën
mbi kalldrëmin e yjeve
me hejbet plotë dhimbje
dhe supet
ngarkuar më ëndërra
shpërthime shpresash
gjithë vetëtima…
kjo kënga labërishte
më merrë në krah
më ngre
nëpër qiej zërash
buzëqeshje burrash
ku shkunden
puthje vajzash të brishta
dashuri madhështore
të parrëfyera
të rralla,tronditëse
ngjethëse dri në tejbukuri
përqafimë psherëtimash
nën gunën e dhirtë
nëpër rrëpira
ku prrenjtë e pasioneve
cajnëzemrën prej guri
të malit
ku dhimbja,durimi,
krenaria dhe vdekja
shëndrrohën
në një iso të gjatë
plot trishtim të mahnitëshëm
dhe të bukur
gjër në cmenduri…

…iso labërishte
Nëna ime prej kënge
dashuria ime prej zjarri
puthja ime prej rrufeje…
ku lahet deti
dhe ngjitet drejt reve
lumi prej dallgësh
dhe uji
…ku Vlora
Si një vashëz mitike
Kreh flokët…
Dhe mbjellë këngë
Një pyllë zërash
Për bijat dhe bijtë
Dukat, Tragjas e Radhimë…
Himarë, Kurvelesh
…o deti qe sjellë trimërinë
O deti që lind furtunë
Dhe rritë
Shpirtin e labit si trëndelinë…
Male
Male dhe dhimbje…
Male
Male dhe këngë
Ngritur si male
Mbi trupin e brishtë Labëri
Ku isoja
Shëndrrohet në valle
Dhe zëri ynë
Në cdo cep tëndin
Ngre monumente…

Ah moj isoja labërishte
Magjia njerzore
Që magjeps vet magjinë
E ndjej
Je brenda meje
Je fryma dhe ajri
Që rritë mrekullinë…
Isoja labërishte
Që shoqe
Ke vetëm Labërinë…

Dhjetor 2013.


VETEM NJE


…se Shqiperia
Eshte frymemarrja ime,
Eshte magjia e drites
Brenda shpirtit tim..
Eshte edhe puthja
Edhe perqafimi
Eshte...


Dashuria qe me rrit
Shqipëria e mire
Dora e ëmbël e nënës
Buza e dridhshme
Dhe gishtat e lehte
Me përkëdheljen
e papërsëritshme
mbi te gjithë pekedhelite
mbi te gjithë dashuritë
mbi te gjithë jetët
mbi te gjithë shpresat
mbi te gjithë qiejt
mbi te gjitha buzëqeshjet…
Ka vetëm një Shqipëri
Ka vetëm një ëndërr
Ka vetëm një LIRI,
Ka vetëm një lindje
Ka vetëm një vdekje
Nje triumf
Mbi te gjithë triumfet
Ka vetëm
Nje SHQIPËRI…


Ne shpirt
Bie shi…
Mjegullat
Si tufa mjellmash
Me rrembejne shikimin…
Pak ngrohtesi…
Nje grimce diell ne zemer
Nje petale luleje ne buze
Dhe një puthje…

Erërat e marra
Lëvizin malet
Rrotullojnë boten
Ndërsa unë eci
Me stuhitë mbi shpine
Nje zog rebel
Nje klithme e çmendur
Nje përqafim rrufesh
Përzierje dhimbjesh dhe reshe
Ku horizontet
Jane ende te virgjër
E paprekur është Hena
Buzët e mia
Përjetësisht te etura…
Dashuria e dimrit thinjosh
Zhvirgjëron ëndrrat
Rrëmben ne krahët e ftohte
Mallin tim te djegur
Neper dege pemësh te zhveshura
Si femra nudo
Ku mrekullia e jetës
Zgjohet
Mbi gjinjtë e bukur…
Dimri thinjosh
Me kërkon një autograf
Mbi faqen e virgjër te dëborës …
Dhe unë pash parritur
Se me dëborën
Isha dashuruar marrëzisht
Dhe dëborës
I kisha dhuruar
Dashurinë time të parë…


Vasil TABAKU (10.9.1953). Lindi në Lushnje, në një familje me origjinë nga Gramshi. Pas disa muajsh familja e tij do të transferohet në zonën e Mallakastrës në qytetin e Ballshit, ku e kaloi fëmijërinë dhe rininë. Arsimin tetëvjeçar e kreu në Ballsh, sikurse edhe atë të mesëm në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Derivsh Hekali”.

Poeti, shkrimtari dhe publicisti Vasil Tabaku, krijimtarinë letrare–artistike e ka filluar që në bankat e shkollës tetëvjeçare, kurse botimet e para poetike i ka publikuar në vitet e shkollës së mesme, në organet e shtypit letrar të kohës.

Në vitin 1977 ka përfunduar Studimet e Larta, Fakulteti Gjuhë – Letërsi në Universitetin e Tiranës me rezultate të shkëlqyera, një vit më vonë ka dhënë provimet plotësuese dhe ka kryer edhe Fakultetin e Gazetarisë. Në vitin 1987 ka ndjekur për dy vjet Studimet e Larta pas Universitare në specializimin për skenarist i filmit artistik dhe ekranit televiziv, ku është diplomuar po ashtu me sukses të shkëlqyeshëm. Në vitin 1995 ka kryer trajnim dymujor për gazetari televizive pranë TRT - Ankara, Turqi.

Edhe pse që student botoi librin e parë dhe dhjetëra cikle poetike në gazetat letrare të kohës si dhe shumë artikuj studimor dhe publicistikë, pushtetarët komunist të asaj kohe, nuk i dhanë mundësinë të punonte në ndonjë qendër të zhvilluar apo shkollë qyteti, por “e detyruan?!”në shtator të vitit 1977 të filloj punën si mësues në fshatin Ninësh të Mallakastrës gjer në qershor të vitit 1978.

Më pas Vasil Tabakun do ta gjejmë në këto detyra dhe funksione profesionale:

- l978 – 1986, drejtues në Pallatin e Kulturës Ballsh.
- 1986 – 1987, gazetar në gazetën “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
- 1987 – 1993, skenarist i filmit artistik në Kinostudion “Shqipëria e Re”, Tiranë.
-1992 – 1993, kryeredaktor i Revistës “Film” organ i Kinostudios dhe Film – Distribucion.
- 1993 – 1998, gazetar në Radio Televizionin Shtetëror (RTSH), Tiranë.
- 1998, hiqet nga TVSH për shkak të bindjeve të tija politike të djathta, mishëruar edhe në emisionet e tij televizive si dhe në shumë shkrime dhe analiza të botuara në shtypin e ditës si ”RD“, ”Tribuna Demokratike“, “Republika“, ”Drita“, “Albania“ etj.

- 1998 – 1999, gazetar në gazetën “Liria“, organ i shoqatës së ish të dënuarve politikë të Shqipërisë.
- 1999 - 2000, gazetar në Radio Kontakt, Tiranë.
- 2000 – 2001, gazetar në TV- ATN – 1, Tiranë.
- 2001 – 2002, kryeredaktor i gazetës „Tirana demokratike“ organ i PD Tiranë.
- 2002 – 2003, kryeredaktor i gazetës “Lajmëtari i Lirisë“ organ i shoqatës për integrim të ish të përndjekurve politikë.

- 2003 – 2004, kryeredaktor i TV – ATN - 1 dhe Reporter i Radios Ndërkombëtare „IRIB“, komentator politikë në “Radio Nacional”, bashkëpunëtor i gazetës “Bota Sot”në Zvicër etj.
- 2004 –2005, Vasil Tabaku mbetet i papunë.
- Që nga viti 2007, Vasil Tabaku punon gazetar në Agjencinë Telegrafike Shqiptare ATSH.



SHKRIME, TRAJTESA E PUBLIKIME NË FUSHËN E PUBLICISTIKËS:

Vasil Tabaku, ka botuar rreth 5450 shkrime publicistike, analiza politike, sociale, shoqërore si dhe shkrime te veçanta studimore në fushën e letërsisë, folklorit dhe kritikës letrare, në këto organe: “Drita”, “Zëri i Rinisë”, në revistat: “Nëntori” e “Ylli”. Pas vitit 1991 ka botuar kryesisht në: “Rilindja Demokratike (RD)”, “Tribuna Demokratike”, ”Republika”, ”55”, ”Koha Jonë”, ”Liria”, “Ballkan”, “Sot”, ”Tema”, ”Metropol”, ”Lajmëtari i Lirisë”, ”Drita”, ”Shkodra”, ”Bota Sot” në Zvicër etj. Po ashtu Vasil Tabakun e gjemë me poezi e tregime nëpër gazeta e revista si: “Drita”, “Zëri i Rinise”, “Ylli”, “Nëntori” dhe më pas edhe në: “RD”, “Republika”, “Drita”, “Tema“ etj.
- Vasil Tabaku është autor i rreth dyzet e pesë dokumentarëve artistik televiziv në TVSH dhe ATN – 1. Ka realizuar me qindra emisione televizive dhe radiofonike në “TVSH”, “ATN – 1”, në “Radio Kontakt”, “Radio Nacional” dhe së fundi edhe në Radion Ndërkombëtare “IRIB”.

VEPRAT LETRARE:

1. “Hyrja e Pranverës“, poezi, 1976.
2. “Në të gjitha ditët“, poezi, 1981.
3. “Me këngën time dhe jetën“, poezi, 1987.
4. “Ndërrimi i epokave“, studime, 1988.
5. “Bota në sytë e mi”, ese, 1990.
6. „Klithmë drite“, poezi, 1998.
7. “Vit i mbrapsht“, ese politike, l998.
8. “Zgjim i dhimbjes“, ese dhe studime social – shoqërore, 1999.
9. “Vështrim i ngrirë”, poezi dhe ese, 2000.
10. “Shqipëria në udhëkryq, apo politika e kryqëzuar?”, studime dhe artikuj politikë, 2001.
11. “Shkolla Iraniane dhe Shqipëria”, studime dhe intervista me akademikë dhe personalitete të shquara, 2005.
12. “Monumentet e munguara të Demokracisë”, libër eseistiko – publicistikë, 2006.
13. ”Baleti i drerit të plagosur“, roman, 2007.
14. “SHKOLLA IRANIANE DHE SHQIPËRIA”, është përkthyer në gjuhën persishte, Teheran, 2004.


ËSHTË PREZANTUAR:

15. Hasan Hasani: “LEKSIKONI I SHKRIMTARËVE SHQIPTARË 1501 – 2001”, Prishtinë 2003.
16. Ferdinan Laholli: “ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE – ANTHELOGIE DER MODERNEN ALBANISCHEN LYRIK”, Holzminde/Germany, 2003.

Përveç kësaj veprimtarie të begatshëm që përmendëm më lart Vasil Tabaku ka në proces të finalizimit edhe dy libra, një roman dhe një libër poetik, kurse një pjese e krijimeve poetike i janë përkthyer edhe në gjermanisht, italisht dhe persisht. Ai njehë mirë italishten dhe rusishten.

Floripress(Flori Bruqi)

MINISTRAT E EDVIN KRISTAQ RAMEËS, DHE VETË RAMA ME AUTOBUZ SHFRYTËZUAN RRUGË E KOMBIT QË E REALIZOI QEVERIA E SALI BERISHËS!

http://floripress.blogspot.com/2011/05/rexhep-shahu-si-e-kam-njohur-gazetarin.html



Rexhep Shahu,është shkrimtar i mirënjohur shqiptar nga Tirana. U lind më 9 qershor 1960, në Bardhoc-Kukës.

Shkollën e mesme e kreu në Durrës në vitin 1980, pas tre vjete pune filloi studimet e larta për letërsi, në universitetin "Luigj Gurakuqi", Shkodër, të cilin e mbaroi më 1991.

Pas punëve të ndryshme, ashtu siq dëshironte prej kohësh, ka tre vjet që punon gazetar në Radio - Kukësi. Deri para disa ditëve,z.Rexhep Shahu punoi në Sektorin e Informacionit Bujqesor Ministrinë e Bujqësisë ,ushqimit dhe mbrojtjës së konsumatorit në Tiranë.Tash është i larguar nga puna nga Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti....

Sa për dijeni dhe për lexuesin shqiptar kontributi i publicistitit dhe patriotit Rexhep Sahu është tejet i madh në profesionin prej gazetari dhe shkrimtari...

Subjektet e ish Qeverisë Shqiptare dhe Partisë Demokratike,duhet ta kenë në mendje ...që të mos anashkalojnë njeriun që kontribuojë dhe të frymojë lirshëm Ministria e Bujqësisë si dhe Udha e Kombit.

Se kush është Rexhep Shahu,në vazhdim po sjellim:....

Veçojmë disa nga botimet :

Mali i hënës ,poezi,TIRANË, 1998, Shtëpia Botuese "Koha".(LC:99224033) Oxford University Press; Penguin; W.W. Norton.

Pragu : publicistikë Autorët:Izet Duraku ;Rexhep Shahu (red.), Tiranë : Dardania, 2002.ISBN
99927-670-7-3

Vezullim heshtash : poezi ,Autorët:Izet Duraku ;Rexhep Shahu (red.),Tiranë : Dardania, 2004.ISBN
99927-936-4-3

Agim Spahiu, metafora e lirisë së munguar / Novruz Xh. Shehu; Izet Duraku; Rexhep Shahu,Tiranë : Geer, 2008(821.18 .09 DHE 821.18 -94 )

Qytetarët e Kosovës janë ushtarë të Republikës së Kosovës : [Intervistë] / Sali Çekaj; Izet Duraku; Rexhep Shahu,Botuar:2000 në Dy Drina. - Nr. 5, , 2000, f. 12 - 18.

Edhe mars, edhe mina : shënime rreth librit "Marsi i Minave" të poetit dhe publiçistit Rexhep Shahu / Izet Duraku, Botuar në 55. - Nr. 120, 6 maj, 2006, f. 15.

Mori Shkodër, moj mizore..,http://www.rrezore.com/ (06-12-2010 )

”LIS I VETËM NË FUSHË“, poezi, botoi “ALBDESING“, Tiranë, 2011, faqe 144. ISBN 978-99927-685-5-6

Apollogji për udhen e kombit,Tiranë 2012.

http://floripress.blogspot.com/2012/07/korridori-i-shqiptareve-pa-rrotlla.html

(Flori Bruqi).

*********

Planeti poetik i Rexhep Shahut

Fjalë pas fjale, lypa në 122 poezitë e librit të fundit të Rexhep Shahut se mos e shoh ndokund si “lis i vetëm në fushë”, po kurrkund nuk e gjeta, pasi m’u truallkthye në lisnajë poetike bregdrinase e tue e pa me qejf, inat e lakmi ma në fund e kapa në vizion e përcolla përjetime se kishte rrezec larg e lart: e kishte krijue “planetin e vet poetik”.
Gjithsesi më vjen në vetëdije një fakt madhor i vëllimit e i hyjnimit poetik, duke i dhanë fuqinë e mrekullimit dhe të rrezatimit të planetit të tij poetik: në këto treva të dyanshme të rrjedhës së Drinit kanë lindun e jetue, veprimtarue e krijue katër kolosë të mëdhenj të kombit shqiptar: Buzuku “Meshari” (1555), Pjetër Budi (1566-1622) Frang Bardhi (1606-1643) Pjetër Bogdani (rreth 1630-1689). Këta janë katër autorët e parë të letërsisë shqipe. Përndryshe të njoftun si “Shkolla e katër B-ve të Shqipes”, etj. Në këtë trevë, i këtij pjalmi, në këtë brumje, në këtë rrjedhë, në këtë haprritjeje, ecën edhe ky poeti alpin në kapërcyell të dy shekujve të fundit, Rexhep Shahu 42 vjeçar, me vëllimet poetike “Mali i hënës” (Tiranë, 1988), “Bregu i Brengës” (Prizren, 2000) dhe “Lis i vetëm në fushë” (Tiranë, 2011).
Poeti Rexhep Shahu u lind e rrit në mes të Drinit të Bardhë e të Drinit të Zi, ndjek të mesmen shkollë zanatlie në bregdet – në Durrës, të lartën në Shkodër pranë Bunës, jetonte në Tiranën metropolitane, po prapë me vargje e motive rikthehet në gufime e tufalakime poetike në vendlindjen e vet, bash te vrella e shpirtit të tij jetik e poetik. Ky poet hyn në atë sojin e të përveçmes, që nuk sharrnon kritika, që nuk e kaplon myku i politikës, që nuk ia ndie për sorrat e smirës, sepse tashmë e ka të formësuar denjësisht “planetin e tij poetik”.
Malësori poet, Rexhep Shahu, në mënyrë të njëkohshme e të përjetshme, si malësor dhe si poet, ka rrënjë jete në qytetnimin e lashtë të epokës së gurit të ri (neolitit) të njoftun nga arkeologjia e historia e moçme e moderne si “kultura e Kolshit i – II”, një vendbanim në kambë të Gjallicës, në breg të Drinit, pak hapa rrugë nga kulla e tij në Bardhoc. E thonë studiues shqiptar e të huaj se në këtë truall epik e lirik nja 7 mijë vjet para Lindjes së Krishtit vendalinjtë e atyshëm kishin dalë nga shpellat e natyrës e ngritë banesat e veta me mjete rrethanore në breg të lumit. Ky realitet i qytetnimit prehistorik frymon qëndresë, mbijetesë, vazhdimësi, ardhmëni në poezinë e tij të shkrueme në kohërat moderne. Për ma tepër e mrekullisht: e ka krijue edhe “Planetin e tij poetik”.
Poetit malësor Rexhep Shahu në kohënat antike e moderne i truponte Udha e Vjetër “Via Publica”, që vinte nga bregdeti Adriatik (Lezha, Shkodra, Ulqini etj.) për në Prizren (Kosovë) e në Nish (Serbi) dhe tashti “Udha e Kombit” (Autostrada Durrës-Prishtinë). Në këtë rrugë të dykohshme e ka krijue planetin e tij poetik djaloshi i njëudhshëm, Rexhep Shahu si poet dhe si publicist, si qytetar i epokave dhe si magjik në magjen dhe sofrën e poezisë bashkëkohore.
Planeti poetik i Rexhep Shahut është i bardhë aqsa nuk mundet ndokush “kësish” apo “asish” për me ia nxi, me ia zhingat, vlerat e veprave e të veprimtarisë së tij pasi hyn në kufij doganorë të të pamundurës. Fshati i tij i lindjes e mban emnin rrënjas – Bardhoc, në 320 metra lartësi mbidetare. Lumin Drini i Bardhë (dikur Kukësi thirrej Drinabardh) e kishte në skej e në trupatim të djepit të vet të hapave e të udhës së vargjeve. Mali Gjallica i Lumës i kapuçon dimnave bardhësi si vet shtatrritja e tij lisnore fizike e poetike.
Rexhep Shahu, me vargjet e tij musht e flakadan, hyjnim e sarkazmë, ujëvarë e shkollim, gurgac e piskamë flatron tek retë e bardha, atje tek “planeti i tij poetik” me të katër R-të e tij. Poeti rilindës i fismë e hisnor në një kohë demokratike rilindëse, që i dha lirinë e fjalës, të lëvizjes, të bashkimit kombëtar kulturor e etnik, që ia mundësoi hipotekimin e vlerave të tij qytetare, poetike e zyrtare në istikamin e të sotmes e të nesërmes. Poeti rinor në këndvështrimin e trajtimin e motiveve të dashurisë, të dukurive të kohës etj., ashtu sikurse edhe poet rebel ndaj fakteve e realiteteve antishqiptare, jashtë kohe, larg tradite. Poet rentik i vëzhgimeve të thella e fokusimeve të qarta poetike e publicistike të çështjeve kombëtare, politike, shoqërore, etj., që i pasqyron edhe në vepra të këtilla si “Mision për Paqen” kushtue krizës së Kosovës e aktorëve të saj, “Marsi i minave” (Tiranë,2006), “Apologji për Udhën e Kombit” (Tiranë, Geer, 2012), etj.
Planeti poetik i Rexhep Shahut është i ndjeshëm në shpirt dhe i prekshëm në zemër, sa hyjnor edhe tokësor, sa i vrullshëm edhe i qetë, sepse e ka ndërtue me mendjen e vet, me dorën e vet, në kohën e vet.
Rexhep Shahut, këtij poeti të Lumës po i themi në përmbyllje: “Të lumtë!”, pasi edhe vet Luma e historisë dhe e kulturës lumnohet me personalitete të tilla të mendjes e të penës. Po Rexhep Shahu tashmë nuk i përket veç Lumës, pasi vlera e veprave të tij është mbarëkombëtare, është një prurje e re në oqeanin e sotëm të poezisë e publicistikës shqiptare, është një nder i kohës prej nga vijmë dhe një nderim për kohën e ardhmërisë drejt së cilës shkojmë si komb, si qytetar euroatlantik.(Ramiz LUSHAJ)

.....


MISIONI I VARGUT SI VIZION PËR TË ARDHMEN, PËRKUSHTIM POETIK I REXHEP

SHAHUT


Poezia e Rexhep Shahut, këtu e dymbëdhjetë vite më herët, edhe në përmbledhjen “Mali i Hënës“, më ka tërhequr për filozofinë metaforike, që mbështjell vargun e tij, duke e bërë një varg shumë hermetik por aq edhe të ëmbël në lexim. Për mua, poezia e tij, është shumë meritore në avancimin e poezisë së sotme shqipe, me plot forma estetike që qojnë në përsosmërinë e formave të ndërtimit të poezisë.
Vlerësimin tim për librin “Lis i vetëm në fushë“, do ta nis me poezinë e parë, që na vjen si një prolog i të gjitha zhvillimeve kohore, me të cilat ballafaqohet poeti, e që shpeshherë shpirti i tij shpërthyes nuk pajtohet me to.
Poezia e Rexhep Shahut sikur bartë me vete ndrydhje të brendshme deri në shpërthim, që në fakt herë herë bartë emocionet e poetit, i cili për nga aspekti filozofik në varg, na bën të kuptojmë se ai i ndjek edhe zhvillimet në kohë, për ti metaforizuar ato brenda vargut, bashkë me përcaktimin e drejtë karshi zhvillimeve, për çfarë na jep të kuptojmë se poeti dhe vargu i tij, bëhen shkëndijë drite në zhvillimet e kohës.

Si kuaj të zi nisur për luftë
Turfullojnë e rendin radhë e pa radhë
Kalorësit u kanë mbetë s’dihet se ku
Jelet u janë zbardhë.

SI KUAJ TË ZI TË NISUR PËR LUFTË, (faqe 7)

Pra, me një fjalë ai e portretizon harbimin e trazimeve në kohë, deri në përfundimin e këtyre trazimeve që shpeshherë na dëmtojnë si popull se sa sjellin diç të mirë, dhe pikërisht këtu poeti përmes vargut, bëhet shkëndijë drite, për lexuesin, që me misionin poetik në varg, hap portat e dritës, se nga duhet të ecet.

Bregun synojnë dallgët e çmendura
Si në çdo luftë ku s’fitohet gjë
Përplasen në shkëmbinj e zalle
Shuhen e treten pa zë.

SI KUAJ TË ZI TË NISUR PËR LUFTË, (faqe 7)

Ai vazhdon më tej duke mos u ndalur, dhe qëndron karshi furtunës deri në veshjen e plotë të kësaj maskote. Ai e vesh kohën, zhvillimet deri në ekstrem, dhe kjo është dëshmia më e mirë se Rexhep Shahu, është shumë i vendosur në misionin e poetit vizionar dhe taban të gjerë në shërbim të interesit të përgjithshëm kombëtar.

Me veten e kanë dhe e bëjnë stuhinë
Si njerëzit që fundin harrojnë
Dhe rendin ta shalojnë lavdinë
E në fund në zalle shterrojnë.

SI KUAJ TË ZI TË NISUR PËR LUFTË, (faqe 7)

Për të mos u ndalur vetëm tek e sotmja, e cila sa do drejt e besueshmërisht të jetë pasqyruar, me zhvillimet dhe ecjen nëpër kohë mund të shihet ndryshe, brenda koncepteve tematike të poezive, ai na shfaqet edhe me tema të tjera metaforike, të cilat pasqyrojnë sentenca të tjera të jetës nga perceptimi poetik dhe pikërisht, këtu qëndron filozofia e poetit, duke i dhënë laryshi tonesh librit, për ta bërë tërheqës dhe të qëndrueshëm në çdo kohë vargun e tij, edhe në të ardhmen e largët. Dhe poeti vazhdimisht arrin të përsosë ndjeshmërinë e formave të ndryshme letrare, që sjellin laryshi artistike në stilet dhe strukturat e ndërtimit të vargut.

Nëse më do, mos më fto të vdes
Më ler të ngjitem në parvaz të dritares
Të shoh hënën...

(NËSE MË DO)... (faqe 24)

Jo rastësisht, kapëm një lirikë të poetit, për ta argumentuar atë që e thamë rreth laryshisë së poezive në këtë libër, dhe mesazheve të shumta që mbërthejnë ato brenda vargjeve. Dhe lirika brenda këtij libri, e cila nuk është e paktë, sikur të çlodh nga përditshmëria e cila është e stërngarkuar me zhvillime që herë herë e rëndojnë njeriun tonë, për mes këtij lloji të poezisë, poeti ia arrinë ta çlodhë lexuesin, që sa do pak ta ëmbëltojë për mes vargut, në shpirtin e tij.

Ti je mbyllë ne kullën e heshtjes,
Për mua mendon orë e çast
Unë i kam hypë kalit të ëndrrës
Prej vetes më ikë larg.

Aty ku troshiten nata me ditën
Në mbrëmje, të pres përnatë,
Mbërthyer në heshtje varri
Flas me yjet e hënën e ngratë

TI JE MBYLLUR (faqe 128)

Poezia e Rexhep Shahut, është sikur një pasqyrë, e zhvillimeve të kohës dhe ecjes së poetit nëpër të, e që natyrisht është e mbështjellë me metaforën letrare, që librin e bën të këndshëm për lexim. Krahas kronikave të përditshmërisë, për mes vargut, ai hedh dritë në të ardhmen. Vargu i tij, sikur të deh gjatë leximit, për të mos u ndalur deri në fund të librit. Dhe kjo çlodhje, që e ndjen gjatë leximit, sikur të mbushë plot motive shprese për ta shijuar të bukurën që e ofron jeta.

Të rend çdo çast drejt teje nëpër shi me çadër në dorë,
E të mos kujtohem ta hap çadrën nga nxitimi,
Hutimi a frika se mos vonohem;
Të emërtoj gjithë sendet e njerëzit e botës me emrin tënd;
Të ndaloj urbanin, të zbres dhe të ec në këmbë
Se më duket se urbani ecën më ngadalë se unë;
...
TË REND, (faqe 81)

Bota e brendshme e poetit, shpeshherë është shpërthyese, në raport me kohën. Ai vazhdimisht është në kërkim të së bukurës, të drejtës, të lirisë, që herë herë në varg tingëllon edhe ndryshe.

E kam marrë përdore veten
Dhe plasa ta tërheq për tek një qiell tjetër
Ku s`të thonë “trus”...
Pronarët e qiellit janë harbutë
Të jesh i gjatë do prerë diçka nga vetja
Të bëhesh i shkurtë.

Këtu si të tjerët duhet të jesh
As të dish më shumë as të kesh,
Ndaj e kam marrë për dore veten
Zvarrë po e tërheq...

NJË QIELL TJETËR, (faqe 65)

Rexhep Shahu, për mes këtyre vargjeve, nuk i bindet realitetit të të sotmes, e cila herë herë sikur nuk është në binarët e normales. Ky realitet, për fat të keq, po e përcjell vazhdimisht shoqërinë tonë njerëzore, në veçanti në Ballkanin e trazuar, e cili nëpër tranzicionin e tejzgjatur, herë herë po del nga realiteti i rregullave të normales. Dhe ky realitet, tek poeti, perceptohet nëpër vijat e holla të vargut, deri në ekstrem, të kërkimit të “Një qielli tjetër”. Ndaj, vargjet e tij, bartin mesazhe të qarta, duke i dhënë grusht të fortë ligësive të kohës, mesazhe këto të cilat veç sa e forcojnë misionin e të qenit poet.

Ku janë heronjtë, ku janë,
Ku rrinë, ku struken, ku pinë...
Kohë heronjsh nuk ka,
Nuk ka stinë të tyre, as mot të tyre,
As shekull, as ditë, as orë, as çast heronjsh nuk ka.
Ata s`ishin kur na u deshën në luftra,
Në tragjeditë tona jo e jo,
Pse t`i shpikim vallë?

Heronjë nuk ka kund motra ime,
Viktima po, të mundur po,
Të mundur që urrehen e vazhdojnë të munden nga të gjithë,
Të mundur që s`munden t`ia kafshojnë xhelatit
As gishtin kur ua fut në gojë.
Të mundurit e përdhunuar gjithmonë kanë faj,
E kurr jo xhelati.
Dhunuesi ishte hero dje,
Sot e përgjithmonë.

HERONJTË, (faqe 48)

Pamjet e këtilla që na faqen në libër, sikur na vijnë nga një shpërthim i brendshëm poetik, për ti ndërruar kohët. Kjo papajtueshmëri me kohën, brenda kronikave na vjen si një mesazh, se vërtet kohët dhe mentalitetet duhen ndërruar. Ai për mes kulturës krijuese, është shumë i vetëdijshëm se poezia e tij, do ti shërbejë edhe të tjerëve.
Poezitë e librit; “Lis i vetëm në fushë”, na bëjnë gjithmonë të besojmë se Rexhep Shahu, i kronikon kohës, i freskët me misionin poetik në gji, dhe pa ngarkesa nga e kaluara, por gjithmonë me vizion drite dhe besim në të ardhmen.

Unë nuk dua tavolinë të shtruar feste, urime gëzimi e cakërrime gotash
Në ditëlindjen time,
Sepse nuk dua të festoj humbjet e mia, vitet e çuara dëm
Nuk dua t`i shes mend zotit e as të festoj plakjen.
Nuk dua sepse kështu çoj dëm orët e lumtura që do të rrija veç me ty
Dhe trishtohem për këtë shkak, trishtohem pa fund...

NUK DUA FESTË NË DITËLINDJEN TIME, (faqe 116-118)

Këto vargje, sikur na japin të kuptojmë se, edhe përkundër jo ngarkesave të së kaluarës, ai brenda vetes bart vragën e dhimbjeve, nga ajo kohë, që poeti i quan; vitet e çuara dëm. Pra, për shumkënd, edhe për poetin, një pjesë nga e kaluara, sikur ishin vite të humbura, të cilat nuk kanë sjellur asgjë për një popull të tërë, pos dhimbje e vuajtje. Megjithatë, brenda këtij libri, thuaj se fare, poeti nuk i kthehet më të kaluarës. Sikur, s`don ta kujtojë më atë kohë. Disonanca e ngjyrave në vargje ndryshon, duke sjellë laryshi të temave të cilat janë preokupim edhe përditshmërisë poetike. E gjithë kjo laryshi temash, na vjen pasi vagjet në libër na vijnë si tërësi jo të ndara në cikle. Dhe kjo formë e aplikuar, librin sikur e bën më hermetik brenda akceptimit të temave. Megjithatë, ndoshta këtu do i jipnja të drejtë poetit, sepse estetika e ndërtimit të librit, temat dhe bukuria e vargjeve, e ruan origjinalitetin e përditshmërisë kronologjike të poetit.

Lis i vetëm në fushë
Gjysmë i plakur e gjysmë i kalbur
Që ende dëgjon gjithçka
Nga bëmat e botës,
Që sheh edhe ato që s’duhen parë.
Trumcak i ngrirë në borë
Me krahun e thyer nga llastiqet e fëmijëve.
Sytë e Hënës që shohin gjithësinë,
Dera e çelur ku hyjnë zërat,
Dritare pa xhama nga hyjnë zogjtë,
Dhimbja që ndjen toka nga pesha e hapave,
Etja e lumit nga shterrja e ujit,
Tharja e buzëve nga mungesa e puthjes,
Thirrja e gjinjve për tu shtërnguar,
Malli i dorës për të rrëshqitë mbi flokë,
Shëmtimi i oxhakut pa zjarr,
Fole dallendysheje e braktisur...
E tjetër çfarë mund të jem
Në këtë ditë pa sy
Në këtë natë të verbër
Kur ti s’je...

LIS I VETËM NË FUSHË, (faqe 34-35)

Vargjet që vijnë brenda poezisë, që shfaqen në formën e kronikave, na japin të kuptojmë se Rexhep Shahu, i vetëdijshëm për misionin poetik, sikur bartë mbi vargje edhe peshën e kohës, duke nxjerrë mesazhe të qarta edhe për ardhmërinë, pa ndonjë ngarkesë nga e kaluara, por duke ecur gjithmonë drejtë një vizioni plot dritë. Figurat letrare që i përdor poeti në vargje, vijnë si rezultat i një përvoje të gjatë në letra, përvojë e cila me mjeshtri i u jep kuptimin artistik në poezi. Pra, siç shihet nëpër vargje, poeti në masë të madhe, ja ka arrit të zbërthejë shpirtin e përditshmërisë së tij, të cilën më së miri e pasqyron poezia, ndryshe ecjes sonë do ti mungonte kuptimësia. Nga kjo që thamë, konstatojmë se poeti Rexhep Shahu, i kronikon kohës, duke e shikuar dhe ecur nëpër të, brenda vizionit poetik, që për mes poezisë hap dritë për të ardhmen, njëkohsisht përmes vargut, shquhet plot guxim, si luftëtar për ndryshime të përgjithshme shoqërore. Nga ky prizëm i të menduarit, na jep të kuptojmë, se poeti Rexhep Shahu, me plot besim në vizionin e tij, na shprehë atë edhe përmes vargjeve, të cilat në të shumtën e rasteve u prijnë ndryshimeve në shoqëri, e sidomos tek ne kur ende jemi përpëlitjeve tranzicionale.
Këto që i thamë, për poezinë Rexhep Shahut, nuk mundë të jenë e tëra. Ishte njëri nga aspektet e përceptueshmërisë shumëdimensionale të poezisë së këtij poeti. Kemi prekur vetëm disa pejsazhe nga libri ”Lis i vetëm në fushë”, për të sjellë mes jush perceptimet tona brenda kësaj bukurie letrare, nga këndi i ynë. Me këtë konstatim Rexhep Shahut, i urojmë edhe për shumë margaritarë tjerë letrarë, në botën e letrave shqipe.(Gëzim Ajgeraj)

******


GËZOHU ME MUA PËR AUTOSTRADËN E KOMBIT Z. LUBONJA...PSE JO EDHE TI EDVIN KRISTAQ RAMA(Floripress)


Me zell të pandalshëm e të pashterrshëm, krejt i bindur se din gjithcka në këtë botë dhe se është ekspert i dorës së parë në e për gjithcka, Fatos Lubonja bën një ndër shkrimet më të shëmtuara e të pështira nga të gjitha shkrimet e bëra kundër udhës Durrës – Kukës – Prishtinë, me titull “Autostrada Rrëshen – Mars – Kalimash”, botuar në të përditshmen e Tiranës, “Panorama”, me 7 korrik, 2010.
Më duhet ta them që në krye, se në shumëcka e për shumëcka, unë e pëlqej dhe e dua Fatos Lubonjën, si një intelektual mjaft të angazhuar në jetën e vendit, si një intelektual serioz. Sidomos e respektoj për burgun që ka bërë në vitet e diktaturës, për vuajtjet çnjerzore që ka hequr atje, për zhgënjimet e llahtarshme që ka pësuar nga blloku i udhëheqjes së dikurshme politike të Shqipërisë, pjesë e të cilit ka qenë vetë z. Lubonja.
E ndjek shpesh në ekrane e faqe gazetash. Por kam kuptuar tashmë se është e njëjta gjë që thotë kudo, se thur gardh pa thupra, pavarësisht temave ku përfshihet, gjithmonë me shumë kompetencë, duke menduar se në këtë vend nuk ka asnjë tjetër të flasë dhe duhet ai që të mos mbeten të shkreta e memece ekranet apo faqet e shtypit dhe të mos mbetet pa u ndriçuar mendja e shqiptarëve. A nuk duhet kurrë të bëjë njeriu pak pushim?! Së paku sa për të dëgjuar se si përplasen në mal e si i kthen mbrapsht mali fjalët që thua…
Flet me kompetencë për gjithcka të kësaj bote. Si ekspert për rininë, për pleqërinë, për shkencën, për artin, për drogën, për doganat, për puthjen, për seksin, për aeroplanat, për të korrat, për të mbjellat, për shiun, për dëborën, për hënën, për diellin, për detin, lumenjtë, hidrocentralet… Fatos Lubonja sikur ta mbush mendjen se mundet me e puthë bërrylin e vet.
Për të na pohuar e diktuar gati gati dhunshëm se është, ai shqfaqet kurdo e kudo nëpër media, duke pretenduar me gjithë sjelljën e gjestet, kur shtrembërohet e lazdrohet kur flet, sikur gjithmonë bën vezë pate, duke na hutuar ne e vetën krejt qëllimshëm se objekt i intelektualitetit të tij është çdo temë, çdo fushë e aktivitetit dhe dijës njerzore, nga A-ja tek Zh-ja.
Mars e quan në shkrimin e tij vendin nga kalon autostrada Durrës – Fan – Kukës- Morin – Prishtinë ! Marsi, planet i kuq dhe pa pa jetë. Kështu e përfytyron Fatos Lubonja atë planet. Ne duhet që të pajtohemi detyrimisht me përfytyrimin e tij. Kështu e quan Fanin, Mirditën, Kukësin, autostradën. Të djegur, të shkretuar dhe të shëmtuar. Ani pse aty jetojnë njerëz dhe kalojnë mijëra udhëtarë me makina. Ja që shkokan njerëz dhe makina në Mars…
Vrer derdh në atë shkrim kundër autostradës. Po ç’të bëjmë ne tani që autostrada u bë. U bë nëpër atë rajon, në ato gryka të shkreta, të harruara, të kësaj treve, për të cilën disa albanologë që i shërbejnë “romantizmit nacional” shqiptar, siç ka qejf të shprehet i gjithëdijshmi Lubonja, kanë thënë mëse një herë se pikërisht kjo trevë nga kalon autostrada Durrës - Fanë – Kukës – Prishtinë, që lidh pjesët e kombit shqiptar, është djepi i formimit të kombit shqiptar.
Absolutisht, besoj e shpresoj se Fatos Lubonja nuk e ka mllefin me këtë djep.
Por ndoshta më lejohet t’i kujtoj shkruesit Lubonja se treva në fjalë, ku kalon autostrada, është e banuar prej mijëra vjetësh dhe ku ndoshta edhe për arsye natyrore është ruajtur më mirë se kudo toponimia shqiptare, në shkrepat e së cilës u thyen e shkërmoqën valët e huaja të pushtimeve ushtarake, kulturore etj.
E kam dëgjuar Lubonjën të flasë edhe për katolikët, për përfaqësuesit e këtij kleri. Mbase edhe për hatër të katolikëve, nëpër trevën e të cilëve kalon kjo udhë autostradë, duhej ta thoshte një fjalë të mirë, që mbase i del padashje. Psh: për cilësinë e rrugës e të asfaltit që lehtësojnë të arrihet Kukësi (Marsi) në një kohë shumë të shpejtë dhe pa tu troshitur kockat siç ndodhte në kthesat e pafundme të udhës së vjetër, e cila tashmë duket si udhë dhish. Shumë çudi në fakt, sepse për këtë autostradë, që Lubonja dhe ajo e huaja që ai shoqëroi dhe që e shpallën të keqe, gazetari gjerman Karl Peter Schwarz, në artikullin e tij për këtë autostradë, me titull, “Fuqia shëruese e një autostrade”, e quan “autostradën e re të rehatshme për të udhëtuar”. A s’duket paksa si çudi që një gazetar gjerman jep këtë konsideratë!!... Apo do të thuash se edhe gjermanët nuk janë mësuar me standarte...
Z. Lubonja, që s’besoj se është i huaj e jo shqiptar (të shkruajë gjithë ditën Sadik Bejko), dhe ajo e huaja që ai shoqëron, thonë se është kotësi funksionaliteti i autostradës. Është kotësi që rruga bëhët për dy orë nga 6 – 8 orë që bëhej dikur, është kotësi që ulet kostoja e transportit 30 dollarë për ton kilometër, është kotësi që një tregtar i Kukësit (Marsit), Prizrenit, Gjakovës, Pejës, Gjilanit, Ferizajit, Prishtinës, Kaçanikut etj etj, nuk paguan më 100 lekë të vjetra për çdo kilogram mall që i shkonte në Kukës (Mars), por paguan 20-30 lekë të vjetra. Është kotësi dhjetë e njëzet fishimi i numrit të udhëtarëve apo turistëve që vijnë në Shqipëri, qoftë edhe me pi një kafe në Durrës apo me fjetë një natë në Vlorë… Është kotësi taksa që paguan çdo makinë që hyn në vendin tonë për të kaluar tashmë përtej Marsit (Kukësit) në Kosovë apo në Maqedoni, makina e udhëtarë të shumtë që shkonin në Kosovë apo Maqedoni nga Greqia… Është kotësi funksionaliteti që mijëra gjimnazistë e nxënës nga Shqipëria shkojnë me deshirë të shohin e njohin Kosovën dhe dhjetra mijëra nxënës të Kosovës bredhin të njohin Shqipërinë… Kotësi funksionaliteti. Por prapë ai gazetari gjerman, Karl Peter Schëarz i gazetës Frankfurter........ thotë pafajësisht se “në 2010 u numëruan vetëm një milion automjete” që udhëtuan nëpër këtë autostradë. Normal që pak janë për standartet gjermane.
Ndalem dhe flas me vete. A mos ka Lubonja junior ndonjë mllef apo inat me kuksianët- marsianët. Ndonjë gjë të trashëguar nga Lubonja plaku edhe mund ta ketë se Lubonja plaku duke qenë sekretar i parë i komitetit të partisë komuniste në Kukës edhe mund të ketë bërë mëkate ndaj kuksianëve - marsianëve. Edhe pse përfaqësoj vetëm veten time, pa e konsideruar të tepërt, do të kërkoja ndjesë, sepse për vuajtjet e të kaluarës jemi bashkëfajtorë. (Nuk ishte vetëm Zeusi…) Për të dënuar të djeshmen komuniste nuk kam ndonjë kuriozitet për të kërkuar në arkiva. Sepse i pari i rrethit, pra sekretari i parë i partisë komuniste, në përgjithësi, konsiderohej dorë e zgjatur e Zeusit që ishte në qendër. Nuk e di se ç’histori mund të ketë patur në burg z. Lubonja me ndonjë kuksian (marsian). Mund të jetë lënduar nga ndonjë marsian-kuksian. A mos duhet t’i kërkoj falje për episode apo dhunë të panjohur të ushtruar nga kuksianë-marsianë në ato institucione famëkëqia ku ka vuajtur dënimin z. Lubonja. Po ta dija se i kanë hyrë ndonjëherë në hak kuksianët, do t’i kërkoja ndjesë.
Për Kukësin (Marsin), ndoshta ka një farë detyrimi z. Lubonja junior, sepse Lubonja plaku ka qenë sekretar i parë i komitetit të partisë në Kukës në kohën kur hidheshin themelet e diktaturës komuniste.
Padyshim, për këtë nuk ka asnjë faj i biri, Lubonja junior, antikomunizmi i të cilit ngjan të jetë më tepër mllef përsonal për Zeusin (Enver Hoxhën) që e përzuri nga Olimpi, (blloku).
Ky shkrues pasionant që nuk le vend pa e shpallë mëvetësinë e tij intelektuale të mendimit dhe pa qesëndisur përkuljen neveritëse ndaj të huajve, nuk nguron të gjejë përkrahëse edhe një udhëtare të huaj, madje një artiste të huaj, që iu digjka shpirti për pyjet e shkatërruara të Fanit të Mirditës, madje…
Ajo e huaja, shoqërues i së cilës është bërë Lubonja, ajo perendimorja, e shetitura, për të bërë punën e saj, për ta dashur vendin e saj, si nacionaliste e vertetë, i nxjerr dhe shpik argumentet nga varri. Se vërtetë, mund të jetë e sinqertë. Mund të mos ketë parë kurrë një autostradë në një terren të tillë “të çmendur”, nëpër ato shkrepa e shkëmbinj vullkanikë, minerarë, të zhveshur, “të shëmtuar”, në ato gryka e maja nga kalon kjo udhë që u prish qetësinë shpendëve e kafshëve të egra dhe nuk cënon resurse të kollajta të njeriut. Mundet.
Jam gati t’ia jap Lubonjës mbi njëmijë foto unë, vetëm unë, të atij pejsazhi që ta shohë se si ka qenë dikur, si është e si po bëhet, që t’ia çojë, falas madje, po deshi edhe asaj të huajës që i dhimbka e iu digjka kaq shumë shpirti për pejsazhet tona në Fan të Mirditës. Pastaj ai, dhe ajo, kur paska qenë aq e ditur dhe e zonja për gjysmë tunele, për ruajtje peisazhesh, pse s’i kanë thënë mor aman shtetit shqiptar që t’ju merrte mendje dhe mbase dhe t’i paguante rëndshëm, qofte dhe me honorare të majme. Ose kompanisë ndërtuese a projektuese t’i thonin, se mund t’i paguante majmshëm për këshillat e vyera për mbrojtje të peisazhit të Fanit.
Shtirja e autorit të këtij shkrimi nuk të ndjell asnjë lloj keqardhje. Fatos Lubonja le të shtiret sa të ketë qejf, por është krejtësisht i lexueshëm. Vetem sa zbulon para lexuesit të vëmendshëm (ja që ka edhe lexues të vëmendshëm), shpirtin e tij … (cilësorët le t’i vendosë vetë, si ta ketë zogun e qejfit).
Është e kotë t’i kërkosh gjë atij që s’do kurrfarë argumenti përveç mendjes së tij. Ai nuk don t’ia dijë se si ka qenë përpara pejsazhi, si kanë qenë përpara ato gryka të Fanit, ndonëse për to janë bërë filma të plotë dhe ekzistojnë mijëra fotografi. E siguroj se gënjën Fatos Lubonja, se në nëntëdhjetë përqind të shpateve, dhe nuk janë numër i pafund malesh në atë distancë aq të shkurtër, ndaj të mos bluajë në të thatë, nuk ka patur pisha e lisa të lartë. Ai flet për peisazhe që kurrë nuk i ka parë më herët as në fotografi, pavarësisht se nëpër atë udhë të shkurtër që të kursente kohën, nëpër atë luginë mund të ketë udhëtuar për në Kukës, Lubonja plaku, kur ishte sekretar i parë i komitetit të partisë atje, kohë kur edhe Fani ishte pjesë e Kukësit. Pra asgjë nuk është vrarë as në kuptimin më të zakonshëm e jo më në kuptimin më mizor të fjalës.
Firma amerikano-turke Bektel & Enka që zbatoi punimet është përpjekur të ruajë atë pak bimësi. Pjesa e dëmtuar po rikuperohet dhe do të marrë formë më të plotë e të bukur brenda pak vitesh. Shkatërrimi nuk është përfundimtar dhe nuk është shkatërrim. Banorët vendas që kishin ikur nga sytë këmbët prej aty sepse nuk u premtonte asgjë ai vend, po kthehen, po shohin mundësi jetese e biznesi. Nëse toka apo një banesë aty shitej dikur falas a sa një palë duhani, sot shko e pyeti ato banorë se sa u është rritur vlera e tokës apo banesave të tyre. Mundësia e një turizmi elitar u ka shkuar në prag të derës atyre zonave me resurse të pasura natyrore e histori të bujshme. Kanë filluar këta mirditoro-marsianët të bëjnë edhe agroturizëm. Nuk bën keq t’u tregosh atyre që ti shoqëron, që të vijnë të kalojnë ndonjë natë të hatashme në Marsin tashmë jo të djegur… A i thotë gjë emri Domgjon, fshat ky në të cilin tani për fat shkohet kollaj… Më duket se është fshati i Gjergj Fishtës, i atij shqiptarit të madh, që mund ta njohë z. Lubonja.
Mirë, qenka vrarë peisazhi në atë vend, që ai e quan Mars, të cilin ai nuk ka dashur ta shohë e njohë kurrë, se për atë ka qenë prapa botës. Po ky peisazhi i ri, i duket gjë peisazh varri…?! Si nuk i doli qoftë edhe një fjalë e mirë për atë rrugë, për atë djersë, për ato mundime, për atë shkollë që kaluan për mëse dy vite shqiptarët… Qoftë dhe për 350 ha tokë e re bujqësore që u krijua apo shtua aty nga firma ndërtuese nga zhvendosja e dherave. Si nuk u ndal të pyesë njëherë, si ka mundësi që u sistemua ai vend aq bukur. Ku shkuan 35 milionë metër kub dhera të gërmuara. Ku shkoi dheu i hequr nga 11 kilometra tunel? Si u zhdukën kodra e u krijuan ato fushëza. Si u zhbënë malet dhe mes tyre u ça gjithë ajo autostradë që duket si një lumë i madh apo si një pistë e madhe e gjatë aionësh. Nuk u shëmtua peisazhi, jo. Ai mbase ka patur deshirë që të mbetej ajo zonë si kopësht për zogj e kafshë të egra që të vinin të huajt, qoftë edhe artiste, dhe tu tregonte ai një oaz mesjete në zemër a në asht të kombit shqiptar.
“Ku ka shkuar vërtetë gjithë ai material i nxjerrë nga tunelet? Çdo i huaj apo e huaj, qoftë edhe artiste, me apo pa famë, çdo shqiptar apo kalimtar, për këtë do pyste së pari. Aty sikur është bërë punë në kompjutër e jo as në letër e as në tokë. Çfarë leksioni dha kompania amerikano-turke për kompanitë shqiptare që edhe kur ndërtojnë ndonjë gjë të bukur e shëmtojnë me mos sistemimin e mjedisit.
Z. Lubonja junior qahet për Vlorën. Ej, i gjithdijshëm! Vlora është pjesa gati fundore e kësaj arterie apo autostrade edhe pse është përfituesja pothuajse më e madhe e kësaj udhe. Apo jo? E fundi, kur duhet bërë, në fillim? Vlora fitoi portin e kontinierëve që do të udhëtojnë nëpër këtë autostradë.
Rruga dykalimshe, e cila sipas Lubonjës mjafton (edhe për 20 vjet), Milot – Rrëshen, e financuar nga Banka Botërore, kur qe drejtore e saj për rajonin tonë, Orsalia Kalantzopoulos, të cilës, Sali Berisha, thonë se i pati thënë, kur ajo refuzonte të financonte dhe synonte të pengonte, se do e bëjmë rrugën me katër korsi edhe nëse do të na duhet të shesim bizhuteritë e grave e nënave shqiptare, nëse do të na lindë nevoja, kjo rrugë pra rezultoi shumë shpejt e pamjaftueshme. Ose si gjë e shëmtuar që i varet në qafë autostradës për mos me e marrë më sysh…
Lajmet e verës së fundit na thonin përditë se numri i makinave që kalonin në 24 orë në atë autostradë shkonte mesatarisht cdo ditë mbi 17 mijë deri në 24 mijë, pa ditur e folur për numrin e njerzve, udhëtarëve.
Dhe imagjino që ajo udhë, (më falni se nuk po e përmend më fjalën katër kalimshe sepse duket se e shqetëson shumë), ende është e pashfrytëzuar me kapacitet të plotë, por ende as përgjysmë, sepse nuk ka përfunduar gjysma e saj në pjesën tjetër të kombit shqiptar, në Kosovë. Se kur të mbarojë edhe në pjesën tjetër të kombit shqiptar, në Kosovë, asaj udhe do t’i shtohen udhëtarët. Do të derdhet në atë udhë edhe Serbia e vendet e tjera. 80 kilometër ka për të ndërtuar Serbia përtej Merdares zoti Lubonja. Dhe do t’i ndërtojë për interesat e veta e jo për dashuri ndaj shqiptarëve. Për t’ia heqë merakun edhe Vuk Drashkoviçit që thoshte para ca kohësh se Kosova s’mund të lidhet me Shqipërinë as me detin nëpër rrugë dhish… Serbët, bullgarët, mbase edhe rumunët, jo për hir të dashurisë për udhën e kombit shqiptar, por për hir të interesit të tyre, për hir të kursimit e respektimit të kohës së tyre, do ta përdorin udhën e kombit shqiptar. Kohë të cilën diktatura komuniste në Shqipëri ua vrau shqiptarëve në mënyrën më mizore, duke bërë bunkera e jo udhët e vendit. Apo nuk është dakort z. Lubonja për sa them.
Mendimet, deshirat dhe kërkesat e Kalantzopoulos dhe të z. Lubonja ngjajnë, për çudi, plotësisht. Si edhe me të artistes së huaj shumë të shëtitur që ai e ka shoqëruar për në planetin e kuq Mars.
Kalantzopoulos mbase kishte hallin se po i pakësohet puna portit të Selanikut dhe natyrshëm ajo sillej si patriote për vendin e saj Greqinë, anise detyra nuk ia lejonte të bënte dëm në Shqipëri e të vononte zhvillimin e progresin e saj kombëtar. Po Lubonja, a mos ka edhe ai ndonjë port ndokund. Me sa di, nuk ka asnjë port askund. Por Vlorës (edhe Selenicës), po, kjo autostradë ia shton punën dhe rëndësinë. E bën Vlorën (edhe Selenicën) të të gjithë shqiptarëve dhe të prekshme edhe për të huajt e shumtë që rrjeshtohen pas Kosovës në hartë, për serbët, bullgarët, rumunët etj.
Paska njerëz…!! Kështu thotë ai diku në shkrimin e tij. Kur do, i zbulon njerzit, kur do, i zhduk.
Ai thotë se është për rrugë të vogla kapilare, që të kaptojnë çdo fshat, çdo majë mali ku ka pyje për ti shfrytëzuar, ku ka galeri për t’ua marrë floririn, që Veriu i vendit të mbetet brenda vetes, të lëpijë e kafshojë vetën si në sistemin komunist që bashkëthemeloi e bashkëdrejtoi Lubonja plaku.
Por kjo udhë e gjërë, e madhe, katërkalimshe, madhështore, mes për mes maleve, që shembi e çau male, që krijoi fushëza, ku makinat fluturojnë me shpejtësi zogu, ku veriorët mbërrijnë në Tiranë për aq kohë sa u duhet të dredhin një cigare, kjo arterie bëri që Veriu të vijë në Tiranë. Të vijnë edhe ata banorë, pasuria e të cilëve (flori, energji elektrike, lëndë drusore, prodhime të bekuara blektorale e jo domate, speca e kastraveca…) kishte mbërritur me kohë në Tiranë dhe e kishte bërë e zhvilluar Tiranën e krejt Shqipërinë, pa përfituar asgjë ata banorë përveçse izolimin që u ofroi diktatura komuniste, përveçse vrasjen barbare të kohës së tyre. Ai besoj duhet ta dijë e ta mbajë mend mirë se për të ardhë në Tiranë veriorëve u kontrollohej letra e njoftimit pesë – gjashtë herë…
Thotë se nuk ka qenë ajo rrugë prioritet i Shqipërisë. Nuk e di a flasim të dy për të njejtën Shqipëri, për të njëjtin atdhe, për të njejtin komb…. Unë them ka qenë, ai thotë jo. Kosova thotë është e vonuar si prioritet kjo udhë. Veriu i vendit thotë është udhë e vonuar. Jugu i vendit thotë është e vonuar se tregu nuk është nga apendisiti i vendit nga mund ta dojë z. Lubonja, nuk vazhdon tregu poshtë këmbëve të Shqipërisë, por tregu është drejt Europës dhe portokajt, mandarinat e shalqini i Jugut shkon tani me kosto më të lirë në Kosovë e në Serbi. Se perimet e Lushnjës, Beratit e të Fierit kanë treg të hershëm në Kosovë e në Serbi. Apo po ia fus kot?! Si nuk e ka marrë mundimin të pyesë një herë se çfarë çojmë ne në Kosovë a në Serbi. Se çfarë prodhojnë fermerët myzeqarë. Se sa u është shtuar mundësia atyre nga dyfishimi i tregut dhe numrit të konsumatorëve. Se sa më herët dalin në treg prodhimet e fushës së Shqipërisë në raport me kohën kur dalin në treg prodhimet e Kosovës, Maqedonisë apo Serbisë… Nejse, punë për të. Ai nuk është fare fshatar.
Dukesh se nxihet i tëri dhe ka vënë duar në kokë nga zgjerimi i madh i Tiranës e Durrërsit, nga mundësia e bashkimit të tyre me ndërtime, me vila e biznese. Thotë se qenkan shëmtuar Tirana dhe Durërsi… Po, po! Tirana dhe Durrësi janë shëmtuar prej ardhjes apo dyndjes së të paudhëve të cilët i pati penguar e ndaluar rreptësisht të vinin këtëj tunelit të Kalimashit, partia e dikurshme e Zeusit dhe nuk i pengoi periudha e demokracisë, e lirisë, që sipas Bejkerit, të cilin ne e adhuruam, ajo do të jepte rezultate : dhe dha levizjen e lirë të shqiptarëve edhe të “marsianëve”.
Le ta shajë dhe shëmtojë autostradën e kombit shqiptar sa të dojë me fjalë, artikuj, libra, emisione. Po udha u shkrua në tokë, në zemër të tokës shqiptare. U gdhend në tokë, u betonua firma e bashkimit kombëtar që është kjo udhë. U nënshkrua në tokën shqiptare, bash për asht të saj. Dhe këtë firmë e nënshkroi Sali Berisha. Duket hata. Ka firmë të hedhur në letër, apo kudo. Por firmë e hedhur apo e shkruar në tokë, është hata. Por ja që kështu ndodhi z. Lubonja. Kjo autostradë është një monument. Monument force, fuqie, djerse, dinjiteti, patriotizmi. Monument nderi e krenarie kombëtare. Kryemonument i shqiptarëve është kjo autostradë, kjo kryeudhë, për sot e për jetë të jetëve, sepse nuk ka vend, hapsirë e nevojë tjetër të bëhet më një udhë e tillë sa të ekzistojë Shqipëria. Patriotëve e nacionalistëve të së ardhmes nuk u ka mbetë më për ta bërë këtë udhë, nuk u ka mbetë më shans të tregojnë patriotizëm e nacionalizëm kaq të madh. Le t’i ngushëllojmë unë dhe ti z. Lubonja!
Atij mbase nuk i pëlqen që disa e quajnë komb hapsirën ku jetojnë shqiptarët. Që e quajnë udhë të kombit këtë udhë, që e quajnë arteria e kombit këtë udhë. Mund t’i duket anakronike dhe budallallëk me brirë, që shqiptarët në Kosovë e kanë të fortë ndjesinë e kombit shqiptar. Por duhet t’ia kujtoj se ata që kanë komb të gjallë e kanë të fortë ndjesinë e kombit. Por nuk e di se a e kanë apo jo këtë ndjesi ata që enden dherave të huaja dhe që nuk kanë komb. Edhe shqiptarët kudo ku janë shqiptarë e kanë të fortë ende ndjenjën e kombit shqiptar. Se ka dashtë zoti që ky kombi shqiptar nuk na ka lënë me marre e turp, nuk na ka bërë që të rrimë kokëulur, edhe pse do mercenarë kanë dashtë ta djegin, kanë bërë thirje në Vlorën e flamurit shqiptar në emër forumesh fantazma e në emër të dreçit e të birit edhe për ta djegë këtë komb në vitin e mbrapshtë 1997…
Unë jam me Lubonjën, që nacionalizmi është streha e fundit e horrave. Jam me atë, që bluhet shumë e shumë nacionalizëm e patriotizëm, pa kufi, pa masë. Por gjithmonë me fjalë, me fjalë. Që nga koha kur drejtonte këtë vend Zeusi që “pastroi” Olimpin. Fjalë, fjalë, imzot fjalë. Por ja që ndodhi vetëm një hërë që u bë nacionalizëm e patriotizëm me vepra, pa fjalë dhe në luftë të pështirë fjalësh të kundërshtarëve të kësaj udhe, që siç po del nga fjalët e tij, paskan patur edhe përkrahjen e tij, meqë meqë është njeri që dikton në opinionbërje në këtë vend, ku analistët e opinionistët janë një çetë dhe vetëm një çetë të zgjedhurish me shumë kujdes jo për aftësi por për zell shërbimi, çetë shëtitëse e armatosur edhe me fjalë të zeza gjëmash deri në dhëmbë…
Ta duash vendin tënd, të luftosh për ta bërë të mirë e të begatë për shtetasit e tij, nuk besoj se është horllëk, apo jo. E bëri këtë gabim Sali Berisha. Mblodhi qeverinë, bëri vendimin përkatës dhe e ndërtoi këtë udhë, e ndërtoi shpejt, në kundërshtim me shumë shqiptarë e antishqiptarë. Duke prishë edhe marrëdhënie me shumëkënd mbase. Në kushtet e një lufte të pandërshme të brendëshme e të jashtme kundër tij e kundër udhës. Por e bëri. Ç’ti bëjmë. Ai u tregua kryenacionalist, kështu siç thotë Lubonja. Ndërtimi i kësaj udhe, po, është nacionalizëm i kulluar se e don shumë vendin e vet dhe bën më të mirën për të, por nuk është mëkat pse për këtë shkak e për këtë udhë e për këtë dashuri ndaj kombit e atdheut, inatoset e zemërohet një vend tjetër, një shëtitëse e huaj e ditur dhe e shetitur më shumë se ai, ose ca banorë bujtës në këtë vend, që ky moment historik i gjeti shtetas shqiptarë, por vetëm kaq, shtetas shqiptarë, por që nuk dinë e nuk duan ta duan Shqiopërinë dhe sapo të gjejnë ndonjë mundësi më të mirë, thonë pa dert e gajle se nuk jemi shqiptarë por vetëm shtetas shqiptarë…
Punë shqiptarësh, do duhej të thoshte më saktë, tek shihte atë shëmti në atë vend. Ai e din mirë, shumë mirë, se sa shumë na kanë shpifur e përgojuar. Edhe se jemi me bisht ne shqiptarët, apo jo, shpifje e denjë për ne. Në fillim të shekullit të njëzetë, kur ndodhën edhe krimet më të mëdha ndaj shqiptarëve, ndër të tjera edhe masakrat serbe e greke, u bënë edhe shpifjet më të mëdha për shqiptarët, shpifje që u paraprinë masakrave. Na ka quajtë me bisht ish kryeministri serb dr. Vlladan Gjerogjeviç. Kam konstatuar se z. Lubonja e citon dhe e njeh por nuk e emërton me emër. Sikur pajtohet me mendimet e tij, por nuk don që të quhet vetë antishqiptar. Në një rast kam dëgjuar që ai i referohet atij dhe ia citon akuzën për ne “ku është shpata është edhe besimi”, që është fjalë e urtë e Sami Frashërit. Të paktën në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë, në një mori analizash shtypi, në kohën e mbretërisë tone, i doli boja këtij lloj shovinizmi antishqiptar. Ndër të tjerë, Mit’hat Frashëri e rrëzoi mitin e bishtit që desh na shtoi Vlladan Gjeorgjevici, i cili u nis nga një përrallë e jugut të vendit që flet për ekzistencën e njeriut me bisht, përrallë që e mbledh dhe studion Hahni. Vlladan Gjeorgjeviçi thoshte “Shqiptarët u shëmbëllejnë atyre njerzve që prej frikës së shtazëve të egra, flejshin mbi drunj, ku për mos me ra, mbaheshin me bishtin e tyre”. Ata janë dy sojesh. Përrallën e bën për të vërtetë Vlladan Gjeorgjeviçi, por përrallën e bën për të vërtetë edhe z. Lubonja.
Përralla ka zmadhimin. Por droga që ka kaluar, kalon e do të kalojë në teritoret shqiptare sa vjen e po zvogëlohet. Megjithatë, në proporcion të zhdrejtë me këtë, Lubonja I thotë shoqërueses së huaj, se kjo autostradë është rruga nga kalon droga… Ha, ha ha! Gjetje!
Pajtohem me Lubonjën se në këtë vendin tonë ka shumë nevoja, ka shumë plehra, që me 50 mijë euro mund të disiplinoheshin e të bëheshin jo plehra, (oh sa shumë plehra e lloj lloj plehrash!), ujra të zeza që dalin në sipërfaqe e na zënë frymën mua dhe atij. Se ka ende shumë shkolla që duhen bërë e riparuar, që ka shumë cerdhe e kopshte pa bërë e rregulluar. Por jo, kurrë jo që këto të pengojnë ndërtimin e kësaj udhe. Sepse kjo udhë, kjo lloj udhe bëhët njëherë në një mijë apo dymijë vjet dhe për ta bërë këtë lloj udhe duhet të lindë e të drejtojë shtetin ndonjë burrështetas shumë i fortë e shumë guximtar e trim, dashnor i çmendur i lirisë së vendit të vet, siç rasti e fati e solli të jetë për fatin e shqiptarëve, Sali Berisha në fillim të mijëvjecarit të tretë.
Nga urrejtja për udhën bëhet i verbër, shtrembërohet e shëmtohet krejt z. Lubonja. Siqerisht ndjej dhimbje për gjithë atë kulturë, për atë kapacitet të madh intelektual që mbart, që për shumë e shumë gjëra njerzia i merr mendje dhe pret fjalën tij. Kush t’ia heqë thua këtë urrejtje? Gjithësesi ta provojë të udhëtojë përsëri në atë udhë për në Mars, (Kukës, Prizren, Prishtinë, Gjakovë, Pejë, se ka mbi bari e ka dalë gjethi i ri në ato anë…
Po, po. Pse jo. Pajtohem me të që edhe udhën e vjetër, atë të bukurën e të mundimshmen, atë tronditësën, atë në të cilën kanë vdekë njerëz duke udhëtuar për në spital se nuk sosesj udha e tmerrshme, atë që udhëtarët e dërmuar e lanin me të vjelltat e tyre (udhëtarët hallexhinj nuk ishin turistë të ngeshëm…), edhe tani duhet ta mbajmë, ta mirëmbajmë, ta rregullojmë që edhe të shetisim nëpër të, që të lidhen fshatrat buzë saj deri në autostradë. Por, jo të mos e bëjmë këtë autostradë dhe të mbetemi me atë udhën e tmerrshme që na e la shoku Enver. Apo jo. Jo, shiko, jam me të…
Ai në atë udhëtimin e tij për në Mars (Kukës…) pa kudo shëmti. Ai nuk kënaqet askund këtu, s’e kënaq asgjë në atë udhë, në ato vende. Fiks, ai z. Lubonja është për në Mars.
Thotë që ishte për të zhgënjim ai udhëtim në atë autostradë për në Mars. Jo! Të mos gënjejë. Me ato mend shkoi dhe me ato mend erdhi. Ai nuk u nis me gjetë mirë e të mirën. U nis me gjetë keq, me gjetë udhë të keqe e të shëmtuar, me gjetë Mars dhe e gjeti udhën edhe më të keqe edhe më të shëmtuar dhe Marsin e gjeti edhe më të kuq edhe më të djegur…
Unë e respektoj shumë dhe plotësisht mendimin e z. Lubonja. Mendim që e ka thënë kurdo, kudo, përditë e përnatë në televizion, në gazeta etj. Ai mbase do të thojë se do të ishte i gatshëm të vdiste që edhe unë ta thoja lirshëm mendimin tim.
Sipas kësaj “gatishmërisë” së tij, lejohem edhe unë njëherë të krenohem me potencën dhe fuqinë e këtij kombi, me guximin dhe këmbënguljen e kësaj qeverie, të këtij shteti shqiptar, në prehër të të cilit kemi vënë kokën dhe nuk e ndërrojmë pa u ndërruar dielli e toka.
Kjo udhë, kjo autostradë, ato dy tunele në Kalimash janë pasaporta e fuqisë dhe vitalitetit të shqiptarëve, prova e guximit dhe e dashurisë që kanë shqiptarët për njëri – tjetrin, prova, me vepër e jo me fjalë, e bashkimit kombëtar, prova më e fortë e atij që thotë bashkimi bëhet me vepra e nuk shëmtohet të bëhet me fjalë…
Kjo udhë, kjo autostradë, kjo arterie kryesore e kombit, u jep zemër të gjithëve. U jep shembull, mësim e kurajo të gjithëve. Të gjithë politikanëve, studiuesve, ndërtuesve. Po! Tani mund të bëhet çdo rrugë, mund të ndërtohet çdo lloj vepre ndërtimore në Shqipëri. Kjo udhë është nëna e të gjitha udhëve, është kryeudha, është nëna e optimizmit dhe krenarisë reale të shqiptarëve.
Ai z. Lubonja është pesimist. Dakort. Ai kërkon të shfaqet pesimist. Për shumëçka në këtë vend mundesh të jesh e të shfaqesh pesimist dhe për këtë, unë dhe ai, jemi udhëtarë të një anije. Por për këtë udhë, jo. Nuk bën të jesh e të shfaqesh pesimit. Gjithësesi, punë e tij. Unë thjeshtë desha t’i them z. Lubonja: gëzohu me mua për udhën tonë.(REXHEP SHAHU)

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...