Nga Lejla Gorishti
Përshëndetje znj.Vranari!
Në radhë të parë ju falenderoj për mundësinë që më dhatë të lexoja e para dorëshkrimin e studimit tuaj të thelluar e cilësor, titulluar"Elitat e Mohuara.., Krenari Kombëtare”, para se ta dërgonit për botim.
Të shpreh mirënjohjen se jeni nga më të rrallat shkrimtare që hidhni dritë mbi të vërtetat e mohuara prej vitesh. Leximi dhe shfletimi i këtij libri më është shoqëruar me aq kujtime dhe mendime sa rrallë herë i kam përjetuar. E vërteta është se deri më sot, shumë nga këto figura të shquara të kombit tonë shpërndarë në botën e madhe, ose nuk njihen fare (prej disave),ose njihen fare pak dhe aspak për vlerat që kanë. Mbarova së lexuari librin tuaj dhe ashtu si ju, shtroj edhe unë pyetjen:
-Përse u është mohuar këtyre personaliteteve mundi, djersa, sakrifica e dhënë për të mirën e kombit dhe brezave?!"
Botime dhe studime si ky që mbajmë sot në duar, zonja Vranari, duhet të kujtojnë në radhë të parë personalitetet e shkencave shoqërore, personalitetet shtetërorë e politikë, shoqërinë civile për t'i evidentuar dhe për të nxjerrë më në dritë, vlerat njohëse dhe edukative që këto figura i japin shoqërisë dhe brezave.
Nëpërmjet faqeve të këtij libri, ne prekim realitetin jetësor të këtyre figurave të shquara të mohuara, sepse " elitë", në fakt është ajo pjesë intelektuale më e mësuara e shoqërisë. Figura të tilla nuk janë vetëm pjesë përbërëse e shoqërisë , po edhe më e domosdoshmja, sepse i hap horizont gjithë shoqërisë së një vendi për zhvillim të mëtejshëm. Duke shfletuar librin, të dashur lexues, ne do të njihemi edhe me atë pjesë të elitës intelektuale, së cilës sistemi ua ndrydhi vlerat e vërteta me një farë presioni klasor. Një ndër ta, është dhe shkrimtarja e këtij libri, “Mjeshtre e Madhe e Penës”, Akademikja, zonja Vranari.
Në kushtet aktuale të vendit tonë, në këto 30 vitet e fundit, elita ka marrë dy goditje të rënda;
- atë të emigrimit të inteligjencës shqiptare mbas viteve 90-të,por edhe tendencën e sotme që përsëri inteligjnca e mësuar, elita që po përgatitet, ka tendencën e largimit nga vendi.
Pra në të dy rastet, truri i kombit në mënyrë figurative "ka marrë valixhen e emigrantit".
Kjo është humbje për vendin, për kombin dhe shoqërinë tonë.
Një e keqe e madhe është edhe goditja që sistemi i sotëm i jep elitës aktuale të mësuar ( jo asaj drejtuese), por inteligjencës së mirëfilltë. Kjo e fundit në vend që të edukohet me këmbënguljen drejt shkencës..., si e vetmja mënyrë e funksionimit të të gjitha aparateve shtetërore në të gjitha nivelet e administratës, e edukon elitën e sotme me moralin e përfitimit maksimal nga shoqëria...dhe jo nga mënyra e punës së saj mendore, krijuese, akademiko-shkencore, organizuese, drejtuese për t'i dhënë vlera shoqërisë dhe kombit.
Një pikë tjetër është se në kushtet aktuale në Shqipëri, si rezultat i një korrupsioni galopant që sot ka mbërthyer shoqërinë dhe inteligjenca ka pësuar goditje, duke e shëmtuar imazhin e elitës.
Së fundi mund të themi se elita e shëndoshë dhe e ndershme është pasuri për çdo lloj kombi dhe në shumë raste, kur ajo bën hapa gjigande, me vlera të vërteta i kapërxen dhe kufijtë e një kombi.Këtë na pasqyron shkrimtarja jonë, në këtë libër.
Për këtë libër nuk kam fjalë tjetër veçse, i jashtëzakonshëm!
Jam matur disa herë, pasi stepem të shkruaj se mos ia zbeh fuqinë që mbart brenda, një fuqi që ta jep vetëm dëshira për të mësuar nga më të mirët e kombit tonë, brenda dhe jashtë kufijve. Punë, dije, sakrifica, jashtë çdo imagjinate dhe vetëm e vetëm t'u hapësh sytë njerëzve për të ecur drejt dijes, kulturës, artit dhe shkencës në shërbim të një shoqërìe më të zhvilluar, të emancipuar dhe të integruar.
Në radhën e botimve, ky studim vjen si një tjetër perlë e Mjeshtres së Madhe të Penës, Akademikes vlonjate, një himn për jetën dhe fuqinë që të jep dija, kultura dhe shkenca.
Një libër që duhet të zërë një vend të rëndësishëm jo vetëm në bibliotekat tona personale, po është një domosdoshmëri që ky libër duhet të gjëndet në bibliotekat e të gjitha kategorive të shkollave dhe institucioneve të ndryshme letrare, shkencore e kulturore të vendit tonë.
Urime dhe shumë suksese shkrimtares tonë, VILHELME VRANARI HAXHIRAJ, për këtë pasuri studimore që padyshim do të zerë vend denjësisht në kolanën e letërsisë shqiptare!
Redaktore e librit
LEJLA GORISHTI
Vlorë, më, 20.03.2019.