2011-02-12

Ambasadorët «tanë»

 Shkruan :Xhemal AHMETI


Ish nëpunësi social Naim Malaj nuk e di matematikën. Ai përdor më shumë pare se sa që ia lejon MPJ e Kosovës. Pse? Sepse Hashim Thaçi ka pijë çaji rusi në familjen  e tij, deri sa ishte emigrant në Zvicër?
Ndoshta shteti i Kosovës duhej  të pyes dy vendet fqinje; Maqedoninë dhe Shqipërinë se si duhet të sillet gjatë procedurës së zgjedhjes së ambasadorëve për të dërguar këndej njerëz që duhen e jo hazarderë që vetëm se ia turbullojnë punët edhe më shumë diasporës. Legjendat rreth ambasadorëve shqiptarë janë të gatshme për skenarë filmi. Do vite me radhë ishte personeli i ambasadës shqiptare ai që kujdesej për  tituj gazetash: shoferë që kapeshin duke vjedhur banane në Migros ose duke transportuar njerëz ilegalë përtej kufijve; ambasadorë të dehur që u ngatërroheshin këmbët në tramvaj dhe rrëzoheshin si grumbuj…mbi gratë plaka zvicerane dhe sekretarë që gozhdonin dyert e ambasadave për të mos e lënë pasardhësin e dërguar nga partia tjetër për të hyrë në ambasadë. Sapo u «stabilizua» gjendja tek ambasada shqiptare, ia nisën bashkëkomabsit e tyre nga Maqedonia: Alajdin Demiri për çdo ditë bëhej gafë mediale për arsye se i grahte veturës si ata karamuratët rrugëve të Stambollit. Thonë se disa herë i është marrë leja e grahjes për shkak të konsumimit të tepruar të alkoolit – ky e ka storien “diplomatike” më të gjatë se biografia e tij e tërë. Pastaj pasoi ish përkthyesi Mahmut Ibrahimi me shtetësitë e tij enigmatike dhe përpjekjet për ta shndërruar ambasadën në harem personal.  Edhe ndaj këtij pati akuza për korrupsion, të cilat akuza përpiqej t’i lidh kot me motive politike të sllavëve në Shkup, sikur ata ta kishin emëruar aty.
Lista e budallallëqeve do të ishte edhe më interesante por t’i kishim zbardhur këtu edhe protokollet e Ministrisë Jashtme të vendit nikoqir, mirëpo po presim, ndoshta këta persona bëhen dikur aq të njohur sa që ia dalin të përfolen madje edhe  nga Wikileaks.
DOSJA NAIM MALAJ
Ambasador bëhet një njeri, i cili parasëgjithash ka haber me diplomacinë. Se ish punëtori social i Gjenevës Naim Malaj ka lidhje me diplomacinë aq sa kishte edhe Enver Hoxha lidhje me Internetin shihet në sjelljen e tij jodiplomatike me vetë punëdhënësin e tij MPJ. Ata i dërgojnë rregullore se si duhet të sillet, ky, sidomos kur bëhet fjalë për financa nuk ua varr fare dhe përpiqet të arsyetojë mosdisciplinën e tij me ngatërresat e burokratëve kosovarë që bëjnë ndërmjet frangës zvicerane dhe valutës evropiane. 10 mijë Euro apo 20 mijë franga? Pse iu deshën Naim Malajt gjithë këto pare për të organizuar një festë pavarësie, vetëm një Zot e di? Mos u ka paguar pjesmarrësve honorar? Mos ka ftuar striptizerka në fund të dasmës?
Akuza thotë se paret nga arka e ambasadës (pra jo ato të rrogës së tij) shpenzohen edhe për çështje të natyrës private: barna, internet, banesë më të shtrenjtë se sa që është e lejuar dhe eskapada tjera të këtij lloji. Nuk e dimë se sa e ka rrogën ambasadori i Kosovarëve në Zvicër, mirëpo është problem privat i tij, sepse para se ta merrte detyrën duhej të kacafytej me Kryeministrin e tij për më shumë rrogë e jo tash të na bëjë edhe njëherë fytyrën edhe më zi para organeve zvicerane si keqpërdorues, duke e fuqizuar edhe më atë stereotipin e ballkanasit të paintegrueshëm.
POROSI PËR «BASHKËKOMBASIT TANË» TANË NË PRISHTINË
E dimë që ne «maqedoncat» s’kemi të drejtë t’iu përzihemi në punët e juaja të jashtme e të brendshme. Ama pasi këto dostat këtu në perëndim nuk na dallojnë ashtu siç dallojmë ne veten po marrim guximin që t’ua postojmë në porosi:
Në vend që tu shkruani letra dashurie emigrantëve tuaj në Evropën perëndimore dërgojuni njerëz që i motivojnë, organizojnë dhe ndihmojnë për tua lehtësuar jetën këtu. Nuk ia vlen asgjë nëse atyre u thoni – kosovarëve tuaj – ditë e natë se sa të bukur e sa të vyeshëm janë e iu dërgoni njerëz nëpër konsullata e ambasada që vetëm se ua shpifin datën edhe më shumë se sa që e kanë.
Nuk rekrutohen si ambasadorë e personel diplomatik njerëz vetëm se kanë qenë militantë të një lëvizjeje të caktuar. Ose sepse rrjedhin nga një familje atdhetare e aktive ku keni pirë çaj rusi gjatë egzilit. Diplomatë, intelektualë dhe njerëz urash u duhen kosovarëve këtu.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...