2011-02-08

Krizë e thellë e studimeve letrare



Disa studiues tanë të letërsisë nuk kanë arritur të bëhen as epigonë. Janë marrës pa kriter dhe spekulues primitivë. Janë transplantues mekanikë të metodave. Janë plagjiatorë të pasofistikuar.

Skeda:Mehmetkraja.jpg



Nga Mehmet Kraja ,Prishtinë

Letërsisë shqipe i është vënë prapa që tridhjetë vjet e këndej një pjesë e kritikës letrare dhe e studimeve të tilla për letërsinë, që nuk shërbejnë për asgjë, që nuk kanë asnjë funksion.


Disa studiues tanë të letërsisë nuk kanë arritur të bëhen as epigonë. Janë marrës pa kriter dhe spekulues primitivë. Janë transplantues mekanikë të metodave. Janë plagjiatorë të pasofistikuar.


Temë e konferencës shkencore të sesionit të letërsisë, në kuadër të Seminarit XXVIII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, sivjet ishte romani shqiptar, më saktë romani i sotëm shqiptar.


Është një fushë që mua më intereson në mënyrë specifike, sepse kam një jetë të tërë që merrem me këtë lloj të shkrimit letrar. Një temë e vështirë, madje e papërthekueshme për një konferencë shkencore, sepse romani i sotëm, jo vetëm ai shqiptar, ka shumë probleme, çështje të hapura, për të cilat ende nuk është arritur të thuhet ndonjë gjë e saktë.


Edhe ashtu, studimet për letërsinë bashkëkohore, për zhvillimet aktuale brenda saj, përballen me vështirësi të mëdha dhe firojnë shumë. Të bësh letërsi kaotike, në kohët moderne nuk është ndonjë gjë e pazakontë, sepse krijimtaria artistike në përgjithësi kështu e ka.


Por, të bësh studime letrare kaotike, në një kohë që dijet për letërsinë kanë avancuar shumë dhe saktësia e metodës ka kapur parametra matematikorë, është një gjë që nuk pëlqehet.


Sidoqoftë, seminari është aty, konferenca shkencore është aty, programi që përfshin mbi 60 referues është aty, salla është aty; njerëzit hyjnë dhe dalin, dikush lexon referatin, dikush dëgjon i përqendruar, dikush kotet, dikush flet në telefon, dikush liron gazra, dikush gogësin, dikush bën zhurmë, dikush tjetër shikon i përhumbur matanë dritares.


Në përgjithësi, kjo është atmosfera e konferencave shkencore te ne. Pastaj vjen ajo kryesorja. Titujt e kumtesave janë dizajnuar në atë formë, që për një laik të krijojnë idenë se këtu është duke ndodhur diçka e madhe. Moderniteti, intertekstualiteti, semantika, diskursi, poetika, kodet, postmodernia, struktura, transpozimi, metatekstualiteti, resemantizimi, këto janë disa nga termat që janë futur në titujt e kumtesave.


Strategjia është e qartë: të krijohet ideja se dijet tona letrare kanë avancuar dhe se studimet për letërsinë kanë kapur maje të larta, pa çka se pak më vonë e sheh se ndonjëri nga referuesit nuk njeh as termat elementarë të studimit të letërsisë dhe i përdor gabimisht nocionet si kompozicion, syzhe, e gjëra të këtilla.


Pastaj renditen shkrimtarët, për romanet e të cilëve flitet e përflitet, disa drejtpërdrejt, disa në kontekst të ndonjë fenomeni letrar: Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Azem Shkreli, Dritëro Agolli, Martin Camaj, Kasëm Trebeshina, Vath Koreshi, Adem Demaçi, Fatos Kongoli, Nazmi Rrahmani, Zejnullah Rrahmani, Kujtim Rrahmani, Mehmet Kraja (po, po, edhe unë!), Bashkim Shehu, Ben Blushi, Ibrahim Kadriu, Anton Berisha, Visar Zhiti, Jusuf Gërvalla, Ridvan Dibra, Gaqo Bushaka, Diana Çuli, Arian Leka, Agron Tufa, Elvira Dones etj. Këta shkrimtarë, në kontekst të kumtesave, mund t'i përfytyrosh si të duash, si kalorës të betejave të mëdha, ose si arkivole të një gjëme të madhe.


(Në këtë radhë, njërin pranë tjetrit, nuk i përfshin asnjë kriter letrar, asnjë dije për letërsinë, sado e përciptë të jetë ajo.) Për ta ligjërojnë studiues të njohur ose më pak të njohur, burra të thinjur që belbëzojnë e shtërzejnë, ose gra me kraharorë të lëvarur, por edhe djem të ri e goca që ende i kanë buzët me qumësht.


Të bie në sy veçmas një dyndje e studiueseve të reja nga Shqipëria, të cilat seç dërdëllisin gjëra që as vetë s'i kuptojnë. Me gjasë, seminari është bërë një vend i mirë për të pasuruar CV-të shkencore të të gjithëve që synojnë ta fitojnë ose ta ruajnë statusin në universitete dhe institute. Kush pyet për shkencën, për gjërat që shkruhen e thuhen. Me rëndësi të jesh i përfshirë në programin e një konference shkencore dhe më pastaj në botimin e saj.


Sido që të jetë, kësaj radhe seminari nuk është objekt i shqetësimit tim. Ai mund të ishte vetëm një shkas, për të parë se në ç'gjendje i kemi studimet për letërsinë. Doemos, nuk është vetëm ky seminar dhe vetëm ky rast, janë botimet, janë librat, revistat, gazetat, publikimet nga më të ndryshmet.


Është punë që dihet, nuk janë këto fenomene që shfaqen tani, por duket se ato kanë një ekskluzivitet: janë fenomene tipike të ambientit tonë letrar dhe duket se tani kanë arritur deri në një pikë, prej nga nuk mund të shkohet më askund.


E para është kategoria e pohimit dhe mohimit, e vendosur mbi një nomenklaturë thellësisht spekulative. Njëri ngrihet dhe mohon letërsinë shqipe nga fillimi deri në fund, duke e quajtur larg të qenit e afërt me letërsinë e popujve të tjerë të Europës. Mbi cilën bazë, mbi cilin argumentim?


Mbi rolin e patriarkut, të cilin ia ka atribuuar vetes që pesëdhjetë vjet e këndej. Mbi autoritetin që supozon se e ka fjala e tij publike dhe mbi asgjë tjetër. Ky autoritet, njësoj si shumë të tjerë, tani, në kohët moderne, nuk funksionon më.


Është shpenzuar ose është vetëshpenzuar. Unë mund të mendoj ngjashëm me të, kur bëhet fjalë për nivelin e letërsisë shqipe në raport me letërsinë evropiane, por tani më duhet ta kundërshtoj në mënyrë kategorike, sepse, ndërsa unë e lexoj atë letërsi, përfshirë edhe romanet e tij, ai e ushqen mendësinë e tij me prirje fort të përçudshme.


Kadarenë, ta zëmë, që është quajtur (jo nga shqiptarët) njëri nga shkrimtarët më të mirë europianë të shekullit XX, ai do ta zhdukte nga faqja e dheut, sepse e konsideron rival. Një të dytë nuk e pëlqen, që është krejt e natyrshme; një të tretë nuk e lexon, sepse e ka inat; të katërtit nuk dëshiron t'ia shohë sytë; të pestin nuk e do, sepse nuk është poltron i tij. Kush mbetet, atëherë?


Rudina Xhunga dhe ndonjë si ajo. Nëse me këto kritere matet letërsia shqipe, atëherë gjëma e saj është më e gjatë se krejt shekujt e jetës së saj. Edhe një gjë: nëse ndërmjet shqiptarëve dhe Europës një herë vendos mohimin, herën tjetër keqkuptimin dhe herën e tretë refuzimin, atëherë kjo nuk mund të quhet një rastësi e padjallëzuar.


Në diskursin tonë kritik-analitik, po kaq spekulativ është edhe pohimi. Ky nuk bëhet si një herë e një kohë, duke thënë fjalë të mëdha, me intonim solemn, se filan shkrimtari është më i madhi i serës sonë etj. Tani është gjetur një metodë tjetër, e përsëritjes deri në bezdi e të ashtuquajturve modele, të cilët apostrofohen në dukje të parë pa ngarkesa vlerësimi, por që synojnë të arrijnë të njëjtën gjë.


Mjerimi i dijes sonë letrare fillon aty, kur, ta zëmë, shkrimtarë që i takojnë një klani, por që kanë vokacione të ndryshme dhe u takojnë niveleve të ndryshme letrare, kërkohet të vihen në të njëjtën radhë, pavarësisht se nuk puqen askund.


Ta zëmë, një shkrimtar që do të zinte vend në mënyrë komode pranë Sinan Hasanit, pa pikë turpi letrar vihet në të njëjtën radhë me Anton Pashkun dhe kjo përsëritet aq shpesh dhe aq shumë nëpër katedra, ligjërata, kumtesa, tubime shkencore dhe joshkencore, saqë dishepujt e rinj të studimeve letrare këtë çorodi e marrin si fakt të mirëqenë. Ky nënshtrim ndaj klaneve letrare në ambientin tonë tashmë është bërë anekdotik. Dhe i neveritshëm, gjithashtu.


E vërtetë është se klane letrare, pohime dhe mohime të pambështetura e të paqëndrueshme ka pasur dhe do të ketë si te ne, ashtu edhe në letërsitë e mbarë rruzullit. Sepse, fundja, kjo është vetë natyra e artit.


Por, mendoj se fenomeni i spekulimit ka arritur kulmin në një pikë tjetër, akoma më të trishtueshme, veçmas kur bëhet fjalë për studimet dhe dijen tonë letrare. Është marrja e metodave, bartja spekulative e shkollave të studimeve letrare nga një ambient në tjetrin, nga një letërsi në tjetrën, nga Perëndimi në Lindje, nga Parisi ose Roma në Prishtinë ose Tiranë.


Unë nuk e them dot se kush e filloi i pari këtë matrapazllëk në studimet tona për letërsinë, por që tani kjo ka marrë përmasa dëshpëruese, për këtë nuk ka asnjë dyshim.


Çohet një studiuese e Shqipërisë, ta zëmë, dhe vjen në një tryezë shkencore në Akademinë tonë, dhe një shkrimtari të traditës ia atribuon "intertekstualitetin", pa e kuptuar e gjora se jo vetëm ka bërë një shartim që nuk i përshtatet bimës, por akoma më keq, nuk e kupton as fjalën, as nocionin.


Një tjetër studiues merr e lexon një libër e gjysmë të Umberto Ekos dhe teorinë e tij të komunikimit e përball me një shkrimtar që as Bjelinski, Sent-Bevi e Lukaçi nuk i lënë shenjë. Çuditërisht, studimet tona për letërsinë vlojnë në të gjitha anët nga terminologji të shkollave të avancuara, në një kohë që shumica nuk ua dinë kuptimin atyre termave.


Nuk i paragjykoj, por e dëgjoj çdo ditë dhe i lexoj me sytë e mi. Situata bëhet më qesharake, kur këto metoda studimi synohet të aplikohen në një vepër konkrete dhe te një shkrimtar konkret.


Jo vetëm që i tërë studimi del spekulativ; jo vetëm që i tërë vlerësimi mbështetet mbi një spekulim të kulluar, por edhe më keq se kaq: autori ose vepra konkrete që vihet kundruall me këto shkolla studimi, me këto metoda, nuk i përballon ato në asnjë mënyrë.


Barti, Zheneti, Todorovi dhe ca të tjerë nuk janë më modele, janë gjellë e përtypur dhe e ripërtypur që i bie mirë çdo stomaku. Disa studiues tanë të letërsisë nuk arrijnë të bëhen as epigonë. Janë marrës pa kriter dhe spekulues primitivë. Janë transplantues mekanikë të metodave. Janë plagjiatorë të pasofistikuar.


Ky është një kontingjent i paarsimuar dhe i pacivilizuar i shkrimtarëve dhe kritikëve, të cilët, pasi që fillimisht janë mësuar ta bëjnë nevojën pas sanës, mrekullisht kanë zbuluar se paska një vend, një si guaskë qeramike, ku nevojat biologjike mund t'i bësh në mënyrë krejt komode. Kjo mrekulli e zbulimit nuk i lë të shohin asgjë përtej.


Kush e filloi i pari këtë spekulim lapidar? Një mik i imi thotë se "Vepra e Bogdanit" e Rugovës është e para e radhës e bërë me këtë metodë spekulative: në njërën anë Barti, në anën tjetër "Çeta e profetëve".


Mbase është, ku e di unë, por është e vërtetë se letërsisë shqipe i është vënë prapa që tridhjetë vjet e këndej një pjesë e kritikës letrare dhe e studimeve të tilla për letërsinë, që nuk shërbejnë për asgjë, që nuk kanë asnjë funksion.
Nuk u duhen as atyre që i bëjnë, e lexuesit jo që jo. 

Mehmet Kraja ka lindur më 1952, në Krajë, afër Liqenit të Shkodrës, në Mal të Zi. Shkollimin e mesëm e kreu në Ulqin, ndërsa të lartin në Universitetin e Prishtinës. Nga viti 1974-76 ishte kryeredaktor i gazetës së studentëve “Bota e re”. Më pas punoi si gazetar dhe redaktor i kulturës në gazetën “Rilindja”. Gjatë viteve 1992-99 jetoi dhe punoi në Tiranë. Pas luftës ishte redaktor i kulturës në të përditshmet “Zëri” dhe “Koha Ditore”. Që nga viti 2002 është edhe ligjërues në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, ku jep lëndën e skenarit të filmit. Eshtë anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Deri tani ka botuar: 10 romane, 5 përmbledhje me tregime, 10 drama dhe tre libra me kritikë dhe publicistikë, si dhe një numër tekstesh publicistike në shtypin e Kosovës dhe Shqipërisë.


Romane


“Gjurmë në trotuar(perpak tu ftofe)”, “Rilindja”, Prishtinë 1978;
“Portali i perëndive të fyera”, “Rilindja”, Prishtinë1980;
“Moti i Madh”, ““Rilindja”, Prishtinë1981;
“Udhëzime për kapërcimin e detit”, “Rilindja”, Prishtinë 1984; “Naim Frashëri”, Tiranë 1987;
“Sëmundja e ëndrrave”, “Rilindja”, Prishtinë 1987;
“Net bizantine”, “Rilindja”, Prishtinë 1990;
“Muri i mjegullës”, “Toena”, Tiranë 1998;
“Edhe të çmendurit fluturojnë”, “Onufri”, Tiranë 2004;
“Im atë donte Adolfin”, “Onufri”, Tiranë 2005.
"Selvitë e Tivarit", "Onufri", Tiranë 2008


Tregime


“Dritat e mesnatës”, “Rilindja”, Prishtinë 1974;
“Vdekja pa emër”, “Eurorilindja”, Tiranë 1995; “Dukagjini”, Pejë 1996;
“Portat e qiellit”, “Toena”, Tiranë 1996; “Buzuku”, Prishtinë 1997;
“Njëzet tregime për kohën e shkuar”, “Dukagjini”, Pejë 2001;
“Hija e qershisë nën dritën e hënës”, Toena”, Tiranë 2006.


Drama


“Tri drama” (“Princi i hijeve”, “Onufri i Neokastrës”, “Hëna prej letre”), “Rilindja”, Prishtinë 1987;
“Pesë ide për lojë skenike” (“Muri I, ose ora e shiut”, “Muri II, ose lavjerrësi i rërës”, “Muri III, ose fluturat e bardha”, Muri IV, ose ëndërr qeni”, “Muri V, pse një hënë tjetër prej letre”), “Toena”, Tiranë 1999;
“Krishti qëndroi tri ditë në Kosovë”, “Jeta e Re”, Prishtinë 2002;
“Grafitet”, “Jeta e Re”, Prishtinë 2005;
“Im atë donte Adolfin”, dramatizim, Prishtinë 2007;
"Drama" ("Grafitet", "Hëna prej letre II", "Rekuiem"), PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë 2008


Kritikë dhe publicistikë


“Shoqërime”, “Rilindja”, Prishtinë 1997;
“Vite të humbura”, “Eurorilindja” Tiranë 1995, “Rozafa”, Prishtinë 2003;
“Mirupafshim në një luftë tjetër”, “Rozafa”, Prishtinë 2003.
"E shtuna ime", PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë 2009


Skenarë


“Sëmundja e ëndrrave”, 1989
“Kurrë më”, 2000
“Fluturat e bardha”, 2001
“Muri i mjegullës”, 2002
“Kukumi”, 2003 (i realizuar si film artistik i metrazhit të gjatë, në regji të Isë Qosjes)


Shfaqje të realizuara


“Princi i hieve”, realizuar në Teatrin Popullor Krahinor në vitin 1984, me regji të Agim Sopit dhe në Teatrin e Gjilanit në vitin 1985;
“Hëna prej letre”, realizuar nga Teatri i Gjakovës në vitin 1988, në regji të Fadil Hysajt;
“Onufri i Neokastrës”, nga Tetari Amator “Emin Duraku” i Gjakovës në vitin 1987 në regji të Nimon Muçajt;
“Ëndërr qeni”, realizuar në Teatrin Kombëtar të Prishtinës në vitin 2001, në regji të Isë Qosjes;
“Grafitet”, realizuar në Teatrin “Oda” të Prishinës, në vitin 2005, në regji të Isë Qosjes;
“Onufri i Neokastrës” (version i ri), realizuar nga një grup artistësh të lirë të Gjakovës, në vitin 2006, në regji të Nimon Muçajt;
“Hëna prek letre” (version i ri), realizuar në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, në vitin 2007, në regji të Fadil Hysajt;
“Im atë donte Adolfin”, i realizuar si shfaqja e parë profesioniste e Teatrit të Prizrenit, në vitin 2007, në regji të Agim Sopit.


Çmime


Çmimi vjetor i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për veprën më të mirë (për romanin “Moti i Madh”, 1981);
Çmimi “Hivzi Sulejmani” i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për prozën më të mirë (për përmbledhjen e tregimeve “Vdekja pa emër”, 1995);
Çmimi i shtëpisë botuese “Toena” për prozën më të mirë nga pesëqind titujt e botuar (për romanin “Muri i mjegullës”, 1998);
Çmimi “Pjetër Bogdani” i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për veprën më të mirë (për romanin “Muri i mjegullës”, 1999);
Çmimi “Pjetër Bogdani” i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për veprën më të mirë (për përmbledhjen “Njëzet tregime për kohën e shkuar”, 2001);
Çmimin “Azem Shkreli” të Ministrisë së Kulturës së Kosovës për veprën më të mirë (për romanin “Edhe të çmendurit fluturojnë”, 2004).
Çmimi “Mitrush Kuteli” i Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë (për përmbledhjen e tregimeve “Hija e qershisë në dritën e hënës”, 2007).
Çmimi "Petro Marko" i Ministrise se Kultures te Shqiperise (per romanin me te mire te vitit, "Selvite e Tivarit" 2008)


Përgatiti:Flori Bruqi

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...