Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/02/01

Sali Berisha: Fund fatal për dhunuesit e institucioneve

“21 janari”, Kryeministri: Të implikuar Topi, Ina Rama dhe SHISH. “Ina Rama lëshoi fletë-arreste pa hetuar dhunuesit e institucioneve”

image

Kryeministri Sali Berisha garantoi dje shqiptarët se situata është nën kontroll dhe se kush tenton për herë të dytë të dhunojë institucionet e shtetit, do të marrë ndëshkim maksimal ligjor. Por ai akuzoi sërish prokuroren e Përgjithshme, e cila sipas tij, lëshoi pa asnjë hetim urdhër-arrestet për të gjithë komandën drejtuese të Gardës së Republikës. Ai hodhi akuza te tjera mbi Presidentin Bamir Topi, kryeprokuroren Ina Rama dhe Kreun e SHISH si te implikuar me 21 janarin. Berisha priti dje në një takim mikun e vjetër, përfaqësuesin e komunitetit të Sant'Egidios, Imzot Vincenzio Paglion, ku i bëri një paraqitje të situatës së krijuar si pasojë e protestave të dhunshme dhe përpjekjeve për përmbysjen e institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike. Kryeministri u shpreh se në 21 janar, kreu i opozitës organizoi një protestë të dhunshme, duke i vendosur ultimatum kryetarit të qeverisë se nëse nuk do të pranonte ultimatumin e tij, do të kalonte mbi kufoma. Kryeministri theksoi se për pesë orë me radhë, jo më shumë se 200 deri në 300 banditë, trafikantë e kriminelë rrethuan institucionin e Këshillit të Ministrave, më qëllim përmbysjen me dhunë të qeverisë legjitime. Kryeministri u shpreh se në këtë përpjekje, zhvillimet e mëvonshme treguan qartë se janë të përfshirë dhe drejtuesit e 2 - 3 institucioneve të tjera të vendit. Kryeministri e njohu imzot Paglion se prokurorja e Përgjithshme lëshoi pa asnjë hetim urdhër arrestet për të gjithë komandën drejtuese të Gardës së Republikës përfshirë komandantët më të lartë të saj ndërkohë që nuk ka nisur ende hetimet për dhunim të rendit kushtetues duke mashtruar shqiptarët se nuk ka marrë padi për dhunim të rendit kushtetues në një kohë kur Policia e Shtetit e kishte dërguar këtë padi dy ditë më pare. Prokurorja e Përgjithshme vazhdoi misionin e saj të paralizës së sistemit të akuzës për hetimin e puçistëve, duke shkelur marrëveshjen e bërë me faktorë shumë të rëndësishëm ndërkombëtarë duke dëshmuar në këtë mënyrë se puçistët shpresojnë akoma në projektin e marrjes së pushtetit më dhunë, u shpreh Kryeministri. Kryeministri theksoi gjithashtu se Presidenti i Republikës, siç fakton deklarata e tij e datës 21 janar, nuk arriti të shihte pesë orë dhunë dhe sulm për të përmbysur qeverinë legjitime të vendit. Duke shprehur vlerësimin se SHBA kanë sjellë ekspertë shumë të mirë që do të ndihmojnë prokurorinë në hetimin e çështjes shprehu besimin se kjo ekspertizë do të garantojë hetim profesional e të paanshëm. Kryeministri Berisha e njohu Imzot Paglion se një komision hetimor parlamentar është ngritur dhe do të bëjë transparencën për shqiptarët mbi çdo gjë që ka ndodhur. Duke e garantuar se situata është krejtësisht nën kontroll, kryeministri theksoi se ai që do të tentojë të dhunojë për herë të dytë institucionet e vendit, do të marrë ndëshkimin maksimal ligjor që meriton. Kryeministri garantoi se askush nuk do të mund të pengojë bërjen e drejtësisë mbi këtë çështje. Imzot Paglio shprehu keqardhjen për këto zhvillime të dhunshme, duke i cilësuar ato të papranueshme si dhe vlerësoi kryeministrin për të qëndrimet e tij. Duke shprehur mbështetjen e tij, ai theksoi se ka besim të plotë se rendi kushtetues i vendit është i fortë dhe nuk do të mund të dhunohet më.

Kryesia e PD-së Shkodër dënon aktet e dhunës të 21 janarit

Kryesia e Partisë Demokratike në Shkodër zhvilloi dje një mbledhje me dyer të mbyllura, ku sipas burimeve zyrtare, në rend të ditës ishte diskutimi dhe arritja e një vendimi të përbashkët mbi qëndrimin që mban kjo forcë politike në Shkodër mbi zhvillimet dhe situatën aktuale politike në vend. Gjithashtu, sipas të njëjtave burime edhe dënimin e aktit të dhunës së shfaqur nga disa persona të inkriminuar pranë Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe opozitës së bashkuar në demonstratën e 21 janarit. Këtë qëndrim e kanë bërë prezent pas mbledhjes kryetari i PD-së Shkodër Astrit Bushati si dhe deputetja Arenca Troshani. Gjithashtu sipas kreut të PD-së Shkodër, Astrit Bushati, një tjetër çështje e diskutuar në mbledhjen e kryesisë së kësaj force politike në kryeqendrën e veriut ishte dhe ndërtimi i një plani masash organizative për zgjedhjet vendore. Bushati nuk ka përjashtuar rritjen e konkurrencës së brendshme në Partinë Demokratike për sa i përket kandidateve të mundshëm për kryetarë të njësive vendore, ndërkohë që gjithçka do të filtrohet në kryesinë qendrore ku dhe do vendoset përfundimisht mbi emrat e atyre që do të hyjnë në garën elektorale për zgjedhjet e 8 majit.

Ilir Meta: Mbështesim kontrollin e tabulateve

“LSI kishte paralajmëruar puçin e shtetit”. Reagon PS: Asgjë nuk e ndal popullin

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, mbështet Komisionin Hetimor për kontrollin e të gjitha tabulateve telefonike të krerëve të shtetit, por edhe të disa deputetëve, me qëllim zbardhjen e ngjarjeve të 21 janarit. Meta tha se për të ndihmuar transparencën LSI është e gatshme të pranojë çdo hetim, edhe për deputetët e saj. Ai komentoi më tej demonstratën e parë të opozitës, duke pohuar se 21 janari ka qenë një sulm i mirorganizuar, i armatosur, i drejtuar nga Edi Rama kundër Këshillit të Ministrave për marrjen e pushtetit me dhunë. Ai shtoi se Rama, më 28 janar, organizoi një tjetër demonstratë, por këtë herë paqësore, me qëllimin e vetëm qe të mbulonte atë çka ndodhi një javë para saj.


image
Paralajmërimi

Meta deklaroi dje se e priste demonstratën e dhunshme të 21 janarit. “Ne e kemi paralajmëruar prej kohësh se kryetari i Partisë Socialiste synonte të nxiste destabilitet në vend, jo vetëm kaq, por kemi paralajmëruar 2 ditë para 21 janarit këtu, me përgjegjësi maksimale, se më 21 janar ishin mobilizuar banda, kriminelë, elementë me precedent penal, të cilët do të sulmonin forcat e Policisë së Shtetit dhe institucionet. Dhe më 20 janar, një ditë përpara puçit, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së të gjitha këto informacione, të ardhura nga strukturat dhe dashamirës të LSI-së nga rrethet, ia ka çuar me shkrim drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në mënyrë krejtësisht zyrtare”, - deklaroi ai. Meta shtoi se demonstrata e dytë e 28 janarit ishte e qetë, sepse synonte të mbulonte 21 janarin. “28 janari ishte një manifestim hipokrizie dhe jo qytetarie”, - tha ai. Meta përshëndeti angazhimin e SHBA-ve për të ndihmuar hetimin e kësaj çështjeje, pasi, shtoi ai, zhvillimet e pas-21 janarit kanë ngritur pikëpyetjet e tyre për objektivitetin dhe seriozitetin e procesit të hetimit, i cili patjetër që duhet të hetojë pasojat, por në radhë të parë të hetojë shkaqet, nxitësit, frymëzuesit e dhunës. Meta i konsideroi si të pabaza dhe qëndrimet kundër hetimit të tablateve telefonike të krerëve të shtetit. “Nuk e kuptoj se si ata të cilët për një vit e gjysmë janë çjerrë për gjoja transparencën, pse kanë frikë se me kë kanë biseduar gjatë 5 orëve të sulmit kundër rendit kushtetues.

Në rast se gjithsecili ka bërë detyrën dhe është sjellë si qytetar i denjë i këtij vendi duhet të shkojë të bashkëpunojë vetë me Komisionin Hetimor Parlamentar. Ne jemi Republikë Parlamentare dhe Parlamenti është mbi gjithçka”, - tha Meta. Ai ftoi opozitën të marrë vendet e saj në Komisionin Hetimor Parlamentar, që edhe ajo të kontribuojë në mënyrë pozitive dhe konstruktive në këtë proces transparence të 21 janarit. Pas deklaratës së kreut të LSI-së reagoi deputetja socialiste, Olta Xhaçka, sipas së cilës “aktori i videohajnisë” duhet t’u japë fund deklaratave në mbrojte të një pushteti të vjedhur. “Kusaria e Sali Berishës e matrapazllëku i Ilir Metës sot kërkojnë shpagimin kushtetues e ligjor e jo deklarata për shtyp pa bereqet. Ata janë partia në pushtet, ne jemi populli që kërkon shtet. Liria, barazia, vëllazërimi na bashkojnë sot me çdo shqiptar, të majtë e të djathtë, kundër kusarisë që vret për pushtet, ndaj përgjigjja që kemi për zotin Meta është se asgjë nuk e ndal popullin e asgjë nuk i shpëton kusarët”, - tha ajo.





Kreu i LSI-së: Historia e kutive, pretekst për të bojkotuar zgjedhjet



Një bojkot i mundshëm nga opozita i zgjedhjeve të 8 majit nuk do të habiste askënd. Kështu deklaroi dje kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, gjatë mbledhjes së kryesisë. Sipas tij, ky ka qenë qëllimi i vetëm i Edi Ramës dhe aspak transparenca e zgjedhjeve të kaluara. “Ua kemi thënë ndërkombëtarëve që në fillim të historisë së kutive se qëllimi kryesor është si të mos hyhet në zgjedhjet vendore, si të përsëritet loja e vitit 2007, por në përmasa të tjera, vetëm për një arsye, sepse kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk ndahet dot nga kjo bashki, për më tepër se nuk ka as mandat deputeti. Dhe e gjithë kjo lojë është në funksion të karrierës së një individi, i cili për një vit e gjysmë ka sulmuar rëndë proceset integruese të vendit, ka bërë një fushatë të shfrenuar për të penguar liberalizimin e vizave, ka përgjegjësinë kryesore për mosmarrjen e statusit kandidat dhe që tani ka nxjerrë fytyrën e vërtetë të tij, e cila është fytyra e dhunës së atyre elementëve kriminalë që i pa gjithë Shqipëria më 21 janar, duke sulmuar institucione”, - tha ai. Më tej, Meta kërkoi të përshpejtoheshin përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore të 8 majit.

“Ky duhet të jetë dhe ky do të jetë objektivit ynë kryesor. Vendi ka një datë të shpallur për zgjedhjet, që është 8 maji, dhe është detyrë e çdo force politike që të marrë pjesë në zgjedhje, por natyrisht asnjë forcë politike nuk mund të marrë pjesë kundër vullnetit të saj. Por axhenda e vendit nuk mund të shmanget nga askush që ka frikë nga procesi zgjedhor dhe që është mësuar që zgjedhjet t’i fitojë në tavolinën e kulisave dhe si dhuratë nga të tjerët”, - tha ai. Në kuadër të përgatitjet së këtij procesi Meta propozoi që i ardhuri rishtas në parti, Ylli Majani, të ishte sekretar për Çështjet Zgjedhore i LSI-së. “Objektivi im kryesor për zgjedhjet e 8 majit është dyfishimi i rezultateve të LSI-së në zgjedhjet e fundit vendore të shkurtit të vitit 2007, si parti, pra në përqindje, pra për këshilltarë dhe njëkohësisht për bashki dhe për komuna, domethënë për njësitë vendore. Ky është një rezultat plotësisht i arritshëm, i cili natyrisht kërkon një motivim të gjithanshëm të gjithë strukturave tona”, - tha më tej ai. Kreu i LSI-së deklaroi se brenda 15 shkurtit duhet të jenë gati propozimet nga njësitë vendore të LSI-së për kryetarë të njësive vendore, pra bashkitë apo komunat në gjithë vendin. “Dhe brenda 15 shkurtit do të bëjmë edhe takimin paraelektoral në Pallatin e Kongreseve me përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim për të përcaktuar të gjitha linjat dhe prioritetet tona për zgjedhjet e ardhshme vendore dhe për rezultatet që pritën më 8 maj”, - përfundoi ai.

Fatbardh Kadilli: Edvin Kristaq Rama tenton ta marrë pushtetin me dhunë

image
Demonstrata e 21 janarit ishte një puç i qartë ndaj shteti ligjor. Kështu ka pohuar deputeti demokrat, Fatbardh Kadilli. Sipas tij, populli ishte i heshtur në 28 janar. Kadilli tha se mazhoranca respektoi thirrjen e Bashkimit Evropian, ndaj dhe anuloi manifestimin antidhunë. Duke iu referuar demonstratës, Kadilli tha se kemi militantë kundër popullit, të cilët kanë qenë organizuar nga Rama. Ai kërkoi që palët të qetësohen dhe të bashkëpunojnë për të mirën e vendit. Por, nënvizoi se për mazhorancën janë bërë puçe. Duke iu referuar Komisionit Hetimor për 21 janarin, Kadilli tha se kërkesa për tabulatet e politikanëve të lartë dhe krerëve të shtetit nuk mund të konsiderohet përgjim. “Prokuroria nuk po heton organizatorët. Dhuna është e iniciuar nga opozita dhe prokuroria nuk heton mbi vrasjet. Nuk janë hetuar individë të veçantë”, - tha Kadilli, ndërsa shtoi se po hetohen ata që mbrojtën institucionet. Duke iu referuar Presidentit, Kadilli tha se Topi nuk doli si garant në 21 janar. “Topi nuk doli si garant i popullit. Veprimet e tij nuk ishin në kohë reale”, - tha Kadilli. Për SHISH-in Kadilli tha se nuk ka bashkëpunuar me qeverinë. Sipas tij, të gjitha këto ngjarje të iniciuara nga Rama bëhen, sepse ai nuk pranon përballjen me zgjedhjet dhe tenton ta marrë pushtetin me dhunë.

21 janari, plani “Rama” për të vrarë Sali Berishën?!

Nga Basir Çollaku

Nuk ka dëshmi më të qartë sesa kryengritja e 21 janarit 2011, ku së paku 200 vetë të armatosur sulmuan dhunshëm policinë dhe Gardën e Republikës, me synimin e qartë që të hynin në godinën e Kryeministrisë dhe aty të bënin reale marrjen e zyrës së kryetarit të qeverisë, të Kryeministrit të Shqipërisë, që gjendej në orarin e tij të punës në zyrë. A është tregues ky a është e dhënë që nxirrte flakë, tym, plumba, dëshmia më transparente e një plani të qartë për të vrarë Kryeministrin e vendit??? As shumë mend nuk do për të thënë ‘po’, sepse flasin pamjet dhe dhuna e kapërcyer me adresë të qartë: Zyrën e Kryeministrit Sali Berisha, ashtu si sulmuan njëlloj në ‘97-n po Berishën, me të njëjtën mendje, sepse përfliten të njëjtët autorë politikë.

Pra, nuk ka dyshim se persona të stimuluar me narkotikë, shenjat mund të flasin mbase për ekstazi, që kishin bomba “Molotov”, pistoleta, e prisnin kallashët sapo të hapej dera, të kishin ndërmend të silleshin me duartrokitje e me paqe apo me lule me kreun e ekzekutivit, kur mijëra të tjerë prisnin “çlirimin e madh”. Për një student të zakonshëm drejtësie, ky plan ngjan si plan vrasjeje, shumë herë me tepër se mesazhet që paskkan mbërritur më vonë nga një qytetar nga Burreli për vrasjen e kreut të opozitës, për djegien e një makine në bulevard apo pranë tij, ditën e mësymjes së armatosur e shkatërruese. Kjo nuk shkon si alibi as nëpër çerdhe të tregohet, por le të presim fundin e hetimit. Tani në celular njerëzit mezi të pyesin si je me shëndet, nga sikleti i përgjimeve pa fund, e jo më të flasin trimërisht se do të vrasim kreun e opozitës për hakmarrje se na kanë djegur makinën ca të panjohur që mbase dhe vetë kryebashkiaku s’ka dijeni se kush janë. Kjo, për mendimin tim, është njëlloj si të bësh japrak me makarona apo kafe me kripë. Madje, prokuroria ka qenë nxitshmërisht e gatshme të zbardhë këtë plan dhe ka bërë mrekullisht mirë, që të parandalojë këtë vepër penale të rëndë si tentativë ndaj zotit Rama, ndonëse duket e trukuar fort bukur për të viktimizuar kreun e opozitës për atë që ai nuk mundi të bënte me 21 janar.

Besoj se në këtë prurje të re informacioni kemi një lajm të mirë, nëse marrim të vërtetë atë që është përcjellë mediatikisht edhe nga seanca në gjykatë ku prokurori ka thënë se janë informacione e përgjime nga SHISH. Lajmi i mirë e i keq njëherësh është fakti (duke e marrë si të vërtetë së paku) që SHISH ka ofruar të dhëna, përgjime, për t’u përdorur si prova për arrestimin e masën e sigurisë në gjykatë. Lajm i mirë duhet konsideruar fakti që punuaka ky shërbim i fshehtë për kreun e opozitës dhe lajm i keq që nuk punon aspak për Kryeministrin. Nuk dua ta marr si aksiomë këtë, por kjo përforcon idenë e përdorjes së Shërbimit kundër kreut të qeverisë, mosvënien në dijeni të tij për atë tmerr të përgatitur për të premten e 21 janarit.

Përgjimet na garantojnë se “atentatorët” janë armatosur me një stilolaps pistoletë, gjë që kundërshtohet si fakt, se kjo armë ka qenë pjesë edhe në armatosjen e 21 janarit kundër Kryeministrisë e Kryeministrit. Kur prokuroria e kërkon një armë kundër Berishës nuk e gjen, ndërsa për 10 minuta e gjen kundër kreut të opozitës, Edi Rama. Kjo katrahurë institucionesh të përdorura njëanshmërisht nuk është se sjell transparencë. Komisioni hetimor parlamentar është instrumenti më bindës që kërkon të dhëna dhe fshehja apo refuzimi që po bëjnë kryeprokurorja, kreu i SHISH, e të tjerë drejtues institucionesh për të vënë në dispozicion fakte që provojnë kryengritjen e armatosur ndaj Këshillit të Ministrave, ndaj Kryeministrit Sali Berisha. Komisioni Hetimor Parlamentar kërkon me të drejtë dhe nuk duhet asnjë kompani të rezistojë e të bëjë naze për të dhënë tabulatet, që të shihet qartë se si kanë komunikuar kryengritësit që tentuan vrasjen e Kryeministrit me 21 janar, por mbetën në tentativë. Bëhet fjalë për sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues dhe operatorët duhet të kenë dërguar pa asnjë lloj rezistence të dhënat për këdo qoftë sepse përballen me një kërkesë ligjore. Këtu nuk ka vend për shkelje ligji nuk ka përse trembet askush sepse në listë janë të gjithë, Presidenti, Kryeministri, Kryetarja e Kuvendit, e gjithë krerët e institucioneve, lë të mësohet komunikimi i fshehtë me 21 janar që të zbardhet plani i vrasjes së pamundësuar të asaj ditë të zezë. Kryeministri dhe Kryetarja e Kuvendit nuk e kanë refuzuar aspak kërkesën që të jenë ata pjesë e dëshmisë, qoftë edhe për bisedat telefonike, atëherë përse kjo frikë e madhe e të tjerëve që janë në këtë listë??? Përgjigjja të shkon vetëm në një shteg, sepse ata nuk duan të rrëfejnë mëkatet në Komisionin Hetimor, pasi aty mund të ndeshemi me shumë vepra kriminale apo urdhra të përcjellë në udhë zjarri të së premtes së datës 21. Kjo hedh gjithnjë e më shumë bindje se kryengritja që dhunoi Tiranën, ishte plan i mirëfilltë, atentat ndaj Kryeministrit të vendit, sepse në bulevard, ashtu si thotë Prokuroria e Përgjithshme, nuk u sulmua as Presidenca, ku gjendet me zyrë kreu i shtetit, Bamir Topi, as Prokuroria e Përgjithshme, 100 metra më tutje bulevardit, ku gjendet me zyrë Ina Rama, as Bashkia e Tiranës, që ndodhet po në bulevard ku ka një nga zyrat Edi Rama, por Këshilli i Ministrave, ku gjendej në zyrë Kryeministri i vendit, Sali Berisha. Ndaj, ky ishte plan për vrasje. Ata që nuk duan hetimin, kanë frikë mos gjenden ashtu si janë denoncuar publikisht pjesëtarë e hartues të planit, sepse të gjithë jemi njohur që të dhëna të frikshme të publikuara nga Kryeministri, janë informacione të ofruara nga shërbimet e huaja. Asnjë nga këto agjenci serioze nuk janë në partitë tona politike, nuk mbajnë me hatër grupimet, por punojnë që siguria e rendi kushtetues i një vendi mik të mos rrënohet, kur ata kanë mundësi të japin ndihmë. E kjo ndihmë prishi planin e tyre për vrasje që do të zbardhej plotësisht në përgjimet e bisedave.

Terrori i Edvin Kristaq Ramës

Leximi i ngjarjeve që prodhuan dy data të janarit, 21 dhe 28, kanë vetëm një emër: terror. Në të dy datat njerëzit ndalën këmbën të dalin në rrugë, mbyllën dyqanet, prindërit pritën me frikë fëmijët të ktheheshin nga shkolla, për herë të dytë ambasada amerikane lajmëron qytetarët e vet të mos dalin në rrugët e kryeqytetit, ndërsa qytetarët e Tiranës e ndien vetë frikën, ndaj dhe u vetëmbyllën! Kjo psikozë frike quhet terror, po nga kush? Politika do të jetë përgjigjja e parë, ngjarjet që prodhon politika shqiptare. Sigurisht terrorin prej politikës e presim, ashtu siç ndodhi më ‘44, kur Enver Hoxha për të ardhur në pushtet përdori “frikën” mbi popullin, por jo individin.

Kjo ishte arma e parë psikologjike që donte të vriste brenda shqiptarëve, ta rrënonte psikologjikisht, t’i jepte tension jetës, t’i hiqte mendimin për të menduar i lirë, për të gjykuar me vetëdije, duke asgjësuar në mënyrë të dhunshme çdo alternativë tjetër. Kështu shtroi rrugën për sistemin e tij, paranojak, duke vrarë të pafajshëm, në emër të sigurisë së pushtetit; se dikush po e kërcënonte me vdekje atë dhe popullin dhe ndaj duhej mbrojtur. Pas kësaj krijoi tensionin, terrorin që i hap rrugë pushtetit të dhunshëm. E njëjta arsye na shtyn të mendojmë, dhe aspak ndryshe, se si Rama më 21 janar, brenda 24 orëve, i bëri shqiptarët frenetikë, u zbuloi instinktin e kafshës, barbarisë, deri në vrasje me njëri-tjetrin. Lufta civile që shkaktoi Enveri, duke ndërsyer shqiptarët me njëri-tjetrin me të njëjtin qëllim u arrit; vrasje në emër të nacionalizmit, në emër të popullit të zemëruar! Janë tipike parulla diktatorësh, të dhunshëm për pushtet.

Po në emër të këtij u shpërfill, u zhduk farë mendimi tjetër, zëri i intelektualëve të lirë asaj plejade të viteve ‘30-‘40 që kishin lajmëruar për një dekadë mbi çdo shenjë të komunizmit, kur niste terrori dhe çetat terroriste. Të njëjtën çetë pamë më 21 janar, të njëjtën çetë të gatshme për terror që mblidhen si “heronjtë komunistë”, të ndihmuar nga traktet mediatike.

Paranojë është dhe kjo ndjesi qytetare, por ndryshe nga plejada e viteve ’30, të cilët e përhapnin mendimin e tyre në pikat më të dobët të shqiptarëve që ishte vetëdija dhe psikologjia, gjendja mentale, sot këto mungojnë krejtësisht prej “elitës” shqiptare. Kur ka me qindra organizata joqeveritare, për lloj-lloj sëmundjesh, patologjike e psikologjike, për sensibilizimin e ndjenjës qytetare, për të drejtat e njeriut, për hakmarrje e gjakmarrje, është e pashpjegueshme pasiviteti për ta lexuar të paktën situatën. Ndoshta presin dhe këto OJQ buxhetin e 2011-s, si nga brenda dhe nga jashtë për të bërë projekte e programe se si të rehabilitohen shqiptarët. Një aktore e njohur në pamundësi për të ngritur zërin, e përmend shpesh me vete se këtu “është një spital psikiatrik”. Ndërsa për të huajt këto situata në Shqipëri i bëjnë heronj, për t’iu mburrur bashkatdhetarëve të tyre se po jetojnë si Afganistan.

Terror kanë dhe ata, siç patën “gjermanët” e “amerikanët”, dhe “anglezët” e viteve ‘44, të cilët e lanë Shqipërinë në vetizolim.

Për ta vërtetuar këtë terror mjafton të shikojmë pas, qysh në vitet e para të diktaturës, pasi u mboll terrori erdhi kosa, qetësia e rreme që i futi shqiptarët në gjedhë (në zgjedhe, brenda gardhit).

Pas asaj “lufte” frenetike për të mbjellë terror politik tek shqiptarët më 21 janar, në rrezik për të prodhuar një luftë civile, më 28 janar pamë ekstremin, qetësinë e rreme. Njerëzit u rreshtuan tamam si në diktaturë, u futën në gardh. Qytetarët u diktuan të mos e kalonin gardhin, po të bënin homazh “të detyruar”. U krijua një shtet brenda pushtetit të Edi Ramës. Leximi i homazheve siç u komentua nga mediat kishte një medalje; populli i thirrur nga Rama diti të lexonte urdhrat e tij! Vetëm vdekja u respektua në gjithë këtë “qetësi të rreme”, njësoj si në diktaturë. Brenda 24 orëve Rama arriti të realizonte paranojën e tij; të krijonte skenën sikur do ta vrisnin atë personalisht. Por njëkohësisht të krijonte dhe ngjarjen më të paturpshme, të frikshme; dublimin e sigurisë së shtetit. Njerëzit me shirita të verdhë po dublonin policinë. E frikshme kjo brenda një shteti, në emër të sigurisë. Të futësh në gardh 6 mijë vetë, t’i vendosësh dy rreshta me njerëz me shirit të verdhë në krah, mu përpara pozicionit të policëve ishte terrori i dytë, i palexueshëm, por që klith për vetëdije.

Demonstratat kanë lirinë e tyre, qytetarët kanë ndjeshmërinë personale që nuk përputhet me asnjë lloj pushteti. Ndërsa Rama artikulonte në një intervistë për një nga televizionet se mësuesit kanë nevojë për politikën, mjekët kanë nevojë për politikën, mediat kanë nevojë për politikën, tregtarët kanë nevojë për politikën etj. - këto janë krejtësisht absurde dhe provokojnë sërish terror të palexuar. Modelet demokratike të një vendi prodhojnë individë të lirë, me mirëqenie ekonomike, të lirë për t’u arsimuar pa pasur nevojë për politikën! Shteti dhe qeveritarët biblikisht janë shërbëtorë dhe jo politika, por e kundërta, politikanët kanë nevojë për individin e fortë.

Në të kundërt, mbillet terrori dhe pushteti. Tashmë shenjat e diktaturës i lexojmë më mirë se cilido vend tjetër. Jo vetëm se kemi një trashëgimi kulturore te mendimit, mohuar nga komunizmi, që të mbush me vetëdije e ndërgjegje, por historia e 50 vjetëve të diktaturës dhe e këtyre 20 vjetëve në përpjekje për të mbërritur në liri ka krijuar të paktën filtra të fortë psikologjikë për të kuptuar kur terrori na troket në derë. Ky është lajmërim për diktaturë, sistem jashtë demokracisë.

Sharl Bodleri i gjorë!




Nuk di më çka merresh dhe ç’ke botuar, mik i dashur.

Nuk di më çka merresh dhe ç’ke botuar, mik i dashur. Ndiej dhembje për ty që ende një libër tëndin të përkthyer nuk e kam parë në vitrinat e librarive të metropoleve, megjithëse vazhdon të derdhësh para dhe t'u bashkohesh ca mediokërve të kasabasë sonë që nuk prajnë duke derdhur lekë pas famës. ... Ndoshta Ti beson ende se me intriga do të bëhesh dikushi. Kam frikë se vrapi do të të lëshojë një ditë e ne ç’do bëjmë pa ty, me kë të argëtohemi? Do ishte mirë t'i kthehesh vetes e të mos merresh me gjëra që nuk të kanë hije. Ti je aq i njohur në botën tonë të vogël sa nuk habitet kush me turrin tënd të kampionit. Nuk dua të merrem me etikën tënde. Në të ndarë, dua të pyes: Ç'bëre Ti për Esad Mekulin? Unë, ndërkaq, kam botuar dy përzgjedhje nga opusi i tij: një për shtëpinë e njohur botuese, “Toena”, nga Tirana dhe tjetrën në ASHAK, kam ca shkrime diskursive për të, i kam kushtuar dhe poezi qëkur isha i ri. Esad Mekuli që në vitin 1968 kishte përkthyer një libër timin në gjuhën e popujve të ish-bashkësisë, në disa antologji ka vënë poezitë e mia, por ajo që më ka nderuar më së shumti është poezia që ma ka dedikuar dhe këtë nuk do ta harroj kurrë: Ai vërtet ishte engjëlli im mbrojtës, por krahët e tij nuk kishin arritur ta mbronin edhe Shaip Beqirin (Sharl Bodleri) të gjorin, se nuk kishte bërë asgjë. Esad Mekuli njihet si autor i disa antologjive të botuara. Por, miku im i dashur, nuk të kam hasur në asnjërën. Pakënaqësinë tënde e kuptoj, por më tmerron shpëlarja e kujtesës sate. Harron së krijuesi vazhdimisht e shkruan veprën e vet dhe i kthehet shpesh, shkaku i ndonjë fjale, rime apo imazhi. I paske harruar variantet e Lasgushit, Mjedës e shumë të tjerëve. I lexoja fjalët e tua dhe vëreja së Ti nuk mund të jetosh pa intriga. Ato janë produkte të mentalitetit tënd fisnor dhe primitiv... Do të shkruaj prapë se dua të të kthej në jetë e të lë ndonjë fletë të bardhë ku do e hedh dhembjen time për ty dhe për ata që mbetën rrugëve të Evropës. Besoj se do të bëhet mirë shoku Shaip, do t’i kujtojmë protestat dhe ngujimet në pallatin e “Rilindjes”, në mbrojtje të fjalës dhe të librit shqip. Nëse ta kam zënë udhën unë, mik i dashur, nuk di pse merresh edhe me Kadarenë? Lexues i dashur, nën katin e nëntë të edicionit të “Rilindjes”, e kishim një mik, i cili kënaqej kur e quanin me shaka Sharl Bodler. Fatkeqësisht, tani ai vazhdon të përsosë zanatin e vet: intrigën! Unë nuk kam kohë më dhe as nuk dua të merrem me sojin e tij, sepse të gjitha shkrimet që ky karafil ua dërgon redaksive, m'i sjellin miqtë e mi, ku e shoh mjerimin e tij. Më çudit diç, si në Evropë ky Sanço Panço, sillet, duke u shitur mend përkthyesve të rastit dhe mendimtarëve të tij të paktë! Shihemi mik i dashur diku në Berlin, nëse të kanë ftuar ose mund të më gjesh edhe në Bruksel, ku edhe atje ka zënë të luhet loja me çibrita! Ik, tani në Lesbos.

Vdiç akademik prof.Fatos Mehdi Daci ,historiani dhe "mjeshtri i madh" i Dibrës

Me dhimbje të thellë njoftohet ndarja nga jeta e Fatos Mehdi Dacit , gazetari, historiani dhe Mjeshtri i Madh, një prej figurave më të shq...