Agjencioni floripress.blogspot.com

2017/03/25

Nje President xhelat. Bujar Nishani ka shpikur nje dosje per Visar Zhitin, te rreme e per ta njollosur ate!


Nga Mero Baze


Ka pasur shumë arsyetime të Partisë Demokratike dhe Bujar Nishanit për mos hapjen e dosjeve. Më kryesorja ka qenë se hapja e dosjeve viktimizon ata që kanë qenë të shtrënguar të bashkëpunonin me Sigurimin e Shtetit dhe falte xhelatët, ata që i kanë rekrutuar, dhe që sot mund të jenë ende në pushtet apo me një status të nderuar publik.

Nuk është se nuk kanë të drejtë. Ligji i dosjeve e ka të nevojshëm deri në fund lustracionin, që ka të bëjë dhe me një filtër të shoqërisë për ata që kanë qenë në zemër të atij sistemi. Biles për këtë shkak, Bujar Nishani nuk e firmosi ligjin, por e la të miratohej në heshtje.

Më parë, ish- presidenti Topi e pat kthyer ligjin e mëparshëm të PD, pasi binte ndesh me Kushtetutën, duke arsyetuar që me një ligj të thjeshtë, nuk mund të kufizonte të drejtat kushtetuese të disa individëve.

Por nuk zgjati shumë dhe Bujar Nishani u përball me dikë që e urren, dhe gënjeshtrën e tij.

Ai është një ish- poet disident i diktaturës, dënuar veçanërisht për poezi dhe agjitacion e propagandë, jo nga ata që kanë vrarë policë apo kanë bërë dhe krime të tjera ordinere, dhe për t’ua shtuar dënimin, i bënte diktatura dhe disidentë apo bejtexhi.

Visar Zhiti është një poet i mirëfilltë disident, që është dënuar për shkak të të qenit poet disident.

Bujar Nishani u bë persekutori i tij i ri dy vjet më parë, duke refuzuar ta dekretojë si ambasador në Vatikan, edhe pse kishte mbështetje të Vatikanit, të qeverisë shqiptare, dhe dëshirën e vet për të shkuar aty, duke i bërë nder vendit të punës.

Por çudia ishte se për atë që PD dhe Bujar Nishani akuzojnë të majtët, që kanë bërë një ligj modern për dosjet, pra ata që akuzojnë “bijtë e baballarëve”, se po terrorizojnë ish- bashkëpunëtorë të Sigurimit me dosjet, në fakt i vetmi që e ka bërë deri tani, është Bujar Nishani. Biles dhe më keq se kaq.

Ai ka shpikur një dosje që nuk ekziston. Ekziston një kartelë e Sigurimit të Shtetit për Visar Zhitin, ku thuhet qartë se ai ka refuzuar të bashkëpunojë me Sigurimin.

Presidenti i Republikës, jo vetëm që na ka paraqitur një fakt të gënjeshtërt, por ka dashur të poshtërojë me këtë shpikje të tij, një poet disident të komunizmit, një viktimë të dikaturës dhe një njeri që i bën nder shoqërisë shqiptare. Ai është treguar i papërgjegjshëm, i paarsyeshëm, i pagdhendur, i pafytyrë, dhe mbi të gjitha, i lig, që për shkak të një urrejtje personale për të, ka kompromentuar institucionin e Presidentit dhe ka vepruar në mënyrën më të keqe të mundshme që mund të ishte sjellë çdo operativ i lig sigurimi, sikur Visari të ishte vërtet bashkëpunëtor i tyre.

Kjo tregon përse PD nuk i hapi kurrë dosjet, por vetëm i përdori. Kjo tregon pse Sali Berisha i mbante ato mbi tavolinë për t’ua treguar disave për shokët e tyre, që t’i terrorizonte. Kjo tregon se sa fallco e ka PD dhe njeriu më i lartë i saj në krye të shtetit, qëndrimin kundër hapjes së dosjeve, për shkak të “mëshirës” për ish- bashkëpunëtorët dhe “urrejtes” për ish- oficerët e Sigurimit të Shtetit.

Bujar Nishani është sjellë si një oficer i lig i Sigurimit të Shtetit, që mendon se duke qenë se vetë ka qenë komunist dhe oficer që ka mbrojtur bustin e Enver Hoxhës, ka prioritet moral ndaj atyre që Sigurimi ka tentuar t’i rekrutojë në burgje, por kanë rezistuar.

Kjo tregon se ai është i vetmi përfaqësues i lig i diktaturës në krye të shtetit. I vetmi që tenton të na nxjerrë dhëmbët si “demokrat”, ende duke përdorur mekanizmat e diktaturës. Ai po sillet si një xhelat ndaj një viktime, e cila në fakt nuk është viktimë, por hero i rezistencës ndaj vemjeve të diktaturës, si Nishani.


(Mero Baze është gazetar shqiptar. Ai i përket brezit të parë të gazetarëve të pluralizmit në Shqipëri që nis pas vitit 1990, kur ka përfunduar dhe studimet e larta në Universitetin e Tiranës, dega inxhinieri. Gjatë viteve të studimit ka qenë pjesë e redaksisë së gazetës Studenti. Deri në vitin 1992 ka punuar si gazetar dhe bashkëpuntorë në gazetat e para të shtypit pluralist.

Në maj të vitit 1992, pas fitores së Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare, emërohet Drejtor i Lajmeve në ATSH,(Agjensia telegrafike Shqiptare) ku qëndroi deri në dhjetor të vitit 1993.
Prej janarit të vitit 1993 ai ishte zgjedhur ndërkohë Kryetar i Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë, detyrë që e mbajti deri në vitin 1994

Prej fundit të vitit 1993 ai kishte filluar punë si komentator politik pranë gazetës Rilindja, gazetë e Kosovës që botohej në Tiranë. Në fillim të vitit 1995 fillon punë si reporter i radios amerikane Zëri i Amerikës në Tiranë. Intervista në burg me ish liderin e Partisë Socialiste Fatos Nano dhe raportimet direkte nga trazirat në qytetin e Vlorës në vitin 1997 kanë qenë shumë popullore.

Në korrik të vitit 1997 u largua nga Zëri i Amerikës pasi kishte themeluar qysh në muajin prill një agjensi private lajmesh të quajtur “Enter”. Agjensia pati sukses për shkak të ngjarjeve të vitit 1997. Ajo pati një faqe në internet dhe një shërbim anglisht. Në atë kohë ai botoi dhe librin publicistik “Realitete shqiptaro amerikane”, një pasqyrë e raporteve delikate të qeverisë së presidentit Sali Berisha me administratën amerikane, që çuan në përkeqësimin e gjendjes në Shqipëri deri në dorëheqjen e Presidentit Sali Berisha.

Në janar të vitit 1999 filloi punë si gazetar i radios Evropa e Lirë nga Tirana, kryesisht për çështje që lidheshin me Kosovën. Shkoi në Konferencën e Rambujes. Ai botoi në atë kohë një libër mbi ndikimin e Shqipërisë në luftën e Kosovës me titull “Shqipëria dhe Lufta në Kosovë” dhe pas një tjetër libër me titull “Rambuje, Mosmarrëveshjet për paqe”.

Në korrik të vitit 1999 themelon gazetën Tema. Fillimisht gazeta ishte javore dhe në shtator të vitit 2000 nisi si gazetë e përditëshme. Deri në vitin 2007 gazeta Tema ishte një gazetë që kritikonte ashpër, Partinë Socialiste, që arriti kulmin me botimin e fotografive të Edi Ramës lakuriq.
Pas vitit 2007, edhe pse Baze ka qenë njohur si i pozicionuar kundër së majtës, ai u bë mjaft kritik ndaj qeverisë së kryeministrit Sali Berisha. Pas tragjedisë së Gërdecit më 15 mars 2008, ku humbën jetën 26 persona, Baze u bë përsëri zëri më kritik në gazetarinë shqiptare, kundër qeverisë. Rubrika satirike e gazetës TemA e quajtur "Antena" ka bërë që kritikët e tij ti konsiderojnë shkrimet e Bazes si denigrues e fyes dhe janë dhe shpesh të pabazuar në fakte. Vetë Baze deklaron se rubrika nuk është pasqyrim i ngjarjeve reale por një satirë e prapaskenave politike të Shqipërisë pas tranzicionit.[1]
Në mars të vitit 2008 ai botoi librin tjetër publicistik “Përballja me antiopozitarizmin”, një analizë e hollësishme e kulturës politike antiopozitare në Shqipëri, gjatë viteve 1997-2002. Në shtator të vitit 2008 ai nisi një emision ditor në televizionin Vizion Plus me titullin “Faktor Plus”.

Botime :Viti '97. Prapaskenat e krizës që rrënuan shtetin

PD: Mposhti komunizmin, por triumfuan komunistët







Nga Lorenc Vangjeli

Lorenc Vangjeli është gazetar, analistë dhe ish kryeredaktor i të përjavshmes revistës MAPO. Një vëzhgues i kujdesshëm që merr pjesë rregullisht në debatet mediatike në lidhje me temat më kritike të aktualitetit shqiptar. Aktualisht gazetarë tek revista Java




Plot 25 vjet më parë, komunizmi ra është zyrtarisht në Shqipëri. Një parti opozitare, antikomuniste në frymë, fjalor dhe program, erdhi në pushtet me votën e lirë. Një përmbysje e paimagjinueshme në një vend që votonte prej gati gjysëm shekulli siç realizonin edhe kooperativat planin e prodhimit të drithërave – 100 për qind – dhe ku edhe fjala e përdorur ndryshe ishte krim dhe dënohej me burg. Pakkush mund të përfytyronte trajektoren në kohë dhe metamorfozën në thelb të Partisë Demokratike nga ai mars i vitit 1992 në marsin e 2017-ës. Nga fotoja e mitingut të triumfit në zgjedhjet e 92-shit kanë mbetur ende disa nga themeluesit, disa janë ndarë nga jeta, të tjerë i janë kthyer jetës vetjake dhe të tjerë akoma, jeta i ka harruar krejtësisht. Sepse ishin prurje krejt të rastësishme apo të dorovitura në atë prej dy-tre ish-podiumeve më të rëndësishëm politikë të Shqipërisë së pavarur si shtet.

Emblema e asaj fotoje të dikurshme, Sali Berisha, është ende në pushtet me pushtetin vetjak të fjalës, traditës, informacionit dhe talentit të tij. Triumfues dhe i mundur, por i ngritur sërish nga humbjet në majën e triumfit më shumë se një herë. E nisi si komunist, vazhdoi me kalin e antikomunizmit dhe si gjithë komunistët e lindjes në Evropën e pasluftës, mposhti më pas rivalët, ngjalli merhumët, bëri herë internacionalistin integrues, herë nacionalistin sovran, privatizoi pushtetin dhe e koncesionoi në ngastra atë siç mendoi dhe ku mendoi se bëhej më mirë për atë vetë. Njeriu më politik i vendit – në të mirë dhe në të keq – dëshmoi se politika është profesion. Se shumëkush që është paguar për këtë titull në Tiranë, ka po atë lidhje me politikën që ka edhe sharra e drurit me muzikën klasike.

Edi Rama dhe Ilir Meta, secili për arsyet e tij dhe secili në vendin që i kishte zgjedhur vetë vetës në marsin 92’, janë dy personazhet më të rëndësishëm në vend. Pa asnjë lidhje me komunizmin e dikurshëm, janë në pushtet së bashku. I pari nga një parti e ardhur nga trashëgimia e hershme komuniste, i dyti i ndarë herët nga partia me trashëgimi komuniste duke krijuar një parti që ka trashëguar më të majtën e të majtës.

Lulzim Basha ishte shumë i ri në atë kohë, por me gjasë, ka qenë gjithashtu pjesë e festimit të Tiranës mbi ish-tiraninë e kuqe.

Presidenti Bujar Nishani, ishte pedagog në akademinë ushtarake. Në atë akademi ku filozofia marksiste dhe historia e PPSH-së ishin më të rëndësishme si lëndë sesi mbërthimzbërthimi i automatikut model 56.

Visar Zhiti kishte vetëm dy vjet që kishte dalë nga burgu dhe me të gjitha gjasat po përpiqej të orientonte jetën e tij në lirinë kaotike të tranzicionit që kishte nisur. Duke hyrë me këmbën e djathtë në një botë gjithmonë e më prozaike, më materiale, më anarkike, Zhiti megjithatë shpresonte tek poezia e tij. Dhe tek fjala.

Sot, 25 vjet më pas Partia Demokratike ka ngritur selinë e saj në një çadër në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Duke protestuar për atë që nuk ka ardhur akoma – grabitjen e votës së lirë – dhe duke i shpallur luftë totale qeverisë dhe qeverisjes. Kryetar i saj është Lulzim Basha. Sali Berisha, siç synojnë të thonë cinikët në Tiranë, është gjithmonë e më pak “pronar” në partinë e tij. Një buqetë vajzash dhe një shportë djemsh të rinj që kanë lindur kur festohej në sheshin Skënderbej fitorja e parë e PD-së, janë pjesë e listës me të cilën Basha synon rikthimin në pushtet. Pakkush i njeh ata në Tiranë, por dhe ata, njëlloj si moshatarët e tyre në partitë e tjera, janë të aftë të recitojnë politikisht si eprorët e tyre. Pa asnjë dallim dhe pa asnjë nuancë ndryshimi.

Personazhet e tjerë të fotos së dikurshme bardh e zi të marsit 92’, janë zbehur dhe më tej.

Edi Rama është kryeministër. Prej më shumë se një muaji ai sheh nga dritarja e tij çadrën dhe dëgjon fjalimet që e mallkojnë ditë mbas dite. Më shumë se nga televizionet që transmetojnë pothuaj “non stop”, i dëgjon live nga protesta me altoparlantë gjigandë.

Ilir Meta është kryetar i Kuvendit. Prej më shumë se një muaji ai sheh çadrën nga dritarja e zyrës dhe dëgjon herë si e fyejnë dhe herë si shpresojnë tek vendimet e tij të nesërme politike. Si shpresë për të majtën për rikonfirmimin e mandatit të dytë dhe mundësia e vetme e të djathtës për të mos hyrë në mandatin e dytë të opozitës.

Bujar Nishani është President i Republikës. Eshtë në muajt e fundit të mandatit të tij. Sapo ka dekretuar emrat e rinj të katër ministrave dhe ka rrëfyer sesa i dëshpëruar ka qenë me njërin nga ta, për të cilin nuk kishte dëgjuar fjalë të mira në televizor. Madje edhe se firmosi dekretin Xhafaj kundër dëshirës, vetjake, vullnetit politik, moralit të moralit e të tjerë e të tjerë, por i detyruar nga një kushtetutë e cila nuk i hapte dot derën as dëshirave vetjake, as vullnetit politik dhe as moralit të moralit.

Visar Zhiti është duke redaktuar librin e tij të ri me poezi dhe esse. Shumë larg Lulzim Bashës së çadrës, Edi Ramës së kryeministrisë, Ilir Metës së Kuvendit dhe akoma shumë më larg Nishanit të presidencës, me një distancë gjithashtu të nderë me ish-eprorin e tij Sali Berisha.

Visar Zhiti, ish- i burgosur i fjalës së lirë, sot u burgos në fyerje po nga fjala. Ish-pedagogu i dikurshëm i akademisë ushtarake, sot me kostumin e Presidentit, e quajti atë spiun të sigurimit të shtetit dhe të çmendur. Jo me fjalët e tij, por se “…kishte lexuar fjalë të këqia në një mesazh që i kishte ardhur dhe që ai e ruante ende në telefon…”

Më parë Nishani e Zhiti kishin pasur ndeshje të tjera mes tyre. Jo vetëm verbale, por edhe institucionale. Zyrtari kundër poetit. Kreu i shtetit që nuk firmosi për poetin që të bëhej ambasador i shtetit. Fitoi i forti. Në mënyrë skematike, të padrejtë dhe biografike siç bënin dikur komunistët e rrëzuar nga pushteti, kjo ndeshje mes tyre do të fotografohej në këtë formë: një ish-komunist triumfues kundër një ish-të persekutuari politik të mundur. Në fakt këto janë dy skajet në të cilat ka lëvizur politika shqiptare. Nuk është përjashtim. Eshtë rregull. Edhe pse i mundur 25 vjet më parë në Shqipëri, komunizmi si mentalitet, frymë dhe frymëzim, nuk dorëzohet kurrë! Kështu thoshin dje komunistët. Dhe duke parë fotografinë e këtij çerek shekulli politik në vend, portretin e partisë së parë antikomuniste në vend, fatkeqësisht kanë pasur të drejtë!

Turpi për ju, zoti Nishani!




Nga Bardhok Lala*




Pas 25 vjetesh nga 22 Marsi i 1992 , presidenti i vendit tim, guxon te baltosë publicistin disident, antikomunistin Visar Zhiti. I përkasin të dy këtij vendi, në kohe dhe mënyra te ndryshme. Kanë një moshë, por jo një mentalitet.

Presidenti vjen nga ambiente shkollore ushtarake që ruanin e mbronin komunizmin , Zhiti nga burgjet , ku dergjeshin ata që e luftuan komunizmin. A e meritojnë shqiptarët të kenë President, në diten e sotme, këtë njeri? 25 vjet pasi patën zgjedhjet e para të lira, për të cilat luftoi Zhiti, jo Nishani?

Çfarë turpi! Çfarë degradimi, çfarë Presidenti!

Nëse do jetonte Z.Arbnori, do ju thoshte turp dhe mallkuar qofsh Z. President!

*Ky shënim është shkruar eskluzivisht për dritare.net nga Bardhok Lala, gazetari i “Dita Informacion” që u masakrua nga SHIK dhe u la të vdesë pranë Liqenit Artificial, në vitin 1996. Dy janë me pare, 21 vjet pas ngjarjes makabre, ai foli për here të parë, ne Dritare Vizion Plus, për gazetaren Rudina Xhunga. Ky është shkrimi i tij i parë, pas 21 vjetësh...

Presidenti Xhelat




Foto agim vinca.JPG


  Prof.Dr.Agim Vinca-Prishtinë 

Edhe pse nuk kam pasur ndonjë konsideratë të lartë për presidentin e Shqipërisë, zotin Bujar Nishani, nuk ma ka marrë mendja se mund të binte kaq poshtë, siç ra me sulmin e paprecedent që i bëri poetit Visar Zhiti!

Askund në botë (pos mbase në ndonjë vend të qelbur diktatorial në Amerikën Latine, në Azi a në Afrikë) nuk ndodh që kryetari i shtetit të polemizojë publikisht me një shtetas të tij, qoftë ky edhe njëfarë diplomati. Kjo është e paparë!

Kryetari i shtetit është, siç dihet, edhe komandant i forcave të armatosura të vendit, prandaj nuk i ka hije të hyjë në luftë me një shtetas të tij, qoftë ky edhe “i ngarkuari me punë i një ambasade”.

Në shtetet dhe shoqëritë normale kjo gjë nuk ndodh, nuk ka shans të ndodhë, por edhe nëse bën vaki të ndodhë, si në këtë rast, nuk mund të kalojë pa reagime përkatëse nga opinioni publik dhe veçanërisht nga intelektualët.

Presidenti Xhelat/Agim Vinca i kthehet vrullshem Bujar Nishanit. Nje buburrec para vepres se Visar Zhitit. Ai nuk merriton asnje dite me shume ne karrigen ku e ka vene dhe e komandon si marionete ai qe mban peng Shqiperine per 25 vite, Sali Berisha

Në reagimin e tij me shkrim, Bujar Nishani e akuzon Visar Zhitin se gjatë kohës së vuajtjes së dënimit në Burgun e Spaçit, në vitet 1982-1983, paskësh qenë“bashkëpunëtor i administratës në procese të ridënimit të të burgosurve në atë burg”, kurse akuzën e tij e bazon në mesazhin që paska marrë nga një ish-i përndjekur politik!

E çfarë dëshmie është kjo? Si ka mundësi që shefi i shtetit ta marrë si të mirëqenë deklaratën e një njeriu anonim, madje pa e verifikuar fare në mënyrë institucionale? A s’i shkon mendja se kjo mund të jetë një shpifje? Njerëz që shpifin për t’ua bërë qejfin presidentëve ka plot ndër shqiptarë, e nuk mungojnë as ata që këtë e bëjnë për ndonjë inat personal apo edhe për pikë të qejfit.

Gjatë takimit që paskësh pasur me Visar Zhitin rreth dy vjet më parë, zoti Nishani si të ishte farë mjeku a psikiatri me nam, paskësh konstatuar tek ai “paqëndrueshmëri psikike” (!), prandaj edhe nuk e paskësh akredituar, duke shtuar se edhe procedura paskësh qenë “e parregullt”, ndonëse propozimi ka ardhur prej aty prej nga duhet të vijë: nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë.

Ka edhe shumë arsye të tjera, morale, politike e shoqërore, që e bëjnë tejet problematik reagimin e zotit Nishani, por në fund po ndalemi edhe te një arsye thjesht njerëzore.

Si nuk ka pak ndjeshmëri njerëzore ky njeri, i cili duke qenë në krye të vendit do të duhej t’i bashkëndiente vuajtjet dhe pësimet e njerëzve e jo të sillet ndaj tyre me shpërfillje e brutalitet?! Nuk u mjaftua me faktin që nuk e akreditoi Visar Zhitin ambasador në Selinë e Shenjtë, por edhe e sulmon nga pozita që mban, edhe pas tragjedisë që pësuan ai dhe bashkëshortja e tij (humbja tragjike e djalit të vetëm në moshën 19-vjeçare), tragjedi kjo që u përjetua rëndë edhe nga miqtë e tyre të shumtë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, në Maqedoni e gjetkë, kudo ku jetojnë shqiptarë që ende nuk janë zhveshur nga ndjenjat njerëzore!

Ne që e njohim Visar Zhitin si njeri dhe krijues, që e njohim mirë karakterin e tij tejet njerëzor, por edhe atdhetarizmin e tij të dëshmuar, pa harruar as krijimtarinë e tij të gjerë letrare e artistike, para së cilës Bujar Nishani dhe Bujarët e tjerë do të duhej ta ndienin veten si buburrecë, nuk na mëdyshin fare sulmet dhe akuzat që i bëhen atij, por nuk mund të mos e ndiejmë veten të fyer e të mos revoltohemi nga ky veprim i paparë i Kryetarit të shtetit shqiptar, që s’mund të quhet ndryshe pos një skandal politik dhe bankrot moral.

Njeriu që sillet kësisoj (dhe kjo nuk ndodh për herë të parë), nuk meriton të qëndrojë as edhe një ditë të vetme në postin në të cilin është, tek e ka vënë ai që e dirigjon si një marionetë dhe që po e mban peng plot një çerek shekulli Shqipërinë e shkretë, njeriu për të cilin dikur mbase edhe vetë miku im Visar Zhiti ka pasur iluzionin se është shpëtimtar i Shqipërisë: Sali Berisha.


*****




Agim Vinca lindi më 22 maj 1947 në Veleshtë të Strugës (Maqedoni). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Strugë. Studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe i kreu në vitin 1970, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës., ku edhe magjistroi dhe doktoroi. Është profesor ordinar në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, ku ligjëron Letërsinë e sotme shqipe.
Agim Vinca është njëri nga poetët e njohur bashkëkohorë shqiptarë dhe njëri ndër studiuesit më të dalluar të letërsisë shqipe. Agim Vinca merret edhe me përkthime letrare. Jeton dhe punon në Prishtinë.
Tituj të veprave

Feniksi (poezi, 1972)
Bregu i mallit (poezi, 1975)
Në vend të biografisë (poezi, 1977)
Aspekte të kritikës sonë (studim, 1977)
Qasje (kritikë, 1980)
Buzëdrinas (poezi, 1981)
Struktura e zhvillimit të poezisë së sotme shqipe (1945-1980) (monografi historiko-letrare, 1985)
Iz savremene albanske poezije u Jugoslaviji (antologji, Sarajevë, 1985)
Arna dhe ëndrra (poezi, 1987)
Orët e poezisë (kritikë letrare, 1990)
Populli i pandalur (publicistikë, 1992)
Alternativa letrare shqiptare (kritikë letrare, 1995)
Kohë e keqe për lirikën (poezi, 1997)
Shqiptarët mes mitit dhe realitetit (publicistikë, 1997)
Dri' (poezi, përzgjedhje, Tiranë, 1999)
Sonet i vetmuar (poezi të vjetra dhe të reja, 2001)
Kurs i teorive letrare. Prej antikës deri te postmodernizmi (libër teorik, 2002)
Panteoni i ideve letrare (libër teorik, 2003)
Fije të pakëputura (sprova letrare dhe kulturore, 2004)
Kënga e hapur (antologji e komentuar, 2005)
Psalmet e rrënjës (poezi, 2007)
(Po)etika e fjalës, (publicistikë, 2010)
Arti i reagimit (publicistikë, 2011)
Muza e mëmëdheut (poezi, 2012)
Unë e dua lirin (varg poezish 2012)

A pranoi Visar Zhiti të bëhej spiun i Sigurimit? Zbulohet dokumenti që jep përgjigjen




Një reagim tjetër vjen pas përplasjes mes Presidentit të Republikës Bujar Nishani dhe shkrimtarit Visar Zhiti. Është botuesi Luan Pengili që këtë herë flet me gjuhën e dokumenteve duke ofruar një kartelë të autoriteteve në kohën e diktaturës ku thuhet se Zhiti nuk ka pranuar të bashkëpunojë.



Presidenti Bujar Nishani publikoi dje një mesazh të mbërritur në adresë tij nga një ish-i përndjekur politik me inicialet P.V. i cili thoshte se Visar Zhiti ka qenë spiun në burgun e Spaçit.

Vetë shkrimtari e ka quajtur shpifje ordinere këtë akuzë dhe të tjera deklarata të Kreut të Shtetit.
Botuesi Pengili publikon dokumentin “sekret” të cilin thotë se e ka marrë disa kohë më parë nga vetë shkrimtari.

REAGIMI I PENGILIT

Hedhja e shpifjeve në treg është bërë tashmë një nga dukuritë më të zakonshme në shoqërinë tonë, sa shpesh nuk mund të ndahet lehtë nga njëra-tjetra e vërteta dhe gënjeshtra.
Kur një person shpif, të njollos keq me epitete e ngjarje të paqena, kush mban përgjegjësi?
Shko drejt e në gjykatë, të vjen ndërmend veprimi i parë që mund të kryesh. I drejtë ky arsyetim – kjo është rruga që duhet ndjekur…

Por pas kësaj përgjigje, për fat të keq në vendin tonë të përndjek vetëtishëm pyetja e dytë! Për sa kohë do të zvarritet nëpër gjykata kjo shpifje?

Është i thjeshtë arsyetimi, sa të dalë në dritë e vërteta, shpifja e parë harrohet, duke ja lënë vendin një shpifjeje të dytë… e kështu, e kështu me radhë. Ndërkohë që njerëzit që nuk e njohin personalisht personin mbi të cilin është hedhur baltë, e kanë përthithur helmin e injektuar të shpifësit, duke bërë kështu të mundur arritjen e qëllimit të shpifësit të zi.

Kjo dukuri merr një rëndesë ende më të madhe negative, kur këtë e bën një president.

Visar Zhiti – spiun!
Zoti President, duhet patjetër ta vërtetoni bindshëm këtë emërtesë ndaj Visarit, që të t’ju hiqet sa më parë epiteti i shpifësit!

Para disa vitesh kam bërë një bisedë me Visarin mbi këtë temë. U zhvillua në një takin që ia kërkova me ngut, pas disa sinjalesh jo mirëdashëse për të (Visari informator), që filluan të qarkullonin pikërisht pas daljes së romaneve të tij biografikë “Rrugët e ferrit” e “Ferri i çarë”, botime të cilat morën publicitetin e faqeve të tëra të shtypit më të rëndësishëm të vendit.

Midis të tjerave Visari më thotë që ka gjetur edhe dokumentin që ai refuzon në mënyrë kategorike bashkëpunimin me strukturat e sigurimit. Ja kërkova atë dokument e ai ma dha. E pyeta atëherë përse nuk e publikonte, por mora përgjigjen: “Njerëzit më njohin!”

Por sot Visar po të të them atë që ta kam shprehur atje, vite më parë: “Të njohin njerëzit, por nuk të njohin shpifësit!” Sot po e botoj këtë dokument!

Visar Zhiti: Nishani, karikaturë e Enver Hoxhës, më akuzon me letra nga populli


Visar Zhiti: Nishani, karikaturë e Enver Hoxhës, më akuzon me letra nga populli


I ngarkuari me punë i Shqipërisë në Vatikan, Visar Zhiti, në një intervistë për “GSH” reagon pas deklaratës së presidentit Bujar Nishani, se një ish-i përndjekur e akuzon shkrimtarin e ish-ministrin si bashkëpunëtor të administratës së burgut të Spaçit në vitet 1982-1983. Atë kohë, vetë Zhiti ka qenë në burg.

Në përgjigjet të pyetjeve, ai përgjigjet se: “Unë nuk e di kush është i përndjekuri P.V. Atë duhet ta dijë presidenti. Nuk kam spiunuar të burgosurit, kam refuzuar dhe ka një dokument të bërë publik për këtë. Me administratën e burgut kam pasur atë marrëdhënie që kishte një i burgosur me administratën e burgut dhe me komandën. Madje kam punuar si skllav”, tha Zhiti.

Ditën e mërkurë, në një intervistë për “Panoramën”, presidenti i vendit, Bujar Nishani thoshte se “kur u bë publik propozimi i kryeministrit Rama për të emëruar Zhitin ambasador në Selinë e Shenjtë, unë mora mesazhe dhe dëshmi nga ish-i përndjekuri politik P.V., i cili e akuzonte Zhitin si bashkëpunëtor të administratës së burgut të Spaçit”.

Ky reagim i Nishanit vjen pas një reagimi të Visar Zhitit në “GSH”, ku ai publikoi edhe një poezi dhe e kritikoi Nishanin pas dekretimit të ministrit Fatmir Xhafaj. “(Presidenti) flet për diktaturën e dikurshme, kur është vegël e saj e mbetur, flet për të persekutuarit, kur vetë është persekutor, edhe pse i paaftë”, thoshte Zhiti më 20 mars. Ndërsa, në intervistën e tij të sotme për “GSH” thotë se “një president duhet të jetë i përgjegjshëm kur flet për qytetarët e vendit të tij, sidomos kur janë të persekutuar nga regjimi ku ai ishte ushtarak i tij i zellshëm. E përsëris, unë pata fatin dhe fuqinë që ta refuzoj bashkëpunimin me të keqen, por presidenti nuk duhet të flasë si kafeneve apo studiove klanore, e porosis të ketë kujdes, se një herë i shtypën njerëzit, i thyen, i bënë vegla të tyre dhe tani ua përflasin – u bëjnë shantazh e i shpërdorojnë”.

Në shkurt të vitit 2015, presidenti Nishani refuzoi kandidaturën e Zhitit si ambasador në Vatikan, sipas propozimit të kryeministrit Edi Rama, kur Zhiti megjithatë shkoi, por si i ngarkuar me punë. Pas dy vitesh, debati rihapet.

Më poshtë pjesa e parë e intervistës së shkrimtarit, poetit, ish-ministrit e diplomatit, Visar Zhiti.

– E njihni ish-të përndjekurin P.V., që i ka shkruar presidentit duke ju akuzuar ju si bashkëpunëtor të administratës së burgut të Spaçit në vitet 1982-1983 në procese të ridënimit të të burgosurve?

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj dhe shqetësimin qytetar që shfaqni. Me rëndësi për Shqipërinë, mendoj, do të kishte pyetja nëse e njohim presidentin. Presidentin, për fat të keq, e njoh, “të përndjekurin P.V.” s’kam si ta njoh, është pa emër, e njeh presidenti, për fat të mirë. Por presidenti i ka të gjitha strukturat dhe mekanizmat, dhe institucionet, dhe dosjet, dhe kanalet e fshehta e të pafshehta, bashkëpunëtorët, televizionet, gazetat, deputetët, partitë, burgjet, vrasësit profesionistë, të kaluarën e tij, etj., etj. dhe s’ka pse flet me “letra nga populli” apo kundërpopulli, apo të spiunëve të dikurshëm, ashtu siç bënte diktatori Enver Hoxha, më saktë si karikaturë e tij. Të flasë me prova, dokumente, institucionalisht.

Deri më tani unë kam folur për të si qytetar dhe në këtë kuptim kam të drejta më shumë, madje edhe të zemërohem. Po ai është presidenti i vetëm në botë, kryeqytetari i parë i vendit, që flet kundër qytetarit të vendit të tij pa asnjë provë e dokument, por me zemërim e shpifje. Dhe më ka dekoruar dikur. Ia kam refuzuar, por e mora për të mos vënë në vështirësi bashkëvuajtësin tim, zotin Amik Kasoruho, që punonte në Presidencë dhe më propozoi. E konsideroi si akt të tij, kam dashur ta kthej, por nuk e kam gjetur ku e kisha hedhur. Ndërkohë më ka dekretuar dhe si ministër… Natyrisht, ky ishte vendim i kryeministrit të atëhershëm, zotit Berisha, marrëdhëniet me të cilin ishin korrekte dhe institucionale, kurse në planin njerëzor mjaft të mira. Po kështu, edhe me kryeministrin e tanishëm, z. Edi Rama. Dua të them se si qytetar dua t’i shërbej vendin, kohës sime, në mirëkuptim, në bashkëpunim të gjerë dhe me paqe.

– Pse vjen kjo akuzë?

Nga kush? Nga presidenti apo “P.V”? Nuk duhet t’i përgjigjem unë kësaj pyetjeje, por presidenti dhe “P.V”-ja e tij. Presidenti e ka zbuluar, ka interesa vetjake, aspak parimore e instuticionale, interesa, që mbase një veting do t’i nxjerrë, mua më çoi fati a rasti që të jem atje ku nuk i duhej interesave të tij, por jo vendit. Po pse më akuzon “P.V” e presidenti, e përsëris, s’e di kush është dhe s’e njoh. Do të më pëlqente të flisnim për punën dhe arritjet dhe si mund të bëheshin mjaft gjëra më mirë…

– Cila ka qenë marrëdhënia juaj me administratën e burgut të Spaçit në vitet 1982-1983?

Si e një të burgosuri me administratën e burgut dhe me komandën. Shtoj se edhe atje bëj pjesë në të burgosurit e persekutuar, pa asnjë privilegj, edhe pse ishin aq mjeranë në burg. Kam punuar si skllav në punërat më të rënda që mund të bëjë një i burgosur, nëntokë, në minierë, në atë që quhet Zona e Dytë. Jam plagosur disa herë, kërcënuar, tani kam gjetur se jam spiunuar edhe atje kur flisja kundër, ndërkohë kisha miq me moral të lartë, heronj.

Poezitë që kam shkruar fshehurazi në burg, për të cilat edhe mund të pushkatoheshe, m’i kanë ruajtur edhe ata, duke rrezikuar kokën. Jam krenar për miq të tillë, heronj, që jo vetëm nuk më denoncuan, por përkundrazi më mbrojtën. Arrita t’i nxjerr nga burgu poezitë e mia, janë dëshmi autentike, ende… dhe ja shpërblimi që na jep Presidenti i Republikës, koleg me oficerët e burgut, por që s’ishin si ai, mes të cilëve kishte dhe korrektë, edhe njerëzorë, etj., etj. I kam treguar të gjitha te dy burgologjitë e mia, me emra të vërtetë, persekutorë e të nëpërkëmbur, qëndrestarë dhe martirë. Por të kthehemi tek pyetja: me administratën e burgut jo vetëm që nuk kam qenë bashkëpunëtor, por i përndjekur i tyre, me njerëzit atje, qofshin edhe me të këqijtë, kam pasur marrëdhënie dhembshurie, rrija edhe me priftërinjtë, kam marrë mësime prej tyre./GSH


Presidenti Bujar Nishani kapet mat si shpifes. Genjeu kur tha zyrtarisht se Visar Zhiti ka qene spiun i Sigurimit te Shtetit.


Nga Flori Bruqi





Image result for BUJAR NISHANI DHE VISAR ZHITI

 Drejtori i ISKK Agron Tufa: Nga dokumentet Visar Zhiti ka refuzuar bashkpunimin me Sigurimin e Shtetit. Ky eshte skandali me i rende ndodhur ndonjehere ne Presidence-Presidenti sulmon nje qytetar te lire me shpifje. Doreheqja eshte pak tani!


Image result for agron tufa

Agron Tufa, njeriu qe drejton institucion publik per krimet e komunizmit, del hapur, me dokumente, ne krah te Visar Zhitit.

Ka refuzuar ne menyre te qarte bashkepunimin me Sigurimin e Shtetit-thote Tufa.
Ai rrezon plotesisht akuzat e Presidentit Nishani. Ne menyre me antiligjore te mundshme, Presidenti Bujar Nishani tha pak dite me pare se, nuk e kishte dekretuar Zhitin si ambasador ne Vatikan, pasi kishte marre nje mesazh ku thuhej se ai kishte qene spiun i Sigurimit te Shtetit ne burgun e Spacit.

Skandali i Madh/ Presidenti Bujar Nishani kapet mat si shpifes. Genjeu kur tha zyrtarisht se Visar Zhiti ka qene spiun i Sigurimit te Shtetit. Drejtori i ISKK Agron Tufa: Nga dokumentet Visar Zhiti ka refuzuar bashkpunimin me Sigurimin e Shtetit. Ky eshte skandali me i rende ndodhur ndonjehere ne Presidence-Presidenti sulmon nje qytetar te lire me shpifje. Doreheqja eshte pak tani!

Por Tufa thote se ka dokumentet qe provojne te kunderten.

Tufa shkruan:

Pa hyrë në natyrën e ndërsjelltë të replikave midis Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani dhe poetit të njohur Visar Zhiti, që është dhe një ish-i dënuar politik i regjimit totalitar të Enver Hoxhës, mendoj, se deklarata e Presidentit për Zhitin – “…Ka qenë spiun në burgun e Spaçit”, – është një deklaratë e nxituar, e papërgjegjshme dhe mjaft e dëmshme për këto arsye:

1. Kreu i shtetit, Presidenti, nuk duhet të transmetojë në publik, se ç’thonë thashathemexhinjtë, pa qenë i sigurtë, me fakt të dokumentuar. Kush mund t’ia refuzonte të drejtën kreut të shtetit ta shihte dosjen e Zhitit, meqë Autoriteti i Dosjeve ka filluar punën e hapjes së tyre?
Z. President duhet të jetë zëdhënës i fakteve dhe jo i shpifjeve.

2. Edhe sikur, fjala vjen, hipotetikisht, poeti Visar Zhiti të kishte qenë spiun, ka një logjikë, të përfshirë në të gjitha të drejtat ndërkombëtare që thotë: “Çdo dëshmi, çdo akt, çdo pohim i personave që gjenden robër, pengje lufte, të arrestuar dhe në tortura, nuk merret parasysh”.
Dhe Visar Zhiti ka qenë nën këtë presion, si çdo i burgosur tjetër, përballë bishave më çnjerëzore.

3. Por për fat të mirë, për dinjitetin e tij dhe të tjerëve që vuajtën ferrin e burgjeve të komunizmit, Visar Zhiti ka bërë të kundërtën: ka firmosur një deklaratë, që nuk pranon, që refuzon të vihet në shërbim spiunimesh. Këtë e di mirë unë e jo ndofarë shpifësi me iniciale P.V, pasi z. Zhiti ka qenë pjesë e Këshillit Shkencor të ISKK dhe na është dashur të kontrollojmë, sipas ligjit, pastërtinë e figurave.

Pafajësia e z. Zhiti do të bëhet e qartë dhe publike shumë shpejt, në një reagim institucional, zyrtar.

Me presidentin e Republikës, z. Nishani kemi pasur gjatë këtyre viteve një sërë bashkëpunimesh të suksesshme dhe me vlerë të madhe për kujtesën dhe krimet e diktaturës, për nderimin e tyre me një sërë medaljesh, për çka i jemi sinqerisht mirënjohës. Por ndjej keqardhje të thellë për deklaratën e tij të fundit, siç e thashë më sipër, të nxituar, të papërgjegjshme dhe thellësisht të dëmshme për personin që atakon dhe për ata mijëra burra, të vdekur e të mbijetuar nga diktatura gjakatare komuniste.

******



Bujar Nishani u lind më 29 shtator 1966 në qytetin e Durrësit.Studimet e larta i kreu në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, në vitin 1988. Ka kryer studimet pasuniversitare në Kaliforni, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për “Menaxhimin e Resurseve të Mbrojtjes”, në vitin 1996. Studioi për Jurispudencë në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua si jurist në vitin 2004. Në vitin 2005 merr titullin “Master”, në Studimet Evropiane, në Shkollën e Studimeve Evropiane, pranë Universitetit të Tiranës.


Karrierën profesionale e nisi si pedagog në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1988. Më pas, në vitin 1993 punoi në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Jashtë në Ministrinë e Mbrojtjes, duke vazhduar në vitin 1994 në Ministrinë e Jashtme në Drejtorinë e Marrëdhënieve me NATO-n dhe në vitin 1996 në Kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes. Në vitin 1997 kthehet në profesion të lirë si Kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantikë.

Karriera politike e zotit Bujar Nishani ka kaluar nëpër këto etapa: në vitin 1991 anëtarësohet në Partinë Demokratike; në vitin 2001 zgjidhet Sekretar i Degës së Partisë Demokratike për Tiranën; në vitin 2003 zgjidhet anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë nga lista e Partisë Demokratike; në vitin 2005, zgjidhet anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj partie.

Në korrik të vitit 2005, zoti Nishani zgjidhet deputet në zonën elektorale 34, në Tiranë si përfaqësues i Partisë Demokratike.

Nga marsi 2007 – shtator 2009 mbajti portofolin e Ministrit të Brendshëm; nga shtatori 2009 – prill 2011 kreu detyrën e Ministrit të Drejtësisë; për t’u rikthyer përsëri në prill të vitit 2011 si Ministër i Brendshëm, detyrë të cilën e mbajti deri në qershor të vitit 2012, kohë në të cilën Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi në detyrën e Kreut të Shtetit.

Më 11 qershor 2012 Kuvendi Popullor e zgjodhi President të Republikës së Shqipërisë në raundin e katërt me 73 vota pro dhe 1 votë kundër. Më datën  24 korrik 2012, Bujar Nishani betohet në Kuvendin e Shqipërisë si President i Republikës,ku ketë postë shtetëror e mban edhe tash.



Image result for visar zhiti

Visar Zhiti

Visar Zhiti, lindur më 2 dhjetor 1952 në Durrës është shkrimtar shqiptar.

Visar Zhiti ishte bir i aktorit dhe poetit Hekuran Zhiti (1911-1989). Visar Zhiti u rrit në Lushnjë, ku ai përfundoi shkollën e mesme në vitin 1970. Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër (sot Universiteti Luigj Gurakuqi), ai filloi karrierën e tij të mësimdhënies në qytetin malor verior të Kukësit, duke demonstruar një interes në fillim në vjersha, disa nga të cilat u botuan në revistat letrare.

Në 1973, ai përgatiti për botim një përmbledhje, "Rapsodia e jetës së trëdafilave". Ishte koha e Plenumit të 4-t të KQ të Partisë së Punës (Partia Komuniste)në të cilin diktatori komunist Enver Hoxha filloi një fushatë të egër kundër të rinjve që pëlqenin kulturën perëndimore. Babai i Zhitit kishte pasur më parë një konflikt me autoritetet, dhe poeti i ri papritmas u bë një nga viktimat politike të diktaturës për të frikësur intelektualët shqiptarë. Dorëshkrimi i përmbledhjes së tij të përmendur më sipër, që kishte qenë dorëzuar për botim në shtëpinë botuese Naim Frashëri, u konsiderua si një krijim me gabime të rënda ideologjike dhe që nxinte realitetin socialist. Ai u arrestua më datë 8 nëntor, 1979 në Kukës. Mbasi u dënua në një gjyq qesharak në prill të vitit 1980 me trembëdhjetë vjet burg, ai u dërgua në burgun e Tiranës dhe më vonë transferohet në burgun famëkeq të Spaçit. Shumë nga të burgosurit që ishin me të në burg vdiqën nga keqtrajtimet, torturat dhe kequshqyerja ose pësuan çrregullime mendore.

Ai u lirua nga burgu në fillim të vitit 1987 dhe u "lejua" nga pushteti komunist për të punuar në një fabrikë të prodhimit të tullave në Lushnjë. Mbas rënies së diktaturës komuniste në vitin 1991, ai arriti të shkojë në Itali ku punoi në Milano deri në 1992. Përmes një burse studimi nga Fondacioni Heinrich Boll, Zhiti shkoi në Gjermani në vitin 1993 dhe vitin e ardhshëm shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas kthimit të tij në Shqipëri, ai punoi si gazetar dhe u emërua kreu i ndërmarrjes botuese e cila kishte planifikuar të botonte librin e tij të parë. Ai ka qenë i punësuar më vonë nga shërbimet administrative të parlamentit të ri shqiptar dhe në 1996 u zgjodh vetë në parlament. Mbas Realiteteve të zymta të politikës shqiptare, ai u tërhoq nga politika. Në vitin 1997 ai u emërua atashe kulturor në ambasadën shqiptare në Romë, ku ai qëndroi deri në vitin 1999.

Veprimtaria krijuese

Libri i tij i parë me poezi, "Kujtesa e ajrit" u botua në Tiranë në vitin 1993, i cili përfshinte disa poezi nga burgu. "Hedh një kafkë te këmbët tuaja" u botua vitin e ardhshëm. Ky vëllim përmbante të gjitha 100 poezitë të krijuara në burg në mes 1979 dhe 1987, të cilat kishin mbijetuar vetëm në kujtesën e tij. Vëllime të shumta pasuan, dhe ai është i njohur tani si një prej poetëve të mëdhenj shqiptare të shekullit të 20-të. Ai ka shkruar edhe shumë tregime të shkurtra, të mbledhura në dy vëllime, dhe ka përkthyer në gjuhën shqipe vepra nga Garcia Lorka dhe poeti italian Mario Luzi. Kujtimet e tij nga burgu, "Rrugët e ferrit : burgologji" u botuan në Tiranë në vitin 2001. Në vitin 1991 atij iu dha çmimi italian për poezi "Leopardi d'oro" (Leopardi i artë), dhe në 1997 ai mori çmimin prestigjioz "Ada Negri".

Listë e librave me poezi :

Kujtesa e ajrit (Tiranë: Lidhja e shkrimtarëve, 1993)

"Koha e krisur”, Tiranë, 1993

Hedh një kafkë te këmbët tuaja (Tiranë: Shtëpia Botuese Naim Frashëri, 1994)

Mbjellja e vetëtimave (Shkup: Flaka e vëllazërimit, 1994)

Dyert e gjalla (Tiranë: Eurorilindja, 1995)

Kohë e vrarë në sy (Prishtinë: Rilindja, 1997)

Si shkohet në Kosovë (Tiranë: Toena, 2000)

Rrugët e ferrit: burgologji(2001)

Ka shkruar edhe Pazari i Këpucarit.

Përkthyer në Gjuhën Agleze :

Condemned Apple (Molla e dënuar): Poezi të zgjedhura, përkthyer nga Robert Elsie (Los Angeles: Green Integer, 2005).

Image result for agron tufa

Agron Tufa

Agron Tufa lindi në Dibër në vitin 1967. Ndoqi studimet për letërsi në Universitetin e Tiranës. Më vonë vazhdoi studimet në Moskë, ku u diplomua në Filozofi Arti, e me pas perfundoi ciklin e tretë të studimeve në Teori Përkthimi, me përqendrim të veçantë në krijimtarinë e poetit Joseph Brodsky.
Agron Tufa aktualisht jep mesim ne Fakultetin e Historisë e Filologjisë në Tiranë, lendët Letersi e huaj e shekullit të XX, Teori Përkthimi e Letërsi Ruse.

Agron Tufa ka kontribuar në një masë të konsiderueshme edhe në publicistikën shqiptare.

Agron Tufa ka përkthyer disa autorë rusë, mes të cilëve Joseph Brodsky, Anna Akhmatova, Osip Mandelshtam, Boris Pasternak, Andrei Platonov, Mikhail Bulgakov, Vladimir Nabokov, dhe Vladimir Sorokin.

Veprat Letrare:

"Aty te portat Skee" (Elbasan, 1996)
"Rrethinat e Atlantidës" (Tirana, 2002)
"Dueli (Tiranë 2002)
"Fabula Rasa" (Tiranë 2004).

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...