Amik Kasoruho lindi në vitin 1932 në Tiranë. Ishte vetëm 17 vjeç kur u arrestua nën akuzën për agjitacion dhe propagandë dhe u dënua me 10 vjet heqje lirie. Pasi doli nga burgu jetoi në Kavajë në periudhën 1956-1962. Më tej u dëbua familjarisht në Gosë, ku jetoi për gati 30 vjet, deri në vitin 1990.
Nga 1956-1960 punoi si punëtor krahu në Elbasan, Lushnjë, Kavajë, më pas si punëtor ndërtimi në Gosë, gjeometër, si teknik ndërtimi në NSHN Durrës.
Pas rrëzimit të diktaturës largohet drejt Italisë, ku qëndroi deri në vitin 2009. Në këtë periudhë u mor me publicistikë, përkthime dhe shkrimtari.
Vdekja e tij erdhi pas një sëmundje në mushkëri.
Krijimtaria
Më së shumti krijimtaria e tij u fokusua në fushën e përkthimit dhe të publicistikës. Ka sjellë në shqip mbi 60 vepra të autorëve të huaj dhe ka përkthyer mbi 10 autorë shqiptarë në gjuhë të huaj.
Vepra të tij
“Një ankth gjysmëshekullor” (1997)
“Çmimi i një ëndrre” botuar në Itali (2000)
“Midis qiellit dhe burgut”
“Ikje nga trilli i perëndive” (Roman autobiografik)
“Pa mëri - Publicistika e jetës sime” (2013), (Përfshihen shkrime dhe intervista të autorit, botuar në shtypin shqiptar.
Përkthime
Amik Kasoruho ka përkthyer në shqip vepra nga Pirandello, Isabel Allende, Harold Robbins, Patrick O’Brian, John Selby etj. Një ndër përkthimet e tij të fundit ishte edhe "Revolta e Atlasit" e shkrimtares dhe filozofes së mirënjohur amerikane Ayn Rand.
Cmime dhe dekorata
Fitues i çmimit special të jurisë në konkursin Eks & Tra për shkrimtaret emigrantë në vitin 1999.
Në vitin 2000 ka marrë çmimin “Civitas – Arberia 2000 Calabria” për mirëmbajtjen e revistës italo-shqiptare të arbëresheve “Katundi Ynë”.
Kasoruho është dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin “Nderi i Kombit”.
Amik Kasoruho poet! Një letër e ndaluar dhe dashuritë e tij
“Shkëndijëzat mes errësirës”, poezitë e panjohura të Amik Kasoruhos dalin për herë të parë, të përzgjedhura dhe redaktuara nga Meri Lalaj, drejtpërdrejt nga dosja me dorëshkrime që ka lënë Amiku, të besuara pas vdekjes nga Xhovana, bashkëshortja e Kasoruhos. Janë poezi me mendime të mbyllura, edhe pse lirika për dashurinë, njerëz e miq…një cikël kushtuar mikut të tij, përkthyesit Robert Shvarc
Është një mrekulli skena kur Amiku i dënuar, e detyronin të tërhiqte karrocën me dru, në vend të kalit…kur përballë i shfaqet ish e dashura e gjimnazit, dhe atij në mënyrë të beftë i vjen fuqia…Ishte vetëm 17 vjeç, në burg. Këtë fragment jetësor – që i ka mbetur shkrimtares e përkthyeses, Meri Lalaj nga leximi i rrëfimit autobiografik “Ikja nga trilli…” i Amik Kasoruhos – e mendon si një moment të psikës së poetit, prej të cilit jo rastësisht kanë marrë fuqi edhe poezitë…një moment që nuk u lejua nga familjarët, edhe pse Meri do donte ta shënonte në parathënien e librit me poezi, krejtësisht të panjohura të Kasoruhos, të titulluar “Shkëndijëzat mes errësirës”, botim i Institutit të Studimit dhe Krimeve Komuniste. “Më pat bërë shumë përshtypje kjo jetë e burgut të Amikut, e një djali të ri, ndaj e pata shënuar në parathënie, por me botimin e librit nuk është më, u hoq”, thotë Lalaj. Por, ajo thotë se në poezitë e Amikut nuk ka parë ndonjë varg që të ketë përputhje me këtë skenë reale…Këto poezi dalin për herë të parë, të përzgjedhura dhe redaktuara nga Lalaj, drejtpërdrejt nga dosja me dorëshkrime që ka lënë Amiku, të besuara pas vdekjes nga Xhovana, bashkëshortja e Kasoruhos.
Janë poezi me mendime të mbyllura, edhe pse lirika për dashurinë, për njeriun dhe miqtë…Një kronikë shqetësimi, se si Amiku njeri vuante jo vetën e tij.
“Ishte një befasi e këndshme kur në pranverë, zonja Xhovana Kasoruho, bashkëshortja e Amikut, pasi patëm biseduar më parë, më solli një dosje të mbushur plot me fletë të shkruara me dorë dhe me makinë shkrimi. Fillova të lexoj dhe të njoh Amikun poet, nuk e prisja që të gjeja poezi aq të fuqishme në mendim dhe në ndjenjë, poezi të shkruara në moshë fare të re 18 apo 19 vjeç..”
Njohja e Merit me Amikun vjen nga viti i herët, 2003 kur sapo ishte kthyer në Shqipëri, duke u bashkuar në Fshatin e Paqes, në Shkodër në një takim letrar me përkthyes të huaj e shqiptarë. Një rast tjetër, njohja mes dy përkthyesve u thellua, kur në vitin 2010 iu bashkuan promovimit të librit mbi Fehmi Bej Zavalanin, monografi e prezantuar në Korçë, përgatitur nga Meri, dhe Amiku pati fjalën e tij mbi librin.
Edhe pse poezitë e para zënë fill në burgun e Burrelit në vitin 1953 dhe më tej gjatë viteve deri më 1995, Lalaj mbi “Shkëndijat…” thotë se Amiku nuk ka folur kurrë për poezitë, duke e mbajtur të fshehur. Del e përmendur vetëm në një rast, në një intervistë të paidentifikuar, se ku Amiku të jetë shprehur për botimin e poezive se: “Janë disa poezi. Një pjesë i takojnë moshës së re. Por pa kaluar disa kohë, nuk mund të quhesh poet. I ruaj. Unë nuk kam botuar asnjë vjershë deri sot. Mbase para se të më mbarojë “15 ditëshi” që më ka dhënë perëndia, do t’i botoj, edhe pse nuk janë shumë. Mund të jetë një vëllim i vogël me 30 apo 40 poezi. Janë poezi lirike, që trajtojnë situata shpirtërore të caktuara. Nuk janë poezi olimpike, janë thjesht shprehje lirike”.
Nuk mbaj mend në ndonjë rast tjetër të ketë folur për poezitë në të gjallë, thotë Meri, duke treguar se vetëm një vit pas vdekjes e kërkoi bashkëshortja e Kasoruhos, Xhovana që të shikonte një dosje me poezi për të dhënë një mendim mbi to, sa mund të vlenin për botim.
Dikur Amiku vetë, ka qenë shprehur se “po të më japë perëndia ditë do botoja poezitë e mia”. Ai kishte hezitim të madh nëse ishte poet, për pasojë edhe për t’i botuar ato, thotë Meri dhe nuk ishin pak, dhe jo të vona.
“Në gjithë punën time me këtë dosje nuk e kam ndeshur faktin pse Amiku hezitonte t’i botonte poezisë. Madje me aq sa di, në duzinën e punëve të tij me përkthimin, nuk rezulton në asnjë rast të ketë përkthyer poezi”.
Meri tregon se i ka parë fillimisht poezitë pa e ditur se do të merrej me to, derisa një ditë bashkëshortja e Kasoruhos ia besoi duke ditur se ishin miq të hershëm.
Puna me poezitë e Kasoruhos, Meri tregon se nisi, fillimisht, përmes emaileve pasi familja e tij vazhdon të jetojë në Itali. Mirëpo nga dorëshkrimi në email Meri tregon se kishte vërejtur mjaft gabime pasi shumica e poezive janë të lëna me shkrim dore, dhe pak të daktilografuara, dhe këto të fundit të zbehta nga vitet.
Për këtë arsye nuk ishte problem vetëm saktësia e transliterimit, siç thotë Meri të kalosh poezitë germë për germe, por dhe gegnishtja. Dialekti që përdori Kasoruho në këtë krijimtari. Pse? Meri Lalaj, që përgatiti dhe redaktoi poezitë e Kasoruhos hidhet në të shkuarën e tij. Ishte vetëm 17 vjeç kur Kasoruho hyri në burg, në vitin 1951, kur ishte kulmi i eliminimit të intelektualëve. “Amiku 17-vjeçar burgoset pa mbaruar shkollën e mesme, po për fatin e tij të madh në burgun e Burrelit takohet dhe bën miq shumë personalitete të kombit shqiptar si: Suad Asllani, Ibrahim Biçaku, At Klement Miraj, Kudret Kokoshi, Arshi Pipa, At Donat Kurti, Pashko Gjeçi, Gaspër Çuni, Andon Frashëri e të tjerë. Në shoqërinë e këtyre njerëzve të jashtëzakonshëm ai u rrit u burrërua, në këtë shoqëri do mësojë gjuhë të huaja, do thithë nga kultura e tyre. Ndërsa lexoja e përzgjidhja poezitë e Amikut vura re se përveç mendimeve filozofike, ndjenjave të holla, figurave artistike, gjuhës së pasur, formës së soneteve me dy strofa katërvargjëshe dhe dy të tjera trevargjëshe më bëri shumë përshtypje që një gjirokastrit si Amiku shkruan në një gegërishte të mirëfilltë duke iu përmbajtur drejtshkrimit të para vitit 1972 dhe më vonë sipas normave të drejtshkrimit standard”.
Për të parë nga afër dorëshkrimet, Meri tregon se është nisur për Itali, ku ka jetuar Kasoruho, ndërkohë që bënte këtë udhëtim për poezitë, rilexonte “Ikja nga trillet…” rrëfimi autobiografik i shkrimtarit. Në këtë rast të pamundur redaktorja e librit thotë se kërkoi të ndërpriste emailet për të pasur në dorë të gjitha dorëshkrimet, të fotokopjuara.
Poezitë datojnë herët, që nga vitet e burgut, vazhduar më 1953 deri më 1995. Pse titulli “Shkëndijëzat mes errësirës”? Meri thotë se mes dorëshkrimeve gjeti një fletë ku ishin palosur disa poezi dhe në krye shkruhej: Shkëndijëzat mes errësirës!. “E pëlqeva, mendova se ky titull mund të ishte vullneti i Amikut. Poezitë ishin shumë të shpërndara, edhe pse të mbledhura në një dosje. I mora të gjitha dhe i ndava në cikle duke menduar gjithë kohën se çfarë do të mendonte vetë Amiku”. Shumica e poezive i takojnë viteve ’50-të, të cilat në libër janë ndarë në pesë cikle. Në disa raste Meri tregon se janë gjetur në dy variante, duke iu referuar e qëndruar besnike të dyjave. “Kam punuar me lupë për identifikimin e germës. Duhej të bëja një punë skrupuloze siç ishte Amiku”.
Violeta Murati
Botohet për herë të parë nga “Mapo”
Kur Amik Kasoruho i shkruante revistës “NËNDORI” për poezitë
Ekziston mes dorëshkrimeve që ka lënë Amik Kasoruho edhe një letër, e shkruar me dorë që i drejtohet redaksisë së revistës “Nëntori”, pa identifikuar datën, dhe vitin, ku mes saj, poeti i ri donte të botonte krijimet e para në poezi, që siç duket nga përmbajtja e letrës mund të ketë dërguar edhe një sasi nga poezitë e para. Në dosje nuk është gjetur përgjigja nga kjo letër, që jepet e plotë për herë të parë në gazetën Mapo. Duket rast pa përgjigje edhe fakti, se kjo letër është lënë jashtë botimit të librit me poezi, “Shkëndija mes errësirës”. Duke menduar se duhej përfshirë bashkë me poezitë, në një farë mënyrë kjo “letër e ndaluar” do të na jepte përgjigjen pse Kasoruho hezitoi dhe u mbyll në gjithë jetën e tij me vendimin: për të mos i botuar poezitë. Kjo është dëshmia e vetme që vjen për hershmërinë e poezive, dhe ndoshta dëshirën e parë të poetit, për të parë dritën e botimit. Po si duket, ky mund të ketë qenë rasti, që e ka ndalur Kasoruhon të botojë, duke hezituar në njohjen e tyre deri sot, edhe pse nuk e kishte një dëshirë të tillë në të gjallë.
Letra e plotë:
Shokë të nderuem:
Në rast se kto vjersha, për nji arsye se për nji tjetër, do të gjykohen të pagoditme për t’u botue në revistën “NENDORI”, do tu lutesha fort, përgjigjen, cilado qoftë, të ma nisni n’adresën: AMIK KASORUHO-LAGJA STANE-15 –LUSHNJE.
Edhe nji dishirë: kishte me m’u duke nji ndihmë e mirë nga ana e juej, pot ë që se përgjigja e juej do t’ishte ma shumë nji kritikë se sa një përgjigje e thjeshtë.
Ju përshendes
A.Kasoruho
Kushtim
Më lindi jeta.
I këndova rrugëve të fatit.
Le të jehojnë zërat e njerëzve.
Atyne u kushtohen: njerëzve qi i kam
dasht aq fort sa t’harroj edhe se më
kanë ba me vuejtë
1956, Amik Qemali
Amik Kasoruho – poeti
Nga Meri Lalaj
…Poezitë e para zënë fill në burgun e Burrelit në vitin 1953 dhe më tej gjatë viteve deri më 1995. Siç e përmenda, Amiku gjatë tërë jetës nuk ka botuar asnjë poezi, madje ndihet paksa dyshues nëse poezitë e tij mund të vlerësohen. Ne njohim Amik Kasoruhon, përkthyesin e talentuar, vijues i denjë i plejadës së brezit të përkthyesve që e ngritën gjuhën shqipe në lartësinë që e meritonte. Edhe Amiku në mënyrë të mrekullueshme me një vullnet dhe përkushtim të pashoq ka shqipëruar sa e sa autorë. Para viteve ’90 nuk mund të botonte as shqipërimet, siç shkruan në librin e tij autobiografik “Ikje nga trilli i Perëndive”, ndonëse përmend që “Drago Siliqi u bë copë për të”, Ismail Kadare përpiqet që Amiku të botojë një libër të përkthyer nga anglishtja, ndërsa Naum Prifti mundohet për t’i botuar diçka tek revista “Ylli”.
***
Jetën e Amikut që nga fëmijëria e deri në fund e ka përndritur një miqësi e pashoqe, një miqësi e rrallë si nëpër libra, një miqësi midis zotërinjsh ajo miqësi me përkthyesin tjetër të shquar nga gjermanishtja të madhin Robert Shvarc, ai, Roberti është i madh sepse është Mik dhe Njeri. Kur Amiku lirohet nga burgu dhe nuk ka të drejtën për të qëndruar në Tiranë, Roberti e mban në shtëpinë e vet në një kohë kur secila familje kishte libër shtëpie në të kontrollohej për çdo vizitor që i vinte dhe duhej të raportonte në polici nëse i vinin miq.
Ndonëse poezitë e Amikut përshkohen nga zymtësia, ato ndrijnë nga fijet e shpresës, nga dashuria për njerëzit, për jetën, për dashurinë, për të bukurën. Poezitë i ndava në pjesë, kështu pjesa e parë i përket burgut dhe ashtu siç kishte shkruar Amiku tek një fletë i lashë titullin “Shkëndijëzat përmes errësirës”. Në këto poezi ai u drejtohet me vargje shokëve të tij bashkëvuajtës si: Teufik Gabranit, Lorenc Vat Dedës, miqve S. A. dhe K. K. po ashtu edhe “Nji malcueri qi i njof veç zanin”. Në një poezi tjetër ai shkruan:
“…natën, në terr, un hekrat s’i paç shque
e as të zbem’t qi f’tyrat na i mblon;
e tash, o mik, qe tash qi agu u çue
un prap mendoj se jasht përtrihet jeta,
Ai shkruan për njerëzit që ka njohur:
“… i kam dasht aq fort edhe se më kanë ba me vuejtë”.
Tek pjesa e dytë janë renditur poezi për nënën dhe atin e tij. Babai i Amikut, Qemal Kasoruho u pushkatua me të ashtuquajturin incident të bombës në Ambasadën Sovjetike në kohën kur Amiku vetë ishte i burgosur. Në poezinë “Atit tem” ai shkruan: “Ti shkove: larg t’u tret ty hovi i dlirtë;
ndër qiej të tretun pagjën e amshueme,”
Nëna e tij jeton e vetmuar në një dhomë të ftohtë pa zjarr, ai i drejtohet nënës: “Ti qan për dhimba t’mia?
un qeshem, nanë, me jetën,”
Këtu përfshihen edhe poezi për birin e tij dhe Nensin e vogël. I kam bërë vend edhe poezive të Amikut drejtuar mikut të tij shpirtëror Robert Shvarc, ndihet fare mirë se ata këmbejnë me njëri tjetrin mendime për jetën, për dashurinë, për të ardhmen, ata urojnë njëri tjetrin për gëzimet e pakta, për ditëlindjet dhe janë të pamposhtur nga përleshjet me jetën. “Prehja na është e huej” titullohet kjo pjesë sepse ata të dy nuk mund të rreshtin duke punuar për gjuhën shqipe, nuk mund ta kuptojnë jetën, sado e vështirë të jetë ajo, pa u përpjekur për të dhënë atë që dinë të bëjnë më të mirën e tyre. Dhe ta përfytyrosh në një kohë kur gjithnjë mbi kokë të rrinte rreziku i të nesërmes i burgosjes për një fjalë a një mendim.
“Kur rrokja penën për të shkruar fjalët
që mbenë ndër buzë tharë etjes jetë,
o mik i mirë, më dridhej dora e ndalej
në varg të parë: unë vreja para vetes.”
Në pjesën e katërt kam vendosur poezitë që i këndojnë dashurisë përshkruar me mendime të kthjellëta, të sinqerta për ulje ngritjet sipas rastit duke e rrëfyer veten se është njeri dhe di të dashurojë i kam lënë titullin “Në vjeshtën time erdhe si pranverë” sipas njërës prej poezive. Nga shumë vargje shkruar për këtë ndjenjë kam zgjedhur:
“Kur rrezja e fundit e diellit
t’i lëbyri sytë e etur për dritë,
mendomë.”
Në pjesën e pestë kam vendosur “Kushtime”, poezi kushtuar Migjenit, Qemal Stafës, Skënder Aranitit e të tjerë. Amik Kasoruho i lindur në vjeshtë, arrestuar dhe burgosur në vjeshtë, liruar në vjeshtë dhe ky libër po përurohet në vjeshtë, vetëm vdekjen e pati në pranverë.
Përgatiti: Flori Bruqi