2011-02-08

Dante, seksi dhe poezia

Hera e parë kur ia shtrëngova dorën qe në pranverën e vitit 1967. Ato kohë frekuentoja vitin e dytë të universitetit në Columbia: isha një djalosh injorant dhe i uritur për libra që kultivonte besimin (ose iluzionin) për t’u bërë një ditë shumë i zoti sa të mund të definohem poet; e si lexues i poezisë, kisha gjetur tashmë homonimin e tij në Ferrin e Dantes, një i mallkuar që zvarritet në vargjet finale të këngës XXVIII të Kantikës së parë.
Dante, seksi dhe poezia


Nga Paul Auster

Bertran de Born, poeti provincial i shek. XII, mban për flokësh kokën e vet të prerë që valëvitet para e mbrapa si një llambë: pa dyshim njëri nga imazhet më groteske në katalogun e halucinacioneve dhe lutjeve që përsëritet përgjatë tërë Ferrit. Sado që e çmonte fort poezinë e De Born-it, Dante e dënoi me ndëshkim të përjetshëm sepse kishte këshilluar princin Henrik të çonte krye ndaj atit të tij, Mbretit Henriku II; e meqë de Born kishte provokuar një ndarje mes atit dhe birit duke i bërë armiq, penda inteligjente danteske e ndan De Born-in nga vetvetja. Prej këtu trupi pa kokë që vajton në botën e nëndheshme, duke pyetur udhëtarin fiorentinas nëse mund të ekzistojë dhimbje më e tmerrshme se e tija. Kur u prezantua si Rudolf Born, mendja ime shkoi menjëherë te poeti. Mos rastësisht ju jeni farefis i Bertran-it?, e pyeta. Ah, m’u gjegj, ajo krijesa e shkretë që e humbi kokën. Bën vaki, por tutem se është e pagjasë. Mungon de-ja. Për ta pasur atë, lypset të jem pjesë e fisnikërisë, e e vërteta e trishtë është se unë jam çka do veçse jo fisnik.

S’e mbaj mend pse u gjenda aty. Dikush duhej të më kishte lutur ta shoqëroj, po se kush ishte aifarë dikushi më ka ikur nga mendja prej kohësh. Nuk e mbaj mend as ku mbahej festa – në periferi apo në qendër, në ndonjë apartament apo ndonjë nënçati – dhe thënë të vërtetën s’e mbaj mend as shkakun pse kisha pranuar ftesën, meqë atë kohë priresha t’i shmangja rastet mondane, i mërzitur nga poterja e thashethemeve, i sikletosur nga druajtja që më zotëronte në praninë e të panjohurve. Po atë natë, kushedi se si vallë, thashë po dhe i shkova pas mikut tim duke harruar vendin, cilido që të ketë qenë, ku më çoi. Ndërsa mbaj mend këtë: se në një moment të caktuar të mbrëmjes, mbeta vetëm, në këmbë, në një qoshk të dhomës.

Tymosja një cigare dhe i shikoja të ftuarit, dhjetëra e dhjetëra trupa të ndryrë në limitet e asaj hapësire, dëgjoja zhurmën e përzier të fjalëve dhe të të qeshurave, duke pyetur veten çka dreqi po bëja aty dhe mendova se ndoshta duhej ta baja bishtin prej aty. Mbi kaloriferin në të majtë ishte vënë një taketuke, e kur u ktheva për ta fikur cigaren, pashë se mbajtësja e mbushur dëng me bishta cigaresh po ngrihej lart drejt murit në shuplakën e dorës së një njeriu. Pak më herët, pa u ndërmendur për këtë, ishin ulur mbi kalorifer dy persona: një burrë dhe një grua, që të dy më të mëdhenj se unë, bile pa dyshim më të vjetër se të gjithë të tjerët të pranishëm në sallë: ai mbi të tridhjetepestat, ajo rreth të tridhjetave. Dukeshin një çift paksa i papërshtatshëm, Born me një veshje lini të bardhë të ngrënë e bile edhe të papastër, e gruaja (që pastaj mora vesh se quhej Margot) e tëra në të zeza.

Kur e falënderova për shpuzoren, ai luajti kokën pakëz në shenjë mirësjelljeje dhe tha Hajt de, me një theks të mezi vërejtur të huaj. Frëngjishteje apo gjermanishteje s’e di me siguri, ngase fliste një anglishte pothuajse pagabueshme. Çka tjetër vura re në ato momente? Lëkurë të zbehtë, flokë paksa të kuqe dhe të pakrehura (prerë më shkurt se shumica e njerëzve të asaj kohe), një fytyrë të bukur të gjerë pa tipare karakteristike (një fytyrë, të themi kështu, gjenerike, një fytyrë që në mesin e çfarëdo turme do të ishte bërë e padukshme), dhe dy sy gështenjë, të ngrirë, sytë hulumtues të një njeriu që dukej të mos kishte frikë nga asgjë. As i hajthëm as i trashë, as i shkurtër as i gjatë, po në tërë këtë një ndjesi e fuqisë fizike, mbase për shkak të duarve gjigante. Sa i përket gruas Margot, rrinte ulur pa lëvizur asnjë muskul, sytë e ngulitur në hapësirë thua se misioni i saj kryesor në jetë ishte të dukej e mërzitur. Megjithatë magjepsëse, shumë magjepsëse për një njëzetvjeçar si unë, me flokët e zinj, bluzë të zezë, fund të zi, çizmet prej lëkure të zezë dhe grimin e rëndë të zi rreth syve të mëdhenj të blertë. Jo një bukuri, ndoshta, por një monument i bukurisë, sikurse stili dhe finesa e pamjes së saj të mishëronin një lloj ideali femëror të epokës.

Born deklaroi se ai dhe Margot veç ishin duke ikur prej aty, por pastaj më kishin parë mua aty, në këmbë dhe vetëm, në një qoshk, e meqë kisha një pamje fatkeqi kishin vendosur të afroheshin dhe të më ngrinin moralin pakëz... aq sa të ishin të sigurt se nuk do t’i prisja venat para se të përfundonte mbrëmja. S’kisha ide si ta interpretoja batutën e tyre. Ky njeriu po më fyne, pyeta veten, apo përnjëmend po mundohet të tregohet i fisëm me një djalë të panjohur, pasi që e ka parë në telashe? Në vete fjalët kishin një karakter mjaft tallës, ç’armatosës, ama shikimi i Born-it derisa i shqiptonte ishte i ftohtë dhe i përhumbur, e s’munda të bëj gjë tjetër veçse të ndihem se po më studionte, më provokonte për arsye që bash s’i kuptoja. Luajta supet, nënqesha dhe ia krisa: Më beson ose jo, kurrë në jetën time nuk jam argëtuar kaq shumë. Atëherë u çua, ma zgjati dorën dhe ma tha emrin e tij. Pas pyetje sime mbi Bertran de Born më paraqiti para Margot-it, e cila më buzëqeshi në heshtje dhe u kthye në punën e saj, t’i ngulte sytë në boshllëk. Gjykuar nga mosha juaj, tha Born, dhe nga njohja e juaj e poetëve pak të njohur, do të thosha se jeni student. I letërsisë, pa tjetër, NYU apo Columbia? Columbia. Columbia, psherëtiu ai. Çfarë vendi i trishtë. E njihni? Jap mësim aty prej shtatorit, në Shkollën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Profesor me detyrë vjetore. Për fat tash është prilli e pas dy muajsh do të kthehem në Paris.


I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...