BALLKANI, NËNKONTINENTI I EVROPËS


Nga SKËNDER BUÇPAPAJ


Është bërë pothuajse rutinë që trajtimet e thelluara për Ballkanin në dekadat pas Luftës së Ftohtë të hapen me shprehjen: “Në qoftë se do të ketë një luftë të madhe ndonjëherë në Evropë, ajo do të vijë nga ajo gjë e vogël e mallkuar që quhet Ballkan.”

Si i zoti i saj, edhe ajo e ka historinë e vet. Kjo thënie i atribuohet kujt tjetër veçse Otto Bismarkut, thënë ku tjetër përveçse në shtratin e vdekjes, më 1898, 20 vjet pas Kongresit të Berlinit. Thënia e gjeniut të bashkimit të Gjermanisë do të gjente jehonën e duhur tepër vonë, do të bëhej e famshme vetëm në gusht të vitit 1945, pra gati pas një gjysmë shekulli, kur do të përmendej në Dhomën e Komuneve, në Londër.

Për një sprovë futuristike, natyrisht, një hyrje e tillë edhe do të mund të dukej e panatyrshme.
***

Rajoni gjeopolitik e kulturor i quajtur Ballkan është i vetmi në Evropë që i plotëson kriteret për t’u konsideruar nënkontinent i saj.

Deri tani asnjë pjesë e kontinentit tonë nuk është trajtuar zyrtarisht apo jozyrtarisht në këtë cilësi.

Oxford Dictionary për termin ‘subcontinent’ jep përkufizmin “një pjesë e dallueshme e një kontinenti si Amerika Veriore apo Afrika Jugore. Ky fjalor shënon si term të prejardhur që këndej “subcontinental”.

Ndërkohë i sqaroj shembujt e mësipër: me Amerikë Veriore kuptohen SHBA dhe Kanadaja, ndërsa me Afrikë Jugore kuptohet Republika Jugafrikane.

Zingarelli për termin gjeorgrafik “subcontinente” jep vitin 1970 si datën e dokumentimit të tij të parë, si dhe përkufizimin “pjesë e gjerë dhe e kufizuar e një kontinenti me karakteristika të veçanta”.

Duden përcakton që “Subkontinent” është një hapësirë e madhe tokësore e cila për arsye të historisë së saj gjeologjike është veçuar nga kontinenti “nënë”.

Si nënkontinenti më klasik i përmendur në fjalorët e ndryshëm dhe në zërat enciklopedikë është ai i Gadishullit i Hindustanit, ku përfshihen India, Pakistani, Bangladeshi, Nepali e tjerë..
Dhe pranohet se nuk ka pajtim të plotë për këtë term, por pranohet se nënkontinenti ndahet nga pjesa tjetër e kontinentit nga një vargmal ose nga një rrafshnaltë tektonike.

Përveçse një përcaktim gjeografik e gjeologjik studiuesit pranojnë se në këtë term përfshihet edhe aspekti historik e kulturor. Nga ky këndshikim disa studiues e konsiderojnë nënkontinent, për shembull, Lindjen e Mesme.

Do përmendur se deri në Shekullin XX për hapësirën ku jetojnë shqiptarët, grekët, sllavët e jugut, turqit e Evropës është përdorur gjerësisht dhe kryesisht termi Lindja e Afërt.
Nga aspekti fizik Ballkani kufizohet në lindje me Detin e Zi, Detin Marmara dhe Detin Egjé, në jug nga Deti Mesdhe, në perëndim nga Deti Jon dhe Nga Deti Adriatik, ndërsa në veri nga lumenjtë Danub, Sava dhe Kupa.

Nga aspekti politik, Ballkani përbëhet nga Bullgaria, Bosnja, Greqia, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Rumania, Serbia, Sllovenia, Shqipëria dhe nga Turqia evropiane.
Oxford Dictionary: vendet që ndodhen në pjesën juglindore të Evropës duke formuar një gadishull të lagur nga detet Adriatik, Jon, Egjé dhe i Zi.

Prejardhja nga turqishtja. Term i vitit 1920. I prejardhur nga termi Gadishulli Ballkanik.

Prej këndej edhe ballkanizim: ndarja e një rajoni, një tërësie në shumë shtete ose pjesë armiqësore ndaj njëra tjetrës – proces që ka ndodhur në fund të shekullit XIX dhe në fillim të Shekullit XX.
Zingarelli ka tre terma me temën e Ballkanit: 1.balcànico (nga turqishtja balkan – vargmal, ndoshta nga ‘balk’ baltë – 1886). Figurativisht – kaotik, i dhunshëm, i paqeverisshëm. 2.balcanizzàre (1931), term politik – Të katandisësh një shtet në gjendje rrëmuje dhe dhe fragmentarizimi në të cilën ndodheshin shtetet e Ballkanit në dekadat e para të Shekullit XX. 3.balcanizzazione (1970), të ballkanizohet – fragmentarizim politik gjuhësor e shpesh fetar si në BRSS apo Jugosllavi, në entitete të vogla dhe armiqësore mes tyre.

Në shpjegime të tjera etimologjike thuhet ndërkohë se fjala ‘ballkan’ është me prejardhje persiane.

Autorësia e termit ‘Ballkan’, afirmimit të tij dhe familjes përkatëse të fjalëve, arbitrarisht i jepet Perandorisë Otomane. Asnjëherë, në asnjë dokument Porta e Lartë apo mvartësit e saj nuk e kanë përdorur termin ‘Ballkan’ për gadishullin në fjalë. Burokracia otomane ka përdorur termin ‘Rumelia’ për këtë rajon, me kuptimin ‘vendi i rumëve’, pra i romanëve.



NGA ‘LINDJE E AFËRT’ NË ‘BALLKAN’



Enciklopedia Britanike e pranon: Grindjet fraksioniste të cilat ndodhën në fillim të Shekullit XX, duke provokuar ndarje dhe rigrupime të vazhdueshme të shteteve të ndryshme, futën fjalën ‘ballkanizim’ në anglisht.

‘Ballkanizimin’ e juglindjes së Evropës, kronologjinë dhe tipologjinë e tij e shpjegojnë më së miri ndryshimet e panumërta gati dyshekullore të hartave politike të këtij rajoni prej vitit 1832, kur Greqia mori pavarësinë nga Perandoria Otomane. Sa herë është ndryshuar, për shembull harta politike e këtij vendi, cilave logjika dhe interesa iu janë nënshtruar këto ndryshime, në dëm të ngushtimit të kujt vendi ka ndodhur zgjerimi i Greqisë, në dëm të cilëve popuj ka ndodhur ai. Nëse urrejtja mes grekëve dhe ballkanasve të tjerë pati lindur apo nuk pati lindur më herët, a nuk u ushqye kjo urrejtje nga dukuritë dhe pasojat e tyre gjatë padrejtësive në favor të Greqisë e të grekëve dhe në dëm të të tjerëve?

Prej atëherë Greqia pati disa zgjerime. Këto procese deri në konkretizimin e tyre, kuptohet, u shoqëruan me tronditje për vendet dhe popujt fqinj, por edhe për mbarë rajonin.

Rumania është shteti i dytë i rajonit. Ajo mori pavarësinë nga Perandoria Otomane më 1861. Në mbarim të Luftës I Botërore u zgjerua me Bukovinën, Dobruxhën, Besarabinë, Transilvaninë dhe pjesë të Banatës. Në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, Bukovina dhe Besarabia veriore u muarën nga Bashkimi Sovjetik (Moldavia), ndërsa Dobruxha jugore iu bashkua Bullgarisë.

Bullgaria është shteti tjetër që u krijua drejtpërdrejt nga dobësimi dhe më vonë shpërbërja e Perandorisë Otomane. Ajo ka pasur tkurrje dhe zgjerime, zgjerime dhe tkurrje. Më 1878 ajo mori një pavarësi të pjesëshme. Më 1885 dhe më 1913 pati dy zgjerime të mëdha territoriale. Në fund të Luftës së Parë Botërore ajo humbi daljen në deti Egjé, sepse Traka iu dha Greqisë.

Ballkanizimi ekstrem shoqëroi bërjen, mbajtjen, zhbërjen, rimëkëmbjen e projektit të ndërlikuar, kundërthënës që e shoqëroi Serbinë, e cila u zgjerua disa herë shumëfish në territoret shqiptare, bullgare, hungareze dhe boshnjake, duke pasur si pikënisje pashallëkun i Beogradit (1529-1817), i cili shtrihej në një zonë në jug të këtij qyteti. Pashallëku i Beogradit fitoi autonominë pas luftës Ruso-Turke të viteve 1928-1929. Prej atëherë pashallëku do të ishte nën protektoratin e Rusisë. Më 1878, kur Kongresi i Berlinit ia njihte pavarësinë, Mbretëria e Serbisë që dilte nga ky proces ishte disa herë më e madhe se pashallëku.

Mali i Zi, krahinë për disa shekuj me autonomi në kuadrin e Perandorisë Otomane, më 1852 u njoh nga Stambolli principatë me rreth 5 mijë kilometra katrore. Më 1878 iu njoh pavarësia nga Kongresi i Berlinit në një sipërfaqe tashmë dy herë më të madhe. Më 1913, kur merrte formën e tij përfundimtare, ai do të kishte një sipërfaqe pothuaj të trefishuar.

Mali i Zi u zgjerua gjerësisht në territoret shqiptare, përfshirë bregdetin nga Ulqini deri në Tivar, në kufi me Kroacinë e sotme si dhe një numër të madh krahinash të brendshme shqiptare: Plavë e Guci, Hot e Grudë, Kuç e Krajë e tjerë.

Shqipëria mori pavarësinë më 1912. Më 1913 u reduktua në një të tretën e sipërfaqes së saj, duke ia njohur një territor prej 28 748 kilometrash katrore. Kështu ajo humbi dy të tretat e territoreve të saj.

Këto janë shtetet që dolën nga shpërbërja e Perandorisë Otomane, proces i cili, siç e pamë zgjati rreth një shekull dhe që përfundoi në fillim të Shekullit XX.

Harta politike e rajonit tonë ndryshoi disa herë në procesin e lindjes dhe zgjerimeve të Greqisë, shtetit të parë të dalë nga Perandoria Otomane në shpërbërje.

Disa herë harta e rajonit ka ndryshuar pas vitit 1861, kur Rumania bëhej shteti i dytë që dilte në këtë kuadër historik.

Kongresi i Berlinit e rindërtoi në masë të madhe hartën politike të rajonit tonë.

Ndryshime të tjera në hartën politike të rajonit ndodhën në prag të Luftës së Parë Botërore. Të tjera ndryshime ndodhën pas mbarimit të saj.

Një valë tjetër ndryshimesh ndodhën pas Luftës së Dytë Botërore.

Ndryshimet e fundit ndodhën pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, ai vinte nga shpërbërja e Jugosllavisë.

Pra, harta politike e rajonit tonë, në rreth dy shekujt e fundit, ka pësuar dhjetëra herë ndryshime, ndoshta më shumë se çdo rajon tjetër në botë.

Për të kuptuar me rrënjë nocionin ‘ballkanizëm’ është e mjaftueshme të kuptosh logjikën e tri luftërave ballkanike. Ajo që e shkrepi Mali i Zi më 8 nëntor 1913, në Lufën e Parë Ballkanike, si aleancë të shenjtë gjoja kundër Perandorisë Otomane, në fakt kundër shqiptarëve, përfundoi në armiqësi nga më të përbindshmet mes aleatëve grekë, serbë, bullgarë e malazezë.

Bash në këtë kontekst lindi edhe sinonimi tragjik i rajonit tonë “Fuçi baruti e Evropës”. Enciklopeditë shpjegojnë: “Fuçia e barutit e Evropës i referohet Ballkanit në fillimet e hershme të Shekullit XX në prag të Luftës I Botërore. Në këtë periudhë kohore kishte një numër pretendimesh për territore dhe sfera influence mes fuqive të mëdha evropiane si Rusia, Austro-Hungaria, Perandoria Gjermane, dhe në një masë më të vogël Perandoria Otomane, Britania e Madhe dhe Italia.

Në kuadrin e ambicjeve dhe interesave imperialiste për të krijuar shtete të “mëdha”, çka është zgjerim i kufijve të shteteve përtej hapësirave ku grupet etnik ishin në shumicë. Kjo çoi në konflikt midis shteteve të reja të pavarura dhe perandorisë na dolën. Perandorisë Otomane. Më tej, kjo çoi në mospajtime mes shteteve të Ballkanit të cilët donin të marrin territore në dëm të fqinjve të tyre. Konflikit me Perandorinë dhe midis shteteve të Ballkanit çuan në Luftërat e Ballkanit të viteve 1912-1913.

Në qarqe të ndryshme, ideologjia e Pan-Sllavizmit në Ballkan fitoi popullaritet, lëvizja e përhapur gjithandej rajonit kërkoi të bashkoijë të gjithë sllavët e Ballkanit në një shtet, Jugosllavi. Kjo, gjithsesi, nënkuptonte bashkimin e disa shteteve dhe të territorit që ishte pjesë e Austro-Hungarisë. Për këtë arsye, Pan-Sllavizmi u kundërshtua me forcë nga Austro-Hungaria dhe u mbështet nga Rusia e cila e shikonte veten si lidere të shteteve sllave.

Për t’i ndërlikuar gjërat, në vitet në prag të Luftës së Parë Botërore, ekzistoi një përfshirje e vetë aleancave të Fuqive të Mëdha, zyrtarisht e jozyrtarisht njëherësh, publike dhe sekrete. Pas mbarimit të Luftërave Napoleonike kishte ekzistuar një “ekuilibër force”, në teori, për të parandaluar luftërat e mëdha. Kjo teori kishte parasysh se kundërshtimi i ndërthurjes së fuqive në Evropë do të ishte shumë më i frytshëm ngaqë çdo luftë e përgjithshme do të ishte tejet e kushtueshme për çdo shtet që rrezikonte të hynte në luftë. Ky sistem filloi të bjerë pasi Perandoria Otomane, e cila ishte shikuar si pengim i fuqisë ruse, nisi të shkatërrohet, dhe teksa Gjermania, e cila kishte qenë konfederatë e lirë e shteteve të vogla, ishte bashkuar në një fuqi të madhe. Jo vetëm këto ndryshime por edhe interesat çuan në këtë ri-rreshtim të fuqive.

Të gjithë këta faktorë, dhe shumë të tjerë, intriguan përgatitjen e Luftës së Parë Botërore. Siç parakuptohej nga emri “fuçi baroti e Evropës”, Ballkani nuk ishte çështja kryesore për t’u zgjidhur në luftë, por ishte më shumë katalizatori që çoi në përplasje. Kancelari i Gjermanisë në fund të Shekullit XIX, Otto von Bismarck, me saktësi parashikoi se ai do të ishte burim i konfliktit të madh në Evropë.

Fuçia e barotit “shpërtheu” duke shkaktuar Luftën e Parë Botërore, e cila filloi me një konflikt mes Austro-Hungarisë perandorake dhe Serbisë pansllave. Arqiduka Franc Ferdinand, një pjesëtar i familjes mbretërore austriake, u vra nga një serb i Bosnjës, një anëtar i lëvizjes Rinia e Bosnjës. Austro-Hungaria pasaj ia dha një ultimatum Serbisë me qëllim që të provokojë luftën nëpërmjet kërkesave ekstreme. Qeveria serbe i pranoi të gjitha kushtet e ultimatumit, përveç kushtti numër gjashtë ku kërkohej përfshirja e Austro-Hungarisë në hetimin gjyqësor të Serbisë për vrasjen.

Serbia tha se kjo do të ishte jokushtetuese dhe dhunim i sovranitetit të saj, dhe Austro-Hungaria e përdori këtë si një casus belli për ta pushtuar Serbinë. Duke pasur mbështetjen e plotë të Gjermanisë, Austro-Hungaria e mobilizoi pjesërisht ushtrinë e saj kundër Serbisë, e cila tashmë kishte filluar mobilizimin e ushtrisë para se t’i përgjigjej ultimatumit austrohungarez të korrikut. Rusia pastaj filloi mobilizimin e forcave në mbështetje të Serbisë, ndonëse nuk ishte e detyruar nga ndonjë traktat për këtë. Falë sistemit të aleancave evropiane, kjo çoi në një varg përshkallëzimesh të mobilizimeve ushtarake austriake dhe ruse, dhe vijimisht edhe Britania dhe Franca u detyruan të mobilizoheshin dhe të deklaronin luftë.”

Në këtë kontekst do parë edhe Traktati i Fshehtë i Londrës i nënshkruar mes Antantës Tripalëshe dhe Italisë më 26 prill 1915 nga Britania, Franca, Rusia dhe Mbretëria e Italisë. Ndër të tjera, Traktati iu jepte fqinjve tokësorë dhe fqinjes detare territoret e Shqipërisë, të njohura nga Konferenca e Ambasadorëve më 29 korrik 1913, duke e katandisur Shqipërinë në një ngastër toke midis Semanit dhe Matit, territor i cili, sipas nënshkrueseve, do të mbetej nën protektoratin e Italisë. Traktati duhej të mbahej sekret, por pas Revolucionit të Tetorit në Rusi, atë e botoi Leon Trocki në Izvestia në nëntor 1917.

Traktati i Fshehtë i Londrës u azerua nga Traktati i Versajës. 14 pikat e famshme të Presidentit Uillson përmbanin një numër klauzolash që argumentonin vetëvendosjen etnike ose kombëtare dhe kundër Traktatit të Fshehtë të Londrës. Pika 11 iu kërkonte Serbisë dhe Malit të Zi të largoheshin nga territoret e pushtuara dhe këto territore t’i ktheheshin Shqipërisë. Presidenti Uillson tha se Traktati i Londrës, i arritur në fshehtësi, nuk është i vlefshëm. Dhe kërkoi që caktimi i kufijve të bëhet nga popullsitë banuese e jo nga faktorët e jashtëm. Fqinjtë tanë u zemëruan me fuqitë evropiane nënshkruese të Traktatit të Fshehtë të Londrës, pse e pranuan Traktatin e Versajës, duke i shpallur ata tradhtarë.

Në këtë nënkapitull do përmendur se gjatë gjithë procesit të shpërbërjes së Perandorisë Otomane, askush nga politikanët apo mediat nuk e ka përmendur termin ‘Ballkan’, as historigrafia për këtë proces nuk e përmend askund këtë term. Ky proces është quajtur ‘Çlirimi i Kombeve, Kriza e Çeshtjes Lindore” dhe kufizimi i saj është mes viteve 1804-1920.



NGA BALLKANIZIMI TEK BOSNJËZIMI



Modeli i sotëm i bosnjëzimit u parapri nga ai i ndarjes së brendshme të Jugosllavisë komuniste, proces që mbaroi më 1974. RFSJ u nda në tetë njësi, nga këto gjashtë ishin republika dhe dy ishin krahina autonome. Kjo ndarje, nga pikëpamja kombëtare, u bë në dëm të shqiptarëve, të cilët ishin të tretët për nga numri në federatë, pas serbëve dhe kroatëve. Territoret shqiptare dhe popullsia shqiptare do të shpërndahej kështu nëpër katër njësi të federatës – Krahinën Autonome të Kosovës, në Republikën e Maqedonisë, në Republikën e Malit të Zi dhe në jug të Republikës së Serbisë.

Nga pikëpamja religjioze, kjo ndarje do të bëhej në dëm të myslimanëve, të dytët në numër pas ortodoksëve. Myslimanët në RSFJ do të ndaheshin në pesë njësi të federatës – në Republikën e Bosnjës, në Krahinën Autonome të Kosovës, në Republikën e Maqedonisë, në Republikën e Malit të Zi, në Republikën e Serbisë.

Shpërbërja e Jugosllavisë, miniperandori e cila ishte krijuar nga shpërbërja e dy perandorive, asaj Otomane dhe asaj Austrohungareze, solli tejskajin tjetër të ballkanizimit – bosnjëzimin e rajonit.
Kroacia mori autonominë nga Perandoria Austrohungareze më 1868. Pas Luftës së Parë Botërore, më 1918, iu bashkua Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, e cila prej vitit 1921 mori emrin Mbretëria e Jugosllavisë. Më 1991 mori pavarësinë nga Jugosllavia.

Sllovenia, pjesë e Perandorisë së Austrohungarisë, mori pavarësinë më 1918 dhe e dorëzoi atë menjëherë në kuadrin e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene.

Maqedonia është term i formuar vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, nga Tito, mori pavarësinë nga Jugosllavia më 1991. Për territorin dhe popullsinë sllave është përdorur më parë vetëm ose kryesisht termi territore bullgare dhe popullsi bullgare.

Pjesa tjetër e territorit dhe popullsisë janë territore shqiptare dhe popullsi shqiptare.

Bosnja, pjesë kryesisht e Perandorisë së Austrohungarisë, mori pavarësinë më 1918 për t’u përfshirë menjëherë në Mbretërinë Serbo-Kroato-Slllovene. Më 1992 mori pavarësinë dhe u pushtua menjëherë nga Serbia. Më 1995 Marrëveshja e Dejtonit e pushoi luftën dhe Bosnja u nda në dy njësi të mëdha, Republikën Serbe dhe Federatën Kroato-Boshnjake. Kjo e fundit përbëhet nga dy njësi, atë kroate dhe atë boshnjake. Republika Serbe qeveriset nga Serbia. Pjesa kroate e Federatës Kroato-Boshnjake qeveriset nga Kroacia, ndërsa pjesa boshnjake kryesisht qeveriset nga bashkësia ndërkombëtare.

Kosova, shteti i fundit i dalë nga shpërbëja e Jugosllavisë, u shpall e pavarur nga Serbia më 1990. Më 2008 u bë zyrtarizimi i pavarësisë së saj. Kosova e sotme është një e treta e vilajetit të Kosovës, një nga katër vilajetet e Shqipërisë gjatë kësaj perandorie.

Ndërkohë bosnjëzimi po praktikohet në Kosovë si para edhe pas shpalljes zyrtare të pavarësisë, ku veriu i vendit dhe territoret e brendshme të Kosovës qeverisen nga Serbia.

E njëjta dukuri e kërcënon edhe Maqedoninë, ku hapësira shqiptare dhe popullsia shqiptare, zyrtarisht e dyta në vend, është krejtësisht e përjashtuar në shtetin e uzurpuar nga sllavët.



BALLKANIZIMI – PJELLË E ZHVENDOSJEVE DHE SHFAROSJEVE MASIVE ETNIKE



Kjo dukuri u shënua për herë të parë në vitet 1776-1778, kur Bullgaria nga raporti 60% me 40% në favor të popullsisë turke, e përmbysi këtë raport në favor të popullsisë bullgare.

Më 1778 do të ndodhte ndërkohë zhvendosja e parë masive dhe shfarosja e parë masive etnike e shqiptarëve. Sanxhaku i Nishit me 600 fshatra dhe shumë qytete shqiptare do të zbrazej me dhunë nga ushtria e Serbisë.

Më 1920 do të ndodhte zhvendosja tjetër e madhe e popullsisë në kuadrin e shkëmbimit të tyre midis Turqisë dhe Greqisë. Këtë e impononte Traktati i Lozanës i vitit 1920 midis palëve ndërluftuese dhe fuqive të mëdha evropiane. Në mbarim të konfliktit që e filloi Greqia, i cili u pasua me kundërmësymjen e Turqisë, traktati detyronte që popullsia greke të zhvendosej nga brigjet perëndimore të Azisë së Vogël dhe të vendosej në pjesën kontinentale të Greqisë, prej nga do të zhvendoseshin masivisht për t’u vendosur në brigjet perëndimore të Azisë së Vogël popullsitë myslimane, kryesisht ato shqiptare. Nga ky konflikt e pësoi edhe popullsia bullgare e cila do të zhvendosej nga Traka për në Bullgarinë e Sotme dhe Maqedoninë e sotme.

Në të njëjtin kuadër do të ndodhnin shpërnguljet masive të popullsive myslimane, kryesisht shqiptare nga Jugosllavia në mes dy luftërave botërore dhe pas Luftës së Dytë Botërore deri diku nga vitet gjashtëdhjetë.

Të përmasave të mëdha ishin edhe zhvendosjet dhe shfarosjet masive të popullsisë gjermane nga Vojvodina dhe të popullsisë italiane nga perëndimi i Kroacisë, të cilat u realizuan nga Tito.
E kësaj kohe është zhvendosja masive dhe masakra ndaj popullsisë shqiptare çame nga trojet e saj më 1944.

Gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë u bë zhvendosja dhe shfarosja masive e boshnjakëve nga ana e makinerisë gjakatare të Millosheviçit dhe Sheshelit. Kjo makineri realizoi edhe spastrimin e mëtejshëm etnik të Vojvodinës në dëm të hungarezëve dhe të tjerëve.

Kështu shtetet e Ballkanit do të lindnin dhe do të konsolidoheshin mbi territore të huaja. Pothuaj tërësisht mbi territore shqiptare do të lindte dhe do të konsolidohej Mali i Zi modern. Ndërkohë që Mali i Zi tradicional shtrihej kryesisht në jugun e sotëm të Bosnjës dhe në veriun e sotëm të Malit të Zi, në atë që rëndom quhet Hercegovinë e Moçme.

Kryesisht mbi territoret shqiptare do të lindte dhe synon të konsolidohet Republika e Maqedonisë. Vetë kryeqytet, Shkupi, deri më 1962 banohej në shumicë nga shqiptarët. Po kështu Manastiri dhe pjesa e vilajet me emrin e tij që shtrihej në këtë republikë pothuajse është zbrazur tërësisht nga shqiptarët.

Edhe Republika e Serbisë shtrihet në pjesë të madhe të saj në territore shqiptare, siç janë Sanxhaku i Nishit dhe Sanxhaku i Tregut të Ri (Novi Pazarit).

Krahas zhvendosjeve masive, shfarosjeve masive, popullsitë e diskriminuara në Ballkan, në radhë të parë shqiptarët i janë nënshtruar fuqimisht asimilimit të dhunshëm.

Shfaqja më flagrante e strategjisë së zhvendosjeve dhe shfarosjeve etnike ishte pranvera e vitit 1999 kur makineria e luftës e Millosheviçit dhe Sheshelit përzuri nga Kosova 1 milionë shqiptarë, vrau, masakroi, përdhunoi dhjetëra mijë shqiptarë.



BALLKANIZIMI – PJELLË E RRËNIMEVE TË TRASHËGIMISË ROMAKE, BIZANTINE DHE OTOMANE



Përveç kulturave vendëse të herëshme, Ballkani ruante trashëgimi tejet të pasur të kulturave romake, bizantine dhe otomane.

Perandoria Romake qëndroi disa shekuj në Ballkan. Në Shekujt IV-V, ndarja e saj në Perëndim dhe Lindje solli kufirin e saj lindor në gadishullin tonë, përkatësisht në territoret tona, Ilirinë e asaj kohe. Gadishulli për herë të parë ndahej në ortodoksë dhe katolikë. Kjo ndërthurje dhe kjo bashkëjetesë do të pasqyrohej edhe në infrastrukturën e komunikacionit, të ndërtimit, të jetës qytetëse dhe asaj rurale në gadishullin tonë.

Perandoria Otomane e ruajti dhe e zhvilloi atë trashëgimi që gjeti nga Bizanti. Dëshmia më domethënëse është prania e qendrës botërore të Kishës Ortodokse në kryeqytetin e Perandorisë, njëkohësisht edhe sot metropolin më të madh të rajonit tonë, Stamboll.

Janë shënuar përshtatje të trashëgimisë romako-bizantine nga ana e Perandorisë Otomane por nuk janë shënuar rrënime të kësaj trashëgimie.

Pas shpërbërjes së Perandorisë Otomane, në shtetet që lindën e u konsoliduan në Ballkan, në emër të çrrënjosjes së trashëgimisë otomane u bë edhe një çrrënjosje e trashëgimisë romake dhe bizantine.

Kjo nuk ka ndodhur ndaj trashëgimisë romake dhe bizantine në asnjë rajon tjetër postromak apo postbizant.

Kjo e dëmtoi rëndë, pothuaj e kompometoi një ekzotikë kaq të rrallë në kulturën evropiane dhe botërore, siç është gadishulli ynë.

Në studimin e tij të gjatë monografik të vitit 2000, “Të shkruash dhe të rishkruash historinë në kontekstin e nacionalizmave ballkanas”, historiani grek Panayote Elias Dimitras, shkruan se ‘memoricidi’ është në bazën e të gjithë historisë moderne të gadishullit. Bashkë me pushtimet, me ndryshimet e hartave ka ardhur edhe zhdukja dhe manipulimi sa më ekstrem i çdo gjurme të mëparshme të pranisë së një popullsie, të një kulture. Dimitras shkruan se, punë e parë, Greqia u vuri me detyrim mbiemrave të sllavëve prapashtesën -pulos, Bullgaria u vuri me detyrim mbiemrave të turqve prapashtesat -ov, -ovski, -oviç. Të njëjtën praktikë ndoqën Mali i Zi, Serbia, më vonë Maqedonia ndaj shqiptarëve.



PESHA E BALLKANIT NË PERANDORINË ROMAKE, BIZANTINE DHE OTOMANE



Historiani Leonard Bushkoff bënte një konstatim tejet të saktë: “Sistemi karakteristik më mbizotërues i Ballkanit deri në shekullin e kaluar (XIX, shënimi im ) nuk ishte shteti kombëtar as principatat, por perandoria shumëkombëshe dhe shumë religjioze.”

Deri në Shekullin III para Krishtit gadishulli ynë ishte pjesë e perandorive të Filipit II dhe Aleksandrit të Madh, ku, natyrisht, kishte peshë të madhe, qendrore. Nga ky shekull ai bie nën Perandorinë e Romës. Mbivendosur ndaj antikitetit grek, kjo solli lindjen e antikitetit latin, kulturë dhe qytetërim që pastaj do të përhapej pothuaj në gjithë Evropën, Afrikën e Veriut, Lindjen e Mesme dhe Azinë e Vogël.

Në Shekullin IV pas Krishtit do të bëhej ndarja më dysh e perandorisë. Gadishulli ynë do të përfshihej në Perandorinë e Lindjes ose Perandorinë e Bizantit, përveç pjesës veriperëndimore, ku përfshihej edhe veriu i shqiptarëve, e cila do të mbetej nën Perandorinë e Perëndimit. Edhe në Bizant, i cili do të shtrihej edhe në Afrikën e Veriut, Lindjen e Mesme, Azinë e Vogël, gadishulli ynë do të kishte peshën kryesore.

Në Shekullin XIV në gadishull erdhën otomanët. Të parët do të binin nën perandorinë e re bullgarët, pastaj serbët dhe grekët. Në fund të Shekullit XV do të binin edhe shqiptarët e, më në fund, rumunët. Përkohësisht do të binin nën otomanët edhe pjesa më e madhe e hungarezëve.

Deri në shekujt V-VI gadishullin tonë e popullonin grekët e lashtë në jug, trakët dhe dakomyzët në lindje dhe ilirët, të cilët zinin gjithë pjesën qendrore dhe perëndimore të gadishullit, çka bëri që ky të quhet më së hershmi Gadishulli Ilirik.

Vendësit e deriatëhershëm të rajonit e mbrojtën me stoicizëm të pashoq veten dhe kontinentin nga supërfuqitë e kohërave, që nga persianët, arabët, deri edhe mongolët e tartarët, duke bërë kështu të mundur lindjen e Evropës dhe evropianitetit.

Sllavët u vendosën dhe u konsoliduan në gadishull diku nga Shekulli XI.Do të vinin si të ftuar nga perandorët e Bizantit, të cilët gjatë gjithë historisë gati njëmijëvjeçare do të ishin të zënë me zgjerime në Lindje dhe Perëndim, me konflikte të brendshme, me sfida të panumërta. Në këtë kontekst lindën dhe u kulmuan edhe ambicjet pushtuese sllave, më herët ato bullgare e më vonë ato serbe, sidomos në Stefan Dushanin. Këto ambicje do ta tronditnin me rrënjë Bizantin. Krahas vërshimeve të fiseve barbare gote, ostrogote e të tjera, krahas kryqëzatave ato do të përbënin goditjen vendimtare ndaj Perandorisë së Bizantit. Në një nga këto periudha, Bizanti filloi edhe aleancën me fiset osmane, të cilët do të ndihmonin në stabilizimin e brendshëm të Perandorisë. Gjatë këtyre aleancave, osmanët do të parapërgatitnin pushtimin e gadishullit duke synuar edhe pushtimin e Evropës.

Për këto dhe arsye të tjera, improvizimi më 1389 në Fushën e Kosovës ishte i destinuar të dështonte.

Perandoria Otomane do të ishte vazhdimësie mirëfilltë e natyrshme e Perandorisë Bizantine dhe do të përhapej pothuaj në të njëjtën hapësirë. Ajo do të shfrytëzonte traditat e perandorisë së mëparshme, njëkohësisht aftësitë dhe talentet e gadishullit tonë. Rëndom shqiptarët akuzohen dhe fajësohen kryesisht nga fqinjtë e tyre se ishin më të privilegjuarit e kësaj perandorie. Shqiptarët, në fakt kishin peshë të madhe në administratën, në ushtrinë dhe diplomacinë e perandorisë. Por nuk kishin peshë më të vogël në këtë perandori fqinjtë e shqiptarëve.

Grekët do të kishin dy shtylla të rëndësishme në këtë kontekst, Fanarin dhe Patriarkanën, të dy të qendërsuar në Stamboll, në kryeqytetin e Perandorisë. Fanari, lagjia aristokratike greke e Stambollit, do të nxirrte këshilltarët kryesorë të Portës së Lartë deri në vitin 1821, kur do të dilte në pah roli i tyre në nxitjen dhe përkrahjen ndaj kryengritjeve greke për pavarësi.

Siç shkruajnë vetë historianët grekë, më 1900 në Stamboll jetonin mbi 300 000 grekë.

Edhe serbët, malazezët, bullgarët, rumunët do të gjenin mënyrat e tyre për të ndikuar në Portën e Lartë. Tre armiqtë më të mëdhenj të Perandorisë Otomane, Venediku, Austro-Hungaria dhe Rusia, e shtrënguan vazhdimisht Portën e Lartë për të zhvilluar autonomi të shkallëve të caktuara, të shpallura dhe të pashpallura, brenda Perandorisë dhe për të pasur ndikimin e tyre në rrije në Portën e Lartë.

Karakteristike është se fqinjtë tanë ndikimin e tyre e përdorën jo vetëm në të mirën e tyre por edhe në dëmin e shqiptarëve. Në një kohë që bënin gjithçka për zgjimin e tyre kombëtar, Fanari dhe Patriarkana, për shembull, ishin kundërshtarët kryesorë të zgjimit tonë kombëtar, të përhapjes së librave shqip, të shkollës shqip dhe të kulturës shqiptare.

Përballë këtij realiteti, shqiptarët duket se u ndodhën të zënë ngushtë mes kundërthëniesh të panumërta. Kjo e vërtetë u pasqyrua në fatin e tyre të veçantë gjatë dhe pas shpërbërjes së Perandorisë Otomane.

Gadishulli ynë do të bëhej edhe djepi i përçarjes së parë të madhe religjioze çka do të mbante gjithnjë aktive vorbullën e konflikteve në rajon. Në Shekullin IV do të fillonte ndarja e kishës, në atë perëndimore dhe atë lindore. Kjo ndarje do të vazhdonte deri në Shekullin XII, kur do të bëhej përfundimtare. Kështu rajoni ynë do t’i përkiste kryesisht Kishës Ortodokse dhe do të bëhej qendër dhe përhapës i ortodoksisë në botë nëpërmjet kryeqendrës së saj, siç e thamë, në Stamboll, Patriarkanës.

Kisha Katolike do të kishte praninë e saj vetëm në veriperëndim të gadishullit. E theksoj përsëri ajo do të mbijetonte, në mënyrën më mbinjerëzore vetëm në Shqipëri.

Nga Kisha e Konstadinopojës (përkatësisht Stambollit) do të merrnin fenë ortodokse bullgarët dhe serbët, më vonë edhe rumunët, tashmë të latinizuar.



VULA E RUSISË DHE FUQIVE EVROPIANE NË ZHVILLIMET E RAJONIT



Historia moderne e rajonit tonë, përkatësisht e më së dy shekujve të fundit, mban vulën e faktorëve të jashtëm, kryesisht të Rusisë dhe të fuqive evropiane.

Kryengritjet e para greke në fund të Shekullit XVIII kishin nxitjen dhe përkrahjen e Rusisë, e cila themeloi edhe lëvizjen indipedentiste Eteria. Më 1821 Aleksandër Ypsilanti, anëtar i saj dhe këshilltar i carit Aleksandër I të Rusisë, u përpoq të nxiste kryengritjen edhe në Rumani dhe prej andej në gjithë gadishullin. Atë e la në baltë Rusia, e cila kishte premtuar se këtë kryengritje do ta shoqëronte me ndërhyrjen e saj, çka nuk ndodhi. Kjo e detyroi Ypsilantin të hiqte dorë nga projekti. Në vitet e mëvonshme përkrahja britanike frymëzoi shpalljen e pavarësisë (1822) dhe njohjen e saj me protokollin e Londrës (1830). Më 1832 Greqia do të kishte monarkun e parë evropian të saj. Otto I i Bajernit (gjerman) do të pasohej më 1862 nga Gjergji I danez. Më 1920 Greqia do të sulmonte ushtarakisht Turqinë për të pushtuar rajonet që ajo kërkonte të aneksonte. Turqia realizoi kundërmësymje të fuqishme dhe Greqia pësoi një humbje shkatërrimtare. Vetëm ndërhyrja diplomatike e fuqive evropiane të kohës, nëpërmjet Traktatit të Lozanës, e shpëtoi Greqinë. Në Luftën e Dytë Botërore Greqia hynte me një regjim fashist (Metaxàs, 1936-1941). Vetëm roli vendimtar i Britanisë do të përcaktonte që Greqia të mos përfshihej në kampin sovjetik. Megjithatë, edhe sot e kësaj dite, ajo mbetet e përfshirë nga përplasjet ideologjike monarkiste, filofashiste, komuniste, proruse e nacionaliste ekstreme, nga njëra anë, dhe atyre republikane, liberale demokratike, proevropiane e properëndimore, nga ana tjetër, çka e bën edhe në ditët tona vendimtar rolin e faktorëve të jashtëm.

Bullgaria e fillon historinë e saj moderne më 1878 si protektorat rus. Në Luftën e Dytë Botërore është aleate e Gjermanisë. Më 1945 përfshihet në kampin sovjetik deri në mbarimin e Luftës së Ftohtë.

Për shekuj të tërë, gjatë periudhës otomane, serbët patën përkrahjen e gjithanshme të Perandorisë së Austrohungarisë për ruajtjen e identitetit kulturor, gjuhësor dhe religjioz. Mbështetja e saj ndaj Karagjorgjeviçëve dhe Obrenoviçëve (deri në shfarosjen e plotë të këtyre të fundit më 1903) ishte shumë e kushtueshme për të, pasi rivaliteti midis dy familjeve vazhdoi edhe pasi Kongresi i Berlinit ia njohu autonominë Serbisë. E nxitur nga Rusia, Serbia më 1876 do të hynte në luftë kundër otomanëve. Ajo do të pësonte disfatë të rëndë, çka e detyroi Rusinë të përfshihej vetë në luftimet që çuan në disfatën otomane, Traktatin e Shën Stefanit dhe pastaj në Kongresin e Berlinit, Më 1914 ishte Serbia që, e shtyrë nga Rusia, nëpërmjet atentatit ndaj trashëgimtarit të kurorës, Princit Ferdinand, e detyroi Austrohungarinë t’i shpallte luftë Serbisë, çka solli ndërhyrjen e premtuar të Rusisë dhe shpërthimin e Luftës së Parë Botërore. Për të kënaqur ambicjet territoriale të Serbisë, fuqitë evropiane, me mbarimin e luftës krijuan Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene (1921), më vonë Jugosllavi (1929) nën Karagjorgjeviçët, Republika Federale Socialiste Jugosllave (1845), Serbi-Mal i Zi (2003).

Jugosllavia u shndërrua në laboratorin më të sofistikuar të urrejtjeve ndërnacionale, ndërfetare, ndërnjerëzore. Rajoni ynë trashëgoi ndoshta një hipokrizi të paparë nga e kaluara bizantike dhe otomane, por hipokrizia e shoqërisë jugosllave mbetet më e pashembullta, më e paskrupullta në gjithë historinë e shoqërisë njerëzore. Socializmi jugosllav, i hapur ndaj botës, i sponsorizuar sa nga Perëndimi, sa nga Lindja do të jepte frytet më të përbindshme dhe më të papërfytyrueshme. Zhvillimet e atjeshme janë simbol i pafuqisë së bashkësisë ndërkombëtare në rajonin tonë pikërisht për shkak të traditës së gjatë të përfshirjes së Rusisë dhe fuqive evropiane në rajon.

Kroatët, me një histori të veçantë të sundimeve të huaja, përfshirë atë otoman (1527-1603), pas vitit 1830, e frymëzuar nga nacionalizmi i quajtur ilirizëm, filloi lëvizjen për pavarësi. Më 1868 Austrohungaria ia lejoi njëfarë autonomie. Më 1918 hyri në Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene. Më 1991 shpalli pavarësinë nga Jugosllavia.



‘BALLKANI’ – NËNKONTINENTI I EVROPËS



‘Ballkani’ është sa një e dhjeta e kontinentit të Evropës. Pozita gjeografike është më strategjikja, trashëgimitë historike më të veçantat, me pasuri të jashtëzakonshme natyrore, me dalje në shumë dete, me një vijë bregdetare mijëra e mijëra kilometra tejet të larmishme nga çdo pikëpamje, me disa nga liqenet më të mëdha të kontinentit, me një rrjet lumor që e përshkon rajonin gjithandej, me vargmalet që janë vazhdim i Alpeve Evropiane, si Dinariket, Alpet Shqiptare, deri Malet e Greqisë, me ishujt e shumtë të deteve, sidomos Adriatik, Jon dhe Egje e tjerë, e tjerë, me klimat e larmishme nga ato subtropikale deri tek ato kontinentale, me fushat pjellore, me konfiguracionet e pafundme. Të gjitha këto e plot veçori të tjera të panumërta i japin rajonit tonë mundësi të pakufizuara për zhvillim dhe përparim.

Në mbarim të Luftës së Ftohtë dhe të konflikteve që pasuan ky rajon trashëgoi një infrastrukturë që nuk e lejon zhvillimin, që i pengon investimet e mëdha. Si rajon, ai do të përmbushte çdo etje të çdo investitori të madh për të realizuar projekte gjigante. Si vende më vete, asnjëri prej tyre nuk e kënaq asnjë investitor. Si klimë politike askush nuk guxon të fantazojë për mrekullira.

Jugosllavia, vendi ku u derdhën miliarda të pafundme gjatë Luftës së Ftohtë, nuk pati infrastukturë me asnjërin prej vendeve fqinje, përveç Greqisë. Ajo derdhi pa kursim për autostradën Beograd-Athinë, për hekurudhën Beograd-Tivar, për makinerinë ushtarake, nga më të kushtueshmet e kohës e tjerë, por gjithçka u kufizua brenda saj. Luftërat që e shoqëruan shpërbërjen e federatës shkatërruan shumëçka edhe nga ajo që u trashëgua.

Pranvera e vitit 1999, kur kulmohej Lufta e Kosovës dhe NATO kërkonte të shfrytëzonte infrastrukturën e rajonit për të përzënë makinerinë millosheviçiane të luftës e nxorën në pah mungesën e plotë të kësaj infrastrukture. E vetmja pikë nga mund të depërtohej në pjesët e brendshme të gadishullit ishte porti grek i Selanikut dhe autostrada për në Beograd, e vetmja, siç e përmenda, që mund të lidhë natyrshëm dy vende të rajonit. Në rrethana normale, për shembull, porti më i afërt duhej të ishte Durrësi. Ishte kërkesë e NATO-s edhe ndërtimi i Rrugës së Kombit që do të lidhte Shqipërinë me Kosovën.

E kësaj kohe është një lidhje me video e presidentit italian Carlo Azeglio Ciampi me ushtarakët italianë të pranishëm në Shqipëri për të ndihmuar vendin që të dalë nga kriza e vitit 1997. Ai kishte qenë ushtar, më vonë partizan, në Shqipëri dhe i pyeste italianët nëse kishte ndryshime të infrastrukturës rrugore në këtë vend në krahasim me Luftën e Dytë Botërore. Oficerët iu përgjigjën: Jo, zotëri President, Shqipëria ka mbetur me ato rrugë kombëtare që ia ka ndërtuar Italia para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në këtë periudhë u shpallën një mori koridoresh dhe projektesh që do ta lidhnin rajonin me Evropën dhe me hapësirat rrotull tij, por kapaciteti infrastrukturor i rajonit mbetet pothuaj i njëjtë, mbeten pothuaj të njëjta kapacitetet rrugore, hekurudhore, portuale, aeroportuale. Pra, rajonit i mungon infrastruktura fizike, e cila është alfa e çdo zhvillimi. Infrastrukturat e tjera, të gjitha, pa përjashtim, mbështeten në infrastukturën fizike dhe pa të nuk mund të kuptohen. Pa këto nuk mund të ketë infrastrukturë energjitike të integruar, të përparuar e moderne. Pa infrastrukturë energjitike nuk mund të ketë infrastrukturë ekonomike. Mbi të gjitha, nuk mund të ketë infrastrukturë të sigurisë. E kështu me radhë.

Këtë zbrazëtirë e plotësojnë dukuritë joformale, për të cilat infrastrukturë e infrastukturave është pikërisht mungesa e infrastukturave. Kjo sjell zhvillimin ishullor, në formë oazesh të rrethuara nga shkretëtirat zhvillimore, karatkeristike për vendet me mafie të zhvilluara.



SHKODRA – E FLIJUARA E BALLKANIZIMIT TË INFRASTRUKTURËS



Shembulli më tipik, më domethënës, më flagrant i trashëgimisë së derisotme të ballkanizimit të juglindjes së Evropës është Shkodra. Ky qytet i përjetshëm kishte infrastrukturë shumë më të favorshme derisa fuqitë e mëdha, më 1881, ia dorëzonin Malit të Zi Ulqinin dhe Tivarin. Qendër vilajeti, Shkodra e rrezatonte veten në gjithë hapësirën që sot është Mal i Zi, në gjithë veriun e asaj që sot është Republikë e Shqipërisë, deri në Rrafshin e Dukagjinit, në Republikën e sotme të Kosovës.

Shkodrën e favorizonte pozicioni natyror, në rrëzë të maleve të larta, ajo kishte pranë lumenj si Drini, Kiri dhe Buna. Kjo e fundit ishte e lundrueshme, çka bënte që nëpërmjet lumit, anije të tonazheve të vogla dhe të mesme të ankoroheshin në breg të këtij qyteti. Ballkanizimi i juglindjes së Evropës, nëpërmjet sajimit të Malit të Zi, bëri që lumi Buna të ndahej mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Kështu, përfundimisht, prej gati 150 vjetësh lumi Buna do të ishte vetëm teorikisht i lundrueshëm, praktikisht ai nuk ishte i tillë për arsye politike. Me kalimin e kohës, për arsye të mosmirëmbajtjes Buna mirëfilli do të humbiste lundrueshmërinë e saj, do të pushonte së shërbyeri si infrastrukturë tejet e rëndësishme për zhvillimin e Shkodrës dhe të asaj hapësire ku ajo kishte rrezatuar.

Liqeni i Shkodrës, më i madhi i Evropës Juglindore, një ndër më të mëdhenjtë e kontinentit, dikur një liqen nga më mahnitësit dhe më të gjallët, sot është një kënetë e vdekur, ku vazhdojnë të hidhen skorjet e një fabrike primitive të Prodgoricës, ku nuk ka më bimësi as faunë. I katandisur kështu, Liqeni i Shkodrës, dikur bashkë me Bunën, Drinin, Kirin dashuritë natyrore më të mëdha e bekimet më të mëdha të Shkodrës, tashmë janë përfundimisht armiqtë e saj më të mëdhenj natyrorë, duke e kërcënuar me përmbytje sistematikisht.

Evropianizimi i kësaj hapësire do të mundësonte që Liqeni i Shkodrës, i pastruar nga mbetjet industriale, i pastruar nga kënetëzimi, të bëhej përsëri një mrekulli infrasrukturore turizmi, komunikacioni, klime për Qarkun e Shkodrës, për pjesën qendrore të Malit të Zi, me ndikim edhe më të gjerë. Clirimi i lumit Buna nga kushtëzimet politike ndërshtetërore do të mundësonte që Bunës t’i rikthehej lundrueshmëria e dikurshme dhe po ashtu Liqenit të Shkodrës, çka do ta bënte Shkodrën një qytet port liqenor dhe njëherësh detar, një metropol të fuqishëm të turizmit. Kjo do të rikthente fuqishëm edhe industrinë e peshkimit në qytetin e Shkodrës dhe në të gjitha qytetet e qendrat e banimit që i lag ky liqen.

E kam trajtuar edhe tjetër herë me sa dhimbje klithëse e ndjente flijimin e Shkodrës dikur Gjergj Fishta. Ende pa u bërë temë qendrore e kohës se kush do të ishte kryeqyteti i vendit të pavarur, për t’ia kthyer Shkodrën përsëri plotësisht Shqipërisë dhe gjithë asaj hapësire që kishte filluar t’i mungonte ky qytet, Fishta këmbëngulte që Shkodra, kryeqyteti i famshëm dhe lavdiplotë ilir dhe arbër, të bëhej kryeqyteti i Shqipërisë. Kjo, theksonte Fishta, atëherë do të bënte që Shkodra të mos e humbiste rolin e saj, përkundrazi ta forconte dhe të ishte edhe më tej bastioni i fuqishëm antisllav në aspektin e rrezatimit të zhvillimit, përparimit, qytetërimit.



RIZBULIMI I ‘BALLKANIT’



Kriza greke e viteve të fundit e shpalosi të vërtetën se nënkontinenti në juglindje të Evropës është një gropë e madhe e pafundme që mezi pret investime ekonomike nga më të jashtëzakonshmet.
Politikat e veçanta evropiane ndaj vendeve të ‘Ballkanit’ nuk kanë dhënë deri sot rezultate. I vetmi vend i rajonit që nuk u përfshi në kampin sovjetik, Greqia, nuk ka shërbyer dot si vitrinë e Evropës në rajon. Proceset e pas Luftës së Ftohtë sollën anëtarësimin edhe të Bullgarisë e Rumanisë, si dhe Kroacisë e Sllovenisë në Bashkimin Evropian dhe NATO, pastaj anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Të fundit në këto procese kanë mbetur Serbia, Bosnja, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria, të ashtuquajturat vende të Ballkanit Perëndimor.

Bashkimi Evropian dhe Perëndimi në tërësi, krahas politikave të veçanta për secilin vend, duket se po përpiqen të kenë një politikë tërësore për këtë pjesë dhe për rajonin në tërësi. Megjithatë, më duket se ende nuk mund të flitet për një vizion. Ndoshta më shumë mund të flitet për një reagim ndaj rritjes së rolit të Rusisë, Turqisë, mbase edhe të Kinës në rajon. Secili nga këto tri fuqi e mbështetin praninë e tyre të shtuar tek infrastukturat e trashëguara nga e shkuara më e largët apo më e afërt. Kryesorja është se ato duket të ndihen më të motivuara, më të shpenguara dhe më të ambjentuara se Evropa, se Perëndimi në shtimin e pranisë dhe të rolit në ‘Ballkan’.

Projekti i parë me synim gjithpërfshirës pas mbarimit të Luftës së Ftohtë ishte Pakti i Detit të Zi. Pas mbarimit të Luftës së Kosovës, i fundit në Ish Jugosllavi, u krijua Pakti i Stabilitetit të Evropës Juglindore. Fillon kështu të përdoret një term që e afron rajonin me kontinentin e vet. Më vonë u krijua iniciativa për vendet e Evropës Juglindore dhe Qendrore (CEFTA). Kohët e fundit flitet për interesimin e veçantë të Gjermanisë dhe të vetë kancelares Angela Merkel për vendet e Ballkanit Perëndimor (Bosnja, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Shqipëria dhe Serbia).

Kohët e fundit lihet përshtypja se qendrat evropiane e kanë gjetur çelësin magjik të qetësimit të rajonit nëpërmjet fqinjësisë së mirë mes shqiptarëve dhe serbëve, sipas formulës evropiane të miqësisë së mirë mes gjermanëve dhe francezëve. Kjo e fundit, dihet, pas Luftës së Dytë Botërore, u bë promotor i integrimeve të suksesshme evropiane.

Dimitrije Tucoviç thoshte në kohën e tij: “Armiqësia e pakufishme e shqiptarëve kundër Serbisë është kryesisht rezultat real i politikave të qeverisë së Serbisë ndaj shqiptarëve.” Socialdemokrati serb, i cituar shpesh në kontekstin e marrëdhënieve serbo-shqiptare dhe të rajonit, kërkonte vendosjen e nje bashkëpunimi dhe reciprociteti mes fqinjve, duke e gjetur kështu zgjidhjen në një harmoni të simetrive. Përndryshe, sipas tij, kjo armiqësi do të bëhej bazë për faktorët e jashtëm të fuqishëm, me interesat më të mëdha në Ballkan. Natyrisht, harmoni të simetrive midis këtyre fqinjve mund të ketë vetëm me imponimin sistematik nga ana e faktorëve evropianë dhe perëndimorë me interesa transparente konstruktive në rajon.



LIDERIZMI ‘BALLKANAS’



Flitet këto kohë për nevojën e rajonit për të pasur politikanë të kalibrit gjithërajonal, pra për të qenë liderë të ‘Ballkanit’. Historia moderne e rajonit, në fakt, ka shembuj të ambicjeve të liderëve të ndryshëm për të përsëritur figurat e mëdha, të lashtësisë apo të mesjetës së rajonit, sundimtarë të mbarë rajonit apo edhe më gjerë. Të tilla ambicje ka pasur në fillimet e tij Aleksandër Ypsilanti, të tilla ka pasur Josip Broz Tito, i cili synonte një federatë ballkanike, një Bashkim Sovjetik të Ballkanit. Për këtë ai i tejkaloi autorizimet e fuqishme të dhëna nga Curçilli në rajon, i përbuzi edhe urdhërat e Stalinit. Por dështoi ngaqë nuk e përfshiu dot atje Greqinë. Nëse e arrinte bashkimin e Greqisë me federatën e tij, atëherë, pa asnjë vështirësi mund t’i përfshinte Shqipërinë dhe Bullgarinë, sepse Enver Hoxha dhe Gjergj Dimitrovi ishin pajtuar me Titon dhe duket mezi prisnin realizimin e projektit të tij. Një ambicje të tillë, në thelb e ka pasur edhe Sllobodan Millosheviçi.

Mallkimi i të gjithë liderëve ballkanikë është se ata kanë vuajtur nga ambicjet për protagonizëm, ndërkohë që nuk iu ndahet kurrë mallkimi për të mbetur gjithmonë figura episodike. Kanë vuajtur nga ambicjet për të bërë epokë, por kanë mbetur figura kalimtare. Kanë bërë gjithçka për ta zgjatur sundimin e tyre, por kjo vetëm sa i ka bërë më komikë, përveçse më të urryer.

Historia tregoi, për shembull, se as Shqipëria e Enver Hoxhës nuk u bë fanar i Evropës dhe i Botës me vetizolimin që eksperimentoi, as Jugosllavia e Titos nuk u bë dot udhëheqëse e proceseve botërore, por u bë shëmtia e botës. Edhe krahasimet e sotme me Evropën apo Botën nga liderët në Tiranë, Beograd apo gjetkë në rajonin tonë janë vetëm kllounada.

Fryrjet, kacagjelimet, siç do të thoshte Fishta, në krye të politikave të vendeve të ndryshme të ‘Ballkanit’ vetëm sa iu kanë sjellë telashe, vuajtje dhe tragjedi vendeve të tyre dhe pasoja të mëdha rajonit. Liderët ballkanas me ambicje rajonale apo përtejrajonale janë të dënuar për të mbetur episodikë. Vetëdijësimi për këtë do t’iu sillte vetëm të mira atyre, vendeve të tyre, rajonit. Aq më tepër në epokën e integrimeve rajonale, evropiane dhe perëndimore, në epokën e globalizmit. Më shumë se kujtdo në Evropë dhe në Botë, rajonit tonë i duhen politika dhe politikanë të përulur ndaj popujve e vendeve të tyre, të përkushtuar ndaj vuajtjeve të tyre dhe të vendosur për të çuar përpara shtetin ligjor, sigurinë, lirinë, mirëqenien në vendet dhe shoqëritë e tyre e në rajon. Vetëm kështu do t’iu shërbejnë jo vetëm kauzave të vendeve të tyre, por edhe kauzave evropiane e atyre perëndimore, për çka do t’iu ishte vërtet mirënjohëse edhe historia, edhe brezat pasardhës.



‘BALLKANIZMI’ ËSHTË ENDE AKTUAL DHE AGRESIV



Cështja e detit është më e fundit në çështjet që ekzistojnë mes Greqisë dhe Shqipërisë. Mes dy vendeve ekziston edhe Cështja 70 vjeçare çame, ekziston edhe Cështja e Ligjit të Luftës, i vitit 1940. Qarqet më të fuqishme greke trumbetojnë papushim çështjen e Vorio Epirit, pra pretendimet e Greqisë për territoret e Shqipërisë në jug të Lumit Shkumbin.

Bashkimi Evropian dhe NATO në veçanti kërkojnë që vendet anëtare të mos kenë probleme me fqinjët, të mos kenë pretendime territoriale, të mos kenë çështje të pazgjidhura ndërkufitare, të mos kenë qëllime aneksuese ndaj tyre. Greqia, me pozitën ndërkombëtare më të fortë në rajon, mjerisht, nuk ka dhënë shembull pozitiv as pas mbarimit të Luftës së Ftohtë dhe nuk i ka ndihmuar proceset integruese të rajonit. Përveç problemeve që ka me Shqipërinë, ajo e ka penguar konsolidimin e Maqedonisë dhe nuk e ka njohur ende Republikën e Kosovës.

Ndërkohë, përveç Kosovës dhe Shqipërisë, të tri vendet e tjera fqinje të saj kanë pretendime territoriale dhe aneksuese ndaj Maqedonisë.

Serbia është vendi i dytë me më shumë probleme ndërfqinjësore. Ajo nuk iu ka kërkuar ende falje viktimave të saj, Kroacisë, Bosnjës, Kosovës. Ajo nuk e ka njohur Republikën e Kosovës dhe e ka penguar me të gjitha mundësitë e saj konsolidimin e brendshëm e të jashtëm të Kosovës. Serbia ende e ka në kushtetutë Kosovën si pjesë të saj, çka është manifestim i hapur i pretendimeve të saj aneksuese ndaj Kosovës. Nëpërmjet Republikës Serbe, ajo nuk lejon që Bosnja të njohë Kosovën, duke krijuar vështirësi të mëdha në marrëdhëniet e vendeve të rajonit. Serbia e shfrytëzon praninë e Rusisë në Këshillin e Sigurimit për të mos lejuar që Kosova të jetë anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Mosnjohja e Kosovës nga anëtaret e Bashkimit Evropian – Greqia, Qiproja, Rumania, Sllovakia dhe Spanja ka krijuar dhe thelluar një hendek të madh mes rajonit dhe Bashkimit Evropian. (Tri të parat e tyre janë njëkohësisht shtete rajonale.) Praktikisht, ky hendek e ka bërë shumë të konkurueshëm, shumë të sfidueshëm në rajon Bashkimin Evropian.



EVROPIANIZIMI DHE OKSIDENTALIZIMI I ‘BALLKANIT’



Leonard Bushkoff, pas një konstatimi të saktë, bënte edhe një konkluzion pothuaj profetik për rajonin juglindor të Evropës: “Pavarësia ua mundësoi ballkanasve për të hyrë në rrjedhën e jetës evropiane. Kjo kërkonte modernizimin e qyteteve; krijimin e sistemeve të arsimit, transportit, financave, shëndetësisë publike, administratës dhe ushtrisë; krijimin e qëllimeve dhe vlerave të përbashkëta; dhe, mbi të gjitha, rritjen e pasurisë kombëtare nëpërmjet industrializimit. Asnjë nga vendet e Ballkanit nuk e kishte unitetin politik, burimet natyrore, financat, fuqinë punëtore për t’i përmbushur këto synime. Për më tepër, ëndrrat për zgjerim frymëzuan nacionalizmin dhe i orientuan energjitë e pasuritë drejt objektivave politike dhe ushtarake. Një bum i popullsisë, rezultat i përmirësimit të masave të shëndetësisë publike dhe i uljes së vdekshmërisë foshnjore, i rriti vështirësitë, ndonëse emigracioni në Shtetet e Bashkuara krijoi një zgjedhje të pjesëshme.”
Kjo thënie e Bushkoffit i përket periudhës para mbarimit të Luftës së Ftohtë. Pas mbarimit të kësaj periudhe, të gjitha ato që shënohen më lart vetëm sa u thelluan, duke u shoqëruar me një emigracion masiv për në vendet e Evropës Perëndimore, SHBA, Kanada, Australi e tjerë. Remitancat e emigracionit në rritje shërbyen pjesërisht për bukën e gojës të pjesës më të madhe të popullsisë dhe kryesisht për të majmur korrupsionin e oligarkive sunduese, pasardhëse të kastave komuniste dhe të shërbimeve sekrete komuniste.

Siç e përmendte më herët Bushkoffi, ‘ballkanasit’ rreth tri mijë vjet, pa ndërprerë, jetuan nën perandori të mëdha. Në njëfarë mënyrë, pra, ata janë të prerë për të qenë qytetarë të perandorive. Me një ndërprerje të vogël pas Luftës së Parë Botërore, përgjithësisht ata prapë e panë veten në perandorinë komuniste. Me mbarimin e Luftës së Ftohtë tashmë nuk mësohen që fatin e tyre kanë në dorë kryeqytetet e vendeve të tyre dhe të mos i ketë më Moska, Pekini apo Stambolli.

‘Ballkani’, me shtrirje në Evropë, në afërsi me Azinë dhe Afrikën, faktikisht nuk është Evropë, nuk është Azi, nuk është Afrikë. Duket se fusha magnetike e këtij rajoni përthith me lehtësi anët negative të këtyre tri kontinenteve dhe zbraps ato më pozitivet.

Edhe kështu e ka treguar fizionominë e tij si nënkontinent i Evropës, me veçori që nuk i ka asnjë nga gadishujt e tjerë të kontinentit tonë, i cili, edhe vetë shpesh cilësohet si nënkontinent i Eurazisë apo Afroeuroazisë.

Në periudhën pas Luftës së Ftohtë, nuk ka pasur e nuk ka instancë të lartë perëndimore e ndërkombëtare ku të mos jetë përmendur thënia e Cërçillit se i rajoni prodhon më shumë politikë se mund të konsumojë ose shprehja e buruar prej saj, se i vetmi eksport i Ballkanit në botë është historia. Nëse vazhdon politika e këtyre dy shekujve të shkuar, atëherë rajoni do të vazhdojë të eksportojë në botë vetëm histori tragjike.

Politikat e Rusisë dhe fuqive evropiane, të bazuara në paragjykime pozitivisht të padrejta fetare dhe kombëtare ndaj disave dhe në paragjykime negativisht fetare të padrejta ndaj disa të tjerëve kanë dhënë rezultat një realitet të përçudnuar në rajonin e ashtuquajtur ‘Ballkan’. Disa janë trajtuar e trajtohen si të nënës, disa si të njerkës, disa janë diskriminuar e diskriminohen pozitivisht, disa negativisht, disa janë tuteluar e tutelohen pozitivisht, disa negativisht.

Një optikë krejt e re evropianizuese dhe oksidentalizuese, e cila të rishikojë nga themelet padrejtësitë e këtyre dy shekujve të fundit, do të jepte një rajon i cili të ishte vitrinë e Evropës pranë Azisë dhe përballë Afrikës. Kjo do të bëhet realitet vetëm nëse të gjithëve në rajon do t’iu krijohen shanse të barabarta pavarësisht përkatësive të tyre kombëtare apo fetare.

Kjo do të kërkonte, para së gjithash një vizion evropian dhe perëndimor të emancipuar ndaj rajonit, pra, të çliruar nga të gjitha paragjykimet dhe të bazuar vetëm mbi realitetin e kulluar.



INFRASTRUKTURA E PAQES



“Kufijtë e mirë bëjnë fqinj të mirë,” thotë një fjalë e urtë, të cilën, besoj, e kanë të gjithë popujt ballkanas. Nuk ka shtet të rajonit tonë që të mos ketë probleme të pazgjidhura ndërkufitare me fqinjtë. Nuk ka rajon me çështje të hapura kufijsh sa në rajonin tonë. Kufijtë shtetërorë janë fryti më i hidhur i padrejtësive flagrante të përsëritura sa herë që janë ndryshuar hartat politike të rajonit.

Në punimin e cituar më lart, historiani grek Dimitras ka përfshirë edhe një mori pasqyrash të sondazheve për ndjenjat që ushqejnë ‘ballkanasit’ ndaj popujve të tjerë të rajonit. Mes simpatisë, indiferencës dhe urrjejtes, pothuaj absolutisht bullgarët, grekët, rumunët, serbët, malazezët, kroatët, sllovenët, boshnjakët, romët, hebrejtë, shqiptarët e të tjerët kanë zgjedhur me shumicë të fundit. Të pyetur se nga kush e presin ata rrezikun, pa përjashtim janë përgjigjur se e presin nga fqinjët e drejtpërdrejtë. Ndryshimet e shpeshta dhe flagrante të hartave, kufijtë e caktuar në mënyrë arbitrare, zhvendosjet e mëdha të popullsive, spastrimet etnike kanë bërë që të gjithë të ndihen në troje të diskutueshme, pra banorë të përkohshëm, qytetarë koniunkturorë të krijesave artificiale, të dhunshme.

Pas Marrëveshjes së Dejtonit, të korrikut 1995, pareshtur ballkanasve iu është premtuar paqja me drejtësi. Realiteti ka dëshmuar se pa vendosjen e paqes me drejtësi lufta mbetet gjithmonë temë e ditës. Pra, paqe të vërtetë nuk ka pasur dhe nuk ka për të pasur pa paqen me drejtësi. Në rreth 200 vitet e fundit rajoni ka përjetuar vetëm gjendje lufte të shpallura dhe të pashpallura, të fiksuara në kushtetutat ose thjesht në konstitucionet.

Edhe në 20 vitet pas Dejtonit drejtësia është bërë në emër të më të fortëve kundër më të dobtëve. Diagnozat nga drejtësia ndërkombëtare për krimet në rajon janë përcaktuar me drojë të madhe, me pavendosmëri të theksuar, me hilera të pafundme. Asnjë i pashëndoshë nuk do të ketë terapi të suksesshme nëse nuk ka diagnostifikim të suksesshëm.

Ndihmës sekretarja amerikane e shtetit, Victoria Nuland, në Dubrovnik, si pjesëmarrje në ditët e para të korrikut në “Forumin Kroacia 2015”, që përkonte me 20 vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, thoshte: “Ne do të nderojmë viktimat dhe do të kujtojmë çmimin e tmerrshëm të një Evrope të ndarë. Por ne duhet të bëjmë më shumë se kaq. Përkujtimi nuk mjafton. Ne ua kemi borxh atyre që humbën jetën në luftërat në Ballkan që të sigurohemi se historia nuk do të përsëritet – se do të varrosim njëherë e përgjithmonë, urrejtjen, kriminalitetin, lakminë dhe despotizmin që kishte lulëzuar këtu dhe ta ndërtojmë një Ballkan të lirë, të begatë e në paqe.”

Zonja Nuland, duke shpalosur vizionin amerikan për rajonin tonë, vijonte: “Prandaj, sot dua të ftoj udhëheqësit dhe qytetarët e këtij rajoni që ta përmbyllin këtë punë dhe të përballen me forcat që synojnë prapakthimin e përparimit që keni arritur. Kjo do të kërkojë që udhëheqësit e Ballkanit të bëjnë tri gjëra: e para, të përmbyllin hartën demokratike të këtij rajoni duke mbyllur përfundimisht faqen e urrejtjeve të vjetra dhe rivaliteteve të reja; e dyta, fillimin e përparimit dhe zhvillimit duke lidhur vendet e rajonit me rrugë të reja, hekurudha, porte dhe infrastrukturë energjetike: dhe e treta, të bashkojnë forcat për ta bërë Ballkanin një zonë të ndaluar për kërcënimet e sotme më të dëmshme për shtetësinë dhe liritë individuale: ekstremizmin e dhunshëm, korrupsionin dhe kriminalitetin, dhe autokratët e oligarkët e ligë që vijnë me dhurata për të promovuar interesat e tyre dhe jo tuajat. Dhe derisa ju u përvisheni këtyre çështjeve së bashku, Shtetet e Bashkuara dhe pjesa tjetër e komunitetit Trans-Atlantik do të qëndrojnë përkrah jush”.

Vetëm mbi këtë realitet të ri mund të vendoset infrastruktura e paqes. Pa infrastukturën e paqes, të gjitha infrastrukturat e zhvillimit, përparimit, mirëqenies do të jenë të pamundura dhe Ballkani do të mbetet një utopi e pashpallur. Kështu nënkontinenti, Ballkani, në vend që të jetë një shtyllë qendrore e zhvillimeve dhe progresit të kontinentit, Evropës, do të vazhdonte të ishte kundërpeshë e tyre.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)