Për më shumë se një muaj, këngëtarja kosovare, Valza Bajra, ka marrë kërcënime me likuidim fizik nëse ajo nuk do hiqte dorë nga muzika. Siç bën të ditur Valza, personi që e ka kërcënuar është femër dhe pasi ishin takuar, kishin sqaruar gjërat dhe ajo kishte vërejtur që kërcënimet i kishte adresuar në vend të gabuar. Arsyet e vetme kanë qenë pikërisht vendlindja e saj, Drenica dhe largimi nga estrada, në të kundërtën personi që kishte kërcënuar këngëtaren kishte thënë se do ta shkatërronte. Momentalisht, Valza po shfaqet në ekran me klipin e fundit “Badihava”, i cili është pëlqyer shumë nga fansat.
Nga Blerand Rexhepi
Foto Arbër Hoxha
Valza, sapo ke publikuar klipin e këngës “Badihava”, na thuaj diçka më shumë rreth këtij projekti?
Këngën e ka punuar Florent Boshnjakun, me tekst të Aida Barakut dhe u realizua e gjitha në studion e Florent Boshnjakut. Për herë të parë bashkëpunova me video produksionin “Imagine” dhe jam ndarë mjaft e kënaqur me të dyja palët.
Nga komentet e para shihet se kënga është pëlqyer shumë, sa që ishte vendosur edhe në youtube të kinezëve, e ke vërejtur këtë gjë?
Kam marrë mjaft opinione të mira rreth realizimit të këngës dhe klipit, e sa i përket youtubit kinez, para dy ditëve më informoi një mik i imi, që edhe unë bëj pjesë në youtubin kinez.
Para disa javësh juve ju është vjedhur adresa e vjetër në Facebook, e më vonë keni pasur kërcënime, nga kush?
Isha për Vitin e Ri në Bruksel, ku kam pasur dy mbrëmje atje. Pasi u ktheva në banesë pashë që adresën time nuk munda të hap, e sa i përket kërcënimeve m’u duk e çuditshme, sepse sa të mundem, unë krijoj miq e jo armiq…
Ka një muaj që juve ju kërcënon një vajzë anonime, është fanse e juaja, e njihni? Na thuaj diçka më tepër në lidhje me këtë?
Pas shumë kërcënimeve arrita të takohem me personin për të biseduar dhe nga fjalët e saj kuptova që kërcënimet kanë ardhur në adresën e gabuar (nuk isha unë personi adekuat për t’u kërcënuar).
Shumë gazetarëve në media të ndryshme e njëjta vajzë i ka nisur lajme të pavërteta për juve, i dini arsyet?
Unë as që jam e informuar për këtë vajzë, për herë të parë po e dëgjoja.
Edhe në telefon keni pasur kërcënime, mund të përmendësh ndonjë mesazh kërcënues?
Po ju them sms-ë e parë dhe të fundit. I pari; “Nëse ti je vërtetë Valza, unë do të shkatërroj me karrierë dhe me çdo gjë në jetën tënde. Nëse ti me të vërtetë e do jetën tënde, lëre muzikën”. Dhe i fundit ka qenë; “E urrej Drenicën dhe ty që je nga ai vend, uroj që mos të të shoh kurrë në tv, se do të thyej tv-në, të urrej me zemër dhe do bëj çdo gjë për të të shkatërruar”.
Pse nuk i keni denoncuar në polici?
Nuk kam dashur të lajmëroj policinë, sepse personi ishte në adresë të gabuar.
Mendoni se i bën dikush nga estrada këto “kërcënime ”?
Nuk e kam idenë dhe nuk më bëjnë përshtypje, Nuk dua të di se kush është dhe se çka përflitet për mua.
Po fjalët për një lidhje të mundshme mes teje dhe një politikani nga Shqipëria, sa janë të vërteta?
Më ka rastisur puna të ulem në një tryezë miqësisht me disa politikanë nga Shqipëria, e nuk kam çka të shtoj në këtë aspekt, sepse vërtet, unë dhe politika jemi shumë larg dhe me njerëzit e politikës, si nga Kosova, po ashtu edhe nga Shqipëria nuk më lidh asgjë...