2021-05-21

Gjenocidi grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë

Nga Sali Bollati Gjenocidi përkufizohet si një “shkatërrim i paramenduar dhe sistematik në tërësi ose pjesërisht të një grupi etnik, racor, fetar ose grupi nacional”. Më 1821, kur filloi kryengritja për pavarësi, popullsia shqiptare përbënte shumicën ndërsa të ashtuquajturit grekë ishin pakicë në Greqi. Thuhet “të ashtuquajturit grekë” sepse historiani greko-amerikan L. Stavrianos pohon se në kohën kur Greqia e sotme ishte nën perandorinë romake, ato që banonin atje nuk njihnin histori të lashtë greke dhe parapëlqenin ta quanin veten “romei”, d.m.th. pasardhës të Romës, dhe jo helenë apo grekër. Edhe çamët e krishterë e quanin veten romei dhe jo grekë. Aq më tepër, gjuha që flasin edhe sot ata të krishterë çamë në Çamëri ashtu si arbëreshët e Italisë është “Gluha e Perëndisë”, siç thoshte Naim Frashëri, dhe është e njëjta e folur me të cilën është shkruar edhe libri i parë shqip nga Gjon Buzuku. Në kryengritjen e viteve 1821-183, pothuaj të tërë udhëheqësit e saj ishin shqiptarë të krishterë (arvanitas dhe çamë). Heroi kryesor ose më saktë idhulli i kryengritjes për pavarësinë e Greqisë ishte çami suliot Marko Boçari. Ai ishte në fakt edhe autori i parë i fjalorit shqip-greqisht. Stërnipi i tij Kolë Boçari shkruan nga Griffith University në Queensland të Australisë se: ”… prindërit e mij nuk më kanë folur asnjëherë greqisht, sepse ata ishin shumë krenarë të trashëgimisë shqiptare dhe të fisit Boçari”. Më 26 Qershor 1821, një nga udhëheqësit e kryengritjes greke, Dhimitër Ipsilanti iu drejtohej dy figurave më të spikatura dhe më me peshë të Çamërisë: “Shumë kurajozë, kryetar Pronjo dhe Çapari dhe gjithë Çamëve, iu Përshëndes! ….Unë dhe atdheu iu falenderojmë. Prijës burrërorë dhe aleatë besnikë, tani të bashkuar me ne për liri, konsideroheni si vëllezërit tanë!”. Arvanitasi Aristidh Kola shkruan se në këtë kohë në Greqi nuk bëhej vetëm luftë kundër pushtuesit shekullor osman, por qarqe të caktuara greke kishin kaluar edhe në një luftë fetare. Shkaku i vërtetë i brutalitetit të politikës greke që me shpërthimin e kryengritjes më 1821 ishte asgjësimi i etnive të padëshiruara si arvanitasit, vllehët, sllavomaqedonasit dhe hebrenjtë, për të krijuar artificialisht një shtet “homogjen” grek. Bandat greke gjatë marshimeve drejt krahinave me banorë të etnisë jo greke për nga feja dhe kombësia klithnin parullën “Përpara me kryqin në njërën dorë e në tjetrën thikën”. Krahina shqiptare e Çamërisë nuk iu bashkua Greqisë së krijuar mbas vitit 1832. Megjithatë “megalidea’” kërkonte që Greqia të ishte si pasardhëse e perandorisë fetare bizantine. Dhe për ta vënë në jetë filloi më 1854 dërgimi në rajonet shqiptare i bandave të rekrutuara në Greqi nën drejtimin e gjeneralit Grivas. Ata nuk ndaleshin përpara asnjë krimi për ti detyruar banorët e krishterë të bashkoheshin me ta. Ato tentativa u përsëritën edhe më 1866, po pa sukses. Kuptimplotë është se në ngjarjen e Lëkurësit të Sarandës më 1878 të krishterët e Epirit ishin të parët që prapsen agresorët grekë me armë në dorë. Kështu lufta me vendosmëri e Çamëve dhe e Lebërve i largoi grekërit. Mbas luftës ruso-turke, me Paktin e Shën Stefanit dhe më vonë me atë të Kongresit të Berlinit më 1878, fuqitë e mëdha europiane vendosën që Greqisë t’i bashkohej edhe Janina me krahinën e Çamërisë. Por dega Jugore e Lidhjes së Prizrenit e drejtuar nga Abdyl Frashëri dhe Abedin Pashë Dino nga Çamëria bëri të gjitha përpjekjet për të bindur Fuqitë e Mëdha se Çamëria është krahinë thjesht shqiptare dhe nuk ka sesi të ndahet nga trojet e tjera shqiptare. Përveç anës diplomatike u organizuan shumë forca të armatosura shqiptare për të mbrojtur Çamërinë. Në një nga peticionet e shumta dërguar nga Preveza më 20 Qershor 1880 dërguar Ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, midis të tjerave theksohej se ”Mbledhja Shqiptare e Jugut, e frymëzuar nga ndjenjat patriotike dhe të kombësisë, proteston përpara Europës kundër pretendimeve të padrejta dhe shkatërrimtare të Greqisë, kundër copëtimit të vendit tonë dhe kundër aneksimit të krahinave tona, aneksim që ne do ta zmbrapsim duke luftuar deri në pikën e fundit të gjakut tonë. Ne jemi të gjithë të vendosur për të qëndruar deri në fund, për të shpëtuar tokën tonë, ekzistencën tonë dhe kombësinë tonë të kërcënuar nga armiqtë tanë fqinjë”. Në saje të këtyre përpjekjeve dhe vendosmërisë shqiptare, Kongresi i Berlinit u tërhoq nga vendimi i mëparshëm dhe Çamëria mbeti e pandarë nga trojet e tjera shqiptare. Edhe mbas kësaj shovinistat grekë nuk i pushuan veprimet e tyre për të vënë në jetë qëllimin bizantin. Metropoliti i Çamërisë më 1910 lëshon urdhrin që vashat çame duhet të shkojnë në shkollat greke, me qëllim që nesër kur të bëhen nëna të mos u flasin fëmijëve gjuhën shqipe, por vetëm greqisht. Çamët ishin firmëtarë të pavarësisë shqiptare dhe Çamëria u pushtua nga grekërit në Mars të vitit 1913, domethënë tre muaj pas shpalljes së pavarësisë shqiptare. Muaj më vonë, me gjithë luftën e atdhetarëve çamë (midis tyre edhe i riu Ibrahim Bollati, babi im) e shqiptarëve të tjerë, fuqitë e mëdha europiane padrejtësisht e shkëputën krahinën shqiptare të Çamërisë bashkë me të gjithë Vilajetin e Janinës dhe ia ngjitën Greqisë. Menjëherë mbas pushtimit, filloi menjëherë vënia në veprim e “megalidesë” duke eliminuar shqiptarët. Grekërit mblodhën 73 krerët e Çamërisë dhe pa asnjë lloj gjykimi i pushkatuan në Prroin e Selanit pranë Paramithisë. Mbas këtyre vrasjeve dhe mohimit të gjitha të drejtave civile, shqiptarëve të Çamërisë iu morën pasuritë e tokat dhe ua ndanë të tjerëve duke vendosur në to emigrantë ortodoks të ardhur nga Azia e Vogë. Popullsia shqiptare e Çamërisë u përdor si popullsi shkëmbyese midis turqve islamikë dhe ortodoksëve grekë të Azisë së vogël. Me dekret ligje e qarkore si ajo e Ministrisë së Bujqësisë e 1 Tetorit 1922, urdhërohej administrata e Përgjithshme e Epirit që ”… familjet e refugjatëve të stabilizoheshin në pronat e muslimanëve shqiptarë”. Në qytetet kryesore të Çamërisë në Paramithi, Filat, Gumenicë e Margelliç u hapën zyra të posaçme për shtetëzimin e pronave të muslimanëve shqiptare me një farë shpërblimi qesharak që faktikisht nuk iu dha asnjëherë pronarëve të ligjshëm. Edhe ato pakë prona që mbetën të pashtetzuara, pronarëve të vërtet iu ndalua me ligj shitja e tyre dhe nuk u kompensuan asnjëherë. Në një studim të botuar në “Balcanica Etnographia” më 2003, profesorja e Universitetit të Berlinit, Georgia Kretsi, iu dha çamëve titullin kuptimplotë: “Pronarë të ligjshëm pa prona”. Megjithëse më 1926, kryeministri i Greqisë i asaj kohe, arvanitasi Teodoros Pangallos, bëri një deklaratë zyrtare në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, nëpërmjet të cilës Greqia njihte minoritetin shqiptar që jetonte në territoret e veta dhe nuk i quante muslimanët shqiptarë si turq për t’u shkëmbyer me grekët e dëbuar nga Turqia. Pangallosi deklaronte: “…Teza që është mbajtur deri më sot se ortodoksit shqiptarë janë grekë është e gabuar, prandaj mora masat e duhura dhe shpërndava të gjitha shoqëritë vorioepirote që përfaqësonin skajet më ekstreme të këtij mendimi të sëmurë”. Gjatë një takimi që patëm si kryesi e shoqatës “Çamëria” në Shtator 1997 me ish-ministrin e punëve të jashtme të Shqipërisë Paskal Milua, e pyeta në se e kishte diskutuar me ministrin e jashtëm grek Pangallos (nip i arvanitit Teodoros Pangallos) problemin tonë të Çamërisë. Paskal Milua u përgjigj se “ministri grek kundërshtoi me vendosmëri duke thënë se në qoftë se ngrihet ky problem nga pala shqiptare, do të ndërpriten bisedimet menjiherë”. Greqia, në kundërshtim me sa bënte qeveria shqiptare për të ashtuquajtur minoritet grek në Shqipëri, nuk lejonte të hapeshin shkolla në gjuhën shqipe, nuk kishte asnjë të zgjedhur ose të komanduar çamë në administratën greke. Me 1936 me ligj filloi ndërrimi i emërtimeve shqip të fshatrave shqiptare me emra grekë, bile edhe krahinës ja hoqën emrin Çamëri duke e zëvendësuar me Thesproti. Ende pa filluar lufta italo-greke të gjithë meshkujt çamë nga mosha 13 e deri në 70 vjeç u internuan në ishujt e Egjeut dhe në Korint, duke na lënë neve të vegjlit vetëm me nënat dhe pleqtë pa asnjë mbështetje. Djemve të futur në ushtri në vënd të pushkëve iu dhanë kazma e lopata. Kur Italia pushtoi përkohësisht Çamërinë dhe më vonë kur Gjermania pushtoi të gjithë Greqine, në ndryshim me krahinat shqiptare të Malit të Zi, Kosovës e Maqedonisë që iu bashkuan qeverisë së Tiranës, krahina shqiptare e Çamërisë mbeti nën administratën e qeverisë kuislinge greke të Ralisit në Athinë. Në shkurt 1943 u krijua çeta Çamëria që më vonë u transformua në Batalionin Çamëria. Dhe ishin trima e këtij batalioni që luftuan gjatë 56 ditëve kundër gjermanëve. Forcat partizane Çame ju bashkuan edhe lëvizjes greke kundër pushtuesve gjermanë, u futën në divizionin e 15 të ushtrisë bashkë me sllavomaqedonasit që banonin në Greqinë verilindore. Autori M. Mazower midis të tjerave shkruan për lidhjet dhe aleancat e turbullta të forcave të djathta greke me pushtuesit nazistë se “…në Athinë anëtarët e EDES-it të komanduara nga Zerva, hyn në shërbim të batalioneve të sigurimit të krijuara nga gjermanët për të mbajtur rendin në vend duke mbajtur lidhje të ngushta me qeverinë kuislinge të Ralisit”. Forcat e Napoleon Zervës, në marrëveshje me gjermanët që po tërhiqeshin, hynë në Paramithi më 27 Qershor dhe me pabesinë karakteristike greke tentuan të gënjenin qytetarët paramithiotë se nuk do të vepronin ndaj popullsisë civile. Unë isha 7 vjeç kur u zgjuam në mëngjes nga krisma e armëve. Nëna na ngriti dhe mbasi mblodhi disa plaçka u nisëm për në shtëpinë e daj Muhametit që ishte ngjitur me sahatin, në qendër të qytetit. Shtëpia e jonë ngjitur me kullën mesjetare të Bollatatëve ndodhet në krye të Paramithisë dhe sot është transformuar në Muze. Vëllai i madh 13 vjeçar Ferhati u largua me vrap për në shtëpinë e halla Shazos për të qenë si gjithmonë me kushëririn dhe bashkëmoshatarin e tij, Avniun, por rrugës i vranë të fshehur në një kaçube. Kur mbërritëm në shtëpinë e Dajës, djali i xhaxhait të nënës, Qazim Bako, i thotë babait tim që të ikim se grekërit do na vrasin (ai në fakt u largua dhe vdiq në Tiranë më 1982). Babai im i mjerë e kundërshtoi largimin, duke i thënë se nuk mund t’i lejë vetëm fëmijët dhe gruan, nuk kam bërë asnjëherë ndonjë veprim kundër grekërve, përkundrazi i kam përkrahur e ndihmuar në çdo rast nevoje, kështu që nuk mund të largohem vetëm. Por fatkeqësisht, mbas gjysmë ore hynë zervistat në dhomë dhe e rrëmbyen me forcë babain e shkretë duke mos e lenë as këpucët t’i mbathte. Fjalët e babait shumë të dashur që na rriste dhe edukonte dhe rrëmbimin e tij kur neve qanim e bërtisnim nuk mund t’i heq nga mendja as edhe sot. Babain bashkë me dhjetëra të tjerë të pafajshëm i pushkatuan në oborrin e shkollës. Mbasi rrëmbyen babain, nëna na ngriti dhe u nisëm përsëri për në shtëpi. Kur hymë në oborrin e madh të shtëpisë u tmerruam; aty gjetëm kufomën e gjakosur të gjyshit 82 vjeçar, të cilin mbasi e kishin tërhequr zvarrë nëpër shkallët e gurta e kishin pushkatuar. Mbas kësaj skene të tmerrshme, nëna e dashur, na morri dhe na çoi në ish ndërtesën e Medresesë. Aty gjetëm të strehuar edhe shumë familje të tjera. Mbas pak kohe na nxorën përjashta në oborr për të na pushkatuar. Tek dera e madhe e oborrit pranë mitralozit të ngrehur, qëndronte një ushtar zervist. Nëna e shkretë na mblodhi rreth vehtes si pula zogjtë e vetë duke ju falur Zotit për mëshirë. Faktikisht, mbas pakë kohe arriti një zervist tjetër dhe e urdhëroi atë që ta ngrinte mitralozin për në një vend tjetër. Për një çast kujtuam se shpëtuam. Por Jo. Një oficer zervist erdhi dhe morri nënën time shumë të dashur. Ajo nxori nga gjoksi të vetmen fotografi të babait tashmë të pushkatuar dhe më porositi që ta ruaj si gjë të shenjtë. Mbas pak morëm lajmin e keq se edhe nënën 36 vjeçare e kishin pushkatuan brenda në xhaminë e Bollatatëve. Kjo është një pjesë jete e jetuar me tmerr në kalvarin e Paramithisë ku masakruan në mënyrën gjakatare një kushërirë e imja Sanije Bollati të cilën e dogjën me benzinë, ndërsa 56-vjeçarit Omer Muratit i rropën një pjesë të lëkurës dhe mbasi ja lyen me kripë ja ngjitën përsëri. Jani Sharra shkruan se “…Familja e Muharrem Bollatit që u masakrua në mënyrë shtazarake, nuk ka pasur as fajin më të vogël”. Brenda dy ditësh mbi 600 shqiptarë të pafajshëm u torturuan dhe u vranë nga fashistët grekë. Mbetëm neve të katër, Qerimeja 10 vjeçare, unë, Faruku 5 vjeç dhe Makbulja 2-vjeçare. Kështu ne bashkë me afro 200 të tjerë të mbetur, na grumbulluan në shtëpinë e madhe të Muhedinëve që e transformuan në kamp përqendrimi. Aty vuajtëm deri në nëntor së bashku me Teto Zybiden të cilës i kishin pushkatuar të shoqin, kishte mbetur me djalin, Tasinin 4 muajsh. Po aty në burg nga uria, papastërtia dhe sëmundjet vdes motra e vogël Makbulja dhe gjyshja 72 vjeçe. Faktikisht në ato 6 muaj vdiqën aty mbi 200 njerëz, kryesisht fëmijë e plaka. Nga fundi i Nëntorit 1944, ushtarët britanikë të pranishëm në vend na pyetën se ku të na transferonin në Turqi, Egjipt, Angli ose gjetkë. Por ato pakë gra që kishin mbetur gjallë këmbëngulën që duam të na shpini vetëm në Shqipëri, se Shqipëria është nëna e jonë. Dhe ata na çuan një natë në Gumenicë dhe të nesërmen na hipën në 4 motovedeta dhe na nxorën në Sarandë e Himarë. Nga Himara, në mes të dimrit të ashpër kam hecur në këmbë. Nata na zuri të vendosur ne këmbët e një ure. Aty në të ftohtë, Faruku duke qarë i kërkonte Tetos. Nuk më ndahen nga kujtesa fjalët dhe të qarët e tij dhe tonat bashkë që nuk kishim as edhe një copë bukë për t’i shuar urinë. Nga të ftohtit i hipën ethe dhe dridhje të forta dhe të nesërmen kur mbërritëm në Dukat ishte krejtësisht i këputur e mezi qëndronte në këmbë. Për fat të mirë partizanët na hipën në një makinë. Mbasi mbërritëm në Vlorë , tetoja e shpuri drejtë e në spital, por fatkeqësisht të nesërmen vdiq. Kështu nga nëntë veta mbeta unë me Qerimenë 10-vjeçare. Në vizitën e parë, mbas 66 vjetësh, më 2010 në vendlindjen time Paramithi, nuk gjeta asnjë varrezë tonën, meqenëse ishin shembur të 9 xhamijat bashkë me varrezat qindravjeçare të tyre, ndërsa varrezat masive të martirëve të Qershorit 1944 ishte betonuar dhe mbi të zhvilloheshin lodra basketbolli. Në gjithë Çamërinë mbas masakrave të tmerrshme u vranë dhe pushkatuan mbi 2900 njerëz të pafajshëm, kryesisht fëmijë e pleq, ndërsa rrugës së dimrit për në Shqipëri vdiqën edhe mbi 2000 të tjerë, këta varrosur në Plloçë. Pra nga rreth 30000 njerëz, mbi 5000 humbën jetën ose mbi 16% e popullsisë çame. Kohët e fundit në atë vend që partizanët na mirëpritën dhe na hipën në makinë është ngritur një përmendore si falënderim për mikpritjen e çamëve nga bashkatdhetarët tanë, vlonjatët e Dukatit. Në Dokumentat e Departamentit të Shtetit të SHBA me Nr. 84/3 të Misionit Amerikan në Tiranë 1945-1946, shkruhet: “Simbas informacioneve që kam mundur të mbledh në lidhje me Çështjen Çame, më 1944 dhe deri në muajt e parë të vitit 1945, autoritetet në Greqinë veriperëndimore kryen masakra të tmerrshme dhe dëbuan me dhunë 25000 çamë, banorë të Çamërisë nga shtëpijat e tyre, ku ata kishin jetuar në shekuj dhe i hodhën ata matanë kufirit, mbasi u kishin rrëmbyer tokat dhe pasuritë e tyre. Shumica e 2900 vrarëve ishin fëmijë sepse ata dhe pleqtë përbënin shumicën e refugjatëve”. Në një letër që udhëheqësi i masakrave, gjenerali grek Napoleon Zerva, i shkruante më 1956 një miku dhe ish-bashkëpunëtori të tij në masakrat: “I dashur Koço Dani, bëjua të qartë njerëzve se ne e kryem detyrën që na ishte ngarkuar për spastrimin e atdheut nga çamët muslimanë, të cilët i qëndruan 500 vjet mbi qafë të helenizmit, duke ia bërë të mundur malësorëve të zbresin në fusha. Për këtë ta ndiejmë veten krenarë”. Çamëria është Shqipëri, atje edhe sot jeton popullatë çame e besimit të krishterë që flet shqip, por fatkeqësisht nuk e ndjen akoma dorën e Nënës Shqipëri.

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...