Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/07/10

ZEF PERGEGA : STIL RRËFIMI ENDE I PA NJOHUR NË VJERSHËRIMIN SHQIP




ZEF PERGEGA

Refleksione rreth librit poetik “Ujavarë drite në zemër!” të Anton Nikë Berishës

Për shqiptaren e madhe me zë të përbotshëm Nanën Tereze janë shkruar mё shumë se 100 libra të gjinive të ndryshme. Kam lexuar disa prej tyre nga autorë nga vendi dhe të huaj. Të bën përshtypje se disa nga librat biografikë, të dhënat e përgjithshme të Nanës Tereze ndryshojnë nga botimi në botim. Shpresojmë se me shpalljen e saj shenjtore më 4 shtator 2016 do të kemi një biografi të saktë të saj, dhe me të drejtë për këtë do t’i referohemi në të ardhmen Selisë së Shenjtë.

Këto ditë mora në dorë librin poetik të Anton Nikë Berishës “Ujvarë drite në Zemër”, të botuar nga Misioni Françeskan i Tuzit, të cilin autori ma kishte dërguar me anë të P. Pashkut Gojcaj. Famullitari më pati thënë se duhej ta lexoja sa më parë, por unë po kërkoja kohën më të qetë për të hyrë në kodin e vargut poetik të Anton Nikë Berishës.

Në dejet e Nanës Tereze rrodhi plot energji engjëllore dhe u shpërnda si në rrënjët e një lisi arbëror në virtyt të qenies së saj e gjithë bota hyjnore dhe mistike e humanizmit njerëzor, duke i qëndruar besnike Zotit në tokë e në Qiell. Në krahët e dritës së një ëndrre, e vetmja në botë që ka realitetin më të shëndritshëm, që kurrë nuk iu nda në çdo gjurmë e në cdo hap…erdh koha e u ngjit në qiell. E tani sytë e saj që gjithmonë kanë shikuar lart, hedhin vështrimin poshtë, tek ne tek e lëshon atë dritë nga zemra në zemër, nga shpirti në shpirt, që gurrat e burimeve të mos pushojnë, për të na ushqyer me krojet e ëmbla jetën tonë. Etja e hirit shuhej në cdo pikë të gjakut të saj.

Ajo e sakrifikoi urdhrin e parë për urdhrin e dytë, brenda kishës, që doli në krye të urdhrave të tjerë, se ajo ishte dhe mbeti një laps i fjalës në dorën e Hyjit.

Nuk e di, më thotë P. Pashku, a i shëndroi kushtet në besë a besën në kushte! Sidoqoftë për ne ajo mbetet shembull se si duhet me e mbajtë besën, e sidomos kur i jepet Zotit!

Nana Tereze është filiz që gjithmonë gjethon në shpirtin e mëshirës, aty ku mbruhen misteret e lutjes, e siç pohon P. Pashku në parathënien e librit, “ajo e qet farën e thirrjes në të!”

Në një darkë në qelen e P. Pashkut në Tuz u çel biseda mes meshtarit dhe Anton Nikë Berishës. Aty e kuptova më së miri thelbin se këta dy personalitete ishin mishëruar deri në shenjtërim për të na sjellë atë mrekulli shpirtërore tek ne siç bënte Nëna me çdo njeri që lëngonte e copat e mishit dhe të kockave të rëna trotuareve apo zhemileve të indiferencës, ua mbidhte e, përsëri ato merrnin frymë e jetë nga Nana e globit dhe kripa e dheut shqiptar.

Po të ndjekur rrugëtimin poetik të vargjeve të veprës “Ujvarë drite në zemër”të Anton Nikë Berishës, na ndihmon parathënia përmbledhëse dhe me thellësi mendimi e P. Pashko Gojçajt. Ai më kishte thënë se ishte menduar disa herë për ta gjetur fillin dhe ta shkruante atë.

Katërmbëdhjet pamjet poetike që na i sjell Anton Berisha me horizontin e fjalës së vet, janë një përkim me 14 mundimet e Jezu krishtit deri në kryq! Ashtu siç thoshte Nëna Tereze:

“Krishti im, bën me mua atë që deshiron, pa asnjë kursim ndaj ndjenjave të mia dhe ndaj dhimbjes sime. Jam e jotja!”

Nëna e takoi Jezusin në flakën e dritës së yjeve dhe në kasollet e të varfërve, ku ndezi në çdo cep kandilin e shpresës. Nëpër hapat e matura eci me sy e me mendje në hartën e planeve të Zotit, që i realizoi me përkushtimin e papërshkrueshëm, deri në pakufi të harres së vetvetes. Arkitekti i shqiptimit të shpirtit gjithnjë në zbulim të Nana Terezes, Anton Nikë Berisha na tregon se plani i fundit i saj, hedhur bashkë me dheun e fundit, jeton në një shishe të mbyllur të amanetit se Krishti do të zbresë në varrin e Nanës shenjtëreshë, i veshur me petkat e bardha të varfërisë që do të gjejë aty me lot ndër sy të gjithë të varfërit, të cilëve u mblodhi kockat rrugëve të thyera nga indiferenca shtetërore e politike, të gjithë atyre që ua pastroi plagët, të gjithë ata që e deshën…të dëshmojë para Qengjit të flijimit se veprën e ka kryer me më të madhin përkushtim e nderim.

E poeti Anton N. Berisha shkruan se në vend të kurorës me gjemba në krye siç ia patën vu Krishtit, Nanës i silleshin gjembat e klithjeve të trazuara të njerëzve, si shkreptima rrufesh, veçmas të më të varfërve ndër të varfën, të atyre që vdisnin nëpër vende pa emër e pa kujdesje dhe të gërbulurve që përpiqej t’i qetësonte me dashurinë e Dritës së Hyjit.

Autori parapëlqeu me të drejtë ta vërë në kopertinën e parë të librit titullin “Ujëvarë drite në zemër”, me një kuptimësi sa të gjerë aq dhe të thellë, për të cilin Atë Pashku shkruan: “… në njânën anë kemi derdhjen ujvarës të hirit të Zotit në Nânën Tereze e në anën tjetër kemi derdhjen e fjalës poetike të autorit, lot dashuri e mjeshtri, mirënjohje, admirim, teologji e filozofi mbi të njâjtin person”!
Me hirin e fjalës dhe të dashurisë për të, autori depërton thellë deri në mister!

Duke shkëput një rrem nga vegimi i ujvarës poetike, ku festojnë ditën e natën yjet e qiellit, bashkë me lazdrimin engjëllor të ëndrrave të Anton Nikë Berishës, i cili më mahnit se të gjitha qeshin me zë të lartë deri në gulfim shpirti, në qerpik të syrit të tij ulet e ngjiz një këngë zogu të lirë, buzëqeshja e Nana Terezes, zëri i saj si një shkëlqim meteori në krahët e dashurisë, ku përkundin djepat e rritjes me ninullat e dhembjes. E në këtë vepër të Berishës, kur vargjet kërkojnë përpjekje e mund të interpretohen, pse ato gjakojnë në syrin e ujit të pagëzimit të saj, në dritën e prushtë të Hyut, në gacat e ndezura në gji të hirit të vatrës, të cilat Antoni i mban të ndezura në frymën e shenjtë.

Edhe pse poeti e freskon ballin në këtë ujvarë dhe i lag buzët me ujin e bjeshkëve të shpirtit të Nanës që kurrë nuk e harroi vendin e shqipeve të saj, përsëri ka etje. Ai ndalet tek një gur, merr cak dhe le një shenjë, për të kaluar në 14 pamjet, jo si një visitor kalimtar, por si një bletë që nektarin e mbledh dhe pa bujë e derdh në hojet e ëmbla të misionit të Nënës Tereze.

Pena e Anton Nikë Berishës ngjyhet në gjakimin e veprimit thellësisht krijues dhe krejt të veçantë në meditim në vetën e parë, pra flet autori me zërin e Nënës Tereze, të cilin nuk e emiton, por e qartëson besnikërisht në vijen melodike, që e sipas P. Pashkut “për njeriun e sotëm Nana Tereze bâhet sfidë, kur mundi ajo pse të mos mundemi ne - dhe frymzim – due edhe unë me iu përgjigj asaj”!

Anton Nikë Berisha ka shkruar në vetën e parë, por që e ka sfiduar këtë vetë, duke i dhënë një kuptim të përveçëm. Një ndërmarrje e vështirë, por që nuk është për t’u çuditur se autori me ujëvarën e zemrës së tij, me përjetimet që i kanë zgjuar syrin e mëngjezit të fjalës poetike e ka kaluar kalin përrallor që një ditë e zbuloi të fshehur brenda ëndrrës së vet: Në pamjen e parë: “Gjakojsha me e kap ngazëllimin e parë të dritës”, autori me një stil rrëfimi ende i pa gjetur në vjershërimin shqip të kohrave, që në fakt ka krijuar kohën e vet në rendin e kohërave, paraqet ëndrrën e Nana Terezes në çapitjet e para në etjen e jetës. Ai hyn e del në shpirtin e Nënës Tereze siç hyn e del dielli nëpër plasaritjet e gurëve të murimit të një kështjelle që rron në virgjerinë e lavdisë së shekujve.
Anton Nikë Berisha nuk e merr Nanën Tereze si personazh për t’i shtuar nota të reja lavdisë së vet, por e shkrin gjithë yndyrën e talentit të vet që vepra e Nënës Tereze të këndohet si hymn me të gjitha notat e pentagramit shqip se shqip foli goja e saj. Në fluturimin e ëndrrës së jetës për të tjerët kacavarej në ylberin magjeps dhe shëndrrohej në lojën e ngjyrave të tij. Anton Nika është autor i pa parë në zbulimin e ëndrrave. Ai ka aftësinë t’i kapë ato në lëndinën e imagjinatës, ashtu siç bënim në kohën e fëmijërisë për t’i kapur fluturat me krahë të qendisur në ngjyra dhe figura që shkëlqenin në pushin e tyre. Gjakimit të ëndrrave të bardha vetëm Anton ua di cakun… Nana Drane më merrte për dore e më përsërite âmbëlsisht:

“Je drita e jetës sime!”

Duke e ndjerë ngrohtësinë e diellësisë së dashurisë së saj, autori e ringjall këngën e fshehur dhe bën t’i dëgjohet zëri deri në kaltërsinë e qiellit e në shtigje pa kufi të ëndërrimit. Dhe ky shteg i çelur rishtas e ka emrin Anton Nikë Berisha. Në këtë shtegtim poetik ai nuk u ndahet ëndrrave, po u drejtohet me një lutje-premtim të pashpallur, që edhe kur ndonjëra shfaqet pa rend para tjetrës, jo si sfidë e xhelozi, por si synim plotësues, ai do të jetë i kujdesshëm se në kohën që do t’i paraqesë në logun e fjalës do t’u kushtojë vëmendjen e duhur dhe do t’i ndriçojë me gjithë dritën e syve të shpirtit të tij. Dhe kështu ka vepruar dhe kështu ia ka arritur mrekullisht.

Në shtegtimin e ândrrës së pa shueme.

Si shqipojë harendezun synojsha paanësinë e qiellit,


dritën e prushtë të Hyut që s’ka të sosun!

Poeti Berisha e ndjek ëndrrën e Nana Terezes deri në skaj të horizontit të misionit të saj, jo në mënyrë sipërfaqësore, por ai me kalin princor dhe vete si një princ legjendar që nuk ulet në poltronin e mbretërisë, por si shërbëtor i fjalës, kalëron thellë madje edhe në skutat më të errëta të dhembjes njerëzore, për të nxjerrë visare ndriçuese si një besnik i kureshtjes dhe banor i veprimit.
“Zani i Zotit si thirrje âsht ngjizë në shpirtin e saj që në bark të nânës kur u ndje gjallë!”
Anton Nikë Berisha është mjeshtër që u bie nji varg veglash të valedetit të shpirtit dhe më pas me të gjitha del në krye e ia thotë bukur mesazhit të tyre, duke i hedhur ndër ne si orizin e të djelave të nuseve. Ai e zhvesh vetën nga meritat, për t’ia deleguar ato një personazhi të shenjtë, që është kthyer në zemrën e botës njerëzore, në rrjedhën e zgjimit të ditëve, aty ku nisin të vallëzojnë ëndrrat e bardha të një realiteti të gjakuar.

Në jetë kam lexuar shumë libra, por nuk e kam ndeshur gjerë tani në letrat shqipe një rrëfim të tillë. Më ka mahnitur figuracioni letrar, plot me kroje metaforash dhe ylbere krahasimesh…
“Ngrohtsinë e diellit e qëndisja me shkëlqimin e yjeve e me puthjen e valëve të Drinit të Bardhë!”
Si Konstantinit që iu fanit fitorja e betejës së mëngjesit, ashtu poeti në një çast përsiatje të “ândrrave të erës” përjetoi një vegim dhe në atë vegim ai shikoi Nënën Tereze me një buzëqeshje të ëmbël, sytë e saj si dy yje dritëplotë që e vështronin me butësinë e qeshjes si të një fëmije të hareshëm dhe e dëgjoi zërin e saj të ngrohtë si shkëlqim agimi.

Derisa të kemi dritë, besoni në dritë që të bâheni bijë të dritës.

Rri në dritën e Hyut! Pse jo, rri në dritën e vargjeve të poemës së Anton Berishës, i cili jeton e shkruan me penën e njomur në krojet e dashurisë amtare, që ujin e kanë më të shumtë se lumenjtë. Ai ulet në gurin e burimit të marrë i pari fshehtësinë e Dranes që me aq shpirt, apo me gjithë pathosin e zemrës e përshkruan hyjnueshëm. Vezullimet i ka shkëputur një e nga një nga kjo masë uji, për të thurur një kurorë princeshës së humanizmit të pavdekshëm. Aq i butë e i thellë është mekimi i nënës Drane në shpirtin e njomë të bijës së saj Agnezes – Gonxhes:

Nëse rrin në dritën e Hyut,

Ai ka me shkëlqye në ty

e dritë për të tjerët do të bâhesh!

Në pamjen e katërt të paraqitur nga autori, dashuria e Hyut është si një lumë i padukshëm që buron e rrjedh në zemër; është diell brenda nesh që frymës sonë i jep mushkëri. Në rrëfimin e nanës Drane për bijën e vet që nuk arriti ta shohë, autori shkëput tri degët e trungut që përbëjnë dashurinë e Hyut.

Ati, krijuesi i çdo gjâje

i biri Jezu Krishti

i flijuem në kryq dhe i ngjallun së vdekuni

dhe Shpirti i Shêjtë, njisim i Qensisë njerzore!

Lutja âsht kërkim i Zotit, por edhe zbulim i tij. Në zjarrin e lutjes, njeriu e mat thellësinë e Zotit, ndaj autori me mjetet e tij poetike preferon ta ndjekë rrugën e kësaj thellësie që njerëzit e thërrrasin vetëm kur bien në nevojë.

Prof. Antoni me këtë libër është nderi i fjalës së tokës dhe nderi i fjalës së qiellit.Jezusi u tha bijëve të vet…dhe nxënësi shembullor me një emër shenjti në këtë botim, si një bir i odave fisnike të trinisë njerëzore, me mendje, me zemër, me shpirt, e shkroi këtë vepër të veçantë, siç është e veçantë jeta dhe vepra e Nënës Tereze.

E njeriu i shenjtë ka etje…e kush mbjell në shpirt do të ketë jetën e pasosur. Në etjen e Nënës Terezes lexojmë vargun poetik:

Në sytë e mendjes të shoh
Krishti im
në njimijë forma të etjes
e në shtegtimin gjakues
të gjitha rrugët
në zemrën tande të çojnë!

Për çdo poet, sa do i famshëm të jetë, vështirësia më e madhe është zbulimi i botës shpirtërore, por Anton Nikë Berishës ia ka falur Zoti mjetet, disa i ka latuar memprehtësinë e mendjes, disa i ka shëndritur me dritën e syve, disa zëre i ka dhënë nga zëri i zemrës e, të gjitha bashkë në korin e madh të Alelusë së bashkisë të humanizmit e ndjek solistin, poet klasik, që me fjalë të zgjedhura të këngës se tij mishërohet aq shenjtërisht në etjen e Nënës Terezes. Anton Nika në çdo fjalë shpreh bukurinë, në çdo rresht është modest dhe fisnik dhe ushtima e pamatshme e rrëfimit të tij e bën detin me dallgë dhe bregut ia krip buzët. Vetë Nëna Tereze e ka pohuar se është nusja shpirtërore e Krishtit, e nga trupi i tij i mbështjellë me cohe të bardhë në kryq, Ajo ia shkulur gozhdat me rënkimin e dhimbjeve të përgjakura.

Shkrimtari Berisha si shumë prova të tjera e ka kaluar edhe këtë me sukses të admirueshëm, ndonëse për mua ka qenë më e vështira, për faktin se ky libër me poezi nuk i kushtohet temave të lira të përjetimeve të autorit që rend degë me degë apo lule me lule, por i kushtohet një personazhi, thellësisht në paretet ndjesore e qiellore të zbuluara dhe të pazbuluara të Nënës Tereze. Gjetja e kodit sekret për të hyrë në botën mistike të saj, të një njeriu që rallë vjen në jetën tokësore, i takon vetëm Anton Nikë Berishës.

Në shtjellën e tundimit dhe të emocioneve që më dhuroi ky libër, ndoshta, dhe jam i sigurt se nuk e kam përmbushur gjithcka që ka brenda poezia e tij që vjen në sytë tanë e rritet e rritet, derisa shpallet në shenjtërim.

Po i mbyll këto radhe për mikun tonë të përbashket të armatës së poetëve, Anton Nikë Berisha, me fjalët e P. Pashkut Gojcaj :

“Lexues të dashtun! Tue qenë së bashku mirnjohës ndaj autorit që na jep ketë libër, dhuratë të çmueshme që po e boton Misioni Franceskan i Tuzit, të këshilloj ta lexosh me përkushtim e vëmendje. Jo vetëm kaq, por mundohu ta përjetosh. Libri âsht nji sfidë dhe frymzim për cdo njânin prej nesh. Ndoshta ne nuk mundohemi me qenë si Nana Tereze, por e jona âsht të mundohemi me ec gjurmave të saj drejt Atit. Vetëm atëherë libri ia mbërrin qëllimit ç’ka âsht synimi i vetë autorit!”

Detroit korrik 2016​

No comments:

Post a Comment

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...