2011-02-07

Çfarë feje, vërtet, kishin shqiptarët para pranimit të Islamit?

I

Është trend kohe i disa dhjetëvjetëshave të fundit të po­hohet, si në qarqet akademike, ashtu edhe në të gjitha nivelet shkollore e deri në shtypin e verdhë, se të parët tanë, d.m.th. para-shqiptarët (ilirët) kanë qenë katolikë, fe kjo të cilën ata e pranuan vullnetarisht. Me fjalë të tjera, nga ajo që thuhet e shkruhet, mund të përfundojmë se Katolicizmi te para-shqip­tarët është kongenital, i natyrshëm, i lindur dhe se vetëm ardhja e osmanlinjve me Fenë islame e rrënoi këtë parajsë botërore, këtë rehati kozmike ku jetonin të parët tanë.

Që në filim duhet të konstatojmë se kjo çështje është mjaft e vështirë e komplekse dhe kërkon çasje multidisipli­nare e serioze, të liruar nga tendencat me kohë të shtresuara dhe nga synimet evrocentriste dhe kristiane-centrsite, çfarë është rasti me shumë autorë shqiptarë të proveniencës kristiane dhe të proveniencës muslimane prokristiane.

Të udhëhequr nga motive të pastra shkencore e kulturore, e brenda mundësive intelektuale e kohore dhe natyrës e vëllimit të këtij shkrimi, do të përpiqemi ta shtrojmë këtë çështje sa më drejtë, me çka nënkuptojmë: në bazë të literaturës rele­vante të shtrojmë çështjen e pushtimit të Ilirisë nga romakët dhe përpjekjet e tyre për romanizimin e ilirëve vendas, e më pastaj edhe përpjekjet e tyre për kristianizimin e ilirëve ven­das, por ta shtrojmë edhe rezistencën e ilirëve kundrejt pushtimit dhe asimilimit, akulturimit të huaj, dhe në anën tjetër, gjendjen e para-shqiptarëve me rastin e depërtimit të Islamit në trojet tona. Natyrisht, do të kufizohemi në rrafshin shoqëror e historik me elemente nga rrafshi politik, religjioz, mitologjik e të ngjashme.



II

Ilirët, përkatësisht para-shqiptarët, si një ndër dy-tre popujt më të lashtë të Evropës, në epokën parahistorike e historike kanë “banuar në një rajon të gjerë, i cili nga Perëndimi mbyllej nga Deti Adriatik dhe ai Jon, në Veri nga Alpet Lindore dhe Drava, në Lindje nga Danubi - Morava - Vardari, ndërsa në Jug nga Epiri dhe vise të tjera helene. Për­veç kësaj, mund të flitet me mjaft siguri për praninë e ele­menteve ilire në Azinë e Vogël, në Greqi dhe në Itali. Miss Edith Durham kufijtë e Ilirisë së vjetër i vë në Bosnjë-Herce­govinën e sotme, në Mal të Zi, Serbi, Dalmaci dhe arrijnë deri në Triestë. Në mbështetje të Strabonit, ajo pohon se epi­rotët, ilirët e maqedonasit flasin një gjuhë të njëjtë, një gjuhë jogreke, nga rrjedh shqipja moderne, gjuha më e vjetër e Ballkanit.

Ilirët në kohën e depërtimeve romake, e para pushtimeve sllave, shtriheshin në Shqipërinë e sotme, në Kosovë, Serbinë Jugore, në krahinat perëndimore të Maqedonisë së sotme.

Romakët në trojet ilire depërtuan kryesisht nga Selaniku prej anës jugore, nga Bregdeti adriatik prej anës perëndimore dhe nga Akvileja prej anës veriperëndimore. Kurse sipas M. Sufflayt, depërtimi romak në Shqipëri është bërë prej Italisë, kryesisht nëpër dy porta, Durrësi dhe Solana (Solini i sotëm, N. I.) e Dalmacisë.

Ilirologu i njohur A. Stipçeviq, pohon se “edhe analizat më sipërfaqësore të materialit arkeologjik nga kjo kohë, na zbulojnë se procesi i romanizimit nuk ka ndodhur gjithkund në mënyrë të barabartë. Derisa qendrat e urbanizuara, qoftë në bregdet, qoftë në mbretëri, u romanizuan gati plotësisht, kështu që aty flitej dhe shkruhej gjuha latine dhe jeta zhvillo­hej si në çdo qytet tjetër të madh të Perandorisë Romake, ndërkaq jashtë këtyre qendrave situata ishte krejt ndryshe. Po ashtu, përfshirja e ilirëve në radhët e legjioneve romake si dhe qëndrimi i tyre në provinca të tjera të Perandorisë, larg nga atdheu, shkaktoi që ata ushtarë të mësojnë shpejt gjuhën zyrtare të ushtrisë - latinishten. Shumë prej tyre nuk kthe­heshin në vendlindje, por edhe nëse ktheheshin, ata kthe­heshin si veteranë, me shprehi tjera, me dije të reja nga qytetërimi romak. Faktor tjetër i romanizimit është ardhja e ushtarëve të huaj në provincat ilire, që njëherit ndikuan në përhapjen e kulteve të huaja romake dhe joromake. Në ro­manizimin e trojeve ilire ndikuan edhe Via Egnatia, qendrat ushtarake, kolonistët etj.

Përkundër presionit të fuqishëm të akulturimit, ilirët vazhduan të flasin gjuhën e tyre popullore, të respektojnë hyjnitë e tyre, të varrosin të vdekurit në mënyrën e lashtë, tradicionale, e punonin tokën si më parë, e ruanin veshjen, fëmijët i emëronin me emrat e tyre dhe vetëm në rast nevoje i përshtateshin strukturës administrative dhe politike romake. Edhe pas kësaj periudhe, ilirët nuk i harruan tërësisht hyjnitë e veta dhe shumë pak morën pjesë në krijimin e kulturës shpirtërore romake. Kështu, gjatë tërë kohës së sundimit romak, ekzistojnë njëri pranë tjetrit religjioni i vjetër ilir dhe religjioni i ardhacakëve, përkatësisht i atyre të cilët e kanë pranuar mënyrën e re të jetesës dhe hyjnitë e reja. Ky dualitet i jetës shpirtërore do të zgjasë gjatë gjithë shekujve të okupi­mit të gjatë romak. Kjo kryeneqësi më vonë do të zbutet por kurrë në tërësi, e sidomos për shkak të konservatorizmit të ilirëve dhe jetesës së një pjese larg qendrave urbane.

Pos këtij, kemi edhe faktorin ekstern që pengoi roman­izimin, sikur që janë lëvizjet e markamanëve, kuadëve dhe popujve tjerë që qysh në shekullin II e.r. kaluan kufijtë e Per­andorisë Romake. Shekulli III karakterizohet me vërsuljet e mëdha të popujve barbarë në Ballkan. Në gjysmën e dytë të shekullit IV erdhën hunët dhe shumë popuj të tjerë, të cilët mbollën tmerr e vdekje. Viktimë ishin veçanërisht qendrat, e më pak periferitë. Lidhur me këto ndodhi Shën Jeronimi shkruan: “Gjithkund vetëm pikëllim dhe tmerr dhe shumë pamje të vdekjes.”

Në pengimin e romanizimit të ilirëve kanë kontribuar edhe disa faktorë të tjerë, sikur lëvizjet e një numri të madh vendasish të paromanizuar - peregrinëve të provincës së Dalmacisë dhe të trojeve të tjera të Ilirisë së lashtë, kryesisht në një formë të organizuar, të cilët në grupe u drejtuan në basene minierash dhe në krahina të tjera të njohura ekono­mike të kësaj province, duke u vendosur në masën më të madhe në Transilvani, ku posaçërisht zënë vend në rajonin e pasur me ar të maleve Apusen në trevën midis qendrave an­tike Apulum, Ampelum dhe Alburnus... Për shkallën e mi­grimit ilir në Daki, të dhënat linguistiko-onomastike kanë tre­guar se këto elemente provinciale të kolonizimit në këtë provincë ishin më të shumta, pos elementeve greko-orien­tale. Sipas dr. Exhlales, “supozohet se migrimi dardan në Daki është bërë gjatë viteve të para të pushtimit romak në veri të Danubit, kur në Daki fillon një vërshim i fuqishëm emigrantësh - kolonistësh të ardhur nga trevat ilire.” Po kjo autore pohon se “analizat onomastike, përkatësisht antro­ponimia, ka treguar se ilirët e ardhur në këtë provincë ishin të romanizuar dobët.”

Në viset e popullzuara me popullsi dardane, veçan në shekujt II dhe III, ka vepruar Lëvizja Latrone që kishte për qëllim rezistencën kundër romakëve dhe kundër shtresës së të liruarve, si përfaqësues të pushtetit dhe të interesave romake si dhe kundër elementeve të tjera aktive në procesin e ro­manizimit.

Para ardhjes së romakëve, shoqëria dardane sipas gjasave ishte e ndarë në bujq, të cilët ishin të vendosur nëpër lugina të lumenjve, dhe në barinj që banonin në pjesët malore, por forcë dominuese në këtë shoqëri duket se kanë qenë barinjtë. Që me ardhjen e tyre në këto vise, romakët do të përpiqen ta zhdukin këtë simbiozë bujqësore-baritore, duke i favorizuar për këto arsye bujqit, duke i implikuar këta në rrjedhat e jetës në kushte të reja shoqërore - ekonomike dhe duke i orientuar në përpunimin e barinjve, të cilët përndryshe nuk ishin të pushtuar. Koncentrimi i tokave në duart e çifligarëve dhe ndarja e tokave veteranëve, e përcjellë me emigrimin e popullsisë prej fshatrave në qytete, ishin elemente që reflek­toheshin në raportet e mëparshme ekonomike-prodhuese dhe si pasojë e kësaj, dobësohej fuqia ekonomike e fshatarëve të lirë, të cilët për shkaqe të përmendura më parë ishin të dety­ruar të tërhiqeshin në toka jopjellore. Krahas kësaj, meqë nuk kishin mundësi t’i përshtateshin sistemit të ri monetar, ata de­shën-s’deshën bëheshin të varur nga pronarët e latifundive të mëdha. Varfërimi i popullsisë së lirë, së bashku me format fillestare të raporteve të kolonatit, ishin shkaqe të paraqitjes së latronëve të shumtë dardanë, kështu që nga mesi i shekullit II pjesa dërrmuese e fshatarësisë së lirë u inkuadrua në Lëvizjen latrone. Mendohet se latronët kanë pasur qendrat kryesore të lëvizjes në rrethinën e Prizrenit, në luginën e Ti­mokut, në rrethinën e Drobetës etj. Kryesisht jetonin në male të larta prej nga i kontrollonin rrugët. Latronët kryesisht i sulmonin pushtuesit romakë, pastaj libertët e pasur dhe ven­dasit që i përkrahnin ardhacakët.

Përkundër rezistencës së fuqishme të vendasve, krahas romanizimit filloi edhe kristianizimi i ilirëve, duke e zbrapsur politeizmin ilir. Kjo sidomos ndodhi me Ediktin e Milanos në vitin 313, kur Kristianizmi shpallet fe zyrtare, institucionale shtetërore. Në këtë kohë e më vonë në trojet ilire filluan të themelohen bashkësitë e para kristiane. Pas Ediktit të Mila­nos dhe pas Koncilit të parë në vitin 325 në Iznik (Nikejë), me mbështetjen e perandorit Konstantin, Kristianizmi lidhet për Qesarin dhe ka statusin e fesë shtetërore të Bizantit. Edhe Miss Edith Durham pohon se Kristianizmi arriti herët në bregun dalmat dhe kishte depërtuar në brendi nga shekulli IV. Në këtë kohë Iliria ishte pjesë nën patronatin e Romës. Me forcimin e Kristianizmit, politeizmi pagan, ku gjetën vend të gjitha hyjnitë lokale të popujve të nënshtruar, religjioni ilir dhe simbolizmi ilir pësuan krizë të thellë, kurse for­cohet botëkuptimi kristian mbi jetën, bota puritane intrasigjente e religjioit të ri militant. Edhe pse në rrethana të reja që i solli Kristianizmi, ilirët ditën të gjenin mënyra për të ruajtur disa besime të lashta të tyre, bile edhe atëherë kur formalisht e pranuan Kristianizmin. Këtë e vërejmë në gjurmët ilire në kulturën popullore, në arkitekturë dhe në ur­banizëm, në mënyrën e varrosjes së të vdekurve, në sim­bolikën fetare, në motivet ornamentale, në veshmbathjet popullore, në stolitë, në muzikën dhe vallëzimet, në gjuhën, në organizimin shoqëror-politik.

Në joefikasitetin e romakëve për t’i romanizuar e më vonë edhe për t’i krishterizuar ilirët, ndikoi kriza e madhe eko­nomike e pastaj edhe kriza e udhëheqjes-qeverisjes që domi­nonte në perandorinë më të madhe në botë – atë të Romës. Për ta kapërcyer këtë krizë, Diokleciani sjell zgjidhje ka­limtare preventive me formimin e dy kryeqyteteve, Romës në Perëndim dhe Iznikut (Nikejës) në Lindje. Kjo zgjidhje ka­limtare përjetoi dështimin e vet në vitin 395, me vdekjen e perandorit Theodosiut, kur Roma e Madhe, për shkak të mosmarrëveshjeve e problemeve të brendshme ndahet në dy pjesë. Mirëpo, këtë fat politik nuk e pësoi edhe Kisha. Ajo këtë fat e përjetoi disa shekuj më vonë kur uniteti i saj u shkapërderdh në vitin 1054.

Kësaj do t’i ndihmojnë edhe lëvizjet e mëdha të popujve prej shekullit IV e deri në shekullin VI, (vizigotët, ostrogotët, geditët, longobardët, hunët e të tjerë), të cilët në vitin 476 e shkatërruan Perandorinë perëndimore dhe krijuan disa shtete kalimtare.

Fundi i shekullit V dhe fillimi i shekullit VI karakterizo­het me sulmet e fiseve turaniko-bullgare dhe të atyre sllave, të cilat duke vërejtur se Perandoria Bizantinase është do­bësuar, filluan të atakojnë dhe ta plaçkisin. E. Çabej paraqitjen e sllavëve e vendos prej shekullit V në kohën e perandorit bizantin, Anastasit I, më 493. Dyndjet e sllavëve që kanë filluar nga fundi i shekullit VI e deri në fillim të shekullit VII, do të rezultojnë me vendosjen e tyre të përher­shme prej Danubit deri në Detin Egje. Gjatë dyndjeve të tyre në Ballkan, ata sulmuan e plaçkitën pa u penguar.

Duke e marrë parasysh krizën e brendshme të romakëve dhe sulmet nga jashtë, mund të përfundojmë se sllavët duke ardhur në këto troje në shekujt VI e VII, në viset perëndimore të Ballkanit gjetën popullsi mjaft të madhe të vjetër vendase, të paromanizuar dhe gjysmë të romanizuar, e cila ishte tërhequr së pari para romakëve, e madej edhe para popujve barbarë në viset të cilat vështirë shkileshin. Edhe studiuesi boshnjak N. Smailagiq në enciklopedinë e tij pohon se “në shekullin VII sulmet sllave penguan romanizimin (dhe kristianizimin. N.I.) e shqiptarëve.” Kurse historiani shqiptar S. Rizaj konstaton se “popullsia ilire në këtë kohë u pakësua edhe më tepër.”

Se procesi i romanizimit e kristianizimit qe ndërprerë, dëfton edhe e dhëna se “në vitin 732 Shqipëria i qe bashkuar Patrikanës së Konstantinopolit, e këtë e argumenton edhe letra e Papa Nikolla I dërguar Mihailit II në shtator të vitit 860, kur ky kërkon kthimin e jurisdiksionit në territoret e Illyricumit Lindor, të cilat ishin shkëputur nga Roma gjatë me­sit të shekullit të kaluar”, ku “përmend të gjitha provincat, duke përfshirë edhe Dardaninë me kryeqytetin e saj Sku­pin.”

Kështu, përpjekjet e vazhdueshme për romanizimin dhe kristianizimin e popujve autoktonë kishin dështuar, siç ishte rasti me dakët në Rumani, trakët në Bullgari, ilirët në Dal­maci, Shqipëri e Maqedoni. Sa i përket popullit autokton në Kosovën e sotme, është fakt i pamohueshëm se që nga shekulli XVIII p.e.r. lindën shumë shtete politike ilire të cilat kaluan gradualisht nga etapa fisnore në mbretëri të vërteta të vogla, si dardanët, penestët, peonët, për të evoluar në popullin shqiptar të ditëve tona.

Sipas të dhënave që sjell E. Petroviq, popullsia që e gjetën sllavët në trojet lindore të Serbisë së sotme, nuk ishte ende e romanizuar dhe si provë për këtë sjell emrat e vendeve.

Mund të përmblidhet se invadimi i sllavëve nga Veriu drejt viseve jugore gjendjen e ilirëve e vështirësoi edhe më shumë. Filloi tërheqja e tyre drejt Jugut, kurse një pjesë e tyre u rezistuan presioneve sllave, të cilën gjë e dëshmon fakti me shqiptarët e Sanxhakut të Nishit deri në shekullin XX.

Duke e marrë parasysh faktin se një pjesë e kon­siderueshme e para-shqiptarëve (ilirëve) fare nuk e pranuan romanizimin dhe kristianizimin, e një pjesë tjetër roman­izimin e kristianizimin e përdori vetëm formalisht për t’iu shmangur dhunës dhe zhdukjes fizike, që e pamë nga shumë shembuj e burime historike, nga një anë, dhe nga ana tjetër, duke e marrë parasysh faktin tjetër se sllavët me rastin e in­vadimit në Ballkan dhe në trojet iliro-shqiptare ishin ende pa­ganë dhe nuk u konvertuan në numër në Kristianizëm deri në shekullin IX, mund të përfundojmë se kjo pjesë e iliro-shqiptarëve ende ishte me besim politeist pagan dhe se asnjëherë nuk ishin kristianizuar. Me të drejtë historiani e et­nologu boshnjak M. Haxhijahiq pohon, e ky pohim i tij mund të shtrihet edhe për para-shqiptarët, se shenjat dhe gjurmët e muslimanëve të parë në Ballkan shpiejnë në periudhën kur popujt e sllavëve të jugut ende i përkitnin religjionit të tyre sllaven, apo në kohën kur filluan të kryqohen, që d.m.th. se shfaqja e Kristianizmit te sllavët e jugut, ose te pjesa më e madhe e tyre, apo kjo vlen edhe për para-shqiptarët e trevave lindore iliro-shqiptare, nuk është më e vjetër nga shfaqja e Islamit.” Në bazë të dokumenteve e burimeve të shkruara kishtare sllavo-serbe dhe të të dhënave të sotme nga terreni, rezulton se serbët filluan të kristianizohen prej shekullit IX e këndej, që shkon në favor të konstatimit të sipërm. Nuk dëshirojmë të shtrihemi më gjatë në këtë pjesë të temës, sepse kjo do të jetë objekt i një punimi të veçantë, por megjithatë e shohim të arsyeshme t’i shtrojmë disa çështje mjaft relevante.

Hulumtuesit shqiptarë praninë e Islamit në Ballkan, pra edhe në trojet iliro-shqiptare, e vënë me pushtimet osmane në Ballkan, dhe kjo tezë mund të haset thuajse në të gjitha tek­stet shkencore e shkollore, por edhe në shkrimet reviale e gazetareske. Një numër i vogël i tyre kontaktet e para të Is­lamit me trojet tona i vënë gjatë shekullit XIV.

Thuajse asnjë hulumtues shqiptar kontaktet islamo-iliro-shqiptare nuk i sheh para shekullit XIV. Në këtë mënyrë injorohen kontaktet shumëshekullore ndërmjet kulturës arabo-islame dhe asaj ballkanike, pra edhe iliro-shqiptare, për të ci­lat shkurtimisht kemi shkruar. Atë që nuk e bënë hulumtue­sit tanë, e bënë të tjerët. Kështu, hulumtuesi perëndimor G. B. Pellegrini thotë se “shumë gjuhë në Mesdhe edhe sot në glo­sarin e vet kanë shumë fjalë arabe, që gjithsesi nuk i kanë përhapur e sjellur vetëm turqit në Evropë, por ato janë rezul­tat i kontakteve më të hershme të Evropës me arabët”.

Orientalisti serb R. Bozhoviq kontaktet islamo-evropi­ane, e veçan ato sllavo-islame, por edhe ndikimet reciproke, i sheh se janë zhvilluar në tri drejtime:

1) nëpërmjet Bizantit, përkatësisht kufirit bizantino-arab dhe luftërave ndërmjet dy perandorive.

2) nëpërmjet basenit mesdhetar, përkatësisht Spanjës, Egjiptit fatimit dhe Sicilisë, në të cilat civilizimi arab ka arritur përmasa të mëdha.

3) nëpërmjet Hungarisë, përkatësisht nëpërmjet Veriut dhe luftëtarëve nomadë, peçenegëve. Ky vrojtim i R. Bozhoviqit do të mund të aplikohej thuajse në tërësi për pjesën lindore të trojeve iliro-shqiptare, rrethana këto që i kanë re­zultuar pushtimet e Bizantit, bullgarëve etj. Për pjesën perëndimore të trojeve iliro-shqiptare do të thuhej se parësor ka qenë baseni mesdhetar, që ka rezultuar nga pozita gjeostrategjike e këtyre trojeve.

Nuk dëshirojmë të flasim për secilin kontakt e rast veç e veç, sepse kjo do t’i kalonte suazat e këtij shkrimi, por do të ndalemi në rastet më eklatante, të cilat dëftojnë jo për “kon­taktet”, por për vendbanimet muslimane.

Arabët, përkatësisht kulturën arabo-islame e kemi të pranishme në Adriatik dhe viset bregdetare qysh në shekullin VIII, e që me ndërprerje të shkurtra do ta hasim deri në fillim të shekullit XI, apo në vitin 1023, kur nga Sicilia ndërmorën sulmin e fundit në bregun lindor të Adriatikut. Nga këto kontakte tregtare, ushtarake, diplomatike, shkencore e religji­oze prej tre shekujsh, e intensive rreth një shekulli e gjysmë, kemi ndikime të mëdha reciproke, e sidomos të atyre arabo-islame mbi ato ballkanike, pra edhe iliro-shqiptare, si kulturë më e avancuar e cilësore.

Kulturën arabo-islame e kemi të pranishme në trojet iliro-shqiptare edhe me peçenegët qysh në shekullin VIII, të cilët në këtë kohë i hasim të kufizuar në Jug me themën e Maqedonisë, Strumës, në Veriperëndim me sllavët, në Lindje me Detin e Zi, në Veri me hungarezët e Bizantin.

Sipas R. Bozhoviqit “Peçenegët muslimanë janë bartës të mundshëm të kulturës arabo-islame në Ballkan”. Ai thotë: “Duke e marrë parasysh arsimimin e tyre të shkëlqyeshëm, që shumë historianë e theksojnë, gjithsesi se kanë qenë bartës adekuat të kulturës dhe natyrës arabo-islame”. Edhe Viljem Tirski shprehimisht pohon se “cubat e popullit endacak” që “bëhen synet (cirkumizohen) janë peçenegët”.

Shembullin e tretë e kemi me “Turqit vardarianë”, të cilët nga Anadolli i shpërnguli cari Teofili (829-842), për ar­sye se e pranuan Islamin dhe i vendosi në Maqedoni. Franjo Raçki mendon se turqit vardarianë zanafillisht kanë qenë muslimanë. Për fat të keq, kjo temë nuk është hulumtuar, përkatësisht ne nuk kemi ardhur deri te shënime më të plota, kështu që shumë pak dihet për ta, ndonëse numerikisht kanë qenë të konsiderueshëm dhe kanë jetuar në tokat dardane e në fqinjësi të tyre.

Shembullin e katërt do ta marrim në praninë e musli­manëve në mbretërinë bullgare gjatë Mesjetës. Sipas histori­anit shqiptar S. Rizaj, bullgarët depërtuan përtej Danubit nga fundi i shekullit VII, kurse Sh. Demiraj sundimin e bull­garëve në trojet iliro-shqiptare e vë gjatë viteve 815-1018. S. Hill pohon se bullgarët në fund të shekulli IX depërtuan gati deri në Durrës. Kulmin e tyre bullgarët e arritën gjatë perandorit të tyre Simeonit (803-927), kur edhe Kosova ishte pjesë e tyre. I theksuam këto të dhëna më lart nga arsyeja se në atë kohë mbretëria bullgare përfshinte edhe tokat dardane dhe popujt tjerë ilirë. Pikërisht në këtë mbretëri, në këto troje e në këtë kohë, kemi vendbanimet e para muslimane. Këtë tezë e argumentojnë shumë fakte dhe shumë burime. Ne do t’i cekim vetëm disa.

Kani bullgar Borisi në vitin 864 e kryqëzoi popullin e tij, e sigurisht për shkak se Bizanti në atë kohë lulëzonte dhe kishte perspektivë më të mirë në krahasim me perandoritë tjera të asaj kohe. Kjo që ndodhi për ne edhe nuk do të kishte rëndësi më të madhe sikur të mos ishte problemi vi­jues. Me kryqëzimin e popullsisë së mbretërisë së vet, prob­lem doli çështja e librave të saracenëve (muslimanëve), që ishin përhapur në mbretëri, ndërsa me kristianizimin e tyre, u shtrua pyetja e trajtimit të mëtejmë të librave me tematikë is­lame. Se këta libra ishin të shumtë tregon edhe fakti se kjo çështje arriti deri te Papa Nikolla I, i cili dha përgjigje de­cidive:

“Ju pyetni ç’duhet bërë me librat heretikë, të cilët pohoni se gjenden te ju, kurse i keni marrë nga saracenët. Ata, naty­risht, nuk duhet ruajtur sepse, sikur që është shkruar (në en­ciklikën mbi Korinasit), kuvendimet e këqija e prishin mor­alin e shëndoshë, e për këtë, si të dëmshme dhe heretike, dorëzojani zjarrit”.

Edhe Franjo Raçki flet për këtë ndodhi, duke thënë se arabët kanë kaluar nëpër Siujdhesën Ballkanike dhe kanë provuar përhapjen e fesë, veçan duke shpërndarë libra.

Dr. Llujo Thaller në librin e vet “Nga fallxhorët e magjistarët deri te mjeku modern”, cek se rreth kësaj kohe Bull­garia ka qenë përplot muslimanë dhe se njëherë madje i kanë djegur librat muslimanë në Bullgari. Këtë e konfirmon edhe V. Klaiq kur thotë se “në Bullgari dhe në vendet fqinje ka pasur muslimanë.” Se nuk është fjala vetëm për kontakte por për vendbanime, na flet edhe shënimi vijues: Në vitin 896/376 hixhrij, në Kiev të Ukrainës shkoi një delegacion musliman ta përvetësojë udhëheqësin e tyre, Shën Vlladi­mirin, për ta pranuar Islamin. Duke e marrë parasysh se ende ishte në religjionin e vjetër sllaven, ai i ftoi teologët musli­manë bullgarë të Vollgës që t’ia ekspozojnë themelet e be­simit të tyre. Edhe vetë ai merrte pjesë në diskutimet shken­core. Më në fund u përcaktua për Kristianizmin bizantinas, sigurisht për shkak të perspektivës që ofronte Bizanti si su­perfuqi e asaj kohe. Këtë ndodhi e sqaron kronika mesjetare ruse “Povest vremenih leta” nga shekulli XI. Aty thuhet se Vlladimirit i erdhën shumë delegacione që ta përfitojnë në besimin e tyre. Ai i dërgoi misionarët e tij në vendet e ndry­shme për të parë se cili besim është më i përshtatshëm për ta. Në të kthyer, të deleguarit, përveç tjerash, deklaruan: “Erdhëm në Bullgari dhe pamë se si luten ata në tempull, përkatësisht në xhami...”. Këto deklarata u dhanë në vitin 6495 sipas kalendarit të tyre, kurse në vitin 987 sipas kalen­darit gregorian.

Pa hyrë në detaje dhe pa sjellur edhe raste të tjera, men­dojmë se të gjitha këto fakte flasin qartë se Islami dhe kultura arabo-islame në trojet lindore të Ilirisë, kanë qenë të pranishme shumë herët. Madje, një pjesë e ilirëve apo e para-shqiptarëve drejtpërdrejt nga besimi i tyre politeist pagan kanë kaluar në Islam, pa ndërmjetësimin e Kristianizmit apo fare pa e pranuar Kristianizmin.



III

Pushtimi romak i trojeve ilirike bëri që një pjesë e popullit vendas, veçan qendrat, herët të bien nën ndikimin politik e ekonomik, e më pastaj edhe religjioz, kulturor e shoqëror. Ky proces quhet romanizim. Më vonë, duke filluar nga shekulli IV, filloi, nëpërmjet pushtuesve romakë, edhe kristianizimi i trojeve tona. Mirëpo, që në fillim një pjesë e popullsisë vendase i bëri rezistencë të madhe pushtuesit të huaj, duke refuzuar njëkohësisht edhe romanizimin edhe kristianizimin. Kjo pjesë e popullsisë, mjaft e kon­siderueshme, qoftë tërësisht duke e refuzuar romanizimin e kristianizimin, qoftë vetëm formalisht duke e pranuar atë, sa për t’iu shmangur zhdukjes fizike, u përballoi vështirësive kohore dhe në shekullin VIII e më vonë u ndesh me kulturën arabo-islame. Kjo ishte realitet sidomos në pjesën lindore të Dardanisë, d.m.th. në Kosovën e sotme, në pjesët lindore të Serbisë së sotme dhe në një pjesë të Maqedonisë. Me keqardhje duhet konstatuar se hulumtimet në këtë fushë janë nën çdo nivel, ndaj shkencëtarët e painformuar injorojnë reali­tetin historik se një pjesë e trojeve dardane dhe ilire përgjithësisht, më herët është islamizuar se që është kristi­a­nizuar. Shembulli i peçenegëve, muslimanëve në mbretërinë bullgare, i turqve vardarianë dhe i pranisë muslimane në bregdetin ilir më se një shekull e gjysmë, është i qartë dhe kërkon studime më të hollësishme në të gjitha segmentet e mundshme. Në anën tjetër, me këtë realitet, deri tash të heshtur, të parëve tanë muslimanë do t’u bëhet e padrejtë duke thënë se kanë qenë katolikë, por Turqia i bëri me dhunë muslimanë! Parullat e tilla, si duket, do t’i përdorin vetëm mediokrët dhe sharlatanët shkencorë, por jo edhe shkencë­tarët e mirëfilltë.(F.B)

Si u bënë myslimanë shumica e shqiptarëve

Dokumentet që vërtetojnë popullsinë myslimane para pushtimit



Kemi qenë të krishterë apo myslimanë...?


Kjo pikëpyetje që vazhdon të na ngacmojë serviret në mënyra të ndryshme nga pjesa dërrmuese e popullsisë. Kemi qenë të krishterë para pushtimit osman dhe më pas u bëmë myslimanë. Ky është varianti që mbështetet. Në bazë të dokumenteve mësojmë se, Shqipëria ka pasur popullsi myslimane edhe para pushtimit turk. Sipas studimit të bërë nga Roald A.Hysa, “Shqiptarët nën sundimin osman”, gjejmë se, një nga kontaktet më të hershme është ekzistenca e xhamisë së Mlikut, e cila, sipas një dokumenti të ardhur nga Halepi i Sirisë, daton rreth viteve 1205 e deri më 1291. Pra, rreth një shekull më parë se të ndodhte, në mos dhe më tepër, beteja e Fushë-Kosovës dhe të shfaqeshin turqit. Profesor Petrika Thëngjilli mes hulumtimeve nëpër dokumentet e arkivit të shtetit dhe nga burime të tjera ka shkruar historinë e rrugëve të përhapjes së fesë islame në Shqipëri. Referuar këtij shkrimi, në prag të sundimit osman 1506 në Shqipëri kishte tre rajone fetare. Rajoni katolik, i vendosur kryesisht në Shqipërinë e veriut, Kosovë dhe në Rrafshin e Dukagjinit. Rajoni i krishterë, që përfshinte kryesisht Shqipërinë e jugut e disa krahina në veri që lidheshin me Patriarkanën e Pejës dhe ai mysliman, që përfshinte qytetet e krahinat përreth tyre. Sipas profesor Thëngjillit, dy ishin rrugët kryesore të përhapjes së fesë islame: vullnetarizmi dhe dhuna.

Vullnetarizmi

Dy janë kategoritë e personave, që në mënyrë vullnetare pranuan fenë islame. Të parët ishin ata shqiptarë që besonin me bindje në ligjin e shenjtë të Kur’anit dhe përqafonin parimet e fesë islame. Në sherijet e qyteteve shqiptare, që ruhen në arkivin e shtetit nuk ka kërkesa individuale apo kolektive deri në fund të shekullit XVII, deri atëherë kur kish mbaruar dhe vala e parë e islamizimit. Dokumenti i parë që shënohet në një kërkesë është i vitit 1687, ku shkruhet: I krishteri Nikolla pranon fenë islame dhe ka nderin të marrë emrin Sinan. Sipas studimit të bërë nga profesor Petrika Thëngjilli, një shekull më vonë numri i kërkesave për t’u bërë mysliman u rrit, por jo në mënyrë kaq të dukshme sa të justifikonte kthimin masiv të popullsisë në myslimanë. Duke iu referuar shkrimit të profesorit mësojmë se, nga burimet e mbledhura prej tij, shumica e popullsisë që përqafonte fenë islame i përkiste fshatrave ose çobanëve dhe pas kthimit të kryefamiljarit, myslimane ishte dhe gjithë familja e tij. Në grupin e dytë të vullnetarëve bëjnë pjesë ata që kërkonin të përmirësonin gjendjen sociale e shoqërore. Myslimanëve u hapeshin dyert e karrierës ushtarake, u jepej mundësia të zotëronin timare, ziamete e sase; të grumbullonin sipërfaqe të mëdha toke sa të krijonin çifligje. Atyre që përqafonin fenë islame u jepeshin dhurata, si veshje ose të holla. Në shekullin XVII-XVIII praktikohej gjerësisht stimuli material. Në vitin 1685 personave që përqafonin besimin islam u jepeshin 5080 akçe në formën e dhuratës, kur një shtëpi shitej deri në 4000 akçe.

Përjashtimi nga taksat

Kjo njihet si një mënyrë tjetër që është përdorur për islamizimin e popullit shqiptar. Në vitin 1744 në Arkipeshkvinë e Tivarit ndeshet praktika e dy besimeve fetare, katolike e myslimane, dukuri, e cila kishte shqetësuar kishën. Banorët e fshatit Livar në famullinë e Brishit e të Shestanit, njerëz shumë të varfër, mbas lutjes së arkipeshkvit te pashai i Shkodrës, iu falën detyrimet shtetërore.

Kriptokristianizimi

I zoti i shtëpisë dhe të rriturit që kishin mbushur moshën madhore deklaronin se, kishin përqafuar fenë islame. Ata merrnin një emër mysliman në lidhje me botën e jashtme. Për këtë veprim ata përfitonin të gjitha privilegjet e myslimanëve. Anëtarët e familjes vazhdonin të qëndronin të krishterë dhe të kryenin fshehurazi shërbesat, ndryshe mund të quhet myslimanizëm fiktiv. Nëse prindërit e përqafuan fenë për të marrë të mira materiale, fëmijët, duke shkuar në xhami dhe duke dëgjuar predikimet, dalëngadalë u bënë mysliman me bindje. Një nga krahinat e tilla është ajo e Shpatit, e cila, edhe pse krahinë malore, e përqafoi e para fenë islame. Një formë tjetër e myslimanizmit njihet edhe kthimi i robërve të luftës.

Martesat

Myslimanët marrin gra të krishtera, por nuk japin vajza tek to. Ky zakon ruhet edhe sot e kësaj dite në familjet që kanë besimin mysliman. Fëmija që është fryt i një martese të tillë është padyshim mysliman. Në vitet e pushtimit osman kjo është një nga format e islamizimit. Martesat atëherë kishin forma të tjera, në mes të cilave mund të përmendim formën natyrale të pëlqimit, blerjen me para të nuses së krishterë, rrëmbimin...Por, këto martesa ndikuan edhe në tolerancën fetare. Në fshatin Mazhë të Laçit kishte 10 myslimanë që ndihmonin kishën, pasi kishin gra të krishtera. Më 1673, në Punë, një mysliman i biri i një fisniku të krishterë i dha F.Bardhit 3000 akçe për ndërtimin e një kishe. Ndërkaq, mund të veçohet edhe kthimi i shërbëtoreve nga të krishtera në myslimane. Në vitin 1745 në lagjen “Tophana” të Shkodrës 48 burra e gra nga Barbullushi shërbenin te myslimanët, kurse në vitin 1777 ky numër shkoi në 89. Duke qëndruar në këto mjedise ata përqafonin fenë islame. Këto ishin rrugët e islamizimit të popullsisë shqiptare një pjesë e të cilave vishet edhe me kundrafakte.

Vete Dushani ka patur permasa te vogla shenjeterie. Stephen Urosh IV, i mbiquajtur Dushan i dha vajzen Theodora, per grua te trete Sulltan Orkhan Ihtyiar ud-din…(1320-1362) te Turqise


Dhespoti serb Gjergj Brankovic i dha per nuse sulltan Muratit bijen e tij nga e cila u lind nje djale i cili me vone mori emrin Sulltan Mehmeti i II.Eshte kjo nje tjeter faktor qe shume krishtere jane bere muslimane ruajtja e pushtetit ose martesa me muslimanet ne ate kohe per poste.





Fillimet e para

Në gjysmën e parë të shek. XVI, Arbëria vazhdoi ta ruante fizionominë e saj të krishterë, procesi i islamizimit eci shumë ngadalë. Në sanxhaqet shqiptare shtëpitë e krishtera përbënin 98.3%, kurse ato myslimane 1.7%. Ndërsa në gjysmën e dytë të shek. XVI kemi nga 84 qytetet kryesore ballkanike, në 60 qytetet më të mëdha mbizotëronin ende të krishterët, ku ritme më të shpejta kanë qytetet shqiptare. Konfliktet mes kishës Konflikti ndërmjet kishave greke dhe latine, pasqyrohet shumë qartë në një letër të poetit të shquar italian Petrarkës drejtuar Papës Urban: “Osmanllinjtë janë thjesht armiq, por grekët skizmatikë janë më keq se sa armiqtë”. Ndërkohë që muret e Kostandinopojës binin në duart e turqve osmanë vetë krishterimi latin përjetoi një krizë të fuqishme, kur tre papë njëkohësisht pretendonin fronin e Shën Pjetrit, i cili u spostua nga Roma për në Avinjon.

konvertimi
1701 Andrea, i biri i Gjikës Malinat Ali
1701 Çobani Jano Ujanik Ali
1701 Andrea Tepelena Ibrahim
1702 Vasil Kazanxhiu Gjyn Gjormez Ahmet
1703 Sava, e bija e Mehmetit Mbreshtan Hanko
1703 Kosta Vrijon Mustafa
1705 Riste Vrijon Hasan
1737 Spase Lagjja Kala Zejnel
1737 Nikoja Korçë Mehmet
1738 Koçi, i biri i Rexhepit Zhavarë Hurshit
1755-6 Gjelo e bija e Nikos Qar Hanko

Ndryshe “Më mirë çallma turke, sesa tiara papale”

Në shkrimin e Roald A.Hysës gjejmë një këndvështrim tjetër të islamizimit të popullsisë shqiptare. “Hapat e parë drejt islamizimit masiv të shqiptarëve nuk janë bërë prej pushtetit osman, siç mund të paraqitet rëndom nga historianët. Ato janë bërë prej tarikateve të ndryshme, siç mund të përmendim bektashinjtë me Sari Salltëkun në Krujë, në Tetovë Kalkandelët dhe në Janinë teqeja e Sheh Hashimit, të cilët janë vendosur në territoret shqiptare para hyrjes së osmanëve”, shkruhet nga Hysa. Ne kemi shkëputur një pjesë nga studimi i tij, që ka të bëjë me këtë çështje. Ndryshe Vetë osmanët nuk kishin treguar ndonjë interes të veçantë ndaj prozelitizmit të popullsive të krishtera, si dhe përjashtimi i konvertimeve me dhunë nga pikëpamja shtetërore i dha një kuptim të veçantë parullës së ortodoksëve bizantinë: “Më mirë çallma turke, sesa tiara papale”. Sipas të gjitha të dhënave, ndryshimi i strukturës konfesionale nuk ka qenë i shpejtë dhe ndryshime të ndjeshme janë bërë pas më se një shekulli që sundimi osman zuri vend në trojet shqiptare. Disa historianë, arsyet e konvertimit të shqiptarëve i shohin tek taksa e xhizjes, porse sipas regjistrave të xhizjes, në shek. XVI në Ballkan nuk kishte më tepër se 300 konvertime në vit. Një numër jodomethënës ky. Ndërkaq, po të ishte kaq e madhe në sasi taksa e xhizjes, osmanët nuk do të kishin asnjë interes për ta konvertuar popullsinë e krishterë, porse do të kishin tendencën për të ruajtur atë gjendje për të vjelë vazhdimisht xhizjen. Kështu, në gjysmën e parë të shek. XVI, Arbëria vazhdoi ta ruante fizionominë e saj të krishterë, procesi i islamizimit eci shumë ngadalë, gjë që tregon se qeveria osmane nuk ndoqi dhunën e drejtpërdrejtë për kthimin e të krishterëve në fenë islame dhe në sanxhaqet shqiptare shtëpitë e krishtera përbënin 98.3%, kurse ato myslimane 1.7%. Ndërsa në gjysmën e dytë të shek. XVI kemi nga 84 qytetet kryesore ballkanike, në 60 qytetet më të mëdha mbizotëronin ende të krishterët, ku ritme më të shpejta kanë qytetet shqiptare. Ndërkaq, feudalë të mëdhenj nuk u detyruan nga osmanët që të kthenin fenë për të ruajtur zotërimet, porse u përshtatën me sistemin e ri të timareve dhe kështu në regjistrat osmanë do të gjesh deri në dy breza të tjerë timariotë të krishterë. Një nga tezat e ngritura prej disa studiuesve është ajo e kthimit me dhunë nëpërmjet sistemit të devshirmesë, ose e thënë më mirë të marrjes së të krishterëve dhe futja e tyre në repartet e jeniçerëve. Megjithatë, le të shohim se çfarë thonë shifrat, ndërkohë që, rekrutimi bëhej një herë në tre vjet ose në shtatë vjet dhe merreshin 1.000-3.000 djelmosha në të gjithë Ballkanin, ku kishte më tepër të krishterë. Me lejimin nga ana e Sulltan Muratit III në vitin 1582 të shtetasve osmanë të inkuadroheshin në oxhakun e jeniçerëve, pushon së ekzistuari sistemi i devshirmesë. Sipas të gjitha të dhënave historike, mesatarja e kësaj takse në vit shkonte 1.000 djem dhe nga fillimi i zbatimit të këtij sistemi në shek. XV e deri në fund të shek. XVI, numri i djemve të krishterë të rekrutuar është ndërmjet 200.000-300.000 vetëve. Pra, siç mund të shihet, edhe kjo tezë e humbet vlerën e vet nga pikëpamja kohore, e sipërfaqes së madhe gjeografike ku kryhej rekrutimi dhe nga pikëpamja numerike, që nuk përbën ndonjë rritje të ndjeshme. Të rekrutuarit e devshirmesë për disa vjet me radhë nën kujdesin e mësuesve më të mirë, merrnin një edukim jashtëzakonisht të zgjedhur, që përfshinte të gjitha disiplinat: sportive, ushtarake, intelektuale dhe artistike. Kjo gjë bëhej me qëllim që ata të përgatiteshin për t’u bërë të përsosur në të gjitha drejtimet, por duke zhvilluar njëkohësisht dhuntitë e veçanta të çdonjërit. Në të njëjtën kohë, ata formoheshin për të marrë përsipër të tëra detyrat shtetërore dhe për t’i kryer ato me frymën e nënshtrimit të plotë dhe të besnikërisë së patundur ndaj sulltanit. Në të vërtetë ata e ndërronin fenë, porse nuk humbnin, përkundrazi përfitonin nga ky sistem dhe i mirëprisnin të dërguarit osmanë që merreshin me rekrutimin e tyre. Ndërkaq, popullsia e krishterë, veçanërisht ajo katolike, gjendej pa drejtuesit e saj, ose edhe ato priftërinj që ishin, ishin injorantë, siç vërehet edhe nga studiues të huaj. Nga ana tjetër, serbët, nëpërmjet kishës svetisaviane i serbizonin të krishterët katolikë me dhunë duke ua ndërruar deri edhe emrat dhe po ashtu vepronin edhe ortodoksët grekë, që për nga pikëpamja e miletit nuk përbënin ndonjë ndryshim të madh për sundimin osman, sepse i nënshtroheshin patriarkanës. Duke u gjendur para presioneve të tilla ku “...deri në katër mijë frymë të krishtera me një prift të vetëm keqbërës, konkubinar dhe që jep shembull të keq”, nuk është për t’u habitur se si zona të tëra pak nga pak filluan të islamizohen. Pra, arsyet janë komplekse dhe nuk mund të jenë thjesht ato që janë paraqitur si presion i padurueshëm i të ashtuquajturit pushtim osman. Megjithatë, një fakt domethënës është se në vendet e tjera të Ballkanit si grekët, serbët, malazezët dhe rumunët, megjithëse janë fqinjët tanë dhe kanë qenë nën sundimin osman gjithashtu, nuk shihet të ketë pasur konvertime në ndonjë numër të ndjeshëm. Ndërkaq, zona të tëra në jug dhe në veri të trojeve shqiptare e kanë ruajtur identitetin e tyre të krishterë, katolik apo ortodoks. Debatit të islamizimit mund t’i sillnim edhe argumente të tjera, porse këto janë ato më kryesoret dhe më të debatueshmet dhe fundja kaq na lejon kjo sprovë.(Rezarta Delisula)

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...