2011-02-06
REFLEKSIONE (RI) LEXIMI PËR STUDIUESIN ERUDIT PREND BUZHALA
Prend Buzhala u lind më 1 nëntor 1951 në Çabiq të Klinës. Filloren e kreu në Ujëmirë, gjimnazin në Klinë, fakultetin filologjik (gjuhë e letërsi shqipe) në Prishtinë. I ndoqi edhe studimet postdiplomike, po për shkak të burgosjes politike më 1982, iu ndërprenë nga regjimi i kohës, ashtu siç iu ndalua edhe botimi i shkrimeve dhe e drejta e punësimit.
Shkrime letrare botoi prej vitit 1967. Shkruan poezi, prozë, kritika e studime letrare, publicistikë. Gjatë tri dekadave të fundit ishte i angazhuar në lëvizjet nacionale, politike e kulturore të kohës. Për këtë arsye, për dy dekada rresht u përndoq nga organet shtetërore të ish Jugosllavisë e sidomos nga ato serbe, kështu që gjatë viteve '90 të shekullit që e lamë pas, u arrestua e u keqtrajtua dhjetëra e dhjetëra herë nga milicia e paramilitarët serbianë. Për arrestimin e fundit të tij, lexo: http://www.kosova.com/arkivi1997/i980602c.htm.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, raportonte nga zonat e luftës për disa media.
Punoi profesor i gjuhës e letërsisë shqipe në shkollën e mesme të Klinës (1976-1982, 1992-1996), drejtues i arsimit komunal të Klinës (1995-1999), redaktor në gazetat “Fjala” (1990) e “Bashkimi” (1991) të Prishtinës, korrespondent i gazetave “Bujku” e “Rilindja” (1995-shkurt 2002), pastaj te “Epoka e re”, Radio Rilindja, “Express” i Prishtinës, redaktor i faqeve të kulturë në të përjavshmen “Focus” të Prishtinës (2006-2008). Punoi edhe zyrtar arsimi (2001-2003). Tash është drejtues i Bibliotekës Publike “Kongresi i Manastirit” në Klinë. Ka qenë ndër themeluesit e themelues i disa revistave lokale të Klinës, si “Jehona e Dukajginit “ (vitet ’70 e këndej), “Ylli”, “Synimet”, “Tribuna”, “Profili” etj. Është redaktor e recensues i qindra botimeve në dy dekadat e fundit.
Disa nga çmimet letrare e publicistike:
Çmimi i gazetës “Rilindja” për gazetarin më të mirë të decenies gjatë viteve ’90, 12 shkurt 1999,
Çmimi “Agim Ramadani”, në Takimet e Dom Mikelit, Stubëll, shtator 2008, për poezinë më të mirë, me titull “Nga ligjërimet e Nji Plake Ditën e Shën Premtes”,
Çmimi ”Ora e Tahir Deskut” për veprën më të mirë, “Kode poetike të mbijetesës shpirtërore”, shtator 2009, Klinë,
Çmimi “Fondi Akil Mark Koci”, për kontribut në kulturë e në krijimatrinë artistike, në Takimet e Dom Mikelit, Stubëll, shtator 2009.
I. Veprat në poezi:
O Amë, o Amë, 1995.
Për kë bie këmbanë e re, 1998.
Shtatë seanca pranë Apokalipsit, 1998.
Prend Buzhala ne promovimin e vepres se Anton Nik Berishes, Prishtine 2008
II. Kritika, studime monografike, vështrime:
Metafora e vendlindjes, 1999.
Përqasje estetike, 2000.
Ex libris - I, 2003.
Odeoni i fjalës, 2003.
Shkrimtari pranë buzëqeshjes. Studim mono-grafik për letërsinë për fëmijë të Ali Huruglicës, 2005.
Muza e zemrës, 2006.
Temë dhe tekst,- Shkup, 2006.
Muza e Kujtesës, 2007.
Aty ku krizat i besohen engjëllit, (Ndërko-munikime estetike: arti - literatura – lufta), 2008.
Res Publica e shkrimtarit, (Ese, trajtesa), 2008.
Kode poetike të mbijetesës shpirtërore/ Mbi romanet për të rritur të Anton Nikë Berishës, Argeta LMG, Tiranë, 2009.
Gjenitivi i lirikës - poezia e Mirko Gashit, 2009.
III. Roman:
Moisiu fluturonte me Qerren e Zjarrtë, 2003.
IV. Publicistikë:
Lartësimi i lirisë. Monografi për mësuesin dëshmor Ismet Rrahmani, 2002.
V. Përgartiti për shtyp:
Testament letrar, Mendimi kritik për veprën e Ramadan Mehmetit, me komente, Prishtinë 2008.
Të kuvendosh nën shenjën e Euterpës, Intervista të Akil Mark Kocit dhënë mediave 1976-2008, Prishtinë 2009.
Rrëfimi paliativ
(Nasi Lera: “Ana Zh.” , roman, botimi i dytë, Onufri, Tiranë 2004)
Një parandjenjë e ndarjes fatale e përcjell personazhin që nga faqja e parë e e deri te ajo e fundit, në romanin “Ana Zh.” të Nasi Lerës. Ana, njëzetvjeçare, është e sëmurë nga tumori në mushkëri. Ka dalur nga spitali. Është një dashuri e një çasti të beftë: e Anës dhe e Pirros. Në personazhin, Pirron 31-vjeçar, (përkthyes dhe njohës i letërsive botëore e që ka pasur kontakte me krijues të shumë vendeve) është dashuruar më 22 mars (pra, asociacion letrar i dashurisë me pranverën). Shkrimtari i paraqet dy javët e fundit të jetës së saj në dhjetor, gjatë një udhëtimi që bën ajo me Pirron nëpër tri vende mesdhetare: në Greqi, Itali e në Algjeri; atëherë kur vjen dhimbja e ndarjes së fundit. Ky përfundim i jetës së Anës në shkretëtirë, është posi njajo shenja e simbologjisë së ëndrrave: që ta shohësh shkretërirën në ëndërr, do të thotë se ke brenga të mëdha…e tillë, ku brenga jetësore e përjetimi i dashurisë, janë ndjerë e harxhuar që nga A-ja e deri te Zh-ja “si një dashuri a si një ndarje (fq 12). A nuk ta sugjeron edhe titulli i romanit këtë alfabet të përjetimit e të gjallimit të jetuar nga fillimi e deri në fund? Edhe dhembja e shkretëtirtë është e pafund, e paanë, posi ajo e Shpirtit dhe e Trupit. Shtrati psikologjik i veprës mbushullohet me metafora e me ndjeshmërinë ngapak fatale të personazheve, me shenjat e mavijosura të fatalitetit jetësor.
Spektakli i itinerarit modern, shikim i ngurosur i Meduzës
Në prozën e tij Nasi Lera e përqafon frymën dhe konceptin e Bibliotekës së Babilonit, sipas parimeve borhesiane të krijimatrisë, të vetëdijes proteike moderne e postmoderne të narracionit. Te Lera vërehen lehtë këto procese transformuese; që vjen me gjeneratën e prozatorëve të estetizmit modern (me kreacione estetike të suksesshme) e të fantasticienëve të prozës moderne. Dashuria krijon një gjeografi të shenjtë të botës. Kështu duket se e ligjërojnë personazhet e romanit “Ana Zh.” të Nasi Lerës, formulën e eseistit bashkëkohor, Alberoni. Njerëzit udhëtojnë nëpër viseve të largëta e të ndryshme për ta gjetur të panjohurën. Udhëtonin në kërkim të ndonjë utopie. … Udhëtimi modern përfytyrohet si projekt mbi ardhmërinë: aty ku qyteti “izolohet” nga natyra, nga burimorja. Pelegrini i dikurshëm antik apo romantik shndërrohet në turist. Dikur, në kohët e mitit, udhëtonin në kërkim të bashkës së artë. Romantikët udhëtonin drejt viseve ekzotike, në kërkim të dallimeve kulturore e të identiteve rajonale. Gjakonin shndërrimin e karkaterit kalimtar të jetës në kategori të së amshueshmes: çdo gjë sikur e shikonin me sytë e Meduzës, iu dukej madhështore dhe e ngurosur në të përjetshmen. Këta sy Meduze e të këtij gjakimi, të përcjellin edhe në këtë roman.
Po personazhet e Lerës? Ata udhëtojnë mu në mes të këtyre gjakimeve të së kaluarës dhe të së tashmes. Udhëtojnë nëpër Mesdhe, aty ku pikëtakohen kulturat, traditat, utopitë dhe religjionet botërore. Udhëtimi, për ta mënjanuar vëmendjen e Anës nga sëmundja vdekjeprurëse dhe për ta kënaqur atë me bukuritë e mrekullitë e parajsës idilike moderne të shoqërisë së konsumit; përfundon në një spektakël hiçasgjëje, shkretëtire; përfundon pikërisht e shtyrë nga mbufatja për ta krijuar përshtypjen e jetesës në botën reale; se gjithë ky spektakël udhëtimi po bëhet vetëm për Anën…E tëra kjo dëshmon se parajsa e tillë qenka vetëm “një hiper-realitet.” Të duket se është një udhëtim që nuk mbaron kurrë, apo zgjat sa një çast, një orë apo një sekondë (fq 24). Çka i ka rrëmbyer ky hiper-realitet fiktiv Anës dhe atdheut të saj me shumë sëmundje? Autori këtë vetëm sa e sugjeron nëpërmes fatit të dy-tri personazheve fatalë shqiptarë në Greqi (fati i Fridës që përfundon si prostitutë e “afarsitit shqiptar”) a në Itali (fati i një shqiptari të vrarë “pa identitet”): ata nuk janë aktorë, apo “faktorë vendosës”, si thuhet në gjuhën politike, po statistë, imitues a kopjues të jetës së tillë, reprizues të mjerimit e të fatalitetit të vetvetes…Përfundimi e shkrirja me shkretëtirën, do ta ngërthejë edhe anën tjetër të metaforës romanore: kjo është shkretëtira e realitetit! Këto janë simbolet e fuqisë industriale! “Kopjimi është kthyer në mënyrë të jetesës”, klith revoltueshëm narratori i romanit të Lerës. Dhe këtë e thotë, tek shëtit nëpër kërthizën e Mesdheut: në Greqi (aty ngriten përmendore të bukura të mashtrimit), Itali a Algjeri. Sado zhvendosje ngjarjesh që të ketë, sikur kjo Omfali (kërthizë e botës) e Olimpit grek, gjendet në Shqipëri, ku sintetizohen fatalitetet, mitet, religjionet. Prandaj, dialogu romanor i paraqet refleksionet e personazheve edhe mbi sintezat e civilizimit mesdhetar. Sikur para nesh zgjohen dramat e dikurshme antike, mimesis-i, polis-i, eros-i, katarza…mandej vijnë peizazhet ekzotike, sensibiliteti dhe temepramenti mediteran. Enigma e pazgjidhur e jetës së përditshme. Dashuria hidhet përballë këtij spektakli indiferent, me gjithë plagët e saj të jetës, me gjithë temperamentin dhe vendosmërinë që jeta të përjetohet “deri në fund.” Poetika romanore e kundërvënies ndaj këtij spektakli të itinerarit modern, na ligjëron se jeta na është kaq e ashpër; e zhveshur aq shumë, sa është bërë “kokërr rëre”. “Njerëzit janë si rëra e shkretërtirës”, thotë Ana. Janë mekanizmat e shoqërisë që e brejnë së brendshmi jetën, që e çojnë drejt zbehjes kufomatike. Kurse personazhet gjakojnë kaq shumë të bukurën, dashurinë dhe atë që mungon. Tashmë udhëtimi i përbashkët, si dhe refleksionet për jetën, vdekjen, dashurinë dhe përjetësinë, ngërthehen tek qenia e Anës: e tërë qenia e saj, zemra dhe intelekti i saj, janë të hapura , posi deti, posi viset mesdhetare a posi shkretërtira! Hapësia e qenies. Qenia e hapur! E kaltërta e qiellit dhe e detit, e kuqja e artë e shkretëtirës, e flakës simbolike, e pasioneve njerëzore dhe e bashkësolidarësisë së përvojave… e Artit të harruar të Vetmisë: a nuk dëshiron kështu Nasi Lera të na bëjë më të ndërgjegjshëm për vlerat që kemi në thelbet e brendshme të qenies sonë? Se kështu, ne mund të ekzistojmë, vetëm kur gjendemi në bashkësolidarësi (dashurore) me Tjetrin.
Vlerat e brendshme të ekzistencës:
si ta qetësosh vdekjen
Dhimbja dhe simptomet tjera kanë përbërjen e tyre organike, porse dhimbja e sëmundja përmbajnë edhe strukturën e tyre emocionale-piskologjike, shoqërore dhe shpirtërore (Cicely Saunders). Prandaj, një prekje dore, një qëndrim miqësor afër të sëmurës, për të mos e ndjerë ajo veten të vetmuar; një ndarje e emocioneve me të (loti, apo gëzimi); një udhëtim i përbashkët… a nuk janë këto shenja të solidarësisë emocionale e të bashkëvuajtjes në dashuri? Dhe, mbi të gjitha, përjetimi dhe prekja sa më afër e jetës së përditshme, a nuk janë përpjekje që Ana të mos e ndiejë veten jashtë këtij realiteti, po të integruar qenësisht në të? Ata arrijnë t’i vënë urat e mirëkuptimit, të dashurisë e të miqësisë, “deri në çastin e fundit”. Në këtë komunikim nuk ka panik, nuk ka ndjenjë fajësimi a mëshire, as atmosferë frike a mohimi, as largim nga njëri-tjetri a mllef të pakontrolluar në mes dy të përafëruarve. Atmosfera e tillë krijon mundësi të dihet më shumë për të vërtetën,. Kështu krijohet besimi. Në këtë paliativë romanore ndërfuten edhe personazhë grekë (krijuesi solidar, Akriti, plaku që dhuron një vazo), familja e Savinos, ish ushtar italian në Luftën e Dytë në Shqipëri etj. E çka nuk dëshiron të bëjë Pirroja për Anën që ta largojë atë nga atmosfera e dhimbjes dhe e sëmundjes? Ta largojë nga miti i sëmundjes së kancerit (dikund personazhja atë e përfytyron si një qenie të lashtë mitike). Pirroja përdor të gjithë mekamizmat jetësorë, piskologjikë, miqësorë etj që të ikën sa më larg çdo gjëje që zgjon asociacione të fatalitetit. Ata janë aq gjakueshëm në kërkim të qetësisë, sepse ashtu do t’i shprehin më mirë mendimet dhe ndjenjat. E ku nuk futet Ana me Pirron, për ta qetësuar Vdekjen e Afërt? Futen deri edhe në barkun e një varri për të qëndruar “përkohësisht” jashtë kohës e hapësirës! Ndryshe, të sëmurën shkrimtari e ka nxjerrë nga ambienti i ftohtë i spitalit dhe i hospitalizimit – dhe nga ky këndvështrim trajtimi, ai është thellësisht humanist. Krijuesi qëndron në anën e të drejtave jetësore të Anës deri në “shkrirjen me shkretëtirën”; ai i jep të drejtë Anës të shpresojë; të shprehet, më në fund, hapur për sëmundjen e saj, për jetën dhe për vdekjen që po i afrohet; i jep të drejtën që të marrë përgjigje të hapura e të japë përgjigje të hapura; të dijë për të vërtetën e të ballafaqohet me vdekjen; ai ia jep të drejtën edhe për të vdekur. Ana, në çastet e tilla, e ka të drejtën edhe për të reflektuar e për t’u interesuar për përvojat shpirtërore/fetare( “Unë i besoj shkretëtirës”, thotë Ana, në vend që të thotë “I besoj Zotit”; semantikisht: e pranon vdekjen hapur, çfarë është, në të drejtën për të jetuar). Ashtu sikundër e bëjnë këtë gjë institucionet paliative botërore, Nasi Lera e respekton edhe mënyrën e veçantë të vdekjes së personazhes së saj paciente. Do të thotë, që personazhet e këtij romani e afirmojnë jetën, kurse vdekjen e shohin si proces normal. Në mes eutanazisë dhe paliativës mjekësore, shkrimtari e përzgjedh metaforën e paliativës së dashurisë për ta mbisunduar vdekjen dhe për ta përqafuar, më në fund, një fillim të ri, sikundër e sugjeron këtë romani me shumësinë e vet semantike: vdekja është gjendje e re e qenies; Pirroja do të gjendet tashmë në një gjendje të re jetësore, me përskuqjen metaforike të mëngjesit që sjell lindjen e një dite (a kohe) të re. Shkretërira është në pritje të kthimit të jetës (siç sugjeron rrjeta e pasur e asociacioneve meditative-mediterane të vetëdijeve të romanit). Posi te Soren Kjerkekord, personazhet e Lerës gjakojnë unitetin e së jashtmes me të brendshmen; gjakojnë mundësitë e pakufishme që shenjojnë një fillim të ri. Ana është posi figurat e femrave moderne të fatalitetit: përjetimi i vuajtjes, i dhimbjes, i frustrimeve – të gjitha këto e tensionojnë dhe e nxisin botën e brendshme psikike të personazhes për reflektime e përsiatje. Ana është siluetë e Antigonës moderne (personazhi e përmend diku një vepër me motiv të tillë të fatalitetit), siluetë e Margaritës së “Faustit” të Gëtes. Ana e Lerës është e zbetë, posi siluetat e saj, porse gjërat qëndrojnë diametralisht të kundërta: ato jetojnë ekskluzivisht në botën e tyre të brendshme; introversionin e tyre ato e paguajnë me jetën e vet. Lera nuk ia kundërvë Anës një dashnor të pabesë. Asesi. Ai vë pranë saj një figurë paliative, që e merr rolin e rrëfimtarit paliativ të romanit me strukturë të tragjedisë moderne: rrëfimi ndodh jo ashtu si dëshiron autori, por ashtu si ia imponon vetëdija e narratorit. E ky personazh që e merr rolin e tillë paliativ-narrativ e që rrëfen aq kujdesshëm në veten e parë, është Pirroja; aq i ndjeshëm për ta larguar Anën nga mbamendja e sëmundjes. E Ana këmbëngul: “Mos më fol me gjuhën e librave, folmë me zërin tënd”. Zatën, a nuk është pikërisht “zëri personal i jetës” kuintesencë e artit?
Gjarpëri si gjerdan, mistika e shkretëtirës
Kur pesonazhja shkon në shkretëtirë: ajo nuk e pret askend, nuk shpreson asgjë, nuk shkon askund. Sprovat janë të rënda, me pasoja të paparashikueshme. Është zhytur në shkretërirë: sikur dëshiron të mësojë nga secila kokërr zalli, të bëhet njësh me të, me ngrohtësinë e saj… posi asketët që duan ta kalisin idealin e krishterë a përsosmërinë e amshueshme të një çasti. Shkrirja e tillë dashurore me shkretëtirën, ta sugjeron atë dhuntinë e amshueshme dhe esenciale të flakës në kandilin që nuk shuhet; për ta ngrohë zemrën e drobitur e të cfilitur nga frika e parrëfyer prej sëmundjes që të afron gjithnjë e më pranë vdekjes. Posi shtegtarët a pelegrinët e moçëm të dashurisë, qenia e Anës tashmë i lë prapa historinë e memorizuar, dhembjet e Atdheut e dhembjet personale; dhe dëshiron ta jetojë vetëm Atë Çast: krejt e gatshme të pranojë çkadoqoftë. Në shkretëtirë edhe një gjarpër shërben si stoli a si gjerdan rreth qafës! E zhytur në mistikën e shkretëtirës e të Mesdheut, tashmë vetë qenia e saj shndërrohet në Qenie Mistike, në Simbol të Flakës së Kandilit të Pashuar; në Flakë Të Gjallë, në Qenie të Zhdukur, Të Padukshme, posi Elementi i Pestë mistik (janë katër elemente që e përbëjnë jetën), i cili ende nuk mund të shihet as të përceptohet, e, megjithatë, është i pranishëm kudo tek qeniet e gjalla…mbase shkrimtari ka dashur të na thotë që kjo gjithëprani e amshueshme mistike tek këto qenie, është vetë dashuria. Nëse Simone de Beauvoir gruan e konsideronte burim të ekzistencës e jo të lindjes; nëse me qenien e saj asociononte shkretëtirën, si një hapësirë “të shtypur e të ndrydhur me shekuj”, si asociacion të mungesës së jetës; atëherë Nasi Lera, duke i vënë në përçasje gruan dhe shkretëtirën, jetën dhe vdekjen; dëshiron t’i spikatë mu ndërliqësitë dhe laryshinë e jetës e të vlerave të ekzistencës. Porse, shkrimtari Lera reshtet t’i trajtojë enigmat e jetës së përditshme e jo lëndën e ëndrrave, halucinacioneve, situatave të absurdit, të fantastikes apo të gjendjeve iracionale, sikundër veprojnë prozatorë modernë e postmodernë. Zatën, me këso lënde ai ka proceduar artistikisht tek libri i tregimeve “Ulërima e heshtjes”. Përfundimin e tillë të jetës së Anës te “shkrirja me shkretëtirën” do të mund ta lexonim edhe si ironi të hidhur të fatit, si revoltë sociale e njerëzore: kundër burokracive moderne (e të dikursheme si në Delfi), kundër politikanëve që paraqiten si apostuj të tranzicionit demokratik e tashmë të metamorfizuar në afaristë e që e lënë popullin në mëshirën e tij të marrë botën në sy, si judenjtë që endeshin në shkretëtirë për Tokën e Premtuar (“do të jetë më mirë”, premtojnë gjithmonë apostujt e tillë të të të gjitha kohëve). Endja nëpër tri shtete (kudo gjen shqiptarë e plagë të Atdheut që e ndjek pas), a nuk i ngjet endjes nëpër shkretëtirën e Tokës së premtimeve të mëdha?
Metafora e Natës: paralelizmi semantik dhe ai kompozicional
Brendia e romanit zhvillohet kryesisht natën. Nata nëpër të gjitha faqet e romanit merr rolin e kontrastimit me dritën; ajo ndillet vazhdimisht për ta mbuluar “të vërtetën” për sëmundjen, të cilës i del në ndihmë edhe mjegulla. Ajo e merr edhe rolin e kategorisë metafizike: ajo është në konflikt kosmik me dritën, ashtu sikundër vetë njeriu është një mikrokosmos i tillë. Errësimi imagjinativ i natës dhe mjegullës kontraston me ndriçimin semantik të personazhit narrator: rrjedha e kohës nxit edhe gjendje të ndryshme psikike, kurse bukuria e peizazhit, e hapësirave të jashtme urbane a natyrore, kushtëzohet simbas rrjedhës së kohës, natës a kohës sa zgjat mjegullimi: aq sa zgjat rrjedha e kohës nga një shekull deri te një sekondë. Për ta zënë çastin e një përjetimi të rrallë të dashurisë aq pasionuese: “kishim aq kohë për të jetuar së bashku”. Natës i shkon misteri, e fshehta: Akropoli është simbol e dëshmi e kësaj dashurie kaq të prekshme; ai është edhe “mister i thjeshtë e i pafajshëm,” mbase, për ta ndriçuar semantikisht gjendjen psikike të personazhit. Imazhet imagjinative esenciale të pamjeve që paraqet Lera, zgjojnë asociacione të shumta, sikundër janë nata dhe drita, mëngjesi dhe lindja e diellit, shkretëtira dhe deti, toka dhe qielli, retë dhe lëvizja e njeriut në udhë. Edhe vetë imazhi e prania e natës subjektivizohen, dramatizohen simbas prirjeve të brendshme të gjendjeve psikike të personazheve. Vetë nata është dramatike dhe i ka tri akte e skena: nata athinase, nata italiane dhe nata algjeriane, me epilogun e ndarjes fatale. Personazhet paraqiten edhe para fytyrës së vërtetë të natës, të sëmundjes, të jetës, të vdekjes e të dhimbjes; e që flet për ekzistencën konkrete të njeriut. Në planin e brendshëm, aktet e kësaj drame e paraqesin natën me kobin e saj që vjen në trok dramatik drejt fundit fatal të personazhes, ajo sjell shqetësime, një kërkesë për ikje e dhimbje; kurse në planin e jashtëm nata përjetohet me gjithë bukuritë, me veskun e saj, me imazhet e me mishërimet e saj hyjnore-mitike, tek i shënjojnë harmoninë, qetësinë dhe të bukurën. Nata nxit asociacionin e enigmave të jetës, krejt në kontrastim me kaosin dinamik të ditës. Dikund në roman flitet për “çnatyralizimin e vdekjes”, mandej për shkrirjen e trupit me natën, me hapësirën, me mëngjesin, e, në fund, me shkretëtirën. Kurse qenia e Anës ndeshet e gjendet në konflikt metafizik (ashtu si është gjithmonshëm qenia njerëzore) me forcat krejt të kundërta: në mes materies dhe frymësisë, trupit dhe shpirtit, përkohësisë e përjetësisë, jetës e vdekjes, tokësores e hyjnores. Nga ky plan kontrastimesh e ndeshjesh, autori kalon në planin e së brendshmes, emocionit dhe heshtjes: “Heshtja është e kaltër”, shkrirja me heshtjen etj. Nata është hapësirë e përshtatshme për t’i projektuar dëshirat, synimet, refleksionet dhe idetë, anise ato nuk mund të realizohen. Nëpërmes paraqitjes së peizazhit, natës dhe udhëtimit, Lera e realizon mrekullisht paralelizmin semantik dhe paralelizmin kompozicional: gjithçka flet dhe bëhet që t’i zbutet dhimbja Anës, ta harrojë, së paku përkohësisht sëmundjen; megjithatë, gjithçka nën mjegullën, (natën athinase, natën italiane, natën algjeriane) narratori ndjell dhe parandien fatalitetin; nxit vuajtjen e brendshme. Nëpërmes përshkrimit të hapësirës së jashtme, kontrastohen hapësirat e brendshme; hapësirat e jashtme përmbajnë ngjyra, mjegull, feksime të befta drite…mandej kjo hapësirë tërhiqet ngadalë nga skena romanore, këmbehet me hapjen e perdes së botës së brendshme të personazhit… dhe të personazhes, që nuk gjen ngushëllim.
LIRIKA E INTELIGJENCËS EMOCIONALE
(Agim Deva: librat e poezive për fëmijë “Gurët fluturues” dhe “Mungon një zemër”, Prishtinë 2007)
Të dy librat e fundit poetikë për fëmijë të Agim Devës, “Gurët fluturues” dhe “Mungon një zemër”, e kapërcejnë shifrën prej shtatëdhjetë vëllimesh të botuara të këtij krijuesi letrar e studiuesi të letërsisë. “Herë jam këtu e herë askund/ Rrugët e mia nuk kanë fund”, kuvendon shtruar folësi lirik i poezisë “Zjarr e shi” në librin e fundit poetik “Gurët fluturues”, aty ku ky subjekt, nëpërmes identifikimeve të krijuesit letrar me poetikën e këndimit lirik, shpalos energjinë e pashtershme krijuese. Po kështu, te “Poezia është si unë”, kjo pjekuri e kuvendimit sintetizohet në vargjet: “Si unë është poezia... / kurrë nuk përfundon”.
1. Kufijtë e padukshëm midis letërsisë për fëmijë e letërsisë për të rritur
Krijuesi Agim Deva në secilin libër dëshmon se mundësitë e këndimit lirik të këtij autori janë të pakufishme: duke i zgjeruar gjithnjë rrathët tematikë me përmbajtje gjithnjë të reja tematike në shqyrtimin me kujdes e në këndvështrimet e pasura të jetës së fëmijëve në rritje e sipër, duke e pasuruar pamjen mbi interesimet, shqetësimet e preokupimet e të vegjëlve, nga njëra anë, si dhe të subjektit lirik të moshuar, të kësaj poezie, nga ana tjetër. Sepse e pakufishme dhe e larmishme është vetë jeta, ashtu sikundër të tilla janë përjetimet dhe bota e njeriut, pa marrë parasysh moshën. Porse Agim Deva, nëpërmes letërsisë për fëmijë, dëshiron t'i komunikojë lexuesit të tij gjëra jashtëzakonisht të rëndësishme: që nga lojërat për fëmijë e deri te shteti, që nga parlamenti apo jeta e rëndë sociale e deri te jeta politike; që nga kujdesi për tjetrin, nga brenga për hallet e tjetrit, e deri te miqësia e kërkimi i harmonisë njerëzore; që nga konfliktet e luftërat e deri te interesat e vockla e kundërsociale; që nga kategoritë etike të së keqes dhe të së mirës e deri te protagonistët lirikë të dashurisë, princat e princeshat. Në këtë univers temash e motivesh të përmbledhura krijuesi shtegton që nga një këshillë për pastërti e për mësimin e vjelë nga përvojat jetësore e deri te gjërat e ndaluara që mbahen në heshtje për të vegjlit, sikundër janë gjërat e prozës së vrazhdë të jetës, aspak poetike, apo sikundër janë edhe paraja, shfrytëzimi i njeriut prej njeriut, pabarazia sociale, paraja si forcë e errët që sundon dhe krijon të mirën e të keqen; e që i iu jep këtë apo atë pamje tejet të pezmatuar kontrastive gjërave esenciale të kësaj bote. Poetikën e tillë e të rëndë të jetës sociale, poeti e sintetizon me vargjet “Zihet në popull, diçka po zihet/ Ndaj kësaj vjershe s’i duhet arti”. Porse Deva aq sa e poetizon seriozitetin e temës së kënduar, po aq e vë në gërshet lojën dhe përtalljen, kurse në shoqëri atyre ua vë edhe ironinë, mjete poetike këto që nuk janë të rëndomta për moshën e të vegjëlve. Qeshja e fëmijëve te poezia “A të qeshim prapë?...” merr konotacione e ngjyrime të reja ironike në lirinë me lak në fyt e me duar të shtrira lypësish. Më tutje, qeshja merr ngjyresë zemërate: “Kam frikë, nesër qeshim prapë”, duke e mbuluar ironikisht semantikën e fjalëve luftë apo revolucion me fjalën qeshje. Ndodh kështu, se përpara, në tryezën e leximit, na vjen një krijimtari që tashmë dëshiron të jetë unike, me pikësynimin t‘i bëjë sa më të padukshëm, t’i hallakasë e t’i fshijë kufijtë midis letërsisë për fëmijë e letërsisë për të rritur. Ironia, e, kund e kund edhe sarkazmi e satira, fishkëllejnë si atribute të realitetit tonë social.
2. Universi estetik i vizioneve/ realiteti i ndërliqshëm
Vërtet, diçka e pakëndshme ka ndodhur, çuditërisht, edhe pas kësaj lufte çlirimtare! Më se njëherë poeti ua tërheq vëmendjen të rriturve, kryesisht atyre që u mveshën me pushtet, se gjërat kanë marrë teposhtëzen dhe mund të ndodhë shpërthimi popullor. Brezat krijues të Agim Devës tashmë vijnë me përvoja të reja krijues e jetësore. Po edhe fëmijët i kanë përvojat e veta: ata vijnë nga lufta e po rriten nën trysninë e rëndë sociale e politike të mbasluftës. Këta fëmijë nuk janë naivë, sa të mos i kuptojnë gjërat që ndodhin rreth nesh. Qenia poetike e karaktereve lirike të këtyre librave, sa do që është fëmijë, nuk është një qenie infantile, krejt e pasherr; sepse kjo krijesë e vogël di të vërejë, të vëzhgojë dhe të zbulojë me mendjemprehtësi e urti aq e aq gjëra e cene në jetën e të rriturve përreth nesh, aq e aq të meta, ligësi e sjellje që vrasin mendjen e tij e botën e tij; ashtu sikundër edhe entiteti i arrirë poetik, ai i moshës së shtyrë, vetë krijuesi, tek e merr rolin e folësit lirik; është një subjekt me imagjinatë të pasur e me vizione jetësore krejtësisht të lira e jashtë kallëpeve të çfarëdo ngjyre a ideologjizimi qoftë ai. Ndoshta, duke i parë këto vizione kundruall realitetit që nuk ia fsheh fëmijës, ky folës lirik rebelohet, revoltohet, dëshiron ta ndryshojë realitetin, fillimisht me anë të ëndërrimit a revoltës individuale e, mandej, edhe përmes zemërimit kolektiv të qytetarit të kohës sonë. Lirika e këndimit të mirëfilltë ia liron vendin pamjeve të reale të jetës, porse këto pamje na vijnë me ndjeshmëri të re poetike. Protagonistët e poezisë së mëparshme, si Xhela me shokë, tashmë janë rritur, e kanë bërë luftën e tyre, dikush ka rënë në altarin e Atdheut, të tjerët vazhdojnë të jetojnë nën thundrën shtypëse të realitetit të ashpër social. Është po ky Xhelë që përbën portretin kolektiv të gjeneratave të reja e që i bartën mbi supe kohët që u thyen mbi ne e brenda nesh. E, me këta protagonistë, është rritur edhe poezia, e cila tashmë kuvendon me të rriturin njësoj si me fëmijën. Prandaj edhe poeti për fëmijë bën të tjera kërkime poetikash, kërkon të tjera fjalëfillesash e formulash poetike për t’u dhënë emërtesa të sakta kohëve që po i jetojmë. Se koha e sotme solli jo vetëm përvoja të reja, po edhe njerëz të tjerë, emra të rinj, telashe të tjera, krijues me ide e procedime të tjera që erdhën nga rrugë të ndryshme. Kurse poezia e Devës, pse jo, e tumir këtë situatë të ndryshuar, duke na u paraqitur me pamje të reja e të pazakonshme, të papërjetuara më parë, na vjen me një ndjeshmëri të re humori e përtalljeje, qortimi e urtie, porosie e këndimi. Të duket sikur poeti i ka ndryshuar përmbajtjen e lëndës artistike, po i ka ndryshuar edhe theksin e ritmin, fjalorin poetik a metrikën, procedimorin lirik a përqasjen ndaj jetës dhe artit. Dhe, ky univers kaq i pasur tematik-motivor e ideor, dëshmon edhe për qëndrimin estetik të krijuesit Agim Deva: se shkrimtari për fëmijë nuk zë vend diku në margjina të gjërave në gjirin e jetës shoqërore apo të asaj letrare e kulturore; porse qëndron e lëviz mu në thelbin e këtyre gjërave dhe mu në zemrën e kësaj shoqërie. Nga ana tjetër, duke sjellë informacione diturore të rëndësishme si për të rriturit, ashtu edhe për fëmijët, duke kënduar e trajtuar rrëfime poetike të temave kaq të zymta, të papërballueshme e të ngrysura të përditshmërisë sonë të mbasluftës, ai na i sjell pikërisht të vërtetat e mëdha të kësaj kohe. Por poeti Deva e respekton nga shumë anë lirinë e botës së fëmijërisë e të fëmijëve, sepse ai nuk i imponon kësaj fëmijërie tendenca a pikëpamje që do ta rrënonin këtë liri; ai dëshiron që ky fëmijë, qoftë edhe i rrituri, të bëhet Njeri në kuptimin e plotë të fjalës, e jo një Homo politicus që tjetërsohet pandalshëm, ani se këtë qenie nuk e lë të qetë zoon politicon-i ynë, sikundër këndohen te poezitë “Çka hanë xhepat”, “Këngë e sotme popullore”, “Karrocieri pa karrocë”, “A të qeshim prapë”, “Xhelë, qëlloja se kush jam”, “Pse pështyn babi në ekran”, “Ëndrra të këqija” etj të librit “Gurët...”; apo “Kjo poezi s’është për fëmijë”, “Thesi është thes”, “Mali”, “Fisnikja dhe muri kinez”, “Kërkoj një fjalë me k” (si e konceptojnë fëmijët fenomenin e korrupsionit), “A është gjallë Migjeni”, “Si shkon në punë një baba”, “Kush ma verboi zogun tim” etj të librit “Mungon një zemër”. Pikërisht mbi këtë taban këndimi poeti sjell thelbin e përmbajtjes së dinjitetit njerëzor që në poezinë e parë me motive lufte, me titullin gurët fluturues: duke kënduar pikëmbështetjen te rrënja atdhetare, nga e cila nuk ke se si të çrrënjosesh, ani se Deva nuk parapëlqen kësaj radhe të rikëndojë e të poetizojë legjenda, përralla e kallëzime të moçme, sikundër veproj ë jo pak autorë të letërsisë sonë për fëmijë. Porse fëmijës së subjektit lirik të poezisë së Devës nuk i mungon optimizmi jetësor, e ky optimizëm nuk është as naiv e as imagjinativ, por realist, që kërkon nga ky subjekt të mbajë qëndrim pozitiv ndaj problemeve e aspekteve jetësore. “Optimizmi është shkathtësi e zotësi që mund të mësohet”, thotë Lorens E. Shapiro. Kurse Martin Seligman në veprën e tij “Fëmija optimist”, thotë se njeriu optimist beson në qëndrueshmërinë e ngjarjeve të lumtura, në proceset me përfundim të lumtur dhe merr përgjegjësinë për të ndodhur gjëra të mira. Kundruall situatave të përshkuara me stres social e jetësor, Deva sikur na thotë se fëmijët nuk kemi pse t’i mbrojmë nga realiteti i ashpër, por i mëson ata, që njeriu, me shembullin e tij jetësor, mund të ballafaqohet me situatat më të rënda.
3. Vjershërimet/ në vullanjtë e tipologjisë së lirikës moderne
E tillë është poetika realiste e Devës: sepse përsiatja realiste është objektive, e pikëvështron botën të tillë, çfarë është, dhe lë që të kuptohet tërthorazi se ti duhet të mendosh si t’u përgjigjesh këtyre situatave me anë të vendimit që merr dhe veprimit që e bën. Në tipologjinë e lirikës moderne, poezia e tillë përkufizohet si lirikë e inteligjencës emocionale. Poeti e ka edhe strategjinë e tij poetike për ta ndryshuar realitetin e dhënë: e ka diagnotifikimin e problemit social, jetësor e emocional; e ka tipin strategjik të luftimit të këtij problemi (me anë të trajtës lirike të dinakërisë, duke e rrëfyer problemin në mënyrë të re e dinake), e ka luftën e tij lirike guerile (lejohen të gjitha mjetet deri te revolucioni), e ka sheshin dhe arenën e tij të luftës, kohën më të përshtatshme, aleatët, zonat e lira, po edhe paktin e marrëveshjes si në poezinë “Fisnikja dhe muri kinez”; apo si mund të jetojnë të rriturit e fëmijët etj, si te poezitë “Çka hanë xhepat”, “Këngë e sotme popullore”, “Karrocieri pa karrocë”, “A të qeshim prapë”, “Xhelë, qëlloja se kush jam”, “Pse pështyn babi në ekran”, “Ëndrra të këqija” etj. Kund e kund poezia të duket se herë-herë është një monolog e herë-herë një bisedë e subjektit lirik me vetveten, një si procedimor a mënyrë e të mësuarit të sjelljes së re, si do t’i shkonte në interpretim thënia e Daglas Bloh-ut në librin e tij “Monologu pozitiv për fëmijë”. Aty diku në universin e larmishëm të këtij këndi, përmblidhen dhe e gjejnë trajtimin e tyre edhe tema të "ndryshimit", të përmirësimit të botës apo tema alkimike, tema të dashurisë së parë, që këndohen e kujtohen mjeshtërisht nga dy kënde ligjërimi: nga ai i folësit lirik të fëmijës dhe nga plani i kujtesës jetësore të të rriturit (poezitë “Klara”, “Çka pa hëpna në dritare” të librit të parë, apo “Mungon njç zemër”, “Maji etj të librit të dytë). Aty poeti sjell imagjinatë dhe përshkrim real të gjendjes, sjell dashuri të ngrohtë, sjell miqësi dhe lojëra. Në kornizat e tilla të imagjinuara poetike të rritjes së këtyre fëmijëve, ai i vendos protagonistët e vegjël, nga njëra anë, si dhe subjektin e rritur poetik, nga ana. Folësi lirik e merr përdore lexuesin e tij të vogël a po për të rritur. Tema bosht që mbizotëron kësaj radhe në këta dy libra poetikë, është raporti në mes të fëmijëve dhe të rriturve. Poeti na thotë se në imagjinatë ka gjithçka më të bukur se në jetën e përditshme, kurse jeta e përditshme, me andrallat e saj, po edhe me përvojat, preokupimet, interesimet, përjetimet, pamjet e ndodhitë, është po aq e pasur, sa edhe universi i imagjinatës. Dhe le t'i lexojmë këta dy libra si metafora të kohës sonë. Poeti e ndan librin në vjershërime, sikundër e përdor këtë nocion të bartur nga rilindësit tanë, për të na sugjeruar vertikalen e këndimit tonë klasik/modern. Trajta e vargut a e vjershërimit, i përgjigjet kërkesës së fëmijës për thënie të formuara ritmike, me rimarium aq të pasur, e të cilat shndërrohen mjeshtërisht në lojë. Duke ndier nevojë, që, kund e kund, të rrëfejë, poeti trajton edhe vjershërime ca më të gjata e që përafrohen me poemën: “Kush ma gjen Gjonin” (evokim i valëve të jetës për një nxënës të talentuar të dikurshëm që ka shkruar vjersha, por tani i tretur me gjithë prirjen e tij), “Pallati me rrufepritës” (jeta urbane me kontrastet e mahisura e të acaruara), “Nga më çon karroca ime” (përsiatje lirike për situatat sociale-jetësore e për realitetin e ndërliqshëm, për botën gjithë labirinte të artit, diturisë etj), “Skënderi e singeri” (portreti psikobiografik e psikosocial i një rrobaqepësi të braktisur në moshë të thellë në një simetri kontrastuese kohësh) e ndonjë tjetër – te libri i parë; apo “Roli i skamnorit” (po i njëjti portret psiko-social-biografik i një aktori po ashtu të braktisur, të lënë pas dore, pa përkujdesje, pa ndihmë e pa përkrahje e ku shoqëria e “konsumit” ia kthen shpinën në moshë të thellë), “Çokolatat” (përsiatje imagjinative e me figura të çrëndomtësuara për fatin jetësor), “Kush ma verboi zogun tim” (mësuesi hallexhi në hapësirat e parlamentit përballë ish nxënësit të tij, tani i tjetërsuar e me shpirt të korruptuar) e ndonjë tjetër – te libri i dytë. Deformimet e tilla sociale, politike e jetësore, e kanë pezmatuar aq shumë jetën tonë dhe pamjet e tilla janë të stisura në të dy librat. Së këndejmi, poema i jep mundësi autorit t’i ndërlidhë poezinë me rrëfimin lirik, duke e zgjeruar dhe zgjatur kënaqësinë e receptimit. Poeti këmbëngul që lexuesit të tij të vogël, a ca të rritur, t’ia komunikojë një pamje, një ngjarje, një rrëfim, një mbresë e, po ky lexues, në të gjitha këto, do ta rinjihte vetveten dhe do t’i ndriçohej më mirë rruga për t’i parë problemet e shqetësimet që e mundojnë. Në planin tematik autori, pra, ndërfut edhe përpunime të tilla artistike që nuk i drejtohen vetëm lexuesit të vogël. Agim Deva është i ndërgjegjshëm se zhvillimet letrare gjatë shekullit që e lamë pas, e kanë zhvilluar edhe prirjen për t’i lëkundur kufijtë e themelet e letërsisë së mëparshme, sepse fjala e shkruar nuk është privilegj vetëm i të rriturve, po edhe i të vegjëlve; tek kanë përjetuar përhapje të shpejtë zhvillimi urban, teknologjia informative, sistemet e reformuara arsimore, teknologjitë e reja të mësimit e të metodikës së mësimdhënies. Së këndejmi, tekstet e shkrimet letrare tashmë e kanë braktisur rolin e ndërhyrjes së drejtpërdrejtë në procesin e njohjeve e të thënies estetike: e pra, do të thotë se kufijtë në mes letërsisë për fëmijë e asaj për të rritur tashmë janë zvogëluar. Te e fundit, kjo poezi na fton që ta lexojnë po e me të njëjtën kërshëri edhe të rriturit. Kjo do të thotë se letërsia për fëmijë tashmë e ka arritur shkallën e mirënjohjes shoqërore, shkallën e receptimit nga të gjitha moshat. Lirika e tillë ia kalon së ashtuquajturës letërsi për të rritur në komunikim. Letërsinë e tillë mund ta krijojnë e ta shkruajnë vetëm poetët me pjekuri, urti e dhunti të mëdha krijuese.
Shkrimtari Idealist Shqiptar gjatë shekullit XX
Në cilën anë është shkrimtari? Anën e kujt e mban ai?
Problemi është i moçëm, ç’prej se mbahet mend krijuesi i parë në punë të artit. E pra, dikur e tani, shkrimtari ishte në anën e atdhesisë, lirisë, demokracisë, përparimit etj etj. Do të thoshim, në anën e Njeriut e të Humanizmit. E në radhë të parë, ai qëndron në krahun e artit. Tek e fundit, krijimtaria artistike, përbën esencën afirmative të të gjitha gjërave. Kurse në anën tjetër të barrikadës do të qëndronin ideologjitë e ndryshme agresive, totalitarizmi, dogmatizmi, absolutizmat e ndryshëm politiko-sistemorë, etj etj.
I Abeli në anën e Shkrimtarit, Kaini në anën e Politikës
Vetëm krijuesit e mëdhenj, këta ëndërrimtarë të pandreqshëm, si thotë një poet, kanë arritur t’i realizojnë e t’i ndërtojnë sintezat e suksesshme në mes letërsisë dhe politikës; në mes shoqërisë dhe artit, në mes kombit dhe krijimtarisë artistike, në mes të vizioneve për humanizmin e demokracinë dhe të esencave estetike. Nëse problemet e çështjet njerëzore shenjohen nëpërmes Sfinksit antik, që shtron enigma për zgjidhje, zbërthyesi i tyre shenjohet nëpërmes Edipit, kurse privilegji i krijuesit iu jepej perëndive e pajtoreve të arteve, muzave, që ua sjellin frymëzimin; nëse nocioni zanafillor biblik mbi kreacionin mbështetet në Hyjin si semper creator; epoka moderne që zë fill me Humanizmin e Renesancën, këtë privilegj e zbret tek njeriu; por jo krejtësisht tek Njeriu i Rëndomtë, po tek Të Zgjedhurit, tek Heroi, Mbreti, Gjeniu, Artisti. E pra, përsëri Njeriu e njerëzimi e ngjizin dimensionin e të fshehtës a të së mistershmes në natyrën njerëzore krijuese a në vetë aktin e krijimit. I zgjedhuri i tillë, i shenjuari i tillë, ka diçka që e dallon nga të tjerët të jetë Hero, Gjeni, Krijues, Mbret etj. Shekspiri tek “Mbreti Riçardi i Dytë, ndër të tjera, e vë këtë replikë dramatiste: “Si ju jam, prandaj a jam mbret?” Gjeniu,Krijuesi e Heroi përkujtohen përjetshëm, kurse Mbreti ra. Megjithatë, që nga Ezopi e këndej, krijuesi letrar është konsideruar si kryengritës i përhershëm, si opozitar i lindur karshi shoqërisë. Nga ana tjetër, janë qindra krijues shqiptarë që i provuan mbi kurrizin e tyre përndjekjet,burgosjet, privimet, libërdjegiet, pushkatimet, vrasjet, eksodet, anatemimet e çka jo tjetër, vetëm për shkak të qëndrimit të tyre në anën e atdhesisë, identitetit të rrezikuar shqiptar, humanizmit, demokracisë, ideve largpamëse e vizioneve emancipuese, ashtu sikundër iu ka ndodhur dhjetra humanistëve arbërorë, si Marin Barletit, Marin Beçikemit, Mikel Marulit, Leonik Tomeut, Martin Segonit, apo autorëve të Letërsisë së Vjetër Shqipe, si Buzukut, Dhimiter Frangut, Pjetër Bogdanit, Pjetër Budit, Lekë Matrangës, Pal Engjëllit e engjëllorëve të tjerë, Lukë Bogdanit etj etj, të cilët i përndoqi okupatori turk, i detyroi ta braktisin atdheun apo edhe të vriten nga po ky okupator, më mizori që ka njohur historia e këtij populli në këto anë. Okupatori turk i gjeti arbërorët me universitete e shkolla të larta të frymës humaniste evropiane. Tash vetëm mund ta imagjinojmë se ku do t’ishim sot me një traditë 600-vjeçare universitare, të cilën e ndërpreu sundimi turk që nuk kishte se çka t’iu sillte arbërorëve, pos errësirës e oskurantizmit.Kështu iu ka ndodhur edhe qindra krijuesve të tjerë shqiptarë që nga vitet njëzet e këndej të shekullit që e lamë pas, të cilët nuk i kanë mbyllur sytë para realiteteve të reja, prandaj e kanë pësuar atë fat, qoftë nga diktatura e Zogut, qoftë nga ajo e regjimit totalitar komunist për pesë dekada rresht. E mandej na vijnë librat e burgut në letërsinë shqipe, tek na shkon mendja te diktaturat e përgjakshme, si në Shqipëri, si në Kosovë: nga njëra anë gjenden të dënuarit, të mallkuarit, të ndarët nga familja e shoqëria, të poshtëruarit; na shkojnë ndër mend skenat e pushkatimit, prangat, qelitë, të torturuarit, autoburgu, njerëz që s’arritën të dalin nga burgjet, mbasi vdiqën në të të sëmurë, apo që vdiqën nga torturat a plumbi. Nga ana tjetër të dalin para kujtesës prokurorë, mendjezezë, njerëz-bisha, skuadrat e pushkatimit, policë, hetues, gjykatës e gjyqe, spiunë, diktatorë. Makina e përbindshme shtetërore e krimit. Uria, etja, mundimet e vuajtjet pafund. Në emër të popullit: gjyqe e çka jo. Prej këtij universi të ferrit real, aspak fantastik, lindi edhe një letërsi e veçantë, një letërsi tjetër, sikundër thuhet. Po përmendim pak fakte: Etëhem Haxhiademi, shkrimtar i shquar tragjedish, i shkolluar në universitete evropiane, kthehet në Atdhe për t’u angazhuar për ndërtimin e idealeve evropiane demokratike, por është burgosur nga regjimi zogist, më vonë është përndjekur nga eksponentët e pushtuesit fashist, dhe, së fundi, për njëzetepesë vjet rresht, ka vuajtur burgje komuniste, duke i lënë edhe eshtrat në burgje. Ai sikur e parandjeu se Letërsia e Politika, në këso kushtesh kundërdemokratike, janë sinonim i luftës së Kainit kundër Abelit. Kaini u hodh në anën e Politkës, Abeli në anën e Shkrimtarit. Ose rasti i Mati Prennushit që i fliste dhe shkruante në gjashtë gjuhë. Po ky Mati Prennushi që iu kishte pri çetave të armatosura kundër Turqisë, ai që ishte profesor gjimnazi; ai që më 24 mars 1911 bashkë me Atë Buon Gjeçajn shpalosën nga gjoksi i tyre flamurin në Deçiç; ai do të dënohet me varje në litar nga malazezët, por shpëton; porse më 1924 dënohet me pushkatim edhe nga Zogu (kur u ekzekutua nga perkrahesit zogist Don Gjon Gazulli), pse ishin në anën e opozitës noliane, por me ndërhyrjen e qarqeve ndërkombëtare i shpëton ekzekutimit.Po ky Atë Mati që do të konsiderohet nga autoritetet fashiste italiane si “françeskan me ndjenja të theksueme nacionaliste dhe antifashiste italiane”; nuk do të mundë t’i shpëtonte edhe një ekzekutimi tjetër, të egër e mizor, nga regjimi i diktaturës komuniste, atij të vitit 1948 “për veprimtari antikombëtare”!!! Noli dëbohet nga Atdheu, Luigj Gurakuqi vritet. Kurse menjëherë mbas Luftës së Dytë Botërore, nga letërsia shqipe po largoheshin shkrimtarët e pjesës së parë të shekullit XX, si Lazër Shantoja, Ndre Zadeja, Bernardin Palaj, Anton Harapi e Gjon Shllaku, të cilët ekzekutohen barbarisht; ndërsa kjo lagje shkrimtarësh, po vdiste në burg nga torturat si Vinçenc Prennushi, ose si i ndodhi Ndoc Nikajt, romansierit të parë shqiptar, apo “Balzakut shqiptar”; ekzekutohen arbëreshi Terenc Toçi, bektashiu Ali Tomorri, botuesi Nebil Çika; përndiqen e burgosen Ibrahim Dalliu, Mirash Ivanaj, Arshi Pipa, Sejfulla Malëshova, Petro Marko, Mitrush Kuteli, Andrea Varfi, Nexhat Hakiu, Mustafa Greblleshi, Lazër Radi… Lista do të shkonte e shkonte shumë gjatë. Mirëpo, fizionomi letërsisë shqipe do t’i japin edhe autorë tjetër të përndjekur e të burgosur, si Kasëm Trebeshina, Pjetër Arbnori, Daut Gumeni, Havzi Nela, Visar Zhiti, Bilal Xhaferri, Maks Velo, Zyhdi Morava, Genc Leka, Trifon Xhaxhika… Kurse në Kosovën e martirizuar, për aq e aq dekada rresht, po ndodhnin tri burgosjet politike të shkrimtarit Adem Demaçi. Ai i vuajti 28 vite nëpër kazamatet e ish Jugosllavisë. Kurse sot, për të qenë ironia e thellë e kohës, gjenden ende krijues të ish regjimit serbokomunist, tashmë të hedhur nëpër taborre të reja politike e të një mendësie politike të trashëguar, që duan ende ta fyejnë e ta denigrojnë nën maskat e “rendit demokratik”! Dhe kanë fytyrë të quhen shkrimtarë! E dihet se çfarë mesazhesh humaniste e atdhetare, liridashëse e demokratike, estetike e etike, përçon vepra e Demaçit. Mandej, na vijnë emrat tjerë të shembujve të mëdhenj të rezistencës kundër të gjithë absolutizmave: Fazli Greiçevci i vdekur nën torurat në burgjet serbe, në mërgim vritet krijuesi atdhetar, Jusuf Gërvalla, burgje vuanin Xajë Nura, Kosovë Rexha - Bala, Teki Dërvishi, Beqir Musliu, Kadrush Radogoshi, Adem Gashi. . . janë dhjetra emra të tjerë të shkrimtarëve të Kosovës. . . e deri te emrat e krijuesve Latif Berisha, Ymer Elshani, Selman Konjuha, Gaspër Karaçi etj, të pushkatuar në luftën e fundit çlirimtare nga soldateska serbe. E pra, nga ana tjetër, jo rrallë po ky shkrimtar shqiptar, si kudo në botë, ka qenë edhe bashkëpunëtor i Ministrisë së Milicisë shqiptare a sllave, eksponent i regjimit, ekzekutor i Res Publica-s, kalemxhi shpirtshitur, që ka luajtur rolin e cenzorit ideologjik të vrasjes së vlerave, të përndjekjes së fjalës së lirë e të përndjekjes ogurzezë ndaj vetë kolegut të tij krijues. Do të duheshin qindra e mijëra volume për ta paraqitur të vërtetën e dhimbshme jetësore të Shkrimtarit Shqiptar. Shkrimtari shqiptar ka qenë i ndërgjegjësuar se njeriu i kënaqur me gjendjen e lirisë, thënë pak butë, është konformist. Poeti shkodran, Anton Çefa në librin e tij poetik „Dritarja e një britme“ shkruan: „Për shokët e mi brezin e poetëve jokonformistë, që u rritën e u plakën pa e gëzue lirinë e fjalës dhe pa e shijue fjalën e botueme, poezia asht nji bisedë e gjatë me vetveten për ruejtjen e dinjitetit e njikëhësisht shfrim ndaj diktaturës“.
Diku nëndheshëm, në Republikën e Shpirtit, në Republikën e Imagjinatës, në Republikën e të Idealeve krijuese e njerëzore, është latuar Kujtesa Alternative, Kujtesa e Viktimave dhe e të Martirizuarve përballë represionit pushtues gjenocidor a totalitarist, përballë Kujtesës së Fitimtarit të Armës, që synonte shlyerjen a zhdukjen e Kujtesës së Parë; që pikësynonte, më në fund, imponimin e vetëm Një të Vërtete, kurse të tjerat të Vërteta duhet të heshteshin. Shkrimtarët e përndjekur, krahas dëshmorëve të tjerë të Atdhuet, kanë qenë Roja e Mburoja e kësaj Kujtese, e themelimit të këtij Identiteti nëpër shekuj, përballë inkvizicionit e shfarosjeve armike osmane, sllave apo komuniste. E vërteta ka qëndruar në anën e krijuesve të përndjekur: janë djegur, zhdukur e anatemuar mijëra libra e dorëshkrime, por të gjitha ato janë rehabilituar, sistemet e dhunës janë shembur, kurse dënimin e historisë e kanë marrë inkvizitorët. Triumfi i Lirisë, Demokracisë dhe Humanizmit i dhanë të drejtë shkrimtarit, sepse çdo fjalë, varg a vepër ai ia dedikonte këtyre idealeve. E shkrimtari shqiptar nuk kishte se si të mos ishte i tillë, atdhetar e liridashës. Te e fundit, a ka shkrimtar shqiptar që nuk ka shkruar për Atdheun dhe për Lirinë?
II. Shkrimtarët: dyshues e opozitarë të përjetshëm
Nëse krijimi është akt individual, vepra letrare, me të arritur në librari, në bibliotekë, në institucione kulture a në duart e lexuesit, bëhet edhe res publica, apo një e mirë e përbashkët. Autorët e moçëm të Antikës thoshin se Shteti apo Res Publica na është çështje publike dhe shtonin: "Videant consules, ne quid detrimenti res publica capiat! (Konsujt le të kujdesen që shteti të mos pësojë asnjë dëm). " Res Publica-n ata e mendonin si qeverisje të interesave të përgjithshme apo të të mirave të përbashkëta. Pra, politika është ajo që merret me çështje publike, kurse letërsia, si nevojë e brendshme shpirtërore e njeriut, nuk kufizohet në kohë e në hapësirë. Shoqëria si sinonim i politikës dhe qytetarit, vetë do të vendosin se si ta qeverisin veten, vetë do të kujdesen për çështjet a punët e veta, do ta bëjnë kushtetutën, o t’i zgjedhin qeverinë dhe deputetët, do të mbështeten, si deklarojnë ata, në vullnetin e popullit. Të zgjedhurve do t’iu besohet pushteti për një kohë të caktuar. Nuk ishte e rastit, pse Platoni pati kërkuar që harmonia do të arrihej, kur shtetin e pushtetin e drejtojnë filozofët si përfaqësues të urtisë e të mendjes, kurse i përjashtonte poetët. Res Publica antike e përfaqësuesve të popullit, tek koncepti i Rusosë shndërrohet në patriae, në atdhesi, në vlera të atdheut. Kurse shkrimtarët humanistë i afirmuan gjakueshëm idealet e tyre të epokës moderne: republikën dhe demokracinë, përkushtimin atdhetar, humanizmin dhe kultin e njeriut, liritë dhe të drejtat njerëzore. Ideja e lirisë është themel i identitetit evropian dhe e lindur po nga ky identitet. Porse njerëzit e lashtë të Antikës nuk e kishin parashikuar se të mirat e përbashkëta apo res publica, do të shndërrohen në interesa të veçanta, e, posaqërisht, në konflikte interesash. Prandaj, padëgjueshmëria qytetare, e lindur po nga ky opozicion i përhershëm i fushës së letërsisë, tani në kuadër të rendit demokratik, vendoset në anën e kundërt të këtij rendi. Dhe kushtetutat moderne e njohin të drejtën qytetare të padëgjueshmërisë e të mosbashkëpunimit, së këndejmi, si e drejtë, edhe e garanatuar, e drejtë edhe e realizuar, sidomos në ato raste kur pushtetarët e shndërrojnë shtetin apo pushtetin në Res Privata. Dhe jo pak qeveritarë e drejtues shtetesh e pushtetesh, vendin e tyre e kanë dërguar në theqafje, në luftëra, në shkatërrim, në sundim diktaturash të përgjakshme etj etj, kur kjo harmoni në mes urtisë e qeverisjes nuk përputhej. Mendimtarë modernë, si Rols (Raëls), Hondrih, Erikson, Berri etj pohonin se padëgjueshmëria qytetare është akt i hapët e i ndërgjegjshëm politik, i padhunshëm, i një grupi a pakice që qëndron kundër ligjeve a sistemit në fuqi, me qëllim që ta ndërrojnë një ligj apo ndonjë veprim politik e që është në duart e shumicës që e kanë në duart e veta forcën politike. Pse të mos e themi se shkrimtari gjithnjë qëndron në anën e padëgjueshmërisë. E kjo padëgjueshmëri gjithnjë gjakon parimin e Barazisë e atë të Drejtësisë. Në këso rastesh, kujtohen protesta e tilla të Martin Luter Kingut në SHBA për realizimin e të drejtave të zezakëve, ato të Gandit për pavarësimin e Indisë, pavarësi e arritur nëpërmes padëgjueshmërisë së padhunshme qytetare. Shkrimtarët disidentë të periudhës komuniste, në emër të idealeve për liri, demokraci e humanizëm, i kanë frymëzuar edhe revolucionet paqësore, me anën e të cilave janë përmbysur qeveritë totalitare e diktaturat komuniste në Evropën Lindore e në shumë vende të Evropës Juglindore.
Gjithsesi, që Res Publica nuk mund të trajtohet sot si Ide platonike, si qasje spekulative teorike, si mit ideologjik mbi rendin ideal e të pagabueshëm, si rend demokratik, në të cilin është e panevojshme padëgjueshmëria qytetare, sepse ky qytetar tashmë na i paska të garantuara të gjitha të drejtat. Kështu, e shikojnë shtetin nga këndi metafizik, domethënë, si rend demokratik që nuk iu nënshtruaka ndryshimeve, evoluimeve apo progresit. Harrohet fakti që në këtë botë tokësore, në këtë botë të gjërave njerëzore, të jetës kalimtare me pikën e lindjes e të vdekjes - nuk ka gjëra ideale, të përkyera pafundësisht apo të paprekshme, dhe, i tillë, me cene e huqe, na është edhe vetë shteti demokratik. Kurse shkrimtarët e dinë se kjo botë nuk është idilë, në të cilën ia vlen vetëm të ëndërrosh. Por, kur qytetarët binden se ky shtet nuk ua realizon të drejtat e tyre, se me veprime e programe kundërdemokratike e kundërnjerëzore, ka për qëllim t'i degjenerojë njerëzit e shoqërinë, atëherë pse të mos kenë të drejtë qytetarët që ta kundërshtojnë? Te e fundit, edhe ligjet nuk janë të përjetshme, po që vlejnë për një kohë të caktuar. Shkrimtarët janë shpesh inicues të asociacioneve demokratike, gjithnjë me pikësynimin që të bëhet transoformimi demokratik i shoqërisë dhe i shtetit. Ata janë ndër të parët, që, në kohë krizash, angazhohen në legalizimin e të drejtave e të lirive njerëzore e në zgjidhjen e konflikteve shoqërore apo etnike. Ndryshe nga mercenarët e zhurnalistikës a të literaturës së porositur e të paguar nga qarqe kundërnacionale, ndryshe edhe nga esktremizmat ideologjikë; shkrimtarët pikësynojnë të tjera caqe; ata nuk vuajnë nga iluzioni për triumfin përfundimtar të së Mirës, prandaj janë dyshues, por ata nuk pajtohen në asnjë kohë e në asnjë rast me triumfin e së keqes. Ata e vazhdojnë betejën e tyre për liri, humanizëm e demokraci. Ata krijojnë aso parzmoresh krijuese, me të cilat do ta mbrojnë me fanatizëm të drejtën për jetë; jetën që ishte dhe është ende e rrezikuar nga stihia e frikës, nga skenat e prapaskenat kundërdemokratike, nga kurthet anti-liri, nga urrejtja e dhuna; ata e kuptojnë vetëçlirimin qytetar që mund të arrihet vetëm nëpërmes luftës kundër kësaj stihie të dhunës e të frikës, duke u përcaktur për lirinë e individit e të shoqërisë. Shkrimtarët janë ata që rezistojnë kundër stihisë dhe anarkisë, që angazhohen për media të lira e të pavarura, tek iu japin mbështetje atyre ideve e atyre bartësve, që angazhohen për ndryshime konkrete demokratike. Dikur një shkrimtar i afirmuar thoshte: „Nëse dëshiron të dijsh se çfarë është shteti e sundimi i tij, dhe çfarë e ka ardhmërinë, shiko dhe mëso, se sa njerëz të ndershëm e të pastër ai vend ka nëpër burgje e sa kriminelë, dhunues të ligjit e kundërvajtës ka në liri. Kjo për ty do të ishte mësimi më i mirë”. E çka do të thotë nëse ky shkrimtar nuk i ka qëndruar besnik këtij formulimi të shqiptuar në ish Jugosllavinë? Kjo do të thotë se Letërsia e Politika mund të ecin bashkë, nëse angazhohen për ideale të njëjta, për liri, demokraci, humanizëm e drejtësi; por asesi nuk mund të ecin së bashku në fushën e demagogjisë, në të cilën mund të veprojë vetëm politika. E dihet, vendimet për fatet e njeriut, pra edhe për idetë e humanizmit e të demokracisë i merr politika e jo letërsia. Letërsisë nuk i duhen deklarat për lirinë e krijimtarisë që vijnë nga politika, sepse ato janë deklarata politike. Prandaj, në dekadën që shkoi, shkrimtarët i kemi parë, tek angazhohen edhe për dialog në mes të njerëzve, janë ithtarë të vizioneve liridashëse e të ideve humaniste, liberale dhe demokratike, gjithnjë në kundërshtim me shumësinë e ideologjive të stalinizmit, klerikalizmit, shovinizmit apo të patriarkalizmit militant. I kemi parë tek e ngritnin zërin e tyre për realizimin e kushteve ligjore, institucionale e procedurale; si dje, si sot, ata reagojnë për të drejtën e informimit objektiv, për shprehje të lirë të interesave, bindjeve e ideve, në mënyrë që Res Publica e tyre të ketë publik të formuar e me ndikim në të mirat e përbashkëta. Ata shprehin zemëratën e tyre kundër propagandës e manipulimit me opinionin publik; e afirmojnë dhe e zhvillojnë mendimin e qëndrimin kritik, kulturën e mendimit e të krijimit. Nuk është e rastit pse në këto parime të qytetarisë moderne, tek formulohen nëpër programet e lëvizjeve apo të partive politike, në radhë të parë, marrin pjesë vetë shkrimtarët. Mbase, edhe mund të zgjohet dyshimi rebelues i dikurshëm: në mos shkrimtari shitet te programi i një partie, duke e tjetërsuar esencën e lirisë së krijimtarisë? Ata janë kultivues të tolerancës e jo të urrejtjes ndaj bashkësive të tjera etnike apo ndaj pakicave. Ata janë në konfrontim e ballafaqim të vazhdueshëm me idetë çorientuese e izoluese, ata, madje, janë ithtarët më të mëdhenj të evropeizimit të popullit tonë e të formësimit të identitetit evropian në proceset e reja integruese. Nuk është e rastit pse shumë vepra që përkthehen kohëve të fundit nga thesari i letërsisë bashkëkohore botërore, e ngërthejnë farën e herezisë, dyshimit dhe intepretimit ndrydhe të rendit të të vërtetave të vendosura nga politika, nga ideologjitë e ndryshme apo qoftë edhe nga religjioni (shih romanet „Kodi i da Vinçit“ apo „Vita brevis“). Shkrimtari e ka botën e tij, të pavarur nga politika. Më në fund, ata janë dyshues të përjetshëm e opozitarë të përjetshëm.
Duke e lexuar librin “Monsinjor Dr. Zef Oroshi, një jetë e shkrirë për fe e atdhe
– Jetëshkrim” të Tomë Mrijajt, të duket sikur lexon jetëshkrimet e heronjve të kulturës a të personaliteteve mitike që personifikojnë të arriturat e qytetërimit, i tillë çfarë ishte, bie fjala, Prometheu; apo jetëshkrimet e personaliteteve historike, të cilat, më vonë, përgjatë historisë, janë mitologjizuar. Ndër të tillë personalitete historike dhe, pse jo, edhe të legjendarizuara, spikatin edhe figura klerikësh si kjo e Imzot Dr. Zef Oroshit. Nëse bota e sotme demokratike gjithnjë e më shumë pikësynon themelet dhe zhvillimin e shoqërisë civile, pikërisht nëpërmes procesit përkatës të thellimit të karakterit shoqëror të vlerave qytetare; atëherë Tomë Mrijaj ka arritur t’i pranojë ato, të subjektivizuara në sistemin e përgjithshëm të vlerave. Vlerat e tilla të personaliteteve, sikundër do të nënvizonte mendimtari Thomas Carlyle, nuk mund të përvetësohen drejtpërdrejt, po duke u bërë “pronë” e të gjithëve, shëmbëlltyra shoqërore e nacionale e të cilit e gjen mishërimin a identifikimin e vet tek heroi kulturor.
Modeli i idealitetit dokumentar
Dhe heroi i tillë kulturor përkufizohet si model ideal pikërisht për shkak të tipareve apo të arriturave në fushat përkatëse. Në këtë rast, figura e Imzotit Oroshi del në të dy këto plane në vëllimin “Monsinjor Dr. Zef Oroshi, një jetë e shkrirë për fe e atdhe – jetëshkrim”. Populli do të thoshte “Trimi i mirë me shokë shumë”. Tomë Mrijaj, fillimisht mësues, (1948, Zllakuqan i Klinës), ka emigruar jashtë vendlindjes për shkak të përndjekjeve të sigurimit jugosllav që më 1975. Në SHBA ka përfunduar studimet universitare, kurse për 11 vite ishte mik i Zef Oroshit. Ka botuar librat “Dom Anton Kçira, shërbestar i Zotit e i Atdheut” (Shkodër, 2002), “Lidhja e Prizrenit 1962-2002, themeluesi e udhëheqësi Ismet Berisha” (New York, 2004), “Marie Shllaku, bijë e Shkodrës martire ddhe e Kosovës” (New York, 2004) dhe “Ngjarje dhe portrete historike, jetëshkrime të figurave të shquara shqiptare” (Prishtinë, 2004).
Të duket sikur burimet që marrin udhë, takohen diku, dhe, ky vendtakim i përbashkët i të gjitha këtyre personaliteteve dhe bashkatdhetarëve tjerë, është diaspora shqiptare në SHBA. Kurse autori Tomë Mrijaj e posedon edhe një vizion tjetër historik, atë të vendosjes së këtyre figurave në rrethanat shoqërore e historike, kur kanë vepruar e jetuar. Prandaj kapituj të veçantë i kushtohen këtij vizioni historik, sikundër janë “Shqipëria dhe Mirdita”, “Hienat komuniste kërkojnë arrestimin e priftit”, “Një revistë e re në mërgim: ‘Jeta Katholike Shqiptare’ “, “Gjendja e bashkësisë së mërgimit politik shqiptar në Nju Jork”, “Një oazë rilindjeje në diasporë”, etj.
Për deri sa në hapësirat me trashëgimi më të paktë të shoqërisë civile, sikundër është kjo shqiptare, ende bashkëveprojnë sisteme vlerash me heronj të shumtë kulturorë, tek ngërthejnë vlera të ndërsjella e të kundërta; nuk është e habitshme pse kundruall Heroit kërkohet edhe Antiheroi, posi në historinë mesjetare, në të cilën, kundruall Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, kundërqëndron figura e antagonistit Ballaban Pasha, apo e Hamza Kastriotit, apo e sulltanëve turq; apo, sikundër ngjet në epikën shqiptare, në të cilën kundruall arketipit të Heroit mitik Gjergj Elez Alisë, vendoset figura e Antiheroit, e Bajlozit armik. Në përqasje me këtë vizion tradicional të edukimit kulturor kombëtar të autorit Tomë Mrijaj, nuk është e habitshme pse heronj të tillë negativë i dalin komunistët e ateistët në krye me Enver Hoxhën apo fashistët, apo serbomëdhenjtë. Autori përpiqet t’i japë zë vizionit të tij hulumtues, dituror e publicistik: atij të ideologemave të klerikëve shqiptarë për Fe e Atdhe, si dhe mbijetesës së diasporës shqiptare në SHBA e gjetiu. Nëse përfytyrimi për heroin, që nga antika e këndej, mbështetet në trimërinë e tij a në prirjet e tij mbinjerëzore; dhe për këtë shkak ai nderohej posi perënditë; padyshim, që, epoka moderne e ka krijuar mitin për Heroin e Kulturës, pikërisht pse njerëzit e till ngërthejnë forcë të jashtëzakonshme shpirtërore a mendore dhe rrezatojnë me veprën e me jetën e tyre po me këtë forcë në dobi të Atdheut, të Fesë, të Përparimit a të Njerëzimit. Nuk është e habitshme, prandaj, pse motoja “Atdhe, Fe e Përparim” ishte trinomi i revistës së diasporës shqiptare në SHBA, “Jeta Katholike Shqiptare” që e mxirrte Zef Oroshi. Dhe kjo diasporë na ishte më shumë se sa që e thoshte emri i saj i parë: jo vetëm shkapërderdhje e substancës shqiptare nëpër botë, po edhe shkapërderdhje e kulturës. Ishte përpjekja e saj e ethshme për të mbijetuar. Të duket sikur këto burime që arratisen nëpër botë, bashkohen diku. Kurse Tomë Mrijaj përpiqet t’i kapë këto fije e t’i bashkojë në një entitet të përbashkët e që quhet shqiptarizëm, histori e gjakut tonë të shprishur apo histori e kulturë shqiptare e përbashkët.
Via Oroshiensis
Janë aq e aq figura e personalitete, organizata politike e grupe të tëra klerikësh që detyrohen të arratisen nëpër botë, atëbotë kur shumë të tjerë dergjeshin burgjeve, vriteshin pa gjyq e me gjyq, si në Kosovën martire, si në Shqipërinë komuniste. Të tillët, nuk kishin se si të mos punonin për Atdheun për të arritur në ditët e sotme, kur tashmë një cikël historik ka përfunduar me demokratizimin e Shqipërisë e me pavarësimin e Kosovës. Duke e ndjekur modelin ideal të kësaj figure, nga viti në vit e nga dekada në dekadë, Tomë Mrijaj sjell edhe të tjerë bashkëshoqërues apo bashkëpunëtorë të Monsinjorit, sikundër janë figura klerikësh si ato të Fan Nolit, Baba Rexhepit e Imam Vehbi Ismailit; apo të tjerë si Ndre Mjedja, Dr. Antony Athanas, Abas Kupi, Mit’hat Frashëri, Imzot Vinçenc Prennushi, Daniel Gjeçaj, Imzot Rrok Mirdita, Atë Andrea Nargaj O.F.M., Dom Lazër Sheldia, Dom Pjetëpr Popaj, Dom Nikolin Përgjini, Ernest Koliqi, Karl Gurakuqi e bashkatdhetarë të tjerë shqiptarë. Aty gjenden edhe figura ndërkombëtare, si ato të papëve, të diplomatëve amerikanë e evropianë, të figurave të nderuara të klerikëve joshqiptarë që iu gjenden pranë diasporës shqiptare. Aty vendoset e shkëlqen edhe figura e Imzot Dr. Zef Oroshit. Aty defilojnë organizata politike, shoqata kulturore, bashkësi fetare e grupacione të tjera që kanë bërë emër e kanë lënë gjurmë. Pikërisht këndvështrimi i tillë dhe strukturimi i tillë i mbarështrimit të lëndës, këtë libër e bën të jetë një sintezë historiko-dokumentare me vlerë.
Monsinjor Zef Oroshi (1912 – 1989) ishte themeluesi e udhëheqësi i Kishës së Parë Katolike Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka vepruar Në Shqipëri, në Evropë e në SHBA. I doktoruar në teologji e filozofi në Universitetin e Urbinos në Itali, Zef Orishi kthehet në Mirditë si famullitar. Duke i njohur disa gjuhë, si latinishten, greqishten e vjetër, italishten, greqishten e re, serbokroatishten, gjermanishten dhe anglishten, ky personalitet jo vetëm fetar; ai është njeriu, sikundër dëshmon e vlerëson Mrijaj, që la mbas vetes shumë dorëshkrime, shënime, punime cilësore studimore, filozofike, fetare, atdhetare, copëzat e jetës, kujtimet dhe mbresat, përjetimet mes bashkatdhetarëve e të kolegëve të vet meshtarë dhe, mbi të gjitha, ai del “nxënësi shembullor i Fishtës dhe Mjedës”. Meqenëse në vitin 1951 organet e Sigurimit të Shtetit duan ta arrestojnë, ai arratiset, më 1952 gjendet në Kosovë, pastaj shkon në Itali, prej nga shkon në SHBA, ku themelon dhe e drejton shtypin katolik. Bashkëpunon me Shejzat e me Diellin, si dhe me shumë personalitete shqiptare të njohura të kohës. Faqe të tëra Mrijaj ia kushton bashkëpunimit e ndikimit të poetit e meshtarit Ndre Mjeda “në nxitjen e përkrahjen e talentit të Monsinjor Oroshit në lëmin e letrave shqipe”. Përpos trajtimeve teologjike në revistat e gazetat e larttheksuara të diasporës, ai ka shkruar edhe artikuj të mprehtë, me pseudonimet Theologu, Zodiaku, Redaksia, Drejtoria,, D.Z. etj. Duke qenë themelues i revistës “Jeta Katholike Shqiptare” (1966), me trinomin “Fe-Atdhe-Përparim”, ai ka trajtuar tema historike, atdhetare, politike, gjuhësore, tema të administrimit kishtar apo të veprimtarisë shqiptare në diasporë. Të shpeshta kanë qenë edhe polemikat që ky autor ka zhvilluar në shtypin e kohës. Ai ka demaskuar veprimet e diktaturës komuniste në Shqipëri, sidomos vrasjen sekrete të Dom Shtjefën Kurtit (1971). Sikundër dihet, ky i fundit ka qenë meshtar edhe në Kosovë, kur pati hartuar një dokument për qarqet evropiane për të ndërhyrë kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Kosovës për në Turqi në vitet ’30. Mrijaj jep edhe takimet që Zef Oroshi mbante me Nolin, si dhe veprimtarinë ekumenike e të bashkëpunimit me klerikët myslimanë e ortodoksë shqiptarë. Jep veprimtarinë e tij meshtarake, veprimtarinë në lëmin e përkthimeve, takimet me Nënën Terezë, akademitë përkujtimore për Mithat Frashërin e për figura të tjera të shquara etj.
Votra e shtëpisë dhe shkolla e dishepujve
Së këndejmi, ka qenë po ashtu vizion i shëndoshë i autorit, që historinë e përtashme, pra, të mos e shikojë vetëm nëpërmes legjendarizimit të këtyre figurave, po edhe nga burimet e autenticitetit dokumentar, historik e nga ato të dëshmisë së gjallë. Ani se unik arrin as nuk pikësynon për t’u liruar plotësisht nga këndshikimi i klisheve të formuara për mitin mbi figurat historike; ai, po nga ky këndvështrim, na i vë në pah edhe jetëshkrimet e shumë të tjerëve. Duke e zhvendosur fokusin e gjurmimeve e të hulumtimeve nga historia në të tashmen, ndjehet nevoja që të ndryshojë edhe perceptimi shoqëror e nacional i heroit të kulturës; sepse, në vend të një heroi që i jepte zë një epoke apo një civilizimi të tërë (sikundër ndodhte në të kaluarën), tani kjo gjë në botën bashkëkohore relativizohet, mbasi paraqitet modeli i shumësisë a i pluralitetit të veprimeve nacionale, shoqërore, fetare apo kulturore. Në veprim është tani modeli edhe i shumësisë së individëve veprues. Dhe tani ky vizion zbret në rrafshin e Heroit Konsensual, të Heroit Të Përbashkët a Kolektiv, do të thotë, jo vetëm të Heroit Individual. Nuk është e habitshme, pse në frymën e këtij vizioni bashkëkohor, që, një hero i tillë kolektiv nacional, na del pikërisht kleri katolik shqiptar, me martirizimet e tij të pafund për Fe e Atdhe. Autori dëshiron të na thotë se figura e personaliteti i Zef Oroshit, i shërben kohës së sotme me jetën dhe me veprën e tij; se na është një figurë e personalitet edhe për kohën e tashme të kujtesës nacionale. Duke e gjurmuar, dëshmuar, sqaruar e paraqitur këtë figurë në disa plane komplekse, sikundër janë veprimi në fushën e fesë, shkrimit, publicistikës, letërsisë, përkthimit, fushës kombëtare, politike, apo kulturore; fushës diplomatike apo në fushën e epistolarit; Mrijaj nga pak na shtyn skuqemi e të mendojmë se sa të pakta na janë njohuritë e dijet tona për shumë gjëra; sa të pakta ende i kemi botimet e tilla; se në cilat themele duhet të mbështetemi për t’i bërë tonat të arriturat e civilizimit. Nuk është e habitshme, prandaj, pse Mrijaj, në modelin e tij dokumentar, ndërfut kronikën, memoarin, letërkëmbimin, kujtimet, deklaratat, vijëzimet autobiografike, jetëshkrime figurash historike, përshkrime ngjarjesh, takimesh tubimesh e nismash; bibliografi shkrimesh të Zef Oroshit, apo literaturën e gjerë që e ka përdorur për t’ia dhënë publikut këtë libër, i shkruar, gjithsesi, për vite e dekada të tëra të qëndrimit të tij në SHBA. Në ndihmë autorit i dalin edhe burimet e drejtpërdrejta për hartimin e kësaj monografie, sikundër janë Kapidani i Mirditës, Ndue Gjonmarku, aktivistët veteranë të themelimit të Kishës dhe të buletinit “Jeta Katolike” (1966) e shqiptarëve të New York-ut. Figura e Zef Oroshit del si prototip i klerikut të rrahur nga furtunat e jetës, prototip i meshtarit tipik mirditor, “me sinqeritet e energji të pashtershme”, i njeriut që pikësynon për t’i çuar gjërat deri në fund; i intelektualit me dituri shumëplanëshe, i kundërshtarit të rreptë të ateizmit e të regjimeve komuniste. Është njeriu i formuar, sikundër do të nënvizojë Mentor Quku, në votrën e shtëpisë, ku spikatin traditat etnike e ato atdhetare, dhe në shkollën e dishepujve, ku dalin në pah formimi i tij teologjik e filozofik. Autori, Vatrën dhe Botën e Zef Oroshit, këto dy pika prej ku nisin e mbarojnë udhët e formimit nacional e të atij universal; i sintetizon në këtë mënyrë: “Mirdita është tokë abacish dhe shenjtorësh. Më parë përmendet shenjtori i tyre dhe më pas vendasit autoktonë” (fq. 34). Autori jep edhe një histori të shkurtër të Mirditës që nga shekulli XIII, jep figurat e shquara mirditore klerikësh, shkrimtarësh e kapedanësh, flet për ngjarje e bëma historike, për histori abacish e kishash, rendesh e dioqezash.
Dhe modeli shqiptar i tolerancës ndërfetare, krahinore apo modeli shqiptar i Heroit Koncensual, i Konsensusit Historik Ndërshqiptar, a nuk është një model që i shërben edhe civilizimit modern botëror për zgjidhjen e shumë konflikteve? Ato forca brendakombëtare, që e kanë prishur këtë konsensus, sikundër ndodhi në atë të komunizmit, a nuk e sollën në luhatje vetë qenien tonë nacionale, vlerat e përbashkëta nacionale?
Shenim: Kjo analizë mbi librin: “Monsinjor Dr. Zef Oroshi – Një jetë e shkrirë për Fe e Atdhe” (New York, 2008) të autorit Tomë Mrijaj, u mbajt nga studiuesi dhe publicisti Prend Buzhala, në Simpoziumin VII “E Djathta Shqiptare në Mbrojtje të Shqipërisë Etnike” në Ferizaj, Kosovë në muajin Korrik 2008.
TRI ETYDE
LUTJA E FUNDIT
(Etydë poetike pashkiane)
1.
Po lëviz një mizë. Një miliard, biliarda, triliarda lëvizje ngjajnë në një çast të vetëm. Në një të miliontën pjesë të sekondës. E, si t’i emërtosh gjithë ato lëvizje? Aq të pakapshme, të padukshme, të çuditshme. I je drejtuar në Atë Çast Dikujt. Një Fjalë e ke shqiptuar. Ke mundur ta mbyllësh Çepallën e lënduar nga shikimi i një imazhi të plagosshëm a nga një fjalë e thershme. Në Atë Çast të Fluturimit të Amshueshëm, diku në lartësitë e një Mali, ndrit një shuk drite e beftë e përsiatjesh a vegimesh. E kjo nuk iu ngjan Lëvizjeve Të Kësobotshme. Sytë tanë njerëzorë kot i kërkojnë, ato lëvizje nuk mund t’i shohin. Aq papritmas vijnë ato në zurkajat e mendimeve. Zë e i emërton ato Lëvizje. Krejt me Një Fjalë. Një Univers Në Një Oh. Një Oh Të Asobotshëm, e ndien, e para-ndien, teksa e prek. Këtu ndalu. U fute në Të Ndaluarën. Aty ku më Nuk Ka Kohë. Është Zonë e Pazbuluar e Hyjit.
Mandej, hesht. E vetmja heshtje, para së cilës përkulesh. E kur ke heshtur si tani?
2.
Po e krijoj maskën time e nuk po mundem. Këtu pranë kam aq e aq maska; masa është këtu me dy milion maska: secili shtiret a flet a lëviz simbas maskës së vet. E asnjëra nuk është imja. Mos i besoni masës, maskës, maskës-masë. Mbeta me thënien time, krejt lakuriq: shih, ti, tashma alegoria hoqi masën-maskë e doli përfushë.
3.
The: po, po pranoj të vij në këtë botë. Nëpërmes Hirit të Dashurisë. Vetë e zgjodhe të vijsh, si Jezui. Dikush tha: kjo botë është Mësonjëtore e madhe e shembëlltyrave: Bën e Nuk Bën ta bësh këtë a atë. Simbas Dhjetë Urdhëresave të Kanunit të Hyjit. The: po, po pranoj të shkoj Së Andejmi, përtej Kësaj Bote. Por, të duhet të përbirohesh: aty ku bën luftë Shpirti me Qiellin, Nata me Ditën, Dita me Natën. Je Ti, brenda Qenies Tënde, Vetë Ligji, Rendi e Kanuni i Hyjit. Ashtu je krijuar.
Lutja e Parë e Mbrëmjes: o Hyj, më dhuro aq imagjinatë, sa ta mësoj Lëvizjen e triliardtë në Dhé, në Univers: si ta dhurosh një kafshore zemër. Lutja e Dytë: më bëj një njeri t’i prek me bekimin tënd ata në Nëndhé, në Nënbotë, nën këmbë, nën shputën e këmbës, të nëpërkëmburit. Lutja e parafundit: o Hyj, na dërgo në këtë botë, këndej, të poshtër, kasapë, xhelatë, perandorë, policë, të çmendur, budallenj, që të çlirohemi nga vetvetja. Racë njerëzore jemi.
Lutja e Fundit e Mbasmbrëmjes: na dhuro atë që na bën Njerëz; nuk duam të bëhemi as Kafshë, as Zot. Falemnderit, o Zot, që po na barazon me Veten Tënde: Të jesh Ai Që Je.
NJERIU I TRIDHJETEGJASHTË I URTISË
(Etydë borhesiane)
Tridhjetepesë urakët e Dheut askush nuk i kishte parë, po për të tridhjetegjashtin dihej. Ky e arsyetonte para njerëzve gjithëpraninë e Hyjit. Borhes thotë se ata quheshin Njerëz të Drejtësisë, të cilët e arsyetonin botën njerëzore para Hyjit. Drejtësisë dhe Urtisë nu i duhen dëshmitarë. Prandaj, po u muar vesh se kush na qenka I Urti apo I Drejti, aty për aty ia beh kobi: Kob I Urtisë dhe Kob I Drejtësisë. Nuk vdiste vetëm i tridhjetegjashti, i cili ishte i gatshëm të mos e linte vendin e zbrazët: vraponte sa te secili njeri nëpër botë për ta arsyetuar praninë e Hyjit, sa te Hyji për të folur për Njerëzit. Dhe kështu, është bërë Shpëtimtari kryesor: për ta shpëtuar botën para Hyjit dhe për ta amshuar Hyjin para njerëzisë.
BOTËVRASËSJA
(Etydë e gjithëkohshme)
Një gruaje iu paraqit në vegim se po gjykohej nga një gjyq hyjnor si vrasësja e kriminelja numër një e fëmijëve. Rreth 12 vjet nuk lindi fëmijë. Lutjet e saj prekën qiellin dhe tokën. Hyji e dëgjoi dhe ia dhuroi dy fëmijë, një djalë e një vajzë. Mandej u dha mbas afshit të pafre: abortoi njërën mbas tjetrës pesë foshnja të palindura. “M’i vrave pesë foshnjat e mia që do ta shpëtonin botën”, e akuzonte në vegim Hyji. Kur ua rrfeu vegimin fëmijëve, I Madhi I tha:
1. Shpëtimtari i Parë do të quhej I Marri. Bota ka nevojë për të marrët e urtë. Ata na nevojiten që të ndërhyjnë në vatrat e krizave, për të bërë prerje cezarike botërore, për ta shpëtuar botën.
2. Shpëtimtari I Dytë do të quhej I Çmendur. Atdheu ka nevojë për të çmendur. Ata na duhen që t’i bien me grusht Tiranisë mu në Zemër dhe për t’i qeshur e përqeshur të gjitha marrëzitë tona.
3. Shpëtimtari I Tretë do të quhej Rrugaç. Kemi nevojë për vetmitë e tyre. Rrugët tona kanë nevojë për shtegtarë vetmitarë, si yjet në qiellin e paanë. Ata duken të zhgënyer, po nuk është gjithmonë kështu. Edhe Dielli, Hëna dhe Yjet duken nganjëherë të pikëlluar, po ata asnjëherë nuk e ndiejnë veten të vetmuar. As të zhgënjyer. Të mashtron pamja. Ata mësyjnë errësirën drejt dritës. Ata shndërrohen në farë plleshmërie për të tjerët që vijnë pas.
4. Shpëtimtarja E katërt do të quhej E Çuditshmja. Na mëson si ta nxjerrim e si ta lëmë zemrën mënjanë, si të bëhemi qenie jashtë kësaj bote normale, e si t‘i shohim edhe shpirtërat e bimëve, drurëve dhe zogjve.
5. Shpëtimtari I Pestë do të quhej Fantazmagoriku. Do të na vizitonte netëve të vona nëpër podiume e shtretër të fjetjes, nëpër dhoma gjumi e qoshqe të oborreve. Sytë do të na i mvishte me pëlhura përrallash, kurse në gjumë do të na ligjëronte për të vërtetën hamletiane. Do të na çlironte nga ndërdymjet e rënda: si t’ biem me grusht errësirës.
Romani “Passio” i Anton Gojçajt
Të mos harrojmë: një letërsi e tërë rrëfehet në tipin e passio-s. Passio është edhe rrëfimi funksional, i shpërndërrimit të tensionit jetësor në një tension rrëfimor ekzistencial, një ngjarje e jetuar shpërndërrohet në ngjarje tërheqëse të përjetuar... Është rrëfimi për vuajten, të cilës i jepet kuptim nëpërmes rrëfimit. Passio quhen edhe rrëfimet biblike për vuajtjet e kalvarin e Jezusit, gjithandej janë rrëfimet për vuajtjet e personazhit deri te antiteza kryqëzim/ringjallje, ripërtëritje... Këtë paradigmë të bukur biblike Anton Gojçaj arrin ta funksionalizojë artistikisht nëpërmes ankthit ëndërrues e psikologjik të piktorit mërgimar Jozef Montanaro-s që arrin përsëri të bëhet Zef Gjoni i dikurshëm. J.M Adam (Les Textes: types et prototypes, Paris, 1997) do të theksonte se fenomeni i passio-s i referohet një situate të përgjithshme emocionale: një ndjenjeje të fuqishme të dimensionit emocional, të zgjuar nga zëri i përvojës, që e nxjerr në pah pasiviteti! Madje, personazhi ka shfaqur dëshirën e tij, të selitur nëpër dekada, që ta harrojë krejtësisht të kaluarën, idenitetin, familjen... Të duket se Jozefi zgjohet nga ky pasivitet shumë dekadash dhe këtu zë fill romani. Emocioni i rikthehet rrëfimit: porse ky emocion është kaq e kaq i kontrollueshëm nga ana e narratorit objektiv të romanit. Nga ana tjetër, passio dhe narratio kundërveprojnë dhe bashkëpunojnë: do të thotë passio (reflektimi, ndërdija, ëndërrimi) dhe narracioni i japin e i marrin njëri-tjetrit. E papritura këtu vjen nga zgjimi i Jozefit për të ndërmarrë një aventurë të kthimit kah vetvetja e për t’u kthyer, së fundmi, në vendlindje: aty ku ai takohet me nënën e tij, martohet, i lind trashëgimtari (shenjë e trashëgimisë etnike të mendësisë shqiptare) dhe jeta vazhdon e ringjallur pas një tragjike të shumëfishtë, të zhvilluar në heshtje.
1.
Jozef Montanaro (Zef Gjoni), piktor vetmitar, i njohur që jeton në Nju Jork, i pamartuar, sheh në ëndërr, që, në prag të festave të ringjalljes së Jezu Krishtit, armiqtë e Malësisë ia vrasin babanë, në përpjekje për t’ia shpëtuar Qengjin Zefit të vogël. Këtu zë fill gjithçka te ky roman. Në "Librin mbi Jobin" thuhet: "Në një ëndërr, në një vegim të natës, kur një gjumë i rëndë i zë njerëzit, kur dremitin në shtretërit e tyre, Atëherë ai hap veshët e njerëzve dhe vulos paralajmërimet që u bën, për ta larguar njeriun nga veprimet e tij dhe për ta mbajtur larg nga kryelartësia, për të shpëtuar shpirtin e tij nga gropa dhe për të penguar që jeta e tij të mbarojë nga shpata.” (JOBI, 33, 15-18). Po e thërrasim në ndihmë edhe Gustavus Hindman Miller-in, i cili në “Leksikonin e ëndrrave - interpretime” thotë: “Nëse e shihni në ëndërr babain tuaj, do të thotë se ju jeni gati të përfshiheni në vështirësi dhe ju duhet një mbrojtës i mençur për të dalë nga ajo situatë.” Sa e sa herë e kemi ndeshur në letërsi projeksionin ideal të ëndrrës, të vegimit a të idealitetit etnik, të identitetit personal e të atij nacional, tek paraqitet si korrektiv i vetëdijes së heroit. Duke qenë studiues i veprës së Anton Harapit (ka botuar studimin “Fakticiteti në letërsi, Proza letrare e Anton Harapit, BUZUKU, Prishtinë 2007), Anton Gojçaj ndjek paradigmën letrare të prozës sonë të traditës. Po te kjo traditë shkrimi do përmendur edhe “Andrrën e jetës” të Ndre Mjedjes. Nga ato anë është Martin Camaj.
Nga ato anë është edhe autori i romanit “Passio”, Anton Gojçaj, i formuar nga ato tradita letrare, të cilat e shqiptojnë fuqinë e shkrimit si tekst letrar. Ndryshe nuk ke si e kupton atë thukni stili të narracionit. Ëndrra e Zefit është nj’ajo ndërdija e skalitur kolektive te ky personazh; me hallakatjet e polemit të Malësisë nëpër të katër anët e rruzullmit. Ëndrra është trajtë e rrëfimit, por ëndrra është edhe trajtë e dytë e ekzistimit. Nga ëndrra shpërthejnë përvijimet e jetës reale. Pranë e pranë vihen lirikja e dramatikja, plaga e kurbetit me amullinë e ambientit jetësor kundruall romantikës së vazhdimësisë së jetës, lirizmi refleksiv kundruall një narracioni të një shpirti të trazuar. Ëndrra për babën e vrarë, për ta shpëtuar Qengjin, simbol biblik i pafajësisë për mëktatet e botës, simbol i ringjalljes pas martirizimit, zgjon asociaconin e veprës së Harapit për copëtimin e trojeve shqiptare, Malësisë, etnisë më të
pafajshme, që e sakrifikojnë dhe e kryqëzojnë me Anë të copëtimit e dhunës. Kurse qengji këtu thur Arketipin e Ringjalljes në disa nivele: të ringjalljes individuale (ringjallja e familjes), të ringjalles si Zë i Ndërgjegjes (ringjallja e Truallit Etnik) dhe të ringjalljes në shkallë të ndërgjegjes së Kulturës/besimit. Të gjithë këta zëra të brendshëm, përmes një rrëfimi në veten e tretë, i faniten personazhit si rrjedhë e ndërdijes, përmes ëndërrimit e ëndrrës, përmes kujtimeve e përmes teknikës së introspekcionit, tek ky personazh nuk mund të shqitet nga ngjarjet e rënda të së kaluarës, nga koha me peshën e ngjarjeve, me barrën e rëndë të kujtimeve e me barrën e bëmave historike. Transformimet moderne narrative, saktësimi dhe ngjizja e ideve, koherenca e tekstit artistik në rrethana të ndryshme të komunikimit artistik (Dressler), e ka çuar këtë prozë tek funksionet thellësore krijuese të gjuhës e të fiksionit letrar. Të gjitha këto perspektiva narrative, në këtë roman, konvergjojnë njëra me tjerën në mënyrë të habitshme, të magjishme.
2.
Të gjitha këto theksime të fillimit na çojnë andej, kah një lexim i mundshëm i romanit “Passio”. Tek e fundit, është thënë që intepretimi i një vepre letrare nuk merr fund asnjëherë, nuk ka lexim përfundimtar a lexim të kryer. Kontekstet e dikurshme të leximit prodhojnë kontekste të reja. Zhak Derrida do të nënvizonte se asnjë kontekst nuk ka se si të mbyllet brenda vetvetes. Hapësirat e veprimit, kronotopi i ëndrrës e i veprimit jetësor, shfaqen e zhdrivillohen që nga Nju Jorku e deri në Malësi. Nga ana tjetër, duke e vënë pranë e pranë pikturën dhe jetën, pikturën dhe artin e fjalës, pikturën dhe etninë... shkrimtari thur ndërlidhje konkrete të ndërkomunikimit estetik, sepse aty ku pena i ligjëron intelektit, aty ngjyra do t’i drejtohej, gjithsesi, ndjesive. Kështu do të ketë nënvizuar Ben Xhonson, kur fliste për strukturat krahasimtare të letërsisë dhe pikturës. Nararcioni me reminishencat për pikturën, së bashku, do ta krijojnë një shtresë tjetër, të ndërliqshme, të kësaj vepre letrare: atë sintezën në mes Pikturës e Fjalës, të Artit e të Jetës e të Etnisë, të Mitit, të Historisë dhe të Tragjikës. Mandej lëvizin figurat e dhembjes e të harrimit, figurat e vuajtjeve të zgjimit, të cilat shenjojnë akte e shkallë të njohjes e të rinjohjes, të kërkimit e të dhembjes. Shtegtimi, gati si një aventurë shpirti, gjithnjë merr fund me kthimin e personazhit te vetja, te bota e tij e brendshme. Nga kjo hapësirë e brendshme rrezaton një energji e pasionit dhe e gjakimit për t’i arritur kulmet e jetës së ardhur, të bëshme, pra të pjekur. Çlirimin përmes katarzës së Artit, do ta ndiejë si kthim kah vetja, si rilindje e jetës dhe artit... si rilindje e etnisë në trojet e bjerra. Kuvendimi ndërkomunikues në mes artit e jetës, shndërrohet në përgjërim për ta interpretuar artistikisht klithmën e zërit të dikurshëm që e thërret: “Zef ktheu”, ashtu sikundër aty ndërkomunikon edhe ëndrra me pasionin për jetën dhe artin.... si shenjë për të mos e humbur rrugën gjatë aventurave të shpirtit a gjatë odiseiadave të jetës. Nga elegjia jetësore e nga zëri i thellë i ndërdijes, zgjohet thirrja për t’iu kthyer vendlindjes, vetes, identitetit të bjerrur... Ndërthuren situata të heshtjes me ato të ethshme. Aty i lexojmë situatat e ankthit, të ëndrrës kundruall realitetit rrëgjues, të cilin duan ta ringjallin.
Te hapësira strukturore e tekstit romanor, te hapësira shumëdimensionale e figurës pikturore; te arketipat polisemantikë të ëndrrës dhe ëndërrimit... aty bëhet krejt e afërt njajo prekje e brendshme e qenies së fshehtë estetike të artit dhe njajo frymë ndërkomunikuese e së bukurës. Krijuesi tashmë ka hyrë, kështu, në hapësirat ontike e ekzistencialiste të estetikës. Sipas kësaj estetike vepra artistike është krijim ontik: ajo nuk paraqet e as nuk shenjon asgjë jashtë vetes; ajo (vepra) e paraqet dhe e shenjon vetëm vetveten, dhe, së fundi, ajo është shprehje e përsëritjes së vetë qenies, do të thotë qenka qenie e qeniesuar.
PJETËR BUDI (1566 – 1622)
(Oratorium në shtatë paradigma të flisë së përjetshme)
Libri i Botës Sanë të Dashtun, I
Unë, Pjetër Budi, i lemë në Guri të bardhë të Matit
buzë Malësisë,
Unë, tue kujtuom se ka pak gjëra të shkruara
për botën tonë, vendosa të shkruaj,
Unë, vendosa, aty ku flitet gjuha jonë fjalëvigmë,
jetën ta bëj Libër të Botës Sanë të Dashtun –
aty ku shtrohet në tryezë Buka
(e mblidhe trohat e shpirtit në Kryqin e Bartur
në pirgjet e përndritshme të jetës së brendshme
aty ku Ujit e Gjellës i jep shije Krypa,
(e bëhesh njeri I Uratës së Flijimit
për të ndritur në Dhé
si në mikpritjen vllaznore të Lazrit)
aty ku kohët e rrugët i drejton Zemra,
të shkruhet Libri i Botës Sanë të Dashtun.
Libër që nuk mund të lexohet vetëm me shkronja
le të jetë,
Libër që Polemi e lexon në rrugën e tij të Flakës
le të bëhet
Libër që vizaton me bardhësi plisi
hartën e shqiptimit të fjalëve,
le të nyjëtohet.
Letër Kardinal Gocadinit, I
Imzot, kardinal Gocadini, pot a nis këtë Letër
me besim të madh
se do të na ndihmoni.
Po ta nis këtë Letër më 15 shtator 1621.
Duhen tridhjetë vjet për të dhënë
Projektin e një Kryengritjeje,
për t’i mbaruar kikat e lirisë.
Fjalën e Thirrjes e presin tridhjetëmijë luftëtarë
e ta shqiptojnë në Sheshin e Nderit
përfalshëm atë fjalën e përjetshme: At Dhé.
Po ta nis këtë Letër,
Unë,
misionari, vjershëtori i vobtë, përkthyesi
e luftëtari me litar rreth zhguni
nga caqet e Botës Sanë rrethuar me fise besëpakë
të dyndur këndej nga ferri i rruzullimit
në Tokën e Shenjtë të Ilionit nga Dardania,
tani të lidhur kambë e duer në botën vuajtjepasosur
e ankthpritjesh
në botën shtigjehumbur
e litarvarjesh. Në shpatulla i rri
Kryqi I Shenjëdëshpërimit të thellë
si një fatkeqësi që përhapet në Fletët e Jetës
e të rrëmben në thellësi të errëta gjeratoresh:
e ta shkëput Fletëshpatoren: Idealin
(në krah shqiponje),
i cili, si shkulm gjaku,
të zbërthehet
në Fletën e Zhgënjimit.
E ta rrëmben Fletën e Vatrës:
bota t’i merr në të katër anët trimat, të lënguarit,
t’i rrëmben të gjallët të vdesin hijshëm,
t’i rrëmben të vdekurit të gjallojnë bukur.
Udhët duhet t’i kenë takimet e kryqëzimet e tyre
në bjeshkë. Fiset e shkelura e ruajnë një gjak.
I kam miq e vllazën pa dallim feje.
Shamia me lule duhet të valojë,
bari i shkelur nga kamba e turkut le të gufojë.
Malësorët në Kuç e në Lezhë, në Çermenikë e në Dibër
deri aty ku shqiptohen fjalët Bukë, Krypë e Zemër
i donë afër vetes Vdekjen dhe Kangën.
Eh, këta malësorët e mi,
një shpatë e mbajnë
edhe kur ëndërrojnë në pranga e zindane ,
edhe kur ringjallen mbas një jetëthyerjeje,
edhe kur zhyten thellë në ndajnatën e robnisë,
kur gjithçka përkulet në gjumin e jetës, -
ata bëhen yje dhe shpallin kryengritje të panumërta
kundër errësirës.
Si populli fatprerë
që i zgjohet mëria
dhe i sulmon perënditë e blasfemuara.
E shpallin Thirrjen e Jetës:
Humbjen e Madhe që nuk është kurrë disfatë
- është rast i volitshëm, Imzot,
se Turku lufton me të tjerët.
Libri i Botës Sanë të Dashtun, II
Prandaj
më lexo, Ti malsor, në konakun tënd me hir hyjnie
kur mikun e pret me kuleç
dhe kur në mbrëmje nipave u rrëfen histori,
më lëçit, Ti, Njeri i Bukës, Krypës dhe Zemrës,
që ndez strallin shkrepëtimçar e përvëlues
të dashurisë arbnore,
që zemrën e bën flamur miqësie mes popujsh,
më këndo, Ti, Legjendë e Besës që krijon një Konstandin
dhe Ti, Legjendë e Tokës së Premtuar që e krijon
Moisiun e arratisjeve, shpresave dhe kalvareve.
Shqip të mundënj me rrëfyem
ndonjë kankë të re e pëlqyer nga vetë Zoti,
Të mos e lëmë gjuha të vdaret e të bdruhet.
E ky ligjërim është te Dritë e Hyjit,
e ka zinë brenda vetes, zinë e Shekullit të Zi
jeta nuk shkohet pa vepruom gja
kundër Djallit të mallëkuom që na zhbëri e vdari qenien
që shtiu leqtë nd’Arbënë.
Sikur vrapojnë për ta parë Atin
në maje të malit nd’Arbënë a në Galile
mbas Ringjalljes së Jezusit,
ashtu Zemëra më gjet të lirë
për ta rikënduar Librin e Shenjtë
me gjëmët e jetës së Arbënit, me shenjtërinë e vuajtjes,
me mundimet e mia nga fundi i shpirtit
te Kangë e moçme e vjershërisë
këtë Libër me mbaruom.
Vetëm jeta të mos na shuhet kurrë te Diell i Ri.
Shembëlla e Përshpirtshme
E le Gurin e Bardhë
në andrrat e Kohës që gjëmon
dhe shkove të shpërndash therorshëm
frymën e Librit të Botës Sanë të Dashtun
në Shkup e Tivar e Ulpianë e Arbëni.
Shembëllën e Përshpirtshme e kishe
në rrugën e shenjtëruar për Liri,
në mjeshtrinë e shkrimit të librave.
E rruga kishte aq leqe, aq hone, aq kryqe.
Ku janë rrugët, kush i fshiu prej faqes së Dheut?
I vetëm me peshën e Arbënit në shpirt
e shpirti ish aq i sfilitur.
Sikur e bart peshën e kryqit në Golgotë
nën britmat armike, nën fyerjet e akuzat
e farisenjve me shenja kryqi.
Po as mëkati as armiku sikur nuk kanë pushtet aty.
I vetmi pushtet që e nënshtron
është dashuria ndaj Hyjit, ndaj Arbënit.
I vetmi pushtet mbi të mbaztët e jetës,
mbi mortjen që rrëzon djemtë e ri,
pleqtë bujarë dhe trimat sqimatarë,
letërorët, pernadorët, gratë dhe vashat.
Çelja e Syrit
T’u nçelënë syytë të shumëve, Tinëzot,
po i shkruaj këta libra, me Sibilën për dore (po thonë):
T’pagoiëvet me folë
E t’shurdhëvet me ndëgjuom.
A nuk është kjo dëshira e Bariut të Mirë?
A nuk është ky popull delja e humbur?
Po ku mbetën të nëntëdhjetenëntë delet tjera?
Unë nuk po i shoh delet tjera.
Delen time të humbur e njoh mirë.
Shih si është kjo grigjë e bardhë
plisëbardhësh, grash të veshura në të bardha,
fëmijësh si flutura të bardha.
Oh, jo! Grigja bredh nëpër pyje të errët,
bredh nëpër natë duke kërkuar shtegun, dritën.
E ka humbur vetveten dhe tash vetveten kërkon.
A ka kërkim më të rëndë, më të vështirë?
A ka bredhje më të dhembshme?
E zënë nga mallkimet, grigja s’ka çka të hajë:
ha terrin, ha gur e dru, ha ëndrrat e veta,
ka humbur në natën e kalvareve, në terrin e vuajtjeve.
Më ndje, Imzot, humba mbas grigjës, nëpër natë,
po kërkoj pak dritë me letrat e mia, me këta libra,
me uratat, hymnet, poezitë, homilitë dhe ritualet.
Po i shkruaj librat rrethuar me armiq,
Rrethuar nga nata e errët në Golgotë.
Zemra thamë e përthamë, zemra si dru
sytë akull i ngritë të padenjë ta shohin Qiellin,
këtu askush askënd nuk e njeh.
Ujët dhe Gjaku i sakramenteve
A thua Hyji qenka i dashuruar vetëm në lutje,
paska prirje vetëm të fshihet nga Njeriu?
A mos je edhe ti i vetëm,
posi teologët që e braktisën Jezusin?
A nuk të shesin edhe ty për 30 aspra?
Janë pesë udhëtarë që të rrethojnë në barkë,
Ndër ta edhe famullitari Nikollë Leka, oh Zot!
Pesë vetë me emrin e Judës.
Ishte ditë Krishtlindjesh e vitit 1622.
A nuk është hyjnore kjo?
Shih: të bukurën që shtrihet kudo përreth Arbënisë,
preke, ta ndjesh dhe merr frymë thellë: shih malet
e shtigjet e errëta, ku e ruajnë grigjën e humbur.
Andej janë kelmendasit, natë e ditë
me armë në dorë. Andej janë Krujë e Duagjin
që i dolën turkut prej dore.
Janë viset e Skënderbeut: Matia, Benda, Kurbini,
Tamadheja e Çermenika,
janë Ohri, Elbasani dhe Vlora, krahina t’Epirit.
Më duhet të shpejtoj nëpër krahinat t’Arbënit,
në Ulpianë e Shkup e Ohër, ku u vduer besimi
për ta çuar edhe andej një uratë kushtrimi
nga Kuvendi i Shën Mërisë së Matit.
Nga Kuvendi i Zadrimes
e nga Kuvendi i Madh i Dukagjinit, u morëm vesh
t’ ia heçim Turkut nga dora Arbërinë.
Këndej është parrizi i tokës, që quhet Arbëni:
me lumenj, peshq, gjah, kafshë, grurë e voj.
O Hyji im, më duhet të shpejtoj, ta kaloj edhe këtë vâ,
edhe këtë lumë, këtë ditë terri nëpër Golgotë.
Koha nuk pret: kush e duron tiraninë e Turkut,
Herodin me pamje sultanësh?
Imzot Pjetri e shikon Arbëninë
si Zoti kur e vështron botën.
E ku ka vështrim më të plotë?
Ku u zhduk Abeli?
Lëreni Abelin e drejtë të vijë tek Pjetri.
Hiçju Jezusit, këtij blasfemuesi, trazuesi e mashtruesi -
thanë ajo turmë teologësh dhe e gozhduan në kryqin e kriminelit.
Dhe pamjet e tij në kryq udhëtojnë nëpër kohë
tek i drejtojnë kahjet e historisë.
Kryshenjti ndë gjak trupnë ia qëndisnë
Vjen edhe ndë tokë t’Arbënit.
Shikoji turmat: a s'e dënojnë në çdo kohë e në çdo epokë
revolucionarin që trazon shpirtëra,
a nuk e dërgojnë në burg, në pranga, në gijotinë?
A nuk iu zënë pritë në rrugë a në Dri të Bardhë?
Gjërpij të famakuom e kjo zogori largohet me furi.
Aty vjen Maria Shenjte, zemëra iu akulluo:
Aty ky në prag ndahen jeta e Vdekja.
Drini i Bardhë: Ujë dhe Gjak
për ta kunguar edhe tradhëtorin e mallkuom,
me emrin Judë a Turqi, a Venedik a Nikollë
a cubat që i dalin në pritë. Abeli ikën, vjen Kaini.
Ka vetëm Ujë arbëror të Drinit
dhe Gjak arbëror të Pjetrit -
ndryshe nuk do të kryhej vepra e sakramenteve
nd’Arbënë të pagëzuom:
andej kah parakalojnë plaga e Jezusit,
engjëjt dhe shenjtërit.
Pons Pilati në Gjyqin e Kallmetit
E Pilati i helmuom vjen nga kohët tjera, i lan duart
për t’u shfajësuar posi qeni i pëgamë
tani në Gjyqin e Kallmetit.
E mandej ai ahkoi drejt mjerimit të vet
kah laku e kah thika.
Nata në Golgotë duhet të zgjasë edhe disa shekuj,
me ulërimat e ujqëve e të djajve.
I dënuar në të gjitha gjyqet e të gjitha kohëve -
ku mbet urdhëri i Tenzot: mos bëj dëshmi të rreme?
Kufomat arbërore mbesin të pavarrosura,
të vrarë në të gjitha luftërat e në të gjitha vendet,
të humbur në të gjitha betejat e në pax dei,
të kryqëzuar në të gjitha kryqëzatat.
(1980, 2006)
Vërejtje: kjo tërësi poetike apo poemë është shkruar në dy kohë ndryshme, e rimarrë nga autori gjatë vitit të kaluar, në shenjë të 440-vjetorit të lindjes së Pjetër Budit).
Përgatiti për botim :Flori Bruqi
I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...