PreshevaNEWS, ka siguruar deklaratën e Burim Fazliut, të dënuar me dhjetë vite burgim nga Gjyqi Special serb, nën akuzë për Krime Lufte, gjëja të bëra si ish pjesëtarë i UÇK-së, në verën e vitit 1999, në rajonin e Gjlanit.
Burim Fazliu, për herë të parë që pas arrestimit të tij me 26 dhjetor 2008, shpreh mllefin e tij publikisht, lidhur me arrestimin nga xhandarmëria serbe si dhe dëshpërimin e përvojën e hidhur, me politikanët “ e autorizuar” për mbrojtjen e të arrestuarve të Luginës, atyre të Kosovës dhe Shqipërisë.
Unë, Burim Fazliu, i arrestuar pa drejtësisht nga forcat serbe të sigurisë më 26 dhjetor 2008, konsideroj se jam tërësisht i pafajshëm ndaj të gjitha akuzave me të cilat më ngarkon Prokuroria serbe për Krime Lufte.
Aq më pak shqiptimi i aktgjykimit me 21 janar, mendoj se është tërësisht i padrejtë dhe plotësisht i ndikuar politikisht që ka prapavijë të urrejtjes së qenies shqiptare.
As një herë nuk e kam mohuar se kam qenë pjesëtarë i ish Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Por, me përgjegjësi të plotë morale e juridike, them se kjo Ushtri kurrë nuk ka bërë krime lufte e as unë si ish pjesëtarë i sajë.
Ngarkohem me një akuzë e cila përfshinë një periudhë kur unë nuk kam qenë I mobilizuar në UÇPMB dhe kur as Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, nuk ka ekzistuar. Këtu shihet serioziteti i Prokurorisë serbe, për hulumtim të drejtësisë.
Konsideroj personalisht se edhe politika shqiptare në Luginë të Preshevës, ka bërë pak për mos të thënë asgjë, për arsyetimin e drejtë të pafajësisë tonë.
Disa nga ne kemi qenë pjesëtarë të ish UÇPMB-së e cila, siç dihet botërisht nga të gjithë, ka qenë partnere e Bashkësisë Ndërkombëtare në bisedime me qeverinë e Serbisë, për arritjen e paqes në këtë rajon. Kjo ka qenë arsyeja që qeveria e Serbisë, e ka bërë edhe amnistinë për të gjithë ish pjesëtarët e UÇPMB-së.
Për këtë them se politika shqiptare dhe aktorët e saj, është dashtë të na dalin në mbrojtje në mënyrë sa më të zëshme, ashtu që ky zë të dëgjohet në të gjitha qendrat e vendosjes dhe Serbia, ta bëjë lirimin tonë.
Nuk mjaftojnë deklaratat dhe paraqitjet televizive, të cilat kanë prapavijë përfitimin elektoral apo fitimin e votave, nga politikanët tanë, sepse ne nuk jemi njerëz të asnjë subjekti politik dhe kjo aktakuzë, ky dënim nuk është i adresuar vetëm ndaj nesh, por ai i është shqiptuar tërë popullit shqiptarë, këtë e them me plotë bindje.
Akuza e Prokurorisë Speciale serbe për Krime Lufte i ka quajtur shqiptarët vampirë, kanibal, gjakpirës e çka jo...
Është tërësisht e çuditshme se si politikanët tanë edhe në rastet më tragjike, siç është rasti i ynë, tentojnë në përfitime personale, grupore apo partiake.
Është marri për të gjithë ata pa dallim, e sidomos për ata që thirren si “shpëtimtarë” tanë, të formulojnë Deklarata Politike, përmes së cilave vazhdimisht kërkohet nga të tjerët, siç është faktori ndërkombëtar, të bëjë trysni ndaj Serbisë, ndërsa vet vazhdojnë të qëndrojnë lojal ndaj saj, sikur të mos ket ndodhur kurrë asgjë.
Me përgjegjësi e them se asnjëri nga politikanët tanë, të cilët vazhdimisht trumbetojnë dhe i mavijosin kraharorët e tyre, duke i rrahurkur mburren nëpër ndeja se janë të autorizuar për të na mbrojtur apo për të na përfaqësuar nga ne apo familjet tona, se nuk janë dhe nuk kanë qenë kurrë as nga unë e as nga familja ime. I vetmi i autorizuar ka qenë dhe mbetet avokati im, të cilin përkundër kushteve të rënda ekonomike e kam paguar vet.
101 vjet dënim për njerëzit e pafajshëm, për ata që kur ishte nevoja qëndruan në vijë të parë, duke mos kursyer as më sublimen, për arritjen e këtij “liberalizimi të brishtë”, në të cilin fitimtarë fatkeqësisht po dalin vetëm politikanët servil e lojal tanë dhe askush tjetër.
Është absurde dhe tërësisht e pafalshme që politikanët tanë, të qëndrojnë ende në institucionet e xhelatëve dhe kasapëve të pamëshirshëm, që na arrestojnë e na dënojnë, na vrasin e maltretojnë çdo ditë, na krahasojnë me kanibal, me vampir e me çka jo...
Kërkoj nga të gjithë ata që i gëzojnë privilegjet e votës së popullit, që të shqyrtojnë këtë situatë, duke filluar nga Deputeti, Kryetarët e Komunave, Kryetarët e Kuvendeve, Nënkryetarët e shumtë të Komunave e Kuvendeve, si dhe të gjithë ata që janë nëpër pushtete lokale e republikane, që të tërhiqen në mënyrë protestuese nga të gjitha këto institucione në shenjë revolte e mos zgjidhjes së problemeve tona. Mendoj se kjo është dashtë të ndodhë me 26 dhjetor 2008, kur ne u arrestuam dhe u “pagëzuam” vampirë, kanibal e çka jo, por, jam i bindur se kjo nuk është vonë të ndodhë edhe sot.
Unë nuk jam politikan, nuk jam ai që mund të kushtëzoj dikë e aq më pak të detyroj apo të ia imponoj dikujt një obligim të tillë. Por, jam viktimë e e politikës represive serbe dhe politikës së dështuar shqiptare në Luginë, në Kosovë por edhe në Shqipëri.
As edhe një herë nuk do t`i mohoj veprat e mia që i kam bërë, në emër t përmirësimit të kushteve të jetës së shqiptarëve të këtij rajoni dhe çlirimit nga politika e dhunshme e Millosheviqit.
Por, mohoj çdo akuzë të pavërtetë dhe që ka për qëllim njollosjen e qenies shqiptare.
Nuk e di se çfarë ende duhet të na ndodhë neve shqiptarëve të Luginës dhe reagimet tona të mbesin në letër, e cila i duron të gjitha dhe vetëm heshtë.
Edhe sa vrasje, sa plaçkitje, sa maltretime, sa arrestime, sa dënime, sa dëbime e çka tjetër jo, duhet të përjetojmë ne, kurse “elita” jonë politike në tavolina plotë me “mish e raki” kokë më kokë me autorët e këtyre që i thash më lartë kuvendojnë për zgjatje mandatesh çdo ditë, pa fije turpi.
E pakuptimtë është demagogjia e politikanëve që deri më sot na i kanë mohuar të drejtën e paraqitjes sonë publike në Radio Televizion të Preshevës dhe në RTV “Aldi”, e në Spektër e TV Bujanoc, në mënyrë që ne të shprehim atë që dëshirojmë ta themi...
Jo pse unë dhe shokët e mi sot jemi viktima, por është e thjeshtë o popull, ti themi mjaftë të gjitha përjetimeve të hidhura, të ndalojmë një herë e përgjithmonë të keqen. Mjaftë ne vuajtëm, mjaftë përjetuam, luftuam, u arrestuam, u keqtrajtuam, u persekutuam dhe sërish kjo po përsëritet.
Të ndalojmë një herë e përgjithmonë këtë hov!
Të mendojmë deri kur kështu dhe të veprojmë që nesër më mirë të jetojmë...
Kërkoj nga të gjithë politikanët që emrin tim të mos e keqpërdorin, në veçanti nga ai i cili e ka shpallur vetën “person i autorizuar edhe nga familja ime”, për organizim të mbrojtjes time.
Sa mirë më mbrojti!...
*Autori është i dënuar nga Gjykata serbe për Krime Lufte, me 10 vite burgim, aktualisht ndodhet në liri në pritje të ekzekutimit të procesit të vuajtjes së dënimit.