2015-12-19

“Monstra” është montim!

Image result for Alban Selimi
Alban Selimi


Flamuri kuq e zi është vendosur në dyert e hyrjes së shtëpisë së Sami Lutës, prej ditës kur ai bëri dasmë dhe u martua me Vlorën nga Prizreni. Flamuri shqiptar ende ka mbetur në gjysmështizën e shtëpisë së dhëndrit të ri, që kishte shumë ëndrra për jetën. Ai nuk ndalej së punuari dhe merrej ekskluzivisht me sportin e karatesë.

Dhjetëra trofe e mirënjohje të fituara për angazhimet në sport, tashmë qëndrojnë në dhomën e pritjes së mysafirëve, në shtëpinë e familjes Luta që është me prejardhje nga Kaçaniku, por që tash e gati një shekull jeton në lagjen e “Serovës” në Shkup. Nëna e Sami Lutës, Ibadetja, i ruan me kujdes edhe gazetat që kishin shkruar për sukseset e djalit të saj, një fitues i shumëfishë i garave në karate.



E fituesi i trofeve, i riu Sami Luta, po ballafaqohet me një sfidë tjetër – drejtësinë maqedonase, që javën që shkoi e dënoi atë me burg të përjetshëm, bashkë edhe me pesë shqiptarë të tjerë. Në rastin e ashtuquajtur “Monstra”, Luta dhe të tjerët u gjetën fajtor se dy vjet më parë kishin ekzekutuar pesë të rinj maqedonas derisa ata po peshkonin tek liqeni i Smilkovës, në afërsi të autostradës, jo larg kryeqytetit të Maqedonisë - Shkupit.


Image result for rasti monstra


“Nuk më lanë të kënaqem në jetë me të vetmin djalë”

“Të vetmin djalë e kisha dhe me të shteti nuk po më lë të kënaqem, t’i gëzoj sukseset e tij”, thotë Ibadete Luta, nëna e Samiut, i dënuar me burg të përjetshëm nga organet e drejtësisë maqedonase.

 Djali i saj nuk kishte kurrfarë ngarkesa etnike dhe kurrë nuk do ta bënte një krim të tillë, për çfarë u dënua. Madje, thotë se Samiut dhe gjithë familjes i kishte ardhur shumë keq kur kanë dëgjuar për krimin që kishte ndodhur tek Liqeni.

Image result for rasti monstra


“Ai gjithë mjeshtërinë e mësoi nga maqedonasit dhe ka vazhduar të punojë me ta. Nuk kishte asnjë arsye që të bënte një veprim të tillë”, thotë Ibadete Luta, nëna e Samiut.

Ajo tregon se organet e drejtësisë dhe ato të ndjekjes së Maqedonisë kanë bërë spektakël, fillimisht me arrestimin e pastaj me dënimin e djalit të saj, por edhe të anëtarëve tjerë të këtij grupi.
Image result for rasti monstra
“Disa javë, pasi ndodhi ngjarja tek Liqeni, ne u bastisëm”, thotë Ibadetja, gruaja që mban në kokë një shami tradicionale, rreth të gjashtëdhjetave.

Ajo tregon se pas bastisjeve djali i saj ka qenë i lirë dhe ka shëtitur dhe ka punuar vazhdimisht. “Bëmë edhe dasmën. Kishim të ftuar shumë njerëz. Pas dasmës, Samiu me të shoqen shkoi në mënyrë krejtësisht legale edhe në Itali ”, thotë Ibadetja, tek rrëfen për jetën e djalit të saj. Po ashtu, Samiu, kishte qenë disa herë edhe në Kosovë përmes kufirit, duke u legjitimuar dhe pa pasur asnjë problem.
Image result for rasti monstra
Vlora Luta, bashkëshortja e Samiut, është edhe shtetase italiane. Ajo ka besimin se drejtësia në fund do të triumfojë dhe do të jetojë së bashku me njeriun e ëndrrave të saj.

“U nisëm për në Kaçanik në një dasmë të një familjari tonë. Unë isha me fustan dasme, kurse Samiu me kostume”, thotë Vlora Luta, sipas të cilës, lajmi se e kapën në ikje Samiun ishte vetëm fillimi i manipulimeve në këtë proces, që gjithë familja e quan të montuar.

Tokat e koncesionuara që u bënë “mollë sherri” për familjen Aziri

Ngjitur me burgun e Shutkës, ku po qëndron Samiu në pritje të thyerjes së vendimit për burg të përjetshëm të shqiptuar javën që shkoi, jeton familja Aziri. Ndonëse, të shpërngulur shumë vite më parë në Shkup, nga fshati Brezë, në kufi me Kosovën, familjarët edhe më tutje vazhdojnë të jetojnë kryesisht prej blegtorisë dhe bujqësisë.

Familja Aziri, kishte koncesionuar 40 hektarë tokë nga shteti maqedonas, pikërisht tek Liqeni, ku kishte ndodhur vrasja.

Por, pas vrasjes së të rinjve maqedonas, ato toka më nuk iu lanë në shfrytëzim familjes Aziri. Me pretekstin se nuk kishin kryer obligimet ndaj shtetit, familjes iu revokua koncesionimi, megjithëse familjarët prisnin subvencionet e Qeverisë për të mbjellat, për të realizuar përmes tyre obligimet ndaj Qeverisë.

Kjo tokë e marrë me koncesion, familjarët besojnë se ishte thelbi i montimeve të shtetit, që rezultoi me arrestimin e më pas dënimin me burg të përjetshëm të tre familjarëve të tyre: Fejzi Azirit dhe Haki Azirit, si dhe nipit të tyre Halil Demiri, nga Haraqina e Shkupit.
Image result for rasti monstra
“Gjatë jemi menduar pse pikërisht neve na ndodhi kjo. Në oborrin e tij ta bënte dikush këtë gjë dhe të rrinte rehat kjo nuk është e logjikshme. Këtë s’do ta bënte as kafsha”, rrëfen i vëllai i Fejzi Azirit, Bedri Ajdari.

Ai thotë se gjithë montimi është bërë duke bërë lidhjen përmes familjes tonë dhe duke u shfrytëzuar shoqëria e nipit tonë Halil Demirit me Agim Ismailin. “Ata kishin një internet kafe bashkë dhe nga ajo bëheshin idare”, thotë Ajdari.

Safet Aziri, babai i Haki Azirit, tregon se djali i tij ishte mbajtur i kidnapuar me ditë të tëra nga organet e sigurisë në Maqedoni. “Ne përmes avokatit e kuptuam se Hakiu nuk ishte në grupin e të arrestuarve”, thotë Safeti, rreth të shtatëdhjetave, invalid.

“Ne nuk dinim se ku është. Filluam të mendojmë ose që është rrahur aq rëndë sa nuk duan që djalin ta shohë as avokati apo dyshonim se e kishin zhdukur të tërin”, thotë Safeti.

Ai tregon se tek pasi kishin ndërhyrë përmes avokatit, një zyrtar i Sigurimit Shtetëror e kishte thirrur atë në telefon dhe i kishte thënë se Hakiu ishte mirë. “I njëjti më përmendi emrin e shoqes dhe të fëmijëve e të Hakiut dhe iu la përshëndetje edhe atyre. Por, na tha se atë moment nuk do të mund të komunikonim me të, derisa na porosiste që të mos bëheshim merak”.
Image result for rasti monstra
E gjithë kjo, thotë Safet Aziri, ka ndodhur për gati një javë, kur organet janë përpjekur që djalin e tij ta bëjnë dëshmitar. “Por, ai nuk e ka pranuar një gjë të tillë, pasi nuk kishte çka të dëshmonte”, thotë babai i të dënuarit përjetë.

Proces i montuar në rrafshin politik, policor dhe gjyqësor

Rasti “Monstra” në Maqedoni ka ngjallur reagime të shumta tek faktori vendor dhe ndërkombëtar. Ekspertë të drejtës kushtetuese në Maqedoni, thonë se ky rast është një nga më drastikët, ku bëhet fjalë për një proces të montuar politik, gjyqësor dhe policor.
Image result for rasti monstra
“Është proces i montuar politik për shkak se shtetit maqedonas urgjentisht dhe në mënyrë jetësore i duhet një vendim gjyqësor në të cilin shqiptarët do të dënohen dhe të gjykohen për terrorizëm, në mënyrë që këtë vendim gjyqësor ta përdorë në realizimin e qëllimeve të ndryshme politike, sidomos në integrimet në NATO dhe BE”, thotë Jeton Shasivari, profesor i të Drejtës Kushtetuese në Fakultetin Juridik në Universitetin e Evropës Juglindore. Sipas tij, Maqedonia ka një detyrim që ta zgjidhë problemin me emrin në Raport. “Dhe qëllimi është që të futet në NATO pa e zgjidhur çështjen e emrit, duke i treguar botës që po rrezikohet nga një terrorizëm fantom global”, thotë ai.

Sa i përket montimit policor sipas Shasivarit, gjithçka filloi në konferencën për media të ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankulovska, e cila më 1 maj 2012, kur ishin arrestuar tashmë të dënuarit, kishte deklaruar pa rezerva se “kanë zbuluar vrasësit e krimit makabër”. Me këtë, sipas tij, është shkelur prezumimi i pafajësisë. “Prezumimi i pafajësisë është një e drejtë fundamentale e çdo personi, që arrestohet apo privohet nga liria”, thotë Shasivari, sipas të cilit, Policia i shpalli fajtorë që momentin që u arrestuan këta persona.

Procesi, sipas Shasivarit, është i montuar edhe në rrafshin gjyqësor. “Nuk janë gjetur armët, me të cilët është kryer vrasja. Nuk ka dëshmitarë, madje edhe dëshmitarët që i ka propozuar Prokuroria si dhe gjitha ekspertizat e kryera janë bërë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë”, thotë Shasivari. Gjithashtu, ai thotë se nuk është marrë parasysh as alibia.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...