Agjencioni floripress.blogspot.com

2014/03/29

Plot 37 akademikë e profesorë shqiptarë kanë nënshkruar një letër të hapur-Mos shani Rexhep Qosen


Sherr mes akademikëve, Shqipëria-Kosovës: Mos shani Rexhep Qosen 
Plot 37 akademikë e profesorë shqiptarë kanë nënshkruar një letër të hapur, përmes së cilës dalin kundër akuzave që kreu i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Hivzi Islami, ka bërë ndaj akademikut Rexhep Qosja. Në një artikull të messhkurtit, Islami e cilësonte profesorin hipokrit, shpifës, intrigant e përçarës i kombit. Akademikë si Muzafer Korkuti (kryetar i Akademisë së Shkencave), Jorgo Bulo, Arben Puto (historian), Rexhep Meidani (ish-president), Luan Omari, por edhe profesorë si Paskal Milo e Pëllumb Xhufi, i kanë cilësuar akuzat joparimore e model të mjerimit intelektual, ndërsa kanë vënë në dukje se Qosja është personalitet poliedrik. Si pjesë e komunitetit shkencor dhe kulturor shqiptar, ata shprehin keqardhjen për degradimin e lirisë së shprehjes në një agresion të hapur verbal, me insinuata dhe akuza personale, që dalin nga korniza e një debati normal shkencor.

Më herët, në artikuj të ndryshëm, por edhe në një intervistë për "GSH" në dhjetor 2012, profesor Qosja ka vënë në pah faktin që në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës vazhdon të sundojë një klan i mëhallës dhe i një partie. "Klani, çdo anëtar të pranuar në Akademi e vlerëson me kriterin përkatës: me kriterin e mëhallës dhe të Partisë - të Lidhjes së quajtur Lidhja Demokratike e Kosovës, në të vërtetë ish-Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë në Kosovë!", theksonte ai. Debati u hap pak ditë më parë, në një diskutim në parlamentin e Kosovës. Pas kësaj, profesorin e akuzuan se ka zgjedhur Josip Broz Titon anëtar të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, gjë që miq dhe të njohur të Prof. Qosjes e mohojnë kategorikisht. Më poshtë, “GSH” boton letrën e plotë.

Letra
Publiku shqiptar është bërë këto ditë dëshmitar i një sulmi mediatik të Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Hivzi Islami, kundër akademikut Rexhep Qosja, çka ka provokuar një debat edhe në rrjetet sociale, duke marrë trajta të ekzagjeruara, të papranueshme për kulturën e komunikimit intelektual. Si pjesë e komunitetit shkencor dhe kulturor shqiptar, nuk mund të mos shprehim keq-ardhjen tonë për degradimin e lirisë së shprehjes në një agresion të hapur verbal, me insinuata dhe akuza personale, që dalin nga korniza e një debati normal shkencor, me një gjuhë dhe fjalor të papajtueshëm me normat e etikës profesionale dhe të moralit akademik. Ne gjykojmë se "debate" të tilla zhgënjejnë gjithë shqiptarët dhe zhvleftësojnë në sytë e publikut rolin e komunitetit shkencor në proceset e emancipimit dhe demokratizimit të shoqërisë shqiptare; se ato nuk u shërbejnë proceseve të integrimeve kombëtare, dhe nuk i përgjigjen kërkesës urdhëruese të kohës për bashkimin e gjithë institucioneve dhe forcave të gjalla të kombit për të përballur sfidat e mëdha që qëndrojnë përpara dy shteteve shqiptare dhe gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë, duke na paraqitur keq edhe në sy të botës.
Duke qenë të hapur për një debat normal, që respekton lirinë e mendimit dhe të drejtën e kujtdo për të shprehur opinionin e vet, ne e shohim me shqetësim transferimin e gjuhës së urrejtjes e të përbaltjes nga politika në debatin shkencor intelektual, si dhe të frymës konfliktuale, që na përçan, në vend që të na bashkojë në këtë epokë të re integrimesh. Akuzat joparimore kundër personaliteteve të jetës sonë kombëtare dhe kulturore, nga çdo anë qoftë, nuk mund të jenë veçse një model i mjerimit intelektual, që nuk e meriton as klasa intelektuale, as publiku.
Prof. Rexhep Qosja është një personalitet poliedrik, protagonist i vijës së parë të intelektualëve që profesionin e tyre si njerëz të dijes e të letrave e përjetojnë si një mision patriotik e qytetar. Kontributet e tij të shënuara intelektuale dhe për çështjen kombëtare, siç e dëshmon një bibliotekë e tërë veprash shkencore, letrare dhe historike, krijuar prej tij, dëshmojnë se prof. Qosja është përfshirë në proceset e jetës sonë këtë gjysmëshekulli që shkoi, jo vetëm me talentin e një krijuesi e shkencëtari të përmasave kombëtare, jo vetëm me përkushtimin e një atdhetari, jo vetëm me njohjen dhe erudicionin e tij të gjerë e të thellë, por edhe me guximin qytetar dhe me shpirtin kritik e antikonformist për të mos u pajtuar me asgjë që dhunon të vërtetën.
Momenti historik që po kalojmë na shtyn t'i bëjmë thirrje ndërgjegjes intelektuale të kombit, për të reflektuar për përgjegjësitë e saj para popullit tonë dhe përpara historisë.

Nënshkruesit

1. Akademik Arben Puto

2. Akademik Luan Omari

3. Prof. Dr. Rexhep Meidani

4. Akademik Jorgo Bulo

5. Akademik Besim Elezi

6. Akademike Floresha Dado

7. Akademik Petraq Petro

8. Akademik Muzafer Korkuti

9. Akademik Ethem Likaj

10. Akademik Salvator Bushati

11. Akademik Vasil Tole

12. Akademik Asoc. Anesti Kondili

13. Akademike Asoc. Efigjeni Kongjika

14. Akademik Asoc. Kosta Barjaba

15. Prof. Dr. Paskal Milo

16. Prof. Dr. Pëllumb Xhufi

17. Prof. Dr. Nasho Jorgaqi

18. Prof. Dr. Petrit Malaj

19. Prof. Dr. Ksenofon Krisafi

20. Prof. Dr. Sabit Brokaj

21. Prof. Dr. Ago Nezha

22. Prof. Dr. Afërdita Onuzi

23. Prof. Dr. Enver Hysa

24. Prof. Dr. Bardhosh Gaçe

25. Prof. Dr. Ali Xhiku

26. Prof. Dr. Aleksandër Dhima

27. Prof. Dr. Zana Shuteriqi

28. Prof. Dr. Klara Kodra

29. Prof. Dr. Hajri Shehu

30. Prof. Dr. Xhelal Gjeçovi

31. Dr. Moikom Zeqo

32. Dr. Ndue Zef Toma

33. Daut Gumeni

34. Limos Dizdari

35. Skënder Minxhozi

36. Agim Mero

37. Shpëtim Çuçka



******

Nikoliçi dhe Daçiçi s’bëhen dot as De Gol, as Helmut Kohl

Prof.dr. Eshref Ymeri


Në faqen internetike të gazetës “Shqiptarja.com” të datës 26 mars 2014, ishte botuar një njoftim befasues me titull:“Gratë serbe në të zeza: Kërkojmë falje shqiptarëve për krimet serbe”.

Ky njoftim m’u duk befasues për faktin se tradicionalisht, që prej Kongresit famëkeq të Berlinit dhe Konferencës edhe më famëkeqe të Londrës, kur u vendos që trojet etnike shqiptare të copëtoheshin me thikën e pamëshirshme të kasapëve evropianë, për të kënaqur epshet shoviniste sllavogreke, me përkrahjen kriminale të shovinizmit rusomadh, gjatë tërë kohës që Serbia dhe Greqia kanë masakruar shtazërisht popullin shqiptar të Kosovës dhe të Çamërisë, ka rënë në sy një unitet i paimagjinueshëm i popullit serb dhe i popullit grek me qëndrimin shovinist të Beogradit dhe të Athinës ndaj etnisë shqiptare.
Kjo është edhe arsyeja që në një sërë shkrimesh të mëparshme, popullin dhe kombin serb dhe grek unë i kam quajtur popull dhe komb shovinist.

Pavarësisht se nga ç’motive janë nisur ato gratë serbe, të cilat, të organizuara nga zonja Stasa Zajoviç, qenë grumbulluar për t’u kërkuar falje shqiptarëve për krimet serbe në Kosovë, duhet pasur parasysh ajo çka ato deklaruan në protestën e tyre:“Gratë serbe në të zeza…kërkojnë nga qeveria e ardhshme e Serbisë të zbulojë të vërtetën dhe të dhënat për të zhdukurit gjatë kohës së bombardimeve në Kosovë dhe të hapë varrezat masive në të cilat janë mbetjet mortore të shqiptarëve nga Kosova. Nëse nuk e bëni këtë do të konsiderojmë se e gjitha është frazë boshe dhe se Marrëveshja e Brukselit në fakt paraqet instrument për mbetjen në pushtet të elitës”.

Nga kjo deklaratë rezulton se Brukselit, të përfaqësuar nga zonja Eshton (Catherine Margaret Ashton - 1956), as që i ka rënë ndër mend ndonjëherë që, para se të kërkonte arritjen e një marrëveshjeje mes Prishtinës dhe Beogradit, t’i shtronte këtij të fundit kërkesën e prerë jo vetëm për zbulimin e varreve masive me eshtrat e kosovarëve të zhdukur, por edhe për daljen me një pendesë publike për të gjitha krimet e rënda që kreu në Kosovë gjatë viteve të luftës. Brukseli nuk e shtroi dhe nuk ka ndër mend ta shtrojë një kërkesë të tillë, sepse fill pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s, pjesa dërrmuese e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, duke sfiduar Shtetet e Bashkuara të Amerikës që përballuan 80% të shpenzimeve për ndëshkimin e Serbisë, morën anën e kësaj të fundit. Këtë e pranon haptas ish-shefi i UNMIKU-ut Lamberto Zanieri, i cili pati deklaruar:“Pas ndërhyrjes ushtarake, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë” (Citohet sipas faqes së internetit. 16.04. 2011).

Dhe domosdo që kërkesat e lartpërmendura Brukseli nuk mund t’ia shtrojë Serbisë, përderisa Hashim Thaçi dhe Prishtina zyrtare janë vënë në rolin e shurdhmemecit para kërkesave të tilla, duke braktisur veprën madhore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si edhe interesat kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës. Hashim Thaçit i intereson simpatia e Brukselit dhe jo kërkesa për zbulimin e së vërtetës për varret masive të kosovarëve të vrarë barbarisht, as kërkimi i pendesës prej Beogradit për barbaritë që kreu në Kosovë, as kërkesa për kompensimin tërësor të të gjitha shkatërrimeve në mbarë Kosovën që e çuan ekonominë e kësaj të fundit shumë vite prapa. Beogradi duhej të përmbushte fillimisht këto kërkesa, pastaj Hashim Thaçi të pranonte të ulej në bisedime me Daçiçin në Bruksel. Por Hashim Thaçit i intereson të prezantohet si një djalosh simpatik dhe i bindur para Brukselit, si plastelinëpolitikan, se kështu, sipas mendjes së tij, ai siguron vazhdimësinë e pushtetit të vet, se kështu ai fiton “kredi” në sytë e Bashkimit Evropian, i cili, nën zë, i nxjerr gjuhën dhe tallet me të. Brukseli, në qendër të marrëveshjes me Thaçin dhe me Daçiçin, ka interesat e serbëve të Kosovës, të cilët kërkojnë krijimin e komunave-minishtete brenda territorit të Kosovës, duke e shndërruar pavarësinë e kësaj të fundit në një të ashtquajtur pavarësi dhe sovranitetin e saj në një të ashtuquajtur sovranitet. Thaçi e ka braktisur veprën madhore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Domosdo, se ai nuk e ka ndier erën e barutit. Prandaj edhe para ca kohësh ai deklaroi në Euronews:“Unë kam qenë larg fronteve të luftës. Lufta ime ka qenë politike” (Citohet sipas faqes së internetit “Indeks”. 13 shkurt 2014).

Me këtë deklaratë të palavdishme, Thaçi të kujton Enver Hoxhën, për të cilin, në plenumin e Beratit të vitit 1944, Sejfulla Maleshova, duke iu drejtuar të pranishmëve, tha: “Shikojani koburen që mban në brez, i ka zënë ndryshk”.

Prandaj populli shqiptar i Kosovës le të vazhdojë të shtrojë kurrizin para Thaçit dhe vetëm të rri e të soditë përkujdesjet shembullore të tij për pakicën serbe, e cila gjatë viteve të luftës u bë mbështetje e fuqishme e bandave ushtarake të Millosheviçit për masakrimin dhe poshtërimin e popullsisë së pambrojtur kosovare.
Grupi i grave serbe mirë bëri që doli në atë protestë për t’u kërkuar falje shqiptarëve për krimet serbe, por problemi është se kërkimi i faljes apo pendesa e tyre nuk ngre kurrfarë peshe, nuk ka kurrfarë vlere juridike, sepse me pendesë publike duhet të dalë Beogradi zyrtar, duhet të dalë parlamenti serb, duhet të dalë presidenti Nikoliç dhe kryeministri Daçiç.

Ata, madje, nëse Nikoliçi dhe Daçiçi do të ishin, qoftë edhe njё grimë, politikanë të nivelit evropian, fillimisht, duhej ta njihnin pavarësinë e Kosovës dhe paskëtaj duhej të bënin kërkesën për të ardhur për vizitë në Prishtinë dhe në Tiranë. Dhe kur të zbrisnin nga shkallët e avionit, të përuleshin me respekt para tokës shqiptare dhe të kërkonin ndjesë botërisht për qëndrimin e egër, armiqësor, për krimet e rënda që shovinizmi serbomadh ka kryer kundër kombit shqiptar gjatë një periudhe mbinjëshekullore.

 Kjo pendesë publike do të hapte një faqe të re në ndërtimin e marrëdhënieve korrekte dhe të fqinjësisë së mirë mes serbëve dhe shqiptarëve. Por ata s’mund ta bëjnë dot një gjë të tillë, se ata s’janë politikanë të këtij niveli, se ata janë pasardhës të Millosheviçit, janë mbetje të shovinizmit serbomadh. Prandaj ata s’mund ta vënë dot veten në rolin e de Golit (Charles André Joseph Marie de Gaulle 1890-1970), i cili, kur zbriti nga shkallët e avionit në Algjer në vitin 1961, iu drejtua algjerianëve që ishin grumbulluar aty:“Ju kërkoni pavarësi? Merreni, e gëzofshi!”

Nikoliçi dhe Daçiçi nuk mund ta vënë dot veten as në rolin e kancelarit Helmut Kohl (Helmut Josef Michael Kohl - 1930), i cili, në emër të Gjermanisë, bëri pendesë publike dhe kërkoi ndjesë për krimet që nazizmi gjerman kreu kundër popujve evropianë dhe sidomos kundër hebrenjve.

Santa Barbara, Kaliforni
27 mars 2014

2014/03/27

Përsiatje për një deklaratë të shkrimtarit amerikan Glen Donovan


   Prof.dr. Eshref Ymeri



Në ditët e para të Vitit të Ri 2014, në faqet e internetit qe botuar një deklaratë e shkrimtarit amerikan Glen Donovan (Glenn Donovan), lindur në Nju Jork në vitin 1962. Me sa duket, deklarata e tij lidhet me zhvillimin e ngjarjeve në Ukrainë, të cilat gjatë janarit dhe shkurtit patën zhvillime shumë dramatike. Deklarata e tij titullohet “I hate the Russian people” (Unë e urrej popullin rus).
Para përsiatjeve të mia për deklaratën në fjalë, lexuesve të nderuar po iu përcjell fillimisht përkthimin e plotë të saj:
“Ju ende nuk e keni takuar kurrë një njeri si puna ime që e urren kaq shumë popullin rus, për faktin që ai e ka braktisur lirinë, të cilën ne, gjatë shumë dhjetëvjeçarëve, patëm synuar aq shumë për t’ia dhënë.
Që ta merrni vesh, në vitin 1973, kur isha 11 vjeç, unë pata lexuar “Arkipelagun Gulag” të Aleksandër Solzhenjicinit. Unë u rrita, duke vëzhguar baraspeshën e forcave në botë, e cila po kolovitej mbi tehun e thikës dhe e dija se sa i tmerrshëm ishte Bashkimi Sovjetik, si për vetveten, ashtu edhe për gjithë të tjerët në botë.
Unë ndihesha krenar për faktin që ndodhem në anën e duhur, përballë sovjetëve, dhe herë-herë mendoja se populli rus do t’u jetë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për lirinë e vet. Mua nuk më pati shkuar kurrë ndër mend që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i nënshtrohen (si tani gjatë qeverisjes së BO - kështu e quajnë amerikanët Barak Obamën - KC) vetëkënaqësisë së pamoralshme të një batakçiu të KGB-së, i cili, çdo ditë, na fyen dhe na provokon dhe qeveris popullin rus. Ky batakçi që ka një pushtet total, drejton një popullsi analfabete, raciste, inatçore dhe antiliberale. Unë rri e vras mendjen herë-herë: mos ndoshta rusët e kanë pas merituar Stalinin? Ka mundësi që, si në rastin e Sadamit në Irak, ky popull, brenda sekondës, kur t’ia heqin çizmen nga qafa, do të fillojë nga vrasjet me njëri-tjetrin për shkaqe nga më të papërfillshmet. Kjo për mua është diçka vërtet e parëndësishme. E qartë është një gjë: që Rusia dhe populli i saj nuk janë të denjë të ulen në një tryezë si të barabartë me vende, shoqëri dhe njerëz të qytetëruar dhe të lirë. Unë e urrej popullin rus për faktin që ai e ka lejuar një gjë të tillë. Ne duhej t’i kishim atomizuar ata me bomba dhe Rusinë ta kishim degdisur drejt mosqenies dhe natyra atje të riniste nga fillimi
Ajo që për dikë tingëllon si propagandë, për dikë tjetër është e vërtetë. Qeveria jonë duhet të jetë plotësisht jashtë lojës, përderisa ne nuk jemi në gjendje lufte me vendin përkatës, siç kemi qenë në kuptimin më konkret me Bashkimin Sovjetik gjatë dyzet vjetëve.
Për mua nuk ka rëndësi se çfarë po bën Rusia tani dhe nëse janë të lira ose jo masat e saj të çmenduara. Kjo nuk është punë për mua. Mua më shqetëson vetëm fakti se çfarë po bën Putini kur një gjë e tillë ndikon mbi interesat tona kombëtare. Për ne nuk është e nevojshme të mundohemi “të përhapim kulturën tonë”, duke ndikuar përmes mjeteve të informimit masiv. Kultura jonë tashmë njihet mirë. Unë kam ardhur në përfundimin se rusët janë të mangët në aspektin filozofik, ata vetë nuk janë të aftë për të qeverisur dhe ata këtë e dinë: këtu e ka zanafillën dashuria e tyre për tiranët. Ata kanë qejf të kenë gjithçka, të shtypin dhe të shfrytëzojnë njëri-tjetrin, deri sa t’u mbushen zemrat me kënaqësi. Unë nuk dua të harxhoj as edhe një santimë në përpjekjen për ta ndryshuar një gjë të tillë. Ne kemi harxhuar miliarda dollarë për shembjen e Bashkimit Sovjetik, kurse rusët na kthyen krahët shpejt e shpejt dhe vendin e tyre, me vullnetin e vet, e lanë në dorën ish-kreut të KGB-së. “Boll më!”, si i thonë një fjale. Nuk duhen harxhuar paratë për gjëra të liga. Populli rus e meriton gjithçka që mund t’i ndodhë” (Citohet sipas: Glenn Donovan. “I hate the Russian people”. Marrë nga faqja e internetit “KAVKAZCENTER.com”. 03 janar 2014).
Që ta duash apo ta urresh një popull të caktuar, në këndvështrimin tim, duhen ndjekur rrugët e zhvillimit historik, nëpër të cilat ai ka kaluar në rrjedhën e shekujve. Sepse në këtë mënyrë mund të krijohet një ide më e plotë për formimin psikologjik të tij. Sepse kështu do të kuptohen dhe do të interpretohen drejt raportet e popullit me pushtetin, me elitat drejtuese, me mbretërit apo me diktatorët.
Në këtë aspekt, dëshiroj të theksoj se duhen parë etapat historike të formimit psikologjik të popullit rus, i cili ka ndikuar drejtpërsëdrejti edhe në ndërtimin e raporteve të tij me pushtetin.
Kjo për faktin se populli rus asnjëherë nuk ka qenë i lirë: në fillim ka qenë nën shtypjen e bujarëve dhe të oborrtarëve, nën zgjedhën tataromongole që vazhdoi 250 vjet, nën vargonjtë e çifligarëve në kuadrin e të drejtës së bujkrobërisë që zgjati disa qindra vjet dhe nën diktaturën komuniste, e cila rusët i shndërroi në bujkrobër të shtetit.
Pikërisht në kushtet e një shtypjeje të tillë, në psikologjinë e popullit rus ka ardhur e është formuar këndvështrimi i tij rreth mitit të pushtetit.
Për pasojë, krejt historia e Rusisë përfaqëson në vetvete historinë e autokracisë në njërën ose tjetrën formë. Njerëzit e kanë shtyrë dhe vazhdojnë ta shtyjnë jetën me shpresën tek agai “zemërmirë”, te cari, te sekretari i përgjithshëm i partisë apo te presidenti. Shumicës dërrmuese as që i bie ndër mend fare se në këtë jetë punët mund të ecin ndryshe. Se fati i tyre nuk mund të varej dhe nuk mund të varet as nga Jelcini dhe as nga Putini, por nga vetë ata.
Një dukuri e tillë sot vihet re sheshit. Opinioni i njerëzve duket në pëllëmbë të dorës, prirja e tyre e jashtëzakonshme për autoritarizmin e pushtetit bie menjëherë në sy. Pra, sipas mendësisë së rusëve, problemi qenka më i thjeshtë kur dikush tjetër përkujdeset për ta. Nën peshën e një mendësie të tillë, njerëzit nuk janë në gjendje të vetëdijësohen se ndokush do të kujdeset më shumë për vetveten sesa për të tjerët.
Sipas Nina Shçerbinës, profesore e politologjisë në Universitetin e Tomskut (qytet në Siberi), “në traditën politike të Rusisë “modeli i pushtetit” ka ardhur e është formuar nga tiparet e mëposhtme: nga fryma hyjnore (fetare, qiellore, përtejtokësore, irracionale, mistike që ndryshon nga gjërat, nga nocionet, nga dukuritë e zakonshme), nga fryma personifikuese, nga fryma e barazimtarisë dhe nga etatizmi apo nga ideologjia absolutizuese e rolit të shtetit në shoqëri… Në “Rregulloren Klerikale” të Pjetrit I (1672-1725), cari emërtohej drejtpërsëdrejti si “Krishti Perëndi”. Më vonë, në fjalët e lutjeve me rastin e kurorëzimit të shenjtë, çdo car i ri që hipte në fron, quhej, gjithashtu, “Krisht”. Madje qe ndaluar zyrtarisht “që t’i kushtohej vëmendje seksit dhe moshës të sovranit dhe të sovranes”, se, demek, cari, si njeri-perëndi, nuk mund të kishte tipare “tokësore”! Jo më kot portretet e perandorëve zakonisht vendoseshin në ikonostasin e qoshes së shenjtë të shtëpive fshatare, kurse pas Luftës Patriotike kundër Napoleonit, në radhët e fshatarëve patën një përhapje të gjerë ikonat që pasqyronin Krishtin me fytyrën e sovranit-perandor” (Citohet sipas: Anton Çablin.“Rezervati i liberalizmit. Aktiviteti përmes protestave në Rusi ka arritur një minimum historik. Cila është arsyeja që shoqëria “ka rënë në gjumë”?”. Marrë nga faqja e internetit “kavpolit.com”. 26 janar 2014).
Me sa duket, kjo duhet të jetë edhe arsyeja që në gjuhën ruse haset një shprehje kuptimplote: “Zoti është lart, cari është larg”, që do të thotë: njeriu i thjeshtë e ka të vështirë ta gjejë të vërtetën (drejtësinë). Sipas mendësisë popullore, njeriu i thjeshtë, për të zgjidhur një hall, Zotit nuk i qahej dot se ky ndodhet lart, në qiell, dhe ishte e pamundur ta takoje. Por edhe për të takuar carin (mbretin), ai, po ashtu, e kishte të pamundur, meqenëse cari ndodhej shumë larg. Kësisoj, sipas kësaj mendësie, cari nuk na qenkej fajtor për padrejtësitë që njeriu i thjeshtë provonte mbi kurriz, meqenëse shërbëtorët e tij e quanin si zëdhënësin e Zotit mbi dhé.
Nga sa më sipër, rezulton se rusët heqin dorë me vetëdije nga vetvetësia (individualiteti) në të mirë të një të tillë pushteti “të hyjnizuar”, i cili, në historinë ruse quhet “pushtetbesnikëri” ose besnikëri ndaj pushtetit. Prandaj edhe populli është i gatshëm t’i durojë të gjitha fatkeqësitë që i bien përsipër për faj të pushtetit.
Duke pasur parasysh këndvështrimin mitik të popullit rus ndaj pushtetit, vjen e krijohet një situatë e tillë, në të cilën etatizmi merr sipërinë, domethënë interesat e shtetit janë gjithmonë mbizotëruese në raport me interesat e individit. Por një gjë e tillë është e pamundur të arrihet pa shfaqje të qëndrimeve të egra ndaj individit. Sepse pushteti gjithmonë është autoritar.
Nga një sondazh që është bërë para disa vjetësh, rezultoi se “njerëzit që e konsideronin veten klasë të mesme në vitin 2008, përbënin 20% të popullsisë, kurse në vitin 2011 kjo shifër zbriti në 12%. Megjithatë, nuk ndodhi asgjë për t’u shënuar sepse kur njerëzit u pyetën nëse do të dilnin në rrugë për të protestuar, 73% e tyre dhanë përgjigje negative” (Citohet sipas: Sean Guillory. “Pse nuk e prekën Rusinë protestat e vitit 2011” (“Al Jazeera”, Katar). Marrë nga faqja e internetit “inosmi.ru”. 22 nëntor 2011).
Prandaj me shumë të drejtë mund të arrihet në përfundimin se prirja instinktive e rusëve për të pasur një “dorë të fortë”, mund ta shpjegojë dështimin e Jelcinit, i cili, mbi mbeturinat e mitit komunist, u mundua të ngrinte një “botë” liberale. Dhe, në heshtjen e tij dëshpëruese, jo rastësisht një ditë para Vitit të Ri 2000, ai iu drejtua rusëve nën zë:
“Ju nuk më deshët mua, atëherë e gëzofshi dorën e fortë të pushtetit të Putinit”.
Për studimin e psikologjisë së popullit rus janë marrë sociologë rusë dhe të huaj. Ndër më kryesorët mund të përmendet Nikollaj Berdjajev (1874-1948), Ksenia Kasjanova (1034-2010) etj. Në njërin nga studimet e veta, Kasjanova shkruan:
“Para nesh shfaqet një kulturë shumë e hershme dhe e rreptë, e cila kërkon nga njeriu një vetëkufizim të fuqishëm, një represion të impulseve të brendshme dhe të qëllimeve të veta të drejtpërdrejta, në të mirë të vlerave kulturore globale” (Citohet sipas: Prof. Ludmilla Poçebut (1949). “Psikologjia e popullit rus”. Marrë nga faqja e internetit “rosbalt.ru”. 05.03. 2014).
Mes studiuesve të huaj që janë marrë me këtë temë, mund të përmendet antropologu social amerikan Klajd Klakhon (Clyde Kluckhohn - 1905-1960). Në veprën e vet me titull “Pasqyra për njeriun. Hyrje në antropologji”, ai thekson se për rusët është karakteristike “nevoja për t’iu nënshtruar pushtetit” (Citohet sipas burimit të lartpërmendur).
Një psikolog rus në moshë të re nga qytetit i Novosibirskut, shkruan:
“Populli rus, psikologjikisht, është gati t’i nënshtrohet nje pushteti të fortë dhe madje diku thellë, në nivelin e nënvetëdijes së vet, ai e kërkon një gjë të tillë. Si provë e këtij fakti mund të sillet dështimi i plotë i reformave demokratike perëndimore të njëzet vjetëve të fundit. Dhe po të sjellim ndër mend historinë, atëherë mund të thuhet se periudhat më të mira, kur Rusia ka qenë “në ngritjen” e vet, janë pikërisht ato periudha, kur pushteti ka qenë i përqendruar në një mënyrë monarkiste” (Citohet sipas: Pjetër Zarubin. “Psikologjia karakteristike e popullit rus”. Marrë nga faqja e internetit “peter-zarubin.ru”. 06.03. 2013).
Në fjalët e këtij psikologu të ri bie në sy një e vërtetë e pamohueshme, të cilën e pati pohuar edhe politikani i shquar britanik Çurçilli (Sir Winston Leonard Spencer-Churchill - 1874-1965) që dikur pati deklaruar:
“Stalini ishte diktatori më i madh që nuk mund të krahasohej me askënd në botë, por që Rusinë e gjeti me parmendë dhe e la me armatim atomik”.
Popullit rus, gjatë shekujve, i kanë futur në gjak “shenjtërinë” e pushtetit, para të cilit duhet të jesh i bindur dhe i nënshtruar, sepse, sipas politikës zyrtare, cari na qenkej “vetë Jezu Krishti” dhe prandaj, “kur pushteti të shuplak njërën faqe, populli duhet të kthejë faqen tjetër për të pritur shuplakën e radhës”.
Duke pasur parasysh qëndrimin nënshtrues të rusëve ndaj pushtetit, kreu i bashkësisë moskovite të tatarëve të Krimesë Ernest Kudusovi, deklaroi publikisht se rusët janë skllevër brez pas brezi. Këtë deklaratë ai e lëshoi në studion e televizionit publik rus. Duke iu përgjigjur pyetjes së drejtuesit të emisionit se në ç’masë Krimeja, sipas mendimit të tij, është e ndarë mes pjesëve të popullsisë rusishtfolëse dhe të tatarëve të Krimesë, ai deklaroi:
“Ne duhet t’i kthehemi një çikë historisë. Së pari, populli tatar i Krimesë është popull rrënjës. Së dyti, ai është popull i përndjekur. Domethënë, në vitin 1944 atje nuk mbeti asnjë tatar për be. Stalini vendosi t’i zhdukte tatarët e Krimesë sepse ai nuk është popull që përulet si skllav, ai asnjëherë nuk e ka njohur skllavërinë. Kurse Stalini ishte mësuar të qeveriste skllevër. Prandaj ai i donte aq shumë rusët, ish-skllevërit, skllevër brez pas brezi. Është një skllavëri mijëshekullore, nuk ke ç’i bën” (Citohet sipas: “Kreu i bashkësisë së tatarëve të Moskës: “Rusët janë skllevër brez pas brezi”. Marrë nga faqja e internetit “smi2.ru”. 21 janar 2014).
Por dikush mund të pyes se ku ka qenë dhe çfarë ka bërë inteligjencia, e cila duhej të kishte marrë përsipër me kohë rolin e vet historik për emancipimin e njeriut rus, në mënyrë që ky të ndërtonte të tjera raporte me elitat qeverisëse, jashtë bindjes dhe nënshtrimit kristian para autoritarizmit të pushtetit? Pyetja është me vend, por halli është se edhe inteligjencia ruse, e dalë nga gjiri i popullit rus, ka qenë dhe vazhdon të jetë viktimë e po të njëjtit mentalitet që mbizotëron në formimin psikologjik të popullit rus në apektin e marrëdhënieve me pushtetin. Prandaj edhe ajo ka rënë në gjunjë para pushtetit.
Politologu, analisti, gazetari dhe publicisti ukrainas Viktor Kaspruk, duke u ndalur në qëndrimet e fundit të Putinit ndaj Ukrainës, shkruan:
“Gjithë vitet e qeverisjes së tij, janë vitet e turpit të popullit, janë vitet e heshtjes së turpshme, janë turpi i inteligjencies, e cila, në shumicën e vet dërrmuese, është tërhequr zvarrë para këtij njeriu pa kurrfarë vlere” (Citohet sipas: Viktor Kaspruk. “Putini gaboi rëndë me Ukrainën”. Marrë nga faqja e internetit “argumentua.com”. 07 mars 2014).
Qëndrimi i inteligjencies ruse të ditëve të sotme ndaj pushtetit, zbulon po të njëjtin qëndrim që ajo ka mbajtur tradicionalisht ndaj tij edhe në kohën e carit. Prandaj edhe Anton Çehovi (1860-1904) e stigmatizon me rreptësi një qëndrim të tillë:
“Unë nuk i besoj inteligjencies sonë, një inteligjencie kjo hipokrite, e paqenë, histerike, e paedukuar, mashtruese, nuk i besoj madje edhe kur ajo vuan dhe ankohet, sepse përndjekësit e saj dalin po nga radhët e saj”. (Citohet sipas: “Letër N.I. Orllovit”. 22 shkurt 1899. Marrë nga faqja e internetit “livejournal”. 22 mars 2009).
Nga sa vërehet, mund të thuhet pa mëdyshje se fatkeqësia e popullit rus qëndron në faktin se ai është i prirur për t’i besuar shumë më tepër propagandës së pushtetit, sesa bëmave të tij. Një dukuri e tillë nuk mund të mos i binte në sy fiziologut të shquar rus, akademikut I.P. Pavllov (1849-1936), i cili, katër vjet para se të kalonte në pasjetë, ka shkruar:
“Më duhet të shpreh pikëpamjen time të trishtuar për njeriun rus: ai ka një sistem trunor kaq të dobët, saqë nuk është i aftë ta rrokë realitetin si të tillë. Sipas këndvështrimit të tij, ekzistojnë vetëm fjalët. Reflekset e tij të kushtëzuara janë të bashkërenduara jo me veprimet, por me fjalët” (Citohet sipas faqes së internetit “censor.net.ua”. 15 shkurt 2010).

Santa Barbara, Kaliforni
25 mars 2014







GRUAJA SHQIPTARE, SKLLAVE E LIDHUR ME PRANGAT E DETYRIMEVE DITORE TË KOHËS MODERNE.

Vjollca Pasku


Nën vështrimin e përditshëm, kur shkoj në punë, më bëjnë përshtypje njerëzit, sidomos gratë. Që nga paraqitja e jashtme, kupton se kujt shtrese i përket gruaja që më shfaqet përballë, fshatit apo qytetit, shtresës intelektuale apo amvisës së thjeshtë. Mjafton një zhbirim i syve për ta kuptuar, një grua të ardhur nga fshati, për të shitur ato pak gjëra në qytet, mjaftojnë blanat e zeza që ka lënë dielli në fytyrën e rreshkur dhe në duart me vijëzime të prera thellë nga puna për të përballuar lodhjen e jetës në ditët e panumërta. Bota për të është shërbimi i tokës dhe njerëzve të shtëpisë. E thënë ndryshe, robinë, apo model i skllaves pa zë të shtëpive shqiptare. Kurse, një vajzë qyteti, që ka thithur ajrin dhe ka puthur vesën e kulturuar të dijes,ëndërron aromën e luleve të dashurisë. Fantazia e çon tek princi, i cili e shpëton nga kështjella e mamasë dhe babait të jetojë shkëputjen e lumtur. Me emocion ajo përzgjedh ose i përzgjedhin bashkëshortin e saj. Skllavëria fillon gradualisht me rrethin e artë të martesës. Në fillim duhet t’i bindesh mendimeve dhe dëshirave të mashkullit, pa pasur hapësirë për të thënë të tuat, sepse ari i unazës së gishtit nuk lejon nxënie, ndryshe këputet. E pakënaqur në vetvete mërzia si fije e padukshme vesh shpirtin. Pastaj vjen fëmija e parë. Lodhja dhe stërmundimi lë të nënkuptohet një nënë që i dedikohet shpirtërisht e fizikisht rritjes së fëmijës. Netët pa gjumë, përtesa e bashkëshortit të ngrihet natën,shmangja nga detyrimi për të ndarë së bashku mundimet, të cilat krijojnë një hendek pakënaqësie, që shpesh ajo e kalon duke shpresuar se e nesërmja do jetë më e mire. Një gënjeshtër për të rritur kurajën të ecësh në lumin e ditëve. Puna e përditshme, punët e shtëpisë, fëmija dhe shpesh kur bashkëjetesa është me prindërit e burrit, mishëron një lule gruaje kokulur e drobitur nga lodhja, që herë here shpërthen si brez vetëtime. Zëri,fytyra,flokët, veshja, gjithë qenia e saj proteston pa zë. “Kush e kupton?”. Asnjëherë nuk e kanë kuptuar. Pas orëve të lodhshme të punës, bashkëshorti duhet të hajë drekën dhe të çlodhet me joshjen e gjumit dhe qejfet e shtratit. Skllavja bashkëshorte duhet të durojë lodhjen ditë për ditë, me shpresë se fëmija do të rritet dhe vuajtja do të minimizohet.
Po të pyesësh, të gjitha gratë në këtë periudhë thonë të njëjtat fjalë: ”Sa kam vuajtur” Natyrisht që jetë pa vuajtje nuk ka, por kur ato pjesëtohen, barra është më e lehtë. Gruaja nuk është një leckë pastrimi,një buzëqeshje kukulle, apo hija e burrit. Ajo është një shpirt plotë drite dhe ngrohtësi, e cila ka nevojë për një fjalë të mirë dhe për pak dashuri, që nëse i jepen, ajo i shumëzon brenda shpirtit të saj fisnik, dhe nëse jo , në sytë e përulur, ku nuk ndihet as shenja më e vogël e falënderimit për sakrificave të saj, ulet flutura e mendimit Shekspirian “Të rrosh apo mos të rrosh”. Në këtë çast shpirti bredh me retë e mendimit, ulërin me memecërinë e furtunës dhe “barku i zemërimit i mbushet’’ për tu zbrazur pranë nënës, motrës, apo një shoqeje. Cilat ishin ëndrrat e vajzërisë, dhe si i shkoi jeta e skllavëruar. Por shumë vajza dhe gra të reja kanë kuptuar thelbin e jetës, se vetëm dituria është arma për të këputur vargonjtë e skllavërisë. Sa më të arsimuara, aq më pranë vijës së kufirit të barazisë së burrit do të ndihen. E megjithatë, sa dekada do kalojnë, që gratë shqiptare të bëhen luftëtare të fjalës, për të fituar barazinë. Një mendim, një shkrim, mund të jetë vetëm një erë stuhie. Por zëri i bashkuar i të gjithave grave përbën spiralen tornado, ku stuhia zhvesh lakuriqësinë e prangave të farkëtuara ndër vite nga mentaliteti i burrave.
Grua, sikur të kuptosh elementet nga se përbëhet drita jote, kurrë nuk do të bije në nënshtrim, sikur të kuptoje që shumë here ke shëtitur imazheve të qiellit, nuk do bije në dëshpërim, sikur ta dije se sa herë ke ndërtuar një botë të vogël parajse, buzëqeshjen do e kishe vetëm në sy. Teksa shpirti i mashkullit blerohet vetëm me pranverën e gruas, shpirti i gruas ndrin vetëm nga dielli i fshehur i qiellit burrëror. Sot, unë grua jam mishërimi i skeletit të botës tënde, or burrë, dhe ti je për mua kolona kockore që mban këtë botë. Pra, a s’duhet të jemi të barabartë?...

Vjollca Pasku <vjollcabesimi@gmail.com>

2014/03/25

Adaptimi ndaj ndryshimeve klimatike


Masat e adaptimit ndaj ndryshimeve klimatike lidhur me rreziqet shëndetësore kanë për qëllim të kryejnë reduktimin e pasojave mbi shëndetin e njeriut dhe mund të kategorizohen në mënyrën si vijon:
Masa primare adaptuese: Masa që ndërmerren për parandalimin e fi llimit të sëmundjes që krijohet nga disbalanca në mjedisin jetësor ndërmjet popullimit të eksponuar.
Masa sekondare adaptuese: masa preventive të ndërmarra si përgjigje të dëshmive të hershme të ndikimeve mbi shëndetin (sh. përforcimi i kontrollit të sëmundjeve dhe përgjigje adekuate ndaj paraqitjes së sëmundjes).
Masa terciare adaptuese: masa për mbrojtje shëndetësore që ndërmerren për uljen e mortalitetit ose morbiditetit të shkaktuar nga sëmundja (sh. përmirësimi i diagnostikimit dhe shërimit të sëmundjes së caktuar infektive).
Përshtatja ndaj pasojave të mundshme nga ndryshimet klimatike mbi sëmundjet infektive në nivel lokal dhe rajonal, përfshin masa shëndetësore publike në rajonet që vijojnë:
• Sisteme për lajmërim të hershëm
• Kontroll sistematik dhe mbikëqyrje mbi sëmundjet që përçohen nëpërmjet ushqimit, ujit dhe vektorëve
• Mbindërtimi i kapaciteteve ekzistuese, duke kyçur kapacitete diagnostikuese dhe ekspertizë
• Avancimi dhe përmirësimi i edukimit shëndetësor të popullsisë, promovimi i masave higjienike midis popullsisë dhe masa për mbrojtje të ambientit jetësor.
Masat për adaptim ndaj ndryshimeve klimatike janë pjesë e Strategjisë Nacionale për adaptimin e sektorit të shëndetësisë ndaj ndryshimeve klimatike.
Për mbikëqyrjen e sëmundjeve infektive në R. e Maqedonisë, përdoret një sistem i bazuar sindromik për lajmërim të hershëm, ALERT (EWARN) i cili e përfshin paraqitjen e tetë sëmundjeve sindromike, sh. diarreja, ethe akute hemorragjike etj. dhe sistemi rutinor për paraqitjen e obligueshme të sëmundjeve infektive dhe gjendje sipas aktit për mbrojtje nga sëmundjet infektive.
Në kuadër të kapaciteteve laboratorike, duhet përmendur se si rezultat i hulumtimeve të jashtme në nëntor, të vitit 2009 është vërtetuar se në R. e Maqedonisë mungojnë kapacitetet në vijim për vërtetim laboratorik të organizmave patogjenë te njerëzit, në nivel të tërë vendit: bruceloza (Bucellosis), leptospiroza (Leptospirosis), Q-ethet, sëmundje e shkaktuar nga hantavirusi (Hantavirus), ethet hemorragjike të Krimé-Kongos (CCHF), ethet e Nilit perëndimor (WNF), encefalit që përçohet nëpërmjet  rriqrave (TBE). duke e pasur parasysh situatën epidemiologjike me ethet hemorragjike të Krimit-Kongos (CCHF) në vendet fqinje, veçanërisht në Shqipëri, ndoshta, ethet hemorragjike të Krimé-Kongos (CCHF) janë endemike edhe në R. e Maqedonisë. Organizma tjerë patogjenë, që paraqiten për herë të parë, mund të jenë ethet e Nilit perëndimor (WNF) dhe sëmundja e shkaktuar nga hantavirusi (Hantavirus), por nuk ekzistojnë të dhëna të vërtetuara në mënyrë laboratorike, dhe duhet ndërtuar edhe kapacitetet e nevojshme laboratorike.
Po ashtu, është i nevojshëm edhe edukimi i vazhdueshëm i kuadrove mjeksorë në drejtim të rreziqeve shëndetësore nga ndryshimet klimatike.

Ndryshimet klimatike dhe shëndeti i njeriut


http://cfnhri.org/wp-content/uploads/2011/10/Drought1.jpg

 
 
Ndryshimet klimatike i ngarkojnë sëmundjet në botë me 4,6% për dallim nga të gjitha rreziqet tjera në mjedisin jetësor. Po ashtu, është vërtetuar se ndryshimet klimatike në vitin 2000, si vit referent, kanë kontribuuar për rreth 2,4% nga të gjitha rastet e diarresë në botë, 6% nga rastet e malaries në disa shtete të pazhvilluara, si dhe për 7% nga rastet e paraqitjes së etheve – denga në disa vende industriale. Gjithsej, vlerësohet se vdekshmëria atributive për shkak të ndryshimeve klimatike ka qenë 0,3% dhe ngarkueshmëria atributive e sëmundjeve ka qenë 0,4%.
Ndryshimet klimatike kanë rang të ndërlidhjes komplekse me shëndetin. Kjo i përfshin ndikimet direke, siç janë sëmundjet dhe gjendjet që mund të përfundojnë me morbiditet ose mortalitet, e që lidhen me temperaturën dhe ndikimet shëndetësore nga ngjarjet ekstreme të motit. Ndikimet tjera i ndjekin rrugët indirekte siç janë ato që ndikojnë mbi distribuimin e sëmundjeve lidhur me ujin për pije, ushqimin ose po për sëmundjet që përçohen nëpërmjet vektorëve dhe zoonozave, ose gjendje shëndetësore që shkaktohen për shkak të mangësisë së ushqimit dhe ujit.
Ekzistojnë projeksione në drejtim të zgjerimit të sëmundjeve nga gjerësitë gjeografi ke jugore kah ato verioret, veçanërisht të sëmundjeve që kanë qenë të zhdukura: malaria, denga dhe ethet e verdha etj. Ndryshime edhe në shpërndarjen e sëmundjeve që përçohen nëpërmjet brejtësve, siç janë hantavirusi dhe leptospiroza. Ndryshimet gjeografi ke, kohore dhe ekologjike do të ndikojnë në vektorët e sëmundjeve, dhe me këtë në paraqitjen e sëmundjeve, para së gjithash lajshmanioza, sëmundja-lima, encefaliti i cili përçohet me rriqër, malaria (në rajone endemike), denga etj.
Pritet shtimi i sëmundjeve lidhur me ujin për pije dhe ushqimin, për shkak të shpërndarjes së pabarabartë në nivel global dhe projeksione për zvogëlimin e sasisë së ujit për pije dhe prodhimit të ushqimit (kolera dhe helmim me ushqim). Ekspozimi në temperatura ekstreme të larta mund të sjellë deri te sëmundjet kardiovaskulare ose respiratore, ndërsa çrregullimet ekstreme në kushtet klimatike (vërshimet, erërat e ngrohta), çojnë drejt lëndimeve, përmbytjeve, sëmundjeve respiratore, diarressë, etj. Temperatura e zmadhuar dhe vërshimet janë shkak për paraqitjen e intensitetit dhe frekuentimit të zmadhuar të sëmundjeve që përçohen nëpërmjet ujit dhe ushqimit të kontaminuar.
Ndikimi i motit është më i vogël te rastet e përçuarjes direkte të sëmundjeve antropozoonoze, pasi që në këtë mënyrë shkaktari është më pak i eksponuar në ndikimet e jashtme.
Kontaminimi mikrobiologjik i ushqimit dhe ujit mund të shkaktojë sëmundje të zorrëve dhe sëmundje tjera serioze.
Ndryshimet klimatike do të ndikojnë në distribuimin kohor të aero-alergjenëve, veçanërisht polenit dhe me këtë, distribuimin e ndryshuar të sëmundjeve alergjike. është pozitive ajo se pritet zvogëlimi i gjendjeve shëndetësore që lidhen me temperaturat ekstreme të ulëta (2003; Patz et al. 2000; Wilson 2001).
Ndikimi i motit, veçanërisht temperatura ambientale, ka ndikim të tërthortë mbi përçueshmërinë e sëmundjeve infektive. Temperatura mund të ndikojë te shkaktarët e sëmundjeve infektive, por edhe te përçuesit (vektorët) ose uji. Zmadhimi i temperaturës e përshpejton metabolizmin e vektorëve, ato ushqehen, por edhe prekja me bartësin është më e madhe, dhe sipas kësaj shtohet edhe mundësia për infektim. Secili ndryshim i temperaturës minimale, mund të ndikojë në mbijetimin e vektorëve, dhe kështu dimrat e ngrohtë që priten, me ndryshimet klimatike e zmadhojnë popullsinë e vektorëve.
Në përgjithësi, efektet shëndetësore të klimës së ndryshuar në mënyrë rapide priten me një pasiguri të caktuar të vlerësuar kryesisht në mënyrë negative, veçanërisht në shoqëritë e vobekta dhe shtetet në tranzicion, që më së paku kontribuojnë në emetimin e gazrave që e dëmtojnë kopshtin serrë. Disa nga ato efekte përfshijnë:
• Dallime në variacionet e të reshurave me siguri do ta komprometojnë furnizimin me ujë të freskët për pije, dhe me këtë do ta zmadhojnë rrezikun nga sëmundjet që përçohen nëpërmjet ujit.
• Zmadhimi i temperaturave dhe variabiliteti i të reshurave me siguri do ta zvogëlojnë prodhimtarinë e ushqimit në rajonet më të varfra, dhe me këtë do ta zmadhojë rrezikun nga paushqyeshmëria.
• Ndryshimet e klimës me siguri do t’i vazhdojnë sezonat e transmisionit të disa sëmundjeve të rëndësishme që përçohen nëpërmjet vektorëve, sikundër dhe ta ndryshojë distribuimin e tyre gjeografi k, duke i zgjeruar në mënyrë potenciale nëpër rajone ku mungon imuniteti i popullatës dhe/ose infrastruktura shëndetësore e organizuar mirë.
Lidhja e vërejtur ndërmjet ndikimeve kohore dhe sëmundjeve infektive, ndikoi në zhvillimin e më tepër modeleve për parashikimin e përhapjes së sëmundjeve infektive për shkak të ndryshimeve klimatike.
Ndryshimi i mënyrës së jetesës, prodhimi i ushqimit, urbanizimi modern, ndryshimi i klimës dhe cilësisë së mjedisit jetësor, e zmadhon rrezikun nga ekspansioni i zoonozave.

Sëmundjet infektive lidhur me ndryshimet klimatike në rajonin tonë


 
 
Në tekstin më poshtë, janë dhënë karakteristikat epidemiologjike, pasqyra klinike dhe masat për parandalimin dhe mbikëqyrjen e më shumë sëmundjeve infektive të zgjedhura. Për disa prej tyre, ekzistojnë të dhëna epidemiologjike dhe deri tash ato janë regjistruar në rajonin tone, si në formë të veçantë, poashtu edhe në formë epidemike (salmoneloza, lajshmanioza, leptospiroza, lajm-borelioza).
Disa prej sëmundjeve infektive të përshkruara më poshtë, mund të bëhen aktuale në të ardhmen dhe për regjistrimin e tyre në këtë moment, nuk ka të dhëna epidemiologjike as diagnostikë etiologjike të nevojshme (çikungunia, kriptosporidium, ethet e Nilit perëndimor, ethet hemorragjike të Kongos dhe Krimesë, rikecioza, leptospirozaetj.).
Në mënyrë objektive, për të shumtët ekzistojnë parametra klinike që e tregojnë praninë e tyre, por në mungesë të diagnostikës kauzore, tani për tani ato mbeten të pavërtetuara. Shumë nga këto sëmundje infektive, janë prezentë në shtetet fqinje, që na jep të drejtë të presim se është çështje e kohës kur do të regjistrohen edhe në rajonin tone.
Ndërkaq, për shkak të rëndësisë së tyre për shëndetin publik në rajonin tone, ato duhet të jenë të kyçura në programet për ndjekjen dhe parandalimin e sëmundjeve infektive lidhur me ndryshimet klimatike dhe do të diagnostikohen, paraqiten dhe ndiqen së bashku me to.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...