Asllan Qyqalla ,lindi më 1 prill të vitit 1959 në Bardhin e Madh Prishtinë.
Shkollimin fillor e mbaroi ne vdnlindje, Gjimnazin ne Prishtinë dhe Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, dega Gjuhë shqipe e letërsi.
Më 2014 në QSA ne Tiranë e regjistroi Disertacionin e doktoratës.
Në vitin 1984 u punësua mësimdhënës në Shkollën fillore në Bardh të Madh gjerë më 1994 ku edhe u zgjodh drejtor i SHF në Bardh të Madh .
Më 1 gusht 2003 emrohët Drejtor në Qendrën e Kulturës, në Fushë-Kosovë gjerë më 2015.
Profesor Asllani është marrë me aktrim dhe regji.
Është drejtor i Shoqatës së Krijuesve, letrarëve e artistëve “Naim Frashëri” në Fushë-Kosovë si dhe Drejtor i Festivalit “Malli Poetik i Kosovës” edicioni IX tradicional.
-Ka mbajtur në prill 2017 Simpoziumin Shkencor “Muhaxhirët në luginën e Anamoravës dhe Preshevës” në Universitetin e Gjilanit.
Veprat letrare :
-“Bardhësi në Bardh” monografi, 1995
-“Nimfa e një zemre të lënduar”, tregime, 2014
-“Loti det dhimbjesh” poezi, 2016
-“LORA” poezi, 2017
-“A lombre des musse” SHB L`HARMATTAN- PARIS ,poezi, 2018
-“My love “ poezi,anglisht, Bukuresht, 2018
- LORA – MON AMOR” frëngjishtë, Bukuresht 2018
-“Anthology of Albanian poetry” Bukuresht, 2019
-Monografi bashkë autor Lan Qyqalla e Reshat Sahitaj “Gani Xhafolli- princ i letërsisë për fëmijë”
Ka fituar disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare vër veprimtari letrare dhe artistike.
Nga viti 2018 është anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Shqiptaro-Amerikane në New York,Tiranë,Prishtinë dhe Shkup.
Për shumë kënd, që njeh veprën e mëparshme të Asllan Qyqallës, por dhe vetë Asllanin, kjo ndoshta nuk përbën ndonjë risi. Por, pasi e keni lexuar dhe në momentin kur ke mbyllur librin, padyshim, mënyra sesi autori ka arritur të japë me shumë finesë dhe ndjenjë.. dashurinë idilike në fushat dardane, të cilën as Shekspiri nuk do të gjejë fjalë për Lorën, që ta ngrejë në oqeanin e dashurisë, e Lanin, patërmale të jetës së brishtë, që mbuluar e kanë vitet e thyera, e ndien që ke lexuar vargjet e diçkaje të veçantë, ndoshta një prej elegjive më të realizuara në letërsinë shqiptare.
Të gjitha poezitë e vëllimit i lidh personazhi i Lorës, madje edhe tek ato të cilat ajo s’ është, dhe aty ku duket se tema dhe vendi kanë rrëshqitur jashtë pranisë së saj, ajo ndihet ndihet në heshtje. Edhe aty ku s’është, ajo mbush edhe me mungesën e saj. Në vëllim, çdo varg sillet rreth saj, si vorbull ere, ajo thith rreth vetes vargje dhe ndjenja, ajo është epiqendra rreth të cilës vërvitet e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja, sepse edhe e ardhmja siç thotë Lani...si zogu në pranverë, shtegton në të djeshmen.
Është padyshim, një prej personazheve më të veçanta të kësaj lloj poezie në letërsinë shqipe. Ka diçka nga Beatriçja e Dantes, në atë hyjnoren e saj, në forcën dhe mundësinë për të lëvizur në të dy botët, por edhe në kohë, në të tashmen dhe në të ardhmen, është si eteri hyjnor dhe fryma që ka lënë shenjë kudo.
Siç thotë poeti: Lora frymon në shtalbësinë amullore, amulli shkakton në histori.
Po ashtu, është pak Zhulietë, është femra me mish e me gjak, që Romeos së saj i fal dashurinë më të bukur, por është edhe si Sibilat e Bogdanit, “të veshuna me dritë e të mbathuna me hanë”, siç shkruante Bogdani, po nga logjet dardane pikërisht 333 vite më parë, pasi në këtë botë moderne trualli shqiptar i ka dhënë vulën e vet.
Dikotomia dhimbje-gëzim, përshkon poezitë e këtij vëllimi, dhimbje për atë që s’ është më, dhimbja që shkakton mungesa e madhe e asaj që botës së poetit i jepte kuptim. Dhe nga ana tjetër, është ajo çfarë i ka dhënë gëzim për atë çfarë është përjetuar, duke u përjetuar në jetën reale sërish si ninullat e djepit.
Kujtimet e së shkuarës, i japin forcë për të ecur përpara, për të vazhduar jetën, madje edhe për të bekuar kohën kur Lora ishte dhe rrezatonte e i jepte dritë jetës së (Lanit) zërit poet.
Dukshëm mbizotërojnë vargjet për dhimbjen, dhimbje që rrëfehet nga zëri poetik i vetmitarit të braktisur, mbi shpirtin e të cilit u derdhën shira që i hapën shteg vajit.
Por ama, tek ky vëllim, Lani nuk është i mbërthyer dhe i dorëzuar nga trishtimi, madje përkundrazi ai ka filluar ta mund dhimbjen, siç thotë ai, ashtu si Gjergj Elez Alia, edhe pse ka plagë të shumta që duken se nuk do të mbyllen kurrë.
Megjithëse edhe vetë plagoma e dashurisë, është dhimbja, por edhe forca për të vazhduar përpara. Filli i kësaj ndjenje të përzier mes dhimbjes, gëzimit dhe adhurimit i bashkon të gjitha poezitë si filli i një rruzareje.
Ajo çfarë kam parë tek vëllimi i Qyqallës, është se në mjaft poezi poeti përdor arketipin folklorik në mënyrë të drejtpërdrejtë, herë si motiv, si temë apo dhe teknikë krijimi. Jo rradhë shprehja poetike është formuar përveç elementesh të tjera, edhe nga takimi emblematik i shprehjes poetike të shkruar vetjake, me shprehjen poetike popullore, që e afron atë me ligjërimin e gjallë të shqipes, kumbimet dhe format e të cilës siç duket Asllani i njeh dhe i përdor me përsosmëri.
Lora pa vello numëron orët,
në gjerdek nuse pa dasmorë,
skënderbeu ngjesh shpatën krutane,
Aga Ymeri ndalon në shadërvan,
rinjeh nusen, rrugës së Gërmisë
Por gjithnjë duke i përfshirë këto dhe duke i bërë pjesë në mënyrë mjeshtërore brenda modelit të tij poetik vetjak surrealist:
Takim i vonuar me Lorën; në pranverën e blertë; në thellësinë e syve, pranë vullkanit, ku zgjimi kafshon harresën në vjeshtën e vonë.
Mua personalisht, ndoshta ngaqë dhe gjuhësia është profili im, më kanë bërë përshypje mënyra sesi Lani e përdor dhe luan me fjalën shqipe, fjalët e krijuara si plagoma e dashurisë, rrugëbraktisje, ..mbytje moshake, e fjalë të tjera të këtij tipi vijnë pa sforco dhe krejt natyrshëm në vargjet e Lanit, që përveç talentit poetik, dëshmojnë edhe për një njohje dhe intuitë gjuhësore.
A s’është në fakt vetë poezia një lojë me fjalën?
Pasi ke përfunduar së lexuari poezitë dhe ke mbyllur librin, ke një ndjesi. Ke kuptuar se personazhi i Lanit dhe Lorës në libër, nuk janë thjesht dy personazhe që vërviten diku jashtë në kohë dhe hapësirë. Nuk janë Danteja dhe Beatriçja moderne shqiptare, nuk janë as Romeo dhe Zhulieta që luajnë tragjedinë e tyre të dashurisë në Dardani, madje nuk është as Lani dhe Lora në Prishtinë e gjetkë.
Autori duke bërë vargjet e poezive, pasqyrë të shpirtit të tij ka tejkaluar dukshëm veten. Nuk është më ai, që do të na rrëfejë diçka të tijën personale, nuk është më ai personazhi që sjell dhe rrëmon kujtime nga jeta intime e tij. Besoj se ajo çfarë ke përjetuar nga leximi, nuk është as kurioziteti dhe as modeli artistik sesi një burrë i thur vargje të dashurës së tij.
Ato gjëra e ndjesi të holla që dalin nga vargjet e Lanit janë të gjithsecilit që merr frymë në këtë botë, dashuria, lumturia dhe zhgënjimi nga ajo çfarë jeta të ofron, si dhe frika nga ikja e asaj që do, frika se mos e lëndon qoftë edhe me dashurinë tënde...ashtu siç thotë Lani, të lëndova nga xhelozia e stepur, në mykun e kohës, ortiqe fjalësh në pamjen tënde burbulloi-ikja e parakohshme, prush le në hapërim, në shelgje vare dashurinë...
...frikë që të kthehet edhe në makth kur e humb atë që mendon se e ke, dhe do ta kishe pranë, në çdo frymëmarrje tënden, por ke vetëm atë që kujtesa të ka fiksuar në atë shikim mallëngjyes që venitej në heshtjen e janarit.
Të gjithë kemi shumë pjesë tonat nga Lani dhe Lora, dhe kjo mendoj është ajo çfarë e bën këtë vëllim me poezi të lexohet me një frymë dhe të të emocionojë.
Për mua, është një art i ndjenjës, sepse Lani nuk i qëndron fort kodeve të unifikuara të poezisë, ai vizaton thjeshtë dhe natyrshëm me vargjet e tij,shkruan mes tjerash Prof. dr. Erzen Kopera.
Flori Bruqi