Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/02/01

Ilir Meta: Mbështesim kontrollin e tabulateve

“LSI kishte paralajmëruar puçin e shtetit”. Reagon PS: Asgjë nuk e ndal popullin

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, mbështet Komisionin Hetimor për kontrollin e të gjitha tabulateve telefonike të krerëve të shtetit, por edhe të disa deputetëve, me qëllim zbardhjen e ngjarjeve të 21 janarit. Meta tha se për të ndihmuar transparencën LSI është e gatshme të pranojë çdo hetim, edhe për deputetët e saj. Ai komentoi më tej demonstratën e parë të opozitës, duke pohuar se 21 janari ka qenë një sulm i mirorganizuar, i armatosur, i drejtuar nga Edi Rama kundër Këshillit të Ministrave për marrjen e pushtetit me dhunë. Ai shtoi se Rama, më 28 janar, organizoi një tjetër demonstratë, por këtë herë paqësore, me qëllimin e vetëm qe të mbulonte atë çka ndodhi një javë para saj.


image
Paralajmërimi

Meta deklaroi dje se e priste demonstratën e dhunshme të 21 janarit. “Ne e kemi paralajmëruar prej kohësh se kryetari i Partisë Socialiste synonte të nxiste destabilitet në vend, jo vetëm kaq, por kemi paralajmëruar 2 ditë para 21 janarit këtu, me përgjegjësi maksimale, se më 21 janar ishin mobilizuar banda, kriminelë, elementë me precedent penal, të cilët do të sulmonin forcat e Policisë së Shtetit dhe institucionet. Dhe më 20 janar, një ditë përpara puçit, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së të gjitha këto informacione, të ardhura nga strukturat dhe dashamirës të LSI-së nga rrethet, ia ka çuar me shkrim drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në mënyrë krejtësisht zyrtare”, - deklaroi ai. Meta shtoi se demonstrata e dytë e 28 janarit ishte e qetë, sepse synonte të mbulonte 21 janarin. “28 janari ishte një manifestim hipokrizie dhe jo qytetarie”, - tha ai. Meta përshëndeti angazhimin e SHBA-ve për të ndihmuar hetimin e kësaj çështjeje, pasi, shtoi ai, zhvillimet e pas-21 janarit kanë ngritur pikëpyetjet e tyre për objektivitetin dhe seriozitetin e procesit të hetimit, i cili patjetër që duhet të hetojë pasojat, por në radhë të parë të hetojë shkaqet, nxitësit, frymëzuesit e dhunës. Meta i konsideroi si të pabaza dhe qëndrimet kundër hetimit të tablateve telefonike të krerëve të shtetit. “Nuk e kuptoj se si ata të cilët për një vit e gjysmë janë çjerrë për gjoja transparencën, pse kanë frikë se me kë kanë biseduar gjatë 5 orëve të sulmit kundër rendit kushtetues.

Në rast se gjithsecili ka bërë detyrën dhe është sjellë si qytetar i denjë i këtij vendi duhet të shkojë të bashkëpunojë vetë me Komisionin Hetimor Parlamentar. Ne jemi Republikë Parlamentare dhe Parlamenti është mbi gjithçka”, - tha Meta. Ai ftoi opozitën të marrë vendet e saj në Komisionin Hetimor Parlamentar, që edhe ajo të kontribuojë në mënyrë pozitive dhe konstruktive në këtë proces transparence të 21 janarit. Pas deklaratës së kreut të LSI-së reagoi deputetja socialiste, Olta Xhaçka, sipas së cilës “aktori i videohajnisë” duhet t’u japë fund deklaratave në mbrojte të një pushteti të vjedhur. “Kusaria e Sali Berishës e matrapazllëku i Ilir Metës sot kërkojnë shpagimin kushtetues e ligjor e jo deklarata për shtyp pa bereqet. Ata janë partia në pushtet, ne jemi populli që kërkon shtet. Liria, barazia, vëllazërimi na bashkojnë sot me çdo shqiptar, të majtë e të djathtë, kundër kusarisë që vret për pushtet, ndaj përgjigjja që kemi për zotin Meta është se asgjë nuk e ndal popullin e asgjë nuk i shpëton kusarët”, - tha ajo.





Kreu i LSI-së: Historia e kutive, pretekst për të bojkotuar zgjedhjet



Një bojkot i mundshëm nga opozita i zgjedhjeve të 8 majit nuk do të habiste askënd. Kështu deklaroi dje kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, gjatë mbledhjes së kryesisë. Sipas tij, ky ka qenë qëllimi i vetëm i Edi Ramës dhe aspak transparenca e zgjedhjeve të kaluara. “Ua kemi thënë ndërkombëtarëve që në fillim të historisë së kutive se qëllimi kryesor është si të mos hyhet në zgjedhjet vendore, si të përsëritet loja e vitit 2007, por në përmasa të tjera, vetëm për një arsye, sepse kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk ndahet dot nga kjo bashki, për më tepër se nuk ka as mandat deputeti. Dhe e gjithë kjo lojë është në funksion të karrierës së një individi, i cili për një vit e gjysmë ka sulmuar rëndë proceset integruese të vendit, ka bërë një fushatë të shfrenuar për të penguar liberalizimin e vizave, ka përgjegjësinë kryesore për mosmarrjen e statusit kandidat dhe që tani ka nxjerrë fytyrën e vërtetë të tij, e cila është fytyra e dhunës së atyre elementëve kriminalë që i pa gjithë Shqipëria më 21 janar, duke sulmuar institucione”, - tha ai. Më tej, Meta kërkoi të përshpejtoheshin përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore të 8 majit.

“Ky duhet të jetë dhe ky do të jetë objektivit ynë kryesor. Vendi ka një datë të shpallur për zgjedhjet, që është 8 maji, dhe është detyrë e çdo force politike që të marrë pjesë në zgjedhje, por natyrisht asnjë forcë politike nuk mund të marrë pjesë kundër vullnetit të saj. Por axhenda e vendit nuk mund të shmanget nga askush që ka frikë nga procesi zgjedhor dhe që është mësuar që zgjedhjet t’i fitojë në tavolinën e kulisave dhe si dhuratë nga të tjerët”, - tha ai. Në kuadër të përgatitjet së këtij procesi Meta propozoi që i ardhuri rishtas në parti, Ylli Majani, të ishte sekretar për Çështjet Zgjedhore i LSI-së. “Objektivi im kryesor për zgjedhjet e 8 majit është dyfishimi i rezultateve të LSI-së në zgjedhjet e fundit vendore të shkurtit të vitit 2007, si parti, pra në përqindje, pra për këshilltarë dhe njëkohësisht për bashki dhe për komuna, domethënë për njësitë vendore. Ky është një rezultat plotësisht i arritshëm, i cili natyrisht kërkon një motivim të gjithanshëm të gjithë strukturave tona”, - tha më tej ai. Kreu i LSI-së deklaroi se brenda 15 shkurtit duhet të jenë gati propozimet nga njësitë vendore të LSI-së për kryetarë të njësive vendore, pra bashkitë apo komunat në gjithë vendin. “Dhe brenda 15 shkurtit do të bëjmë edhe takimin paraelektoral në Pallatin e Kongreseve me përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim për të përcaktuar të gjitha linjat dhe prioritetet tona për zgjedhjet e ardhshme vendore dhe për rezultatet që pritën më 8 maj”, - përfundoi ai.

Fatbardh Kadilli: Edvin Kristaq Rama tenton ta marrë pushtetin me dhunë

image
Demonstrata e 21 janarit ishte një puç i qartë ndaj shteti ligjor. Kështu ka pohuar deputeti demokrat, Fatbardh Kadilli. Sipas tij, populli ishte i heshtur në 28 janar. Kadilli tha se mazhoranca respektoi thirrjen e Bashkimit Evropian, ndaj dhe anuloi manifestimin antidhunë. Duke iu referuar demonstratës, Kadilli tha se kemi militantë kundër popullit, të cilët kanë qenë organizuar nga Rama. Ai kërkoi që palët të qetësohen dhe të bashkëpunojnë për të mirën e vendit. Por, nënvizoi se për mazhorancën janë bërë puçe. Duke iu referuar Komisionit Hetimor për 21 janarin, Kadilli tha se kërkesa për tabulatet e politikanëve të lartë dhe krerëve të shtetit nuk mund të konsiderohet përgjim. “Prokuroria nuk po heton organizatorët. Dhuna është e iniciuar nga opozita dhe prokuroria nuk heton mbi vrasjet. Nuk janë hetuar individë të veçantë”, - tha Kadilli, ndërsa shtoi se po hetohen ata që mbrojtën institucionet. Duke iu referuar Presidentit, Kadilli tha se Topi nuk doli si garant në 21 janar. “Topi nuk doli si garant i popullit. Veprimet e tij nuk ishin në kohë reale”, - tha Kadilli. Për SHISH-in Kadilli tha se nuk ka bashkëpunuar me qeverinë. Sipas tij, të gjitha këto ngjarje të iniciuara nga Rama bëhen, sepse ai nuk pranon përballjen me zgjedhjet dhe tenton ta marrë pushtetin me dhunë.

21 janari, plani “Rama” për të vrarë Sali Berishën?!

Nga Basir Çollaku

Nuk ka dëshmi më të qartë sesa kryengritja e 21 janarit 2011, ku së paku 200 vetë të armatosur sulmuan dhunshëm policinë dhe Gardën e Republikës, me synimin e qartë që të hynin në godinën e Kryeministrisë dhe aty të bënin reale marrjen e zyrës së kryetarit të qeverisë, të Kryeministrit të Shqipërisë, që gjendej në orarin e tij të punës në zyrë. A është tregues ky a është e dhënë që nxirrte flakë, tym, plumba, dëshmia më transparente e një plani të qartë për të vrarë Kryeministrin e vendit??? As shumë mend nuk do për të thënë ‘po’, sepse flasin pamjet dhe dhuna e kapërcyer me adresë të qartë: Zyrën e Kryeministrit Sali Berisha, ashtu si sulmuan njëlloj në ‘97-n po Berishën, me të njëjtën mendje, sepse përfliten të njëjtët autorë politikë.

Pra, nuk ka dyshim se persona të stimuluar me narkotikë, shenjat mund të flasin mbase për ekstazi, që kishin bomba “Molotov”, pistoleta, e prisnin kallashët sapo të hapej dera, të kishin ndërmend të silleshin me duartrokitje e me paqe apo me lule me kreun e ekzekutivit, kur mijëra të tjerë prisnin “çlirimin e madh”. Për një student të zakonshëm drejtësie, ky plan ngjan si plan vrasjeje, shumë herë me tepër se mesazhet që paskkan mbërritur më vonë nga një qytetar nga Burreli për vrasjen e kreut të opozitës, për djegien e një makine në bulevard apo pranë tij, ditën e mësymjes së armatosur e shkatërruese. Kjo nuk shkon si alibi as nëpër çerdhe të tregohet, por le të presim fundin e hetimit. Tani në celular njerëzit mezi të pyesin si je me shëndet, nga sikleti i përgjimeve pa fund, e jo më të flasin trimërisht se do të vrasim kreun e opozitës për hakmarrje se na kanë djegur makinën ca të panjohur që mbase dhe vetë kryebashkiaku s’ka dijeni se kush janë. Kjo, për mendimin tim, është njëlloj si të bësh japrak me makarona apo kafe me kripë. Madje, prokuroria ka qenë nxitshmërisht e gatshme të zbardhë këtë plan dhe ka bërë mrekullisht mirë, që të parandalojë këtë vepër penale të rëndë si tentativë ndaj zotit Rama, ndonëse duket e trukuar fort bukur për të viktimizuar kreun e opozitës për atë që ai nuk mundi të bënte me 21 janar.

Besoj se në këtë prurje të re informacioni kemi një lajm të mirë, nëse marrim të vërtetë atë që është përcjellë mediatikisht edhe nga seanca në gjykatë ku prokurori ka thënë se janë informacione e përgjime nga SHISH. Lajmi i mirë e i keq njëherësh është fakti (duke e marrë si të vërtetë së paku) që SHISH ka ofruar të dhëna, përgjime, për t’u përdorur si prova për arrestimin e masën e sigurisë në gjykatë. Lajm i mirë duhet konsideruar fakti që punuaka ky shërbim i fshehtë për kreun e opozitës dhe lajm i keq që nuk punon aspak për Kryeministrin. Nuk dua ta marr si aksiomë këtë, por kjo përforcon idenë e përdorjes së Shërbimit kundër kreut të qeverisë, mosvënien në dijeni të tij për atë tmerr të përgatitur për të premten e 21 janarit.

Përgjimet na garantojnë se “atentatorët” janë armatosur me një stilolaps pistoletë, gjë që kundërshtohet si fakt, se kjo armë ka qenë pjesë edhe në armatosjen e 21 janarit kundër Kryeministrisë e Kryeministrit. Kur prokuroria e kërkon një armë kundër Berishës nuk e gjen, ndërsa për 10 minuta e gjen kundër kreut të opozitës, Edi Rama. Kjo katrahurë institucionesh të përdorura njëanshmërisht nuk është se sjell transparencë. Komisioni hetimor parlamentar është instrumenti më bindës që kërkon të dhëna dhe fshehja apo refuzimi që po bëjnë kryeprokurorja, kreu i SHISH, e të tjerë drejtues institucionesh për të vënë në dispozicion fakte që provojnë kryengritjen e armatosur ndaj Këshillit të Ministrave, ndaj Kryeministrit Sali Berisha. Komisioni Hetimor Parlamentar kërkon me të drejtë dhe nuk duhet asnjë kompani të rezistojë e të bëjë naze për të dhënë tabulatet, që të shihet qartë se si kanë komunikuar kryengritësit që tentuan vrasjen e Kryeministrit me 21 janar, por mbetën në tentativë. Bëhet fjalë për sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues dhe operatorët duhet të kenë dërguar pa asnjë lloj rezistence të dhënat për këdo qoftë sepse përballen me një kërkesë ligjore. Këtu nuk ka vend për shkelje ligji nuk ka përse trembet askush sepse në listë janë të gjithë, Presidenti, Kryeministri, Kryetarja e Kuvendit, e gjithë krerët e institucioneve, lë të mësohet komunikimi i fshehtë me 21 janar që të zbardhet plani i vrasjes së pamundësuar të asaj ditë të zezë. Kryeministri dhe Kryetarja e Kuvendit nuk e kanë refuzuar aspak kërkesën që të jenë ata pjesë e dëshmisë, qoftë edhe për bisedat telefonike, atëherë përse kjo frikë e madhe e të tjerëve që janë në këtë listë??? Përgjigjja të shkon vetëm në një shteg, sepse ata nuk duan të rrëfejnë mëkatet në Komisionin Hetimor, pasi aty mund të ndeshemi me shumë vepra kriminale apo urdhra të përcjellë në udhë zjarri të së premtes së datës 21. Kjo hedh gjithnjë e më shumë bindje se kryengritja që dhunoi Tiranën, ishte plan i mirëfilltë, atentat ndaj Kryeministrit të vendit, sepse në bulevard, ashtu si thotë Prokuroria e Përgjithshme, nuk u sulmua as Presidenca, ku gjendet me zyrë kreu i shtetit, Bamir Topi, as Prokuroria e Përgjithshme, 100 metra më tutje bulevardit, ku gjendet me zyrë Ina Rama, as Bashkia e Tiranës, që ndodhet po në bulevard ku ka një nga zyrat Edi Rama, por Këshilli i Ministrave, ku gjendej në zyrë Kryeministri i vendit, Sali Berisha. Ndaj, ky ishte plan për vrasje. Ata që nuk duan hetimin, kanë frikë mos gjenden ashtu si janë denoncuar publikisht pjesëtarë e hartues të planit, sepse të gjithë jemi njohur që të dhëna të frikshme të publikuara nga Kryeministri, janë informacione të ofruara nga shërbimet e huaja. Asnjë nga këto agjenci serioze nuk janë në partitë tona politike, nuk mbajnë me hatër grupimet, por punojnë që siguria e rendi kushtetues i një vendi mik të mos rrënohet, kur ata kanë mundësi të japin ndihmë. E kjo ndihmë prishi planin e tyre për vrasje që do të zbardhej plotësisht në përgjimet e bisedave.

Terrori i Edvin Kristaq Ramës

Leximi i ngjarjeve që prodhuan dy data të janarit, 21 dhe 28, kanë vetëm një emër: terror. Në të dy datat njerëzit ndalën këmbën të dalin në rrugë, mbyllën dyqanet, prindërit pritën me frikë fëmijët të ktheheshin nga shkolla, për herë të dytë ambasada amerikane lajmëron qytetarët e vet të mos dalin në rrugët e kryeqytetit, ndërsa qytetarët e Tiranës e ndien vetë frikën, ndaj dhe u vetëmbyllën! Kjo psikozë frike quhet terror, po nga kush? Politika do të jetë përgjigjja e parë, ngjarjet që prodhon politika shqiptare. Sigurisht terrorin prej politikës e presim, ashtu siç ndodhi më ‘44, kur Enver Hoxha për të ardhur në pushtet përdori “frikën” mbi popullin, por jo individin.

Kjo ishte arma e parë psikologjike që donte të vriste brenda shqiptarëve, ta rrënonte psikologjikisht, t’i jepte tension jetës, t’i hiqte mendimin për të menduar i lirë, për të gjykuar me vetëdije, duke asgjësuar në mënyrë të dhunshme çdo alternativë tjetër. Kështu shtroi rrugën për sistemin e tij, paranojak, duke vrarë të pafajshëm, në emër të sigurisë së pushtetit; se dikush po e kërcënonte me vdekje atë dhe popullin dhe ndaj duhej mbrojtur. Pas kësaj krijoi tensionin, terrorin që i hap rrugë pushtetit të dhunshëm. E njëjta arsye na shtyn të mendojmë, dhe aspak ndryshe, se si Rama më 21 janar, brenda 24 orëve, i bëri shqiptarët frenetikë, u zbuloi instinktin e kafshës, barbarisë, deri në vrasje me njëri-tjetrin. Lufta civile që shkaktoi Enveri, duke ndërsyer shqiptarët me njëri-tjetrin me të njëjtin qëllim u arrit; vrasje në emër të nacionalizmit, në emër të popullit të zemëruar! Janë tipike parulla diktatorësh, të dhunshëm për pushtet.

Po në emër të këtij u shpërfill, u zhduk farë mendimi tjetër, zëri i intelektualëve të lirë asaj plejade të viteve ‘30-‘40 që kishin lajmëruar për një dekadë mbi çdo shenjë të komunizmit, kur niste terrori dhe çetat terroriste. Të njëjtën çetë pamë më 21 janar, të njëjtën çetë të gatshme për terror që mblidhen si “heronjtë komunistë”, të ndihmuar nga traktet mediatike.

Paranojë është dhe kjo ndjesi qytetare, por ndryshe nga plejada e viteve ’30, të cilët e përhapnin mendimin e tyre në pikat më të dobët të shqiptarëve që ishte vetëdija dhe psikologjia, gjendja mentale, sot këto mungojnë krejtësisht prej “elitës” shqiptare. Kur ka me qindra organizata joqeveritare, për lloj-lloj sëmundjesh, patologjike e psikologjike, për sensibilizimin e ndjenjës qytetare, për të drejtat e njeriut, për hakmarrje e gjakmarrje, është e pashpjegueshme pasiviteti për ta lexuar të paktën situatën. Ndoshta presin dhe këto OJQ buxhetin e 2011-s, si nga brenda dhe nga jashtë për të bërë projekte e programe se si të rehabilitohen shqiptarët. Një aktore e njohur në pamundësi për të ngritur zërin, e përmend shpesh me vete se këtu “është një spital psikiatrik”. Ndërsa për të huajt këto situata në Shqipëri i bëjnë heronj, për t’iu mburrur bashkatdhetarëve të tyre se po jetojnë si Afganistan.

Terror kanë dhe ata, siç patën “gjermanët” e “amerikanët”, dhe “anglezët” e viteve ‘44, të cilët e lanë Shqipërinë në vetizolim.

Për ta vërtetuar këtë terror mjafton të shikojmë pas, qysh në vitet e para të diktaturës, pasi u mboll terrori erdhi kosa, qetësia e rreme që i futi shqiptarët në gjedhë (në zgjedhe, brenda gardhit).

Pas asaj “lufte” frenetike për të mbjellë terror politik tek shqiptarët më 21 janar, në rrezik për të prodhuar një luftë civile, më 28 janar pamë ekstremin, qetësinë e rreme. Njerëzit u rreshtuan tamam si në diktaturë, u futën në gardh. Qytetarët u diktuan të mos e kalonin gardhin, po të bënin homazh “të detyruar”. U krijua një shtet brenda pushtetit të Edi Ramës. Leximi i homazheve siç u komentua nga mediat kishte një medalje; populli i thirrur nga Rama diti të lexonte urdhrat e tij! Vetëm vdekja u respektua në gjithë këtë “qetësi të rreme”, njësoj si në diktaturë. Brenda 24 orëve Rama arriti të realizonte paranojën e tij; të krijonte skenën sikur do ta vrisnin atë personalisht. Por njëkohësisht të krijonte dhe ngjarjen më të paturpshme, të frikshme; dublimin e sigurisë së shtetit. Njerëzit me shirita të verdhë po dublonin policinë. E frikshme kjo brenda një shteti, në emër të sigurisë. Të futësh në gardh 6 mijë vetë, t’i vendosësh dy rreshta me njerëz me shirit të verdhë në krah, mu përpara pozicionit të policëve ishte terrori i dytë, i palexueshëm, por që klith për vetëdije.

Demonstratat kanë lirinë e tyre, qytetarët kanë ndjeshmërinë personale që nuk përputhet me asnjë lloj pushteti. Ndërsa Rama artikulonte në një intervistë për një nga televizionet se mësuesit kanë nevojë për politikën, mjekët kanë nevojë për politikën, mediat kanë nevojë për politikën, tregtarët kanë nevojë për politikën etj. - këto janë krejtësisht absurde dhe provokojnë sërish terror të palexuar. Modelet demokratike të një vendi prodhojnë individë të lirë, me mirëqenie ekonomike, të lirë për t’u arsimuar pa pasur nevojë për politikën! Shteti dhe qeveritarët biblikisht janë shërbëtorë dhe jo politika, por e kundërta, politikanët kanë nevojë për individin e fortë.

Në të kundërt, mbillet terrori dhe pushteti. Tashmë shenjat e diktaturës i lexojmë më mirë se cilido vend tjetër. Jo vetëm se kemi një trashëgimi kulturore te mendimit, mohuar nga komunizmi, që të mbush me vetëdije e ndërgjegje, por historia e 50 vjetëve të diktaturës dhe e këtyre 20 vjetëve në përpjekje për të mbërritur në liri ka krijuar të paktën filtra të fortë psikologjikë për të kuptuar kur terrori na troket në derë. Ky është lajmërim për diktaturë, sistem jashtë demokracisë.

Sharl Bodleri i gjorë!




Nuk di më çka merresh dhe ç’ke botuar, mik i dashur.

Nuk di më çka merresh dhe ç’ke botuar, mik i dashur. Ndiej dhembje për ty që ende një libër tëndin të përkthyer nuk e kam parë në vitrinat e librarive të metropoleve, megjithëse vazhdon të derdhësh para dhe t'u bashkohesh ca mediokërve të kasabasë sonë që nuk prajnë duke derdhur lekë pas famës. ... Ndoshta Ti beson ende se me intriga do të bëhesh dikushi. Kam frikë se vrapi do të të lëshojë një ditë e ne ç’do bëjmë pa ty, me kë të argëtohemi? Do ishte mirë t'i kthehesh vetes e të mos merresh me gjëra që nuk të kanë hije. Ti je aq i njohur në botën tonë të vogël sa nuk habitet kush me turrin tënd të kampionit. Nuk dua të merrem me etikën tënde. Në të ndarë, dua të pyes: Ç'bëre Ti për Esad Mekulin? Unë, ndërkaq, kam botuar dy përzgjedhje nga opusi i tij: një për shtëpinë e njohur botuese, “Toena”, nga Tirana dhe tjetrën në ASHAK, kam ca shkrime diskursive për të, i kam kushtuar dhe poezi qëkur isha i ri. Esad Mekuli që në vitin 1968 kishte përkthyer një libër timin në gjuhën e popujve të ish-bashkësisë, në disa antologji ka vënë poezitë e mia, por ajo që më ka nderuar më së shumti është poezia që ma ka dedikuar dhe këtë nuk do ta harroj kurrë: Ai vërtet ishte engjëlli im mbrojtës, por krahët e tij nuk kishin arritur ta mbronin edhe Shaip Beqirin (Sharl Bodleri) të gjorin, se nuk kishte bërë asgjë. Esad Mekuli njihet si autor i disa antologjive të botuara. Por, miku im i dashur, nuk të kam hasur në asnjërën. Pakënaqësinë tënde e kuptoj, por më tmerron shpëlarja e kujtesës sate. Harron së krijuesi vazhdimisht e shkruan veprën e vet dhe i kthehet shpesh, shkaku i ndonjë fjale, rime apo imazhi. I paske harruar variantet e Lasgushit, Mjedës e shumë të tjerëve. I lexoja fjalët e tua dhe vëreja së Ti nuk mund të jetosh pa intriga. Ato janë produkte të mentalitetit tënd fisnor dhe primitiv... Do të shkruaj prapë se dua të të kthej në jetë e të lë ndonjë fletë të bardhë ku do e hedh dhembjen time për ty dhe për ata që mbetën rrugëve të Evropës. Besoj se do të bëhet mirë shoku Shaip, do t’i kujtojmë protestat dhe ngujimet në pallatin e “Rilindjes”, në mbrojtje të fjalës dhe të librit shqip. Nëse ta kam zënë udhën unë, mik i dashur, nuk di pse merresh edhe me Kadarenë? Lexues i dashur, nën katin e nëntë të edicionit të “Rilindjes”, e kishim një mik, i cili kënaqej kur e quanin me shaka Sharl Bodler. Fatkeqësisht, tani ai vazhdon të përsosë zanatin e vet: intrigën! Unë nuk kam kohë më dhe as nuk dua të merrem me sojin e tij, sepse të gjitha shkrimet që ky karafil ua dërgon redaksive, m'i sjellin miqtë e mi, ku e shoh mjerimin e tij. Më çudit diç, si në Evropë ky Sanço Panço, sillet, duke u shitur mend përkthyesve të rastit dhe mendimtarëve të tij të paktë! Shihemi mik i dashur diku në Berlin, nëse të kanë ftuar ose mund të më gjesh edhe në Bruksel, ku edhe atje ka zënë të luhet loja me çibrita! Ik, tani në Lesbos.

nga Vera Pelaj :Koha kur i thurnim poezi Titos



Podrimja: Përballemi me krim kulturor!


“Unë, para se të merresha me shkrime, merresha me sport. Isha notues, një ndër më të njohurit, jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë Kosovës. Por, unë rastësisht kam hyrë në letërsi. Një mik imi shkruante poezi dhe ai vinte të më shihte mua kur kërceja nga shkëmbinjtë e lartë, nga lartësitë e mëdha. Një ditë më thotë: “Po shkruaj poezi”. Unë i thashë: “Mirë, edhe unë një ditë do të shkruaj poezi”. Dhe ashtu ndodhi. Ishte ajo poezia e parë që poeti nga Kosova, Ali Podrimja, e rrëfen, se e botoi tek “Jeta e re” në numrin 4, në vitin 1957. Prej atëherë, Podrimja nuk e ka lënë poezinë, nuk është hedhur ndonjëherë në prozë, por është një nga publicistët më aktivë të letrave shqipe. Qëndrimi në eseistikën e tij është politik, kombëtar dhe kulturor. Është një pasqyrë si respektohet gjuha dhe morali njerëzor brenda territorit nacional të një vendi, nga ku nis kultura si integrim.
image


Cila kohë është koha e fillimit të shkrimeve?

Kam filluar të shkruaj që në vitet ‘60. Poezinë e parë e kam botuar në revistën letrare “Jeta e re”, në numrin 4 të saj, në vitin 1957. Por, puna ime më e dendur dhe që ishte më e vrullshme, fillon nga vitet ‘60. Atëherë isha nxënës i gjimnazit të Gjakovës dhe më kujtohet si sot, pas disa numrave që ishin botuar te “Jeta e re”, që mbarte Esad Mekuli, të cilin unë e kam quajtur në shkrimet e mia diskurseve edhe “Engjëlli im mbrojtës”, më luti të dërgoja një poemë për Kosovën. Unë vetëm e kisha shkruar poemën, e cila kishte hasur në keqkuptim te organet e pushtetit të atëhershëm. Dhe kështu, ata i kishte kapur tmerri, shkaku i një vargu, i cili gjendet në poemë: “Kosova është gjaku im që nuk falet”. Do të thotë, para 50 vjetëve, e kisha thënë këtë varg dhe si nxënës isha bërë problem për shtetin e atëhershëm. Prandaj, atë kohë, vështirë se do ta harroj ndonjëherë, sepse ishte me shumë të papritura.

Me çfarë problemesh u ballafaquat për shkak të shkrimeve tuaja në atë kohë?

Problemi kryesor ishte poema, por pas poemës kisha botuar edhe disa poezi të tjera. Posaçërisht problem më kishte sjellë edhe poezia “Bukuria”. Për këtë poezi më thoshin: “Kush është ai fqinji yt, që ende nuk e ke takuar?” Në atë poezi kisha një varg që thosha: “Zgjata dorën ta këpus lulen, mos, më tha fqinji im”. Fjala ishte për bukurinë dhe mirësinë në jetë, por ata (pushteti i atëhershëm) e kuptonin krejt ndryshe. Ata e kuptonin nga rrafshi politik dhe më thoshin se ke menduar për Shqipërinë. Unë nuk mund të thosha se ishte ashtu, sepse mund të dënohesha, ashtu siç kishin paraparë ata. Mirëpo, megjithatë mua më përjashtuan nga gjimnazi dhe unë u detyrova që privatisht ta mbaroja gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë.

Drejtori im i shkollës ishte Ibrahim Zherka, i cili ka qenë një njeri zotëri, historian dhe njeri diplomat. Më bëhej se ai më lexonte në sy dhe përgjigjet e mia atij i pëlqenin. Atij i pëlqente që unë dëshiroja t’ju bishtnoja gjërave më të këqija. Posaçërisht ra në hall Esad Mekuli, sepse Komiteti Krahinor i atëhershëm e kishte ftuar në bisedë informative dhe e kishte pyetur për poezinë time. I kishin thënë: “Çka është kjo poezi, çka është ky varg: “Kosova është gjaku im që nuk falet”, sa vjet i ka ai poet që e ka shkruar...?” Esadi ishte përgjigjur se është djalë i ri dhe kishte treguar që jam gjimnazist. Mirëpo, komiteti në atë kohë kishte thënë se ky poet nuk mund të jetë gjimnazist dhe se nëse është kështu, ai gjimnazist nuk meriton që ta vazhdojë shkollën më tutje. Ai qenka njeri i revoltuar, rebel etj., etj.

Pas atyre bisedave, Esadi arrin në Gjakovë dhe gati sa nuk qante. Unë i kërkova falje dhe i thashë: “Më fal baca Esad, unë ashtu e shoh dhe mendoj se “Kosova është gjaku im që nuk falet”. Të tjerët mund të thonë që Kosova nuk është gjaku i tyre, por gjaku im, është”. Ai filloi të shqetësohej dhe më tha: “Nëse më dëgjon, nëse më kupton dhe nëse dëshiron që “Jeta e re” të mos mbyllet, a bën ta shkruash një vjershë për Titon?” Unë buzëqesha dhe i thashë: “Baca Esad, unë nuk kam qenë në luftë dhe as jam takuar me Titon. Nuk e di as çka të shkruaj”. Ai më tha se do të jetë mirë edhe për ty dhe se do të shërbejë poezia për Titon ty, edhe si mbrojtje. Më kujtohet se me të ishte edhe Nehat Islami. Nehatin e donte shumë dhe të dy bashkë kishin ardhur te unë në Gjakovë, me qëllim që të më bindnin që të shkruaja një poezi për Titon. U thashë se nuk di ta shkruaj atë poezi. Esad Mekuli më tha: “Shkruaj ti tre-katër rreshta e unë i rregulloj”. I thashë se atëherë nuk është poezia ime. Më tha: “Të lutem, ose duhet ta shkruash një poezi për Titon, ose përndryshe do të na mbyllin revistën “Jeta e re””. Atëherë ishte gjallë Dushan Mugosha.

Në atë kohë, dëgjoheshin nga pak edhe shqiptarët, por ai i kishte nën komandë të gjithë. Baca Esad nga ai kërcënohej, por unë bacës Esad i thashë: “Për besë nuk di të shkruaj poezi për Titon”, por ai më tha: “Për hatrin tim, duhet ta shkruash”. U binda dhe e shkrova poezinë, por jo aq të gjatë. Dhe ai më tha se do t’ia vinte titullin vetë. I thashë, mbasi ndodhi kjo punë me poemën time dhe pasi dëshiroj që unë të mos jem shkaktar për mbylljen e revistës “Jeta e re”, po e vë në peshojë edhe nderin tim dhe i thashë se unë nuk mund t’i shoh lotët e tu. Më tha: “Mirë, dhe kështu do të bëjmë”. Mirëpo, ajo poezi në gjuhën shqipe kishte kaluar shumë mirë dhe udhëheqësit shqiptarë thoshin për mua se ky qenka djalë i mirë, ne i paskemi ra në qafë etj., etj. Por, poezia ime përkthehet në gjuhën serbe, me rastin e ditëlindjes së Presidentit të atëhershëm të Jugosllavisë, Titos. Ata duhej patjetër të shihnin se çka kanë shkruar shqiptarët, sllovenët, kroatët, maqedonët etj. dhe bëjnë një antologji. Në atë antologji, e përkthejnë edhe poezinë time.

Poezi për Titon kishte nga të gjithë poetët e Kosovës, duke u nisur nga Enver Gjergjeku, Rrahman Dedaj e nga të gjithë, sepse koha ishte e tillë dhe nuk mund t’i bishtnoje punës atëherë, sepse në atë kohë, themelohej edhe Universiteti, krijohej edhe Akademia e shumë institucione të tjera e të vinte turp ta pengoje, prandaj është dashur që në njëfarë mënyre, të bësh lojë edhe me fatin tënd, edhe me fatin e shoqërisë. Dhe, e marrin atë poezinë time për Titon, e analizojnë dhe përsëri thonë se ky njeri është tallur me ne, sepse në poezi ka vargun “Trimi im”. Kur i drejtohesh dikujt me “Trimi im”, është pezhorativ dhe ata thonë se ky i thotë Titos “Trimi im”. Sekretari i Fadil Hoxhës më thotë: “Na trego pse e ke shkruar këtë poezi dhe këtë varg?!” Unë i pata thënë: “I kam thënë trimi im, asgjë tjetër”. Ai më thotë: “Jo, ky varg është shkruar në mënyrë pezhorative”. Unë iu përgjigja: “Jo, jo. Unë kam menduar se është trimi im dhe asgjë tjetër”. Dhe me kaq u mbyll ai proces rreth asaj poezie. Mirëpo, Esadin vërtet e kam pasur një “engjëll mbrojtës”, sepse ai më ka mbrojtur shumë shpesh dhe vërtet më ka ndihmuar shumë.

Deri tani na treguat për problemet që i keni pasur në të kaluarën për shkak të krijimtarisë suaj. A mund të keni probleme edhe tani, p.sh. me poezinë “Zero”, që e keni shkruar në vitin 2004, meqenëse edhe kjo poezi është për korrupsionin?

Krijuesi është turp të heshtë para korrupsionit. Është turp të heshtë para injorancës dhe para të keqes, që mund ta kaplojë shoqërinë. Kam përshtypjen, që ajo sindroma e Shqipërisë ka kaluar edhe tek ne. Tani ne na kanë kapluar këto “Zerot” e ato zero në realitet mund të ishin kafshatë e shumë njerëzve të varfër. Nuk ka asnjë funksionar sot, nga më i vogli e deri tek ai më i madhi, që nuk i ka disa makina. Ato makina janë bërë tmerr për opinionin, për ata që çdo ditë enden me duar në xhepa. E kjo është e turpshme. Mirëpo, krijuesi duhet ta luftojë këtë, duhet t’u tregojë njerëzve, kur një popull, siç jemi ne, ende kërkon veten, kur një shoqëri ende bredh në një hapësirë ballkanike dhe ende nuk e ka marrë veten në dorë, e jo të tregohesh një shoqëri e pasur, kur je një shoqëri e varfër.

Shikoni vetëm sa universitete private janë ndërtuar këtu e ndërtimi i gjërave private ka vetëm qëllim përfitimin e asgjë tjetër. Studentët më të dobët janë nëpër universitete private. Por edhe profesorët në universitetin shtetëror janë të hutuar, sepse ngasin edhe nëpër universitete private, në të gjitha anët, sepse ngasin për përfitime. Unë shoh shumë intelektualë që janë në nivel e që kanë emër, por ata nuk bëjnë ashtu, sepse turpërohen pikësëpari nga familja e vet dhe nga vetë populli.

UÇK-ja e ka pasur për betim vargun tuaj “Kosova është gjaku im që nuk falet”. Si e ndieni veten për këtë nder?

Për mua ky ka qenë nder, sepse shumë nga ata të rinj që dolën nëpër male dhe kapën pushkët për ta mbrojtur dinjitetin dhe Kosovën, i kam njohur. Për mua është interesant edhe një rast në Tiranë, ku ishte mbajtur një demonstratë e madhe në vitin 1998 për lirinë e popullit të Kosovës. Dritëro Agolli, siç e ka zakon ai me atë humorin e vet, më tha: “Ali, na ke bërë telashe”. E pyeta: “Për çka?” Më tha: “Qindra vetë e kanë mbajtur vargun tënd lart dhe kanë bërtitur: “Kosova është gjaku im që nuk falet”. Unë i thashë se nuk kanë bërë gabim, mirë kanë bërë. Edhe i thashë, ky është nder për mua. Edhe ky varg imi që ka qenë për betim të luftëtarëve të UÇK-së, është nder për mua.

Në cilësinë e poetit kombëtar, ju e keni përfaqësuar poezinë kosovare nëpër festivale të ndryshme. Një ndër këto festivale ka qenë edhe Festivali Interkontinental i Artit dhe Letërsisë. Cili ishte roli juaj në këtë festival?

Unë kam qenë në shumë manifestime të tilla dhe kam pasur shumë takime me poetë. Në takime të tilla, çdo krijues mund të kontribuojë për çështjen shqiptare. Mund të kontribuojë për shumëçka, mirëpo takimet e Mediteranit janë ndër takimet më të mëdha që mbahen çdo vit në Evropë. Aty kanë marrë pjesë edhe miqtë e mi: Fatos Arapi, Agron Tufa, Visar Zhiti etj. Më ftuan dhe unë shkova.

Kishit thirrje direkte nga Roma?

Po, direkte. Mirëpo, ishte shumë qesharake për mua, që në ato takime ishte edhe nobelisti kinez, për të cilin unë kisha shkruar shumë keq. Inatosesha se si një krijues kinez, për të cilin nuk kisha dëgjuar kurrë, ishte nderuar nga Stokholmi me çmimin “Nobel”. Dhe duhet ditur se secili intelektual duhet ta mbrojë intelektualin e vet, e jo t’i shkelë vlerat e veta. D.m.th. është e turpshme. Unë edhe sot kur i shoh intelektualët që grinden mes vete, mua më vjen turp, sepse ne secili kontribuojmë në mënyrën tonë për çështjen kombëtare, për kulturën kombëtare dhe për afirmimin tonë. Ato takime kanë rëndësi shumë të madhe për afirmimin e secilës kulturë, të secilës letërsi. Kryesisht aty tubohen letërsitë e Mesdheut, mirëpo ftohen edhe poetë nga Kina, nga Vietnami, nga Australia, nga Amerika.

A do të mund të organizohej në Kosovë një festival i poezisë? Çfarë është Festivali Interkontinental i Artit dhe Letërsisë në Romë?

Ne kemi pasur Mitingun e Poezisë që është mbajtur afër 50 vjet në Gjakovë dhe mbahet ende. Por, krijuesit filluan të grindeshin mes veti. Ka mbetur Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, por u formua edhe Pen Qendra e Kosovës. Realisht, organizator i Mitingut të Poezisë në Gjakovë ka qenë klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”. Atëherë Gjakova ishte shumë e fortë ekonomikisht dhe Gjakova e financonte, mirëpo e ndihmonte edhe Ministria për Kulturë. Tani më duket se janë harxhuar fjalët në mesin e krijuesve, u harxhuan xhepat dhe pasuria për të mbajtur një manifestim të tillë.

Tani vazhdimisht manifestimet tona duken të zbehta. Nuk të merr malli edhe të marrësh pjesë, sepse nuk e kanë atë bukurinë që e kanë pasur dikur. E mbaj mend që atë kohë vinin poetë jo vetëm nga Kosova e Shqipëria, por edhe nga e tërë bota. E tani shkaku i mjeteve, nuk kemi mundësi t’i thërrasim. Tani mblidhen vetëm poetët e Kosovës, ata që dëshirojnë të shkojnë. Përndryshe, jeta letrare në Kosovë vjen vazhdimisht duke u varfëruar. Dhe kjo është një nga të zezat më të mëdha, që e ka plagosur letërsinë shqipe.

Sa jeni i kënaqur me Ministrinë e Kulturës, me atë që u ofron shkrimtarëve?

Ministria e Kulturës, mirë që ekziston dhe mirë që ka njerëz të kulturës aty, por Ministria e Kulturës duhet të ketë edhe mjete më shumë. Mjete më shumë, sepse nëse kjo ministri nuk financon revista, nëse nuk financon fletushka letrare, nëse nuk financon manifestime të ndryshme letrare, nëse nuk i ofron dhe i bashkon krijuesit, atëherë nuk është në funksion të kulturës. Kjo ministri kurrë nuk ka pasur më pak para se tani. D.m.th., shumicën e mjeteve që i marrin ata, i shfrytëzojnë për të paguar personelin që punon aty. D.m.th. mjetet e tjera që mbesin aty, janë të pakta për një zhvillim normal të kulturës në përgjithësi tek ne.

Nga këndi juaj, si e keni shikuar polemikën Qose-Kadare?

Ajo polemikë që ka ndodhur në mes këtyre dy krijuesve, ndoshta ata i ka dëmtuar më së shumti, sepse ka qenë shumë e acaruar dhe një polemikë e tillë ka ndodhur një kohë kur Kosova ende nuk e kishte shpallur pavarësinë dhe nuk dihej ende se çka po bëhej me të. Ndoshta do të ishte më mirë të heshtnin, mirëpo ata të dy janë krijues dhe e kanë thënë mendimin e tyre. Është mirë që e kanë dhënë mendimin e tyre, mirëpo nuk është mirë kur e shkelin njëri-tjetrin. Kjo është më e dhimbshme.

Sa jeni i kënaqur me poetët e rinj?

As poetët e rinj nuk kanë sot hapësirë ku mund të botojnë dhe ku mund të paraqiten, për arsye se mungon shumëçka. Mua më vjen keq që shumica e poetëve të rinj bredh në margjina. Nuk gjen vend, sepse nuk i ofron shoqëria. Shoqëria është fajtore për këtë dhe shumëçka tjetër. Shoqëria duhet ta dijë se një popull duhet ta ketë një kulturë të madhe. Me atë kulturë duhet t’u prijë edhe shumë programeve kombëtare dhe t’u prijë edhe shumë projekteve kombëtare. Nuk mund të bëjnë projekte kulturore njerëzit që janë jashtë sferës së kulturës.

Tropoja me dy heronj, sot Azemi, dje Bajram Curri

Shtatorja e Azemit, përballë heroit Bajram Curri



18 vjet pas vrasjes, italianët i ndërtuan një bust në Palermo gjykatësit të famshëm që u përballë deri në vdekje me mafian, Giovanni Falcone. Tropojanët kanë vendosur t’i ngrenë një madhështi të tillë birit të tyre, Azem Hajdari. Tropoja me dy heronj, sot Azem Hajdari, dje Bajram Curri. Busti i heroit të demokracisë do të vendoset përballë atij të Bajram Currit që luftoi dhe dha jetën për bashkimin e trojeve shqiptare. Të dy i përkasin Malësisë së Gjakovës. Së shpejti monumenti prej bronzi i Azemit do të shfaqet gjigand, i rrethuar nga lartësitë e Shkëlzenit dhe Jezercës. Rreth tij do të mblidhen të gjithë: familjarët, miqtë, shokët, politikanët pikërisht në qytetin e lindjes, në Bajram Curri. Është një projekt i Bashkisë së Bajram Currit, qyteti ku Azem Hajdari lindi dhe u rrit dhe më pas i dha krenari e bashkë me të edhe historinë që ai krijoi në kohën më të vështirë për shqiptarët. Bashkëqytetarët e Azemit, të mbështetur nga qeveria e Kryeministrit Sali Berisha, edhe ai bir i trevës së Malësisë së Gjakovës, kanë vendosur ta rikthejnë Azemin në vendlindje. Aty ka shtëpinë, ku hodhi hapat e parë dhe mësoi për jetën... Një shtatore për të në qendër të qytetit, aty historia shkon bashkë me të, rreth madhështisë së këtij njeriu të thjeshtë, jeta e të cilit ishte shembull i pasionit për punën, për detyrën, për të vërtetën, për drejtësinë. Por, atë natë të 12 shtatorit të ‘98-s, kundër tij lëvizën mafiozët dhe i gjithë moçali i pushtetit komunist. Të dyja palët e urryen për vdekje. Azemi lindi në Tropojë, në vitin 1963, në një kohë diktature të rreptë, të një lire të rrethuar brenda hekurave të regjimit hoxhist, ku jeta zhvlerësohej si një gjethe ahu... Rrezikim i ngjante atij honi të thellë ku diktatura komuniste përgatiste të hidhte lirinë e ëndërruar e të masakruar të shqiptarëve. Në atë kohë, Azem Hajdari ndiqte shkollën e mesme në qytetin e Bajram Currit. Ishte kohë e fataliteteve të mëdha, kohë e dhunës nga më të egrat në krejt Evropën komuniste-lindore. Fati i tij nuk mund të përzihej me diktaturën e kuqe, ndaj u vu në krye të lëvizjes studentore me datën 8 dhjetor të ‘90-s, vit kur studionte për drejtësi dhe ishte bërë baba i një foshnje të vogël. Dukej sikur parulla “Liri-Demokraci” kishte dalë prej gjoksit të Azem Hajdarit dhe ndiqej nga mijëra kryeqytetas. Ai udhëhoqi uraganin e madh deri në rrëzimin e diktaturës, por duke mos iu ndarë realizimit të plotë të lirisë në Shqipëri as ato ditë të protestave të mëdha, as në sallën e Parlamentit. Për rëndësisë e saj u foli shqiptarëve deri në shtëpitë e tyre, ku sa herë trokiti, i hapën dyert, nga Tropoja në Sarandë. Më 12 dhjetor 1990, të detyruar prej uraganit, por edhe prej revoltave antikomuniste që po vinin prej Evropës Lindore, pushtetarët komunistë mes shumë debatesh lejuan pluralizmin politik, përndryshe krijimin e Partisë Demokratike. Një kryesi e dalë prej mbledhjes së kësaj dite vendosi që deri në mbajtje të kongresit, Partia Demokratike të udhëhiqej nga kjo kryesi, në krye të së cilës u vendos Azem hajdari, që prej atij momenti e deri në fund të jetës së vet, biri i Tropojës mbajti mbi supet e veta krejt një rrjedhë të fuqishme antikomuniste, duke dëshmuar jo vetëm guximin për të luftuar, por edhe prirjet për ndërtimin e institucionalizimit të demokracisë së brishtë shqiptare. Dhe erdhën zgjedhjet e para pluraliste, prej të cilave Azemi u bë deputet i Shkodrës, por PD-ja nuk mundi t’i fitonte zgjedhjet në nivel kombëtar. Kandidatura e Azem Hajdarit në marsin e vitit 1992 fitoi në mënyrë të pakundërshtueshme ndaj socialistë komunistëve, në të njëjtën zonë. Populli martir i Shkodrës, jo vetëm i dha votën e vet studentit të dhjetorit, por edhe e siguroi atë se do ta kishte krah në çdo lloj uragani kundër komunizmit. Në Parlamentin e parë demokratik shqiptar, Azem Hajdari mbeti deri në fund zëdhënës i rindërtimit të shpresës shqiptare, çdo fjalë e tij ka kumtuar shpirtin e nacionalistit të ndershëm, të politikanit të mprehtë, të energjive të rralla studentore. Ai ishte ndër të parët deputetë shqiptarë që e ngriti problemin e madh të vëllezërve të Kosovës. Ideja e pavarësisë do të mund të gjeneronte zgjidhje të reja, për të çuar në fund të fundit tek rrëzimi i “Murit të Berlinit” që ndante shqiptarët mes tyre. Djali nga Tropoja që tashmë kishte mundur të krijonte legjendën shqiptare, ngriti zërin fort kundër veprimeve të Janullatosit në Shqipëri, si edhe kundër politikave greke që të hynte në bisedime serioze e korrekte me palën greke lidhur me pronat legjitime të çamëve, të cilët u dëbuan me dhunë prej pronave të tyre në vitet 1920-1924. Me të njëjtin guxim, me të njëjtën vendosmëri, Azem Hajdari nuk reshti as në Parlament edhe ndaj opozitës së atëhershme, atyre rudimenteve të bolshevizmit. Një betejë e pastër përmes së cilës kërkonte demokracinë e vërtetë, drejtësinë e pastër plot aspirata të reja. Edhe në zgjedhjet e viteve 1996-1997, Azem Hajdari zgjidhet sërish deputet, tashmë një lider i kurajos qytetare të popullit të vet. Në shtatorin e vitit 1997, Azemi u qëllua në sallën e Kuvendit të Shqipërisë nga një deputet socialist. Dora mbajti koburen për vdekje, por trupin e shëndetshëm veçse e gjakosi. I plagosur shkon sërish në Parlament, duke akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë pushtetarët e majtë. Por, ata goditën sërish derisa e rrëzuan përdhe, me breshëri plumbash në një natë të errët, si ajo e 12 shtatorit të ‘98-s. Dora vrastare tashmë e dinte se ku fshihej zemra e dytë e Azem Hajdarit. Por tropojanët, bashkëqytetarët e tij, kanë vendosur ta ngrenë në piedestal, me pamjen e tij prej trimi, guximtari, shtatlartë si kreshtat e maleve të Malësisë së Gjakovës, me të cilën së shpejti do të gdhihet dhe ngryset çdo ditë...

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...