CIKËL POETIK NGA FLORI BRUQI
FILLIMI I NJË POEME
Ujëvarat e malit derdheshin
Mbi shkëmbinj si mendimet
tona mbi ngjarje, mbi shtigje…
Nga t’ia fillonim?!
Nga plagët e trupit, të zemrës, apo të mëmëdheut ?
Nëpër deje na rridhte Revolucioni dhe qumështi i nënave
Dhe ne-e dinim:
Pa nëna dëshmorësh,
Pa gra e nuse të veja
S’do të ketë kurrë paqë e liri…
E sot,
Këngët,
Vallet-
e fabrikat
janë gjerdane
më stolira
të kremtës tonë !
Maj 1982
PORTRETI I NËNËS
“Nënë, për ta shpëtuar jetën Ty,
dhashë lëkurën e do ta jepja edhe shpirtin”
Prof.dr.sci.Mirlin (Maxhun) Bruqi
Nga qytetet e fshatrat e largëta vijnë
Banorë(të përkohshëm)në Prishtinë
Pleq
Plaka
Të reja
Të rinj
Me shporta të vogla në duar
Vijnë çdo të diel
Vijnë(ndoshta)çdo ditë
Te dera e Spitalit
Në orën 14
Gumëzhijnë korridoret
Nga hapat e tyre
Zhurmojnë pavijonet
Korridoreve…
Zvarritët rrëqanthi vdekja
Në dhoma hyn shqetësimi
Secili me de(r)t
Për të afërmin e vet
Kështu çdo të diel
Kështu çdo ditë
Në orën 14
Burbuqja kurajon Nënën
Mirlindi jep lëkurën e vet
Për ri(ngjalljen)e Saj
Të afërmit shërim i dëshirojnë
Të tjerët shpresojnë…
Ja dhoma…
Ora mbi radio
Trëndafilat e freskët
Mbi tavolinë
Tok(gati) e gjithë familja
Babai qëndron e mejton
Ndoshta…
Kujton profilin e dhëndrrit
Ja rrudhat e nënës sime
(Kujtoj zënkën e prindërve për mua)
Tik-taku i orës
Dikur pushon
Në orën 4 të mëngjesit
Një qetësi…
Unë
Kam parasysh
Profilin e fëmijëve të mi
Shoh në sy
Profilin e Granitit e Diamantit
Mullarët e sanës
Në oborrin e braktisur
Ja(gati) e gjithë familja
Mungon(vetëm fizikisht)Ajo
Mungon Nëna ime
Në dhoma hyn:
Ajri
Drita
Dashuria
Jeta
Shokët
Shoqet
Babai
Të dashurit….
****
Dhe një hije
Më ndjek pas
Shkëndijë kohe
Profil i Nënës
Zjarr i Diellit!
BARDHËSITË E SAJ
Nënë
Këto katër shkronja Dashurie…
Jehojnë
Në agimet e jetës sime
Në bardhësitë e dritës
Më shtegun e së ardhmes
Në ecëm
Përpara
Figura jote
Në sfondin e ditëve
Që vijnë
Njomësia
E së ardhmes sonë
Hapë
Dejtë e ngrohtë
Të tokës sate.
RREZE DRITE
(Në kujtim të nënës)
Për Ty nga zemra
këtë poezi po e rris
asnjë hije muzgu
nuk i fus brenda
ti kërkon dritë
se ishe dritë
siç janë dritë
të gjitha nënat
vije Ti
çdo mbrëmje
duke më pëshpëritur:
-natën e mirë bir
çelësin mos ia vë derës
do të vijë nëna
(gjumin pa ta prishur)
me hapa të pranverës
biro
të të shoh mos je shpluar
kur ike
unë të putha
a thua më ke ndjerë
ndoshta vetëm koha
si rreze drite
në mua t’paska mbetur
këtë poezi Nënë
nga zemra e shkrova
dhe hije azhuri
s’i futa brenda
ti kërkon dritë
se ishe Dritë
siç janë Drita
të gjitha Nënat.
LAJTMOTIV I SINQERTË
U këndoj të thjeshtave
të urtave
fjalës së dashur
dritës së qartë
të gjitha ëndrrave
më lajtmotiv të sinqertë
të gjitha këngëve
përherë me kryerresht
femrave -
ejani në këngë
nëna dhe motra
të dashura gra
hyni në këngë
në lindëm nga këngët Tuaja
nga zëri Juaj
morëm këmbë.
LIRI FJALE
Në ditën e takimit më fole
me zë tjetër
dhe unë çuditërisht prapë erdha
nga zemra të të shoh e të puthi
si Dielli kopshtin me lule
përse qe aq e ashpër
mos vallë në qytetin tend ilirik të ndjekin
qentë e tërbuar
ndonjë hije nate
apo do të mbetesh
e mbyllur sall për vete
arti nuk të do të vetmuar
as muzikë s’mund të ndjesh
një buzëqeshje do të kërkoj prore
dhe karafila do të dhuroj
e puthje të ngrohta
mos hesht as mos ik luleborë
sigurisht ti ke për t’qeshur një ditë
dhe lufta mes unit tënd e urrejtjes
do të çmend ty të tërën
vetëm jam dhe pres të vish…
QYTETI KU TË PRITA
U ndala ballë spitalit të Prishtinës
hipa si Orfeu në altar
dy vargje të t’i them
më zërin e shterrur nga shqetësimi
dhe unë e pashë qytetin tënd
me një dallëndyshe fola, me beso
dhe ikëm të dytë e më tepër ike ti
unë prapë jam aty ku më ke lenë
në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë
vallëzoj me hijet
nuk e di cilën ta përkdhel
ti nuk je
retë mbi qytet me nevrikosin
dhe shiu më lag bashkë me vargjet
një ditë në një orë dil e takohemi
kiamet nuk bëhet
nuk bëhet as qyteti det
i mërzitur rri i fyer jam
pres dashurinë tënde
e të fle mbi gjinjtë e tu
mbi buzët e tua të zë një ëndërr
të kërkoj t’i ha ata sy me vargje
po vargjet nuk kanë faj
që ti nuk i ndjen asnjë grimë
mos ik mos u fsheh e as zërin mos e ndërro!…
AKUARELI I DIELLIT
Iku tetëmbëdhjetë vjeçare
E bukur S…
Si hëna pesëmbëdhjetë
Në fletore shkroi vjershën
Për mëngjesin në Prishtinë
I pëlqyen soliterët e lartë
Dhe shtëpitë plot blozë
Tjegullat e çative të ulta
Me myshqe të venitura
Shtegu i fushës kujtonte nënën
Më këmbë t’amputuar
Dhe Agimin e madh pas shiut
Që lëkundin pemët në zgavra
Në Prishtinë..
Ajo me gishtin tregues vizatoi
Në xhamat e atelesë
Profilin e babait plak-Metë
Pastaj e fshiu me dorë
Dhe dorën e puthi
Kur u kthye në vendlindje
Vuri pëlhurën pas një karroje me sanë
Në kalldrëm…
Dhe vizatoi dridhshëm
një rrugicë fshati në muzg
Në agimin e azhurtë
Hapi dritaren e rrotulloi çuditshëm
Lindjen e Diellit
Hijet në vetminë e rrugës
Dallëndyshet, një pikë vesë
Në mbrëmjen e majit
Ngriti penelin
Dhe e ngjeu në Akuarelin e Hënës
Pikturoi rrugën
Me baltë të Strellcit
Durakun plak
Kopshtet me dardhë
Fshatarët e vyer
Me drapërinj në duar
Shtëpi me dyer të rënda
Strehë me borë
Hapësira bojë gushëpëllumbi
Nga fshatrat malorë…
GJAK SHEKULLOR
Mëmëdheu
Lëshoi një britmë
Një zjarr
Si lumi si era si gjaku
Mërsini shpërtheu te praku
Të dua o hyjneshë e Agimit
Me Heliosin e Apolonin
Me vajtje-ardhjet
Me duart
E forta
Të bashkëfshatarëve
Të bashkuara përgjithmonë
Në shpresën ndjellamirë
Eliksirin
Unë-
Ndjej në shpirt
Se biri yt
Unë jam
Frymëzimin tënd
Borxh e kam
Ç’përqaje të sjell
Në qepalla
Gjysmë të mbyllura
Këngët shpesh t’i mbjell
Me besë e shpres
AGIMET E KOSOVËS
Çerrekshekujt
Në kurriz të maleve
Lanë gjurmët e kanoneve
E Ti
Kosovë
U dole para
AGIMËVE TË MËDHA
Kur trolli me nofullat e veta
Kafshonte BIJTË E SAJ
Kosovë
U dole përpara relikteve’
Qindvjetëshe
Kur Trolli pinte gjak
Përtypte barot
Fashatonte plagën
Dhe pashë
Mes atij
Ingranazhi
Yje
Dhe nën Yje
Togun e pusirave
Amësinë Tënde
Sfidojmë
Të bartim
Si një Agim mbi mal
Duke t’i fshirë me Yje
Muzgjet e hijeve
Vezullim urojmë
Brezave që vijnë
Me tepëritë e zellit
Në cepat e Yjeve.
SONTE KA DRITË
(Fragment poeme për Bellenë e Deçanit)
Bellenë e kafshoi Terri
Terri i netëve me borë
Nga Drita e Elektrikut
Hijet janë tmerruar
Tek ngjiten bellagjorët
Thepave me borë
Fryjnë erërat majave
Telat e elektrikut
Të Kozhnjerit të Deçanit
Si një Hidrocentral vigan
Bellagjorët lavdërojnë
Dritën e Agimit
Bora s’lë të shohim
Çatitë…
Bredhat e bardhë
Dhe bellagjorët e gjorë
S’ndjejnë dot lëvizjen
E Dimrit të madh 2005
Borën që shkrin
Dhe bie në qepallat tona
Nga të ftohtët
Pikojnë
Në mollëzat tona
Lot rrëke
Bukuria e bardhë
Shtegun dëfton
Sonte jemi me ta
Sonte…
Bellagjorët e vegjël
Trokasin në stane
Sonte motrat bellagjore
Këndojnë këngët
Urime Gëzuar Urime 2005!
Mbi
Shtyllat e Dritës Elektrike
Pareshtur bie borë
Shkëlqejnë
Fijet e akullit
Strehëve të stanit
Sajat rrëshqasin
Fëmijët bellagjorë
Lozin me toptha bore
Dhe Belleja
Prapë në muzg
Dritat përpëliten varg
Belleja fole Shqiponjash
Ngritur mbi shkëmb
Lumi i Bardhë i Deçanit
Lumëmadhi i rrjedh nën këmbë
Fryjnë murlanët
Nëpër telat Dritë
Të Florim Krasniqit nga Amerika
Si një daulle vigane
Jehon poezia…
Shkrimtari ynë i madh
-Mark Krasniqi
Lavdëron
Të djeshmen
Të sotmen e Bellesë
E bora
S’ na lë
T’i shohim çatitë
Ata ndjejnë
Se nën to s’lëviz Dimri i madh
Të pagjumët
Dhe bellagjorët
I përshëndet Qielli dhe Dielli…
RELIKTET TONA
(Pa Kosovën unë nuk do të isha)
Shfletojmë historinë
Rreshta të shkruar
Me gjak
Nëpër faqe
Gjurmët tona shfaqen
Herë breshëritë nxijnë
Arat me misër kudo që ishin
Ngjanin në varreza të Mëdha
Kur rritej vdekja
Ku binin gjethe të rrëkëllyera
Më të freskëta
Se zambakët e majit
Mani i kombajnës
Thasët mbush
Misër e grurë
Në këtë Dhe
Tash e tutje
Gjumi do të oshëtijë
Nga përrenjtë e Ëndrrave
E paepur
Kjo ishte rruga jote
Ndërmjet njerëzve
Me njerëz
Dhe butonët
E dritës.
(1980*)
Kjo poezi fitoi çmimin e pare në konkursin e “Rilindjes”.
RRJEDHAT E KOSOVËS
Atdhe
T’u desh të afrohesh
Nga thellësitë e viteve
Deri te kjo kohë
Me dyfek e gjalmë
Që kurrë s’qenë të ftohta, t’u desh
Të vishë
Në këto male pranë
Në këtë baltë
Në këtë Tokë
Dhe të dilje
Ti kështu si je
T’u desh
Flakë vullkani
Atdhe
Po zbardh sot mëngjesi
Flamur të kuq
Shkaba dykrenëshe lart
Frymëzim i ri
Në zemrat e sizifëve në buzëqeshjet e triumfuesve
Në përparsat e shpirthirshmëve
Në çdo fabrikë
Uzinë
Faqe mali
Madhështore
Do të duhej të buçiste
Emrat Ibrahim, Adem,Luan,Shkelzen,Agim,
Salih,Rrustem ,Ramush…
Kënga e vështrimeve të ndezura
Me fjalët
Zotim
Gdhendës mermeri
Sypatrembur
Duke u futur
Me krahëroret masivë
Në rreshtat e mëdhenj
Të detit tekanjoz.
Bardhësitë
Të molisur
Ecim
Me maninë absurde
Heshtje pa fantazmë
Fërfëllizë
Sytë e mi
Kërkojnë
Shëmbëllimin tim
Koha ecën
Dritën përpin
Ndoshta deri më këtë natë
Gatuajmë mëngjesin
Fatjoni
Secili ecën
Drejt varrit t’ vet
Vdekje janë
Hapat tanë
Detyra është
Nisu!
Po mbes
Fitorja kështu e do
Bora resh
Kolona përpara
Ec
Ndoshta ëndërron
Gazin ngadhënjyes ’Deri n’liri
A do t’më shqyejnë qentë
Si Aktenonin
Dhe Penteun
(1981*)
Kjo poezi fitoi vendin e parë në revistën “Fjala” me shifrën“Akeroni”.