2024-07-12

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka replikuar ne distancë me Presidentin Biden, i cili në fjalimin e tij para liderëve të vendeve anëtare të NATO-s përmendi nderhyrjen në Ballkan për të ndalë spastrimin etnik pa përmendur specifikisht Beogradin.

 

“Kur shpërtheu lufta në Ballkan, ne ndërhymë për ta rivendosur paqen dhe për ta ndalur spastrimin etnik”, tha Biden para Sekretarit të Përgjithshëm, liderëve të vendeve të NATO-s, ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes, përfaqësuesve nga vendet partnere e të Bashkimit Europian dhe anëtarëve të Kongresit në Samitin e NATO-s.

Vuçiç u shfaq nervoz që lideri i superfuqisë botërore përmendi këtë fakt.

“Nëse në atë kohë parandalonit spastrimin etnik, duke u shfrenuar mbi një komb të vogël, atëherë pse nuk e sulmuat menjëherë Rusinë kur hynë në Ukrainë? Ose mbase e keni harruar pak moralin, ndaj nuk vlejnë rregullat” tha Vuçiç.

“Ose kur Rusia pushton Ukrainën, është agresion, dhe kur sulmoni Serbinë, atëherë kjo është shpëtim. Por mirë, ne kemi nevojë për marrëdhënie të mira me të gjithë. Edhe me amerikanët edhe me rusët, veç që i kërkoj të mësojnë se ne e duam lirinë më shumë se çdo gjë dhe se nuk duam të jemi të përulur – thotë ai” shtoi ai.