Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/02/10

E vërteta e “Tivarit”

Nga Prof.Dr.Elmaz LECI
Në prill të vitit 1945 u bë Masakra e Tivarit, për të cilën jo vetëm si vepër makabre, ndaj shqiptarëve të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare nën Jugosllavi, nuk u ngrit zëri nga ish-udhëheqja komuniste shqiptare, por në dhjetor të vitit 1946, Enver Hoxha në Byronë Politike do të deklaronte e do të kërcënonte: "Disa anëtarë partie duan të filozofojnë se mos thotë populli, ç'bëtë me Kosovën…Ne do të ua shpjegojmë, kush nuk na kupton ne do ta luftojmë" (Fjala e Enver Hoxhës, Proces-Verbal i mbledhjes së Byrosë Politike, 15 dhjetor 1946, AQSH).

Në prill të vitit 1945, Dushan Mugosha dhe Mehmet Hoxha (personalite politikë kosovarë) morën pjesë si përfaqësues të Kosovës në Kuvendin e Serbisë, mbledhje që u shty dhe u bë në korrik të vitit 1945, ku u miratua "Projektrezoluta për aneksimin e Kosovës në Serbinë Federale" (Bajraktari, libri: "Serbia's Annexation" fq. 118).

Nga largësia e 70 e ca vjetëve dhe lartësia e botës euroatlantike, aktualisht bazuar në dokumente analitikë, vit pas viti e ngjarje pas ngjarje, gjykon qartë se si është trajtuar çështja e Kosovës në marrëdhëniet e periudhës shqiptaro-jugosllave 1941-1990. Këtë për fatkeqësinë tonë dhe më mirë se historianët shqiptarë e deklaron dhe e shkruan V.Dedejer, i cili theksonte se "Çështjes shqiptare të Kosovës iu vu vula që më 8 nëntorin e '41-shit", pra që në themelimin e PKSH. Kështu shkruan V. Dedejeri, ish-biograf i Titos.   (V. Dedejer: Kujtime, botim i vitit 1949, Beograd).

Siç shihet, pra, janë vetë jugosllavët, ata që akuzojnë ish-udhëheqjen komuniste, me Enver Hoxhën në krye, se Kosovën PKSH-ja ia la Jugosllavisë. I vetmi që e ngre dhe ankohet se PKSH nuk e ka në agjendën e saj e as në program çështjen e Kosovës, është një nga eksponentët kryesorë të PKSH, Koço Tashko, i cili në fund të vitit 1942, i shkruan Moskës: "Për Kosovën, Partia ka heshtur vazhdimisht, duke thënë se kjo çështje është e Partisë Komuniste të Jugosllavisë" (Prof. N.Plasari dhe Dr.L. Malltezi, Revista "Politika" fq. 183-187).

Në gusht të vitit 1943, u zhvillua Mbledhja e Mukjes, ku përfaqësuesi kryesor komunist i Enver Hoxhës, Ymer Dishnica, shkruan: "Çështja e Shqipërisë etnike, që do të përfshinte Kosovën, kishte qenë një ndër dy gurët e kufirit, që me formulimin që bëmë e kapërcyem. Me këtë vendim, për Miladin Popoviçin u mbush kupa, i cili e dënoi Proklamatën e Mukjes duke na thënë: Ju shpallni luftë kundër fashizmit dhe jo… pavarësinë. (Petroviç, libri "Kosova" f. 343-348). Edhe Ramiz Alia në librin e tij: "Unë Ramiz Alia, dëshmoj për historinë", detyrohet të thotë se: "Në vendimin për prishjen e Mukjes, ka ndikuar edhe çështja e Shqipërisë etnike, e cila u shtrua në Mukje".

Por Ramiz Alia më tej në librin e tij anashkalon masakrat ndaj popullësisë kosovare dhe veçanërisht Tivarin, për të cilin thotë se "nuk dinte gjë, pasi ishte në Bosnjën Jugore". E vërteta dokumentare historike flet ndryshe. Ramiz Alia jo vetëm e dinte, sepse ishte Komisar i Divizionit që "vendosi rregullin në Kosovë", por ishte ai që firmoste, ishte ai partia, ishte ai komisari i madh, udhëheqësi i partisë i tri brigadave, që me vendimin e tij kaloheshin në plumb "reaksionarët" kosovarë dhe pikërisht ky njeri "nuk ditërka gjë" për masakrën e madhe, që nisi në Prizren dhe përfundoi në mënyrë makabre në Tivar. Po kujt ia shet ky këto? Përsëri u kujton shqiptarët si në '45-ën? A nuk është Ramiz Alia ai që për Masakrën e Tivarit i ka dërguar edhe një telegram shifër, Enver Hoxhës e Koçi Xoxes? (Arkivi i ish-KQ të PPSH dhe pohim i Islam Kadeshës, ish-shifrant në Komitetin Qëndror të PPSH).

Për çfarë flet kjo, për dije apo për mosdije? Për dije që çke me të dhe madje për përgjegjësi historike të genocidit si masakra e Katinit.

Më 31 dhjetor 1943, deri 2 janar 1944, në Bujan të Tropojës, u mbajt ajo, që është quajtur Konferenca e Bujanit, e cila vendosi të ngrinte strukturat që do të çonin në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Jugosllavisë nuk qe aspak dakord me këtë pjesë të Rezolutës. Bashkëpunëtori i ngushtë i Titos, Milan Gjilas, në një letër që i dërgonte Komitetit Rajonal, e eliminoi çështjen e Kosovës nga Rezoluta, siç e dënoi Bujanin edhe Enver Hoxha (Rajoviç, libri "Autonomia" fq. 439 dhe Hibert, libri "Albania Struggle" fq.91 )

Në pragmbarimin e Luftës së Dytë Botërore, tri brigada të Ushtrisë Partizane shqiptare kaluan në Kosovë me qëllim "shpartallimin e reaksionit", pra shqiptarët vranë shqiptarët, se gjermanët kur shkuan forcat tona partizane atje, ishin tërhequr. Pas këtij misioni, Shtabi i Titos urdhëroi largimin e partizanëve shqiptarë nga Kosova. Ndonëse vëllezërit tanë të Kosovës, luteshin: "mos na lini në dorë të serbit", Enver Hoxha ish Komandant Suprem i Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, iu bind urdhrit të Titos dhe i tërhoqi forcat partizane. Pas kësaj, mbi popullin e Kosovës nisi një masakër e paparë. Nën pretekstin e "kundërrevolucionit", u vendos administrata ushtarake serbe dhe gjatë pranverës 1945, njësitë partizane të Ushtrisë Jugosllave masakruan mbi 4 mijë vetë, plus mijëra të tjerë që i vranë në masakrën e Tivarit.

Le të ecim më tej me dokumentet, jo më me autorë e studiues të huaj, por nga vetë goja e Enver Hoxhës: "Në pragun e çlirimit të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, ne edhe njëherë pranuam se, nuk është koha për të shtruar çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë", (E. Hoxha, letër sekrete dërguar Stalinit, 2 shtator 1949. Kopja e vetme gjendet në Arkivin Qendror Rus, Moskë RCHIDNI.D. Op. 137, D. 68.
L 64-73).

Një nga ish-personalitet politik i Kosovës, Mehmet Hoxha, ishte pjesëmarrës në Kuvendin e Serbisë, në korrik të vitit 1945, ku u miratua "Projektrezoluta për aneksimin e Kosovës në Serbinë Federale" (Bajraktari, libri: "Serbia's Annexation" fq. 118). Jo shumë pas kësaj ngjarje, Enver Hoxha do të shkonte në Konferencën e Paqes në Paris (gusht 1946), dhe do të deklaronte: "Ne, nuk kemi pretendime ndaj aleatit tonë Jugosllavi" (Fjalimi në Konferencën e Paqes, Paris).

Duke i marrë dhe analizuar këto dokumente një e nga një, që nga themelimi i PKSH-së, pas marrjes së pushtetit nga Enver Hoxha, e deri në Konferencën e Paqes në Paris, del fare qartë se çështja shqiptare e Kosovës është anatemuar, është anashkaluar, është siluruar, është dhuruar, është tradhtuar, pra i është lënë Jugosllavisë. Disponohen edhe dokumente të tjera. P.sh.: Në vitin 1946, Enver Hoxha në një letër për Titon shkruante: "Në rast se, do të bëhet një hap tjetër në lidhje me bashkimin, na lajmëroni". (Malkolm, libri "Kosova, një histori e shkurtër).

Në vitin 1946, pas kthimit nga Shqipëria, ku ishte ambasador, Velimir Stojniçi, në një raport për udhëheqjen komuniste të Jugosllavisë dhe personalisht për Josif Broz Titon shkruante: "Tirana zyrtare nuk kishte asnjë qëndrim të përcaktuar, asnjë reagim për të ardhmen e Kosovës, aq sa përfaqësuesi anglez thekson: "U çudita pse Qeveria shqiptare, deri më sot, nuk ka dhënë kurrfarë deklarate për qëndrimin e saj ndaj Kosovës…" (Raport i V. Stojniçit, Beograd 1946).

Në një mbledhje të jashtëzakonshme të Plenumit të Partisë, dhjetor 1946, Enver Hoxha do të pyeste në mënyrë retorike: "A është në interesin tonë që ne ta kërkojmë Kosovën?!" Dhe në vijim, po vetë Enver Hoxha, përgjigjej: "Kjo nuk është punë progresive për t'u bërë…, përkundrazi, ne duhet të bëjmë që të sigurojmë që kosovarët të vëllazërohen me jugosllavët". (Proces-verbali, Mbledhja e Plenumit të KQ-së të PKSH-së, dhjetor 1946, ish-Arkivi Qendror i PPSH). Për komente, besoj se nuk ka nevojë.

Kalojmë në problemin që Enver Hoxha kishte aq besim te Josif Broz Tito, sa që çdo gjë që i thuhej për Kosovën në Tiranë, ia raportonte Titos në Beograd. Ky është deklarimi më kuptimplotë i njërit prej liderëve më kryesor të Kosovës, Fadil Hoxhës, i cili tregonte se ç'ishte Kosova për Enver Hoxhën. Këtë deklarim, Fadil Hoxha, jo vetëm e ka shkruar në librin e tij të kujtimeve, por e ka thënë edhe në një intervistë dhënë Televizionit Shqiptar, në nëntor 1999.

Nuk mund të jenë kurrsesi të "pavërteta" e të "paqena" dënimet që jepte regjimi shqiptar i Tiranës, për ato që flisnin para viteve '70 për Kosovën e Shqipërinë etnike. Janë 1226 kosovarë, ose më mirë të shprehemi shqiptarë, të cilët janë dënuar nga Tirana zyrtare në vitet 1945-1990, me 8 e 12 vjet burg, apo 4561 të tjerë që i internuan në zonën e Myzeqesë e zona të ndryshme në thellësi të vendit, sepse nuk gëzonin besimin e regjimit?! Po tërë ata shqiptarë, që iknin nga Kosova, për t'i shpëtuar dënimit të regjimit serb dhe pastaj i dënonte edhe regjimi i Tiranës si agjentë, apo i kthente në Jugosllavi se kishte një marrëveshje të fshehtë Tiranë-Beograd?! Po a nuk janë dënuar këtu për Kosovën, figura të tilla të njohura si Bedri Pejani e Selman Riza, apo që të tjerë kishin shkruar libra për Kosovën, si Vasfi Samimi e Besim Qorri?!

Kur u shpall Rezoluta e Byrosë Informative Komuniste, pushteti jugosllav shfrytëzoi rastin për të intensifikuar shtypjen dhe terrorin mbi shqiptarët. Vala e re e arrestimeve dhe e likuidimeve fizike e politike të shqiptarëve, u intensifikua me pretekstin se ato ishin me Byronë Informative dhe i shërbenin shtetit amë - Shqipërisë. Gjatë kësaj fushate, u dënuan 436 shqiptarë, prej të cilëve shumica përjetuan tmerret e burgut famëkeq të Goli Otokut. Në shënjestër u vunë sidomos pjesëmarrësit e Konferencës së Bujanit, si dhe veprimtarët që luftonin për të drejtat kombëtare të popullit shqiptar si: Rifat Dervishi, Xheladin Hana, Nexhat Agolli etj, të cilët i vranë, ndërsa Zekeria Rexhën e Xhafer Vokshin i dëbuan në Shqipëri, kurse Qamil Brovina, Qamil Lusha, Sabrie Vokshi etj., u burgosën.

Pushteti jugosllav hartoi edhe plane të reja për pakësimin e numrit të shqiptarëve dhe për shkombëtarizimin e tyre në Kosovë. Krahas masave shkombëtarizuese, një formë tjetër ishte edhe presioni mbi shqiptarët, për t'u deklaruar turq.
Si rezultat pati një rritje të ndjeshme artificiale të pakicës turke. Në se më 1948 ishin regjistruar 97954 turq, në vitin 1953 ky numër u rrit në 259 535, vetëm e vetëm se në këtë mënyrë mund të emigronin në Turqi dhe t'i shpëtonin represionit të madh serb.

Kur Kosova kullonte gjak, Enver Hoxha firmoste marrëveshjen e bashkimit me Jugosllavinë dhe theksonte se "duhet të fitojmë kohën e humbur e ta bëjmë sa më shpejt bashkimin de fakto të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat…ekonomi, ushtri".

Kur në Kosovë, nën digën e "mbledhjes së armëve" bëheshin reprezalje të mëdha, Tirana heshte - shkruan albanologu i mirënjohur anglez Noel Malkolm.

Kur përziheshin nga Kosova 100 mijë shqiptarë, Enver Hoxha flirtonte me kinezët dhe përsëri për Kosovën heshte. (Libri: "Kosova" Noel Malkolm).

Kur torturoheshin nga policia serbe (në vitet 1968-1974), afro 700 mijë kosovarë e 10 mijë të tjerë dënoheshin me burgime të ndryshme, Tirana zyrtare jo vetëm heshte përsëri, por ia dorëzonte UDB-së jugosllave (ish-sigurimit të Jugosllavisë), djemtë e Kosovës, që vinin të gjenin strehë në Shqipëri.

Ja këto e të tjera janë faktet e organizimit të Tivarit e të Tivarëve të tjerë kosovarë, me dijeninë e pa dijeninë, me miratimin e plotë të ish-udhëheqjes komuniste shqiptare nën dirigjimin e nën diktimin e plotë të udhëheqjes komuniste jugosllave.

Figura e Skënderbeut nëpër librat grek

Nga Arben LLALLA
Siç kemi shkruar më parë arkivat greke fshehin shumë dokumenta historike që lidhen me shqiptarët. Nëpër arkivat shtetërore, kishat, manastiret, bibliotekat private mund të gjenden gjëra me vlera të larta për shqiptarët si në fushën e gjuhësisë ashtu edhe atë historike. Deri më sot asnjë studiues shqiptar zyrtarisht nuk ka mundur të futet nëpër arkivat e shtetit grek sepse Greqia është kujdesur që konservimi i tyre ti mbulojë pluhuri i harresës. Ka ndonjë studiues që ka siguruar leje nga autoritetet greke që të studiojë vetëm disa ngjarje historike që i përkasin fillimeve të shek. XX, por revolucioni kulturor i rilindjes së vetëdijes shqiptare ka nisur në fillimet e shek. XIX. Me plot gojë mund të thuhet lirisht se ka shumë dokumenta historike, gjuhësore e kulturore që janë botuar në gjuhën shqipe dhe greke në fillimet dhe nga mesi i viteve 1800 në Greqi. Por siç dhamë më lart Greqia është kujdesur që këto gjëra me vlera të larta për kombin shqiptar të mos dalin në dritë.
Rreth një viti më parë në rubrikën MILOSAO sollën faksimilet e disa librave grek që shkruajnë për Skënderbeun, por këtë herë do të sjellim për herë të parë një faksimil ku pasqyrohet Gjergj Kastrioti si dhe libra të autorëve të ndryshëm të shek. 19 që kanë shkruar për Heroin tonë.
Figura e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve Gjergj Kastrioti duke qenë një figurë madhështore e kanë ende zili fqinjët tanë të afërt dhe të largët dhe janë munduar duke paguar studiues të huaj për të krijuar turbullira rreth legjendës së Heroit tonë kombëtar. Por qëllimet dashakeqësi nuk kanë mundur të ngrenë pikëpyetje për Skënderbeun dhe bëmat e tij madhështore. Shumë popujt tek figura e Skënderbeut shikonin udhëheqësin që mund tu printe atyre për tu çliruar nga pushtuesit e ndryshëm. Një ndër popujt që u frymëzuan nga betejat e udhëhequr nga Skënderbeut ishin grekët e shek.XIX. Grekët e shekullit XIX duke mësuar për trimëritë Skënderbeut frymëzoheshin dhe luftonin kundër Osmanëve për të fituar pavarësisë. Ka shumë shembuj për heronjtë e Kryengritjes grek të 1821 që ishin shqiptar ose siç i thërrasin grekët arvanitas mbanin me krenari shenjën e Bricjapit që dikur e ka mbajtur Leka i Madh, Pirrua i Epirit dhe Skënderbeu.
Gjatë kërkimeve të mia nëpër disa biblioteka private dhe shtetërore gjeta shumë libra në gjuhën greke që flasin për historinë e kombin tonë të botuara në shek.XIX. Disa prej këtyre librave përmenden tek-tek si bibliografi e shfrytëzuar, por që nuk na janë sjellë të plota në botime. Midis shumë librave dhe broshurave gjeta disa libra origjinalë në gjuhën greke që flisnin për trimëritë e Gjergj Kastriotit- Skënderbe.
Në çdo libër që flet për Historinë e Bizantit, për Historinë e Perandorisë Osmane dhe për Historinë e Kryengritjes greke të 1821, ka një kapitull të veçantë për Skënderbeun të shoqëruar me pamjen e tij.
Shpresojmë që biografët që merren me figurën e Skënderbeut do ti shfrytëzojnë këto libra që hedhin dritë mbi këtë mbret të shqiptarëve që i rezistojë pushtimit të Osmanëve.








Revidimi i Marrëveshjes së Kumanovës sjell forcat serbe në kufi të Kosovës para dialogut



Çështja e Marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës, që ka qenë gur themeltar i kapitullimit të forcave të Milosheviqit në Kosovë dhe akseptimin e pakusht të dorëzimit të territorit në duart e NATO-s, përkatësisht KFOR-it, për vite ka qenë një çështje pacenuar që ka mbajtur stabilitetin dhe paqen në këtë pjesë të Ballkanit.
Konflikti në Luginën e Preshevës dhe konkludimi i tij ka sjellë heqjen e një pjesë të aneksit për sa i përket zonës ajrore të ndërmjetme prej 25 kilometrash, që duket të ketë qenë shenjë mirëbesimi i krijuar pas ndërrimeve demokratike në Qeverinë e Serbisë.
Por, që atëherë, kjo çështje, nuk është ngucur si një shtyllë e rëndësishme e mirëmbajtjes së sigurisë dhe paqes në rajon që gjithsesi ka lejuar një zhvillim me të qetë karshi ndërtimit të institucioneve demokratike në Kosovë dhe gjithë asaj që ka pasuar deri me shpalljen e pavarësisë, më 2008-n.
Që atëherë, ka pasur tentime të vazhdueshme nga Beogradi zyrtar edhe të heqjes së provizionit për sa i përket zonës së ndërmjetme tokësor prej 5 km. Beogradi është përpjekur të arsyetojë të tërën me ndryshimet demokratike, me reformimin forcave të tij ushtarake dhe ofertën për të qenë partner i NATO-s në kufirin Kosovës dhe për të ndihmuar si shenjë mirëbesimi dhe transformimin e KFOR-it, përkatësisht zvogëlimit të trupave dhe kontingjentit dhe efektivave ushtarake të KFOR-it. Realisht, revidimi i kësaj pjese të marrëveshjes do të lejonte që armata serbe t’u afrohej direkt kufijve të Kosovës.
Në shikim të parë, dikush mund të thoshte se ky është një zhvillim normal drejt normalizimit dhe marrjes së përgjegjësive për stabilitet rajonal. Por, asgjë nuk duket kaq e thjeshtë. Së pari, kjo do të sillte forcat serbe në kufijtë e Kosovës pa u tejkaluar shumëçka nga e kaluara dhe pa u vendosur ndonjë gjendje e qëndrueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë, edhe përmes dialogut aq shumë të pretenduar në Bruksel. Së dyti, ky nuk do të ishte një lajm i mirë edhe për veriun e Kosovës, ku gjendja e tendosur dhe mosgjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme, nuk do të ishte një haber i mirë për kosovarët dhe partnerët e saj që mundohen të gjejnë një zgjidhje që është stabilizuese edhe për rajonin. Një faktor tjetër do të ishte ai psikologjik për kosovarët, të cilët absolutisht të papërgatitur do të jenë receipentë të këtij lajmi bombastik, i cili nuk mund të përjetohet me indiferencë dhe nuk do të kontribuonte në mirëbesim ndërfqinjësor e rajonal. Dhe së fundi, një revidim i këtillë i Marrëveshjes, sado që mund të perceptohet në Bruksel si ndihmë dhe shpërblim për forcat prodemokratike në Beograd, në fakt është shkelje serioze e parimeve që dalin nga vetë Marrëveshja. Më konkretisht nga pika I.3.c e Marrëveshjes së Kumanovës që në mënyrë decidive përcakton se pala serbe është e obliguar që në Kosovë të mos ketë as edhe një forme të prezencës së sigurisë, përfshirë madje edhe forcat tokësore, ajrore e detare, e lëre më ato si civilë të armatosur. Është një fshehtësi publike, lëre më një fakt i njohur për strukturat inteligjente e të sigurisë prezente në Kosovë, që institucionet serbe paralele të sigurisë në Kosovë kanë qenë vazhdimisht prezente që nga fundi i luftës dhe vazhdojnë të jenë në territorin  Kosovës, sidomos në veri. Kjo përfshin, MUP-in, BIA-n, Zbulimin Ushtarak VBA-në, Mbrojtjen Civile dhe forca paramilitare jashtinstitucionale të sigurisë.
Shpërfillja e këtyre fakteve do të ishte shkelje serioze e Marrëveshjes dhe neglizhim i saj dhe shpërblim i prejudikuar i shkelësit të Marrëveshjes. Edhe nëse pala kosovare nuk është nënshkruese e kësaj marrëveshjeje, të gjitha këto argumente do të duhej ta bënin secilin në Bruksel të mendohej seriozisht për çdo revidimi të Marrëveshjes së Kumanovës dhe shpërblim të një ushtrie e cila tekefundit e vetmja në rajon nuk është përcaktuar për integrim në Aleancën veriatlantike.
Tekefundit, nëse është e mundur që në kohën e lobimit të madh për dialog në mes të Prishtinës dhe Beogradit, të prejudikohet që pika të dialogut të jenë edhe çështjet e brendshme si tabelat e veturave, apo funksionimi i gjyqit në Mitrovicë, atëherë si është e mundur që Marrëveshja e Kumanovës që prek direkt çështjen dhe interesat e Kosovës të jetë e prejudikuar para çfarëdo dialogu dhe të jetë shpërblim për Beogradin, i cili nuk i përmbahet Marrëveshjes?

(Ylber Hysa është koordinator i Qeverisë së Republikës së Kosovës, për veriun e Kosovës. Mendimet e shprehura janë qëndrime personale të autorit)

BURIM FAZLIU:”As një herë nuk e fsheh luftën për drejtësi por kategorikisht mohoj akuzat për krime”




PreshevaNEWS, ka siguruar deklaratën e Burim Fazliut, të dënuar me dhjetë vite burgim nga Gjyqi Special serb, nën akuzë për Krime Lufte, gjëja të bëra si ish pjesëtarë i UÇK-së, në verën e vitit 1999, në rajonin e Gjlanit.
Burim Fazliu, për herë të parë që pas arrestimit të tij me 26 dhjetor 2008, shpreh mllefin e tij publikisht, lidhur me arrestimin nga xhandarmëria serbe si dhe dëshpërimin e përvojën e hidhur, me politikanët “ e autorizuar” për mbrojtjen e të arrestuarve të Luginës, atyre të Kosovës dhe Shqipërisë.


Unë, Burim Fazliu, i arrestuar pa drejtësisht nga forcat serbe të sigurisë më 26 dhjetor 2008, konsideroj se jam tërësisht i pafajshëm ndaj të gjitha akuzave me të cilat më ngarkon Prokuroria serbe për Krime Lufte.
Aq më pak shqiptimi i aktgjykimit me 21 janar, mendoj se është tërësisht i padrejtë dhe plotësisht i ndikuar politikisht që ka prapavijë të urrejtjes së qenies shqiptare.
As një herë nuk e kam mohuar se kam qenë pjesëtarë i ish Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Por, me përgjegjësi të plotë morale e juridike, them se kjo Ushtri kurrë nuk ka bërë krime lufte e as unë si ish pjesëtarë i sajë.
Ngarkohem me një akuzë e cila përfshinë një periudhë kur unë nuk kam qenë I mobilizuar në UÇPMB dhe kur as Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, nuk ka ekzistuar. Këtu shihet serioziteti i Prokurorisë serbe, për hulumtim të drejtësisë.
Konsideroj personalisht se edhe politika shqiptare në Luginë të Preshevës, ka bërë pak për mos të thënë asgjë, për arsyetimin e drejtë të pafajësisë tonë.
Disa nga ne kemi qenë pjesëtarë të ish UÇPMB-së e cila, siç dihet botërisht nga të gjithë, ka qenë partnere e Bashkësisë Ndërkombëtare në bisedime me qeverinë e Serbisë, për arritjen e paqes në këtë rajon. Kjo ka qenë arsyeja që qeveria e Serbisë, e ka bërë edhe amnistinë për të gjithë ish pjesëtarët e UÇPMB-së.
Për këtë them se politika shqiptare dhe aktorët e saj, është dashtë të na dalin në mbrojtje në mënyrë sa më të zëshme, ashtu që ky zë të dëgjohet në të gjitha qendrat e vendosjes dhe Serbia, ta bëjë lirimin tonë.
Nuk mjaftojnë deklaratat dhe paraqitjet televizive, të cilat kanë prapavijë përfitimin elektoral apo fitimin e votave, nga politikanët tanë, sepse ne nuk jemi njerëz të asnjë subjekti politik dhe kjo aktakuzë, ky dënim nuk është i adresuar vetëm ndaj nesh, por ai i është shqiptuar tërë popullit shqiptarë, këtë e them me plotë bindje.
Akuza e Prokurorisë Speciale serbe për Krime Lufte i ka quajtur shqiptarët vampirë, kanibal, gjakpirës e çka jo...
Është tërësisht e çuditshme se si politikanët tanë edhe në rastet më tragjike, siç është rasti i ynë, tentojnë në përfitime personale, grupore apo partiake.
Është marri për të gjithë ata pa dallim, e sidomos për ata që thirren si “shpëtimtarë” tanë, të formulojnë Deklarata Politike, përmes së cilave vazhdimisht kërkohet nga të tjerët, siç është faktori ndërkombëtar, të bëjë trysni ndaj Serbisë, ndërsa vet vazhdojnë të qëndrojnë lojal ndaj saj, sikur të mos ket ndodhur kurrë asgjë.
Me përgjegjësi e them se asnjëri nga politikanët tanë, të cilët vazhdimisht trumbetojnë dhe i mavijosin kraharorët e tyre, duke i rrahurkur mburren nëpër ndeja se janë të autorizuar për të na mbrojtur apo për të na përfaqësuar nga ne apo familjet tona, se nuk janë dhe nuk kanë qenë kurrë as nga unë e as nga familja ime. I vetmi i autorizuar ka qenë dhe mbetet avokati im, të cilin përkundër kushteve të rënda ekonomike e kam paguar vet.
101 vjet dënim për njerëzit e pafajshëm, për ata që kur ishte nevoja qëndruan në vijë të parë, duke mos kursyer as më sublimen, për arritjen e këtij “liberalizimi të brishtë”, në të cilin fitimtarë fatkeqësisht po dalin vetëm politikanët servil e lojal tanë dhe askush tjetër.
Është absurde dhe tërësisht e pafalshme që politikanët tanë, të qëndrojnë ende në institucionet e xhelatëve dhe kasapëve të pamëshirshëm, që na arrestojnë e na dënojnë, na vrasin e maltretojnë çdo ditë, na krahasojnë me kanibal, me vampir e me çka jo...
Kërkoj nga të gjithë ata që i gëzojnë privilegjet e votës së popullit, që të shqyrtojnë këtë situatë, duke filluar nga Deputeti, Kryetarët e Komunave, Kryetarët e Kuvendeve, Nënkryetarët e shumtë të Komunave e Kuvendeve, si dhe të gjithë ata që janë nëpër pushtete lokale e republikane, që të tërhiqen në mënyrë protestuese nga të gjitha këto institucione në shenjë revolte e mos zgjidhjes së problemeve tona. Mendoj se kjo është dashtë të ndodhë me 26 dhjetor 2008, kur ne u arrestuam dhe u “pagëzuam” vampirë, kanibal e çka jo, por, jam i bindur se kjo nuk është vonë të ndodhë edhe sot.
Unë nuk jam politikan, nuk jam ai që mund të kushtëzoj dikë e aq më pak të detyroj apo të ia imponoj dikujt një obligim të tillë. Por, jam viktimë e e politikës represive serbe dhe politikës së dështuar shqiptare në Luginë, në Kosovë por edhe në Shqipëri.
As edhe një herë nuk do t`i mohoj veprat e mia që i kam bërë, në emër t përmirësimit të kushteve të jetës së shqiptarëve të këtij rajoni dhe çlirimit nga politika e dhunshme e Millosheviqit.
Por, mohoj çdo akuzë të pavërtetë dhe që ka për qëllim njollosjen e qenies shqiptare.
Nuk e di se çfarë ende duhet të na ndodhë neve shqiptarëve të Luginës dhe reagimet tona të mbesin në letër, e cila i duron të gjitha dhe vetëm heshtë.
Edhe sa vrasje, sa plaçkitje, sa maltretime, sa arrestime, sa dënime, sa dëbime e çka tjetër jo, duhet të përjetojmë ne, kurse “elita” jonë politike në tavolina plotë me “mish e raki” kokë më kokë me autorët e këtyre që i thash më lartë kuvendojnë për zgjatje mandatesh çdo ditë, pa fije turpi.
E pakuptimtë është demagogjia e politikanëve që deri më sot na i kanë mohuar të drejtën e paraqitjes sonë publike në Radio Televizion të Preshevës dhe në RTV “Aldi”, e në Spektër e TV Bujanoc, në mënyrë që ne të shprehim atë që dëshirojmë ta themi...
Jo pse unë dhe shokët e mi sot jemi viktima, por është e thjeshtë o popull, ti themi mjaftë të gjitha përjetimeve të hidhura, të ndalojmë një herë e përgjithmonë të keqen. Mjaftë ne vuajtëm, mjaftë përjetuam, luftuam, u arrestuam, u keqtrajtuam, u persekutuam dhe sërish kjo po përsëritet.
Të ndalojmë një herë e përgjithmonë këtë hov!
Të mendojmë deri kur kështu dhe të veprojmë që nesër më mirë të jetojmë...
Kërkoj nga të gjithë politikanët që emrin tim të mos e keqpërdorin, në veçanti nga ai i cili e ka shpallur vetën “person i autorizuar edhe nga familja ime”, për organizim të mbrojtjes time.
Sa mirë më mbrojti!...
*Autori është i dënuar nga Gjykata serbe për Krime Lufte, me 10 vite burgim, aktualisht ndodhet në liri në pritje të ekzekutimit të procesit të vuajtjes së dënimit. 

Sa promovohet kultura shqiptare në botë?



Kultura shqiptare promovohet shumë pak në botë në formën institucionale, për shkak të mungesës së një marketingu kulturor, ndërsa njerëzit e kulturës mendojnë se forma më e mirë e promovimit të kulturës mbetet ajo individuale.


Bruna Merko

Sa dhe si promovohet kultura shqiptarë në botë, tashmë jemi të vetëdijshëm të gjithë, përveçse ndonjë shkrimtari apo artist të arteve pamore dhe skenike, shumë gjëra lënë për të dëshiruar. Sa punohet në këtë drejtim nga institucionet shtetërore, qoftë në Kosovë apo Shqipëri, e tregon kalvari i artistëve për të marrë një vizë. Ende arti dhe kultura shqiptare vuan nga mungesa e pjesëmarrjes dinjitoze në aktivitetet ndërkombëtare. Specialist dhe kritikë të mirëfilltë të artit e gjejnë shkakun te dobësia e politikave të marketingu kulturor jashtë kufijve shqiptarë, të paafta për të “eksportuar” më të mirën nga kultura shqiptare.

Kadare, promovues i kulturës shqiptare

Shumë artistë dhe njerëz të njohur të kulturës shqiptare bien dakord kur bëhet fjala për mungesën e një strategjie të përbashkët andej dhe këndej kufirit, për të promovuar sa më shumë kulturën tonë. Nga ana tjetër, ata bashkohen njëzëri se, nëse është dikush që ka promovuar dhe ka bërë që zëri i shqiptarëve të dëgjohen anë e mbanë botës ai është padyshim shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare.

Shkrimtari dhe poeti i mirënjohur Visar Zhiti, librat e të cili janë përkthyer në disa gjuhë të botës, në një prononcim për gazetën tonë shprehet se bëhet pak në këtë aspekt, por zëri i Kadaresë është shumë i fuqishëm se shumë institucione së bashku. “Kadare është emblemë e kulturës shqiptare. Ai e ka bërë shumë të njohur Shqipërinë dhe shqiptarët në letërsinë e vetë. I ka dhënë shumë edhe koha, vendi, populli, që vërtet i është borxhli një figure të tillë, por ne do të kemi ambicien e mirë që në forma të tjera të zbulojmë dhe të besojmë se kemi vlera”, tha Visar Zhiti, duke shtuar se Kadare është ylli i ndritshëm i një qielli që ndriçon botën.

Për piktoren Majlinda Kelmendi, disa herë pjesëmarrëse në ekspozita ndërkombëtare, mendon se kemi artistë që na përfaqësojnë me dinjitet në skenat botërore. “Duke qene se jemi të informuar për rrjedhat e artit pasi është profesioni që vetë ne me dëshirë e kemi zgjedhur e duam,e zhvillojmë dhe përpiqemi të ndjekim kohën, të cilën jetojmë. Mendoj se ne jemi ne kontakt me të renë dhe ngjarjet artistike në galeri dhe muzeut e artit në botë. Ballafaqimi në ekspozita kolektive dhe personale në vende të ndryshme me krijimet tona, çmimet e marra, ftesat e ndryshme për vepra dhe artistë shqiptarë na bën të mendojmë dhe konstatojmë që ne kemi artistë cilësor, të cilët me veprat e tyre na përfaqësojnë me dinjitet në bot’, tha piktorja Kelmendi.

Promovimi individual më i suksesshëm se ai institucional

Ky konstatim vjen nga aktorja jonë e njohur, Florie Bajoku, e cila pati edhe vetë një sukses të madh këtë vit që po lëmë pas, duke interpretuar shqip në skenat më të njohura evropiane me shfaqjen ““Barka e Noes”. “Kultura shqiptare promovohet shumë pak në botë në formën institucionale. Mirëpo, formë tjetër e promovimit të kulturës shqiptare është edhe forma individuale dhe si e tille nuk është aspak e lehtë sidomos kur jeton në Kosovë, por gjithsesi varet edhe nga zhanri artistik, kolektiv apo individual. Mendoj qe promovimi individual i kulturës shqiptare jashtë është jashtëzakonisht i suksesshëm dhe promovues për ngritjen dhe përmirësimin e imazhit te shqiptareve.

Fatmirësisht ka shumë personalitete të pakontestueshme shqiptare që janë yje në Evropë e më gjerë dhe që janë pjesë e institucioneve dhe instancave më të larta artistike evropiane dhe botërore”, thotë aktorja Bajoku, duke sjellë shembuj Ismail Kadaren dhe spranon Inva Mula, divën e muzikës operistike. Ndërsa regjisori Selam Hajrizi mendon se ka shumë emra që individualisht kanë bërë shumë për promovimin e kulturës sonë. “Kemi shumë talente të rinj, por Ismail Kadareja është i vetmi ambasador shkrimtar me famë botërore, i cili ka arritur që të na frymëzojë ne dhe të na mburrë e të na përfaqësojë si popull. Por ka tjetër edhe të tjera personalitete siç ishte presidenti Rugova, Sali Berisha po ashtu, që ndërkombëtarizon gjithmonë çështjen e Kosovës. Apo drejtori i Baletit Angjelin Preljocaj, që në gjithë botën është shumë i respektuar”, tha regjisori Hajrizi.

Evropa të reagojë për preshevarët e dënuar

Ahmet Hasani, Nazif Hasani, Ferat Hajdari, Kamber Sadiku dhe Burim Fazliu po vazhdojnë të mbrohen në liri me lëvizje të kufizuara nëpër vendbanimet e tyre në Preshevë, deri në bërjen e plotfuqishme të aktgjykimit, ndërsa katër të akuzuarit e tjerë vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim në Beograd.





“Ne apelojmë që të ndërhyjë në këtë rast diplomatët perëndimor dhe qendrat ndërkombëtare, e çështja të ngritët deri tek Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, sepse rasti jonë është totalisht i montuar dhe asnjë akuzë e ngritur ndaj nesh nuk përputhet me realitetin dhe të vërtetën”, theksojnë të dënuarit shqiptarë të Luginës së Preshevës, të njohur si pjesëtarë të një grupi të pagëzuar nga hetuesia serbe si “Grupi i Gjilanit”.





Nga nëntë të dënuarit që gjithsejtë morën dënimet e larta me 101 vite burg, katër prej tyre apelojnë në çastet e fundit për ti ofruar ndihma më profesionale dhe më e denjë nga Tirana zyrtare, Prishtina zyrtare, por edhe nga politikanët e Luginës së Preshevës, duke mos mbetur rasti vetëm në letra të shkruara.


Ata theksojnë se politika shqiptare duhet të ngrejë këtë rast para institucioneve ndërkombëtare siç e bënë serbët me Dick Marty që shpifjet e tyre t`ia imponojnë ndërkombëtarëve.

Ahmet Hasani, Nazif Hasani, Ferat Hajdari, Kamber Sadiku dhe Burim Fazliu po vazhdojnë të mbrohen në liri me lëvizje të kufizuara nëpër vendbanimet e tyre në Preshevë, deri në bërjen e plotfuqishme të aktgjykimit, ndërsa katër të akuzuarit e tjerë vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim në Beograd.

Burim Fazliu, në vitin 1999 ashtu siç shkruhet në akuzën e ngritur, ka qenë vetëm 19 vjeç dhe se ai hynë në një akuzë për kryerje të krimeve ndaj civilëve serb në Rajonin e Gjilanit.

Ai thekson për agjencinë e lajmeve INA se s`ka asnjë fakt që e dëshmon se ai ka bërë ndonjë vepër të tillë, që siç thotë Burimi nuk i ka hije dhe nuk ka bërë asnjëherë shqiptari gjatë historisë.



Burim Fazliu njëri nga të dënuarit me 10 vjet burg

“Unë për periudhën që akuzohem kam qenë në Kumanovë të Maqedonisë , i strehuar pas krizës së refugjatëve. Këtë ia kam dëshmuar gjykatës me dokumente, por kanë qenë të papërfillshme. Andaj edhe mosha ime 19 vjeçare gjatë asaj periudhe shprehë një çudi për akuzën e ngritur ndaj meje”, thekson Burim Fazliu, duke kërkuar që të veprohet më intensivisht për të alarmuar dënimin e padrejtë të tyre.


Edhe Ahmet Hasani, i burgosuri tjetër thekson se nuk ka të bëjë me akuzat e ngritura, por sipas tij, politika serbe ushqehet gjithmonë me proceset e montuara politike me shqiptarët.

“Unë nuk kam qenë pjesëtar i UÇK-së sepse në atë periudhë, dhe se kam qëndruar në Maqedoni.





Ahmet Hasani, njëri nga të dënuarit me 10 vjet burg

Na kanë dënuar pa asnjë fakt dhe dëshmi të vërtetë, por ata kanë përdorur lavire rruge dhe një dëshmitarë të paguar për të na dënuar, derisa mbi 39 dëshmitarë kanë dëshmuar kundër këtij rasti, duke na shpallur neve të pafajshëm”, thekson për INA, Ahmet Hasani, i cili shton se vazhdimisht i janë bërë obstruksione nga ana e burgut për të mos i`a dërguar letrat e lëshuara përfaqësive diplomatike ndërkombëtare dhe sidomos Ambasadës së Shqipërisë, EULEX dhe misionit të OSBE-së.

Pesëshja e liruar nga fundi i dhjetorit për të qëndruar pranë shtëpive të tyre, nuk i`u gëzua lajmit të mirë, që ishte paralajmëruar. Ata presin alarmimin e rastit dhe internacionalizimin e tij pranë qendrave relevante të politikës ndërkombëtare.

Një shpresë e mbetur është edhe gjykata e nivelit më të lartë, ajo e Apelit në Beograd për të korrigjuar dënimet e para, në rast të kundërt do të vulosen dënimet, duke nisur nga ato me 15 vjet burg që janë dënuar Samet Hajdari, Agush Memishi dhe Selimon Sadiku; me nga 10 vjet - Faton Hajdari, Ferat Hajdari, Burim Fazilu, Ahmet Hasani dhe Nazif Hasani kurse me nga 8 vjet burg - Ferat Hajdari e Kamber Sadiku.

Komandanti burgut “dhunon” gratë?!

Ekspertët për të drejtat njerëzore janë të tronditur nga informata dhe se dikush duhet të hyj në burg dhe të shoh se çfarë po ndodh atje.Nuk ndalojnë skandalet ku dëshmojnë për sjellje johumane dhe degraduese nga administrata e burgut për të burgosurit në burgun hetues të Shkupit. Siç kupton gazeta “Vreme”, me torturë të paparë këto ditë, është ballafaquar njëra nga të paraburgosurave kur në qelinë e saj ka hyrë komandantja, e cila e ka urdhëruar që të zhvishet pasi ka dyshuar se ka celular.





Por skandali nuk ka ndaluar aty dhe pasi që ka parë se e paraburgosura nuk ka celular komandantja ka urdhëruar që të shtrihet dhe t’i hapë këmbët me ç’rast personalisht ka kontrolluar se mos vallë ka fshehur celularin në gjenitalet e saj. ..më shumë do të lexoni nesër në gazetën "Vreme" siç shkruan web faqja Fakti ditor.

Pika kufitare në Çakorr në “pritje” të vullnetit politik, çfarë thonë nga Komuna e Pejës para protestës së paralajmëruar më 25 prill – heshtje nga ministrit

         Shkruan Akademik Flori Bruqi Qafa e Çakorriit  ose  Çakorri  është një qafë mali që shtrihet në  Alpet Shqiptare , në kufi në mes M...