Lidhshmëria gjeografike e trojeve shqiptare me Evropën, por edhe kontaktet e tyre të përhershme tregtare, ushtarake, pastaj luftërat dhe migrimet e ndryshme nga këto troje dhe në këto troje, rezultuan që ndjenja e "superioritetit" judeo-kristian të depërtojë edhe në trojet tona shqiptare. Kjo ndjenjë sidomos u forcua nga ndikimet greko-romake, të cilat çdo popull tjetër dhe çdo kulturë tjetër jashtë tyre e quanin barbare. Paraqitjet e Islamit në skenën historike me Muhammedin a.s. dhe forcimi i Kishës në shekullin VIII e pas, bëri që tërë mllefin që mbretëritë e shumta në Evropë e kishin kundruall Islamit, ta përcjellin edhe te një pjesë e popullit parashqiptar e shqiptar. Ky mllef u rrit deri në tërbim atëherë kur aristokracia frankovite bëri fushatë të rreptë, gjoja për t’i shpëtuar vendet e shenjta, dhe bëri propagandë frontale për mobilizim të Evropës në emër të Kryqit, rrjedhim të së cilës kemi luftërat kryqtare që zgjatën gati dy shekuj. Për mobilizim sa më efikas, Papati dhe Qesari, normalisht, përdorën të gjitha mjetet që Islamin ta paraqesin si rrezikun më të madh për ekzistencën e tyre biologjike dhe shpirtërore. Në këtë fushatë u angazhuan të gjithë: përkthyesit, filozofët, shkencëtarët, ushtarakët e të tjerë. Ndonëse për pjesëmarrjen e shqiptarëve në ato ngjarje, gjë që është e natyrshme për atë kohë, ende s’kemi të dhëna të mjaftueshme, megjithatë këta nuk i shpëtuan kësaj fushate, kështu që është më se e sigurt se "pjesëmarrja e shqiptarëve në kryqëzata mund të lidhet më tepër me Kryqëzatën e Katërt kur kjo kryqëzatë kishte kaluar gjatë viteve 1202-1203 nëpër viset shqiptare" K. A. Çerkezi këtë kohë e përshkruan si vijon: "Të gjithë popujt ishin ngritur në këmbë. Predikuesit vinin prej vendi në vend për njerëzit dhe ftonin të pasur dhe të varfër, fisnikë dhe fshatarë, që të ndihmonin për të liruar Vendet e Shenjta; qytete dhe fshatra të tëra mbetën të shkreta, duke u bashkuar njerëzia në kryqëzatat. Shumica shitnin çdo gjë që kishin që të vinin si kryqtarë."
Këtë gjendje të nderë mund ta vërejmë edhe në epet e Perëndimit, në veprat filozofike, teologjike e letrare, ku muslimanët paraqiten si të pafe e idhujtarë. Mirëpo, në "Digenisa Akriti" dhe në këngët epike serbe, sikur edhe ndër bullgarët, sipas R. Bozhoviqit, muslimanët nuk paraqiten si në Perëndim. R. Bozhoviqi mendon se kjo gjendje është rezultat i bindjes se në Bizant është besuar se Islami është vetëm njëfarë sekte kristiane, e mbase kjo është edhe arsye për tolerancë.
Ndër faktorët tjerë që krijuan paragjykime tmerruese ndaj Islamit dhe muslimanëve te shqiptarët dhe përgjithësisht, bën pjesë edhe depërtimi i osmanlinjve në Ballkan e gjetiu. Evropa, aq sa e qetësuar, këtë e pa si rast të mirë që të organizohet, ndaj priftëria dhe aristokracia në të gjitha shtetet evropiane zhvilloi një fushatë të ashpër për ta sensibilizuar ndjenjën evropiane për t’u mbrojtur nga rreziku më i madh, nga Islami nëpërmjet osmanlinjve. Kjo, ndër të tjera, rezultoi edhe me luftën e përbashkët evrokristiane kundër muslimanëve, të zhvilluar në Kosovë më 1389, e të njohur si Beteja e Kosovës, në të cilën pësoi humbje koalicioni kristian. Nga ana e tyre, Islami iu paraqit popujve evropianë si fe rrënuese që shkatërron e djeg para vetes çdo gjë, dhe ua ndërron fenë. Për ilustrim do t’i theksojmë vetëm disa autorë nga kohë të ndryshme, për të parë paragjykimet ndaj Islamit, por edhe falsifikimet, shtrembërimet dhe blasfemitë e tyre.
Shkurtimisht do të preokupohemi me Pjetër Bogdanin, i cili, sipas E. Sedaj, "zë një vend qendror në gjithë letërsinë e vjetër shqiptare, sidomos si prozator më i madh i saj, por njëherit edhe si poet, filozof, shkencëtar i mirëfilltë, relator frytdhënës, teolog, etnograf etj". Pasi që sumarrisht mësuam se kush është Pjetër Bogdani, tash do të mësojmë se me çfarë "shkencërie" e "mjeshtrie argumentuese" shërbehet ky doktor i dyfishtë: i teologjisë dhe i filozofisë. Po fillojmë me pohimin e vetë P. Bogdanit, i cili për veprën e vet thotë: "Ky libër im i varfër, i hartuar në vendin ku vërehet pafeja orientale (infedelta orientale)...", kështu që për Kosovën pohon se në të vërehet "pafeja orientale", duke shprehur paragjykime. Më tej ai thotë: "Andaj turqit dhe hebrenjtë, duke ndjekur gjurmët e Ismaelit e të Ezaut, nuk i zunë besë Jezu Krishtit, të vërtetit Mesi, por ndoqën idhujt: Muhametin, Surullahin e Talmudiun. Duhet ditur se këta krerë të të gjitha të këqijave, Muhameti, Surullahi e Talmudi, po sikur që shtinë themel një ligji të lirë, pa udhë e pa arsye, plot me fëlliqësi, ashtu edhe i kanë marrë prapa njerëzit e paudhë e pa ndonjë nder në vete, që janë arabët, tatarët e turqit, që janë dhënë pas lakmive të kësaj jete, fëlliqësive e shtazarive, e pasi ishte Muhameti bari i deveve e i pelave duke u ngjitur me gjithë to. Nuk është pra çudi që njerëzve të kësaj dore të mos u pëlqejë feja e vërtetë e Krishtit, as pastërtia e madhe e saj." Çdo koment është i tepërt kur fëlliqësi e gënjeshtra të tilla shprehen nga një prijës fetar, por edhe nga propaganduesit e tij; sigurisht se edhe ata karakterizohen me kësilloj shkenca e argumente. Por, duhet vërejtur një gjë që në fillim: P. Bogdanit i pengon Islami dhe muslimanët dhe ata i quan "infedelta orientale", por për çudi, atij nuk i pengon Serbia, që dy shekujt e fundit (XII-XIV) kishte pushtuar mbi gjysmën e tokave shqiptare, dhe nga Vatikani ishte emëruar "argjipeshkov i Shkupit dhe administrator i gjithë mbretërisë së Serbisë" (archepiscopo Scoporom ac totivs regni Serviae administratore), ndonëse atëbotë nuk ekzistonte mbretëria serbe, por ekzistonte Shteti Osman me ndarje të re territoriale organizative. Kjo dëshmon se tutorët e tij dhe ai, ende e njihnin mbretërinë serbe të para tre shekujve si legjitime në tokat shqiptare. Ky pushtim dyshekullor nuk i pengon as sot e gjithë ditën as Lush Gjergjit, kur pohon se "ne me ortodoksët jemi të një feje, por të dy kishave motra", dhe nuk ka asnjë koment rreth paraqitjes dhe veprimit militant të kësaj kishe motër si në shekujt XII-XIV, as në shekullin XX, por tërë energjinë e angazhon në denigrimin e Islamit dhe muslimanëve në trojet tona e më gjerë.
Se paragjykimeve nuk u kanë shpëtuar as veprat më të specializuara të gjuhësisë, kemi shembullin vijues. Sipas P. Bogdanit, "ungji i tij Andrea Bogdani, pat shkruar një gramatikë latinisht - shqip, por kjo i humbi Pjetrit gjatë luftërave austro-turke, kur po arratisej nga vendi në vend, i ndjekur prej pushtuesve anadollakë". Po ashtu, "Ksilanderi huazimet e shumta të saj i shpjegon me marrëdhëniet historike që ka pasur populli shqiptar me shumë popuj të tjerë që nga lashtësia gjer te pushtuesit turq." Ndonëse Jup Kastrati është gjuhëtar i spikatur, megjithatë bie nën ndikimin e evrocentrizmit e katolikocentrizmit, duke përdorur terma jopërkatës për gjuhësinë, si psh. pushtues, anadollakë e të tjera. Nga ana tjetër, nëse ato tashmë i përdorë, atëherë ato nuk u takojnë vetëm turqve, por edhe austriakëve e të gjithë të huajve, në të kundërtën, te lexuesi do të krijojmë bindjen se vetëm gjërat që kanë ngjyrë islame janë të huaja.
As letërsia e mirëfilltë nuk u kursye nga paragjykimet më të vrazhda. Shembull do ta marrim Ismail Kadarenë, i cili, nga vilat luksoze franceze na qorton, sugjeron e mëson. Një nga mësimet e tij është pohimi kur thotë: "Unë jam nga një vend që e ka humbur Evropën dy herë. Herën e parë në shekullin XV kur ra nën pushtimin otoman, bashkë me krejt Ballkanin. Herën e dytë më 1944, kur ra nën diktaturën komuniste." Edhe pse mendimi i tij s’ka mbështetje shkencore e logjike kur është fjala për "pushtimin otoman", sepse Turqia nuk e gjeti të lirë Shqipërinë por të okupuar, të copëtuar në fise e rajone, në grindje e asimilim latin, grek e sllav, megjithatë ka të drejtë në mendim personal, por jo në cilësinë e babait të kombit. Po ashtu, habit mllefi i tij kundrejt diktaturës komuniste, të cilës me vullnet i ka shërbyer deri në fundin e saj; nga ajo u rrit, u shkollua, bëri emër, derisa kolegët e tij si Trebeshina e të tjerë, dergjeshin nëpër burgjet famëkeqe enveriste.
I. Kadare, nga vilat franceze, në stilin e "bosëve", na dha edhe një qortim: "Këshilla e mbrapshtë që i është dhënë Shqipërisë për të hyrë në Lidhjen Islamike(...) nuk është veçse shprehje e këtij mendimi. Madje, do të thosha, një veprim i drejtpërdrejtë për ta shtyrë Shqipërinë përsëri drejt Azisë." Derisa gjithë bota bën aleanca nga më të ndryshmet (politike, ushtarake, ekonomike, kulturore), Kadare ua mohon shqiptarëve të drejtën natyrore për t’u anëtarësuar në këtë organizatë politike-ekonomike-kulturore. Në vend që në këtë të shohë përparësinë e Shqipërisë, si ndërmjetëse midis Lindjes dhe Perëndimit, si lidhëse të fijeve të harruara kaherë, ai në këtë sheh katastrofë për shqiptarët dhe i privon ata nga të mirat kulturore-civilizuese. Nuk është e tepërt të bëhet një digresion ndërmjet mendimit të tij dhe veprimit të Jugosllavisë, e cila bën ç’mos që, së paku, të jetë vëzhguese apo mysafire e Konferencës Islamike.
Ndërsa A. Pushka në një shkrim të vetin thotë se: "Feja te shqiptarët nuk është gjithnjë në funksion të kombit. Ajo nuk e përcjell historinë kombëtare, vetëdijen kombëtare, gjuhën e letërsinë... siç ndodh te serbët, maqedonasit, grekët..." Dr. A. Pushka fenë e mendon jo si një vlerë hyjnore, vlerë konstante, metahistorike, transcendentale, që manifestohet në histori, por si leckë, paçavër, e cila duhet t’ia fshijë këpucët çdo kalimtari (regjimi). Po të ishte ashtu, Islami nuk do të ishte fe monoteiste, fe mbinacionale, fe që kombin e përdor si vlerë për mirëqenien njerëzore, e jo të bëhet lodër fëmijësh. Më në fund, populli shqiptar Islamin si të tillë edhe e ka pranuar, përndryshe, do t’i ruante ato që deri atëherë i ka poseduar (Kristianizmin, paganizmin etj.).
Shembullin vijues të paragjykimeve e kemi rreth Sami Frashërit. Problemi konsiston në atë se ky shkencëtar i kalibrit botëror ndër ne është studiuar shumë pak. Mos llogarit disa shkrime cilësore të H. Kaleshit, F. Mehdiut, M. Polisit, G. Shpuzës e ndonjë tjetër, prezentimi i veprës së Samiut në gjuhën shqipe dhe interpretimi i ideve të tij ndër ne është i mangët dhe i shtrembëruar qëllimisht. Kur para vetes kemi një vepër monografike, nënkuptohet se para vetes kemi të sintetizuara të arriturat e tërësishme të autorit dhe për autorin për një temë të caktuar etj. Mirëpo, nëse e lexojmë monografinë e shkruar nga Zija Xholi, do të vërejmë një interpretim skandaloz, joshkencor e ideologjik primitiv. Ja disa shembuj.
S. Frashëri në studimin "Gratë" shkruan: "Në botë shkaku kryesor i të gjitha të këqijave dhe gabimeve është padituria." Pak më poshtë Zija Xholi e vë në lajthim lexuesin se gjoja "Samiu pohon se feja dhe dituria nuk mund të pajtohen, se atje ku ka fe nuk ka dituri, prandaj për të mësuar duhet t’i drejtohemi jo fesë, por të vuarit." Z. Xholi edhe më pastaj thotë se gjoja Samiu është kundër fesë dhe pohon decidivisht: "Është e kuptueshme se qëndrimi i Samiut ndaj fesë historikisht është i justifikuar dhe objektivisht përparimtar". Kurse në një vend tjetër shkon aq larg sa thotë se: "Është interesant të theksohet se në gjithë studimin e tij për kulturën arabe, Samiu nuk e zë në gojë fare Islamin dhe Kur’anin, provë tjetër që flet për drejtimin e mendimit të Samiut, një drejtim iluminist dhe antiklerikal."
Studiuesi tjetër i Samiut, Esat Reso, shkon një hap më larg dhe konstaton: "Në qendër të vëmendjes së tij ishin materialistët e Greqisë së Vjetër, iluministët e materialistët francezë, Darvini e të tjerë, njerëz të shquar të shkencës e të kaluarës botërore. Ai ishte përkrahës i përparimit, i kulturës dhe i diturisë." Të gjitha këto interpretime janë në kolizion me jetën dhe veprën e vetë Samiut, e këtë mund ta vërtetojmë nëse e lexojmë libërthin e tij "Përhapja e Islamit" në gjuhën shqipe, përkatësisht librin "Medenijeti islamije" (Qytetërimi islam) në osmanishte, por edhe shumë vepra të tjera të tij, ku Samiu flet me konsideratë për fetë tjera, kurse për Islamin thotë se është "e vetmja fe e drejtë edhe e pranueshme te All-llahu". Andaj, këto thërrmija që i thamë, na obligojnë si popull që vepra e Samiut sa më parë t’i prezentohet opinionit tonë dhe atij botëror, e mos të mbetemi në interpretime qëllimkëqija, ateiste të epokës enveriane.
Kohëve të fundit, duke iu falënderuar shtypit shqiptar, e në emër të demokracisë, me perfiditet po plasohen shkrimet tendencioze, madje përçarëse. Mbase, më të rreptë në këtë aspekt janë pikërisht prijësit fetarë katolikë, të cilët janë mysafirë të shpeshtë të shtypit tonë. Psh. Shan Zefi pohon se: "Periudha më shkatërrimtare për Krishterimin mbetet Perandoria Turke, që zbatoi në popullin shqiptar shumë metoda çnjerëzore për zhdukjen e tërësishme të Krishterimit dhe përpjekjet e shumta që i aplikoi (ajo) në shthurjen e kombit shqiptar, kështu që lirisht mund të thuhet se pikërisht në këtë periudhë kemi një mori shenjtërish shqiptarë që dhanë jetën për FE e ATDHE." Më tej ai pohon: "Me invadimin e pushtimin (nënshtrimin) turk të tokave shqipare, që zgjati rreth një shekull, më në fund u hap dera e islamizimit. Perandoria Osmane edhe gjatë luftërave edhe pas tyre filloi sistematikisht të rrënojë pothuajse gjithçka. Kush ia doli të mbijetojë nga këto luftëra, ose e mori udhën e emigrimeve në Venedik, Sicili, në Mbretërinë e Napolit, Dalmaci, ose u ngjit bjeshkëve e maleve të thepisura. Kush nuk iu nënshtrua politikës së pushtuesit që synonte çrrënjosjen e Krishterimit, nuk i mbetej alternativë tjetër përveç të kalojë në Islam ose edhe në ortodoksi." Shan Zefi thekson edhe gjëra të tjera, fare të paargumentuara, por, duhet pranuar botërisht, këto mendime janë dominante në shtypin dhe shkencën (sic!) tonë aktuale.
Të lexojmë e përsiasim edhe mendimet e prijësit tjetër të Bashkësisë Katolike në Kosovë, Lush Gjergjit, i cili në shtypin ditor e revial është i rregullt me intervista gjithherë tendencioze. Ai pohon: "Neve na ndodhi fati i keq që patëm shumë ndikime nga jashtë, pra nga të huajt. Pikërisht sundimi pesëshekullor otoman kishte për qëllim asgjësimin dhe zhdukjen e popullit shqiptar si popull ... Por, mendonin se nëpërmjet elementit të islamizimit të popullit shqiptar, do të mund të asgjësojnë së pari elementin kombëtar e pastaj Krishterimin... Por shqiptarët nuk dështuan. U munduan ta ruajnë identitetin e tyre kombëtar dhe fetar... Islamizimi erdhi kryesisht nga pushtuesit... me dhunë, me ligje, me kufizime, ... por edhe për atë se pushtuesi kishte interesat e tij në këto toka. Kemi qenë pesë shekuj nën sundimin turk dhe gjatë këtyre përndjekjeve dhe sundimeve ka patur kufizime, martirizime, vuajtje, përndjekje, gjakderdhje tek i gjithë populli shqiptar. Por, është fat që edhe te pjesa e islamizuar kurrë nuk është humbur vetëdija se jemi nën të huajin, se jemi të robëruar. ... E rëndësishme është vetëdija se dikur të gjithë kemi qenë të krishterë. Këtë fakt e pranojnë të gjithë shqiptarët, pa marrë parasysh a besojnë apo nuk besojnë fare, a janë muslimanë apo të krishterë, a janë ortodoksë apo katolikë...".
Kohëve të fundit, si në shtypin ditor e revial ashtu edhe në atë shkencor, gjithnjë e më të zëshëm janë disa autorë shqiptarë të proveniencës katolike dhe disa të tjerë prokatolikë me tezën se emrat shqiptar, Shqipëri janë imponim i dhunës muslimane. Më autoritativ ndër ta është Engjëll Sedaj, i cili madje kësaj teme i kushtoi një libër të veçantë monografik, në botim të Institutit Albanologjik. E. Sedaj për të ardhur në përfundimet e tij sjell mendime të disa autorëve. Për shembull, ai cek Eqrem Çabejn, i cili në studimin e vet "Për gjenezën e literaturës shqiptare" (1939) ishte shprehur se "emri i ri shqiptar, Shqipëri, duhet të jetë imponuar në kohë të re". Vetë E. Çabej, më vonë, mendimin e tij kualitativisht e ndryshon duke u shprehur se "zhdukja e zëvendësimi" i emrit arbën me shqiptar, ka të bëjë "me zbërthimet etnike që u kryen me ardhjen e osmanëve". Ai pastaj cek edhe Rexhep Ismajlin, i cili ndërrimin prej arbër në shqiptar e konsideron si pasojë "të ndryshimeve më të thella sociale, politike e konfesionale", dhe përkundër faktit se emërtimin shqiptar e sheh të "imponuar", megjithatë mendon se ky imponim është i "natyrshëm në kohën e krijimit të kombit". Kurse Sh. Demiraj, dukurinë e ndërrimit të emrit arbër me shqiptar e merr si dukuri normale. Më pastaj, E. Sedaj zë në gojë edhe A. Budën, i cili ndërrimin e emërtimit të popullit e sheh si një "ndeshje ballore e gjatë dhe masive popullore" në një "periudhë lufte që vërejmë të kalojë në radhë të dytë emërtimi i lashtë etnik arbën dhe të zëvendësohet me një emër tjetër - shqiptar". Në mbështetje të mendimeve të vjelura me kujdes, e që shkojnë në favor të tij, E. Sedaj imponon tezën se emri shqiptar - Shqipëri është rezultat i dhunës së aplikuar nga osmanlinjtë muslimanë, dhe këtë e lidh me atë se "vetëdija e imponuar e pushtetmbajtësve shekullorë ishte se, emërtimi arbënesh është i vlefshëm për të krishterët ..." Mirëpo, E. Sedaj e heshtë faktin se sikur ky ndërrim emrash të ishte rezultat i dhunës e jo zbërthim cilësor brendapërbrenda shqiptarëve, atëherë vetë osmanlinjtë do t’i quanin shqiptarët e Shqipërinë me shqiptarë e Shqipëri, e jo siç i quanin atëherë dhe sot arnaut e Arnautllëk. Kësaj teze të ngritur në këtë kohë të krizës së identitetit shpirtëror e kombëtar, iu kundërvu me të drejtë Muhamet Pirraku, duke e hedhur si të pabazë e jovalide.
Në vend të një përgjigjeje të hollësishme, që s’është as qëllimi i këtij shkrimi, lidhur me pohimet e Shan Zefit, Lush Gjergjit e Engjëll Sedaj, do të theksojmë se simptomatike është se si shkencëtarëve të nderuar nuk u shkoi për dore/goje, t’i thonë disa fjalë edhe për serbët, bullgarët, grekët, venedikasit, italianët e të tjerë, apo, mbase, këta që i cekëm, sipas tyre, nuk konsiderohen të huaj sepse janë "vëllezër prej feje", kur kihet parasysh se "depërtimi i osmanlinjve në tokat shqiptare në fund të shekullit XIV dhe në fillim të shekullit XV, por edhe më vonë, u zhvillua në shenjë të çlirimit të popullsisë shqipfolëse nga robëria shekullore serbe, bullgare, greke, venedikase - italiane, anzhuine etj.", dhe nga asimilimet tragjike për popullin shqiptar nga ana e tyre.
Sërish do t’i kthehemi P. Bogdanit dhe "Çetës së profetëve" që t’i shohim paragjykimet tjera të tij. Ndonëse Islami flet afirmativisht për Jezusin, sikur edhe për shumë pejgamberë të tjerë, P. Bogdani i vë në lajthim kristianët duke thënë: "... por edhe përmes atyre që e kundërshtojnë Krishtin, siç është Muhammedi a.s." Për ta diskredituar Muhammedin a.s., ndër të tjera thotë: "Që të mos largohet nga rruga e të parëve të vet, Muhameti mori këso gjërash pagane e u urdhëroi të vetëve për ligj e për fe, kështu që me larje të lehtë të fajeve të hiqet çdo pengesë për t’i lënë të rrëzohen në fëlliqërinë e mëkateve, e kështu me pastrimin e trupit të zgjerohet perandoria e tij, duke ndjekur prapa shumica, ata njerëz të pa Tënëzot e të marrë, të gjithë të dhënë pas kurvërie e fajeve të tjera të mëdha." Për ta njollosur Shpalljen kur’anore dhe Pejgamberin e Islamit, ai pohon: "Të gjithë të pafetë aq bukur i qëndisin rrenat e tyre, saqë duhet drita e shenjtës fe për t’i njohur e për t’i dalluar nga e vërteta. E ky hipokrit i fortë, me ëndrrat e veta të jerme, haptazi rrena, diti me të madhe dhunë të atyre që punët i marrin mbrapshtë, të përziejë e të dënojë gjithë Lindjen, për të rrënuar në një gjë të paligjshme shumë të paudhë me përralla të tij të trilluara." Ndërsa, me qëllim që ta përgënjeshtrojë Monoteizmin islam/Tevhidin, P. Bogdani ofron shpjegimin e tij të trinisë, duke thënë: "Hyji nuk mund të jetë në asnjë mënyrë vetëm në një vetë, sepse vetmia që të bën përtac, të sillesh posi kafshë e pa të mirë, nuk mund të jetë në Tinëzonë, që është gjithsej përplot i mirë në vete. Kështu jemi të detyruar për të rrëfyer se Hyji për jetë të jetës është i shoqëruar që të mos bëhet përtac. E duke mos mundur të jetë për jetë të jetës jashtë Hyjit, duke qenë vetëm Hyji i amshueshëm, andaj kjo shoqëri nuk mund të jetë diçka tjetër se Hyji."
P. Bogdani, ndonëse jeton vonë, ai ka poseduar botëkuptime skllavopronare. Këtë e shohim nga një relacion, të dërguar nga Shkupi më 1683, ku ndërmjet tjerash shkruan: "Pas rënies së Tivarit nën sundimin e turqve, i nderuari Gjon Bruni - Ulqinaku, argjipeshkv i qytetit të pafat, nga turqit mizorisht qe therë në hu, sikur të ishte skllav." Me këtë ndodhi tragjike P. Bogdani dëshiroi ta njollosë Turqinë (hilafetin islam), por zbuloi karakterin e tij racist e skllavopronar, që ishte njëkohësisht dukuri e rëndomtë për Perëndimin kristian, madje edhe për vetë papatin. Sipas vetë fjalëve të tij, skllavi po u lejuaka të theret në hu etj., thënie kjo që nuk pajtohet me dashurinë kristiane aq të proklamuar, por fare pak të aplikuar në histori.
Sigurisht, i shtrënguar nga bashkëkohanikët se Pejgamberi musliman, Muhammedi a.s., flet gjëra të drejta e të vërteta, P. Bogdani në stilin e tij thotë si vijon: "... Muhameti në asnjë mënyrë nuk mund të jetë dhe s’duhet thënë profet, siç e mbajnë turqit. E ndoshta do të ketë kallëzuar ndonjë gjë dhe parashikuar si hamendje ndonjë të vërtetë: nuk duhet pra për t’u çuditur duke u gjetur se djalli herë flet të vërtetën për gojë të profetëve të vet rrenacakë, pasi shihet në: I Mbret.; 28...".
Paragjykimet dhe gënjeshtrat e tij nuk shtrihen vetëm kundrejt turqve si sinonim për muslimanët e Islamin, as kundrejt Muhammedit a.s. si pejgamber i All-llahut, as Kur’anit si Shpallje hyjnore, por edhe kundrejt tërësisë së mësimeve islame. Sa për ilustrim do t’i përmendim dy gjëra rreth shkencës, për të vërejtur synimet qëllimkëqija të P. Bogdanit që i ushqente ndaj Islamit. P. Bogdani pohon rrejshëm se muslimanët pohojnë: "Një përrallë të fortë apo ëndërr të keqe e tregojnë të pafetë dhe thonë se dielli rri me bujtun në një gurrë apo krua shumë të nxehtë me ujë. Për të vërtetë, s’mund të gjendet rrenë më e pahijshme se kjo, sepse dielli që rri në të kaltërtin qiell kurrë nuk ulet në tokë, e as nuk zbret, por gjithherë ndriçon rrethin e botës, kurse natën ndriçon atë pjesë të tokës që u thonë shtatë pëlqeret, sikundër gjithë toka e bota, para dhe pas lindjes së Muhammedit, gjithherë e ka ditur dhe kështu e ka mbajtur."
Po ashtu, P. Bogdani gënjen edhe këtë gjë ndaj Islamit. Ai thotë: "Tërmeti është një avull i trashë, i cili, duke dalur sikur gogësimë nga zemra e dheut e duke mos pasur mundësi për të depërtuar në faqen e dheut, nëpër pjesët e forta të tij, shtrëngohet në shpella të poshtme të tokës dhe e bën të dridhet. Nuk është e vërtetë përralla e të pafeut se mëzati e luan kryet."
Nuk duam të flasim e të citojmë mendime të tjera të P. Bogdanit. Lexuesi i painformuar edhe mund të besojë në këso trillimesh e falsifikimesh të Bogdanit, derisa nuk njoftohet me tekstet kur’anore dhe literaturën relevante për Islamin. Lexuesi mund t’u besojë edhe nga arsyeja se Bogdanin aq lartë e çmon shkenca shqiptare, e veçanërisht kritika letrare shqiptare, sa nuk mbetet tjetër pos të besojmë si na servohet.
Përkitazi me P. Bogdanin do ta shqyrtojmë vetëm edhe një çështje që ka të bëjë me injorimin e tij të emrit të shqiptarëve në trojet e Kosovës. Ai këtë territor nuk e quan Iliri, as Dardani, as Kosovë, as Shqipëri (që në shek. XVII emri shqiptar e Shqipëri ishte në përdorim intensiv), por "Mbretëri të Serbisë", kurse veten e quante "administrator i gjithë Mbretërisë së Serbisë". Po ashtu, ndonëse emri shqiptar në atë kohë njihej, ai veten e quan "Pjetër Bogdan Maqedonasi" (Petro Bogdano Macedone). Studiuesit dhe glorifikuesit e veprës së tij, në të ardhmen duhen të jenë më objektivë e korrektë, sepse me gjoja interesin kombëtar, nuk bën të njollosen fe të tëra e personalitete të tëra, me gënjeshtarë e falsifikues të tillë. Me fjalë të tjera, ata kanë lënduar rëndë të vërtetën me vlera të dyshimta, dhe me këtë kanë vënë në mashtrim lexuesit, e veçanërisht rininë shkollore. Me të drejtë Avdi Berisha e quan P. Bogdanin "falsifikator të shekullit".
Më lartë theksuam se shkenca e shkencëtarët shqiptarë nuk bën t’i idealizojnë e t’i hyjnizojnë vlerat e dyshimta, siç ka ndodhur ndër ne, por ato duhet hulumtuar objektivisht. Qëllimisht apo të lajthitur, disa autorë shqiptarë kanë hapëruar në këtë drejtim me nxitim dhe letërsinë shqiptare fetare të proveniencës katolike e kanë quajtur si "Letërsi e vjetër shqiptare". Pa e kontestuar periodizimin e letërsisë shqiptare, duam të hedhim dritë në një çështje, në këtë kontekst më parësore, e ajo është çështja e prapavisë së kësaj letërsie, përkatësisht e këtyre ndërmarrjeve. Shkrimi i De Radës do të sqarojë shumë gjëra duke thënë se: "Librat e parë, të botuar në gjuhën shqipe dhe të njohur prej nesh, u dukën në shekullin XVII, me shkronja letrare, si botimet e Propagandës, Fjalorit të Bardhit..." etj. Lidhur me këtë çështje, J. Kastrati thotë: "Thuajse të gjitha librat shqip të shekullit XVII e më vonë, janë shkruar për nevojat misionariste kristiane të Vatikanit. P.sh. Françesko Mario de Leçe në veprën e vet "Vërejtje gramatikore mbi gjuhën shqipe dhe mbi drejtshkrimin e saj" (1716), ndër të tjera thotë: "Arbënuer i dashun. Këtë gramatikë e shkrova, jo për zotnin tande, që e di ma fort e ma kthielltë se unë, veç për ata ... që vijnë prej së largu me iu shërbye." Se Vatikani këtë angazhim nuk e kishte për të na e ruajtur, zhvilluar e kultivuar gjuhën shqipe, por për qëllime të veta kishtare, flet edhe rasti i Ndre Mjedës, i cili, "megjithëse ishte student i fakultetit të teologjisë, u ngrit që në fillim të veprimtarisë së tij gjuhësore, kundër veprave të misionarëve të huaj italianë." Autorët e Historisë së letërsisë shqiptare lidhur me këtë theksojnë: "Duke parë se pozitat e Katolicizmit po tronditeshin fort në Evropë, me përhapjen e Protestantizmit dhe, në Ballkan, me përhapjen e Fesë islame, Vatikani lejoi që gjuha latine të zëvendësohet sadopak me gjuhët vendëse në librat e shërbesat kishtare." "Ngjashëm ishte edhe në viset ku ndikonte kultura bizantine." M. Pirraku për këtë letërsi pohon se ishte e "programuar dhe e angazhuar në rend të parë për nevoja të Papës dhe të "Propaganda Fideas", për ruajtjen e Fesë katolike në zonat e Ballkanit të banuara me albanofonë". Më tej ai thotë se "të lejohet botimi i librave "në gjuhë të ndryshme, ndikoi te Papati edhe paraqitja e frymës së Reformacionit, përkatësisht Pretestantizmit." Këtë mendim pak a shumë e shpreh edhe R. Ismajli i cili pohon se Vatikani u detyrua ta forcojë propagandën e vet me qëllim të neutralizimit e të pengimit të Islamit, i cili në këtë kohë ishte intensifikuar te shqiptarët, kurse struktura konfesionale ndryshonte me shpejtësi.
Nxitimi dhe joobjektiviteti i disa autorëve shqiptarë, konsiston në faktin se ata derisa për letërsinë e vjetër shqiptare flasin me pietet, letërsia shqiptare e proveniencës islame as për së afërmi nuk e gëzon po atë trajtim. M. Pirraku e ka vrojtuar me vend këtë çështje, andaj thotë se: "Krijimtaria letrare shqiptare e proveniencës islame... në historinë e letërsisë shqiptare nuk ka gëzuar gjykim të drejtë dhe adekuat me gjykimin që i është bërë letërsisë shqipe të proveniencës së krishterë." Ky paragjykim shihet qartë edhe në "Historinë e letërsisë shqiptare" (Maket), 1, fq. 15, ku thuhet: "Në tendencën e vet të përgjithshme, letërsia e bejtexhinjve ishte një trup i huaj në kulturën dhe në letërsinë shqiptare. Ajo qëndroi më shumë larg halleve dhe shqetësimeve të mëdha të popullit dhe pati lidhje të pakta me qëndresën kundër zgjedhës turke." "Po ky prodhim letrar, i shkruar me germa arabe, pati një anë shumë negative, duke qenë pjellë e presionit ideologjik të pushtuesit dhe duke u bërë shprehës e përçues i ideologjisë së tij."
Për t’i vënë gjërat në binarë, duhet bërë disa sqarime më elementare, dhe për këtë qëllim do të përdorim mendimin e M. Pirrakut, i cili thotë se kjo krijimtari "ishte veprimtari e ndaluar dhe e dënueshme, ishte kaçake, guerile dhe disidente në gjirin e kulturës osmane, përkatësisht turke", e prodhuar nga njerëzit e popullit dhe për këtë popull, kurse si rezultat i rrethanave historike, kulturore, shoqërore të asaj kohe. Nëse krijimtaria e proveniencës muslimane shqiptare është pjellë e pushtuesit të huaj, pjellë e kujt ishte kultivimi i letërsisë shqiptare të proveniencës së krishterë, e shkruar me alfabetin grek e latin? Është jonormale që këtë trashëgimi kulturore, gati të gjithë historianët e letërsisë shqiptare e shohin si veprimtari patriotike të autorëve me vlera të rëndësishme për kulturën shqiptare të filleve të Rilindjes dhe të Rilindjes, duke i pasur parasysh ndihmat morale dhe materiale nga Bota kristiane dhe interesimin e huaj në rend të parë, e në anën tjetër, trashëgiminë kulturore shqiptare të proveniencës islame ta diskreditojnë si të huaj, të dyshimtë, edhe pse pjesa më e madhe e saj paraqet frytin më të pastër të trojeve shqiptare, të lindur në këto troje dhe të rritur e zhvilluar në vuajtje të mëdha, duke pësuar sakrifica të mëdha, e ndjekur dhe e dënuar nga osmanlinjtë, kurse e blasfemuar dhe e anatemuar nga provenienca shqiptare kristiane. Nëse më herët një botëkuptim i tillë edhe ka mund të arsyetohet, viteve të fundit dhe tash e tutje botëkuptimet e tilla përfundimisht duhet të flaken, për ta zënë vendin meritor e vërteta.
Paragjykimet i kemi të pranishme edhe gjatë periudhës enveriste, si në Kosovë ashtu edhe Shqipëri e trojet tjera shqiptare. Disa nga to i vërejtëm me rastin e analizës së disa autorëve mbi Sami Frashërin, kurse rasti vijues ka të bëjë me ideologët e marksizmit, apo më saktësisht, me ideologët stalinistë në Shqipëri. Në sqarimin që ka dhënë redaksia e botimit të librit "Mbi fenë" të K. Marksit e F. Engelsit, në "Shënime" lexojmë: "Kur’ani - Libri i shenjtë e kryesor i Islamizmit, që përmban gjithfarë legjendash dhe mitesh, shtjellimin e besimit, rregulla morale si dhe rregulla fetare dhe norma juridike. Kleri musliman thotë se autor i gjithë këtij libri është Muhameti, gjë që hidhet poshtë nga shkenca e sotme, e cila ka provuar se pjesët e ndryshme të tij janë shkruar në kohë të ndryshme nga autorë të ndryshëm." Këtij shpjegimi redaktorial do t’i bëjmë një koment të shkurtër. Edhe më herët, si në Evropë ashtu edhe ndër ne, si psh. P. Bogdani, kanë pohuar se Kur’ani përmban legjenda e mite të ndryshme, rregulla juridike, morale e të ngjashme, kurse autorësia e Kur’anit i është atribuar Muhammedit a.s., me çka është dëshiruar që edhe Kur’ani, sikurse edhe Bibla, të shndërrohet në një vepër me elemente të përziera hyjnore e njerëzore, ekuivalente me Biblën. Këto kanë qenë pohime të jomuslimanëve dhe ndër ne nuk kanë zgjuar interesim të caktuar. Por, në këtë rast, autorët e këtij shënimi, pa kurrfarë përgjegjësie morale pohojnë se, gjoja, "kleri musliman thotë se autor i gjithë këtij libri është Muhameti", gjë që as armiqtë më të mëdhenj të Islamit këtë nuk e kanë pohuar. Mirëpo, këta autorë kanë shkuar edhe më tej, dhe tani pohojnë se këtë pohim të klerit musliman e ka "hedhur poshtë shkenca e sotme, e cila ka provuar se pjesët e ndryshme të tij janë shkruar në kohë të ndryshme nga autorë të ndryshëm." Njëmend, konstatimet e tilla janë të paprecedent në shkencën e mirëfilltë botërore, kurse shkenca në të cilën thirren këta pseudoshkencëtarë është e tipit të P. Bogdanit, sepse vetëm të tillët mund të preokupohen me trillime e gënjeshtra kaq të ulëta kundrejt një doktrine, filozofie apo një botëkuptimi çfarë është Islami.
Paragjykimet kundrejt Islamit janë aktuale edhe gjatë këtyre viteve të fundit. Janë zhvilluar disa polemika rreth shkrimit të F. S. Nolit për Muhammedin a.s., të shkruar kaherë e të aktualizuar së voni nga qarqet antiislame në Kosovë. Janë zhvilluar polemika edhe rreth disa deklaratave pa përgjegjësi e të paqëndrueshme të I. Kadaresë, B. Musliut etj., por, për shkak të hapësirës së kufizuar nuk dëshirojmë të zgjerohemi, sepse këto shkrime janë të ngjyrosura me frymë evrocentrizmi e katolikocentrizmi.
Mirëpo, disa fjalë do t’i themi rreth shkrimeve të dy klerikëve katolikë, Sh. Zefit dhe L. Gjergjit.
Shan Zefi i pyetur për "fundamentalizmin islamik" pohon se ai "nuk mund të ketë rrënjë në Kosovë, por, në anën tjetër, as që mund të mohohen disa simptome e tendenca antishqiptare, që janë gjithnjë në rritje në këtë drejtim e që frymëzohen nga rrymat e ndryshme panislamike." Shan Zefi këtë e sheh në rrugët tona ku të "bie në sy ose po hasim te një grup i vajzave, motrave e nënave tona shqiptare, që po instrumentalizohen në këtë drejtim". Ai më tej thotë: "Duhet të jemi të vetëdijshëm se sa më larg t’u mbetemi këtyre dukurive të tejkaluara, aq më afër do të jetë edhe integrimi ynë me familjen e madhe evropiane." Shan Zefi i ushqyer nga mësimet "e larta" bogdaniane, me urrejtje të thellë kryqtare e inkuizicionale, kurse duke shfrytëzuar euforinë popullore dhe papjekurinë intelektuale aktuale, "veshjen islame" e jo arabe e turke, disa shekuj të pranishme ndër ne, siç don ta paraqesë ai, e sheh si frymëzim nga rrymat e ndryshme panislamike, duke "harruar" se këto janë fundamente kur’anore e sunnetike. Në anën tjetër "panislamizmi" nuk është monstrum, as skilë e haribdë, as ndërmarrje "kryqtare" e "inkuizicionale", por ndërmarrje e muslimanëve të botës që të çlirohen nga sundimi i egër, shtypës e eksploatues kolonial, kristian, evroperëndimor. Është jomorale dhe tejet joshkencore nga një dinjitar fetar, që t’i quajë nënat e motrat tona, vajzat e gratë tona të instrumentalizuara pse na u veshkan me veshje islame, kurse lakuriqësia, hipizmi, homoseksualizmi, narkomania, sida e të tjera që po vërshojnë nga "familja e madhe evropiane", për shkak të fanatizmit të ushqyer, fatkeqësisht ende nuk i kanë ra në sy, e mbase as nuk do t’i bien edhe në të ardhmen.
Lush Gjergji, sikur edhe disa të tjerë, është i preokupuar se si ta përmirësojë gabimin e shqiptarëve para disa shekujve kur kaluan në Islam, e jo në Kristianizëm, dhe të atyre që e braktisën Kristianizmin dhe e përqafuan Islamin, prandaj propozon, përkatësisht, insiston këmbëngulësisht që të bëhet përcaktimi i ri. Ai fort mirë po vlerëson çastin politik dhe parullën e kuzhinës vatikanase, se po të ishim katolikë, Evropa do të na pranonte, ndaj sa ka kohë duhet të konvertohemi, apo si e thotë këtë me perfiditet L. Gjergji, të përcaktohemi rishtazi që "... të kontribuoj sa më tepër për popullin tim". Ai mendon se N. Frakulla, M. Çami, H. Tahsini, Sami, Naim e Abdyl Frashëri, deri më sot, nga pamençuria kanë mbetur muslimanë. Jo! Shqiptari musliman jeton në Evropë dhe s’ka nevojë të shkojë në Evropë. Disa nga shqiptarët kanë qenë "me kulturë dhe me traditë të lashtë të krishterë", por të ngopur nga të bërat e qesaro-papizmit, e duke parë shpëtimin e tyre në Fenë islame, e përqafuan atë, por të mësuar nga feja e re, ata jo që kanë pushuar t’i urrejnë të tjerët, por t’i duan e t’u ndihmojnë. Ata nuk duan të përqafojnë pavlerën që u ofrohet, por duan të jetojnë si lulet e ndryshme brenda një kopshti, secila duke e ruajtur llojin e vet, aromën, ngjyrën, bukurinë që ka, dhe të gjitha tok të paraqesin një bukuri joshëse për të tjerët.
Në stilin e Palit dhe të nxënësve të mëvonshëm, të cilët fenë e Jezusit e shndërruan në sinkretizëm kristiano-pagan, L. Gjergji propozon që të gjithë së bashku të krijojmë një lloj "evroislamizmi" me të cilin do "të dëshmohet se ne jemi për një Krishterim dhe Islam të përparuar...", duke harruar se derisa Kristianizmi ka humbur lidhjen e vetme, burimin, Islami është burimor dhe nuk mund të transformohet nga koncili në koncil, nga shekulli në shekull, për t’i mbuluar krimet që sot Evropa dhe Amerika ia bëjnë botës së varfër, duke hequr dogma të vjetra e duke aplikuar të reja.
Në këtë shqyrtim nuk i kemi përfshirë të gjitha tekstet, as rastet, por vetëm disa sosh, pa pretendim se i kemi zgjedhur më interesantet dhe tekstet më tipike. Po ashtu, nuk jemi lëshuar në analizë të secilit tekst, pos të disa vrojtimeve kalimthi, andaj e shohim të udhës të shqyrtojmë edhe disa çështje, që ta plotësojmë, pak a shumë, këtë mozaik.
Vërejtjet më të shpeshta në adresë të Islamit, që ndër kritizerët e tij identifikohet me turqit, janë ato se ai ka qëllime asimiluese ndaj shqiptarëve, sikur edhe ndaj të tjerëve, dhe me këtë çështje ata kanë ngritur në këmbë popullin e manipuluar shqiptar. Ndër të parët që i janë kundërvënë kësaj insinuate në trojet tona ka qenë Hasan Kaleshi, eruditi i anatemuar shqiptar, qysh para dy-tri dekadave. Në kohën kur shqiptarët ishin pa shtet, pa kishë të tyre, pa traditë kulturore, pa kler, pa shkolla, të rrethuar nga Bizanti në njërën anë, nga shteti serb në anën tjetër dhe nga Venediku në anën bregdetare, në këto rrethana nuk kanë pasur kurrfarë gjasash të ekzistojnë si komb. Me depërtimin turk në Ballkan, me shkatërrimin e Bizantit, të shtetit serb, me çorientimet e kishave të tyre, i hapet rrugë ekspansionit shqiptar nga elementet e përmendura më lart." Këtë çështje në kohët e vona e shtron dhe e argumenton edhe historiani M. Pirraku e S. Rizaj, mendimet e të cilëve shkurtimisht i kemi paraqitur në disa nga shkrimet tona. I këtij mendimi është edhe intelektuali A. Baleta kur pohon se "prania e faktorit musliman në Shqipëri ka qenë faktor shpëtimtar". A. Baleta përmend edhe Arsa Millatoviqin, armik i madh i shqiptarëve, i cili thotë se shqiptarët me përqafimin e Fesë islame i shpëtuan sllavizimit...".
Edhe Ivo Andriqi, nobelist, i njohur si hartues i projektit famëkeq kundër boshnjakëve e shqiptarëve, megjithatë, paragjykimet ndaj turqve i cilëson në mënyrën vijuese: "Turqit në filim të qeverimit të tyre në viset tona ishin të tjerë, por ne ata më së shumti i kujtojmë nga periudha dekadente e Perandorisë Osmane".
Gjithashtu, etnologu e historiani Mark Tirta, "islamizimin e shqiptarëve nuk e shihte si dhunë", por "si një ftohje, si një bojkotim i shqiptarëve kundër Krishterimit", e pikërisht, fillimisht, kundër ortodoksisë serbe, greke e bullgare, që i shpiente në shkombëtarizim, në tjetërsim etnik."
Në saje të rezultateve nga hulumtimet e tij, Eqrem Çabej pohon se përkundër "ndarjes konfesionale të Shqipërisë në shumë besime", e këtu mendon para së gjithash në Islamin, "kjo këtu nuk ka qenë aq ndarëse e thellë si gjetkë...". Ai thotë se megjithë grindjet "njësia e kombit në themel nuk u shkatërrua...".
Historiani Ferit Duka duke ofruar një statistikë pohon se deri në fund të shekullit XVI Shkodra u islamizua 100%, Peja 90%, Vushtrria 80%, Elbasani 79%, Tetova 71%, Kërçova 65%, Kruja 63%, Berati 60%, Prishtina 60%, Prizreni 55,9%, Dibra 51%, Tepelena 50%, Përmeti 41% etj., dhe konstaton se "nuk ka pasur një politikë islamizuese të zhvilluar me tendenca të posaçme nga sundimi osman. Të dhënat flasin se Feja islame është pranuar me dëshirë (...) në masat e popullit shqiptar." Ndërsa R. Fallaçi thotë se "nuk duhet harruar se turqit ishin shumë më tolerantë në çështjet religjioze, se që ishin bizantinët." Diplomati, mjeku e historiani frëng Fransua Pukëvill, shkon edhe më tej dhe jep njoftime të hollësishme për gjendjen e mjeruar shoqërore, ekonomike e kulturore të Shqipërisë, dhe në rend të parë akuzon, jo turqit, por shqiptarët si fajtorë për këtë gjendje."
Vërejtje vijuese është edhe ajo se qëllimi i Turqisë ka qenë copëtimi i trojeve shqiptare, dhe këtë pohim të vetin e argumentojnë me veprimet e Turqisë që të zbatojë vendimet e Kongresit të Berlinit më 1878 kuptohet, e detyruar politikisht, ekonomikisht e ushtarakisht ta bëjë këtë, e jo pse Turqisë i shkonte për shtati copëtimi i trojeve tona. Harrohet fakti se osmanlinjtë i gjetën trojet shqiptare të pushtuara e të copëtuara nga shumë pushtues: serbët, grekët, italianët etj., dhe vetëm nën Halifatin islam të osmanlinjve trojet shqiptare u bashkuan, filluan të frymojnë së bashku, të tregtojnë e punojnë së bashku, të luftojnë së bashku e çdo gjë tjetër. Iu shmangën asimilimeve romano-bizantine dhe ruajtën qenien e tyre. Lansuesit e tezës së politikës shfarosëse të osmanlinjve, duke shfrytëzuar metodën psikologjike se akuza ka efekt më të madh se demanti, e me qëllim që ta kamuflojnë politikën destruktive ndaj shqiptarëve, veprojnë në kontinuitet dhe janë shumë brutalë në këtë aspekt. Fakti se të gjithë shqiptarët muslimanë nuk e ndiejnë veten turq por shqiptarë, dëshmon se s’kemi të bëjmë me një politikë asimiluese e përçarëse. Këtë e argumenton edhe lënda arkivore e asaj kohe, por këtë e dëshmon edhe njëri ndër njohësit më të mirë të asaj kohe, historiani anglez S. Th. Arnold, i cili pohon se Turqia Kosovën e konsideronte pjesë lindore të Shqipërisë.
Ndër vërejtjet përçarëse që lansohen nga qarqet e sipërtheksuara është edhe ajo se Islami është lindor, aziatik (që është rast edhe me fenë që e predikoi Isai a.s. (Jezusi), i imponuar (ndryshe nga Kristianizmi i cili, sipas tyre, lulëzoi vetvetiu në trojet tona) dhe si i tillë ai duhet të flaket nga mesi ynë, e në vend të tij të pranohet Kristianizmi, i cili, sipas tyre, do të na fusë në familjen e madhe evropiane. Është e saktë se Kur’ani ka filluar dhe ka mbaruar së shpalluri në Arabi e jo në Evropë (siç është rasti edhe me Biblën që u shpall në Azi e jo në Evropë), por Kur’ani nuk iu shpall arabëve, por mbarë njerëzisë (lil-alemîn), (ndryshe që Bibla iu shpall ekskluzivisht popullit izraelit), se Kur’ani nuk njeh popull të zgjedhur, popull superior, popull vetvetiu më të vlefshëm se tjetri, vetëm pse qenka nga Evropa apo Amerika. Per se, asnjë komb, asnjë popull s’është më superior se tjetri, nëse tek ai nuk gjenden vlerat, virtytet e larta njerëzore. Ndarja e popujve, feve apo kulturave në aziatike e evropiane, ka konotacione të racizmit, qoftë racizmit nacional apo religjioz. Princ Çarlsi, që e cekëm edhe më herët, Islamin me të gjitha segmentet e veta nuk e pranon si të huaj, përkundrazi, ai thotë se "prania shumëshekullore e Islamit në Spanjë dhe në Ballkan, para osmanlinjve dhe me ta, dëfton se Islami është pjesë e së kaluarës dhe të tashmes së Evropës... e jo gjë e ndarë", dhe si e tillë duhet të trajtohet edhe në marrëdhëniet politike, ekonomike, kulturore e të tjera. Shpërfillja e këtij problemi në Bosnjë kushtoi shtrenjtë: jetën e humbën mbi 200.000 njerëz, e prej tyre 17.000 fëmijë. Krim që do të na përcjell me shekuj. Sipas të gjithë parametrave, trajtimi joadekuat i çështjes shqiptare do të jetë edhe më katastrofik.
Këtë çështje po e përfundojmë me mendimin e M. Pirrakut se: "Islami nuk ishte fe turke dhe as fe e pushtuesit, por ishte sa fe e turqve, aq edhe e shqiptarëve dhe e të tjerëve dhe turqit në Bashkësinë muslimane osmane paraqitnin vetëm pakicën sunduese...".
Përsiatjeve të mësipërme do t’ua shtojmë disa mendime të disa mendimtarëve botërorë, në mënyrë që të vërejmë, e njëkohësisht t’i krahasojmë me mendimet e atyre që praninë e Islamit e të muslimanëve në Evropë, por edhe në botë e shohin si të tepërt; se ne shqiptarët si popull i lashtë, por i vogël, nëse duam të ecim përpara, duhet të jemi popull me kritere të shëndosha e konstante, e assesi laramane, popull integrues për çdo gjë pozitive, popull që Lindjen e sheh Lindje e Perëndimin Perëndim, pa lëkundje në vlerat autoktone.
Sami Frashëri i madh, por fare pak i studiuar ndër ne në krahasim me madhështinë e punës së tij, krimet e Evropës ndaj muslimanëve i përshkruan si vijon: "Nuk u mjaftuan evropianëve këto krime tragjike, por u tubuan nga të gjitha anët e Evropës, nën flamurin e Kryqit dhe disa herë atakuan në vendet islame... Kjo, vepra e tyre, mbeti turp i madh që do të na përkujtojë historia gjer në Ditën e Kijametit..." Samiu pohon se kjo humbje "u shpreh në dy segmente: 1) dëmi material dhe 2) dëmi kulturor (zhdukja e shkencave, njohurive dhe krijimeve islame...) u mbytën dijetarët, u rrënuan shkollat, u dogjën librat; çdo njeri filloi të merret me shpatë e luftë." Ndërsa, sa i përket përhapjes së Islamit, ai pohon se: "Pos përhapjes së Islamit me pushtime, ekziston edhe rruga tjetër, e papërmendur nga historianët, e ajo është përhapja e fesë vetvetiu pa pushtim, pa shpatë dhe pa ushtarë. Kjo edhe nëse nuk është më e madhe se mënyra e parë, pothuaj është e barabartë." Sipas tij, "mënyra e parë ndodhi deri te Sulltan Sulejmani, kurse përhapja e fesë sipas mënyrës së dytë, po ndodh deri në ditët tona."
Për periudhën aq kontestuese për një pjesë të shkencëtarëve shqiptarë, Volteri pohon se: "Modeli islam i rregullimit të jetës, i pranishëm gjatë kohës së osmanlinjve, paraqet shembullin më të mirë të tolerancës ndërfetare dhe bashkëjetesës, në lirinë e plotë të pjesëtarëve të feve të ndryshme dhe popujve. Derisa, sipas Kishës, secili është dashur të bëhet kristian. Për këtë, autoritetet kishtare armiqësisht janë deklaruar kundrejt tërë botës dhe këtë, derisa ata nuk e pranojnë Kristianizmin."
Se sa janë të brishta shkrimet e një pjese të inteligjencies shqiptare kundër Islamit, dëftojnë edhe mendimet e ekspertëve botërorë, sikur R. Dozy, orientalist i famshëm, i cili në librin e vet "Historia e muslimanëve të Spanjës", kishte shkruar: "Pushtimi arab ishte i mirëseardhur për Spanjën: ai ka zhvilluar revolucionin e gjithmbarshëm social, flaku pjesën më të madhe të së keqes, nën të cilën ishte ngushtuar me shekuj." Pastaj vazhdon: "Arabët kanë sunduar në këtë mënyrë: Tagrat pothuajse kanë qenë fare të vogla në krahasim me tagrat që ua ka imponuar udhëheqja e mëparshme. Arabët ua kanë marrë taksat pasanikëve. Ato toka të mëdha që i kanë pasur feudalët, e i punonin fshatarët, çifqinjtë e robërit e pakënaqur, arabët ua kanë shpërndarë në mënyrë të barabartë atyre që i kanë punuar. Pronarët e rinj kanë punuar sa kanë mundur më mirë. Të korrat kanë qenë të jashtëzakonshme. Tregtia ishte liruar prej kufizimesh dhe taksash të rënda, që më herët ua kanë shtrënguar fytin, dhe dukshëm u zhvillua. Kur’ani u ka mundësuar robërve të çlirohen me shpagim të drejtë, ndërsa kjo i ka liruar që të venë në lëvizje energji të reja. Të gjitha këto masa sollën mirëqenien e përgjithshme, e cila ishte shkak që dominimi arab të jetë prej fillimit mirë i pranuar."
Mendimtari tjetër evropian, Kaetani, thotë: "Shkollat e mjekësisë në Palermo, fillet e diturive fizikale në universitetet e para italiane, vizioni i Dantes dhe teologjia e Toma Akuinit, të gjitha ishin të frymëzuara dhe tjerrë me dijen e vjetër dhe filozofinë të cilën e mblodhën dhe e përpunuan teologët arabë nga Bagdadi dhe Kordoba, mësuesit e dikurshëm të Evropës barbare."
Kurse Baron Kremeri shkruan: "Krahas shkencave ekzakte, me një kujdes shumë të madh mësoheshin dhe kultivoheshin edhe shkencat e politikës dhe drejtësisë, si dhe filozofiko-teologjike, i binin sistemet politike dhe teoritë për të drejtën, të cilat për nga vlera e tyre i mbulonin të gjitha ato çka kishin arritur popujt e tjerë të shekullit të mesëm. Mendimet e mëdha, të cilat në Evropë hapën rrugë tek në shekullin XVIII, atje qenë proklamuar qysh para tetë shekujsh."
Baron Kremeri pohon se edhe në fushën e të drejtës administrative dhe dijes financiare, arabët kishin arritur një shkallë të lartë, ngase ligjet tatimore, siç thotë ai, ishin vërtet të përsosura për atë kohë. Posta ishte e rregulluar mirë dhe i lidhte pjesët më të largëta të Halifatit dhe doganimi i brendshëm ishte rreptësisht i ndaluar. Ishin formuar fonde bamirëse, nga të cilat ndihmoheshin jo vetëm të vobektit vendas por edhe të huajt, madje ato shërbenin edhe për lirimin e robërve. Ndërmjet vendeve islame mbretëronte një liri e pakufizuar qarkullimi dhe migrimi, kurse administrimi bazohej pa përjashtim në vetëqeverisjen e komunave, të cilat gëzonin liri të plotë."
Ka edhe shumë e shumë thënie të tjera, por ne këtë pjesë të shkrimit tonë do ta përfundojmë me një thënie të La Martinit për Muhammedin a.s., e për ta krahasuar me thëniet e P. Bogdanit apo të F. S. Nolit. Ai thotë: "Filozof, orator, profet, ligjdhënës, luftëtar, ngadhënjimtar idesh, rilindës i sërishëm i fesë së logjikës dhe të Zotit pa idhuj dhe pa afreska; themelues i njëzet mbretërive të botës dhe i një mbretërie shpirtërore - ai është Muhammedi. Kur merren parasysh të gjitha masat me të cilat matet madhështia dhe popullariteti i njeriut, lirisht mund të pyesim: a ka ndonjë njeri më të madh se ky?"
Këto thënie janë vetëm një thërrmi nga tërë ajo që, përkundër armiqësisë së madhe që e kishin P. Bogdani e të tjerë, mirëkuptimi dhe toleranca islame iu mundësoi atyre që të mësojnë, studiojnë, veprojnë e shkruajnë kundër Islamit e Halifatit islam, në prehër të po atij halifati".
Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.
Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...