Nga Gjeke Gjonaj, Ulqin
Malësia e Madhe në të gjithë kapërcejtë e moteve ka lindur bij e bija të cilët e ndriçuan dhe e orientuan rrugën e kombit shqiptar, në mesin e të cilëve shndrit si meteor edhe Dedë Gjo' Luli i Hotit. Nuk besoj se do të ketë historian apo publicist shqiptar të mirëfilltë që të mos flasin apo shkruajnë me respekt për veprimtarinë patriotike dhe trimërinë atdhetare të kësaj figure të madhe dhe shokëve të tij për mbrojtjen e tërësisë tokësore etnike shqiptare.Merita më e madhe e këtij burri kreshnik, i cili me pushkë në dorë luftoi për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga ushtria turke dhe malazeze, pa dyshim është ngritja për të parën herë në historinë e popullit shqiptar, pas historisë së lavdishme shqiptare gjatë jetës së fatosit të madh shqiptar “Gjergj Kastriotit Skënderbeut", e flamurit shqiptar në majë të Bratilës së Deçiqit, më 6 prill 1911. Këtë akt historik të luftëtarëve malësorë të lirisë dhe pavarësisë, më në krye me Dedë Gjo' Lulin, ndër të tjerë, e ka përjetësuar në vargje edhe homeri shqiptar, simboli i nacionalizmit modern me përmasa ndërkombëtare, poeti At Gjergj Fishta. Dedë Gjo' Luli si shumë atdhetarë të tjerë, për fatin tonë të keq, gjatë kohës së regjimit komunist është vënë në sirtarët e pluhurosur të harresës, ose më keq të "injorimit". Dhe, jo vetëm kaq.
Emri i tij në Malësi për shumë vite nuk është përmendur lirshëm dhe pa frikë nga pushteti i kaluar. Megjithatë kjo " harresë" nuk e zbehu aspak figurën e tij. Përkundrazi ky njeri që i bëri nder kombit dhe mëmëdheut të tij mbeti i pavdekshëm në kujtesën e popullit dhe në historiografinë shqiptare. Megjithatë logjikshëm shtrohet pyetja. " A kemi bërë sa duhet për Dedë Gjo Lulin?"
Vetë Jezusi ka thënë se "asnjë Profet nuk nderohet në vendin e vet". E nuk kishte si të ndodhte ndryshe kur në vendin e "Profetit" Dedë Gjo' Luli sundonin komunistët. Por edhe ata kanë një fund. Me rastin e 90-vjetorit të vrasjes së këtij heroi kombëtar dhe pas 16 vjetësh të ardhjes së pluralizmit të demokracisë në Malin e Zi Shoqata " Illyricumi" me sponsor Fondacionin "Dedë Gjo'Luli" nga Nju-Jorku, organizoi Konferencën shkencore përkujtimore në Tuz, më 24 shtator 2005.
Një vit më vonë u botuan materialet e Konferencës shkencore përkujtimore dhe u përurua Shtëpia Muze e kësaj figure të nderuar kombëtare, e cila u ndërtua në themelet e shtëpisë së dikurshme të tij në Bardhaj të Hotit, në vendlindjen e tij, të cilën e financuan hotjanët në Amerikë. Mbajtja e një simpoziumi shkencor dhe rindërtimi i Kullës së Dedë Gjo' Lulit mendoj se, pajtohemi të gjithë, është vetëm fillimi i obligimit, njerëzor, qytetar, kombëtar dhe historik që kemi ndaj këtij prijësi legjendar të Malësisë.
Për të qenë korrekt dhe i sinqertë deri në fund dëshiroj të përmend dy iniciativat tashmë të bëra publike në opinion në nderim të kësaj figure kombëtare dhe për popullsinë shqiptare në Malësi: ngritja në qendër të Tuzit e shtatores së Dedë Gjo’ Lulit dhe shkolla tetëvjeçare në Skorraq të Hotit të mbajë emrin e Dedë Gjo’ Lulit.
Sikur këto dy propozime të qëlluara të jetësoheshin do të dëshmonim se edhe përfundimisht duam dhe dimë të vlerësojmë personalitet tona kombëtare e historike si gjithë bota e civilizuar. Dhe për fund m'u kujtuan fjalët e Dedës : " Kush më ndalon mu me derdhë gjakun për tokën teme?" Po, ne kush na ndalon të bëjmë më shumë për Dedë Gjo' Lulin?.