2011-02-08

Therësit e ëndrrave

«Thereshkan edhe ëndrrat», mendova, dhe çuditërisht filloi të më sillet nëpër kokë ai shqiptari që ëndërroi brenda meje, në një baladë. Tani më e kisha të qartë se pikërisht ai qëndronte para meje, me një kokë si unë, me duar të përgjakura dhe me thikë në dorë.
Therësit e ëndrrave


Therësit e ëndrrave


Metamorfoza, vaj mbi pëlhurë, 100x120cm, - pikturë e Shazim
 Mehmetit, 1996 


Shazim Mehmeti

Pikërisht në çastin kur mendoja se flatrat e gjumit më kanë rënë mbi qepalla, dera e dhomës u hap. Kërcëllitja e saj shëtiti nëpër terr dhe erdhi e m’u fut në veshë, siç futet boshësia e vdekjes në trupin e njeriut që sapo ka dhënë jetë. Por, unë nuk isha një i vdekur (shyqyr zotit, akoma jam i gjallë) dhe ajo kërcëllitje dere ishte po aq e gjallë, siç ishin të gjalla edhe hapat e tij. Dyshemeja prej dërrasash të vjetra, hapat e të posaardhurit i bënte akoma më të gjalla.

– Është gruaja, – mendova – apo?!...

Kaq dilemë m’u desh për ta zgjatur dorën deri te ndërprerësi i dritës së abazhurit, prej nga bashkë me dritën u derdh nëpër dhomë një e qeshur. Zëri i atij që qeshte ishte zëri im. «Zot, thashë, a është e mundur?»..., dhe e ktheva kokën andej nga vinte zëri.

Vërtet, në këndin e dhomës, në atë këndin që krevatit i binte në të majtë, qëndronte një Shazim. Kishte krahët e përveshur deri tek llërët, ishte i pëgjakur dhe mbante një thikë në dorë.

Habia ime nuk kishte përmasë, ndaj gjëja e parë që thashë qe një kotësi: – Ç’je ti që ma prish qetësinë... në pikë të natës?...
– Jam ti, – tha – nuk më njeh?!...

– Të njoh, të njoh, – i thashë – por, nuk e kam disi të qartë. Ti je i përgjakur dhe me thikë në dorë, kurse unë... Unë e kam ditur se jam një!
– Ti?!... – më ndërpreu me një siguri të çuditshme dhe vazhdoi të qeshet me po aq siguri.

Për një çast, të qeshurat e tij jehuan mes muresh si krokamat e një korbi që sapo mbaron një gjah.
Kur pushoi së qeshuri, tha:
– Sapo ta thera një ëndërr!...

– Një ëndërr?! – belbëzova me një zë të shterrur dhe të thellë.
– Po, po, një ëndërr tënden që s’e vlente të jetonte.
«Thereshkan edhe ëndrrat», mendova, dhe çuditërisht filloi të më sillet nëpër kokë ai shqiptari që ëndërroi brenda meje, në një baladë. Tani më e kisha të qartë se pikërisht ai qëndronte para meje, me një kokë si unë, me duar të përgjakura dhe me thikë në dorë. Ajo godina e lartë, e bardhë, me dritare të kaltërta si sy lirie, që ai e ëndërronte brenda meje, tashti m’u zhduk prapa atij balli të përgjakur duke m’u përzier me një kuqësi të kotë.
I thashë: – Domethënë, ti qenke ai?... Po ai tjetri që vdiq brenda meje?... Mos di gjë për te?

– Ai, thua? Ai qe një budalla! S’kam ç’të di për te! Di për ca të tjerë që presin pas dere dhe që ti i njeh shumë më mirë se unë. Të gjithë janë të përgjakur, ja kështu si unë (e preku ballin). Ke dëshirë t’i shohësh?
Unë heshta.

Ai u ra duarve dy herë dhe Shazimë të tjerë u futën në dhomë. Ashtu të përgjakur i drejtonin thikat kah unë dhe këndonin si në kor:
«Dil nga vetja, budalla!
Dil nga vetja, budalla!»

Nga këndimi i tyre ritmik, që ishte si këndimet e atyre zezakëve të pashpresë, unë e kisha humbur vetëdijen, dhe gjelat e mëngjesit qenë ata që më kthyen në jetë.

Tashti, shoh ëndrra të tjera, dhe e di se do të vijë një ditë kur Shazimë të tjerë do të vijnë të përgjakur që të m’i therin ëndrrat.
Ani, le të m’i therin. Unë ëndrra të tjera do të shpik.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...